• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEGA E VATRËS NË MICHIGAN U TAKUA ME SENATORIN GARY PETERS

March 14, 2016 by dgreca

DEGA E VATRËS NË MICHIGAN U TAKUA ME SENATORIN GARY PETERS/

Sic na njofton zv/Kryetari i degës së Vatrës në Michigan, z. Mondi Rakaj, të dielën me 13 Mars 2016, një përfaqësi e degës së Vatrës në Michigan, e kryesuar nga Kryetari z. Alfons Grishaj, u takua me Senatorin Gary Peters. Bashkë me kryetarin Grishaj në takim ishin edhe zv/Kryetari Mondi Rakaj dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të Vatrës, z.Kujtim Qafa.

Është kënaqësi kur në zyrën e Senatorit amerikan të pret një shqiptare si Elisa Malile, e cila punon për zyrën e Senatorit Peters..

Gjatë takimit me senatorin Gary Peters u fol rreth problemit të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Senatori i falenderoi mysafirët për suportimin e vazhdueshëm të Vatranëve të Michiganit, ndërsa vatranët e falenderuan senatorin për mbështetjen që ai jep për cështjen shqiptare.(Korresp. i Diellit)

 

 

Filed Under: Vatra Tagged With: alfons Grishaj, Gary Peters, Vatra Michigan takim me senatorin

Muzika, simbioza e jetës së Xheni Rrojit

March 14, 2016 by dgreca

Nga Flora Nikolla/

xheni 1Tiranë, 14 Mars/ATSH-Flora Nikolla/.- Xheni Rroji, në SHBA, ka patur fatin të realizojë një karrierë muzikore të shumëanshme; perveç kontratave solistike dhe bashkëpunimeve në muzikën e dhomës dhe orkestrale, ajo ka arritur të krijojë dhe të jetë drejtore ekzekutive dhe artistike e një orkestre simfonike të quajtur nga ajo, “The Ossia Symphony Orchestra’. Kjo përvojë e ka lejuar të eksplorojë anë të industrisë muzikore si edukimi muzikor i të rinjve në shkolla të mesme, programe zgjerimi, por dhe interpretim të veprave të kompozitorëve bashkëkohorë, një aspekt i rëndësishëm për të. Kështu, Nju Jorku i dha mundësinë të zhvillohet jo vetëm si interpretuese por dhe si sipërmarrëse dhe promovuese e muzikës klasike me mënyra të ndryshme. Sot, Xheni Rroji, një artiste e formuar e quan fat që u lind dhe u rrit në një familje ku muzika kishte vend shumë të rëndësishëm. Babai i saj, Sirri Rroji, ishte dirigjent i Orkestrës Frymore të Tiranës, më parë instrumentist i Bandës së Ushtrisë dhe udhëheqës artistik i Ansamblit të Ushtrisë, profesor muzike në Liceun Artistik të Natës. Edhe në rrethin përtej familjes së ngushtë ishte e rrethuar nga muzikantë duke filluar nga xhaxhai Agim Rroji, flautisti i parë në orkestrën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Muzika për Xhenin si fëmijë ishte pjesë e pandashme e jetës së përditshme. Xheni Rroji, pjesë e librit “Zonjat shqiptare në Nju Jork“,që do të promovohet nga Albanian Excellence, më 24 shtator në SymphonySpace në Manhattan , tregon në këtë intervistë që ka patur fatin të studiojë me profesorë me reputacion botërorë në Shqipëri, në Francë  dhe në Amerikë. Ajo veçon, mësuesen e parë të pianos, zonjën Nihal Hakiu ose Zysh Lali siç njihej në qarqet e muzikës. Ajo ishte influenca dhe ndeshja e parë që ka patur me instrumentin e pianos. Zysh Lali përveçse një njeri me kulturë të gjerë muzikore, me elegancën që e karakterizonte e bëri  ta donte pianon dhe muzikën duke e mësuar me durim dhe pasion. Më pas në France pati fatin të hynte në klasën e profesorit Daniel Beau, i cili e përgatiti teknikisht, muzikalisht dhe shpirtërisht për konkurset dhe karrierën e mëtejshme.

xheni3F.N : Ju sot jeni një pianiste e njohur, a keni patur më parë një histori muzike në familjen tuaj ?

Xh.RR :  Po. Për fatin tim të mirë unë u linda dhe u rrita në një familje ku muzika kishte vend shumë të rëndësishëm. Im atë, Sirri Rroji ishte dirigjent i Orkestrës Frymore të Tiranës, më parë instrumentist i Bandës së Ushtrisë dhe udhëheqës artistik i Ansamblit të Ushtrisë, dhe më pas profesor muzike në Liceun Artistik të natës. Edhe në rrethin përtej familjes së ngushtë  isha e rrethuar nga muzikantë duke filluar nga xhaxhai Agim Rroji, flautisti i parë në orkestrën e Teatrit të Operës dhe Baletit, ndaj dhe pothuajse të gjithë kushërinjtë e parë kanë qenë pranë muzikës. Po ashtu, si njëri nga të diplomuarit e brezit të parë të Konservatorit të Tiranës (më pas Instituti i Lartë i Arteve, sot Akademia e Arteve) së bashku me Ferdinand Dedën, Robert Radojën, Beniamin Kruten etj. im atë ishte i rrethuar nga elita muzikore e kohës. Miq të ngushtë të babait si kompozitorët Nikolla Zoraqi, Tish Daija, Feim Ibrahimi, Pjetër Gaci, Tonin Harapi, Avni Mula apo edhe instrumentistë të shquar si Viktor Shiroka, Margarita Kristidhi, Anita dhe Didi Tartari, Robert Papavrami, Gjergj Antoniu, e shumë të tjerë, ishin vizitorë të shpeshtë në shtëpinë tonë. Pra muzika për ne si fëmijë ishte një pjesë e pandashme e jetës së përditshme.

F.N : Në cilën moshe ju nisët të luani në piano, Dhe kur ju e patët të qartë në veten tuaj se, “ po unë në jetë do t’i kushtohem pianos “ ?

Xh. RR : Unë fillova mësimet e pianos në moshën 4 vjeçare nën drejtimin e të papërsëritshmes Nihal Gabeci Hakiu , dhe më pas në moshën 7 vjeçare fitova konkursin për në shkollën fillore Kongresi i Përmetit, njëra nga shkollat e specializuara për muzikë. Shumë shpejt e kuptova se muzika do te ishte pjesë e pashmangshme e jetës time por kjo ndjenjë u konkretizua në moshën 15 vjeçare kur vazhdova studimet e pianos në Francë nën drejtimin e Maestro Daniel Beau. E më pas nën drejtimin e profesorit te njohur Dominique Merlet me te cilin përfundova studimet e larta në Konservatorin e Parisit.

xheni 2F.N : A mund të kujtoni disa nga profesorët tuaj që kanë lënë gjurmë në karrierën tuaj artistike dhe pse ?

Xh. RR :  Kam pasur fatin të studioj me profesorë me reputacion botëror në Shqipëri, Francë si dhe në Amerikë, por dua të veçoj ata që cilët kanë lënë gjurmët e para në formimin tim. Ndër ta ka qenë mësuesja ime e parë e pianos, zonja Nihal Hakiu ose Zysh Lali siç njihej në qarqet e muzikës. Ajo ishte influenca dhe ndeshja e parë që kam pasur me instrumentin e pianos. Zysh Lali përveçse një njeri me kulturë të gjerë muzikore, me elegancën që e karakterizonte më bëri që ta dua pianon dhe muzikën duke më mësuar me durim dhe pasion. Më pas në France pata fatin të hyja në klasën e profesorit Daniel Beau, i cili më përgatiti teknikisht, muzikalisht dhe shpirtërisht për konkurset dhe karrierën e mëtejshme- për këtë do i jem mirënjohëse përjetë.

F.N : Cilët janë idhujt tuaj në piano?

xheni 4Xh. RR : Pianistët që unë adhuroj janë fatkeqësisht në më të shumtën e rasteve nuk janë më midis nesh. Por me anë të inçizimeve që ata kanë bërë,  kemi ende fatin t’i shijojmë. Pianistë si Sergey Rachmaninoff, Arturo Benedetto Michelangeli, Emil Gilels, Vladimir Horoëitz, Lazar Berman, janë disa nga ata që unë i dëgjoj me kënaqësi të veçantë. Ata janë në gjykimin tim piktorë gjenialë të çdo kompozimi që kanë luajtur. Duhet thënë se shkolla ruse e fillimit të shekullit 20 ishte më afër traditave të pianistëve se e kompozitorëve të shekullit të 19-të si për shembull Franc Liszt, Frederic Chopin duke ruajtur pasurinë artistike që trashëguan nga autorët. Në lojën e tyre pasqyrohet trajtimi i veprave në mënyrë orkestrale, një qasje muzikore që tregon një ndjeshmëri ndaj perceptimeve më të holla të kompozitorëve, aspekt që mua më tërheq si pianiste.

F.N : Aktualisht si e shihni ju zhvillimin e interpretimit pianistik, deri ku ka arritur ai në krahasim me shekullin e XX –të ?

Xh. RR : Në shekullin e kaluar u vu re një transformim në interpretimin pianistik dhe faktet që kanë përcjellë këtë transformim kanë të bëjnë me zhvillimet teknologjike që janë bërë në 50 vjetët e fundit; flas për metodat e reja të regjistrimeve, nga kalimi në LP tek kasetat, në CD dhe mp3, mjete këto që kanë luajtur rol të madh në mënyrën e interpretimit të veprave si dhe në percjelljen e timbrit të instrumentit. Me përkryerjen e mënyrave të regjistrimit erdhi dhe domosdoshmeria e regjistrimeve sa më të pastra nga ana teknike e interpretimit. Për rrjedhojë, sot per sot proçesi i regjistrimit të veprave është shumë më i shndërtuar se përpara. Me këtë nënkuptoj se pianisti sot ka mundësine të regjistrojë një vepër duke vënë ‘gurë mbi gurë’, ose masë për masë dhe të ketë një përfundim tepër të saktë teknik po ashtu dhe interpretativ. Më përpara kur nuk ishin mjetet kaq të zhvilluara, instrumentisti duhej të luante veprën nga fillimi në fund ose ta ndërpriste vetëm në seksione kryesore. Por kjo kishte të mirat e veta po ta shohësh nga këndvështrimi i frymëzimit të çastit interpretues. Në momentin që instrumentisti merr vendimin që të kërkojë një ‘përkryerje’ të anës teknike duke regjistruar të njëjtin seksion të vepres disa herë, sado i shkurter të jetë ai, atëhere në gjykimin tim ana emocionale e interpretimit vuan. Po ashtu, shumëzimi i konkurseve ndërkombëtare të pianos me 50 vjeçarin e fundit ka bërë që interpretimi muzikor i pianistëve të gjeneratës së sotshme të jetë më i prirur drejt standartizimit te lojës pianistike, ka krijuar humbje në dhënien e karakterit emocional të veprave për mendimin tim. Intervieëer:

xheni10F.N : Ju jetoni prej shumë kohësh në SHBA, çfarë ndryshimi vini re mes pianistëve në Amerikë dhe atyre në Europë ?

Xh. RR : Për mendimin tim janë dy shkolla të ndryshme në karakter. Nuk mund të them se njëra është më e vlefshme se tjetra, sepse atëhere do ishte një mendim thjesht subjektiv. Por duhet të theksoj se ndërsa të dyja kanë karakteristika të veçanta sot për sot, me fenomenin e globalizimit këto shkolla kanë filluar të përkojnë dhe përngjasojnë më tepër. Përvoja ime vetjake është se shkolla Amerikane shtyn më tepër drejt efikasitetit të lojës së veprës në tërësi dhe përgatitjes ndaj këtij efikasiteti, kurse shkolla evropiane vëren ndoshta më tepër trajtimin e detajit muzikor në interpretim.

F.N : Cila ka qënë karriera juaj muzikore në SHBA ?

Xh. RR :  Në SHBA kam patur fatin të bëj një karrierë muzikore të shumëanshme; perveç kontratave solistike dhe në bashkëpunim të muzikës së dhomës dhe orkestrale , kam arritur të krijoj dhe te jem drejtore ekzekutive dhe artistike e një orkestre simfonike e krijuar nga unë, e quajtur The Ossia Symphony Orchestra’. Kjo përvojë më ka lejuar të eksplorojë anë të tjera të industrisë muzikore siç ishin,edukimi muzikor i të rinjve në shkolla të mesme, programe zgjerimi, etj. por edhe luajtja e veprave të kompozitorëve bashkohorë, një aspekt i rëndësishëm për mua. Domethënë,  Nju Jorku më dha mundësinë të zhvillohem jo vetëm si interpretuese por dhe si sipërmarrëse dhe promovuese e muzikës klasike me mënyra të ndryshme. Intervieëer:

F.N: Shumë artistë shqiptarë sot në botë kanë korrur sukses në karrierën e tyre , cilat jane arsyet sipas jush ?

Xh.RR: Unë jam shumë krenare për sukseset e artistëve shqiptarë në botë. Arsyet për këtë sukses janë të shumta: neve nuk na mungon talenti po ashtu dhe aftësia për t’u zhvilluar përtej talentit te lindur. Suksesi vjen si pasojë e talentit, vendosmërisë dhe punës së pandalshme për t’u përmirësuar por kërkon edhe mbështetje nga shteti, politika artistike afatgjata në mbështetje të talenteve, një mjedis kulturor e artistik të begatë etj. Shpresoj që të gjitha këto mundësi ti jepen,  jo vetëm artistëve jashtë Shqiperise por dhe atyre brenda vendit.

xheni5F.N : Përse vendosët ju të qëndroni në SHBA ?

Xh. RR:  Unë vendosa të vij veçanërisht në Nju Jork sepse ky qytet është nje pikëtakim i cili tërheq artistë nga e gjithë bota sepse u lejon atyre të eksplorojnë çdo aspekt të imagjinatës së tyre si artistë dhe nga ky këndvështrim artisti ndjehet i frymëzuar të tejkalojë vetveten. Po ashtu, një faktor i rëndësishëm për mua ishte bashkimi me familjen e cila jeton e gjitha në Nju Jork. I

F.N: Si do ta përcaktonit ju sot kontinentin amerikan ?

Xh. RR :  Si nje kontinent me vlera te ndryshme, ekonomike, shoqërore apo artistike: një nga më të rëndësishmet është aftësia e këtij kombi për t’u rigjeneruar, mbajtja gjallë e shpresës dhe e besimit se çdo gjë do të ecë përpara cilatdo qofshin sfidat dhe vështirësitë.

F.N: Mund të përmëndni kompozitorë apo muzikantë bashkëkohorë që ju keni takuar gjatë karrierës tuaj muzikore dhe që ka lënë gjurmë tek ju ?

xheni11Xh.RR: Kam pasur fatin të takoj shumë muzikantë bashkëkohorë dhe të shumtë janë ata që kanë lënë gjurmë, duke filluar nga kompozitorët Francezë, Pascal Dusapin, Guillaume Connesson si dhe muzikante te shquar, Martha Argerich, Nelson Freire, Renaud dhe Gautier Capuçon, Hélène Grimaud, Jean Yves Thibaudet e të tjerë. Në Amerikë kam pasur rastin të njihem me figura të shquara si kompozitori André Previn, mjeshtrin e Xhazit  Winston Marsalis, këngëtarin Harry Belafonte, violonçelistin Yo Yo Ma, violinistin Xhoshua Bell etj. Secili nga ata më kanë lënë mbresa të veçanta dhe kanë ndikuar në një mënyrë apo një tjetër në karrieren time.

F.N : Cilët janë kompozitorët tuaj më të preferuar shqiptarë dhe pse ?

Xh. RR:  Duhet te them se ata janë të shumtë por po përmënd disa sepse janë autoritete në muzikën shqiptare që do të qëndrojnë në kulturën muzikore kombëtare për një kohë të gjatë pikerisht sepse në muziken e tyre ndihen traditat dhe folklori kombetar. Do veçoja Nikolla Zoraqi, Tish Daija, Prengë Jakova, Feim Ibrahimi, Pjetër Gaci, Cesk Zadeja për të përmëndur disa.

F.N :  A mund të tregoni disa nga sfidat tuaj më të afërta në karrierën tuaj ?

Xh. RR :  Së shpejti do të luaj koncertin numer 2 të Frederik Shopenit me orkestren filarmonike të Budapestit një  koncert që nuk kam pasur rastin ta luaj përpara. Ky koncert është kaq i bukur dhe jam e lumtur ta shtoj në repertorin tim të koncerteve .

F.N :  Në SHBA, jeton një komunitet i konsiderueshëm shqiptarësh, sa të integruar i shihni ju ata në jetën amerikane?

Xh. RR :  Te gjithë miqtë e mi shqiptarë  në SHBA janë krejtësisht të integruar në jetën Amerikane dhe te suksesshëm me profesionet e tyre. Por ajo që më pëlqen është se ata vazhdojne të ruajnë shumë zakone e tradita shqiptare dhe Amerika duke qene vendi i emigranteve hap rrugë për suksese tek komunitetet e medha apo të vogla.

xheni6F.N :  Po gruan shqiptarë në këtë komunitet si e shikoni ?

Xh. RR :  Gruan Shqiptare e shoh po aq të suksesshme sa dhe burrin shqiptar. Njoh shumë gra dhe vajza shqiptare ne Nju Jork që kanë bizneset e tyre, janë nëna  dhe gra profesioniste. Gruaja shqiptare në Amerike është po aq moderne dhe e suksesshme sa çdo grua amerikane dhe kjo vjen nga forca e karakterit që është zhvilluar ndër gratë shqiptare prej shekujsh . Është i ndjeshëm fakti se shekulli i XXI është shekulli i emancipimit te gruas jo vetëm në ShBA  por shpresoj dhe në çdo vend të botës.

F.N :  Sipas jush cili është imazhi i gruas shqiptare në shekullin e XXI

Xh. RR : Imazhi i gruas shqiptare për mua është ai i një gruaje të forte, nëne të mrekullueshme e të përkujdesur, por edhe të bukur, moderne dhe e suksesshme në çdo rol që merr përsipër.

Filed Under: Interviste Tagged With: Flora Nikolla, MUZIKA, së Xheni Rrojit, simbioza e jetës

Si Dita e Verës në Shqipëri – Dita e Verëzes në Kosovë

March 14, 2016 by dgreca

-Në rajonin e Prizrenit, në Opojë…si në Elbasan…Në Kosovë ende nuk ka organizime institucionale si në Shqipëri për festimin e Ditës së Verëzes, por ritet e festës së lashtë pagane iliro-shqiptare tradicionalisht janë ruajtur brez pas brezi nga populli/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË/ Si Dita e Verës në Elbasan, në Shqipëri, në 14 mars, është edhe në Kosovë  Dita e Verëzes, në të njëjtën kohë e me rite dhe emërtim ngjashëm, në rajonin e Prizrenit, përfshirë krahinën e Opojës  në malet e Sharrit në lartësi mbidetare mëse 1.000 metra, në komunën e Dragashit, më jugoren në shtetin e ri të dytë të shqiptarëve. Edhe pse ka ide, në Kosovë ende nuk ka organizime institucionale si në Shqipëri për festimin e Ditës së Verëzes, por ritet e festës së lashtë pagane iliro-shqiptare tradicionalisht janë ruajtur brez pas brezi nga populli.Në Opojën e njohur për dimrat me shumë dëborë e pranvera ca “të vonuara”, në prag të Ditës së Verëzes,  pasdite dhe në mbrëmje të rinjë, po edhe fëmijë, ngjiten bjeshëve, te krojet që nuk shterojnë kurrë, mbledhin bimë a lule, drunj e  shkurra dëllinje, dhe ndezin zjarre.Vezët e ziera e të ngjyera, cakërrohen me njëra-tjetrën në garën cila është më e forta, ndërsa të spërkatura me ujin e krojeve hahen në bjeshkë dhe në shtëpi për shëndet e jetëgjatësi.Në Ditën e Verëzes zgjimi është i hershëm dhe vazhdojnë ritet e festës, pjesë e së cilës janë edhe këngët e vallet, edhe gatimet e traditës me miell misri apo gruri, por që nuk janë ballokume Elbasani, edhe pse të ngjashme janë.Në drekën e Ditës së Verëzes në tryeza-sofra shtrohet edhe mishi i qengjit, sipas traditës së këtyre anëve me blegëtori të zhvilluar.

Dita e Verëzes festohet nëpër familje, së bashku, si dhe me vizita te fqinjët e farefisi, me besimin se sjell fat, shëndet, mbarësi, përtëritje e dashuri njerëzore. Ritet, përfshirë edhe lulet e bimët që vendosen mbi portat e shtëpive, ndërlidhen edhe me zgjimin e bimësisë, gjallimin,  kalimin nga dimri në pranverë. Dhe, është ditë e fillit të verës së re.

Filed Under: Komente Tagged With: Dita e Veres, ne Kosove, në Shqipëri - Dita e Verëzes, Si Behlul Jashari

Dr. Valbona Karanxha, një nga “Zonjat Shqiptare në Nju Jork”

March 14, 2016 by dgreca

-Bisedë me Dr.Valbona Karanxha/*

– Me dashuri për dijen: Nga bangat e fëmijërisë në auditoret e Yale University/

– Ambicja ime nuk është të angazhohem si zyrtare politike, por të lehtësoj me sa të kem mudësi proçeset demokratike në Shqipëri. Dr.Karanxha/

Dr. Valbona Karanxha ka lindur në Vlorë. Është Yale University research fellow për vitet 2009, 2014, 2015, 2016. Është autore e publikuar tri herë nga Yale University për kërkimet e saj në degët shoqërore si histori dhe letërsi e Amerikës Latine, histori e Amerikës në shekujt 20 – 21, Lëvizjen për të Drejtat Civile në vitet 1960, dhe gjithashtu Kushtetutën dhe Demokracinë Amerikane. Studimet dhe kërkimet e saj përqëndrohen në fusha të ndryshme si ato politike, udhëheqësi, organizata, të lidhura me zbatimin e politikave publike. Valbona Karanxha është gjithashtu autore e botuar në gjuhen shqipe.

Punon në sistemin e shkollave publike amerikane. Ka kryer Masterin në Arte në degën e Gjuhëve Romane (latine), në Southern Connecticut State University (2003 – 2007), dhe mban gradën Doktoreshë Shkencash në Udhëheqësi dhe Politika Publike, po nga Southern Connecticut State University (2009 – 2014).

-Le ta fillojmë me fëmijërinë tuaj, mbresa dhe kujtime të fëmijërisë, ku e keni kaluar atë?

-Kam lindur në Vlorë. Nga fëmijëria mbaj mënd qytetin e bukur të Vlorës, gjyshërit e mi të cilët më jepnin shumë dashuri sepse isha mbesa e madhe. Më kujtohen mbrëmjet e bukura nga Uji i Ftohtë kur shëtisnim natën vonë dhe shikonim dallgët tek përplaseshin në shkëmbinjte poshtë Belvederes. Ishte magjepsese, dhe një lumturi fëminore në pafundësi kur vraponim të kapnim autobusin e fundit nga Uji i Ftohtë për në Vlorë. Çerdhen e kam pasur midis portokalleve, paçka se nuk e mbaj mënd kur kam qënë në çerdhe, por kopshtin dhe shkollën “15 Tetori” i mbaj mend shumë mirë. Jam rritur me dashuri dhe përkujdesje nga të dy prinderit e mi të cilët kanë bërë ç’është e mundur të shkëlqeja në shkollë dhe të isha model. Mamanë e kam pasur mësuese, por babai ka qënë ai që më edukoi me ambicien dhe dëshirën për të mësuar, dhe për të qënë një nxënese e përjetshme me dashuri të pareshtur për dijen.

-Çfarë do të kujtonit nga shkolla në Shqipëri, dhe a mund të bëni krahasimin midis edukimit këtu dhe në Shqiperi në disa drejtime?

-Shkolla në Shqipëri, pavarësisht sistemit na ka mundësuar të krijojmë një bazë të fortë mbi të cilën ndërtuam profesionalizëm në karierën tonë si edukues të brezit të ri. Kjo nuk mund të mohohet. Dija është e vyer në të gjitha sistemet, dhe pavarësisht nga metodikat e ndjekura. Përsa i përket diferencës në metodikë, shkolla në Shqipëri ndiqte një metodë që unë e quaj “Behavioral theory”, dhe bazohet në atë që mësuesit mendojnë se është e rëndësishme të jepet si lëndë, ose brënda saj, ndërsa në Shtetet e Bashkuara mësimdhënia në përgjithsi bazohet në “Constructivist theory”. Kjo është metodë empirikale, ka të bëj me ndërtimin e dijes nga eksperiencat paraprake, të jetuara ose të mësuara. Ky sistem i përdorur në arsimin amerikan bazohet në teoritë e postuluara nga psikologët Vygotsky dhe Piaget, dhe nxit fëmijët ose studentët të arrijnë në konkluzionet e tyre nga praktikat dhe arsyetimi llogjik. Është metodikë frutdhënëse dhe pergatit studentin për kërkime shkencore të pavarura në të ardhmen, gjithashtu fokusohet në eksperimente dhe projekte.

-Kur erdhët në Amerikë, si arritët të keni këto rezultate të shkëlqyera në edukimimin post-universitar?

-Nuk ka qënë e lehtë të përballosh jetën, të punosh, të kontribuosh në familje, dhe të ndjekësh shkollën. Por unë kam dëshirë që të jem gjithmonë në avancim të njohurive të mia, jo vetëm ato që kam marrë në programet e Masterit dhe të Doktoraturës, por edhe në mënyrë individuale. Sot, unë ende ndjek studime dhe jam bashkëpuntore në shkencat shoqërore pranë Yale University. Këto studime më kanë mundësuar të krijoj një bagazh i cili më ndihmon si edukuese e brezit te ri. Dija nuk ka kufi, dhe sa më shumë lexoj aq më shumë dëshirë kam të zgjeroj njohuritë. Për këtë arsye, unë nuk shikoj asnjë shfaqje ose program në televizion. Koha ime e lirë mbas punës i përkushtohet studimit në fusha të ndryshme sidomos ato politike, psikologjike, dhe të ekonomisë politike.

-Ju jeni integruar intelektualisht në botën amerikane. Cilat janë disa nga vështirsitë tuaja dhe rrugët që ju arritët deri në ketë stad?

-Unë e konsideroj si një normalitet integrimin. Vështirësitë janë profesionale dhe varen nga fusha. Përshëmbull, po të isha në degë finance apo ekonomike do kisha veshtirësi të tjera. Personaliteti gjithashtu ka të bëjë në integrimin e sukseshëm shoqëror dhe atë profesional. Njeriu i vë vetes disa objektiva dhe perpiqet t’i arrij. Por në të njejten kohe, fleksibiliteti dhe përshtatja ndaj kulturës janë të domosdoshme, por kuptohet pa harruar rrënjet e tua dhe pa u asimiluar.

-Cili është studimi juaj shkencor, në universitetet që ju kanë ftuar në programet e ndryshme si studente, apo si arsimtare?

-Studimet e mia janë në fushat shoqërore dhe të edukimit. Perkatsisht, në Southern Connecticut State University kam punuar në fushën e Lidershipit dhe Politikave Publike. Studimi im ka qënë mbi impaktin që lidërshipi shkollor ka në implementimin e reformave dygjuhësore dhe çfarë rekomandimesh duhen bërë në fushën e politikave arsimore për të përmbushur nevojat e studentëve dygjuhësh mbas tranzicionit në klasë të rregullt.

-Në Yale University për vitin 2016 studimet e mia janë në Demokracinë Amerikane dhe Kushetutën e saj. Fokusi i kërkimit tim do jetë gjithashtu mbi statusin politik të Puerto Rico-s dhe implikimet në praktikë te demokracisë përfaqsuese. Në 2015, studimi im në Yale Univeristy u fokusua në Lëvizjen për të Drejtat Civile dhe pikërisht ne Identitetin Latin gjatë Lëvizjes për të Drejtat Civile Në 2014, po në Yale University studimi ishte në fushën e krijimtarisë nga imazhet. Fokusi ishte në simbolikën e imazheve në Historinë e Amerikës Latine.

-Në 2009 në Yale University, studimi im ishte në Letërsinë Botërore me fokus në Realizmin Magjik si rrymë e pasqyruar në “Tregimet e Eva Lunës” nga Isabelle Allende.

-Kohët e fundit ju keni botuar librin “Politikat dhe Strukturat e Rrethit të Ferrit”, do të vazhdoni të merreni me politike?

-Ambicja ime nuk është të angazhohem si zyrtare politike, por të lehtësoj me sa të kem mudësi proçeset demokratike në Shqipëri. Unë besoj se vëndi ka nevojë për politikanë të cilët do punojnë në favor të popullit, kombit dhe shtetit shqiptar. Deri tani ndryshimet “demokratike” që kanë ndodhur kanë qënë një përpjekje për të instaluar një sistem i cili do funksionoj në favor të një shtrese politikanësh të korruptuar. Kjo është në kundërshtim me çdo parim demokratik, prandaj, përderisa kjo klasë të jetë në pushtet unë do jem aktive në jetën politike të vendit.

-Ju jeni një kundërshtare e fortë e sistemit në Shqipëri, mendoni se do të ndikoni për ta ndryshuar atë sistem?

-Sistemi në Shqipëri është ndërtuar në baza klanore, partitë janë struktura klienteliste dhe kolapsi do jetë i paevitueshëm në se vazhdohet në këtë rrugë. Përpjekjet tona konsistojnë në nxjerrjen e sistemit nga kaosi në rrugë demokratike duke ndërgjegjsuar qytetarin e thjeshtë, dhe duke ofruar alternativa të tjera si alterniativën e ndarjes nga e keqja dhe ndërtimin e një shteti komb i cili do punojë për shqiptarët.

-Cilat janë projektet tuaja?

-Projektet e mia janë më tepër në fushën studimore. Në planin afat-shkurtër do vazhdoj të punoj në arsim. Më pëlqen lënda që jap (Histori dhe Civilizim i Amerikës Latine për studentë të cilët janë folës të lindur të Spanjishtes) dhe them se i shërbej një shtrese demografike në SHBA e cila ka nevojë për mbështetje gjuhësorë dhe kulturore. Në planin afatgjatë dua të kompletoj disa studime në shkencat shoqërore, por gjithmonë duke qëndruar në nivel akademik, dhe të vazhdoj të jem studjuese dhe autore e publikuar në fushën time.

-Sot çfarë është për ju Amerika?

-Amerika për mua është atdheu im i dytë, shtëpia ime. Është model shtetëror, demokratik të cilin unë e konsideroj si shembull të mirëfilltë për Shqipërinë dhe vende të tjera në rrugën e demokracisë. Pa dyshim është vënd i mundësive, i të qënit të lirë në kuptimin politik, ekonomik dhe personal.

– Ju keni vite në Amerikë, keni menduar se një ditë mund të ktheheni në Shqipëri dhe te sillni gjithë përvojën tuaj maksimale që morët në shtetin më demokratik të botës?

-Unë kam deshirë të punoj për njerëzimin kudo që ndodhem. Do më pëlqente të krijoja programe edukimi dhe teknologjie në vëndet në zhvillim, dhe jo vetëm në Shqipëri (po të më jepeshe mundësia më e afërt dhe të siguroj fonde të mjaftueshme). Mendoj se bota ka nevojë për individë të cilët kanë një vizion të qartë dhe investojnë përpjekjet e tyre në fushën e arsimit. Edukimi është arma më e fuqishme për të fituar lirinë e mendimit, pavarësinë ekonomike, dhe për t’i ardhur në ndihmë kombit tënd.

– Ju jeni përzgjedhur si personazh i librit “Zonjat Shiptare të Nju Jorkut” ideuar nga “Albanian Excellence”, libër që do të botohet për herë të parë për gratë e suksesshme pertej oqeanit, si ndiheni për këtë?

– Ndihem mjaft e privilegjuar dhe është nder për mua. Jam e bindur që shëmbujt e gruas të sukseshme shqiptare janë të panumërta dhe falënderoj inisiatorët e kësaj nisme. Jam mjaft mirënjohse për respektin. Ka gra shumë herë më të sukseshme se unë, por më bëhet qejfi që jam një pikë uji e vogël në oqeanin e arritjeve të grave tona. Jam mirënjohse për mundësinë, por në veçanti falënderoj Znj. Kozeta Zylo për rekomandimin.

– Cili mendoni se duhet të jetë imazhi i gruas shqiptare në shekullin e XXI?

-Shoqëria shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë nuk ka një imazh, apo konsideratë pozitive për gruan dhe figurën e saj. Kjo ka të bëjë me kulturën e përgjithshme. Por kuptohet, ky cilësim nuk është absolut. Ka raste pozitive për imazhin e femrës sonë dhe për ato që janë të sukseshme sidomos në fushat akademike, ose edhe femrat të cilat janë nëna të përkushtuara dhe model.Me ndryshimet demokratike, femrës sonë ju paraqitën modele të gabuara, sipërfaqsorja u vu mbi cilësoren. Kjo po vazhdon të bëhet me fanatizëm nga mediat tona të cilat i kushtojnë vëmëndje simbolizmit seksual duke ushtruar një presion psikologjik ndaj femrës tonë dhe vajzave tona të reja. Pa u ndalur shumë në këtë problem i cili do kujdes të vëmëndshëm, them se edukimi prindëror, dhe kultivimi i dijes duhet të jetë shoqëruesi i formimit të femrës sonë. Imazhi i femrës sonë duhet të restaurohet dhe na takon të gjithve të japim kontributin tonë.

-Ju faleminderit e nderuar Dr.Karanxha!

Personazh në librin “Zonjat Shqiptare në New York”

New York, 2016

* Bisedoi Keze Kozeta Zylo/

 

Filed Under: Interviste Tagged With: "Zonjat Shqiptare në Nju Jork", Dr. Valbona Karanxha, Keze Kozeta Zylo, një nga

Mitrovicë-Dëborë në Ditën e Verës

March 14, 2016 by dgreca

-Dëbora bllokon rrugët në Shalë të Bajgorës/MITROVICË, 14 Mars 2016/ Në Ditën e Verës, dëbora bllokon rrugët e fshatrave në rajonin malor të Shalës së Bajgorës, te fshati Kovaqicë, në rrethinën e Mitrovicës, qytetit më të madh verior të Kosovës. Në rajonin e Shalës së Bajgorës, gjatë  dy ditëve të fundit, ka pasë reshje dëbore, e më së shumti në fshatin Kovaqicë, dhe për pasojë ka bllokimin e rrugëve. Meqë shumë automjete kanë mbetur të bllokuara nga dëbora, banorët e Kovaqicës dhe të fshatrave përreth kanë kërkuar ndihmën e komunës.Kjo bëhet e ditur sot pasdite në njoftimin e dërguar nga zyra e shtypit  e komunës jugore të Mitrovicës, derisa vazhdon puna e kompanive të angazhuara për zhbllokimin e rrugëve të bllokuara nga dëbora./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Mitrovicë-Dëborë, NË DITËN E VERËS

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2999
  • 3000
  • 3001
  • 3002
  • 3003
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT