• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KËNGËTARI SHERIF MERDANI DHE VËLLAI IM ILIRJANI…

November 23, 2020 by dgreca

nga Visar Zhiti/

          (Kjo pjesë është shkëpur nga burgologjia “Ferri i çarë” i Visar Zhiti  dhe botohet në nderim të vëllait të tij, Ilirjan Zhiti, që shkruante vargje dhe maksima, i cili një muaj më parë ndërroi jetë…)

          …E ndjeva të dielën në burg… Për siguri, i numërova ditët me gishtat e vrarë: po, po, sot i takon të jetë e diel, por jashtë telave me gjemba. Oh, si po ma përthith shpirtin, po e hedh në ajër në ca si gjeratore ku përzihet gazi me brengën.

 Sot martohet yt vëlla, Iliriani, sikur pëshpërit letra ime më e fundit. Sot, sot, në kohën që unë do të jem nën dhé, duke shtyrë vagonin e rëndë, në shtëpinë time të largët vjen nusja e bardhë. O Zot, bëj që sot të mos vritem, të mos prishet hareja e dasmës me një telegram të zi. S’e di, edhe nëse nuk shkon lajmi, shkojnë rënkimet e mia, enden nëpër tryezat plot me miq e këngë, futen te gota e rakisë së tim eti, te kulaçi i dasmës që e ka bërë nëna, te loti i motrës, te këpucët e vëllezërve, në pjatat e atyre që më duan. Unë s’do të jem atje, në dasmën e afërt e të largët, ajo s’mund të shtyhet, jo, në asnjë mënyrë, s’dihet sa vonoj, s’ka kthim të shpejtë, më vjen keq, shumë keq që do të mungoj, që ju do të dëshpëroheni për mungesën, s’është faji im, por ngazëllimi im do të jetë, i përzier me urimet rrëzëlluese.

…Pra, ëmbëlsira mes dhëmbëve do të ketë një si hidhësirë, lumturia do të spërkatet me pikla të ndritura arseniku. Trishtimi do t’i zmadhojë sytë e nuses, fytyra do të marrë një si përzgjatje ikonash bizantine me zbehtësim hëne, por gjithsesi, bukuria do të shfaqet, sepse fustani i bardhë, velloja prej flladesh, pavarësisht nga çmimi e gurët e çmuar që mund të ketë, edhe pa rubinë fare, njëlloj duhet të emocionojë në të gjithë botën. Ajo një herë vishet. Teksa zvarget nëpër shkallë e në dysheme si një shteg bore, ai shteg i ëndërrt është i më i paharrueshmi dhe më magjepsësi në çdo jetë.

Ti, ti, vetja ime, po shihje malet përreth, sa shumë ishin afruar, oborret e burgut ngushtuar, fjetoret shformuar, shihi ngrehinat – shkurtepsur, me ato dritaret me llamarina si sy të zënë, ja dhe telat me gjemba, ferra shteti, kurse vendrojat qenë zmadhuar, edhe ushtarët, edhe grykat e armëve. Mu sipër tyre një shtëllungë e bruzdë reje dhe re të tjera iknin krushqërisht, me një ceremonial të parrëfyeshëm qiellor. S’i kishe pasur ndonjëherë zili retë, ishte hera e parë. Të mbështilleshe me to a të ishe re edhe vetë, të ikje, të ikje, sipër rrethimit, të rendje me erën mbi male, të ikje, të ikje si në përrallat që tregonte xhaxhai yt, ik e ik e ik e ik e… – ç’bëri pastaj? – po prit, s’ka mbërritur ende, ik e ik e ik… – po mjaft – ik e ik e ik, vazhdonte ai, pa asnjë ngjarje, veç rrafshinës së zbrazët, hiçnajës dhe asaj ecje pa mbarim… të ishe re, të kundroje nga sipër lumenjtë si fjongo e shtëpitë – kuti dhuratash, të kërkoje një dasmë në qytetin tënd të vogël. “Ku do të jenë mbledhur, në ç’lokal, se apartamenti s’nxë dot një dasmë të tërë. Kanë marrë orkestër? Venë muzikantët atje ku s’kanë biografi të mirë për Partinë? Nëna e ka pëlqyer nusen, se nënat gëzohen shpejt, por s’kënaqen lehtë. Po babai a sheh dot, apo i janë dobësuar sytë edhe më dhe vetëtima e nuses do t’ia djegë paksa qerpikët? E letra, letra nga burgu, kur mbërrin? Ndoshta e ndalin policët, s’e nis fare operativi me censorët, “s’lejohet aq shumë ndjenjë, pale dhe vargje. Nuk zuri mend ai? Ej, i dënuar, je dënuar për poezi! Hiq dorë!”

Dole në oborrin tjetër me diell, që shumë po shndrinte, por pak po nxehte. U përshëndete me dikë, se për ku ngutej, në asgjëkundi. 

Por Valerit ia the gëzimin dhe brengën. Edhe dëshirën. Një këngë, doje një këngë sot, ja, tani, sa pa vajtur në nëndhé. Po martoje vëllanë, “të trashëgohet”, – të tha ai, “në kokë tënde”, – qeshe ti, “dhe në tënden”, – ta ktheu. 

Po ne kemi këngëtar, më të mirin e muzikës së lehtë, i famshëm, Sherif Merdani, i dënuar pas Festivalit XI, edhe festivalin e dënuan, se u këndua si në Europë.

E harrove ç’biografi ke, i pandehur? Të bëmë dhe arsimtar ty, të lejuam dhe të këndosh e ti na tundje gjurin në skenë. Keni qenë të pasur, tregtarë! 

Nënën ia burgosën në fillim. Kërkonin floririn. Ku e keni fshehur?! Konfiskonin gjithçka, ç’shihnin, mor dhe gramafon, djepa, shpirtra. 

Sherifi i vogël merrte vëllanë e porsalindur në krahë, të mbështjellë me batanije dhe ia jepte policit te porta e rëndë. E ky ikte, s’dihej se ku… ia çonte në qeli s’ëmës që t’i jepte gji, të pinte qumështin e athët nga ankthet. Kështu çdo ditë. Dëgjonte të qarat e bebes dhe priste t’ia kthenin, ishte vëllai i vockël fare, se mos ti ishe i madh. Së brendshmi ndiente një si ndezulli dhe sytë i rrëmbusheshin me lot. 

Korça mërdhinte e mbështjellë me borën e saj. Nëna tani ledhatonte foshnjën, e mbështetur pas një muri të ftohtë. Qumësht muresh që klithnin… Edhe ti doje përkëdhelitë e saj, e doje atë në shtëpi, por dhe shtëpitë po i merrnin ata që zbritën nga malet, gjoja si çlirimtarë. Kështu të iku fëmijëria, përndjekje një pas një, kjo ishte loja jote, si me bomba të vërteta. Dhe çdo ngjarje shkrihej jo vetëm në kujtesën tënde, por dhe në zërin tënd. Ngopej me dhembje ai zë si me shi. Deshe të këndoje. Patjetër. Ndryshe do të plasje. Sa mirë këndon, more djalë! Kështu bëje pasditeve, kur të çuan mësues fshatrave të Skraparit, andej ku nuk shkonte askush, kishin nevojë, ti mbaje dhe një harmonikë goje, pastaj në Librazhd…. Ç’zë mahnitës, thoshin për ty, një drithërimë që s’e ka askush, është ca elegjiak. 

Si mund të këndojë në skenat e socializmit, ku duhet optimizëm, vrull revolucionar dhe biografi e mirë politike? Kjo e fundit është e para. Po atë duhet ta nxjerrim në publik, që të propagandojmë se edhe te ne mund të këndohet me nivel të lartë artistik, se te ne përkrahen talentet, ka liri proletare, e ç’liri, më e përçudnuara në botë… 

…këndon Sherif Merdani. Dhe ai dilte nga errësira në skenë, me kostum të zi, i gjatë, flokët e errët me zbardhëllime të pakta. Kur e shihja ashtu, edhe unë i fshehur mes brohërimave të spektatorëve, se si më dukej, dhëndër i përzishëm. Pse ishte veshur aq elegant, për ardhjen apo për lamtumirën? Dhe vërtet, kur këndonte “Këngën e nënës”, njerëzit mbanin frymën, prekeshin, paska dashuri më të madhe, për atë që të ka dhënë jetën, përloteshin. Duartrokitje të fuqishme, biiiiiiizzzz, prapë këngë dashurie, ç’zë, i thellë, nga vjen kështu me kaq dëshpërim si gëzimi, me kaq gëzim si dëshpërimi, ritëm i ri, hare, jetë, kitara, 1, 2… supe të zhveshura grash, 3 kitara… u bënë 9, “ten guitars”, Tom Xhons tamam. S’e ke dëgjuar në këngët italiane ti, sa melodioz e i ëmbël, në ato të ndaluarat. E di si më duket tani? Sikur jam në Romë, ku s’kam qenë kurrë. Festivali XI mbaroi, sa i bukur, por asnjë këngë për Partinë dhe shokun Enver, ku i çon mushka ata? Çfarë the, mushka? Ej, është kohë veturash e avionësh, pyet: ku i çon zemra? 

Nisën kritikat, ritme të shthurura, saks, xhaz, të ndalohet, Ple(h)numi IV, vetë Enveri ça s’shau, Europë e përdalë… Ç’këndoi ai me biografi të keqe, Sherif Merdani? “Duart e tua”, – lidhiani…

E zbritën nga autobusi, teksa shkonte në punë larg, dhe i hodhën prangat nja dy civilë të rinj si personazhet e Kafkës. Ke dëgjuar këngë të huaja në televizionin italian, ke kënduar si ata, ke përhapur idetë e tyre…

Në burgun e Spaçit… vrau veten, kështu thanë… Në fakt ra nëpër zgafellat e minierës, u thyen shkallët e lagura dhe të brejtura prej rrëshekëve me ujëra acide dhe, ndërsa binte në humnerën e ngushtë të ferrit, desh Zoti që marteli i tij me gjithë kolonën metalike ngecën shkëmbinjve (ngaqë ajo ka ca këmbka si kthetra) dhe mbetën të varura fare pranë kokës së përgjakur të njeriut. E çuan në spital pa ndjenja dhe më pas në burgun e Burrelit. 

Muzikë sipas kërkesave të dëgjuesve: “Kënga e nënës”, – prezantonte folësi i Radio-Tiranës në altoparlantin e varur në dritaren e pistë të qelisë së madhe, por nuk këndonte më Sherif Merdani. Dhe vetëm në këtë rast folësi përmendte emrin e këngëtarit tjetër. 

Këngëtarë të tjerë shkonin studiove, nxirrnin me leje të Ministrisë së Punëve të Brendshme nga Arkivi i Zi këngët e atij armikut të bukur, vinin kufjet në vesh dhe dëgjonin 5-6 orë në ditë, donin të mësonin si i kishte shqiptuar a-të dhe r-të, vibrimet, por pse ashtu mësohet dhembja? 

“Ah, – psherëtinte nëna ime, – qysh i dëgjon e shkreta nënë e Sherifit ato këngë tani! Se mos e hap radion ajo…ooiii” – tundte kryet e zbardhur. 

Unë e njoha këngëtarin në ditët kur sillnin të burgosur të tjerë për të mbushur kampin e akullt të Qafë-Barit. Kishte mërzi tjetër në fytyrë, me flokë të irnosur në tëmtha e me një shapkë të bardhë në kokë, nga ato që i qepin vetë të burgosurit me copa çarçafësh. Iu afrova, mund ta ndihmoja për thasët a thjesht të pinim një kafe, të mblidhte veten, unë kisha pak në qese, të gjitha këto për hir të këngës. 

Kur u miqësuam e shkëmbenim libra italisht dhe anglisht, mbaj mend se si ai erdhi njëherë me ngut në vendin ku flija, radha e dytë e shtretërve, vaisi kryet aty në anën kundruall dhe i pashë lot të mëdhenj në sy, të kulluar siç nuk janë shpesh në burg. “Falemnderit për poezinë që më kishe kushtuar, e mrekullueshme! S’e kam ditur se më kanë dashur aq. Ma shkruaj, e dua nga dora jote, se do të di ta ruaj.” “Falemnderit!” Më pa edhe një grimë e iku shpejt duke mbledhur kindat e kapotës së arnuar. S’pata kohë të lëvizja nga shtrati, ndieja lektisje brenda vetes, gëzim e mallëngjim njëherësh, ngaqë kisha dalldisur prekshëm një tjetër, këngëtarin. Një si ngjyrë mëllage, pllanga-pllanga, i veshi muret. Po binte muzgu hallavitës i burgut. 

Rende për në depon e ushqimeve, nxore pakon e madhe të llokumeve nga thesi yt, e ruaje për këtë ditë, e diel dasme, e shqeve me duart e harbuara, i dhe një rojës së burgosur të depos, pa i thënë asgjë, dhe e mbajte frymën te Valeri. “Dua një këngë, – i the i ngashëryer, – merre dhe një llokume tjetër.” “Shkojmë te Sherifi?” I dhe llokumen e urimit. Po këto të tjerat? T’i hamë të gjitha. Ashtu kokë më kokë të tre, pas murit para shkallëve të korridorit të zyrave të riedukimit. 

– Ejani, – tha këngëtari, – futemi në atë që gjoja është dhoma e kulturës. M’i kanë lënë mua çelësat, ngaqë di t’i bie fizarmonikës, – dhe, me të mbyllur derën, i hodhi rripat e atij instrumenti krahëve. Sikur dyfishoi krahërorin e vet. Zbrazi frymë. Se si t’u duk, si në një torturë. Fluturoi lehtë gishtat nëpër tastierë, tinguj, një melodi, kaq e ëmbël… muaj mjalti… kështu kishe lexuar nëpër libra, të porsamartuarit shkojnë e mbyllen në një dhomë hoteli, shohin shiun nga xhamat, pyllin, veturat, çifte kuajsh e s’dalin fare, bëjnë dashuri natë e ditë. Në diktatura s’lejohet. Zëri i këngëtarit të rrëqethi. Ajrin e shndërroi në cicërima gjithë flatrime zogjsh, që s’dihet se si ikën. Po i këndonte dashurisë, zëri forcohej, malli bashkë me të, por jo me tone të larta, jo, jo, nuk duhej të dëgjohej jashtë, një ngjirje mahnitëse sikur zëri të qe fërkuar në kurrize dritash në botën e tejme, me qytete të gjallësh. Kënga ecte e lumtur nëpër këmbësore, anash vitrinave llamburitëse, po, po, kishte prapë të tilla, ku rrotulloheshin veshje grash me shkëndijime të befta, fustane të ujvarta, çizme me majë të hollë sa takat – me t’i veshur duhej të vallëzoje vetvetiu – magnetofonë që përsëritnin këtë këngë, krehra, lëviznin vetë mbi floknaja muzgjesh, të kuq buzësh, mund të shkruaje xhamave me të: “Të dua”, por papritur fjala e kuqe shndërrohej në vazhdë gjaku. Këngëtari kishte anuar kokën e rëndë mbi fizarmonikë, e ngriti dhe buzëqeshi. Nisi të këndonte anglisht këngën e vet, atë që kishte kompozuar me mend në qelitë e Buu-uh- rrr-bbrrr-e-e-l-i-i-t-t, “When I am dead, my dear!”. “Është poezi e Kristina Rosetit”, – tha shpejt dhe zëri i tij nisi të ndizte qirinj, flakët e të cilëve, nga shkaku i lotëve, ngjanin si brerore të rubinta. Pastaj solli bregun e detit, dallgët që kërkonin të shuanin një emër të shkruar mbi rërën e lagur, emër vajze, i së fejuarës së këngëtarit – detin, detin të kesh rival në dashuri. – Dhe “Këngën e nënës, – iu lutët ju, – do ta këndosh?” “Patjetër!” Të ecësh krah për krah me nënën, nën borërimën e dhembshme të moshës, njeriu plaket, e ka dramën e vet, të bukur e madhështore. Pse shpiken dënime të tjera? Ah, zëri shtrihej, donte të mbulonte gjithësinë, pastaj hovte, hidhej nga njëri yll në tjetrin dhe vishej me argjend, po, po, e gjete, këngëtari ynë ka zë të argjendtë me gdhendje pikëllimi dhe t’u nëpërmendën servise fisnikësh, korniza, shandanë, pasqyra, bastunë dhe pena pranë një telefoni të zi, të mbledhur kutullaç si një kotele. Ti je supersticioz, macet e zeza s’ke qejf të të dalin përpara. Po është mace shtëpie! U ngrit dhe iku te pragu i dasmës, ku dëgjohej kënga. Si ta ruajmë këtë zë? Është yni!

Shfryu fizarmonika ose ai, a të dy bashkë një brengë, aq të madhe tani, teksa Sherifi e la mbi tryezën e pluhurosur. Buzëqeshi dhembshëm. “S’mund të bëja dot më shumë, kaq mundesha”, – dukej sikur thoshte. “Po ti bëre shumë, falemnderit, më dhe këngën, atë që s’duhej të mungonte tek unë sot. Të jam mirënjohës përgjithmonë.”

A kanë mbërritur retë e mia në dasmë? I nisa vetë si një karvan kuajsh. Qielli i natës qe ulur fare mbi kokët tona; i dëshpëruar sa më s’bëhet, po kërkonte ngushëllim nga ne. “Ju e dëgjuat një këngë, mendoni dhe për mua, – sikur lutej, – hidhmëni vështrime të gëzuara. Në djall telat me gjemba, perandoria komuniste në djall! Ndizeni dasmën brenda vetes, lartësojeni në qiell. Ejani, ta bëjmë këtu.” Ti u bëre re njëherë dhe tani po prin karvanin e kuajve të reve. Janë krushqit. Tani ti po sjell një re të bardhë, qumështore, kalin e nuses, kurse reja tjetër e përflakur është kali i dhëndrit. Fluturoni. 

Jeni të ftuar ta vazhdojmë dasmën në qiell, sepse toka s’ju mblodhi dot, s’e mbajti premtimin, ja, ja, pas xhamave ajrorë, po enden ngadalë pëllumba, fare ngadalë ose shami vallesh. Horoskopi u trand prarueshëm. Rruga e Qumështit, pikon gjiri i nuses, edhe mund të jetë shtatzënë, erashka hënash, ylbere të dehura dhe dy re në krye, të bruzta, prindërit. Po ç’kanë? Patjetër që janë të gëzuar midis reve të tjera të lumturisë, por një letër… 

Kush e solli atë letër nga toka dhe iku? Nga nëntoka, nga ferri i saj. O Zot, ç’letër e mrekullueshme, pikërisht tani, me vulën e burgut. Po pse tani? Ta kishte lënë për pas dasme, meqë nuk e solli dot para saj. Ta ketë bërë me qëllim postieri?! “Ç’do të thotë burg, të lutem, thuama”, – pyeti një re e vogël puplore. “Herë tjetër, – iu përgjigjën, – po shko dhe mbaji fustanin nuses nga pas.” 

Ngashërime, po qanin, jo me zë, jo, mosni, është dasmë. Letra… nuk e lexonin dot, sa prekëse. Leko, Frisko, u thoni të pushojnë, se juve ju dëgjojnë ata… Zonjë, je mamja e tre djemve dhe e një çupe, secilit i takon gëzimi i vet që është i të gjithëve. Jemi dëshpëruar bashkë, kur ishte për t’u dëshpëruar, të gëzohemi bashkë tani që duhet të gëzohemi. Është dhe porosia e tij, e ka shkruar në letër. Këndoni, ju lutem, një valle, dasma vazhdon.

Te xhamat pati një si dyndje resh, kuaj të bardhë dhe mes tyre llapsi një dritë e madhe, e diellt dhe reja në krye s’po shikonte dot më, e verbuar. 

           *   *   * 

Sherifi na erdhi për darkë në atë apartamentin e vogël, tek ai pallati i keq në Lushnjë. Sa u gëzua nëna ime dhe e përqafonte. 

“Ai është vërtet? – më ndalnin rrugës shokë nga fabrika e tullave. – Këndon, këndon më?”

Po, Sherifi u ngjit prapë në skenë, kur diktatura kishte dalë nga skena. 

Në një koncert kishte ardhur një këngëtar i njohur italian, Toto Cotugno. Prezantuesja i shpjegoi në italisht se kolegun e tij shqiptar e akuzuan dhe për një këngë të tij, pse e këndoi, pse, pse pikërisht atë… 

– Dhe e dënuan? – u trondit italiani. 

– Po. 

– Ju kërkoj falje, – tha ai dhe sytë iu rrëmbushën me lot. Dhe e kënduan të dy atë këngë, krah për krah, mes duartrokitjeve. 

Ishte e para falje dhe e vetmja që na u kërkua neve.

Filed Under: Opinion Tagged With: DHE VËLLAI IM, ILIRJANI, KËNGËTARI SHERIF MERDANI, Visar Zhiti

RIORGANIZOHET DEGA E FEDERATËS “VATRA” NË WORCESTER, MASSACHUSETTS

November 23, 2020 by dgreca

-RIORGANIZOHET DEGA E FEDERATËS “VATRA” NË WORCESTER, MASSACHUSETTS-

              Dega e Vatrës në Worcester, Massachusetts, sipas njoftimit të sekretarit të saj studuesit Thanas L. Gjika përfundoi riorganizimin e saj. Njoftimi iu përcoll Kryesisë së Vatrës gjatë mbledhejs së saj virtuale të 22 nëntorit 2020, organizuar në Zoom.

Dega ka përfunduar pagesat e anëtarësisë, përfshirë dhe Gazetën Dielli, duke i dërguar ato në qendër, së bashku me listat emërore, formularët, adresat, emaliet,numrat e  telefonave etj.

Në njoftimin e tij, z. Thanas L. Gjika shkruan:

Të nderuar Zotërinj Elm Berisha, President i Federatës PanShqiptare të Amerikës” VATRA”

Z. Besim Malota, Zv. President

Z. Dalip Greca, Editor i Gazetës DIELLI

Ju njoftoj se Federata VATRA, Dega Worcester- MA u riorganizua me këtë përbërje të anëtarëve dhe të Kryesisë.

Gjithsej 23 anëtarë(Lista dhe pagesat i janë dëguar editorit të Diellit Dalip Greca dhe arkëtarit Marjan Cubi).

Dega zgjodhi për kryetar Z. Arben Cika, Zv Kryetar Z. Aleks Gjonca dhe Sekretar, Z. Thanas L. Gjika.

Ju lutemi meqenëse ky riorganizim ndodhi në prag të Festës së 28 Nëntorit, po ta shikoni të arsyeshme botojeni në numrin special të gazetës Dielli –  listën, e keni bashkëngjitur me attachment dhe bëni një urim si kryesi e Federatës

Gjthë të mirat,

Thanas L. Gjika, Sekretari i degës. 

Kryesia e Fedeartës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” e duartrokiti njoftimin dhe i dërgon përgëzimet më të ngrohta degës së Vatrës në Worcester , MA.

Lista dhe Urimi do të publikohen në numrin special të gazetës”DIELLI”,28 Nëntor 2020.

Filed Under: Featured Tagged With: Dega Uster, riorganizohet, Thanas Gjika

Kush i paguan avokatët pranë Gjykatës në Hagë?

November 22, 2020 by dgreca

Nga Shkumbin Ahmetxhekaj-*

Ish-udhëheqësit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me aktakuza për krime lufte në Dhomat e Specializuara në Hagë, mund të mbesin pa mbulesë të plotë financiare nga shteti për mbrotjen e tyre. Ata kanë angazhuar avokatë të njohur ndërkombëtarë, e që kostoja e tyre, mund të tejkalojë tarifat e përcaktuara nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës.

Bashkë me miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në gusht të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës po ashtu kishte miratuar një ligj, sipas të cilit, çdo i akuzuar potencial nga Dhomat e Specializuara ka të drejtën për ndihmë financiare dhe mbulim të shpenzimeve të mbrojtjes.

“Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga buxheti i Kosovës, i alokuara për qëllimet e këtij ligji”, thuhet mes tjerash në këtë ligj.

Por, me udhëzimin administrativ MD – Nr. 02/2020, të datës 24 korrik 2020, të nënshkruar nga ministri i Drejtësisë Selim Selimi, përcaktohet se mbulimi financiar i avokatëve, bëhet në bazë të tarifave të përcaktuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës; tarifave për avokatë në Holandë; tarifave të shtetit prej nga vjen mbrojtësi dhe tarifave për mbrojtje juridike të personit të akuzuar potencial të Dhomave të Specializuara.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, thotë se rregullativa ligjore është e qartë. Sipas tij, ata që në Hagë kanë avokatë të famshëm ndërkombëtarë, do të duhet të paguajnë vetë një pjesë buxhetit.

“Mbrojtja e avokatëve ndërkombëtarë mund të jetë shumë, shumë e shtrenjtë, por kjo nuk do të thotë që të njëjtit (të akuzuarit) mund të marrin avokatët më të shtrenjtë për t’i përfaqësuar ata. Këtë mund ta bëjnë, por përmes buxhetit të tyre”, tha Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Sa kushton mbrojtja?

Shumat që kërkohen nga avokatët mbeten konfidenciale, por bazuar në përvojat e mëhershme, bëhet fjalë për miliona euro.

Micheal O’Reilly ka qenë pjesë e ekipit mbrojtës të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë proceseve gjyqësore në Tribunalin e Hagës për Krimet në ish-Jugosllavi.

Në një shkrim për Irishtimes, O’Reilly, më 23 maj 2015, kishte shkruar se Haradinaj ka paguar 11 milionë euro për mbrotjen e tij.

“I thash atij se do t’i kushtonte 5 milionë euro për të pasur mbrotjen që i duhet. Në fakt, i kushtoi 11 milionë euro dhe të gjitha ishin donacion nga populli i Kosovës. I thash atij se ky gjykim do t’ia merrte dy vjet të jetës së tij (edhe jetës time) në fakt, ia mori tetë, katër nga të cilat i kaloi në burg”, kishte shkruar O’Reilly.

Tashmë, ish-krerët më të lartë të UÇK-së kanë publikuar ekipet e tyre mbrojtëse, e që përbëhen nga emra prominent.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të mbrohet nga Pierre-Richard Prosper, David Hooper dhe Dastid Pallaska.

Ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka zgjedhur për avokat britanikun Ben Emmerson, i cili e ka mbrojtur në Tribunalin e Hagës edhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj. Në ekipin mbrojtës të Veselit është edhe britaniku tjetër, Andrew Cayley.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka angazhuar avokaten nga Malajzia, Venkateswari Alagendra.

Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, ka zgjedhur si përfaqësues ligjor në mbrotjen e tij kundër pretenedimeve të Prokurorisë së Specializuar, britanikun David Young.

Avokat më pak të njohur ndërkombëtarisht ka ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Salih Mustafa që është i akuzuar për krime lufte. Mustafën do ta mbrojë holandezi, Julius Von Boné.

Transparencë për shpenzimet e mbrojtjes

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar sqarime nga Ministria e Drejtësisë lidhur me atë se si do të veprohet me rastet kur të akuzuarit do të kërkojnë mbulesë financiare më të madhe se sa parashikohet në tarifat e përcaktuara, por nuk ka marrë asnjë përgjigjje.

Në bazë të udhëzimit administrativ, ministria do të krijojë një komision, i emëruar nga ministri i Drejtësisë, që do të udhëhiqet nga sekretari i përgjithshëm i ministrisë, e që do të ketë në përgjegjësi miratimin ose refuzimin e kërkesave për financim të mbrojtjes ligjore.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi, kërkojnë që Ministria e Drejtësisë të jetë transparente në pagesat që do t’i kryejë për avokatët mbrojtës.

“Transparenca dhe llogaridhënia janë bazike për të siguruar se të gjithë personat e akuzuar mund të marrin mbrojtjen financiare, në mënyrë të drejtë, të barabartë dhe jo siç ka ndodh deri më tash, kur kjo është bërë në baza selektive”, tha Ehat Miftaraj nga IKD.

“Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës duhet të ndryshojë menjëherë taktikën e deritanishme, në mënyrë që çdo lloj i ndihmës financiare të jetë publike dhe kërkesat për ndihmë financiare të jenë po ashtu publike. Kjo do të shmangte mundësinë që persona të caktuar të jenë të privilegjuar e disa të tjerë jo, siç ka ndodhur deri më tani”, shtoi ai.

Por, transparenca që po kërkohet nga kjo organizatë, është vënë në pikëpyetje, pasi më 16 nëntor, Ministria e Drejtësisë, ka bërë amendamentimin e udhëzimit administrativ të datës 24 korrik, 2020, e ku ka publikuar formën e kontratës që do të nënshkruajë me avokatët mbrojtës.

Aty përcaktohet se marrëveshjet do të mbesin konfidenciale.

“Ministria pranon që kjo marrëveshje si dhe çdo komunikim në të ardhmen në mes të avokatëve dhe klientit ose në mes të avokatëve dhe ministrisë, janë rreptësisht konfidenciale”.

Si bëhët kërkesa për financimin e mbrojtjes juridike?

Të gjithë të akuzuarit ose të autorizuarit e tyre duhet të plotësojnë një kërkesë zyrtare për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike. Në këto shpenzime mund të përfshihen të gjitha shërbimet që i kryen ekipi mbrojtës, duke përfshirë madje, edhe shpenzimet e zyrës dhe telefonatave, gjë e cila nuk ishte parashikuar në udhëzimin e parë administrativ, e që u lejua në udhëzimin e fundit, të datës 16 nëntor. E njëjta lëndë më tej procedohet nga komisioni i caktuar për këtë çështje.

Por, pos mbulimeve të shpenzimeve të përfaqësimit ligjor, shteti do të paguajë edhe për të gjitha shpenzimet e vizitave të familjarëve të personave të akuzuar nga Dhomat e Specializuara. Kjo është e rreguluar me një udhëzim të veçantë administrativ, të datës 23 korrik 2020.

“Çdo person i akuzuar potencial, brenda një viti, ka të drejtë të vizitohet me mbështetje të nevojshme financiare, më së shumti nga dymbëdhjetë anëtarë të ngushtë të familjes, dhe jo më shumë se tre anëtarë të familjes për një vizitë”, përcaktohet në udhëzim.

Në këtë kategori përfshihen bashkshortët, fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat.

Në kuadër të Ligjit për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, është përfshirë edhe realizimi i së drejtës për kompensimin e personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, të shpallur të pafajshëm me vendim të plotfuqishëm.

Deri më tash, për proceset e para në Hagë, janë ndarë 61 mijë euro nga Qeveria e Kosovës.

Ndërkaq për vitin e ardhshëm, në projektbuxhet janë parashikuar 6,7 milionë euro për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes të të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara.(Kortezi-Radio Evropa e Lire)

Filed Under: Featured Tagged With: avokatet, Gjykata e Hages, Kush i paguan, Shkumbin Ahmetxhekaj

PRAPASKENAT- KOLIQI SJELL PRANVERËN E PËRGJAKUR TË VITIT 1997 ….

November 22, 2020 by dgreca

KONSTANDIN KOLIQI BËN DETYRËN E FUNDIT NDAJ SHOQËRISË: NA LA KUJTIMET PËR PRANVERËN E PËRGJAKUR TË VITIT 1997/

Rreth librit Konstandin Koliqi “Prapaskenat e vitit 1997” Fenix, Tiranë 2020/

Nga Enver Memishaj/

Ka shumë autorë që kanë shkruar për pranverën e përgjakur të vitit 1997, por kujtimet e shumicës prej tyre kanë frymën e partisë që ata simpatizojnë, inatet personale, hakmarrjen, zilinë dhe pak prej tyre dallohen nga objektiviteti siç janë kujtimet, analizat dhe kronologjitë që ka paraqitur Gëzim Zilja, tashmë botërisht të njohura e të përmbledhura në tre libra voluminoze. Tani së fundi vjen të dëshmojë për atë vit edhe Konstandin Koliqi me librin e tij ““Prapaskenat e vitit 1997”, libër që është shkruar “Për ata që duan të vërtetën”, thotë autori. Pjesa e parë titullohet: “Dëshmi nga viti i shkatërrimit të shtetit shqiptar”, pjesa e dytë: “Shkrime dhe artikuj ndër vite” dhe mbyllet me pjesën e tretë: “Copëza përditshmërie…” 

Idenë kryesore autori autori na e jep që në hyrje: “Të ndërtojmë të ardhmen pa harruar të kaluarën e vitit të zi, 1997!”, një gjykim i ftohtë mbi ngjarjet historike të atij viti, gjykim i një qytetari, shqetësim i një  intelektuali me vizion europian. 

Kujtimet e Koliqit për pranverën e përgjakur të vitit 1997, dallojnë nga shkrimet e analizat e autorve të tjerë pasi ato janë kujtime të një koloneli të shërbimit sekrete të shtetit, njeriut dhe oficerit që di të vëzhgojë, që di dhe gjen prapaskenat e atyre ngjarjeve, që sollën shkatërrimin e shtetit. Janë ngjarje për çfar pa e çfar dëgjioi kolonel Konstandin Koliqi gjatë asaj pranvere ku ishte dërguar me shërbim në Jug të Shqipërisë, prandaj ky libër duhet të tyërheq dhe duhet të lexohet që nga qytetari i thjeshtë deri te nëpunësi i lartë i shtetit, pasi ky libër ështe një manual për sot dhe për nesër. 

*     *     *

Pjesa e parë e librit hapet me analizën: “Përgatitja e terrenit që solli katastrofën”, ku ndërmjet të tjerave autori shkruan se ish komunistët tashmë me emra të rinj socialistë e socialdemokratë, shfrytëzuan zemrimin e drejtë të popullit për humbjen e parave në firmat piramidale për të marrë pushtetin me çdo çmim.  Shumë oficerë të sigurimit u kthyen nga emigrimi dhe mbanin ligjirata nëpër klube dhe rrugë, për ta marrë armët e për të marrë pushtetin që ua kishin marrë armiqtë e popullit!!!

Autori përshkruan shpartallimin e policisë së pa armatosur më 10 shkurt 1997, si dhe thirrjen e Gjinushit dhe Cekës: “O djem rrëmbeni pushkët, ja vdekje , ja liri”, autori flet edhe për disa gra shamizeza që dilnin në krye të turmës, por që autori këtij atikulli në shumë shkrime i kam quajtur: jo gra shamizeza, por gra zaqezeza, të tilla janë gratë komuniste që me fëmijë për dore dilnin në krye të turmës…   

“Në 15 ditëshin e dytë të janarit ’97, thotë Koliqi, shkarkohet nga detyra kryetari i SHIK-ut, z. Enver Memishaj, një zotri që e njihte, në mënyrë të shkëlqyer Vlorën, mentalitetin e popullit të saj, forcën e ideve komuniste atje, aktivitetin e ish oficerëve të sigurimit, por që njihte edhe detyrën e tij në mënyrë po kaq të shkëlqyer. U zëvëndësua nga i ndjeri Shkëlqim Agolli, nga Korça, që për 45 ditë që qëndroi në atë detyrë, besoj se edhe rrugët e Vlorës nuk arriti që t’i mësojë. Më vonë ky u vra në Greqi…”

Hyrjen e studentëve në grevën e urisë në Universitetin e Vlorës autori e përshkruan kështu: “Rreth godinës ku ishin futur studentët në grevë ishin vendosur rojet e armatosura, rreth 200 veta! Tashmë ishin shfaqur fytyra të reja në rrugët dhe mitingjet e vlonjatëve. Këta vinin nga fshtrat e Vlorës, kryesisht nga zona e Lumit të Vlorësdhe ishin të armatosur…”

Pra këtu duhet të vëmë re se ende pa u djegur godina e SHIK –t (Shërbimi Informativ Kombëtar), u shfaqën njerës të armatosur dhe po kështu fshtarët e Lumit të Vlorës kishin zbritur në qytet, përse?

Më tutje me penelata realiste autori përshkruan daljen në skenë të Zan Caushit, që sot dergjet në burgun e Burrelit dhe marrjen e vendimit nga Komiteti i Shpëtimit për dënimin me vdekje të 111 “armiqve të popullit” dhe spiunë të Berishës. “Në listën, vendim, ishin 111 emra të dënuarsh, unë isha i 17-i në listën e tyre!”, thotë z. Koliqi, po ashtu bandat kanë “nderuar” edhe autorin e këtij artikulli duke e renditur në listën e të dënuarve me vdekje!!!

Para kësaj gjendje thotë autori mblodha shokët e mi, oficera të shërbimit sekret,  dhe u thash: “Këtu do të shkojë gjaku në gju, ne s’mund të bëjmë gjë… ju jeni të rinj mblidhni plaçkat dhe ikni në Tiranë, unë do të qëndroj këtu, për të kryer detyrën time deri në fund”.     

Dhe Kostandin Koliqi qëndroi në krye të detyrës, pa menduar për vdekjen që e kanoste në çfdo hap që hidhte në tokën e Vlorës, nga bandat komuniste. Është me inters përshkrimi që bën autori për sulmin mbi godinën e SHIK-ut, pasi nga ky slulm antikombëtar e antishqiptar rrjedh gjith katastrofa që i sollën komunistët popullit tonë, duke shfrytëzuar zemrimin e popullit nga humbja e parave në firmat piramidale. Vrasjen e oficerëve të shtetit shqiptar Besnik Hidrit e Lekë Qokut, sot dëshmorë të atdheut dhe të dekoruar, autori e ka përshkruar me lot dhe zemrimin e një atdhetari që po sheh jo vetëm shkatërrimin e shtetit por edhe shkatërrimin e humanizmit dhe qytetarisë së shqiptarëve të thirrur nga komunistët. Po me ngjyra të gjalla e emocione autori përshkruan edhe masakrime të tjera që bandat komuniste bënë ndaj oficerëve dhe nëpunësve të shtetit. 

Syrit të një koloneli të shëbimit sekret nuk mund t’i shpëtonin veprimet antikombëtar që kryen bandat si grabitja në muzeun arkeologjik të Durrësit, grabitja e shkatërrimi bibliotekës së Vlorës, qëllohet me plumb portreti i Ismail Qemalit, katri radës vihet në dipozicion të Zan Caushit e se si Vlora dhe gjith Jugu i Shqipërisë bie në dorë të banave komuniste 

Autori librit arrin në përfundimin se në Vlorë, në Jug dhe në gjith Shqipërinë, në vitin 1997, bandat e komunistëve, populli i indoktrinuar nga ideologjia komuniste, nën shembullin e njesiteve terroriste komuniste të gjatë Luftës Antifashisre duke shfrytëzuar zemrimin popullore kishin rrëmbyer armët për të marrë pushtetin nga armiqtë e popullit të emërtuar Partia Demokratike. 

 Në krye të turmave për hakmarrje e për pushtet, për ambicje personale, dolën shumë njerës pa moral që dogjën Shqipërinë për ta marrë ata pushtetin si Skënder Gjinushi, Neritën Ceka, Daut Gumeni, Namik Dokle, Sabit Broka, Bahri Boriçi, Rexhep Mejdani,Gramos Ruçi, ndërmjet tyre ishin dhe dy gazetare Zenepe Luka dhe Rudina Xhunga që me artikujt e tyre i vunë flakën Vlorës, etj.

Ky është përfundimi që arrin autori në analizën që iu bën atyre ngjarjeve. 

Por autori është objektiv kur gjen fajtorin për katastrofën që ndodhi, herë në mënyrë direkte e herë me xhentilencën që e karakterizon na lë të kuptojmë se në fund të fundit shkatërrimi i shtetit erdhi nga pa afëtsia e drejtuesve të atij shteti, nga se nuk drejtuesit e lartë nuk e kuptuan kurrë se çfarë po ndodhte në Vlorë, nuk ditën të manovrojnë me metoda demokratike për të ndalur zemrimin popullore, nuk kishin përvojën e duhur, dhe nga vetbesimi pa baza te vetja, pra shkurt ishte faji i qeverisë që lejoi firmat piramidale dhe u tragua e pa aftë për të mbajtur pushtetin. 

Libri ilustrohet me shumë fotografi të kohës. Kopertinëa e librit të detyron të qëndron gjatë për të vëzhguar e shijuar atë kompozim që fut në mendime, e kjo falë talentit të autores së kompozimit Sabina Koliqit, vajza e autorit. Përgëzime Sabina. Vlerësime të larta për redaktorin e librit zotrinë e ndeuar Behar Gjoka, dekoruar  “Nder i Burrelit”, po ashtu nderime të veçanta për Nikoleta Kovaçin, recensuese e librit.   

*       *      *

Në pjesën e dytë të librit autori ka renditur kronologjikisht artikuj të botuar ndër vite në shtypin e përditshëm. Kjo pjesë na flet fare qartë për sheqetësimin atdhetar, qytetar e intelektual të Kostandin Koliqit për fatet e vendit të tij. Tashmë nuk flet më një oficer i lartë i shërbimeve sekrete, sepse bandat komuniste e kishin shkartkuar nga detyra por flet një qytetar që e lidh fatin, jetën e tij me atdheun e tij. 

Kështu ai i drejtohet presidentit të Republikës të mos gradojë rebelë, bën thirrje që qytetarët duhet të shkojnë në votime, i bën një mesazh publik Edi Ramës. Si një specialist i shërbimit sekret jep mendime për dosjet, për luftën kundër terrorizmit, kundër krimit. Bën replika me durrësakun Duka, bën analiza të thella si “Dukuria Rama”, meditime si “Dueli dhe kanuni” etj. 

*      *     *

Në pjesën e tretë të librit shohim shqetësimin e një pensionisti, se tashmë Kostandin Koliqi ka dalë në pension, për problemet shoqërore e politike të vendit të tij, statuse në fb, portale etj. 

Kjo pjesë që e mbyll librin na paraqet portretin e plote, karakterin dhe personalitetin e një oficeri madhor, e një nëpunësi të lartë, e një qytetari me vizion europian që shqetësohet hallet dhe problemet e popullit të tij. Edhe në pension Kostandin Koliqi nuk ka preferuar shëtitjet buzë detit në Durrës ku banon, por aktivitetin, mendimin dhe gjallërinë ne favor të popullit të tij. 

Ky pra është njeriu model, shembulli i qytetarit aktiv që nuk parapëlqen qetësinë e një pensionisti por jetën plot vrull e gjallëri  dhe personalitete si Kostandin Koliqi, nuk mund të quhen pensionistë sepse ata janë gjithëmonë në punë, për të mirën e paqen e shoqërisë sonë. 

Kostandin Koliqi i shërbeu vendit të tij përmbi 40 vjet si oficer kariere, kolonel i shërbimev sekrete, i specializuar në shërbimet sekrete të NATO-s (Ushtria amerika, gjermane dhe turke) dhe tani së fundi kryen detyrën e fundit ndaj atdheut na le kujtimet e tij me libërin “Prapaskenat e vitit 1997”. Urime me emocione të veçante Kostandin Koliqi. Jam krenar që kam një mik si ty. Falje se nuk e kam talentin të përshkruaj madhështinë tëndë si dje në shërbim të shteti shqiptar ashtu edhe sot në aktivitet, megjithse në pension. 

Filed Under: Histori Tagged With: Enver Memishaj, Kostandin Koliqi

Pse u krijua Legaliteti?!

November 22, 2020 by dgreca

Me rastin e 77 vjetorit të krijimit të OKLL, 21 nëntor 1943-2020/

*Nga Ekrem Spahiu/

Nga pikëpamja historike, Partia “Lëvizja e Legalitetit” e ka zanafillen që nga “Triumfi i Legalitetit”, më 24 dhjetor 1924, kur u rikthye legjimiteti i zgjedhjeve të dhjetorit 1923 të fituara nga Ahmet Zogu. 

Në kontekstin e Luftës së II Botërore, zogistët, përveçse kanë kontribuar drejtpërdrejt në luftë, janë përpjekur me të gjitha mënyrat për bashkimin e gjithë faktorëve politiko-ushtarakë në luftë të përbashkët kundër pushtuesit. Përfaqësuesi i zogistëve Abaz Kupi, në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942, pat deklaruar përpara delegatëve se: “jam bashkuar me ju, me punue për të mirën e Shqipërisë e me luftue çdo okupator, por në rast se do të formohen partira, unë jam mprojtësi i Legalitetit qysh para 7 Prillit 39, jam me Mbretin Zog”. 

Gjithashtu, Abaz Kupi ka rol parësor edhe për thirrjen, organizimin dhe mbarëvajtjen e Konferencës së Mukjes, mbajtur më 1-2 gusht 1943, ku u vendos dhe u shpall bashkimi për shpëtimin e Shqipërisë. Udhëheqja komuniste e pranoi Marrëveshjen e Mukjes deri kur të deleguarit e Partisë Komuniste Jugosllave, Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, u njohën me përmbajtjen e saj dhe urdhëruan Enver Hoxhën që ta prishte atë. Për këtë qëllim, pas një muaji, më 4 shtator 1943, u mblodh Konferenca e Labinotit, në të cilën jo vetëm u prish zyrtarisht Marrëveshja e Mukjes, por edhe iu shpall luftë të armatosur çdo rryme apo tendence tjetër politike, thënë ndryshe, u fillua përgatitja e kushteve për një përplasje mes palëve, deri në luftë civile.

Ndërkohë që mbretërorët vazhdonin të luftonin kundër fashizmit pa bujë e pa reklamë, duke qenë të suksesshëm, komunistët, jo vetem shfrytëzonin suksesin dhe emrin e mirë të krijuar nga veprimet luftarake zogiste, por fshehurazi ushtronin një propagandë sistematike kundër tyre. Zogistët, të shqetësuar për këtë sjellje të komunistëve, nëpërmjet Abaz Kupit, lëshuan më 19 nëntor 1943, një trakt të posaçëm drejtuar Këshillit Nacional-Çlirimtar, ku i kërkonin me këmbëngulje mbajtjen e një qëndrimi të qartë për ecurinë e mëtejshme të luftës kundër okupatorit, prej të cilit nuk morën asnjë përgjigje. 

Në këto rrethana, dukej sheshit se udhëheqja komuniste kishte vendosur tjetër prioritet, përgatitjen e gjithanëshme për pushtetin e nesërm. Në këto kushte, forcat mbretërore, duke parë se përpjekjet për bashkimin e gjithë faktorëve politiko-ushtarakë në luftë kundër okupatorit dështuan, për të konfirmuar legjitimitetin e tyre politik dhe për të penguar Partinë Komuniste në realizimin e qëllimit të saj për eliminimin e forcave nacionaliste thirrën më 20 nëntor 1943 në Herraj të Tiranës, një Kuvend Kombëtar për krijimin e një lëvizje politike. 

Në këtë mbledhje morën pjesë delegatë të ardhur nga e gjithë Shqipëria, si dhe nga trevat etnike shqiptare përtej kufijve politik, duke përfshirë edhe delegatë nga çetat zogiste. Ndër më të përmendurit ishin: Abaz Kupi, komandanti i rezistencës në Durrës më 7 prillit 1939 dhe protagonist kryesor i konferencave të Pezës e Mukjes; atdhetari Ndoc Çoba, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës dhe në Konferencën e Pezës; patër Lekë Luli, diplomati Rauf Fico, arsimtarët Gaqo Goga e Osman Myderrizi, avokat Selim Damani, Xhemal Naipi, Mulë Delia, Hysen Meça, Xhemal Herri, etj. 

Platforma që u miratua në Kongresin themelues ishte shumë e qartë: fuqizimi i organizimit ushtarak dhe luftë pa kompromis kundër okupatorit; kthimi në pushtet i Mbretit Zog, pasi vetëm ai e gëzonte këtë të drejtë legjitime; krijimi i një Shqipërie të lirë, etnike dhe demokratike; vendosja e shtetit ligjor; sigurimi me ligj i drejtave e lirive themelore të njeriut; reforma shoqërore për përmirësimin e jetës së popullit; etj. 

Të nesërmen, më 21 nëntor 1943, zogistët deklaruan formimin e partisë së tyre, Organizatën Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” (OKLL). Për drejtimin e OKLL u zgjodh kryesia me kryetar Ndoc Çobën, ndërsa Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Legalitetit u zgjodh Major Abaz Kupi. 

Forcat luftarake zogiste në atë kohë ishin rreth 10.000 luftëtarë, ndërsa në dispozicion të tyre ishin regjistruar rreth 25.000 vetë. Për më tepër, këto forca e afirmuan veten në beteja të suksesshme kundër okupatorit, ku spikat qëndresa mbrojtëse e batalionit të komanduar nga A. Kupi në Durrës më 7 Prill 1939, luftimet e Matit, Liqenit të Germanit e Zallit të Germanit, Qafë Shtamës, Gurrës, Suçit, Krujës, Vorze -Shkalla Tujanit, Prezës, etj.

OKLL u shtri në Tiranë, Shkodër, Dibër, Mat, Durrës, Kavajë, Shijak, Kosovë, Vlorë, Berat, Sarandë, Korçë, etj. Shërbimi propagandistik i saj nxori deri në fund të luftës 21 numëra të gazetës “Atdheu” me një tirazh 210.000 copë. U shtypën dhe u shpërndanë 250.000 trakte, etj.

Drejtuesit e OKLL, në mbështetje të platformës së themelimit, mbajtën komunikim të vazhdueshëm me Mbretin Zog duke e informuar deri në detaje mbi situatën në Shqipëri.  Ndërkohë, ata ndërkombëtarizuan veprimtarinë e tyre luftarake përmes letrave drejtuar Presidentit të SHBA, Franklin Delano Roosevelt dhe Kryeministrit të Britanisë së Madhe, Winston Churchill me anë të të cilave jepnin pamjen reale të zhvillimeve ushtarake e politike në Shqipëri.

 Është fakt historik dhe shumë domethënës që, pranë forcave të Abaz Kupit, ishte atashuar misioni Anglez i udhëhequr nga diplomatë e ushtarakë të rangut të lartë si Bill Maclean, David Smiley dhe Julian Amery. Duhet thënë se, Britania e Madhe dhe SHBA bashkëpunuan me të gjitha formacionet e rezistencës pa marrë parasysh bindjet politike.


Ndërkohë, që organizatat me frymëzim kombëtar kërkonin gjithnjë një marrëveshje kombëtare për luftë kundër okupatorit, udhëheqja komuniste pikërisht kësaj marrëveshjeje i trembej. Programi qartazi kombëtar i Legalitetit dhe personalitetet e spikatura që e udhëhiqnin, i shkaktonin panik Lëvizjes Nacional-Çlirimtare të udhëhequr nga Partia Komuniste, të cilat llogarisnin të ardhmen si pushtet dhe jo si marrëveshje kombëtare. Prandaj ajo nisi një luftë sa të nëndheshme, aq edhe të hapur për asgjësimin e Legalitetit. Për këtë qëllim, udhëheqja komuniste thirri Kongresin e Përmetit më 24 Maj 1944, ku vendimi kryesor i tij ishte, “…t’i ndalohet Mbretit Zog kthimi në Shqipëri dhe të mos njihet asnjë qeveri, që mund të formohej brenda ose jashtë vendit”. 

Ky vendim ishte absurd, partiak, i njëanshëm, e për rrjedhojë i pavlefshëm si nga pikëpamja juridike, ashtu edhe këndvështrimi politik e historik. Nga pikëpamja e të drejtës publike dhe kushtetuese, është fakt i pamohueshëm se Mbreti Zog kishte qeverisur vendin legalisht. Ky legjitimitet, u fitua jo vetëm për shkak të kontributeve të spikatura të tij, të pranuara dhe të mbështetura në nivel kombëtar, por mbi të gjitha edhe përmes mjeteve të ligjshme, në përputhje me të drejtën kushtetuese, në nje shtet demokratik, sovran e të lirë. Për më tepër, Mbreti Zog nuk abdikoi kurrë nga froni mbretëror, por për shkak të zhvillimeve që nuk vareshin nga vullneti i tij, ai pat deklaruar në Parlament se; “…nuk kam lënë mjet pa përdorur për sigurinë e Shqipërisë” dhe, me vendim të Kuvendit Kushtetues, më 9 prill 1939 u largua nga vendi për të shmangur dorëzimin e tij pa kushte. 

Mbretërorët, krahas rezistencës në ditët e prillit 1939, përpjekjeve për bashkimin e gjithë faktorëve në luftë kundër okupatorit dhe angazhimit të tyre drejtpërdrejtë në frontin e luftës, në të njëjtën kohë bënin sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e opinionit kombëtar e ndërkombëtar për kthimin e regjimit legal të mëparshëm. 

Në këto kushte, bazuar në argumentet sa më lart, Legaliteti vijoi të mbështetej në dy kollona bazë, qëndresës kundër okupatorit dhe kërkesës për marrëveshje kombëtare. Nëse kjo marrëveshje, do të ishte arritur siç e kërkonte kjo forcë politike, sigurisht që Shqipëria do kishte patur tjetër rrjedhë duke u orientuar për nga Perëndimi, të cilit i përkiste. Duke parë se këto dy kollona nuk po reflektoheshin nga forcat e tjera politike, drejtuesit e lartë të Legalitetit parashikuan shkarjen e vendit në përplasje civile dhe, për këtë arsye, riformatuan mënyra të tjera qëndrese, brenda apo jashtë vendit.

*ish-deputet & kryetar i PLL   

Major Abaz Kupi dhe Maclean

Major Abaz Kupi dhe Kolonel Bill Maclean

Filed Under: Histori Tagged With: Ekrem Spahiu, pse, u krijua Legaliteti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 299
  • 300
  • 301
  • 302
  • 303
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT