• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ambasadori Delawie takon Kryeprokurorin Lumezi: Ligji i barabartë për të gjithë

March 7, 2016 by dgreca

-Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi priti në takim ambasadorin amerikan në Prishtinë, Greg Delawie/

 PRISHTINË, 7 Mars 2016/Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, ka pritur sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Greg Delawie, me të cilin bisedoi për thellimin e bashkëpunimit në mes Prokurorit të Shtetit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes Ambasadës së saj në Prishtinë, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit në vendin tonë.Kryeprokurori falënderoi ambasadorin amerikan për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë dhënë dhe vazhdojnë ta japin, për funksionimin e mirëfilltë të sistemit prokurorial të Kosovës.Gjatë këtij takimi, kryeprokurori kosovar i Shtetit ka njoftuar ambasadorin amerikan në Prishtinë se sfidë kryesore e Prokurorit të Shtetit mbetet luftimi i korrupsionit, krimit tëorganizuar, krimeve ekonomike, terrorizmit dhe sigurimi i kushteve adekuate për funksionimin sa më të mirë të këtij sistemi.Me theks të veçantë gjatë këtij takimi u diskutua për veprimet që po i ndërmerr Prokurori i Shtetit për të rritur efikasitetin në luftë kundër korrupsionit, për rezultatet më të mira të punës në luftën kundër korrupsionit, të shënuara gjatë muajve të fundit, si dhe për bashkëpunimin në mes Prokurorit të Shtetit dhe institucioneve tjera të zbatimit të ligjit, për koordinim të veprimeve për luftimin e këtyre veprave penale.Në anën tjetër, ambasadori Delawie, duke vlerësuar punën që është duke e bërë Prokurori i Shtetit, në krye me kryeprokurorin Lumezi, shprehu gatishmërinë e tij dhe të vendit të tij, për ta ndihmuar sistemin prokurorial të Kosovës në të gjitha çështjet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të kontribuojnë,  me qëllim të rritjes së efikasitetit të këtij sistemi, duke theksuar se duhet të zbatohet ligji në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët, pavarësisht pozitës së tyre në shoqëri.Në fund të takimit kryeprokurori Lumezi theksoi vendosmërinë e tij për të kontribuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe se është i vetëdijshëm me sfidat e shumta që ka sistemi prokurorial, por me punë të palodhshme të prokurorëve të shtetit dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do t’i tejkalojnë të gjitha sfidat, duke dhënë rezultate në zbulimin dhe hetimin e veprave penale./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Ambasadori Delawie takon, Kryeprokurorin -Lumezi

Kosova në konferencën globale të sektorit minerar në Kanada

March 7, 2016 by dgreca

-Ministri Stavileci në margjinat e kësaj konference ka zhvilluar takime bilaterale me ministren për Tregti të Jashtme të Kanadasë, Chrystia Freeland, me të cilën ka biseduar mbi mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve/
PRISHTINË, 7 Mars 2016/Ministri kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci po merr pjesë në konferencën më të madhe në nivel global për industrinë minerare që mbahet çdo vit në Toronto të Kanadasë, me ç’rast do të prezantojë resurset minerale të Kosovës dhe mundësitë për investime në këtë sektor.
Njoftimi i dërguar thekson se, PDAC Konferenca Ndërkombëtare e Tregtisë dhe Këmbimit të Investimeve 2016 (PDAC International Convention, Trade Show & Investors Exchange 2016) është konferenca më e madhe për nga pjesëmarrësit, kompanitë dhe organizatat që merren me eksplorimin e mineraleve. Në të marrin pjesë rreth 1.000 ekspozues dhe 23.500 pjesëmarrës nga mbi 100 vende të botës.
Qëllimi i PDAC është të promovojë eksplorim e mineraleve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori, duke inkurajuar teknikat bashkëkohore e mjedisore që rrisin sigurinë dhe performancën sociale në nivel ndërkombëtar.
Stavileci në kuadër të kësaj konference do të prezantojë mundësitë dhe projektet konkrete për investime në sektorin minerar, për çka edhe janë përcaktuar edhe zonat me interes të veçantë, me qëllim të nxitjes së investimeve të jashtme.
Ministri Stavileci në margjinat e kësaj konference ka zhvilluar takime bilaterale me ministren për Tregti të Jashtme të Kanadasë, Chrystia Freeland, me të cilën ka biseduar mbi mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Gjithashtu, Stavileci ka takuar edhe drejtues të kompanive dhe organizatave të ndryshme./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Kosova në konferencën globale të sektorit, minera, r në Kanada

Filmi Kosovar ‘Babai’ në kinematë gjermane

March 7, 2016 by dgreca

Pas sukseseve të shumta që pati filmi ‘Babai’ me skenar dhe regji nga Visar Morina, ky film ka filluar shfaqjen e tij në kinematë gjermane prej datës 5 Mars duke u bërë kështu filmi i parë kosovar i cili distribuohet në kinematë gjermane.Filmi ‘Babai’ ka filluar shfaqjen në Köln të Gjermanisë dhe vazhdon në Berlin, Münster, Hannover për të përfunduar shfaqjen në Düsseldorf.

Të pranishëm në shfaqjet e filmit do të jenë: regjisori, Visar Morina dhe protagonistët e filmit Astrit Kabashi dhe Val Maloku.Ky është orari i shfaqjeve të filmit për të gjithë ata që jetojnë në Gjermani:Adenauer Stiftung ne BERLIN me 07.03.2016 ne ora 18:00,

Cinema ne MÜNSTER me 08.03.2016 ne ora 19:00,

Kino im Künstlerhaus ne HANNOVER me 09.03.2016 ne ora 20:15 dhe

Bambi ne DÜSSELDORF me 10.03.2016 ne ora 19:00

‘Babai’ flet për Norin (Val Maloku), një fëmijë i cili shet cigare në rrugë bashkë me të atin Gëzimin (Astrit Kabashi) në Kosovën e viteve të nëntëdhjeta ku babai dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani e i biri bën çdo gjë për të qenë me të. Të zënë në mes të dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë, marrëdhënia babë-bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë.

Filed Under: Featured Tagged With: Filmi"Babai, ne Kinematë Gjermane

Dy Motrat Qirjazi, MESUESET E KOMBIT

March 7, 2016 by dgreca

Ne Foto:  Motrat Qirjazi, Sevasti e Parashqevi/

Nga Kadri TARELLI/

 Muaji i parë i pranverës sjell çdo vit disa festa, por 7 dhe 8 Marsi, janë dy nga më të bukurat e më njerëzoret për kombin dhe shoqërinë shqiptare, që i kushtohen mësuesit dhe nënës. Më pëlqen të mendoj se jo rastësisht e kanë gjetur veten pranë e pranë, si dy gonxhe rritur në një degë. Zoti nuk i ndau, sepse të dyja u takojnë fëmijëve. Nëna i sjell në jetë, ndërsa mësuesi i përgatit për jetën. Ndaj urimet për nënën dhe mësuesin janë nga më të bukurat, sepse burojnë nga shpirti i çiltër i fëmijëve dhe i prindërve.

Nuk dua të bëj fajtor asnjeri, pasi edhe unë jam brenda shoqërisë, por kur bëhet fjalë për festën e shkollës shqipe, menjëherë na vete mendja vetëm tek “7 Marsi” i vitit 1887, duke harruar se katër vjet më pas, më 1891 u hap “Shkolla e Vashave”, që të dyja në qytetin e Korçës. Pavarësisht se i shërbejnë të njëjtit qëllim e të njëjtit mision, shkollë ku mësohet në gjuhën shqipe, duket sikur e dyta është thjesht vashdimi i së parës, aq sa edhe festa është pronë e shkollës së parë. Kjo është e drejtë vetëm për histori, që është e ftohtë ndaj ngjarjeve. Mjafton të kthehemi e të qendojnë pak në ato vite të turbullta për shqiptarët, që ishin të robëruar e të përçarë dhe nuk u lejohej të mësohej gjuha amtare shqipe, atëherë mund të kuptojmë se sa e vështirë ishte hapja dhe mbajtja e kësaj shkolle. Nismëtarët ndodheshin në një trysni të trefishtë: turku me ushtri, xhandarë, burg e dajak, kisha greke me djallëzi, helmë e mallkime, në anën tjëtër fanatizmi ndaj vajzave dhe grave, i rrënjosur ndër shqiptarët prej 500 vjetësh robëri.

Duke u endur në historinë e kësaj çerdheje shqiptarie, siç ishte Shkolla e Vashave në Korçë, secilit i hapet gjykimi për udhën e ndritur dhe e vështirë nëpër të cilën udhëtuan e shërbyen dy mësueset, dy motrat, të ndihmuara me përkushtim nga vëllezërit e tyre Gjerasim e Gjergj Qiriazi. Shterohen fjalët e shtohen mendimet, kur lexojmë këto vargje të dalë nga shpirti i një mëmëdhetari të zjartë, siç ishte Gjerasim Qiriazi:

“Do punoj për mëmëdhenë

Gjithë jetën sa të ronj.

Do të zgjoj dhe ata që flenë

Kështu jetën ta mbaronj”.

Me këtë frymë atdhedashurie në familje, u rritën të dyja motrat, që kur e nisën shkollën dhe gjersa i bitisën studimet e larta në Stamboll e në Amerikë. Kultura e gjërë, zotërtonin mbi shtatë-tetë gjuhë të huaja, takimi me rilindasit e shquar, ideologët e çështjes shqiptare, u dha mundësi të njohin gjendjen e mjerë të shqiptarëve dhe të ndjejnë e të parashikojnë ardhmërinë e kombit tonë të shumëvuajtur, se veç me “Pushkë e penë të luftojmë për mëmëdhenë”.

Nuk ishte i lehtë vendimi dhe “betimi” për t’u bërë misionare të dijes, të hapjes së shkollave dhe mësimit të gjuhës shqipe, kur diheshin e njiheshin mundimet e pengimet që do të ndeshnin në veprimtarinë e tyre, kushtuar mësimit dhe ngjalljes së ndjenjës kombetare tek shqiptarët. Bindemi lehtë po ta shtyjmë veten në kohë, këtu e 125 vjet më parë, sepse mjaftojnë vetëm këto pak fjalë të arta: “Motër, punë më të mirë dhe më të vyer nuk mund të bësh për Shqipërinë e mjerë”. Për Parashqevinë kjo ishte porosia dhe “bekimi” i Naim Frashërit, kur e takoi në Stamboll dhe i firmosi diplomën e arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit turk.

Hapja e shkollës së Vashave, ishte një ngjarje e madhe në historinë kombëtare dhe faqe e ndritur e Arsimit Shqip. Vlera e kësaj pune ishte e jashtëzakonëshme për kohën, por edhe në vazhdim, sepse bëhet fjalë për emancipimin e femrës shqiptare, që ndodhej e zhytur në erësirën e fanatizmit. Vetëm arsimimi dhe mësuesi, ishte “doktori” më i mirë i kohës, që mund ta çlironte e ta shpëtonte vajzërinë shqiptare e nëpërmjet asaj emancipimin e shoqerisë.

Çuditërisht fjala “lavdi” u kushtohet vetëm drejtuesve të shteteve dhe fitimtarëve të betejave ushtarake, aqsa duket si pronë e tyre. Mbase e meritojnë dhe me të drejtë u ngrihen buste e përmendore, ndërsa për mësuesin jemi të kursyer e dorë shtërnguar, sado i shquar të bëhet, nuk i vendosin kurorë lavdie, pavarësisht se e meriton të artë. Ndoshta edhe shoqëria ka të drejtë në këtë mangësi gjykimi. E përsëris ndoshta, pasi mësuesi, si idealisti dhe “sherbëtori” më besnik i kombit, vrapon jo drejt dukjes dhe famës, por pas suksesit në mësimin dhe edukimin e brezave, drejt idealit që kombi të bëhet i lavdishëm. Kështu ka ndodhur e po ndodh edhe me Motrat Qiriazi, që përmenden rrallë e me raste, pavarësisht se meritojnë shumë e më shumë.

Si mësuese, motrat Qiriazi u shquan për dashurinë, vullnetin, këmbënguljen, qartësinë e mendimit dhe misionit të tyre, për frymën mëmëdhetare dhe kërkesave për ta ngritur “Shkollën e Vashave” në nivelin e shkollave më të mira të kohës. Ato jo vetëm që u përplasën dhe kapërcyen pengesat e kohës, por përbuzën lajkat, ofiqet dhe paratë që ofronin armiqtë e shkollës dhe gjuhës shqipe. Është me vend të përmenden dhe duhen mbajtur si stoli këto fjalë që aso kohe dolën nga shpirti i mësueses Helidhona Falli, që nuk u thye e nuk u tërhoq nga betimi që i kishte bërë vetes: “Vërtet jam një çupë e varfër, lindur e rritur jetime, por do punoj për gjuhën time. Qeveria don ta mbyllë shkollën shqipe, por unë do të vete shtëpi më shtëpi dhe do t’u mësoj fëmijëve shkrim e këndim shqip”. Të njëjtin qëndrim përbuzës ndaj parave do të mbante Parashqevia shumë vjet më vonë, kur ishte pjesë e delegacionit që përfaqësonte shqiptarët e Amerikës në Konferencën e Paqes në paris më 1919:

– Deshiroj t’ju jap një mbështeteje ekonomike, ashtu siç ju jap edhe të tjerëve”. – Tha dipllomati Italian Kastoldi.

– Faleminderit për ndihmën ekonomike që kërkoni të më jepni, por s’kam nevojë për të”. – i`u përgjigj me krenari Parashqevia.

Motrat Qiriazi nuk mbetën vetëm mësuese e mësimdhënëse të nderuara, sepse në mungesë të librave ju desh të hartonin shkrime, abetare dhe libra për nxënësit. Fjala e tyre kërkohej e çmohej në kuvende burrash, ndaj pavarësisht fanatizmit, ishin të vetmet femra delegate në kongresin e Manastirit dhe më pas në të Elbasanit, ku u vunë themelet e alfabetit shqip. Me dëshirën e zjarrtë të përparimit të kombit, Parashqevia përgatiti programin arsimor për qeverinë e Ismail Qemalit, që për një grua dhe për kohën, përbën shembull të rrallë në fushën e mendimit pedagogjik. Ç’mund të themi tjetër kur mësojmë pikpamjet e kësaj mendjeje të ndritur, kur shkruan: “Arrsimi është të zhvilluarit e fuqive të mendjes, ndërsa mësimi është vetëm të mbledhurit e fakteve dhe ideve të të tjerëve, është të mbushurit e mendjes me dituritë e gjërave të ndryshme”.

Të dy motrat, si vizionare u bënë veprimtare, organizatore dhe drejtuese të shoqatave atdhetare e kulturore. “Dora që tund djepin, udhëheq botën”, ishin fjalët që Sevasia u drejton korçarkave, për të njohur pozitën e tyre dhe luftën që duhet të bëjnë për ndërgjegjësimin e vetes. Nuk u mjaftuan me kaq, u futën në botën e shkrimeve, duke hartuar dhe publikuar artikuj të shumtë, dhe më tej akoma botuan revistën “Ylli i mëngjesit”, me theks tërësisht kombëtar.

Megjithatë këto janë pak për “lavdinë” e tyre, pasi në kushtet e botës së trazuar, kur rrezikohej kombi, u bënë flamurtare të mbrojtjes së Shqipërisë dhe shqiptarëve në kanceleritë e botës, aqsa burrat me namuz e mustaqe ndjehen të vegjël para tyre. Duke i’u shmangur pak biografisë, sepse kjo veprimtari u takon studiusëve, munda të zgjedh e të shënoj vetëm pak vlerësime që i bënë bashkëkohësit, të cilët patën rastin dhe fatin të t’i njohin e të bashkëpunojnë me këto “Dy motra heroina”, siç shprehet, Prof. Dr. Hester D. Xhenkins. Në Librin. “Ambasadore e arsimit në lindjen e mesme”.

Të gjithë shqiptarët, në veçanti ne mësuesit ndjehemi krenarë, të nderuar e të përkëdhelur, kur mësojmë vlerësimin që u jep bota figurave të shquara të racës sonë. Le të gjykojmë këto pak rradhë që shkruan revista “Ylli i Mëngjesit”: Në një letër nga Parisi, firmosur nga “Korrespodenti”, jepet ky vlerësim: “Le të mburremi jo vetëm ne burrat, por edhe gjithë zonjat shqiptare, se zonjusha Parashqevi Qiriazi, “Zhan D`Arka” e Shqipërisë na nderoi të gjithë. Asnjë komb i madh ose i vogël nuk ka sot në Paris një delegate zonjë, po Shqipëria e ka këtë zonjush”.

Jeta e tyre e thjeshtë në madhështi, tej e mbushur me përpjekje në shërbim të arsimit dhe çështjes kombetar, mbetet model frymëzimi për të gjithë ata të rinj e të reja që zgjedhin e vendosin të nisin udhën e vështirë të mësuesisë. Në këto dy vargje kulmon e gjithë vepra e morave Qiriazi, dy “shenjtoreve” të arsimit shqip:

“Ju ishit shqiponja që zbritët nga qielli

Ju bekonte toka, ju ndriçonte dielli”.

Besoj se janë të mjafueshme këto gjetje, për të thënë:

“Të tillë mësues i duhen kombit”.

 Kadri Tarelli

Mars 2016, Durrës

 Shënim: Të gjitha citime janë marrë nga libri “Motrat Qiriazi”, shkruar nga Dhimitër Dishnica. Botim i vitit 1997.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Dy Motrat Qirjazi, Kadri Tarelli, MESUESET E KOMBIT

Zonja Mogherini merrni në mbrojtje Anton Çunin e Rrustem Berishën me shokë!

March 7, 2016 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Ndërsa në Kosovë është duke u kujtuar 18 vjetori i masakrës kundër familjes Jashari, si dëshmia më eklatante dhe rrënqethëse e krimit shtetëror të shtetit serb kundër popullsisë civile, ushtarakët e UÇK-së Anton Çuni, Rrustem Berisha me shokë, që përfaqësojnë ndërgjegjen e pastër të Europës, sepse i dolën në mbrojtje popullsisë së pafajshme, rezultojnë të “dënuar” në mungesë me 16 vite burgim nga një “gjykatë” e Nishit e Serbisë dhe emrat e tyre rrezikojnë të përfshihen si të kërkuar nga Interpoli e përpara syve tanë të na dalin skena të ripërsëritura se si në një aeroport të Romës apo vendi anëtar të BE-së ata të arrestohen!

Kjo është një përpjekje e Serbisë për të barazuar liberatorët me vrasësit e Familjes Jashari!

Në Kosovë këto ditë janë duke u kujtuar 56 viktimat e Familjes Jashari, të eleminuar brenda disa orësh, si prova më e gjallë e genocidit etnik të shtetit serb kundër civilëve shqiptarë, fëmijë, të moshuar, gra – të gjithë të pafajshëm.

Në memorien kolektive të popullit të Kosovës po rikalon në kujtesë dënimi kolektiv që shqiptarët etnikë morën prej një shteti kriminal, për “fajin” e vetëm se nuk ishin me etni dhe besim si serbët;

Kosova kujton prej 5 deri 7 mars Familjen Jashari, të ekzekutuar barabarisht në shtëpinë e tyre, ashtu si i vriste Hitleri hebrejtë apo ashtu si vret sot ISIS viktimat e tij;

Kosova kujton Shaban Murat Jasharin, babain e Adem Jasharit të vrarë 74 vjeç; Zahide Geci – Jashari, nëna e Adem Jasharit, e vrarë 74 vjeç; Zarife Jasharin, gruaja e Rifat Jasharit, e vrarë 49 vjeç; Hidajete Rifat Jashari, vajza e Rifat Jasharit, e vrarë 18 vjeç;  Valdete Rifat Jasharin, vajza e Rifat Jasharit, vrarë 15 vjeç; Igball Rifat Jasharin, djali i Rifat Jasharit, vrarë 13 vjeç; Igballe Jasharin, vajza e Rifat Jasharit, vrarë 11 vjeç; Hamëz Shaban Jasharin, vëllai i madh i Adem Jasharit, vrarë 47 vjeç; Feride Mecini – Jashari, gruaja e Hamëz Jasharit, e vrarë 43 vjeç; Selvete Hamëz Jasharin, vajza e Hamëz Jasharit, vrarë 20 vjeç;  Afete Hamëz Jasharin, vajza e Hamëz Jasharit, vrarë 17 vjeç;  Besim Hamëz Jasharin, djali i Hamëz Jasharit, i vrarë 16 vjeç; Lirie Hamëz Jasharin, vajza e Hamëz Jasharit, e vrarë 15 vjeç; Blerim Hamëz Jasharin, djali i Hamëz Jasharit, i vrarë 12 vjeç; Fatime Hamëz Jasharin, vajza e Hamëz Jasharit, e vrarë 9 vjeç; Blerinë Hamëz Jasharin, vajza e Hamëz Jasharit, e vrarë 7 vjeç;  heroin legjendar të Kosovës Adem Shaban Jashari, vrarë barbarisht 42 vjeç; kujton Adile Rama – Jasharin, gruan e Adem Jasharit, vrarë 40 vjeç; Fitim Adem Jasharin,  djali i Adem Jasharit, vrarë 17 vjeç;   Kushtrim Adem Jasharin, djali i Adem Jasharit, vrarë 13 vjeç… dhe lista vijon…

Në këtë listë tragjike përfshihen 56 anëtarë të Familjes Jashari, që u vranë në një fshat që mban emrin Prekaz, që ndodhet mu në zemër të Europës.

Edhe ju si BE do të duhej ta kujtonit Familjen Jashari me sloganin njerëzor dhe solidar:  Je suis Prekaz – Io sono Prekaz – I’m Prekaz, por në vend të kujtesës, ju heshtni, pa marrë parasysh se kjo masakër u krye nën qiellin e Europës, nën hundët e Europës indiferente, ashtu sikur nën hundët e Europës dhe nën “mbrojtjen” e Helmetave Blu u krye Srebrenica!

Shqiptarët janë solidarizuar menjëherë me viktimat e Charlie Hebdo dhe Parisit. Në rrjetin social të Facebook-ut, profilet tona u mbuluan nga flamuri francez dhe ne thamë kolektivisht “Je suis Paris!”, “Je suis Charlie Hebdo”, por BE nuk solidarizohet me viktimat e pafajshme shqiptare të Prekazit dhe ndërkohë nuk po bën asnjë reagim ndaj verdikteve kriminale të gjykatave serbe sot kundër atyre që i morën në mbrojte shqiptarët civilë!

Masakra kundër Familjes Jashari prej 5 deri 7 mars 1998 ishte kulmi i makinerisë kriminale serbe, që i trajtonte shqiptarët autoktonë si qytetarë të dorës së fundit, duke ua mbyllur shkollat fëmijëve, duke ia mbyllur rinisë Universitetin, popullit duke ia hequr të drejtën e informimit dhe mbyllur RTK, duke ua hequr të gjitha shanset dhe të drejtat elementare të njeriut për jetë dhe në fund duke i vrarë e dëbuar.

Në këto kushte në prag të shpërthimit të konfliktit të fundit në ish-Jugosllavi që do të ndërmerrte Beogradi kundër Kosovës,  shqiptarëve u mbetej alternative ose t’i dorëzoheshin strategjisë të zhdukjes dhe zhbërjes së tyre nga Serbia ose të rrëmbenin armët dhe të mbronin fëmijët e tyre nga i njëjti fat si i fëmijëve të Familjes Jashari.

Prandaj lindi UÇK-ja, si domosdoshmëri, prandaj djemtë më të mirë të Kosovës i dolën në krah popullit dhe fëmijëve të tyre, për ta mbrojtur popullsinë civile nga një shtet kriminal që i konsideronte shqiptarët të tepërt për të jetuar jetën e tyre.

Kosova krenohet si me Familjen Jashari ashtu dhe me luftëtarët e saj që i kanë bashkërenditur veprimet e tyre me ushtrinë e NATO-s.

Kosova krenohet me Agim Ramadanin, Sali Çekun, Luan e Shkëlzen Haradinajn e qindra e qindra djem e vajza, të vrarë nga ushtria serbe, që përbënin trupat e UÇK-së dhe luftonin në krah të aleancës Verio-Atlantike.

Kosova krenohet me Anton Çunin, Rrustem Berishën e plot ushtarakë të tjerë të cilët luftuan në krah të Agim Ramadanit e Sali Çekut me shokë dhe i mbijetuan luftës!

Anton Çuni, Rrustem Berisha me shokë janë europianë dhe përfaqësojnë ndërgjegjen e pastër të Europës, sepse i dolën në mbrojtje popullsisë të pafajshme, ndërsa sot Serbia, pa marrë parasysh se çfarë ka ndodhur 18 vite më parë dhe që aspiron të anëtarësohet në BE, ka ndërmarrë një fushatë të paskrupullt përmes “gjykatës”  të saj të Nishit duke i ka dënuar në mungesë me 16 vite burg!

Ndërsa Shesheli nuk çan kokën dhe tallet duke e sfiduar Gjykatën e Hagës, luftëtarët shqiptarë që kanë luftuar për të marrë në mbrojtje jetët njerëzore, sot gjykohen nga një shtet, i cili përpara 18 vitesh në Kosovë kreu një krim kundër njerëzimit, sepse vrasja e Familjes Jashari është krim kundër njerëzimit.

Kryeministri Vuçiç ka kërkuar ndjesë për Srebrenicën, ai duhet të kërkojë ndjesë edhe për vrasjen kolektive të Familjes Jashari dhe të gjitha krimet e kryera në Kosovë.

Por në vend të ndjesës, Aleksandër Vuçiç, që është futur në fushatë zgjedhore, krenohet se ishte sukses i tij mosanëtarësimi i Kosovës në Unesco, apo se gjatë mandatit kur ai ishte kryeministër, Kosovën e kanë njohur vetëm dy vende.

Në këto kushte, ju takon ju zonja Mogherini që ta merrni Kosovën në mbrojtje;

i takon BE-së që udhëheq një proces dialogu, sepse merreni me mend se çfarë dialogu është ky,

që t’i thoni ndal Serbisë me gjyqet e saj që janë tallje ndaj viktimave, sepse gjyqet e  Serbisë, sot po dënojnë pikërisht ata njerëz që ndalën shfarosjen, dëbimin etnik të popullit të tyre!

Anton Çuni, Rrustem Berisha me shokë luftonin në krah të Agim Ramadanit, Sali Çekut që u vranë nga makineria kriminale serbe!

Ata janë vlerë e Europës! Ata janë vlerë edhe e BE-së!

Prandaj është detyra juaj  zonja Mogherini që t’i merrni këta njerëz në mbrojtje! Sepse ata morën në mbrojtje popullin e tyre!

T’i merrni në mbrojtje e të përmbushni një detyrim sot më tepër se kurrë, kur Europa përballet me një krizë identiteti.

Demokraci do të thotë humanizëm dhe vlera njerëzore!

Pikërisht kur Kosova kërkon të përballet me Gjykatën Speciale, për të kaluar në transparencë të shkuarën për hir të së ardhmes, Serbia inskenon gjyqe kundër figurave të pastra e me integritet, që janë fytyra e lirisë dhe shtetit ligjor!

Prandaj, ju lutemi, ndaleni këtë farsë cinike të Serbisë, nëse synoni me të vërtetë që të ketë dialog midis Kosovës, shtetit viktimë dhe Serbisë, shtetit që vetëm 18 vite më parë ekzekutoi vrasje kolektive të popullsisë civile, kur përveç viktimave të luftës, nga 3600 viktima të zhdukura, rezultojnë ende 1600 të tjera, të fshehura nëpër varrezat masive nëpër Serbi.

Si BE, si europianë, si qytetarë të botës të lirë, merrini në mbrojtje Anton Çunin e Rrustem Berishën me shokë.

Sepse kështu do të përmbushni një detyrimin tuajin.

BE udhëheq dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa siç tregon gjyqi i Nishit, Beogradi po hakmerret ndaj komandantëve të UÇK-së që luftuan në krah të trupave të NATO-s për t’i thënë ndal asaj që bota mbarë e pa me sytë e ballit, spastrimit etnik të një populli, për fajin e vetëm se nuk ishte me etni serbe dhe besim ortodoks.

Thirrini ndërgjegjes zonja Mogherini, tregojuni shqiptarëve se përfaqësoni një institucion të vlerave.

Mos vijoni t’i mbani në karantinë shqiptarët!

Ju jeni europiane po aq sa edhe shqiptarët.

Nëse Milosheviçi do të kishte kryer ato që kreu në Kosovë në Italinë tuaj, ju si do të reagonit?

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Mogherini merr ne mbrojtje

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3018
  • 3019
  • 3020
  • 3021
  • 3022
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT