• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tirana ka një rrugë me emrin e Atjonit, në kujtim të djalit të Visar Zhitit

March 5, 2016 by dgreca

Tirane, 5 Mars 20115- Nga sot segmenti nga rruga “Faik Konica” deri pranë shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” në Tiranë do mbajë emrin “Rruga e Atjonit”, në kujtim të djalit të shkrimtarit të njohur, Visar Zhiti, i cili humbi jetën tragjikisht dy vite më parë, në moshën 19 vjeçare në një aksident rrugor.

Pllakati me emrin e Atjon Zhitit u zbulua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe familjarë e miq të Atjonit, gjatë një ceremonie të posaçme të organizuar gjatë ditës së sotme, ku merrnin pjesë edhe kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, si dhe Administratori i Njësisë Nr. 2, Elez Gjoza.

Filed Under: Kronike Tagged With: ne Tirane, rruga Atjon Visar Zhiti

Ballkani Perëndimor nuk do të shndërrohet në Hotspot

March 5, 2016 by dgreca

Vendet në itinerarin ballkanik deri tani i kanë lejuar refugjatët të kalojnë tranzit. Por tani frikësohen, se shumë refugjatë mund të mbeten në këto vende – dhe shpresojnë, që Gjermania të gjejë një zgjidhje për krizën./

Nga Zoran Arbutina/

Kur të hënën (07.03) kryetarët e qeverive dhe të shteteve të BE-së dhe Turqisë do të konsultohen lidhur me zgjidhjet për krizën e refugjatëve, kjo do të ndiqet me shumë vëmendje prej të ftuarve nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Dy vende të rëndësishme përgjatë itinerarit ballkanik – Maqedonia dhe Serbia – ndonëse nuk do të jenë të pranishëm në tryezën e bisedimeve, do të ndjekin me vëmendje atë që do të diksutohet në Bruksel. Sepse jo vetëm ajo për çfarë do të bihet dakord atje, por edhe shumë çështje vetëm të menduara i kanë pasojat thuajse të drejtpërdrejta përgjatë itinerarit ballkanik.

Në intervistë për DW lidhur me ashpërsimin e politikës së mbrojtjes së kufirit të vendit të tij, komisari serb për refugjatët Vladimir Cucic e shmangu të gjithë përgjegjësinë nga vetja: “Unë ju siguroj, që vendime të tilla varen nga vendet e destinacionit të refugjatëve – Gjermania, Austria apo Suedia.” Ndërsa presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov bën të qartë: “Sapo një vend në veri të kufijve tanë i mbyll kufijtë, edhe ne do të bëjmë të njëjtën gjë.”

Një sinjal nga Perëndimi

Ky qëndrim i vendeve të Ballkanit nuk është i ri. Kështu ndodhi edhe pas samitit BE-Ballkan në tetor 2015 në Bruksel. Në këtë takim u fol për masat kundër kaosit në itinerarin ballkanik. Ende pa ardhur pjesëmarrësit sërish në shtëpi, erdhën e-maila nga Sllovenia përmes Kroacisë në Serbi e më në fund edhe në Maqedoni. Pasoja: ndnonëse në dokumentat zyrtarë ende nuk ishte përcaktuar, menjëherë u lejuan të kalojnë nga Greqia drejt veriut vetëm refugjatët nga Siria, Iraku dhe Afganistani, shpjegon Ksenija Milenkovic, drejtore e Zyrës serbe të Integrimit Europian, SEIO, në Beograd. Të gjithë të tjerëve iu ndalua udhëtimi i mëtejshëm. Pra mesazhi u kuptua qartë, thekson Milenkovic.

Griechenland Flüchtlinge an der Grenze zu Mazedonien bei IdomeniRefugjatë në kufirin me Maqedoninë

Kur Gjermania nisi diskutimin, nëse refugjatët nga Afganistani janë vërtetë refugjatë lufte, vendet e itinerarit ballkanik nuk ngurruan aspak, por menjëherë i shpallën afganët si refugjatë ekonomikë dhe i penguan të vazhdojnë udhëtimin. “Ne jemi të gatshëm t’u ndihmojmë të gjithë njerëzve gjatë tranzitit, nëse vendet ku ata synojnë të shkojnë janë të gatshëm t’i pranojnë”, thotë komisari serb për refugjatët Cucic – dhe heq çdo përgjegjësi nga vetja: “Prej kohësh flitet, që afganët të mos lejohen më të udhëtojnë më tej. Ky nuk ishte vendimi ynë.”

Harmoni e pazakontë

Rrallëherë vendet e Ballkanit kanë qenë kaq në unanimitet dhe rrallëherë ka pasur kaq shumë harmoni mes elitave politike dhe popujve përgjatë itinerarit ballkanik, sa aktualisht lidhur me temën e refugjatëve. Pothuajse njëzëri përsërisin Greqia, Maqedonia, Serbia, Kroacia dhe Sllovenia, se ne nuk jemi destinacioni. Refugjatët vetëm duan të vazhdojnë udhëtimin dhe ne vetëm ofrojmë ndihmë logjistike. Në harmoni të pazakontë Shkupi, Beogradi dhe Zagrebi theksojnë vazhdimisht: “ne me siguri që nuk do të shndërrohemi në Hotspot.”

“Thuhet se ne jemi vetëmnjë vend tranziti, refugjatët duan te vazhdojnë udhëtimin për në Gjermani, ai është për ta vendi i ëndërruar, ne s’kemi të bëjmë me këtë.” Kështu e shpjegon qendrimin e vendeve të rajonit Andjelko Milardovic nga instituti për migracionin në Zagreb. Edhe shifrat e konfirmojnë këtë: vitin e kaluar sipas vlerësimeve të vendeve ballkanike kanë kaluar përmes këtij itinerari mbi 800.000 refugjatë, por në Maqedoni janë parashtruar vetëm 1578 kërkesa për azil, në Serbi tetë dhe në Kroaci, një vend anëtar i BE-së vetëm 211.

Për muaj me radhë qindra mijëra refugjatë janë përcjellë në kufijtë e tjerë deri në “vendet pritëse”, siç i quajnë në itinerarin Ballkanik Austrinë, Gjermaninë apo Suedinë.

Tani mbizotëron frika

Ndërkohë situata ka ndryshuar: qëkurse Austria në fillim të shkurtit deklaroi, se do të pranojë çdo ditë vetëm 80 kërkesa për azil dhe ka përcaktuar një kuotë maksimale vjetore prej 37.500, vendet e tranzitit janë alarmuar. Askush nuk do, që refugjatët të mbeten në vendin e vet. Në Maqedoni kufiri me Greqinë po bllokohet, ndërsa Kroacia po mendon të dërgojë ushtrinë për mbrojtjen e kufijve. E madje edhe vendet, që deri tani kanë qenë të paprekur nga vala e refugjatëve, po shqetësohen nga mundësia e gjetjes së rrugëve alternativë. Ministrja shqiptare e Integrimit Klajda Gjosha tërheq vëmendjen, për një “numër të madh” refugjatësh, që presin të lejohen të kalojnë në Shqipëri, ndërsa kryeministri bullgar Boiko Borissow ka udhëzuar stërvitje të përbashkëta të policisë dhe ushtrisë në rajonet kufitare me Greqinë dhe Maqedoninë.

Tani qeveritë e vendeve përgjatë itinerarit ballkanik presin me interes rezultatet e samitit BE – Turqi. Të gjithë e kanë përqendruar vëmendjen tek Gjermania. “Gjermania është shteti më me influencë në BE dhe destinacioni i shumicës së refugjatëve. Në vend që të llogarisë me kuota dhe të përpiqet t’i bllokojë refugjatët, Gjermania ka tani shansin, të gjejë një zgjidhje parimore dhe gjithëpërfshirëse për krizën e refugjatëve”, thekson sociologu beogradas dhe blogger-i Dario Hajric duke përmbledhur kështu pritshmëritë e Serbisë. Nëse nuk arrihet, kjo, do të vazhdojë izolimi i Europës, thotë Hajric. Ai paralajmëron: “Nëse Europa vendos të ndjekë Hungarinë dhe të vazhdojë të ndërtojë mure, atëherë do të mbetet një shoqëri e shëmtuar: vetëm me ksenofobinë e saj.”

Filed Under: Featured Tagged With: Ballkani Perendimor, në Hotspot, nuk do të shndërrohet

Ulen tensionet në Shkup, tërhiqet vendimi për kryqin

March 5, 2016 by dgreca

Ne Foto:Pamje nga protestat kundër ngritjes së kryqit në Butel, 3 mars./

Bashkimi Demokratik për Integrim ka njoftuar arritjen e marrëveshjes për tërheqjen e vendimit për ngritjen e kryqit në Butel të Shkupit.Me këtë janë larguar edhe barrikadat dhe tendat e vendosura dy ditë më parë nga zyrtarët e partisë së Ali Ahmetit për të penguar punimet për ngritjen e kryqit të lartë 56 metra.

Marrëveshja e arritur ka evituar një përplasje mes dy grupeve, atij të udhëhequr nga BDI-ja që kundërshtonte ngritjen e kryqit dhe një grupi tjetër të maqedonasve që doli në mbrojtje të tij, por konfrontimi u parandalua nga forcat e shumta të policisë speciale, të cilat deri në mesnatën e së premtes kanë qëndruar mes deri grupeve deri në shpërndarjen e tyre të plotë.

Marrëveshja, siç bëri të ditur nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, është arritur me ndihmën e përfaqësuesve ndërkombëtar, por edhe në komunikim me institucionet ku bën pjesë edhe BDI-ja si pjesë e Qeverisë.

“Në komunikim me faktorin ndërkombëtar si dhe me institucionet jemi marrë vesh që të jetë një zgjidhje në frymën e marrëveshjes së Ohrit dhe duke respektuar parimin e Badenterit, apo votimin e dyfishtë pasi vetëm në këtë mënyrë mund ti shërbejmë marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe ndërfetare”,deklaroi Mexhiti.

Ai tha se vendimi për largimin e tendave është marrë për të mos nxitur tensione të mëtejme, pasi të shtunën besimtarët ortodoks shënojnë një festë fetare dhe shumica e tyre duhej të kalonin pikërisht pranë vendit ku ata po protestonin.

Nga ana tjetër, nga komuna e Butelit, por edhe zyrtarë tjerë të partisë VMRO-DPMNE, të ish -kryeministrit Nikolla Gruevski kanë thënë se nuk do të heqin dorë nga ndërtimi i kryqit, por pa treguar format se i do të realizojnë këtë projekt që ka nxitur reagime të shumta.

Partitë opozitare dhe njohësit e çështjeve politike dhe të marrëdhëniet ndëretnike, tensionet e ngritura nga dy partitë në pushtet i kanë quajtur lojë për pikë politike dhe zhvendosjen e vëmendjen nga zhvillimet tjera në vend, në veçanti nga hetimi i nisur nga prokuroria speciale ndaj zyrtarëve të dy partive të dyshuar për veprime të ndryshme kriminale.

“Mendoj se është një manifestim i një dyfytyrësie të një partie politike shqiptare që është në pushtet. është një absurd i llojit të vet pasi nuk është regjistruar në asnjë demokraci botërore që një parti që është pjesë e pushtetit të protestoj kundër vendimeve të po atij pushteti”.

“E gjithë kjo ka efekte përcjellëse që janë menduar mirë nga partnerët e koalicionit. Një efekt i tillë është shpërqendrimi i vëmendjes së opinionit nga hetimi do të thosha edhe historik i korrupsionit në Maqedoni pasi nuk ka ndodhur deri më tani të ketë një hetim të paanshëm dhe profesional sikur ky që po zhvillohet nga prokuroria speciale“, thotë analisti Xhelal Neziri.

Aktivistja e të drejtave të njeriut, Mirjana Najçevska, thotë se vendimet për vendosjen e simboleve ishin të paligjshme ndërsa veprimin e partive në pushtet e quan gjithashtu të palogjikshëm, pasi dy partitë, sipas saj, problemet duhet t’i zgjidhin në institucione dhe jo të dalin në rrugë.

“Nëse nisemi nga fakti se BDI dhe VMRO DPMNE janë pjesë e qeverisë atëherë kjo nënkupton se çdo problem duhet a shqyrtojnë në kuadër të institucioneve. Si mund të flasim për koalicion qeveritar, si mund të flasim për institucione kur pikërisht drejtuesit e tyre dalin në rrugë për të matur forcat. Vlerësoj se dy partitë me vetëdije shumë të lartë nxisin tensione ndëretnike dhe ndërfetare me qëllimin e vetëm ikjen nga përgjegjësia për veprat e bëra kriminale“, thotë Najçevka.

Ajo vlerëson se asnjë vendim nuk mund të merret jashtë normave të përcaktuara me ligj. Sipas saj , asnjë simbol nuk mund të vendoset pa respektimin e mendimit të opinionit, pa respektimin e ligjit, pa respektimin e parimit të Badenterit, që është normë e paraparë me marrëveshjen e Ohrit.

Tensionet për vendosjen e kryqit pasuan një vendim të mëparshëm të BDI-së për vendosjen e një simboli me shqiponjën, në komunën e Çairit, të banuar kryesisht me shqiptarë.

Filed Under: Komente Tagged With: për kryqin, tërhiqet vendimi, Ulen tensionet në Shkup

Dyqind Petritat e Elbasanit

March 5, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/

Në sallën e pallatit të sportit në Elbasan. Shqiptarët panë një nga shfaqet më të turpshme. Më për ibret të Zotit kur thonë vetë ata. Megjithëse edhe Zotit ia kanë lëruar nënën. E kanë shfronëzuar. E kanë bërë Kryetar Partie. Madje të stazhionuar si ajo vera e vjetër e bujtinave nga koha e Bizantit. Nga ajo kohë ku njëri e sjell të shtjellëzuar. Praruar, bukur rrëfyer. Aq sa çfarë është e vërteta, na bën ta shtrëngojmë stilin shqip. Frymëzimin shqip, apo verbëzimin shqip…, me adhurimin e syve të atij që ngordh për diellin. Tjetri na thotë, mbylli sytë o qorr. Mbylle gojën o memec.

Shqiptarët në Elbasan …, panë kaq hokatar pikërisht një nga aktet e varjes në litar. U mbresuan dhe iu ngjeshën Njëshit me më shumë dashuri. Për më shumë prosperitet. I dhanë besën Partisë. Arkitektit të kauzës. Duke u çmendur nga gëzimi i sharjeve në kor.
Aq sa për gjynah të jetës, se si kurrë nuk arrijnë ta kuptojnë…, që sa frushëllehen, shqyhen, gëlthasin. Vare në litar, në litar qelbësira.
Të lumtur se po kënaqin Kim Jongun. Janë duke varur veten e tyre.
Mirë e për llaftari. Mirë e përgjithmonë.
Në fakt historia e grupimeve, e partizimeve etj. Eshtë errësira e galerive plot myk. Lagështirë dhe sigurisht, streha e lapurekëve të natës. Një lloj skute ku e fut veten shoqëria e magjepsur mga Njëshi. Nuk është e rastësishme që një emër si Enver Hoxha ndenji dyzetë e pesë vite në pushtet. Shumë nga ne, shumë nga kalemxhinjtë ia ngjeshin kallmës së thikës në fyt. Krimit pa kufi…, dhunës ideollogjike. Nomeklaturës, diktaturës apo luftës së klasëve. Kurrë asnjëherë shqiptarët nuk e kuptuan. Nuk e çuan nëpër mend. Nuk e pranuan se, Enver Hoxha nuk ishte i vetmi. Por me shokë shumë. Me fishkëllyes shumë. Me dyqind Petrita.
Asnjë diktatorë nuk rri në këmbë i vetëm, aq e kaq gjatë. Pa minidiktatorët rreth tij. Dhe kauzës së tyre për shfarosjen e njëri-tjetrit. Ndaj sot nuk është e rastësishme që në Shqipëri, të gjithë shajnë Enverin. Të gjithë kanë larë duart me krimet e Enverit. Të gjithë hiqen anti Enver. Të gjithë dënojnë në kor komunizmin.
Ashtu sikur edhe vetë ata, vetë të mrekullaurit pro Enverit. Nuk kanë për gjë të qeverisin me një ”demaskonjës” të Enverit. Madje ta bëjnë Kryeministër. Edhe pse botës perëndimore. Apo të ashtuqujtuarës, botës demokratike shqiptare. Ai u kanë thënë me testament se Lufta Nacional Çlirimtare, ka qënë një luftë civile.
Enveristët e votuan atë, pikërisht për këtë. Strategjinë e vëllavrasjes.
Në Elbasan, dje…, nuk ishte as kapitulli i parëmbëdhjetë. As ai i fundit. I shout që dha Kim Jongu i shqiptarëve.
Dhe e dini, kështu është tek ne. Në salla partish, ndeshet një grafoman. Përshembull një nga gorgat e Librazhdit. Një sekretar partie. Me një Universitet. Dhe ne kënaqëmi, pa e kuptuar asnjëherë se lumturia e fyerjeve, na kthen në shëmbëlltyra të mjera. Në mjeranë. Por gjithmonë urraja, grushti tek ana e kokës, internacionalja. Mund jo një por njëqind Universitete.
Rasti Blushi është ndoshta një nga shancet më të rralla. Që i vjen një shoqërie. Por edhe një force të gjallë. Një Partie politike.
Edi Rama nuk urren, demaskon, apo përpiqet ta poshtërojë Blushin. Jo për fronin e Partisë. Fronin ai ka të kurorëzuar. Madje e ka hipotekuar. Për këtë të jetë i sigurtë çdo mjeran socialist. Dhe çdo ramistë i nevrikosur. Nuk fiton Rama por tradita e pjesëmarrjes në krim të përbashkët. Rama dhe socialramistët e urrejnë për shkak të gjenisë. Janë marrëdhëniet midis gjenisë dhe antigjenisë. Kushedi sa herë që përplas dyert në shtëpi se pse nuk shkruan aq bukur sa Blushi. Pse nuk i shiten librat me shpejtësinë e dritës si Blushi. Pse Blushi e sjell sikur me ndodhur sot, kulturën e vjetër, nga koha e Bizantit. Të shqiptarëve…, me po ato nofka, prroçka, derte, e triumfe personale. Bash njashtu, si kryebizantini në civil’llëkun e shokëve. Të tipit nga Librazhdi që i çon goja lëng kur shikon Kim Jongun e vet. Tek bën shakara. Tregon barsaleta me ta futur. Përmbi mjerimin, zyrat sociale etj. Strategun e asaj shoqërie. Të transformuar … Simbiozë . Apo siç e quajti ai populli i rrugës. Shoqëri që dje rrinim në radhë për qumësht, kurse sot për çertifikata, letra, rroga, pensione, dokumenta.
Aferim për sukseset. Aferim që na gajase me të tallur Blushin.
_____________
Shqiptarëve për tu zgjuar nga përgjumja.
Blushi tha pak a shumë, ”ju më fërshëlleni mua, që, nuk kam as pushtet. Dhe jo këtë që e ka varfëruar Shqipërinë”.
Nuk është asgjë më shumë. Veç konstatimi mbi faktin e hidhur se diktatorët i bën pjesëmarrja. Përfshirja në grup, në faj. Edhe e vetë shoqërisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dyqind Petritat, e Elbasanit, Ilir Levonja

POETI LIRIK HIQMET MEHMETAJ

March 5, 2016 by dgreca

Nga Qatip MARA-New York/

Poeti lirik Hiqmet Mehmataj ka lindur  në Drashovicë të Vlorës, aty ku fillon porta ‘Lumit të Vlorës’ e lodrojnë ujërat e kristalta të Shushicës.Në kohën e fëminisë  Hiqmeti dallohej për zgjuarësi, fliste  me mençuri, çdo veprim e kryente me maturi. Me duar të arta e mendje hollë u dallua në shkollë. Shkrimi tij i dorës ishte  kaligrafi, bukurshkrim që e kishin zili. Ishte i talentuar kishte zell për të pikturuar.Nëna e tij gufonte e gëzuar që djalin e kishte të zgjuar. Me merak kërkonte djalin ta arsimonte. Pasi kreu shkollën 7-vjeçare në  Drashovicë,vazhdoi mësimet në shkollën pedagogjike 2 vjeçare Tiranë..Nisi punën e  nderuar me pasion duke arsimuar brezin e ri.Vazhdoi  shkollën për t’u diplomuar në normalen e Elbasanit  zgjeroi shumë njohuri ,u diplomua për Mësuesi. Rifilloi punën si mësues në vendlindje. Me performancë të kualifikuar ishte mësues i admiruar Gjithë njerëzit e respektonin dhe nga goja nuk e lëshonin. Sjellja e tij ishte model i kulturuar edhe ligësinë e kish gjunjëzuar. Me pasion duke studjuar  vijoji studimet e larta,dega Gjuhë-letërsi.Emërimin drejtor shkolle e mirëpriti me përgjegjësi. Me thjeshtësi e korrektësi drejtoi shkollën me aftësi. Ishte racional në gjykime shumë i matur në veprime.    Fshati Drashovicës, lumi Shushicës , stina e pranverës, cicërima e zogjve,bukurie e vashës, jeta me prindët e tij , e frymëzuan për poezi. Krijimtaria e tij përbën në thelb aktivitetin e palodhur të një krijuesi të vullnetshëm e të pareshtur në punën e tij krijuese në shërbim të kulturës, moralit, edukimit dhe fisnikërimit shpirtëror të brezave.Thelbësore te krijimtaria e Hiqmetit është  gjithashtu fryma e saj popullore e cila e përshkon atë tej e ndanë, duke i dhënë “liçencën“ e komunikimit të përgjithshëm masiv. Hiqmeti është i kuptueshëm për të gjitha moshat. Poezite e tij janë si receta me ilaçe që u jep të sëmurëve mjeku.Në këtë  krijmtari  Hiqmet Mehmetaj e ka drejtuar  penën në hallet e dertet e njerëzve të ditëve tona, në prapësitë e marrëzitë e kohës në të cilën jetojmë…

Hiqmet Mehmetaj poezinë e gatuan me brumin e magjes së vet…E njeh mirë gjuhën e gurrës popullore, veçanërisht ligjërimin e trevës së Labërisë, frazeologjinë e saj, urtësinë e saj. Dhe, në atë mori pasurish, si nikoqir i kujdesshëm, di të mbledhë e të shoshitë fjalën para se ta hedhë në letër. Qëmton, si bleta nektarin, fjalë e shprehje të lëna, e që, kur të na marrë malli t’i gjejmë, duke shfletuar  poezinë e tij..

Lirikat e tij dallohen për frymën e dashurisë , janë me figura artistike dhe metafora të goditura  duke nxjerrr vargje pafund në dedikim të ndjenjës më të bukur : Dashurisë së shëndetshme dhe njerëzores.Ato janë krijuar me finesë ,harmoni në varg , kanë muzikalitet- .

Poeti Hiqmet Mehmetaj  është  shumë modest , me një shpirt të madh, i ndjeshëm,që vetëm dashuron të bukurën ,të mirën -njerëzoren..Për herë të parë me vargjet poetike të poetit Hiqmet Mehmetaj jemi ndeshur në këngët e bukura  polifonike të Drashovcës në vitet ’70 , ku autori me thellësinë e shpirtit të tij nisi të thur vargjet e para, si një nevojë shpirtërore të jetës së banorëve ku lindi dhe u rrit.

Duke lexuar poezinë e Hiqmet  Mehmetaj kupton se shpirtin e poezisë së tij e ka mbrujtur kënga e Labërisë, embëlsinë ia ka dhënë vargu i poetit  të shquar të Labërisë Ali Asllani.   Duke lexuar disa nga poezitë e këtij poeti si :”Lida moj të marrtë lumi”, “Salushe medet u çmënde”, “Gjitonia shkon e s’më flet”,  etj shikon që në lirikën e Hiqmet Mehmetaj ka një  origjinalitet  me vargje konçize, me figuracion të pasur dhe me mendim të fuqishëm poetik. Bukuria e jetës   jepet shumë natyrshëm, në poezitë “Drashovicë gurë stralli”, “Qani fusha, brigje, male”, “Do këndoj për labërinë”,  “Shqipëri pse s’të zë gjumi”, “Vëllait emigrant” etj, të cilat me forcën e vargut të tyre filozofojnë për jetën dhe botën në  zonën e Labërisë.

Krijmtaria poetike e Hiqmet Mehmetaj tregon se autori  është njohës i mirë i poezisë labe dhe me mjeshtëri artistike ka ditur të thotë zërin e tij me kolorit në vargjet poetike e tërë frymëzim.Për  vëllimin “ Endrrat e trëndafilit” .

Dritëro  Agolli  ka shkruar : “ Lirikat e Hiqmet Mehmetaj janë të sinqerta dhe kanë thjeshtësinë e këngës. Ato nuk janë rritur në serrat e librave, por në livadhet e natyrës. Me këtë dua të them, se autori e ka asimiluar pasurinë shpirtërore të popullit dhe si nektar  e ka shpërndarë në vargjet e tij dhe ky nektar i ka dhënë çiltërsinë e natyrshme jashtë skemave libreske”

Qatip Mara

New York 3 mars 2016

Filed Under: LETERSI Tagged With: POETI LIRIK HIQMET MEHMETAJ, Qatip Mara

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3024
  • 3025
  • 3026
  • 3027
  • 3028
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT