Kosova e Madhe ka burgun, e Vogla kishte një poet…
Nga Fatbardh Rustemi/
Ngjitur, si lagje të njëra-tjetrës janë dy Kosova: tek Kosova e Madhe është burgu, ndërsa tek kjo e Vogla jetoi poeti Baki Nezha, i cili para pak ditësh u nda nga ne, ndoshta në çastin, kur më nisi një mesazh bosh, siç bënte me raste, kur donte të fliste me mua, duke më lënë pengun, që e shtyva komunikimin për një ditë më vonë, kur mora vesh lajmin e hidhur. Kishim folur një ditë më parë, si gjithnjë i interesuar mos bëhej ndonjë aktivitet letrar dhe, të mos harroja ta lajmëroja. Në fakt, ishte shtyrë në këtë botë, si i harruar, i lënë pas dore dhe ai e vuante këtë.
Edhe pse dy Kosova, në asnjërën nuk banojnë kosovarë, sikurse mund të ketë në zona të tjera të Myzeqesë. Famën së Madhes ia dha burgu, i cili vazhdon të qëndrojë aty, qysh nga koha e diktaturës. Ndërsa kjo e Vogla, edhe pse kishte një poet, nuk e pati fatin e Menkulasit, që nxori një Dritero dhe të ndihej prej famës së tij. Gjithsesi aty jetoi një poet, ashtu siç dinte ai. (Libri i Fatos Lubonjës në formatin e një ditari “Në vitin e shtatëmbëdhjetë” është shkruar pikërisht në këtë burg, i cili para 1990-ës kishte qenë vend izolimi vetëm për gratë. Një tregues ndoshta që diktatura po zbutej, përderisa nga Spaçi malor i burrave më rrezikshmëri të lartë, të zbrisje në Kosovën kodrinore, ku në qeli kish patur më parë gra, merr vetvetiu ndjesinë e zbritjes dhe të butësisë. Autori, sikur ta ndjente këtë, si shfaqje të degradimit moral, qoftë të regjimit apo të burgosurve, shkruan se ”…ne shqiptarët sot më tepër se kurrë kemi nevojë të moderojmë pasionet dhe instinktet nëpërmjet intelektit kritik, të bëhemi më shumë burra nga gra të këqia siç jemi.” f.317) Pra, midis së Madhes dhe së Voglës, pjesa e madhe i kishte qëlluar burgut dhe ajo e vogla, poetit. Një ndarje ideale për kohën, në mos për të gjitha kohërat. Bakiu, veç Naimit, Eseninit, ndoshta dhe Driteroit s’e besoj të ketë adhuruar ndonjë tjetër, por, të mjaftueshëm, për ta kthyer poezinë në kult, në mos shpëtim, ku në gjithçka tjetër dukej i marrë fund, i dënuar me mizerje, me shpërfillje totale. Gjithsesi, mbeti një shembull: se si një i gjunjëzuar mund t’i japë dinjitet vetes duke mos u tërhequr zvarrë. Biografia e keqe, me burgun rrëzë shtëpisë, paçka se një burg grash, më shumë se i kallte datën: i nxiste fantazinë, duke u përfshirë kështu në një lojë zbavitëse, ku të burgosurat ktheheshin në heroina të lirikave të tij, pasi habitej me to tek i shihte përditë të punonin arave të fshatit, sikurse dhe mësueset e bukur, ardhur nga qyteti. Punëtor krahu në guroren e fshatit, gjë që i shihej si privilegj, pasi për një fshatar: puna në shtet, kishte më shumë të ardhura nga ajo në bujqësi. (Poeti Vasil Bozo, ish-kryeinxhiner i fabrikës së tullave, e largoi nga furrat e gëlqeres, ku bardhësia e saj kishte çmimin poshtërues të blozës, fundja: një me njollë në biografi e kishte me hak, duke e transferuar me punë pranë fshatit të tij, në nxjerrjen e gurit të kuqërremte. Tek e fundit mermeri e përkëdhel sedrën e poetit, qoftë dhe me një lavdi në potencë.) Gjithkush që e ka njohur Bakiun, ashtu në pikë të hallit, habitej se ku e gjente luksin ky njeri, të merrej me poezi. Njësoj si të shihje në dorën e zgjatur të një lypsari një unazë floriri. Tregojnë se në fshatrat e përfshira në luftën italo-greke, nuset dhe vajzat e reja për të mos tërhequr vëmendjen e ushtarëve, nxiheshin në fytyrë me thinjijë e hi. Me sa duket dhe poeti ia kishte varur vetes, pra, më poshtë nga kaq s’keni ku më çoni, si e si të largonte vëmendjen nga vetja. Realisht, ai e çmonte veten, gjë që ia lejonte dhe të jetuarit me poezinë, por, më shumë shtysa e brendshme vinte prej origjinës së fisit: me të kamur dhe kokëshkretë. Ndaj tek ai nuk kishte duk rrënimi, por, një vitalitet i fshehur tek buron shpirti poetik, që më kot rreken ta shfaqin me vargëzime gjithandej ca të rrjedhur. Lehtësisht mund ta përcillje me përbuzje, por, në të gjitha rastet, arrinte ta fitonte simpatinë, siç do t’i rendis më poshtë: edhe tek shumë femra me nur e prestigj, që padyshim ktheheshin në heroina të lirikave të tij. Gjeti tek ato një ngrohtësi dhe dashamirësi, si askush tjetër, në respekt të shpirtit njerëzor: i paprekur prej hileve shtirake të interesit dhe kozmetikës së ditës. Kësisoj ai i pretendonte majat e paarrira, jo me nihilizmin e një dhelpre, me demek të papjekura, por, me krahapjen e një zogu, duke u ngjitur në to me një platonizëm pa vuajtje. Ti e shihje, sikur po dilte nga një minierë gjymyrguri, ai në fakt sapo kishte zbritur nga “qielli i shtatë”, pa e kuptuar kurrë se nga i vinte gëzimi. Përherë e kam menduar, si arriti ta pranonin të gjithë, duke shtuar përkujdesjen ndaj tij, me aq sa mundeshin? Mos vallë ngaqë nuk shkaktonte zili, gjë që gjetkë e bënin me agresivitet, duke sajuar kështu një objekt kulti, si rasti më i mirë për të pastruar ndërgjegjen e llangosur gjetiu? I qanin hallin dhe jo se ia donin të mirën, që tek ai nuk e gjente rrugën.
Në kohën e studentllëkut në Tiranë shpesh më bënte përshtypje një burrë, i cili u ngasej të rinjve, kryesisht vajzave, të cilëve u ofronte një lule, e shoqëruar kjo: dhe me një citat dashurie, natyrisht kundrejt një pagese. Njohja me Bakiun, ma solli në mend këtë kavalier me pagesë, por, kosovëvogli shfaqej me dinjitetin e një poeti shëtitës, që, si mundësi të vetme të ekspozimit të krijimtarisë së tij: kishte recitimin e tyre kundrejt të njohurve, që i shtoheshin dhe ai i ndiqte, atje ku ishin. Për shkak të biografisë ishte i privuar nga shtypi, kështu që publikimin e lirikave ia besoj vetes, por më dinjitoz nga ata që i shesin librat me trasta nëpër shkolla. (Në ditën e varrimit të poetit, një tjetër poet, Elmaz Qerreti, dikur mësues në Kosovë të Vogël, në praninë tonë, një bashkëfshatar i Bakiut, i thotë: ”Po ç’deshe ti, o i shkretë, që ma përmende atëherë emrin në gazetën lokale, duke i hapur telashe vetes?!” Ishte një kohë, kur të gjithë e kishim burgun një hap larg. Jo larg prej këtu, poeti F. Haliti shlyente dënimin për gabime të rënda ideologjike në poezi, duke i rënë qylykes. Edhe poeti tjetër, Sherif Bali, që kishte ardhur t’i jepte lamtumirën e fundit Bakiut, në këmbëz e kishte. Nuk po flasim për Visar Zhitin, mikun tonë të përbashkët dhe bashkëvuajtësin e Lubonjës, i cili pati fatin të zbriste më parë në Lushnje, se sa Fatosi të vinte në ish-burgun e grave.)
Nëse poezitë Bakiu i recitonte, ndë sqetull mbante dhe dorëshkrimin e një romani autobiografik, të cilit i kishte bërë një kopertinë prej kartoni. (Shumë libra që ndaloheshin nga regjimi silleshin në fabrikën e Lushnjes dhe bëheshin karton. Në fakt, Lushnjes i ka mbetur ky nam i keq, që vlerat bën njërën t’i kthejë në karton. Nga kjo fabrikë kartoni nisi sulmi i parë kundër festivalit të 11-të të këngës në radio-televizion.) Me pamje xhanavari, gjë që i mbeti dhe, kur filloi ta mbante veten, krejt i shkujdesur në paraqitjen e vetes, gjithsesi nuk dukej fshatar, paçka se dhe qytetarin nuk ta kujtonte gjëkundi. Ja që atij i shkonte më së miri shprehja, “Jam vetvetja”, ku pretendimet e origjinës së tij të kamur i mbajti në shpirt dhe ndëshkimin e regjimit në trup. Dihet që të parat që reagojnë ndaj vlerave të fshehura janë femrat. Kështu mund të shpjegohet miqësia që Bakiu kishte me to. Kur shkonte në Tiranë, do takonte në radio me patjetër Vasilikën e Filip Çakulit, pa harruar mjeken bukuroshe Berta, së cilës i kushton një nga poezitë me interesante, pak a shumë me një fabul të tillë: në një ditë me fjolla bore, të cilat dukeshin, sikur shpërndaheshin nga bluza e bardhë e mjekes, në xhamin e mbuluar nga avulli ai skiconte me gishtin rrëshqitës portretin e saj. Deri këtu shkon erotizmi i tij, ku gdhendja është e përjashtuar. Platonizmin e tij mund ta quanim një saunë poetike në kohën e rrebesheve. Kësisoj në Elbasan takonte Zelie Feçin, e cila e mirëpriste dhe në shenjë mirënjohje për entuziazmin, që ai kishte treguar për poezitë e saj të para. Së fundi nuk mund të lë pa përmendur poeten Edlira Gorreja, e cila i shkoi në spital kur ai ishte sëmurë, si dhe në varrim me një buqetë me lule në emër të krijuesve lushnjarë, me pengun që Bakiu, aq shumë i interesuar, nuk do merrte pjesë në promovimin e librit të saj me poezi “I vini çfarë emër të doni”. Pa harruar këtu dhe mësuesen e nderuar, adhuruesen e letërsisë, Shire Kasapin, e cila në takimet letrare asnjëherë s’harronte pa i përmendur lirikat e Bakiut. Ato të gjitha, përfshini dhe të papërmendurat, fal delikatesës femërore, krijuan klimën e mohuar të realitetit armiqësor të kohës. Shihni një nga protestat e rralla të tij, edhe pse nuk e njihte ankimin, njëherësh dalloni pretendimin e fshehur në këto vargje: “Më vlerëso, o vendi im,/Mua bota po më vlerëson/A s’e dëgjon ushtimën me bubullimë?/Jam unë që thërres/Unë që të dua shumë/Kurse ti ende s’më dëgjon?!”(Poezia me titull “Vërejtje vendit tim” nga libri i vetëm i Bakiut “Ia hapa portën ëndrrës” Të gjithë ata që e duan këtë vend, nuk mund të kenë fat tjetër nga ai i poetit nga Kosova e Vogël, që jetoi me burgun tek dera e shtëpisë.)
Siç e thamë, ai jetonte në një fshat, ku ishte dhe burgu i grave, shumë prej të cilave ai i shihte të punonin arave të fshatit të tij. Si një qenie e ndaluar, ai prirej drejt të burgosurave, fshehurazi i bënte objekt të poezisë, sikundër është dhe njëra nga qyteti fqinjë, një shitëse e dënuar ngaqë kishte dalë sufiçit, poezi që gardiania shoqëruese ia kishte dhënë ta lexonte dhe ajo, me të dalë nga burgu, i shfaqi gjithë mirënjohjen e saj, sikundër i ka hije një poeti. Reagimet poetike të tij ndaj pranisë femrore janë të njohura, dhe për shkak të publikimit, që ai u bënte poezive duke i recituar dhe ato bëheshin shpesh të njohura për të gjithë. Kush nuk fliste për mësuesen e ardhur nga Tirana, së cilës ai i kushtoi këtë poezi, që mbetet një nga lirikat më të bukura. Ishte në modë që vajzat të vendosnin në jaka medalione në formë lulesh apo kafshësh: ”Dhelpër është ajo?/”Jo, jo, qen!”-u përgjigje ti./Kam parë vajza që vënë degë mimoze,/Po ti, pse s’vure një degë qershi?!”/Dhe rrinte qeni lidhur aty,/Dhe rrinte qeni i lidhur në gushë,/Që të mos e prekte njeri thesarin,/Që të mos e puthte atë dikush.” Nëse Driteroi ankohet në një poezi të tijën ndaj redaktorit, i cili ia hiqte lulet nga poezia, siç hiqeshin të puthurat në filmat e huaja nga censura, kur çuam lule në varrin e Bakiut e bëmë këtë, jo për t’i stolisur varrin, por se ai nuk rron dot pa to, edhe pse në parajsë mund t’i ketë me bollëk. Edhe pse jetoi në një vend, ku flitej veçse për një atdhe të lulëzuar, ku dhe fotografët bënin foto vetëm nëpër lulishte, ai ishte larg tyre, i privuar nga pranvera, kështu që s’i mbeti rrugë tjetër veçse të çelte gonxhet e shpirtit të tij. Ndërsa arkivoli me trupin e poetit zbriste në banesën e fundit, gjetiu në terrin e përjetshëm, mendja më shkoi tek burgu i fshatit, ku të dielën e 17 marsit 1990 ora 18.45 i burgosuri politik Fatos Lubonja del prej andej: ”Ka filluar të ngryset. S’besoj ta nxjerr më bllokun të shkruaj për këtë ditë të mbrapshtë lirimi që sikur më parandjell se shqiptarët s’do të gjejnë kurrë paqe mes tyre. Por edhe bota e madhe po kështu s’ka gjetur ndonjëherë paqe… Fund” (“Në vitin e shtatëmbëdhjetë”f.334) Shpresojmë që Bakiu të prehet në paqe. Një këngëtar shumë i njohur, si Tonin Tërshana, ndryshe nga poeti i Kosovës së Vogël, ku djemtë e tij ngritën një vilë, këngëtari pa e gëzuar banesën sociale shkoi të nesërmen tek banesa e fundit, ku Bakiu sapo mbërriti. Nuk di, a i ka mbetur peng, që nuk provoi njëherë këtë “shtëpinë pa qera”, ku vite më parë u izolua Lubonja dhe, mbylleshin gratë, që ai u shkruante fshehurazi poezi? Gjithsesi dhe ai, që pretendonte të prehej në një piramidë, përbri kryeministrisë, nuk e gëzoi dot…(Tirana Observer)
“ZJARRET E BRENDSHME” TË IBRAHIM VASJARIT SHPËRTHEJNË NË LUSHNJE
Me romanin “Zjarre të brendshme”, Ibrahim Vasjari nderon çdo presidium të letrave shqipe/
Nga Enver LEPENICA/
Dega e Lidhjes së Shkrimtarve, Lushnje, nën drejtimin e Elmas Qerretit, Biblioteka nën drejtimin e Fatbardh Rustemit dhe Muzeu nën drejtimin e Niko Ferros, ish deputeti Kujtim Gina, organizuan më 3 mars 2016 diskutimin dhe promovimin e romanit të ish deputetit Ibrahim Vasjari “Zjarre të brendshme”, që ka si temë vrasjet pas shpine, gjatë luftës 1943-1944 dhe armiqësitë që vazhduan edhe në kohë paqje.
Nxënës të shkollave “Jani Nushi”, “Vath Koreshi” dhe “18 Tetori”, recituan me pasion poezi nga krijimtaria e Ibrahim Vasiarit.
Gjatë diskutimit te romanit u muar vesh se Niko Ferro ishte bërë me djalë. Ishte fëmija e parë, çka na bëri që ne vlonjatët: Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Prof. Bajram Karabolli, Ibrahim Vasjari, Vilson Haxhiraj, Zaho Caushi, të mendonin se kishim zbritur me këmbë të mbarë në Lushnje.
* * *
Drejtori Muzeut, Niko Ferro, që rrezatonte dituri dhe fisnikri, na tregoi me krenari të ligjëshme Muzeun Historik, pasurimin dhe tasformimin e tij, sipas kritereve shkencore, duke e shndërruar Muzeun nga një vatër propogande partiake, në një vatër atdhetare, duke ngritur në peidestalin që meritonin shumë patriot të mohuar e harruar, veçanërisht ne vlonjatët u emocionuam kur pamë aty figurat e ndritura të Qazim Kokoshi, Ahmet Lepenica, të cilët i kishin shërbyer këtij qyteti që nga viti 1913 etj.
Elmas Qerreti, hapi ceremoninë me një anlizë kompetente e të plotë të romanit, duke nënvizuar vlerat ideo-artistike. Me romanin “Zjarre të brendshme”, tha ai, kemi një mënyrë të re të të treguarit çka paraqet talentin e autorit që është brenda dramës që trajton në roman. Autori u ka lënë fushë veprimi personazheve dhe ngjarjeve që lënë mbresa të pa shlyera tek lexuesi.
Edhe Fatbardh Rustemi foli gjatë për krijimtarinë letrare të Ibrahim Vasjarit dhe në veçanti për romanin. Ai tha se romani, këtu në Lushnje, ka kaluar dorë më dorë duke bërë për të vlerësime të larta. Autori ka pasqyruar bukur të vërtetën historike, realitetin e hidhur për vrasjet pas shpine gjatë luftës 1943-1944 dhe pas sajë, se si ata që i kishin shpëtuar plumbit të armikut nuk mundën t`i shpëtonin dot lapsit kopjativ të oficerit të Sigurimit!
Prof. Sadik Bejko vlerësoj krijimtarinë e Ibrahim Vasjarit me tre librat e tij: “Kristale në errësirë”, libër historik trajtuar me një gjuhë të pastër letrare, poezin e tij që prek zemrën dhe romanin e fundit “Zjarre të brendshme”
Poeti Vasil Bozo, përmëndi kontributin që kanë dhënë disa personalitete të kulturës nga Tepelena nga i ka rrënjët edhe Ibrahim Vasjari, autori romanit.
Shkrimtari dhe publicisti Naun Kule, që tash së fundi i dha kulturës dhe historisë veprën shumë vlerëshe “Shënjtëri e vjedhur”, foli me kmpetencën e një studjuesi dhe tha se Ibrahim Vasjari, është produkt i teatrit politik shqiptar dhe i bën nder çdo presidiumi të letrave shqipe. Në roman ka personazhe të skalitur dhe del qartë ideja se armiqt i mundëm në luftë, por armiqësitë mbetën midis nesh, nuk i mundëm dot.
Vilson Haxhiraj, tha se diskutimin e këtij romani duhet ta bënim ne vlonjatët pasi Ibrahim Vasjari i ka sjellë shërbime të shquara Vlorës, si mësues, si aktivist shoqëror, si deputet dhe si krijues, pra si vlonjat falnderojë organizatorët e kësaj ceremonia mbreslënëse z. Elmas Qerreti, z. Fatbardh Rustemi dhe z. Niko Ferro. Lushnjarët na mësuan se si duhet nderuar e vlerësuar një krijues. Pastaj Vilsoni u ndal në vlerat e romanit, dhe mbresat që kishte lënë tek lexuesi vlonjat.
Prof. Bajram Karabolli, përkthyes dhe shkrimtar tha se kur lexova romanin e Ibrahim Vasjarit, përzierja e personazheve të vdekur me të gjallët e pyeta autorin në se e kishte lexuar Rulfon, shkrimtarin e realizmit magjik që unë kisha përkthyer. Kur më tha jo, u habita sepse romani i z. Vasjari është në këtë radhë të këtyre autoriteteve të shquara të letërsisë. Shqipëria, tha ai, ka parë shumë pushtues, por mallkimin e popullit tonë “Të humbtë varri” e bënë realitet vetëm komunistët.Këtë temë dhe ide autori Vasjari e trajton me talent, duke na lënë të kuptojmë se vrasjet nuk harrohen, të vrarët pas shpinë gjatë luftës 1943-1944, sipas popullit nuk i tret varri, ata ngrihen nga varri dhe romani Ibrahim Vasjarit na kujton dhe emocionon me këto ngjarje historike të trajtuara me art dhe gjuhën e bukur letrare.
Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, foli me gjuhën e thjeshtë popullore, plot kolorit dhe ide. Fjalën e tij e shoqëroi me barsoleta historike të cilat ngritën lart humorin dhe emocinet e dëgjuesve. Edhe pse Ibrahim Vasiari, tha ai, nuk u lejua të botonte në atë kohë, përsëri ai me shpirtin e tij ka qënë prezent në botën kulturore të Vlorës ku jetonte dhe punonte.
Sa mirë është, tha Valter Dauti, kur shoh Vlorën dhe Tepelenën që kanë zbritur në Myzeqe. Romani “Zjarre të brendshme” i Ibrahim Vasjari të bën për vete me përmbajtjen gjatë luftës dhe pas sajë, me idetë, me stilin, gjuhën dhe sintaksën. Për sa i përket ideve dhe vështrimeve të tij ato janë personale dhe duhen respektuar.
* * *
Në fund autori i romanit Ibrahim Vasjari falnderojë të pranishmit për vlerësimet dhe nderimin që i bënë duke promovuar krijimin dhe punën e tij.
Diskutimet vazhduan në një drekë të shtruar me miqtë, por këtu me godën e rakisë dhe të verës përpara.
Debati në Fox Theater, një dramë e ndytur
Nga Rafael Floqi-Detroit/
DETROIT – Debati republikan në Detroit përfundoi, dhe transhetë e betejës të luftës civile brenda Partisë Republikane tani janë më të qarta se kurrë, gjë që e bëri debatin e së enjtes në Fox Theater në Detroit, sa një dramë sureale e ndytë, aq dhe një grindje burrash me fjalor kalamajsh. Ku i vetmi kuptim racional ishte “përçarja e republikanëve” në dy fronte.
Në transhe nga njëra anë, janë: Marco Rubio dhe Ted Cruz, Mitt Romney dhe udhëheqja republikane në Washington, tok me TV “Fox News” dhe konservatorët e shumicës së medieve të shkruara, dhe nga anën tjetër i gjithë-atakuari Donald Trump.
Në fakt, ky ishte debati i parë pas Supersëmartës, në të cilën Trump fitoi shtatë nga 11 shtetet dhe forcoi statusin e tij si pararendës i kandidatëve republikanë.
Megjithatë avantazhi i tij në qasjen e sigurimin e numrit të delegatëve nuk është ende qartë që në shikim të parë, kjo edhe pse procesit i numërimit dhe grumbullimit të tyre shpesh duket si mashtrues. Kandidati i vendit e dytë Cruz, mori një numër të madh delegatësh nga fitorja qe arriti në shtetin e tij të Teksasit. ndërsa Rubio, ndërkohë, ka fituar vetëm një shtet – dhe John Kasich, kandidati i katërt nuk fitoi asnjë.
Në teori, çdo rival i Trump mund ta arrijë atë. Në praktikë, asnjë prej tyre nuk do ta bëjë këtë gjë para konventës së Partisë Republikane. Në këtë pikë, ka shumë politikë dhe kjo realizohet me të vetmen mënyrë, duke e parandaluar Trump-in që të sigurojë shumicën e numrit të delegatëve nw konventë Kjo “luftë” do të krijonte një “çarje” të madhe në konventën e Clevelandit këtë verë, ku shumëçka në parim do të varet nga sigurimi i numrit delegatëve, dhe nëse kjo nuk bëhet e mundshme sigurimi i shumicës nga prej kandidatëve partia mund të emërojë një kandidat tjetër. Edhe pse në debat mëtuesit e Trump pohuan mbështetjen e atij qw do tw dilte i pari.
Se sa foshnjarak ishte ky debat e tregon fakti se Donald Trump e hapi debatin e GOP-së duke reaguar në lidhje me madhësinë e penisit të tij. Duke iu përgjigjur komenteve të Marco Rubios kur senatori nga Florida bëri shaka në lidhje me madhësinë e duarve të Trump, duke thënë se”Ju e dini se çfarë thonë për burrat me duar të vogla” Menjëherë në skenën e debatit, Trumpi shtriqi duart para audiencës për t’ia treguar publikut dhe pastaj insistoi, se sugjerimi i shprehjes që diçka tjetër ‘duhet të ishte i vogël “ishte pavërtetë.”Unë ju garantoj se s’ka probleme aty,” tha Trump, mes brohoritjeve të turmës, në Fox Teatër.
Ky ishte ndoshta momenti me sureal në këtë garë presidenciale të dominuar nga një dramatizëm i pashoq dhe nga sulmet personale. Kjo është arsyeja pse shumë nga konservatorët kanë dërguar letra në të cilat sulmohem aftësitë e Trump-it për të qenë presidencial, duke deklaruar se ata nuk do ta mbështesin Trump-in.
Në qoftë se mosmarrëveshjet mes tyre do të vazhdojnë të thellohen kjo do t’i rrisë shanset e Hillary Clinton-it për t’u bërë presidente. Kjo është edhe arsyeja pse Mitt Romney, kandidati i partisë për president në zgjedhjet e vitit 2012, mbajti një fjalim të ashpër të enjten në mëngjes, duke sulmuar Trump-in si mashtrues dhe një person që ofron veç urrejtje.
Dhe siç duket kjo ishte dhe arsyeja pse Trump, e kaloi shumicën e kohës së debatit të së enjtes mbrëma, duke arrnuar gardhin vet dhe duke iu përgjigjur sulmeve të Rubios, i cili e sulmoi Trumpin me një luftë verbale me fyerje personale dhe duke treguar fare pak interes për politikën reale. Ndërsa Cruz vuri në pikëpyetje, besnikërinë e Trump-it ndaj argumenteve të konservatorëve, duke argumentuar se ai ka ndryshuar shpesh qëndrimet e veta dhe ka qenë i lëkundur në premtimet, për një qëndrim të ashpër mbi emigracionin.
Vazhdimi i sulmeve u bë dhe nga moderatorët e Fox News, me inserte te përgatitura për ta bërë përgjegjës Trump për deklaratat e lëkundura (flip-flops) që ai ka bërë. Madje, drejtuesi i debatit Chris Wallace vuri në dukje që, sipas ekspertëve të pavarur, se me shkurtimet e taksave Trump do të krijonte deficite të reja të mëdha. Kur Trump u përgjigj, duke pretenduar se plan i tij për barnat me recetë do të kursente 300 miliardë $ në vit nga shpenzimet e Medicare, Wallace bëri një ndërhyrje të menjëhershme dhe tregoi se “Medicare harxhon 78 miliardë $ për ilaçe – dhe se ju nuk mund të kurseni më shumë para se ju jeni duke shpenzuar”.
Më vonë ishte radha e anchor woman të Fox News, Megyn Kelly, me reputacion tek republikanët. Ky ishte ballafaqimi i tyre i parë i drejtpërdrejtë pas debatit të verës së kaluar, kur Kelly i drejtoi një pyetje provuese Trump-it në lidhje me qëndrimin e tij ndaj femrave dhe ai e aludoi më pas se ajo i bëri këto pyetje armiqësore, sepse ishte me menstruacione. Insertet kishin synimin të tregonin qëndrimet e lëkundura të Trump me anë të klipeve – duke treguar me fjalët e veta sesi tri herë Trump kishte thënë të njëjtën gjë, dhe pastaj më vonë e kishte kundërshtuar krejtësisht po vetë atë argument.
Përgjigja Trump ishte i njëjtë, si gjithmonë. Ai i fyen personat që e pyesin – në mënyrë të përsëritur, duke iu referuar p.sh. si “Little Marco,”ose duke ndryshuar subjektin e pyetjeve e duke në disa raste duke dhënë më shumë fakte.
Nisur nga sulmet e vazhdueshëm që ai ka marrë nw kurriz u shtuan dhe ato mbi biznesin e tij. Në Fox Theater pati një shkëmbim të ashpër ne lidhje me rekordet e biznesit të vet, veçanërisht për të debatueshmin “Trump University.” Mijëra studentë u regjistruan në një kurs në të cilin biznesmeni do t’u mësonte atyre se si të “arrinin suksesin,” por tani janë bërë shumë padi mbi këtë çështje, në të cilat thuhet se kursi i mashtroi studentët në gjithë Amerikën ndërkohë që Trumpi fitoi dhjetëra miliona dollarë…
Por siç duket, vetëm qëllimi ka rëndësi? Në këtë pikë, tanimë nuk ka dyshime.
Konstante e kësaj fushate ka qenë aftësia e Trump-it jo vetëm për të mbijetuar, po për të lulëzuar në fushatën e tij për të arritur qëllimin e vet pavarësisht incidenteve që kanë rezultuar me eliminimin e kandidaturave të tjera.
Trump ishte gjithashtu në pozita mbrojtjeje kur u debatua për ndryshimin qëndrimin e tij në çështje të tilla si Lufta në Irak dhe nëse do të pranonte refugjatët sirianë në Amerikë.
Manjati i pasurive të patundshme ka argumentuar se është e rëndësishme që liderët të jenë “fleksibël”. Edhe pse ai fillimisht tha se refugjatët sirianë nuk duhet të lejohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara ai tha se ka ndryshuar mendje. Trump sqaroi se ai fillimisht besohej që kjo do të përbëhej nga vetëm një “numër shumë të vogël” refugjatësh.
“Kur dëgjova numrin e parë”, tha Trump ” emigrimi sapo kishte filluar, dhe unë kam qenë me nj mendim shumë të ngjashëm -.. OK”
Ndërkohë, Rubio u përgjigj kësaj me shaka duke thënë në lidhje me Trump: “E pra ai është shumë fleksibël, kështu që ju kurrë nuk e dini se çfarë ai mendon”.
”Kjo i dha një mundësi Kasich, i cili bëri një paraqitje mjaft dinjitoze, edhe pse ka qenë i rezervuar në sulmet ndaj Trump, tw thoshte se “Votuesit duan të dëgjojnë se çfarë mendojnë politikanët, dhe pastaj ata të shkojnë në Uashington … t’i vlerësojnë nëse i kanë mbajtur premtimet e tyre”.
Cicmicja plot ngjyra vazhdoi gjatë dy orëve, me Rubion që përpiqej të tregonte aftësitë e tij improvizuese me Trump dhe Cruz që u kacafytën në një shkëmbim të ndezur në lidhje me nominim e një gjyqtari konservator në Gjykatën e Lartë, apo kur Cruz i përsëriti Trump për “frymë, frymë, frymë.” Rubio u kthye moderatorit: “Kur ata janë ata që bëjnë yoga”
Por këto sulme të GOP e kanë kthyer Trump-in kandidat, në një hero lufte. Numrat e tij në sondazhe qëndrojnë fort. Ai e vuri në dyshim ndershmërinë e vendimit të ish-presidentit Xhorxh W. Bush – në Karolinën e Jugut! Dhe numrat e tij në sondazhe përsëri mbetën të qëndrueshme. Ai u sfidua të mohonte e David Duke (supremacistin e bardhë dhe Ku Klux Klan-in. Dhe përsëri numrat e sondazheve mbetën të qëndrueshme.
Nuk ka asnjë shpjegim të vetëm apo të lehtë se pse Trump ka arritur të sfidojnë rregullat normale të politikës. Është e qartë se qëllimi është Fitimi… Historia e tij është aftësia dhe realizimi i fitores së qëllimit politik, dhe kështu duket se qëndrueshmëria e pikëpamjeve, dhe besnikëria e traditave konservatore, thjesht tani nuk janë të rëndësishme për shumë votues republikanë . Baza dëshiron qëndrim, zemërim dhe forcë dhe këto janë ato gjëra që Trump di t’i sigurojë, më shumë se kushdo tjetër në skenën paradoksale të Fox Theater dhe ndoshta më shumë se çdo politikan tjetër në Amerikë. Dhe siç duket në këto kohë moderne edhe në politikë më shumë se parimet ka rëndësi “show” . And the show must go on ….
EPITAFI
Nga Reshat Kripa/
E kisha bërë zakon që çdo vit në datën e përvjetorit të vdekjes së prindërve të mi, të shkoja në varreza dhe të vendosja një tufë me lule mbi varroshin e tyre. Ulesha pranë tyre, vështroja fotografinë e stamposur në porcelan dhe filloja bisedën me ta. U tregoja për gjithçka kishte ndodhur në familjen tonë. Ndonjë herë kur kisha vështirësi u kërkoja edhe mendim dhe më dukej sikur ata më përgjigjeshin dhe unë e ndjeja veten të lehtësuar.
Aty pranë tyre ndodhej edhe një varr tjetër. Ishte një varr i thjeshtë fare, vetëm me bordurat anësore që i vendoste ndërmarrja komunale dhe një pllakë në krye ku ishin shkruar emrat e atyre që preheshin aty. Ishte varri i mikut tim Agronit. Ai prehej aty së bashku me familjen e tij tragjike. Si mbaroja vizitën te prindërit e mi, kthehesha edhe nga miku im, për të vendosur edhe atje një tufë me lule për kujtim. Ishin lulet e vetme që vendoseshin mbi atë varr.
Kështu veprova edhe atë ditë marsi të vitit 1993, në ditën e njëzetvjetorit të vdekjes së tim eti. Bleva dy buqeta me lule dhe shkova të bëja ritin e zakonshëm. Në fillim u gjunjëzova në varrin e prindërve. Vendosa tufën e luleve dhe vazhdova bisedën si zakonisht. Pastaj u ngrita dhe u drejtova nga varri i mikut tim.
U habita pa masë kur pashë se në vend të varrit të thjeshtë që kisha lënë para një viti, tani ngrihej një varrosh madhështor. Në pllaken e mermertë të tij lexohej:
AGRON CANAJ 1930 – 1987
LUMTURI CANAJ 1932 – 1974
IRIDA CANAJ 1959 – 1974
Në mes të pllakës, mbi emrat e tyre ishte vendosur një fotografi e bukur porcelani e të gjithë familjes, ndërsa poshtë tyre ishte shkruar epitafi i mëposhtëm:
‘’ NË JETË NUK PATËT GËZIM,
NJERËZIT JU KISHIN HARRUAR,
POR ZOTI ME PËRDËLLIM,
JU DHA LIRINË E AMËSHUAR! ‘
U habita kur pashë një varrosh të tillë. U ula me respekt pranë tij, vendosa buqetën e luleve dhe vështroja fotografinë dhe epitafin e shkruar. Atë fotografi e kisha parë në albumin e Agronit. Kishin dalë një vit para se t’i vdiste e shoqja. Ishte fotografia e tyre e fundit.
– Ky varr ka shumë dhimbje! – u dëgjua një zë prapa meje. U ktheva dhe pashë specialistin që merrej me ndërtimin e varrosheve.
– Kush e ka porositur këtë? – e pyeta.
– E porositi i vëllaj që banon në Tiranë. Ka ardhur disa herë qe ta vizitojë. Ato lulet që kanë filluar të vyshken ai i ka sjellë.
Veshtroja epitafin e shkruar aty dhe para syve me dilte ngjarja e hidhur që kishte ndodhur para njëzet vjetësh. Ishte një ngjarje e dhimbëshme nga ato që nuk mund të harrohen kollaj dhe që rasti e kishte bërë qe unë të bëhesha dëshmitari i vetëm i saj.
* * *
Isha në zyrat e sektorit së bashku me mikun tim Astritin, që ishte teknik i sektorit, kur trokiti porta.
– Hyni! – foli Astriti.
Në dhomë hyri një burrë rreth të pesëdhjetave, me trup mesatar, sytë bojë qielli të mëdhenj, ballin të gjërë dhe flokët bjond që kishin filluar të zbardheshin. Kishte veshur një palë pantallona doku ngjyrë gri dhe një këmishe bojë qielli me vija të bardha. Vështroi nga ana e jonë si me frikë, pastaj u afrua dhe pyeti:
– Këto janë zyrat e sektorit te investimeve?
– Po. – u pergjigj shkurt Astriti.
– Më kanë dërguar të punojë në sektorin tuaj. – vazhdoi ai duke zgjatur një
letër qe ia kishte dhënë shefi i kuadrit. Astriti mori letrën dhe mbasi e lexoi i tha:
– Çfarë profesioni keni?
Burri u mendua pak si i zënë ngushtë pastaj u përgjigj:
– Punëtor, megjithse kam punuar në shumë profesione, por nuk kam asnjë kategori
– Ku keni punuar? – e pyeti përsëri Astriti.
Burri heshti sikur donte të mendohej në se duhej ta thoshte atë fjale apo jo. Më në fund foli me një gjysmë zëri:
– Kam një muaj që jam liruar nga burgu. Kam punuar nëpër kampe të ndryshme.
Unë dhe Astriti pamë njëri-tjetrin në sy.
– Përse keni qënë të dënuar?
– Agjitacion dhe propagandë
Një heshtje pasoi fjalët e tij Pastaj për të ndërruar temën e bisedimeve Astriti e pyeti:
– Çfarë njerëz keni në familje?
– Vetëm nënën time plakë.
– Nuk jeni i martuar?
– Kam qënë dikur. Kam patur edhe fëmijë.
Unë dhe Astriti menduam se do e kishte ndarë e shoqja kur ai ishte në burg. Por ai vazhdoi:
– Tani ato ndodhen në qiell.
– Më falni! – i tha Astriti dhe vazhdoi – Si ju quajnë? – Por aty për aty u kujtua për letrën e shefit të kuadrit. E mori atë dhe pasi hapi librin e personelit shënoi:
‘’ Agron Bexhet Canaj, punëtor kategoria e parë, datëlindja 15 mars 1930, banues lagja 24 maj, rruga Transballkanike, pallati 526, nr. 13 Vlorë.’’
– Mirë atëhere, nesër do të filloni nga puna në pallatin që ndërtojmë në hyrje të qytetit – dhe i tregoi vendin ku ndodhej pallati – Në orën 6.30 takohemi atje. Do të njiheni edhe me shokët e tjerë të punës.
– Faleminderit! – u përgjigj burri dhe pasi na përshëndoshi u largua duke mbyllur pas vetes portën e zyrës.
Mbetëm për një farë kohe pa folur. Prania e këtij personi na kishte habitur. Nuk e njihnim. As emrin nuk ia kishim dëgjuar. Por sidoqoftë me atë pak bisedë që bëmë me të mësuam se diçka e dhimbëshme i kishte ndodhur.
– Merreni si ndihmësin tuaj dhe mundohuni të zbuloni ndonjë gjë për personin e tij – tha Astriti.
* * *
Të nesërmen e gjetëm duke na pritur.
– Eja të pimë nga një kafe. – foli Astriti.
Ngurroi por këmbëngulja e jonë e detyroi të pranonte. Porositëm tre kafe dhe tre raki të cilat i solli kamarjeri.
– Më falni, por unë nuk e pi rakinë! – tha Agroni
Kamarjeri e mori përsëri rakinë e tij. Pinim dhe bënim muhabete të ndryshme. Mundoheshim që të mos bënim biseda që do ta lëndonin. Si mbaruam u ngritëm dhe shkuam te pallati ku ishin mbledhur edhe shokët e tjerë.
– Agron Canaj është një punonjës i ri i sektorit tonë. – tha Astriti – duke filluar që sot do punojë në brigatën tuaj.
– Le të punojë me mua. – thashë unë.
Kështu që atë ditë ai filloi punë si ndihmësi im. Ishte një tip i mbyllur. Fliste fare pak, vetëm kur i drejtoheshe atij të përgjigjej fare shkurt, pastaj humbiste në vetminë e tij.
Në punë ishte shumë i rregullt. Me siguri kjo vinte nga disiplina e hekurt e kampeve ku kishte qënë. Unë mundohesha t’i qëndroja pranë, por vija re se ai më shmangej. Disa herë e kisha ftuar për të shkuar në kinema apo ndeshje futbolli, por shumë rrallë kishte pranuar. Dukesh sikur e kishte humbur kuptimin e jetës. Vrisja mendjen të gjeja shkakun e kësaj gjendje. Mos ishte burgu i gjatë, apo humbja e familjes shkaktari i këtyre gjërave? Këtyre pyetjeve nuk mund t’u jepja përgjigje.
Një ditë ndërsa pinim kafe qëllimisht i tregova për jetën time. I tregova se edhe unë kisha qënë në burg, se kisha vuajtur njësoj si ai, por isha përsëri i gjallë. Isha martuar dhe më kishin lindur edhe fëmijë. I bëra thirrje edhe atij të gjente forca dhe të fillonte një jetë të re
– Jeta ime e re është vetëm varri! – u përgjigj me gjysmë zëri.
Që atë ditë shoqëria e jonë u bë më e dukshme. Dilnim vazhdimisht së bashku dhe bisedonim për gjëra të ndryshme. Shpesh herë i tregoja ngjarje nga jeta e burgut me shpresë se edhe ai do të fillonte të më tregonte të tijat. Por ai vazhdonte të heshte. Megjithatë unë e kisha atë durim që të prisja kur të vinte momenti i volitshëm dhe të më tregonte vetë.
* *
Një ditë takova Besimin, një mikun tim të burgut që mbasi kishte bërë 28 vjet burg, ishte liruar para një viti. Biseduam gjërë e gjatë për probleme të ndryshme. Së fundi e pyeta edhe për mikun tim të ri
– Nuk di ç’të them! Kemi qënë bashkë në kampin e Spaçit. Në mos gabohem ai ka ardhur atje rreth vitit 1974. Ishte një tip i mbyllur, i çuditshëm, pak i shoqërueshem.
Mbasi u mendua pak vazhdoi përsëri:
– Shokët e grupit të tij e kishin abandonuar. E akuzonin se i kishte tradhëtuar në sigurim.
Ky lajm sikur më tronditi. Megjithatë e pyeta:
– Po ti ç’mendim ke për të?
– Gjithmonë e kam parë me një sy dyshimi një gjë të tillë, sepse ai nuk kishte asnjë shenjë spiuni si ata që njohim ne. Rrinte vetëm, nuk provokonte kurrë njeri. Punonte në galeri dhe kur ktheheshim hiqej mënjanë dhe lexonte ndonjë libër. Kur ishte në kamp i vdiq gruaja dhe vajza. Ndoshte ishte ky shkaku që qëndronte i shkëputur nga të tjerët. Ka mbaruar studimet e larta për inxhinier elektrik.
Unë mbeta i habitur. Kisha disa muaj me të dhe nuk ma kishte thënë një gjë të tillë. Besimi ndezi një cigare të cilën e thithi thellë dhe pastaj vazhdoi:
– Me gjithë llafet e hapura, unë i qëndroja pranë. Kisha përshtypjen që ai ruante diçka të rëndë brenda vetes të cilën nuk kishte kurajo t’ja tregonte njeriu. Por jo se ishte spiun. Për këtë u binda më tepër kur i tregova gjoja për disa shokë të cilët kishin vendosur të arratiseshin, bile i tregova edhe datën e caktuar prej tyre për këtë qëllim. Këtë e bëra për ta provokuar. Por ai nuk i tregoi njeriu. Asnjerin prej shokëve nuk e gjeti gjë. Së fundi ja thashë dyshimin tim. Ai buzëqeshi dhe më tha:
– Atë opinion e kam peshqesh nga shokët e mi më të ngushtë.
Besimi hodhi poshtë cigaren e ndezur dhe pyeti:
– Kur është liruar?
– Para tre muajve. Ka filluar punë në sektorin tonë.
– Mbaje pranë. Kam përshtypjen se ka nevojë për njerëz të mirë që ta ndihmojnë të kthehet në jetë.
Atë mbrëmje pothuajse nuk fjeta fare. Mendimet më fluturonin nga një ekstrem në tjetrin. Inxhinier ndërtimi që as e përmendte fare, sot punëtor i thjeshtë. 10 vjet burg. Shokët e akuzonin për tradhëti. Gruaja dhe vajza të vdekura njëra mbas tjetrës. E pra të gjitha këto e kishin një shkak që unë nuk mund ta gjeja dot me mendjen time.
Të nesërmen ngjarjen ia tregova Astritit që u habit më tepër se unë. Megjithatë vendosëm të ruajmë shoqërinë me të dhe t’ia lemë kohës qe ta zgjidhë këtë mister.
Mbas disa muajsh Agronit i vdiq e ëma. Lajmërova Astritin, por ai nguroi të vinte se kishte frikë mos e hiqnin nga puna si teknik ndertimi. Besimi erdhi menjëherë. Të dy shkuam për ta varrosur. Në shtëpi gjetëm Agronin, të vëllanë që banonte në Tiranë dhe disa të afërm të tjerë. Gjithsejt jo me shumë se 10 veta. Trupin e së ndjerës e vendosëm në varrin e të shoqit. Pranë tyre ishin dy varre të tjerë. Mbi pllakat e betonit të vendosura në bordurat e tyre ishin shkruar me bojë të zezë emrat e gruas dhe vajzës së Agronit. Ishin vendosur edhe dy fotografi ku kishin dalë të dyja të qeshura si vetë jeta. Vështrova Agronin. Sytë e tij ishin të mbushura me lot. Po qante pa zë duke parë fotografitë e tyre.
E lashë të shfrente mirë e mirë dhe pastaj i futa krahun dhe e tërhoqa duke i thënë:
– Eja të ikim tani.
U larguam nga ai vend i trishtuar.
* *
Ditët rridhnin njëra mbas tjetrës dhe bashkë me të edhe muajt dhe vitet. Kishin kaluar më shumë se tre vjet nga dita kur u njoha me Agronin. Tashmë kishim formuar një shoqëri të vërtetë. Takoheshim çdo ditë. Natyrisht më shumë shkoja unë në shtëpinë e tij, mbasi banonte vetëm atje dhe ishim të lirë për të biseduar për lloj lloj temash Por më tepër biseda shtrihej mbi letërsinë që e kishte shumë për zemër. Më tregoi se kur kishte mbaruar shkollën e mesme për në universitet kishte kërkuar për letërsi, por nuk ia kishin dhënë.
Në shtëpi kishte një etazher shumë të pasur që e ema e kishte ruajtur të fshehur gjatë kohës kur ai ishte në burg. Aty gjeje libra në gjuhën shqipe dhe në disa gjuhë të tjera, sidomos në anglisht. Aty gjeje që nga ‘’ Prometeu i lidhur ‘’ i Eskilit deri te ‘’ Viti 93 ‘’ i Hugoit, që nga ‘’ Lufta dhe Paqja ‘’ e Tolstoit deri te ‘’ Makbethi ‘’ i Shekspirit, që nga ‘’ David Koperfildi ‘’ i Dikensit deri te ‘’ Tre shokët ‘’ e Remarkut. Aty gjeje edhe letërsi shqipe që nga ‘’ Historia e Skënderbeut ‘’ e Naimit deri te ‘’ Albumi ‘’ i Nolit, që nga ‘’ Vargjet e Lira ‘’ të Migjenit. deri te ‘’ Per mbrojtjen e atdheut ‘’ të Foqion Postolit, që nga ‘’ Qyteti i fundit ‘’ i Petro Markos deri te ‘’ Keshtjella ‘’ e Ismail Kadaresë. Në një kënd të fshehtë të tij gjeje vepra të Niçes, Frojdit, Konicës, Fishtës, Lumo Skëndos. Në atë dhomë gjeje kënaqësinë më të madhe që mund të provoje në ato kohëra.
Ishte një ditë shtatori e vitit 1986. Shkova në shtëpinë e mikut tim pasi kishte tre ditë që nuk kishte ardhur në punë. Kur e pashë m’u duk pak si i ndryshuar.
– Sa mirë bëtë që erdhët ! – më tha – Ju prisja. Kisha nevojë të bisedoja me dikë.
Mori dy shishe birrë dhe i vuri në lavapjatë dhe hapi çesmën që të ftoheshin.
– Përse i nxorre ato? – e pyeta unë – Ti nuk ke pirë asnjëherë.
– Sot ndjej nevojën për të pirë. – u përgjigj dhe nxorri nga dollapi pak djath dhe sallam si dhe vuri dy kokra vezë që të zjenin.
– Pardje isha te mjeku. Kam disa kohë qe ndjej një shtrëngim në stomak. Ai më dha të bëja të gjitha analizat. I bëra dhe sot mora përgjigjen.
– E si të dolen?
– Kancer – u përgjigj i qetë. – Doktori nuk donte të më tregonte, por kur unë këmbëngula duke i thënë se nuk kam njeri, më tregoi të vërtetën. Nesër do të shtrohem në spital në Tiranë në onkologjikun.
Unë mbeta si i shastisur. Lajmi ishte shumë i rëndë. Nuk gjeja fjalë për t’i thënë. Megjithatë e mblodha veten nga hutimi i parë dhe fola:
– Me siguri kanë gabuar. Bëji analizat përsëri dhe do të shohësh që do të dalin mirë
– Jo, jo nuk janë gabim. Erdhi koha të shkoj te të dashurit e mi.
Vendosi në tavolinë shishet e birrës dhe si mbushi gotat e ngriti njërën dhe më tha:
– Gëzuar!
– Gëzuar dhe një shërim sa më i shpejtë!
– Kemi mbi tre vjet që njihemi. – më tha – Më ke treguar gjithçka për veten tënde, ndërsa unë kam heshtur. Çdo kujtim e kam mbajtur të mbyllur brenda vetes time. Sot dua të flas. Deri më sot kam menduar se ishte më mirë që sekreti të vdiste bashkë me mua. Kurse tani që po e ndjej vdekjen të më afrohet mendoj se duhet t’ia them dikujt. Nuk kam njeri të afërm të familjes. Vëllaj i vetëm largohet nga unë si djalli nga thimjami. Ndaj dua të ta tregojë ty. Ti je miku im më i afërt.
Kisha kohë që e prisja tregimin e tij, por momenti i zgjedhur nuk m’u duk i përshtatshëm.
– E lëmë për ndonjë herë tjetër. – i thashë – Ke për të parë që do të shkosh në Tiranë dhe ata do të kthejnë përsëri.
Ai u ngrit, u drejtua nga etazheri dhe nxorri prej andej një libër. Ishte libri ‘’ Idetë filozofike të shekullit të njëzetë dhe katër ese për lirinë ‘’ të filozofit Izajah Berlin, botuar në vitin 1969 në gjuhën angleze.
-Shiko se çfarë shkruan Berlini – dhe filloi të lexojë – Dëshira ime si njeri është që jeta e ime dhe vendimet e mia të varen vetëm nga unë. Dëshëroj të urdhërohem vetëm nga vullneti im dhe i askujt tjetër. Dëshëroj të jem subjekt dhe jo objekt, të udhëhiqem nga arsyeja ime, nga synimet e mia të ndërgjegjëshme. Dëshëroj të jem dikushi dhe jo askushi. Të jem veprues, të marr vendime dhe jo të vendosin të tjerët për mua, të drejtojë vetveten dhe jo të jem nën veprimin e fuqive të jashtme natyrore apo njerëzore, si të isha send apo kafshë, apo në gjendjen e skllavit që nuk është në gjendje të luajë rolin e tij si qënie njerëzore.
Mbylli librin dhe e vendosi mbi tavolinë.
– Kështu isha dhe unë. Doja të isha dikushi dhe jo askushi. Por ky sistem në të cilin po jetojmë nuk të lejon të bëhesh dikush. Ai kërkon që të gjithë qytetarët të jenë askushi. Kjo gjë ndeshi me karakterin tonë. Ishim tre shokë. Kishim mbaruar universitetin së bashku. Mendonim se ishim intelektualë me personalitetin e tyre. Por shpejt mësuam se këto ishin vetëm iluzione. Ne e ndjenim që para nesh qëndronin dy alternativa, ose të ruanim personalitetin tonë ose të ktheheshim në lakej që gëzonin frutet e servilizmit të tyre. Ne zgjodhëm të parën. Donim të ruanim dinjitetin tonë. Donim ne, ëndërronim për këtë. Ishim në qiell, kurse në tokë gjërat ishin ndryshe. Në tokë ishte e ndaluar edhe të ëndërroje.
Agroni pushoi së foluri, ngriti gotën e birrës, e përplasi me mua pa folur dhe pastaj vazhdoi:
-Ishte një natë tetori. Ora po shkonte dymbëdhjetë. Një trokitje e fortë në portë na zgjoi nga gjumi i thellë në të cilin kishim rënë. Nëna u ngrit dhe mbasi pyeti se kush ishte hapi portën. Ishte Ilia, operativi i degës së punëve të brendëshme me një grup policësh. Përmendën emrin tim. Ndërkohë unë isha ngritur dhe dola para tyre.
– Do vish pak me ne – tha ai – Kemi nevojë për disa sqarime.
U vesha dhe dola me ta. Gjatë rrugës nuk folëm fare. Vrisja mendjen përse të më kishin marrë. Kur mbërritëm në degë më hoqën rripin e pantallonave, orën e dorës dhe disa sende të tjera që kisha me vete dhe më mbyllën në një qeli të errët. Nuk e di sa ndenja atje mbasi nga errësira e përjetëshme nuk kuptohej në se ishte ditë apo natë.
Më në fund më thirri Ilia në zyrë. Më kërkoi që të nënshkruaja një deklaratë. E lexova. Ishte një deklaratë bashkëpunimi. Natyrisht që nuk pranova duke i thënë se nuk e ndjeja veten të aftë për atë punë. Atëherë ndërroi taktikë. Filloi të më akuzojë për komplot kundër pushtetit popullor, për agjitacion dhe propagandë. Më përmendi edhe emrat e dy shokëve te mi. Më tregoi edhe disa deklarata të firmosura prej punonjësish të ndërmarrjes, ku sipas tyre unë dhe shokët e mi paskëshim folur kundër partisë dhe qeverisë. I mohova të gjitha në mënyrë kategorike. I thashë se ato janë shpifje të njerëzve pa moral. Atëherë nisën torturat e tmerrshme për të cilat nuk do të flas pasi ti i ke provuar vetë.
Mori përsëri gotën e birrës, piu pak dhe hodhi vështrimin rreth e rrotull si pa vëmendje. E mora me mend se ajo që do të tregonte ishte shumë e dhimbëshme ndaj i thashë:
– E vazhdojmë nesër bisedën?
– Jo, dua ta mbaroj sot. Të thashë që nesër do të shkoj të shtrohem.
Heshti dhe pak, pastaj vazhdoi:
– Kishin kaluar më shumë se dy muaj nga dita e arrestimit. Isha fare i cfilitur, por
nuk kisha pranuar asgjë. Një natë ndërsa flija në qeli, dëgjova zërin e rojes që më ftonte të ngrihesha. Më shpunë në zyrën e Ilias. Bashkë me të ishte edhe hetues Demiri, një egërsirë tjetër si ai.
– Hë a u mendove? Çfarë do të na thuash?
– Asgjë. Gjthçka që kisha për të thënë ju a thashë.
– A e ke menduar mirë?
– Po.
Demiri bëri nje shenjë nga Ilia. Ai doli jashtë dhe pas pak u kthye duke sjellë pas vetes gruan dhe vajzën time. Një drithtërimë më përshkoi trupin. Ç’kërkonin ato në atë ambjent. Çfarë kishin ndër mend të bënin. Ilia mori prangat dhe më lidhi duart nga prapa dhe pastaj me ndihmën e një litari më lidhi pas kaloriferit të zyrës. Pastaj filloi të më qëllonte me egërsi. Gruaja dhe vajza qanin dhe ulurinin.
Si u lodh me mua, ai u drejtua nga gruaja dhe duke i shkuar duart në gjoksin e saj i tha:
– Gjinj të bukur paske moj bukuroshe! Të shohim në se je kaq e mirë edhe në atë punen tjeter.
Ndërsa Demiri iu drejtua vajzës dhe duke i zbërthyer bluzën i tha:
– Po ti moj vogëlushe, a e ke provuar ndonjëherë?
Ato kundërshtonin me forcë, por ata vazhdonin punën e tyre.
– Lëshojini egërsira! – thirra unë i lidhur në qoshkun tim.
Ata vazhdonin punën e tyre.
— Babi, ndihmona Babi! – thërriste vajza e tmerruar.
– Agron, Agron! – foli gruaja e lemerisur.
Në atë kohë nuk durova dot më. Logjika nuk kishte më forcë.
– Lëshojini! Do të them çfarë të doni ju.
U tërhoqën menjëherë. Gruan dhe vajzën i nxorrën përjashta. Me to iku edhe Ilia. Demiri u ul në tavolinën e tij, nxorri disa fleta letre, mori penën dhe tha:
– Fillojmë!
Dhe unë fillova. Isha bërë një send pa vlerë që manovrohesh nga të tjerët. Me pak fjalë isha bërë askushi. Aty kuptova që rrethanat më detyruan të humbas dinjitetin tim. Të nesërmen arrestuan dhe shokët e mi. Pas disa muajsh dolëm para gjyqit. U dënova me dhjetë vjet burg. Njeri nga shokët e mi u ekzekutua., tjetri me dymbëdhjetë vjet Prej andej na shpunë në burg. Atje shoku im nuk pranoi as të më fliste me gojë. Për të unë isha një tradhëtar. Ndoshta kishte të drejtë, por ai nuk i dinte kushtet që më detyruan ta bëja një gjë të tillë. Atëherë u mbylla brenda vetes time dhe nuk shoqërohesha më me njeri.
Ngriti gotën e birrës, e përplasi me mua dhe e piu deri në fund.
– Mos ju bezdisa me historinë time? – më tha.
– Jo, – u përgjigja – vazhdoni, po ju dëgjoj me vëmendje.
– Mirë atëhere, po vazhdoj. Tani jemi afër fundit. Pas disa ditësh na dërguan në kampin e Spaçit. Porsa mbërrita atje i shkruajta familjes se ku ndodhesha . Ditët kalonin dhe askush nuk po vinte të më takonte. As edhe një letër nuk po më vinte. Kështu kaluan rreth gjashtë muaj. Kur një ditë tellalli thirri emrin tim për takim. U nisa me vrap drejt gardhit me tela. Pas tij pashë vetëm nënën time të plakur jashtë mase. E pyeta për vajzën dhe gruan, por ajo nuk u përgjigj. Këmbëngula përsëri dhe më në fund më tha me një zë te dridhur:
– Mbaje veten more bir! Ato tani ndodhen në qiell.
Një ngërç i madh më pushtoi zemrën. Fillova të qaj si fëmi. Nga ana tjetër e gardhit me gjemba, nëna qante gjithashtu.
— Mos qaj bir! – tha ajo duke fshirë lotët – Më ke mua dhe të dy do t’i bëjmë ballë çdo gjëje.
– Takimi mbaroi . – foli roja që na shoqëronte.
U ndamë duke lotuar. Kisha mbetur fare i vetëm, pa shokë dhe pa familje. Si ishte e mundur të vdisnin të dyja? Mendja më shkoi te nata e sigurimit dhe nuk e di sepse e lidha vdekjen e tyre me atë natë.
Dhimbjen ma shtonte më shumë vetmia në të cilën ndodhesha. Të paktë ishin ata që
erdhën dhe më ngushëlluam. Shokëve të mi nuk u mjaftoi as vdekja e më të dashurve të mi për t’u afruar me mua. Vetëm Besimi dhe nja dy tre shokë të tjerë m’u ndodhën pranë. Por kjo ishte fare pak për zemrën time të copëtuar.
Pasi kreva dhjetë vjet burg u lirova. Në shtëpi më priste nëna plak.
– Nuk mund të vdisja pa të pritur ty! – më tha.
Nëna më tregoi momentet e fundit të gruas dhe vajzës.
– Atë mëngjes që u kthyen nga sigurimi, ato ishin si të çoroditura. Irida kishte humbur gojën, ndërsa Lumturia më dukej sikur fliste përçart. I pyeta se çfarë kishte ndodhur, por fjalët që thanë as i kuptova fare. Pas disa ditësh vizituam Iridën te mjeku. Ai na rekomandoi ta shtronim në spitalin psikiatrik. Pas disa ditësh na erdhi lajmi i kobshën që vajza ishte hedhur nga bollkoni. Kaluan disa muaj. Një ditë erdhi te unë Lumturia dhe pasi më dha një letër që e kishte mbyllur në zarf më tha:
– Këtë letër ruaje dhe jepja Agronit kur të dalë nga burgu.
– Po ti ku do ikësh moj bijë? – e pyeta unë
– Nuk m’u përgjigj. Të nesërmen kur hyra në dhomën e saj e gjeta të vdekur në shtrat. Pranë saj gjeta një shishe me helm. Këto di nëna mor bir. Merre letrën që të ka shkruar Lumturia. Ajo të drejtohet ty.
E mora letrën me duart që më dridheshin. E hapa dhe lexova:
‘’ I dashur Agron! Në çastin që po të shkruaj këto rradhë kam pirë lëngun vdekje prurës. Fuqitë po më lënë. Në momentet e fundit dua të tregojë shkaqet e veprimit tim. A e mban mend natën e sigurimit? Ajo nuk mbaroi atje ku e le ti. Akti i fundit u luajt pasi na hoqën nga ajo dhomë. Ne u bëmë pre e akteve shtazarake të atyre dy banditëve. Kur u kthyem në shtëpi Irida ishte çmendur, ndërsa unë isha e çoroditur. Vajzën u detyruam ta shtrojmë në spitalin psikiatrik ku i dha fund jetës së saj të njomë
Pas disa muajsh vura re se në barkun tim po rritej fëmija i një krimineli. Ky fakt dhe turpi që ndjej për të dalë para syve te tu më detyruan të marrë vendimin e vetvrasjes.
Të puth me mall për vete dhe për Irideën!
E jotja:
Lumturia “
Agroni heshti për një çast pastaj vazhdoi:
– Kjo është historia e ime. Besoj se tani e kupton shkakun pse qëndroja i vetmuar. Tani nuk më mbetet gjë tjetër veçse të bëhem gati për të shkuar te të afërmit e mi.
Nuk dija çfarë t’i thoja. Nuk gjeja fjalë për të qetësuar shpirtin e tij të trazuar.
Të nesërmen miku im u shtrua ne spitalin onkologjik në Tiranë. Pas disa muajsh ai ndërroi jetë. Trupin e tij e vendosën në një varr të përbashket me gruan dhe vajzën.
* *
Një ditë takova rastësisht të vëllanë në Tiranë. Më perqafoi dhe më tha: – Ju faleminderit për sa keni bërë për vëllanë tim! Unë nuk e bëra dot një gjë të tillë. Dhjetë vjet burg dhe unë nuk i vajta asnjëhere. Kisha frikë se mos humbisja punën dhe familjen. Edhe kur u lirua, përsëri i qëndrova larg. U tregova i dobët. Tani ndjej se po me vret ndërgjegja për veprimin tim. Ndaj mendova që për të shlyer sado pak fajin tim t’i ndërtoj një varrosh madhështor. Shkoj shpesh herë atje dhe vendos ndonjë tufë me lule. Më duket sikur ndjej një lehtësim nga një veprim i tillë.
Vura re se pendimi i të vëllajt ishte i sinqertë. Megjithatë ai nuk e dinte historinë e vërtetë. Atë e dija vetëm unë, por atij nuk i thashë gjë. E mbajta të fshehtë deri më sot kur
vendosa të shkruaj për të. Nuk dua që ajo te humbasë bashkë me mua.
U interesova edhe për dy kriminelët që u bënë shkaktarët e kësaj tragjedie. Mësova se vazhdonin të jepnin leksione për demokracinë..
Ky ishte paradoksi i kohës në të cilën jetonim.
Vlorë, më 10 maj 2003
Marrë nga libri me tregime: “Një tregim për mikun tim”.