Nga Fatbardh Rustemi/
Ngjitur, si lagje të njëra-tjetrës janë dy Kosova: tek Kosova e Madhe është burgu, ndërsa tek kjo e Vogla jetoi poeti Baki Nezha, i cili para pak ditësh u nda nga ne, ndoshta në çastin, kur më nisi një mesazh bosh, siç bënte me raste, kur donte të fliste me mua, duke më lënë pengun, që e shtyva komunikimin për një ditë më vonë, kur mora vesh lajmin e hidhur. Kishim folur një ditë më parë, si gjithnjë i interesuar mos bëhej ndonjë aktivitet letrar dhe, të mos harroja ta lajmëroja. Në fakt, ishte shtyrë në këtë botë, si i harruar, i lënë pas dore dhe ai e vuante këtë.
Edhe pse dy Kosova, në asnjërën nuk banojnë kosovarë, sikurse mund të ketë në zona të tjera të Myzeqesë. Famën së Madhes ia dha burgu, i cili vazhdon të qëndrojë aty, qysh nga koha e diktaturës. Ndërsa kjo e Vogla, edhe pse kishte një poet, nuk e pati fatin e Menkulasit, që nxori një Dritero dhe të ndihej prej famës së tij. Gjithsesi aty jetoi një poet, ashtu siç dinte ai. (Libri i Fatos Lubonjës në formatin e një ditari “Në vitin e shtatëmbëdhjetë” është shkruar pikërisht në këtë burg, i cili para 1990-ës kishte qenë vend izolimi vetëm për gratë. Një tregues ndoshta që diktatura po zbutej, përderisa nga Spaçi malor i burrave më rrezikshmëri të lartë, të zbrisje në Kosovën kodrinore, ku në qeli kish patur më parë gra, merr vetvetiu ndjesinë e zbritjes dhe të butësisë. Autori, sikur ta ndjente këtë, si shfaqje të degradimit moral, qoftë të regjimit apo të burgosurve, shkruan se ”…ne shqiptarët sot më tepër se kurrë kemi nevojë të moderojmë pasionet dhe instinktet nëpërmjet intelektit kritik, të bëhemi më shumë burra nga gra të këqia siç jemi.” f.317) Pra, midis së Madhes dhe së Voglës, pjesa e madhe i kishte qëlluar burgut dhe ajo e vogla, poetit. Një ndarje ideale për kohën, në mos për të gjitha kohërat. Bakiu, veç Naimit, Eseninit, ndoshta dhe Driteroit s’e besoj të ketë adhuruar ndonjë tjetër, por, të mjaftueshëm, për ta kthyer poezinë në kult, në mos shpëtim, ku në gjithçka tjetër dukej i marrë fund, i dënuar me mizerje, me shpërfillje totale. Gjithsesi, mbeti një shembull: se si një i gjunjëzuar mund t’i japë dinjitet vetes duke mos u tërhequr zvarrë. Biografia e keqe, me burgun rrëzë shtëpisë, paçka se një burg grash, më shumë se i kallte datën: i nxiste fantazinë, duke u përfshirë kështu në një lojë zbavitëse, ku të burgosurat ktheheshin në heroina të lirikave të tij, pasi habitej me to tek i shihte përditë të punonin arave të fshatit, sikurse dhe mësueset e bukur, ardhur nga qyteti. Punëtor krahu në guroren e fshatit, gjë që i shihej si privilegj, pasi për një fshatar: puna në shtet, kishte më shumë të ardhura nga ajo në bujqësi. (Poeti Vasil Bozo, ish-kryeinxhiner i fabrikës së tullave, e largoi nga furrat e gëlqeres, ku bardhësia e saj kishte çmimin poshtërues të blozës, fundja: një me njollë në biografi e kishte me hak, duke e transferuar me punë pranë fshatit të tij, në nxjerrjen e gurit të kuqërremte. Tek e fundit mermeri e përkëdhel sedrën e poetit, qoftë dhe me një lavdi në potencë.) Gjithkush që e ka njohur Bakiun, ashtu në pikë të hallit, habitej se ku e gjente luksin ky njeri, të merrej me poezi. Njësoj si të shihje në dorën e zgjatur të një lypsari një unazë floriri. Tregojnë se në fshatrat e përfshira në luftën italo-greke, nuset dhe vajzat e reja për të mos tërhequr vëmendjen e ushtarëve, nxiheshin në fytyrë me thinjijë e hi. Me sa duket dhe poeti ia kishte varur vetes, pra, më poshtë nga kaq s’keni ku më çoni, si e si të largonte vëmendjen nga vetja. Realisht, ai e çmonte veten, gjë që ia lejonte dhe të jetuarit me poezinë, por, më shumë shtysa e brendshme vinte prej origjinës së fisit: me të kamur dhe kokëshkretë. Ndaj tek ai nuk kishte duk rrënimi, por, një vitalitet i fshehur tek buron shpirti poetik, që më kot rreken ta shfaqin me vargëzime gjithandej ca të rrjedhur. Lehtësisht mund ta përcillje me përbuzje, por, në të gjitha rastet, arrinte ta fitonte simpatinë, siç do t’i rendis më poshtë: edhe tek shumë femra me nur e prestigj, që padyshim ktheheshin në heroina të lirikave të tij. Gjeti tek ato një ngrohtësi dhe dashamirësi, si askush tjetër, në respekt të shpirtit njerëzor: i paprekur prej hileve shtirake të interesit dhe kozmetikës së ditës. Kësisoj ai i pretendonte majat e paarrira, jo me nihilizmin e një dhelpre, me demek të papjekura, por, me krahapjen e një zogu, duke u ngjitur në to me një platonizëm pa vuajtje. Ti e shihje, sikur po dilte nga një minierë gjymyrguri, ai në fakt sapo kishte zbritur nga “qielli i shtatë”, pa e kuptuar kurrë se nga i vinte gëzimi. Përherë e kam menduar, si arriti ta pranonin të gjithë, duke shtuar përkujdesjen ndaj tij, me aq sa mundeshin? Mos vallë ngaqë nuk shkaktonte zili, gjë që gjetkë e bënin me agresivitet, duke sajuar kështu një objekt kulti, si rasti më i mirë për të pastruar ndërgjegjen e llangosur gjetiu? I qanin hallin dhe jo se ia donin të mirën, që tek ai nuk e gjente rrugën.
Në kohën e studentllëkut në Tiranë shpesh më bënte përshtypje një burrë, i cili u ngasej të rinjve, kryesisht vajzave, të cilëve u ofronte një lule, e shoqëruar kjo: dhe me një citat dashurie, natyrisht kundrejt një pagese. Njohja me Bakiun, ma solli në mend këtë kavalier me pagesë, por, kosovëvogli shfaqej me dinjitetin e një poeti shëtitës, që, si mundësi të vetme të ekspozimit të krijimtarisë së tij: kishte recitimin e tyre kundrejt të njohurve, që i shtoheshin dhe ai i ndiqte, atje ku ishin. Për shkak të biografisë ishte i privuar nga shtypi, kështu që publikimin e lirikave ia besoj vetes, por më dinjitoz nga ata që i shesin librat me trasta nëpër shkolla. (Në ditën e varrimit të poetit, një tjetër poet, Elmaz Qerreti, dikur mësues në Kosovë të Vogël, në praninë tonë, një bashkëfshatar i Bakiut, i thotë: ”Po ç’deshe ti, o i shkretë, që ma përmende atëherë emrin në gazetën lokale, duke i hapur telashe vetes?!” Ishte një kohë, kur të gjithë e kishim burgun një hap larg. Jo larg prej këtu, poeti F. Haliti shlyente dënimin për gabime të rënda ideologjike në poezi, duke i rënë qylykes. Edhe poeti tjetër, Sherif Bali, që kishte ardhur t’i jepte lamtumirën e fundit Bakiut, në këmbëz e kishte. Nuk po flasim për Visar Zhitin, mikun tonë të përbashkët dhe bashkëvuajtësin e Lubonjës, i cili pati fatin të zbriste më parë në Lushnje, se sa Fatosi të vinte në ish-burgun e grave.)
Nëse poezitë Bakiu i recitonte, ndë sqetull mbante dhe dorëshkrimin e një romani autobiografik, të cilit i kishte bërë një kopertinë prej kartoni. (Shumë libra që ndaloheshin nga regjimi silleshin në fabrikën e Lushnjes dhe bëheshin karton. Në fakt, Lushnjes i ka mbetur ky nam i keq, që vlerat bën njërën t’i kthejë në karton. Nga kjo fabrikë kartoni nisi sulmi i parë kundër festivalit të 11-të të këngës në radio-televizion.) Me pamje xhanavari, gjë që i mbeti dhe, kur filloi ta mbante veten, krejt i shkujdesur në paraqitjen e vetes, gjithsesi nuk dukej fshatar, paçka se dhe qytetarin nuk ta kujtonte gjëkundi. Ja që atij i shkonte më së miri shprehja, “Jam vetvetja”, ku pretendimet e origjinës së tij të kamur i mbajti në shpirt dhe ndëshkimin e regjimit në trup. Dihet që të parat që reagojnë ndaj vlerave të fshehura janë femrat. Kështu mund të shpjegohet miqësia që Bakiu kishte me to. Kur shkonte në Tiranë, do takonte në radio me patjetër Vasilikën e Filip Çakulit, pa harruar mjeken bukuroshe Berta, së cilës i kushton një nga poezitë me interesante, pak a shumë me një fabul të tillë: në një ditë me fjolla bore, të cilat dukeshin, sikur shpërndaheshin nga bluza e bardhë e mjekes, në xhamin e mbuluar nga avulli ai skiconte me gishtin rrëshqitës portretin e saj. Deri këtu shkon erotizmi i tij, ku gdhendja është e përjashtuar. Platonizmin e tij mund ta quanim një saunë poetike në kohën e rrebesheve. Kësisoj në Elbasan takonte Zelie Feçin, e cila e mirëpriste dhe në shenjë mirënjohje për entuziazmin, që ai kishte treguar për poezitë e saj të para. Së fundi nuk mund të lë pa përmendur poeten Edlira Gorreja, e cila i shkoi në spital kur ai ishte sëmurë, si dhe në varrim me një buqetë me lule në emër të krijuesve lushnjarë, me pengun që Bakiu, aq shumë i interesuar, nuk do merrte pjesë në promovimin e librit të saj me poezi “I vini çfarë emër të doni”. Pa harruar këtu dhe mësuesen e nderuar, adhuruesen e letërsisë, Shire Kasapin, e cila në takimet letrare asnjëherë s’harronte pa i përmendur lirikat e Bakiut. Ato të gjitha, përfshini dhe të papërmendurat, fal delikatesës femërore, krijuan klimën e mohuar të realitetit armiqësor të kohës. Shihni një nga protestat e rralla të tij, edhe pse nuk e njihte ankimin, njëherësh dalloni pretendimin e fshehur në këto vargje: “Më vlerëso, o vendi im,/Mua bota po më vlerëson/A s’e dëgjon ushtimën me bubullimë?/Jam unë që thërres/Unë që të dua shumë/Kurse ti ende s’më dëgjon?!”(Poezia me titull “Vërejtje vendit tim” nga libri i vetëm i Bakiut “Ia hapa portën ëndrrës” Të gjithë ata që e duan këtë vend, nuk mund të kenë fat tjetër nga ai i poetit nga Kosova e Vogël, që jetoi me burgun tek dera e shtëpisë.)
Siç e thamë, ai jetonte në një fshat, ku ishte dhe burgu i grave, shumë prej të cilave ai i shihte të punonin arave të fshatit të tij. Si një qenie e ndaluar, ai prirej drejt të burgosurave, fshehurazi i bënte objekt të poezisë, sikundër është dhe njëra nga qyteti fqinjë, një shitëse e dënuar ngaqë kishte dalë sufiçit, poezi që gardiania shoqëruese ia kishte dhënë ta lexonte dhe ajo, me të dalë nga burgu, i shfaqi gjithë mirënjohjen e saj, sikundër i ka hije një poeti. Reagimet poetike të tij ndaj pranisë femrore janë të njohura, dhe për shkak të publikimit, që ai u bënte poezive duke i recituar dhe ato bëheshin shpesh të njohura për të gjithë. Kush nuk fliste për mësuesen e ardhur nga Tirana, së cilës ai i kushtoi këtë poezi, që mbetet një nga lirikat më të bukura. Ishte në modë që vajzat të vendosnin në jaka medalione në formë lulesh apo kafshësh: ”Dhelpër është ajo?/”Jo, jo, qen!”-u përgjigje ti./Kam parë vajza që vënë degë mimoze,/Po ti, pse s’vure një degë qershi?!”/Dhe rrinte qeni lidhur aty,/Dhe rrinte qeni i lidhur në gushë,/Që të mos e prekte njeri thesarin,/Që të mos e puthte atë dikush.” Nëse Driteroi ankohet në një poezi të tijën ndaj redaktorit, i cili ia hiqte lulet nga poezia, siç hiqeshin të puthurat në filmat e huaja nga censura, kur çuam lule në varrin e Bakiut e bëmë këtë, jo për t’i stolisur varrin, por se ai nuk rron dot pa to, edhe pse në parajsë mund t’i ketë me bollëk. Edhe pse jetoi në një vend, ku flitej veçse për një atdhe të lulëzuar, ku dhe fotografët bënin foto vetëm nëpër lulishte, ai ishte larg tyre, i privuar nga pranvera, kështu që s’i mbeti rrugë tjetër veçse të çelte gonxhet e shpirtit të tij. Ndërsa arkivoli me trupin e poetit zbriste në banesën e fundit, gjetiu në terrin e përjetshëm, mendja më shkoi tek burgu i fshatit, ku të dielën e 17 marsit 1990 ora 18.45 i burgosuri politik Fatos Lubonja del prej andej: ”Ka filluar të ngryset. S’besoj ta nxjerr më bllokun të shkruaj për këtë ditë të mbrapshtë lirimi që sikur më parandjell se shqiptarët s’do të gjejnë kurrë paqe mes tyre. Por edhe bota e madhe po kështu s’ka gjetur ndonjëherë paqe… Fund” (“Në vitin e shtatëmbëdhjetë”f.334) Shpresojmë që Bakiu të prehet në paqe. Një këngëtar shumë i njohur, si Tonin Tërshana, ndryshe nga poeti i Kosovës së Vogël, ku djemtë e tij ngritën një vilë, këngëtari pa e gëzuar banesën sociale shkoi të nesërmen tek banesa e fundit, ku Bakiu sapo mbërriti. Nuk di, a i ka mbetur peng, që nuk provoi njëherë këtë “shtëpinë pa qera”, ku vite më parë u izolua Lubonja dhe, mbylleshin gratë, që ai u shkruante fshehurazi poezi? Gjithsesi dhe ai, që pretendonte të prehej në një piramidë, përbri kryeministrisë, nuk e gëzoi dot…(Tirana Observer)