• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Disa të vërteta për lepurushin Idajet Beqiri i njohur si Alban Vjosa

March 1, 2016 by dgreca

Opinion nga Arben LLALLA*/

Idajet Beqiri i njohur në trojet shqiptare përtej kufirit të shtetit amë si mashtruesi Alban Vjosa po na bënë moral patriotik duke sulmuar me të gjithë arsenalin e tij prej gënjeshtari deputetët e PDIU, Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizin, rreth projekti të ligjit që këta dy deputet propozuan për heqjen e dekoratave të dhënë në kohën e komunizmit jo për meritë heroike por për servilizmin ndaj diktaturës. Sulmi mediatik i Idajet Beqirit nuk është i rastësishëm, por i porositur në këtë periudhë delikat ku të gjitha mediat në Greqi me në krye klerikët e lartë grek, po sulmojnë zgjidhjen paqësore të çështjes çame, PDIU dhe në veçanti Shpëtim Idrizin.

Avokat Idajet Beqiri sulmon pa doganë, pa frerë dy deputetët çam të PDIU, jo se i dhimbset çështja e dekoratave të dhëna gjatë diktaturës komuniste, por atij ashtu ja do puna, e ka detyrë shtëpie që të kujdeset për projektet greke antishqiptare.

Idajet Beqiri për ata që nuk e njohin mirë është një mashtrues ordiner i cili në emër të çështjes të bashkimit kombëtar ka përfituar mijëra marka, dollarë dhe euro. Sipas disa miqve tanë të përbashkët avokat Beqiri në fillim të viteve 1990 kishte miqësi me kolonel Gadafin e Libisë.

Idajet Beqiri bënte lobim në ato vite të lulëzimit të mashtrimeve në Shqipëri për të dërguar punëtor në Libi nga Shqipëria kundrejt një pagese të majme që duhet të paguanin në fillim ata që dëshironin të punonin në Libi.

Bëmat e mashtrimit të Idajet Avokatit i njohur si komandant Alban Vjosa nuk mbarojnë me dërgimin e shqiptarëve tek prehri i kolonel Gadafit, por pasi mbaroj lufta e 2001 në Maqedoni, ai filloj propagandën për një luftë të madhe se do bashkonte të gjitha trojet shqiptare.

Në vitin 2002, Idajet Beqiri i njohur si Alban Vjosa filloj propagandën për të mbledhur të holla nëpër botë se gjoja qenka komandanti i përgjithshëm i ushtrisë Armata Kombëtare-Shqiptare-AKSH. Në vitet 2001-2004 propagandonte në faqen e internetit të tij se gjoja janë gati rreth 50 mijë ushtarë të AKSH. Atë periudhë kishte djem e vajza naive që e mbështetën ekonomikisht Idajet Beqirin edhe një bashkëpunëtorin e tij.

Më kujtohet një djalë nga Drenica T.V që jetonte në Kanada i cili vrapoj deri në Gjermani për të takuar Idajet Beqirin dhe i dha një shumë të konsiderueshme dollarësh për Bashkimin Kombëtar që propagandonte Idajet Avokati. T.V me emocione kombëtare financoi dhe mbanti disa faqe interneti që kontrolloheshin nga Idajet Beqiri ato vite.

Në vitin 2003, Idajet Beqiri i njohur si Alban Vjosa jepte interviste nëpër mediet botërore për luftën e madhe të shqiptarëve për bashkimin kombëtare. Në vitet kur jetoja në Selanik vjen tek unë në emër të Idajet Beqirit një gazetare e njohur e revistës gjermane Renate Flottau e cila punonte për DER SPIEGEL, për tu njohur rreth çështjes së shqiptarëve të Greqisë. Ishte Korrik 2003, dhe unë kisha disa vite që merresha me studimet dhe kërkimet rreth shqiptarëve të Greqisë të njohur si arvanitas e allvanos.

Gazetarja e DER SPIEGEL, Renate Flottau e kishte adresuar tek unë Idajet Beqiri sepse kisha disa vite që botoja në mediat e huaja dhe shqipe shkrime rreth arvanitasve, por kisha qenë dhe kryetar i “Forumit të Emigrantëve Shqiptar në Greqinë e Veriut,, dhe sekretar i përgjithshëm i shoqatës “Shqiptarët e Selanikut,,. Pra, isha person që e njihja mirë çështjen e shqiptarëve në Greqi dhe politikat greko-shqiptare.

Takimi me gazetaren Flottau u bë në hotel Makedonia në Selanik, unë nuk e njihja gjuhën gjermane dhe anglishte, kështu mora si përkthyese një gazetare tjetër shqiptare e cila punonte për mediat e Tiranës në Selanik. Pas një bisede të gjatë prej 4 orësh me Renate Flottau rreth arvanitasve, allvanosëve dhe Çamërisë e shoqërova të nesërmen gazetaren në fjalë për në fshatrat e Follorinës dhe Kosturit ku ende ka banorë që flasin gjuhën shqipe dhe deklarohen se janë shqiptar. Pas takimit me gazetaren e adresuar tek unë nga Idajet Beqiri sigurimi grek mori në pyetje rreth AKSH mua, U.GJ, dhe një shokun e fëmijërisë nga Patosi të Idajet Beqirit, B.M.

Lepurushi Idajet Beqiri na kishte paraqitur tek revista DER SPIEGEL si komandantë të AKSH dhe ne kishim një ushtri me rreth 90 mijë veta. Këto nuk janë përralla sepse në numrin e 46 të 10 nëntorit 2003 revista DER SPIEGEL botonte një artikull të autores Renate Flottau sikur ne kishim dhënë intervista si përfaqësues të AKSH. Por në të vërtetë ne kishim folur për emigrantët shqiptar në Greqi, për arvanitasit dhe Çamërisë. Pas botimit të shkrimit tek revista DER SPIEGEL për ushtrinë fantazme të AKS-s të Idajet Bebirit, prej atëherë unë, U.GJ. dhe B.M., ndiqemi nga sigurimi serb dhe grek. Atë periudhë lajmëruam përfaqësuesit e diplomacisë shqiptare në Greqi se si është e vërteta, por Idajeti Beqiri i njohur si komandant Alban Vjosa na e kishte ngulur pa dhimbje thellë e më thellë. Shteti shqiptar më tej mësoj se kjo gazetarja e DER

SPIEGEL ishte serbe me shtetësi gjermane dhe mike e ngushtë e Millosheviçit. Gjatë ditëve që Ibrahim Rugova ka qenë peng i Millosheviçit në Beograd ka qenë pranë tij edhe gazetarja Flottau. Prandaj i themi Idajet Beqirit që ti lerë anash ndjenjat e tij patriotike me bateri sepse e njohim mirë kush është, të ndal përbaltjen e figurave të njohura të cilët punojnë për çështjen çame, paqen dhe të drejtat e njeriut. I rikujtojmë opinionit se Idajet Beqiri ka bërë edhe disa muaj burg për bëmat e tij “kombëtare”.

Në përfundim lepurushin Beqiri e këshilloj që këtë shkrim me dorën e tij le ta çojë në gjykatë për të përfituar ndonjë dëmshpërblim, por nga unë do marri vetëm opingën sepse pasuri materiale nuk kam, ndërsa pasurinë kombëtare ia kam lënë trashëgim djalit, atë s’mund të ma marri Idajet Beqiri dhe as ata që të qëndroj pas tij dhe i japin ndonjë honorar për të përbaltur figurat tona kombëtare.

Vërej: Për të vërtetuar ato që kam shkruar lexoni revistën DER SPIEGEL, shkrim mashtrues të Renate Flottau i porositur nga Idajet Beqiri dhe keqdashësit e shqiptarëve, botuar në 10.11.2003, numri 46 i kësaj reviste.

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Disa të vërteta për lepurushin Idajet Beqiri, i njohur, si Alban Vjosa

Kosovë-Shqipëri, bashkëpunim i shkëlqyer në infrastrukturën e energjisë

March 1, 2016 by dgreca

Ne Foto: Ambasadori i SHBA në Kosovë, Greg Delawie duek diskutuar në Forum/

-Plotësimi i gjenerimit të energjisë elektrike të Shqipërisë – i bazuar kryesisht në hidro dhe i gjenerimit të Kosovës – i bazuar kryesisht në thëngjill, alternativa më e lirë dhe e sigurt/

-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa: Mbesim edhe më tutje të përkushtuar që ne të bëjmë këmbime të energjisë elektrike me Shqipërinë/

-Ambasadori i SHBA në Kosovë, Greg Delawie: Një nga objektivat kryesore të asistencës amerikane përmes USAID është rritja ekonomike dhe asnjë sektor nuk është më jetësor për këtë rritje se sektori i energjisë/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 1 Mars 2016/ Me Shqipërinë ne kemi zhvilluar një bashkëpunim të shkëlqyer sa i përket edhe infrastrukturës së energjisë elektrike, tha sot kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. “Mbesim edhe më tutje të përkushtuar që ne të bëjmë këmbime të energjisë elektrike me Shqipërinë nga burime të ndryshme të energjisë, dhe konsiderojmë se ky do të ishte një rezultat edhe një punë shumë e efektshme për neve në të ardhshmen, mirëpo kjo mbetet  çështje e vullnetit të të dy palëve. Sa i përket rezultateve të deritanishme, unë besoj se të gjitha këto ne do t’i realizojmë në një periudhë optimale kohore”, u shpreh Mustafa.Kryeministri Kosovar foli në Forumin e Nivelit të Lartë me temë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, i zhvilluar në Prishtinë, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e drejtuar nga Blerand Stavileci, dhe mbështetur nga USAID-i.Në hapje të këtij forumi morën pjesë përfaqësuesit institucionalë të Republikës së Kosovës, Shqipërisë dhe të komunitetit ndërkombëtar, si dhe të industrisë, organizatave joqeveritare, akademisë, biznesit dhe mediave.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie theksoi rëndësinë e sektorit të energjisë për rritjen ekonomike. “Një nga objektivat kryesore të asistencës amerikane përmes USAID është rritja ekonomike dhe asnjë sektor nuk është më jetësor për këtë rritje se sektori i energjisë”, theksoi ai.Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovë, tha se ky institucion do të vazhdojë të mbetet partner i rëndësishëm i  Kosovës në zhvillimin e sektorit të energjisë.Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë u pajtuan se prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë mbështetet në thëngjill dhe bazuar në politikat e saj monetare dhe fiskale nuk ka mundësi që në periudhë afatmesme të rritet esencialisht gjenerimi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme.Sipas organizatorëve, viti 2016 do të sjell një numër sfidash dhe mundësishë, jo vetëm për sektorin e energjisë, por për sektorin e biznesit në përgjithësi dhe mundësi për rritje të ekonomisë në përgjithësi. “Mirëpo, për të arritur sigurinë e energjisë, Kosova do të ketë nevojë për mbështetje aktive nga partnerët e vetë ndërkombëtarë”, u vlerësua në Forum.Pjesëmarrësit u pajtuan se një komponentë shumë e rëndësishme për stabilitetin e furnizimit dhe operimit të sistemit është tregu i përbashkët i energjisë elektrike me Shqipërinë.

“Plotësimi i gjenerimit të energjisë elektrike të Shqipërisë – i bazuar kryesisht në hidro dhe i gjenerimit të Kosovës – i bazuar kryesisht në thëngjill, është konsideruar si alternativa më e lirë dhe e sigurt për furnizim të përbashkët të dyja vendeve, duke eliminuar kështu mungesën sezonale”, u theksua në përfundime të Forumit të Nivelit të Lartë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, në Prishtinë.Në dhjetor 2015, në Kosovë u bë  inaugurimi i Projekti “Rregullimi Sekondar Frekuencë-Fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë. Inaugurimi u bë pasi në “autrstradën” energjetike të Kosovës drejt Shqipërisë u bë edhe energjizimi testues. Në pjesën e Shqipërisë punimet përfundojnë këtë vit dhe bëhet inaugurimi i plotë.Që para fillimit të punimeve, në fazat e përgatitjeve, burimet në Prishtinë kanë njoftuar se projekti për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri konsiston në ndërtimin e një  linje te tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së ciles 85.5  km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Bashkepunim, Behlul Jashari, Kosovë-Shqipëri, në infrastrukturën e energjisë

Inagurohet qendra per studimin e gjallesave detare ne Lagunen e Patokut

March 1, 2016 by dgreca

Nga Ahmet ZANI/

Qendra për Studimin dhe Ndihmën e Parë për Breshkat Detare në Patok vjen si një financim i projektit NETCET: “Rrjeti për Ruajtjen e Cetaceve dhe Breshkave Detare në Adriatik”. Projekt ky i cili e ka nisur aktivitetin e tij në vitin 2012 dhe përfundon në fund të Shkurtit të vitit 2016. Qëllimi kryesor i këtij projekti ishte zhvillimi i strategjive të përbashkëta për ruajtjen e cetaceve dhe breshkave detare në detin Adriatik. Ky projekt është një bashkëfinancim i Instrumentit të Bashkimit Evropian për Asistencën e Para-Antarësimit dhe 13 partnerëve nga rajoni. Aktivitetet lidhur me breshkat detare në Shqipëri janë mbuluar nga Shoqata Herpetofauna Shqiptare.

Rezultatet e arritura nga ky projekt janë të shumta si:

-Shkëmbimi, standartizimi i njohurive shkencore dhe bashkëpunimi efektiv ndërmjet institucioneve të përfshira në ruajtjen e cetaceve dhe breshkave detare në Adriatik.

-Rritja e kapaciteteve institucionale për ruajtjen e këtyre gjallesave në shtete partnere.

-Shtimi i njohurive mbi popullatat dhe rreziqet që u kanosen cetaceve dhe breshkave detare.

– Rritjen e kapaciteteve teknike për rikuperimin e breshkave detare në Adriatik dhe trajtimi efektiv i breshkave të dëmtuara në qendrat e rikuperimit ekzistente/ të ndërtuara rishtazi.

-Rritjen e mundësisë së shpërndarjes së informacionit përmes qendrave për rikuperim të breshkave detare.

– Rritjen e ndërgjegjësimit të popullsisë bregdetare për praninë dhe nevojën e ruajtjes së këtyre gjallesave.

-Rritjen e njohurive dhe adaptimin nga peshkatarët të formave korrekte të mbajtjes dhe lëshimit të breshkave detare.

-Përmirësimi i praktikave të ruajtjes dhe menaxhimit të popullatave të cetaceve dhe breshkave detare dhe habitatave të tyre në Adriatik përmes bashkëpunimit rajonal.-Krijimi i një krenarie dhe ndjenje pronësie për pasurinë natyrore të Adriatikut.

Përvec veprimtarive të shumta shkencore, edukative dhe ndërgjegjësuese që ka zhvilluar ky projekt, ndërtimi i qendrës për studimin dhe ndihmën e parë për breshkat detare në mjediset e lagunës së Patokut ka shënjuar kulmin e zhvillimeve të tij në vendin tonë për shkak se kjo qendër:

Është e para e këtij lloji në vendin tonë.

-Do të mund të ofrojë një ndihmë të specializuar për breshat e dëmtuara.

-Do të shërbejë si një pikë lidhëse për rrjetin e monitorimit të kapjes aksidentale apo gjetjen e breshkave të ngordhura.

-Do të mund të shpërndajë informacion dhe organizojë aktivitete me grupmosha të ndryshme

-Do të ofrojë mundësinë e zhvillimit të aktiviteteve kërkimore në një mjedis të rëndësishëm për nga biodiversiteti dhe pozicioni siç është laguna e Patokut dhe gjiri i Drinit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Ahmet Zani, e Patokut, Inagurohet qendra per studimin e gjallesave detare, ne Lagunen

“Lëndina” që i fali Atdheut Naun Kule…

March 1, 2016 by dgreca

  Jehonë e një promivim libri/

Nga  Përparim   Hysi /

Ditën e shtunë, më 27 shkurt, në një nga sallat e Muzeut Kombëtar, u bë promovoim i librit “Shënjtëri të vjedhura” të shkrimtarit Naun Kule. Isha një nga pjesëmarësit dhe, në substancë, në këtë shkrim ka diçka dhe nga fjala ime. Para se  të nis ligjëratën time, nuk është pa rëndësi që t’ju bëj të njohur dhe “Panelin drejtues” të promovimit. Në vizionin tim, është mendimi se si është auditori, ashtu është dhe  autori. Dhe që autori, Naun Kule, ka bërë vend në FONDIN E LETRAVE SHQIP, veç auditorit plot, veç tjerash e bënë këtë promovim me peshë të veçantë dhe disa njerëz me një intregitet të sërës së lartë, jo vetëm në letërsi, por dhe në fusha të tjera ku kanë dhënë një kontribut me vlerë,siç ishin zotërinjtë, Profesor-doktor,Pandeli Çina,Profesor-doktor Sabit Broka, “Isa Boletini” i Letërsisë Shqiptare,Pandeli Koçi(aliaz Sazan Goliku), Arben Kondi që përfaqësonte shqoqatën “Çamëria”, avokat Idajet Beqiri i  shoqatës “Mallakastra” dhe të më falë ndonjë që fare rastësisht nuk e kam përmendur. Por tek përmend këta, nuk mund të rri pa lakuar një “myzeqar” pak të veçantë: Zotërinë e nderuar, Ismet Bala. Ky, Ismet Bala, sado verior, mend e ka humbur “kostumin e veriorit” dhe ka vënë mbi kokë atë takien e bardhë të myzeqarit. Ismet Bala, ky myzeqari nga Veriu, është gati “nuni” i librit “Shënjtëri të vjedhura”. Ky e ka lexuar që në dorëshkrim dhe  sikur i ka prerë kërthizën librit. Vërtet që promovimi bëhej nga “Shoqata Myzeqeja”, por pjesëmarrja qe paksa mikste dhe kjo lloj pjesëmarrjeje, natyrisht, i dha promovimit më tepër vlera.

                                 *    *    *

Nëse shihni titullin  e esesë sime, është pak sinjifikativ. Ku libri që promovohet dhe ku lëndina? Tek e lexoj librin e Naun Kules “SHënjtëri të vjedhura”, më kujtohet nobelisti kilian, Pablo Neruda,qëkur Kili qe në rrezik, lëshoi kushtirmin:” Secili duhet të falë diçka për atdheun,… deri fshatari lëndinën e tij”. Natyrshëm, lind pyetja:” Ku t’i gjej lëndinat, Naun Kule, nga Libofsha e Fierit? Metafora ime është shumë domethënëse: “Lendina” që po i fal Atdheut shkrimtari, Naun Kule, është libri “Shënjtëri të vjedhura”. Dhe për t’u bërë më transpaent me ata që më dëgjuan në auditor dhe ca më shumë me ata që mund të lexojnë këtë ese timen, ja në vija të “trasha”, se çfarë “lëndine me vlerë” i ka falur Atdheut në një moment kaq krucial,Naun Kule. Çajupi në një poezi të tij, shkruan mes tjerash:” Margaritari nuk  gjendet buzë detit a në shpellë/ kërkoje detit thellë!/. Dhe Naun Kule u bë “palombar” u zhyt  detit thellë dhe zbuloi një reliktë me vlerë. E bëri si Diogjeni, mbyllur në atë fuçinë mitike dhe,mihu dhe rëmihu faqe e faqe të tëra me dokumente dhe zbuloi se”Shën Kozmai”  që ka qenë veshur me zhgunin e një shenjti, nuk ka qenë shenjt, por një misionar grek që veç predikonte dhe shenjtëronte gjuhën greke(gjasme- gjuhë e Zotit), kurse shqipja e mallkuar. Ky zbulim  nga Naun Kule nuk erdhi si  një ateist dhe aq. Jo. Naun Kule as që gjykon njeri  nga bindjet fetare. Naun Kule nuk është priftëresha që zë e mollois  për ato që ndodhin në pazar,pa qenë fare në pazar. Përkundrazi, është prifti që vjen nga pazari dhe tregon të vërtetën. Dhe këtë të vërtetë e dëshmon me aq  e aq referenca që këtu nuk është vendi që t’i citoj. Duke thënë një të vërtetë, që, tanimë, bëhet fare e prekshme, në një farë mënyre është ai Kolombi që theu vezën mitike. Nëse Kozma Etolit i prenë kokën  në Mujalli të Fierit dhe trupin  ia hodhën në lumë, kjo ndodhi jo se ai qe shenjt, por se e kish tepruar “zullumin”. Vërtet që trupi i tij u gjet nga dikush dhe u”shënjtërua” duke ngritur dhe një kishë me emrin e tij, në Kolkondas të Fierit, por, pikërisht, këtu, në këtë “shënjtërim” të qëllimtë, konsiston dhe shkrimi me aq vlera  i Naun Kules. Lexon librin dhe bindesh: ka tri shekuj  mistifikim. Kozma Etoli kish ardhur në Shqipëri si misionar  i Kishës Greke dhe çdo “rrobë shënjti” mbi të, është veç tentativë me prapavijë të lexueshme. Meqë jemi në sinore besimi, është vendi të them, që në kohortën e shënjëtve, ka një Shën Thoma që thotë: “Që të të besoj, dua që plagën ta zë me dorë”. Naun  Kule këtë ka bërë: ka dhënë para të gjithëve “plagën”. Zëreni atë me dorë dhe kini për ta besuar.Por si mund të realizohet kjo? Majfton që të lexoni librin. Edhe diçka tjetër: Naun  Kules iu propozua që të sponsorizohej nga Kisha Greke, për “Shën Kozmanë”. Nëse e bën këtë,- i thanë,- ne do të mbajmë mbi kokë!”. Ofertë e majme, sigurisht. Por ky libofsharak që edhe të atin, të ndjerin Kristo, e kishte psallt në kishë, nuk pranoi ta “mbanin mbi kokë”, por mbështetur me dy këmbët në tokë, ia hoqi zhgunin mitik një shenjti të rremë, duke bërë, me të vërtetë, një vepër heroike dhe atdhetare njëherësh.
        *    *   *

Por libri i Naun Kules nuk mbaron këtu. Ai i çjerrë mushkëritë duke bërtitur për një padrejtësi të madhe në dëm të gjithë të integritetit  të Kishës AUTOQEFALE SHQIPTARE. Duke iu drejtuar Fort lumturisë së tij,Janullatos, dhe duke i thënë troç se Zoti flet dhe shqip, i thotë me pak fjalë:- Zotëri i nderuar, duhet ta lirosh atë vend për një peshkop shqiptar se Kisha Autoqefale është vetëm shqiptare. Naun Kule nuk është se vuan nga ndonjë obsesion i veçantë ndaj Fort Lumturisë së tij, Janulalatos. Jo. Përkundrazi. Ai nuk mohon kontributin e tij në restaurimin e kishave ortodokse në Shqipëri dhe, veç kësaj, edhe punën për përgatijen e personelti që shërben  në këto kisha, por kjo  nuk do të thotë që për 25-vjet, një i huaj, të jetë në drejtimin e kishës. Por, për të mos u bërë i mërzitshëm në ligjëratën time të gjatë, nuk rri dot pa theksuar dhe një fakt:  duke shkruar këtë libër Nauni është bërë dhe objekt i kundërsulmeve nga “puthadorë” që e atakojnë vetëm e vetëm se thotë të drejtën. Kur e shkroi librin, ai i dinte pasojat. Se nuk është aq e lehtë të thosh të vërtetën.
        *    *   *

Të gjithë ata që morën fjalën në atë promovim qenë në unison me atë  ç’ka fola dhe, për mos u hyrë në hak ndonjërit që nuk i përmenda emrin, ja tek them: diksutimet e PETRO SKËNDER LUARASIT, Bajram Karbollit  apo Dilaver Goxhajt qenë nga më entuziastet.

Dhe në fund: ku është Ministria e Kulturës që nuk di ku janë vlerat. Në vend të promovojë një libër me kaq vlera, vete dhe reklamon antivlera të tipit ” Vrima” që jo  vetëm ua shpuri shqiptarëve buzën vesh më vesh, si një parodi qesharake, për t’u bërë  prehë e aluzioneve po aq qesharke: jo  për kopertinë apo për dizenjo. Si në atë këngën e dikurshme “… jo për shkaqe  e sebepe/ turpin e mbajçi për vete”. Ç’them dhe unë? Turpin?  Po turpin e kanë ngrënë me bukë, me kohë. Jo vetëm ministria për librin, por dhe qeveritë që, në këto 25 vjet, akoma nuk duan të dinë që Kishës Autoqefale i kanë hequr skalpin. Dhe prapë me ravijëzohet Çajupi:” … Përmbi të gjithë një efendinë/ qeveris vendin nën Anglinë/. Kështu shkruan tek vjersha”Misiri”. Dhe analogjia është e lexueshme. Naun Kule është myzeqar. Në Myzeqe ka lindur dhe këndohet kënga ” Po s’të deshi vjerra/ të do  lala vet/.” Këto vargje qëndrojnë duke i thënë se janë më të shumtë ata që të duan, se sa ata që të luftojnë. Sigurisht, unë jam një nga ata.

Filed Under: ESSE Tagged With: "Lëndina", Naun Kule, perparim Hysi, që i fali Atdheut

Keni të drejtë të xhindoseni me Arditin

March 1, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Ndofta në këtë rrokopi vitesh. Në këtë katrahurë, përplasjesh. Rrahjesh, grabitjesh, pengjesh, vrasjesh. Zona influencash. Me prijësa patriarkalë. Me arkitektë që e kthyen vendin në gazermë makinash të vjetra. Treg të rrobave të përdoruara. Treg trotuaresh. Arenë të smokut…Treg të seksit, drogës, organeve njerëzore. Treg të hormoneve me shumicë. Treg të informalitetit. Atdheun e zbrazur…, me përqindjen më të lartë, familjesh. Të lidhura me eksodet e maleve, ujrave, mauneve, kontrabandistëve. Në këtë vend ku njerëzit jetojnë për inat të njëri-tjetrit. Ku të gjithë flasin në emër të demokracisë dhe pikërisht demokraci nuk duan.
Në këtë vend ku të gjithë flasin për patriotizëm dhe patriotë nuk janë. Në këtë vend ku të gjithë magjepsen pas përgjegjësisë civile në Perëndim. Dhe e ëndërrojnë Perëndimin, ndërkohë ku për një grusht para qyl, i hapen dysh orientalizmit. Në këtë vend ku, siç tha edhe ai poeti…, lakrës i heqin të përbrendshmet dhe i vendosin mend. Në këtë vend kampion të urrejtjes për shoku-shokun. Në këtë vend ku të gjithë flasin në emër të popullit. Dhe të gjithë vdesin që t’ia fusin popullit. Në këtë vend ku të gjithë qajnë për të gjithë. Edhe pse e kanë vrarë vet njëri-tjetrin.
Keni të drejtë të shkumoseni me Arditin.
Ndofta ishte, është, nga ata të pakët showmen që qëndronte dhe përpiqet të qëndrojë midis. Më i lakmuari dhe më i xhelozuari. Ndërkohë më i adhuruari, modeli, apo eksperti që çuditërisht pak duan t’i ngjajnë. Pasi e kërkojnë suksesin përmes kanaleve politike.
Ose ndofta është dhe çështje talenti.
Kutadish?
Ndaj keni të drejtë të irritoheni me ‘të.
Megjithëse sportivisht, me kostum sportiv, prag pranvere. Me atë lirizmin e tij. I ndërfutur në jetën e atyre që marrin jetë. Sigurisht që është një firo. Firo e madhe…., por tashmë në këtë vendin tonë. Firot e mëdha janë bërë normale. Normale tek e përditshmja. Ne nuk habitemi më, nuk na dhëmb më, nuk na i ndjen fare për vrasjen e përditshme. Megjithatë na tmerron firoja artistike e një njeriu simbol i skenës sonë.
Keni të drejtë sepse, është një nga ato momente, në kuptim më të gjërë të fjalës. Kur tek një shoqëri, plas si sythët e rinj, si pranvera që kemi në derë. Edhe ndjesia e indinjatës shoqërore. Për çfarë dhe çfarë nuk është e drejtë ose e padrejtë në një shoqëri. Sa mirë sikur ndjesi të tilla, të ishin më të përditshme. Për një pranverë. Dhe për një jetë me ‘të. Më të përgjegjshme sigurisht.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Keni të drejtë, me Arditin, të xhindoseni

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3041
  • 3042
  • 3043
  • 3044
  • 3045
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT