• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Unë pres përgjigje!

March 1, 2016 by dgreca

Nga Reshat Kripa/

Mos u çudisni me tirullin e këti shkrimi. Unë jam në pritje të një përgjigjeje të të gjithë atyre që u jam drejtuar dhe deri tani nuk kanë denjuar apo nuk kan patur guximin të përgjigjen. Kam vite që pres përgjigjen e tyre por, deri më sot, nuk më ka ardhur një e tillë. Atyre që unë u jam drejtuar janë personalitete të shquara të teatrit dhe kulturës dhe, megjithatë, asnjë përgjigje. Por le të hyjmë direkt në temë dhe le të shkruajmë ato që kanë ndodhur. Më falni nëse do të zgjatem pak por jam i detyruar. I përkas atij brezi që kishte dëshirë për të mësuar dhe nuk e linin të mësonte, që kishte dëshirë për të shkruar dhe nuk e linin për të shkruar. Që kishte dëshirë për të jetuar dhe nuk e linin as për të jetuar. Po, nuk e linin as për të jetuar, pasi qysh fëmijë, në moshën 15 vjeçare, më mbyllën në qelitë e errëta të burgjeve pasi shkruaja nëpër muret qytetit “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!”

            Kisha një dëshirë të madhe të shkruaja. Vazhdoja shkollën e mbrëmjes. Kisha bërë një hartim për fillimin e vitit të ri shkollor. Në orën e korigjimeve të hartimeve, kur profesori i nderuar Milo Duni ndau fletoret, vura re se në fletoren time kishte shkruar me laps blu:

“Gjuhë dhe stil i sigurtë. Vazhdo të shkruash tregime”

Ndërsa më poshtë vazhdonte me laps të kuq:

“Po të kesh kohë të lirë!”

Vrisja mendjen se ç’donte të thoshte profesori me fjalët në të kuqe. Isha i ri. Kohë kisha plot. Megjithatë vendosa të provoj. Shkruajta një tregim ku personazhi kryesor ishte një fëmijë jetim, prindërit e të cilit ishin vrarë gjatë një bombardimi në kohën e luftës. Pas mbarimit të saj fëmija gjendet i vdekur në mes të një pylli. Ia dërgova gazetës “Letrari i Ri” që botohej në atë kohë. Asnjë përgjigje. Më prapa tentova edhe disa herë të tjera. Në kohën e revolucionit antikomun ist hungarez shkruajta tregimin me titull një frazë të poetit të madh hungarez Shandor Petof “ Për dashurinë jap jetën, për lirinë jap dashurinë!” Këto dhe disa të tjera mbetën në sirtaret e shtëpisë time. Para syve më dilnin vargjet e Migjenit:

“O kangët që fleni, kangët e mia,

                                    Q’ende s’keni prekun asnji zemën t’huej,

                                    Vetëm unë me ju po knaqem si fëmija,

                                    Unë djepi juej, ndoshta vorri juej!”

Kështu e mbylla karrierën time letrare për të cilën ëndërroja shumë.

Mundësia m’u krijua vetëm pas viteve 90-të. Gjatë kësaj periudhe kam botuar mbi 300 artikuj dhe kumtesa në organet e shtypit të shkruar dhe atij elektronik. Kam botuar një libër me tregime, një libër me kujtime nga rinia ime, një libër me poezi dhe katër romane, Ndërmjet tyre do të veçoja romanin “Shkallët e Ferrit” i cili u bë shkas për këtë shkrim. Me subjektin e këtij romani, në vitin 2011, vendosa të shkruaj një monodramë. U ula dhe punova deri sa e mbarova. Ia dhashë sime motre, aktores së njohur Drita Pelingu, e cila më bëri vrejtjet e duhura. I korrigjova. Ia dhashë një mikut tim, të nderuarit Bujar Leskaj, i cili ia kaloi për kompetencë aktorit të njohur të teatrit shqiptar Mirush Kabashi. Prisja një vlerësim për monodramën por ai nuk erdhi. Ia dhashë dramaturgut të njohur Ferdinand Hysi i cili më njoftoi se mund të vihej në skenë nga Teatri i Metropolit, por vetëm kaq. Ua dhashë regjizorit Armando Bora dhe aktorit Bujar Asqeriu por përsëri heshtje. Monodramën ia dorëzova ish-drejtorit të Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrame, i cili e dorëzoi në konkursin për dramën shqipe, i shpallur me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. U ndodha në natën e shpalljes së çmimeve. Monodrama ime as që u përmend fare. Madje u tha se për veprat e tjera që nuk ishin nderuar me çmime do të shikohej mundësia e vënies në skenë. Por edhe kjo nuk ndodhi.

Motra ime bisedoi me një regjizor dhe një aktor të njohur të cilëve nuk dua t’ua përmend

emrat, pasi nuk dua t’i përziej me të tjerët, të cilët morën përsipër realizimin e veprës. Por duheshin fondet. Mendova t’i drejtohesha biznesmenit të njohur Rezart Taçi, i firmës së njohur “Taçi Oil” që si i përndjekur politikë (gjyshi i dënuar politikë) besoja se do të më financonte. U paraqita në sekretarinë e zyrës së tij dhe kërkova takim. U lashë edhe kartvizitën time si Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë. Më thanë se do të më kthenin përgjigje. Por ajo nuk erdhi kurrë. Një i përndjekur politikë nuk denjoi të takojë një individ të së njëjtës shtresë.

Atëherë mendova t’ia dërgoj monodramën një regjizori tjetër të njohur që jetonte në Kanada, të cilin dikur e kam patur komanadant kompania kur zhvillonim zboret e famshme të periudhës komuniste. Bëhet fjalë për regjizorin e njohur Pullumb Kulla. Përgjigja erdhi shumë shpejt. Në atë ai shkruante:

I dashur z. Reshat

Kjo vonese eshte vetem ne kthimin e pergjigjes, por nuk qe aspak ne leximin e vepres qe me derguat. E lexova qe ate mbremje. Se pari ju falenderoj qe me zgjodhet mua t’ju jap gjykim per të dhe, posibilisht, te merrem me fatin e metejshem te saj. Nuk njoh librin tuaj qe nga e keni nxjerre por me mjaftoi vete monodrama e cila kishte energji artistike te brendeshme, pathos ndjenje dhe kthjellesi goditje. Per nga ana e te ndjerit dhe te kuptuarit ju e dini qe une ndaj me ju te njejtet emocione. Nga pikepamja artistike me la nje pershtypje te bukur forma, permbajtja, ritmi skenik. Subjekti nuk eshte fare i virgjer, por thene me autoritet dhe besueshmeri. M’u duk se ju zoteroni dhe nje vizion mjaft te pelqyeshem skenik, pervec kultures qe rrezaton, fraza, shkrimi, gjuha dhe bukuria e logjikes. Pra ju pergezoj sinqerisht dhe jo formalisht, sic eshte bere zakon i peshtire ne rrethet tona. Persa i perket realizimit ne skene, une nuk pergjigjem dot me po aq entuziazem, sepse jam larg. E kam ne konsiderate ta inicioj projektin edhe ketu, paçka se edhe ketu nuk jane lehtesirat qe mendohen. Per atje, flasim kur te vij nga tetori, nese nuk keni rene nderkohe ne kontakt me ndonje artist tjeter (qe une jua miratoj pa zili). Ne tetor do t’ju takoj pa tjeter. Dhe nderkohe ju uroj shendet dhe rinovoj edhe nje here pergezimet qe ju shfaqa. Te fala”!

Çuditërisht ai erdhi në tetor por mua as që më takoi fare. Përse? Këtë e di vetëm ai.

Në muajin prill 2014 më erdhi një ftesë nga Teatri Kombëtar për një takim që do të zhvillohej për të ardhmen e dramës shqipe. Shkova dhe fola. Përmenda edhe rastin e monodramës time. Lidhur me këtë shkrova eshe një shkrim që e botova në gazetën “Nacional” Nr. 275 datë 9 nëntor 2014. Përsëri heshtje. Madje, çuditërisht, një personalitet i shquar i artit skenik, i nderuari Përparim Kabo, deklaroi se sot nuk u dashkan më drama me subjekt nga koha e sistemit totalitar dhe kjo në një kohë kur, megjithëse kanë kaluar mbi 70 vjet nga përmbysja e sistemit nazist, dramat dhe filmat mbi genocidin nazist janë nga më të preferuarat. Si shembull do t’ju sillja filmin “La vita e Bella” me aktorin e njohur Roberto Benigni që fitoi edhe çmimin presticioz “Oskar”.

Atëherë mua më lind pyetja e natyrshme: Përse kjo heshtje? Në rast se monodrama nuk i përmbahej normave të caktuara të gjinisë së saj mendoj se duhej të ma kishin thënë hapur se ajo nuk ia vlen si e tillë. Por, sipas vlerësimit të motrës time dhe të nderuarit Pullumb Kulla, monodrama përputhet me të gjitha të dhënat që duhet të ketë një vepër e tillë. Atëherë përse hezitojnë të kthejnë një përgjgije/ Unë kam nevojë për përgjigje dhe ata duhet të ma kthejnë. Atëherë mua më lind dyshimi se shkaku i moskthimit të përgjigjes është se nuk guxojnë të flasin për një vepër që është në kundërshtim me normat e botkuptimit të sotëm që ne e quajmë demokratik.

Çfarë paraqet në të vërtetë monodrama? Agron Canajn, biri i një komandanti partizan rënë në luftë përkrah një luftëtari nacionalist, e thërrasin të ngrihet nga varri dhe të tregojë historinë e tij. Ai ngrihet, hedh vështrimin rreth e rrotul dhe në mes së turmës që përshëndet ndryshimin e sistemit dallon ish-hetuesin dhe ish-operativin e sigurimit që mbanin leksione demokracie. Dallon edhe ish-miun e birucave që ia kishin futur në qeli për të zbuluar atë që nuk kishte ndodhur dhe që sot ishte në krye të një shoqatë të përndjekurish politikë. Kjo gjë e nenveriti. Megjithatë tregoi historine e tij.

I ati kishte rënë në një betejë që forcat partizane së bashku me ato nacionaliste zhvillonin me forcat pushtuese dhe bie së bashku me nje fqinjin e tij nacionalist. Sipas amanetit të tij i varrosin të dy pranë e pranë. Pas përfundimit të luftës, fitimtarët i kërkojnë nënës së Agronit ta heqin të shoqin nga varri pranë një nacionalisti, por ajo nuk pranon. Atëherë ata heqin nacionalistin, eshtrat e të cilit nuk dihet se ku i hodhën,

Agroni mbaroi studimet e larta në Pragë për inxhinieri elektrike. Emërohet kryeinxhinier në ndërmarrjen elektrike të qytetit. Dashurohet me Lumton, drejtoreshë në një shkollë të mesme dhe martohen. Nga martesa u lind nje vajzë, Rida. Ne ndërmarrje Agroni zuri shoqëri me dy kolegë të tij por që kishin cene në biografi dhe që ishin në shënjestër të Sigurimit të Shtetit. I kërkojnë edhe Agronit që t’i survejojë por ai nuk pranon. Së fundi e arrestojnë. Ai vazhdon të rezistojë. I fusin në qeli edhe miun e birucave që tashmë ishte kryetar shoqate. Së fundi, operativi dhe hetuesi tentojnë të përdhunojnë gruan dhe vajzën 15 vjeçare në sytë e tij. Detyrohet të pranojë gjithçka. Shokët e tij arrestohen. Njeri ekzekutohet ndërsa tjetri, së bashku me Agronin dënohen me burg.

Ndërkohë gruaja dhe vajza ndahen nga kjo jetë. Pasi mbaron dënimin kthehet në shtëpi. Gjen vetëm nënë plakë. Ajo i jep një letër që ia kishte shkruar e shoqja para vdekjes. Në të ajo i shkruante se kriminelët, pas ballafaqimit me të, i kishin përdhunuar dhe vajza që kishte pësuar krizë nervore hidhet nga ballkoni ndërsa ajo, kur konstatoi se kishte mbetur shtatzanë helmoi veten. Tronditja ishte e jashtëzakonshme. Nuk vonoi shumë edhe ai u nda nga kjo botë.

Kjo ishte historia që tregoi Agroni. Por kur konstatoi se në Shqipëri vazhdonin të sundonin operativët, hetuesit dhe mijtë e birucave të sistemit të përmbysur nuk mund të qëndronte më, por kthehet në banesën e përjetëshme.

Më falni nëse u zgjata pak në këtë histori por e bëra qëllimisht që ju të kuptoni se përse të gjithë ata që u dërgova monodramën time nuk guxuan të kthenin përgjgije. Nuk guxuan pasi një përgjigje do të zgjonte mërinë e hienave që kanë zaptuar artin dhe gjithë jetën e këtij kombi.

Të gjithë atyre që u kam përmendur emrat do t’ju lutesha, po të munden, të më kthejnë

përgjigje për sa kam shkruar. Në rast se nuk munden ua lë në dorë lexuesve të japin gjykimin e tyre.

Këtë shkrim mendova t’ua dërgoj organeve të shtypit të shkruar por, duke u nisur nga eksperienca e shkrimeve të tjera që nuk kanë denjuar t’i botojnë, po e botoj në mediat elektronike që, për të qenë realist,janë kthyer në pasqyrën e vërtetë të shtypit të lirë.

Filed Under: ESSE Tagged With: reshat kripa, Unë pres përgjigje!

Adem Demaçi simbol i lirisë, qëndresës dhe patriotizmit shqiptar

March 1, 2016 by dgreca

Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi diten e Hene 29 Shkurt, ka marrë pjesë ne hapjen e punimeve të Konferece Shkencore për jetën dhe veprën e Adem Demaçit me rastin e 80 vjetorit të lindjes se tij.
Fjala e plotë e Ministrit Kuçi gjatë kësaj Konference Shkencore:
“I nderuar Heroi Ynë, Baca Adem
I nderuari z. Aliu, Kryesi, e punes,
z. Jakup Krasniqi, ish kryetar i Kuvendit, Z. Rektor Kosumi, Ish Rektor Gashi, Gjeneral, Kudisi Lame, z. Milo,
Të nderuar ish të burgosur politik,
Të nderuar studiues,
Zonja dhe zotërinjtë,
Jam shumë i nderuar t’iu drejtohem në hapjen e punimeve të Konferencës Shkencore për jetën dhe veprën e Adem Demaçit, në një jubile shumë të rëndësishëm që lidhet me 80-vjetorin e lindjes së tij.
Me këtë rast, dëshiroj të uroj nga zemra ditëlindjen e 80 – të bacës Adem, edhe si mik i tij por edhe si përfaqësues i Qeverisë së Kosovës.
Dëshiroj të përgëzoj Shoqatën e të Burgosurve Politik për organizimin e kësaj konference, e cila besoj do të jetë një kontribut në evidentimin e veprës shumë dimensionale të bacës Adem.
Ne, Qeveria e Kosovës, shprehim admirim për këtë përvjetor dhe punën e shoqatës. Do të mbështesim këtë konferencë dhe të gjitha aktivitetet tjera që do të zhvillohen gjatë tërë vitit për nder të këtij jubileu.
Me të drejtë këtë vit e keni pagëzuar Viti i Adem Demaçit! Por nuk është vetëm ky viti i Demaçit! Edhe gjysma e dytë e shekullit njëzet (XX) edhe fillimi i shekullit njëzetenjë (XXI), të cilat identifikohen me përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe pavarësi, identifikohen edhe me emrin e Adem Demaçit!
Prandaj kjo është koha, këto janë vitet e Adem Demaçit!
Adem Demaçi është quajtur simbol i lirisë, i pavarësisë, simbol i sakrificës, simbol i rezistencës. Ne shqiptarët Bac në kuptimin e plotë të fjalës, po Baca mbi të gjitha është simbol i drejtësisë si vlerë universale, qoftë drejtësive individuale apo kolektive.
Për Adem Demaçin kemi folur dhe shkruar por edhe e kemi dëgjuar emrin dhe përjetuar veprën e tij secili në këtë sallë dhe jashtë saj, ne kemi emrin e tij në mendjen dhe jetën tonë dhe ka qenë lehtë, se ai vetë bëri emër, vetë foli të dëgjohej, vetë shëndriti që të shihej nga të gjithë ne.
Ai u motivua nga njerëz dhe vepra madhore të kombit dhe njerëzimit dhe emri i tij zë vend krahas atyre njerëzve të mëdhenjë të njerëzimit, si Mandela, Saharov dhe rri fortë krahas emrit të Skënderbeut e Nënë Terezës të njohur në botë.
Adem Demaçi është edhe frymëzues i brezave dhe bashkëpunëtorëve e bashkëvuajtësve të tij, ashtu si ishin të burgosurit politik frymëzues të shumë lëvizjeve politike për liri e pavarësi.
Baca Adem ishte frymëzues edhe  i shumë heronjëve, si Adem Jasharit, Fehmiut e Xhevës, Luanit, Shkelzenit, Zahirit, Agimit, Metush Krasniqit, Zija Shemsiut, Rexhep Malës e Nuhi Berishës, Afrim Zhitisë, Isa Kastratit,  e plotë heronjëve e patriotëve tjerë të rënë e të gjallë.
Çdo lëvizje politike apo ushtarake e kohës, përfshirë edhe UÇK-në kishte frymëzim apo protagonist Adem Demaçin.
Sot qëndron emri i Adem Demaçit, herë si i frymëzuar, e miliona herë si frymëzues.
Adem Demaci, për dallim prej shumë liderëve më shumë ishte frymëzues, se sa i frymёzuar nga të tjerët, ai ishte i frymёzuar nga ikonat kombëtare që me veprën e tij u bë idhull frymëzimi për breza dhe gjenerata të tëra.
Baca Adem, eci para kohës, ai fillonte qëndresën për t`u bërë motiv për formësim të vetëdijes kombëtare. Nuk ka emër të përveqëm dhe të gjallë në historinë tonë të re si komb që ishte dhe është më frymëzues se baca Adem.
Kur frymëzimi i tij dhe bashkëmendimtarëve të tij u ngrit si vetëdije kombëtare dhe  triumfoj vizionin e tij  politik, Baca Adem e pranoi rolin e jetës si të tjerët, modest, pajtues i urtë, kritik, falës, guximtar, i dashur  dhe gjithmonë frymëzues edhe për kohët e reja të lirisë dhe pavarësisë.
Zonja dhe zotrinjë,
Duke qenë simbol i tillë, Baca Adem është simbol dhe frymёzim jo vetëm i yni, por i gjithë popujve që aspirojnë liri dhe drejtësi.
Vepra e tij është aq e madhe, saqë e kanë të pamundur ta mbajnë brenda kufijtë e shqiptarëve.
Baca Adem është shembull e motiv jo vetëm për shqiptarët, por edhe për botën demokratike dhe popujt e robëruar.
Çdo popull i robëruar që synon lirinë duhet të motivohet nga Adem Demaci dhe t`a ketë nga një Adem Demaç të vetin.
Ne jemi me fat që e kishim dhe e kemi Bacen Adem.
Historia e re e Kosovës nuk mund të shkruhet dhe as të mësohet pa Adem Demacin.
Të gjitha Lëvizjet historike të shqiptarëve në gjysmëshekullin e njëzetë janë të lidhura me emrin dhe veprën e tij simbol.
Me Adem Demaçin janë të lidhura edhe vlimet e mëdha kombëtare të gjysmës se dytë të shekullit 20-të – Demonstratat e vitit ‘64 e ‘68, demonstratat  e vitit ‘81 dhe të gjitha lëvizjet tjera që quan në krijimin e UÇK-së.
Me emrin e Adem Demacit është e lidhur liria dhe pavarësia e Kosovës.
Zonja dhe zotrinjë,
Ju të nderuar prezantues të kumtesave dhe shumë të tjerë keni, detyrë të lehtë të shkruani dhe folni për Bacën Adem, ngase ai  është i rrallë në historinë botërore, nuk ka nevojë t`i retushohet as glorifikohet asnjë ditë e veprimit politik dhe komëbtar.
Por, secili prej nesh duhet të këtë parasysh se përmes Bacës Adem, zbërthehet filozofia e veprimit dhe qëllimit politik të shqiptarëve dhe jeta e Demaçit  është jeta e shqiptarëve si komb, por më e rëndë se e secilit prej nesh dhe politikisht e menduar dhe jetuar para secilit prej nesh, në atë kohë dhe sot si pjekuri dhe veprim politik.
Edhe Baca Adem ka shkruar, jetëshkrimi i tij patriotik është shumë më i fuqishmë se sa shkrimet e tij, të cilat nuk kanë arritur t`a tejkalojnë kurrë autorin.
Poashtu, jemi të vetëdijshëm sikur edhe unë në këtë fjalim, se jetëshkrimi i tij patriotik është shumë më domethënës dhe shembull sesa shkrimet dhe veprat që do të shkruhen për të.
Andaj, sot duhet të shkruhen libra edhe më shumë për vizionin, qëndresën, vuajtjen, sakrificën dhe qëllimin politik të Bacës Adem dhe në çdo faqe të historisë së re kombëtare pa dyshim që gjindet emri i Adem Demaçit, por edhe në çdo ditë të veprimit politik të Adem Demaçit do të gjeni nga një faqe të shkruar të historisë krenare të shqiptarëve.
Ata që i hyjnë kësaj pune të rëndësishme, duhet t`a paraqesin jetën dhe veprën e Adem Demaçit ashtu si është dhe si e tillё është tepër madhështore.
Zonja dhe zotrinjë,
Nga kjo Konferencë do tё propozoja që Parlamenti i Kosovës, Presidenca apo ndonjë institucion tjetër i Kosovës, të themelojë Çmimin Ndërkombetar “Adem Demaçi”, për të nderuar personalitetet apo organizatat që i kushtojnë jetën e tyre të drejtave dhe lirive të njeriut.
Meqenëse Kosova e ka Saharovin dhe Mendelën e vet- Adem Demaçin, pse të mos ketë edhe çmimin me emrin e tij.
Ky çmim do ta nderonte Bacën Adem, mbi të gjitha do të nderonte Kosovën, por më shumë do t`i nderonte ato personalitete dhe organizata që do ta meritonin atë.
Sot ftoj shkrimtarë, gazetarë, jurist, filozof, politolog e kronist, skenarist, regjisorë  e aktorё, të vendit dhe të huaj, të shkruajnë e bëjnë filma për Bacën Adem dhe ftoj secilin prej nesh ta emitojmë Adem Demaçin në punën dhe angazhimin kudo që e bëjmë për vendin dhe kombin.
Zonja dhe zotrinjë,
Ta ruajmë dhe nderojmë figurën e Bacës Adem, të krenohemi me atë dhe veprën e tij, ashtu si na ruajti, nderoi, e na bëri krenar secilin prej nesh dhe popullin tonë.
Qoftë e bekuar dita kur lindi Adem Demaçi, qoftë i lumtur e i bekuar ai dhe  familja e tij dhe kombi shqiptar që ka një personalitet të tillë.
Në fund duke i uruar punë të mbarë fillimit të kësaj Konference, dëshiroj që edhe një herë t`i uroj Bacës Adem 80 vjetorin e lindjes. Na bashkoftë Adem Demaçi edhe në ditëlindje tjera dhe në aktivitete për të mirën e vendit dhe kombit tonë.
Ju faleminderit.”

Filed Under: Kulture Tagged With: Adem Demaçi simbol i lirisë, patriotizmit shqiptar, qëndresës dhe

ADEM DEMAÇI, SIMBOL I QËNDRESËS SHQIPTARE

March 1, 2016 by dgreca

Me rastin e 80-vjetorit të lindjes/

Nga Xhelal Zejneli/

Adem Demaçi lindi në Prishtinë më 26.02.1936. Është veprimtar për çështjen kombëtare në Kosovë, por edhe për të drejtat e njeriut. Kreu Shkollën e Lartë Pedagogjike në Shkup, vijoi studimet për shkencat juridike në Prishtinë dhe për letërsi në Beograd. Në vitet ’50 punoi në gazetën “Rilindja” dhe në shtëpinë botuese “Rilindja”, ku botoi një varg shkrimesh publicistike, tregime, vjersha dhe përkthime letrare.

U bë i njohur me veprën “Gjarpinjtë e gjakut” që u botua në vitin 1958 e që trajton plagën e dhimbshme të gjakmarrjes. Qysh në moshë të re u angazhua në lëvizjen kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi, duke ngritur zërin kundër shpërnguljeve dhe diskriminimit kombëtar ndaj tyre. Në vitin 1958 u arrestua dhe u dënua me tre vjet burgim. Pas daljes nga burgu më 1961, vijoi ilegalisht veprimtarinë e tij duke krijuar organizatën “Lëvizja revolucionare e bashkimit të shqiptarëve”, e cila kishte si objektiv bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Për këtë veprimtari, në vitin 1964 u dënua me 15 vjet heqje lirie. Në gjyq mbrojti pikëpamjet e tij për bashkimin e trojeve shqiptare dhe kjo e bëri të njohur ndër shqiptarët në Jugosllavi. Më 8 qershor 1974 u lirua nga burgu, por pas një viti u arrestua për të tretën herë dhe u dënua me 15 vjet heqje lirie. U lirua më 28 prill 1990.

Për qëndresën e tij gjatë 28 viteve në burg, si disident në Jugosllavi, në vitin 1991, u vlerësua me çmimin “Saharov” në Strasburg.

E vijoi veprimtarinë e tij kombëtare dhe në vitin 1998 u bë përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë detyrë e mbajti deri në shkurt të vitit 1999, kur dha dorëheqje, pasi nuk u pajtua me pjesëmarrjen e shqiptarëve në Konferencën e Rambujesë (1999).

Pas vendosjes së Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, Demaçi ka mbajtur ligjërata në Degën e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe më pas ka ushtruar veprimtari shoqërore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Ndër shqiptarë, njihet edhe si baca Adem.

Është një ndër figurat më madhore të kombit shqiptar. Është i njohur edhe në skenën ndërkombëtare. Është simbol i qëndresës së shqiptarëve në Jugosllavi, kundër politikës diskriminuese dhe gjenocidale të serbëve, të malazezëve dhe të sllavo-maqedonasve ndaj shqiptarëve. Ideal i bacës Adem ka qenë dhe mbetet bashkimi kombëtar, përkatësisht krijimi i Shqipërisë etnike. Ky atdhetar i dorës së parë është një personalitet i rrallë dhe i jashtëzakonshëm, me virtyte të larta morale dhe njerëzore. Është nderi dhe krenaria e kombit. Me një fjalë, është institucion në vete. Nuk është anëtar i asnjë partie dhe nuk voton për asnjë parti, edhe pse para rreth një viti e gjysmë ka deklaruar se e mbështet krahun e luftës. Nuk ka dashur të formojë parti politike, vetëm e vetëm që të mos shkaktojë përçarje në hapësirën politike shqiptare. E kanë quajtur Mandela i shqiptarëve.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Adem Demaci, ne 80 vjetor, Xhelal Zejneli

“Pasaporta me më shumë dyer” në botë

March 1, 2016 by dgreca

Të zotërosh një pasaportë, do të thotë të kesh të hapura dyert për të udhëtuar lirshëm në të gjithë botën, ose të paktën kështu mendon kushdo që e ka një dokument të tillë.

Megjithatë, në disa vende anembanë botës, edhe nëse do të kesh fat mjaftueshëm për të pasur akses në dokumentin e lëshuar nga qeveria e vendit respektiv prej nga vjen, ende të duhet të përballesh me kufizime apo ndalime të lëvizshmërisë së lirshme nga disa vende të tjera.
“Henley and Partners” ka bërë renditjen vjetore, ku rezulton se gjermanët disponojnë pasaportën më të fuqishme në botë, duke pasur mundësinë të udhëtojnë pa viza në 177 shtete nga 218 të mundshëm. Në vendin e dytë renditet pasaporta suedeze, me një vend më pak, ndërsa me 175 vende të lejuara pa pasur nevojën e një vize ndajnë vendin e tretë Finlanda, Franca, Italia, Spanja dhe Britania. Mbajtësit e pasaportës amerikane mund të lëvizin në 175 shtete, numër i njëjtë ky me Belgjikën, Danimarkën dhe Holandën. Për fat të keq, shqiptarët renditen ende larg vendeve të para, konkretisht me Shqipërinë në vendin e 53-të. Aktualisht shqiptarët mund të udhëtojnë lirshëm në 98 vende të botës, pa pasur nevojën e një vize. Renditja e bërë nga firma e konsultimeve globale “Henley and Partners”, e cila është e specializuar në planifikimet e çështjeve rezidenciale dhe të shtetësisë, mbyllet me Afganistanit, shtetasit e të cilit mund të lëvizin lirshëm vetëm në 25 shtete në botë.

Filed Under: Komente Tagged With: me shume dyer, pasaporta

NE SHKOLLEN SHQIPE”GJUHA JONE” NE FILADELFIA

March 1, 2016 by dgreca

Shkolla shqipe “Gjuha Jone ” ne Philadelphia feston datelindjet e nxenesve/
 
12795205_10206054574226915_3087738835769485321_o.jpg
PHILADELPHIA PE: (Bijet e Shqipes)Sic eshte bere zakon ne shkollen shqipe “Gjuha Jone ” ne Philadelphia cdo fund muaji festohen datelindjet e nxenesve qe kane patur datelindjen gjate muajit. Sot u festuan datelindjet e nxeneseve Amalia Molla dhe Vanesa Agolli si dhe e mesueses se klases se pare znj. Irini Zenelaj.
Nxenesja Amalia Molla eshte ne klasen e trete. Ajo eshte nje nxenese intelegjente qe frekunton rregullisht shkollen shqipe. Mesuesja e saj Kozare Doko eshte shume e kenaqur per perparimin e saj ne mesimin e gjuhes shqipe. Amalia eshte vajze e urte dhe e zgjuar thote mesuesja e saj.
Nxenesja Vanesa Agolli eshte nxenese e klases se dyte. Mesuesja e saj Adelina Ramizi flet fjalet me te mire per te. Ajo eshte vajze shume perkushtuar ne mesimin e gjuhes shqipe. Ajo eshte aktive ne mesim dhe ndjek rregullisht shkollen shqipe.
Fjalet me te ngrohta i shprehin ne kartolinen e urimit mesuese Irinin koleget e saja Adelina Ramizi, Raimonda Bardhi dhe Kozare Doko. Njekohesisht stafi drejtues i shoqates i shpreh mirenjohjen per punen e saj me plot pasion, perkushtim dhe profesionalizen per t’u mesuar nxeneseve te klases se pare gjuhen e bukur shqipe. Pjesa me e bukur e urimit per mesuese Irinin ishte kartolina me urimin nenshkruar me shkrimin e tyre nga nxenesit e klases se pare.
Atmosfera e festimit te datelindjeve ishte shume e ngrohte. Sic eshte bere tradite pas kenges se urimit te datelindjeve dhe shuarjes se qirinjeve nga stafi i shkolles ju shperdane dhurata simbollike Amalias, dhe Vaneses dhe nje tufe me lule per mesuese Irinin.
Fotot dhe ky informacion jane marre nga ky aktivitet Bijet e Shqipes(Beqir Sina)
10683563_10206055662294116_3428240319666709133_o.jpg

12370749_10206055662174113_74612668677797908_o.jpg

12371245_10206055656693976_8692950459235307494_o.jpg

12419108_10206054576626975_6119541316619962731_o.jpg

12593716_10206055662014109_2353759957153505867_o.jpg

12496362_10206054582867131_8668230398022219730_o.jpg

12747977_10206055656213964_6684182281773977286_o.jpg

12747985_10206055652533872_1737334824687595104_o.jpg

12764814_10206055650253815_7852017451198689700_o.jpg

12764837_10206055658494021_2486180400260149558_o.jpg

12768346_10206055664374168_4228215787923566117_o.jpg

12768354_10206055664254165_1611622275669687338_o.jpg

12771468_10206055658374018_3196530824853894819_o.jpg

12771579_10206054578427020_1304378262432875284_o.jpg

12771579_10206054581907107_3678018226444349060_o.jpg

12783695_10206055648533772_261143005598571573_o.jpg

12794932_10206055650413819_8389177592685382639_o.jpg

Filed Under: Komunitet Tagged With: ne Filadelfia, NE SHKOLLEN SHQIPE"GJUHA JONE"

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3042
  • 3043
  • 3044
  • 3045
  • 3046
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT