Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, thotë se Kosova është “në zgrip” për shkak të bllokadës politike që e ka kapluar vendin tash e gjashtë muaj.
Në një deklaratë të dhënë për KALLXO.com, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, përshëndeti iniciativën e Presidentes për t’i takuar liderët politikë të vendit në një tavolinë, por tha se është i zhgënjyer nga fjalori i përdorur pas takimit.
“Duhet të them se kam qenë i zhgënjyer nga disa reagime që i kam dëgjuar për takimin e djeshëm. Është e rëndësishme për njerëzit që ta kuptojnë që qytetarët i punësojnë politikanët që të marrin vendime. Disa nga ato vendime janë kundërthënëse, por përdorimi i fjalëve si ‘tradhti’ dhe ‘diktaturë’ për t’i karakterizuar vendimet që i marrin politikanët derisa janë duke e bërë punën e tyre vërtetë e bëjnë dialogun më të rëndë dhe demokracinë më të vështirë, si dhe e bën më të vështirë arritjen e zhvillimit demokratik të Kosovës që të gjithë duam ta shohim”, tha ambasadori amerikan.
Duke e mbështetur iniciativën e Presidentes në kërkim të gjetjes së një zgjidhjeje politike përmes dialogut, Delawie tha se pret nga liderët politikë “angazhime të mëtutjeshme” për ta gjetur një zgjidhje.
“Në këtë moment mendoj se Kosova është në zgrip. Progresi është i mundshëm, por nuk është i sigurt. Ende mbetet edhe shumë punë për t’u bërë dhe atë punë duhet ta bëjë një Kuvend që funksionon, qoftë përmes bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian, qoftë përmes bashkëpunimit me ShBA-të në Sfidat e Mileniumit dhe në shumë çështje tjera në agjendë për Kuvendin e Kosovës”, tha ai.
Por së pari, diplomati amerikan dëshiron të shohë fund të bllokadës politike.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme që bllokada politike të zgjidhet. Dua që Kuvendi të funksionojë, dua që deputetët të jenë në gjendje ta bëjnë punën që punëdhënësit e tyre, qytetarët e Kosovës, po i paguajnë për ta bërë. Sigurisht që i përkrahu përpjekjet e Presidentes për ta përdorur dialogun për të sjellë një zgjidhje për bllokadën politike”, tha ai.
Ambasadori amerikan nuk pranoi të komentojë për çështjen e votimit të Presidentit, pikë te e cila politika kosovare pritet të vijë brenda javëve.
“I përket Kuvendit të vendosë për Presidentin e ri. E kuptoj si funksionojnë ligjet, por kjo nuk është puna ime”, tha ambasadori Delawie.
*Sqarim se çfarë do të thotë fjala “zgrip” që e ka përdorur ambasadori amerikan:
ZGRIP m.
1. Buza e një gremine, e një shkëmbi të thepisur etj.; skaji i një sendi, ana, buza. Zgripi i shkëmbit (i greminës, i humnerës). Zgripi i pullazit (i shkallëve, i pusit, i varrit). Zgripi i lumit. U ul në zgrip. U kacavar në zgrip të shkëmbit. U tërhoq në zgrip të rrugës. E mbushi deri në zgrip.
2. fig. Pika e fundit, fundi, mbarimi i diçkaje. Është në zgrip të jetës. E çoi punën deri në zgrip. Pakicë; shtrëngicë, kursim. E ka me zgrip diçka e ka me pakicë. Ha (prish, shpenzon) me zgrip ha pak e me kursim të madh. Jeton me zgrip jeton me pak gjë, në shtrëngicë e me kursim të madh.
* Është me (në) zgrip
a) nuk është i sigurt; është i vështirë dhe i ngatërruar për t’u bërë;
b) mezi qëndron më këmbë, mezi mbahet diçka, është gjysmake;
c) ka vajtur deri në buzë, deri atje sa s’mban më. E ka me (në) zgrip është i pavendosur për diçka, e ka me mëdyshje, lëkundet midis «po»-së dhe «jo»-së. Është në zgrip (në buzë, në grykë) të varrit shih te VARR,~I.
Mustafa e Thaçi nuk përfillin opozitën
Dhuna dhe bllokimi i punës së institucioneve nuk janë mjete për zgjidhjen e problemeve politike kanë deklaruar kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe zëvendësi i parë i tij Hashim Thaçi, gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësues të shoqërisë civile.
Dy krerët e Qeverisë së Kosovës dhe partive të koalicionit, Lidhjes Demokratike dhe Partisë Demokratike, thanë se opozita po e pamundëson komunikimin normal të Qeverisë me Kuvendin, sidomos kur është në pyetje komunikimi në lidhje me dialogun me Serbinë dhe marrëveshjet e arritura.
Kryeministri Isa Mustafa i ka cilësuar të pavenda deklarimet e liderëve opozitar për kthimin e Serbisë në Kosovë.
Ai ka thënë se me procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, Kosova i ka marrë përsipër disa obligime ndërkombëtare që ndërlidhen me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve si dhe integrimin e komunitetit serb.
“Ne kemi marrë përsipër edhe obligime ndërkombëtare, sidomos për garantimin e të drejtave të popullatës joshumicë, përkatësisht të pakicave dhe që ato të bëhen pjesë e projektit tonë, pjesë e shtetit sovran dhe të pavarur të Kosovës”, ka deklaruar Mustafa.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri , Hashim Thaçi ka thënë se çështja kryesore për të cilën flet opozita, siç është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk e ka burimin vetëm tek dialogu me Serbinë, por edhe te marrëveshja e koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, e njohur si Pakoja e Ahtisaarit.
“Asociacioni, fillimisht buron nga dokumenti i presidentit Ahtisaari. Mbi bazën e dokumentit të Ahtisaarit e kemi shpallur Kosovën e pavarur e sovrane. Pastaj ka vazhduar në procesin e negociatave në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ato bisedime i kam udhëhequr unë në rrafshin politik. Ka qenë aty edhe përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ka luajtur një rol jashtëzakonisht pozitiv”, është shprehur Thaçi.
Ndërkaq sa i përket shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, zëvendëskryeministri Thaçi ka potencuar se ajo nuk do të ratifikohet në Kuvend përderisa të mos sqarohen të gjitha dilemat dhe vërejtjet qoftë nga opozita apo shoqëria civile.
Më pas, në kuadër të debatit, njëri nga panelistët, Halil Matoshi analist politik, ka thënë se gjendja në Kosovë është mjaftë e rrezikshme, përderisa qeveria, sipas tij, nuk është duke e pyetur për asgjë opozitën.
Duke e cilësuar këtë si një lloj injorimi të gjendjes faktike, Matoshi ka thënë se gjetja e një konsensusi me opozitën është më se e domosdoshme, sado që sipas tij, opozita po mbështetet në dy kauza të paqëndrueshme dhe tejet nacionaliste.
Krejt këtë gjendje të krijuar, Matoshi e sheh si tendencë të disa individëve dhe një pjese të spektrit politik që të çojë vendin në kaos për të shpëtuar nga Gjykata Speciale për krime lufte.
“Vazhdimisht e kam parë dhe vazhdojë ta shoh një krye-kauzë e cila është Gjykata Speciale. Dikush po tenton që t’i shmanget kësaj Gjykate qoftë edhe duke e dërguar vendin buzë luftës civile për t’u imponuar nesër si fuqi që e kthen stabilitetin ne vend. Unë kështu e kam parë dhe e shoh këtë gjendje”, ka thënë Matoshi.
Përderisa pushteti po përgatitet që të zgjedh presidentin e ardhshëm të Kosovës, qoftë edhe në një seancë me gaz lotsjellës e polici në sallë të Kuvendit, kurse opozita po përgatitet për protesta në ditën e pavarësisë së Kosovës, Matoshi u ka bërë thirrje të dyja palëve që të ulen dhe të arrijnë marrëveshje.
Kjo marrëveshje, sipas tij, do të përmbante në vete reforma në gjithë sistemin në mënyrë që vendi të mos futet më në kriza të ngjashme.
Paraprakisht, ai u ka kërkuar drejtuesve të qeverisë që të mos thirren më në legjitimitetin e fituar, por të reflektojnë në bazë të gjendjes krijuar dhe të japin dorëheqje, në mënyrë që t’i hapet rruga formimit të një qeverie gjithëpërfshirëse, kalimtare deri në zgjedhjet e ardhshme.(Kortezi:Zijadin Gashi)
Nacionalizmi dhe institucionet e dobta rreziku kryesor për Ballkanin
Nacionalizmi etnik dhe institucionet e dobëta mbeten kërcënime për qendrueshmërinë në rajonin e Ballkanit, sipas komunitetit amerikan të zbulimit.
Vlerësimi, është pjesë e raporti të përvitshën rreth kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, që u paraqit të martën në Kongres nga Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zbulimit, James Clapper.
Sipas raportit, Kosova ka bërë përparim drejt demokracisë së plotë, shumetnike, edhe pse tensionet në mes të shqiptarëve dhe serbëve mbeten.
Në Maqedoni, vazhdimi i krizës politike dhe shqetësimet në lidhje me radikalizimin mes shqiptarëve muslimanë rrezikojnë të përkeqësojnë marrëdhëniet tashmë të tensionuara ndërmjet shumicës etnike maqedonase dhe të pakicës shqiptare, pesëmbëdhjetë vjet pas konfliktit të dhunshëm ndëretnik mes dy grupeve.
Në Bosnje Hercegovinë, sipas raportit, 20 vjet pas përfundimit të luftës, vendi vazhdon të jetë i ndarë nga ana administrative dhe kulturore, me një situate të rënduar nga burokracia e pa-efektshme, pothuajse jo-funksionuese. Bosnja ka ndër papunësitë më të larta në botë mes të rinjve me rreth 60 përqind.
Komuniteti amerikan i zbulimit po ashtu tërheq vëmendjen se vërshimi i një numri të madh emigrantësh në Ballkan mund të acarojë më tej tensionet shoqërore atje.
KRYEMINISTRI MUSTAFA DHE AMBASADORI DELAWIE, NE UNIVERSITETIN AMERIKAN TE KOSOVES
-Në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK) është zhvilluar sot pasdite ceremonia e dorëzimit të certifikatave grupit të parë të pjesëmarrësve në trajnimin për zhvillimin e politikave publike dhe udhëheqje/
PRISHTINË, 9 Shkurt 2016-B.Jashari/ Në Prishtinë, në Auditoriumin e Universitetit Amerikan në Kosovë (AUK) është zhvilluar sot pasdite ceremonia e dorëzimit të certifikatave grupit të parë të pjesëmarrësve në trajnimin për zhvillimin e politikave publike dhe udhëheqje, ku morën pjesë edhe kryeministri kosovar Isa Mustafa dhe ambasadori i SHBA, Greg Delawie.
Njoftimi dërguar nga Ambasada e SHBA në Prishtinë bën të ditur se, Zhvillimi i Politikave Publike dhe Trajnimi për Udhëheqje është pjesë e programit Lidershipi Transformues (TLP) – Trajnimet Intensive dhe Kurset e Shërbimit Publik. Ky është një program intensiv i cili ofron trajnime të specializuara për udhëheqje, analizë të politikave publike, vendimmarrje të bazuar në dëshmi dhe vlerësim të programit.
Grupi i dytë i vijuesve të trajnimit të TLP-së Zhvillimi i Politikave Publike dhe Trajnimi për Udhëheqje është planifikuar të fillojë kah fundi i shkurtit me më shumë se 180 pjesëmarrës.
Universiteti Amerikan në Kosovë implementon komponentën TLP – Trajnimet Intensive dhe Kurset e Shërbimit Publik, në mbështetje të programit më të gjërë të Lidershipit Transformues të USAID-it.
Në ceremoni, sipas njoftimit dërguar nga Kryeministria kosovare, kryeministri Isa Mustafa vlerësoi rolin e USAID-it dhe të Universitetit Amerikan në programin e lidershipit transformues, duke theksuar nevojën për përgatitje të kuadrit.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie ka folur për rëndësinë që shërbyesit civilë kanë në përparimin e një vendi.
Presidenti i Universitetit Amerikan në Kosovë, Winfred Thompson, ka falënderuar kryeministrin Mustafa dhe USAID-in që i dhanë mundësi këtij institucioni të bëhet pjesë e këtij projekti të rëndësishëm.
Eunukët shqiptarë në mbrojtje të Jugosllavisë e Turqisë
Nga Gani MEHMETAJ*/
Kur hordhitë serbe bënë krime të shëmtuara në Kosovë e në territoret etnike pas tërheqjes së ushtrisë turke, shqiptarët e harruam gjenocidin anadollak. Turku mizor papritmas u bë turk i mirë. Por me turkun e mirë kohë të gjatë askush nga shqiptarët nuk u mor. As turku nuk u mor më shqiptarët, ua la në duar serbëve, më të cilët zhvillonte marrëdhënie të shkëlqyeshme. Dashuria ndaj turkut shpërtheu befas në dhjetëvjetëshin e fundit më depërtimin e frymës islamike. Eunukët shqiptarë, përnjëherë e rikujtuan dashurinë për Turqinë islamike. Deri dje nuk u bëhej vonë as për turkun, as për islamin, sepse e shqyenin gurmazin më lëvdatat për Jugosllavinë. Pjesa dërmuese e këtyre eunukëve shqiptarë janë gjysmë analfabetë. Ka edhe ndonjë intelektual eunuk, që u shërben me servilizëm.
Kur e mori frerin e udhëheqjes së Jugosllavisë Milosheviçi, i cili nisi më dhunën që nuk mbahej në mend në tridhjetë vjeteshin e fundit, shqiptarët e Kosovës e të territoreve etnike e harruan gjenocidin e ushtrisë jugosllave. Grupe të tëra nisën ta vajtonin kohën “e artë” të Jugosllavisë. Në këtë vajtim eunukësh harruan se Josip Brozi, vrau 50.000 shqiptarë të Kosovës e të territoreve etnike, shpërnguli në Turqi, në marrëveshje më shtetin turk mbi 250.000 shqiptarë dhe burgosi mijëra bashkëkombës tanë. Ky terror vazhdoi me intensitet deri me 1966, kur nga presioni ndërkombëtar iu lirua laku shqiptarëve. Tito, për krime e ngarkoi ministrin e vet të brendshëm A. Rankoviqin. Prapë 50.000 shqiptarët që i vrau për katër vjet (1945- 48), nuk i përmendi. Në vlerësimet e mëvonshme shqiptarët e vrarë u cilësuan armiq të Jugosllavisë. Dënimi politik i torturave të Rankoviqit u bë me 1967. Atë nuk e ekzekutuan, as nuk e burgosën, megjithëse akuzohej për qindra shqiptarë të vrarë e mijëra të torturuar. Rankoviqin e pensionuan.
Por ra zemërimi i propagandës jugosllave mbi te, Tito doli i larë. Në sytë e shqiptareve, prapë me procesin e shpërlarës së trurit, Tito mbeti shpëtimtarë. Dhe shqiptarët eunuk nisën ta shajnë e ta dënojnë vetëm dhunën e Rankoviqit, por nuk e thanë asnjë fjalë të keqe kundër Titos. Ai për një pjesë të shqiptarëve me tru të shpërlarë mbeti biri më i madh i shekullit XX.
Është e habitshme që këtë dozë dashurie servile e dëgjon edhe sot e kësaj dite në Kosovë, e në territoret etnike, por edhe në Shqipëri: Tito i mirë, Miloshevqi i keq, Jugosllavia shtet i të barabartëve, Serbia burg i shqiptarëve. Ndërkaq, Jugosllavia ishte Serbi e zgjeruar, e mbështjellë më demagogjinë e vëllazërim-bashkimit. Serbia edhe më tutje mbetet burg i shqiptarëve: komunat e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës janë nën terror, ndërsa janë territore shqiptare. Serbia nuk ka ndryshuar. Mbase një pjesë e këtij shkulmi të vonuar të nostalgjisë për Jugosllavinë është pasojë e qeverisjes së keqe në Kosovën e pavarur, kur erdhën në krye të shtetit njerëz pa kulturë, pa arsimim e më të kaluar baritore, por eunukët nuk e bëjnë vetëm për këtë arsye. Nostalgjikët jugosllav sikur i vajtojnë privilegjet e tyre personale e grupore pa u brengosur se si jetuan pjesa dërmuese e bashkëkombësve. Këtë dashuri ndaj Jugosllavisë nuk e thonë publikisht, nuk e deklamojnë sikurse bënin dikur, por e thonë kurdo që u vjen rasti në biseda të përditshme.
Në Shqipëri po ashtu një pjesë e qarqeve intelektuale e artistike asnjëherë nuk ngurruan e nuk ngurrojnë ta lavdërojnë kohën e Titos. Natyrisht edhe në Tiranë, sikurse në Prishtinë, lobi serb është shumë i fuqishëm, në mediet elektronike e të partitë. Duke i dëgjuar apo duke debatuar me ta të mbërthen dëshpërimi. Athua nuk e njihnin pozitën e shqiptarëve në ish Jugosllavi? Nuk duan ta njohin kohën e vuajtjeve të bashkëkombësve të tyre? Apo aq u bën, mjafton që ata e patën mall Jugosllavinë, ndërsa ai mall nuk iu hoq as sot e kësaj dite, megjithëse Jugosllavia vdiq.
Brezi i vjetër i nipërve të Enver Hoxhës, mund të kuptohej pse kanë nostalgji për Jugosllavinë dhe pse nuk i urrejnë serbët (komunizmi i mësoi se nuk duhet të urrejnë popujt, por qeverisjen e keqe), por është e pakuptueshme prej nga nostalgjia e brezit të ri për Jugosllavinë e servilizmi për serbët. Njëfarë Rigels Halili, i prezantuar kulturolog në “Radion Evropa e lirë”, në frymën e eunukut servil e mbron Jugosllavinë, e shtrembëron shëmtueshëm historinë e Kosovës e të territoreve etnike shqiptare, e kritikon nacionalizmin e Ismail Kadaresë, i cili në vitet e tetëdhjetë doli i vetmi shkrimtar në mbrojtje të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Duke u përpjekur t’u futet nën sqetull serbëve, R. Halili në mënyrë cinike përpiqet të na tregoj se ne nuk paskemi qenë të okupuar, por të barabartë në Jugosllavi. Dhe pastaj fillon elozhet për Jugosllavinë e për serbët. Në Shqipëri i duam serbët, në Kosovë i urrejnë, u lëpihet serbëve, ky eunuk nga Shqipëria. Turpin e bashkëkombësve të vet të cilët e ftuan në Tiranë këngëtarin shovinist G. Bregoviq, (i ka kënduar himn ushtrisë së Milosheviqit), apo Z. Çoliqin përpiqet ti nxjerr pozitive. Ish bashkiakun e Tiranës, E. Ramën e nxjerr dashamirë të serbëve që ia dha Bregoviqit çelësin e Tiranës, në vend që kryeministri i tashëm t’ia jepte çelësin e shtëpisë së vet. Meqë ky far Halili është i tredhur në tru, nuk e di, as nuk do ta dijë se jugosllavët vranë 50.000 shqiptarë të Kosovës për katër vjet. Apo aq i bënë? Opinionet e tij për Jugosllavinë “e popujve të barabartë” janë opinione të njëjta më ato të Enver Hoxhës, i cili pati komplekse të paskajshme inferioriteti ndaj jugosllavëve. Nipi i Enverit nuk dallon nga gjyshi.
Eunukët shqiptarë e mbrojnë me ngulmë Jugosllavinë e Turqinë, duke shkelur mbi interesat e kombit e shtetit të tyre. Janë qindra, mbase mijëra të tillë që s’prajnë si urith natën e ditën. Rrëmojnë themelet e shtetit e të kombit të tyre për interes të shteteve, të cilat rendojnë aq shumë mbi kombin tonë.
*Falenderojme autorin per bashkepunim me Diellin