Nga Shefqet Kërcelli*/
Gjithçka shqiptare, nga grosha e famshme, buka e përgatitur vetë e deri tek byreku me spinaq. Këto janë pjatat e preferuara në restorantin “Pravue” në Queens në SHBA, në pronësi të shqiptarit, Sead Duraku, që nga banorët njihet me emrin Sal. Duraku e inauguroi restorantin e tij korrikun e vitit të shkuar në Queens, një nga qytetet me popullsi më të madhe shqiptare në NYC. Prestigjiozja amerikane “The Neë York Times” i ka dedikuar shqiptarit një artikull të veçantë, pikërisht për groshën që përgatitet sipas traditës shqiptare. “Në derën e restorantit, Seadi ka vendosur një shqiponjë të zezë dy krenare, me krahët shtrirë në një fushë të kuqe. Një skemë që lidhet me luftën e fisnikëve shqiptarë në Mesjetë, që luftonin për liri nga perandoria otomane”, theksohet në artikull. Seadi e menaxhon restorantin me vëllanë e tij, Riza. Me origjinë nga Mali i Zi, familja Duraku emigroi në SHBA në vitin 1994, kur dy vëllezërit ishin ende fëmijë. Gazetari në shkrim e vet shpjegon mënyrën sesi gatuhet grosha sipas shqiptarëve, një supë e trashë me fasule, që zihet për orë të tëra e që shërbehet në pjata, me mish apo pa mish, sipas preferencave dhe sigurisht me bukë. Byreku, që serviret i prerë në formë të ndryshme, por sipas traditës shqiptare, është gjithashtu një nga ushqimet e preferuara, mes të cilave byrek me mish, me spinaq dhe qumësht. Pjata më e preferuar nga shqiptarët në Queens është tasqebapi, me lëng dhe mish, piper të kuq dhe kajmak. “Pravue” ndahet në dy dhoma të vogla, me tavolina dhe karrige modeste. Nuk mungojnë ëmbëlsirat shqiptare, mes tyre tollumbat. “The Neë York Times” rekomandon lexuesit, që të provojnë së paku një herë groshën e famshme shqiptare.
*P.S. Tashmë opinioni publik shqiptar, vecmas shqiptaro-amerikanët, e dinë se cdo arritje e tyre në cdo fushë, pasqyrohet gjerësisht fillimisht tek gazeta “Dielli”, pastaj vijojnë mediat e tjera…me një fjalë gatimet e cdo shqiptari në USA i shijojnë fillimisht lexuesit e “Dielli-t”.Percilleni informacionin e restorantit apo biznesit tuaj ne Gazetn Dielli. Na shkruani ne emaili: gazetadielli@gmail.com
Kosovë-Maqedoni, dy marrëveshje
-Zëvendëskryeministri kosovar Thaçi: Marrëveshja me Maqedoninë për kalimin e kufirit me letërnjoftim, lehtësim për qytetarët dhe bizneset/
-Ministri i Jashtëm maqedonas Poposki nënvizoi se është në interes të Maqedonisë që të ketë Kosovën si një fqinj stabil dhe prosperues/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 8 Shkurt 2016/ Në Prishtinë, sot, zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur për një takim bilateral ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Nikolla Poposki, me të cilin kanë nënshkruar marrëveshjen ndërshtetërore për kalimin e kufirit me letërnjoftim dhe për hapjen e vendkalimit të ri kufitar Stançiq-Bellanoc.
Pas takimit, zëvendëskryeministri Thaçi u shpreh se ky është një moment i ri për të dy shtetet, duke potencuar se nga këto marrëveshje do të përfitojnë qytetarët dhe bizneset nga Kosova dhe Maqedonia dhe se ato do të ndikojnë në afrimin dhe rritjen e shkëmbimit të përvojave në mes të rinjve të të dy vendeve, në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe se do t’ua lehtësojnë qytetarëve të dy vendeve vizitat e ndërsjella familjare.
Në konferencën për shtyp të zhvilluar pas takimit, zëvendëskryeministri Thaçi dhe ministri i Jashtëm maqedonas Poposki deklaruan se tani u mbetet grupeve punuese respektive të finalizojnë detajet para hyrjes në fuqi të marrëveshjeve gjegjëse në një të ardhme të afërt.
Thaçi tha se prioritete të Kosovës janë bashkëpunimi me vendet fqinje për paqe stabilitet në rajon, si dhe integrimi i gjithë Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO.
“Kosova dhe Maqedonia ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta euroatlantike, prandaj do jemi partnerë në përpjekjet tona për t’iu bashkuar organizatave dhe mekanizmave kyçë perëndimore. Po punojmë në jetësimin e projekteve infrastrukturore, por edhe në ato në fushën e energjisë për të cilat kemi diskutuar në kuadër të Procesit të Berlinit”, theksoi Thaçi.
Zëvendëskryeministri Thaçi tha se Maqedonia është partner i rëndësishëm për Kosovën, si në rrafshin ekonomik ashtu edhe në atë politik, duke shtuar se ndërtimi i autostradës Prishtinë-Shkup do të lidhë dy vendet edhe më mirë dhe më shpejtë.
“Është në interes të rajonit, pra edhe të Kosovës, që Maqedonia sa më parë të bëhet pjesë e NATO dhe që i tërë rajoni të vazhdojë me hapa të sigurtë drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Thaçi. Ai nënvizoi se Kosova e mbështet zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
Zëvendëskryeministri Thaçi shtoi se shteti kosovar mbetet i përkushtuar për paprekshmërinë e kujfive, do të thellojë bashkëpunimin me Shkupin zyrtar për luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit, si dhe se Kosova mbetet e gatshme të ndihmojë përballë sfidës së fluksit të refugjatëve, nëse një gjë e tillë do të jetë e nevojshme.
Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Nikolla Poposki theksoi se Maqedonia dhe Kosova gëzojnë marrëdhënie të hapura dhe të përzemërta tradicionale. Poposki tha se pret që marrëveshjet e nënshkruara sot të shoqërohen më bashkëpunim edhe më intensiv në projekte të ndryshme në fushat e ekonomisë, arsimit, shkencës, sigurisë, infrastrukturës dhe kulturës, dhe se do të punohet që të sigurohen fonde nga Bashkimi Evropian dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë financiarë. Ministri i Jashtëm maqedonas Poposki nënvizoi se është në interes të Maqedonisë që të ketë Kosovën si një fqinj stabil dhe prosperues.
Kosovë-Liderët ritheksuan qëndrimet e mëparshme
-Në Presidencë, në tryezën e përbashkët të dialogut ishin liderët e dy partive më të mëdha të maxhorancës së koalicionit qeverisës, i LDK – kryeministri Isa Mustafa dhe i PDK – zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, dhe në këtë përpjekje të tretë të Presidentes që nga fundvera 2015, sot për herë të parë ishte edhe një nga tre liderët e opozitës, kryetari AAK-së, Ramush Haradinaj/
-Derisa nuk ishin së bashku sot në tryezën te Presidentja Jahjaga, tre subjektet opozitare dje kanë bërë një deklaratë të përbashkët, ku theksojnë se “më 17 shkurt edhe një herë qytetarët e Kosovës do të bashkohen në një protestë mbarëqytetare”/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË,8 Shkurt 2016/ Nuk ka ndonjë marrëveshje, liderët ritheksuan qëndrimet e mbajtura deri tash, edhe pasi Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga zhvilloi sot në mëngjes një takim të përbashkët me drejtuesit e subjekteve politike parlamentare, për të diskutuar tejkalimin e gjendjes së krijuar në vend. Në tryezën e përbashkët të dialogut ishin liderët e dy partive më të mëdha të maxhorancës së koalicionit qeverisës, i LDK – kryeministri Isa Mustafa dhe i PDK – zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, dhe në këtë përpjekje të tretë të Presidentes që nga fundvera 2015, sot për herë të parë ishte edhe një nga tre liderët e opozitës, kryetari AAK-së, Ramush Haradinaj. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të subjekteve politike të komuniteteve pakicë.
Në Presidencë kanë shkuar në takim edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie, si edhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.
“Takimi i sotëm te Presidentja, me pjesëmarrje të një prej liderëve të opozitës, ishte një zhvillim i ri, derisa situata e “ngrirë” e Kuvendit të Kosovës me bllokime nga opozita që prej fundverës 2015 vazhdon edhe këtë dimër dhe drejt pranverës.
Në dy përpjekjet e deritashme, të vitit 2015, për t’i ulur në një tryezë dialogu pozitën e opozitën, së pari në tetor, e pastaj në dhjetor presidentja e Kosovës, ka zhvilluar vetëm takime të veçanta.
“Ajo që na ndan është shumë më e vogël përballë asaj që na bashkon”, shprehej në 4 dhjetor 2015, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke njoftuar në konferencë shtypi se një ftesë zyrtare u kishte dërguar atë ditë drejtuesve të tre partive opozitare për një takim, i cili nuk ndodhi.
Në 22 janar 2016, Kryesia e Kuvendit të Kosovës mbajti mbledhjen e parë për sesionin pranveror, në të cilën ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, por nuk u përcaktua ndonjë datë për seancë plenare. Ndërsa Kuvendin e Kosovës e presin shumë punë, përfshirë zgjedhjen e presidentit të Republikës, pasi presidentes aktuale i kalon mandati pas dy muajsh, në 6 prill, e sipas Kushtetutës “zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”.
Opozita, e cila ka kërkesë edhe zgjedhjet e parakohëshme, ka ritheksuar se “thirrja eventuale e seancave plenare nuk i kontribuon zgjidhjes së krizës politike”, ndërsa ka paralajmëruar protestën e ardhëshme për në ditën e festës së 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës -17 shkurt, në Prishtinë.
Në 9 janar 2016, në protestën në Prishtinë, kundër qeverisë, sipas opozitës ishin rreth 100 mijë pjesëmarrës, ndërsa sipas Policisë së Kosovës ishin 8 mijë. Më parë, në ditën e festës së 28 nëntorit 2015, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës.
Derisa nuk ishin së bashku sot në tryezën te Presidentja Jahjaga, tre subjektet opozitare dje kanë bërë një deklaratë të përbashkët, ku theksojnë se “më 17 shkurt edhe një herë qytetarët e Kosovës do të bashkohen në një protestë mbarëqytetare” dhe se “zgjidhja janë zgjedhjet, jo thjesht për të ndryshuar fytyrat, por për të ndryshuar një herë e mirë mënyrën e të bërit qeverisje”.
Në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015 me Serbinë, veçmas asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, tre subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë dhe Nisma, me gjithësej 31 deputetë në parlamentin 120 anëtarësh, kanë organizuar protesta, aksione simbolike e manifestime, si dhe kanë bllokur Kuvendin e Kosovës edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën e seancave plenare e jashtë saj, ndërsa në këto zhvillime kishte edhe të arrestuar, përfshirë 13 deputetë opozitarë, të cilët ndërkohë janë liruar.
Mjeshtri Ibrahim Kodra do të prehet në Memorialin në Kodrat e Liqenit
Fondacioni “Ibrahim Kodra”, Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës plotësojnë vullnetin e fundit të Mjeshtrit, Ibrahim Kodra, “Nder i Kombit” i cili do të prehet në Memorialin në Kodrat e Liqenit, pranë figurave të nderuara të kombit, Faik Konica, Vëllezërit Frashëri.
Në një njoftim për mediat, ministria e Kulturës bën të ditur eshtrat e artistit Kodra do të vendosen në një vendndodhje që do të vizitohet nga bashkatdhetarë të shumtë të tij.
Në njoftim sqarohet se pranë Ministrisë së Kulturës është depozituar kërkesa e Behgjet Pacolli dhe Fatos Faslliu, kryetarë të Fondacionit “Ibrahim Kodra” në Lugano dhe në Durrës, lidhur me plotësimin e vullnetit të fundit të vetë piktorit të madh me titull “Nder i Kombit”, Ibrahim Kodra që të prehej në Tiranë, në një vendndodhje ku të vizitohej nga bashkëatdhetarë të shumtë të tij. Ky vullnet i artistit Kodra, si pasojë e një moskoordinimi, nuk u plotësua dhe eshtrat e tij sot prehen në Ishëm të Durrësit.
Vënia në vend e amanetit të Mjeshtrit kryhet me rastin e 10-vjetorit të ndarjes nga jeta. Në koordinim me Bashkitë Tiranë dhe Durrës janë marrë të gjitha masat për të realizuar ceremoninë e nderit, që do të mbahet në Kodrat e Liqenit Artificial, me pjesëmarrjen e personaliteteve më të larta të vendit.
Ministria bën të ditur se Memoriali i vendosur në Ishëm në varrezën aktuale të Maestro Kodrës do të qëndrojnë në Ishëm dhe do të plotësohet me një pllakë përkujtimore ku do të shkruhet: ISHMI ËSHTE KRENAR PËR BIRIN E VET, PIKTORIN E MADH, NDERIN E KOMBIT IBRAHIM KODRA (1918-2006), QË TANI PREHET SIPAS VULLNETIT TË TIJ TË MBRAMË NË TIRANË, PRANË FIGURAVE TË SHQUARA TË KULTURËS KOMBËTARE.
Gjithashtu vënia e kësaj pllake përkujtimore do të shoqërohet me një ceremoni zyrtare nderimi.
Ministria e Kulturës, në mbështetje të vullnetit të fundit të Mjeshtrit Ibrahim Kodra, piktorit me famë botërore , është e mendimit se memoriali i tij i vendosur në krah të figurave të mëdha të kombit shqiptar si Faik Konica, Vëllezërit Frashëri nderon figurën e madhe të Kodrës si dhe do të nderonte shtetin shqiptar në plotësimin e këtij vullnet.
Ky Memorial në nder të tij është respekt i emrit, kontributit, dashurisë për figurat e vyera të kulutrës shqiptare të cilët kanë lartësuar emrin e kombit në nivele ndërkombëtare.
Eshtrat e Mjeshtrit Ibrahim Kodra do të pushojnë në Kodrat e Liqenit, në datën 12 shkurt, sipas amanetit të tij të fundit.(ATSH)
Shkodrani 14 vjeçar, mirëmbajtës i rrjetit të Facbook-ut?
Facebook i beson mirëmbajtjen e rrjetit, shkodranit 14 vjeçar Nilidon Pepushaj/
PRISHTINË, 8 Shkurt/ATSH/.- Një fëmijë i zakonshëm është Nilidon Pepushaj, 14 vjeçari shkodran që dëshira për të krijuar dita-ditës po e bënë të veçantë. Pepushaj ka aftësi të mëdha në përdorimin e kompjuterit, aq sa stafi i rrjetit më të madh social, Facebook, e ka vënë atë në listën e njerëzve të besuar dhe tashmë ai ka qasje në mirëmbajtjen e këtij rrjeti.
Pepushajt i është kërkuar nga Facebook që të mbyllë faqet jo-reale. Programet kompjuterike edhe aftësinë e tij për t’i zotëruar ia dedikon profesorit të tij, Arben Çokaj dhe librave të tij. 14 vjeçari shkodran përdor programet e fundit hollivudiane për krijimet e tij kompjuterike, të cilat i publikon në kanalin e tij në youtube.
“Unë kam kanalin në youtube ku hedh video dhe shpjegoj probleme kompjuterike. Profesori Arben Çokaj më ka ndihmuar shumë. Dy librat që ai ka botuar janë tepër të vlefshme”, ka thënë Nilidon Pepushaj, njofton Oranews.
Gjithashtu është shpërblyer nga youtube, ku edhe ka përfituar pagesë për të cilat paguan edhe taksa. Pasioni i Nilidonit 14 vjeçar, nuk është vetëm bota kompjuterike. Letërsia zë gjithashtu një vend të veçantë në kohën e tij. Ai ka botuar tre libra deri tani dhe është në botim të katërtit.
‘Zoti i zi në Shtëpinë e Bardhë’ është botimi i parë i tij i frymëzuar nga filmat vizatimorë. Botim i dytë është romani ’15 minuta lojë me kohën ‘
Lirikën e ka shfaqur në vëllimin me poezi të titulluar ‘Qesh e Qaj me mijëra djaj’. Një libër i tij i preferuar është edhe një libër i presidentit amerikan,Barack Obama, i cili ka lënë shenjë në memorien e Nilidonit për triumfin e tij si njeriu më i fuqishëm në botë. Një libër që do t’ua sugjeronte fëmijëve të moshës së tij është Tom Sojeri.
Rasti i Nilidon Pepushajt nga Shkodra është një rast i veçantë për të gjithë fëmijët shqiptarë, po ashtu edhe një rast frymëzues, se si me punë dhe dëshirë mund të arrish shumë sukses.
Nilidon Pepushaj është një 14 vjeçar nga Shkodra. Ai vazhdon klasën e tetë në shkollën jopublike të quajtur ‘Zemra e Krishtit’.