• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Visar Zhiti, “Anëtar Nderi” i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

November 6, 2020 by dgreca

Nga Adnan Mehmeti*\ Që nga dita e parë e krijimit, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë i ka ngjarë një familje të madhe dhe të gëzuar. Kemi ndier gëzimin e veprave të secilit anëtar dhe shumë herë kemi bërë dhe festa me ditëlindjet e këtyre veprave. Kemi ndjekur sukseset e njëri-tjetrit me emocionin e një familjari. Jemi njohur me veprat e atyre shkrimtarëve që nuk jetojnë më. 

     Pjesë e kësaj feste të përhershme në të cilën të vë krijimtaria e secilit që i flet brezave, jemi bërë vlerësuas të krijimtarisë së atyre autorëve shqiptarë që kanë kaluar me veprën e tyre kufijtë gjeografikë. Me këtë ndjesi të bukur kemi ndjekur edhe krijimtarinë e shkrimtarit Visar Zhiti. Ai tani jeton në atdheun tonë të dytë, në Amerikë, dhe ndajmë ajrin, krijimtarinë dhe dëshirat me anëtarët e Shoqatës. 

Kryesia e Shoqatës e mirëpret dhe e shpall “Anëtar Nderi” poetin disident Visar Zhiti

     Ne jemi duke jetuar në këtë pandemi që paralizoi gjithë botën, por si krijues vazhdojmë të krijojmë në mënyrë vetjake. Dëshira për të zhvilluar një ceremoni për këtë nder dhe për atë që ai ka bërë dhe bën për fjalën e bukur dhe të lirë shqipe në mbarë botën për dorëzimin e dekorimit “Anëtar Nderi, është mjaft e madhe. Është obligim i madh, por që nuk mund të realizohet për arsye të pandemisë.

     Megjithatë, Visar Zhiti, ky vigan i madh i letrave shqipe, në vend të një takimi të përbashkët do të ndajë dashurinë me secilin anëtar të Shoqatës me krijimtarinë e tij të pasur letrare.

     Në pamje të parë quhet nderi i madh për atë që e merr këtë dekoratë mirënjohjeje, por në rastin e këtij shkrimtari tepër të dinjitetshëm, është më se e qartë se është nderi ynë që e kemi mes nesh, që na bën të frymojmë me fjalën e tij të ngrohtë, të bukur, të vërtetë. Si të kishim një diell që mezi e presim që të gdhijë në një agim tjetër. Ai është nga ata poetë që kapërcejnë jo vetëm kufij vendesh, po edhe kufij kontinentesh.

     E Amerika ku e shtrin aktivitetin e saj krijues edhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është Shtëpia e shkrimtarëve, ku vlerësohet fjala e tij e bukur, e ngrohtë, me një art tepër origjinal të rrëfimit. Ai quhet në kuptimin e plot të fjalës “Poeti i lirisë”, me një shpirt të butë e të gjerë. 

     E në cilin vend më shumë se në Amerikë që ka kurorën më të ndritshme të lirisë, mund të kuptohet, të besohet e të shpërndahet fjala e tij më mirë?

     Për shkrimtarët shqiptaro-amerikanë ai është një zë i fuqishëm, një model i përkryer i artit që ka vetëm të ardhme që shpesh ngrihet mbi sakrificat e së kaluarës.

     Nder përjetë penës së shkrimtarit Visar Zhiti!

     Mirë se vjen në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, i dashur Visar Zhiti!    

Shënime biografike për Visar Zhiti

     Visar Zhiti është një nga shkrimtarët më të njohur bashkëkohorë të letrave në gjuhën shqipe, që lëvron poezinë, prozën, esenë, po kështu edhe gazetarinë dhe përkthimin. 

     Është biri i një mësuesi, aktori e dramaturgu, Hekuran Zhiti, nga Tomorrica, atje ku lartësohet Olimpi i shqiptarëve. Babai i tij ishte dënuar si nacionalist, duke ia ndërprerë krijimtarinë e tij. Poezitë e tij, satirat, komeditë dhe dramat u botuan postume, mbas rënies së perandorisë komuniste.

Nëna e Visarit, Resmija, vinte nga një familja e madhe kolonjare, Fama ose Shahu, nacionalistësh, që u përndoq dhe u dënua nga regjimi komunist në Shqipëri, nga që kishte dhe të ikur në SHBA.

     Visar Zhiti lindi dhe u rrit në Durrës, qytet buzë detit Adriatik. Gjimnazin e kreu në qytetin e Lushnjës, vend dhe internimesh, ku kishte dhe shumë familje nga Kosova.                 

     Më pas u diplomua për Gjuhë dhe Letërsi në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës dhe nisi të botojë poezitë e para në shtypin letrar të kohës dhe dorëzojë për botim përmbledhjen “Rapsodia e jetës së trëndafilave”. 

     U emërua mësues në fshatrat e Kukësit, jo shumë larg kufirit shtetëror me Kosovën. 

     Visar Zhiti kritikohet ashpër për poezitë e tij, deri dhe në Komitetin Qendror nga udhëheqja komuniste, arrestohet, në gjyq e akuzojnë për poezitë e tij “të trishta dhe kundër realizmit socialist”. Në akuzën e tij është se ai dëgjonte fshehurazi dhe radiot “Zëri i Amerikës”, “Radio Vatikani” dhe “Radio Prishtina”, etj. E dënojnë me 10 vjet burg, me heqjen e të drejtës së botimit dhe të drejtës elektorale. 

     Visar Zhiti edhe në burg, ku ishte e ndaluar, krijoi poezi me mend, ndërsa në kampet-burg të Spaçit dhe të Qafë Barit, në kushte të tmerrshme brenda telave me gjemba, teksa punonin si skllevër në miniera, i shkruante fshehurazi nëpër fletoret, që të burgosur të tjerë i ndihmonin t’i fshihte ose i mësonin dhe përmendësh.

     Ai ishte në revoltën e të burgosurve politikë në Qafë-Bari, të cilën do ta përshkruajë në një nga veprat e tij të mëvonshme. 

     Visar Zhiti arriti të nxjerrë të fshehura nga burgu gati të gjithë poezinë e tij.

     Pasi lirohet, punon si punëtor krahu në fabrikën e tullave në Lushnjë, ku kishte dhe familjen.

     Ndërkaq në dosjen e Visar Zhitit është dhe dokumenti që ai nuk pranoi të ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, policisë sekrete të diktatues, megjithë pasojat e renda që do të kishte, duke pritur dënimin e ri.

     Kur nisën protestat dhe lëvizjet për demokratizimin e vendit, rreshtohet me të parët dhe bëhet gazetar në organin e parë të shtypit opozitar, ku artikujt e tij u vlerësuan për forcën, drejtësinë, frymën paqësore dhe dhimbjen. 

     Ndërkaq në vitet ’90 ai nis të botojë nga krijimtaria e tij, edhe poezi të burgut, tregime, romane dhe ese. 

     Pas vendosjes së demokracisë në vend, Visar Zhiti ka punuar dhe si drejtor në shëpinë botuese “Naim Frashëri”, atje nga ku i erdhi denimi, në Parlament, ndërkohë është zgjedhur dhe deputet, ka qene Ministër i Kultures, ka punuar në diplomaci, 2 herë në ambasadën e Shqipërisë në Itali, pastaj në Selinë e Shenjtë në Vatikan  dhe së fundmi në Washington, SHBA. 

     Vepra letrare e Visar Zhitit u vlerësua menjëherë nga lexuesi dhe kritika letrare për befasinë dhe guximin artistik, për të vërtetën që mbart, për gjuhën e gjallë, nivelin e lartë artistik, me metafora e kumbime, për imazhet sa tronditëse, po aq dhe magjepsëse, ku gërshetohen realizmi i ashpër me fantazinë, e përditshmja dhe kohët, tragjizmi dhe grotesku, shpresa dhe besimi tek njeriu, dashuria e pafund, dhembja dhe gëzimi i jetës plot me dritëhije dhe mister, gjithmonë me mesazhe paqeje. 

     Të gjitha çmimet letrare më të larta që jepen në Shqipëri për poezinë, prozën dhe esenë, etj, iu dhanë veprës së Visar Zhitit, por dhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi. Libra të Visar Zhitit nisën të përkthehen dhe në gjuhë të huaja dhe u vlerësua me çmime letrare dhe jashtë vendit. 

Visar Zhiti ka botuar librat: 

me poezi: 

1. “Kujtesa e ajrit”, Tiranë, 1993 

2. “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”, Tiranë, 1994 

3. “Mbjellja e vetëtimave”, Shkup, 1994 

4. “Dyert e gjalla”, Tiranë, 1995 

5. “Kohë e vrarë në sy”, Prishtinë, 1996 

6. “Si shkohet në Kosovë”, Tiranë, 1999 

7. “Thesaret e frikës”, Tiranë, 2005 

8. “Nënë Tereza mes shqiptarëve”, Album me poezi e foto, Tiranë, 2012 

9. “Si është Kosova”, Prishtin”, 2014

10 “Të rritesh nga dashuria”, Tiranë, 2018

prozë: 

11. “Këmba e Davidit”, tregime, Tiranë, 1996  

12. “Funerali i pafundmë”, roman, Tiranë, 2003 

13. “Djali dhe legjenda”, tregim (shqip, maqedonisht, anglisht), Tiranë, 2004 

14. “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”, roman, Tiranë, 2004 

15. “Në emër të a(r)tit”, ese, intervista, Shkup, 2006 

16. “V.V. & një vrasje e munguar”, biseda, portret, poezi, Tiranë, 2006 

17. “Shekull tjetër”, tregime, Tiranë, 2008 

18. “Në kohën e britmës”, roman, (dy botime), Tiranë, 2009 

19. “Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar”, sprovë, Tiranë, 2010  

20. “Rrugët e ferrit”, roman, ribotim i plotësuar, Tiranë, 2012 

21. “Ferri i çarë”, roman, ribotim i plotësuar, 2012  

22. “Valixhja e shqyer”, ribotim i plotësuar, tregime, Tiranë, 2016

23. “Si na erdhi ai, i ndaluari…”, Tiranë, 2017

24- “Kartelat e Realizmit të dënuar”, sprovë (në shtyp), Tiranë, 2020

Vepra e Visar Zhitit e përkthyer: 

në anglisht: 

25. “The condemned apple”, poezi, Los Anxhelos, SHBA, 2005 

 në italisht:

26. “Croce di carne”, poezi, Oxiana, 1997 

27. “Dalla parte dei vinti”, poezi, D’Agostino, 1998 

28. “La vita”, poezi, Pulcino Elefante, 1998

29. “Passeggiando all’indietro”, tregime, Oxiana, 1999                                               30. “Confessione senza altari”, poezi, (shqip dhe italisht), Diana Edizione, 2012 

31. “Il visionario alato e la donna proibita”, romanzo, Rubbetinno, 2014                                                  32. “Dov’e’ la vita?” (shqip dhe italisht), Poesie, Pazini, 2016                                                            33. “Il funerale senza fine”, Rubbetinno, 2017                                                        34. “La note é la mia patria”, (shqip dhe italisht) Pazini, 2018

          në maqedonisht: 

35. “Бoc и лyд”, poezi, Shkup, 2001 

në kroatisht: 

36. “Izabrane pjesme”, poezi, Zagreb, Kroaci, 2010 

në serbisht:

37. “Kisha mog lica”, poezi, Beograd, 2019

           në rumanisht: 

38. “Psalm”, poezi, Bukuresht, 1997 

39. “Funeralii nesfarsite”, roman, Bukuresht, Rumani, 2008                                                

40. “Aripa Franta/ Flatra e mundur”, (shqip dhe rumanisht), Bukuresht 2018                                  41. “Cortegul fara sfarsit”, roman, ribotim “A” Bukuresh, Rumani, 2020

      Ka përkthyer në shqip:                                                           42. Mario Luzi, “Fati i ditës”, poezi  

43. Nënë Tereza, “Takohemi nëpër lutje”, poezi  

44. Federico Garsia Lorka, “Ballkon i hapur”, poezi 

45. Nënë Tereza, “mërmërimë shenjtoreje”, lutje-poezi 

46. Isikava Takuboku, “Poezi e shkruar nëpër gurë”, tanka 

47. Sebastiano Grasso, “Ti në grackë në qepalla”, poezi 

48. Adonis, “Iluzioni i hapave të mi”, poezi,                                               49. Evgeni Jevtushenko, 33 poezi “Si na erdhi ai, i ndaluari…”

     Poezitë e Visar Zhitit janë futur në tekste shkollash, në antologji të huaja dhe në gjuhët frengjisht, gjermanisht, polonisht, holandisht, greqisht, hebraisht, flaminge, arabisht, serbe, malazeze, boshnjake, kroate, kinezçe, etj.

Çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare: 

1. Leopardi d’oro, Milano, 1991 

2. Racconta il tuo Dio, Milano, 1992 

3. Çmimi Kombëtar – për veprën më të mirë në poezi, Tiranë, 1994 

4. Velija – Çmimi mbarëkombëtar për letërsi, Tiranë, 1995 

5. Gaetano Salveti, Romë, 1997 

6. Ada Negri, Lodi Vecchio, 1998 

7. La cultura del mare, San Felice Circeo, 1999 

8. Premio alla carriera, Romë, 2000                                                               9. Naim Frashëri, Tetovë, Maqedoni, 2001 

10. Kalimerja, Ulqin, Mali i Zi, 2002 

11. Çmimi i parë i poezisë, Gjakovë, Kosovë, 2003 

12. Penda e argjendtë, për romanin më të mirë të vitit, 2003 

13. Asdreni, Korçë, 2005 

14. Libri më i mirë i Panairit të Shkupit, 2007 

15. Premio Internazionale “Mario Luzi”, Romë, 2007 

16. Shkrimtari i vitit, Tiranë, 2008 

17. Çmimi letrar “Beqir Musliu”, Gjilan, Kosovë, 2009 

18. Mirënjohje, Rozhajë, Mali i Zi, 2012. 

19. Çmimi i Madh i Letërsisë, Tiranë, 2012 

20. Çmimi “Kurora e poezisë”, Korçë, 2014 

21. Çmimi “Azem Shkreli”, Pejë, Kosovë, 2015

22. Çmimi “Ali Podrimja”, Gjakovë, Kosovë, 2015

23. Linguaggio dell’anima, Roma, 2016

24. Çmimin e Karrierës në poezi, Como, Itali, 2019

25. çmimi “Dega e Ullirit”, Panairi i Librit në Ulqin, Mali i Zi, 2019

     Visar Zhiti ka marrë pjesë në shumë takime kombëtare dhe ndërkombëtare kulturore si dhe në festivale botërore poezie, ku ka përfaqësuar vendin si në Itali, Greqi, Francë, Rumani, Maqedoni, Mal të Zi, Austri, etj, si dhe është ftuar nga universitete të ndryshme në Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Romë, Napoli, Milano, Paris, Vatikan, etj. 

     Në SHBA, në vitin 2013, u thirr nga “The Freedom House” në takim e gjerë me diasporën dhe jo vetëm, në veprimtarinë simbolike “Gjyqi i Nju Jorkut”, kundër diktaturës komuniste, ku në qendër kishte veprën e tij për burgjet.

     Ka dhënë disa intervista në “Zërin e Amerikës”, ndërsa libra të tij janë dhe në Bibliotekën e Kongresit Amerikan. 

     Është anëtar nderi i Festivalit Ndërkombëtar “Ditët e Naimit” të Tetovës në Maqedoni. 

     Është anëtar i Akademisë Internacionale të Arteve të Bukura, të Letërsisë dhe Shkencës “Alfonso Grassi” në Itali dhe anëtar i Akademisë Europiane të Arteve, po kështu është anëtar i PEN Klubit në Itali. 

     Emri i Visar Zhitit është i përfshirë në enciklopedi dhe në Fjalor Enciklopedik në Shqipëri, në Enciklopedinë e njohur Piccolo Treccani-Itali, në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, etj. 

     Tani jeton në SHBA, në shtetin Illinois, shkrimtar në liri të plotë.

Me një grup anëtarësh të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë 

(Foto nga Beqir Sina, 2013)

Visar Zhiti dhe Adnan Mehmeti (Foto nga Beqir Sina, 2013)

Filed Under: Komunitet Tagged With: Adnan Mehmeti, Anetar Nderi, shoq e shkrimtareve, Visar Zhiti

VATRA BESON SE AGRESORI NUK DO TË BARAZOHET ME VIKTIMËN

November 5, 2020 by dgreca

DEKLARATË E FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS “VATRA”\

             New York, 5 nëntor 2020- Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA” po ndjek me vëmendje dhe shqetësim situatën që po kalon Republika e Kosovës dhe institucionet e saj pas konfirmimit të aktakuzave nga Dhomat e Specializuar në Hagë për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarin e  PDK Kadri Veseli, ish kryetarin e Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi dhe personave të tjerë nën akuzë. Vatra e vlerëson pozitivisht dorëheqjen e Presidentit Hashim Thaçi si dhe delegimin e kompetencave tek ushtruesja e detyrës së presidentit, Dr. Vjosa Osmani.

             Vatra e shqiptarëve të Amerikës e ndjen për obligim Kombëtar, që t’i bëj thirrje aktorëve politik në Kosovë që të forcojnë bashkëpunimin, të rrisin unitetin dhe të respektojnë institucionet shtetërore.                   Qytetarët e Kosovës duhet të ruajnë gjakftohtësinë dhe të besojnë se askush nuk mund të kriminalizojë ushtrinë e një populli që kërcënohej me gjenocid. I gjithë faktori shqiptar në Ballkan kërkohet të jetë i bashkuar dhe në një zë për çështjen tonë Kombëtare.

          Federata Vatra shpreh bindjen se të akuzuarit, ish drejtues të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të jenë në gjendje të mbrojnë kauzën e drejtë të Luftës për Liri  të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , aleate e NATO-s, kundër gjenocidit serb nën drejtimin e kriminelit Sllobodan Millosheviç dhe bashkëpunëtorëve të tij.

             Vatra i apelon Gjykatës Nderkombëtare të Hagës që të mos ushtrojë standarte të atilla hetimi e gjykimi, që barazojnë agresorin serb, që ushtroi gjenocid mbi popullin e pafajshëm dhe të pambrojtur shqiptar, –  dhe viktimën Kosovë, e cila luftoi për mbijetesë. Janë 1643 të pagjetur, varrhumbur, që ia kanë lënë të hapura plagët e Luftës popullit të Kosovës. Ku është Drejtësia. Përse nuk heton Gjykata e Hagës?

          Pasuesit e agresorëve në Serbi janë hedhur në ofensivë dhe ia kanë arritë të barazojnë agresorin me viktimën. Kjo është e padrejtë dhe e dhimbshme. Shqiptarët nuk sulmuan, por u mbrojtën. Falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve Perëndimor, u shmang katastrofa humanitare dhe spastrimi etnik,që kërcënonte popullin e Kosovës. Nuk kishte ndodhë që në kohën e nazizmit që të kryheshin masakra çnjerëzore, vrasje masive, djegie, përdhunime çnjerëzore, dëbim i dhunshëm i një populli të tërë, siç ndodhi me shqiptarët e Kosovës.

             Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA” shpreh bindjen se Qeveria e Kosovës do të jetë e aftë për të përballuar sfidat që i dikton situate e krijuar, dhe se të akuzuarit do të jenë të aftë të mbrojnë kauzën e  drejtë të Lirisë…

                                                                                  KRYETARI:ELMI BERISHA

Filed Under: Politike Tagged With: Deklarate e vatres, Gjykata e Hages, Vatra

ZGJEDHJET NE SHBA-Shtetet kyçe vazhdojnë numërimin

November 5, 2020 by dgreca

Kandidati demokrat, Joe Biden, mori hov të madh në zgjedhjet presidenciale në SHBA pas parashikimeve për fitoren e tij në Miçigen dhe Uiskonsin. Megjithatë, numërimi i votave vazhdon në disa shtete kyçe, duke e lënë të paqartë rezultatin edhe dy ditë pas zgjedhjeve.

Me 16 votat elektorale të Miçigenit dhe 10 të Uiskonsinit, Biden ka 253 vota elektorale, përballë presidentit Donald Trump me 214 vota elektorale.

Fitimet në Arizona dhe Nevada – dy shtete të vëzhguara nga afër në mesin e atyre që ende numërojnë – do t’i jepnin Bidenit 270 votat e nevojshme elektorale.

Fitoret e Bidenit në Miçigen dhe Uiskonsin e lanë Trumpin, i cili i fitoi të dyja këto shtete më 2016, me më pak mundësi për të fituar.

Fushata e Trumpit, republikan, tha se do të kërkojë rinumërim të votave në disa qarqe të Uiskonsinit, edhe pse ekspertët zgjedhorë thonë se margjina e fitores normalisht është e vështirë për t’u kapërcyer në rinumërim.

Biden kryeson në Uiskonsin me 49.6 për qind, kundrejt Trumpit me 48.9 për qind. Një kandidat mund të kërkojë rinumërim nëse margjina e fitores është më pak se 1 për qind.

Pas parashikimeve për fitore në Miçigen, Biden tha se pret që t’i fitojë zgjedhjet.

“Pas një nate të gjatë të numërimit, është e qartë se do të fitojmë shtete të mjaftueshme, për të arritur 270 votat elektorale, të nevojshme për të fituar presidencën”, tha Biden.

“Nuk jam këtu për të deklaruar se kemi fituar, por jam këtu për të raportuar se kur numërimi të përfundojë, ne besojmë se do të jemi fituesit”, tha ish-zëvendëspresidenti 77-vjeçar, Joe Biden.

Xhorxhia dhe Pensilvania janë dy shtete të tjera që vëzhgohen nga afër e që ende vazhdojnë numërimin e votave. Trump është përpara në këto dy shtete.Fushata e tij, ndërkohë, nisi procese gjyqësore në Miçigen, Pensilvani dhe Xhorxhia, duke kërkuar ndalimin e numërimit të votave dhe qasje më të mirë të vëzhguesve të fushatës.Paditë u ngritën edhe pse nuk ka asnjë provë për keqbërje ose pasaktësi nga ana e zyrtarëve zgjedhorë.Dhjetëra mbështetës të zemëruar të Trumpit shkuan te qendrat e numërimit të votave në Miçigen dhe Arizona, ndërsa kundërshtarë të tij dolën në rrugë në disa qytete, duke kërkuar rezultat të plotë.“Ndaloni numërimin”, thërrisnin mbështetësit e Trumpit në Detroit të Miçigenit. “Ndaloni vjedhjen”, thërrisnin ata në Finiks të Arizonës.Forcat e rendit u rreshtuan për t’i penguar ata të hyjnë në zonën e numërimit të votave.Tensionet në Miçigen janë të larta tash e sa muaj.Në pranverë, protestuesit anti-qeveritarë mbanin hapur armë në kryeqytetin e shtetit, gjatë protestave kundër masave për frenimin e koronavirusit. Në tetor, gjashtë burra u arrestuan nën akuzat se kanë bërë komplot për të rrëmbyer guvernatoren demokrate, Gretchen WhitmerProtesta me thirrjet që secila votë të numërohet pati edhe në Nju Jork dhe Portland të Oregonit.

Guvernatorja e Oregonit, Kate Brown, thirri Gardën Kombëtare pasi u thyen dritaret gjatë një demonstrate në Portland.Fushata e Bidenit tha se ka avokatë të gatshëm për të kundërshtuar përpjekjet e presidentit për të ndaluar numërimin e votave në disa shtete.-Përgatiti: Valona Tela-RFL)

Filed Under: Featured Tagged With: Shtetet kyçe, USA, vazhdojnë numërimin, zgjedhjet

ANTON ÇETTA: PAJTIMTARI I TROJEVE SHQIPTARE –

November 5, 2020 by dgreca

  NË 100-VJETORIN E LINDJES-  

Nga Frank Shkreli -Javën që kaloi, qeveria e Republikës së Kosovës në një takim të radhës miratoi propozimin e paraqitur nga Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, (MKRS-ja), Zonja Vlora Dumoshi, që muaji Nëntor të jetë “Muaji i Anton Çetës”, pasi ky vit shënon 100-vjetorin e lindjes së Pajtimtarit të Kombit, 25-vjetorin e vdekjes së tij dhe 30-vjetorin e pajtimit të gjaqeve — kryesisht në Kosovë, por edhe në trojet e tjera shqiptare dhe në diasporë.  Qeveria e Kosovës vendosi që në kuadër të këtij muaji, kushtuar bacës Anton, të organizohen një numër aktivitetesh, sa vijon:  Do të bëhet përurimi i veprave të shumta të Anton Çettës.  Do të përurohet Kulla e Fazli Buqollit në Pejë ku thuhet se u realizua pajtimi i parë i gjaqeve. Do të hapet “Këndi i Anton Çettës”, një ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës, për jetën dhe veprimtarinë e këtij shqiptari të madh.  Radio Televizioni i Republikës së Kosovës është angazhuar se gjatë këtij muaji do të transmetojë emisione të ndryshme dokumentarësh dhe RTK-ja do prodhojë një dokumentar të ri mbi jetën, veprimtarinë akademike të Çettës dhe mbi pajtimin e gjaqeve. Për më tepër, në Prishtinë dhe në Tiranë do të mbahen simpoziume shkencore mbi Anton Çettën dhe në Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe në Muzeun Historik të Tiranës do të ekspozohen fotografi nga veprimtaria dhe tubimet e pajtimit të gjaqeve.  Gjatë këtij muaji, autoritetet kompetente të Kosovës kanë vendosur të themelojnë edhe “Çmimin Anton Çetta”, në nder dhe përkujtim të Pajtimtarit të Kombit.

Në njoftimin e qeverisë së Republikës së Kosovës thuhet se propozimi i Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, u miratua pasi “Viti 2020 shënon 100-vjetorin e lindjes dhe 25-vjetorin e vdekjes së Prof. Anton Çettës, intelektualit të ndritur, mbledhësit të shquar të folklorit, shkrimtarit të njohur e pajtuesit të palodhur të gjaqeve. Njëkohësisht, viti 2020 shënon edhe 30 vjetorin e pajtimit të gjaqeve, kthesës historike mbarë popullore në Kosovë e jashtë saj, që i kontriboi zhdukjes së hasmërive dhe shërimit të shoqërisë shqiptare, e pajtimit mes njerëzve”, përfundon njoftimi i vendimit të qeverisë së Kosovës, që muaji i Nëntorit t’i kushtohet Prof. Anton Çettës.

Ndërkaq, nuk di se çfarë ka ndodhur me shtatoren e Anton Çetës në oborrin e Institutit Albanologjik ose në ndonjë vend tjetër në Prishtinë, në këtë përvjetor të lindjes së tij — aty ku ishte paraparë fillimisht të vendosej — e për të cilën kam shkruar në fillim të këtij viti.  https://telegraf.al/analize/frank-shkreli-gypat-qe-ndalojne-vendosjen-e-shtatores-se-anton-cetes-ne-prishtine/ Në atë kohë, disa media të Kosovës kanë shkruar se po zhvillohej një debat i ashpër mospajtimi për vendosjen e shtatores kushtuar Pajtuesit më të madh në historinë e shqiptarëve!  Sipas medias vendore, kundër vendosjes së shtatores së Anton Çettës në oborrin e Institutit Albanologjik, kishte dalë vet ky institut – anëtar i të cilit ishte dikur Anton Çetta.  Është vështirë të merret me mend se kush dhe pse do të ishte kundër vendosjes së shtatores së Anton Çettës në oborrin e Institutit Albanologjik Prishtinë, ose në ndonjë vend tjetër.  Nuk ishte e qartë nëse ishin “gypat” apo “qypat”, ata që pengonin vendosjen e shtatores së Profesor Anton Çettës në oborrin e Institutit Albanologjik Prishtinë, ose diku tjetër.     

Përditësim: sipas një lajmi të mire që posa më ra në dorë thuhet se në mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal të Prishtinës do të merrej vendimi për caktimin  e lokalicionit se ku do të vendoset shtatorja e Profesor Anton Çettës, si pjesë e aktiviteteve të muajit Nentor, kushtuar këtij njeriu të madh të Kombit. 

Në këtë ndërkohë, me gëzim mësova gjithashtu edhe lajmin se ish-Kryetarja e Parlamentit të Kosovës – sot Presidente e Republikës së Kosovës – Vjosa Osmani ka thenë se do të propozojë që shtatorja e Anton Çettës do t’i bënte nder Prishtinës dhe mbarë Kosovës po të vendosej në oborrin e Kuvendit Kosovës, për një atdhetar i cili, sipas saj,  bëri “të pamundshmen, në një kohë të pamundshme”.  Në postimin e saj, me rastin e 25-vjetorit të shkuarjes së tij në amëshim, Zonja Osmani shtoi se, “Ideja e tij për pajtim nuk ka marrë fund. Ëndrra vazhdon, teksa nevoja për pajtim e unifikim vjen e rritet në këto kohë të zorshme për vendin.  Ne nuk arritëm ende ta kemi një shtatore të tij të vendosur në një vend të denjë, ku mund të përkulemi e ta falënderojmë, që në vitet 90-ta, na ktheu shpresën, na mobilizoi e na bëri një rreth kauzës kombëtare.  Ndaj sot, dy dekada më pas një shtatore për Plakun e urtë do t`i bënte nder jo vetëm kryeqytetit, por gjithë Kosovës! Si Kryetare e Kuvendit, do t’i propozojë Kryesisë së institucionit më të lartë përfaqësues e legjislativ, që shtatorja e Anton Çettës të vendoset në oborrin e Kuvendit, pra në shtëpinë e përfaqësuesve të popullit, si figurë frymëzimi e pajtimi”, ka premtuar Zonja Osmani.

Bravo, pra Presidentes Osmani dhe Ministres së  Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe qeverisë së Kosovës për interesimin e tyre mbarë-institucional të shtetit, për të shënuar në mënyrë dinjitoze këto tre përvjetorë me rëndësi, në jetën dhe veprimtarinë e Anton Çettës, në nderim dhe kujtim të kësaj figure të ndritshme dhe historikisht të rëndësishme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë Kombin Shqiptar.

Aktiviteteve të lartëpërmendura të njoftuara më heret, thuhet se u parapriu, ditën e martë të kësaj jave, botimi i kompletit të veprave të Profesor Anton Çettës, vepra të cilat i prezantoi Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, MKRS-ja Vlora Dumoshi, në një takim që ajo zhvilloi me Ministren e Financave të Republikës së Kosovës, Hykmete Bajrami. Në njoftimtin e Ministrisë së Kulturës të Kosovës, thuhet se kompleti i veprave të Çettës—i sponsorizuar nga MKRS-ja dhe Qeveria e Kosovës — përmban gjithsejt 13 vëllime.  

Botohet kompleti i veprave të Anton Çettës, në 25-vjetorin e tij të vdekjes

       Botohet kompleti i veprave të Anton Çettës, në 25-vjetorin e tij të vdekjes

Aktivitetet e shumta në kujtim të Anton Çettës gjatë këtij muaji, po bëhen në bashkpunim midis Ministres së MKRS, Dumoshi dhe Ministres së Financave, Hykmete Bajrami të cilën Zonja Dumoshi e falënderoi për mbështetjen që i ka dhënë botimit të veprave të Anton Çettës.  Ministret Dumoshi e Bajrami e vlerësuan lartë figurën e Anton Çettës dhe u shprehën se përmes këtyre aktiviteteve Qeveria e Kosovës e nderon dhe e çmon figurën e tij.

Në përvjetorin e Anton Çettës, ministret Dumoshi e Bajrami qëndruan për homazhe tek varri i tij, në Prizren, së bashku profesor Rizah Krasniqin, si rikujtim dhe përulje për angazhimin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm për pajtimin e mijëra familjeve të hasmuara dhe në çrrënjosjen e dukurisë së keqe të gjakmarrjes.  “Aksioni për Pajtimin e Gjaqeve bëri që viti 1990 të futej në histori si viti kur kjo plagë do të zhdukej rrënjësisht. Si institucione të shtetit të Kosovës e kemi për obligim dhe detyrim që historinë e Kosovës ta kujtojmë dhe nderojmë brenda të gjithë mekanizmave institucionalë që posedojmë”, është shprehur Ministrja Dumoshi.


Qeveria e Republikës së Kosovës po bën të duhurën dhe sikur po lanë mëkatet e harresës dhe të mospajtimit në radhët e disave, për të kujtuar, më në fund, rolin e Pajtimtarit të Kombit, duke nderuar njeriun që përveç kontributeve të shumta në fushën e Albanologjisë dhe në fushë të tjera të shkencës e letërsisë, ka pajtuar me mijëra familje shqiptare në hasmëri, jo vetëm në Kosovë, por edhe në diasporë.  Një atdhetar i merituar — i cili sipas të ndjerit Prof. Zekeria Canës — një bashkpuntor i ngushtë i Anton Çettës — punoi aq shumë, “që gishtin e krimit t’a zevendësonte me dorën e pajtimit, ndër shqiptarët”.

Sot, më shumë se kurrë, shqiptarët kanë nevojë për pajtim – për pajtuesë dhe unifikuesë si Profesor Anton Çetta.  Kujtimi i tij qoftë gjithmonë i paharrueshëm në historinë e Kombit Shqiptar. Urime Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Zonjës Dumoshi dhe qeverisë së Kosovës, që më në fund, po i venë gjërat në vendin ku duhet duke nderuar dhe kujtuar jetën dhe kontributin e pazëvendësueshëm të Profesor Anton Çettës, në mbështetje të kauzës dhe unitetit kombëtar — këtij aktivisti të palodhur të çeshtjes kombëtare, të cilin Perëndia ia dërgoi Kombit në kohën kur kishte më shumti nevojë për bashkim e pajtim midis shqiptarëve.

Frank Shkreli

Botohet kompleti i veprave të Anton Çettës, në 25-vjetorin e tij të vdekjes
Botohet kompleti i veprave të Anton Çettës, në 25-vjetorin e tij të vdekjes

“Populli shqiptar është i mirë dhe bujar, por ka ra pre nën ndikimin e së keqes, është robëruar nga shumëkush dhe shumëçka, e ne, bijtë dhe bijat e tij, duhet ta “zgjojmë” nga kjo kllapi, ta lirojmë nga ky robërim dhe kushtëzim i traditës së keqe, e cila nuk është e jona, mbi të gjitha është shumë e dëmshme dhe vdekjeprurëse, sepse vëllain e shndërron në vrastar…”.(Anton Çetta)

               Tubimi tek Verrrat e Llukës në Maj të vitit 1990 ku morën pjesë rreth një gjysëm milion shqiptarë, përfshirë Heroin e Kombit, Adem Jashari, siç mund të shihet në këtë fotografi.

Anton Çeta me Prof. Zekeria Canën dhe Lush Gjergjin: “Synimi ishte i qartë: mposhtja dhe çrrënjosja e gjakmarrjes një herë e përgjithmonë, si parakusht qenësor për paqe dhe pajtim, për liri dhe demokraci, për një të tashme dhe ardhmëri më fatbardhë” (Dom Lush Gjergji).

        Konsiderohet si tubimi më i madh në historinë e popullit shqiptar, me rreth gjysëm milioni pjesëmarrës. “Pranvera e madhe e vitit 1990, me Pajtimin e Gjaqeve, me Shoqatën Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nëna Terezë”, me Luftën kundër Analfabetizmit, që shprehej me krijimin e sistemit paralel shkollor dhe shëndetësor, kishte vetëm një Protagonist: Popullin Shqiptar.  Një Prijës dhe Frymëzues: Prof. Anton Çetën.  Një qëllim dhe përcaktim: takimin, afrimin dhe bashkimin e mbarë popullit rreth një ideali: LIRISË DHE PAVARËSISË”. (Lush Gjergji, bashkpuntor i ngushtë i Anton Çetës)
Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova me Prof. Anton Çetën dhe Prof Zekeria Canën në kryeqendrën e LDK-së,1992

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cetta, Frank shkreli, Pajtimtari

NE PRITJE TE FITUESIT TE ZGJDHJEVE NE SHBA

November 5, 2020 by dgreca

Miçigani, një shtet vendimtar që do të ndihmojë në përcaktimin e fituesit në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, po vazhdon numërimin e “dhjetra mijëra” votave, sipas një zyrtareje të lartë të këtij shteti.

Në Detroit, ku vëzhgues të votimeve u ndaluan të hynën në sallën e numërimit të mërkurën pasdite, situata ishte a nderë.

Presidenti republikan Donald Trump e fitoi Miçiganin me një epërsi të lehtë në vitin 2016, por të mërkurën në mbrëmje organizatat kryesore të medias, parashikuan se demokrati Joe Biden kishte fituar në këtë shtet. Zoti Trump e ka bërë të qartë se do të luftojë për ta ndryshuar rezultatin atje.

“Ne e dimë se dhjetra mijëra vota nuk janë numëruar ende” në Detroit, Grand Rapids, Flint, Kalamazoo dhe qytete të tjera, tha Sekretarja e Shtetit, Jocelyn Benson në një konferencë shtypi të mërkurën në mëngjes.

Ajo tha se ishin pak më shumë se 100 mijë vota që kishin mbetur pa numëruar dhe pjesa më e madhe e tyre ishin vota me postë.

Me 99% të votave të numëruara, zoti Biden kishte një epërsi prej 60 mijë votash, sipas Detroit Free Press.

Zonja Benson tha në konferencën për shtyp se kishte besim se procesi i zgjedhjeve në këtë shtetit, mund ta përballonte një sfidë ligjore. Megjithatë, fushata e zotit Trump më pas depozitoi një padi, me anë të së cilës kërkonte numërimin në Miçigan, duke thënë se nuk ishte lejuar të vëzhgonin hapjen e votave.

Gjendja ishte e tendosir të mërkurën pasdite në qendër të Detroitit, ku zyrtarë të zgjedhjeve të qytetit ndaluan rreth 30 vetë, shumica republikanë që të hynin në sallën e numërimit të votave, për shkak të kufizimeve të kapacitetit për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Demokratët thanë se edhe ata ishin ndaluar. Një punonjës i votimeve i tha agjencisë Reuters se republikanët “po përpiqeshin të ngadalësonin dhe të pengonin numërimin”.

Policia e Detroitit u thirr për të zbatuar vendimin, dhe disa prej atyre që u ndaluan nga salla u acaruan kur zyrtarët e qendrave të votimit bllokuan dritaret me kuti picash dhe karton për të mos lejuar që ata të shihnin nga dritaret.

Shumë vetë qëndruan jashtë sallës duke shprehur protestën e tyre dhe duke kënduar “Zoti e bekoftë Amerikën”, ndërsa një grup i dytë i sfiduesve republikanë të zgjedhjeve të cilëve u ishte refuzuar hyrja u vendosën në një rreth për t’u lutur dhe brohorisnin “Ndalo votën” dhe “Ndalo numërimin “.

Greg King i fushatës Trump tha se problemi lindi kur njerëzit u larguan për drekë dhe nënshkruan se po dilnin. Kur u kthyen, kjo krijoi përshtypjen se kishte shumë njerëz në sallë.

Vëzhguesja demokrate e votimeve I Liz Linkewitz tha se edhe ajo dhe demokratët e tjerë ishin ndaluar, dhe kjo nuk ishte një çështje partiake.

“Jam shumë i zemëruar”, tha Sherman Rogers, 53 vjeç, një republikan i cili ishte midis atyre që u ndalua të hynte.

Një komisioner i zgjedhjeve të qytetit më vonë doli dhe shpjegoi se kontrolli i numrit të njerëzve në dhomë ishte i domosdoshëm për t’u mbrojtur nga koronavirusi, dhe kishte përfaqësues nga të dyja palët në sallë. Ai u largua pasi njerëzit vazhdonin të bërtisnin pa e dëgjuar.

Zonja Benson më herët tha se ajo ishte optimiste se shumica e votave të hedhura në ose para Ditës së Zgjedhjeve do të paraqiten në një numërim jozyrtar deri në fund të ditës.

“Numri i votave të panumëruara është akoma më i madh se diferenca e votave në shumë gara,” tha zonja Benson. “Qëllimi ynë është të sigurohemi se jemi transparentë, por edhe plotësisht të saktë.”

Padi ligjore nga ekipi i Presidentit Trump

Presidenti Donald Trump ndërmerr hapin e parë që mund të çojë në një betejë të zgjatur ligjore.

Në tre shtete kyçe të betejës elektorale për përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve, në Xhorxhia, Miçigan dhe Pensilvani, zyrtarët e fushatës elektorale të zotit Trump paraqitën të mërkurën padi gjyqësore për menaxhimin e votave me postë, ndërsa në Uiskonsin ekipi elektoral i Presidentit Trump ka kërkuar rinumërimin.

Synimi është të pezullohet numërimi i votave të shumta të dërguara nëpërmjet postës, për të cilat Presidenti Trump ka deklaruar, pa paraqitur prova, se janë të manipuluara dhe se po shtojnë shanset e sfiduesit demokrat Joe Biden për të fituar zgjedhjet.

Ish-Nënpresidenti Biden është shpallur fitues në Miçigan dhe Uiskonsin, por ende nuk është shpallur rezultati në Xhorxhia dhe Pensilvani.

“Kërkojmë të shohim votat që u hapën dhe u numëruan ndërkohë që ne nuk patëm qasje të mjaftueshme”, tha menaxheri i fushatës Trump, Bill Stepien, në një deklaratë ku njoftoi padinë në Miçigan. Paditë u paraqitën pasi Presidenti Trump sinjalizoi më herët të mërkurën në mëngjes se do t’i drejtohet drejtpërdrejt Gjykatës së Lartë për të ndalur numërimin e miliona votave me postë.

Ekspertët ligjorë thonë se nuk ekziston mekanizmi që Presidenti Trump t’i drejtohet për ndihmë Gjykatës së Lartë për të ndalur numërimin në një proces zgjedhor të ligjshëm. Megjithatë, kërcënimi sugjeron se zoti Trump po përgatitet për një betejë ligjore paszgjedhore në këtë cikël nga më të ankimuarit në historinë amerikane.

“Ekipi i zotit Trump ka ndjekur të njëtat taktika për një vit, kështu që nuk imagjinoj dot ndonjë arsye pse të ndalen pa provuar të gjitha opsionet”, tha James Gardner, profesor i jurisprudencës dhe ekspert zgjedhor në Universitetin e Buffalos.

Ndërsa Gjykata e Lartë mund të ndërhyjë për të zgjidhur një mosmarrëveshje zgjedhore, ashtu siç veproi në betejën elektorale të vitit 2000 mes republikanit George W. Bush dhe demokratit Al Gore, pala paditëse duhet të kalojë përmes disa etapave ligjore.

Protesta në disa qytete amerikane ndërsa rezultatet e zgjedhjeve mbeten të paqarta

Protestuesit dolën në rrugë në disa qytete amerikane të mërkurën, duke bërë thirrje për një numërim të plotë të votave, ndërsa grupe më të vogla mbështetëse të presidentit Trump u mblodhën para qendrave të numërimit të votave në Miçigan dhe në Arizona.

Policia në New York arrestoi dhjetëra njerëz të mërkurën mbrëma pas asaj që kishte qenë një demonstratë paqësore. Zyrtarët thanë se një grup i vogël njerëzish “u përpoqën të rrëmbenin” protestën duke u vënë zjarrin plehrave dhe duke u përleshur me oficerët e policisë.

Protestuesit marshuan gjithashtu në Çikago, Los Anxhelos, Seattle, Hjuston, Pittsburgh, Minneapolis dhe San Diego. Përveç thirrjes për numërimin e votave, demonstruesit theksuan gjithashtu pabarazinë racore, subjekt i protestave të shumta gjithandej Shteteve të Bashkuara këtë vit.

Në shtetin veriperëndimor të Oregonit, Guvernatorja. Kate Broën aktivizoi Gardën Kombëtare ndërsa policia në Portland i cilësoi si trazira protestat e atjeshme duke kryer edhe arrestime.

Mbështetësit e Presidentit Donald Trump shkuan në një qendër të numërimit të votave në Detroit, Miçigan, për të kërkuar ndërprerjen e numërimit. Ata në një tubim të mëvonshëm në Phoenix të Arizonaa, brohoritën “Ndalni vjedhjen”.

Demonstratat e ndryshme shpërthyen ndërsa rezultati i zgjedhjeve të së martës mbeti i paqartë dhe presidenti bëri pretendime të pambështetura për mashtrim, ndërsa republikanët ngritën padi të shumta zgjedhore.

Miçigan, zyrtarët pengojnë rreth 30 vetë të hyjnë në sallën e numërimit të votave

Miçigani, një shtet vendimtar që do të ndihmojë në përcaktimin e fituesit në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, po vazhdon numërimin e “dhjetra mijëra” votave, sipas një zyrtareje të lartë të këtij shteti.

Në Detroit, ku vëzhgues të votimeve u ndaluan të hynën në sallën e numërimit të mërkurën pasdite, situata ishte e nderë.

Presidenti republikan Donald Trump e fitoi Miçiganin me një epërsi të lehtë në vitin 2016, por të mërkurën në mbrëmje organizatat kryesore të medias, parashikuan se demokrati Joe Biden kishte fituar në këtë shtet. Zoti Trump e ka bërë të qartë se do të luftojë për ta ndryshuar rezultatin atje.

Me 99% të votave të numëruara, zoti Biden kishte një epërsi prej 60 mijë votash, sipas Detroit Free Press.

Gjendja ishte e tendosur të mërkurën pasdite në qendër të Detroitit, ku zyrtarë të zgjedhjeve të qytetit ndaluan rreth 30 vetë, shumica republikanë që të hynin në sallën e numërimit të votave, për shkak të kufizimeve të kapacitetit për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Demokratët thanë se edhe ata ishin ndaluar. Një punonjës i votimeve i tha agjencisë Reuters se republikanët “po përpiqeshin të ngadalësonin dhe të pengonin numërimin”.

Policia e Detroitit u thirr për të zbatuar vendimin, dhe disa prej atyre që u ndaluan nga salla u acaruan kur zyrtarët e qendrave të votimit bllokuan dritaret me kuti picash dhe karton për të mos lejuar që ata të shihnin nga dritaret.

Shumë vetë qëndruan jashtë sallës duke shprehur protestën e tyre dhe duke kënduar “Zoti e bekoftë Amerikën”, ndërsa një grup i dytë i sfiduesve republikanë të zgjedhjeve të cilëve u ishte refuzuar hyrja u vendosën në një rreth për t’u lutur dhe brohorisnin “Ndalo votën” dhe “Ndalo numërimin “.

Fushata e Presidentit Trump kërkon ndërprerjen e numërimit në Xhorxhia

Fushata zgjedhore e Presidentit Donald Trump tha se kishte ngritur një proces gjyqësor në shtetin Xhorxhia që kërkon ndërprerjen e numërimit të votave në kështë shtet,

Padia, e ngritur kundër Bordit Zgjedhor të Qarkut Çatham i kërkon një gjykatësi të urdhërojë Qarkun të sigurojë dhe veçojë fletët e votimit të ardhura pas orës 19:00 ditën e zgjedhjeve, sipas një dokumenti gjyqësor të lëshuar nga fushata.

Fushata e Presidentit Trump ka ndërmarrë një sulm juridik në disa shtete të lëkundura pas zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Ekspertët: Gjykata e Lartë mund të mos ketë fjalën e fundit në zgjedhjet e SHBA

Ndërsa Presidenti Donald Trump synon që Gjykata e Lartë e SHBA të ndërhyjë në garën presidenciale, e cila është ende e paparashikueshme, ajo mund të mos jetë arbitri përfundimtar në këto zgjedhje, thanë ekspertët ligjorë.

Ata thanë se pak gjasa ka që gjykatat të pranonin një kërkesë të Presidentit Trump për të ndalur numërimin e fletëve të votimit që kanë arritur para ose në ditën e zgjedhjeve, apo që ndonjë mosmarrëveshje që mund të shqyrtojnë gjykatat të mund të ndryshonte trajektoren e garës në shtete të tilla si Miçigani dhe Pensilvania.

Twitteri pezullon llogari të rreme që shpallnin fituesin në një shtet

Twitteri pezulloi disa llogari që pretendonin në mënyrë të rreme se ishin të lidhura me agjencinë e lajmeve Associated Press. Llogaritë në fjalë përhapën rezultate të paverifikuara zgjedhore, sipas fotove të qarkulluara online dhe një analize të tyre.

Të katër llogaritë u çaktivizuan pasi njoftonin gjoja fituesin e njërit prej shteteve të lëkundura, që nuk ishte shpallur i tillë nga agjencia prestigjoze e lajmeve.

“Këto janë llogari false që nuk janë të lidhura me AP,” tha agjencia në një deklaratë.

Drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe të Infrastrukturës pranë Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Christopher Krebs, tha në Twitter se “po shohim raporte nga llogari të rreme mediash që po shpallin fituesin në një shtet, mos u besoni!”(Kortezi- VOAL))

Filed Under: Histori Tagged With: Zgjedhjet en SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 319
  • 320
  • 321
  • 322
  • 323
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT