• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ministri i Brendshëm i Kosovës takon komandantin e KFOR-it

November 24, 2015 by dgreca

-Diskutohen efektet destabilizuese që ka pasur vizita e Gjeneralit serb, Dikoviç, i akuzuar për krime lufte në Kosovë/
PRISHTINË, 24 Nëntor 2015/ Ministri Kosovar i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni ka takuar sot komandantin e KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglietta, për të diskutuar efektet destabilizuese që ka pasur vizita e Gjeneralit serb, Dikoviç, i akuzuar për krime lufte në Kosovë.
Ndërsa, vlerësohet lartë kontributi i KFOR-it në Kosovë, për paqe dhe siguri në Kosovë, ministri Hyseni i përcolli komandantit të KFOR-it shqetësimin e thellë rreth vizitës së Gjeneralit Dikoviç, me ftesë të KFOR-it, thekson njoftimi dërguar nga Ministria e Brendshme.
“Vizitat e tilla të ushtarakëve serbë, të akuzuar nga shoqatat e të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe ato serbe, për krime lufte në Kosovë, nuk i kontribuojnë rendit dhe sigurisë së përgjithshme.
Për më tepër, vizitat e tilla mund të destabilizojnë situatën.
Si të tilla, këto vizita janë të papranueshme dhe nuk duhet të ndodhin”, theksoi ministri Hyseni.
Ministri Hyseni dhe komandanti i KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglietta, u dakorduan që komunikimi në mes të KFOR-it dhe MPB-së në të ardhmen të jetë më efektiv, në mënyrë që vizitat nga ana e individëve apo ushtarakëve nga Serbia, të akuzuar për krime lufte në Kosovë të mos ndodhin./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: komandanti i KFOR-it, Skender hyseni, takim

Faslli Halit sjell ne Sofren e Diellit- 3 POEZI NGA ALDA MERINI

November 24, 2015 by dgreca

A L D A M E R I N I- 1931- 2010/
Alda Merini (Milano, 21 mar 1931 – Milano, 1 nëntor 2009) ka qenë një poeteshë aforistike dhe shkritare italianae./
ARTI DHE MAGJIA /
Magjia është art apo arti ka një forcë magjike ?/
Që nga koha e kohërave njeriu është i pasigurt/
pas frikës dhe elementëve të pastër të tokës/
dhe thirrjes së Zotit të zjarrit, të ujit, të mendjes./
Është burimi më i pashtershëm dhe i thellë i njeriut/
Njeriu do të zbutë Zotin që s’është në vete/
por edhe Zotin që është në të. /
Njeriu nuk beson në Providencën /
dhe fton imazhe dhe tinguj që kanë forcë ” lehtësuese.”
Ada Negri thotë: ” forca e mendimit që zoti
na ka dhënë ne të gjithëve,
veçanërisht atyre që janë vizituar nga Zoti frymëzues,
janë magë dhe demonë, por mbase kanë frikën e sigurisë,
lind nevoja e shenjës, e gjurmës, e ekzorcizmit, e frikës,
lind vizioni i katastrofës,
por lind edhe ringjallja dhe njeriu në mëngjes,
veçanërisht nëse është plak, do t’i gjendet në dorë buka e djeshme
që dëshiron ta ndajë gjithë dashuri me të tjerët,
për festën e madhe të ditës.”
( bashkësia e artistëve – post skriptum ).
Nëse njeriu ka frikë nga dhimbja
na vijnë në ndihmë rimat e Kozimodos:
” Babëzisht unë hap dorën time sot,
bukën e përditshme jepna, Zot „.

FËMIJA
Po gjete balonën e fantazisë tënde
lidhe me inteligjencën e zemrës.
Do të shohësh të lindin kopshte të magjishme
dhe mamaja jote do të bëhet bimë,
do të të mbulojë me gjethet e saja.
Bëj me duart e tua dy pëllumba të bardhë
që të sjellin paqen kudo dhe rregullin e sendeve.
Por para se të mësosh të shkruash
shiko veten
në ujin e ndjenjës.

POEZI MARINA ÇERATIT

Urime, ujërat e ndjenjës ndonjëherë të kanë tronditur
dhe ka një lloj poezie të ëmbël që është kënga,
si këndon një nënë
kur përkëdhel një fëmijë,

këmba e një fate që ecën në erë,
dhe ndërsa fëmijët tuaj fillojnë jetën
ti bëhesh prapë vajzë, një akullsi për të shpëtuar,
dashuria nuk ka kohë dhe kur të jesh plak
do të të puth flokët vetëm pranvera.

Përktheu: Faslli Haliti

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Faslli Halit, NGA ALDA MERINI, sjell ne Sofren e Diellit- 3 POEZI

28 Nëntor 1927, Protesta e Gjimnazit të Shkodrës,me drejtor Prof.Mirash Ivanaj

November 24, 2015 by dgreca

Protesta e studentëve të Gjimnazit të Shkodrës,me drejtor Prof.Mirash Ivanaj, ditën e Festës së Flamurit,28 Nëntor 1927/
Nga Pertefe Leka/
Gjimnazi i Shkodrës që u hap në vitin 1922,u zgjerua shumë shpejt me nxënës nga të gjitha krahinat e Shqipërisë,të Kosovës,Çamërisë,dhe nga trevat shqipfolëse që kishin mbetur padrejtësisht jashtë kufijve të Shqipërisë.
Shkolla nuk qe vetem një qendër mësimore – edukative, por edhe një çerdhe patriotike,ku mësonin nxënës të tre religjioneve.
Në këte vatër mësimi, një rol të rëndësishëm për edukimin patriotik ka luajtur mësuesi i përkushtuar dhe drejtori i Gjimnazit Prof.Mirash Ivanaj. Nëpërmjet mësimit mëkonte dashurinë ndaj atdheut, duke ngulur vështrimin ndaj të vërtetës historike.
Ishte Ivanaj i Madh siç e etiketonin shkodranët, i bindur se shqiptari mund t’i kryej vetë punët e tij, të drejtojë e të krijojë.
Kulti i besimit të tij, ishin vlerat kombëtare në ripërtëritjen e vendit me zhvillimin e kulturës e të arsimit dhe këte e tregoi se kjo vjen vetëm me patriotizëm nëpërmjet shkollimit.
”Për ne, çdo vend në Shqipni asht Shqipni dhe e besojmë të përshtatshëm, e në kjoftë se nuk asht do ta krijojmë të tillë ……për me krijue qytetarë besnikë, por në vendin e parë shqiptarë të mirë.” M.I.
Ai vetë punoi me patriotizëm të lartë dhe me kompetencë profesionale.
Në veprën e tij shumëdimensionale, i dha zemër rinisë dhe elementeve përparimtarë, intelektualëve duke u bërë modeli më i shkëlqyer për t’u marrë shembull.
Prof.Mirashi nuk punoi i vetëm,Ai e gjeti të ngritur këte institucion një vit më parë dhe e vazhdoi punën e paraardhësve po me aqë përkushtim si ata. Pas gjashtë viteve, kur po përgatiteshin provimet e maturës së parë në gjuhën shqipe, Drejtori u shpreh me entuziazëm: ”Të jetë fatlum dhe me fillim të mbarë ky hap me cilin fillon Indipendenca në fushën arsimore të kombit shqiptar”

Ngjarja e festës së 28 Nëntorit 1927 ndodhi kur drejtor ishte Prof.Mirashi, prandaj e pashë me vend të bëja një lidhje të tillë,me nxënësit e tij

Ja si e paraqet Dr.Jakov Milaj,zhvillimin e protestës.

(Jakov Milaj 1911-1997.U lind në Fier .Mjek veteriner i lauruar në Torino.Figurë shumplanëshe e botës intelektuale shqiptare.Punëtor dhe studimtar i zellshëm,hulumtues i shumë studimeve shkencore, që kulmojnë me veprën e rendësishme, “Raca shqiptare” 1944. Nacionalist, pjesëmarrës në kryengritjen e Fierit, ministër në qeverinë e Maliq Bushatit 1944.Dënuar me 15 vjet burg nga Gjyqi Special 1945.Më pas punoi si mjek veteriner i thjeshtë i përfshirë në rrethin e luftës klasave.

Ndërmjet të tjerave Dr.Milaj shkruan:

“E gjithë puna që ka kryer Mirash Ivanaj në Shkodër, ka qenë punë patriotike. Unë po përmend një fakt:

Me 28 Nëntor 1927, nga nxënësit e gjimnazit tonë u bë demonstrata kundër Bankës Kombëtare, pse në ballkonin e saj, flamuri ynë ishte vendosur në anën e majtë, kurse flamuri italian në të djathtë.
Ky gjest përbuzës i të huajit ndaj nesh, ngriti peshë zemrat e gjithë të rinjve .
Policia,sa pa studentët që filluan demonstratën, njoftuan menjëherë Drejtorin që të merrte masa.Drejtori na thërret që të hyjmë në shkollë.Kur ne mbushëm korridorin e katit përdhes, Ai u ngjit në këmbën e parë të shkallës dhe na foli me butësi.Ndër të tjera na tha se autoritetet e kishin njoftuar se ne kishim filluar një demostratë kundër bankës.Në vazhdim e sipër, na tha se detyra e parë e nxënësve është që të shikojnë mësimet dhe përfundoi me këto fjalë të buta”Ju tani jeni të rritur,e kuptoni të mirën e të keqën e vetes e të Atdheut, unë ju këshilloj që të shihni mësimet .Ju e dini vetë si të veproni.” Këta këshilla na u dukën më tepër se aprovim. Shtytje për veprimin tonë. Nga shkolla dolëm më të vendosur.Pas dreke demonstrata vazhdoi më e ashpër.
Në mbarim të saj,policia arrestoi nja njëzet nga shokët tanë më të rritur.Të nesërmen shumica u liruan dhe mbetën në burg vetem 6 vetë,të gjithë pa përkrahje.Për ushqimin dhe fjetjen e tyre Drejtori (M.Ivanaj që kishte edhe drejtimin e konviktit )interesohej shumë.Nga konvikti u dërgonte ushqime dhe shtresa të arrestuarve prej të cilëve, dy ishin konviktor.Çdo natë që i vizitonte, i këshillonte që të hanin mirë, të mos ftoheshin dhe të mbanin gjakftohtësinë.
Një jave më vonë, në mbrëmje, kur kishim mbaruar mësimet e pasdrekës Drejtori i zymtë në fytyrë,na mblodhi përsëri në korridorin e shkollës dhe na liroi pa bërë asnjë koment për telegramin e Ministrisë së Arsimit, me anën e të cilit njoftohej se gjashtë nxënësit e arrestuar përjashtoheshin nga shkolla përgjithmonë.Të përjashtuarit i mblodhi në drejtori dhe u komunikoi urdhërin epror.Sipas fjalëve që na treguan 6 shokët, Drejtori u kishte thënë:”Demonstrata vertetoi se ju dhe shokët tuaj nuk jeni vetëm nxënës të mirë,por edhe patriotë të gatshëm për sakrifica.”
Me këmbënguljen e Drejtorit,të dënuarit u falen, me përjashtim të njerit, të tjerët rifilluan mësimet….
(Marrë nga fjala që mbajti Dr.Milaj,83 vjeçar,në vitin 1933,në Tiranë me rastin e 40 –Vjetorit të vdekjes së Prof.Dr.M.Ivanajt.)

Të njëjtën gjë pohon edhe studenti i atij Gjimnazi,Jahja Domnori.në fletoren “Jeta ime“i ka lënë një vend të veçantë shkrimit “Ulja e flamurit Italian në Bankën Kombëtare”
Në atë kohë, Jahja Domnori,ishte nxënës në vitin e fundit dhe bënte pjesë në maturantët e parë të Gjimnazit të shtetit në Shkodër, në degën pedagogjike.Ata ishin edhe mësuesit e parë që dilnin nga ajo shkollë.
Duke qenë se bënte pjesë në grupin e më të rriturve të shkollës, ishin marrë me organizimin e aksionit, për heqjen e flamurit Italian.Si i pranishëm në momentin kulmor të aksionit shkruan:
“Unë me shokët Agustin Shestani (nga Kraja) Jup Kazazi Jahja Baçe…gjetëm një shkallë.Na ma të medhejt e mbajtëm shkallën, ndërsa Jahja Baçen, që ishte më i vogël në trup e ngjitëm lart, që të tërhiqte flamurin Italian të vendosur në të djathtë të Bankës Kombëtare.
Në momentin e tërheqjes na erdhi policia dhe na arrestoi.
Atëhere komandant ishte Hajdar Qyrku.Ata krijuen dyshim se na ka shti Konsullata Jugosllave,sepse me ne ishte edhe Agustin Shestani,që jetonte në Krajë të Malit të Zi. Na nuk mund ta shihnim flamurin e huaj ma të nderuar, aqë ma tepër në ditën e Festës së Indipendencës.
Ma vonë morëm vesh se Prefekti,Javer Hurshiti,kishte njoftue Ministrinë e Brendshme e kjo Bankën Qendrore e cila ka urdhnue me ba rregullimin.Pra, vetë banka e ka ulë mbas protestës tonë.
Mbas përjashtimit tonë nga shkolla ishin përpjekjet e Zotni Mirashit që na u kthyem përsëri në shkollë,vetem Agustini nuk u kthye.Ate e larguan nga shkolla vetëm pse jetonte jashtë kufijve shtetnor, kur të gjitha përgatitjet i kishim ba na të tjerët,sepse ai ishte konviktor,ishte shumë patriot dhe erdhi mbas nesh për ta krye sa më shpejt aksionin.
Marre nga Jahja Domnori,“Jeta ime”,Mësues i Merituar, drejtori i shkollës së parë shqipe në Ulqin 1941.. Vlorë, Dibër Peshkopi,Durrës, Shkoder…
Të gjithë studentët e adhuronin,Prof.Mirashin, jo vetem si edukator, mësues i shumë shkencave dhe atdhetar, por për anën e përkryer morale, që rrezatonte edhe tek studentët. Askush ma bukur se Mitrush Kuteli bashkëvuajtës me Mirash Ivanajn e ka dhënë portretin moral:“Dr.Mirash Ivanaj emër i bardhë si Dëbora, të cilit rinia shqiptare i mban një emër, një vend mirënjohje, një predestinacion, them për të vajtur në emrin dhe për emrin e Kombit”

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: 28 Nnetor 1927, Mirash Ivanaj, protesta e gjimnazit, shkoder

“Drejt rrugës së shkronjave për në Manastir”

November 24, 2015 by dgreca

Shkroi nga Manastiri: Violeta Mirakaj/
Manastir, 23 Nëntor 2015- Dy vende, Shqipëri dhe Maqedoni, përkujtojnë dhe festojnë Kongresin e Manastirit.
Ditën e Diel, më 22 Nëntor , në Muzeu :”Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir” u festua dhe u përkujtua Kongresi i Manastirit, Kongresi i alfabetit të gjuhës shqipe. Fjalën përshëndetëse për këtë ngjarje e mbajtën Zëvendëskryetari i Qeverisë Maqedonase, Z. Musa Xhaferri , si dhe Nuer Arslani – Drejtor i IN Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe – Manastir.
U mbajtën kumtesat shkencore nga 1- Prof. Dr. Nebi Dervishi: “Me rastin e 110- të vjetorit të komitetit të fshehtë për lirinë e Shqipërisë, hapi rrugën drejt bashkimit kombëtar”
2- Milazim Elshani: -“Mithat Frashëri ideologjia komuniste dhe ajo nacionaliste”
3- Dorjan Koçi :” Emigracioni politik 1944 – 1949 dhe Mithat Frashëri”
4- Naser Pajaziti:- “ Alfabeti I Stambollit”
5- Afet Jashari: -“Atdhetari i shquar Mithat Frashëri”
6- Albnora Musa: -“Veprimtaria atdhetare e Mithat Frashërit gjatë viteve 1908- 1910”
7 – Dr. Ilmi Veliu:-“ Takimi me Ilmi Vehbi Ismailin në Amerikë dhe organizimi i ceremonies së varrimit të Mithat Frashërit.”
Në mbrëmje në teatrin e qytetit u mbajt galakoncerti :” Drejt rrugës së shkronjave për në Manastir”, nga Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës edhe Baletit të Republikës së Shqipërisë.
Solistë Shkodran Tolaj- tenor
Vikena Kamenica – mezosoprano, Armando Likaj – bassbaritone, Shkëlzen Bahtijari- piano dhe Dirigjent: Edmond Doko
Musafirë special : Pajazit Murtishi- aktor dhe Shemsi Krasniqi- Ilirët
Pjesëmarrja , si nga qeveria Maqedonase, Zëvendëskryetarii Qeverisë -Z. Musa Xhaferri dhe Zëvendëministrii Kulturës së Rep. të Shqipërisë, Z. Zef Çuni, si dhe drejtori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, të Shqipërisë, Z. Ilir Keri, si dhe të aktivistëve kosovarë, tregon për shkëmbimin ndërkulturor midis vendeve, midis popullit shqiptar,brenda kombit shqiptar.
Prania e medias, nga të dy vendet, Maqedonia si dhe TV Shqiptar, i bënë jehonë këtij aktiviteti, kësaj ngjarjeje historike ,si dhe tregoi edhe njëherë se:” Përpjekja e të gjithë delegatëve të Kongresit të Manastirit për t’u ngritur mbi pikëpamjet e ngushta vetjake në të mirë të kërkimit të një zgjidhjeje të pranueshme nga të gjithë, është edhe mesazhi më kuptimplotë, që na përcjellë Kongresi i Manastirit i vitit 1908”
Përhapja e shkollave dhe e shkrimit shqip, si edhe sukseset, që arritën patriotët shqiptarë në luftën për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar, bënë edhe më të ngutshme nevojën e vendosjes së një alfabeti të vetëm të gjuhës shqipe.
Nismën për thirrjen e kongresit kombëtar për vendosjen e një alfabeti të vetëm e mori klubi shqiptar Bashkimi i Manastirit, që luante rolin kryesor midis klubeve shqiptare. Ata e kuptuan rëndësinë e madhe që kishte çështja e alfabetit të vetëm për zhvillimin e mëtejshëm të lëvizjes kombëtare në Shqipëri, e shpallën atë si detyrën më të ngutshme.
Me 27 gusht të vitit 1908, pas vendimit që kishte marrë që më 21 gusht, kryesia e klubit Bashkimi të Manastirit, shpalli thirrjen e saj, me të cilën u bëri të ditur gjithë klubeve dhe shoqërive brenda dhe jashtë Shqipërisë, propozimin për mbledhjen e kongresit te alfabetit më 14 nëntor 1908, në të cilin do të ftoheshin të gjithë shqiptarët, gegë dhe toskë, si dhe të jashtmit e çdo filolog,që interesohej për këtë çështje, për të marrë pjesë në këtë kongres të madh.
Kongresi për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, i vazhdoi punimet e tij deri më 22 nëntor. Moren pjese në punimet e këtij kongresi 32 delegatë me të drejtë vote që perfaqësonin 26 qytete dhe shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut. Në këtë mënyrë Kongresi i Manastirit u shndërrua në kuvend mbarëshqiptar, ku morën pjesë gjithsej 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit dhe të Janinës, si dhe nga shoqëritë shqiptare të Sofjes, të Bukureshtit, të Konstancës, të Amerikës, të Egjiptit, të Italisë etj…
Tridhjetë e dy delegatët me të drejtë vote ishin shkrimtarë e publcistë të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laik e klerikë, veprimtarë të levizjes kombëtare dhe të klubeve shqiptare si: Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Mithat Frashëri, Shahin Kolonja, Dhimitër Buda, Ndre Mjeda, Gjergj K. Qiriazi, Bajram F.Topulli, Nyzhet Vrioni, Grigor M.Cilka, Nikollë Kaçorri, fehim Zavalani, Dhimitër Mole, Rrok Berisha, Thoma Avrami, Hilë Mosi, Akil Eftimiu, Adham Shkaba, Mati Logoreci, Ayis Beu (Shkodër) , Shefqet Frashëri, Simon Shuteriqi, Leonidha Naço, Zejnel Glina, Sami Pojani, Refik Toptani, Mihal Grameno, Hafiz Ibrahim efendiu (Shkup), Emin Haxhiu (Shkup), Rauf Beu ( Gjirokastër). Selahedin Beu (Manastir).
Rruga që zgjodhën intelektualët e shquar për zgjidhjen e problemit të alfabetit duke thirrur një kuvend kombëtar, ishte më e drejta. Vepra e kryer në Kongresin e Manastirit i qëndroi kohës, u bë pjesë e pandarë e kultures shpirtërore të kombit shqiptar.
Kjo u bë e mundur sepse të gjithë patriotët e mbledhur në Manastir ishin të vetëdijshëm se kishin marrë përsipër të zgjidhninnjë nga detyrat më të mëdha dhe më shqetësuese të kohës për kombin shqiptar. Pa në vetëdijshmëri të tillë nuk mund të kuptohet vendosmëria e tyre për të mos u larguar nga Manastiri të përçarë, pa e zgjedhur përfundimisht këtë çeshtje sa të vështirë aq dhe të rëndësishme. E vendosmëria për të gjetur një gjuhë të përbashkët për njësimin e alfabetit , nuk duhet kuptuar vetëm si pasojë e trysnisë në rritje, që po ushtronin qarqet e ndryshme atdhetare brenda dhe jashtë vendit, por në radhë të parë si fryt i bindjes së tyre të palëkundur, se zgjidhja e këtij problem ishte bërë tepër e ngutshme dhe nuk priste më… Përdorimi i disa alfabeteve të ndryshme për shkrimin e gjuhës shqipe po rrezikonte ta thellonte më tej përçarjen midis shqiptarëve në një kohë kur ata kishin nevojë për më shumë se kurrë për bashkimin në përpjekjet e tyre për të hequr qafe sundimin shumëshekullor Osman. “Përpjekja e të gjithë delegatëve të Kongresit të Manastirit për t’u ngritur mbi pikëpamjet e ngushta vetjake në të mirë të kërkimit të një zgjidhjeje të pranueshme nga të gjithë, është edhe mesazhi më kuptimplotë, që na ka përcjellë Kongresi i Manastirit i vitit 1908.”

Violeta Mirakaj
Manastir, 23 Nëntor 2015

Filed Under: Reportazh Tagged With: “Drejt rrugës së shkronjave, për në Manastir”, Violeta Mirakaj

Parlamenti i Ontarios me Plisa të Bardhë

November 24, 2015 by dgreca

Voal –Pasditen e 20 Nentorit në një nga sallat e Parlamentit të Ontarios, menjëherë pas leximit nga deputetja Laura Albanese të projekt-ligjit për shpallen e nëntorit si Muaji i Trashëgimisë Shqiptare në Ontario, me nismën dhe drejtimin e Dr. Ruki Kondaj dhe organizimin e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze, u mbajt një veprimtari e bukur, emocionuese dhe domethënëse. Nëpërmjet fjalimeve, veshjeve tradicionale, këngëve, valleve, stendave me punime dhe objekte të trashëgimisë kulturore, videove të ndryshme, shqiptarët përcollën te dhjetra deputetë të pranishëm mesazhin se ne jemi një popull me kulturë, krenar për identitetin tonë, por edhe që dimë ta çmojmë dhe duam vendin që na hapi dyert, Kanadanë dhe pse jo, dimë edhe të bëjmë humor. Përgëzime të gjithë atyre njerëzve që e bënë të mundur këtë veprimtari që arriti të mbledhë në një vend dhe për një qëllim përfaqësues të rëndësishëm të mozaikut tonë të vogël shqiptar. Bashkatdhetarë të të gjitha trojeve u bënë bashkë për të festuar dhe gëzuar këtë ditë historike për komunitetin shqiptar të Kanadasë. Fotot përcjellin bukur atmosferën e kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme organizuar nga Shoqata Shqiptaro-Kanadeze me qendër në Toronto.
FALENDERIM i veçantë i shkon Presidentes së Nderit të Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze, Dr. Ruki Kondaj, për nismën e filluar që mbi dy vite më parë dhe për drejtimin e këtij aktiviteti.
FALEMINDERIT deputetes Laura Albanese që e solli projektligjin në Parlament, bashkë me shumë deputetë të tjerë që e mbështetën fuqimisht këtë projektligj.
Faleminderit ambasadores së Shqipërisë në Kanada, Znj. Elida Petoshati që erdhi nga Otawa për të na nderuar me praninë e saj.
Falenderimi gjithashtu shkon për të gjitha shoqatat si-motra, bashkësitë fetare, tek të gjithë të pranishmit në sallë si dhe tek ato bashkatdhetarë që nuk patën mundësi të ishin present por që me mendje e zemër ishin aty.
Faleminderit secilit që pati mundësi të japë kontributin e tij për realizim e këtij projekti madhor të komunitetit shqiptar të Kanadasë, si ; Grupi i Punës për Trashëgiminë, Zv. Presidenti i Shoqates Z. Ramazan Këllezi bashkë me “Shqiponjat e Vogla”, Mbretëresha e Valles Popullore Znj. Lili Cingu, sopranoja që mahniti parlamentarët me zërin e saj Mirela Tafaj, Pasqyra Shqiptare me producent Z. Ilir Lena kamera e së cilit përcjell emocionet e ngjarjes tek të gjithë bashkatdhetarët , LGH Art Photography me fotografin profesionist Gent Hali, Bruna Brari me tortën simbolike, si dhe shumë vullnetarëve dhe aktivistëve të Shoqatës ndër vite.

Ta gëzojmë Muajin e Trashëgimisë Shqiptare dhe t’ua përcjellim brezave Shqiptarinë!

Photo credit: LGH Art Photography,
I talentuari Genti Hali. FALEMINDERIT Genti!(Marre nga VOAL)

Filed Under: Featured Tagged With: Parlamenti Ontarios, Plisa te bardhe, VOAL

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3331
  • 3332
  • 3333
  • 3334
  • 3335
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT