• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Varferia ekstreme, nëna kyç 29-vjeçaren

November 13, 2015 by dgreca

Apeli: Kush do ta ndihmojë këtë familje prej dhjetë anëtarësh dhe me një të sëmurë mendore të kyçuar përjetë? Shteti nuk ka kohë të merret me hallet e saj!
Nga Ahmet ZANI/
Një 29-vjeçare qëndron e mbyllur në nje dhomë me çelës nga nëna e saje sepse nuk ka asnjë zgjidhje tjeter. Dalja jashtë mureve të shtëpisë e Aniles e cila është e sëmurë mendore do të thotë probleme për familjen Selimi nga fshati Gurëz i Kurbinit. Prej 29 vitesh vuan këtë semundje, ndërsa sigurisht edhe mbylljet në dhomë janë po kaq të gjata. E ëma e sajë Xhevrija Hima spjegon se është e detyruar të veprojë në këtë mënyrë, pasi i duhet të punojë dhe gjatë kësaj kohe nuk ka se ku ta lërë të bijen. Edhe ajo duhet të bëhet pjesë e punës sado të vogel që te mbijetoje familja e sajë prej 10 anetarësh , shumica e të cilëve janë fëmije. Xhevrija shpjegon se jo radhë vajza e saje e sëmurë bëhet agresive dhe i duhet që të mbajë gjithynjë qetësues në shtepi, ilaçe që i siguron me veshtirësi të madhe, pasi nuk ka të ardhura. Së fundmi si për ironi të fatit, djalit të sajë të cilit i mungojnë gjymtyret e sipërme i është ndërprere pagesa e invaliditetit, duke e vështirësuar edhe më tepër jetesen e kësaj familje. Ajo thotë se nuk mund të rend për të kërkuar dokumentacionin e nevojshem, pasi per çdo lëvizje duhen para, të cilat ajo thotë se nuk i ka. “Unë do të them që 5 muajsha vajza ime qëndron e mbyllur në dhomë. Ajo është e sëmurë dhe në shumë raste ajo bëhet agresive dhe përbën rrezik për familjaret e tjerë. Unë jam e detyruar që ta mbylli me çeles brenda dhomes, pasi dal dhe bëj ndonjë punë të vogel sa për të mbajtur frymen gjallë. Marr qetesuese për vajzen në vazhdimësi, pasi ajo është teper agresive dhe sëmundja që ajo ka kërkon trajtim të vazhdueshem. Ne nuk kemi mundësi financiare, pasi nuk kemi të ardhura ndaj dhe sëmundja e sajë ka agravuar, kryesisht gjatë vitëve të fundit. Ne jetojmë me shumë halle dhe probleme të shumta sa që dhe thesin e miellit e kemi marrë më borxhe. Edhe djalin të cilin e kam invalid mi kanë hequr pesnionin prej 9-muajsh dhe kjo ka bërë që gjendja e jonë ekonomike të rëndohet edhe më shumë. Ju jemi drejtuar të gjitha insitucionëve shtetërore, por askush nuk na ka dhënë zgjidhje vetem më kanë sorodhatur sa në një zyre në tjetren. U bëj thirrje shteti që të ktheje sytë nga ne, pasi jemi në kushte teper ekstreme dhe po na mungon buka e gojes” u shpreh Xhevrije Selimi nëna e Aniles Ndersa flitet për institucione që kujdesen për qytetarin apo mundësojne shërbime për këto kategori përsonash që mund të jenë edhe të rrezikshem, rasti i Aniles nga fshati Gurez i Kurbinit është fakt për të vërtetuar se përveç fjalëve nuk ka asgjë më shumë.
Apeli: Kush do ta ndihmojë këtë familje? Shteti nuk ka kohë të merret me hallet e saj!

Filed Under: Kronike Tagged With: Ahmet Zani, nëna kyç 29-vjeçaren, Varferia ekstreme

Eliza Dushku promovon Shqipërinë turistike në Atalanta

November 13, 2015 by dgreca

“Sa e mahnitëshme është Shqipëria! “/
Beqir SINA- New York/
ATALANTA – GEORGIA : Në Fall Marketplace në Atlanta, Gjeorgji, është hapur një panair mbi Shqipërinë turistike, ku me këtë rast Televizioni Publik Amerikan, ka shfaqur edhe premierën e dokumentarit “Dear Albania”, me protagoniste kryesore e të cilit, është aktorja e Hollivudit, me origjinë dhe shtetësi shqiptare, Eliza Dushku. Dokumentar televizivë, ky që mbart edhe të tjerë shqiptarë me emër nëpër botë si; Fadil Berisha, Toni Dovalani, Inva Mula, Ermonela Jaho, Lorik Cana, Blerim Destani e shumë personalitete të tjera me famë botërore.
Në stendën e Shqipërisë, në këtë promovim të vlerave historike e natyrore, kuzhinës, zakonet dhe traditat e shqiptarëve, ishin të pranishëm, simbas Ashley Wood – Preisdente e organizates Albanian Voice, Eliza dhe Nate, përfaqësues të medias, personalitete të artit, të kulturës, e etj.
Më 10 nëntor 2015, shkruan në profilin e saj në facebook – “Albanian Voices – Zëri Shqiptarë”, komuniteti shqiptar në Atlanta- Gjeorgjia – ka pasur privilegjin të ndihmuar Nate dhe Eliza Dushku – për të parë Shqipërinë, nëpërmjet stendës me vlerat historike e natyrore, kuzhinës, zakonet e tradita e shqiptarëve .
Gjithashtu, “një dokumentar për Shqipërinë, që kërkon të tërheq turistët amerikan me titull “Dear Albania”, thotë Ashley Wood, presidentja e “Albanian Voices – Zëri Shqiptarë, në statusin e saj, nga Televizionini publik amerikan do të transmetohet në Atlanta, Gjeorgji.
“Kjo, ishte një mundësi e madhe për të treguar se sa e bukur dhe unike, është kultura shqiptare, është dhe për të inkurajuar edhe amerikanë në Shtetet e Bashkuara, për të shijuar bukuritë natyrore të Shqipërisë” thotë Wood.
Anëtarë të komunitetit shqiptar në Atlanta ndihmuan stendën shqiptare të i ofrojnë Elizas dhe Nate, sende nga Shqipëria për stendat e tyre. Familja Dushku ishte e gatëshme që të ftuarve në stendat shqiptare , t’iu përgjigjej pyetjeve dhe për të ndihmuar ata duke u treguar atyre çdo gjë në lidhje me kulturën dhe historinë e Shqipërisë.
“Eliza dhe Nate, janë me “këmbë në tokë” shprehet në statusin e saj në facebook, Ashley Wood, ku ajo ka postuar edhe një set me fotografi nga ky aktivitet duke shtuar se ata janë zemërmirë, bujar, dhe të pasionuar për popullin shqiptar. Dhe, me përkushtim, vështirësi, me punën që ata kanë bërë, kan arritur të vënë në jet këtë projekt me shpenzimet e tyre.”
Kur nisi këtë projekt, në shtypin amerikan Eliza, shkroi artikullin: “Përse duhet të vizitoni Shqipërinë”, me ngacmim nga dokumentari televizivë “Dear Albania”, ku aktorja amerikane me origjinë shqiptare, Eliza Dushku, tregon se ka nisur “udhëtimin e saj nëpër Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, për të promovuar, siç thotë ajo vet vendin e të parëve të saj.
Ajo duket se ka zgjedhur këtë mënyrë për të promovuar Shqipërinë turistike. Duke pasur mundësi për të udhëtuar në botë gjatë jetës së saj,: “Unë kam qenë në një numër vendesh tepër emocionuese. Udhëtimin tim më të fundit e bëra në Shqipëri, ku edhe mora shtetësinë e dyfishtë”, është shprehur pas shfaqjes së parë të këtij dokumentari Eliza Dushku.
Më pas ajo ka treguar ashtu si thotë edhe në këtë dokumentar se megjithëse është një shqiptaro-danezo-amerikane nga Bostoni me krenari mund të quhej një bostoniane, por ajo ka qënë gjithnjë kureshtare për Shqipërinë dhe e hipnotizuar nga misteriozja që përmban vendi i saj.
“Ftesa ime e parë për të udhëtuar për në Shqipëri erdhi në vitin 2004, kur mu afrua nga një fotograf i njohur shqiptaro-amerikan, Fadil Berisha. Ai më tha se toka nënë e gjyshërve të mi kishte bërë thirrje për mua, se isha bërë disi një heroinë kombëtare dhe se donte të më sillte në shtëpi për vizitë. Unë kam parë disa vende të bukura si Shqipëria që lagen nga detet Adriatik dhe Jon. Pas kthimit në shtëpi në SHBA ndjeva dicka më të thellë se kurioziteti im fillestar. Doja të kuptoja Shqipërinë, të provoja në ndonjë mënyrë për të kapur dhe ndarë përvojën që kemi pasur, lidhjet që kemi gjetur në të me pjesën tjetër të botës. Ideja për të bërë një film dokumentar mbi Shqipërinë, promovimin e turizmit dhe udhëtimit në vend është konceptuar nga Fadil Berisha, vëllai im Neit Dushku dhe unë. Pasi kemi biseduar për këtë film, ai kishte për tu bërë. Ne e kemi quajtur atë “Letër dashurie në Shqipëri”, tregon Dushku në një artikull për shtypin shqiptar vitin e kaluar.
Më pas ajo kishte pohuar se tani që është kthyer në Amerikë, procesi ka qënë tepër emocionues.
“Unë vetëm mund të filloj të shpjegoj shumllojshmërinë që kam gjetur atje, plazhet e shkëlqyera, fshatrat malore tërheqës. Ne vizituam kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën dhe më pas vijuam në qytete-plazhe dhe ishujt e rivierës shqiptare, duke udhëtuar deri në fshatrat e thyer të alpeve shqiptare dhe përtej kufirit në Maqedoni dhe në Kosovë të gjitha të banuara kryesisht nga shqiptarët. Ka kaq shumë histori për të treguar, shumica janë plot me një lloj misteri. Unë ndjeva dicka krejt të ndryshme në këtë udhëtim në atdhe, pas bisedave të panumërta me njerëz të hapur dhe të pasionuar, të cilët ndjejnë lidhje të thelal për Shqipërinë”,
Ajo në atë shkrim ka rrëfyer se kur ishte ftuar bujarisht për tu bërë shtetase shqiptare, nuk kishte ndjerë asnjë lloj ngurrimi. “U ndjeva e nderuar dhe e aftë për ta pranuar këtë dhuratë”, shprehet Dushku.
“U ndjeva edhe më shumë si ajo që jam, unë jam një shqiptaro-amerikane”, përfundonte Dushku artikullin e saj rreth dokumentarit televiizive .
Projekti i aktores i cili mbështetet nga producentë të “Lonely Planet” apo “Travel Channel”, ka për qëllim për të treguar sa e mahnitshme është Shqipëria. Në këtë projekt janë bashkëpunëtorë dhe fotografi shqiptar Fadil Berisha, aktori Blerim Destani

Filed Under: Reportazh Tagged With: Eliza Dushku, ne Georgia, promovon, shqiperine

TALIBANKULTURA E QEVERISJES

November 13, 2015 by dgreca

Nga Kolec TRABOINI/
E panë te gjithë kalimtarët në sheshin Skënderbe transportimin e ikonave shekullore shqiptare si të ishin dru zjarri në pyll. Kështu veprojnë vetëm talibanët. Po a nuk e kuptoni përse. Ky lloj transportimi është mënyra më e mirë për të thënë më pas se disa prej tyre, ato të Onufrit sigurisht, kishin humbur gjatë transportit nga pakujdesia e kishin ikur në drejtim të paditur. Në të vërtetë shkojnë në drejtimin e duhur, tek ai që i dëshironte e meqë koleksionisti nuk ia dha, u gjet një mënyrë ligjore për t’ia hequr, për t’i shtetëzuar(dhe mirë u bë që u shtetëzuan), dhe një mënyrë tjetër e stërholluar për t’i transportuar dhe rrugës, po qe e mundur, pse jo edhe të firojnë. Rreth 200 vepra, kush i numëron. Në Shqipëri gjithçka është e mundur
Drejtori i Galerisë së Arteve, një vegjetues klasik, në paraqitje si një fisnik i hijshëm spanjoll i shekullit të 16-të, i katapultuar nga emigracioni drejtor si me urdhër të peshkut të artë, i sheh këto skena të turpshme në institucionin e tij, të denjë këto për talibanët dhe nuk reagon se nuk qenkan në kompetencën e tij. Kushedi ku i ka kompetencat e humbura ky njeri. Të shohësh si shkatërrohen vlerat kombëtare, dhe të heshtësh kur populli të paguan t’i mbrosh, ty të faltë zoti, o drejtor. Vazhdo të drejtorosh se mirë e ke. Je aty për të marrë rrogën dhe e merr dhe kjo është detyra parësore e bash për këtë je katapultuar nga Italia, se këtu në Shqipëri mesa duket nuk kish djem e vajza që mund ta bënin atë punë. Djem e vajza të talentuar e të shkolluar që rrinë papunë e aplikojnë për vizë amerikane. E jo pak, por 200 mijë.
Por le t’i kthehemi asaj që jo vetëm i ka kompetencat të plota e të tepërta, por edhe urdhëron të kryhet ky vandalizëm kulturor. Kësisoj ministresh kulture, që ka të vetmen meritë apo siç thonë CV që ka përkthyer tre libra në shqip, dhe u katapultua edhe ajo si ministre, kur nuk e ka idenë e kulturës shqiptare, që kësisoj mos pastë as Afganistani. Po kjo nuk ka idenë as të etikës publike, del duke kërcyer me një këmbë si pula në dimër, e në një ditë pranvere në Kishën Ortodokse përpara kamerave e publikut thotë në ditën e Pashkës: Gëzuar Krishtlindjet! U tromaks mileti…u gajasën sorrat…. Po një ministër i tillë kaq profan duhet të kishte ikur nga sytë këmbët e me e pakta të jepte dorëheqjen, por nuk do as ajo e as kryeministri. Sepse Kryeministri i ka ministrat e vet jo shërbëtorë të popullit, por si apostujt e vet, dhe meqë e ka deklaruar disa herë punën e pagëzimit të vet si gjoja katolik, kush e di, mbase e ndjen veten edhe Krisht. Punë mendjesh. Veç ky Kryeministër që rrejshëm e quan veten katolik, sepse nuk është krezmuar, që lajthitshëm thotë se kam qenë ndër të 300-tët e meshës së parë të fshehtë më 4 nëntor 1990 në Shkodër, as nuk ka fare gajle për marrëzitë që shprehin a bëjnë ministrat e vet. Ministrja e tij e shkallmoi pllakën përkujtimore të Kinostudios, por kryeministri edhe pse u bë gurgule në shtyp, nuk u tund fare. Vazhdo i tha, dhe teveqelëria vazhdon. U pa së fundi edhe me vandalizmin qeveritar kur ikonat trajtohen si dru zjarri. Kuku moj nanë! Kryeministri ynë pretendon të jetë piktor dhe kur shkon me punët e qeverisë nëpër botë, shfrytëzon këtë mundësi për të hapur ekspozita me vizatimet e veta, që për mua nuk janë art. Le të thonë çfarë të duan kalemxhinjtë që i darovit se i thurin lavde. Janë si ushtrime liceistësh. Puna më e mirë e tij është portreti i një vajze, që e ka bërë këtu e një çerek shekulli më parë, të tjerat janë merre-lere. Duke e mbajtur edhe më tej këtë ministresh mediokre në detyrë, kryeministri tregon se sa artist është në shpirt e sa po i çahet trapi për kulturën kombëtare. Por edhe me atë projektligjin që hartoi, që na kujton nenin 55 të Kodit Penal të diktaturës, ai e ka pas hallin veç të na mbyllte gojën, se vetëm kjo gojë na ka mbetur. Tentoi me kokëfortësi e do ta kish bërë mënxyrën me ligjin (fole-shpife burg), por u gjend Evropa që i thirri mendjes se ku po shkon ky njeri me këtë revan dhe i tërhoqi kapistallin fort. Kot tha në intervistë Kryeministri që nuk tërhiqet. Harro mushkë Valarenë se Ali Pashain e prenë. Në fakt u zbyth faqe gjithë shqiptarëve dhe urojmë mos qoftë e para e as e fundit kjo zbythje.
Tani natyrshëm lind pyetja. A do të dënohemi ne për shpifje, për këto që molloisim apo duhet të shkojnë në gjyq këta pseudo ministra që e trajtojnë artin e kulturën shqiptare si të ishin talibanë të tërbuar?
E kam deklaruar dhe e deklaroj sërish, për mua kjo ministre është shkatërrimtare e kulturës dhe si e tillë nuk meriton të njihet e as të merret në konsideratë. Për mua Shqipëria nuk ka ministri kulture, por ka vetëm një tufë vandalësh që herë pas here shfaqin fytyrën e vet të vërtetë. Kaq shumë po i duron ky popull, por këta të qeverisjes së marrëzishme nuk po e kuptojnë se janë bërë jo për vezë, por për pras.

13 nëntor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: E QEVERISJES, Kolec Traboini, TALIBANKULTURA

Udhëtimi për në Prizren….

November 12, 2015 by dgreca

NGA ARKIVI- SHKRIM PARA MBLEDHJES SË PARË HISTORIKE TË QEVERIVE KOSOVË-SHQIPËRI NË PRIZREN MBAJTUR NE 11 JANAR 2014/
PRISHTINË, 10 Janar /ATSH-Behlul Jashari/.- “Udhëtimi për në Prizren”, ishte reportazhi që kam shkruar në fundvitin 1996, në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave. Personazhi, e nisura nga Arta, jugu i trojeve ku flitet shqip, në kërkimet e saj drejt “Mollës së Kuqe”, ku tregohet se dikur ishte kufiri verior, shkoi edhe në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ndodhte diç e ngjashme me takimin e parë historik të qeverive të Shqipërisë e Kosovës në 11 janar 2014 pikërisht në Prizren.
Ai reportazh është botuar edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, në 31 dhjetor 1996, duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip.
Në të dy anët e kufirit që i ndante shqiptarët që edhe e kishin të ndaluar ta kalojnë, madje edhe t’i afrohen, janë botuar edhe shkrimet tjera në këtë “udhëtim” titujve nëpër vite e nëpër kohë.
Ishte koha kur mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si titullohej shkrimi që u botua në 19 mars 1996.
“Sa afër e sa larg Shqipëria” thoshte titulli i shkrimit të asaj kohe, botuar në 11 gusht 1996.
“Në robëri pritet veç festa e lirisë”, ishin raportimet e ATSH nga Kosova të asaj kohe, që nga maji 1992 nga korrespondenti në Prishtinë, në fundivitet e para 1999-ës, në vitet e shtetrrethimeve ushtarako-policore, luftës, masakrave e gjenocidit kundër shqiptarëve.
Ishte koha e pragluftës dhe e luftës, e sulmeve me “Bomba edhe mbi fëmijët shqiptarë”, që i raportoja me këtë titull në shkrimin e botuar në 5 maj 1996.
Por, ishte edhe kohë me “Shpresë se s’ndërrojnë veç vitet” (titull shkrimi i botuar në 5 janar 1997), sepse u bë “Kosova preokupim i vazhdueshëm ndërkombëtar” siç thoja në titullin e shkrimit të botuar që në 6 korrik 1996.
Ishte “Vija amerikane në Kosovë mbrojtëse e interesave në rajon” që e raportoja me këtë titull në shkrimin e botuar në 8 korrik 1995.
“SHBA-të udhëheqëse e ndërmjetësuese në çështjen e Kosovës”, ishte titull shkrimi botuar në 10 gusht 1996.
“Lajmi i ardhmërisë: Kosova e lirë” ishte titulli i shkrimit botuar në 12 shkurt, 1998, pikërisht 1 vit e 4 muaj para 12 qershorit 1999, kur herët në mëngjes nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynin nga ana e Maqedonisë në orën 05 e 17 minuta (të nesërmen nga ana e Shqipërisë) raportoja për ATSH-në se “në Kosovë po ndodhë liria”.
Në vendin e lirë, që shpalli edhe pavarësinë në 17 shkurtin historik 2008, një prej shumë shkrimeve ka titullin “Kosova e komuniteteve të barabarta” botuar në 20 maj 2001.
“Kosova e pavarur – e drejtë dhe kompromis i shqiptarëve”, ishte qëndrimi i përsëritur shumë e shumë herë nëpër vite, para, gjatë e pas lufte, dhe ky ishte dhe titulli i shkrimit botuar në 2 korrik 1997.
Ishin vite udhëtimi edhe drejt ditës së 11 janarit 2014 për në Prizren. “Ecim kah një mrekulli”, ëshë titulli i librit që kam botuar në 1973 te Rilindja në Prishtinë për mrekullinë e lirisë së Kosovës që e ëndërronim. E ajo ishte “E teta mrekulli” sipas titullit të vjershës, të cilën e hoqi censura nga libri…Megjithate, titulli i librit i dalë nga ajo vjershë mbeti në ballinë, dhe gjejë edhe sot në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetur” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, ku janë edhe titujt e shkrimeve gazetareske që përmenda dhe të tjerë.
Si edhe Shqipëria, edhe Kosova e lirë dhe e pavrur është mrekullia, arritja historike e shqiptarëve në “udhëtim për në Prizren”, ku në ditën hitorike të 11 janarit 2014 qeveritë e dy shteteve në mbledhjen e përbashkët do të bisedojnë edhe për avancimin e axhendave integruese të dy vendeve edhe në udhëtimin për në Bruksel, drejt Bashkimit Evropian./a.g/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Udhëtimi për në Prizren

Futbollistët shqiptarë, krenaria e kombit

November 12, 2015 by dgreca

Prishtinë, 12 nëntor 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, takoi sot në mbrëmje lojtarët dhe stafet e federatave të futbollit të Kosovës dhe të Shqipërisë, të cilat do të zhvillojnë të premten ndeshje miqësore në Prishtinë.
Kryeministri Isa Mustafa, në fjalën e mbajtur ka thënë se lojtarët e Shqipërisë dhe të Kosovës janë krenaria e kombit.
“Keni qenë dhe jeni bërë veçmas me fitoret dhe me kualifikimin tuaj. Unë dëshiroj sot t’iu uroj shumë suksese, dhe jemi të bindur se do të arrini suksese vitin e ardhshëm, do ta verifikoni edhe njëherë veten si lojtarë të mrekullueshëm, si një ekip i shkëlqyeshëm”, tha kryeministri Isa Mustafa, duke uruar që të premten të zhvillohet një lojë e bukur.
Duke iu referuar dilemave se si të konsiderohet kjo përballje, kryeministri Mustafa tha se mbi të gjitha kjo është një lojë vëllazërore.
“Po i themi kombëtare, por jemi një komb. Po i themi vëllazërore, pra jemi vëllezër. Por ajo që është me rëndësi është që ne t’i qesim në pah cilësitë tona, vlerat tona, të cilat janë shumë të mëdha, ato që i keni treguar, i keni vërtetuar. Ju uroj shumë për lojën e nesërme, dhe veçmas ju uroj për kampionatin e vitit të ardhshëm, i cili do të jetë shumë i rëndësishëm për ne, këtu në Kosovë dhe në Shqipëri. Suksese”, tha kryeministri Isa Mustafa, para lojtarëve.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka thënë se janë mbledhur në Prishtinë për të festuar kualifikim historik të kombëtares shqiptare në Evropianin 2016, në Francë.
“Kjo është një kënaqësi e madhe dhe privilegj për të gjithë lojtarët dhe stafin teknik”, tha Vokrri, duke e quajtur një çast shumë të veçantë, i cili është ëndërruar dhe u bë realitet.
Armand Duka, kryetar i Federatës Shqiptare të Futbollit, duke falënderuar për pritjen e organizuar dhe mbështetjen e ofruar.
“Falënderoj nga zemra shkëlqesinë e tij, kryeministrin z. Mustafa, që gjeti kohë të jetë këtu me ne sonte. Jo vetëm për praninë sonte, por edhe për gjithë mbështetjen që i ka dhënë futbollit gjatë gjithë kohës në gjithë trojet shqiptare, jo vetëm në Kosovë. Siç tha kryeministri, është e vështirë se si duhet ta themi. Madje e kemi pasur të vështirë nëse duhet të luajmë, s’duhet të luajmë në Kosovë. Por faktikisht kjo ide ka lind në avion, në Armeni, kur ne po ktheheshim sapo ishim kualifikuar. Jo vetëm ata çuna që janë lindur në trollin kosovar, por edhe këta që janë drejtuesit e stafit nga Italia thanë se ne duhet të zbresim në Prishtinë dhe të festojmë fitoren tonë. Dhe ne pikërisht për këtë jemi sot këtu, për të festuar fitoren e përbashkët, frytin e punës së të gjithë futbollit shqiptar në gjithë trevat e tij, frytin e punës të të gjithë trajnerëve shqiptarë në Kosovë, Maqedoni, Zvicër, Bunjakut dhe të shokëve të tij, dhe frytin e punës të stafit të kombëtares sonë”, tha Duka, duke shtuar se ndeshja e së premtes është një ndeshje festive./Pergatiti per Diellin- b.j/

Filed Under: Sport Tagged With: Futbollistët shqiptarë, Isa Mustafa, krenaria e kombit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3361
  • 3362
  • 3363
  • 3364
  • 3365
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT