NGA LULZIM MULLIQI/
Anetaret e devotshem te Bordit Drejtues te Shoqates “Shqipe e Arizones” ne nje atmosfere pune dhe entuziazmi,tash e disa dite po shtojne pergatitjet per Festen Kombetare te Pavaresise së Shqiperise.Festa e Flamurit eshte dita qe i bashkon te gjithe shqiptaret,ajo eshte festa me e rendesishme e kombit tone.Ajo eshte data ku shqiptaret Jane me te perbashkuar rreth flamurit,atdheut dhe idealit te tyre kombetar.Kjo feste e rendesishme e historise sone kombetare do te festohet ne menyre dinjitoze edhe nga komuniteti shqiptar i Arizones.Perkitazi,me rastin e kesaj feste kombetare e cila mbahet cdo vit ne shtetin e Arizones nen patronatin e Shoqates me te madhe dhe me te vjeter te ket in komuniteti “Shqipe e Arizones”,Kane filluar pergatitjet intensive per kremtimin sa me madheshtore te saj.Atmosfere pune,gezimi dhe entuziazmi verehet kudo ne mesin e bashkeatdhetareve tane me banim ne shtetin federal te Arizones.Vetem brenda nje periudhe te shkurter kohore,kjo Shoqate mbajti dy mbledhje radhazi qe i’u kushtuan pergatitjeve per kremtimin e festes së Pavaresise së shtetit shqiptar.Ketij
qellimi i sherbeu edhe mbledhja e radhes e cila u mbajt ne zyrat e “ALL STATE INSURANCE COMPANY ” ne qytetin Scottsdale te Arizones,prone e bashkeatdhetares tone,Paulina Kalaj.Se pari e shpalli te hapur mbledhjen kryetari i Shoqate,Burim Gashi, i cili Propozoi vetem nje pike te rendit te dites:
1)Pergatitjet dhe organizimi per mbremjen festive te Pavaresise së Shqiperise.
Me pas,sekretari ne detyre i Shoqates, mr.Lulzim Mulliqi,beri verifikimin e presences ne mbledhje te anetareve te Bordit Drejtues te Shoqates dhe konstatoi së ekziston kuorumi i nevojshem per vazhdimimin e mbledhjes ne harmonizim me rendin e dites.Ne vijim te mbledhjes fjalen e mori,Paulina Kalaj-financiere e Shoqates e cila beri nje analize te punes së Shoqates,si dhe i informoi te pranishmit lidhur me cmimet e ofruara te disa objekteve hoteliere per organizimin e mbremjes festive te Pavaresise ne njeren nga restorantet e qytetit.Ajo kishte sjellur me vete edhe nje kontrate qe kishte bere me njeren nga restorantet ku theksoi së cmimet e Ketij restoranti Ishin me te arsyeshme dhe me te perballueshme nga ana financiare per anetaret e Komunitetit tone.Lidhur me nje organizim sa me te mire dhe realizim te detyrave te marrura nga anetaret e Bordit ,diskutoi edhe ish kryetari Shoqates dhe personaliteti me i votuar ne zgjedhjet e fundit komunitare,prof.dr.Arben Lasku,I cili tha “së secili nga ne duhet te informoje anetaret e Komunitetit me kohe per daten dhe vendin e mbajtjes së Ketij eventi te rendesishem per vete specifiken dhe rendesine qe mbart ne vete kjo feste e madhe kombetare.Gjithashtu me diskutimet e tyre u angazhuan edhe anetaret e tjere te Bordit Drejtues te Shoqates si:Diellza Shkodra,Avni Hasani,Ahmet Sahiti etj.Ne vijim te mbledhjes anetaret e pranishem propozuan,qe te dhurojne nga 200 dollare si paradhenie per rezervimin e restorantit “Phoenix Airport Marriot Hotel” per organizimin e mbremjes festive te Pavaresise.Me kete rast,shumica e anetareve te pranishem dhuruan nje shume te caktuar prej 200 dollaresh si : Paulina Kalaj-200 dollare,dr.Arben Lasku-200 dollare,Burim Gashi- 200 dollare,Zeqir Gashi-200 dollare,Dhimiter Rrera-200 dollare,Avni Hasani-200 dollare,Ndue Frroku-200 dollare, dhe Diellza Shkodra-100 dollare,gjithesejt u grumbulluan-1500 dollare.Keshtu me nje shumice votash u vendos se manifesimi
qendror kushtuar Pavaresise së Shqiperise te mbahet me date,26 Nentor,2015.Ky event mbahet ne “Phoenix Airport Marriot Hotel” ne adresen:
1101. N.44 the Street,Phoenix,Arizona,zip code: 85008.USA.Biletat per te rritur-65 dollare,ndersa per femijet 6-12 vjet,30 dollare.Femijet deri ne 6 vjet,hyrja gratis.
Ne kete mbremje madheshtore do ti argetojne bashkeatdhetaret tone ne Arizona,kengetaret e mirenjohur si : Manjolla Nallbani,Edmond Nikolla,kengetar dhe instrumentist si dhe ne Saksafon,Astrit Dungu.Me pas puna ka vijuar me informimin e anetareve te Komunitetit me daten dhe vendin e mbajtjes se ketij eventi te rendesishem kombetar ne web-faqen e Shoqates,e-maile,fb etj.
Një autor që ka për yll karvani vetëm të vërtetën
Prof.dr. Eshref Ymeri-Santa Barbara/
Në mbrëmjen e 26 tetorit, kur u ktheva në Kaliforni me time shoqe, në tryezën time të punës në familjen e tim biri, gjeta librin me titull:
“Çështja kolaboracionizëm e të tjera. T’i gjykojmë”.
Autor i librit është intelektuali i shquar Mërgim Korça. Libri është botuar në një format të bukur, në kapakun e të cilit, në një sfond kuqezi, është shqiponja dykrenore. Ka një vëllim pre 519 faqesh dhe është botuar në Detroid në vitin 2014. Librin ma kishte dërguar kur unë ndodhesha në atdhe.
Dikur, gjatë një letërkëmbimi me postë elektronike me inxhinier Mërgimin, pasi kisha ndjekur në internet disa studime shkencore dhe hulumtime të tij nga fusha e historisë, i pata shprehur dëshirën që ai t’i botonte ato si libra më vete. Por e vërteta ishte se unë nuk e dija që ai tashmë ato i kishte përmbledhur dhe botuar në libra dhe më pati premtuar se do të m’i dërgonte për t’i lexuar.
Dhe ja, tani kam para vetes këtë libër mjaft interesant, të cilin e lexova brenda javës. Është një vepër shkencore që i bën nder historiografisë shqiptare.
Ajo që më ka lënë mbresa të thella në këtë libër, është fakti që zotëria Mërgim Korça operon vetëm me të vërtetën, të cilën e ka yll karvani në punën kërkimore shumëvjeçare që ka bërë, për të siguruar të dhëna burimore që hedhin dritë mbi veprimtarinë e shumë figurave të shquara të kombit shqiptar, qoftë në periudhën para luftës, qoftë gjatë viteve të luftës dhe më pas, deri në ditët tona.
Që gjatë viteve të shkollës dhe në universitet, fjalët “kolaboracionist” dhe “kolaboracionizëm” na ishin regjistruar në kujtesë si simbol i së keqes. Sepse propaganda komuniste i kishte identifikuar ato me fjalët “tradhtar” dhe “tradhti”.
Në këtë libër, autori ndalet gjatë dhe, mbi bazën e fakteve, analizon domethënien e këtyre dy fjalëve në realitetin shqiptar të viteve të Luftës II Botërore. Në këtë kontekst, me gjakftohtësinë e një studiuesi që qëndron i sigurt në truallin e së vërtetës, ai analizon veprimtarinë e dy figurave kryesore të historisë së luftës, atë të Mustafa Krujës dhe atë të Enver Hoxhës.
Në vlerësimin e figurës së Mustafa Krujës, ai nuk niset aspak nga simpatitë personale, por nga vlerësimet që i kanë bërë personalitete të larta politike italiane të periudhës së pushtimit fashist të vendit tonë. Me këtë rast, autori citon Françesko Jakomonin, ish-mëkëmbësin e mbretit italian në Shqipëri, i cili, në librin me titull “Politika e Italisë në Shqipëri”, shkruan për Mustafa Krujën:
“Në krye të qeverisë shqiptare duhej vënë një njeri, i cili, për të kaluarën e tij të ishte i njohur si një eksponent me autoritet i nacionalizmës shqiptare dhe gjithashtu për vendin e tij ta kish rrezikuar edhe jetën e tij. E, pra, ai njeri është Mustafa Kruja” (f. 141).
Dhe më poshtë jepet vlerësimi i ministrit të jashtëm italian, kontit Çiano, për Mustafa Krujën, vlerësim ky që është bërë më 10 nëntor 1941:
“… Jakomoni propozon ndryshimin e qeverisë në Shqipëri. Kruja në vendin e Verlacit. Kjo nënkupton një vazhdim lëshimesh drejt ekstremistëve të nacionalizmës shqiptare” (po aty).
Në vazhdim, autori hedh dritë edhe mbi ca fakte të tjera që nxjerrin në pah të vërtetën se ç’përfaqësonte në vetvete Mustafa Kruja, si një intelektual i shquar dhe një nacionalist i vendosur i kombit shqiptar. Ai shkruan:
“Kur i propozuan drejtimin e qeverisë, Mustafa Kruja, ndërmjet shumë kushteve, paraqiti edhe kërkesën themelore që Flamurit Kombëtar t’i hiqeshin dy sëpatat e fashizmit (për anë shqiponjës) si edhe nyja e Shtëpisë Savoia (ndër këmbët e Shqiponjës), e në mes dy krenave të shqiponjës, lart të vihej përkrenarja e Skënderbeut. Kësisoj me kushtin që vuri Mustafa Kruja, Shqipëria tashmë, që nga shkurti i vitit 1942, si Simbol Kombëtar do të kishte Flamurin e Kastriotëve. Por kurrë përgjatë diktaturës jo që nuk u fol lidhur me këtë moment kyç të historisë sonë, ku u pa me fakte se qeveria Kruja po fillonte t’i vinte mirë sinoret mes shtetit shqiptar dhe shtetit italian, pa le të publikoheshin dy fotografitë, e para ku në emër të parlamentit shqiptar si edhe të qeverisë, z. Ekrem Bej Vlora lexon falënderimin për rivendosjen e Flamurit tonë Kombëtar, dhe e dyta, ku nga selia e Luogotenencës, në praninë e mijëra vetëve, nga ballkoni shpalosej Flamuri ynë Kombëtar i trashëgimisë patriotike (Të gjitha këto dokumente si edhe fotografi gjenden në Arkivin e Shtetit)” (f. 141-142).
Pra, ja cili ishte Mustafa Kruja, që, me formimin e tij prej nacionalisti të shquar, bëri një kompromis, një kolaboracion me italianët, i cili, siç e nxjerr me shumë të drejtë në spikamë zotëria Mërgim Korça, ishte në shërbim të atdheut.
Po Enver Hoxha çfarë kolaboracioni bëri me sllavët? Autori ka nënvizuar me fakte se ai bëri një kolaboracion tradhtar, pra, në dëm të interesave kombëtare. Bazat e këtij kolaboracionizmi tradhtar të Enver Hoxhës u hodhën në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste të 08 nëntorit 1941, ku qe aprovuar një Rezolutë, të cilën e patën përgatitur paraprakisht Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Pikërisht në atë Rezolutë u mboll fara e antinacionalizmit dhe u theksua rreziku që vinte (për shovinizmin jugosllav, sigurisht) nga nacionalizmi shqiptar, i cili kishte si pikësynim ribashkimin e trojeve tona etnike në një shtet kombëtar.
Autori i librit sjell një fakt mjaft interesant nga Plenumi II i Beratit që u zhvillua në periudhën mes 23 dhe 27 nëntorit 1944. Emisari jugosllav në atë plenum, Velimir Stojniçi, pati deklaruar:
“Shqipëria jo që nuk e rrit dot ekonominë e saj, por as e zhvillon dot atë sepse imperializmi do ta gëlltiste;… e vetmja zgjidhje e saj është të bashkohet në një konferderatë me Jugosllavinë…” (f. 105).
Ky ishte një poshtërim i rëndë që Velimir Stojniçi i bënte haptazi vendit tonë, por askush nga të pranishmit nuk pati burrërinë t’i tregonte vendin këtij emisari të shovinizmit jugosllav.
Në vijim autori sjell një citat mjaft domethënës nga një fjalim i Enver Hoxhës, në të cilin zbulohet açik tradhtia e tij e hapur në shërbim të serbosllavizmit.
Tre vjet më vonë dhe pikërisht më 15 dhjetor 1947, Enver Hoxha, i mbrujtur mirë tashmë me kolaboracionizmin tradhtar me shovinizmin jugosllav, në mbledhjen e Byrosë Politike del me këtë deklaratë publike, duke vazhduar poshtërimin e vendit të vet, sipas shembullit të Velimir Stojniçit tre vjet më parë:
“Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejt bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë socializmin pa u bashkuar me Jugosllavinë…” (po aty).
Kjo deklaratë përbën një akt të lartë tradhtie të Enver Hoxhës, të cilën, siç vë në dukje autori, edhe pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, historianët nuk patën marrë kurrë guximin ta botonin në faqet e librave të tyre.
Në faqet e këtij libri, zotëria Mërgim Korça u ka bërë një homazh të shkëlqyer shumë figurave të shquara të kombit shqiptar, të cilat diktatura e egër komuniste e Enver Hoxhës i nxiu, i poshtëroi, i zhduku fizikisht apo i kalbi nëpër burgje dhe kampe internimi, duke vënë në jetë platformën antishqiptare të shovinizmit jugosllav për përçarjen e popullit shqiptar dhe për përplasjen e tij në dallgët e luftës civile dhe të luftës së klasave, pasojat e dhimbshme të së cilës vazhdojnë të jenë të dukshme edhe në ditët tona.
Në faqet e këtij libri bie në sy polemika e autorit me ish-kreun e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Haxhinasto, për problemin e Çamërisë dhe sidomos për punën e emërvendeve (toponimeve). Nga kjo polemikë lexuesi kupton dhe bindet se Tirana zyrtare, në qëndrimin ndaj Çështjes Kombëtare Shqiptare, vazhdon të ndjekë traditat antikombëtare të politikës së Enver Hoxhës.
Një hapësirë të konsiderueshme në këtë libër e zënë polemikat që autori bën me disa historianë, të cilët, të edukuar dhe të brumosur në kushtet e diktaturës komuniste gati gjysmëshekullore, jo vetëm që nuk guxojnë t’i rishikojnë qëndrimet e tyre të dikurshme antishkencore, por kanë edhe kuturinë t’i mbrojnë ato në një mënyrë paradoksale edhe pas vendosjes së sistemit pluralist. Autori u bën thirrje këtyre historianëve të çlirohen nga vargonjtë e ideologjisë antikombëtare që mbolli dhe përhapi Enver Hoxha për shtrembërimin e fakteve historike dhe t’u kthehen dokumenteve arkivore. Sepse në këto dokumente prehen faktet e pakundërshtueshme për vlerësimin e mjaft personaliteteve të historisë së popullit tonë, emrat e të cilëve diktatura komuniste enveriane i mbylli në kasafortën e heshtjes së madhe. Por historianët e lartpërmendur jo vetëm që nuk reflektojnë ndaj thirrjes së këtij studiuesi dhe hulumtuesi të talentuar, por edhe i kundërvihen me pretekstin se zotëria Mërgim Korça nuk është historian dhe s’ka pse shkel në “sinoret” e tyre!!! Kjo është një kundërvënie mjerane. Sepse sot arkivat nuk janë më të mbyllura për dikë e të hapura për dikë tjetër, si në kohën e diktaturës. Të drejtën për të hyrë në ato arkiva për qëllime hulumtimi dhe studimi shkencor, e gëzon çdo qytetar i vendit tonë. Pikërisht hulumtime dhe studime të tilla ka bërë edhe autori i nderuar Mërgim Korça, i cili, me përgatitjen e tij erudite dhe me njohjen disa gjuhëve të huaja, nga faqet e këtij libri u ka folur lexuesve vetëm me gjuhën e së vërtetës, vetëm me gjuhën e fakteve, çka dëshmon më së miri për formimin e tij si një intelektual me horizont të gjerë kulturor dhe me vetëdije të lartë kombëtare.
Santa Barbara, Kaliforni
06 nëntor 2015
Rama zbulon gabimin e vetëm të tij në dy vjet qeverisje
Kryeministri Edi Rama në emisionin “Top Story” ka “zbuluar” edhe gabimin e vetëm, sipas tij, që ka bërë ai në këto dy vite qeverisje. Ai thotë se qeveria e tij nuk ka asnjë dështim, por përmend një gabim, që ai e cilëson si jo të vogël. Gabimi i vetëm i Ramës është vonimi i operacionit për energjinë. Kryeministri ka deklaruar se nuk duhet të hezitonte të niste këtë aksion, por pranon se vlerësimi i atëhershëm nuk ka qenë i duhuri. “Kam bërë një gabim që operacionin e energjisë kam hezituar ta filloj më përpara. Nuk është një gabim i vogël, duhet ta kishim filluar më përpara. Vlerësimi i bërë ka qenë një vlerësim për të qenë të kujdesshëm dhe nuk ka qenë një vlerësim i duhur. Në fakt, po ta llogarisim se çfarë do të kishim fituar i bie të mos jetë një gabim i vogël”, tha kryeministri Rama. I pyetur se ka ndonjë gabim tjetër të tij në këto vite qeverisje, Rama fillimisht deklaroi se “në qoftë se do merrnim sektor për sektor gjithmonë do thosha që ka qenë gabim sa herë që është hezituar për ta bërë më shpejtë dhe me më thellësi një hap, një veprim, në kuptimin e reformave”, ndërsa më pas ka përmendur edhe një tjetër. “Do një gabim tjetër? Ka qenë gabim që shpërndamë leje legalizimi në fushatë. E kam thënë edhe më përpara, ka qenë shumë gabim. Nuk duhej ta bënim një gjë të tillë”, u shpreh Rama.
Ditëlindja e poetit
Nga Ilir Levonja/
Poezitë që kam zgjedhur, janë nga krijimtaria e poetit Faslli Haliti. Ai te Enjten, 5 Nentor*, mbushi 80 vjeç. Një arritje e madhe. Pra ka ditëlindjen. I kthehem memories. Ashtu si shumë krijues nga qyteti i Lushnjes edhe unë, kam kujtime të bukura. Në të njëjtën kohë jam pjesë e kujdesit dhe e vëmëndjes së tij. E para sepse Faslliu është ndofta nga ata persona që i përket gjithkujt nga pak edhe shumë. Ai njohu shiun poetik, diellin poetik dhe qiellin poetik. Ai është metafora e së përditshmes. Poeti i fjalës prej uji. Piktori i imazheve me fjalë plot ngjyra dhe xixa.
Për poezinë e tij është thënë shumë. Janë shkruar shumë. Përfshi edhe mua…, me disa reçensione e komente në shtypin shqiptar. Unë sot nuk do bëj analizë, por sado kohë që kalon, sërisht më forcohet në brendësi të qënies sime. Ai meditimi artistik i kahershëm se, poezia e tij është një konstatim me keqardhje. Për njeriun naivist që jeton me mendje prej mishi dhe gjaku njerëzor. Që beson thjesht, pa djallëzi. Që rritet duke të dashur, pa djallëzi. Që vlon me keqardhje se detyrat i kreu, pa djallëzi. Që nuk e di se bën faj, kur nuk të pëlqen ty. Dhe që pa djallëzisht beson se e vërteta, është si drita e diellit.
Cikli i mëposhtëm kap disa dekada nga idoma e tij artistike e këtij kapërcyelli jete në mes dy shekujve. Thjesht si memorie e bukur. Si urim dhe falenderim për këto lule poetike, me erë Myzeqeje që ai ndau me ne. Jetë e shëndet poet.
1)LAMTUMIRË
Drejtimi:
Majtas!
Unë,
Drejtë përpara.
Drejtimi:
Djathtas!
Unë,
Drejtë përpara.
Urdhri:
Prapakthehu!
Unë
Përpara, përsëri
Lamtumirë kapedanët e mi!
2)NJERIU ME KOBURE
Ai pret të fryjë era
Jo që të zhvishen pemët.
Jo që të shkunden gjethet e verdha,
Por që t’i ngrihet cepi i xhaketës,
Të duket pas brezit koburja.
Ai pret të vijë pranvera.
Jo që të mbjellë e të korrë,
Por që të zhveshë xhaketën,
T’i duket pas brezit
Koburja.
3)NATË MAJI
Hëna varet si vath në veshin e natës,
Neonet ndriçojnë me dritë dëbore,
Ne bisedojmë nën një mimozë bionde
Si nën një hënë tokësore.
Pranë nesh kalon një makinë,
Dy buqeta dritash na dhuron
Dhe ikën nëpër natë e gëzuar,
E gëzuar nga dashuria jonë.
4)KUR
50 vjet,
Na folët për dritën socialiste,
Tani na flisni për errësirën 50 vjeçare.
50 vjet,
Na folët për lirinë,
50 vjet
Na folët për demokracinë e vërtetë proletare.
50 vjet
Na folët për parajsën komuniste
Tani na flisni për 50 vjet ferr komunist,
Kur na e keni thënë të vërtetën?
Dje,
Apo tani?
Ç’e pandehni ju popullin
Foshnjë,
Ç’e pandehni ju popullin
Çilimi?
5)PËRSOSJE
Ju Tregoni me gisht kriminelin tek ai,
Tek ai
Të gjithë shohin delen;
Ju tregoni me gisht hajdutin tek ai,
Por tek ai
Të gjithë shohin Nobelin;
Ju tregoni, me gisht spiunin tek ai,
Por tek ai
Të gjithë shohin besnikun;
Ju Tregoni me gisht Don Zhuanin tek ai,
Por tek ai
Të gjithë shohin familjarin;
Ju tregoni Me gisht Frikacakun tek ai,
Por tek ai
Të gjithë shohin Skënderbenë;
Rrini, pra, me gisht në gojë!”
6)KENDOVA
Zbathur
U këndova këpucëve
I leckosur
U këndova pardesyve
I uritur
U këndova drithërave
Në
Errësirë
U këndova dritave
Në
Terr
U këndova ngjyrave
Në
Zi
U këndova dasmave
Në
Pranga
I këndova lirisë.
Shpresa më mbajti ison…
* Ka nje Lapsus ne Ditelindjen e Poetit. Ai ka lindur me 5 Dhjetor. Gjithesesi nje urim i parakohshem,s’eshte gje tjeter, vecse deshire per urim. Le te jete ky urim i Ilirit, nje paralajmerim per miqte e Poetit Faslli haliti.(Dielli)
Kosovë-Kështjella e Dardanisë së lashtë
PRISHTINË, 5 Nëntor 2015/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, vizitoi sot Kështjellën e Harilaqit, një nga monumentet më të lashta dhe më të bukura të trashëgimisë kulturore dhe historike të Kosovës.
Duke folur për rëndësinë e pranimit të Kosovës në UNESCO, kryeparlamentari Veseli tha se të gjithë ata që ende kanë hezitime lidhur me ketë, duhet të ndryshojnë mendje, sepse, siç theksoi ai, nëpërmjet pranimit të Kosovës në këtë organizatë, do t’i ndihmohet edhe kësaj trashëgimie historike që të mos humbet.
“Kjo është vetëm një pjesë e kësaj trashëgimie, e cila, falë njerëzve profesionistë dhe autoriteteve komunale të Fushë-Kosovës, sot ka arritur të dalë në sipërfaqe. Kemi shumë pasuri të trashëgimisë sonë, të cilat ende gjenden nën tokë dhe duhet ta shohin dritën”, theksoi kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.
Gjatë kësaj vizite, kryetari Veseli u njoh nga afër me punimet arkeologjike që po bëhen në këtë lokalitet, nga të cilat po dalin në sipërfaqe gjurmët e krishterimit të hershëm ilir, Dardanisë së lashtë, siç janë edhe dy martiriumet, ndërsa së bashku me një grup arkeologësh të rinj mori pjesë në gërmime.
Kreu i Kuvendit tha se këto thesare, populli ynë i ka ruajtur me shekuj, ndërsa tani, institucionet e Republikës së Kosovës e kanë për obligim të kujdesen për to, duke i zbuluar, restauruar dhe konservuar, si një vlerë dhe pasqyrë e pashlyeshme e trashëgimisë së hershme.