• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lodhje nga llumi politik Shqiptar

October 4, 2015 by dgreca

Klasa politike shqiptare, me « metodat » e saja menaxhuese, apo më saktë me mungesën e tyre e ka lodhur popullin shqiptar, në planin ekonomik dhe moral. Me një « sy qorr » dhe një « vesh të shurdhër », kundrejt kritikave, fatkeqesisht sporadike ajo vazhdon të bëjë një gjë të tillë e pa tronditur. Gjithnje e me i madh eshte numri i njerezve që ndihen të neveritur nga llumi politik shqiptar./

Shkruan: Aurenc BEBJA/
Francë, 3 tetor/Një seri konstatimesh, edhe pse mund të mungojnë shumë të tjera, mjaftojnë për të bërë tabllonë e « keqtrajtimit » të popullit shqiptar dhe origjinën e lodhjes së tij…me premtimet politike të pambajtura [1] :- 300 000 vende të reja pune brenda mandatit të parë qeverisës 2013 – 2017

– 95 % e popullsisë do të përfitojë ulje taksash

– 5 fish rritje të financimit për bujqësinë

– Shëndetësia, falas për të gjithë

me gjuhë e degraduar në Parlament [2] :

– akuza nga më të rëndat për njëri-tjetrin, por çuditërisht nuk ka asnjë arrestim…asnjë dënim

– një gjuhë shkëmbimi tepër e degraduar : e ke fajin ti, e kam fajin unë (si fëmijë kopshti), ti je horr, ndërsa ti je sorrë [3], ti je legen, ti merresh më këtë, ti shkon me atë

me lojën politike të dyfishtë [4] :

– kaloj djathtas, pastaj majtas, dhe anasjelltas

– krijoj parti të re dhe pastaj e shkrij partinë pasi ribashkohem me një tjetër parti

– braktis filan parti edhe pse më kanë zgjedhur me votë (d.m.th kam premtuar shumër gjëra elektoratit) për një parti tjetër

me një pozitë që sillet sikur është gjithmonë në opozitë, dhe me një opozitë që s’po ndërgjegjësohet e të ribashkohet për të bërë opozitë :

me mbijetesën në fshat :

– punimin e tokës si në mesjetë

– prodhimet bujqësorë që nuk u gjejnë dot treg

– rrugët që nuk mund të quhen rrugë

– faturat e çmimit të lartë të energjisë elektrike që nuk mund të paguajnë

– mungesa e ujit te pishëm që nuk e kanë në shtëpi

– mungesën e shërbimit shëndetësor

me jetesën në qytet :

– trafikun e dendur

– ndotja dhe smogu [5]

– mbeturinat

– mungesën e hapsirave të gjelbërta dhe e kendeve te lojrave per femije

– taksat, faturat

me aksidentet rrugore [6], mua krimin [7] dhe dhunën [8] në familje

me pritjen nëpër kampet gjermane pa shpresa [9] :

– sigurisht nuk u larguan me dhunë nga Shqipëria por u larguan nga varfëria

– u larguan pa e ditur mirë se çfarë i priste

– u larguan se u lodhën duke pritur

me ëndërrën europiane [10] :

– sa herë që kemi një shans për tu afruar në BE e djegim

– sillemi me arrogancë ndaj autoriteteve të BE-së, dhe dihet që duke vëzhguar sjelljet tona, na e mbyllin derën çdo herë, apo më mirë na e plasin në surrat

me imazhin e keq që kemi në Botë për arsye të veprimeve apo lidhjeve politiko – kriminale. Populli perëndimor, kur janë në dijeni se nga bie Shqipëria, na quajnë popull mafioz (drogë, prostitucion, vjedhje).

Si përfundim, sa do të mund të durojë populli shqiptar lodhjen e shkaktuar nga klasa politike ? A ka limite durimi i tij ? A do te ndryshojë klasa politike përpara se populli të humbë durimin? Kjo eshte tanime nje domosdoshmeri.(Kortezi: K L A R A  B U D A  P O S T)

REFERENCAT :

 [1] Gazeta Shekulli, 23 shkurt 2013 : « Programi i plotë elektoral, premtimet e PS-së ».

http://www.shekulli.com.al/p.php?id=17270

[2] Syri.net, 17 shtator 2015 : « Debatet sot në Kuvend ».

http://syri.net/index.php/2015/09/17/perplasje-te-forta-ne-kuvend-per-dekriminalizimin-berisha-dhe-rama-kembejne-njeri-tjetrin/

[3] Mapo, 2 tetor 2015 : « PS tkurret akoma, Balla fyen Topallin: Sorrë ».

http://www.mapo.al/2015/10/ps-tkurret-akoma-balla-fyen-topallin-sorre

[4] Mapo, 26 shtator 2015 : « Merkato politike, kush janë deputetët që kanë ndryshuar parti ».

http://www.mapo.al/2015/09/merkato-politike-kush-jane-deputetet-qe-kane-ndryshuar-parti

[5] Telegrafi.com, 17 janar 2015 : « Tirana mbulohet nga mjegulla dhe smogu (Foto) ».

http://www.telegrafi.com/lajme/tirana-mbulohet-nga-mjegulla-dhe-smogu-foto-78-13366.html

[6] Syri.net, 5 shtator 2015 : « Shifrat e frikshme të aksidenteve. BB: Shkalla e vdekshmërisë 10 herë më shumë se në BE ».

http://syri.net/index.php/2015/09/05/shifrat-e-frikshme-te-aksidenteve-bb-shkalla-e-vdekshmerise-10-here-me-shume-se-ne-be/

[7] Respublica.al, 20 Mund 2014 : « Krimi në familje, burri vrau gruan se i ktheu dorë, më pas vetëvritet ».

http://www.respublica.al/arkiv-lajme-t%C3%AB-p%C3%ABrdit%C3%ABsuara/krimi-n%C3%AB-familje-burri-vrau-gruan-se-i-ktheu-dor%C3%AB-m%C3%AB-pas-vet%C3%ABvritet

[8] Koha Jonë, 14 shtator 2015 : « Dhuna në familje, në 48 orë 7 urdhërmbrojtje ».

http://www.kohajone.com/index.php/aktualitet/dhuna-ne-familje-ne-48-ore-7-urdhermbrojtje

[9] Java News, 8 shtator 2015 : « Shuhen shpresat për azil në Gjermani, Shqipëria vend i sigurt origjine ».

http://www.javanews.al/shuhen-shpresat-per-azil-ne-gjermani-shqiperia-vend-i-sigurt-origjine/

[10] Tema, 14 Shtator 2015 : « Rama : Kur do antarsohemi në BE ? Pyesni Merkelin. Ka shumë paragjykime për Shqipërinë ».

http://www.gazetatema.net/web/2015/09/14/rama-kur-do-te-anetaresohemi-ne-be-pyesni-merkelin-ka-shume-paragjykime-per-shqiperine/

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurenc Bebja, Lodhje, nga llumi, politik Shqiptar

Kosova me “autostradë” energjetike drejt Shqipërisë mbërrin te kufiri në Qafë Morinë

October 4, 2015 by dgreca

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 4 Tetor 2015/ Në “autostradën” energjetike – linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, në pjesën kosovare, këtë javë, me përfundimin e shtatorit, u përfundua me ngritjen e të gjitha shtyllave elektrike dhe janë shtruar mbi 50 km përçues elektrikë.

Kryeshefi ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT, Naim Bejtullahu, dhe ambasadori i Kroacisë në Prishtinë, Zoran Vodopija, gjatë një vizite në terren patën rastin që të shohin punimet në finalizimin e ngritjes së shtyllës së fundit elektrike, 239, në kuadër të projektit, mu pranë kufirit Kosovë-Shqipëri në Qafë Morinë.

“Me këtë tempo të punimeve pritet që ndërtimi i linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri të finalizohet para afatit kontraktual”,  ka theksuar Bejtullahu.

Ambasadori Vodopija është shprehur shumë i kënaqur për realizimin e suksesshëm të punimeve dhe cilësinë nga ana e kompanisë kroate “Dalekovod”, e cila po zbaton projektin në pjesën e Kosovës.

Në Kosovë, fundi i nëntorit 2015 do të shënojë përfundimin e projektit të “autostradës” energjetike drejt Shqipërisë, ndërkohë që me qëllim të krijimit të kushteve të sigurisë në punë në kuadër të projektit edhe sot e ditëve të fundit kishte shkyqje në disa linja lokale.

Kosova dhe Shqipëria në vitin 2016 inaugurojnë “autostradën” energjetike, ka thënë kryeministri kosovar Isa Mustafa, në një konferencë për shtyp në muajin gusht, ku ka folur edhe për bashkëpunimet në fushën e energjetikës e të tjera.

“Rrjeti energjetik mendojmë se vitin e ardhshëm duhet të aktivizohet. Sivjet presim që të kryhen të gjitha punimet në pjesën tonë, edhe në pjesën e Shqipërisë kryhet vitin e ardhshëm dhe do e inaugurojmë”, ka theksuar kryeministri kosovar Mustafa.

Kreu i qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se, është duke u punaur që të sigurohet edhe tregu i përbashkët i energjisë elektrike, që të bëhet këmbimi i saj.

Që para fillimit të punimeve, në fazat e përgatitjeve, burimet në Prishtinë kanë njoftuar se projekti për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri konsiston në ndërtimin e një  linje te tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së ciles 85.5  km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në 21 dhjetor të vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: autostrada energjitike, Behlul Jashari, drejt Shqipërisë, kosova

Pushtim, pushtet

October 4, 2015 by dgreca

E shkuara është gjenetike, nuk harrohet; dihet se pellazgët ishin të parët, pastaj erdhën helenë e ilirë, dhe shumë më vonë sllavët. Erdhën prej diku, të gjithë ishin pushtues; i vetmi ndryshim i tyre nga romakët  e osmanët ishte se këta ikën e ata mbetën./

Nga Astrit Lulushi/

Ekstremistët kërkojnë gjithçka – edhe kufijtë që kishin pasur në kohërat e zgjerimit të tyre më të madh, por ishin tërhequr për shkak se nuk kishin qenë në gjendje t’i mbanin. Kështu ndodh me ata që jetojnë në një kohë dhe mendojnë në një tjetër.
E shkuara është gjenetike, nuk harrohet; dihet se pellazgët ishin të parët, pastaj erdhën helenë e ilirë, dhe shumë më vonë sllavët. Erdhën prej diku, të gjithë ishin pushtues; i vetmi ndryshim i tyre nga romakët  e osmanët ishte se këta ikën e ata mbetën.
Të veprosh si folklorik është si të shohësh makinën dhe të mos mësosh se ç’është, por t’a trajtosh si kafshë të rrallë që tërhiqet nga i zoti, si çdo kafshë tjetër.
Edhe për gjërat më të vogla duhet ndalur e menduar. Shikimi nuk hiwet nga rëndësia e procesit. Çdo gjë jo e natyrshme është artificiale – kur shihet një copë bukë, duhet kujtuar a kuptuar procesi i punës, durimit dhe zgjuarsisë që kanë ndodhur para se gruri të rritet, edhe toka s’duhet harruar, as mulliri dhe furra për ta pjekur.
Të duash rezultatin pa bërë punën që duhet për ta arritur, është si të marrësh pozitën vetëm për përfitime, pa u shkrirë në të, ndërsa për fqinjin a botën të ndizet zilia e të thuash se është duke shijuar përfitime të pamerituara.
Kështu, në të gjitha periudhat e pushtimit a pushtetit, një njeri që beson ndryshe quhet pa, pa ideal; atij ose i duhet të përulet a ndryshojë besimin, ose të përndiqet pa mëshirë, mizorisht. Sepse mëshira, e cila trajton dhimbjen, është proces dhe jo rezultat. Prandaj pushtuesi ndjehet i huaj në vend të huaj. Dhe jo më pak pushteti shtypës, merr epitetin “popullor”, sepse pushtohet nga një kompleks inferioriteti.

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi, pushtet, Pushtim

Rastësisht në rrugë

October 4, 2015 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

Kohë më parë …/

Ajo i tha përmes telefonit se do e priste në dritare, por nga mbrapa pallatit. Nuk i besohej. Vështroi receptorin por që andej erdhi ai tingulli i mospërfilljes së aparatit kur nga ana tjetër nuk të pret askush. Vërtet i tha eja? Pse habitej? Ndofta nga që u bënë vite që i lutet ta pranojë. Vite përgjërimesh. Ndaj vrapoi përjashta.

Ajo paradite vjeshte e kulluar mes stërkalash dielli dhe zhaurima njerëzore, sikur u harmonizua si me dorë. Edhe zemra brenda gjoksit, rregulloi pampamet. Ndryshe nga përpara pallatit, ku rruga e Ypsilonit vlonte nga lëvizjet. Mbrapa, prehej një qetësi lagjeje. Rrethina e tërë pushonte nën një qiell blu. Aq sa të krijohej përshtypja sikur natyra, bota, njerëzimi, patën rezervuar edhe rastin tënd.

-Dhe sa do vazhdosh të më ndjekësh? – e pyeti ajo.

Ai u hutua. Iu kthjelluan sytë e kaltër deri në një pasiguri këmbësh. Vuri dorën tek muri me tulla.

-Këtë e di ti, jo unë. Varet gjithçka nga ty. Më thuaj po, tani, dhe kaq. Të tjerat janë punë e jonë, e përbashkët. Më kupton. E ardhmja është e të dyve, nuk është më vetëm e imja apo e jotja, – tha ai me qetësi por me rend fjalësh që i dolën vetiu prej anës më të mirë të qënies së tij.

Ajo qeshi.

-Pastaj ata të dy ikin diku siç ikin zogjtë, -vazhdoi ai.

Dhe ajo ia priti…,

-Prandaj edhe ti nuk ke ikur?

Ai iu përgjigj.

-Sa të mbarosh ti shkollën. Të ikim të dy.

Qe koha e ikjeve të para. Natyra në qytet qe e mbarsur me ethet e saj, sikur kishte rënë epidemia e ikjeve. Ikja nuk kishte moshë. Po ndërsa të martuarit kishin hallin e familjeve, të dashuruarit, sidomos djemtë e rinj, të vajzave që donin.

Ajo vetëm sa çoi buzën në gaz. Në qiell për rastësi kaloi një avion. Edhe pse larg, dukej si një krijesë e bardhë. Gati lodër, gati një pëllumb nga ato që varim për zbukurim në pemën e vitit të ri. Lëshonte nga pas një vazhdë të bardhë e cila dikur bëhej fashë e udhtë.

-Ja sikur na i bën për zili, -tha ai.

Ajo çoi sytë nga qielli dhe vetëm sa u tulat në krahët e saj. Ndodhej diçka lart. Qe dritare nga ato ku të duhet të kolovitesh. Çfarë dëshirë e madhe. Vetëm ta puthte pak. Sytë e saj në bojën e mjaltit. Mjaltit të zënë, nga ai i i luleve të drurëve shekullorë. Kishte mbledhur flokët mbrapa, i dukej qafa, nofullat, veshët. Çfarë mrekullie. Sikur ta prekte pak. Por mes tyre ishin hekurat, lartësia. Frika se mos po vinte ndonjë nga fqinjët. Megjithëse ishte qetësi. Ora duhej të ishte njëmbëdhjetë e paradites. Nuk donte ta bënte me fjalë. Por nuk mundi. U ngjit. U kacavier.

-U çmende, – ia priti ajo dhe i përplasi kanatin e dritares, midis një trembje të lehtë dhe një kënaqësie që fytyra e djalit mbarte nervin e burrit.

Ai pa përreth. Qetësi. Megjithëse krrima e kanatës akoma jehonte. Seç qe aty mbrapa një shtëpi me mure guri të lartë. Ku në verandë një grua e moshuar ushqente macen. Plaka nuk ishte asgjëkundi edhe pse dukej sikur po e shikonte.

Iku me kokën ulur. Nga një dritare tjetër u përhap një këngë nga programet e mërzitshme të paraditeve televizive. Nga ato populloret ku përzihen si zhaurimë xhinglash instrumentet muzikore. ”E imja moj/ do të jesh përjetë.” Përbri i kaloi një burrë me biçikletë. Kërrujti fytin dhe aq. Djalëria është kuriozitet. Ndaj atij iu duk sikur burri e kishte me ‘të. Nxitoi. Në atë lagje qyteti ai qe një i huaj. I panjohur. Aq me tepër me ato flokë të gjatë. Me xhiboks bluxhins ku fekste një noçkë kau. Vajza në fjalë nuk i ndaloi më. Sikur panikosej prej tij. Kaluan dy muaj. Por hiç. Madje kur dilte nga shkolla, ecte në krah të katër vajzave. Mes të qeshurave të tyre. As që e shikonte. Ai kullohej tek druri i ekualiptit. Shikonte qoshen e rrugës Ypsilon ku ajo do të kthente. Njerëzit që nxitonin me çantat plot. Zilet e biçikletave që kumbonin hera-herës si të çjerra bagëtish të imta.

-Qënke bërë i tmerrshëm, – tha një nga shokët, në kuptimin që ajo zuri të kthehej në shtëpi e shoqëruar. Pati domethënien që ai nuk duhej ta ndalte më. Ose ta linte rehat. Kurse ai tha shokut se, nuk e mendonte ashtu. Mirëpo një ditë më pas ato, vajzat qëndruan aty pari. Afër tyre. Ata ishin tre djem. Kurse ato katër. Shoku i qeshi me naivitet. E shikoi gjatë dhe zë ulët i tha se ato as që druheshin më fare prej tyre.

-E pastaj, -ia ktheu ai.

-Kur nuk të ka një çikë frikë, ka domethënien që nuk e pjerth fare për ty, -ia ktheu tjetri.

Atë kohë vajza e tij u shkëput nga shoqet duke u përshëndetur dhe nxituar e vetme. Nuk i hodhi sytë fare nga ai. Ai u mendua. ”Çfarë po ndodh? Iku vetëm për të më sfiduar? Apo kërkon ta ndjek nga pas?”. U mendua. Shoku e vështronte po njësoj. me pak ironi. Megjithatë, ai nuk e ndoqi. Dhe, gjysmë ore më vonë, do i dhimbte, do e torturonte, aty e përjetësisht…, ai ngurim, ajo ngathtësi, ajo stepje për të mos i shkuar nga pas. Ajo stepje për të mos këmbëngulur.

Ndërkaq, treshja e vajzave u kthye mbrapsht dhe u shkoi djemve mu tek hundët. Qeshën. Ai vetë nuk i vështroi, veçse në grimë çasti aty afër u ndjeu erën. Parfumin e mishit që i ngjan freskut të luleve.

-Mbaroi nuk ia ndjen më për ty, biles na shpërfillin edhe ne që vimë me ty. Nuk e shikon, kaluan këtu para nesh sikur të mos ekzistojmë fare, -tha i njëjti shok.

-Po ti çfarë pret, përse nuk i shkove nga pas. Ajo për ty u nda nga shoqet, – i tha tjetri shok.

Ai heshti. Pa nga vajza, shpina e saj u tret përetej. Tek qoshku i rrugës Ypsilon, tek pallati me granil të bardhë. Nga ana tjetër vështroi shoqet e saja. Ato sërish qeshnin teksa shkonin trotuarit që ata kishin vite që e ruanin. Nuk i urreu. Qe një lloj lufte nervash nga mendjet njerëzore. Megjithatë ai besoi se i dha kuptim orëve. Dikur edhe shokët e tij ikën. Mbeti vetëm fare. Kujtoi atë ditë kur guxoi e u ngjit tek kangjellat e dritares për ta puthur. Nuk ndodhi. Pastaj kujtoi ca vargje.

Puthja është zanat i së përditshmes,

gabimi që do e bëjmë përjetësisht.

Qeshi hidhur, kështu shkruante në poezitë e tija një shoku i vet. Pastaj prapë asgjë. Vetmi në anë të rrugës. Të ndahesh nuk do të thotë të kesh domosdo arsye të forta.Rruga mbeti ashtu me lëvizje. Mirëpo atij nuk i ikej. U ul në ato telishta hekuri, pranë kaçubave kuadrate prej ligustrash dhe dëshiroi që jeta të ndalte aty. Jo për të mbaruar, jo për t’u ngrirë, jo për t’u fiksuar e mos feksuar më, por thjesht për të patur një pritje tërësisht të përjetshme. Me diferencën në duar, mes një dite me pritje dhe një dite pa pritje. Aty do rrinte. Për të mos e besuar asnjëherë se ashtu mbaroi e gjitha ajo lojë e bukur ndër ato vite pritjesh e përcjelljesh. Për të mos jetuar me mendimin se plaga mbyllet, por nuk ikën. Eshtë aty. Vetëm sa zë kore. Por edhe kur korja bie, mbetet një njollë.

***

Kohë më pas …Fill mbas shtatë vitesh, ndërsa i jepte mjetit të tij një calibra e silvërt, në rrugët e një qyteti bregdetar, plot me palma nga të dya anët. Afër një stacioni treni. Ku ca më tutje ndiheshin dhe dukeshin qiellit feçkat e vinçave të portit. Shfryma e kripës…, në një pas dreke të vakët. Aq sa ata që ishin me ‘të, kolegë të katërt, dy çifte, edhe pse gjysmë të përgjumur nga dreka e bollshme, zunë të diskutonin për plagët e dashurive të para.

-Çfarë bisedash që bëjmë edhe ne, – tha njëri.

-Pas një dreke si kjo po nuk fole të zë gjumi, -ia priti tjetra.

Atij iu kujtua nga koha e largët dielli i rrugës Ypsilon. Binte ashtu deri sa perëndonte. Dhe njerëzit dukeshin si silueta. Vetëm ajo dukej e brajtë, e prushtë madje verdikt i diellit si mbetje në tokë. Qeshi…

-Po ti në timon pse vazhdon të qeshësh? – e pyeti kolegia nga mbrapa.

-Kot, – ia ktheu ai.

Ajo e pëlqente. Edhe ai, madje kishin filluar të dilnin bashkë.

-Ku ishe tani me mëndje. Hë na i thuaj edhe ne, – iu lut ajo.

Por asesi nuk e tha, nuk e tregoi. E ruante si diellin e tij të vogël, të avullt që kushedi se ku ajo ngrohte botën me krela lulesh në këndin e një burri tjetër.

Pikërisht atë çast, nga e majta një grua e re, me fustan të kuq tentoi të kalojë rrugën. Ai frenoi i trembur. U nguros tërësisht, kur pa se ishte pikërisht ajo, vajza e rrugës Ypsilon. I rrahu zemra aq fort, aq me kumbim njësoj si atëhere. Gruaja e re kaloi qetësisht duke shikuar se mos po vinte ndonjë tjetër makinë. Pasi kjo që ndaloi iu bind vështrimit të saj. Bulevardi qe i gjerë. Dhe ajo as që ia hodhi sytë se cili qe njeriu në timon. Ai u gëzua si fëmijë. Dhe nuk i erdhi aspak keq. Aspak. U shplodh që e pa dhe që ajo ishte akoma po njësoj aq e bukur.

-Çu hutove o njëri, po jepi të ikim, – i tha kolegu përbri.

Por ai priti. Duke harruar njerëzishëm koleget mbrapa që po e vështronin me habi. Sidomos ajo me të cilën sapo kishin filluar të dilnin bashkë. Mbajti këmbën lehtë mbi pedalin e gazit deri kur gruaja e rrugës kaloi në anën tjetër, duke i shkelur vizat e bardha, sikur të ecte mbi një tastierë pianoje. Zemra hovte si flutur lëndinash. Gjithçka iu bë e purpurt, rruga e ligustrave, Ypsiloni, hija pas pallatit, shtëpia e plakës, burri me biçikletë etj.

Të nesërmen kolegia që kishte në makinë, ajo që pëlqeheshin, i tha midis të tjerave se nuk ia vlente më lidhja që kishin. Ai u mërzit. Dhe nga darka ktheu një dopio fërrnet. Aty në banak, pinte dhe dikush tjetër në këmbë. Burri, për çfarë nuk i foli. Madje i afruan nëri-tjetrit nga një gotë më shumë.

Dikur ai tjetri i tha me pikëllim:

-E vërteta e dashurive të para i ngjan ekzistencës së dy ishujve që vetëm sa i bëjnë hije njëri-tjetrit. Kur ka erë, i çojnë mesazhe të ujshme. Kur ka shi, bëjnë sikur nuk shikohen. Kur moti është i kthjellët, argalisen për zili të njëri-tjetrit. Vetëm kur i shkund ndonjë tërmet, kur i zhvendos akoma më larg aq sa nuk shihen, vetëm atëhere e kuptojnë se përse u bën ishuj.

Ai fshiu sytë në supet, si një foshnje që shikon diku dhe askund. Një ishull që priste nën shoqërinë e një fari vetmitar. Dhe pritja nuk kishte mbaruar asnjëherë.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja, Rastësisht në rrugë

Lamtumirë Nënë!

October 4, 2015 by dgreca

Nga Luan Topulli*

Pak ditë më parë u nda nga jeta Lumturi Dajçi, e ëma e gazetares e veprimtares së njohur në Shqipëri e SHBA – Mimoza Dajçi. Në përkujtim të saj familjarët shtruan një drekë në “Whitby Castle” buzë ujrave të Rye-it.Në ambjentet e këndshme rrethuar me lule të Kështjellës “Whitby” disinjuar në vitin 1852 nga Alexander Jackson Davis nderuan me pjesëmarjen e tyre familjarë, miq e dashamirës të familjes si dhe personalitete të njohura të artit, gazetarisë e shoqërisë civile në New York e më gjerë.

Në emër të familjes falenderojmë Z. Kenny Agosto Zëdhënes i Zyrës së Senatores Ruth Hasell Thompson, Kryetarin e Vatrës Z. Gjon Buçaj së bashku me Znj. Nikoleta Buçaj, Liderin e komunitetit amerikan për Zoning 49 Bronx Z. Joseph Thompsom, stafin mjekësorë të Montefiore Hospital Bronx, ku punojnë Mimoza dhe Merlini, të cilët i kanë shërbyer me devotshmëri të ndjerës, Zv. Kryetarin e Vatrës Z. Asllan Bushati me bashkëshorten Znj. Lume Bushati, anëtarët e Kryesisë së Vatrës Z. Marjan Cubi dhe Z. Zef Përndocaj, ish i dënuari i politik nëpër burgjet shqiptare dhe anëtar i Kryesisë së Vatrës Z. Lek Mirakaj së bashku me bashkëshorten Loli Mirakaj, Kryeredaktori i Gazetës “Dielli” Z. Dalip Greca së bashku me bashkëshorten Znj. Xhemile Greca, Producentin e TV Kultura Shqiptare Z. Adem Belliu me bashkëshorten Znj. Moza Belliu, aktivistët e njohur të komunitetit shqiptar në Amerikë zonjat Rita Saliu, Merita Shkupi, Mjafturie Daci, Adem Saliu, Violeta Mirakaj, Dava Mirakaj, Lena Leka, Dita Lekaj, Halit Daci, Aleks Nilaj, Toni Musaj, Pjerin Tahiri, e shumë te tjerë si dhe mbesat e Lumturisë inxhinieren kimiste Luljeta Alite me të birin inxhinierin kompjuterist Erjon Alite, prokuroren Zamira Mulosmani, etj.

Ceremoninë përkujtimore e hapi nipi i familjes Erion Alite, më pas përshëndetën Kryetari i Federatës Panshqiptare “Vatra” Dr. Gjon Buçaj, Nk/ Vatrës Z. Asllan Bushati, Z. Joseph Thompson, Znj. Rita Saliu si dhe infermierja e “Montefiore” Hospital në Bronx Znj. Lulete Johnson.

Lumturi Dajçi lindi në Gjirokastër me 18 gusht 1929, u nda nga jeta më 27 shtator 2015 në “Montefiore Hospital” në Bronx, ajo rridhte nga një familje patriote e njerëz të pushkës, mbesë nga dera e madhe e heroit tonë kombëtar Çerçiz Topulli. Me ardhjen në Tiranë njihet e martohet me të riun Enver Dajçi, i cili edhe ky vinte nga Mitrovica e Kosovës me një histori të mbartur plot heroizma e sakrifica për kombin e popullin shqiptar, nip i Heroit tonë kombëtar Isa Boletini. Biri i Nënë Hajries, heroinës shqiptare, e cila edhe e vetme në Kullë luftoi kundër pushtuesit me armë në dorë duke bërë rezistencë në të gjitha dritaret e Kullës për ti lenë përshtypje armikut se djemtë e Boletinit edhe pas vrasjes barbare të Isës akoma ishin gjallë.

Lumturi Dajçi kjo zonjë e heshtur e qetë, e punëtore, pasi lidhi jetën e saj me familjen Dajçi, ku kunati – vëllai i bashkëshortit Rasim Dajci ishte pushkatuar nga Shqefqet Peci në Prizren ne vitin 1943 ne bashkëpunim me forcat sllavo – komuniste si antikomunist, për çështje biografie e largojnë nga  puna si edukatore nga një kopësht në Tiranë, punësohet si punëtore krahu në një punishte të vogël duhani afër Lumit të Tiranës.

Pas arrestimit të të shoqit Enver Dajçi për agjitacion e propagandë kundra pushtetit popullor, nga tronditja e madhe Lumturia sëmuret rëndë e për gati një vit qëndron e paralizuar në shtrat. Për të u kujdesën vetëm vajzat e saj, në atë kohë 12 e 13 vjeçare Frida e Mimoza, as mjekët  nuk i shkonin për vizitë në shtëpi.

Më pas nëna e katër fëmijëve që i rriti me mund të madh, punësohet në një fabrikë ku montoheshin abozhure. Edhe aty puna me normë e helme, ku i duhej të pastronte ndryshkun nga metali që më pas ai te pregatitej për tu bërë paisje e një mjeti ndriçues. Shumë i pëlqente drita nënë Lumes, shumë e donte jetën e paqen në familjen e saj, e në çdo familje shqiptare. Edhe pse në kushte të rënda ekonomike, ndërkohë që i shoqi vunate dënimim në burg politik, Lumturia e mbrojti familjen me dinjitet e u kujdes për atë e fëmijët e saj. Kësaj gruaje nikoqire dhe shembull për rritjen e edukimin e fëmijëve të saj sot urojmë që shpirti ti prehet në parajsë.

Puna e rëndë me helme akumuluar në mushkëritë e saj bëri që ti rëndohej situata shëndetësore. Çdo punë që ka bërë në jetën e saj thanë mjekët si në kultivimin e duhanit dhe në pastrimin e ndryshkut tek metalet ka lënë gjurmë për keq në mushkëritë e saj, e sot thanë ata kjo është duke jetuar ditët e saj të fundit. Por edhe pse rëndë e në shtrat për një periudhë jo të vogël kohe Mimoza e mbesa e saj Merlini i qëndruan tek koka, i shërbyen ditë e natë me mish e me shpirt që asaj ti lehtësohej dhimbja e të mos vuante nga mos prania e fëmijëve, siç kemi parë e dëgjuar ku disa prindër në Shqipëri po vdesin e lëngojnë në shtrat duke mos patur fëmijët pranë. Dikush i ka në emigracion dikush nga fëmijët do të shijojë jetën e tij larg halleve e kusureve të prindërve, ndonjë nuse e djalit nuk e do vjehrrin e vjehrrën, e kështu me rradhë.

Kur dy pika lotë i rrëshqitën të sëmurës, e sytë ju mbyllën përgjithmonë, Mimoza e puthi lehtë në faqen e ngrohtë e me zë të mekur i tha – Lamtumirë Nënë!…

Dhimbja ishte e madhe. Vdekja gjithashtu…

Shërbimi e sakrificat qe i kanë dhënë nënës së dashur Mimoza e Merlini gjyshes së saj janë vërtetë për tu admiruar nga familjet tona, ndërkohë që kudo ngrihet me të madhe mos braktisja e prindërve, sepse disa prej tyre ndarja nga jeta u mësohet vetëm pas dekompozimit.

Mimoza e donte shumë nënën e saj, prandaj bëri edhe të pamundurën që ta kishte pranë e të kujdesej vetë për atë. Ashtu si çdo fëmijë i mirë e i mbarë që do me zemër e shpirt prindët e tij/ saj.

“Kujdes e shërbim fenomenal – thanë mjekët për Mimozën – ka treguar për nënën e saj. E pakoncepueshme është – thanë ata – që kjo paciente ka jetuar kaq gjatë falë kujdesit të Mimozës”. Dhe ashtu ka ndodhur vërtetë, Mimoza e vajza e saj nuk kursyen asgjë që nëna e tyre të jetonte gjatë rrethuar me dashurinë e fëmijëve. Mimoza punonte natën, turni i tretë në spital, vetëm e vetëm që gjatë ditës të kujdesej për prindët e saj tashmë  të moshuar e të munduar nga jeta e rregjimi i kohës së shkuar, e kurrë nuk u ankua për lodhje e pagjumësi, përkundrazi ndihej e lumtur që i kishte prindët çdo ditë në sy.

Deri aty arriti Mimoza sa i tha mjekëve: “Jepini gjak nënës time nga gjaku im, vetëm mamaja të më shpëtojë”. Por çdo gjë kishte mbaruar, sëmundja e pashërueshme kishte avancuar tek mushkëritë e saj e ishte agravuar së tepërmi.

Lotët në sytë e Mimozës sigurisht nuk kanë për të rreshtur kurrë për Nënën e saj të shtrenjtë, por ndihet krenare dhe e qetë që nëna e saj u nda nga jeta në duart e saj, pranisë së të shoqit, mbesës së saj të dashur Merlinit e mjekëve të mrekullueshëm të spitalit “Montefiore” në Bronx.

Lumturia shumë e donte Zotin, besim të madh kishte tek ai. Dom Nikolin Përgjini e kishte vizituar në shtëpi, disa herë edhe në spital. Ndërsa Dom Pjetër Popaj mbajti një Meshë në emër të saj në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”në Harsdalle New York.  Ajo ishte një nënë e mrekullueshme, unë si nip i saj jam i bindur se do ti mungojë të gjithëve.

Me shumë pompozitet e mbështetje shkoi për në banesën e fundit Lumturi Dajçi. Shumë dashuri e ngrohtësi i dhuroi asaj edhe komuniteti shqiptar në SHBA, ku për ti dhënë Lamtumirën valëvitën për nder të saj në makinat shoqëruese Flamujt Shqiptar e Amerikan që ajo i donte aq shumë.

* Autori i shkrimit, juristi Luan Topulli , eshte nipi i Lumturi Dajcit

New York, 3 Tetor 2015

 

Filed Under: ESSE, Komunitet Tagged With: Lamtumire nene, Luan Topulli, Lumturi Dajci, Mimoza Dajci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3480
  • 3481
  • 3482
  • 3483
  • 3484
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT