• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DUKE PRITUR SKANDALIN E RADHES TE JANULLATOS & KOMPANI

September 23, 2015 by dgreca

SHKRUAN: ATE  NIKOLLA   MARKU/

Tashme eshte e qarte per cdo besimtar dhe shqiptar se cdo replike apo denoncim te puneve te Janullatosit nuk ja vlen ti drejtohemi atije personalisht,  sepse eshte e qarte qe ai personalisht eshte kthyer ne nje kukull, qe mbahet si dordolec nga te tjere, keta jane ‘banda Janullatos’.Janullatos tashme nuk ka asnje vlere, sepse detyrat e asfalise greke dhe shovinizmit  grek i mbaroi, tani puna do te vazhdoje me te tjere, me banden e tije pseudo fetare dhe drejtperdrejte shoviniste kunder atdheut tone.

Banda Janullatos, eshte e njohur per te gjithe shqiptaret. Banda fillon me pseudo prifterinjte greke brenda kishes ortodokse shqiptare, prifterinjte e shitur tek shovinizmi grek, partine bashkimi te drejtave te njeriut, shoqata biznesmene omonia, partia agimi i arte ne Greqi.

Jam plotesisht ne solidaritet dhe ne mbeshtetje te intelektualeve, gazetareve, politikaneve qe mbajten qendrim te shkelqyer kunder skandalit te fundit te bandes Janullatos ne lidhje me kishen e Dhermiut.

Nje bande, plot skandale brenda kishes ortodokse shqiptare, por dhe ne prishje te historise kishtare dhe asaj kombetare ne teresi, nuk mundet te beje krahasime te ngjashme me vitin 1967, kur diktatura burgoste klerike dhe prishte godina kulti. Sot, te mendosh se shteti Shqiptar, ka mendesi te viteve 1967, eshte kulmi i cinizmit dhe shprehje e nje farmaku te konservuar brenta mendjes shoviniste te vorio epirit. Per kishen e Dhermiut, u reagua nga banda Janullatos ne menyre me egersore, te krahasueshme me nje fortune anti besim, te ngritur nga  shteti shqiptar. Ndodhi, qe me e pakta qe u be, ishte se, reagimi mazhorance opozite i tregoi kufirin tek thana, duke i kujtuar bandes Janullatos, se e teproi qellimisht per te krijuar imazhin e nje Shqiperie  e cila demton besimet fetare. Sigurisht  ishte skandali i radhes i bandes Janullatos.

Banda Janullatos, ka perparuar shume ne dem te Shqiperise, ne shume drejtime duke filluar me financime aspak transparente, ndertime te ndryshme kishtare, klinika e shoqata te drejt perdrejta me programe vorio epirote dhe tjetersim te  origjines se besimit ortodoks shqiptar. Banda Janullatos tashme ka kryer nje invazion te rende brenda territorit te Shqiperise dhe me propogande te zeze deri ne bashkimin Europian e Shtetet e Bashkuara. Me te drejte shqiptaret pyesin.  Ku jane mrekullite e Janullatosit? Po e them me bindje se, mrekullite e ketije anti shqiptari deri ne neveri jane, perbaltja e Shqiperise dhe e sistemit shteteror te saje, me cdo menyre. E fundit ishte kisha e Dhermiut disa dite perpara takimit ne Tirane te mijra besimtareve nga e gjithe bota. Fatmirsisht nuk pyeti kush per balten e bandes Janullatos. Te krahasosh shtetin dhe shoqerine shqiptare me ngjarjet anti besim te vitit1967 eshte turp dhe genjeshter, kur ne te njejten kohe besimet tashme financohen nga shteti, madje dhe Janullatos me banden e tije.

Bandes Janullatos, duhet ti pergjigjemi fort, per te pastruar poshtersite dhe invazionin ekonomik teper te rrezikshem. Kete duhet ta kuptojme te gjithe dhe se kjo pune do burra shteti e patriotizem pa interes.

Skandali i rradhes do te jete kur Janullatos nuk do te jete kryepeshkop  per arsye te ligjeve te Zotit. Banda Janullatos do te zgjedhe perseri nje grek ne krye te kishes. Jane menduar te gjitha me kohe. Cfar do te bejme ne? Ne duhet te jemi bashke per ta shembur kete invazion te paster grek ne dem te Shqiperise.

Banda Janullatos nuk eshte ceshtje ortodoksesh shqiptare, eshte ceshtje e te gjitheve. Banda Janullatos shoqerohet ne historine e saje me skandale anti shqiptare, qe nga ndrrimi i statutit te kishes, cvarrimet ne Kosine, ngjarja ne Permet, regjistrimi i popullsise, mbeshtetja per agimin e arte, bllokimet ne kufi te emigranteve, operacionet fshesa te policise greke, heshtja per krimet e luftes ne Kosove, mos mbajtja e meshes per viktimat e genocidit Grek ndaj shqiptareve ne Cameri, perdorimi i gjuhes greke ne kishat shqiptare dhe forume nderkombetare, bizneset e tipit coza nostra ne Shqiperi, njohja si kryetare shteti dhe kryeminister jo te shqiperise por ata te Greqise, ndertime kishash te stilit Grek, zhdukjen e ikonave shqiptare me vlere historike, konvertim te shqiptareve ne greke, perdorim te shtetit Grek si presion ndaj Shqiperise si dhe shume te tjera. Dhe sa gjera duhet te beje banda Janullatos ndaj Shqiperise? Dhe sa njerez do te korruptoje me rryshfete per ti hedhur kunder atdheut te tyre?

Me kane telefonuar pa fund se pse nuk jap nje mendim. Po. Mendimi per kishen e Dhermiut eshte; Kisha ka historine e saje brilante, e cila duhet respektuar  se bashku me institucione historike, qeverisje, gjykate, te shtetit shqiptar. Shqiperia ka disa kisha unite, qe do te thote te bashkuara katolike dhe ortodokse.

Gjithmone ka zgjidhje. Banda Janullatos, do te shporret kur ne ortodokset e vertet te Shqiperise te mblidhemi ne nje kuvend mbar kombetar, per te  rivendosur statutin e Fan Nolit ne krye te kishes pavarur ortodokse kombetare Shqiptare, statut i punuar me dashuri dhe besim tek zoti dhe kombi.

Ne, si kisha shen Maria ne Elbasan, nuk levizim nga qendrimi yne asnje presje, sepse nuk mund te dalim kunder apo te fshijme veprat e rilindasve tane, qe jane dhe rilindja shpirtrore dhe identifikuese e kombit Shqiptar ne Ballkan.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: ate Nikolla marku, Janullatos, Skandali

Një “lodër” në kohë të shkuar

September 23, 2015 by dgreca

 Tregim nga   Përparim  Hysi   /

 Ndodh, nganjëherë, që futesh në një “lodër” ku nuk ke dashur të luash. Futesh dhe, mandej, zë e luan si lojtar titullar. Siç thuhet  me gojën e popullit: jep një grosh dhe hyn në valle dhe jep pesëqindë e nuk del dot. Kështu ndodhi  dhe me  mua.
      *   *   *  
Këtë histori ma tregoi Behari, një kolegu im. Unë do mundohem që ta sjellë,sadopak, ashtu siç ma ke treguar ai.” Qeshë emëruar në fshatin N…  Aq larg qe nga vendbanimi im,sa, po ta bëja rrugën të gjithë në këmbë (atëherë makinat  qenë të rralla fare), do të doja, pa frikë, një ditë të tërë. Sado që më kishin emëruar larg ( në fshatin tim kish mësues jabanxhinj), do të paraqiteshe në punë, me domosdo. Ndryshe, po mos zbatoje vendimin e komitetit ekzekutiv, pushoheshe menjëherë. Dhe unë si prifti që zuri e kërceu nga belaja, u praqita në punë. Atë natë, përkohësisht, këshilli i fshatit më caktoi të flija tek një fshatar. Qenë vitet ’60-të dhe fshati qe kooperativë. Atje ku bujta atë natë, s’kam se si mos vë në dukje pritjen babaxhanëshe ( me këto që na ndodhen…) dhe,pa dyshim, varfërinë që binte mirë në sy. Sidoqoftë, që të nesërmen m’u caktua  si godinë për të fjetur, një banesë që dikur kish shërbyer për një ushtarak që kish shërbyer aty, në vijën kufitare-detare. Pak kish qëndruar ushtaraku aty dhe,meqë ndërtesa qe bosh, më  strehuan mua. Nga shkolla ku jepja mësim, nuk qe fort afër, por kush po ta qante hallin, në ishte afër apo larg. Majfton që të futje kokën,se, sa për ushqim, ishte mensa e kooperativës që qe, pothuaj, ngjitur me shkollën.
Meqë dhoma e fjetjes ishte goxha larg, unë, dhe pasi haja drekën, kthehesha në shkollë dhe,aty, ose lexoja për qejf tim, o shkoja tek “Vatra e kulturës” që,edhe kjo, ishte po ngjitur me shkollën. Parë me një sy të kthjellët, kohën e kisha me pashë. Po si riosh që isha,e jetoja “këtë kohë me pashë”,si ta kisha me tepricë. Më kish gjetur si me atë personazhin gazmor të rrëfenjave popullore që e shpotitin me” ku leh qen e ku del tym/ ku ia bën daullja bym!. Them tani që po  rrëfehem, i tillë do të ketë qenë dhe ai si unë. Kur them kështu, nuk flas kot. Më gjeje o tek fusha e sportit, o tek vatra e kulturës dhe, pa tjetër, në gjithë veprimtaritë artistike që zhvilloheshin në fshat. Dhe mos kujtoni se bëheshin pak të tilla. Mjafton që  dikush nga rrethi të vinte për “inspektim” dhe ky, dikushi, do kalonte mbrëmjen në fshat, atëherë “për nder” të tij, binin daullet. Daulle vërtet nuk kishte, po kishte orkestër fshatçe dhe luante qeni i  kallajxhiut. – Kemi “ballo”, ndajnate,- dëgjoja që i thoshin njëra-tjetrës ato, kooperativistet. Ndajnate apo në mbrëmje, po kur t’i shihje si ato “modistet” e sotme që nisen për sfilatë, me të vetmin ndryshim: pa tualet fare. Ashtu siç vinin nga puna dhe, ndonjëherë, edhe me rrobat e punës. As që u bënte përshtypje fare që në  një “ballo” do ndryshuar pak garderoba! Po për ç’garderobë flas dhe unë, ku nuk skuqem fare tek rrëfej  për një të vërtetë që sot duket si e përçudur. Kishte prej tyre që vinin dhe zbathur. Dëfrenin për shtatë qejfe (sikur gjithë punët i  kishin në terezi) dhe, në ndodhej aty kryetari i kooperativës (qejfli i  madhe dhe për këto “ballot”) dhe t’u bënte thirrje që,ashtu siç  ishin në “ballo”, të niseshin për aksion (ta zëmë për thyerje misri). pa ngurrim do niseshin drejt dhe  atje. Ç’të tregoj, i kam parë me sytë e mi. Por mos harroj vetëm një gjë: vërtet fshati ku më emëruan mua qe larg e larg, mërguar/ tri male kaptuar (mbi 30 km larg nga Fieri dhe, po t’i shtosh faktin që unë shtëpinë time e kam diku në kufi me rrethin e Beratit), por një gjë duhet ta theksoj: tek ky fshat i largët ( mes shokësh, thosha:-Më kanë caktuar në një fshat ku ndajnë paratë hajdutët!), të gjitha femrat qenë të bukura,sa të binte syri kllap përdhe. Aq më tepër, në sytë e mi, ato  tek shkonin në punë apo dhe në punën e tyre, seç kishin një rrezatim si pak magjik. Epo i riu, si veriu. Mandej, për të qenë  pak më i drejtpërdrejtë, sa të bukura qenë,aq intimitet të jepnin. Ndonjëherë, tek i bëja qejfin vetes, thosha:- Ato  vdesin për mua!!! Epo kjo këndellja ime prej axhamiu vërtet tani ta çon gojën vesh më vesh, por unë flas për një kohë kur merrja fluturim.
                                    *    *    *
-Ka ” ballo” ndajnate,- më tha Zariku.  Kaq qe mjaft për mua. Duke pritur për “ballo”, organizova një  ndeshje futbolli me nxënësit e shkollës dhe,aty, afër mbrëmjes, shkova në “ballo”. “Balloja” bëhej tek lëmi i fshatit, ku në mungesë të korentit, kishin vënë dy “petrogazë” dhe, sa orkestra kurdisej, Zariku, njoftonte:- I thonë “tango”, kësajta! Dy çapa para dhe një më mbrapa! 
Oho,- dalldisi kryetari qejfli,- qo “laço” qenka si ajo vepra e Leninit.  -Tunde,Zarik!  Se Zariku qe violinisti i orkestrës dhe  hiqej dhe si dirigjent. Epo dirigjent,- i thënçin. Unë në ato “ballo” qeshë si ai djali i njerkës që hante dy vezë. Sa lija njërën nga ato valltaret, kapja tjetrën dhe u nxirja ujtë e zi ballove. Po jo vetëm “ballove”. Si pak djall që isha, pothuajëse secilës prej tyre, i bëja propozim. Me demek, jam dashuruar me ty dhe bjerë e vdis. Se,helbete, isha i “sërës” së lartë unë  dhe kisha parë botë me sy. Ato, pse do ta bëj hasha,asnjëherë  nuk ma prishën ajkën duke më zënë besë. Kjo nodhte jo se unë bëja vezën e kuqe apo se isha ndonjë bukurosh që nuk kishte shokun, por duke më parë me një profesion të lakmueshëm për kohën, mendonin se mund të shpëtonin nga zgjedha e fshatit. Qe pak lojë me zarar kjo imja. Ishe si të luaje me zjarrin. Po mua,aso kohe, më rrinte sahati tetë dhe as  e vrisja mendjen për pasojat. Vërtet kështu qe, por jo gjithmonë të shkon kungulli mbi ujë. Se më ndodhi  si me atë historinë e katruves: vete çdo ditë  me të për ujë dhe, një ditë, të mbetet bishti në dorë.
                                      *       *      *
Kështu ndodhi dhe me mua. Pas “ballos”, një natë, tek po shkoja tek dhoma e fjetjes, më kish zënë rrugën Ura! Kur them Ura,e kam fjalën për Uraninë. E bukur qe si ruspë dhe unë në një nga “ballot”, i paskam propozuar. Ajo, pa vënë re, në  e kisha seriozisht atë “propozimin”, më kish zënë pritë dhe donte të ndante fjalën:-Po apo jo?
Sado natë, u befasova nga një “pritë” e tillë dhe rruga m’u duk si me gropa. Më duket se po korrja  atë që mbolla. Doja ta largoja, si pak me politesë Urën, po nuk largohej lehtë ajo. Tani jo vetëm nuk po kërceja “ballo”, po ndjeja sikur po më shkelte dikush në kallo. Mbaj mend që i thashë:- Urë, unë të dua, por ç’e do: unë jam mysliman dhe ti je e krishtere. Po Ura nuk qe dhe aq e pagojë dhe ma këputi si me sëpatë dardhari:-Pse atje, në “ballo”, nuk ishe mysliman ti? Nuk kisha se nga mbaja. Ngeci, karkaleci! Atëherë si për ta bërë pak më të lehtë atë “dhëmbjen mbi kallo”, i premtova Urës se, pas pak kohe, do ndërhyja tek prindërit e saj për ta marrë për grua. Natyrisht, kjo qe vetëm një “lodër” imja,sa për të fituar pak kohë. Dhe në gjithë këtë histori ku “sherrin” e kërkova vet, ja se si ndodhi më vonë.
                                      *    *    *
Kur i premtova Urës, shkollës, për atë vit, po i vinte fundi. Unë  kisha tri vjet aty, tek fshati i “ballove”, dhe kisha kërkuar transferim. Për fatin tim të mirë  dhe të keq për Urën, gushtin e atij viti , kur fillonte viti i ri shkollor, mua më transferuan në fshatin tim. Po atë vit dhe u martova me një mësuese, të njohur prej kohësh. Me fshatin e “ballove” nuk më lidhte më gjë dhe,siç kuptohet,as me Uraninë që e “mashtrova”. As që do ta tregoja këtë histori, po të shkonte deri këtu. 
                                     *     *     *  
Kur takoja ndonjë të njohur,ashtu si me terezi pyesja dhe për Uraninë. Nuk e di pse më mori dreqi  mendtë dhe e mashtrova, kur fare bukur mund të qe bashkëshortja ime. Epo thashë se mos do ta shoh më.  Kur shtrova timeshoqe për lindjen e dytë, në maternitetin e Fierit, po prisja të më  njoftonin për lindjen. Jam befasur dhe gati u hodha përpjetë, kur një mami kërkoi, të shoqin e Teutës (Teutë quhet imeshoqe).- Kush është i shoqi i Teutës?- pyeti mamia.
-Jam unë,- u përjgigja flakë për flakë.
Ndërsa ajo zgjati kokën përmjet sportelit, unë nuk e doja veten më. Mamia që më jepte lajmin e gëzueshëm që imeshoqe kish lindur djalë, ishte Ura! Ajo, sa më pa, u bë  e kuqe flakë dhe mua sa nuk më  ra materniteti mbi kokë.
-Jotshoqe ka lindur djalë,-tha. Dhe iku sikur të kishte bërë faj. Mua më doli gëzimi nga hundët dhe, sa herë  e kujtoj atë”lodër” të kohës së shkuar, pezmatohem dhe mrolem nga një faj që nuk ia fal vetes kurrë.
 
 
                                 Tiranë, 23 shtator 2015

Filed Under: LETERSI Tagged With: Një "lodër" në kohë, perparim Hysi, të shkuar

ZËRAT E LASHTË TË NJË QYTETI

September 23, 2015 by dgreca

NGA PËLLUMB  GORICA/

 Lashtësia me zërin e saj,këtu në Lezhë shpesh herë të çon në gjeneza mahnitëse,që zëvëndësojnë mrekullisht edhe muzetë e biblotekat me në zë.Ajo, si një trung peme,ka ngulur rrënjët thellë,dhe me degët e gjelbërta,të shtrira në shekuj.Koha,kjo rrafshuese,nuk ka mundur në asnjë mënyrë të fshijë çdo gjë nga lavdia e hershme.Mjafton të prekësh një fragment muri të lashtë,një relike, një armë prijësi,që edhe pse të ndryshkura nga shekujt,emblemën e tyre të lirisë e kanë mbajtur përherë të re dhe të pandryshuar,dhe kjo është Lezha.

*    *    *

Atje ku gjithmonë janë përplasur stuhitë e kohërave,vëmendja e gjithë studiuesve është ftesë për ta hulumtuar atë.Rishkrimi dhe pasqyrimi i historisë janë treguesit më bindës të atdhedashurisë dhe krenarisë tonë,si dhe një respekt më shumë për identitetin tonë,kulturën e lashtë.Ndaj,duhet të hidhet dritë mbi të shkuarën e largët.Historia e Lezhës ka kaluar nëpër pushtime, shkatërrime,djegie,emigrime për mbijetesë nga kërcënimet,presionet e pushtuesve dhe zhvillim ekonomik e arkitekturor të lartë. Gjurmët e lashtësisë dhe qytetërimit të kahershëm,të pranishme që nga thellësia e shekujve nuk janë tretur në shfarosjen shkatrrimtare,edhe pse pushtimet dhe fatkeqësitë natyrore kanë zhdukur jo pak prej tyre.Kalaja, muret e qytetit antik,të Lisit të Poshtëm,të çngjyrosura nga koha dhe me kaq shumë mistere,e shtrijnë hapin deri më sot si vazhdë stërgjyshore të këtyre trojeve.Ato si dëshmitare të shumë ngjarjeve në shekuj,e të ndodhura pranë tyre,e kanë përjetësuar historinë herë si mbrojtëse të armikut,që mund të asgjesonte jetën në këto troje. Jetën e kanë përgjuar dhe kërcënuar pabesisht erërat e grykave të errta.Kohë pas kohe rrapëllimat e turmave me mishmashet e gjuhëve,flamuj e stema të praruara, shpata e mburoja nën trokëllimën e kuajve janë maihsur prej hijeve të zgjatura të mjegullave,që zinin vend shpesh herë dhe toka hapej e nuk ngopej me gjak luftëtarësh.Kronikat e kohës kanë shkruar këto, dhe jeta sado me vështirësi prapëseprapë është përtërirë.

Lezha e pajisur me bukuri natyrore:male,fusha, lumenj,detin pranë, shtrirë në fushë dhe rrëzë një kodre shkëmbore mes një peizazhi të gjelbër e të kaltër,të shfaqet si një pasqyrë drite. Sapo shkel aty përballesh me rrënoja të braktisura industriale,shenja këto të ndërtimeve të sistemit të kaluar komunist,dhe godina pallatesh me një arkitekturë të varfër,e uniformë kaq të ngjashme me njëra-tjetrën,që të futin në shpirt një zbraztësirë të mërzitshme.Kjo është edhe përshtypja e parë që të krijohet.Ndërsa, kalon urën mbi lumin Drin, qyteti të deh me ngrohtësinë e diellit,gjurmët e heshtura të qytetërimit të lashtë,që të bëjnë të mbash hapat gjatë,e këto të fusin në mendime të thella.Të befasojnë ato bashkë me ndërtimet e reja,të dukshme në këto vitet e fundit,me një stil bashkëkohor, duke dëshmuar se lashtësia ka udhëtuar në shekuj bashkë me jetën e qytetit. Duke soditur gjithçka që të shfaqet para syve,ne përfitojmë një pafundësi emocionesh.Ndaj bëhesh tjetër njeri nga moria e tyre që i ndjen çdo çast.Tej,në horizont,në një nga lartësitë shkëmbore që arrijnë në majën e malit Sheldun,ku antena e repetitorë (dhënëse) kërkojnë të zgjasin majat e tyre,ravijëzohet kalaja. Vështrimi të përhumbet në një meditim të thellë në historinë e saj,por ndjesia më e këndshme të kaplon kur ngjitesh dhe e viziton atë,nga ku qyteti të shfaqet anë e kënd.Ajo është e njëjtë si shumë kala të tjera ilire,të ngritura në maja kodrash për vetëmbrojtje,e cila vërteton lashtësinë e këtij vendbanimi.Një kala,që e ruan madhështinë e saj edhe sot,ku ndërthuren ngjarje, prinjës, legjenda.Këtu kanë jetuar pirustët,një nga fiset e njohura ilire.Autorë të ndryshëm që nga antikiteti si Polibi,Tit Livi,Prokopi i Çezarës,Anonimi i Ravenës,Ana Komnena në shënimet e tyre e përmendin Lezhën,si një ndër qytetet tepër të fortifikuar dhe luftarak në bregdetin e Adriatikut.Aty ku mbretërit ilirë Pleurati,Agroni, Bardhyli, Teuta, Genti jetuan e luftuan gjatë. Mbretërit ilir dhe të tjerë që kanë sunduar pas tyre me ngjarjet madhore e kanë bërë Lezhën,që në shekuj të shfaq qëndresë në segmente të rëndësishme mbijetese,falë vitalitetit shpirtëror dhe atij luftarak.Lavjerrësi i kohës ngecte dhe i ndryshonin emërtimet qytetit.Ndaj,në kohërat e ekzistencës së tij,shumë herë e ndërroi atë sipas rrethanave.Është njohur:Lissitan,Lisi, Lissos, Lisum, Lission,Lesh,Alesio,për të arritur tek emri i sotëm,Lezhë.Kur i hedh një vështrim të shkurtër rrjedhës së historisë së Lezhës,sikurse është dokumentuar,qyteti është përmendur edhe për rolin e madh në bashkimin e Arbërisë.Mjafton fakti se këtu,në 2 mars të vitit të largët 1444,u bashkuan kryetrimat e Arbërisë: Gjergj Kastrioti,Gjergj Arianiti,Andrea Topia,Tanush Topia,Teodor Korona Muzaka,Gjergj Stres Balsha,Pal dhe Nikollë Dukagjini,Lek Zaharia Altisferi, Pjetër Spani,Lek Dushmani,etj,të cilët vendosën një aleancë të bashkimit arbëror,me kushtrimin për të mbrojtur trojet nga vërshimet shkatërruese osmane.Një akt historik,që u kishte hije prinjësve për t’u bashkuar,se osmanët po kërcënonin Arbërinë.Ajo ishte edhe pika kulmore e shtetit në mesjetën shqiptare.

Të gjitha këto të nxisin kureshtjen për ta njohur më mirë këtë qytet historik. Kalaja ishte edhe një kryeqendër e familjes princërore të Dukagjinasve, zotëruese e territoreve të Veriut të sotëm të Shqipërisë në shekujt XIV-XV,që përbën edhe një krenari për lezhjanët.Është tepër interesante kjo periudhë për këtë vendbanim të lashtë.Ndaj arkeologjia shqiptare së bashku me bashkinë e qytetit i kanë kushtuar më shumë interes kësaj kalaje,që ne(edhe vizitorët e huaj)të ndjejmë e të prekim bukuritë e vlerat historike,të cilat flasin me zërin e së shkuarës e të na bëjnë të rritet krenaria,duke e shfrytëzuar atë maksimalisht,për avancimin e turizmit,sidomos kur bëhet fjalë për lashtësinë tonë.

Të duhet shumë kohë të vizitosh Lezhën,por në pamundësi për të parë gjithçka,ne i kushtuam interes qendrës historike ku,pamje,ndërtime arkitekturore i japin qytetit një bukuri të veçantë.Një kishë madhështore,e ndërtuar në anën djathtë të qytetit,është një vepër e shkëlqyer arti me mjeshtëri në teknike e kombinacione.Diku,afër saj shtrihet një lagje me shtëpi të shpërndara në pjerrësinë e kodrës dhe pamje të tjera të bukura.

Historia e lashtë,kultura e trevës ka frymëzuar skulptorët të krijojnë kryevepra për Lezhën,të bukura,tingëlluese,shprehëse.Ata janë përpjekur të shpalosin vlera artistike,duke e ngritur në art çdo gjë të thjeshtë,që kënaqin e lumturojnë shijet e vizitorëve.Janë këto vlera të spikatura dhe befasuese, për këdo që vjen për herë të parë këtu,të njihet me traditat kombëtare,të cilat marrin vlerë.Në qendër të qytetit të tërheq vëmendjen monumenti i Besëlidhjes së Parë Shqiptare.Më tej,një gur simbol,që në thelb ka një mbishkrim kuptimplotë: “Mirënjohje atyre që shtegtuan me vdekjen në kërkim të ëndrrës së vrarë të një kombi”.Pak më tutje,të mrekullon magjishëm statuja e poetit tonë kombëtar, At Gjergj Fishta,një prej figurave më poliedrike shqiptare.Ajo ka gjatësinë e 3 metrave dhe është ndërthurur me një skulpturë tjetër pranë, e mbështetur në një shtyllë, ku figura e një burri lakuriq ka forcë shpirti,të disa elementëve plotësues:Ora e Shqipërisë,libri,koka e dhisë dhe lahuta.Kush e ndjen artin,nuk mungon të gjej në këto simbole rikrijimin e muzës poetike,të vargjeve epope të kryeveprës së At Gjergj Fishtës“Lahuta e Malcisë”,njërës prej veprave më të famshme të poezisë sonë kombëtare.

Memoriali i Heroit tonë Kombëtar,Gjergj Kastrioti në trajtën e një katërkëndëshi,apo ndryshe siç njihet vendvarrimi i tij,përbën një tjetër pasuri të jashtëzakonshme dhe me vlerë historike e kulturore për kombin,ku ruhen gjurmë nga e kaluara e largët,dhe si çdo monument tjetër që ngjall kureshtjen ai është tepër i rëndësishëm për gjithë  shqiptarët.Të vizitosh atë është një krenari e veçantë,sikurse dhe historia që mbart ky vend.Memoriali është ngritur në rrënojat e kishës katedrale,që mban emrin e Shën Nikollit,e cila pas pushtimit turk u kthye në xhami.Megjithëse e dëmtuar nga erozioni i kohës,ajo përsëri ruan pjesë të saj.Por,e kthyer në një qendër të vizitueshme për qindra e mijëra vizitorë të moshave të ndryshme,vendas e të huaj,dhe e ndërtuar para 30 vjetësh me formën drejtkëndore,natyrisht me një konfiguracion imponues,

është në sytë e tyre rrezatuese,e krenari legjitime.Ndërsa hyn brenda tij,i vështron me admirim objektet e pasqyruara,të një periudhe të ashpër për fatet e kombit tonë.Aty janë ekspozuar shpata,heshta,mburoja,por,ajo që evidentohet më shumë janë flamuri i kuq i thurur me një mozaik gurësh, të vegjël me shqiponjën dy koka dhe një bust reliev i Gjergj Kastriotit,vepër e Skupltorit të mirnjohur,Artist i Popullit Odhise Paskali,shoqëruar nga përkrenarja dhe shpata e tij(kopje).Janë 25 mburoja prej bronzi,që artistikisht simbolizojnë tablo të betejave kryesore:Vajkalit, Mokrës, Oronit, Pologut, Dejës, Ohrit,Krujës, Beratit etj,që flasin jo vetëm për fitoret e arritura,por edhe ato të humbura,të cilat fatkeqësisht janë vetëm dy(ajo për mbrojtjen e kalasë së Beratit dhe beteja e Stefigradit).Si pika nevralgjike,të ngjarjeve aq të rëndësishme të shekullit XV,mbeten një pjezës e vogël e historisë së luftërave në trojet tona për mbijetesë nga pushtimi osman,ku shqiptarët përballuan stuhitë e fuqishme pushtuese.Kalojmë nga njëra mburojë në tjetrën dhe ndjejmë se këtu gjëmon historia e bëhemi më krenar për betejat e largëta të lidhura me Heroit tonë Kombëtar,Gjergj Kastriotin,shqiptarin më të çmuar të të gjitha kohërave.Ishte koha kur fama e tij kaloi kufijtë e territoreve tona,të cilit koha i dha përgjegjësinë e madhe të luftonte për arbërinë,që edhe pse nga osmanët mbajti emrin Skëndërbe.

*    *     *

Ngjatetohesh me Lezhën dhe dëshira për të ardhur përsëri,e për të shkruar më shumë për këtë qytet me histori të lashtë e krenare është ftesë e përhershme.Rrezet e diellit me shkëlqimin e tyre përplasen në rreshtat e kolonave të mermerta,të memorialit dhe rrënojave të vjetra të kohërave antike. Ato shkëlqejnë ashtu si shkëlqejnë dallgët në diell dhe historia plot lavdi e këtij qyteti.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Lezhe, Pellumb Gorica, TË NJË QYTETI, ZËRAT E LASHTË

Kosovë-Policia parandaloi sulmin ndaj eskortës së Kryeministrit

September 23, 2015 by dgreca

-Sulmi konsiderohet se mund të kishte qenë me pasoja vdekjeprurëse për personalitetin, për përcjellësit e eskortës dhe për qytetarët për rreth/

-Gjatë intervenimit për ta parandaluar këtë incident është lënduar një zyrtar policor/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 23 Shtator 2015/ Policia e Kosovës në komunikatën zyrtare të sapodërguar bën të ditur se, sot , me datë 23.09.2015, rreth orës 07:58, në rrugën Lidhja e Prizrenit në Prishtinë, Policia e Kosovës me njësitë e saja policore të Mbrojtjes së Afërt, falë vigjilencës  dhe veprimeve të menjëhershme ka parandaluar një sulm të adresuar drejt eskortës së Kryeministrit, sulm ky i cili konsiderohet se mund të kishte qenë me pasoja vdekjeprurëse për personalitetin, për përcjellësit e eskortës dhe për qytetarët për rreth.Gjatë përcjelljes së eskortës zyrtarët policor të Mbrojtjes së Afërt kanë vërejtur  dy persona  të dyshuar të cilët kanë tentuar ta ndalojnë/sulmojnë eskortën e Kryeministrit e cila ka qenë në lëvizje. Njësitë policore kanë intervenuar menjëherë dhe kanë parandaluar veprimin e personave të dyshuar, të cilët gjatë ikjes kanë lenë prapa tre qese të letrës në të cilat ka pasur mjete të forta, copëza metali të përpunuara që shërbejnë për shpuarjen e gomave, ndaljen me dhunë të automjeteve, e të cilat paraqesin rrezik të lartë për vet eskortën, për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, përfshirë edhe këmbësoret, si dhe është gjetur edhe një telefon celular. Gjatë intervenimit për ta parandaluar këtë incident është lënduar një zyrtar policor, ndërsa sa i përket eskortës se Kryeministrit nuk ka pasur asnjë incident dhe e njëjta ka vazhduar lëvizjen pa problem. Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që të mos përfshihen në veprime dhe aktivitete të tilla kriminale si dhe të mos përdorin mjete të rrezikshme të kundërligjshme, sepse përdorimi i mjeteve të tilla është e ndaluar me ligj, në të kundërtën Policia e Kosovës do të merr masa ligjore, ndaj të gjithë personave që bien ndesh me ligjin.Policia e Kosovës thekson mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe obligimeve të saja në harmoni të plotë me procedurat ligjore me qellim të garantimit të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, lëvizjes së lirë si dhe parandalimit të të gjitha veprimeve të kundërligjshme. Mjetet e metalta dhe telefoni celular janë konfiskuar si prova materiale, ndërsa lidhur me rastin janë duke u kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga njësitet relevante policore.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kosove, Policia parandaloi sulmin ndaj eskortës, SË KRYEMINISTRIT

Studentja shqiptare krijon në Itali parfumin “Shqipëria ime”

September 23, 2015 by dgreca

Jola Hasimi është studentja shqiptare në Firence, e cila ka krijuar parfumin “Shqipëria ime”, i pari që hidhet në tregun ndërkombëtar. Ky parfum kushton 80 euro dhe është për të dyja gjinitë, si për meshkujt edhe për femrat. Në qytetin italian, 23-vjeçarja ka ngritur shtëpinë e saj të modës “JH” dhe ka punuar për projektin “Shqipëria ime”. Ajo thotë se familja e saj ka patur një dyqan ku tregtoheshin markat më të mira të parfumeve, çka ka qenë edhe një pikënisje për të. Jola tregon se punën për këtë parfum ia ka besuar një prej përfaqësuesve më në zë të kësaj fushe, që ka punuar edhe për aromat Guçi apo Beirut, ndërsa deri tani aroma e re e Shqipërisë është pritur më së miri nga blerësit.“Siç dallohet shishja është tërësisht e personalizuar që nga tapa dru arre e lyer me dorë, shishja kuq e zi. Po ashtu dhe certifikata e lëshuar nga shteti italian që vërteton Made in Italy, kutia bijou dhe qeska e realizuar përsëri me dorë”. Jola thotë se, parfumi ka aromën e vendlindjes së saj, Shqipërisë, ashtu si janë kombinuar dhe ngjyrat.

Filed Under: Kronike Tagged With: krijon në Itali, parfumin, SHQIPËRIA IME!, Studentja shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3516
  • 3517
  • 3518
  • 3519
  • 3520
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT