• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LORD BYRONI NË SHQIPËRI

September 22, 2015 by dgreca

Në motin 1800 vjershëtori ingliz, Byroni shëtite Sinisin’ e Ballkanit nga e cila dërgonte letra t’interesaçme shtëpisë dhe miqve të tij n’Angli. Këtu më poshtë po përkthejmë një letër të tillë, të cilën vjershëtori i madh e ka dërguar nga Shqipëria dhe flet me simpathi të madhe për Shqipërinë dhe për bijtë e saj.
Prevezë: 12 Vjesht’ e tretë 1809
Zonjës Byron,
Po bëhet një kohë e gjatë që gjëndem në Turqi; qyteti nga i cili u shkruaj qënndron buzë Adriatikut, por unë e pash më mirë këtë provincë shqipëtare kur vizitova pashanë.
Nga nisia Malta u-nisa me 24 vjesht’ e parë me vaporin luftëtar Marimanga” , dhe pas tetë ditësh hariva në Prevezë. Që këtej barita edhe 150 mila brënda në Shqipëri, për në Tepelenë, ku gjëndet pallati i Lartësis’  së Tij, dhe ndënja tri ditë. Pasha quhet Ali, dhe është i njohur si njeri me virtytete të larta. Ay qeverisë tëre Shqipërinë dhe një pjesë të Maqedhonisë. I biri i tij Veli pasha për të cilin më dha disa letra me rëndësi, qeveris Morenë, dhe është shum’ i dëgjuar n’ Egjyptë. Me një fjalë pashai është një nga njerëzit më të dëgjuar të Imperatorisë otomane.
Kur arriva në Janinë kryeqytet’ i Shqipërisë –mësova se Ali pasha ish me ushtërin’ e tij n’Iliri, ku kish rrethuar Ibrahim pashanë, në fortesën e Beratit.  Ay kish dëgjuar se në vendin e tij kish ardhur një ingliz prej soji të madh dhe i kish dhënë urdhër qeveritarit të Janinës që të përkujdeset për mua dhe të më japë ç’më duhet pa kërkuar as një pesësh’ që t’i jap dhurata robërve m’u dha lejë po që të paguanja gjëkafshë në shtëpinë ku isha, nuk m’u dha lejë. Kisha të drejtë të kaloj kuajt’ e pashajt, kështu i kaluar vizitova pallatet e pashajt dhe të nipërve të tij. Këta janë shumë të bukur, dhe të stolisurë me kadifera të mëndafshta. Malet dhe përgjithësisht, vendi këtu ka një bukuri natyrale shumë të madhe, gjër më sot s’e kam parë me no një vent tjatrë.

Pas nëntë ditësh udhëtimi hariva në Tepelenë. Udhëtimi ynë u-ndalua shumë nga shirrat e dëndur që binin.

Asnjë herë nuk’dot’haroj bukurin’ e madhe q’u çfaq përpara syve të mij kur hyra në Tepelenë, në ora pesë të mbrëmauret në perendim të diellit. Ajo bukuri më kujtoj përshkrimin q’i jep Walter Scott-i, Kastelit të Branksomit në vjershën e tij “Këngët e fundit” me tërë feodolizmën e saj.

Shqiptarët (me kostumin’ e tyre të bukur) i cili formohet prej një fustanelle të bardhë, anteri të qëndisur me sërme dhe jelek prej kadifeje të kuqe të qëndisur me gajtane të mendafshtë, kobure dhe jataganë me mill të argjentë etj…më pëlqejnë shumë.

Mua më shpunë në një dhomë të bukur dhe sekrtetari i vezirit ardhi të më pyesë për gjëndjen t’ime.

Të nesërmet vizitova Ali pashanë. Ky qe veshur me uniformën zyrtare prej gjenerali, ngjeshur rreth mesit një shpatë të bukur etj.etj…Veziri më priti në një dhomë shumë të bukur, të shtruar me mermer, në mes të cilës ridhte një shatervan. Dhoma qe e stolisur me “kanape”të shtruara me mendafsh. Pashaj më priti duke u-ngritur më këmbë, e cila tregon shënjë nderi, dhe më ftoj që të ri n’anën e djathtë të tij.

Gjithënjë kam si terxhuman një grek, po këtu u hasa me shkronjesin  e Ali pashajt Femlario i cili dinte ca latinisht dhe ky më shërbeu për t’u marrë vesh me pashanë. Pyetja e parë që më bëri ish; pse e kam lëne atdheun t’im kaq i ri (këtu njerëzia smundin të kuptojnë se si njeriu mund t’udhëtoj pas deshirës së ti),Pashaj më tha se konsulli ingliz, kapiteni Leek e kish lajmëruar për ardhjen time dhe kish thënë se jam nga një familje e dëgjuar; ky m’u lut t’u dërgoj ngjatjetimet e tij dhe unë po u-u çojë nga emri i Ali pashajt. Më tha se mbeti shumë i kënaqur nga sjelljet e mija dhe m’u lut që sa kohë të gjëndem në vëndin’ e tij ta shikoj atë posi një atë dhe ay mua posi bir.\

Dhe me të vërtëtë, ay sillesh posi një atë, më dërgonte t’ëmbëla, pemë etj.dhe m’u lut që të vinja shpesh mbrëmandent dhe të bisedonim bashkë.

So pashë të mbeturat e qytetit të vjetër Akcium ku Antoni humbi botën. Më tutje duken gërmadhat e qytetit Nikopol, i cili u godit prej imperatorit August si kujtim të fitimit të tij.

Mbase i dua shumë shqiptarët, këta nuk janë të gjithë myslimanë; një pjesë e madhe janë të krishterë, po, përgjithësisht Shqiptarët nuk’ i japin rëndësi fesë, dhe kjo nuk lot nonjë rol për të prishur zakonet kombëtare që kanë. Këta janë ushtarët e parë t’ ushtrisë otomane. Kur udhëtomnja fjeta dy net në një dobojë dhe me të vërtetë po u-them se as më nonjë vënt tjatrë nuk’kam hasur ushtarë më të sjellër se këta me gjith që kam qenë në garnizonet e Maltës dhe të Gibraltarit dhe që kam parë shumë ushtëri të ndryshme si spanjollë, francezë, sicillianë dhe anglikanë. Këtu nuk m’u voth asgjë dhe u ftuash nga ushtarët shqiptarë që të ha dhe të pi bashkë me ta.

Para një jave, nje kryetar shqiptar më mori në shtëpi të tij dhe pasi na dha të tëra sa na duheshin për të ngrënë e për të pirë, mua dhe, mua dhe të pasësëve t’im që janë: një shërbëtor, një grek, dy nga Athina dhe miku im Z.Hobhaus, nuk deshte të marë as një pesësh, për të gjitha ato, përvec se një fletëzë kartë, në të cilën t’i thoasha që mbeta i kënaqur nga pritja e tij, po unë nuk desha që pa paguar gjë të dilnja nga ay njeriu i mirë, dhe kur u luta që të pranonte ca pak të holla ay m’u përgjegj: “Jo, unë dua që të më duani, jo të më paguani”.

Çudi në këtë vent të hollat s’paskan fare vleftë; Kur isha në kryeqytet(Janinë) pas urdhërit të pashajt nuk’pagova asgjë me gjithë që kisha me vethe 16 kuaj dhe 6-7 shpirt.

Pas ca ditësh do të nisem për në Athinë që të mësoj greqishten e re, e cila ka një ndryshim të madh nga e vjetra, me gjithë që të dyja një emrë kanë dhe një gjuhë janë !….

                                                                                          Biri juaj i dashur

                                                                                                            LORD BYRON

SHËNIM:  Kjo letër që Lord Byroni i kishte dërguar nënës së tij para 206 vjetësh, ishte botuar për herë të parë në gjuhën shqipe në vitin 1914  në revistën “Kalendari Kombiar” që në atë kohë botohej në Sofje të Bullgarisë. Kjo letër e poetit  të madh Lord Byron u ribotua në gazetën “Dielli”më 25 Nëntor të vitit 1964. Editori i kësaj gazete Dr. Athanas Gegaj botonte dhe ribotonte vazhdimisht letra e shkrime me permbajtje intelektuale.  Editori nuk kishte bërë asnjë ndryshim të asaj letre botuar fillimisht në “Kalendarin Kombiar” . Edhe ne iu permbajtëm drejtëshkrimit të asaj kohe. (Gjekë Gjonlekaj).


​

Filed Under: Histori Tagged With: Leter nga Preveza, LORD BYRONI NË SHQIPËRI

FEMI E XHEVË LLADROVCI

September 22, 2015 by dgreca

Martir të gdhendur në memorien e kombit/

Shkruan Eugen Shehu//

 Dardania e moçme ende sot ruan krenarinë e luftërave të kalura. Jo se i ka dashur luftërat. Askurrë! Jo se i ka parapëlqyer përrenjtë e gjakut. Askurrë! Por asesi nuk ka mundur të durojë stuhi e rrebeshe që, janë ngutur të ndalin turravrapin e lirë të shqiponjës.Fusha e Kosovës në lindje, rrafshi i Dukagjinit në perëndim, malet e Goleshit dhe Cerralevës në jug,mali Mokran në veri. Brenda kësaj gjeografie përthyese jeton në gjenerata, populli i Drenicës së sotme, pasardhës të denjë të dardanëve në shekuj të kaluar. Sa herë në Dardaninë e lashtë kanë rënë tupanët e kushtrimit, i madh dhe i vogël, burra e gra kanë ngarendur me klithmë lirie. Ky amanet ka mbetur deri në ditët e sotme.Edhe në ditët më të errëta të fundshekullit që lamë pas, edhe në ato momente kur makina e dhunës serbe rrënonte gjithçka që gjente përpara banorët e Drenicës nuk e ndalën vrapin drejt lirisë. Vrapi i tyre ishte shkrepëtim në natën e stuhisë, shkrepëtim që ndriçonte horizontet ngadhnjyes të shpresës.Në këtë turavrap drejt lirisë, padyshim kujtesa e Drenicës do të ruaj të pashuar kujtimin e Femi e Xhevë Lladrovcit.Ashtu sikundër 7 decenie më parë Shotë dhe Azem Galica do të shkruanin epopenë e lavdishme të lirisë në male të Drenicës dhe krejt Kosovës martire, edhe Xhevë e Femi Lladrovci do të përcillnin mesazhet e mbijetesës epokale të popullit të Kosovës, ndaj dhunës makabre të Serbisë së Millosheviçit. Po kush ishin këta burrë e grua, krushq të lirisë së madhe të shqiptarëve? Femi Lladrovci pat lindur në Gllogovcin e Drenicës, në vitin 1950. Të parët e derës së madhe të Lladrovcëve, ishin njohur jo vetëm në Drenicë por në krejt Kosovën për luftrat e paepura ndaj okupatorit serb. Burrat e kësaj kulle do të ishin mbështetj kryesore lëvizjes nacionaliste të udhëhequr nga Shaban Polluzha, e asaj lëvizjeje që ka hyrë në analet e historisë si lëvizja e parë antikomuniste që nuk mund të pajtohej, me parimet ortodokse të internacionalizmit proletar. Femiu i vogël do të rritej përmes legjendave të kaluara si edhe shtypjes sistematike që Beogradi ushtronte ndaj viseve në Kosovë dhe Maqedoni shqiptare. Asi do të merrte mësimet e para në Gllogovc  ndërsa më pas në Prishtinë. Në fillim të viteve 70 të shekullit që lam pas, ngase rezultatet në shkollë i pati të shkëlqyera, Femi Lladrovci ndjek studimet në Universitetin Politeknik të Zagrebit. Këtu, ai do të binte në kontakt edhe me studentë të tjerë nga viset e Kosovës, në mëndjet dhe zemrat e të cilëve ishte zgjuar ideja emblematike e pavarësisë së Kosovës, si dhe bashkimi i saj me shtetin amë. Por me këtë realitet nuk mund të pajtohej asesi Beogradi, i cili nuk i kurseu në asnjë rast masat represive në mënyrë të veçantë ndaj inteligjencës shqiptare. “Këto rrethana dhe faktorë të tjerë kishin si qëllim strategjik që të ushtronin dhunë permanente ndaj shqiptarëve, me qëllim të pastrimit etnik të Kosovës dhe të viseve të tjera. Rredhimisht me metoda të interpretimit arbitrar dhe selektiv të normave të legjislacionit penal, vepra e cila kryhej nga shqiptarët, konsiderohej si vepër penale e rëndë, si vepër e rrezikimit kundërevolucionar të rregullimit shoqëror dhe të sigurisë së vendit, siç emërtohej në nenin 114 të ligjit penal të Jugosllavisë, në Kosovë, në Maqedoni dhe në jug të Serbisë“(“Çështja e Kosoves një problem historik dhe aktual“ Tiranë 1996, faqe 316) Por për studentin e Gllogovcit nuk do të kishte barrikada. Ai e pati kuptuar se uragani i lirisë së kombit të vet ishte zgjuar diku, në kujtesë të këtij kombi dhe herët a vonë ai do të rrekej të derdhej nëpër brigjet e Kosovës martire duke fshirë çdo gjurmë të mureve që ndanin shqiptarët. Ndër të parët student të Politeknikumit të Zagrebit, Femi Lladrovci do të fliste për pavarësinë e Kosovës, për të drejtat e mohuara të saj, për shpresën e madhe se studentët kosovarë nuk do ta duronin gjatë, natën e urryer të sundimit të Beogradit. Nismëtar i formimit të një grupi ilegal me studentë të tjerë shqiptarë, Femi Lladrovci do të ndikonte me idetë e tij edhe në mendjet e dhjetra studentëve të tjerë. Arsenali i terrorit shtetëror serb, vepronte tanimë nën maskën e ligjit dhe të shtetit. Femi Lladrovci fillimisht thërritet nga policia sekrete jugosllave në Zagreb, e cila e merr në pyetje rreth veprimtarisë së tij nacionaliste. Por kur studenti trim i përgjigjet prerë dhe i sigurtë se çdo veprim i tij nuk ka lidhje me Beogradin, përkundrazi kërkon që Kosova të shpallet Republikë me vete , ashtu sikundër Republikat e tjera nën Jugosllavi, atëhere strategjia zyrtare antishqiptare del në pah me forcën e vet më të verbër. Në këtë mënyrë , në aktgjykimin e gjyqit të Zagrebit, pikërisht për Femi Lladrovcin, prokuroria kërkon burgimin e tij 10 vjet ngase“ ka kërkuar që Kosova të jetë Republikë , të ketë flamurin e vet, duke pohuar me gojën e vet se pozita e shqiptarëve në Kosovë lë shumë për të dëshiruar, nëse krahasohet me pozitën e popujve të tjerë të Jugosllavisë. Burgjet e Jugosllavisë janë një faqe tjetër e tmerrit që vinte prej politikave shovene dhe dhunuese të Beogradit. Qindra e mijra studentë apo nxënës të Kosovës, të dënuar në vitet 1980 –1990 do të jetonin një kalvar të pafund vuajtjesh e dramash të mënxyrshme. Femi Lladrovci fillimisht do të dërgohej në burgun famëkeq të Gjilanit e mandej në Stara Gradishka e Gospiq.Ndonëse mbi të u ushtruan dhunë fizike dhe psiqike e pafund, ndonëse nuk u la të takohej për vite me radhë me pjestarët e familjes, Femi Lladrovci askurrë nuk u ligështua. Me trup atleti, me atë zemrën e madhe , me sigurinë në ardhmërinë e Kosovës dhe të krejt viseve shqiptare, burri i Gllogovcit do të duronte dhunën policore serbe, ashtu sikundër mali duron vetëtimat dhe gjëmimet e dimrit.

 Në fillim të vitit 1993 del nga burgjet famëkeqe jugosllavë dhe shkon në Drenicën e vet të dashur. Por në të vërtet Drenica e tij, sikundër e gjithë Kosova martire, qe shndrruar në një burg të madh. Nuk mund të flisje hapur, nuk lejohej, flamuri kuqezi, nuk lejoheshin këngët shqipe. Liria e munguar e brengosi akoma më shumë Femi Lladrovcin i cili sidoqoftë nuk mund të ndalte përpjekjet e veta për ardhmerinë e Kosovës. Por bie sërish në sy të policisë së fshehtë të Beogradit. Kur këta e thërrasin rreth disa shprehjeve të hapura që pat përdorur në fshat , Femi Lladrovci e kupton se për të ishin hapur të tjera fletë dosjesh e të tjera dyer- burgjesh. Ka qënë kjo arësyeja që me ndihmën e dy – tre miqve të vet , fshihet për pak ditë e më pas arrastiset në Republikën Federale Gjermane. Këtu nis të punojë në punë nga më të rëndomtat, duke dashur t`i vijë në ndihmë edhe famijles , atje në Gllogovcin e largët, në Drenicën rrethuar prej ujqish serbë. Ai e dinte se familja e tij ( qysh kur vuante dënimin në burg) ishte në qëndër të vemendjes së policisë serbe ndaj përpiqej të zbuste varfërinë sadopak , duke dërguar fshehtas ndonjë të hollë , të kursyer në metropolin gjerman . Sidoqoftë lëvizja kosovare për pavarësi tani ishte rritur dhe në botën e qytetëruar grupet e djemve dhe burrave të Kosovës vepronin plot kurajë jo vetëm duke dashur të nxisnin opinionin ndërkombëtar por edhe duke mbledhur ndihma në mjete monetare dhe materiale për t`i dërguar në Kosovë. Në vazhdën e rezistencës mbarëkombëtare, dihet tanim se falë qëndresës heroike , deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës , më 2 korrik 1990 patën shpallur deklaratën që e shpallnin Kosovën njësi federale të Jugosllavisë .Po kështu , në vjeshtën e vitit 1991 Kuvendi i Kosovës bëri referendumin , në të cilin shumica absolute e popullsisë u deklarua për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur. Femi Lladrovci së bashku me intelektualë të tjerë në Gjermani , u bë gjatë kësaj kohe një strehë e sigurtë e mjaft prej deputetëve dhe politikanëve kosovarë, të cilët e shtrinë lëvizjen e tyre mbarëkombëtare edhe në rrethet përparimtare evropiane , duke dëshmuar me fakte konkretë mbi dhunën dhe terrorin sistematik që Beogradi pati ushtruar dhe kërkonte të ushtronte ndaj viseve të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare. Në ndihmën e drejtpërdrejt të Femi Lladrovcit dhe miqve të tij në Gjermani , u shkolluan disa djem nga Drenica në Perëndim dhe u mbajtën me të holla mësues të gjuhës shqipe , të cilët shkonin kullë më kullë , deri në fshatrat më të largët për të ndriçuar atje vatrat me pishtarin e shqiptarizmës. Në këto vite vuajtjesh pafund, në këto vite të ëndrrave të mëdha, burri i Gllogovcit lidh jetën me njërën prej zanave kosovare , me Xhevën . Një dashuri e pakufishme për Kosovën martire , për lirinë e saj , e ka shtyrë këtë Shotë të re të Drenicës , të bashkojë jetën dhe fatin e saj me Femiun. Xhevë Krasniqi ( Lladrovci) pati lindur në vitin 1955 në fshatin Drenovc të Malishevës. Ati i saj si edhe të afërm të tjerë patën luftuar kundër okupatorit serb, për të aderuar më pas në lëvizjen e shquar të organizatës Nacional – Demokratike Shqiptare, e cila frymëzohej prej parimeve të Dekalogut të Ballit Kombëtar. Xheva pati shfaqur qysh herët dashuri e përkushtim për dije, ndaj dhe prindërit bënë çmos që vajza e tyre të shkollohej. Mbas mësimeve të para në vendlindje , Xheva vazhdoi studimet në Prishtinë ku mbaron me rezultate shumë të larta degën gjuhë –letërsi. Pas mbarimit të studimeve të larta ajo dërgohet si mësuese letërsi e ne gjimnazin e Kievës. Këtu, së bashku me dashurinë për librin shqip, Xheva do t`u mësonte nxënësve të saj dashurinë e shtrenjte për lirinë e trojeve amëtare. Ka qënë kjo arësyeja që policia e fshehtë jugosllave ndjek hap pas hapi veprimtarinë atdhetare të Xhevë Krasniqit dhe në mesin e viteve 80 të shekullit që lamë pas, mësuesja trime Xhevë Krasniqi, pushohet nga puna me motivacionin se “ ka kryer veprimtari të hapura që bien ndesh me kushtetutën e R.S.F të Jugosllavisë.“ Pas këtij akti për Xhevë Kasniqin dhe familjen e saj ishte e kuptueshme që ishin të hapura portat e burgjeve. Ndaj bija e Drenovcit merr rrugët e mërgimit pa iu dridhur aspak qerpiku, duke patur kurdoherë në zemër dhe në mendje dashurinë e vyer të nxenësve të vet. Në fillim të vitit 1998, Femiu vendos të kthehet në vendlindje. Ai e kupton se lisi i fortë e ka vendin e vet, aty në ballë të stuhisë, duke iu bërë krahë i shëndosh jo vetëm familjes, por në radhë të parë lëvizjes mbarëkombëtare të Kosovës për liri. Nërkaq lëvizja nacional-shoviniste serbe ishte në apogjeun e saj. Energjitë rrënimtare të kësaj lëvizje po rrekeshin çdo ditë e më shumë të frymëzonin një varg “ akademikësh “ serb të përgatisnin turli teorish e mashtrimesh, duke dashur t´i riktheheshin lavdisë së dikurshme të Serbisë së Vjetër. Madje ata e patën gjetur edhe udhëheqësin e lëvizjes që do të viktimizonte një popull të tërë . Cinizmi i politikës serbo –sllave ishte shfaqur madje edhe publikisht.Duke folur për kreun e shovinizmit serbomadh Milosheviçin, shtypi shkruante tekstualisht; “ Ai është një shfaqje e re në jetën e Serbisë, njeri i cili e ka artikuluar zemërimin e popullit duke e shdërruar në aksion politik.“ Gazeta “Borba“ Beograd 30 qershor 1989, faqe 6)

 Në pranverën e vitit 1998 në Drenicë e vise të tjera të Kosovës u panë grupe të organizuar të guerrileve shqiptarë. Qëndresa epokale e Jasharajve dhe shfaqja e luftëtarëve me uniformën e UÇK-së, tregonte se shqiptarët jo vetëm nuk mund të pajtoheshin me dhunën e Beogradit por brenda tyre, brenda dhimbjes së madhe, po gjallonte vullkani i urrejtjes shekullore ndaj poshtërimeve serbosllave. Femi Lladrovci, në krye të luftëtarëve të UÇK-së në Lladrovc e më gjërë, kishte mundur të përgatiste dhjetra djem jo vetëm nga ana fizike por në mënyrë të veçantë nga ana psikologjike, pasi edhe pse ata ishin vetëm një grusht djemsh, do të luftonin pa u friguar ndaj makinës ushtarake serbe. Me atë vështrimin burrëror, me zërin e trashë e babaxhan, Femi Lladrovci, më shumë se një ushtarak epror, do të ngjante me një vëlla të madh të rrahur prej stuhive te jetës. Në qershorin e vitit 1998 në afërsi të Lladrovcës, një repart special i ushtrisë jugosllave kërkonte të vendosej në fshehtësi aty. Femiu lajmërohet menjëhërë dhe në bazë të sinjaleve të vendosura qysh më parë, trupa e UÇK-së është e gatshme për luftim.Intuitiv nga natyra,Femiu vëzhgon me kujdes situatën. Ndërkaq nga komanda eprore ka ardhur urdhëri që reparti serb të goditet menjëherë dhe të mos lejohet pozicionimi i tij në atë zonë pasi mund të shërbente për efekte strategjike. Femi Lladrovci si një zbulues i talentuar, afrohet pranë patrullës serbe dhe hap zjarr i pari. Reth 40 minuta vazhdon një shkëmbim zjarri i fuqishëm dhe paskëtaj serbët largohen.“ Të drejtuar nga eprori Femi Lladrovci, trupat e UÇK-së u japin mësim serbve“ thuhet në njoftimin që Shtabi i UÇK-së dërgon në Tiranë. ( Arkivi i Ministrisë së Mbrojtjes, Tiranë, Fondi“ Kosova“ 16 qershor 1998) Për hirë së vërtetës, vlen të thuhet se kur grupet e luftëtarëve të UÇK-së u organizuan dhe filluan luftimet me pikësynime të qartë politikë dhe ushtarakë, Beogradi ndërmori një nismë shumë djallëzore. Pikërishtë aty ku ishte hasur qëndresa e UÇK-së, Milosheviçi dhe emisarët e tij të turpit dërgonin forca të mëdha ushtarake dhe mjetë të blinduara duke djegur, shkatërruar e bërë rrafsh fshatra të tërë. Politika dhe strategjia e “ tokës së djegur“ në thelb, përpiqeshin të fusnin në armiqësi popullin kosovar me luftëtarët e UÇK-së.Por në këtë rast dhelpëria serbe nuk fuksionoi siç duhet. Populli i Kosovës e dënoi dhe urreu më shumë dhunën serbe duke u bashkuar rreth luftëtarëve të UÇK-së si e vetmja alternativë për pavarësinë e vet dhe realizimin e aspiratës shekullore të lirisë. Në korrikun e vitit 1998, Beogradi ndërrmori një tjetër ofensivë, në ato vise të Kosovës ku prania e UÇK-së ishte më e dukshme. Madje shtypi i Beogradit nuk nguroi të citonte me cinizëmin e vet karakteristik se brenda dy- tre javëve do të zhdukte edhe të fundit ushtar të UÇK-së. Përballë kësaj mësymje Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së vendosi që djemtë kosovarë të tërhiqeshin duke e goditur armikun në vende të ndryshme si dhe duke marrë në mbrojtje popullsinë e pafajshme. Në krye të Brigadës 114 të UÇK-së, Femi Lladrovci do të përballonte për javë të tëra një varg sulmesh të forcave serbe, duke rrëfyer jo vetëm aftësitë e tij organizuese dhe lufarake, por sidomos besimin e madh në mundjen e bishës sllave.Tashmë breshërisë së automatikut të tij në beteja i përgjigjeshin qindra armë të tjera dhe qindra luftëtarë të UÇK-së shkonin pas komandatit të tyre si shkrepëtima. Altoparlantët e prishur të Beogradit, për kinse zhdukje totale të forcave të UÇK-së, tanimë po heshtnin dita – ditës.Në vjeshtën e parë të vitit 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së kontrollonte me shumë se 70 përqind të gjithë te territorit të Kosovës, madje luftëtarët e sprovuar të UÇK-së po mirrnin konsiderata të lavdërueshme edhe nga forcat përparimtare ndërkombëtare. Morali i shovinistëve serb po binte dita ditës. Robi serb Shevko Jahiroviq, deklaronte midis të tjerave: “ Për ushtarakët serb që frikësoheshin në aksionet kundër shqiptarëve kishte ndëshkime makabre. Ndërsa për të tjerët që komanda dyshonte u kërkohej si provë besnikërie të sillnin nga fshatrat ku luftohej një kokë e prerë fëmije.“ ( Dëshmia ndodhet në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes – Tiranë.)     Tashmë Femi Lladrovci, në pozicionet e luftimit përkrah qindra luftëtarëve që komandonte, kishte edhe të shoqen, Xhevën. Kishte të drejtë edhe ajo, mësuesja e dikurshme e letërsisë të luftonte përkrah burrit dhe nxënësve të saj, për ardhmërinë e Kosovës. “ Si Shotja me Azemin“ pëshpërisnin luftëtarët me vete, kur shihnin komandatin e tyre të fjalosej me Xhevën. Xhevë Lladrovci do të ishte kurdoherë në radhën e parë të sulmit duke u shdërruar në shëmbull frymëzimi dhe fisnikërie për të gjithë vajzat dhe djemtë mbushnin radhët e Brigadës 114. Pak kohë më vonë , në një intervistë të eprorit të UÇK-së, Sulejman Selimit, ky shprehet tekstualisht:“ Si nderim dua të kujtoj disa nga luftëtarët e parë që janë Adem dhe Hamëz Jashari, Osman Geci, Muj Krasniqi, Femi Lladrovci, Abedin Rexha, Xhevë Krasniqi(Lladrovci) etj…“ ( Gazeta “ Ushtria“ Tiranë në 27 mars 1999).

  Kësisoj për të ardhur në agun e 22 shtatorit 1998. Forcat ushtarake serbe me mijra patën mësyr kundër Drenicës, për të çarë aty vijën e mbrojtjes të UÇK-së. Femi Lladrovci dha kushtrimin i pari. Nga rendën pas tij vajzat dhe djemtë e Drenicës me armë në krah dhe besën e madhe në zemër. Serbët nisën të mësynin me tanke dhe artileri.Detyra e burrave të UÇK-së ishte të mos lejoni depërtimin e armiqve në zemër të Dardanisë së lashtë.“ Dera e rrethimit armik sa vinte dhe ngushtohej. Atëhere kur pritej asgjësimi, doli nga pozicioni komandant Femiu dhe lëshoi kushtrimin me sa fuqi kishte. Kundërsulmi zgjati disa orë “.“( Gazeta Ushtria“ Tiranë 5 maj 1999. Pikërisht atëhere kur serbët filluan tërheqjen, dikush pa se pozicioni ku ishte komandant Femiu po heshtëte. Ngarendi drejt tij dhe pa gjoksin e komandatit të mbuluar nga plagët e fishekëve të snajperëve serbë. Pranë komandatit patën rënë më përpara edhe dy ushtarë të tjerë dhe ky vet i pat rregulluar në mënyrë që armiku mos t`i gjente trupat e tyre. Kur i dhanë lajmin Xhevës,burrnesha heshti për pak çaste. Nuk besonte ndaj vrapoi tek plagët e ngrohta që rridhnin gjak. Ajo e kuptoi se hutimi mund të kushtonte shtrenjtë ndaj porositi shokët të mos e përhapnin lajmin e vrasjes së Femiut dhe vet u hodh e para në sulm.Janë dashur vetëm dy orë luftimesh të papara, me ç`rast plumbat gjejnë rrugën për në zemër të Xhevës. Kështu mbyllej epopeja e 22 shtatorit 1998 në Drenicë. Në altarin e lavdishëm të kombit zinin vend dy emra të rinj.Dy emra që u kurorizuan në emër të Zotit, por edhe dy emra të mëdhenj që u kronizuan nga kombi që s’di të vdesë, në llavën e madhe të padrejtësive historike.

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Femi Xheve Lladrovci

Basha: Të gjithë në protesta, të rrëzojmë me forcë qeverinë e krimit!

September 22, 2015 by dgreca

Priti e priti deri sot Lulzim Basha doli para deputetëve dhe popullit opozitar për të deklaruar se fillon koha për rrëzimin me forcën e popullit të Edi Ramës. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka sulmuar sot kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij si të lidhur ngushtë me krimin. Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PD, kryedemokratik Lulzim Basha theksoi se faktet e vazhdueshme të publikuara nga opozita tregojnë se ministri i brendshëm Saimir Tahiri është i lidhur ngushtë me trafikun e drogës dhe se automjeti i tij është garanci për paprekshmërinë. Në këtë kuadër Basha e cilësoi Tahirin si “peshkun e qelbur nga koka” i cili sipas tij nuk mund të qëndrojë më në qeveri por vetëm të përballet me drejtësinë. “Ndërkohë Rama shton baronët e drogës, duke sulmuar opozitën dhe median, të vetmet institucione përpara kanabizimit. Këtë standart të zi e ka sjellë dhe ngritur në këmbë Edi Rama. Ministri i Ramës e ka shndërruar makinën e tij si sigurinë e trafikut të drogës. Saimir Tahiri, i cili është akuzuar nga Zagani që sot ndodhet në mbrojtje ndërkombëtare, i bëri kushërinjtë e tij të paprekshëm të njohur botërisht për trafikantë. Ndërkohë që ai deklaron se e ka shitur makinën, TIMS tregon Tahirin në timon. Sot u bë publik një fakt tjetër, siguracioni i makinës paguhet sot nga Saimir Tahiri. Ky është peshku i qelbur nga koka që nuk mund të qëndrojë në asnjë sistem tjetër veç atij të Ramës. Ora ka ardhur, të dalim të gjithë në rrugë dhe të rrëzojmë këtë pushte ttë kapur nga krimi” tha në fjalën e tij Basha .Sipas Kreut të selisë blu kjo u pa edhe në zgjedhje, dhe këtë shqetësim e ngritën edhe europarlamentarët dhe Uashingtoni. Për këtë arsye Basha nënvizoi se procesi i dekriminalziimit duhet të nisë sa më parë dhe se PD nuk pranon më zvarritje të këtij ligji. Për Bashën testi për Ramën është ligji dhe kjo “do ta ndajë shapin nga sheqeri”. Por ai u shpreh se Rama merr në mbrojtje baronët e drogës dhe ndaj ka frikë të nisë dekriminalizimin. “Në zgjedhjet vendore u përdorën masivisht paratë e krimit. Zgjedhjet e 21 Qershorit mbeten në klasë, dhe kjo jo e thënë vetëm nga opozita por edhe nga europarlamentarët Kukan dhe Fleckenstein. Zgjedhjet jo vetëm nuk ishin të lira, por ato minuan të drejtat themelore. Ashtu si Uashingtoni edhe Brukseli bën thirrje për largimin e të inkriminuarve nga shteti. koha po tregon se këtij kryeministri nuk i intereson as zhvillimin, as Uashingtoni dhe as Brukseli. Rama-­Meta janë mbyllur në zullumin e klientelave të tyre, në bizneset dhe pasuritë e vëna me kontrabandë dhe korrupsion. Sot iu takon shqiptarëve të iu dalin zot dhe të marrin në duar fatin e aleancës me demokracinë. Kemi kërkuar futjen e projektligjin për dekriminalizimin dhe miratimin e tij brenda shtatorit. Duam miratimin e tij brenda shtatorit. Nuk duam meritat, por ligjin që të zbatohet. Dekriminalizimi duhet të ketë si armik vetëm kriminelët. Shqipëria ka marrë këto ditë nga Brukseli dhe Uashingtoni një mesazh të fortë për të nisur këtë proces. ndaj më shqetësimin se që nga marrëveshja nuk është bërë asgjë, duhet të ngrihemi e ta rrëzojmë.

Edi Rama është krenarë për përzgjedhjen e Prengës, Ndokës dhe shokë dhe nëse do të kthehej pas në 2013 sërish do t’i zgjidhte. Kjo është e papranueshme. Testi është ligji dhe ne nuk do të pranojmë asnjë zvarritje. Kjo e ndan shapin nga sheqeri.” u shpreh Basha .

Në vijim kreu i demokratëve akuzoi edhe kryeparlamentarin Ilir Meta i cili sipas tij nuk do të mund t’i shpëtojë fakteve për aferat e tij korruptive. “Ilir Meta me siguri feston të lidhjes së ministrit me trafikantë me shpresën se këto do t’i bëjnë hije skandalit të tij korruptive. Gënjeshtra me bisht. Faktet janë aty dhe drejtësia nuk do të vonojë për të. Sot qeveria Rama-­Meta fut ujë në të gjitha anët dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe.” tha Basha .

Prandaj tha ai ,të bëhemi gati të gjithë ; opozitarë e jo opozitarë, kushdo që e ndjen se krimi po na mbyt e na merr frymen e gjithçka e ti rrëzojmë me forcen e popullit. Mesohet se një protestë e madhe po përgatitet në këto ditë në Tiranë e ku do të kërkohet dorëheqja e qeverisë ose në të kundërt rrëzimi i saj me forcën e protestës.

Po përgatiten gjithë skalionet specialistë të PD-së  për tu përballur me forcat e Ramës para kryeministrisë. Grupi radikal në PD e ka akuzuar Bashën që nëse nuk fillon protestat pa ndalesë atëhere ai ka bërë kompromis me Ramën për të rrëzuar Metën me duart e PD-së dhe shpëtuar kryeministrin. Por duket se Berisha ka marrë informacione te korriereve të Bashës dhe ndaj ka bërë që sot lideri i selisë të deklarojë fillimin e  rrëzimit  të krejt qeverisë, pra edhe të Ramës, edhe të Metës.

Filed Under: Politike Tagged With: Lulzim Basha, Protesta, qeveria e krimit

Papa Françesku: Duam një kishë për të ndërtuar ura dhe për të shembur mure

September 22, 2015 by dgreca

HAVANË, 22 shtator – Papa Françesku tha sot në Kubë se “ne duam që kisha të ndërtojë ura, të hedhë poshtë muret dhe të mbjellë pajtimin”.

Papa foli gjatë mbajtjes së meshës në qytetin kuban të Santiagos, ku ishte ndalesa e fundit katërditore e udhëtimit të tij.

“Ne duam të jetë një kishë të shërbimit, si Maria, nëna e bamirësisë”, tha Françesku.

“Një kishë që del nga shtëpia dhe që lë tempujt e saj për të ecur përkrah jetës, për të mbështetur shpresën, për të qenë një shenjë e unitetit”, theksoi ai.

Filed Under: Kronike Tagged With: Kisha, Kubë, Papa, Ura

SHUHET LEGJENDA E SKENES TONIN TERSHANA

September 22, 2015 by dgreca

Ndahet nga jeta rekordmeni i skenës shqiptare, “Mjeshtri i Madh”, Tonin Tërshana/

TIRANË, 22 Shtator /  Legjenda e muzikës shqiptare, rekordmeni i skenës dhe festivaleve, “Mjeshtri i Madh”, Tonin Tërshana, është ndarë nga jeta mbrëmjen e te henes në ambjentet e QSUT  “Nënë Terza” në moshën 66- vjeçare.

Lindur në Shkodër në 1 qershor të vitit 1949, këngëtari Tonin Tërshana përbën një rekord në skenën shqiptare, pasi që në debutimin e parë, në Festivalin e 4-t në Radio-Tirana, me këngën “Kur vjen pranvera” me muzikë të Pjetër Gacit dhe tekstin e Fatos Arapit, artisti merr çmimin e parë kur ishte vetëm 16 vjeç.

Tonin Tërshana në skenë

Tonin Tërshana ka fituar çmimin e parë edhe në Festivalin e 11-të të RTVSH.

Këngëtari i skenës dhe festivaleve të RTSH-së, mjaft i pëlqyer nga publiku për zërin e tij melodioz dhe emocionin e veçantë që transmetonte, ka marrë pjesë në mbi 20 festivale, duke fituar 4 çmime të para e duke u bërë keshtu një ndër këngëtarët me më shumë trofe në Festivale.

Mes interpetimeve të shumta, këngët më të njohura dhe më të pëlqyera te këngëtarit janë “Erdhi pranvera”, “Kenga e nenes”, “Fishekzjare në qiellin blu”, “Kur vjen pranvera”, “Lumturia nuk dhurohet”, “Vajzë moj, lule moj” etj.

Presidenti i Republikës Bamir Topi i ka akorduar titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.(Sipas ATSH)

Filed Under: Kronike Tagged With: Ndahet nga jeta, Tonin Tershana

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3520
  • 3521
  • 3522
  • 3523
  • 3524
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT