• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-KDI: Të ndalet praktika e bllokimit të Kuvendit

September 22, 2015 by dgreca

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Shtator 2015/ Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), reagon ndaj ngjarjeve të sotme në seancën plenare që po pengojnë zhvillimin e jetës parlamentare në vend dhe vendosin institucionet në rrethana të jashtëzakonshme.“Mekanizmat institucionalë për të kundërshtuar çështjet të cilat trajtohen në Kuvend janë të përcaktuara në Kushtetutë, dhe asnjë formë tjetër e kundërshtimit nuk ndihmon në sqarimin dhe as zgjidhjen e problemeve. Përkundrazi, veprimet e tilla të deputetëve në Kuvend mund të transmetohen në të njëjtën frymë edhe te qytetarët, dhe kështu të shkaktohen incidente ndërmjet grupeve shoqërore pasojat e të cilës janë të parikuperueshme, nga të cilat nuk do të përfitojë as opozita e as pozita”, thuhet në reagim.

Theksohet se, të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend, si dhe institucionet tjera përkatëse duhet të kenë rol konstruktiv në adresimin dhe trajtimin e çështjeve të rëndësishme të cilat janë në axhendën e institucioneve. “Acarimi i situatës, dhe veprimet që shkojnë përtej debatit politik nuk janë zgjidhje”, shtohet më tej.

KDI bën thirrje tek të gjithë akterët politikë për vetëpërmbajtje dhe në ushtrim të detyrave të tyre brenda mandatit që kanë, sepse  çdo veprim i cili mund të gjenerojë një ambient politik të dhunshëm është i papranueshëm dhe i dënueshëm.

“Gjithashtu KDI kërkon nga Presidentja e vendit, Jahjaga, që t’i vë në funksion përgjegjësitë e saja kushtetuese dhe të kontribuoj në nxitjen e bashkëpunimit politikë mes pozitës dhe opozitës  në funksion të  arritjes së  unitetit për çështje të cilat nuk kanë konsensus politik e shoqëror”, përfundon deklarata.

Pasdite, sapo nisi rindërpreu për herë të dytë gjatë ditës rivazhdimin seanca e Kuvendit të Kosovës, e ndërprerë të enten e javës së kaluar, e rindërprerë sot para më shumë se tre orësh për “10 minuta pushim” të dhënë nga kryetari, Kadri Veseli, pasi opozita protestoi dhe e gjuajti me vezë kryeministrin Isa Mustafa derisa po informonte për katër marrëveshjet e 25 gushtit Prishtinë-Beograd në Bruksel.

Opozita përsëri protestoi, vendosi në “rrethim” kryesinë e seancës, ndërsa kryeparlamentari Vesli kërkoi “15 miniuta pushim për të bashkëbiseduar 5 minuta në zyrë”. Në zyrë ai i ftoi kryetarët e grupeve parlamentare, por deputetët vazhduan të qëndrojnë në sallën e seancës, nga e cila pastaj dolën, por ende nuk ka rivazhdim seance.

Në rifillimin e ndërprerë pasdite, kryeparlamentari Veseli u shpreh:“Kisha pasë dëshirë që kryeministri të largohet prej salle, ose sigurimi i kryeministrit (të largohet nga salla e seancës) që mos të ketë situata të tilla”. Por, kryeministri ka vazhduar qëndrimin në sallën e seancës së Kuvendit, ndërsa ndodhnin zhvillime të tjera.

Në vazhdimin e seancës pak para mesditës, Mustafa gjatë pak minutave që foli në seancën e Kuvendit tha se marrëveshjet e dialogut në Bruksel më datën 25 gusht të vitit 2015 kanë të bëjnë me zbatimin e Marrëveshjes së parë të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhenieve (të 19 prillit 2013).

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi, te ndalet bllokimi

Dr. Ilinden Spasse, një rrëfim për veten dhe babain Sterjo

September 22, 2015 by dgreca

Dr. Ilinden Spasse është djalë shkrimtari, që për të do të thotë shumë, se ka lindur bashkë me letërsinë, me artin e të shkruarit. Ai është i biri i Sterjo Spasses, një prej shkrimtarëve shqiptarë më në zë të shekullit XX-ë, një prej urave lidhëse më të fuqishme mes dy kombësive shqiptare dhe asaj maqedonase, shkrimtari modern, i cili evokoi paqen dhe harmoninë mes kombeve. Të dy, atë dhe bir janë pionierë të letrave shqipe, që duken sikur dalin nga muzeu historik i letrave shqipe. Veç prirjes natyrale të dr. Ilinden Spasses shkak frymëzimi për të shkruar u bënë ëndrrat dhe përvojat e jetës, me zërin e tyre të brendshëm dhe individualitetin e tyre. Është prozator që ka një fuqi të magjishme në defilimin e një numri të madh personazhesh, njerëz të thjeshtë e me pushtet, zbulon jo vetëm karakterin e tyre plot jetë në të kaluarën e në të ardhmen, por na rrëfen edhe lirinë e tyre me humor të hollë e të ndjeshëm, sarkazëm të goditur nga ana artistike, duke na dhënë kënaqësinë dhe duke e shndërruar shkrimtarin Ilinden Spasse në një mjeshtër të rrëfimit, si baba i tij. Ka botuar në fushën e letërsisë romane e tregime, ku ndër to spikat në mënyrë të veçantë edhe vepra monografike “Im Atë, Sterjo”.

Ilinden Spasse

Në fushën e përkthimeve ka sjellë “100 personalitetet më të shquara në histori” të autorit Majkëll Hart. Në fund të muajit korrik, unë u takova me dr. Ilinden Spassen dhe bashkëshorten e tij, një zonjë tejet sharmante, Marien, së bashku me shkrimtarin e poetin, Përparim Hysi, në Tiranë. Ishte një kafe shkrimtarësh, ku tema kryesore ishte letërsia dhe kritika letrare. Më dhuroi romanin e tij të fundit “Pavijoni i filozofëve”. Unë veçanërisht dëshiroja ta pyesja për krijimtarinë letrare të atit të tij dhe për krijimtarinë e tij të hershme letrare, kohën kur filloi të shkruante gjatë jetës së tij, por edhe aktualisht. Në këtë intervistë shkrimtari i mirënjohur dhe i talentuar, dr. Ilinden Spasse flet për vete dhe atin e tij, shkrimtarin e shquar, eruditin, Sterjo Spasse.

Bisedoi: Raimonda Moisiu

Përshëndetje z. Spasse. Më pëlqen të jem e drejtpërdrejtë me ju: -A ka qenë letërsia një interes shumë i hershëm i juaji apo diçka që lindi si pasion e dëshirë?

Në fakt, duke qenë djalë shkrimtari, më takon të them që unë kam lindur mes letërsisë. E them këtë, se në fëmijërinë time të hershme, unë “luaja” me shokët e babait, përkëdhelesha nga ata, më merrnin me biçikletë e më shëtisnin nëpër Tiranë, apo më shpinin me fëmijët e tyre në stadium për të parë ndonjë ndeshje futbolli. Shumica e tyre ishin tërë humor dhe me sjelljen e tyre të bënin që t’i doje shumë, ndonëse ende isha fëmijë dhe ata në sytë e mi dukeshin shumë të mëdhenj. Ata ishin shokë e tim eti, por ashtu si silleshin me mua më dukej sikur ishin “shokët” e mi. Vonë shumë vonë mora vesh që ata ishin shkrimtarë. Fjalën shkrimtarë deri në shkollën fillore nuk e konceptoja dot. Kur vajta në shtatëvjeçare, e kur mësuesja e letërsisë na jepte ndonjë copë leximi të shkruar nga këta autorë, unë si i papërmbajtur që isha bërtisja: “Këtë autor të këtij tregimi unë e njoh”. “Ky më ka dhënë gjysmë çokollate, se gjysmën tjetër ia kishte ngrënë “ujku”; ky i këtij tregimit tjetër më ka blerë akullore, ky….etj. E këta autorë, që unë i njihja mirë, e që i kisha “shokë” ishin Mitrush Kuteli, Nonda Bulka, Nexhat Hakiu, Petro Marko, Vedat Kokona, Dh. Shuteriqi, Shefqet Musaraj e më vonë Jakov Xoxa, Fatmir Gjata, Llazar Siliqi, Ismail Kadare, Dritero Agolli, e të tjerë, që në mënyrë më të hollësishme jam përpjekur t’i përshkruaj në librin tim monografik “Im atë Sterjo”(1995). Pra të gjithë këta që i përmenda më lartë kanë krijuar letërsinë shqipe, pra e përmend edhe një herë, që unë kisha lindur në mes të tyre, pra në mes të letërsisë, se ata ishin themeluesit e letërsisë së re shqipe.

Cila është gjëja më e rëndësishme që ju keni mësuar, kur filluat të kuptoni se çfarë është jeta?

Përgjigjja e kësaj pyetjeje për mua është e vështirë. Në jetë çdo gjë zhvillohet gradualisht dhe çdo gjë fillon të kuptohet gradualisht sipas moshës, sipas interesave të moshës, sipas kulturës që merr nga familja, shkolla, shoqëria apo mjedisi ku jeton, por edhe sipas prirjes që ka çdo fëmijë….Një gjë është e vërtetë, që në moshën e adoleshencës je më i frenuar, në mënyrë të pandërgjegjshme je në kërkim të vetvetes; në moshën e rinisë (i riu si veriu) “i di të tëra, je më i fortë se të gjithë etj.” Ndërsa në moshën e pjekurisë fillon e analizon shumë gjëra, shumë bëma të jetës dhe fillon e mban qëndrim kritik ndaj vetes. Nuk e di në se kjo i jep përgjigje pyetjes që më bëtë?!.

A ju kujtohet botimi juaj i parë dhe t’i keni thënë vetes: Ja dola! Edhe unë jam shkrimtar! Kur ka ndodhur kjo, herët apo më vonë?

Sterjo Spasse, Nonda Bulka, Ilinden Spasse, Zisa Cikuli

Po, më kujtohet shumë mirë kur kam shkruar e botuar tregimin tim të parë. Ose më mirë të them skicën time të parë. Se skicë është. Ka qenë fillimi i viteve 1960. Pasi mbarova mësimet dola nga shtëpia për t’u çlodhur. Pa pritur në mëhallën time, diku në rrugën e Kavajës, pashë një vajzë, që ma tërhoqi vëmendjen. Dhe në mënyrë të pavetëdijshme fillova që ta ndiqja pas, pa ndonjë pikësynim. Diku m’u zhduk! Kthej kokën majtas, kthej kokën djathtas, ishin ngritur mjaft pallate në një kohë rekord. I kisha parë edhe më parë këto pallate, por kësaj radhe më bënë përshtypje, shumë përshtypje, ndoshta nga që më “kishin fshehur” vajzën që ndiqja. E pikërisht, këtu, në një moment pëshpërita me vete: “Duke kërkuar vajzën…” që u bë dhe titulli i skicës. Dhe ideja qendrore ishte ajo e kohës: Duke kërkuar vajzën, pashë shumë pallate, pra lëvrinte puna. Gjithnjë në mënyrë të pavetëdijshme u ktheva në shtëpi dhe mbresat e atij momenti i hodha menjëherë në letër. Mbasi e shkrojta skicën sikur u lehtësova, ishte një ndjesi mjaft lehtësuese, që nuk e kisha provuar herë tjetër. Fillova ta rilexoja e ta korrigjoja. Po pas kësaj?! Në një moment m’u mbush mendja dhe ja dhashë tim eti për ta lexuar. Dhe prita disa ditë për të më dhënë përgjigje, por ai nuk po më thoshte asgjë. Përpiqesha që mos kapja ndonjë detaj në sytë e tij, por hiç përgjigje. Njëqind herë u pendova dhe e mallkova veten që ia dhashë atij për ta lexuar. Në sytë e mi ai ishte idhull dhe një idhull të merrej me budallallëqet që shkruaja unë, e aq më tepër që titulli ishte provokues “Duke kërkuar vajzën”. U pendova, që u tregova aq mendjelehtë, që e futa në telashe edhe atë për këtë problem. Dhe ai, si për inat nuk më kthente përgjigje. Edhe unë si për inat nuk guxoja ta pyesja. Isha mjaft i ndrojtur. I tillë jam edhe tashti në këtë moshë të thyer. Kur, një paradite, dëgjoj një zë nga fundi i oborrit të shtëpisë:

-Urime Ilo, u botua ajo!

Unë me vrap dola përjashta dhe pashë Nondën, ku me një dorë mbante biçikletën e tij “Bjanki”, ndërsa me tjetrën tundte një gazetë. Unë shtanga. Nuk po e kuptoja ku e kishte fjalën. Ai zgjati gazetën “Zëri i Rinisë”, ku në faqen e parë vura re titullin “Duke kërkuar vajzën” dhe poshtë një skicë, një djalë duke ndjekur një vajzë..dhe akoma më poshtë emrin tim të nënvizuar. Kam përshtypjen që babai, në ato momente u gëzua shumë më tepër se unë, por ai që u gëzua më tepër se ne të dy ishte vetë Nonda. Ç’kishte ndodhur?! Babai, pasi e kishte lexuar tregimin, kishte marrë në telefon Nondën për t’i kërkuar edhe atij një mendim, që do të ishte më realist, si i paanshëm. Por ai, sa e kishte lexuar tregimin, pa i thënë gjë babait e kishte shpënë te gazeta “Zëri i rinisë” ku ia dha në dorë kryeredaktori Dhimitër Verlit. Që më vonë e njoha edhe unë dhe ruaj kujtimet më të mira për këtë kryeredaktor, që ka ditur t’i përkrahë shumë talentet e reja. Dhe kështu skica ime e parë u botua në gazetën “Zëri i rinisë” në fillim të viteve 1960. Mendoj se vetë mjedisi familjar ku unë u rrita ka ndikuar më tepër se kushdo tjetër në formimin tim letrar.

Gjatë hulumtimit rreth aktivitetit tuaj krijues hasa titullin e monografisë “Im atë Sterjo”. Cilat qenë rrethanat që ju ndjetë nevojën për t’u shprehur e për të treguar, për atin Tuaj?

S. Spasse, Aferdita, motra e madhe, Nikolina, nena, Mariana  motra e vogel  dhe Ilindeni

Dashur pa dashur, me pyetjet që ju më keni bërë jeni pozicionuar që në fillim tek monografia “Im at, Sterjo”, që është edhe libri im më i arrirë. Unë kam qenë mjaft i lidhur me tim atë, jo vetëm nga që më mbante afër edhe në mjediset e shokëve të tij, gjë që ka ndikuar në pasqyrimin e personazheve të këtij libri, por edhe dega e shkollës që mbarova për letërsi, duket më afroi më tepër me të për t’u konsultuar si për probleme letrare ashtu dhe ato të arsimit, pasi Sterjoja për një kohë të gjatë ka qenë mësues, pastaj dhe redaktor i shtypit pedagogjik e më vonë i atij letrar. Erdhi një kohë, kur ai kishte nevojë për mua në aspektin fizik, pasi ishte rënduar mjaft nga shëndeti, vuante nga zemra. Pra, unë, si të thuash u bëra “sekretari i tij” duke daktilografuar jo me dhjetëra, po me qindra, për të mos thënë me mijëra faqe të krijimtarisë së tij. Sidomos cikli i tij i romaneve “Rilindësit” për mua ka qenë një shkollë e dytë, qoftë për kulturën historike që kam marrë, qoftë për mënyrën e të trajtuarit të problemeve, qoftë për skalitjen e personazheve si ata kryesorë ashtu edhe ata të dorës së dytë. Punonim kohë e pa kohë. Në këto romane (5 të tillë), Sterjoja ka derdhur tërë energjitë e tij krijuese me një përvojë tepër të madhe si në kulturë ashtu edhe në të shkruar. Të punosh disa vjet me të në mënyrë tepër intensive ku përfitoje një bagazh të madh jo vetëm letrar por edhe historik, edhe metodik të punës, e pastaj, krejt papritur “të të ikë nga dora” për mua, birin e tij ishte tepër e rëndë. Menjëherë pas vdekjes së tij, m’u ofruan disa të njohur, që t’u jepja dokumentet e babait për të shkruar ata ndonjë monografi për të. U ndodha në një dilemë: Pse të mos e shkruaja unë monografinë?! Kush më mirë se unë e njihte babanë tim në gjithë aspektet e jetës: Dokumentet janë dokumente, të thata, ndërsa në libër duhet të dilte shpirti dhe kështu iu futa menjëherë punës edhe asaj shkencore duke hulumtuar çdo gjë që ishte shkruar për të, duke u konsultuar edhe me shokë të tij, duke lexuar çdo shkrim të tij, duke lexuar edhe mjaft monografi të huaja e kështu me radhë deri sa e përfundova për tre-katër vjet. Me botimin e këtij libri unë theva një tabu, që edhe djali mund të shkruajë për babanë. Pas kësaj filluan të shkruhen mjaft monografi nga njerëzit e afërt të familjes…

Cilët ishin elementët thelbësorë, që ju bënë ju t’i futeshit me ngulm hartimit të monografisë për babanë tuaj Sterjo Spasse.

Mendoj se katër ishin elementët thelbësor që më nxitën për të ndërmarrë këtë hap të guximshëm për hartimin e kësaj monografie.

Spasse, Nexhat Akiu, Vedat Kokona, Mitrush Kuteli

Unë u përpoqa që figurën e tim eti ta shpalos në disa plane: 1) Si njeri: në marrëdhënie më familjen, (im atë kishte një disnivel kulture shumë të madhe me nënën time, e cila ishte pa shkollë fare. Por harmonia me të cilën ata kaluan tërë jetën, është një shembull i jashtëzakonshëm sidomos për brezat e rinj, që një e dy vetëm zihen, vetëm grinden për mustaqet e Celos, siç thotë populli. Por ajo kishte një pasuri tjetër të madhe, gurrën popullore, që im atë e shfrytëzoi bukur në veprat e tij. Ajo ishte shumë mikpritëse, që shokët e babait në shtëpinë tonë gjenin harmoninë familjare. Unë kurrë për gati 50 vjet që jetova me ta, nuk i kam dëgjuar të grinden një herë. Nuk e kam dëgjuar babanë ndonjëherë t’i flasë nënës, apo të na shajë ne fëmijët, mua dhe dy motrat, Afërditën dhe Marianën. Në marrëdhënie pune, me shokët dhe eprorët ka qenë shembull. Të gjithë shokët e tij të penës, nxënësit e studentët e tij, letrarët e rinj, që më vonë janë bërë pena të fuqishme të letërsisë sonë, si dhe mjaft miq e shokë të profesioneve të ndryshme, gjenin në atë shtëpi njeriun njeri, me të gjitha virtytet njerëzore, por gjenin dhe forcën mikpritëse të nënës tonë, gjenin buzëqeshjen e saj. Ndaj ajo shtëpi për shumë veta u bë si një “klub shkrimtarësh”, ose si një “klub” ku këta njerëz qanin hallet e tyre ose konsultoheshin për problem të ndryshme jetësore…

2- Si mësues, duke shërbyer si mësues në vende të ndryshme të Shqipërisë ai jetoi me hallet e nxënësve dhe mësuesve. Ishte një metodist i shkëlqyer, kishte një elokuencë të veçantë në të shpjeguarit e lëndës. Mësuesia atij i shërbeu për të shpalosur në revistat me karakter pedagogjik mjaft probleme të metodikes, të angazhohej thellësisht në reformën arsimore të vitit 1946, jo vetëm me dhënien e mësimit në mënyrë të përkryer, por duke botuar një sërë artikuj publicistikë në fushën e arsimit. Madje duke hartuar edhe mjaft tekste shkollore si autor dhe si bashkautor e që kanë shërbyer me dekada të tëra në shkollat tona shtatëvjeçare e të mesme. Edhe dy nga romanet e tij të para “Afërdita” dhe “Afërdita përsëri në fshat”, e që kanë bërë mjaft jehonë në kohën e tyre si në Shqipëri dhe në Kosovë, pikërisht arsimit i kushtohen, pikërisht emancipimit të shoqërisë shqiptare me anën e zhvillimit të arsimit. E ky emancipim fillon që në klasat më të ulta të shkollës fillore e deri më të larta, ky emancipim fillon në radhë të parë me emancipimin e mësueseve si forcë kryesore e emancipimit të shoqërisë.

3- Si shkrimtar, ai ka rrokur një gamë të gjerë problemesh sociale me të gjithë korpusin e veprave të tij. Në romanet e tij gjejmë të zbërthyera tërë reformat që u zhvilluan gjatë periudhës së monizmit, por edhe ciklin e romaneve “Rilindësit”,që është një vepër monumentale ku ka përshkruar në mënyrë të plotë, si asnjë tjetër, tërë periudhën e Rilindjes tonë kombëtare duke e parë në planin historik, social, politik, diplomatik, etnografik, ekonomik etj. dhe me një gamë të gjëra ngjarjesh, në të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare. Këtë cikël e fillon me romanin “Zgjimi” ku përshkruan zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, hapjen e shkollave të para shqipe e vazhdon deri në ngritjen e flamurit në Vlorë më 28 nëntor 1912; përshkruan luftërat legjendare të viteve 1011-12 në veri të Shqipërisë e në Kosovë, vepron me personazhe realë historikë e të krijuar. I tërë korpusi i tij i “Rilindjes” ka mbi 1000 personazhe, një punë jo e pakët kjo, një punë që atij i ka kushtuar shumë në aspektin shëndetësor. Pas përfundimit të çdo romani historik atij i binte infarkt, etj. Shumë ngjarje në këtë cikël zhvillohen edhe në trevat e tjera të Ballkanit, si në Stamboll, Bukuresht, Sofje etj.

4.Si veprimtar shoqëror. Atë gjithnjë do ta gjeje në veprimtaritë letrare artistike që zhvilloheshin nga ana e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, do ta gjeje në veprimtaritë e tjera propagandistike që zhvilloheshin në lagjen ku banonte apo në ato që organizonte Komiteti Ekzekutiv i atëhershëm. Do të ishte mjaft aktiv sidomos gjatë muajt të letërsisë, ku bashkë me shokët e tij do të shkonin në shumë rrethe të Shqipërisë. Preferonte shumë, që shokët e tij, t’i shpinte në vendlindjen e tij, në zonën e Prespës për t’iu “mburrur” për mikpritjen e prespiotëve dhe për bukurinë e natyrës.

Si keni arritur ju në këtë monografi të harmonizoni aktualen mbizotëruese historike, sociale e politike, në kurriz të pavarësisë tuaj intelektuale?

Harmonizimi i aktuales me historiken, i anëve sociale me ato politike dhe i plot harmonizimeve të tjera kanë ardhur vetvetiu, nga vetë jeta intensive e shkrimtarit, jetë e mbarsur me një aktivitet të gjerë sa letrar, aq edhe në fushën e arsimit, jetë e mbarsur nga problemet e shumta të kohës, nga shpresa për një të ardhme sa më të mirë dhe nga zhgënjimet e retorikave të ndryshme.

Çfarë mendoni se ka mbetur konstante tek ju?

Konstante ka mbetur vetëm dëshira për të kontribuar sa më tepër, për të shkruar sa më tepër…

Si mendoni ju, cilat janë elementët thelbësorë të një proze, në rastin tuaj, të romanit. Sfida që përballeni me ndërtimin e tij, duke e krijuar atë me idetë që keni në mendje për ecurinë e personazheve. Ju i paraqisni personazhet tuaja nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën, apo anasjelltas?

Duke i hedhur një sy krijimtarisë sime modeste, tani në një moshë pak të shtyrë, ve re, se pothuajse të gjitha temat qoftë të tregimeve, novelave apo gjinive të tjera më të gjata, që unë kam shkruar, janë nga jeta aktuale, personazhet janë të kohës, ku kulmin arrij me monografinë “Im at, Sterjo”, që shumë veta e quajnë roman.

Zhanrin e romanit “e bëtë ju që të vinte te ju”, apo është preferenca tuaj?

Zhanri i romanit, ka ardhur vetvetiu nga tema që kam zgjedhur. Nuk jam nisur kurrë që të shkruaj roman. Më mungon ajo “ambicie e mirë” do të thoja, për të shkruar një roman e me këtë roman t’ua kaloj të tjerëve. Kjo nuk ekziston tek unë. Po të ekzistonte kjo “ambicie” me siguri fruti i krijimtarisë time letrare do të ishte shumë më i bollshëm.

Diçka për vëllimin me tregime “Cuca e pavijonit”, 1970, dhe romanin “Përtëritje” 1976, janë fantazi, apo pasqyrë e brendshme e botës njerëzore?

Këto tituj që ju i përmendët, janë frymëzim i një kohe kur unë posa kisha dalë në jetë dhe i një vendi të thellë malor ku unë isha i punësuar si mësues i gjuhës e i letërsisë në një nga fshatrat më të thella të Matit. Vetë rinia ime, mbase dhe përgatitja psikologjike që kisha marrë në familje, ishin si të thuash ilaçi më i mirë për ta parë jetën me optimizëm, të punoja me dëshirë, të prekja plagët e kohës, natyrisht duke iu përmbajtur orientimeve të kohës. Pra shpirtërisht isha shumë i motivuar për të qenë optimist, ndryshe nga shumë shokë të mij që çdo gjë e shihnin të errët, të zezë. Në këto dy libra nuk ka fantazi. Kështu ka qenë jeta, me të mirat e të këqijat e saj. Ajo ka qenë bota e brendshme shpirtërore e personazheve të mi.

Ku qëndron forca e inspirimit tuaj si një shkrimtar që i përket dy epokave – realizmit socialist dhe periudhës postkomuniste?-Ku qëndron ndryshimi midis këtyre dy epokave. Çfarë ju tërheq më shumë nga realiteti e si mund ta konceptosh atë artistikisht?

Ndryshimi midis dy epokave në aspektin letrar mua më duket se nuk ekziston. Edhe në atë kohë mund të shkruaje, natyrisht brenda kornizave ideologjike. Po njeri nuk të detyronte të shkruaje me zor. Edhe tani shkruan, por më duket se shkruan më tepër broçkulla duke u mbështetur në “lirinë e fjalës”.

Kombinimi i së tashmes me të shkuarën, i letërsisë me publicistikën në fushën e letrave përbën bazën e letërsisë së suksesshme, por edhe një teknikë e vështirë për ta pasqyruar në letër. Si ia arritët ju ta realizonit këtë në romanin “Pavijoni i filozofëve”, 2014?

Krejt natyrshëm: Disa episode të vogla në dukje më ngacmuan të gjeja fillin e një tregimi. Këto episode “të vogla”, mbase lidheshin edhe me karakterin tim, me edukatën time: “Një shok më tha: Filan ministër ti e ke shok, e ke mik, pra thuaji atij të ma japë tenderin e objektit që ndërton ai. Do t’i jap sa të dojë, po edhe ti nuk do të mbetesh pa gjë.” Në atë situatë, kur ne kishim dalë nga një sistem diktatorial dhe ishim futur në demokraci, këto fjalë më bënë mjaft përshtypje. Biles netë të tëra kam ndenjur pa gjumë. Si mund t’i kërkosh një shoku, e aq më tepër ky ministër, e të bësh pazarllëqe parash e tenderash?! Unë atëherë kuptimin e fjalës tender nuk e dija. E këtu lindi shkëndija e parë për hartimin e këtij romani. Në një moment mendova se vetëm një i çmendur mund të bëjë një kërkesë të tillë. Pra gjeta edhe fundin e romanit. Midis fillimit e fundit u gatua ky roman, tepër aktual e tepër kritik…

Z.Ilinden, jeni edhe përkthyes, dhe keni përkthyer “100 personalitetet më të shquara në histori” e autorit Majkëll Hart. Çfarë ju ka shtyrë t’i përktheni e t’i sillni këto personalitete në shqip? Cili është sekreti që fuqishëm ka influencuar në përkthimin e këtij libri?

Nuk ka ndonjë sekret të madh këtu. Rastësisht më ra në dorë ky libër përkthyer në gjuhën maqedonase. Unë e lexova edhe kuptova shumë gjëra por edhe shumë gjëra nuk i kuptova. Ndaj vendosa ta përktheja me fjalor në dorë, që ta kuptoja më mirë dhe bëra mirë se të dish jetën e figurave më në zë të botës është një shkollë më vete. Ndaj iu futa përkthimit për vete, për të mësuar sa më shumë për shkencëtarë, shkrimtarët, filozofët , shpikësit që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë njerëzore dhe kështu nga faqja në faqe unë arrita të përktheja librin dhe ta redaktoja e ta përshtatja në shqip. Kur e përfundova, pashë që kisha bërë një punë të mirë dhe e botova. Kaq.

Çfarë mendoni për statusin aktual të kritikës? A ka kritikë të mirëfilltë sot për sot?Cili ka qenë keqkuptimi më i ndjeshëm gjatë karrierës tuaj krijuese?

Për kritikën e sotme, më duket se kam folur shumë në romanin tim “Pavijoni i filozofëve”, të cilën do ta përkufizoja po me gjuhën e romanit: Ka para, ka kritikë, S’ka para, s’ka kritikë! Ka para ka kritikë superlative, s’ka para, ka heshtje. Që tani për tani institucioni që të merret direkt me vlerësimin dhe zhvlerësimin e shkrimtarëve tek ne mungon. Arsyet mund të jenë të shumta, por është një gjë që shkrimtarët kanë shumë më tepër kulturë, se të ashtuquajturit kritikë të sotëm. Në fushën e letërsisë nuk kam pasur ndonjë keqkuptim me ndonjë redaksi. Kur më kanë kthyer ndonjë vepër, kam qeshur me vete, sepse argumentet që më kanë thënë redaktorët nuk ma kanë mbushur mendjen. Por edhe të bëja fjalë ishte e kotë. Dhe kështu e kaloja me të qeshur. Natyrisht, përbrenda zieja nga inati, ashtu siç zienin nga inati edhe im atë, edhe shokët e tij, kur ua kthenin veprat në shtëpinë botuese, gjë që e kam trajtuar në “Im at, Sterjo”.

Mendoni e shpresoni se gazeta “Drita”, do të rikthehet”?

Gazeta “Drita” është rikthyer, por nuk ka atë forcë të “Dritës” së mëparshme: Kjo vjen nga që ka rënë mjaft interesi i të lexuarit, jo vetëm për shkaqe ekonomike, apo për shkaqe se dalin mjaft botime ku trajtohen edhe probleme të letërsisë apo edhe pse është futur interneti, që të merr mjaft kohë, por kryesorja më duket mua është, se kësaj gazete i “iku” institucioni që e nxirrte, i “iku” Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve, që brezi ynë e ka patur si një “mbështetje” për gjithçka që lidhej me kulturën, artin dhe kritikën letrare….

Si jeni ndier përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit?Çfarë kuptoni me shprehjet “vetëgjymtim dhe vetëvrasje intelektuale’?

E thashë edhe më lart: përballë botës së frikshme, mediokritetit, klaneve dhe inferioritet, unë kam heshtur dhe kam qeshur me vete. Por ndeshja me redaksitë nga ana ime ka qenë e kufizuar, se unë nuk shkruaja shumë, sa që të bëhesha i bezdisshëm për ta edhe për vete. Në kohën e monizmit ka ekzistuar një farë autocensurë, se mjaft pena të forta e kanë ngrënë pikërisht për një fjalë, për një ide të thënë në kundërshtim me orientimet e kohës.

Si shkrimtar, cili është koncepti juaj për kombin, për pushtetin, për partitë politike dhe për demokracinë në vendin tonë?

Për konceptin për kombin, për pushtetin, për partitë politike, -nuk di ç’të them, sepse nuk e kam vrarë shumë mendjen, ndërsa për demokracinë më qartë se ç’e kam shprehur në librin e fundit nuk besoj se do ta shpreh këtu. Por di një gjë, që këto koncepte në ndërgjegjen e njerëzve dhe në këtë kohë të globalizimit sikur janë zbehur. Por kur shikon ndeshjet ndërkombëtare ku luan Shqipëria, entuziazmi i tifozëve shqiptar arrin kulmin…

Kur shprehemi “brezi i mëparshëm”, kë keni ndërmend sipas jush? Cilët janë autorët tuaj më të preferuar, shqiptarë e të huaj?

Në fakt, kur jam shprehur ndonjëherë për brezin e mëparshëm, gjithnjë kam pasur parasysh babanë dhe shokët e tij jo vetëm moshatarë por edhe më të rinj, që janë krenaria e kombit tone. Autorët që më kanë pëlqyer më shumë në kohën time kanë qenë ata që u përkthyen në shqip, ata që zhvilloheshin në leksione e shkollës. Por dua të them që shkolla ruse me kolosët e saj, shkolla franceze me kolosët e saj dhe ajo angleze dhe amerikane kanë qenë ata që na kanë brumosur ne me artin e të shkruarit dhe të shijuarit. Dhe gjithnjë kam harruar se edhe brezi im tani po plaket.

Projektet tuaja në të ardhmen? Çfarë ju ka mbetur peng?

Ai që merret me të shkruarit, gjithnjë në nënvetëdije ka projekte që nuk guxon t’ia thotë jo vetëm shokëve e miqve, por edhe vetes. Megjithatë, kam një projekt, për të botuar Bibliografinë e Sterjos, që kap mbi 2600 zëra si dhe korrespodencën e tij, që mua më duket me mjaft interes. Të shohim nëse do të arrij t’i botoj.

Mesazhi juaj për inteligjencën e shoqërinë shqiptare sot….

Përgjigjja mund të jetë retorike. Vetë puna krijuese, dëshira për ta mbajtur atë gjithnjë të ndezur është një mesazh për rininë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Dr. Ilinden Spasse, një rrëfim për veten dhe babain e tij, Raimonda Moisiu, STERJO SPASSE

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, vdes në aksident me biçikletë

September 22, 2015 by dgreca

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, vdes në aksident me biçikletë/
80635920.jpg
WASHINGTON D.C: Nga të gjitha të dhënat e gjetura në internet, rezulton se tridhjetë e katër vjeçari Jakobi Brewer, ishte një anëtart i kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, këshilltar për teknologjinë e mbrojtjes së Presidentit Obama, njeri inteligjent dhe dinamikë, shkruan shtypi amerikan sot.
Titulli zyrtar Brewer ishte këshilltar i lartë i politikave në Zyrën e Shkencës dhe Teknologjisë. Gjithashtu, ai ka shërby er më parë si Drejtori i Punëve të Jashtme për organizatën “change.org”, organizata në internet që meret me peticionet. Specialiteti i Brewer, simbas shtypit amerikan ishte fokusuar kryesisht mbi teknologjitë në kompjuter. Ai ishte gjithashtu i martuar me gazetaren e Fox News ,Mary Katharine Hamm dhe kishin dy fëmijë, një fëmijë të tyre dhe një tjetër të adoptuar.
Gazeta kryeqytetase Washington Post në vdekjen e zotit Brewer shkruan se eksperti për programin kompjuterik, ishte kthyer vetëm kohët e fundit nga ajo që ai e përshkroi në një mik, si një ardhje e re në administratën e Presidentit në Camp David.
Raportet fillestare rreth aksidentit thanë se 34 vjeçari Brewer (i cili ishte një çiklist me shumë përvojë), papritur sipas tyre humbi kontrollin dhe kaloi vijën e bardhë, në qendër të kryqëzimit në një segment të rrugës “mjaftë e lakuar” në Howard County, Maryland. Pastaj, Brewer, ishte goditur për vdekje nga një automjet që i ka ardhë nga përballë në korsinë tjetër me shpejtësi.
Zoti Brewer, shkruan Washington Post, duket se kanë qenë i përfshirë në mbikëqyrëjen e kompjuterave në Shtëpinë e Bardhë, update – një përditësim i gjerë të teknologjisë në të gjithë administratën, duke përfshirë Shtëpinë e Bardhë dhe të Departamentit të Mbrojtjes.
Pas vdekjes së Brewer, Barack Obama lëshoi një deklaratë në të cilën ai tha se ishte “zemërthyer” mbi vdekjen e papritur – të anëtarit të stafit të tij dhe se ai do të “lutet për familjen e tij.”/ Beqir SINA/

29906170001_4499012499001_video-still-for-video-4498845407001.jpg

jake.jpg

Filed Under: Kronike Tagged With: i Shtëpisë së Bardhë, Këshilltari, me biçikletë, ne aksident, vdes

Në samitin për të rinjtë në OKB, Elvana Shala përfaqëson Kosovën

September 22, 2015 by dgreca

12027576_10207702608745667_732711341370185430_n.jpg
UN – NEW YORK : Ambasadorja e vullnetit të mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, është ftuar nga drejtori i përgjithshëm i Institutit për Diplomaci Kulturore (ICD) me seli në Berlin, z. Mark Donfried, të marrë pjesë në Samitin vjetor për të rinjtë në OKB, i cili zhvillon punimet paralel me sesionin e 70-të të asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
Në fokus të këtij samiti do të jetë përvjetori i 70-të i themelimit të OKB-së, zhvillimi i iniciativave rinore, promovimi i një ekonomie të qëndrueshme, mirëkuptimi kulturor dhe të drejtat globale të njeriut.
Samiti vjetor për rininë në Kombet e Bashkuara do të sjellë së bashku një grup ndërdisiplinor ekspertësh të njohur botërorë, personalitete të ndryshme të diplomacisë kulturore dhe të rinj aktivistë të fushave të ndryshme nga shumë vende të botës, në mënyrë që të zhvillojnë iniciativa për të promovuar ekonominë e qëndrueshme, mirëkuptimin ndërkulturor dhe të drejtat globale të njeriut. Samiti do të përfshijë një shumëllojshmëri të diskutimeve interaktive, prezantime, seminare dhe aktivitete sociale që do të mbështesin axhendën e samitit.
Kjo është hera e parë që Kosova është pjesë e këtij samiti dhe përfaqësohet nga Ambasadorja e vullnetit të mirë për Kosovën, Elvana Shala.Pjesëmarrja e Ambasadores Shala ne këtë samit është mbështetur nga IHRC dhe MKRS.
Ndërkaq, në dekleratën për këtë eveniment ambasadoria Shala shkruan se :” Fillon sot zyrtarisht punimet Samiti Vjetor për të Rinjtë në Kombet e Bashkuara në New York I cili po mbahet paralel me sesionin e 70 të të Asamblesë së përgjithshme tĕ OKB-sĕ, dhe nĕ të cilin po merr pjesë edhe Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC Elvana Shala. Në ditën e parë të punimeve të tij samiti do të jetë në 5 pjesë të diskutimeve.
Në pjesën e parë të samitit do të diskutohet për “70 vjetorin e Kombeve të Bashkuara; me temën: Duke punuar së bashku drejt Paqes, Sigurisë dhe të Drejtave të Njeriut, ndërtojmë besim dhe mirëkuptim “. Pjesë e panelit të diskutimeve në këtë temë do të jenë edhe:
Ambassadorja Katalin Bogay – Përfaqësuese e pêrhershme e Hungarisë në OKB)
Cristina Gallach -Nën- sekretare gjenerale për informim dhe komunikim të publikut.
Nassir Abdulaziz Al-Nasser – Përfaqësues I lartë për Aleancën e qytetêrimeve të OKB-së
István Íjgyártó -Minister I shtetit për Diplomacinë Kulturore dhe Shkencen nga Ministria e Jashtme dhe e Tregtisë së Hungarisë
José Luis Rodríguez Zapatero – Ish-kryeministër I Spanjës dhe president I bordit të ICD-së.
Heiko Thoms – zv. Pêrfaqësues I përhershëm I Gjermanisë në OKB
Mark Donfried- Drejtor Gjeneral I Institutit për Diplomaci kulturore.
Në këtë samit po marrin pjesë mbi 100 të rinjë nga vende të ndryshme të botës, diplomat, dhe aktivistë të fushave të ndryshme. Ambasadorja Elvana Shala po përfaqëson Kosovën me ftesë të drejtorit gjeneral te ICD-së z.Mark Donfried.
Samiti fillon punimet zyrtarisht ne oren 11:00 (sipas kohes lokale te New York-ut) ne seline qendrore te OKB-se.”
Në fund ambasadoria Shala sqaron se :”Për informacione të tjera në lidhje me diskutimet dhe temat e radhës që do të zhvillohen gjatë ditës së sotme në këtë samit do të njoftoheni me kohë. Për foto gjatë samitit ju lutem ndiqni faqe personale timen ne facebook./Beqir SINA/

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina, Elvana shala, ne samitin, për të rinjtë në OKB, përfaqëson Kosovën

Bruksel-Komisioneri Hahn përshëndeti reformat e bëra nga Kosova

September 22, 2015 by dgreca

-Takimi i Ministrit Çollaku me Komisionerin Johannes Hahn-/

 Bruksel, 22 Shtator 2015/ Ministri kosovar i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku zhvilloi sot takim me Komisionerin Johannes Hahn, në Bruksel, ku diskutuan për reformat dhe progresin në axhendën evropiane të vendit. Në fokus të bisedës ishte nevoja për të vazhduar me hapat e radhës të axhendës evropiane të vendit, përkatësisht nënshkrimin e shpejtë të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim si dhe vendimin meritor për Liberalizimin e Vizave për qytetarët e Kosovës.Në këtë rast, Komisioneri Hahn përshëndeti reformat e bëra nga Kosova duke përfshirë edhe vendime të guximshme në lidhje me dialogun për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE, përfundimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe përkushtimin për procesin e dhomave të specializuara.

Ministri Çollaku duke shprehur besimin se viti 2015, do të shënoj kthesë pozitive në marrëdhëniet e Kosovës dhe BE-së ka nënvizuar që tani është momenti i duhur që BE të konfirmoj në mënyrë konkrete perspektivën Evropiane për Kosovën.

“E ardhmja evropiane duhet të konkretizohet për shkak se Kosova ka bërë reforma  të thella dhe qytetarët duhet të shohin rezultate konkrete edhe nga ana e Bashkimit Evropian. Sot kam marrë konfirmim nga Komisioneri Hahn se Komisioni Evropian së bashku me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian e kanë këtë parasysh, dhe se shumë shpejtë qytetarët do të binden se Kosova si të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor ka një të ardhme evropiane”, tha ministri Çollaku./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Bruksel, Komisioneri Han

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3521
  • 3522
  • 3523
  • 3524
  • 3525
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT