• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Analiza: A mund të shkaktojë ISIS një 11 shtator tjetër?

September 11, 2015 by dgreca

Nga Rafael Floqi*/

Rritja e fuqisë së grupit ektremist Shteti Islamik ishte mjaft e beftë. Ajo i kapi Shtetet e Bashkuara në befasi verën e kaluar, kur organizata mori nën kontroll pjesën më të madhe të Irakut verior, duke u zgjeruar më pas dhe në Sirinë fqinje. Por shumë analistë thonë se grupi – i cili u krijua nga radhët e al-Kaidës në Irak – ka qenë prej vitesh në organizim e sipër. Edhe para se forcat amerikane të iknin nga Iraku në vitin 2011, ISIS po ndërtonte një forcë ushtarake profesionale, duke nxitur trazira sunite dhe duke ndërmarrë fushata brutale bombardimesh dhe vrasjesh barbare. Grupi krenohet me 50 mijë luftëtarë në Siri dhe 30 mijë në Irak, duke rekrutuar 6 mijë të tjerë vetëm muajin e kaluar.

Ky është një grup mizoria e të cilit alarmoi dhe vetë al-Kaidën dhe që po e shfrytëzon me sukses luftën civile në Siri dhe sundimin sektar të Irakut për të mbledhur armë, pasuri dhe ndikim me një shpejtësi të madhe, thotë David Kilcullen, arkitekti i shtimit të trupave luftarake në Irak në vitin 2006. Zoti Kilcullen aktualisht kryeson CAERUS, një firmë sigurie dhe e strategjive të zbulimit në Uashington. Sipas tij, ISIS e ka lënë në hije al-Kaidën:

“Është organizatë shumë më e aftë ushtarakisht, është shumë më e pasur, ajo kontrollon territorin, kontrollon infrastrukturën kryesore dhe ky është me të vërtetë një kërcënim shumë më dramatic, sesa ai që kemi parë nga al-Kaida. Ata kanë fituar miliona dollarë nga rrëmbimet dhe shpërblimet prej tyre. Tani ata janë grupi më i pasur terrorist në botë, me zotërime, që kapin një vlerë prej më shumë se 450 miliardë dollarësh.”

Si në Siri dhe Irak, ISIS po krijon embrione qeverisjeje duke ndjekur shembullin e Hezbollahut, i cili vepron si një organizëm i ngjashëm me një shtet në Liban. Madje kohët e fundit ata nxorrën edhe monedhën e tyre.

Sulmi vdekjeprurës i dy burrave në një ekspozitë të karikaturave te Profetit Muhamed pranë Dallas para disa kohësh tha veterani i CIA-s Michael Morell, ishte thjesht frymëzuar nga Shteti Islamik.  

Por është vetëm një çështje kohe para se grupi xhihadist të jetë në gjendje pë të drejtuar sulmet më të përpunuara në tokën amerikane që mund të rezultojnë në viktima masive. “Nëse ne nuk do ta vendosim ISIS nën kontroll, ne kemi për ta parë këtë lloj sulmi,” si lloji i sulmit të al-Kaedës nisur në 9/11, i tha Morell, gazetës “USA Today”.

Deri tani, përpjekjet e SHBA nuk kanë qenë efektive në kundërvënien me sukses ndaj shtetit Islamik në rekrutimin e qindra të konvertuarve amerikanë, thotë ai, “dhe ne nuk e kemi atë fuqi, sepse është shumë e vështirë për ta bërë këtë gjë.”  Morell eshte nje ekspert i njohur ai ndodhej pranë Presidentit George W. Bush në një shkollë fillore në Florida në vitin 2001, kur presidentit iu tha se ishin rëmbyer avionë të linjave ajrore dhe qenë rrëzuar në Qendrën Botërore të Tregtisë, dhe ai ishte po në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Obama gati një dekadë më vonë, kur për herë të parë u dëgjua fjala, që Navy Seal 6 kishte vrarë Osama bin Ladenin.

 Morell ka shkruar një përmbledhje të përvojave të tij, pas 33 vjetesh punë në CIA, duke përfshirë edhe dy pozita si ushtrues detyre i drejtorit të prgjithshëm ,të botuara të martën me titull “Lufta e Madhe e kohës sonë: Nga Al Kaida tek ISIS, Lufta e CIA-s kundër terrorizmit”.

Teza e tij qendrore është: Kjo “luftë e madhe”, e cila tashmë ka testuar sigurinë kombëtare të vendit dhe politikën e saj, ka të ngjarë të shtrihet për dekada të tëra dhe më gjatë. “Për aq sa unë mund të parashikoj,” thotë ai.  Vetëm të premten e kaluar, niveli kërcënimit në bazat amerikane ushtarake u ngrit në nivelin më të lartë ne 10 ne parg të përvjetorin e 9/11, pjesërisht për shkak të shqetësimit në lidhje me sulmin Teksasit që la dy sulmues të vdekur. “Ne jemi patjetër në një fazë të re të një kërcënimi global terrorist” Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Jeh Johnson paralajmëroi në ABC e Fox News të dielën.

Dhe kryetari i Komisionit të Sigurisë “Homeland Security” në Kongress Mike McCaul, republikan nga Teksasi, ka thënë se përdorimi i sofistikuar i Internetit nga grupet e ISIS-it ‘do të thotë se “me të vërtetë, se terrorizmi është bërë viral.”

“Do të ishte një gabim të mendohej se al-Kaeda ka vdekur, së bashku me bin Laden në Abbottabad”, thotë Morell.

Ndërsa udhëheqja e al-Kaedës në Afganistan dhe Pakistan është asgjësuar, degët e tjera të grupit kanë lulëzuar, duke përfshirë al-Kaedën në Gadishullin Arabik, me bazë në Jemen. “Ata sot e kanë aftësinë për të sjellë një avion në Shtetet e Bashkuara”, thotë Morelli. “Në qoftë se kjo do te ndodhte nesër, unë nuk do të isha i befasuar. Ai thote se si CIA dhe agjencitë e tjera të inteligjencës amerikane nuk e llogaritën mirë ndikimin e Pranverës Arabe. Pasi nisën demonstratat pro-demokracisë që përfshinë të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, ata arritën në përfundimin se ato do ta shkatërronin al-Kaidën për shkak se ajo do të “godiste narrativën e Alkaedës se vetëm dhuna mund të çonte në ndryshime politike.”

Gjë që doli që ishte vertet “krejtësisht e gabuar,” thotë ai. Qeveritë që pasuan nuk ishin në gjendje apo të gatshme për të luftuar ekstremizmin.

 Pëe sulmet e 2012 në Bengazi që la katër amerikanë të vdekur, Morell ve në dukje se përse Departamenti i Shtetit nuk i është përgjigjur një kërcënimi në rritje atje me forcimin e sigurisë për punonjësit e saj, ashtu si edhe CIA. Por ai gjithashtu vë pyetje përpjekjet e republikanëve në Kongres për të sugjereruar se ishte në lojë një lloj komploti. Bengazi është “fëmija deshtak” i ndërhyrjes së politikës në sigurinë kombëtare.”

Ai argumenton se mbledhja nga NSA-së në masë të të dhënave të thirrjeve telefonike në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë edhe nga miliona amerikanëve të padyshuar për ndonjë keqbërje, ka qenë “një mjet shumë i rëndësishëm” kundër terrorizmit, edhe pse ai pranon se është e vështirë të tregojnë se çfarë komploti të veçantë ajo ka ndërprerë. Më vonë një gjykatë federale apeli  arriti në përfundimin e programit ishte i paligjshëm, dhe Kongresi tani po debaton nëse do të rishikojë mënyrën se si ajo punon para se të skadojë afati. “Sikur të kishte qenë ai program para 9/11, do te kishim një shans të mirë që të dëgjonim 19 rrëmbyesit të komunikonin me njëri-tjetrin, “thotë ai. Një duzinë vjet më vonë, kur qëllimi i programit u zbulua nga ish-kontraktori i NSA Edward Snowden, peisazhi politik ka ndryshuar.

 “Reagimi i publikut në vitin 2013 ishte:” Jo nuk mund t’i besojmë qeverisë? ” Por do të kishte qenë një reagim krejtësisht i ndryshëm në vitin 2001, (kur) sulmet e 9/11 sapo kishin ndodhur. ” Edhe më pas agjencia nuk pranoi të tërhiqej, Cheney ka vazhduar të thotë në deklarata publike se ka pasur një lidhje që bëri të mundur një veprim amerikan kundër Irakut.

“Ndikimi ishte i madh,” kujton Morell, dhe kishte kontribuar në besimin e shumicës së amerikanëve se Iraku kishte një rol në sulmet e 11 shtatorit.

 “Unë u ula në tryezë me babain tim një vit pasi filloi lufta në Irak, dhe kam thënë diçka që ngrinte një pyetje në lidhje me nëse kjo ishte gjëja më e drejtë për të bërë apo jo”, kujton Morell-i. “Babai im përplas dorën mbi tavolinë derisa piruni  kërceu jashtë dhe tha:” Por, Iraku shkatoi 9/11! ” Unë i thashë, “Jo, ata nuk e bënë, babi. Unë e di. Më beso. Unë e di.” Ndersa tani luftëtarët nga al-Kaida po lidhen me Shtetit Islamik të Irakut dhe Levanti (ISIS) dhe marshuan në Raka, në Siri.

Pamjet e fundit tronditëse të ushtarëve amerikanë të masakruar nga grupi ekstremist ISIS, vijnë si një mesazh kërcënimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në publikimet e rradhës në rrjetet sociale ISIS-I, kërcënon Amerikën dhe qytetarët e saj se do të jenë shënjestër nga çdo mysliman në botë. Ata paralajmërojnë amerikanët të ruhen pasi një tjetër tragjedi si ajo e 11 shtatorit do të mund të përsëritet. Ky sulm virtual është shoqëruar me pamjet e torturave të ushtarëve amerikanë gjatë periudhës që ata ndodheshin në Irak dhe vjen si reagim pas ndërhyrjes së SHBA-së. Ekstremistët e shtetit islam kanë publikuar një video me të cilën kërcënohen të gjithë amerikanët duke i paralajmëruar se do të përsëritet sulmi i 11 shtatorit të vitit 2001. Në video thuhet se lëvizja e xhihadistëve është më e fuqishme qysh prej kohës kur Al Kaida sulmoi në New York dhe Washington para 14 viteve dhe tash janë të gatshëm që prapë të sulmojnë SHBA-në.

Ekstremistët e ISIS-it paralajmërojnë se nuk ka “Siguri për asnjë amerikan në botë” dhe se ata janë të aftë dhe mjaft të fortë “që përsëri ta kallin Amerikën”. Video xhirimi që quhet “Do ta kallim Amerikën” i fton pjesëtarët e ISIS-it që ta sulmojnë SHBA-në.  Në video po ashtu janë paraqitur disa nga krimet më të rënda që ekstremistët kanë bërë siç janë prerja e kokës së gazetarit dhe pilotit. Aty paraqiten të shtënat në Paris dhe Otavë, duke thënë se pas Francës dhe Kanadasë, është radha e SHBA-së. “Me leje të Allahut së shpejti do ta përsërisim 11 shtatorin”, thuhet në xhirimin e ISIS-it që me fotografi përcillen raportet e mediave në sulmin e Kullave binjake.

Shumë ekspertë thonë se elementi që tërheq drejt ISIS dhe bashkëpunim nga grupe të tjera, është suksesi ushtarak i Shtetit Islamik. Por të tjerë thonë se ISIS nuk ka kaluar ndonjë provë të vërtetë ushtarake. Brian Jenkins, ekspert i terrorizmit, thotë se zona kryesisht sunite e Irakut ishte një pre e lehtë.

“Nuk është se ISIS ishte një forcë e pamposhtshme, e cila mundi ushtrinë irakiane, thjesht ndodhi që ushtaria e Irakut u largua, duke lënë një vakum që ISIS ishte në gjendje ta mbushte.” “Siria tani është një mozaik me territore të zotëruara nga qeveria dhe territore të mbajtura nga ky apo ai grup. Ndërsa Iraku de facto është i ndarë në zona sunite, shi’ite dhe zona kurde.”

Zoti Jenkins thotë se edhe një ndërhyrje e gjerë ushtarake perëndimore nuk do të ishte në gjendje të ribashkonte Sirinë dhe Irakun. Maksimumi që mund të arrihet – argumenton ai – është që të “përmbahet kaosi” brenda zonës së konfliktit, i cili mund të zgjasë për dekada me radhë.

Por shumë ekspertë thonë se ISIS duhet të ndalet. Ata e shohin rritjen e ISIS-it si zhvillimin më të rëndësishëm në xhihadin ndërkombëtar, që nga 11 Shtatori 2001. Vëzhguesit thonë se ISIS ka marrë rolin e udhëheqësit së rrjeteve globale terroriste kundër Perëndimit. Grupe të mëdha ekstremiste – që nga Abu Saiaf dhe Jamaat Islamia në Azinë Lindore, deri tek Boko Haram në Afrikë – e kanë zhvendosur besnikërinë e tyre nga al-Kaida tek kjo organizatë e re terroriste e pamëshirshme.

Prandaj duke perifrazuar Brehtin do të thosha, “Njerëz jeni vigjilentë!”.

Filed Under: Analiza Tagged With: A mund të shkaktojë ISIS, një 11 shtator, Rafael Floqi, tjetër

EVROPA PARA PASQYRËS DHE POLITIKA EMOTIVE

September 11, 2015 by dgreca

“Jemi kaq shumë të mësuar të jemi hipokritë me të tjerët, sa që përfundojmë të jemi hipokritë edhe me veten.”- LA ROCHEFOUCAULD/

Shkruan:Eugjen MERLIKA/

Vera e vitit 2015 vuri para një prove të vështirë Evropën, kontinentin e djepeve të qytetërimit të lashtë e të ri. Ajo provë nuk qe një luftë e jashtëme që rrezikonte drejtpeshimet e saj, por një valë e madhe mërgimtarësh, të ardhur nga zona të “nxehta” të Afrikës apo Lindjes së Mesme, troje dhe ata të tjerë qytetërimesh të shkuar. Valët e gjata të të ikurve janë në kërkim të një jete të re e të qetë, larg krismave të armëve që, prej vitesh, janë simfonia e vetme që luhet në Vende si Iraku, Siria, Afganistani, Libia, Nigeria, Sudani, Eritrea, Jemeni, etj. duke arritur tone tmerri në t’ashtuquajturin shtet islamik të Mërgimet masive të ditëve të fundit janë një nga këto pasoja të drejtpërdrejta dhe janë “maja e ajsbergut” e një dukurie që, simbas Pentagonit, “do të zgjasë rrreth njëzet vite”. Globalizimi, në kompleksin e tij, veç ndryshimeve të dukëshme në sferën ekonomike të botës, sjell edhe pashmangshmërinëe e përfshirjes së pjesës më të rëndësishme të bashkësive politike ndërkombëtare në ngjarjet më tronditëse të panoramës së sotme botërore. Bota e sotme, me shumë qendra të ndryshme interesash e fuqish ekonomike, ushtarake e politike është shumë më e ndërlikuar se sa ajo e shekujve të fundit, që nga Westfalia 1648, Vjena 1815, Versaja 1919 – 21, Parisi 1946, Berlin 1989, që përcaktuan ecuri, të gjata në kohë, të barazpeshave botërore. Ky ndërlikim situatash që shpesh ka sjellë, sidomos në vitet e fundit, daljen dore të tyre nga mbarështimi tradicional, për më tepër shkallmimin e njësive shtetërore, dikur me peshë në Lindjen e Mesme apo Afrikën e Veriut, ka prodhuar dukuri të reja e të papërfytyrueshme deri tre vjet më parë.

Këta ndryshime të shpejta e jashtë skemave të njohura klasa politike, në nivel botëror, është treguar krejtësisht e paaftë t’i parandalojë e t’i mbarështojë, për të shmangur pasojat tragjike të miliona njerëzve, që bëjnë të skuqen nga turpi vetë specien njerëzore. “Pranverat arabe”, me befasitë dhe paparashikueshmëritë e tyre, kanë vënë në vështirësi të mëdha politikat evropiane dhe amerikane. Por nëse këto vështirësi kanë qenë objektive, përsa i përket ndërhyrjeve të mundëshme në kanalizimin e ngjarjeve, nuk mund të quhen të tilla në parashikimin dhe përballimin e pasojave të tyre, kryesisht të mërgimeve masive të kohëve të fundit. Këto valë mërgimtarësh kanë nxjerrë, në tërë lakuriqësinë e tyre, mungesat e theksuara të impiantit Evropë në kompleksin e tij. Ato kanë zbuluar mungesën e një plani të studjuar në imtësi, në nivel bashkësie, për përballimin e dukurisë e hartimin e një strategjie afat mesme e afatgjatë në lidhje me të. Skenat e ditëve të fundit të turmave të të ikurve me familje të tëra që largohen nga Siria, Iraku, Afganistani, Pakistani etj., duke kaluar detin me mjete të rastit, të drejtuar nga profesionistë të trafiqeve njerëzore, duke kaluar kufinj shtetesh, duke u përballur me forca policore e mure telash, në kërkim të “tokës së premtuar”, Gjermanisë apo Vendeve skandinave, kanë ngritur para secilit qytetar t’Evropës pyetje të natyrëshme. Duke i bashkuar atyre skenave simotrat e tyre në brigjet e Italisë apo Greqisë, të shoqëruar me tragjeditë masive të vdekjeve të rreth tremijë krijesave njerëzore në muajt e fundit, kuadri që kemi përpara na befason me diletantizmin e theksuar në përballimin e situatave dhe mungesën e ideve të bashkërenduara në nivel politik e administrativ të institucioneve të Bashkësisë evropiane.

Jo shumë larg në kohë, më 16 maj të këtij viti, kur t’ardhurit nëpërmjet detit në brigjet e Siqilisë ishin grumbulluar në Ventimiglia, në përpjekje për të shkuar në Francë, kërkesës italiane për të caktuar “kuota” shpërndarjeje të refugjatëve në të gjitha Vendet e Bashkësisë, Kryeministri francez, Manuel Walls, i përgjigjej se “Franca ishte kundër caktimit të kuotave të imigrantëve.” Ndërsa n’Evropë prej muajsh diskutohet, pa gjetur marrëveshje, për të shpërndarë disa dhjetra mijra t’ardhur në brigjet e Italisë apo Greqisë, sirianët dhe irakenët kanë vërshuar me qindra mijra, për t’i shpëtuar masakrave të IS-it në Liban, Jordani e Turqi, të pritur brënda mundësive nga ata shtete. Trafiku i qënieve njerëzore drejt Evropës është bërë një mjet fitimi i majmë i një ushtrie prej 30.000 vetësh, që gjejnë n’ato zona kushtet e përshtatëshme për të zhvilluar veprimtarinë e tyre. Ajo industri fitimprurëse, që nuk nguron të shkaktojë çdo ditë edhe krime të përbindëshme jo vetëm në Mesdhe, por dhe në zemër t’Evropës, siç ishte rasti i autotrenit me viktima në një autostradë të Austrisë, shtron para opinionit publik botëror, kryesisht evropian, një pyetje besoj më se të ligjëshme : a nuk ka mundësi të rregullohet me llogari, projekte e strategji të mirëmenduara një dukuri e tillë e pashmangëshme? A nuk mund të bëhet kjo me marrëveshje shtetesh e organizmash ndërkombëtare, pa vënë në rrezik çdo ditë jetë njerëzish e pa i lënë ata në duart e trafikantëve të paskrupull, që u rrëmbejnë edhe qindarkën e fundit të mundit të një jete të tërë ?

Ditët e fundit opinioni publik botëror u trondit nga një fotografi e marrë nga një gazetare turke në plazhin e Bodrumit, ku tregohej një fëmijë tre vjeç, i nxjerrë nga dallgët në bregun e detit duke fjetur gjumin e përjetshëm. Aylan Kurdi, ky ishte emri i fëmijës martir të detit, kishte ikur me vëllanë 5 vjeç dhe prindërit nga Kobane, qyteti simbol i qëndresës ndaj barbarisë së shtetit islamik. Ajo familje kishte muaj që priste vizën e hyrjes në Kanada, ku punonte prej njëzet vjetësh halla e tij, por burokracia turke dhe kanadeze, ashtu sikurse dhe ajo e vendeve evropiane, nuk ndihmonin bashkimin e familjeve të gjymtuara nga lufta me njerëzit që punonin rregullisht n’ata Vende. Mungesa e durimit të babait përcaktoi dhe fatin e vogëlushit, që u kthye në një simbol, edhe n’emër të një numuri të pafund sivëllezërish e simotrash të tij, të martirizuar në ujrat e Mesdheut, në kërkim të një tjetër jete n’Evropën e ëndërruar.

“Një foto shëtit nëpër botë dhe shkakton një emocion të përgjithshëm : një fëmijë pa jetë në një plazh të Turqisë, i mbytur sepse familja e tij donte t’arrinte n’Evropë. Ajo fotografi na ve para përgjegjësisë të gjithëve.” Kështu u shpreh Francois Hollande, Kryetari i shtetit francez. David Cameron, Kryeministër i Anglisë, mbasi kishte shpallur me forcë, nëpërmjet ministres Tereza May, se n’Angli duhej të hynin vetëm të huajtë që kanë kontrata pune, duke përfshirë këtu edhe evropianët, e mbasi kishte përdorur edhe qentë në Calais, për të ndaluar kalimin e refugjatëve, u shpreh se “është i tronditur si baba” dhe premtoi të “përballohet me përgjegjësitë morale”, duke pranuar mijra refugjatë më shumë,

rreth 16.000, të marrë në kampet e refugjatëve t’atij rajoni, kur gjatë një viti numuri i atyre që kishin hyrë n’Angli kishte qenë vetëm 216.

Ndërkaq Gjermania, me një vendim të papritur për të pritur rreth 800.000 refugjatë sirianë, shpëtoi nderin e kontinentit, duke u treguar jo vetëm kryeqendra ekonomike e tij, por edhe ajo morale. “Nuk do të ketë kufizime për azilkërkuesit nga Siria” deklaroi Kancelarja gjermane Angela Merkel. Ndërkaq Vëndet e Lindjes ish komuniste, në tërësi u shprehën kundër pranimit të refugjatëve, sepse simbas Kryeministrit hungarez, Viktor Orban, “Mwrgata myslimane ve në rrezik rrënjët e krishtera t’Evropës”. Ndërsa Papa Françesku urdhëron të gjitha famullitë evropiane të strehojnë nga një familje refugjatësh.

Siç shihet, kemi të bëjmë me kundërveprime emotive të çastit e jo me strategji e politika të menduara mirë e të miratuara, në nivel Bashkësie. Të shohim se cilët do të jenë vendimet e mbledhjes së kryetarëve të shteteve e qeverive të Bashkësisë më 14 shtator, por një gjë është e qartë. Problemi është shumë i mprehtë, më i vështiri që shtrohet sot në tryezat e Brukselit, sepse luftërat, diktaturat, keq qeverisjet dhe mjerimi e mungesa e shpresës do të shtyjnë drejt Evropës gjithënjë e më shumë njerëz nga Azia dhe Afrika.

Dukuria duhet mbarështuar me shumë përgjegjësi, për të pajtuar parimet me mundësitë reale të Evropës për t’u dhënë shpresë atyre që besojnë në të. Kriteret e caktuara duhet të jenë të studjuara mirë, të bazuara në llogari shkencore ekonomike e jo në sajime politikanësh në kërkim të votave, në një krah apo në një tjetër. Ata kritere duhet të kthehen në ligje të pranuara nga të gjithë shtetet, në përputhje me mundësitë që ka secili, e të zbatohen me të njëjtën ecuri kudo. Përndryshe Evropa do të ketë krisjet e saj, të cilat urojmë të mos kthehen në çarje që do të vinin në rrezik vetë qënien e saj.

Ka edhe një vështrim tjetër të problemit që, me pak fjalë, një djalë 13-vjeçar sirian, duke biseduar me një ushtar hungarez të kufirit, e shtroi thjesht e bindshëm. “Ndihmoni Sirinë, ndaloni luftën në Siri dhe ne nuk vijmë n’Evropë.”ishte kërkesa sa e arsyeshme aq edhe naive, sa e ligjëshme aq edhe e vështirë për t’u sendërtuar. Problemet e kundërshtive të interesave të ndryshme të shteteve e popujve, t’atyre politike, ekonomike, gjeostrategjike, etnike, tani së fundi edhe fetare që përdoren vënd e pa vënd, me pasoja shkatërruese, nuk gjejnë përgjigjet e duhura e të përshtatëshme, bëhen të pazgjidhëshme, duke u kthyer në luftëra me tragjedi të panumurta që sjellin, për më tepër mbi popullsitë civile. Politika botërore, shpesh herë, është në rolin e vëzhguesit pasiv, duke ruajtur interesat e ngushta të Vendit, të pjesës politike, të rrethit të ngushtë të cilit i përket, të lakmisë për pushtet. Ajo luhatet mes prirjeve ndërhyrëse e mos ndërhyrëse, pa gjetur çastin e përshtatëshëm për të kryer njërën apo tjetrën, madje shpesh duke i gabuar të dyja. Për të kryer zgjedhjen e duhur në kohën e duhur duhet jo vetëm kundërveprimi emotiv i çastit, por largpamësia e parashikimit të s’ardhmes, një dhuntí e rrallë e cila është ende më e rrallë, ndoshta e paqenë në fushën e sotme botërore të politikës. Kjo pavendosmëri, pasqyrë e mungesës së ideve e të kurajës, i krijojnë shtratin e ngrohtë atyre fuqive shkatërrimtare të qytetërimit tonë të përbashkët me përfundimet që shohim çdo ditë, në të cilët spikasin për forcën e tyre rrënqethëse Aylanët e ditëve tona…

Ndalimi i luftërave në Siri, në Irak, ku sot arqipeshkvi i Erbilit jep alarmin për rrezikun që i kërcënohet popullsisë së krishterë nga një pushtim i mundshëm nga ana e Kalifatit, por edhe në Libi, në Bririn e Afrikës, në Jemen, asgjësimi i t’ashtuquajturit shtet islamik, me të gjithë mizorinë e tij të pashembullt kundrejt njerëzve e trashëgimisë kulturore të botës, është detyrë ë parë e “aleancave” që drejtues të lartë të botës i valëvisin si triofe të “aftësive” të tyre ndërmjetësuese, duke sendërtuar pak ose aspak konkretisht.

Djaloshi sirian dhe milionë të tjerë si ai kanë varur një shpresë tek Evropa, tek parimet dhe idealet tona, për të jetuar në një botë më të mirë. Me hipokrizi dhe luhatje në ruajtjen e vlerave kjo shpresë nuk do të sendërtohet dhe n’atë rast do të kemi humbur të gjithë, sepse fatet tona në këtë botë, që bëhet gjithënjë e më e vogël, mbeten të lidhura e

Shtator 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: DHE POLITIKA EMOTIVE, Eugjen Merlika, EVROPA PARA PASQYRËS

SHQIPTARË DHE SERBË

September 11, 2015 by dgreca

NGA MUSTAFA KRUJA/*

Më poshtë botojmë përkthimin shqip të një interpelate q’i bën deputeti serb z. Grigor Bozhoviqi ministrit të jashtëm të shtetit të tij mbi përfaqësonjësin e rí të Shqipërís në Belgrad, Ceno Bej Cernogllavoviqin. Zoti Bato që na dërgon këtë përkthim nga Bukureshti e përcjell dhe me një notë të tij t’ interesantëshme. Po me këtë rasë nuk është keq që të bëjmë dhe né një analizë të shkurtër e të kthjelltë të një tendence të ré që ka filluar të çfaqet prej ca kohë si një fenomen politik i papritur në disa qarqe politike të Belgradit mbi marrëdhënjet e dy shteteve fqinj të Ballkanit: Jugosllaví dhe Shqipërí.

Politikanët serbë, me Nikolla G. Pashiqin në krye, të dehur keq prej triumfit të pashpresuar t’armëvet të tyre në dy luftërat ballkanike, të pështetur e të siguruar mirë prej Rusís cariste dhe prej një rrjeti të gjërë forcash dipllomatike e ushtarake që endej në mes të dy oqeanëve, besuan një herë se asnjë fuqí në botë nuk do të qé e zonja t’ua nxirrte nga dora brigjet shqiptare t’ Adriatikut që kishin pushtuar prej sundimit të kalbur të perandorís otomane. Dhe për të siguruar këtë, nuk lanë mjet pa përdorur kundër popullit shqiptar të çarmatosur : as plumbin, as bajonetën, as fjalën, as pendën. Mijëra e mijëra shqiptarësh, grá, foshnja, pleq e të rinj u vranë, u therën dhe u dëbuan ; fara shqiptare iu paraqit botës së qytetëruar si një njollë për të : populli autokton e më i vjetër i Ballkanit u tregua si një bandë egërsirash antropofage, në fazën më primitive të njerzís. Me një fjalë ky popull jo vetëm që s’ishte në gjëndje të formonte një shtet më vehte, por, n’ interes të paqes së Ballkanit e të dinjitetit t’Evropës së qytetëruar q’e kishte në gjí, meritonte të shuhej kryekëput ose, e paka, të skllavërohej e të shtyhej në qytetërim me kërbaç. Mjafton, në mes të qindra shkrimeve kësodore, të këndohet “Shqipërija dhe Fuqít e mëdhà” botuar serbisht dhe gjermanisht në mijëra kopje prej një ish-kryeministri serb, Vladan Gjorgjeviqit, me shpenzimet e qeverís së Belgradit dhe…. përkthyer frëngjisht prej M.T. Kral Aleksandrit I, princit trashëgimtar t’atëhershëm të fronit të Karagjorgjeviqëvet, për të pasur këndonjës sa më shumë në botë.

Por u bë si u bë, dhe këtyre politikanëve të verbuar nga ultra-nacjonalizma serbe nuk u doli falli mu ashtu siç e kishin parë. Dhe zëri i shqiptarëvet, sado i ndrydhur e i mbytur prej bajonetavet armike pa farë mëshire e shkrupulli, diku gjeti vesh të dëgjohet. Ndonëse i qethur dhe i cungulluar, u njoh një shtet independent shqiptar. Gjysma e Shqiprís së vërtetë u sakrifikua, por brigjet e Adriatikut, që nga gryka e Bunës gjer te kepi i Stilos mbetën në duart t’ona. Atë që s’e shihnin dot politikanët e verbër serbë, e kuptoi diplomacija e hollë e fuqivet të trikuptimit, të cilat, megjithëqë donin t’a përkrahnin Serbín kundra trilidhjes, s’ishin gati të përballin një luftë të përgjithëshme të sigurtë për hatërin e saj. Mjaftonte për tó, bile qé një triunf i madh shuplaka e rëndë q’i dhanë politikës gjermane “Drang nach Osten” me futjen e Kosovës shqiptare ndën thonjtë e serbëvet dhe me coptimin e krejt Maqedonís në mes të Shteteve të Ballkanit t’ asaj kohe.

Megjithëkëtë, në qenë të kënaqur mbrojtësit dhe përkrahësit e lakmivet serbe nga kjo zgjidhje e problemës së “njeriut të sëmurë”, siç quhej Turqija prej një gjysmë shekulli e tëhu, nuk qenë gjithashtu serbët vetë. Çudija më e madhe është se verbërija e tyre nuk u kufizua në besimin që kishin në fillim se do të mundin t’a fshinjë nga karta e Evropës emrin shqiptar dhe Shqipërí, por vazhdoi dhe më tutje me të tëra konsekuencat funeste që sot po u kërcënohen mbase gjithë popujvet të Ballkanit dhe jo vetëm neve dhe atyre. Në vênd që t’i jepnin dorën shtetit të ri fqinjë për t’a mëkëmbur dhe për t’i lehtësuar vështirësít natyrale qi ka çdo komb në rilindjen e tij, të zgjonin e të forconin vëllezërín në mes të dy popujvet shoq me shoq dhe me fqinjt e tjerë të Ballkanit për të formuar së bashku një bllok çeliku kundër rreziqeve të përjashtme, ata bënë ç’mundën për të na dobësuar neve dhe vehten, për të mbjellë farën e grindjes dhe të shkatërrimit, dhe kështu me imperializmin e tyre të pafré i hapin portat, më të katër anët e sinisís, një imperializmi tjetër shumë më të fortë për dëm të madh të të gjithë popujvet të saj. Vazhduan në masakrimin dhe martirizimin e shqiptarëvet që patën fatkeqësín të mbeten nën sundimin e tyre. Blenë tradhëtorë, pajtuan mercenarë duke pandehur se këta do të mundnin t’a sundojnë shtetin shqiptar për hesap të tyre. Rezistenca e nacjonalistëvet t’anë për mbrojtjen e integritetit dhe t’ independencës së Shqipërísë, ndonjë klithmë e rrallë dhe e dobët e këtyre në jehonë të gjëmimit të vëllezërvet të martirizuar matanë të kufirit, u quajtën serbofobí dhe irredentizmë, kurse pretendimet e çdo nacjonalisti të vërtetë shqiptar kundrejt fqinjës ofensive ishin nga më modestet që mund të ketë çdo popull në botë që ndodhet në konditat t’ona: “Lenani në paqe dhe kini pak mëshirë për vëllezrit t’anë që sundoni!…”. Këtë u kemi thënë gjithnjë, dhe këtë u themi dhé sot.

Ç’të bënim dhe ç’të bëjmë tjetër? Kemi dashur dhe duam gjithnjë të jemi ballkanas dhe në lidhje të ngushta, miqësore e vëllazërore, po të jet’ e mundur me të gjithë ballkanasit, duke qënë zot seicili në shtëpín e vet. Por fatkeqësisht serbët dorën e vëllazërisë, sa herë që u ësht shtrirë, e kanë prapsur me përbuzje. Na kanë shtyrë me shqelme të kërkojmë shpëtim në të tjera drejtime. Dhe pastaj kanë bërtitur se nacjonalistët shqiptarë janë armiq të Serbís dhe të parimit “ballkanet të ballkanasve”.

Lufta botore i shpuri serbët n’apogjén e pushtetit të tyre dhe kjo i madhështoi ca më keq. Peripecít e kësaj lufte patën shumë faza që duhej t’i kishin shtyrë ata të bënin një shqyrtim ndërgjegjeje, një examen de conscience, për një rikëqyrje radikale të politikës së tyre imperialiste. Për dy vjet me radhë vendi i tyre hyri, pas një shekull lirije, përsëri ndënë zgjedhë të huaj. Të kishin qënë të tërë popujt e Ballkanit të lidhur me një besë nuk dimë a do t’u ngjante ay kob q’u ngjau! Por këta në vênd që t’ ishin të lidhur u dërmuan në mes të tyre. Populli shqiptar mbeti pasiv. Këtë situatë, në një përpjesí shumë të madhe e kish krijuar politika imperialiste serbe.

T’ish zbatuar pakti i Londrës, në bazë të të cilit kishte hyrë Italija në luftë, shteti S.H.S. në vênd të Shqiprís së vogël do të kishte sot për fqinj një komb dyzet milionësh dhe shumë më të përparuar se ay vetë. Ç’do të kish ndodhur atëherë për fatin e atij shteti trishkronjash? N’ësht se nuk u zbatua pakti i Londrës, ky fakt i lumtëruarshëm nuk rodhi sigurisht as prej gjenís diplomatike të Belgradit as prej forcës s’ armëve të tij, por prej një kompleksi rrethanash të papandehura dhe pjesërisht prej asaj, se në njërin breg t’ Adriatikut rronte një komb që serbët kanë vuajtur vjet me radhë t’i mohojnë eksistencën. Ay komb që qé i zoti t’i bëjë më të madhin shërbim vehtes dhe krejt Ballkanit duke e shtrënguar, thjesht me vullnetin e vet, gogolin italian të zhduket dhé nga çipi i fundit e më i lakmuar i tokës shqiptare. Por nuk duhet të harrojnë politikanët serbë se rrethanat e një kohe nuk përsëriten kurrë identike dhe se një popull i vogël si i yni, edhé sikur t’ish përbërë me të vërtetë prej gjigantësh, nuk mund t’iu bëjë ballë gjithmonë në krye të vet popujvet që janë më të mbëdhenj, dhe nuk mund të bashkohet, as për mbrojtjen e vet, me fqinj q’e shqelmojnë, e përbuzin pareshtur dhe që gjithnjë kërkojnë t’a bëjnë kafshitë për vetëhe.

*****

Sot një pjes’ e ngushtë e shtypit jugosllav, me gazetën “Politika” në krye, ka zënë t’ alarmohet prej influencës së thellë italiane të futur në Shqipërí. Alarmi ësht i arsyshëm dhe i justifikuar. Por faji për ç’po ndodh nuk është veçse i politikanëvet serbë. Po vallë do të kenë këta aq bon sens që t’a shohin, të pakën sot, këtë faj të madh në vehten e tyre? Apo do t’a humbasin toruan siç e kanë humbur gjer tani? Dhe do të dinë vallë t’i venë sëmundjes në rrënjë? Në qoftë se po, né i urojmë me gjithë zemër n’ interesë të marrëdhënjeve të mira e të sinqerta që dëshirojmë të mbretërojnë në mes të dy popujvet fqinj për të mirën e njërës anë e të tjetrës dhe të gjithë Ballkanit. Megjithëkëtë nuk mund t’a rrudhim vetëhen nga një skepticizmë e justifikuar prej provave të shkuara. S’ësht faji në personat q’ i shiten njërit e tjetrit; ësht në sistemin politik të pështetur në njerës të blerë dhe të shitur në marrëdhënjet me një shtet fqinj, ësht në sistemin politik që ka ndjekur Belgradi gjer tani dhe po ndjek akoma drejt nesh.

Çështja ësht fare e kthjelltë. Dó shteti S.H.S. t’a pushtojë dhe t’a aneksojë Shqiprín me maskë ose pa maskë? S’e bën dot as me armë, as me para! Armët kur s’ia dhanë 1912-13 e 1914-18, as paskëtaj s’ia kanë për të dhënë. Përkundrazi mund të vënë re në dhé eksistencën e vetë. Me njerës të blerë kanë bërë mjaft eksperienca, dhe sot po e sheh se ç’ka fituar prej sish.

Apo dó shteti S.H.S. të pasurohet (!) me një copëzë të Shqiprís duke u ndarë kjo në mes të saj, të Greqís dhe t’Italís? Këtij qëllimi mund t’ia arrijë, ndofta, shpejt ose vonë. Dhe e vetëmja udhë për këtë ësht’ajo që ka ndjekur që nga krijimi i shtetit shqiptar e gjer sot. E le të vazhdojë më té!…

Përndryshe, në qoftë se Beligradit më së fundi i është mbushur mëndja si neve: a) që Shqiprín s’e ha dot vetëm n’asnjë mënyrë, dhe duke dashur t’a hajë vetëm, mund t’ia futë në gojë ndonjë tjetri me dorën e vet; dhe b) që copëtimi i Shqiprís, me shkeljen e domosdoshme në Ballkan të një kombi homogjen dyzet milionësh dhe përditë në shtim e në përparim, do të jetë një mynxyr’ e madhe edhé për avenirin e shtetit S.H.S., atëherë lypset të ndrrojë udhë gjersa s’është tepër vonë dhe të vendosë pa hezituar e pa prapamendime të merret vesh me të vetmin element shqiptar që ka për devizë absolute independencën politike dhe ekonomike të Shqiprís, neutralitetin e saj dhe zbatimin e drejtë të parimit “ballkanet të ballkanasve.” Duam të themi me elementin nacjonalist që sot ësht i ndjekur e i mërguar, por nesër do të jetë domosdo i zoti i fatit t’ atdheut të vet, në qoftë se ky do t’ eksistojë.

Skepticizma e jonë për një rikëqyrje të politikës në këtë kuptim nga ana e Jugosllavís, shtohet aq më tepër kur nuk shohim akoma ndonjë sugjerim serioz të këtillë as në mes të radhëvet të fushatës së hapur kundër Ahmet Zogut. Vetëm një rreze shprese mjaft e zbetë po na jipet sot prej një deputeti opozitar, zotit Grigor Bozhoviq, n’ interpelatën që ka bërë në Skupçinën e Belgradit në rasë t’emërimit të Ceno Cernogllavoviçit si përfaqësonjës i Shqiprís pranë qeverís jugosllave. Ay thotë: “… Pështetja në bejlerët e turqëzuar, parimet e të cilëvet në politikë janë mashtrimi e gënjeshtra dhe për të cilët politika, qoft’ e brendëshme a e jashtme, nuk ësht politikë siç e kupton bota, por vetëm dallaverë e thjeshtë turke, i dha opinionit t’onë të drejtë të pretendojë se politika e jonë e jashtme kundrejt shtetit shqiptar dolli krejt e pafrytëshme!”; dhe më poshtë: “Neve kjo gjë na dha konvikcjonin e plotë a urdhërin kategorik se në Shqiprí nuk duhet, këtej e tutje, të përkrahet politika e bejlerëvet dhe se interesat t’ona jetore duhen mbrojtur në mënyrë tjetër dhe me rrugë më të caktuara!”.

E përgëzojmë z. Bozhoviq për një të vërtetë të hidhur që ka guxuar të thotë aq hapur mbi politikën e shtetit të tij me Shqiprín. Vetëm se ay nuk i cakton, n’ interpelacjon që bën, direktivat e reja që kërkon t’i porositë shtëpís së verdhë. Mbase do t’i thotë në parlament duke zhvilluar interpelatën e tij. Dhe né po presim.

*****

Por duke pritur nuk mund të rrimë pa shtuar dhé ca vërejtje si për substancën ashtu dhé për ca hollësira me rëndësí të kësaj interpelate.

Pikësëpari duam të shënojmë se gjersa opinjoni i z. Grigor Bozhoviq të mbetet i kufizuar në personin e tij ose makar edhé në grupin e vogël të demokratëvet independentë, në të cilin ay bën pjesë, do të ketë vetëm një kuptim platonik pa asnjë efekt praktik në një t’ ardhme t’afërme. Situata e kërkon q’atë opinjon t’a bëjnë të tyre patjetër të gjitha ato qarqe që mund t’a vënë në zbatim menjëherë ose në një t’ardhme të shpejtë.

  1. Bozhoviq thotë n’ interpelatën e tij se Jugosllavija u gënjye keq dhe pati “provat më të mëdha të mosmirënjohjes e të bukëshkaltësís ndërkombëtare”. Të na falë z. deputet i Skupçinës! Sikur të mos e kish përdorur agjektivin e fundit të kësaj fraze do t’ ishte mê koherent me vehten e vet dhe mund të bashkoheshim dhé né me të. Dhe do t’i thoshim se atdheu i tij ç’mbolli atë që korri me Ahmet Zogun e shokët. Por një shtet për vepra ku as vetë s’është në rregull ndërkombëtarisht s’ka asnjë të drejtë të kërkojë miradije ndërkombëtare.

Sa për “turpin e madh” q’i ndershmi deputet serb qahet se Ministri i Punëvet të Jashtëme s’ka dashur t’i kursejë vendit të tij duke i dhënë agrementin një njeriu si Ceno Beu për të përfaqësuar një shtet të huaj pranë hoborit mbretënor të Jugosllavís, i japim plotësisht të drejtë. Megjithëkëtë, ay, sikur t’i kish njohur sa Cernogllavoviçin edhé përfaqësonjësit e tjerë të Shqiprís së sotme, mbase do të gjente pak ngushëllim duke mos e parë atdheun e tij të vetëm në këtë turp! Duket ka shumë qeverira në botën e sotme q’ e konsiderojnë politikën e jashtme jo shumë ndryshe se “bejlerët e tyrqëzuar” të Shqiprís.

Pas përshkrimit q’i bën, z. Bozhoviq do t’a njohë shumë mirë Ceno Begun. Dhe né s’kemi se ç’i shtojmë atij përshkrimi aspak, sidomos pasi ky argument nuk hyn as në temën t’onë. Vetëm na intereson të çkoqitim këtu se, duke mos kontestuar asnjë nga vrasjet dhe grabitjet, q’ay i ngarkon Cenës, shtetas serb, në kohën e okupacjonit austriak kundra serbëvet për Austrinë, gjith’ ato fakte tragjike po ay Cenë, nënështetas serb dhe jugosllav, i ka përsëritur dhé kundra shqiptarëvet, për hesap të serbëvet! Pra do t’a kishim quajtur më burrë dhe më të drejtë z. Grigor Bozhoviq sikur të kish pasur kurajën civile t’ia përmendte ata dhe ata bashkatdhetarit të tij, Cernogllavoviqit, kur ka dashur t’ia nxjerrë në shesh krimet që ka bërë.

Na vjen keq kur shohim se edhé vetë i ndershmi interpelonjës, që duket pak a shumë i frymëzuar prej realitetit, thotë: “Shqipërija vetë ka pasur prapamendime kur na e proponoi (Cenën) aq për të na treguar se na çmon paksa edhé të na tallet në fytyrë dhé me prestigjin t’onë të keq.” Por né e sigurojmë z-in e tij se këtu as Ahmet Zogu vetë s’i ka faj. E ké do të dërgonte tjetër veçse një shokun e vet?

Mê së fundi z. Bozhoviq shton dhé këto : “gjithë shqiptarët t’anë habiten ; besnikëve u vjen keq, të tjerëve u duket sikur Ahmet Beu i ka shtyrë kufít në Prepolac dhe kënaqen.” Né këtë pikë e gjykojmë pak më ndryshe. Besojmë se shqiptarët shtetas të mirë jugosllavë ishin gëzuar dje bashkë me serbët, kur më s’mbeti kufí i vërtetë në mes të dy shtetevet. Por sot u vjen keq dhe alarmohen kur shohin se Ahmet Zogu i ngriti kufít e Shqiprís së vogël jo vetëm me Jugosllavín e madhe, por dhé me Italín shumë më të madhe akoma. Ç’faj kanë shqiptarët e mjerë, z. Bozhoviq, në qoftë se ju mbualltë hithë duke pandehur se do të korrnit drithë? Sa për ata “të tjerët” e sigurojmë prapë z. deputet se si dje ashtu dhe sot janë gjithnjë të helmuar, në qoftë se dó të thotë për ata shqiptarë shtetas jugosllavë që dëshirojnë të shohin një atdhé të lirë makar për së largu, makar pa e gëzuar vetë atë lirí.

*Mustafa Kruja- Gazeta “Liria kombëtare” 2 Gusht 1926

 

Filed Under: Histori Tagged With: Liria Kombetare, Mustafa Kruja, Shqiptare dhe Serbe

Me anijen “Lissus” drejt Portit “Wilson”

September 10, 2015 by dgreca

Lundrim drejt portit Woodrow Wilson. Pse?  Pak shqiptarë e dinë se dikur në vitet 30’, porti i Shëngjinit mbante emrin e Presidentit Woodrow Wilson./

Nga Shefqet Kërcelli*/

Këtë e saktëson një kronikë e gazetës “Dielli”e shtatorit 1930. Sic shkruan editori i kësaj gazete, zoti Dalip Greca, kjo ka ndodhur në kohën e Mbretërisë shqiptare. Është e natyrshme që emri i presidentit amerikan Wilson ishte bërë shumë i dashur për Kombin shqiptar. Shqiptarët e kanë cilësuar presidentin amerikan Woodrow Wilson si shpëtuesin e pavarësisë së Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. Merita për këtë i takon Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”. Vendimtar për ndërhyrjen e Vatrës ishte Komiteti i Miqve të Shqipërisë, në mënyrë të vecantë kontributi i drejtëpërdrejtë i Fan S. Nolit. Imzot Noli e takoi presidentin amerikan gjatë kremtimeve të festës së 4 korrikut 1918. Me kredencialet e Vatrës, Noli ishte pjesë e peligrinazhit historik që presidenti Wilson organizoi me 4 korrik 1918 në Mount Vernon, vendvarrimi i Presidentit të Parë të Amerikës, George Washington. Në peligrinazh merrnin pjesë përfaqësues të kombeve të ndryshme në SHBA. Këtu “Vatra” dërgoi Nolin, kryetarin e saj, për të përfaqësuar Shqipërinë. Duket se Noli ja doli që t’i përcillte presidentit Wilson mesazhin lutës për shpëtimin e Shqipërisë. Raporti i tij menjëherë pas takimit ju dha shpresë vatranëve dhe të gjithë shqiptarëve. Noli kumtoi menjëherë pas takimit, “Udhëtimi im këtu triumfoi. Fola dy herë me Presidentin Wilson, i cili më dha shpresa të mëdha për pavarësinë e Shqipërisë. Dua të sqaroj për lexuesit, se shqiptaro-amerikanët për këtë event të rëndësishëm nëpërmjet “Vatrës” dhuruan plot 150 mijë $, që me kursin e sotëm bëjnë plot 2 milion e 700 mijë $. E pra, deri këtu arrinte atdhedashuria e këtyre njerzve?!  Në respekt të kësaj mbreti Zog dhe parlamenti i kohës, në shtator 1930 e emërtoi portin e Shëngjinit me emrin kuptimplotë, Porti “Woodrow Wilson”. Nuk di me cilin dekret qeveria komuniste e hoqi këtë emër, ndërkohë që historiografia e saj nuk e mohonte kontributin e Presidentit Wilson në Konferenëcën e Paqes në Paris në vitin 1920 dhe 14 pikat e famëshme të tij për popujt e robëruar. Një cështje thelbësore që duhet rishikuar sot nën dritën e së vërtetës për të vendosur pikat mbi “I”. Për anologji, theksojmë se ky është një koridor i rëndësishëm që mbas 70 vjetësh ndikoi në pavarësinë e Kosovës. Por dhe për ata analistë, menaxherë, pushtetarë, politikuej, patriotë e stërpatriotë që gjatë këtyre viteve e kanë emërtuar këtë port me gjithfarë emrash e interesash, duke anashkaluar këtë fakt të rëndësishëm…Ndaj mos shtriqemi thjesht në rërën e plazheve të kësaj zone e të rrekemi të gjejmë emra të tjerë, kur atë e kanë vendosur shqiptaro-amerikanët e viteve 30’, ajka e kombit shqiptar, një brez i papërsëritshëm i shqiptarëve.

Me “Lissusin” drejt Wilsonit shqiptar

Anija “Lissus” e mori këtë emër kuptimplotë pak ditë mbas 100 vjetorit të pavarësisë, pikërisht më 3 dhjetor 2012, kur u lëshua në thellësitë e Pashalimanit  për të vazhduar qetësisht lundrimin drejt Adriatikut verior. Nga ajo ditë dhjetori “Lissusi” ka bërë me mijëra milje lundrim e patrullim në ujërat tona territoriale, duke kryer disa operacione kërkim-shpëtimi, ku mund të vecojmë atë për shëptimin e ekuipazhit të peshkatores “Katherina” në mars të vitit 2014, po ashtu dhe atë për shpëtimin e tragetit “Norman Atlantic” në dhjetor 2014. Detarët e shpëtuar nga këto fatkeqësi e kanë fiksuar në memorjen e tyre anijen “Lissus” si gjënë më të shtrenjtë. Për mbi dy dekada më ka qëlluar të lundroj me shumicën e anijeve të Forcës Detare. Natyrisht cdo anije vec karakteristikave të ndryshme teknike të dhuron profile të ndryshme detarësh, kurse dhe itinerare të tjera lundrimi, kordinata të panjohura, pamje, bukuri dhe relieve që të duken sikur i shikon për herë të parë. Kështu atë mëngjes të qetë gushti, mbasi përshkoj qetësisht hyrjen e portit të Durrësit, përshëndes policët e sigurisë të APD, vincierët, dokerët që mblidhen rreth Spiros, më të vjetrit dhe pjesëtarë të ekuipazheve të anijeve të bregëzuara nga moli “5” deri tek moli “0”, ku anije të Rojes Bregdetare qëndrojnë të gatshme për cdo emergjencë detare. Me kënaqësi i bëj nga një foto. Me ecën dita mbarë sa herë me “Cannonin” tim fokusoj këta njerëz. Hej! them me vete, janë këta njerëz që gdhijnë natën për të mbajtur gjallë transportin detar të vendit. Po sa të vlerësuar janë ata?! Gjithsesi unë kënaqem me faktin që shkruaj dy rreshta për këta njerëz të thjeshtë e punëtorë, që hapin trajstat e bukës dhe me plot gojë të thonë,-bujrum! Ec ta ndajmë një kafshatë bashkë! Këta njerëz me bujarinë dhe sinqeritetin e tyre, të japin zemër për të shkruar. Mbasi përshkoj molet e anijeve të pastrimit detar, antikontrabandës dhe policisë kufitare më shfaqet hijerëndë silueta e anijes “Lissus”. Bri tyre zhytësat e Sigurisë Portuale kishin bërë gati pajisjet dhe presin detyrën e ditës. Pamvarësisht qendrave të tyre të banimit, gjetjeve të rastësishme sa në Durrës, Tiranë apo rrethina, ekuipazhi i anijes “Lissus” kishte mbrritur thuajse që në muzg. Janë të përgjegjshëm për detyrën dhe zanatin këta marinarë. Kapiteni i anijes, Silvan Boni ka fjetur në anije. Ai e ka shtëpinë në Tiranë, kështu që udhëtoi një nate më parë. Pamvarësisht me origjinën e tyre beratase, familja Boni e do detin, duke i dhënë madje dy detarë. Më parë Aristoteli, vëllai i madh, drejtoi disa anije të Flotës Luftarake dhe më pas si kapiten në Flotën tregëtare lundroi dhe në oqeane. Silvani është një kapiten i zoti, modest në detyrën e tij, i apasionuar pas librave,vecanërisht atyre historiko-gjeografikë. Ai renditet në kapitenët e kompletuar për drejtimin e anijeve të klasit “Iliria”. Ndërsa në horizont shfaqen tragetet e parë që zgjojnë portin e Durrësit, komandant Silvani, jep Komandën:-ekuipazhi, nëpër vende për lundrim! Thuajse me sy mbyllur, pjesëtarët e anijes zunë vendet dhe zbatonin komandën e radhës. Brenda pak minutash Sokoli me Eltonin ngritën flamurin e anijes dhe hoqën cimat, ndërsa  motoristët Fred Mara dhe Artan Kojtari që më parë i kishin ndezur motorët e fuqishëm “Caterpillar”. Anija u shkëput lehtësisht nga moli dhe rrëshqiti drejt kanalit hyrës të portit të Durrësit. Tashmë pamja e portit të Durrësit meriton vëmendje nga cdo fotograf me ndryshimet e bëra, pasi është përmirësuar infrastruktura dhe porti i peshkimit e ka zgjeruar sipërfaqen e tij. Në kursin e caktuar lemë kanalin, fenerët jeshil e të kuq, dhe marrim kursin për veri. Të përqëndruar në detyrat e tyre funksionale, djemve të “Lissusit” më tepër i tërheqin vemëndjen anijet e ndryshme që lundrojnë në ujërat tona, sepse relievin tonë bregdetar ata e dinë me sy mbyllur. Ata janë një ekuipazh me moshë mesatare relativisht të re, por me plot vite pune e dallgë deti në shpinë. Ndërsa në horizont shfaqeshin tragetet e linjës Durrës-Bari, në kanal filluan të hyjnë peshkatoret e para. Në radë ishin tre anije tregtare që me sa dukej prisnin radhën për tu përpunuar në port. Oficerët e rinj Myfiti dhe Fationi janë përqëndruar në harta dhe radarë, ndërsa inxhinjer Brikel Topi kontrollon në kompjuter punën e motorave. Me këtë ekuipazh nga Ura e Komandimit, Kapiten Silvani është i sigurt se lundrimi do shkojë i qetë, që e favorizojnë dhe kushtet atmosferike të kësaj dite. Të lundrosh nga gjiri i Durrësit deri në gjirin e Drinit në një gjatësi të vijës bregdtare 55.3 milje do hasësh më tepër dy trajta relievi, kryesisht kodra dhe ultësira. Nga Durrësi deri në rajonin e Porto-Romanos, vargu i kodrave të Durrësit është i valëzuar, me qafa të thella dhe maja konike, me lartësi max.186 m. Fundi i detit në largësinë 1 milje nga vija bregdetare është lym, kurse në afërsi të bregut shtrihen shkëmbinj të nënujshëm gurorëe në cekinat 1-2 kab. gjë që bën të rrezikshëm afrimin e anijeve në këtë rajon. Kalojmë tarversë portin e ri të Romanos, kepin e Palit, Gjirin e Lalzit dhe kepin e Rodonit.. Nga anija shquhen lehtësisht dhe pushuesit e shumtë që kanë pushtuar plazhet e kësaj vije bregdetare. Sapo futemi në gjirin e Drinit, një nga gjiret më të mëdha të Adriatikut Juglindor hasim të parën anije, të cilën djemtë e “Lissusit” e verifikuan, nga vinte, porti i regjistrimit, leja, e procedurat përkatëse ligjore. Ishte një jaht slloven i cili mbas qëndrimit në portin e Durrësit po i drejtohej brigjeve dalmate. Ndërkohë që Komandant Silvani merr detyrën për të dalë në derdhje të Bunës na duhen dhe 16 milje për të shkuar atje. Por detarët e anijes janë të qetë ashtu si valët e detit. Motorët “Caterpillar”punojnë sipas parametrave dhe aparaturat e drejtimit të anijes gjithashtu. Ata kanë erdhur nga shtëpia dhe janë të freskët në kryerjen e cdo detyre. Madje mbas cdo raportimi apo situate bëjnë dhe shaka. Motoristët Fredi dhe Tan kanë vite që shërbejnë në anije të ndryshme të Flotës duke krijuar një përvojë dhe eksperiencë brilante si motoristë. Madje Fredi, më i vjetri i ekuipazhit, e ka filluar karierën e ushtarakut si teknik aviacioni dhe në vitin 1997 ju bashkua radhëve të Forcës Detare. Në këto18 vite ka shërbyer si motorist e k/motorist në anije të ndryshme që nga Minaheqësja e Madhe e deri  tek motovedetat e prodhimit italian e amerikan. Është e vështirë që këta njerëz të detit të flasin për hallet e tyre, por me sa pashë një merak e kishin, kohëqëndrimin në gradë, sepse ata janë thjesht specialistë të motorave, këtu mund të tregojnë aftësitë e gjenialitetin e tyre. Ata janë modestë në kërkesat e tyre, duan thjesht përmirësim e kushteve në anije. Ndërsa era filloi të ngrihej, nga kuverta e anijes sodismin brigjet e Gjirit të Drinit, të cilat janë përthyer në vite nga grykderdhja e lumenjve Mat dhe Drin, duke krijuar dhe këneta detare të cekta në lindje të gjirit. Zanati i detarit, mosha, patrullimet e vazhdueshme në këtë sezon veror, hallet familjare ishin copëza bisedash që shoqëronin lundrimin tonë. Kështu nuk e ndjemë kohën dhe në horizont u shfaq mali i Rencit, shpatet jugore të së cilit zbresin pjerët në det në perëndim të Shëngjinit. Tutje vargmalit të Rencit për në thellësi të bregdetit fillon ultësira e grykës së lumit Buna, e cila vjen në trajtë të një trekëndëshi me bazë shumë të gjerë dhe me kulm në rrjedhjen e Bunës, ku ndërpritet vargu i kodrave nga ky lumë. Kjo ultësirë vazhdon dhe në krahun e djathtë të bregdetit malazez, 5.1 milje në VP të grykës së Bunës, Kepi Gjeran. Kapiteni e drejtoi anijen “Lissus” për në kordinatat e caktuara të grykëderdhjes së këtij lumi, brenda ujërave tona territoriale. Përsëri nuk hasëm asnjë anije, si me radar e vrojtim optiko-pamor. Anija ndroi kurs dhe mori drejtimin e Shëngjinit. Vetëm pak milje më tutje shfaqen dy objekte të bardha, të cilave i afrohemi ngadalë dhe shohim emrat në bordet e tyre. Ishin dy anije peshkimi me emrin “Rozafa”, të bukura, të mbajtura mirë që gjuanin qetësisht në ujërat e lejuara. Kapiten Silvani e afron anijen dhe informohet nga kapitenët e “Rozafës” për kordinatat, portin e regjistrimit, numurin e identifikimit, sinjalin e thirjes, autorizimin për aktivitetin, numurin e ekuipazhit dhe gjendjen e anijes. Pasi u sigurua se cdo gjë në anije ishte korrekt me ligjin, “Lissusi” vazhdoi kursin e caktuar. Nga Buna deri në Shëngjin bregdeti shtrihet me një gjatësi 10.8 milje në drejtimin VP-P. Prej kepit të Shëngjinit deri në largësinë 3.2 milje në VP të tij, bregdeti është malor, me pjerrësi shumë të madhe. Lartësia e kësaj pjese të bregdetit këtu arrin deri në 510 m, pikërisht atje ku vargmali fillon ti largohet vijës bregdetare me drejtim për në VP. Thellësitë e rajonit Bunë-Shëngjin janë të mëdha, sidomos atje ku bregdeti është i lartë. Në rajonin malor barasthellësia 5 m e kalon 1 kabel larg vijës bregdetare. Dhe barasthellësitë 10 e 20 m këtu puqen me atë 5 m. Atje ku bregdeti është ultësirë barasthellësitë i largohen vijës bregdetare dhe arrijnë largësinë 2-4 kab. Rreziqe të nënujëshme nuk ka. Trualli i detit është lym, ndërsa rrëzës së bregut është rërë. Natyrisht cdokush që kalon atje do shohë me kureshtje “Rërën e hedhur”, pasi duket si një plazh i krijuar nga dora e dikujt, që ka hedhur rërë, por atë në fakt e ka krijuar nëna natyrë me kapriciot e saj. Më tepër këtë zonë e njihnin detarët me uniformë pasi cdo vit sipas programit zhvillonin qitje bregdetare me artilerinë e anijeve. Është një poligon i përsosur për këto lloj qitje. Por tashmë ishpoligoni natyror ja ka lënë vendin plazheve private dhe hoteleve lluksoze. Nga larg pamë vargun e makinave që rrëze kodrave nuk rreshtnin në dy krahët, që fliste për një frekuentim të mirë të këtyre plazheve të virgjëra. Ndërkohë të ndihmuar dhe nga era VP e përshkuam lehtësisht distancën prej afro 10 milje dhe u futëm në gjirin e Shëngjinit. Ky gji ndodhet ndërmjet grykës së lumit Drin dhe kepit të Shëngjinit, 3.2 milje në veri të derdhjes së këtij lumi. Bregu lindor i gjirit të Shëngjinit, është i ulët dhe më tepër kënetor. Në verë era mbizotëruese është ajo me drejtim Veriperëndim, që fillon nga ora 9-10 dhe zgjat deri në orën 22.00, kur fillon të fryjë era e Lindje–Verilindjes. Porti i Shëngjinit me kordinata, gjerësi 41o49’V, gjatësi 19o35’4 L, ndodhet brenda këtij gjiri të vogël, që futet në pjesën VL të Gjirit të Drinit, ndërmjet kepit të Shëngjinit nga Perëndimi dhe bregdetit në Verilindje. Hyrja për në port ngushtohet nga cekina që vazhdon nga Kepi i Shëngjinit për në lindje. Për hyrjen dhe daljen e anijeve në portin e Shëngjinit vite më parë është hapur kanali detar i këtij porti me përmasa 600 m-gjatësi, 60-80 m gjërësi dhe thellësi nga 7.0 m deri në 8.5 m, i cili tashmë mbrohet nga dy valëpritës, ai perëndimor dhe lindor, të ndërtuar pesë vitet e fundit. Kështu duke soditur natyrën e gjirit e plazhet e pushtura nga pushuesit i drejtohemi kanalit hyrës të rrethuar nga dallgëthyesit. Sinjalistika detare këtu është në rregull pasi djemtë tanë të hidrografisë i qëndrojnë gati këtyre pajisjeve. Ishte mesditë. Pamja që të afrohet është mbresëlënëse. Nga moli kryesor i portit, ngjitur është bregëzuar flotilja e peshkatoreve dhe pak metra më tutje baza detare e Shëngjini dhe kapiteneria e portit. Është një nga portet e vecanta në Adriatik e Mesdhe, ku në basenin e tij vendosen kaq afër anijet tregëtare, peshkatore dhe luftarake, një trekëndësh harmonik detar, me brinjë e madhësi të disa jardëve, ku detarët komunikojnë lehtësisht nga bordet e anijeve, madje mund të ndrrojnë cigare. Por ndërkohë djemtë e “Lissusit” me kujdes po e bregëzojnë anijen në një nga molet-tunele të bazës dhe unë po shihja veprimet e tyre tepër korrekte në kësi rastesh. Distancat ishin të vogla dhe cdo gabim të kushtonte përplasje me Minaheqësen ose betonin. Dy nënoficerë të bazës, Sokol Pjetrushi dhe Edmond Hysa shtrënguan me shpejtësi cimat e anijes me kapjunat e Minaheqëses. Mbasi siguruan anijen djemtë e “Lissusit”, ju drejtuan guzhinës për të ngrënë drekën dhe mëngjesin bashkë. U bashkova dhe unë me ta, bukë, djathë, krypë, domate e zemër të hapur. Një vakt i varfër për këta marinarë mbas atij lundrimi të gjatë. U përpoqëm të pushonim pak, na prisnin mjaft punë e detyra. Së pari mu desh të shtoja dicka për Historinë e Limanit dhe qytetit të Shëngjinit, krijimi i të cilëve ka kushtëzuar njëri-tjetrin. një studim me titull, “Roli i Shëngjinit në transportin detar të trevës Lezhë, Shkodër dhe Ulqin e më gjerë”, frut i kërkimeve të mia disavjecare.

Limani dhe porti i Shëngjinit është qytet port në bregdetin e Adriatikut, me një pozitë të favorëshme gjeografike e shumëllojshmëri të relievit, natyrës dhe klimës. Në një distancë të afërt me qytetin antik të Lezhës, {5 milje} dhe  rreth 10 milje në juglindje të grykëderdhjes së Bunës, ky liman ka luajtur rol të rëndësishëm në trafikun detar të Adriatikut Verior, por dhe ngjarjet historike të Lezhës, Shkodrës, Ulqinit deri në bregdetin dalmat. Duke pasur formën e një gjysmë rrethi kontinental, limani u siguron mbrojtje perfekte anijeve nga kushtet e motit dhe një përpunim të sigurtë këtyre. Në këtë vend dhe në afërsi të vijës bregdetare gjatë mijëvjecarit të I-rë p.e.s jetonte fisi ilir i Ardianëve, të cilët merreshin kryesisht me peshkim, lundrim dhe blegtori. Gjiri i limanit i shërbente anijeve ilire si strehë e sigurtë nga stuhitë dhe piratët, njëkohësisht u siguronte pozicion të mirë për sulm nga cdo rrezik. Në vitin 385 p.e.s. dhe këtu si në disa pjesë të bregdetit u themelua koloni helene nën sundimin e Dionisit, tiranit të Sirakuzës. Kolonistët helenë e emërtuan Shëngjinin Nimfeion, dhe për herë të parë në burimet e shkruara del si Nymphaeum, që do të thotë, nimfë-nuse, ose vendi i zanave. Ky emërtim vazhdoi deri në periudhën e pushtimit romak. Emri i Shëngjinit në cdo etapë është një cilësim i huaj, fillimisht Helen dhe më pas i riti katolik. Në veprën e tij “Lufta civile”, perandori i famshëm Jul Cezari thotë se “disa nga anijet tona të kryesuara nga Mark Antoni, vazhduan lundrimin deri në limanin Nymphaem, 300 hapa larg Lissit”. Vendbanimi i lashtë me emrin Nimfeum është ngritur afërsisht në në të njëjtën kohë me Lissusin, Lezhën e sotme. Në Historinë e Popullit Shqiptar, {HPSH},Vëll. I-rë, f.76, thuhet,..Qendrat e para urbane në këto anë, Lisi, Skodra, Meteoni, Ulqini, Rizoni, etj. lindën vetëm në fundin e shek. IV-të-fillimi I shek.III-të p.e.s. Ndërkohë në periudhën e luftrave iliro-romake, limani mori një rol të vecantë, sepse kufiri jugor i lundrimit të anijeve ilire të Gentit dhe Teutës ishte rajoni i Shëngjinit. Po tek HPSH, Vëll. I-rë, f.117 thuhet, “Kushtet e paqes midis Romës e Teutës në vitin 228 p.e.s. sipas Polibit ishin, 1-Teuta detyrohej tu paguante romakëve një tribut. 2-të hiqte dorë nga pjesa më e madhe e Ilirisë duke mbajtur për vete vetëm pak vende dhe 3-të mos lundronte në jug të Lisit me më shumë se dy anije, por këto të paarmatosura”. Gjithashtu roli i Shëngjinit në trafikun detar dhe ekonominë e këtyre trevave lidhet me faktin se këta të huaj që u vendosën në këtë zonë shtuan shkëmbimin me fiset ilire e krahinat e tjera si Shkodër, Ulqin e së bashku me Lezhën u bë stacion i rrugëve tregtare dhe lidhjeve me zonat e brendshme. Kjo duket dhe në prerjen e monedhave nga Lissi në shek. III-të p.e.s. Ky rol vazhdoi dhe gjatë periudhës së pushtimit romak. Më pas kjo trevë ka rol dhe në përqafimin e fesë së krishterë, psh në f.201, të HPSH-1, thuhet,“Hershmërine e krishterimit shqiptar e provojne gjithashtu një sërë emras vendesh që u referohen martirëve të lindjes, kulti i të cilëve ka qenë i përhapur në shek.IV-VI. Në këtë kohë në toponamistikën e vendit futen mjaft emra të krishterë dhe emri Shengjin”. Nga shek. VII-XII-të, në veprimtarinë ekonomike e tregtare të Lissit, pati një ngadalësim, pasojë e ngjarjeve historike që u reflektua më shumë në shek. IX-X-të. Në shpatin e malit të Rencit, 250 m në perëndim të Balldrenit janë gjetur 12 copë monedha të prera në Liss, që i përkasin kësaj periudhe. Më pas në Shëngjin u rrit ndikimi i Venedikut, psh. në një dokument të vitit 1213 thuhet se, tregëtarë venecianë përshkonin me karvanë rrugët që lidhnin portet e Durrësit, Vlorës, Shëngjinit, etj. në viset e brendshme duke cuar e duke tërhequr mallra prej andej. Në mesjetë,{shekulli i XV-të} limani u emërtua Medua {Portus Medue}  dhe administrativisht lidhej me Lezhën, ku bashkë me zonën bregdetare kishte 9 fshatra me 70 deri 100 familje. Në vitin 1318 Pjetër Viskonti, e përmend Shëngjinin me emrin Medua dhe thekson se ky liman njihej nga tregtarët e pellgut të Adriatikut. Në një dokument të vitit 1336 rekomandohej një anije raguziane, të mos futej në grykën e Drinit për në Lezhë, nqs kishte det të forte, por të vazhdonte lundrimin deri në gjirin e Medës, pasi ky ishte i mbrojtur nga stuhitë. Në vitin 1392 dhe Lissi ju dorëzua Republikës së Venedikut nga Progon Dukagjini. Në vitin 1367, Balshajt ishin në gjendje të kontrollonin lëvizjet tregëtare për në Adriatik. Në duart e tyre ndodheshin rrugët tregtare që zgjateshin prej bregdetit drejt viseve të brendshme. Më e rëndësishmja prej tyre ishte rruga që fillonte në pikën doganore të Dejës, ku bashkoheshin rrugët që vinin nga portet e Shëngjinit, të Ulqinit e të Tivarit, dhe vazhdonte  nëpër luginën e Drinit për të arritur në rrafshin e Dukagjinit, nga ku degëzohej në qendër banimet kryesore të Kosovës…Në shek.XV-të, krahas përdorimit të emrit Medua, filloi të përdorej një emër i ri, San Giovani Di Medua, {Shën Gjini, Gjoni} i Medës. Kjo shtesë ka kuptim fetar, pasojë e ndikimit të botës kristiane. Ndërkohë Shëngjini nuk ngeli larg interesimit të Kastriotëve, të cilat, ishin shtrirë dhe në rajonin verior të bregdetit shqiptar. Që në fillim të shek.XV-të, krahas qendrës tregtare e doganore të Shufadasë, Gjon Kastrioti zotëroi bregdetin në Shëngjin, si dhe shtëpi në Ulqin. Në vitin 1410, Gjon Kastrioti arriti të siguronte banesë në Ulqin, por nuk u pranuan prej Venedikut kërkesat e tij të vitit 1417 për ti dhënë fshatit Barbullush dhe malin Medua{Shëngjinin}, ku dëshëronte të ngrinte një kështjellë. Më pas arriti ta merrte Shëngjinin. Në vitin 1478 Shëngjini ra në duart e osmanëve. Pamvarësisht se Shëngjini ju nënshtrua pushtimeve, flukseve e kulturave të ndryshme, ai vazhdoi të jetë sfidues në realizimin e lidhjeve ndërmjet Shkodrës, Ulqinit dhe Lezhës. Gradualisht u rrit më tej përpunimi i anijeve në Shëngjin dhe ndikimi i këtij limani në zhvillimet e Shkodrës, Ulqinit dhe Lezhës. Në etapën e fundit të mesjetës konsiderohej si “Porta kryesore e Dalmacisë dhe realizohej një eksport i madh i produkteve bujqësore”. Në vitin 1591, një udhëtar i huaj shkruan se “gjeti në këtë liman vetëm një barkë malazeze dhe dy zotërinj, Dede Surbin dhe Nikolla Grasan”. Me përmbytjen e Lezhës nga lumi Drin, dolën një sërë pengesa në zhvillimin e tregëtisë, po ashtu zhvillimi i ngadaltë i ngjarjeve mbas pushtimit osman, e bënë Shëngjinin një liman të përshtatshëm për anije të mëdha, shkruan hartografi Italian, Perest Coronelli. Kjo dhe për shkak të përdorimit të limanit të Kënallës, {tashmë lagunë}, sepse është shkëputur nga deti nga mbushjet me rërë. Në vitin 1688, emri Shëngjin vendoset dhe në hartat detare. Pamvarësisht nga pushtimi osman, përsëri shohim ndikimin venedikas në këtë liman, kështu në vitin 1720, Konsulli venecian Anton Duoda njoftonte, “askush nuk guxon të shkojë më në Berberi, {Tripoli}, se u shpall urdhëri që në brigjet e Tivarit, Valdanosit e Shëngjinit të Medues si dhe në grykën e Bunës, askush të mos guxojë të trazojë shtetasit venedikas, sepse i shkon koka…Ndërkaq tregu i brendshëm vazhdonte të ishte i ndarë në disa pjesë ndërkrahinore, si tregu i Shkodrës, Ulqinit, Tivarit, Lezhës, Obotit, ky asnjëri nuk gëzonte peshën specifike në raport me të tjerët. Rol parësor kishte Shkodra e lidhur ngushtë me Ulqinin, me një popullsi respektive, 40 mijë e 8 mijë banorë. Të dyja plotësonin njëra-tjetrën, pamvarësisht avantazheve dhe mangësive respektive. Gjithsesi përballë konkurrencës së tregëtisë evropiane fillojnë organizimet e ndërmarrjeve dhe shoqërive tregëtare. Kështu Lezha në gjysmën e dytë të shek.XIX, {viti 1830-1840}, kishte 110 dyqane. Kjo dhe për shkak të lidhjeve natyrore, lumi Buna me detin Adriatik e më gjere Shëngjin, Lezhë, Shkodër, me lidhje të dyfishta, tokësore e detaro-lumore, ku më e rëndësishme ishte Shkodra. Kjo qëndër e rëndësishme ekonomike e vendosur në mesin e një fushe, kishte në vartësi dhe tre skela të tjera të vogla si, Tivarin, Ulqinin dhe Shëngjinin. Mallrat ishin të ndryshme, psh. kripa, blihej në sasira të mëdha në kriporet e Kavajës, Vlorës e Santa Maura, dhe më pas transportohej me barka ulqinake në molet e Ulqinit, Tivarit e Shëngjinit, nga këtej me mjete të ndryshme e karvane në viset e tjera të Vilajetit të Shkodrës. Ndërkohë malësitë e rrethit të Lezhës e Mirditës, të mbuluara me pyje të dendura kishin sasi të mëdha druri ngjyrosës,{Skotane}, i cili eksportohej me anije franceze për në Marsejë e Ryan, nga moli i Shëngjinit, shkruan udhëtari Hecquard. Të tre molet, Ulqin, Tivar dhe Shëngjin kishin lidhje me portet mesdhetare gjatë shek.XIX-të. Natyrisht rol kryesor kishte limani i Ulqinit. Kështu në vitin 1818, Ulqini kishte 300 barka dhe 400 mjete lundruese, Shëngjini kishte shumë pak. Qendra kryesore ku strehohej kjo flotë ishte Valdanozi,{gjiri në veri të Ulqinit}, Porto Milena, Oboti, Shëngjini, etj. Shëngjini mori rëndësi kur në vitin 1858, pas përmbytjeve të mëdha, dega e lumit Drin u kthye në drejtim të Shkodrës. Në Shëngjin bregëzoheshin anije të mëdha ulqinake, austriake, greke, italiane, të cilat ngarkonin për në Tripoli, Tunizi, Aleksandri, portet italiane, etj. Kështu më 19 korrik 1855, në portin e Shëngjinit kishte 4 anije franceze që ngarkonin për në Marsejë. Deri para vitit 1878, porti i Shëngjinit kishte rol dytësor, por pas vendimeve famëkeqe të Kongresit të Berlinit më 1878, kur Tivari dhe Ulqini ju dhanë Malit të Zi, qendra e gravitetit kalon në Shëngjin dhe Durrës. Tregëtarët shkodranë u detyruan që krahas Obotit të përdornin dhe Shëngjinin, me 8-9 shtëpi. Ata ndërtuan pranë kësaj skele magazina dhe shtëpi të vogla përdhese, pra, një infrastrukturë minimale që mungonte. Gjithashtu në vitin 1879 skelën e Shëngjinit filluan ta preknin anijet e shoqërisë “Llojd” dhe të shoqërisë italiane “Pulja”. Roli i kësaj skele filloi të rritej. Ambasadori Francez Hekart thotë se 6 milje larg Lezhës arrihet në Shëngjin, një port i vogël që shërben si vendstrehim për anijet e Republikës së Venedikut. Praqitja e tij ishte e mirë, mund të merrte 30-40 anije për përpunim radhazi dhe mbrojtje nga erërat.  Kjo skelë është kryeqendra e Lezhës dhe Mirditës dhe luan një rol të posacëm për eksport-importet e tyre. Në fillimet e shek. XX-të deri në fillimin e Luftës së I-rë Botërore u zvogëlua vëllimi i përpunimit të mallrave, pasi pësoi dëmë nga lufta. Porti i Shëngjinit e rimorri rolin e tij në vitet 1922 deri në vitin 1939. Në vitet 20’ në Shëngjin e ushtroi veprimtarinë e vet dhe shoqëria e peshkimit “Peshkaalba”, e cila veproi deri në vitin 1946. Në shtator të vitit 1930, nga mbreti Zog dhe parlamenti i kohës, porti i Shëngjinit u emerëtua “Porti Wilson”, në respekt të kontributit të vecantë të tij për mbrojtjen e Shqipërisë në Konferencën e Paqes, Paris 1920. Më 7 prill 1939 dhe këtu u organizua një rezistencë kundër trupave fashiste, të cilat më pas e përdoren si port ushtarak për nevojat e tyre. Në korrik të vitit 1944, pushtuesit nazistë e hodhën në erë portin. Porti i Shëngjinit në pjesën më të madhe të kohës ka shërbyer në transportin detar ndërkrahinor e me portet e huaja, herë pas here dhe për flotat ushtarake. Densiteti i zhvillimeve luftarake ka qenë relativisht i ulët në raport me qytetet e mëdha dhe për faktin se resurset ekonomike kanë qenë në brendësi të vendit. Kështu roli i tij ka qenë më pak tërheqës për pushtuesit e ndryshëm, për të përqëndruar forca e mjete për një kohë më të gjatë. Në më të shumtën e rasteve pothuajse nuk e ka ndërprerë asnjëherë aktivitetin duke ndikuar në zhvillimin e ngjarjeve të trevës Lezhë-Shkodër. Roli i limanit të Shëngjinit në këtë trevë lidhet me pozitën gjeografike dhe afërsinë me Ulqinin, Tivarin, Shkodrën dhe Lezhën. Në periudhat e sundimeve të huaja apo zhvillimeve luftarake dhe ky port ka pasur dëmtime dhe stanjacion, por gjithnjë ka mbijetuar. Zhvillimet më të mëdha i ka pasur mbas Kongresit të Berlinit dhe në ditët e sotme. Gjatë perudhës së diktaturës komuniste u kthye në një port të brendshëm dhe ndërpreu lidhjet me jashtë. Pra, porti i Shëngjinit shërbeu vetëm për anijet e transportit të brendshëm të mallrave. Ndërsa ndërmarja e peshkimit kishte një numur të madh anijesh peshkimi. Mbas vitit 1990 ky port mori funksionet e mëparëshme, duke u përmirësuar përpunimin e anijeve, infrastrukturëne pajisjet shkarkuese. Kështu në vitet e para porti i Shëngjinit realizoi 7% të eksport-importit të zonës Veriore, Verilindore dhe partnerët e huaj. Gjatë këtyre viteve janë bërë debate pa fund dhe janë shpalosur projekte të shumta zhvillimore për këtë port. I kam ndjekur me vëmendje këto debate herë politike, herë klienteliste, pa vizionin e së ardhmes, në më të shumtën e rasteve jo profesionale. Personalisht zhvillimin e Portit të Shëngjinit e shoh të integruar me tre portet e tjera të vendit, ku përparësi të ketë turizmi, peshkimi dhe transporti i pasagjerëve. Pamvarësisht pozicionit gjeografik më pëlqen një masterplan dhe pamje si Porti i Sarandës. Në përfundim theksoj se e gjithë kjo veprimtari e gjithanshme e transportit detar në portin e Shëngjinit ka formësuar një traditë të spikatur detarie në këtë trevë, duke krijuar breza të tërë detarësh që janë një nga pasuritë më të mëdha të Shëngjinit. Ndërkohë këtu janë frymëzuar  shkrimëtarë dhe poetë duke na dhënë krijime të spikatura për detin. Psh. shkrimëtari i madh Dritëro Agolli në vitin 1961, në një festë me ekuipazhin e barkës “Bajram Curri” na ka dhënë poezinë më të bukur të titulluar “Varka në det”. {Antologji e Detarisë Shqiptare, vëll. I-rë, fq.417}.

Por në historinë moderne, Shëngjini trashëgoi dhe një pasuri tjetër, Bazën Ushtarako-Detare me një histori të lavdishme 46 vjecare…

Fillesat e bazës janë në mars të vitit 1962, kur disa metra në Veri të ishportit të vjetër, u vendos një bateri topash 85 m/m, me komandant Nebi Çelën, si e para mundësi për mbrojtjen e bregdetit shqiptar. Krahas baterisë ABD u vendos dhe një PSV, që bënte vëzhgimin e hapësirës detare, kujton veterani Fadil Dushku, (një detar i vjetër, mbi 40 vjet në det, banor i kësaj zone). Fadili me anijen “Erzeni”, krahas detyrës si anijeshenjë për baterinë Bregdetare, bënte patrullimin e rajonit detar nga Kepi i Rodonit në Bunë. Më pas i pari që bregëzoi KS në bankinën e thjeshtë të bazës Veriore, në prillin e 1969, ishte oficeri i ri tepelenas Astrit Muhaj, pastaj me rradhë Kastriot Bejko, Bilal Koçi, Met Karashabani, Ismet Bilali. Mbas ndërtimit të 2 moleve të rinj në v.1973 erdhën dhe 6 KS, duke formuar kështu 3 skuadrilje KS, me komandant Llesh Kiku, Skënder Dule dhe Hasan Onuzi. Detyra kryesore e ishbazës Shëngjin ishte ruajtja dhe mbrojtja e Gjirit të Drinit, në bashkëveprim me forcat e tjera gjitharmëshe, pa harruar zbatimin e detyrave të kohës së paqes, operacionet humanitare, etj. Në mars të vitit 1974, filloi aktivitetin BUD-i i Shëngjinit, i cili në krijimin e tij kishte këtë strukturë organizative:-RKS, GrAML, Grupin minavues, repartet speciale dhe ato logjistike. Bazë ishte Skuadrilja e dytë e KS me 6 KS tip kinez, me krah të nënujshëm të dislokuar në portin e Shëngjinit më datë 06.08.1969. Komandant i Bazës, u caktua Robert Bali, komisar Lutfi Gjika dhe Shef Shtabi Kristaq Çito. Komandant RKS, Aleko Dede dhe Komisar Bardhyl Shehu. Në grupin AML, u caktua Komandant Zisi Anastasi dhe komisar Skënder Dule, më parë Flamur Ganai. Duhet theksuar se në këtë bazë erdhën disa oficerë nga Durrësi e Vlora, të cilët kompletuan anijet dhe shtabet. RKS kishte tre KS të ardhura nga Durresi. Në v.1975 Gr.AML, u kompletua me 3 GJDV tip kinez dhe një katër kufiri. Grupi minavues kishte 6 anije peshkimi të modifikuara për marje minash. Komandant grupi ishte Hasan Onuzi. Baza është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit popullor me “Urdhërin e Shërbimit Ushtarak të Klasit të Parë”. Pjestar i bazës ishte dhe Fran Ivanaj “Hero i Popullit”, komandant i MP “Islam Mustafa” i cili nuk lejoi rrëmbimin e kësaj anije nga shovinistët Serbo-Malazez. Shokët e armës nuk e lanë vetëm. Dy KS i shkuan në ndihmë MP, por nuk arritën ta shpëtonin Franin, dhe nuk lejuan rrëmbimin e anijes. Gatishmëria e bazës ishte në atë nivel, aq sa sinjalisti roje i PSV-Shëngjinit që kryente detyrën dhe të kimistit roje, diktoi me aparaturat e zbulimit kimik renë radioaktive të shpërthimit të çentralit bërthamor të Çernobilit. Pra, ishte ky që diktoi e lajmëroi rrezikun e këtij rrezatimi, i pari në FA. Po ashtu radisti i një KS, kapi sinjalin e ndihmës që kërkonin alpinistët shqiptarë në malin e Korabit. Ata kërkonin ndihmë mbasi u rrezikohej jeta, anija komunikoi me MM, e cila dërgoi helikopterë, duke i shpëtuar jetën alpinistëve. Bashkë me Forcat e Xhenjos, efektivi detar i bazës me punë vetmohuese, nga viti 1972-1988, ndërtoi tunelet e bazës Shëngjin. Ai ka tre hyrje që komunikojnë me detin, të kompletuara me rrjetin elektrik. Në të mund të futej pothuajse gjithë formacioni i luftimit i bazës, konkretisht KS, silurat, minat, ofiçinat, etj. madje dhe drejtimi i operacioneve mund të bëhej nga tuneli. Polumbari i vjetër Shkëlqim Driza që ka punuar disa vite rresht në këto tunele, flet me respekt për punën e qindra xhenjerëve që në kushte të vështira, duke rrezikuar dhe jetën, punuan për hapjen e tyre. U realizuan shpime me sondë, shpërthime nën ujore, ndërtime bankine, godina, që kur i kujtoj tani më ngjethen mishtë si kemi shpëtuar, thotë ai. Shkëlqimi kujton me respekt Komandantin e batalionit Xhenjer Maks Milaqi, komisar Pajtimin, Ing.Vangjel Lena, si dhe Anijethelluesen “Rodoni”. Në vitet 1982-88, me punë e sakrifica vetmohuese u bë hapja e tre tuneleve dhe infrastrukturës tjetër të bazës. Kapiteni i paharruar dursak, i ndjeri Zija Biduli, ishte shembulli, frymëzimi dhe modeli i të gjithë efektivit që punoi në këtë bazë. Kapiten autoritar, fisnik, i respektuar nga të gjithë. Shembullin e tij e ndiqnin dhe më të rinjtë, si kapiten Lulëzim Hate, etj..Në fund të aksit Lezhë-Shëngjin, në krahun e djathtë fillon kurora e pishave të mbjella me kontributin e detarëve të kësaj baze, në fillim të viteve ‘80. Bazën nga viti 1974 deri në v.1978, e ka drejtuar Robert Bali, deri më 1979, Ndue Jaku, pastaj Pirro Kuçi, A.Mezini, Tom Kola, Astrit Bocaj, Adriatik Avllazagaj, Selim Allajbeu, Dalip Beja, Lekë Pashuku, Paulin Marku, Gjon Dedgjoni, Fran Lleshaj, Artan Pulaj, etj. Në këtë bazë kanë shërbyer kuadot e specialistët S.Dule, M.Qorduka, K.Dhima, S.Nako, A.Shalari, K.Çito, T.Kola B.Shehu, Sadulla Elezi, Ziso Anastasi, Naim Brozha, Asqeri Daja, Fatmir Deda, Adem Zyberi, Ibrahim Juba, M.Trebicka, T.Gerveni, Kujtim Bregu, Selim Allajbeu, Ligor Papaligori. Shkëlqim Celami, S.Çelmeta, Y.Pashollari, Kastriot Dosti, Skënder Haruni, Agim Molla, Jak Boçi, Avni Ponari, Adriatik Avllazagai, Kujtim Caka, Nuri Koçia, A.Shtjefni, Shyqyri Murra, Petrit Kola, Binak Cenaj, Kapllan Xhihani, Pandeli Cala, Akil Meta, Vlash Doda, Salvator Toma, etj. Mbas v.‘90, baza u reformua dhe u përshtat në përputhje me misionin e ri të FD, fillimisht si Distrikt Detar, pastaj vendbazim dhe aktualisht vendqendrim i FD. Dhe repartet Bregdetare të Tales, Kalasë e Rërës së Hedhur u bënë pjesë e këtij vendbazimi, ku kanë shërbyer me devotshmëri kuadrot:-Enver Kafeja, Ali Omeri, Tish Tuku, Lutfi Hasani, Pjetër Ndoci, Gjon Leci, Gjon Dedgjoni, etj.  

Po cmund të jetë kjo bazë tani? Një kompleks Ushtarak-Historiko-Turistik. Pse JO?

Gjatë viteve të fundit efektivi i reduktuar i bazës është përpjekur për të ruajtur territorin e bazës por dhe zbatimin e detyrave në det. Me punë ata e kanë mirëmbajtur atë duke shpresuar në të ardhmen e saj. Krahas kësaj kapter Tonin Pepa bashkë me operatorët e Qëndrës së Vëzhgimit Detar, jep pandërprerje informacion mbi situatën detare në zonën veriore. Por s’mjafton me kaq sepse ky vendbazim ka dhe anije të gatshme të Rojes Bregdetare, të cilat në mëse 5 raste kanë ndihmuar anijet e peshkimit të rrezikuara në bashkëpunim me policinë kufitare. Në këto operacione kanë marrë pjesë disa kuadro si Kapiten i Rangut të III-të Rezart Bajollari, Kap.Lt. Ilirjan Asllani, Ervin Mucka, Aranit Demce, major Gjon Dedgjoni, n/oficerët Fran Lleshaj, Hilë Marku Sabri Idrizi, Skënder Elezi, Florian Tafaj, Shkëlzen Hoxha, Akustin Dragaqi, Selman Hamza, Hysen Peposhi, Agim Tahiri, Ilirjan Pali, etj. Komanda e Forcës Detare e ka parë domosdoshmëri mbajtjen e anijeve të gatshme në këtë bazë, pasi kontrollohet gjitha trafiku nga derdhja e Bunës deri në Rodon. Ndërkohë që nga viti në vit shtohet transporti, peshkimi, turizmi, gjë që kërkon rritjen e sigurisë detare. Ndaj anija “Lissus” e ka strehën e vet në këtë bazë. AP “Lissus” ka zhvilluar stërvitje bordimi, manovrim, furnizim në zonën e saj të përgjegjsisë. Ajo tashmë molet e bazës i ka si shtëpinë e vet. Cdo vizitë të saj qytetarët shëngjinas e shohin si forcim të pranisë së shtetit, ndaj shohin nga afër cdo hyrje dalje të saj dhe kanë dëshirë ta vizitojnë, ta prekin. “Lissusin” ata e shohin si qytetarin më të ri, një vlerë të shtuar të bazës dhe qytetit. Njëkohësisht ata mirëpresin dhe djemtë e kësaj anije simbol për zonën. Forca Detare zhvilloi vitin e kaluar një aktivitet mbresëlënës me detarët e Sarandës për të promovuar anijen “Butrinti”. Gjykoj se një aktivitet i tillë duhet zhvilluar dhe me anijen “Lissus” në Shëngjin. Banorët e saj e presin me padurim. Mjaft qytetarë kishin dëshirë të vizitonin “Lissusin”, e quanin si pjesë të tyre jo thjesht nga emri, por për faktin se Shëngjini për numur popullsie ka më shumë detarë. Por ndërsa shoh gatishmërinë e këtyre njerzve për gjithëshka që lidhet me detin, pamja që të afron infrastruktura e bazës le për të dëshëruar. Të them të drejtën e kam vizituar bazën për mbi dy dekada, por këtë rallë ndjeva trishtim. Ka disa vite që sipërfaqja e bazës është tkurur, duke i rrëmbyer nga një copë kush të mundet. Trajtimi i pronave ushtarake gjatë këtyre 25 viteve ka qenë një turbullirë ligjore dhe administrative. I vetmi ligj i mirë dhe VKM, ka qenë ai i vitit 1992, për të mundësuar strehimin e ushtarakëve në disa objekte ushtarake gjysëm të rënuar, zgjidhje emergjente. Por dhe kjo ishte gjysmake, pasi ata mund të privatizonin vetëm truallin e shtëpisë dhe për të dalë në rrugë duhet të fluturonin. Nga kjo kanë përfituar shumë pseudopronarë, që në kohën e sistemit monist kur kërkonin punë në adminstratë ose pranoheshin në parti, deklaronin se s’kemi një cm2 tokë. Tash me dëshmimtarë të blerë kanë përfituar vend e pa vend. Në trajtimin e pronave ushtarake nuk ka pasur vizion, projekte dhe masterplane transformuese për to nga lidershipi ynë politiko-ushtarak, gjë që i le vend spekulimeve. Janë hequr nga puna specialistë inxhinjerë e topografë që mund ti jepnin drejtim këtyre punëve. Nga mosshrytëzimi i tyre shteti shqiptar ka humbur dhe humbet miliona. Mjaft prej tyre mbas viteve ’90 mund të ishin bërë dhe baza të NATO-s, por politikuejtë tanë vazhduam avazin, hidhnin vickëla. Disa ushtarakë që i parashikuan këto zhvillime nuk i dëgjoi kush. Tani NATO ka avancuar për shkak të situatave, kushteve e strategjive të reja, ka shtete të tjera në lindje që i falin baza të tëra, ku e ku me tonat. Ndaj tani ne duhet të përpiqemi vetë për ti transformuar e për ti bërë ato atraktive, jemi të vonuar. Në rastin konkret Baza e Shëngjinit mund të kthehet në një Kompleks Ushtarak-Historik-Turistik. Ka pozicionin dhe kushtet më të përshtashme për këtë. Në fakt pata hedhur një ide 15 vite më parë për të bërë një muzeum të luftës së ftohtë në Vlorë, por këtu mund te realizohet më lehtë. Me nje grup pune të përbërë nga topografë, ekonomistë dhe historianë ushtarakë mund të realizohet një projekt tepër dobiprurës për shtetin shqiptar, duke përshtatur infrastrukturën e tij për këtë qëllim. Rifreskimi i infrastrukturës nuk mund të bëhet në mënyrë empirike, por mbi masterplane të rregullta gjeohartografike, ku të shpaloset e gjithë hapësira e marrë në studim, dokumente që shpalosin zhvillimin e saj në të ardhmen. Një masterplan i kësaj baze duhet të shtjellojë në pamje dhe shtrirje, planin afatgjatë të mjediseve, planin e vendosjes e përshtatjen e ambienteve për një kompleks të tillë. Ai është një studim i gjithanshëm që ka dorën e modelimit nga specialistët topografë, hartografë, urbanistë e historianë ushtarakë. Theksoj ushtarakë, se ne kemi pasur një elitë ushtarake që qëndronte e qëndron shumë më lart intelektualisht se zboristët e Mamurrasit. Nga një vëzhgim dhe përllogaritje e thjeshtë, duke pasur eksperiencën e muzeve të këtij lloji në vendet e NATO-s, unë i them opinionit se vetëm tre muajt e verës shteti shqiptar mund të futë në arkën e tij nga 40 milion lekë të reja në muaj, ndërsa muajt e tjerë 5 deri në 10. Përfitimet janë të shumta. Ne, në një mol mbajmë anijet e gatshme, “Lissusin”, “Archangelat”, etj. dhe hapësirat e tjera i shfrytëzojmë për muzeun dhe ambiente për turistët. Atje ke cfarë të tregosh. Dhe në ato kushte mjerane kishte interes. Pashë që nëpërmjet repartit, tokë shtetërore, kalonin mijëra makina në ditë për tek “Rëra e hedhur”. O zotëri, të kalosh traun e e repartit duhet të paguash një taksë, e jo të bësh karshillëk! Këta persona që tek hotelet lenë dhjetëra mijëra lekë, se kanë problem ti paguajnë shtetit 2-3 mijë lekë të vjetra. Pra, kjo është C-ja e famshme, kapitali fillestar, që ne e lëshojmë kot! Duke zbatuar politika të tilla ekonomike mund të riparohet krejt infrastruktura e bazës dhe të kompesohen dhe disa pronarë të ligjshëm atje. Me një Kompleks Ushtarak-Historik-Turistik mund të thithen mijëra turistë të huaj, njëherësh punësohen dhe dhjetra qytetarë të Shëngjinit. Nqs bëhet kjo, bashkë me përmirësimet në infrastrukturën e qytetit dhe masa të tjera në nivel lokal e rajonal, Shëngjini mund të konkurojë Ulqinin.

Mes detarëve të vjetër e të rinj

Vërtet ky qytet historik ka shumë pasuri natyrore, detare, ekonomike, por në të vërtetë pasuria më e cmuar e tij janë detarët e tij, që janë bërë të tillë mbasi kanë shërbyer në bazën ushtarake detare të Shëngjinit. Këta bij të detit i gjenje kudo në Shëngjin, në anijet luftarake, të peshkimit, tregtare, në forcat e sigurisë së portit, në sigurinë e hoteleve, menaxherë e pronarë lokalesh. Nqs para viteve ’90, baza i jepte frymëmarje qytetit, tani janë detarët shëngjinas që i japin frymëmarje këtij qyteti në të gjithë arteriet kryesore të këtij sezoni turistik. Ata përbëjnë shtresën më punëtore, profesionale dhe mikpritëse të këtij qyteti të vogël, duket se baza i ka shërbyer si shkolla më e mirë e jetës. Atë buzëmbrëmje gushti mbasi përshëndes rojen e postbllokut Pr-2 Ilirjan Pali, nën shoqërinë e kapiten Silvanit, shëtisim në rrugën kryesore të Shëngjinit, të mbushur me lokale të shumta. Në fakt unë desha të bashkoja një kapiten të vjetër dhe të ri. Në lokalin e Prel Stakaj, marinar i vjetër, na pristë kapiteni i vjetër Selim Allajbeu, ish komandant i bazës dhe poet. Bashkë me kapitenin e vjetër ishte dhe Kapllan Zhejani,{xhaxhi, si i thërasin të gjithë} një nga dashamirësit më të mirë të detarëve. Kapllani një qyetar i nderuar në Shëngjin e Flotë, ishte shoqëruar nga djali i tij i madh Melsi, tashmë emigrant në Angli me fëmijën e tij shqiptaro-angles, Majells. Biseda rrjedh natyrshëm për punën, shëndetin, detarinë, bazën, pushimet, etj. Ka një vecori tash në verë më thotë xhaxhi, lezhjanët shkojnë në Shirokë, shkodranët vijnë këtu. Ne hajm karas për krap, ata hajnë kancelat për peshkdeti. Duke dëgjuar këto biseda, me atë shqipen e thjeshtë Majëllsi i vogël i thotë Kapllanit, -o gjysh, unë do bëhëm kapiten shqiptar! Po! ja kthyem njëzëri. Madje që nesër do jesh mik tek anija “Lissus”. Me  ndjesinë dhe ëmbëlsinë e këtyre fjalëve të djaloshit anglo-shqiptar Majells, vazhdojmë shëtitjen atë buzëmbrëmje. Pushues të shumtë shijonin jodin dhe kënaqësinë që të jep një natë shëngjinase. Me fjalët, sjelljen, veshjen dhe ecjen e tyre përpiqeshin të ishin vetvetja. Në fakt Shëngjini më tepër të afron rërën e vecantë dhe gatimen e prodhimeve të detit, sepse mundësitë e tjera për argëtim janë të kufizuara. Pamvarësisht kësaj në fytyrat e tyre shprehej kënaqësia që për pak ditë ishin në Shëngjin. Por koha e miqve të mi ishte e kufizuar dhe ndërsa Silvani shkoi në anije, Selimi me Kapllanin kishin miq në shtëpi. Kështu i uruam natën e mirë, njëri-tjetrit. Në shëtitoren “Wilson” po më prisnin përsëri miq të vjetër. U gëzova që emrin e portit “Wilson” tani e mbante shëtitorja kryesore. Detarë të tjerë do ishin pjesë e kësaj shëtitje në këtë mbrëmje të bukur. Qyteti ruan bukurinë e tij karakteristike në cdo stinë të vitit. Erërat e forta në dimër kombinohen me mikroklimat e natyrën e qytetit bregdetar verior. Kështu bashkë me kapitenët Skënder Haruni, Nazmi Shahini, Idriz Byku dhe Festim Zotaj, vazhduam ta shijonim atë mbrëmje gushti plot vapë. Skënderi ka shërbyer shumë vite si oficer në bazën e Shëngjinit, madje dhe familjen e ka pasur në këtë qytet deri vonë. Ai bashkë me këta detarë tani shërbejnë si oficerë lundrues në anijet tregtare “Koravi” dhe “Bergfjord” me pronar Mark Gjinin, {Pukjani}, të cilat po përpunoheshin në port. Atje me shërbim ishin dy marinarë me përvojë Mikail Suku dhe Agron Curri. Kapiteni kujton marinarët e bazës, kurorën me pisha në sistemin kodrinor të qytetit, e cila u mboll nga efektivi i bazës në vitin 1980. Por gjurmët e marinarëve të bazës së Shëngjinit ndjehen kudo, thotë ai. Para 40 viteve gjetëm një qytet me baraka të vogla ku strehoheshin peshkatarë të vjetër dhe barinj, por tepër mikpritës e miqësorë. Në disa dekada ngritën një qytet të bukur me detarë e banorë të arsimuar nga gjithë vendi. Ata kanë marë dhe kanë dhënë në këtë qytet ashtu si enët komunikuese. Ndërsa morën erën dhe valët e detit, dashurinë dhe miqësinë e malsorëve të Shëngjinit e rrethinave, i dhanë qytetit-port rininë e tyre, vlerat më të mira profesionale e qytetare, ndanë me komunitetin hallet, dijen dhe kulturën e fituar në vite, duke e formësuar në bërthamën e tij këtë qytet të vjetër. Mjaft detarë të bazës pamvarësisht se nga rrethe të tjera kanë zgjedhur të jetojnë në Shëngjin, ku janë integruar me aktivitetin e këtij qyteti. Mos haro të përmendësh një njeri human, peshkatarin e vjetër Ndrecë, thotë Skënderi, për më shumë gruaja e tij infermjere i ka shërbyer ditë e natë familjeve të detarëve. Me këto tregime të Skënderit, koha kaloi dhe akrepat po shënonin 24.00, kështu që u përshëndetëm bashkë dhe unë ju drejtova “Lissusit”, ndërsa ata  anijes “Koravi”. Takime dhe vizita të tjera na prisnin të nesërmen. Kështu mbas disa orëve gjumë dhe kafes së mëngjesit me djemtë e “Lissusit” nën shoqërinë e një kuadri të vjetër të bazës rreshter Akostin Dragaci, bëhem përsëri pjesë e qytetit. Marinarë të tjerë na përshëndesin. E shoh që mbajnë gjallë shumë nga tradita e detarit dhe zakonet e shqiptarit. Sapo hymë në portin e vogël të qytetit, pamë që herët në mëngjes kishte filluar puna dhe ndihej zhurma e punonjësve të tij, shumica ish marinarë të bazës. Ata shërbejnë tashmë në kapitenerinë e portit, ekuipazhet e anijeve tregtare, peshkatore, rimorkiatorëve, policinë portuale, antikontrabandën detare, etj. Zanati i fituar në vite i ka ndihmuar të integrohen në vendet e punës që afron porti i Shëngjinit, por dhe institucionet detare të tij. Porti i Shëngjinit ka përmirësuar kapacitetet e tij përpunuese në sajë të disa projekteve të realizuara vitet e fundit. Atë mëngjes një anije po shkarkonte cimento rifuxho, disa peshkatore po kalonin skalierën e portit për gjuetinë e radhës, dhe njerzit mbas kafes së mëngjesit po i drejtoheshin punës së ditës. Kapitenët e portit Ilir Shahini, Gjin Nikolli e kolegë të tjera ishin në krye të detyrës. Por miq të detit dhe detarëve  në Shëngjin tashmë janë dhe dashamirës të hershëm të detit që kanë krijuar dhe biznese të lidhur me të. Një nga këta është dhe zoti Gjergj Luca. E kam ndjekur Gjergjin shpesh herë në debatet televizive të zhvilluara për ceshtjet e peshkimit dhe më ka pëlqyer qetësia, mëncuria dhe profesionalizmi me të cilën ai ka diskutuar këto  probleme të rëndësishme për pasurinë detare të vendit. Në fakt kontaktin e parë e bëmë me dy anije të kompanisë së tij që gjuanin në  rajonin e lejuar për peshkim. Anije të reja, të bukura, delfinë të flotës sonë të peshkimit. Dëshira për të takuar këtë njeri na u shtua rastësisht, kur djemtë e anijes “Lissus” në mëngjes po ndiqnin një film të kaluar, ku baba i Gjergjit, Ndreka luante në një nga rolet e pakta si personazh pozitiv. Pa dyshim që ky artist i madh me nivelin artistik e origjinalitetin e interpretimeve të tij ka krijuar një galeri rolesh që do ruhen gjatë në memorien e shqiptarëve. Me përshtypjen e disa roleve të tij ju drejtova lokalit “Rozafa”, rreth 100 m nga postblloku i bazës, ku Gjergji, djali i Ndrekës  menaxhonte punët e shumta të biznesit të tij. Është e vështirë që këtyre njerëzve ti marësh sadopak kohë të lirë. Dhe sikur një anije të kesh në det ke probleme, e jo më të drejtosh disa të tilla bashkë me aktivitete të tjera komplementare. Mu duk shumë i qetë psikologjikisht në raport me punën e tij si menaxher i një kompanie të fuqishme peshkatore, që se has tek bisnesmenët e tjerë. Detarë dhe pushues shijonin kafen e paradites në lokalin e tij. E shkëputa për disa minuta nga punët e tij të shumta për ti tërhequr disa mendime si qytetar që e ka lidhur jetën me Shëngjinin, detin dhe peshkimin. Me Shëngjinin më lidh jo vetëm aktiviteti por dhe dëshira ime e kahershme për detin, më thotë Gjergji. Vë re një përmirësim të situatës peshkimore këto vite, por prapë ka shumë për tu bërë. Është i domosdoshëm forcimi i ligjit në det, ashtu si po forcohet me pyjet, drogën, etj. Moszbatimi i ligjit, gjuetia e paligjshme me trata fundore, dinamit, e kanë varfëruar e masakruar peshkun në ujërat tona. Ndaj ka ardhur momenti që ne duhet të bëjmë një ndarje të plotë nga kjo situatë, duhet të përfshihen dënime me burg për shkelësit e ligjit. Po ashtu duhet përmirësuar kuadri ligjor i regjistrimit të anijeve, marja e matrikullit të detarit, mbas një ekperience në det, p.sh. 3 muaj, jo thjesht mbas kurseve të caktuara. Ngritja e një komisioni të vecantë testimi për të gjitha nivelet e detarëve deri tek kapiteni, ku mund të merret dhe mendimi i pronarëve të anijeve. Nuk e di cfarë po bëhet për ringritjen e shkollës së peshkimit, se ajo do jetë bazë për ekuipazhet e anijeve tona. Më mirë se ci njohin problemet e peshkimit këta njerëz që merren direkt me këtë aktivitet s’ka person tjetër. Peshkimi ka shumë halle e probleme, më shpjegon Gjergji, që nga legjislacioni, administrimi, riparimi i anijeve, ndaj është domosdoshmëri zhvillimi i një programi kombëtar për ruajtjen dhe administrimin e resurseve të peshkimit. Këto masa duhet të parandalojnë peshkimin e paligjshëm, krijimin e rezervave peshkimore, duke siguruar ruajtjen e zhvillimin e resurseve kombëtare të pasurisë ihtiologjike. Natyrisht për realizimin e këtij programi lypset një bashkëpunim efikas i gjithë institucioneve shtetërore me bisneset e subjektet private që ushtrojnë këtë veprimtari. Shëngjini me rrethinat e veta përbën dhe një zonë të rëndësishme turistike, ndaj para se të ndahesha i kërkova një mendim për këtë ceshtje zotit Luca. Ka nevojë për një mentalitet bashkëkohor, përmirësim të shërbimit, specialistë që të sjellin dicka të re në këtë sektor, thekson Gjergji. Ka cmime të larta në hotele e artikuj, në mjaft shërbime, gjë që i largon turistët. Në mjaft raste investimi i kryer nuk i përgjigjet me shërbimin profesional e cilësor. Është e njëjta situatë që përjetoi zona e Jugut, Saranda, para 4 vitesh. Sivjet atje po shkojnë më shumë njerëz, pra, kanë korigjuar shumë në cmime e cilësinë e shërbimit, se natyra është e ngjashme. Për turizmin në Shëngjin është domosdoshmëri përgatitja profesionale dhe kontrolli i shtetit për shërbimin dhe cmimet, se kjo situatë i le vend abuzitetit. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë ata që meren me këtë biznes. Në të gjitha këto zhvillime rol të vecantë ka dhe porti i Shëngjinit, i cili duhet ti paraprijë perspektivës së kësaj zone dhe të shndrrohet në një port jahtesh, peshkimi dhe tragetesh, që të bëjnë linjën më të afërt me Italinë. Për këtë ka studime dhe masterplane efikase. Dhe politika duhet të jetë më largpamëse, të mos verë kushte për biznesmenët, se këta njerëz janë pasuri e vendit, dhe ju intereson më tepër puna e tyre se politika. Këto më tha ato ditë të nxehta Gushti, qytetari dhe presidenti i kompanisë “Rozafa”, zoti Gjergj Luca. Me këto mendime vazhdova rrugën tek shëtitorja “Wilson” ku takova përsëri marinarë, shokë dhe miq që gjallërojnë në cdo stinë të vitit këtë  shëtitore me emër domethënës. Më priste Kapiten Selimi, i cili e filloi karrierën në këtë bazë dhe e mbylli komandant i saj Ai shpesh  bëhet pjesë e detarëve tanë në bazë dhe anijeve të Flotës. Kapiteni gjendet shpesh mes tyre, i këshëllon, tregon kujtime, por prezanton dhe poezitë e tij më të reja. Zoti Allajbeu ka botuar 4 vëllime me poezi dhe së afërmi do botojmë së bashku një buqetë letraro-artistike për detin. Këtë buqetë do ja dhurojmë detarëve shqiptarë më 25 dhjetor, në kuadrin e 90 vjetorit të krijimit të Flotës sonë Luftarake. U rikthyem përsëri në bazë dhe mbasi vizituam ambientet e saj u ulëm në zyrën e dikurshme të komandant Selimit ku muza e tij poetike na dhuroi këto vargje të bukura:

Lidhur fort me detin

Jeta zhurmë dallgësh dhe kaltërsi na u mbush,

Sytë me ujë të kripur i kemi larë,

Dhe, kur deti është sjellë ashpër me ne,

Prapë kemi thënë, deti s’ka të sharë.

Përkundrazi, jemi lidhur fort me të,

Lëndinave të kaltëra rrëshqasim pa gjumë,

Ballin stolisur me dritë yjesh,

Zemrën me buzëqeshjen e bardhë shkumë.

Ndodh që kthehemi “të vrarë” nga deti,

Sërish guxojmë për ditë të reja.

S’na shkon ndërmend ta braktisim kurrë,

Aty mbushemi me farë betejash.

Mbase kjo mund të ndodhte,

Me cdo njeri, ka të ngjarë,

Fola me zemrën e detarit plak,

Detin e kujton si dashurinë e parë….

Shpirti poetik i kapiten Selimit është i lidhur përjetsisht me detin, ndaj ai kalon një pjesë të kohës mes detarëve të bazës ku kaloi gjysmën e jetës. Kur u nisa për në shkollën e marinës në Vlorë, gjyshi im Shaqiri më tha, të qoftë udhë e mbarë o bir! deti është një gjë që e pastron veten, s’ka më mirë, ndaj bëhu pjesë e tij, kujton kapiteni. Por dhe ambienti që e rrethon kapitenin është i mbushur me tregime për detin. Vërtet ka plazh të bukur Shëngjini, por mbi të gjitha ka marinarë të zotë e bujarë. Madje në raport me numurin e popullsisë, numuri i marinarëve këtu është më i lartë se në cdo qytet tjetër bregdetar të vendit. Ata i gjen kudo dhe në kuptimin e mirë të fjalës krahas natyrës, relievit e klimës, marinarët janë një tjetër pasuri e zonës së Shëngjinit. Kuadrot dhe detarët që kanë shërbyer në bazë e jetojnë në këtë qytet, kanë dëshirën dhe merakun të shohin anije të mirmbajtura e marinarë me uniformë të bukur, një bazë të vogël që do e monitorojë hapësirën detare në bregdetin verior. Ata shpresojnë dhe besojnë në të ardhmen e vendbazimit Shëngjin, të portit e qytetit, me një histori të ndritur të kombit shqiptar. U ndava me miqte e mi detarë të Shëngjinit me premtimin se do shkruaj përsëri për ata.

Literatura

Qytetet mesjetare gjatë Rilindjes, Prof. Zija Shkodra.

Historia e Popullit Shqiptar, vëll. I-rë, Tiranë 2002.

Historia e Popullit Shqiptar, vëll. II-të, Tiranë 2002.

Antologjia e Detarisë Shqiptare, vëll. I-rë, Tiranë 2012.

Antologjia e Detarisë Shqiptare, Vëll. II-III-të, Tiranë , 2013.

Hecquard Hyacinthe,-Histoire et description de la Haute Albanie ou Gueguerie, Paris,1858.

Shënim: ky reportazh i zgjeruar do jetë pjesë e Vëllimit të IV-të të Antologjisë së Detarisë Shqiptare, e cila është në proces.

Shefqet Kërcelli, ishushtarak, studjues, historian, gazetar, operator. Bashkëpunëtor i “Dielli”-it në Shqipëri.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: drejt portit, Me anijen Lissuss, Wilson

Shqiptar dhe shqa…, historia mes shqiptareve dhe serbeve

September 10, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
Edhe pse ishin shqiptar, deri tash iu është “holluar” aq shume gjaku i pasardhësve, sa nuk  do te diskutojmë mbi çfarëdo gjeje të rilidhjes me ta ,dhe se këtu askush nuk po kërkon vëllazërim apo bashkim me shkije por po bisedojmë me te dhëna dhe burime historike si u formuan serbët  si  komb , andaj është mirë ti dimë proceset e asimilimit te popullatës shqiptare qe për fat te keq  ka qenë plagë e rëndë të cilin ende nuk kemi arritur ta zbërthejmë. Pra ka te bëjë edhe me atë, arsyeja e ndarës se kishës,.sepse ne një moment historik, gjatë kohës se ‘çlirimtarëve’ otoman, popullata jonë ortodokse , i ka pasur vetëm dy mundësi: te mbetet ortodoks, dhe pasta te sllavizohet ( jo të gjithë ), ose te islamizohet, ‘turqizohet’ , qe kinse te shpëtoj nga sllavizmi..
Shkijet ( shqiptarët ortodoks ) e Prizrenit  Auguste Léon, 1913 
“Tregu i librit shkencor sapo u pasurua me një studim të ri etnolinguistik: “Shqiptar dhe shqa. Histori popujsh përmes dy emrave etnikë” i Bardhyl Demirajt, nga Shtëpia botuese Naimi. Bardhyl Demiraj na paraqitet gjithnjë e më shumë si studiues i shumanshëm në fusha të ndryshme të albanologjisë…Libri i fundit është një triptik studimesh të mirëfillta etnolinguistike ku shqyrtohen tema që kanë të bëjnë me “çështjen shqiptare” dhe që vijojnë të ngjallin diskutime në debatin intelektual-albanologjik të sotëm. Lënda ndahet në tri pjesë: I. Emri etnik shqiptar, II. Shqau ndër shqiptarë, III. Dy popuj në kontakt, trevat shqiptare në Mesjetën e hershme. “( prof. Anila Omari )
“Një metodologji që ndiqet në studimin e emrit shqa me të cilin shqiptarët kanë emërtuar fqinjët sllavë qysh nga kontaktet e para me ta e deri në kohën tonë, kur ky emër ka mbetur tashmë në përdorim të ngushtë krahinor e madje nuk është përfshirë as në fjalorët e shqipes së sotme. “    Sa ka të vërtetë në këtë  çka na “shkruan “ Prof . Anila Omari ,për librin e Prof. Bardhyl Demirajt?
Pa shkuar më tutje , vetëm me këtë që u tha më lartë ,ia mohojmë vetvetës një pjesë të madhe të historisë dhe “ i  varrosim “ me gjenerata të tëra shqiptarësh ortodoks që
“lindën “  pas  ndarjes se Kishes Lindore nga ajo Perëndimore.“Sllavët “ e ardhur të pas shek. VI-të as që kishin emër e lere më se ne gjëja i paske quajtur “shka- shkije “. E kemi këtë  “ide “  nga mosdija apo qëllimi  i keq ?
Vetëm përzgjedhja e shpjegimeve nga Mikloshiqi dhe Majeri për këtë , të vë në dyshim qëllimin e këtij libri: “Një aspekt i rëndësishëm i studimit është edhe hetimi i prejardhjes së fjalës, nëse është huazim nga greqishtja bizantine (Miklosich) apo latinishtja mesjetare (Meyer), ku mbështetet teza e latinishtes, edhe me një argument të ri të ndërtimit të trajtës së femërores së fjalës (shkinë, shqinë, shqirë, shklirë “sllave”) nga një bazë paradialektore e cila nuk mund të shpjegohet veçse si huazim nga latinishtja. (Anila Omari ).

Autori sjell një material të përmbledhur dokumentar dhe të dhënat dialektore rreth përhapjes dhe përdorimit të këtij “ Emri Etnik “  së bashku me çerdhen e tij leksikore në të gjitha trevat e shqipes, ku vihen re dukuri fonetike dialektore të vjetra, si ruajtja, përkatësisht zhvillimi i grupit bashkëtingëllor /kl/: shkla (arbërishte e Greqisë, e Italisë, e Ukrainës), shkjâ (geg. veriore), shqa (geg. jugore, tosk.), si dhe kuptime të ndryshme nëpër dialekte (“sllav i Jugut”; “malazez”; “serb”; “bullgar [= maqedonas]”; “sllav ortodoks”; “grek” te arvanitasit e Greqisë) ose në përdorime të kufizuara e të rralla (si p.sh. kuptimi “shërbëtor” në ndonjë shprehje popullore).
Do me thënë pa asnjë brengë shkencore ne shqiptarët ortodoks iu falim serbëve duke e emërtuar  “shkaun” (shqiptarin ortodoks ) si “ Emër  Etnik “   E krijuam një etni të huaj të pa qenë, e përjashtuam një pjesë të kombit , duke ia mveshur  “serbëve”.
Me sa mend? Anila Omari dhe autori Bardhyl Demiraj na “ bindin “ që “studimi  shpjegon përhapjen e etnonimit shqiptar si reagim vetëmbrojtës i etnosit shqiptar për tu dalluar nga popujt fqinjë “  Qesharake , nga dy studjues të njohur dhe të mëdhenj !

 Eshtë shumë e gabuar , nëse mendojmë që “studimi i prejardhjen dhe historinë e etnonimit shqa qysh nga dyndjet e para sllave në Ballkan dhe gjatë bashkëjetesës e fqinjësisë prej më shumë se 15 shekujsh të shqiptarëve me popujt sllavë të Jugut “
Sa gabim e konkluduar nga Prof. Bardhyl Demiraj :

Se shqiptarët janë “ ushqyesit “ më të mëdhenj të fqinjëve tanë ,kjo është e dokumentuar. Se shqiptarët janë edhe formues të shtetit të fqinjëve ,kjo është më së e vërtetë. Në rrethin tonë fqinjësor që nga Mali i Zi, Serbia dhe Greqia shqiptari ishte faktori kryesor shtetformues. Në kohën e largët disa shekuj apo disa dekadash ne jemi ata që në mënyrë direkte  apo indirekte i formuam këto shtete. Kush ndikoi që shqiptari të mohon vetveten dhe të vihet në krye të formimit të shteteve fqinj? Si dhe pse u zhvilluan rrethanat që shqiptari të behët edhe vrasës i vëllezërve të vet edhe pushtues i tokave të veta nën flamurin e tjetër kujt? Një pyetje mjaft e vështirë për t`u përgjigjur, por që duhet pa tjetër t`i përgjigjemi.
Ja se çka mohon studjuesi ynë , që paska filluar edhe ky  të del si buka  pa tharm:

Prof . Bardhyl Demiraj ne thotë haptas , që në fillim të librit:

Zakonisht tendencat mohuese të kombit dhe historisë sonë , nuk i komentoj më gjat; sepse ato”studime” ndjellin të keqën kombëtare

Fahri Xharra.10.09.15

Gjakovë

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Bardhyl Demiraj, dhe serbeve, historia mes shqiptareve, Shqiptar dhe shqa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3557
  • 3558
  • 3559
  • 3560
  • 3561
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT