• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Të gjithë reagimet për Kishën e Dhërmiut

August 26, 2015 by dgreca

Basha: Edi Rama rrëzoi natën Kishen e Dhermiut, si Enver Hoxha/
Reagon Lulzim Basha per shembjen e Kishes ne Dhermi. Ja se çfare shkruan lideri i PD-se ne Facebook:
Ne emer te Partise Demokratike dënoj ashpërsisht dhunën e Edi Ramës ndaj objektit të kultit në Dhërmi.
Në errësirë, pa transparencë, pabesisht, Edi Rama shembi me forcen e INUK atë që konsiderohet nga komuniteti i Dhërmiut si objekt kulti.
Zgjidhja e pretendimeve duhej të vinte vetëm përmes bisedimit, përmes dëgjimit të banorëve dhe angazhimit bashke me ta per te marre hapat e duhur me respekt te plote ndaj vlerave dhe te vertetave historike por edhe ndjeshmerive reale te banoreve dhe besimtareve te Dhermiut e te gjithe Shqiperise.
Shembja me forcë e objektit të kultit është e papranueshme dhe sidomos në shoqërinë tonë kur plagë të tilla janë ende të freskëta në ndërgjegjen e besimtarëve.
Dua të theksoj se kjo është një cështje e Shqipërisë dhe e qytetareve shqiptarëve, e komunitetit dhe e banorëve të Dhërmiut dhe e askujt tjetër.
Por kjo kërkonte një rrugë vetëm paqësore, një zgjidhje si rezultat i bisedimit dhe jo i dhunës.
Shembja me INUK e kishës është një akt armiqësor i Edi Ramës, një shprehje e arrogancës e mënyrës së tij të qeverisjes që nuk merr në konsideratë qytetarët, nuk dëgjon zërin e tyre.
Jo shumë larg nga aty Koço Kokedhima, deputeti i tij i privilegjuar, ka dëmtuar pasurinë kombëtare, bregdetin e të gjithë shqiptarëve me një ndërtim që ka shkelur 10 ligje e dy plane urbanistike, por ato saraje nuk prishen. Sepse në fakt, këto saraje, simbole të korrupsionit, abuzimit dhe të përfitimit nga pushteti, janë kulti i Edi Ramës, janë i vetmi besim i tij.
Kjo është një ngjarje e rëndë që i kujton edhe një herë shqiptarëve se sa barrë e rëndë është bërë Edi Rama dhe qeveria e tij, që prish, shemb e shkatërron, dhe nuk sjell zhvilllim, nuk ndërton, nuk punon për aspiratat e qytetarëve.
I bej thirrje te gjitha forcave politike te vendit, perfaqesuesve te te gjitha besimeve ne Shqiperi, personaliteteve te kultures, shkences, artit, medias dhe shoqerise civile te bashkohen ne denimin pa asnje medyshje te ketij akti te shemtuar dhe barbar.
Komiteti Shtetëror për Kultet: Kisha e Dhërmiut nuk cënon harmoninë fetare
Edhe Komiteti Shtetëror për Kultet ka reaguar në lidhje me çështjen e Kishës së Dhërmiut.
Kështu, kreu i këtij institucioni, Ilir Dizdari tha për mediat se çdo institucion vepron në korrektësi me ligjin.
Ai u shpreh gjithashtu se ende nuk kanë informacion zyrtar nga Kisha Ortodokse, por se kjo ngjarje gjithsesi, nuk e cënon harmoninë fetare.
“Po mbledhim informacionet e nevojshme. Nuk kemi shkresë zyrtare nga Kisha Ortodokse. Kuptojmë ndjeshmërinë e banorëve të zonës. Ngjarja nuk cënon harmoninë fetare. Harmonia fetare është produkt i sakrificave të shqiptarëve”, është shprehur Dizdari.

Shembja e kishës, deputetët e PD-së takojnë banorët e Dhërmiut/

Deputetë e Partisë Demokratike kanë takuar sot banorët e fshatit Dhërmi të Vlorës.
Në fokus të udhëtimit të Arben Ristanit dhe Aldo Bumçit drejt Dhërmiut ka qenë bashkëbisedimi me banorët e fshatit në lidhje me kishën e shumëpërfolur.
“Jemi kthyer në kohën e diktaturës së Enver Hoxhës kur dhunoheshin besimtarët dhe prisheshin kishat”, – ka thënë deputeti demokrat Ristani, njëkohësisht Sekretar i Përgjithshëm i PD-së.
Deputetët e kanë cilësuar gjithashtu ngjarjen e Dhërmiut si ‘strategji të dyshes Kokëdhima-Rama për të larguar vëmendjen nga aktualiteti’.
Nga ana tjetër, Ristani theksoi se është shembur një vend i shenjtë siç është kisha e Shën Thanasit.

KOKDHIMA: E vërteta ime për kishën në Dhërmi/
Bashkia e re e Himarës është sigurisht një nga evenimentet më të bukura të Reformës Territoriale e Administrative. Bashkia e re u ngrit mbi trojet e Himarës historike. Për qindra vjet, Himara bregdetare dhe Labëria kanë qenë një krahinë. Krahina e Himarës është një nga krahinat më të lavdishme të Shqipërisë.
Këto ditë ka një debat të madh mediatik. Janë në një krah bashkë, të gjithë: Saliu, OMONIA, PBDNJ dhe ca nga klerikët grekë të Kishës Autoqefale të Shqipërisë, ashtu si edhe Ministria e Jashtme e Greqisë. Të gjithë, në një zë, shprehin shqetësimin pse shteti ynë është duke prishur një pllakë betoni atje në Himarë, të ngritur brenda mureve historikë të themeleve të ish-Kishës së Shën Thanasit në Dhërmi, dikur monument kulture. Ne e njohim këtë kishëzë nga një foto e vitit 1942. Ajo u rrënua, si shumë të tjera, në vitet 1970-1980. Gurët e saj në një pjesë të madhe u përdorën për të ndërtuar ujësjellësin e fshatit. Ajo kishë ka qenë shumë e rëndësishme për historinë tonë. Atje meshoi dhe u varros Nilo Katalani, një figurë e shquar e kulturës dhe gjuhës shqipe. Katalani ishte kryesuesi i parë italo-arbërësh i Misionit Bazilian, një mision me famë që kreu aktivitetin e vet në Himarë dhe gjithë bregdetin e Shqipërisë, për gati 3 shekuj me radhë. Këta murgj bazilianë, përgjithësisht ishin shqiptarë, ose ishin vëllezër gjaku me shqiptarët, ishin arbëreshë. Edhe ata që nuk ishin shqiptarë nga gjaku, ishin të shqiptarizuar, sepse të gjithë veprën e tyre e zhvilluan në gjuhën shqipe. Pandashmërisht prej tyre, atje, në Himarën e lavdishme që shtrihej nga vija bregdetare e deri në Kurveleshin e sipërm dhe përfshinte 57 fshatra, u zhvillua Pararilindja e Shqipërisë, Rilindja gjuhësore, letrare dhe kulturore. Kjo i parapriu dhe përgatiti Rilindjen tonë Kombëtare. Rilindja jonë, siç përshkruhet në histori, paraqitet si një rrap madhështor. Por ku i ka rrënjët ky rrap madhështor? Si mund të lindë një epokë nga asgjëja? Dhe nga ku tjetër mund të vinte zgjimi, përveçse nga arbëreshët e arvanitët, të cilët jetonin jashtë sundimit perandorak otoman?
Nilo Katalanin disa e cilësojnë si një ish-prift renegat grek! Katalani nuk është as grek, as renegat, por një figurë që bëri shumë për shqiptarët. Ai është dijetari që bëri gramatikën e parë të gjuhës shqipe. Aq shqiptar u bë në shpirt, sa dhe poezitë shqip i shkroi. Ai është mësuesi që hapi e udhëhoqi një shkollë shqipe, për t’u mësuar shqiptarëve në gjuhën shqipe, katekizmin. Dhe ua mësoi katekizmin, jo vetëm të krishterëve, por dhe myslimanëve. Thuhet se shkroi dhe një doktrinë të krishterë shqip, por Selia e Shenjtë nuk ia miratoi, sepse, siç iu tha, shqiptarët, nga Himara në Kelmend, kishin Doktrinën e Pjetër Budit. Kështu të bashkuar na shihnin atëherë!
Nilo Katalani kishte nxënës nga bregdeti, kishte nxënës nga Kuçi, nga Tërbaçi dhe nga fshatra të tjerë të Himarës. Këta murgj arbëreshë, shqiptarë dhe të shqiptarizuar, bënë vepra të shquara për kulturën e Shqipërisë. Ata zbuluan të parët Mesharin e Gjon Buzukut, ata krijuan shkollat shqipe, ata e pagëzuan Shqipërinë me emrin Shqipëri dhe popullin e saj me emrin shqiptarë. Shqipëria mbeti pa emër në shek. XVII, se të gjithë emrat historikë ishin zënë. Ata gjetën që ky vend fliste shqip e duhej quajtur Shqipëri. Dhe kjo ndodhi në vitin 1703. Këta misionarë e këta murgj, këta njerëz të ditur të asaj kohe, zhvilluan pikërisht iluminimin e gjuhës shqipe dhe shkruan për herë të parë gjuhën letrare shqipe. Imzot Gjergj Skiroi, pasues i Nilo Katalanit, është i pari në histori që përdori gjuhën shqipe në komunikimin me Selinë e Shenjtë.
Veprimi ynë në Himarë nuk nxitet nga ndonjë ide e supozuar për kthimin e murgjëve bazilianë. Shteti ynë është shekullar dhe respekton besimtarët në zgjedhjen e tyre. Ne ëndërrojmë një vend të bekuar, një vend me paqe të qëndrueshme, një vend të pasur e të integruar në Evropë. Ne ëndërrojmë një vend të sigurtë e prosperitet për njerëzit tanë, një vend që të ketë respekt për të gjitha besimet, për të gjithë besimtarët, për të gjithë qytetarët.
Varri i Katalanit ishte atje tek kisha e Shën Thanasit, qysh nga viti 1694, kur u varros me nderimet që i takonin. Në shekullin e 20, varri i Katalanit u dhunua për herë të parë nga një pinjoll i familjes Buo në Dhërmi. Thuhet se ky person e dhunoi varrin për t’i vjedhur kurorën me diamante! Sepse ai ishte Monsinjor dhe duhej të varrosej me të gjitha nderimet. Në vitet ‘90 një tjetër dhërmiot, Klearko Papasava zhvarrosi Katalanin, i flaku eshtrat e tij dhe mbi varrin e Nilos ndërtoi këtë gjoja kishëzën e re! Prifti i Dhërmiut Bixhili, u ka pohuar banorëve të Dhërmiut se kishëza e vogël është bërë me lejen e autoriteteve të larta kishtare. Në se kjo është e vërtetë, atëherë duhet të mendojmë që zhvarrimi i Katalanos është bërë me nxitjen e këtyre autoriteteve.
Që askush të mos fshihet pas gishtit, duhet ta themi haptaz se kjo luftë, në emër të ortodoksisë dhe lirisë së besimit, bëhet jo për të mbrojtur kioskën e betontë të Klearko Papasavës, por për të zhdukur varrin dhe historinë e Katalanit dhe bashkë me të, edhe atë histori të lavdishme të Himarës dhe të Misionit Bazilian, që udhëhoqi Kishën Ortodokse Arbëreshe në Himarë dhe në bregdetin e Shqipërisë në shekujt 17–18. Ata ishin himariotë dhe u kthyen këtu si arbëreshë, si vëllezër tek vëllezërit. Nëse vërtetë autoritetet e kishës dhe besimtarët e Dhërmiut kërkojnë të ndërtojnë dhe të kenë një kishë të shenjtë të Shën Thanasit, atëherë kjo do të ketë mbështetjen e plotë të shtetit tonë. Autoritetet vendore janë të gatshëm të ofrojnë terrenin, si dhe miratimet për lejet përkatëse, për të ndërtuar një Kishë të re dhe të vërtetë të Shën Thanasit në Dhërmi.
Tashmë besohet në mënyrë të sigurtë që eshtrat e Katalanit u gjetën dhe konservuan nga një grup ekspertësh shqiptarë dhe Bashkia e Himarës ka rënë dakord me një plan për ta rindërtuar kishën e vjetër të Shën Thanasit dhe për ta rivarrosur me nderim këtë figurë të ndritur me origjinë siçiliane, por të arbëreshizuar, të shqiptarizuar. Pjesë e këtij plani është vendosja e shenjave të kujtesës këtë vjeshtë për të gjithë murgjit bazilianë në Himarë dhe në bregdetin shqiptar. Më 10 nëntor, më shumë se 20 akademikë shqiptarë do të referojnë kumtesat e tyre për këtë periudhë aq të rëndësishme të historisë të Himarës e të Shqipërisë dhe për gjithë orientimin properëndimor që zgjodhi e ndoqi Himara në shekujt 16-19. Për këtë kanë punuar me një përkushtim të pashoq gjithë profesorati i Universitetit të Vlorës, koordinuar nga prof. Roland Zisi. Po nuk mund të lë pa përmendur shkencëtarët arbëreshë Francesko Altimari (akademik) dhe Mateo Mandala; studiuesit e mirënjohur italianë Stefano Parenti e Giovanni Cimbalo; si dhe studiues të tjerë aq të vlerësuar nga vendet fqinje e nga vendi ynë, si Dhori Qiriazi, Pëllumb Xhufi, Anila Omari e Shaban Sinani. Kjo konferencë do të zhvillohet me kujdestarinë morale e intelektuale të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ndërkohë po punohet për një park tematik në Himarë që do të evokojë këtë periudhë historike dhe këto figura të shquara që mbajtën gjallë lidhjet e hershme vëllazërore të Himarës me arbëreshët dhe anasjelltas.
Ajo kishëza që mbrojnë të gjithë këta që ju thashë në krye të kësaj fjale, ai bunkeri i betonit, nuk është gjë tjetër, veçse mbulesa dhe alibia për zhvarrimin brutal të eshtrave të Katalanit nga ajo tokë atje dhe për të fshirë këtë histori të lavdishme të kësaj krahine.
Greqia nuk mund të na mësojë neve respektin për besimtarët dhe për besimet. Ajo duhet të mësojë nga toleranca fetare e popullit tonë, nga kultura e bashkëjetesës fetare dhe etnike në Shqipëri. Është e drejta dhe përgjegjësia e shtetit tonë ta rindërtojë atë kishë historike, ta rindërtojë dhe ta rivarrosi me nderim Katalanin. Ne jemi përgjegjës ta ringremë atë kishë, si një muze, në nderim të kësaj vepre të bërë nga populli ynë dhe këta misionarë të shquar, me gjak shqiptar.
Njësitë e pushtetit vendor në Sarandë, Himarë e Vlorë do të vendosin shenjat e kujtesës, që historia e Himarës dhe e Rilindjes gjuhësore, kulturore e letrare të saj dhe të Shqipërisë të nxirret nga harresa e pabesë dhe të vendoset në shërbim të popullit! Rimëkëmbja e Himarës dhe garantimi i paqes dhe qetësisë së qëndrueshme atje është e lidhur, sa me mundësitë që krijohen pas Reformës Territoriale, aq edhe me ndriçimin objektiv të historisë së saj në shekuj, krahas të gjitha masave të tjera për zhvillimin e kësaj zone. Kush ka frikë nga e vërteta e të shkuarës historike, ndoshta fsheh qëllime të këqija për të sotmen dhe të ardhmen tonë!
Ata që flasin për respekt të besimtarëve homogjenë në jug të vendit duhet të respektojnë historinë dhe kulturën tonë kombëtare. Katalani, Zassi, Zaharia Dhima, Petro Andrea, Basilio Matranga, Partenio Parrino, Gjon Llazari, Giuseppe Schiro, Dhimitër Leka e Nilo Borgia janë tashmë figura të ndritura të kulturës dhe historisë sonë dhe ne si shqiptarë nuk mund të pranojmë që Kisha Autoqefale e Shqipërisë të mos jetë në krah të përpjekjeve të popullit tonë për mbrojtjen e historisë dhe kulturës sonë dhe për zhvillim kombëtar! Besime kombëtare nuk ka, veç hebraizmit, por nëse mundësia për të zgjedhur katër shekuj më parë ishte: liturgji nga vëllai arbëresh apo nga cilido tjetër, si mendoni ju, cila do të ishte zgjedhja e kritikueshme?
Më ndjeni se u zgjata shumë në këtë histori, por edhe në behar nuk na lënë rehat as Saliu, as këta të tjerët, Beleri, Bollano, Dule, priftërinjtë, të cilët e konsiderojnë akoma edhe sot, se të jesh ortodoks do të thotë të jesh grek! Por, ne jemi gati t’u japim përgjigje! Ne jemi ortodoksë të mirë dhe ndihemi krenarë për gjakun dhe identitetin tonë si shqiptarë!
Reagon ashpër Athina zyrtare: Rama si ISIS
Ka reaguar ashper dhe ne menyre aspak normale Greqia. Me Shtetin Islamik e kanë krahasuar kryeministrin shqiptar Edi Rama zyrtarët grekë. Pas prishjes së Kishës së Dhërmiut ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme greke me anë të zëdhënësit të saj.
“Shkatërrimin e vendeve të shenjta e kemi parë vetëm në vendet e pushtuara nga xhihadistët. Të njëjtën gjë pamë sot edhe në Shqipëri. Rama po vepron njësoj si ISIS”, ka thënë zëdhënësi i MPJ greke Konstantinos Koutras.
Rama e cilësoi “garazh pa leje” Kishën e Dhërmiut dhe dha urdhër për prishjen e saj. Urdhër që u zbatua nga INUV në orën 02:00 pas mesnatës së djeshme.

DULE, PBDNJ: Vandalizëm qeveritar!

Një vandalizëm qeveritar e ka quajtur PBDNJ, prishjen nga INUV të kishës së Shën Thanasit në Dhërmi. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut shprehet se asnjë “patriotizëm” nuk mund të bëhet strehë për qëllime grabitëse.
“Qeveria që dështoi të ndërtojë shkolla, po shkatërron objektet e kultit. Ligji po i lë vendin abritraritetit, arrogancën dhe dhunës”, shprehet PBDNJ.
PBDNJ vijon më tej duke deklaruar se “qeveria është e kapur nga interesa klienteliste”.
Është shembur gjatë natës nga INUV-i Kisha Ortodokse në Dhërmi. Kisha është shembur plotësisht rreth orës 04:00 të ditës së mërkurë. Ndërhyrja e INUV-it është bërë në orët e para të mëngjesit për të shmangur përplasjet me banorët e zonës, të cilët dolën në mënyrë të organizuar në mbrojtje të kishës së fshatit ditën e hënë.
Banorët thanë se do ta mbronin kishën sepse e kishin ndërtuar vetë që në vitin 1994.
Zëdhënësi i Kishës, Thoma Dhima, tha se ky është një akt vandal i shtetit kundër komunitetit ortodoks. “Tani e kanë radhën eshtrat e familjeve ortodokse të fshatit që të përdhosen”, tha Dhima.
Ditën e martë, kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale dy fotografi, njëra që tregon kishën para se ajo të prishej nga regjimi komunist dhe tjetra ndërtesën aktuale.
“Kisha e vjetër e Dhërmiut, që do të rilindë në emër të trashëgimisë kombëtare, dhe garazhi pa leje që e quajnë kishë”, shkroi Rama, duke ftuar qytetarët që të kuptojnë ndryshimin mes ndërtesës aktuale dhe asaj që synohet të ngrihet si pjesë e trashëgimisë kombëtare.
Rama: grekët duhet të mësohen, Shqipëria s’pranon mbikëqyrjen e tyre
Pak ditë pas protestës së grekëve etnikë (kështu konsiderohen banorët e fshatit jugor të Shqipërisë nga mediat greke) në fshatin e Dhërmiut (ose Drymades në greqisht) në bregdetin jugperëndimor të Shqipërisë, Autoritetet Lokale prishën një kishë ortodokse, kurse komentet e kryeministrit shqiptar, Edi Rama në mediat sociale të martën shtuan polemikat.
E përditshmja greke “Ekathimerini” i ka kushtuar një artikull ku i quan deklarata e kryeministrit Rama si të denja për të shtuar tensionin mes dy vendeve.
Ministria e Jashtme e Greqisë të hënën bëri thirrje Tiranës që të respektojnë liritë fetare. I pyetur nga një qytetar shqiptar në qoftë se deklarata e Athinës përbën ndërhyrje në punët e brendshme, Rama shkroi në Twitter: “Ata e bënin këtë, më shpesh në të kaluarën dhe e bëjnë atë më shpesh tani. Pak më shumë kohë u duhet, në mënyrë që ata të kuptojnë se Shqipëria nuk pranon mbikëqyrje.”
Komentet erdhën pasi Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastasi, u takua me Presidentin grek Prokopis Pavlopolos dhe Kryeministrin Aleksis Tsipras, në Athinë. Zyrtarët grekë nuk komentuan zyrtarisht zhvillimet e fundit dypalëshe, por thuhet se kjo ishte një kërkesë nga Anastas, i cili dëshironte të mbante politikën larg nga vizita e tij.
Pavlopulos dhe Tsipras, të dy, vlerësuan punën e liderit Ortodoks në Shqipëri dhe më gjerë.

Filed Under: Opinion Tagged With: per kIshen e Dhermiut, Te gjithe ragimet

NDALE DORËN, O HASHIM THAÇI?!

August 26, 2015 by dgreca

Opinion nga Ramiz LUSHAJ/
Më 27 gusht 2015, në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Vjenë, sipas gazetës malazeze “Vijesti” keni për të nënshkrue Marrëveshjen për Demarkacionin Kosovë-Mali i Zi. Sigurisht, nuk ka shtet pa kufinj, po çfarë shtetari je o Hashim Thaçi kur do me ia fal Malit të Zi 120 km2 të Kosovës. Kjo sipërfaqe toke është ma e madhe se ajo e komunës të Junikut (mbi 86 km2) apo e Hanit të Elezit (83 km2), pothuaj sa komuna e Zveçanit (mbi 122 km2), pak ma e vogël se komuna e Shtimjes (134 km2). E, krahasue me botën është ma e madhe se e pesë shteteve të pavarura në Europë e Oqeani të marra sëbashku: Vatikani, Monako, Nauru, Tuvalu, San Marino.

Enver Hoxhaj – ish ministër i Jashtëm e kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme deklaroi me rrenacaki se Malit të Zi nuk i jepet asnjë metër tokë (!) Ndërkohë: “Vijesti” citon burime të qeverisë malazeze në Podgoricë: “lokacionet në Kullë afër Rozhjës dhe në Grykën e Rugovës poshtë Çakorrit ku ndodhen stanet e shqiptarëve, sipas Marrëveshjes do të mbeten brenda territorit të Malit të Zi”(!) Po aty, kjo gazetë malazeze, shkruan dhe për protestat e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për caktimin e kufinit, Deputeti elitar i PDK në Pejë, Ramiz Kelmendi, me biznese fuqiplote në brigjet e Drinit, Limit e Moraçës, më 14 mars 2015 në TV Dukagjini e ngriti me shqetësim të madh çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Ish ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, disa herë, prej shtatorit 2010 në Pejë, ka folë me shifra e fakte për cënimin e interesave të Kosovës në kufinin me Malin e Zi. Ali Lajçi pjestar i Komisionit të Kosovës për Shenjimin e Kufinit me Malin e Zi dhe prijtar i protestave të gushtit 2015 kunder caktimit të Kufinit, e quan Demarkacionin “politikë jokombëtare e vagabondëve në qeveri”. Komunat në Rrafshin e Dukagjinit, që preken nga avancimi i kufinit malazez deri edhe në 5 km në tokën e Kosovës, e kanë institucionalizue qëndrimin e tyre, si komuna e Pejës me mbledhje të jashtëzakonshme të Asamblesë së saj (13 mars 2015), po dhe komunat e Junikut, Deçanit e Istogut. Banorët e tyre, të brezit kufitar, kanë folë me revoltë në televizione e gazeta deri dhe për “gjakderdhje”, etj.
Principata e Malit të Zi kryehere kishte vetëm 1.500 km2 në katër katunde. Tani ka 13.812 km2 tokë, ku mbi dy të tretat e saj janë tokë etnike shqiptare që na i ka marrë në dy shekujt e kaluar. A thue o Hashim Thaçi edhe në shek, XXI jemi të dënuar nga Historia, nga Europa, nga Zotnia e Jote, për me ia dhanë dhe 120 km2 të tjera nga toka e shtetit të ri të Kosovës?!!
“Mali i Zi ishte pika e avancuar e marshimit sllav…Mali i Zi e kishte dyfishuar, trefishuar sipërfaqen e tij, kishte kaluar me një të rënë të lapsit nga 4.405 në 15.355 km2 në dëm…të Shqipërisë… Ne po e sabotonim, po e qethnim territorin e Shqiperisë në dobi të Malit të Zi dhe Shqipëria ishte pa mbrojtje.”- shprehej diplomati D’estornelles de Constand, Senator francez, Nobelist i Paqes (1909), Sekretar i Caktimit të Kufijve mes Shqipërisë e Malit të Zi (1879-1880). Ai u pendua se veproi asokohe si i thanë Fuqitë e Mëdha, sipas Marrëveshjes së Europës me Turqinë në dam të Shqipërisë. Ai, tevona, deklaroi botnisht: “Unë i kam shumë borxh Shqipërisë; unë do t’ia paguaj këtë borxh të rinisë…”. Dhe ky diplomat i huaj u ba një nga miqtë e mëdhenj të Shqipërisë deri në fund të jetës së tij, kreu shërbime të çmuara për Shqipërinë. E shleu borxhin e tij.

O Hashim Thaçi, ende nuk e dijmë: çka të ka thanë në vesh Europa e Bashkuar, për Marrëveshjen për Demarkacionin Kosovë-Mali i Zi. Sa je i kushtëzuar nga (mos)penaliteti në Gjykatën Speciale të Kosovës?! Sa ka lidhje kjo firmë e juaja me zgjedhjen tuaj President i Kosovës?! Etj. Gjithashtu, nuk e dijmë se cili është roli i bashkëfirmëtarit të Demarkacionit, të Igor Lukiç, ministrit të Jashtëm të Malit të Zi, ideatorit e promotorrit të një Federate Pansllave në Ballkanin Perëndimor, ku don të përfshijnë dhe Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Serbinë, Bosnje-Hercegovinën?!
Diçka po due me të dvet: Sa është sipërfaqja reale e shtetit të ri të Kosovës? S’muj e thue se do të çohej shqiptarët patriotë të Kosovës (ndoshta tue iu prirë dhe sekti politik i Vetëvendosjes) e do të gjuanin selinë tande e të Qeverisë tande me gurë nga varret e martirëve të Kosovës dardane në shekuj, nga gurët e kufinit…Veç një fakt po ta përmendi botnisht: sipërfaqja e Manastirit të Deçanit (tashti si pjesë Metohie e copë Serbie – ku dhe ti kryediplomat i Kosovës pranohesh veç me leje-hyrje) është ma e madhe se shteti i vogël i Monakos (!) A mundesh me i kallxue popullit të Kosovës se pas faljes zyrtare të 120 km2 për Malin e Zi sa do të jetë sipërfaqja reale e shtetit të Kosovës?! Kjo Marrëveshje e Vjenës, e 27 gushtit 2015, bie erë tradhtie kombëtare, do të gjykohesh nga Historia…, prandaj ndale dorën në hedhjen e kësaj firme o Hashim Thaçi?!

Tiranë, 25 gusht 2015

Filed Under: Opinion Tagged With: NDALE DORËN, O HASHIM THAÇI?!, Ramiz Lushaj

Kosova në samitin për Ballkanin Perëndimor në Vjenë

August 26, 2015 by dgreca

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Gusht 2015/ Kryeministri Isa Mustafa, zëvendëskryeministri i parë e ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi dhe delegacioni i Kosovës do të marrin pjesë në samitin treditor për shtetet e Ballkanit Perëndimor në Vjenë, i cili nis sot. Pritet që kryeministri Mustafa dhe zëvendëskryeministri Thaçi të nënshkruajnë disa marrëveshje të bashkëpunimit ndërshtetëror.
Sipas njoftimit të sapodërguar nga MPJ kosovare, zëvendëskryeministri Thaçi do të marrë pjesë në takimin e përbashkët të ministrave të Jashtëm të Kosovës, Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë.
Në ditën e dytë të Samitit, zëvendëskryeministri Thaçi do të jetë pjesë e panelit të shefave të diplomacive të shteteve të rajonit mbi “Dialogun mes feve dhe luftën kundër ekstremizmit”, të drejtuar nga ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz.
Në këtë samit do të marrin pjesë edhe krerët e vendeve organizatore të samiteve të vitit të shkuar dhe të sivjetmë, Gjermanisë dhe Austrisë, me në krye presidentin Heinz Fischer. Pastaj edhe krerët e vendeve që do t’i organizojnë samitet e radhës në vitet që vijnë, Francës dhe Italisë, por edhe ata të shteteve që e përkrahin “Procesin e Berlinit”, Sllovenisë e Kroacisë, bashkë edhe me shumë anëtarë të Komisionit Evropian dhe presidentë të institucioneve ndërkombëtare financiare.
Samiti i sivjetmë në Vjenë për shtetet e Ballkanit Perëndimor është i ndarë në tre nivele: për kryeministra, për ministra të jashtëm dhe për ministra të ekonomisë, kurse tema kryesore të tij do të jenë “infrastruktura dhe ndërlidhja”, “bashkëpunimi rajonal”, “rinia” dhe “sfida e refugjatëve”.
Do të kentë edhe drekë pune me nikoqirët e samitit, presidentin Fischer dhe me ministrin Kurz.

Filed Under: Kronike Tagged With: Ballkanin Perëndimor, Kosova në samitin për, ne Vjene

Demarkacion,pazare apo kontrabandim

August 26, 2015 by dgreca

Nga Gani Qarri/
Athua vallë nuk paska pushtuar mjaft toka tonat ngrehina xhuxhe malazeze dhe ende nuk qenka ngopë, duke u rritur panatyrshëm me grabitjen e hapsirave shqiptare,që nga Ulqini e Tivari,Podgorica,Tuzi e Malësia, Kollashini,Plava e Gucia deri te Rozhaja, por iu dashkan edhe 12 mijë hektar tjerë-tokë shtesë, male,bregore dhe kullosa të bjeshkëve më të bukura të Kosovës, që ti shpronësoj dhunshëm dhe poshtëroj në mënyrën më të ulët mu ata të cilët qindra vite luftuan trimërisht dhe u bënë ballë pareshtur orekseve të pashuara pushtuese sllavo-malazeze, si rugovasit trima dhe bashkëkombësit tanë tjerë,pronarët autokton dhe legjitim të këtyre trojeve!?
Një nga shprehjet më të vlerësuara të ish-presidentit amerikan, Abraham Lincoln, përkufizohet në ketë mënyrë: “Nëse doni ta njihni karakterin e një njeriu, epni atij pushtetin”
Pikërisht këtu, bënë konak e patrazuar, tash e qindra vjet, dobësia kryesore e prijësve tanë kombëtar e shtetëror, ku ata jo vetëm thjeshtë tregojnë veten, por thënë realisht, shumica e udhëheqësve shqiptar, pothuajse dështojnë plotësisht.
Tanimë, është fshehtësi e njohur botërisht për të gjithë ne, se si tradicionalisht, që nga Hamzai e këndej, një pjesë jo e vogël e udhëheqësve të hapësirave tona etnike, për vite e dekada bënë emër dhe fituan grada, pikërisht duke shitur interesat e kombit dhe pjesët më të bukura të atdheut.
Edhe pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, nga Fuqitë e Mëdha më 1878, për dorëzimin e Plavës dhe të Gucisë ,Malit të Zi, ishte Populli Shqiptar ai që kundërshtoi me forcë dhe vendosmëri, çfarëdo ndryshimi kufijsh në dëm të tokave të tij.
Kjo u bë shkak, që atëbotë të caktohej një tubim i krerëve të Dukagjinit, Gjakovës dhe atyre të Malësisë, në vendin e quajtur, “fushat e Bajram Pashës” për marrjen e hapave të nevojshëm në mënyrë që të organizohet mbrojtja e këtyre trojeve.
Por Riza beg Kryeziu, babai i Cana begut të “famshëm”dhe ish prijës i Gjakovës, i dërguar nga organet pushtuese otomane si bashkëpunëtorë i tyre, për të prishur tubimin dhe përçarë shqiptarët në mes veti, që në fillim të fjalës së tij, shprehet se shqiptarët nuk munden dhe as nuk duhet ti kundërvihen pushtimit të Plavës e Gucisë nga Mali i Zi sepse Stambolli paska vendosur për dorëzimin e tyre, vetëm atëherë, kur nuk ka pasur rrugëdalje tjetër, ndaj ai me bashkëpunëtorë, janë kundër konfrontimit me malazezët dhe nxjerrjen e telasheve të reja Perandorisë.
Populli i dëshpëruar nisë të mallkojë e shajë Riza beg Kryeziun dhe kërkon që ai të zbres nga bina, e në vend të tij, e të flasë dikush tjetër. Pas kësaj ngjarjeje, në binën e improvizuar ngjitet patrioti i mirënjohur, Ali Ibër Neza, i cili,gëzon të gjithë atdhetarët e vërtetë që kishin ndarë mendjen për ti dalë zot vendit, me fjalët e thëna dhe vendosmërinë e treguar, duke u shprehur plot ideal dhe energji kombëtare:
Vëllezër- ne do ta mbrojmë Plavën dhe Gucinë!.
E sa i takon Riza begut, mos çuditeni me të, sepse vetëm gruaja e tij, i mbanë mbi “tre kilogram dukat të turkut në qafë” do të vazhdonte Ali Ibra, ndaj Rizai frikohet se po hyni në luftë pa “izën” e turkut, do ta humb të gjithë pasurinë.
Kurse ne, nuk kemi asgjë, përveç këtij trolli të begatë, e atë do ta mbrojmë deri në fund dhe kurrë nuk ia lëshojmë tokën tonë, Karadakut (Malit të zi)pa u derdh gjak për këtë vend.
Neve asnjëherë nuk na ka ndihmuar e dhënë armë- mbreti as Perandoria, por gjithmonë kemi luftuar burrnisht me gjithqka kemi mundur…
Ndaj edhe sot, secili prej nesh, ka nga diçka, asnjë nuk jemi krejt pa armë, ja unë për shembull, kam pushkë e kobure por edhe sopat e këmesë te shtëpia, ndaj vet do të luftoj me pushkë, Djalit do t`ia jap Koburen, Gruas sakicën, kurse Çikës sime këmesën dhe kështu do të luftojmë të gjithë së bashku, derisa të vdesim,por asnjë pëllëmbë të tokës sonë, nuk do t`ua lëshojmë malazezve pa gjak.
Turma e entuziazmuar nis të urojë Ali Ibër Nezën dhe mallkoj tradhtarë e beglerë, si bashkëpunëtorë të pushtetit otoman. Riza beg Kryeziu, i turpëruar,fillon të ndihet keq, dhe tani tenton ta ulë e nënvlerësoi qëllimshëm problemin e vërtetë kombëtar duke u munduar ta zhvlerësoj dhe jap kahje krejt tjetër edhe tubimit, sikur mos të ishin në pyetje pjesë të vlershme të atdheut,që duhej të kalonin dhunshëm nën sovranitetin e një shteti pushtues, si ai malazez.
Ndaj,me bindjen se edhe vet dielli ndrinte vetëm për të, ai fton bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e tij për të lëshuar këtë tubim me arsyetimin banal, se; “Opinga e Katundit, e mundi Begun e Shehrit”!.
Mjerisht, historia jonë e dhembshme, edhe në këtë shekull ,sërish po përsëritet për të keq,për faktin se edhe “beglerët” e rinj, edhe pse të ardhur rishtas në “shehër” (qytet), në vend se para BE-s, dhe Bashkësisë Ndërkombëtare të kërkojnë korrigjimin e kufijve në dobi të trojeve shqiptare të pushtuara me forcë dhe padrejtësisht nga shtetet hegjemoniste fqinje, qysh nga koha e Kongresit të Berlinit, ata u falin atyre pa asnjë ndrojtje edhe dhjetëra mijëra hektar tjerë- tokë arbërore, nga pjesa e tejrrudhur-po nga këta akter-kavaler, e atdheut tonë të gjymtuar.

Kështu, vetëm një ditë para fillimit të samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor në Vjenë të Austrisë, më 26 gusht 2015, Mali i Zi, paralajmëron se Marrëveshjen (për ne të dëmshme) kufitare, do ta nënshkruajë me Kosovën, sipas së cilës pjesë të konsiderueshme të vendit, nën Çakor në Grykën e Rugovës dhe te Kulla afër Rozhajës,për mbrojtjen e të cilave, në të kaluarën, disa herë ka shkuar gjaku përrua, tani në mënyrë të vullnetshme, “bujarisht”,dhe me vetëm një nënshkrim sa hap e mbyllë sytë, do të falen dhe futen si në një ëndërr të keqe, nën sovranitetin malazez nga vet shqiptarët.

Athua vallë nuk paska pushtuar mjaft toka tonat dhe ende nuk qenka ngopë me grabitjen e trojeve shqiptare republika malazeze,duke filluar nga Ulqini e Tivari,Podgorica,Tuzi e Malësia, Kollashini,Plava dhe Gucia,e deri te Rozhaja, por iu dashkan edhe 12 mijë hektar tjerë tokë shtesë, male e kullosa të bjeshkëve të Kosovës, që ti shpronësoj dhunshëm rugovasit trima dhe bashkëkombnsit tanë tjerë, pronar autokton dhe legjitim të këtyre trojeve!?
Madje, kjo po ndodhë para syve tanë, pa bërë asnjë kundërshtim të dukshëm, sado formal nga pala shqiptare, përkundër humbjes së gjithë këtij territori, përderisa vetëm për një të ashtuquajtur asociacion të komunave serbe, shkohet për bisedime edhe me përfaqësuesit evropianë, deri në Bruksel,ndërsa politik-bërësit e Kosovës, në mënyrë të pashembullt, falin tokat e atdheut për pesë pare dhe atë nga dhjetëra mijëra hektar për një herë,dhe me vetëm një nënshkrim.

Ç`është kjo? Demarkacion, shitje apo plaqkitje?!

Dhembja bëhet edhe më madhe kur dihet se vetëm për të jetësuar një të ashtuquajtur “asociacion komunash”, serbët në veri, ka disa vite që kanë bllokuar Urën mbi Lumin Ibër dhe sot e asaj dite ,përkundër qindra premtimeve boshe, ende nuk lejohet heqja e barrikadës së mbjellë me “hithër të Serbisë”, të cilat vazhdojnë ta “djegin” të drejtën e shqiptarëve për lëvizje të lirë në tërësinë (e “garantuar”) territoriale të Republikës së Kosovës, edhe në veri!

Sot u deklarua,sikur qenkan pajtuar për heqjen e saj,por vetëm pas arritjes së qëllimit final dhe nënshkrimit të marrveshjes nga pala shqiptare në Bruksel,për krijimin e “asociacionit të komunave serbe”.

Ndaj shqetësimi rritet edhe një herë më tepër, për faktin se vetëm para pak ditësh Josip Manoliq, një ish-funksionar i lartë kroat, deklaroi se në udhëheqjet e shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, si në Kosovë , FYROM dhe Serbi, ende ka një numër të konsiderueshëm të bashkëpunëtorëve të UDB-së, të cilët edhe sot mbajnë pozita të larta institucionale në të gjitha këto shtete.

Mjerisht, kjo shqetëson pa masë, ngase ka shumë paqartësi në këto histori nënshkrimesh e marrëveshjesh të pa qarta për opinionin publik.
Një skenar i ngjashëm u luajt edhe në një rast të më hershëm,me FYROM-in, kur megjithëse administrata,ushtria dhe policia serbe ishin përzënë nga Kosova rreth dy vite më parë, sllavo-maqedonët më 2001,lidhën një marrëveshje më Serbinë për përvetësimin e një pjesë të territorit të Kosovës.

Madje, mjerisht kjo nuk ishte e gjithë e keqja, tragjedia e vërtetë ndodhi pikërisht atëherë, kur edhe liderët shqiptar, u pajtuan me një marrëveshje të tillë antishqiptare të dy shtetveve hegjemoniste fqinje dhe me dorën e tyre,nënshkruan pa asnjë hezitim, aneksimin e mbi 2500 hektarëve tokë të vlershme të Kosovës, nga shteti sllavo-maqedon.

Këto vendime të çuditshme të politik-bërësve aktual, jo vetëm se po krijojnë situata të paqarta e tejet dëshpëruese,por po lënë pa mend dhe vrasin çdo fije shprese të bashkëkombësve se këtu ende ka të ardhme për familjet dhe fëmijët e tyre!

Nënshkrime të tilla të mjegulluara, nuk janë thjeshtë vetëm akte ndëshkimi ndaj pronarëve por dhe tradhti e paskrupullt kombëtare, ndaj është koha e fundit dhe momenti vendimtar që dikush të marrë rolin e Ali Ibrës dhe përfundimisht të ngrihet e mbrojë tokat tona,pronën dhe të drejtat e shqiptarëve në këto troje.

Vende të shenjta me plot kronika të qëndresave më të përgjakshme kombëtare, që njeh historia, nuk meritojnë tu hiqen kaq lehtë nga dora shqiptarëve dhe të shiten aq lirë, falen apo dorëzohen në këtë mënyrë të turpshme malazezve

Mjerisht politik-bërësit aktual edhe një herë më tepër po dëshmojnë se me zhvendosje të tilla marramendëse të “megjëve” ndërshtetërore, në shtrirje kaq shumëkilometërshe dhe tejet të mëdha hapësinore, në brendësi të thella të atdheut tonë, duke tkurr pariparueshëm, kufijtë e Kosovës, për plotësimin e orekseve të pafund të vendeve hegjemoniste sllave, po vihen plotësisht në shërbim të ish pushtuesve të tokave tona dhe rrezikojnë drejtpërdrejtë tërësinë territoriale dhe hapësirën tonë tokësore e kombëtare.

Ata,ndoshta padrejtësisht ëndërrojnë se me kalimin e viteve, lëshimet e tyre, do të trajtohen vetëm si mashtrime të thjeshta në momente të caktuara politike, të cilat edhe si të tilla, mund të jenë mjaft tragjike, por tradhtitë historike që me, apo pavetëdije po bëjnë, mbeten gjithmonë të dënueshme, të pandreqshme dhe fatale për kombin tonë!
E shitja sado e kamufluar e pjesëve të vendit nga kushdo qoftë, falja apo tjetërsimi i hapsirës etnike të atdheut, është dhe mbetet, përgjithmonë tradhti e lartë kombëtare, dhe nuk do të mund ti shpëtoj për kohë të gjatë, gjykimit.

Historia gjithmonë ka dëshmuar se këto troje ishin tonat-shqiptare, ndaj me namin që lanë politikanët aktual, me lojëra “demarkacionesh” dhe vizatime “kufijsh” sipas dëshirës së lirë të ish vendeve pushtuese dhe hegjemoniste fqinje, lind pyetja; athua vallë deri ku do të arrijnë dhe ku do të mund ti ndalojnë shqiptarët kufijtë e Serbisë nesër, pas demarkacionit që duhet të ndodhë edhe me këtë shtet, nëse vazhdohet me falje të tilla territoresh kombëtare në stil të gjerë, siç është bërë fatkeqësisht, tanimë traditë e politikanëve aktual, kur dihet se pretendimet më të mëdha territoriale ndaj tokave tona dhe Kosovës në përgjithësi, i ka pikërisht Serbia?!
Ndaj, është koha e fundit që dikush të ngrihet, jo për të na dhënë këshilla pa-mbulesë dhe ofruar siguri false mbi kronikën e hidhur të nënshkrimeve të tilla të dyshimta , siç bëjnë sot shumë pushtetarë aktual, por të sqaroi përfundimisht se çfarë në të vërtetë po ndodhë me trojet tona, mbrojë realisht ato dhe gjithë atë që neve na takon, si dhe tu jap fund historive të pa-qarta, që vazhdimisht rrezikojnë shqiptarët, të tashmen dhe të ardhmen e tyre, shënoi mundësisht sa më drejtë , qartë dhe arsyeshëm kufijtë duke treguar kujdesin më të madh të mundshëm dhe maksimal ,sidomos tek ata me shtetet e pangopura hegjemoniste sllave.

Gani Qarri Cyrih, 26 gusht 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: demarkacioni, Gani Qarri

Xhamitë e Çamërisë dhe kishëza e Dhërmiut

August 26, 2015 by dgreca

Nga Gëzim Zilja/
Ka një debat të çudtshëm këto ditë të pasqyruar në shtypin shqiptar për një kishëz në Dhërmi, e cila ligjërisht është ndërtim pa leje. Kjo kishëz u rrënua plotësisht gjatë shekujve dhe mbi të pas viteve 90-të është ndërtuar një si biçim ngrehine një katëshe me blloqe dhe e pasuvatuar, që shërbeka si vend ku falen dhërmijasit. Kjo kishëz-haur është ndërtuar mbi rrënojat e kishës së Shën Thanasit pa marrë leje nga askush, duke e konsideruar objekt kulti ku njerëzit e asaj ane shkojnë e falen. Nga qeveria shqiptare është menduar që kjo kishë të rindërtohet dhe të sillet në gjendjen që ka ka qenë qindra vjet më parë si një objekt kulti. Deri këtu nuk ka asgjë për t’u shqetësuar përkundrazi. Po gjithmonë do të gjenden andej dhe këndej kufirit surratqenë dhe antishqiptarë që do ta bëjnë qimen tra dhe do të kërkojnë sherr atje ku nuk ka shkaqe për të ndodhur ndonjë gjë e pazakontë.Çudia në të vërtetë është kur kjo ngjarje e stisur merret ‘’seriozisht’’ nga qeveria greke që me anë të zëdhënësit të saj të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kostandinos Kutras, kërkonte sqarime nga qeveria shqiptare lidhur me këtë incident dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave greke. Reagimi i Ministrisë së Jashtme shqiptare ishte i menjëhershëm, duke e cilësuar deklaratën e zëdhënësit Kutras, të nxituar dhe ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë. Ndërkaq filogrekët e Dhërmiut, po shprehin solidaritet të plotë për mbrojtjen e kishës-haur.
Por janë dy pika që nuk duhen anashkaluar në këtë mikro-betejë të stërpërsëritur dhe të shplarë me provokacione dhe mohim të drejtash.
E para: në Dhërmi ka njerëz të besimit ortodoks që falen si gjithë besimtaret në objektet e tyre të kultit por jo pakica greke e minoritarë. Në Dhërmi jetojnë shqiptarë njëzetekatër karatë dhe jo pakica greke. Shqiptarë të konvertuar në grekë për një pension apo një pjatë supë mund të gjesh edhe sot edhe nesër. Këta palo-njerëz ia kanë shitur shpirtin parasë (jo grekut) e nuk e kanë për gjë të krijojnë incidente e protesta false, mjafton të paguhen. Këta lapanjozë i sheh rëndom në raste të tilla duke bërë trimin e besimtarin e devotshëm, por të gjithë e dinë që ata përdoren nga qarqe shoviniste sa herë u nevojiten. Përdorimi i fjalëve ‘’të mbrohen të drejtat e pakicave’’, është një hile e vjetër greke, ashtu si dhe ato të tjerat me varreza ushtarësh imagjinarë, që mbushen me kocka të gjithfarëllojshme. Ky fakt nuk duhet t’i kishte shpëtuar zëdhënësit shqiptar të Ministrisë së Punëve të Jashtme që duhet të theksonte që në Dhërmi nuk ka pakica greke.
E dyta: është rasti të përmendim që në krahinën e Çamërisë gjatë këtyre shtatëdhjetë viteve është bërë kërdia me varret e xhamitë e myslimanëve. Pa marrë leje, pa respektuar të vdekurit e të gjallët, varrezave çame u është vënë buldozeri për të hapur tokë të re, për ndërtime vilash, hotelesh, kurse xhamitë nuk duken më gjëkundi. Ministria e Jashtëme shqiptare është në dijeni por nuk është ndjerë me ato arsyet idjote që sot ta shpifin, se grekët po na mbajnë me bukë, se kemi atje gjysëm milioni refugjatë, se nuk është çasti për polemika e servilizma të tjera që të kallin krupën. Disa vjet më parë deputeti çam Dashamir Tahiri, foli për një fakt rëqethës. ‘’Në Volë’’ deklaroi ai ‘’ mbi një varrezë çame është ngritur një hotel, dhe fadromat i shpërndanë kockat gjithandej’’
A nuk do të ishte normale që të thirreshin të afërmit andej dhe këndej kufirit e të bëhej një transferim i kësaj varreze në një parcelë tjetër? Po objektet e kultit, xhamitë e çamëve të besimit mysliman pse janë rrafshuar? Nuk mund të ketë dy standarde në të drejtat dhe liritë njerëzore. Konventat ndërkombëtare e shprehin shumë qartë këtë gjë. Ndoshta ishte një rast i përshtatshëm për krerët e PDIU-së të bënin një deklaratë të paktën sa për të shplarë gojën. Por si duket krerët janë të zënë me kërkesat për një kompozim të ri të qeverisë Rama, ku çamët në pozicione ministrash e drejtuesish të japin kontributin e tyre shembullor si në qeverinë Berisha.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe kishëza e Dhërmiut, Gezim Zilja, Xhamitë e Çamërisë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3591
  • 3592
  • 3593
  • 3594
  • 3595
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT