• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT PËRBALLË SFIDAVE GLOBALE DHE RAJONALE. RASTI I TUZIT DHE MALËSISË

August 23, 2015 by dgreca

Nga Dr. ISLAM LAUKA/
Pjesëmarrja në simpoziumin shkencor “Tuzi dhe Malësia flasin Shqip”, më jep rastin që të trajtoj disa prej sfidave më të rëndësishme, me të cilat, aktualisht, po ballafaqohen shqiptarët, në rrafsh global e rajonal, si dhe të ngre disa probleme shqetësuese që dalin nga ky ballafaqim.
Me aq sa e njoh unë historinë dhe aktualitetin e Malësisë dhe Tuzit, mendoj se, pavarësisht vështirësive të panumërta, kryesisht, të karakterit të brendshëm, por edhe të jashtëm, këto të fundit, të lidhura, veç të tjerash, edhe me ndikimet e globalizmit, shqiptarët e kësaj ane kanë arritur të ruajnë lëndën dhe kulturën e tyre kombëtare.
Gjatë 150 vjetëve të fundit, kjo zonë ka njohur shumë pushtues, qe nga otomanët, serbo-malazezët, fuqitë e boshtit, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe shumë forma regjimesh, që nga perandoritë, monarkitë, totalitarizmi komunist, etj por Tuzi dhe Malësia kanë ditur t’u bëjnë ballë dallgëve të historisë, duke folur vetëm një gjuhë – shqipen, duke valëvitur vetëm një flamur – atë kuqezi, duke kënduar vetëm një himn – atë kombëtar. Në këtë luftë të ashpër për mbijetesë, veç gjuhës dhe flamurit, shqiptarët e këtyre anëve i kanë mbajtur të lidhur me njëri tjetrin vlerat e tyre tradicionale si, toleranca ndëretnike dhe ndërfetare, ndjenja e sakrificës në emër të atdheut dhe solidariteti kombëtar.
Janë këto vlera të rralla që e kanë kthyer Malësinë dhe Tuzin në një kështjellë të shqiptarisë dhe kjo është arsyeja përse zgjodha pikërisht këtë vend për të ngritur disa probleme shqetësuese që dalin nga ballafaqimi i shqiptarëve me sfidat aktuale, globale e rajonale.
Problemi i parë shqetësues ka të bëjë me keqkuptimin e proceseve globale. Dihet që sot jetojmë në epokën e globalizmit. Është globalizuar ekonomia, informacioni, vetë jeta shoqërore. Distanca, në kuptimin klasik, në sajë të arritjeve teknologjike, ka vdekur.
Sot flitet për botën si për një fshat.
Askush nuk mund t’i mohojë anët pozitive të globalizmit, por e vërteta është se ai shoqërohet edhe me anë të errëta, negative, me rreziqe dhe kërcënime. Pasojë e globalizmit është shtimi i të ashtuquajturave “probleme pa pasaportë” si, terrorizmi, ekstremizmi fetar, narkotrafiku, epidemitë, ndryshimet klimaterike, etj. Pasojë e globalizmit është ndikimi i ndërsjellë i krizave ekonomiko-financiare që shpërthejnë në vende të ndryshme të globit, por që prekin dhe rëndojnë gjithë ekonominë botërore.
Efektit të këtyre dukurive nuk u shpëtojnë vendet e mëdha, as ato të vogla, por për këto të fundit, pasojat e globalizmit janë më të rënda.
Një ndër dukuritë globale që paraqet kërcënim serioz për interesat jetike të popujve të vegjël, siç janë shqiptarët, është ajo e rrafshimit të vlerave. Lima e globalizmit i han pa mëshirë vlerat e të vegjëlve, por nuk ka çfarë u bën atyre të popujve të mëdhenj që, si rregull, janë të fuqishëm dhe synojnë imponimin e vlerave, kulturës dhe “drejtësisë” së tyre, në bazë të praktikës së moçme, sipas së cilës, vlerat, kultura dhe drejtësia ndjekin fuqinë.
Duke e konsideruar rrafshimin e vlerave si një prirje bashkëkohore, me kah vetëm pozitiv, disa pseudoanalistë shqiptarë, të njohur edhe si mohues apo patriofobë, kanë vëne në shënjestër njërën prej vlerave themelore shqiptare – dashurinë për atdheun. Sipas tyre, atdhedashurisë i ka kaluar koha, bartësit e kësaj ndjenje janë primitivë, të pagdhendur, mendjengushtë, malokë të pandreqshëm; për të na respektuar të tjerët, duhet të shajmë veten tonë; ata që marrin vesh nga epoka të cilës i përkasin, për të qenë modernë, duhet ta përbuzin e ta poshtërojnë atdheun; s’ka atdhe, ka thjesht qytetarë të botës, s’ka vlera kombëtare, ka vetëm vlera gjithënjerëzore, trumbetojnë në “analizat” e tyre këta “ekspertë”, ithtarë të globalizmit. Dhe vijon përfundimi i tyre kategorik: shqiptarët nuk mund të përfshihen e të integrohen në proceset globale pa u ndryshuar, pa u modernizuar, pa u gdhendur e zdruguar, në mënyrë që të zhvishen nga “arkaizmat” që i lidhin ata me nocionet e dala boje si atdheu apo ideali kombëtar.
Për këta pseudoanalistë nuk ka fare rëndësi fakti që lideri i proceseve globale, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edukimin me ndjenjën e atdhedashurisë e kanë pjesë të pandarë të të gjithë sistemit arsimor; që fëmijët e këtij vendi, çdo ditë, para se të futen në mësim, betohen para flamurit kombëtar; që presidentët e tij, pavarësisht bindjeve politike, fjalimet e tyre, gjithmonë, i përfundojnë me të njëjtin urim, “Zoti e bekoftë kombin Amerikan”.
Shembulli amerikan dëshmon se rruga drejt globales dhe gjithënjerëzores kalon domosdoshmërisht, nëpërmjet kombit dhe atdheut tënd. Në rastin tonë, do të thotë që ajo rrugë kalon, nëpërmjet Tiranës, Prishtinës, Tetovës, Preshevës, Ulqinit (dhe Tuzit) e Çamërisë.
Ose, marrim shembullin e Francës, një tjetër komb i pjekur dhe i civilizuar, lojtar aktiv i proceseve globale. Mbrojtjen e pastërtisë së gjuhës së unifikuar kombëtare nga ndikimet negative të globalizmit, sidomos nga fjalët e huaja, Franca e ka të sanksionuar me ligj. Po të krahasohet kujdesi dhe vëmendja e Francës zyrtare për mbrojtjen e pastërtisë së gjuhës së vet me shpërfilljen e hapur të këtij problemi, lidhur me gjuhën shqipe, nga ana e autoriteteve tona shtetërore, del qartë se proceset e sotme globale nuk kuptohen drejt dhe në kompleksitetin e tyre, jo vetëm nga disa pesudoanalistë, por as nga pushtetarët dhe as nga institucionet tona shkencore.
Gjuha jonë, që Kadare e quan “Shënshqipja”, për fat të keq, vazhdon të marrë goditje nga të gjitha drejtimet, sidomos nga fjalët e huaja që, në vitet e tranzicionit të gjatë po vazhdojnë të futen pa doganë. “Cunami” i tyre po përmbyt terminologjinë shkencore, kulturore, sportive, të shtypit të shkruar e pamor dhe po depërton, pamëshirshëm, edhe në gjuhën e folur. Sipas Mehmet Elezit, autor i një fjalori të rrallë të gjuhës shqipe, botuar në vitin 2006, “Fjalë, shprehje e struktura të huaja krejtësisht të panevojshme janë lëshuar mbi gjuhën shqipe si retë e karkalecave”. Emra restorantesh, shoqatash gjithfarëlloji, kanalesh televizive, veprimtarish kulturore, artistike e sportive, në masë të madhe, nuk janë shqip. Arrihet deri aty sa dokumenti i identitetit të shtetasve shqiptarë, në vend të fjalës së bukur shqipe “letërnjoftim”, të quhet “kartë identiteti” (ID). Edhe emra vendesh, historikisht të njohura si shqiptare, po zëvendësohen me emra të huaj si, Bari për Tivarin, Bitola për Manastirin, Peç për Pejën etj. Po hiqen nga përdorimi fjalë shqipe shumë të bukura, tingëlluese e shumë shprehëse, për t’u zëvendësuar me fjalë të huaja, të zbrazëta dhe pa ngjyrë si: shëtitore – pedonale, fëmijë, vogëlush – minoren, anashkalim – bypass, ndihmoj – asistoj, përkrah – suportoj, këshill – bord, grup punues – taskforce, shkurt – flesh, kohë e pjesshme – part time, ngjarje – event, bisede – chat.
Fjalët e strukturat e huaja, të futura kontrabandë në gjuhën shqipe, janë po aq të rrezikshme për ne e kombin tonë, në mos edhe më të rrezikshme, se kontrabandimet e tjera me armë e drogë. Fishta i madh ka paralajmëruar me kohë: “Mos të harrojmë se më bjerrë gjuhën do me thanë me bjerrë kombësinë e pavarësinë”.
Për fat të keq, ashtu si mallrat e tjera kontrabandë, edhe fjalët që ndotin gjuhën shqipe, si konsumues të parë, zakonisht, kanë pushtetarët, të cilët, për t’u hequr si të ditur, nuk mjaftohen me përdorimin e tyre pa kriter, por, në jo pak raste, duke thyer çdo rregull etik, protokollar e gjuhësor, nisin e bëlbëzojnë në gjuhë të huaj “fjalimet” e tyre në mjedise zyrtare, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Ata që s’dinë të lidhin dy fjalë në gjuhën e nënës, në gjuhë të huaj, nuk bëjnë gjë tjetër veç rrisin, në mënyrë progressive, budallallëqet e tyre, me të cilat, në mënyrë bujare, i ka pajisur natyra a perëndia.
Për të përballuar sfidën e rëndë që po i bëhet shqipes, duhet mobilizuar në një front unik shteti, institucionet shkencore, shkolla dhe gjithë shoqëria, mbi të gjitha duhet përkushtim atdhetar dhe angazhim intelektual. Këtë dëshmon shembulli juaj. Duke ruajtur të pastër gjuhën e Fishtës dhe duke bërë përpjekje që në shkollat dhe mjediset publike të përdoret gjuha e standardizuar shqipe, Malësia dhe Tuzi, të gjithë sa jeni këtu, duket se e keni gjetur vaksinën për të parandaluar flamën e gjuhës. Kjo vaksinë është dashuria e pakufishme dhe përkushtimi juaj kombëtar ndaj “Shënshqipes”.
Një tjetër dukuri që shoqëron globalizmin dhe mund të paraqesë rrezik për vendet dhe popujt e vegjël është ajo e relativizimit të gjithçkaje, duke përmbysur raportet e mëparshme midis së drejtës e të padrejtës, të moralshmes e të pamoralshmes. Thelbi i kësaj dukurie është: e mira nuk është aq e mirë sa duket, as e keqja nuk është aq e keqe sa duket. Ato edhe mund të këmbejnë vendet. Në këtë këndvështrim, pushtuesi i dikurshëm duhet të konsiderohet bashkëqeverisës; xhelati duhet të mëshirohet e respektohet nga viktima; heronjtë, të cilët i kemi nderuar deri tani, nuk janë kurrfarë heronjsh, veç hajdutë e cuba; simbolet kombëtare që na kanë frymëzuar në luftërat tona për liri nuk janë gjë tjetër, veç relikë e së shkuarës, pa asnjë vlerë.
Shprehje e kësaj mendësie janë përpjekjet për ta paraqitur periudhën pesëqind vjeçare, nën Perandorinë Osmane, si bashkësundim e bashkëqeverisje të shqiptarëve me Turqinë dhe historinë tonë të shkruar me gjak, pikërisht në luftë me otomanët, si histori të pashallarëve dhe vezirëve osmanë, me origjinë shqiptare. Në këtë logjikë, edhe historia e përgjakshme, rreth njëqind vjeçare e shqiptarëve ne Jugosllavi, është histori e bashkëqeverisje së tyre me Beogradin, për shkak se, ashtu si në Stamboll, edhe në kryeqytetin serb, ata i kanë pasur pashallarët dhe vezirët e tyre si Sinan Hasani e çiftat e tij. Arrihet deri atje sa të kërkohet rishikimi dhe rihartimi i teksteve shkollore, në mënyrë që të mos “lëndohen” Turqia dhe Serbia. Mbështetësit e kësaj teze, e kanë të vështirë t’u përgjigjen pyetjeve të tilla si:”A erdhën osmanët si pushtues në tokat shqiptare apo erdhën shqiptarët si pushtues në Anadoll? Pa përmendur luftën hëroike nën udhëheqjen e Skënderbeut e luftëra të tjera në shekuj, kundër Turqisë, kundër kujt dhe përse u zhvillua lufta për mbrojtjen e Hotit dhe Grudës në vitin 1879-1880? Kundër kujt dhe përse u zhvillua kryengritja e Malësisë së Madhe, në vitin 1911, kur Tuzi me rrethinë u shndërrua në njërën ndër fushëbetejat kryesore të saj?
Përgjigja ndaj këtyre pyetjeve ështe e qartë: shqiptarët ishin të pushtuar nga Turqia dhe luftonin, së pari, për çlirim nga zgjedha osmane dhe, së dyti, për mbrojtjen e tokave të tyre, të cilat turqit kishin vendosur t’ua dorëzonin fqinjëve tanë grabitqarë. Çdo interpretim tjetër është falsifikim i historisë për qëllime të caktuara politike.
Të njëjtat pyetje mund të shtrohen në rastin e ish Jugsllavisë, Malit të Zi e Serbisë, aq më tepër që këto ditë, rishikimet e teksteve shkollore i ka kërkuar kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Patriarku Irinei: A shkuan shqiptarët si pushtues në Beograd apo erdhi Beogradi me makinerinë e tij të luftës në Kosovë? A shkuan shqiptarët e Ulqinit dhe të Tuzit në Cetinë, apo e kundërta, Cetina i pushtoi me forcë këto territore autoktone shqiptare?
Nuk mund të quhet i moralshëm, as parimor, qëndrimi sipas të cilit, të zezës i duhet thënë e bardhë dhe të bardhës, e zezë. Rishikimi i teksteve të hitorisë duhet t’u lihet në dorë historianëve, jo politikanëve e klerikëve ortodoksë e muslimanë.
Një demonstrim tjetër i relativizimit të moralit është propizimi i kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të caktuar një datë, në kujtim të viktimavë të luftës në ish Jugosllavi. Nëse ky propozim do të bëhej nga boshnjakët, shqiptarët e Kosovës apo kroatët, edhe mund të besohej si i sinqertë, por kur ai vjen nga kryeqyteti që ndërmori katër luftëra agresive kundër fqinjëve të tij, nuk mund të mos lindë dyshimi i bazuar se po bëhen përpjekje për relativizimin e fajit, që vrasësit të lehtësohen disi nga faji dhe viktimat mos t’i lërë krejtësisht pa faj, me një fjalë, të dyja palët, nga pak fajtorë, nga pak viktima dhe, si të tilla, të futura në një thes, të dyja të përkujtohen. Meqënëse ky propozim është bërë publikisht, do të ishte mirë që edhe përgjigja refuzuese e Prishtinës dhe Tiranës, sidomos e kësaj të fundit, të cilën nisma e Vuçiçit e implikon në konflktin jugosllav, të jepet publikisht, para se ai të paraqitet zyrtarisht, në takimin e Vjenës, që do të mbahet në datën 27 të këtij muaji. Pjesë e këtij qëndrimi duhet të jetë kërkesa e Tiranës dhe Prishtinës që Beogradi të kërkojë falje, zyrtarisht për krimet e kryera kundër shqiptarëve; që Serbia të zbardhë fatin e të pagjeturve dhe të bëjë të mundur kthimin e eshtrave të tyre në Kosovë, si dhe të paguajë dëmshpërblimin e luftës.
E afërt me përmbajtjen e këtij propozimi është “Iniciativa 6” (Ëest Balkan 6), e paraqitur nga Mali i Zi dhe e mbështetur fort nga Serbia, që parashikon krijimin e një forumi rajonal, të përbërë nga pesë ish njësi të Federatës Jugosllave plus Shqipërinë. Kjo përbërje të sjell në mend një strukturë të dënuar, tashmë, nga historia, si ish Jugosllavia, minus Slloveninë dhe Kroacinë, por duke shtuar Shqipërinë. Rikthimi tek strukturat e dështuara, e pakta që mund të thuhet, është kundër produktive. Nuk është vështirë të parashikohet që në forumin “Balkan Six”, violinë e parë, do të ishte Beogradi. Kjo për shkak të mentalitetit dominues të Serbisë, por edhe të mbështetjes së ambicies së saj nga disa kryeyqtete europiane, ende të paçliruara nga nostalgjia serbocentrike. Veç kësaj, kjo iniciativë krijon mbivendosje a paralelizma me disa organizata të tjera rajonale, të cilat, pavarësisht numrit relativisht të madh të tyre, në praktikë nuk kanë rezultuar efektive. Në këtë kontekst, ajo zor se mund të jetë në interesin shtetëror e kombëtar të shqiptarëve.
Një tjetër dëshmi e relativizimit të gjithçkaje në epokën globale është qëndrimi ndaj heronjve dhe simboleve kombëtare. Në Prishtinë, Adem Jashari, është shpallur kriminel. Po në Prishtinë është përdhosur monumenti i Skënderbeut. Në Tiranë, një tufë mohenikësh, në emër të çmitizimit dhe çheroizimit është ngritur kundër heronjve dhe simboleve kombëtare. Monumenti i pavarësisë dhe bustet e heronjve, të ngritura para 3 vjetësh, në kuadrin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, janë dhunuar e përdhosur. Në manifestimin qendror të FSK-së, në Prishtinë, që hapi “Epopenë e UÇK-së”, më 5 Mars 2015, nuk u ekzekutua himni ynë kombëtar.
Çfarë na ofrojnë globalistët, kozmopolitët dhe postmodernistët në vend të heronjve dhe simboleve tona kombëtare? Heroi i tyre është “uni” me nevojat e tij, egocentrizmi pa fre, ndërsa simbolet e tyre janë plaçkat luksoze. Sipas kësaj mendësie, njeriu, në vend që t’u japë gjërave kuptim, kthehet në vegël, obejkt të plaçkave. Zotërimi tyre i jep kuptim njeriut dhe jetës së tij, vetë njëriu identifikohet me to dhe statusi i tij përcaktohet nga statusi (klasi) i plaçkave që blen.
Rendja pas konsumizmit, bjerrja morale, zhveshja nga idetë, janë dukuri që gërryejnë dhe mbysin shoqëri e kombe të zhvilluara e të konsoliduara, le më shqiptarët, që renditen ndër popujt më të varfër të Europës.
Nuk na çojnë në Europë kultura e fastfud-it, e selfie apo belfiekulturës, por kultura dhe vlerat tona kombëtare.
Integrimi ne Europë nuk do të thotë braktisje e vlerave tona. Konica ka shkruar se tjetri njeh çmimin që ti i cakton vetes. Europa nuk të pranon, nëse je i zhveshur nga vlerat. Ajo nuk i pranon njerëzit pa fytyrë, pa kujtesë historike, pa respekt për të parët e tyre, që do të thotë pa respekt për veten e vet. Në këtë kuptim, ne duhet të përpiqemi të integrohemi si shqiptarë, me fytyrën tonë, me heronjtë, simbolet e vlerat tona, përndryshe procesi integrues humbet çdo kuptim.
Vështirë të flitet për integrim me të tjerët pa qenë të integruar me njëri tjetrin. Janë vlerat tona ato që na bashkojnë si shqiptarë, ato që i kontribuojnë kohezionit social dhe kombëtar të shqiptarëve. Me ato vlera ne duhet të krenohemi dhe, pse jo, t’ia ofrojme Europës dhe botës. Toleranca dhe bashkëjetesa fetare e ndëretnike, sa për të përmendur dy prej këtyre vlerave, janë të markës shqiptare dhe pa afat skadence, ashtu si edhe shumë vlera tonat kombëtare. Të gjitha së bashku ato përbëjnë arkitrarët mbi të cilët ka qëndruar shqiptaria në shekuj. Sot, në epokën globale, jo vetëm që nuk e kanë humbur rëndësinë e tyre, por kanë marrë vlerë të re, përballë radikalizmit dhe ekstremizmit fetar dhe etnik që po hedhin botën në flakët e luftës.
Këta arkitrarë, duket se janë mbajtur mirë dhe i kanë qëndruar kohës edhe këtu në Malësi dhe Tuz, falë përkujdesjes dhe sakrificave sublime të shqiptarëve të kësaj treve. Por që ata të mbeten vitalë, përballë sfidave globale e rajonale, nuk mjafton vetëm përkujdesja dhe sakrificat e tyre. Është e domosdoshme që të ndihet dora e ndihmës dhe e solidaritetit kombëtar nga Shqipëria dhe Kosova. Ky solidaritet duhet të jetë i sinqertë, vëllazëror, i prekshëm, jo sa për të thënë, apo më keq, për propagandë politike, siç ndodhi me Luginën e Preshevës, kur Shqipëria dhe Kosova shpallën me bujë në Prizren, se do të ofrojnë për të nga 50 mijë euro ndihmë. Kësaj i thonë u mbars mali, polli një mi. Ky është mjerimi i solidaritetit dhe, natyrisht, nuk mund të mos japë efekte krejt të kundërta, në krahasim me ato që mund të presin zyrtarët e Tiranës dhe të Prishtinës.
Në radhë të parë, shqiptarët në Mal të Zi nuk duhen trajtuar si pakica. Nëse kondiserohen si të tillë në raportet demografike të shtetit ku jetojnë, ata nuk mund te konsiderohen pakicë në raport me popullin dhe kombin të cilit i përkasin. Përkundrazi, ata janë një pjesë thelbësore e këtij kombi dhe me kontribut të jashtëzakonshëm në çeshtjen kombëtare shqiptare. Nuk duhet harruar se, “prova e përgjithshme” e shpalljes së pavarësisë së Shqipërise është bërë këtu, në Malësi, në Tuz. Ndaj ata janë e duhet të jenë të barabartë më të gjithë shqiptarët, pavarësisht numrit të tyre dhe vendit se ku jetojnë. Si të tillë ata duhen trajtuar edhe nga shtetet tona.
Parë në këtë dritë, marrëdhëniet e Tiranës dhe Prishtinës me Podgoricën zyrtare duhet të kushtëzohen nga qëndrimi i kësaj të fundit ndaj shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në Mal të Zi. Nëse do të veprohej kështu, me siguri, shqiptarët do të përfaqësoheshin më mirë në organet qëndrore dhe vendore, në komunat e tyre do të investohej më shumë dhe, në respekt të nenit 69 të Kushtetutës se Malit të Zi, do të hiqeshin kufizimet aktuale lidhur me përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar.
Së fundi, jo vetëm institucionet zyrtare, por edhe ato shkencore, shoqëria civile, mjetet e informimit masiv etj, në Shqipëri e Kosovë, duhet të jenë më të angazhuar e më të përkushtuar ndaj çështjes së shqiptarëve në Mal të Zi. Nuk është normale që në Fjalorin Enciklopedik Shkencor të Akademisë së Shkencave të Shqipërise, botuar në vitin 2008, nuk përmendet fare personaliteti i përmasave kombëtare, biri i shquar i kësaj treve, Baca Kurti, ndërkohë që në të kanë zënë vend dhjetëra personazhe të epokës komuniste, që nuk i ka njohur kush për së gjalli, as nuk i njeh kush pas vdekjes së tyre. Po kështu, në këtë fjalor nuk përmendet fare një vend historik si Deçiqi.
Shpresoj që Enciklopedia Shkencore e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës, e cila pritet të dalë së shpejti, t’i plotësojë këto boshllëqe.

Tuz-Malësi, 23 gusht 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: DHE MALËSISË, DHE RAJONALE., Dr. Islam Lauka, RASTI I TUZIT, SHQIPTARËT PËRBALLË SFIDAVE GLOBALE

BLERTA ZHEGU, ARTISTJA QE KA FITUAR CMIME NDERKOMBETARE

August 22, 2015 by dgreca

Blerta Zhegu artiste me karriere Nderkombetare, fituese e shume cmimeve prestigjoze Itali, France, Prishtine, Shqiperi/
Blerta Zhegu është fituese e disa konkurseve ndërkombëtare, si: Çmimi i I-re në Konkursin ArsKosova në Prishtinë, Çmimi Special i Jurisë në kategorinë “canto Lirico”, në edicionin e gjashtë të Rassegna Concertistica në Montichiari, Itali, Çmimi i III në Konkursin “Trofeo la Fenice” të Seravezza-s, Itali.
E lindur në Tiranë në një familje artdashëse, Blerta Zhegu nis studimet e kantos që në moshën 14 vjeçare me Prof. Nina Mula (Mjeshër i Madh) dhe diplomohet më 2007 në Akademinë e Arteve të Tiranës (sot Universiteti i Arteve), në Fakultetin e Muzikës, dega “Kanto”, me rezultatin maksimal.
Në vijim të përsosjes së saj si soprano, ajo ndjek një specializim dyvjeçar në Konservatorin “Claudio Monteverdi ”të Bolzanos, Itali, të cilin e mbaron me rezultatin maksimal, si dhe një specializim tjetër në Konservatorin “Darius Milhaud”, të Aix en Provence-s, në Francë. Gjatë kësaj periudhe ndiqet profesionalisht edhe nga Maestro Nathaniel Brodsky (ish solist i Operës së Chicago-s dhe i “Metropolitan Opera”të New York-ut).
Në sezonin 2013-2014 ajo është stazhiere në strukturën prestigjoze Centre National d’Artistes Lyriques ,(CNIPAL) në Marsejë.
Formimi i saj si artiste është plotësuar gjithashtu edhe nga Masterclass-e të ndryshme me personalitete të shquara si: Renato Bruson, Leo Nucci, Jose van Dam, Luciana Serra, Sophie Koch, Claudio Desderi, Giulio di Raco, Enzo Tei, Claudine Ducret, Laure Florentin Jean Marc Bouget, Claudia Rueggeberg, Bruna Baglioni, Yvonne Minton e Inva Mula.
Karriera e saj skenike fillon në Itali, në Teatrin Komunal të Bolzanos, në rolin e Lusit (Lucy) tekopera “The Telephone ”e G. Menottit.Më pas është pjesëmarrëse në një numër të madh koncertesh në teatrot e Siena-s, Vicenza-s, Rovigo,-s Bolzano-s, për të interpretuar më 2012 një tjetër Lucy, këtë herë personazh i Kurt Weill-it tek “Der Dreigroschenoper” (Opera për tre grosh), në teatrot e Livorno-s, Pisa-s e Lucca-s.
Pas kthimit nga Italia në Shqipëri është aktive si soliste në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit me rolin e Adinës (“ L’Elisir d’Amore ”, Donizetti) ; me “Carmina Burana-n”e Carl Orff-it dhe me “ Ëndërr e një nate vere ” e F.Mendelssohn Bartholdy.
Në nëntor të vitit 2012, Blerta Zhegu ftohet në Quito (Ekuador) dhe interpreton me sukses në Sinfonine IV të G.Mahlerit, ndërsa në maj 2013 paraqet recitalin e saj “Plaisir d’amour”, në sallën e Universitetit te Arteve.
Prej disa vitesh ajo jeton në Francë, ku ka interpretuar si soliste në koncerte të ndryshme në Operën e Marsejës, në“Opera Grand” të Avignon-it, “Domaine d’O” në Montpellier, “Auditorium Campra”, “Pavillon Vendome” e “Hotel de Ville” në Aix en Provence, etj dhe ka qene e ftuar disa here si pedagoge për të zhvilluar stazhe kantoje brenda dhe jashte Frances.
Blerta Zhegu është fituese e disa konkurseve ndërkombëtare, si: Çmimi i I në Konkursin ArsKosova në Prishtinë, Çmimi Special i Jurisë në kategorinë “canto Lirico”, në edicionin e gjashtë të Rassegna Concertistica në Montichiari, Itali, Çmimi i III në Konkursin “Trofeo la Fenice” të Seravezza-s, Itali.
Gjatë karrierës së saj, ajo ka bashkëpunuar me artistë: Nathalie Marin, Oleg Arapi, Eddie de Nadai, Vittorio Parisi, Roni Porat, Emir Saul, Nicolas Cante, Edmond Doko, Paolo Coletta and Samuel Jean, Emanuele Plasson e Michel Plasson.
Para disa muajsh, në Teatro Coccia të Novarës, Itali, në rolin e Valerias, ajo ka qenë me shumë sukses protagonistja e premieres absolute botërore të operas “Il canto dell’amore trionfante”,të kompozitorit italian Paolo Coletta.
Që nga ajo kohë ajo ka interpretuar në disakoncerte në“Auditorium Campra”, “Pavillon Vendome”, etj të qytetit të Aix en Provence-s.Në korrik të këtij viti kam qenë fituese e një stazhi në Akademinë Internacionale të Muzikës Franceze, të organizuar prej dirigjentit të mirënjohur Michel Plasson, stazh i finalizuar nga një koncert në “Domaine du Regismont le Haut”. Në fund të gushtit ajo do të interpretoje në dy recitale për Festivalin “Musique dans la Rue” në Hotel de Ville të Aix en Provence-s.
Bashkebisedimi vazhdon…..
Pyetje-A mund të më thoni si ka lindur tek ju dëshira për tu marrë me muzike klasike, mund të më tregoni hapat e parë dhe fillimet tuaja?
-Dëshira per t’u marrë me muzike e me operën në vecanti lindi pavaresisht nga une.Kuptova në moshe shumë të re që kisha një pasion të madh për të kënduar dhe aktruar, mbi të gjitha, që ishte shumë e rëndësishme per mua ta ndaja këtë prirje me njerezit, derisa vendosa ta shndërroj këtë pasion në profesionin tim. Natyrisht, pati edhe profesioniste të fushës qe konstatuan në atë kohë kete talent dhe më inkurajuan të ndjek këtë rrugë.
Pyetje -Di që ju, edhe pse në moshë shumë të re, jeni një artiste mjaft profesioniste dhe mjaft e vleresuar. Pergjigje- Mund të më thoni diçka më shumë rreth aktivitetit tuaj?
Prej disa vitesh kam nisur karierën time, në fillim në Itali dhe Shqiperi, ndërsa sot e vazhdoj atë edhe në Francë. Shpresoj e mundohem që shfaqjet e mia të jenë çdo herë e më cilësore dhe rrugën time si artiste e shoh në radhë të parë si një zhvillim personal. Prej disa vitesh kam interpretuar role të ndryshme apo si soliste në koncerte recitale me një repertor jo vetëm operistik tradicional, por dhe muzike dhome, barok e bashkëkohor.
Pyetje:-Si janë marrëdhëniet tuaja në përgjithësi me artin, instrumentin,cfarë ju pëlqen tjetër të ushtroni apo t’i përkushtoheni?
-Profesoni që kam zgjedhur kërkon një ushtrim të përditshëm fizik dhe psikologjik. Merrem me sporte të ndryshme, si vrapimi, noti, yoga apo tenisi dhe, përveç orëve që i kushtoj teknikës vokale apo notave muzikore, në kohën e lirë më pëlqen të dëgjoj shumë muzikë të zhanreve të ndryshme dhe të zbuloj çdo herë nje vepër muzikore që nuk e njihja më parë. Përveç këtij aktiviteti të domosdoshëm, më terheq jashtë mase edhe teatri, kinematografia, piktura, udhëtimet e natyra.
Pyetje:-Ju jeni diplomuar ne Akademine e Arteve, cilat kanë qenë raportet me personalitetet e artit dhe çfare mbeshtetje keni pasur prej tyre,ç’mund të më kujtoni?
-Në Tiranë kam pasur fatin të jem nxënëse në klasën e kantos të Prof. Nina Mula dhe, më pas, mbas Akademisë, të ndiqem nga bass-baritoni amerikan Nathaniel Brodsky. I kujtoj me shumë respekt këto personalitete ashtu si dhe disa nga pedagoget e tjere te Akademise, si mjeshtra që kanë besuar gjithmonë në talentin tim dhe kanë ndarë njohuritë e tyre me mua me shumë dashuri e përkushtim. Shpresoj qe personalitete të tilla në Universitetin e Arteve të jenë gjithmonë e më të shpeshtë dhe që brezi i sotëm i studentëve të ndihet i inkurajuar, vlerësuar dhe motivuar, pasi në hapat e pare çdo artist është tepër i brishtë.
Pyetje-Si ka qenë fillimi i punës për ju , me çfarë devocioni punoni, sa këmbengulëse jeni? Projektet tuaja cilat janë ?
-Jam mjaft këmbëngulëse e sistematike dhe kjo për arsyen se e dashuroj thellësisht profesionin tim. Projekti më i rëndësishëm për mua është të tejkaloj çdo herë vetveten dhe të jap maksimumin tim, duke fituar zemrën e publikut. Mendoj se një artist i mirë nuk mund të kalojë pa u vënë re dhe duartrokitet që merr në fund të një shfaqjeje janë kritika më e mire për të.
Pyetje- Çfare motivi gjeni ju në jetën tuaj në raport me artin, nga se frymëzoheni dhe si është pritur nga artëdashësit?
-Të qenit artiste është një privilegj, por edhe një përgjegjësi e madhe, në radhë të parë ndaj vetes. Për mua është mbi të gjitha një sfidë dhe një menyrë për te përsosur vetveten .Natyrisht, të interpretoj në skenë është gjithnjë e më shumë një kënaqësi dhe këtë kënaqësi publiku e ndien dhe e vlereson.Mbi të gjithë një artdashës i vërtetë vlerëson vërtetësinë e një artisti dhe guximin që ai ka për t’u “zhveshur” përballë tij. Pikërisht vërtetësia dhe ndjeshmëria e njerëzve që më rrethojnë është burimi më i madh i frymëzimit tim.
Pyetje:Sa i intereson dhe sa u kushton vëmendje zhvillimeve sociale e shoqërore shqiptare një vajzë e re si ju, një krijuese e ndjeshme dhe e talentuar?
-Përsa u përket çështjeve sociale, ajo që më tërheq më shumë vëmendjen dhe më trishton në shoqërine shqiptare dhe jo vetem, është pamundësia që shumë njerez kanë për të mbuluar nevojat e veta primare. Në kushte të tilla edhe arti kthehet vetvetiu në luks, ndërkohë që duhet të jetë një domosdoshmëri, një e drejtë për çdo individ.
Pyetje:Si ju duket arti në Shqiperi, si një artiste që jeton në vendet perëndimore, si e shihni?
-Shumë artistë shqiptarë kanë prekur skenat botërore dhe kjo nuk mund te jetë e rastësishme. Për më tepër publiku shqiptar, për mendimin tim, është nga natyra shumë artdashës. Fatkeqësisht, të paktë janë ata që në të përditeshmen e tyre janë në kontakt me një art cilësor dhe, për këtë arsye, nuk arrijnë t’ia kuptojnë vlerën atij dhe të jenë të ndërgjegjshëm se deri në ç’pike mund të arrijë ta shndërrojë e përmirësojë shoqërinë.
Pyetje-Shqipëria është vendi juaj i dashur. Akeni zgjedhur ju që karriera profesionale të ndërtohet këtu, apo në ndonjë vend tjetër?
-Vetë profesioni im është i tillë, që bën që karriera profesionale të mos zhvillohet vetëm në një skenë. Si shume artistë, do të zgjedh gjithmonë të jetoj aty ku do të ndihem e respektuar për punën time dhe ku do të gjej mundesinë për t’u zhvilluar si artiste. Natyrisht, rikthimi në skenën shqiptare është çdo herë një eksperiencë emocionuese dhe do ta bej me kënaqësi, sa herë të më jepet mundësia.
Pyetje:Jeni një artiste e vlerësuar dhe e dashur për publikun. A ju ndihmon familja dhe a është një mbështetje konstante?
-Familja ka qenëgjithnjë një mbështetje e madhe për mua dhe më gjendet gjithmonë afër. Megjithatë, prej disa vitesh kam vendosur të jetoj larg saj dhe përpiqem që të jem e pavarur, edhe pse për një artist në fillim të karrieres, kjo nuk është gjithmone e lehte.
Pyetje- Si jeni ndjere në vitet e para, vështirësite dhe frutet e para që keni marrë?
-Kam mësuar shumë nga vitet e para, pasi kanë qenë më të vështirat e do ti kujtoj gjithmonë eksperiencat e para në skenë e, sidomos, fitoret e para, me nostalgji për ngarkesën emocionale që kanë pasur. Ndihem gjithsesi edhe sot “në hapat e para”, pasi në një realitet artistik plot figura të mirënjohura prej vitesh, të cilet kanë një eksperiencë gjigante në skenë, ndihem “e porsalindur”.
-Pyetje:Ju jeni një pikë brenda një oqeani me vajza shqiptare që me punën dhe profesionalizmin e tyre, kanë ngritur koken lart duke e nderuar vendin tonë.A keni pasur bashkëpunime, qoftë me personalitetet nderkombetare, qoftë dhe me artistet tanë te famshem?
-Kam pasur fatin të takoj shumë nga artistet tanë që tashmë kanë një karriere nderkombetare si I.Mula, E.Shkoza, E.Jaho, G.Tukici, G.Myshketa, J.Gjipali etj dhe çdo herë kam shkëmbyer me ta pervojen time duke marre mjaft keshilla me vlere. Bashkëpunimi me personalitete të cilat i admiroj, do të ishte realizimi i një ëndrre.
Ju faleminderit, artistja e palodhur,me karrierre nderkombetare te suksesshme.
Faleminderit ju, e dashur Liliana, që më bëtë pjesë e ketij grupimi te privilegjuar. Iniciativa juaj per t’u dhënë vlerën që meritojnë femrave shqiptare, që na nderojne kudo, është vërtet për t’u
admiruar.
Pergatiti:Liliana Pere
Presidente/Org
Gruaja Shqiptare ne Bote

Filed Under: Interviste Tagged With: BISEDE ME, Blerta Zhegu, Liliana Pere

SECOND GROUP OF PEACE CORPS VOLUNTEERS BEGIN SERVICE IN KOSOVO

August 22, 2015 by dgreca

Thirty Six Volunteers Take Oath at a Ceremony in Pristina/
August 22, 2015/
PRISTINA, Kosovo – On August 22, the second group of U.S. Peace Corps Volunteers in Kosovo completed its pre-service training in the communities of Kamenica, Koretin, Topanic and Hodanoc, as they now begin their two-year Volunteer service.
Peace Corps has set up its program in Kosovo since September 9, 2013 when the Country Agreement was signed between the Peace Corps and the Republic of Kosovo. Peace Corps looks forward to a long and fruitful relationship with the people and the government of Kosovo. In 2016 the third groups of 40 Volunteers are scheduled to arrive.
The Peace Corps traces its roots and mission to 1960, when then-Sen. John F. Kennedy challenged students at the University of Michigan to serve their country in the cause of peace by living and working in developing countries. From that inspiration grew a federal government agency devoted to world peace and friendship.
To this day, the three original goals of the Peace Corps remain the same: 1) to help the people of interested countries in meeting their need for trained men and women; 2) to help promote a better understanding of Americans on the part of the people served; and 3) to help promote a better understanding of other peoples on the part of Americans.
The new group of Volunteers was sworn in by U.S. Ambassador Greg Delawie in a ceremony attended by the President Atifete Jahjaga, Minister of Education, Science and Technology Arsim Bajrami, Minister of Labor and Social Welfare Arban Abrashi, former Kosovo Ambassador to the U.S. Akan Ismaili along with numerous distinguished guests, friends of Peace Corps, the host families, training staff and Peace Corps Kosovo staff.
With the swearing-in ceremony, the new Volunteers officially begin their two-year service assignments which will take place in thirty six communities throughout the Republic of Kosovo.
Peace Corps Kosovo Director Stephen Kutzy said, “The communities of Kamenica, Koretin, Topanic and Hodanoc, which hosted the Volunteers during training, have been wonderfully hospitable in welcoming the Volunteers into their homes and assisting them with learning local languages. It is an excellent example of the cooperation between our two countries for the benefit of everyone.”
As part of the pre-service training, Volunteers received intensive language training. The Volunteers also received information about the Kosovo educational system. Each Peace Corps Volunteer lived with a host family to gain better understanding of the community and culture in Kosovo, and to facilitate the development of their language skills.
The Volunteers will move to their assignments throughout Kosovo this week. All thirty six will work in English language education.
For more information about the Peace Corps program, please contact the office at
Mujo Ulqinaku str. No. 3, 10000 Pristina, telephone +381 (0) 38 712 770

Filed Under: Kronike Tagged With: in Kosovo, SECOND GROUP OF PEACE CORPS VOLUNTEERS BEGIN SERVICE

Obama, Cameron e Hollande falënderojnë tre ushtarët amerikanë

August 22, 2015 by dgreca

Duke i cilësuar si heronj, Presidenti francez, Francois Hollande ka falënderuar tre ushtarët amerikanë të cilët neutralizuan një të armatosur në një tren, duke shmangur një tragjedi.
Përmes një deklarate, edhe kryeministri britanik, David Cameron vlerësoi “kurajon e jashtëzakonshme të pasagjerëve që ndërhynë dhe ndihmuan në çarmatsojen e autorit”.
Në një tjetër deklaratë, shefi i Shtëpisë së Bardhë, Barack Obama u shpreh se trimëria e burrave amerikanë ndoshta ma shmangur një tragjedi shumë më të madhe.
Në konferencën e së shtunës, ministri i Brendshëm francez, bernard Cazeneuve ka thënë se identiteti i të dyshuarit pritet të konfirmohet, por besohet se ka lidhje me islamistët radikalë.
I dyshuari ka jetuar në Spanjë deri në vitin 2014, ndërsa këtë vit ishte shpërngulur në Blegjikë. Autoritetet anti-terror në Paris kanë 96 orë kohë për të marrë në pyetje të dyshuarin.
Ndërsa, edhe prokurorët belgë kanë hapur hetime anti-terror mëngjesin e së shtunës.
Incidenti ndodhi mbrëmjen e së premtes pranë qytetit francez, Arras, ndërsa i dyshuari si autor i kësaj ngjarje, një shtetas maroken, plagosi 3 persona në një tren të shpejtësisë së lartë, i cili ishte nisur nga Amsterdami dhe kishte si destinacion Parisin, para se të neutralizohej nga dy pasagjerë të tjerë amerikanë.

Filed Under: Featured Tagged With: Cameron e Hollande falënderojnë tre, Obama, ushtarët amerikanë

ZHGENJIMI

August 22, 2015 by dgreca

Novele nga Kristaq TURTULLI/
Është e dyta herë që bëj sorollatje, të humbas mendjen, nga ‘Ushtari i panjohur në Çajupi.’ Tërheq zvarrë këmbën e drunjtë, si një trung që zhgërryhet në cekëtinë, me llum dhe ujë të ndenjur. Atje ka mjaft piavica, por nuk kanë ç’ti bëjnë cungut, s’kanë ç’të thithin. Kur kthej kryet prapa më duket sikur ‘Ushtari i panjohur’ është i murrëtyer, guna e leshtë i ka shkarë nga supet, gremiset te unë me nxitim dhe më shtyn në shpinë me tytën e pushkës së gjatë. Tyta e ftohtë më shkakton të ngjethura, por nuk nxitoj dot, aq e kam çapin… Dua të kthehem nga ai, ti them dhe unë jam si ti, ushtar i panjohur, por këmbësor, pa bust, me disa gjymtyrë e kocka më pak dhe të lutem largoje tytën e pushkës. Por s’mundem, më tundon përplasja me atë masiv të bronztë. Dikur, im atë më kishte folur për Mihal Gramenon, zhgënjimin e tij dhe dehjen e trishtuar…Unë e urrej dehjen prej merakut të dërrmimit përfundimtar të kockave.ADielli në majë dukej si një unazë e vjetër prej bakri e harruar rastësisht në qiell dhe i mbuluar prej një vello të lehtë të përhime, por që herë pas here vinte e hollohej. Mjegulla e hirtë gjarpëruese, ndjehet, ulet, përdridhet, me fasha e plasaritje, si mësallat e irnosura të plakave të vjetra. Pllakaqet e plasaritua të trotuareve nën vete janë të qullura dhe sa herë shkel pakujdesish në cep të tyre bëhem helaq.
Më është mërzitur jeta, mbart brengën e madhe mbi vete, dua të bredh i vetëm, me hidhësinë e marazit në gjuhë. Të flak tutje fjalët helmëta që më janë mbërthyer mbi trup si grerëza. Të ec, të gjykoj nëse mundem, ti bie qytetit të ndryshkur kryq dhe tërthor, duke baritur si breshkë e vjetër që i kërcet shpina…
Më besoni është e mundshme të jesh i gjymtuar, sakat, me një këmbë e gjysmë. Të tërheqësh gjithë jetën, pas vetes një protezë të konsumuar druri. Nuk je si gjithë të tjerët, që ecin lirshëm, vrapojnë, kërcejnë, dancojnë, luajnë me dy porta, kacavirren dhe ku di unë se çfarë tjetër. I gëzohen trupit kur shikohen në pasqyrë, të zhveshur gollomesh, qeshin të lumtur, shkrihen prej kënaqësisë. Ndërsa unë i gjori jam me disa eshtra të rëndësishme më pak dhe sa herë shihem në pasqyrë rrëqethem…
Klithma ime tashmë është e shuar, sikur ngrihet me zvarritje prej një honi të thellë. Protesta ime rakitike kundrejt pamundësisë, shndërrohet në një mundim zhgërryes, i lemerishëm, si eshtrat e zbardhura të një kafshë prehistorike të lënë në humbëtirë ku gërryejnë vazhdimisht erërat e forta dhe tajfunet.
Duhet të më kuptoni, është një mundim i pa përshkruar të tërheqësh zvarrë jo vetëm një këmbë të poshtër druri, por e njëherësh të mbartësh mbi supe kapotën e rëndë të brengave dhe halleve torturuese. Ndjehesh sikur je i lidhur me zinxhirë çeliku. Si një i burgosur i përjetshëm, me eshtra të cunguara, në kthinën e harruar e të neveritshme të nënvleftësimit. Të mundon shpjegimi ndaj asaj që fshihet dhe të vërtetës së plagosur rëndë. Je si i hallakatur mes indiferencës, hipokrizisë e çmendurisë së botës dhe i mbërthyer nga mendime tmerrësisht sfilitëse. Të duket vetja sikur je skllav i padijes, i brengës dhe padrejtësisë. Cungu dhe proteza e drunjtë janë klithma ngjethëse në humbëtirën shekullore. Truri im është mpakur, mbledhur si oshaf, është lodhur prej trusnisë. Ndërsa zemra e lodhur dridhet si zemberek ore i shkurdisur.
Kush isha unë…e çfarë jam! Oh, ju lutem a mund ta përjetoni zhgënjimin shpartallues të një plaku sakat, me kocka e gjymtyrë të shkulura prej trupit, shumë vite më parë. Të flakura në sepeten e shqyer të harresës..!
‘O Ushtari i panjohur’ pa pikë turpi, me tytën e pushkës më ngutën, më shtyn si me dobec të ec. Mjaft, o ushtar. Me siguri nuk të kujtohet, ndoshta nuk e di, s’ke faj, dhe unë i panjohur kam qenë, por pushkën me gjalmë e kam mbajtur, e kam shkrehur me mijëra herë dhe jam lënduar prej armës. Nuk kthej kryet, ai është hijerëndë dhe më duket sikur do shtypem prej tij. Por njëherësh më duket sikur dëgjoj psherëtima të thella.
Trupi më çan dhe më dhemb, kockat më shpojnë dhe më priten si me sharrë. Këmba e cungët me siguri e ka marrë ndonjë të plasur të re.
Për ti u shmangur ushtarit, pushkës dhe psherëtimave si sallatë e vjetër pa vaj e kripë, u shtyva djathtas. I erdha rrotull një pirgu të vjetër me borë dhe u gjenda sakaq në barin e pistë:’Penda e sorrës’ të Vlash Pambuk hundëpoçes. Dikur lokali ishte i madh, por pas privatizimit u nda në shumë copa. Vlashit i lanë cepin më të largët, ku më shumë e zë qoshja e pallatit, prej shkakut të një grindje me drejtorin e ndërmarrjes. Atje ishte kuzhina e pjesa e oxhakut. Sa herë ai e lyente aq më tepër nxinte, prandaj e quajti: ‘Penda e sorrës’. Vlashin e njoha vite më parë, kur bënim zborin e detyruar ushtarak, ai ishte përgjegjës i organizatës së batalionit dhe pëlqente të ecte pas kazanit të kuzhinës. Jo për gjë por në kuzhinë bëheshin mbledhjet dhe planet e stërvitjes. Ai ishte syjeshil, flokëkashtë, hundëpoçe, vetullvarur dhe dimër e verë mëngët e këmishës i mban të përveshura, sikur do zihej me grushte. Ai kishte vendosur bërrylat mbi banak dhe lokali ishte e shkretë.
-Njatjeta Vlash,- i thashë.
-Të ka shkrepur të sorollatesh si karroqe,- më tha.
-Më paske vënë re, o hundëpoçe,- i thashë.
-Kur s’kam ç’të bëj, o të vras miza, o do kullos sytë,- më tha, pastaj më pyeti: – Xhepat të shpuar i ke? Të përgatis një kafe si zakonisht?
-Kokën e lava në mëngjes,- i thashë. Po ti kërkoje Vllash Pambuk hundëpoçes kafe borxh, nuk bënte kafe, por ujë të vakët me ngjyrë, lëng gështenje, për të larë kokën, prandaj shtova: -E kam një pesëshe për një kafe të fortë.
I hodha pesëshen mbi banak, monedha u rrotullua, tringëlloi bukur dhe u preh rehat. Ai u kollit dhe më hodhi një vështrim të mprehtë.
-Borxhi është borxh dhe veresia është veresie,- tha dhe vuri xhezven të zjehej. Vështroi në gjysmë profili nga unë dhe duke psherëtirë shtoi:- Përherë kothere do të mbetemi o Ndrio.
Isha nervozuar, i paduruar dhe ia ktheva:
-Të jesh fukara nuk është turp.
Vlashi me hodhi një buzëqeshje si gjysmë hëne e konsumuar dhe më tha:
– Por është maskarallëk o Ndrio.
-Më lër rehat hundëpoçja i dreqit. Jeta nuk është vetëm para,- i thashë.
-Po çfarë muti është! Pushteti dhe e drejta është nga ai që ka para,- ia pat me inat Vlashi dhe i ra banakut me grusht:- Fukarallëku është si kjo ndreq kthinë që sa herë e lyej aq më tepër nxihet.
Si ktheva përgjigje. Ndoshta kafja do më qetësonte. Dëgjoja zhurmën cucëritëse të kafesë dhe pa ditur as vetë nisa të trokëllija lehtë gishtërinjtë mbi banak. Vlashi ktheu kryet nga unë dhe më pa me bezdi.
Ishte pesëshja e fundit, dhe si gjithë pensionistët do të marr bukën me listë. Jerina, shitësja e bukës, është trupshkurtër, fytyrëëmbël, sy të kaltërremë. Të jep bukë me listë, pa ndalur vështrimin e trishtuar. Ajo ka një bllok të madh ku shënon emrin e cilido që merr bukë, me listë. Në fillim të muajit të shastisën veshët me cëren e telefonit dhe korrierët, derisa ja bën likuidimet. E lehtësuar u heq një vijë të kuqe borxheve dhe hapen faqe të re, duke luajtur syrin dhe shtuar me zë të ëmbël:
‘Buka ime është e ngrohtë’.
‘E ngrohtë je e tëra, o Jerinë,’ i thashë një ditë, për ti bërë qejfin. Ajo u shkri nga kënaqësie. Luajti shpatullat e bëshme:
‘Ua, s’të dija kaq shakaxhi!’ më tha.
‘Eh moj Jerinë!’ ia bëra, vura bukën në sqetull.
Një mesoburrë vetulltrashë rinte mbështetur në cep të banakut dhe ia kishte ngulur sytë Jerinës, por ajo nuk ia varte. Jerina u kthye nga ai dhe e pyeti ftohtë: ’Hë do marrësh gjë, apo do ti a mbathësh, se si shumë po na bën vapë?
Jerina është shpirt njeriu. Dyqanin ja la i shoqi që vdiq para dy vjetësh. Ajo pëlqen djemtë e rij, por dhe me ta nuk gjen derman, ka ndarë nja tre. Xhuvit djalit tim i pëlqen të shkojë te ajo, kam frikë se mos ma futë në thes, prandaj detyrohem të shkoj vetë…
Vlashi të lan e të lyen dhe të lë morrat brenda. Ai e hodhi kafen në një filxhan të pastër, me germa e lule kineze dhe e shtyu me kujdes drejt meje dhe nisi të më ankohej për skamjen e tërësishme dhe mungesën e myshterinjve. Më parë ma hidhte kafen në një filxhan të thjeshtë, pa të tilla salltanete. Mora kafen u ula në tavolinën pranë dritares, i ktheva shpinën Vlashit dhe vështrova përjashta, njerëzit nxitonin, më dukeshin sikur kishin hedhur mbi supe pelerina gri. Ngrita filxhanin dhe rrufita kafenë pa e pasur mendjen aty, aq sa lëngu u nxehtë më përvëloi buzët dhe gjuhën…

II
Gruaja Anjëze dhe djali im Xhuvi më grindin gjithnjë. Por sot në mëngjes më dokëndisën. Ma hedhin mua fajin për çdo gjë dhe gjithçka që ka ndodhur dhe do të ndodhë, deri te buka me listë dhe kafja lëng gështenje. Sikur unë sakati jam pika e referimit, të fillimit e të mbarimit të kësaj bote të mbarsur me halle dhe rrëmete. Më vjen të bërtas, të ulërij në kupë të qiellit:
Hej, heshtni! Nuk u lodhët së më ndëshkuari? S’më mjaftoi ndëshkimi i jetës. Më lini një copë herë të mbledh kockat si kërmill, të qetësoj trurin e lodhur, të prehem i qetë, pa zhurmë dhe shamatë. More të dashurit e mi të shtrenjtë, as vetë nuk e kuptoni se çfarë kërkoni prej meje. Kush jam unë, e çfarë dreqi ta marrë jam unë. Hë flisni, çfarë! Veç një pensionist sakat që me durim qëndroj në radhë e gjatë për të marrë pensionin. Pres emrin të më dalë në listën e paralajmërimit të fundit për të shkuan përmatanë, atje, ku ikën dhe nuk kthehesh më. Të më shterohet përfundimisht vaji, të shuhet kandili i jetës sime sakate dhe të pakuptimtë. Eh! Ku i dihet ndoshta çuditërisht pas vdekjes mund të shfaqem në formën e një protezë e mundimshme druri për dikë tjetër, që ndoshta mund të jetë idealist dhe fatkeq si unë.
Anjeza, gruaja ime nuk është më e pafjalë dhe e urtë si më parë, është bërë tmerrësisht e paduruar, nevrike dhe topatane, nuk ka fare dhembshuri për mua. Ajo ia mban anën djalit, Xhuvit i cili gjithnjë më thotë pa më parë në sy: -Ku ishe ti baba kur u shtrua në tavolinë me zulmë dhe bujë sofra dhe në mes u vu bakllavaja e fitimtarit?
-Ku isha! Në ballin e luftës dhe të punës isha,- i them.
-He, he, le që nuk hëngre, por as lëpive ndonjë cipë bakllavaje dhe shurupin e saj e le të zaharosej derisa të bëhej e hidhur pelin…
-Ik lanet se nuk di se çfarë flet. Unë e mbrojta bakllavanë se ishte për popullin dhe shurupin e bakllavasë nuk e lashë të zaharosej të bëhej pelin, more vesh, mora thuaj?!- e ndërpreva zëngjirur, më përvëlonte fyti.
– O baba, përse bën sikur nuk kupton. Si i bëhet hallit se populli si ne, mbeti me gisht në gojë dhe bakllavanë e përlanë të tjerët! Përse ti nuk je si të tjerët që ditën e vërtitën, si dje dhe sot një skenar? Ata që e drodhën bëjnë jetë përrallore, të shtypin kokën me para. Ndërsa ne…
-Ore derr i derrit… Mjaft më çukullite kokën dhe dëgjo këti,hiqe atë dreq ‘Ti’ se më acaron nervat …
-Mirë e the, ‘derr i derrit, jemi barabar.’
-Nuk e thashë mirë, nuk jemi derra. Po çfarë të them, o Xhuvi, o bir. Të lutem griji sytë, më vështro në sy, nuk ta thotë zemra, veç të llomotit gjuha,- i thashë.
-Unë të them një të vërtetë të hidhur, o baba,- më ktheu Xhuvi.
-Eh, e vërteta, e vërteta! Më pyet ku isha unë, hë?! Kam punuar si gjithë të tjerët, me përkushtim, thjeshtësi e ndershmëri dhe ndjenja kënaqësi, – fola me gjithë shpirt.
-Po çfarë qullose o baba?
-Çfarë qullosa!? Ashtu ishte koha…
-Mirë e ka djali,- më ndërpreu Anjeza si kakapëre:- Qulli na mbeti dhe qulli po na mbyt. Ty tu pre këmba, vuajte si qeni. Tani të dhembin dhe të çajnë kockat. Të tjerëve që nuk i pickoi asnjë grerë, bëjnë pallën e ariut.
-Anjeza, ti e di mirë sa i ndershëm dhe i përkushtuar isha unë, ndaj teje, familjes, detyrës dhe idealit,- i fola ultas, gati me të lutur, më dridhej trupi.
-E sikur ta dija o burrë, ç’rëndësi ka, tani nuk e di më. Sytë i kam në ballë dhe veshët në vend. E shoh dhe dëgjoj çdo ditë çfarë bëhet,- mu shkreh ajo: – Medaljet zieji dhe piu lëngun tre herë në ditë.
-Eh more baba, ku je ti dhe ku janë të tjerët? Idealizmat e tua dhe qenve po tu a hedhësh nuk i hanë,- më foli me ironi djali.
-Ja, merr shembull Reshat Meçkën. Hë më i lumtë atij, ai është burrë,- më foli gruaja me të keq.
-Mjaft! Më lini rehat, bëhuni def…- i ndërpreva me inat:- Reshat Meçkë na qenka burrë dhe unë jo. Turp. Ai është zarbë, djall me brirë, jo njeri. Përse më merrni shembull të tillë njerëz dhe më lodhni me gjepura dhe nuk më vështroni në sy? Nuk e shihni, nuk u plasin sytë! Më duhet të tërheq në labirintin e ngushtë dhe me kthesa të viteve të vështira një protezë të poshtër druri. Nuk jam si të tjerët! Hë, përse nuk jam si të tjerët e përse duhet të jem si ata! Sigurisht nuk jam si të tjerët. Unë s’kam këmbë por një cung dhe ata i kanë të dy këmbët e shëndosha, nuk baresin por vrapojnë.
-Duhet të ishe si të tjerët,- më buçasin veshët: -Këmba e drunjtë, gjaku i derdhur në luftë, me meritë duhet të jepte copën e merituar të tortës apo të bakllavasë dhe jo të mbeteshim të varfër deri në dhembje.
-Unë të rrëmbeja copën më të mirë të bakllavasë?! – ia bëra gjithë trishtim. Gruaja dhe djali më kishin qëndruar mbi krye, sikur do më merrnin frymën dhe penguar rezen e dritës. Lëviza krahun e majtë për ti shmangur dhe duke rënkuar u thashë:- Jo, kurrë, po shokët që u vranë? Ata trima që ranë në luftë, që dhanë jetën për një ideal. Ata të gjorë s’kanë gojë të flasin, të kërkojnë, u kalbën në dhe. Vallë ata nuk kanë të drejtë më shumë se të gjithë! Ju lutem ikni, më lini te qetë, më lini vetëm, me heshtjen, vuajtjen dhe mundimin tim. Kam faj unë që nuk jam si të tjerët.
Ika i ndërkryer. Zbrita shkallët e ngurta duke hedhur këmbët kuturu. Gruaja më thirri nga pas të ecja me kujdes, të mos gremisesha nëpër shkallë. Më thua sa për sy faqe të mos gremisem. Ku ta gjej të gremisem, por jo të thyej ndonjë eshtër dhe kockë tjetër, por të më bjerë në kokë dhe në gropë…
Vlash Pambuku do muhabet, prandaj më hedh ndonjë fjalë si nëpër të. Por unë nuk kam asnjë dëshirë të bisedoj me të dhe me të tjerët. Ç’mund të them, ai e ka kripën e thatë, një copë pronë e ka, sa herë e fshin dyqanin do gjejë ndonjë monedhë. Po unë, mbart mbi supe ankimin skandaloz të familjes. Në lokal hynë ky klientë dhe unë shpëtova prej tij. Por dhe në lokal nuk më rihet më, më duket sikur më ha trupi. Përshëndeta me dorë Vlashin, ai ishte i përpirë nga puna dhe s’ma kishte ngenë. Dola.
Koha është e vrenjtur, mbështjellë me mjegull të lehtë, të përhimë dhe here pas here qëmton dëborë. Atje ku kanë mbetur ende gjurmë të pa shkrira prej qëmtimit të dëborës, më duket sikur ka një ngjyrosje mellani, blu të errët, kalimtarët nuk guxojnë ta shkelin por e anashkalojnë, duke pritur të shkrijë lagështira lodhëse e ditës. Një hop kujtova se mos dëbora qe përlyer prej kallamarit me bojë shkrimi të përmbysur aksidentalisht i ndonjë fëmije shkolle. Këmba e drunjtë është vjetërsuar, plasaritur dhe nga dita në ditë po bëhet gjithnjë e më e pavolitshme, por që është pjesë e pandarë e trupit tim. Kam dëgjuar që diku jashtë shtetit përgatiten këmbë plastike të lehta dhe shumë të manovrueshme, por duhet një torbë pazari me të holla ndërsa pensioni im simbolik është vetëm një fjalë goje.
Duart e rreshkura i kam rrasur thellë në xhepat e pardesysë së vjetër, të zbardhur si për të ruajtur baraspeshimin, por nuk mundem të kthehen përsëri te ‘Ushtari i panjohur’ më lidhen këmbët gjer aty.
Ec kokulur me merakun e rrëzimit të papritur dhe krisjes së tmerrshme brenda vetes. Tërheq këmbën zvarrë, në trotuarin me pllaka të thyera, pranë xhamave të mëdha të hotel turizmit, për të shkuar dyqanin e Jerinës, të marr si zakonisht bukën me listë. Mezi pres ditën e nesërme, e do zoti nuk bie shumë dëborë. Është ditë e rëndësishme e muajit, do shkoj në arkën e sigurimeve shoqërore do të tërheq pensionin qesharak mujor e, prej andej do mbaj frymën në dyqanin e Jerinës, të heq prej supeve barrën e rëndë të borxhit.
Vështroj në xhama hijen time dhe tronditem. Të gjithë kanë hije të drejta elegante. Ndërsa hija ime lëviz cungueshëm, reflektohet në xhame dhe në ujëra, si një degë e thyer peme që përdridhet dhe përthyhet në imazhin e ujërave të lyrosura. Brenga ime është e gjithanshme.

III
Që në mëngjes mu lëndua dita, por nuk e dija se do më vritej përfundimisht ajo.
U shmanga prej xhamave tradhtare dhe lëviza pjerrtas disa hapa më tej. Befas buzë trotuarit dy metra larg meje qëndroi me zhurmë dhe frenoi me forcë një makinë kartë e re që më spërkati me baltë, më bëri helaq. U mata të bërtisja me sa zë që kisha në kokë. Ti shkrehesha shoferit, ti thosha:
Ore buf, s’ të plasën sytë, se sheh, ka njerëz që ecin në trotuare.
Në çast gjuha më ngriu, mu bë njëlloj, si cungu i këmbës. Kur pashë që me ceremoni u hap dera e makinës dhe me madhështi zbriti… Reshat Meçka! Kisha vite që se kisha parë Ai ishte i vjetër por i mbajtur, i fryrë, gjoks përpara, i shëndoshë, Fytyrëkuq, dukej sikur do ti pëlciste fytyra prej vetëkënaqësisë dhe shëndetit. Të jetë vërtet Reshati ky! Ai më hodhi një vështrim indiferent, nënvleftësues, përbuzës dhe bariti me madhështi drejt shkallëve të hotel turizmit.
-Mirëserdhët, urdhëroni brenda zoti Reshat, – dëgjova zërin servil të punonjësit të turizmit.
Unë u zbytha me tej. Reshat Meçka! Anjeza dhe djali Xhuvi ma përmendin gjithnjë këtë emër, ma shpifin, ma venë si shembull përpara. Ata nuk e dinë kush është Reshat Meçka, prandaj i dëgjoja pa u kushtuar shumë vëmendje dhe nervozohesha. Çuditërisht tani gjendem ngujuar, si trung në trotuar dhe i përlyer me lym nga koka deri në këmbë prej makinës së tij. I nënvleftësuar e përbuzur. Më bëri të më vinte keq për veten dhe gjithë jetën time. Të më rrëqethej trupi deri në palcë….
Çfarë bëre o Reshat Meçka! Përse më dole përsëri përpara o Reshat Meçka. Pikërisht tani kur më ha dhe më kruan i gjithë trupi prej marazit dhe më përleve me llum. Shkoje ore tutje, qyteti ka boll trotuare ku mund të ndalosh makinën.
Por ky Reshat Meçka nuk dëgjoi, më shpartalloj dhe njëherësh më shkundi trupin tim të drobitur me gjithë lecka….
‘E sheh ku është Reshat Meçka, e sheh! Ku ai dhe ku ti! Atij i ndrit lëkura, ndërsa ti, rrjepacak i përlyer si lypsar i mjerë me baltë,’ më foli zëri pas veshit.
‘Ku dini ju gjë,’ gati sa nuk bërtita:’Nuk dua të jem si ai.’
‘Sigurisht nuk je si ai.’
‘Ëhë!’ ia bëra.
‘Ti je me një këmbë, cung, ai me dy këmbë, i gjatë i shëndoshë si ka.’
‘Oh!’ mërmërita.
‘Ai është me shërbëtorë në shtëpi,’ më buçiti zëri pas veshit.
‘Reshati me shërbëtorë,’ klitha.
‘Pse çuditesh, të kesh sot shërbëtorë është gjë e zakonshme.’
‘Shërbëtorë! Mjaft, mjaft, mjaft! Ikni tutje. Më lini me gjithë hallin tim,’ bërtita. Dhe zura veshët me duar. Por zërat ishin kokëforta mi dërmonin gishtërinjtë…
U tërhoqa mënjanë. Iu shmanga njerëzve me nxitim dhe u përpoqa të përmbaja veten mos më ngatërronin me Cile të marrin, i cili kur lodhet nga fjalët dhe ngacmimet e të tjerëve, lëshon klithma histerie, zë veshët me duar dhe ulet në bisht kudo që të ndodhet…

IV
Më kujtohet fort mirë, kur ai zbrazi koburen, krismat shungulluan në veshët e mi dhe pas pak dëgjova klithma të thekshme, pashë rrëzimin e trupave, bërtita i çakërdisur:
-Çfarë bëre o Reshat Meçka?!
– Hë! Pse çfarë bëra? – ia bëri Reshati me shikim të mjegullt dhe fryu tytës së nxehtë të kobures.
-Ore me gjithë mend e zbraze koburen mbi ta,- rënkova me trishtim
-Koburja për tu zbrazur është bërë,- ma ktheu ai pa e prishur gjakun.
Vështrova sy zgurdulluar trupat e të dy qëlluarve me plumba, të plandosur njëri mbi tjetrin dhe u mbështeta në bërrylin e majtë. Të gjorët përpëliteshin në grahmat e pragvdekjes. Pellgu i gjakut filloi të rridhte curril prej plagëve të porsa shkaktuara, e po përpinte hapësirë në dyshemenë e mermertë dhe turrej drejt meje. Kërceva si të më kish pickuar zekthi dhe u tërhoqa pas me mundim. Përgjatë rrëzimit këmba e cunguar më ish përgjakur.
-Hëm, tu dhimbsen këta derra?
-Po ti i vrave?!- gërhita.
– Ç’ tu bëja, ti tarnanisja, – hungëriti Reshati dhe i fryu kobures që lëshonte akoma tym:- Nuk i pe qelbësirat, për këtë copë mut kuti tu sulën si përbindësha për të mbytur.
-Dhe ti Reshat për këtë copë mut kuti, i bëre fërtele tak- fak, hë! – mërmërita. Koka më buçiste.
-Më mo se borgjezë të poshtër janë, të pangopurit, gjithë jetën na kanë pirë gjakun. Shërbëtorë na kanë trajtuar, pa pikën e dinjitetit…
Dhembjet e këmbës së cunguar më thernin në shpirt. Kafshova buzën dhe u ngërdhesha, pa u ndarë shikimin dy të mjerëve që po mbërtheheshin prej zbehtësisë dhe akullsisë të pamëshirshme së vdekjes.
Ishte bastisja e tretë që bënim në shtëpinë e tregtarit të qytetit Ndini Frati. Pas shumë presioneve, torturave, më në fund Ndinit trup vogël me kokë të shukët ju hap goja:
‘Hëm.., është jeta ime, kanë punuar dhe ropatur katër breza… hëm…m… m, hëm…m…m,’ sikur fliste honi i thellë dhe jo njeriu. Shokët e grupit hetimor të dërmuar flakën përdhe veglat e torturave, u ndehën, përqendruan të gjitha shqisat për të zbërthyer pëshpërimën e rëndë si të ngrihej nga fund bota. Ata me të drejtë u nervozuan.
‘Përsërite prapë,’ i bërtitën, ‘fol maskara, trego. Nuk na duhet sa breza kanë punuar. Na duhet ku i ke fshehur qypet me florinj? Hape gryken, përgjigju.’
‘ Hëm…m…m, hëm…m…m,’ ia bëri përsëri Ndini Frati.
Shokët e grupit hetimor fshinë djersët, ngritën mjetet e torturave dhe u bënë gati për mësymje të re.
‘Mos do të shtrohesh prapë në torturë, të ngordhësh si qen,’i thanë:’ Merre vesh njëherë e mirë o pusht i keq, nuk ka mëshirë për borgjezët, klasën e përmbysur. Ngordhi koha juaj.’
Ndini Frati u përdrodh, u deformua, volli me gulçe dhe honi i thellë polli të fshehtën…
‘Më në fund u kuptua. I nxori lakrat e barkut,’ bërtitën shokët e grupit hetimor dhe gjëmuan jashtë në rrugët e përbaltura.
Binte shi me gjyma. Kërko, gërmo. Më në fund qypat e fshehura me florinj u gjeten aty ku nuk mendohej, qenë groposur në kopsht, thellë në tokë e mbi to me djallëzi Ndini imcak kish mbjellë trëndafila dhe tulipanë. Shokët e grupit hetimor morën frymë të lehtësuar dhe thanë:
‘I poshtri, dhe lulet donte ti përdhoste…’
Urdhëruan të mbartnin tregtarin e torturuar Ndini Frati në kthinën e labirintit të kthetrës ku firmoseshin formalitetet përfundimtare. Ai ishte bërë një skelet me dy pare shpirt dhe qëndronte i lidhur si qen i zgjebosur në cep të hetuesisë.
Meqenëse unë isha me një këmbë e gjysmë dhe Reshati mik i komisarit, ishim të caktuar nga komanda e qarkut për grumbullimin dhe rruajtjen e sendeve të sekuestruara. Na urdhëruan ti mbartnin qypet me florinj në zyrat e komandës së qarkut.
Befas në mesnatën e ditës tjetër kur ish ftohtë dhe binte botë me flashka të mëdha erdhi informata e fundit për fshehjen e kutisë me xhevahire dhe takëme grash nga një ish shërbyes i shtëpisë. Të lodhur dhe të pagjumë shokët e grupit hetimor e shkulën Ndini Fratin prej kthinës së kthetrës, e shpunë zvarrë në qilarin e ingranazheve të zbërthimit dhe e vunë sërish në torturë. Tregtari imcak ish bërë kockë lëkurë, nuk përballoi më, honi shumë shpejt u shtrydh dhe u zbërthye. Komanda e qarkut urdhëroi mua dhe Reshatin të shkonim ta gjenim dhe ta sekuestronim.
Gjithçka ndodhi shumë shpejt, sa hap e mbyll sytë. Trokitën me potere, me çokun e bronztë të fiksuar në portën e rëndë me dru are. Derën na i hapi i biri i Ndinit dhe e reja, të dy ishin të verdhë dyllë më fytyrë dhe të llahtarisur. Pa u thënë gjysmë fjale i shtymë pas derës dhe hymë me vrull në shtëpinë e madhe, të ftohtë dhe të boshatisur. Informacioni ish i përpiktë.
‘Hë, hë, druri vëlla ka dalë nga xheneti, nuk ka me të dëngla e mëngra,’ mërmëriti i kënaqur Reshati. Rrëzuam me kazmë disa tulla e kur po zgjatesha të merrja kutinë e argjende që gjetëm të fshehur në cepin e majtë të vatrës, dëgjova zërin e përgjëruar të nuses bukuroshe të veshur me mëndafsh:
‘Ju lutem vetëm këtë mos ma merrni, është prika ime.’
Më pas u dëgjuan klithma të trishtuara dhe qarje me kuje. Me bisht të syrit pashë disa duar që u ngutën për të ma rrëmbyer kutinë e argjend. Me rrëmbim dhe instinktivisht lëviza djathtas për tu shmangur, këmba e drunjtë nuk mu urdhërua, humba ekuilibrin, u rrëzova. Atë çast dëgjova disa krisma gjëmuese revolveri, dy trupat e çiftit të ri u këputën si të prerë me kosore dhe u dergjën përdhe, të mbytur në gjak, një metër larg meje.
Ndjeja dhembje në këmbën e prerë, proteza kish lëvizur prej vendit duke më shkaktuar gjakosje.
‘Nuk vritet njeriu për një copë kuti o Reshat,’ i thashë me inat. Vendosa gjurin e këmbës së shëndoshë dhe bëra të ngrihesha.
‘Vriten që ç’ke me të,’ hungëriti Reshati.
‘ Këta të gjorë nuk mundën as të më preknin. Rrëzimi ndodhi prej kësaj dreq këmbe,’ i thashë.
‘Nuk të prekën,’ bërtiti me sa kish në kokë Reshati.
‘Jo, nuk më prekën.’
‘Punë dreqi. Përse nuk të prekën? Tani më thua mua që nuk të prekën! Çfarë tu bëjmë këtyre borgjezëve që po përpëliten akoma?! Tu jap e nga një plumb në lule të ballit, të cofin njëherë e mirë?’
‘Ti hapje sytë,’ iu shkreha,’ duhet të jemi të matur. Njeriu nuk është krimb.’
Reshati ngriti supet.
‘Hëm, ti hapja sytë! Duhet të jemi të matur, hë! Ja që nuk jemi të matur, jemi të rinj, na zien gjaku në damarë,’ ia bëri Reshati, futi koburen në brez dhe shtrëngoi rripin e pantallonave.
‘Dhe këta që dergjen përdhe janë të rinj si ne,’ i thashë.
‘Këta janë reaksionarë, tregtarë, s’janë si ne.’
‘Ky djali vinte në celulën tonë,’ thashë.
‘Hajt, ç’u bë u bë,’ma ktheu Reshati pa ja vënë veshin fjalëve të mia: ‘Hajt të bëjmë një raport për ngjarjen, për rrezikshmërinë e paraqitur prej tyre, ta firmosim të dy dhe ta dorëzojmë në komandë,’ mërmëriti Reshati me sytë e ngulur tek nusja e re. Penuari i saj i mëndafsh i ish zbërthyer, shkalafitur, përlyer me gjak. Ajo ish vetën në të linjtat gati të tejdukshme.
‘Borgjezja e dreqit edhe pse e cofur ka një zbehtësi provokuese marramendëse,’ mërmëriti Reshati.
I biri i Ndinit, imcak si i ati, sy zgurdulluar po jepte grahmat e fundit.
U ngrita me vështirësi dhe u ula në stolin aty pranë. Reshati me kureshtje të madhe hapi kapakun e kutisë të gdhendur në ar dhe rrëmoi një copë herë aty.
‘Çfarë takëme janë ato o Reshat?’ e pyeta.
‘Rraqe të poshtra borgjeze. Rangulla të ndyra, si ato që mbajnë zuskat nëpër bordello,’ ia bëri Reshati dhe mbylli kutinë.
‘Ma jep kutinë ta shoh,’ këmbëngula.
Reshat Meçka me pishman më zgjati kutinë ku në të ishin gdhendur dy engjëllushë të artë. Kutia brenda ish veshur me kadife të butë, të kuq dhe në të kish unaza të çmuara, xhevahire dhe byzylykë vezullues, më shumë më tërhoqi vëmendjen një unazë e trashë floriri me gur blu rrezatues. Nuk kisha parë në jetën time sende të tilla shkëlqimtare. Reshati nuk më la ti sodisja gjatë, ma tërhoqi kutinë me sytë që i zverdhonin prej lakmisë dhe e futi në çantën ushtarake.
U përpoqa të fiksoja protezën e drunjtë pas cungut të këmbës së lënduar, u shtrembërova më dysh prej dhembjeve, ishte punë që s’bëhej.
‘Hajt të çoj në spital,’ më tha Reshati.
‘ Jo, jo. Në fillim çojmë kutinë në komandë, pastaj do kthehem të mjekoj këtë dreq cung në spital,’ i thashë ne inat dhe vështrova me dyshim drejt tij.
Sa herë bëheshin kontrolle dhe bastisje në shtëpitë e tregtarëve, e zbulonim qypa të groposura me florinj të madhësive të ndryshme, shokët na i jepnin mallin e sekuestruar në besim, për ti çuar në komandën e qarkut e të cilat ishin pa inventar.
‘Qelbësirat, groposet floriri, djersa, mundi i popullit. Paraja është krijuar për ti shërbyer njerëzve, të blenë me to ushqime dhe veshmbathje, jo të fshihet vrimave,’ grindej Reshati dhe vështronte me kujdes rreth e rrotull e përlante me lezet disa monedha dhe i fuste me nxitim në xhep.
‘Çfarë bën o Reshat,’ i thosha, ‘florinjtë e sekuestruara i përkasin popullit fukara.’
‘Pse unë e ti, a nuk jemi popull fukara,’ ma kthente Reshati,’ të ëmën s’ ëmës, nuk ua kemi ditur asnjëherë lezetin këtyre verdhushkave të qelbura. Merr e ca ti se nuk përmbyset bota.’
‘Janë paratë e popullit o Reshat, të thashë,’ këmbëngulja.
‘He, he, populli nuk e la këmbën në luftë, ti e le,’ ma kthente Reshati dhe përdridhte buzët e trasha, dhe shtonte zë ulët: ‘ Na dëgjo këtu, kafshoje gjuhën përpara se të flasësh me të tjerët.’
Reshat Meçka hodhi çantën ushtarake në shpinë me kutinë me takëmet e çmuara borgjeze dhe i fërshëlleu një karroce që qëndronte e mbrehur në cep të kinemasë Maxhestik.
‘Hej, eja shpejt këtu, shtjere menjëherë këtë shokun në spital.’
Reshati pa u vënë veshin kundërshtimeve të mia, më ngrit peshë dhe më hipi në karrocën e pistë dhe pa më përshëndetur, me hap të shpejtë ktheu bërrylin e postës së vjetër…

V
Çfarë bëre o Reshat Meçka!
Nuk doja ti zgjoja, ti shkundja prej pluhurit të gjatë, ti kujtoja, ti risillja nëpër mend dhe më në fund… Ah më në fund, të vija në lëvizje buzët e holla të rrudhosura e të hapja gojën. Në kamaren time të holluar kanë mbetur si bedena të një kështjelle të çakërdisur, të sfilitur prej kohë zgjatjes, vetëm tre dhembë të përparmë, të poshtëm, të verdhë, gjysmë të kalbura në pritje të rrëzimit të paralajmëruar. Dhe aty tek tuk, nëpër të, si të kërkosh nëpër rrënoja, mezi dallohen rrënjët e dhëmbëve dhe dhëmballëve të thyera.
Nuk doja kurrsesi ti përmendja o Reshat Meçka. Nuk mund të them që isha unë, me ndërgjegjësimin tim, por ishe ti me të tjerët, që me megalomani dhe moskokëçarje më shtytë dhunshëm, shkallmuat derën e ronitur të së djeshmes ku qëndronin të fshehura, të groposura. I shtrënguat me forcë, i shkundët, por u ngeli ndër duar myku dhe u mbyti kalbësira. Çuditërish u dëgjua rropamë e madhe, duhej të ishit shurdhuar veshët ndaj nuk dëgjuat shungullimën që u ngrit së thelli, si një uragan dhe që tronditi trupin tim të munduar.
Kisha vendosur përfundimisht të mos i rikthehesha, një të pakthyere, ngaqë analizat e stërholluara, në tehun ndryshkur të vetmisë shpesh herë janë thikë të mprehta me dy presa. Le të qëndronin atje ku kishin mbetur, duke mbartur me vete shembjen dhe harrimin shumëvjeçar.
Jo nuk mundesha të doja e të mos i kujtoja o Reshat Meçka, nuk mundesha…
Sa vite kanë ikur qysh atëherë, shumë e shumë vite. Kanë rrjedhur ujëra të kthjellëta e të turbullta nëpër shkëmbinjtë e thepisur, në ultësirat, rrëpirat dhe zigzaget e jetës. Janë ndërruar stinët, festuar përvjetorët, kongreset dhe planet pesëvjeçarë. Unë jam ai që isha me trokëllimën e çakërdisur të hapave të mia në kalldrëm, pa ndryshime të qenësishme, vetëm më i mplakur, më i gërmuqur. Po ajo shtëpi, muri i kopshtit në krah të rrugës kur fillojnë reshjet, shembet çdo vit.
Dikur isha rrogëtar i vogël, në fabrikën e qelqit, fryja dhe numëroja vazo e shishe, me përparësen e zbardhur e të përcëlluar deri në fund të këmbëve. I pandryshueshëm, i vendosur, i sertë, kokëmushkë, i sinqertë, i betuar.
Kur isha i ri, pesëmbëdhjetë vjeç dola në mal me shokë për të luftuar armikun, sikur do shkonin për piknik, me pantallona të shkurtra dhe këmishë të hollë pambuku. Nata në mal ish e ftohtë, nuk mund të flija. Zbrita poshtë në stan, çobani plak më dha disa tesha të vjetra por që ishin të ngrohta. Në pritën e parë të qafë Lamës, disa partizanë të vjetër të fshehur pas një shkëmbi, bërtitën, o burra të hidhemi në sulm mbi ta, dhe pa e zgjatur shumë u shkëputa me vrull prej llogores ku isha, u hodha në sulm i pari mbi ta. Mu bë sikur nuk isha unë, djaloshi pesëmbëdhjetë vjeçar, por një krijesë në shpërthim, më rrëmbeu magjia dërmuese e luftës. Ngado breshëri, shpërthime, shkëndijime, flakërima, e sa hap e mbyll sytë u gjenda i shtrirë përdhe. E kisha ngrënë një cifël të madhe murtaje në këmbë. Isha shumë i ri dhe nuk dija se çfarë ish frika dhe kërcënimi real i vdekjes shkaktuar prej luftës. Këmba mu gangrenizua.
Pranë shtratit tim u afrua mjeku, ishte një burrë i vjetër me rrudha dhe sy të skuqur prej pagjumësisë. Ai më kontrolloi me kujdes plagën, pastaj vështroi nga unë me dyshim dhe me dhembje. Sapo më kishte djersirë mustaqja.
‘Sa vjeç je?’ më pyeti.
‘Rreth gjashtëmbëdhjetë,’i thashë. E gënjeva, unë isha plot pesëmbëdhjetë e dy muaj.
Mjeku qëndroi një copë herë i menduar me sytë e ngulur te këmba e gangrenizuar dhe më foli me zë të pavendosur.
‘Duhet ta presim këmbën mbi gju, ndryshe do vdesësh. Si thua?!’
‘Duhet prerë këmba?’ pyeta për siguri e sikur bëhej fjalë për dikë tjetër.
‘Po, duhet prerë,’ më tha.
‘Prijeni,’ u thashë.
Mjeku u kapërdi me vështirësi.
‘Por ne nuk kemi narkozë dhe as sharrë operacioni, veç sharrë druri,’ më tha infermieri.
Mblodha supet dhe u shtriva. Mjeku dhe infermieri u panë sy ndër sy si ti thoshin njëri tjetrit: e ka me gjithë mend ky djalë. Unë prisja shtrirë. Infermieri disinfektoi me alkool sharrën që kuzhinieri priste drutë, pastaj qulli me alkool këmbën time.
Infermieri më vuri një copë kleçkë në gojë.
‘Shtrëngoje me dhëmbë,’ më tha.
Prerja e këmbës nuk ish lojë por një torturë e vërtetë. Sharra preu me shpejtësi lëkurën dhe venat e para. O zot çfarë dhembje! Pështyva kleçkën dhe klitha:
‘Të çmendur, me gjithë mend e keni të prisni një këmbë me sharrë druri. Hiqeni atë dreq sharrë, zhdukuni, më lini të vdes, të poshtër,’ por ish tepër vonë. Sharra po priste kockën, këmbën time me zhurmë të ndyrë. Fillova të bërtisja, të shaja, të kërcënoja, të ulërija, të këndoja me shpirt ndër dhembë, për të përballuar dhembjet e tmerrshme, sharra prej druri po hynte thellë dhe më thellë në kockë. Kaq e madhe ishte kocka e këmbës sime sa po zgjaste një shekull?! Më pas, nuk kujtoj asgjë,u rrokullisa pingulthi në humnerë dhe humba ndjenjat.
‘Je vërtet burrë,’ dëgjova që më tha mjeku kur po përmendesha:’ Je burrë dhe hero.’
Vështroja cungun e këmbës dhe nuk më besohej që isha unë në të vërtetë. U rrëzova, u ngrita me qindra herë, u gjakosa, qava prej dhembjeve në qoshe të shtëpisë, në vetmi, derisa u mësova të çapitem si lavjerrës, në këmbë, me këmbë të dhunshme të drunjtë dhe asnjëherë si të tjerët.
Trokëllinte këmba ime e drunjtë në kalldrëmet e rrugicave të ngushta. Bashkëqytetarët mërmërisnin nën vete, po vjen invalidi me këmbë druri dhe më hapnin rrugë. Kujtoja se ish respekt për merita lufte. I mëshoja më tepër këmbës së drunjtë me krenari gati qesharake. Nuk mund ta kuptoja se pas respektit të shtirur, fshihej keqardhja, mëshira. Më në fund gjeta Anjëzën, vajzë të urtë fshati, krijova familje në shtëpinë e të parëve, poshtë rrugës. Anjëza mu bë krahë, më ndihmon të heq dhe të vë këmbën e drunjtë dhe në gjithë punët e shtëpisë dhe më dhuroi një djalë. Ndërkohë përpara syve të mi rriteshin, burrëroheshin, ngriheshin në pozitë dhe përmbyseshin shumë veta prej radhëve tona. Nuk më vinte keq për ta, për mendimin tim merrnin atë që meritonin, firot janë të pranueshme, vetën flamurin e fitoreve të mbanin lart. Atje lart sipër mbi re ku qëndronte i madhi, e besoja dhe isha i bindur që atje lart ishte përsosmëria, nuk bëheshin kurrë gabime. Ne luftuam dhe luftonim për një botë të re, pa të shfrytëzuar dhe shfrytëzues…

VI
Ti na qenke burrë, trim, hero, o Reshat Meçka, me hundë dhe mjekër si shpend grabitqar, që fshiheshe si miu prapa poçes. I zellshmi për citate dhe i kudo ndodhur për pehlivanllëqe e maskarallëqe. Mua më vinte pështirë, karavidhe ke qenë. Por ti nuk e prishje terezinë dhe thoshe:
‘Për…për… përpara për… fitore, me betimin ndaj idealit dhe përkushtimin shembullor!’
Ka filluar të mbahet goja o Reshat, të thosha. Ti ktheheshe nga unë dhe zgërdhiheshe. Mua më vinte turp dhe pështirë. Por ti pa e prishur terezinë vazhdoje drugën.
Ndërsa mua dikur më quanin, diçka midis ironisë së hollë dhe xhelozisë së hapur:
‘I përbetuari,’unë e dëgjoja pa fjalë dhe unë krekosesha si kaposh.
Tani duke nënqeshur me sarkazëm pëshpëritin pas shpine:
‘Sakat-fanatiku i mjerë,’ por nuk është e vërtetë. Njeriu e ka një moral. Unë nuk jam mësuar të kërcej si karkaleci, të jem i poshtër, maskara. E dua dhe e mbaj në shpirt idealin tim. Paçka se të tjerët e pështynë e shkelën me këmbë, e flakën si lëvere. Përsëri dua ta fitoj bukën me djersën e ballit. Por kur e thashë një ditë Anjeza ma ktheu me inat:
‘Çfarë bukë e fiton djersën e ballit, bukën borxh e merr. Ah more burrë, i gjori ti, hala ke ura…’
Sigurisht ke ura jam dhe pensionist i varfër dhe kur më mbarohen të hollat pa mëdyshje shënoj emrin në listën e bukës. Jerina, shitësja bukuroshe më vështron me trishtim dhe mbledh buzët e plota si dy kokrra qershie. Nuk i mërzitem sepse çdo ditë ndjej përdredhjen e buzëve pas shpine. A nuk është e neveritshme e deri ku mund të shkojë marrëzia e njerëzve?
Ndërkohë rrëgjimi im është më i dukshëm. Jam bërë si kosore e ndryshkur, lënë në harresë, diku në cep të haurit. Vërtitem si kërmill në shtëpinë që gjendet poshtë rrugës, që mbart lagështirë. Muri mbajtës nën rrugë, shembet çdo vit kur fillon lagështira dhe prej peshës së rëndë të makinave që janë shtuar shumë këto vitet e fundit. Dikur ashtu çalë-çalë, pastroja dherat, hiqja gurët mënjanë, përgatisja llaçin dhe e ngrija murin e rrëzuar. Vitet e fundit murin e rrëzuar e ngre djali im Xhuvi, por ai shan dhe grindet gjithnjë:
‘T’ ëmën e s’ ëmës, ky short më paska rënë, të ngre gjithnjë mure të rrëzuara.’
Unë largohem, nuk i flas, s’kam çfarë ti them. Djali punon tornitor me turne dhe lodhet shumë, por tani e kanë nxjerrë në asistencë dhe ka filluar të pijë cigare me shumicë. Më dukej sikur kisha influencë dhe fuqi, por s’paskam më. Çfarë pret nga një copë sakat. Hëm! Më gënjente mendja dhe dikur unë ëndërrmadhi budalla, mora një copë dru, përgatita vetë këmbën e drunjtë…U gjakosa, u rrëzova, u dërrmova: Të ecja më këmbë, ti përvishesha punës, të ndërtoja socializmin, jetën e re…
Nuk dua të gërmoj, të hap monopatin e thellë, të mbuluar qyshkur prej dherave, fletëve të kalbura, karthjeve të thata, luleve, përmbysjeve, rrëmbimeve, shpronësimeve, fjalimeve, dekorimeve, premtimeve, dëshirave, ëndrrave të stisura të përfunduara në sirtar. Ky monopat ka humbur së qëni është ngjeshur bërë gur prej mjeteve të rënda dhe hapave, marshimeve, paradave dhe zboreve të qindra e mijëra vetëve.
Më falni o njerëz të duruar, gjithsesi po e shtoj me dhimbje dhe trishtim, në kllapa të trasha: (Tashmë askush nuk ka më moral, por është karavidhe.) Ndërsa zëri brenda vetes, edhe pse është zë plaku të shastisur, pëshpërit, më sukullit veshët çdo ditë se njeriu asnjëherë nuk ka pasur moral, të gjitha kanë qenë gjoja de, përshpirtje të moralit. Dua ta përzë zërin brenda vetes. Kruaj veshët me inat, të cilat më janë bërë llapushë, por zëri i dytë nuk pranon të bindet e të largohet. Është bërë zë i fortë, i bezdisshëm, aq sa më shurdhon, më ka shkatërruar përfundimisht gjumin dhe shëndetin…

VII
Çfarë bëre o karavidhja, Reshat Meçka!
Përse më dole përsëri përpara o Reshat Meçka. Më mbive si flamë pikërisht tani, kur më është mërzitur tmerrësisht vetja. Kur po më ha dhe më kruan i gjithë trupi prej marazit. Shko ore tutje, qyteti ka boll trotuare ku mund të ndalosh makinën. Ti Reshat Meçka më vështrove me indiferentizëm nga lart poshtë, ngrite krahun dhe shtrove me madhështi ato pesë qime të lyera me bojë, ku në gisht të shkëlqen unaza e artë me gurin e çmuar vezullues të viktimave. Unë u zbytha më thellë sikur u hyra brenda në murin me suva të thërrmuar. Ndoshta mund të jem përpirë prej imazhit të ngjyrosur të xhamave të mëdha. Dua të bërtas në kupë të qiellit. Nuk të hyri asgjë gjemb në këmbë o Reshat Meçka. Kërceve si karkalec nga një magazinë në tjetrën, nga një shef kuadri në anëtar byroje. Në gërmadhën e vjetër të Naumit, tregtarit të pushkatuar ndërtove shtëpi elbasanase, me oborr të madh përpara dhe prapa. Por tani o Reshat Meçka me ndryshimin e sistemeve e ndërtove shtëpinë trekatëshe, i nxore takëmet e borgjezëve të dikurshëm, unazat dhe xhevahiret e fshehura dhe hape dyqanin e bizhuterive në qendër të qytetit.
O Reshat Meçka, o pusht i pushtave përse nuk u zbythe tutje!
Por ti dreq Reshat Meçka më shpartallove dhe njëherësh më shkunde trupin tim të drobitur me gjithë lecka. Unë jam ai që isha, djalosh idealist plot ëndrra dhe dëshira të pambukta, që hëngra ciflën e granatës në pritën e parë. Përballova dhimbjet e tmerrshme kur mu pre këmba me sharrë druri pa narkozë.
E kupton o Reshat Meçka, o qen i biri i qenit se çfarë po ndodh me mua! Në çfarë luftë rraskapitëse jam me veten. Në ketë botë të flamosur nuk e di të ec, apo zvarritem, por kaq di, që jam kokulur si dikur, kam qenë dhe mbetem i ndershëm, me merakun e përhershëm të rrëzimit të papritur, duke hequr këmbën e drunjtë zvarrë. E di ti o pusht, që nuk mu ndanë asnjëherë radhët e gjata, e shpesh kur më mbaron pensioni marr bukë me listë, zvarritem si një breshkë e vjetër, duke tërhequr pas vetes protezën e plasaritur dhe të drunjtë.
E kupton o Reshat Meçka, o biri i bushtrës, o vrasës, katil, që tani na mbake shërbëtorë. Çfarë faji bënë ata të rinj dhe shumë të tjerë si ata, të pambrojtur, i vrave me gjakftohtësi xhelati? Hëm, unë fakiri ec si kërmill dhe hija ime përthyet nëpër xhama. Jo, nuk jam kërmill dhe nuk do jem kurrë kërmill deri në frymën e fundit. Jam njeri dreqi ta marrë, me gjak dhe rremba, që kam një zemër, të thjeshtë, të mplakur, të lodhur, të drobitur.
Ndërsa ti o Reshat Meçka nuk je njeri, por je lubi, oktapod, përbindësh, dreqi me brirë. Nuk e di, në jam naiv, i trashë nga mendja, i luajtur nga fiqiri, apo pleqëria dhe rrëgjimi i halleve më ka katandisur për ibret të zotit, në një thes të vjetër me byk e kashtë. Por përsëri ta them me bindje o Reshat Meçka që jam njeri. Ndoshta e mira e shumëvuajtura ime Anjeze e djali im Xhuvi kanë të drejtë dhe kjo kaploqja ime e shkretë nuk do të bindet, për djall ka mbetur qytyk, me mendime të prapambetura si më parë.
Kam një brengë dhe një dert të madh, më shumë se ujërat e lumenjve, liqeneve, deteve dhe oqeaneve, ndaj ju lutem shumë more vëllezër, në keni mëshirë, mos e mundoni këtë plak të rrëgjuar, ma thoni:
Çfarë ndryshimi ka, nga partizani i dikurshëm, vrasësi me gjakftohtësi, Reshat Meçka dhe shokët e tij, të cilët gjoja luftuan për liri, drejtësi, barazi. Tashmë këta malukatë i sheh të krekosur, të pasuruar, të pangopur dhe prej atyre të mjerëve, klasës që e quajtëm të përmbysur, gjakpirës, tregtarë të poshtër, katilë, të cilët i shpronësuam, i përndoqëm, i burgosëm, i vramë pa mëshirë si të ishin kakarroçë?
Më dëgjoni? Po e përsërit, ne u përpoqëm ti shfarosnim me zjarr dhe me hekur, ata që me mund në qindra vjet, në brezni, vunë kamje dhe pasuri, luftuan për komb dhe atdhe. Ndërsa ti krokodil i pashpirt Reshat Meçka me shokë qysh në fillim tradhtuat idealin, gjakun e të rënëve, vodhët, u pasuruat brenda një nate, jeni më të keq se të këqijtë. Cilët kanë qenë dhe janë katilë dhe rezilë, ata që u munduam ti shfarosnim me zjarr e me hekur, apo jeni ju përbindëshi Reshat Meçka me shokë?
Oh, ju lutem, ju lutem shumë zbërthejeni fillin e këtij lëmshi të koklavitur, më thoni, më tregoni, mos më mundoni. Siç e shihni jam plak, me një këmbë, mund të vdes shumë shpejt dhe fatkeqësisht do marr me vete në atë botë, në varr, padijen, naivitetin, ndershmërinë e një veterani sakat të dalë mode?
Më besoni as vetë nuk di se çfarë kërkoj. Nuk e di kujt ti drejtohem, kujt ti hapem; vetes, miqësisë, njerëzisë në qoftë se do mundnin të më përgjigjeshin. Ti kthehem fanatizmit gërdallë, idealizmit të zhvlerësuar, bërë prostitutë rrugësh, marrëzisë, çmendurisë? Kujt?! Kudo është shurdhëri, shkretëtirë… Më vjen keq për veten por dhe njëherësh dua të qesh me të madhe, të shkulem së qeshuri, aq sa të thyhen xhamat e vitrinave, të buçasin sirenat e makinave, të prishen hijet, të shqyhen rrjetat e merimangave dhe të shkundet i gjithë qyteti…
Pastaj… i detyruar prej rrethanave të rëndomta, mund të bëj e ndonjë shaka të lezetshme, shaka pensionisti. Të mbyll sytë e të hidhem në rrotat e një makine të rëndë. Në momentet e fundit do dëgjoj në veshët e mi thyerjen e shurdhër dhe dërrmimin e kockave të mia. Pas disa orësh gazeta lokale do shkruajë sy rreshta me indiferentizëm, në këndin e vogël të kronikës së zezë se; në orën kaq dhe aq, u shtyp aksidentalisht një plak pensionist, i panjohur me shenjë të veçantë, këmba e drunjtë…
Dhe pa e kuptuar vendosa ta vija në zbatim shakanë e lezetshme pensionisti. Mendimet gjeniale duhet të vihen në praktikë. Zgjata këmbën e shëndoshë, e lëshova rëndë mbi asfalt. Të isha i sigurt kur të merrja vrull dhe të sulesha pa kthim një makine të madhe që po turrej drejt meje. Fundja më mirë kështu, shakaja merrte fund, shtypesha pa ceremoni, nuk lija nam e nishan, përherë mbetesha i panjohur, disa dhjetëra metra larg shtatores së ‘Ushtarit të panjohur.’
Kur do dëgjoja krismën e thatë të shtypjes, një dorë e fortë më ngriti peshë dhe tërhoqi me vrull…Buria e çmendur e makinës më shurdhoi veshët. Ishte djali im Xhuvi. Ai ishte tmerrësisht i zverdhur me mezi mbushej me frymë…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kristaq Turtulli, Zhgejimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3603
  • 3604
  • 3605
  • 3606
  • 3607
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT