• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TRI SKUADRAT SHQIPTARE NE EUROPE- Një fitore, një barazim, një humbje

July 2, 2015 by dgreca

Kukësi mposht bjellorusët 2 me 0 !/
Kukësi ka bërë një lojë të pëlqyeshme dhe si rrjedhojë e kësaj mposhti me rezultat 2:0 ekipin nga Bjellorusia, Torpedo Zhodino, në ndeshjen e parë të rrethit të parë të eliminatorëve për Europa League. Futbollistët e Kukësit në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë, treguan nivel të lartë të lojës dhe heshtën bjellorusët. Qysh në minutën e nëntë, kuksianët kaluan në epërsi, kur Karioka shënoi supergol dhe tronditi bjellorusët. Në pjesën dytë, Kukësi shtroi lojën e tyre dhe dyfishoi rezultatin 2:0 në minutën e 54-të. Goditjen e merr përsipër Pero Pejiç i cili godet në mënyrë perfekte dhe topi përfundon në portë. Kuksianët deri në fund dhanë maksimumin dhe i kënaqët shikuesi me një fitore të madhe. Kukësi shënoi fitore të madhe dhe bën një hap drejt kualifikimit më tutje.

Laçi, barazim me Inter Baku/
Laçi barazoi 1:1 me ekipin nga Azerbajxhani, Inter Baku, në ndeshjen e parë të rrethit të parë të eliminatorëve për Europa League. Futbollistët e Laçit ishin shumë afër fitores, por një gabim iu kushtoi më barazim dhe tani i pret sfidë e vështirë në Baku. Në minutën e 20-të, Vuçaj kombinon bukur me Xhejms brenda zonës, ky i fundit gjuan fuqishëm me të djathtën por topi ndalet nga shtylla, aty përfiton Meto i cili e shtyn drejt rrjetës dhe 1:0. Në minutën e 48-të, goditje dënimi për azerët, e ekzekuton Kvekveksiri, ky i fundit gjuan fuqishëm me të djathtën dhe dërgon topin në portë, duke mposhtur malazezin Vujadinoviç, 1:1. Laçi tash mendon për takimin e kthimit, e cila do të jetë shumë i vështirë.

Partizani shkaterrohet 3 me 1 në Norvegji/
Partizani ka humbur me rezultatin 3 me 1 ndeshjen vajtëse për turin e parë eleminator në Europa Ligë.
Të kuqtë janë dorëzuar para Stromsgodset duke bërë një hap drejt eleminimit në këtë kompeticion.
Goli që mban ende në lojë Partizanin u shënua nga Fazliu megjithatë shpresat për ta janë të pakta.

Filed Under: Sport Tagged With: 1 humbje, 3 skuadrat shqiptare, barazim 1, NË EUROPË, nje fitore

Pranvera e shqiptare e vitit ’90-të

July 2, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Në pranverën vitit 1990 një gazetar italian, i hollë, me flokë të rënë, me mustaqe të zeza…, shëtiste në Shqipëri. Ai do fluturonte nëpër viset tona. Do futej nëpër zonat e larta. Në zonat e ulta. Në oborret e njerëzve. Do u bënte pyetje shqiptarëve. Të cilët disa me mburrje e disa me ironi. Do jepnin ato përgjigjet tona standarte. Që mirë jemi, mirë. Plot kemi. Poshtë armiqtë. Të rrojë partia. Do i mëshonte me kamera parrullave. Ashtu me sportivitet dhe do na fliste për herë të parë. Në atë mënyrë rrëfimi që nuk ishin mësuar shqiptarët. Epoka televizive e jona qe e dominuar vetëm nga suksesi dhe arritjet e mëdha. Madje do i tregonte botës mbarë për mekanizimin dhe agregatet tona bujqësore, deri tek qerret. Dhe mjetet e tjera me të cilat ne ndërtonim socializmin. Ky ishte Federico Fazzuoli i emisionit Linea Verde të RaiUnos. Ne ishim të gjithë të shoguar për shkak të atyre emocioneve që provon kur shikon veten tënde me sytë e një të huaji. Që deri atë diell jete. Ishin në kokat tona si qënie që na donin vetëm të keqen. Që ku të gjenin rastin dhe të na gllabëronin.
Dhe jo më larg se nga këto emocione ndodhi edhe 2 korriku. Një lloj marazi që shpërtheu dhe bëri të papërfillshëm një regjim gjysmë shekullor. E gjitha kjo, ka hyrë në analet e kohës sonë si eksodi i 2 korrikut 1990. Ose ngjarjet e amabsadave. Edhe pse ishte pikënisja. Fryma, ajo u ezaurua nga zhvillimet e tjera. Sidomos ato politike që erdhën më pas. Dhe që konkluduan me lëvizjen e dhjetorit, pluralizmin etj.
Këtë e tregoi më së miri edhe ky njëzet e pesë vjetor. Që nuk u përkujtua shtetërisht, por vetëm me deklarata spontane që prapë u pleksën me zhvillimet e ditës në polikën shqiptare. Nga ana tjetër plot webe, kanale televizive, reportazhe, e kaluan si një ngjarje me atmosferë. Pra me rëndësi të madhe për zhvillimet e më pastajme të demokracisë në Shqipëri. Por siç e thashë, për asnjë çast zyrtarisht.
Në fakt është një ngjarje që i përket popullit. Që i përket masës në përgjithësi. Pasi është nisja drejt Perëndimit. Këtu nuk mund të përjashtojmë as familjet në favor të regjimit. Për më të thjeshtën arsye se ata sot janë pjesëmarrës dhe bashkëqytetar në botën perëndimore. Në mos drejt për së drejti, janë përmes fëmijëve të tyre. Që kanë emigruar dhe po jetojnë aty. E që në një farë mënyre o një tjetër, janë ata që bëjnë dallimin midis sistemeve. Të atij që ndrtuan dhe atij që iu kundërvunë.
Zakonisht historia i mban në sqetull ngjarjet e mëdha. Mirëpo me 2 korrikun nuk ndodh kështu. Edhe pse e tillë që shënon hapjen e një fondi ekonomiko-politik, prapë nuk mund të klasifikohet si e rrangut shtetëror. Edhe pse nisja e transformimeve demokratike. Nuk mund të klasifikohet si datë që duhet të përkujtohet shtetërisht. Eshtë ndoshta një nga ngjarjet që do mbetet ngjarje për aq kohë sa mos të kemi një histori tonën. Ndofta edhe për faktin e thjesht. Që nuk prodhoi një lider politik. Edhe prodhoi qytetarë perëndimorë. Që nuk mori asnjëherë suport politik. Megjithëse ishte një shpërthim masash. Pra një ngjarje kapërcyell në fatet e popullit tonë.
Pse nuk është festë e shtetërore? Ose të përkujtohet shtetërisht dhe solemnisht 2 korriku i vitit 1990? Aq më tepër që po shoh sot edhe nëpër webe, se edhe në Kosovë kjo datë përkoka me lëvizjet e para për pavarsimin e Kosovës. Për afrimin e vendit po me Perëndimin? Arsyet janë të shumta. Por ndër më të rëndësishmet mund të përmëndim politizimin më shumë se sa duhet, me ndarje kahesh, të vet popullit. Pjesa dërrmuese e qytetarëve e shikon prespektivën në dy rrugë, pjesëmarrjes në parti. Ose ikja jashtë shtetit.
Në të njëjtën kohë duke qënë një ngjarje dhe jo lëvizje, protagonistët e saj janë në Perëndim. Shumë prej tyre japin intervista dhe shpjegojnë në një apo tjetër mënyrë, atë ftohjen e emigrantit me vendin amë. Ose vështrimin me një koncept të ri të politkëbërjes. Për rrjedhojë edhe kur afrohen ata stonojnë, karshi tropikut politik shqiptar. Ku të dya gjysmat janë vetëm për njërin. Dhe njëri, vetëm për vetem. Kësisoj edhe e vërteta e faktorëve të ndryshimeve në një vënd nuk ka si të jetë reale. Por arsyeja më e fortë, më reale. Dhe dominantja është ajo që tha me pak dhe shumë fjalë një përfaqësues i lartë politik i vendit, sot në Kuvend. ”Gjatë këtyre viteve janë shitur dhe blerë deputetë, gjykatës, kryetarë bashkish, kryetarë komunash, prokurorë e nënpunës etj”. Por edhe ky tepër vonë. Kur nuk e ka pushtetin. Kjo, dhe thjesht, sepse bindjet politike janë më forta se ato qytetaret.

Filed Under: ESSE Tagged With: e vitit '90-të, Ilir Levonja, Pranvera e shqiptare

LERENI JOZEFINËN TË FLASË!

July 2, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Kam patur një simpati ad hoc për Jozefinën. Them ad hoc sepse unë simpatitë i krijoj nga laboratori im personal. Nuk shkoj me shabllone të gatëshme. Por njeriu që na fliste për Jozefinën, e kam shkruar edhe dikund tjetër, ishte Pjetër Arbnori. Dhe Pjetër Arbnori kishte të drejt të ishte entuziast. Sepse Jozefina vjen nga një nga familjet më të mira të Shkodrës. Dhe si thotë populli molla nën mollë bie.
Kur PD rierdhi në pushtet pas rënies apokaliptike të 1997, që pati si pretekst sistemin piramidal, nga ku lidërshipi i kësaj partie doli në opozitë me një imazh të fëlliqur, u besua se nga gjithë ai pësim PD do të kishte reflektuar për të mos ripërsëritur gabimet dhe fajet. Jozefinës i binte detyra kryesore. Pasi ishte nr.2 i partisë dhe krahu i djathtë i Berishës.
Jozefina nuk duhej ta lejonte Berishën që ky të largonte Pjetër Arbnorin nga politika.
Jozefina nuk duhej ta lejonte Berishën të hynte në aleancë me Ilir Metën.
Jozefina do të duhej që të shkonte e t’i takonte të përndjekurit e grevës të urisë, ku u vetë sakrifikua Lirak Bejko.
Jozefina nuk duhej të pranonte privilegje që cënonin integritetin e saj si politikane.
Jozefina duhej të ishte mbrojtësja e demokracisë në parti, dhe mbojtësja e zërave ndryshe duke moslejuar gjuetinë e shtrigave kundër kritikuesave
Jozefina do të duhej të ruante figurën e saj, që të mos ishte as mikrofon dhe as alter ego i Berishës sepse të dy vinin nga dy botë krejt të ndryshme, e Jozefina ishte dy dekada më e re se Berisha. Por Jozefina pëlqeu pushtetin e lehtë, që mjaftohej të ishte një yes-woman e Numrit Një.
Nga ky moment, kur Jozefina hyri në një sintoni uniforme me Berishën, kam filluar ta kritikoj zonjën Topalli, por ajo nga maja e piramidës i shihte njerëzit sikur të ishin miza. Në atë kohë nisën që Jozefinën ta krahasonin me Nexhmijen. Natyrisht krahasimi ishte hiperbolë e pakripë, por në themel ekzistonte arsyeja që Jozefina t’i meritonte kritikat.
Sepse Jozefina ishte pjesë e lindërshipit të PD me në krye Berishën, që janë shkaktari kryesor i degradimit të PD nga parti e idealeve të qendrës në një parti që përqendroi pushtetin në një grusht njerëzish dhe pak interesohej ose aspak si për demokracinë brënda partisë, ashtu edhe në nivel vendi. Prandaj erdhi humbja e 23 qershorit.
Ata 1 milionë që i dhanë fitoren Edi Ramës më 23 qershorin e 2013 nuk votuan pro PS, por kundër asaj mënyre qeverisje që prodhoi PD për dy mandate.
Rreth asaj humbje Jozefina nuk e foli asnjë fjalë. U trishtua domosdo, sepse do të humbiste pushtetin, hipokritët servilë që i thurrnin lavde dhe hymne. Do t’i iknin nga duart privilegjet. Heshti për humbjen e 23 qershorit 2013 Jozefina. Nuk bëri asnjë koment. Asnjë mea culpa.
Për dy vjet rresht ka patur kohën e mjaftueshme që të reflektojë. Kjo e bëri që pas zgjedhjeve lokale të 21 qershorit të ngrejë zërin dhe të thotë se ka ardhur koha që PD të shohë nga vetja. Dmth tash ka ardhur koha që të reflektojë edhe lidërshipi i PD. Sepse humbjes të 23 qershorit 2013 i është shtuar edhe humbja e 21 qershorit 2015. Dhe nëse nuk do të ndryshojë stil, do të ketë humbjen përfundimtare në qershorin e 2017!
Nëse lidërshipi i PD vijon që për rënien e vijueshme të përgjegjësojë fitimtarët, Jozefina, ka të drejtë që t’i tërheqë vemendjen. Ajo duhet të jetë e lire që të shprehë mendimin e saj. Dhe mënyra se si ka reaguar PD kundër saj është e turpëshme, është e frikëshme, është e papranueshme, është antidemokratike, është e njëjta mendësi autokratike që i ka prodhuar humbjet, që ka larguar elektoratin dhe që e ka lënë Shqipërinë në këtë stad, ku një proces zgjedhor nuk pranohet nga humbësi, për shkak të shit-berjes të votave, për shkak të inkriminimit të politikës, për shkak të mosreformimit të PD.
Demokratizimi i Shqipërisë pritej nga PD. Dhe nëse PD edhe pas çerek shekulli nuk lejon asnjë zë kritik brënda vetes, sepse pretendon se lidërshipi është i pagabueshëm, atëhere kjo parti nuk meriton që të pretendojë se përfaqëson idealet e atyre që ëndërruan për një Shqipëri të integruar në Europë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, JOZEFINËN!, LERENI TË FLASË

Në Vitin 1999 ne nuk fituam vetëm lirinë, por edhe rreshtimin në anën e drejtë të historisë

July 2, 2015 by dgreca

Në Kuvendin e Kosovës seancë solemne, shkruhet në mermer Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990
Nga Prishtina: Behlul Jashari/
PRISHTINË, 2 Korrik/.-Në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës sot u mbajt seancë solemne dhe u vendos e shkruar në mermer Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 për pavarësinë e Kosovës, pranë Deklaratës së Pavarësisë të 17 Shkurtit 2008 të Kosovës shtet i njohur deri sot nga mëse 110 shtete anëtare të OKB-së.
Me pjesëmarrjen edhe të Presidentës së Republikës, Atifete Jahjaga dhe shumë të ftuarëve, me rastin e shënimit të 25 vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, Kuvendi i Kosovës, mbajti sot një seancë solemne, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit. Në këtë mbledhje morën pjesë deputetët e Kuvendit të Kosovës, delegatët e Kuvendit të Kosovës të Legjislaturës – dhjetor 1989 – maj 1992, të kryesuar nga Ilaz Ramajli, ambasadorë të vendeve të ndryshme nga bota,si dhe pjesëmarrës të tjerë.
Seancën solemne e hapi me një fjalë rasti, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili përgëzoi deputetët për këtë datë të shënuar, duke spikatur njëkohësisht edhe rëndësinë e kësaj ngjarjeje. Për rëndësinë e miratimit të kësaj Deklarate folën edhe senatori amerikan Eliot Engël dhe kryetari i Legjislaturës dhjetor 1989 maj 1992, Ilaz Ramajli, i kohës kur u shpall Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut e e Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, kur u mbajt Refrendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur në fundshtatorin 1991 e kur u zhvilluan edhe ngjarje të tjera historike.
Në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova para 25 vitesh me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
“Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë…”, pjesë e lëvizjes gjithëkombëtare për liri, pavarësi e demokraci,
e shpallën në Prishtinë delegatët shqiptarë, po edhe nga komunitete të tjera, para dyerve të Kuvendit kosovar, të cilat ua kishin mbyllur me urdhër serb nga Beogradi, që kishte vendosur gjendje të jashtëzakonshme të shtetrrethimit ushtarako-policor.
Engel tha se Kosova do të jetë anëtare e BE-së dhe NATO-s, sepse nuk ka asnjë arsye të mos jetë pjesë e BE-së dhe të mos ndodhë liberalizimi i vizave.
“Çdokush që vjen në zyrën time i them pse duhet të njihet pavarësia e Kosovës. U kam thënë që duhet të jetë edhe pjesë e OKB-së ”, ka thënë ai.
Engel kujtoi kohën e viteve 99, kur është njoftuar për atë çfarë ndodhi në Kosovë dhe kohën kur ishte i vendosur që Kosovës duhet t’i sjellim pavarësinë.
Ai tregoi kur nuk është lejuar të hyjë në Kosovë dhe takimin me Sllobodan Milosheviçin, kur i ka thënë do të vinte dita kur do ai nuk do ta lejonte Millosheviçin të hynte në Kosovë.
Duke falënderuar Kuvendin e Kosovës për mbajtjen e kësaj seance Ramajli edhe një herë ka rikujtuar ditën kur para 25 vjetësh delegatëve të asaj kohe nuk iu lejua futja në sallën e Kuvendit nga ana e policisë serbe.
Përkundër kësaj, sipas Ramajlit para dyerve të mbyllura dhe nën qiellin hapur shpallën Deklaratën Kushtetuese me të cilën Kosova merr të drejtën për vetëvendosje.
“2 Korriku i vitit 1990 është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, e cila pasoi me lëvizjen paqësore për liri dhe pavarësi e që kulmoi me luftën çlirimtare të UÇK-së “, tha Ramajli. Ai po ashtu ka rikujtuar 28 delegatët, të cilët në atë kohë votuan Deklaratën Kushtetuese por që nuk janë në mesin e të gjallëve.
Gjatë seancës solemne u shfaq filmi dokumentar i seancës së Kuvendit të Kosovës të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë në 2 Korrik 1990.
Delegati Muharrem Shabani, që ka lexuar Deklaratan Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës një kopje të filmit dokumentar per atë ngjarje historike ia dha ATSH-së – korrespondentit në Kosovë, që ka qenë pranë delegatëve atëherë dhe ka shkruar në 2 Korrik 1990 redaksionalin e gazetës Rilindja “Fillim i së nesërmes”. Kjo ishte edhe një shprehje mirënjohje e vlerësimi për raportimet e ngjarjeve historike në Kosovë.

VESELI DHE ENGEL BISEDUAN PËR ZHVILLIMET AKTUALE NË KOSOVË DHE SFIDAT QË E PRESIN ATË NË TË ARDHMEN

Pos pjesëmarrjes e përshëndetjes në seancën solemne, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim kongresmenin amerikan Eliot Engel, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë, perspektivën evropiane të saj, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
Duke iu uruar mirëseardhje në Kosovë, kryeparlamentari Veseli i shprehu kongresmenit Engel falënderime të veçanta për angazhimet dhe kontributin e tij të pandalshëm, si në sensibilizimin e çështjes së Kosovës, ashtu edhe në përpjekjet për çlirim dhe pavarësi, të cilat u finalizuan më 17 shkurt 2008 në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari Veseli e njoftoi kongresmenin amerikan edhe me proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë, duke i shpalosur edhe sfidat dhe vështirësitë me të cilat ai po përballet.
Kongresmeni Eliot Engel, nga ana e tij, duke çmuar të arriturat e deritashme të Kosovës, premtoi se do të vazhdojë të angazhohet për të mirën e Kosovës edhe në të ardhmen.
Engel tha se Qeveria, Kongresi dhe populli amerikan, do të vazhdojnë të jenë përkrah Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimit euro-atlantik.

VESELI: DEKLARATA KUSHTETUESE E 2 KORRIKUT TË VITIT 1990 PËRBËN NJË MOMENT TË RËNDËSISHËM NË HISTORINË E LËVIZJES SONË KOMBËTARE TË GJYSMËS SË DYTË TË SHEKULLIT XX

Fjalimi i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i mbajtur në Seancën solemne kushtuar 25 vjetorit të shpalljes së Deklaratës Kushtetuese më 2 Korrik 1990

Të nderuar të pranishëm,

Më lejoni që në fillim, në emrin tuaj, t’i shpreh mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e Kosovës, mikut të shquar të vendit tonë, të pavarësisë dhe lirisë sonë, kongresmenit Eliot Engel.
Welcome mr. Engel.
Të nderuar të pranishëm,
Jemi mbledhur sot, në këtë seancë solemne, në nderim dhe respekt të 2 korrikut të vitit 1990.
Në këtë ditë, 25 vite më parë, delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, nxorën deklaratën kushtetuese.
Sot, kemi nderin t’i kemi këtu në Kuvendin e Kosovës të Lirë dhe të Pavarur, dhe njëkohësisht, të shprehim nderim për ata delegatë që tash nuk janë në mesin tonë.
Të nderuar të pranishëm,
Zonja e zotërinj,
Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990 përbën një moment të rëndësishëm në historinë e lëvizjes sonë kombëtare të gjysmës së dytë të shekullit XX.
– Kjo lëvizje kishte filluar me demonstratat e vitit 1968,
– ishte rritur në aktivitetet e organizatave patriotike ilegale të asaj kohe,
– kishte shpërthyer vrullshëm në pranverën studentore të vitit 1981,
– për të vazhduar me demonstratat e fuqishme të vitit ‘88, ‘89, ‘90.
Ishte një përballje e madhe me nacionalizmin agresiv serb.
Në epiqendër të kësaj përballje ishte trashëgimia e rendit kushtetues të vitit 1974.
– Serbia kërkonte më pak se 74-shi.
– Lëvizja jonë kombëtare synonte më shumë.
Shqiptarët nuk mund të mashtroheshin me masa gjysmake ekonomike dhe politike.
Duhej dhënë fund diskriminimi kombëtar që shqiptarëve u bëhej në të gjitha nivelet e sistemit jugosllav.
Barazi ose shkëputje – Ky ishte vullneti politik i asaj kohe.
Në vitin 1989 Serbia përmes dhunës policore ndërmori agresionin kushtetues ndaj Kosovës.
Përmes këtij agresioni Kosovës iu hoqën të drejtat kushtetuese të vitit 1974.
1 vit më pas delegatët e Kuvendit të Kosovës bën atë që ishte vullneti politik i kohës i qytetarëve,
– Përmes deklaratës kushtetuese anuluan agresionin kushtetues të Serbisë të marsit ’89 dhe njëkohësisht avancuan shumë të drejtat kushtetuese të Kosovës.
Kosova bëhej subjekt i barabartë politik me republikat tjera të ish Jugosllavisë.
Ishte një veprim i duhur dhe në momentin e duhur.
– Jugosllavia komuniste nuk kishte gjasa për të mbijetuar dhe duke aneksuar Kosovën, Serbia synonte që në shpërbërjen e Jugosllavisë Kosova të mos figuronte fare si çështje ndërkombëtare.
Kësisoj Serbia synonte të shkatërronte bazën legale të së drejtës së Kosovës për shkëputje.
Përkundër kësaj Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut ishte avancim i kësaj baze legale.
Ishte një pikënisje e duhur për platformën e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Kjo do të thoshte se Kosova nuk mund të trajtohej si çështje e brendshme e Serbisë.
Ëndrra jugosllave kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë.
Fitorja jonë e parë e madhe është pikërisht fitorja në luftën për ndërkombëtarizimin e çështjes sonë.
Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut dhe lëvizja civile e viteve 90 kanë meritat e mëdha në këtë fitore.
– Ato ishin një ndihmesë e madhe kur erdhi momenti i madh, dita e madhe e fillimit të kryengritjes së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kur ne rrokëm armët, tanimë bota e kishte të qartë se këtë po e bënim për një kauzë të madhe, kauzën e lirisë.
Kjo na solli përkrahjen politike dhe ushtarake të botës demokratike.

Të nderuar të pranishëm,
– Me 1999 ne nuk fituam vetëm lirinë, por fituam edhe rreshtimin në anën e drejtë të historisë, në anën e demokracive perëndimore.
Falë këtij rreshtimi ne ecëm më tutje,
– e bëmë Kosovën shtet të pavarur dhe tani po e konsolidojmë këtë shtet për ta bërë të gatshëm për integrimet euro-atlantike.
Prandaj për ne ky rreshtim është dhe do të mbetet vlerë e pacenueshme kombëtare.
Ne besojmë në këtë vlerë.
Ne besojmë në partneritetin me botën perëndimore, si e vetmja rrugë për t’i zgjidhur problemet dhe tejkaluar sfidat e shtet ndërtimit dhe integrimit.
Ne do të kemi sukses!
Ju faleminderit.

Filed Under: Kronike Tagged With: 2 korriku, Engel, Ne kuvendin e Kosoves

URIMI I KRYEMINISTRIT

July 2, 2015 by dgreca

Kryeministri Isa Mustafa uroi qytetarët e Kosovës me rastin e 25 vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990/
Prishtinë, 2 korrik 2015/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e 25 vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë ditë të shënuar në kalendarin historik të shtetit të Kosovës.
Në urim, kryeministri Isa Mustafa thekson se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, është dëshmi e vullnetit, përkushtimit dhe përpjekjeve të pareshtura të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci.
Kryeministri Isa Mustafa thekson se kjo datë shënon një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës dhe të popullit të saj.
Me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa poashtu ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës për delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, për vendosmërinë dhe vizionin e treguar me rastin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, në rrugën drejt realizimit të vullnetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës.(BJ)

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, Isa Mustafa, URIMI I KRYEMINISTRIT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3759
  • 3760
  • 3761
  • 3762
  • 3763
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT