• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËRPARËSITË E POLITIKËS SË JASHTËME AMERIKANE NDAJ BALLKAN

June 17, 2015 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Administrata e Presidentit Obama i ka paraqitur Kongresit prioritetet dhe planet e politikës së jashtëme amerikane karshi Europës dhe Euroazisë, prëfshirë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, për vitin e ardhëshëm financiar. Kërkesa e Administratës së Presidentit Obama për buxhetin e vitit 2016 për këtë rajon është $953.3 millionë dollarë. Është ky një ritual që bëhet çdo vit, pasi Kongresi, sipas kushtetutës, duhet të miratojë buxhetin për financimin e shpenzimeve për realizimin e prioriteteve të politikës së jashtëme amerikane për zona të ndryshme gjeografike të botës. Ndonëse ky është vetëm fillimi i procesit dhe shumë gjëra mund të ndryshojnë si përfundim i ngjarjeve në rajon, dëshmia të martën e kësaj jave e Koordinatores së Departamentit të Shtetit për Ndihmat Amerikane për Europën, Euroazinë dhe Azinë Qëndrore, Alina Romanowski para Nën-Komisionit të Kongresit që merret me çështjet europiane dhe euro-aziatike –mund të shërbejë si një tregues i përparësive të politikës së jashtëme amerikane ndaj Europës dhe Euro-Azisë në përgjithësi dhe ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor në veçanti, për vitin që vjen.

Përfaqsuesja e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) fillimisht falenderoi anëtarët e nën-komisionit të Kongresit për Punët e Europës dhe të Euro-Azisë për mbështetjen që ligjvensit e të dy partive — republikanë dhe demokratë – që sipas saj i kanë dhënë përpjekjeve të administratës për të zgjëruar dhe për të forcuar, “Një Europë të tërë, të lirë dhe në paqë”. Ajo u tha ligjvënsve se për arsye të agresionit të Rusisë në Ukrainë, ky vizion tani gjëndet përball një kërcënimi më të madh se çdo herë tjetër ç’prej mbarimit të Luftës së Ftohtë. Ajo falënderoi gjithashtu kongresistët për interesimin dhe vizitat e tyre që bëjnë në Europë, përfshirë Ballkanin, gjë që tha ajo, “ka ndihmuar për të siguruar aleatët tanë atje për angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit, demokracisë, paqës dhe begatisë, si gurthemeli i interesit dhe sigurimit tonë kombëtar.”

Ajo vlerësoi ndihmat e SHBA për Europën Lindore ç’prej shëmbjes së komunizmit (me një vlerë prej $27.5 miliardë dollarësh) gjatë 25 viteve të kaluara, duke thënë se ato kanë provuar fuqinë transformuese të SHBA-ave, në forcimin e lirisë, sigurisë dhe të begatisë anë e mbanë një rajoni që ishte mbërthyer nga totalitarizmi, armiqësitë ideologjike dhe nga shkatërrimi ekonomik. Ajo vuri në dukje se ç’prej

vitit 1990, 12 prej vendeve ish-komuniste që merrnin ndihma gjatë asaj periudhe, tani janë anëtare të NATO-s dhe 11 prej tyre bëjnë pjesë në Bashkimin Europian. Për më tepër, shtoi Koordinatorja e DASH për Ndihmat Amerikane për Europën, Euroazinë dhe Azinë Qëndrore, Alina Romanowski, 11 prej vendeve të Europës Qëndrore që dikurë merrnin ndihma amerikane, tashti ato japin ndihmë në mbështetje të demokracisë, të tregjeve të lira dhe të dinjitetit njerëzor, vendeve në nevojë nga Ukraina e deri në Afganistan.

Por megjithë sukseset e dukshme të çerek shekullit të kaluar në Europë, zyrtarja e lartë e DASH i tha Kongresit se, harta e një Europe “të lirë, demokratike dhe e bazuar në tregje të lira”, nuk është ende e plotë. “Korrupcioni, papunësia e lartë, zmbrapsjet në zhvillimet demokratike, shtypja e medias, tensionet etnike dhe konfliktet e tejzgjatura prekin gjithnjë shumë shtete të këtij rajoni.” Ajo posaçërisht theksoi influencën e rrezikshme të Rusisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, si një prej faktorëve që po pengon antarësimin e këtyre vendeve në Bashkimin Europian dhe në NATO, duke sjellur si shembull krizën e fundit politike në Maqedoni.

Alina Romanowski përqëndroi një pjesë të madhe të kumtesës së saj para Kongresit, duke folur për ndihmat dhe politikën e SHBA-ve ndaj Ukrainës, ndërsa theksoi përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të shkelur dhe zhdukur vlerat mbi të cilat janë bazuar marrëdhënjet ndërkombëtare pas Luftës së Ftohtë, por ajo nuk mungoi të fliste edhe për prioritet e politikës së jashtëme amerikane me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.Ajo i tha Kongresit se ndërsa SHBA janë në krye të përpjekjeve për integrimin e këtij rajoni në organizmat Euro-Atlantike, “Ne duhet të vazhdojmë tu ofrojmë të gjithë atyre që aspirojnë zbatimin e standardeve Euro-Atlantike, ndihmën politike, ekonomike dhe morale në përpjekjet e tyre për t’ju bashkuar këtyre organizmave.” Ajo u tha ligjvënsve amerikanë, të cilët eventualisht duhet të miratojnë fondet ndihmesë për vendet e Ballkanit Perëndimor se, “Ndihmat e SHBA-ave do të përqëndrohen në bërjen e reformave që janë të nevojshme për të përshpejtuar antarësimin e tyre në Bashkimin Europian, dhe në zbatimin e marrveshjeve për normalizimin e marrëdhënjeve midis Serbisë dhe Kosovës”, ndër të tjera. Ajo theksoi gjithashtu se, “Në Kosovë, ndihmat tona janë një investim i vazhdueshëm për zhvillimin e një demokracie me të vërtetë multi-etnike, ku të gjithë qytetarët e saj kanë besim në qeverinë e vet dhe ku siguria e pajisjes me energji është e garantuar.”

Në buxhetin për ndihmat e jashëtme që po i kërkohet Kongresit për miratim për vitin e ardhëshëm, përfshihen edhe projektet në sektorin e drejtësisë, si dhe ndihmat për organizatat e shoqërisë civile në mbarë rajonin, si një mjet për të luftuar korrupcionin. Koordinatorja e DASH për Ndihmat Amerikane për Europën, Euroazinë dhe Azinë Qëndrore, Alina Romanowski, përmendi Shqipërinë si shembëll, ku ne tha ajo, “Jemi duke mbështetur një projekt në sektorin e drejtësisë i cili ka për qëllim të shtojë transparencën dhe përgjegjësinë në këtë fushë, me instalimin e mjeteve për inçizimin e procedimeve gjyqësore në gjykatat krahinore dhe në ato të apelit anë e mbanë vendit”, theksoi ajo. Por, zyrtarja e lartë e DASH u shpreh se ndihma të tilla nuk mund të kenë sukses pa mbështetjen politike në radhët e qeverive, të shoqërive civile dhe të qytetarëve të këtyre vendeve. Ne, vazhdoi ajo, jemi duke u përpjekur të pengojmë prirjet në rritje e sipër në rajon që synojnë për t’i, “mbyllur hapësirën pluralizmit politik, debateve publike dhe kundërshtarëve politikë”. Në një numër gjithnjë e më të madh vendesh në Europë dhe Euroazi, theksoi Alina Romanowski, udhëheqës të ndryshëm politikë kanë kufizuar hapësirën e veprimtarisë së organizatave të shoqërisë civile dhe të medias së pavarur, me qëllim për t’u mbyllur gojën kritikëve dhe në përpjekje për të këthyer mbështetjen publike në favor të tyre. Në përgjithësi, nënvijoi ajo, “Ndihmat tona kanë për qëllim të aftësojnë qytetarët që të angazhohen me qeveritë e tyre, qoftë nepërmjet organizatave të shoqërisë civile, qoftë nepërmjet medias së pavarur, sektorit të drejtësisë, ose nepërmjet aktiviteteve të partive politike demokratike”. Shtetet e Bashkuara, theksoi zyrtarja e DASH, mbështesin organizatat e shoqërisë civile dhe median e pavarur, ndërkohë që ato përpiqen të informojnë publikun dhe të hedhin pak dritë mbi sfidat me të cilat përballet demokracia dhe qeverisja e mirë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Më në fund, ajo foli edhe për ndihmën ushtarake të SHBA-ave, “në fushën e sigurisë, të mbrojtjes, të modernizimit ushtarak, të doktrinës dhe taktikave ushtarake amerikane si edhe për bashkpunimin dhe bashkveprimin e forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.” Është interesant fakti se duke folur për ndihmat dhe bashkpunimin në fushën e mbrojtjes, Koordinatorja e DASH për Ndihmat Amerikane për Europën, Euroazinë dhe Azinë Qëndrore, Alina Romanowski, përmendi Kosovën ndër vendet ku, tha ajo, ” Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bëjnë investime strategjike në fushën e mbrojtjes me Aleatët dhe me partnerët tanë, kryesisht me Poloninë, Rumaninë, Bullgarinë, me Kosovën dhe shtetet Baltike”.

Ajo theksoi edhe kontributin e Bashkimit Europian për ndihmat që i akordon vendeve të këtij rajoni duke thënë se ndihmat amerikane dhe europiane përputhen

me njëra tjetrën dhe se të dy palët janë duke bashkpunuar për të sjellur përvojën dhe praktikat më të mira ekonomike të vendeve ish komuniste të Europës Qëndrore dhe Lindore, në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në hapësirën e vendeve post-sovjetike.

Koordinatorja e DASH për Ndihmat Amerikane për Europën, Euroazinë dhe Azinë Qëndrore, Alina Romanowski përfundoi dëshminë e saj para Nën-Komisionit të Kongresit për Punët Europiane dhe Euro-Aziatike, duke thënë se, “Ndihmat tona kanë përmirësuar jetën e miliona njerëzve dhe se buxheti i kërkuar për vitin që vjen për këtë rajon, është një vazhdim i këtij misioni” u angazhua ajo para Kongresit. “Ne”, përfundoi, zyrtarja e lartë e DASH, “megjithë kufizimet me të cilat përballet buxheti për ndihmat e jashtëme, zotohemi se do punojmë me zell, efektivisht dhe me imagjinatë, ashtuqë burimet financiare të dhëna nga populli amerikan, të përdoren në shërbim të forcimit të vlerave tona si dhe në mbështetje të interesit tonë kombëtar, për të forcuar demokracinë, stabilitetin dhe begatinë anë e mbanë rajonit”, të Europës dhe Euroazisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ballkan, Frank shkreli, Jashtme, Perparsite e Politikes, SHBA

Zgjedhjet e 21 Qershorit-Zbardhet e shkuara kriminale e kandidatëve për zgjedhjet vendore

June 17, 2015 by dgreca

Tashmë i takon votuesve t’i refuzojnë këta kriminelë që përbëjnë tallje për sistemin politik të Shqipërisë…/

Ne Foto: Gjurmete  krimit…Te eprfshire ne trafik Droge…./

Të dhëna policore të marra nga BIRN në Itali dhe Zvicër tregojnë se së paku tri kandidatë që garojnë në zgjedhjet e së dielës kanë të shkuar kriminale.Shqiptarët do të votojnë të dielën për të zgjedhur kryebashkiakët dhe këshilltarët e 61 bashkive, në një palë zgjedhjesh që konsiderohen si shumë të rëndësishme për ambiciet e vendit në përparimin e procesit të integrimit në Bashkimin Europian.Gjithsesi, të dhëna të mbledhura nga BIRN nga agjencitë ligjzbatuese nëpër Europë tregojnë se një numër kandidatësh të nominuar nga partitë politike kanë të shkuar kriminale. Madje, disa janë akuzuar për kontrabandë të sasive të mëdha të drogës mes vendeve të ndryshme të Europës.Prova të siguruara nga BIRN tregojnë se dy kandidatë që garojnë për koalicionin e udhëhequr nga Partia Socialiste, Artur Bushi dhe Elvis Rroshi, të cilët kërkojnë postet e kryebashkiakëve në Krujë dhe Kavajë, kanë qenë të arrestuar për trafik droge.Një kandidat nga Partia Demokratike për bashkinë Këlcyrë, Gentian Muhameti, është ndërkohë i dënuar për trafik droge.Gjithsesi, Partia Demokratike më vonë e tërhoqi Muhametin nga lista e saj e kandidatëve, dukshëm nën presion nga BE dhe SHBA-të.Partia në pushtet nuk e ka bërë këtë. Një zëdhënës për kryeministrin Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, mohoi akuzën që partia e tij ka nominuar “ndonjë kandidat të dënuar penalisht nga ndonjë gjykatë vendëse apo e huaj, qoftë me vendim të formës jo të prerë”.Një zëdhënës i Rroshit i tha BIRN se akuzat janë të pavërteta dhe të motivuara politikisht. Ndërsa zëdhënësi i Bushit nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për koment.Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk komentoi arsyen pse demokratët e patën mbështetur më herët kandidimin e Muhametit për ta tërhequr atë më pas.

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu dhe kreu i Delegacionit të BE-së, Romana Vlahutin, i thanë BIRN se vendosmëria e dukshme e partive për të kandiduar njerëz të dyshuar për krime përbën një poshtërim të popullit shqiptar.Që të dy kanë bërë thirrje që votuesit të refuzojnë kandidatët e dyshuar, kur të hedhin votën të dielën.Vlahutin shtoi se kandidimi i njerëzve me të shkuar kriminale do të ketë edhe pasoja negative në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Pas një bojkoti gjashtëmujor të opozitës në parlament, në dhjetor 2014, me ndërmjetësim të Parlamentit Europian, socialistët në pushtet dhe demokratët arritën një marrëveshje dhe premtuan se do të zgjidhin problemin e njerëzve me të shkuar kriminale që garojnë për poste publike.Gjithsesi, provat e mbledhura nga BIRN tregojnë se partitë politike thjesht po shtireshin përballë Brukselit.Ironikisht, Artur Bushi si ish deputet, mbështeti në janar një rezolutë të parlamentit, ku bëhej thirrje ndaj partive politike që të pastronin radhët e veta nga njerëzit me të shkuar kriminale.Para se të bëhej deputet më 2013, policia italiane e arrestoi Bushin më 11 qershor 2010 në qytezën e Gallaratës.Ata e mbajtën atë deri më 24 korrik atë vit, të dyshuar si pjesë e një organizate kriminale, të njohur si banda e Morriggia-s.Franco Novati, një ish komandant policie në Gallarate, i cili drejtoi hetimin, i tha BIRN se kjo bandë importonte kokainë nga Hollanda në Itali.“Kur ne i vumë nëntë prej tyre nën përgjim, ata folën për ‘pjesë këmbimi’, por ne e dinim se kjo qe fjala në kod për kokainën,” rikujtoi ai.Novati tha se kokaina vinte nga Amsterdami përmes korrierëve dhe shitej me shumicë te bosët vendorë në Breshia, Modena, Luka dhe Piacenza.“Ne ndërhymë në transportin e fundit të 10 apo 11 kileve të kokainës nga Hollanda dhe arrestuam bandën,” shtoi ai.Gjithsesi, megjithëse Bushi u arrestua, ai nuk u dënua, tha për BIRN zyra e prokurorisë së Busto Arsizio.“Çështja e Bushit u nda mënjanë nga çështja nr. 1986/2010RGNR mbi bandën Moriggia. Numri i çështjes së re qe 7257/2010,” shpjegoi një zëdhënës.“Më 20 mars 2011, çështja e Bushit u arkivua dhe u mbyll pa dënim kundër tij,” shtoi zëdhënësi.Novati tha se Bushi pretendoi në gjykatë se ai po shkonte në Hollandë bashkë me të tjerët, thjesht për të blerë makina dhe për t’i shitur në Itali dhe se nuk kishte dijeni për atë se çfarë bënin të tjerët në Hollandë.“Policia qe e sigurt që ai qe i përfshirë, por provat nuk qenë të mjaftueshme në gjykatë,” tha Novati. “Ai qe pranë bosit të bandës Morrigia”, shtoi ish-shefi i policisë, aktualisht në pension.

Një kandidat tjetër i akuzuar në të shkuarën – dhe i dënuar – për trafik droge, është ajo e kryetarit të bashkisë Kavajë Elvis Rroshi, i njohur gjithashtu si Ervin Rroshi.Rroshi, i cili u zgjodh më 2011 si kryebashkiak, po kërkon aktualisht një mandat të dytë në këtë bashki.Para se të bëhej kryebashkiak, Rroshi qe dënuar në Zvicër për shpërndarje droge.Një zyrtar i Zvicrës, i cili foli në kushtin e anonimatit, i tha BIRN se të dhënat policore të Zvicrës tregojnë se Rroshi qe subjekt procedimi penal nga viti 1993 deri më 1997.“Ai u hetua për trafik droge dhe shpërndarje, por nga ajo që mund të shoh unë, qe një peshk i vogël,” tha zyrtari i policisë për BIRN.“Atij iu dha një dënim i vogël dhe u deportua në Shqipëri pas periudhës së paraburgimit,” shtoi ai.I njëjti burim tha se autoritetet e Shqipërisë patën kërkuar informacion në vitin 2011 nga homologët e tyre zviceranë nëse Rroshi qe dënuar për trafik droge dhe pastrim parash dhe se ata e patën marrë përgjigjen.“Interpol Tirana mori të njëjtin informacion,” specifikoi zyrtari zviceran.

Zëdhënësi i Rroshit, Shpend Barameta i tha BIRN se ai nuk ka qenë asnjëherë i dënuar.“Na vjen vërtet keq që situata dhe histori të tilla sajohen sa herë ka fushata zgjedhore…,” tha ai.Endri Fuga, këshilltar i kryeministrit Edi Rama, gjithashtu mohoi që ndonjë nga kandidatët e koalicionit të udhëhequr nga socialistët, Aleanca për Shqipërinë Europiane, qe dënuar për krime.“Partia Socialiste dhe Aleanca për Shqipërinë Europiane po punojnë për një ligj europian dhe demokratik, përmes të cilit të vendoset një vijë e kuqe që ndalon zgjedhjen apo emërimin në detyrat publike të personave me rekorde kriminale,” tha ai“Të tjerat janë politikë e llojit të ulët që merr rëndom formën antidemokratike të gjuetisë së shtrigave, të cilën, Partia Socialiste e refuzon me bindje të plotë si mjet famëkeq të së kaluarës diktatoriale apo gjysmëdiktatoriale,” shtoi Fuga.Gentian Muhameti, kandidat për Këlcyrën, i cili më pas u tërhoq nga Partia Demokratike, qe arrestuar gjithashtu në Itali më 1997, për trafik droge.Eliana Martella, zëdhënëse e policisë për qytetin e Leçes në Italinë e jugut i tha BIRN se Muhameti qe arrestuar më 20 janar 1997 në Melendugno, provinca e Leçes, me 30 kilogramë marijuanë.

“Ai u dënua me dy vjet burg dhe me 15 milionë lireta [gjobë] (në atë kohë rreth 7,500 euro],” shtoi Martella.“Ai e pranoi fajin dhe përfitoi një dënim [të reduktuar] prej një viti e gjashtë muajsh burg dhe 10 milionë lireta [gjobë] më 15 mars 1997”, shtoi ajo.Më 9 qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi për të hequr Muhametin nga lista e kandidatëve për Partinë Demokratike. Kolegji Zgjedhor, një gjykatë e specializuar për mosmarrëveshjet zgjedhore, e la në fuqi këtë vendim.KQZ, njësoj si partitë politike, ka qenë nën presion nga SHBA dhe BE për të ndaluar kandidatët me të shkuar kriminale në zgjedhje.Drejtuesja e delegacionit të BE-së në Tiranë Vlahutin, i tha BIRN se kjo qe një çështje për të cilën BE “ka lobuar fort… për shkak se zyrat publike janë për t’i shërbyer popullit”.“Të vendosësh nëpër lista njerëz për të cilët ka të dhëna se janë të përfshirë në aktivitet kriminal, veçanërisht trafik droge, trafik qeniesh njerëzore dhe prostitucion, është fyese dhe poshtëruese për qytetarët, votat e të cilëve kërkojnë këto parti politike,” tha ajo.“Në procesin e integrimit do të analizohet gjithashtu angazhimi për t’i dhënë qytetarëve qeverisjen më të mirë, kështu që do të ketë efekt, por ne duhet të jemi njësoj, madje edhe më shumë të shqetësuar për pasojat që kjo do të ketë mbi shoqërinë [shqiptare],” shtoi Vlahutin.Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu, i cili ka bërë gjithashtu përpjekje kundër nominimit të kandidatëve me të shkuar kriminale, thotë se Shqipëria meriton të ketë kandidatë më të mire.“Nëse do të zgjidhen, ata do pretendojnë se ju mbështesin, ndërkohë që vjedhin paratë tuaja për të financuar Mercedezët e zinj luksozë, vilat anës detit apo rezidencat e tyre skandaloze. Shqipëria meriton më shumë,” tha ai mbi këta kandidatë.

“Tashmë i takon votuesve t’i refuzojnë këta kriminelë që përbëjnë tallje për sistemin politik të Shqipërisë,” shtoi ai.(Kortezi:Besar Likmeta, Fausto Biloslavo, Aleksandra Bogdani | BIRN | Tiranë dhe Milano)

Filed Under: Analiza Tagged With: e kandidateve, e shkuara, kriminale, Zbardhet

Putin: NATO ka mbërritur në kufijtë tanë

June 17, 2015 by dgreca

MOSKË – Putin: Rusia do të mbrohet nëse është e kërcënuar, NATO ka mbërritur në kufijtë tanë/Rusia do të mbrohet me forcat e armatosura dhe forcën e goditjes, nëse ajo është e kërcënuar, sepse NATO ka mbërritur në kufijtë e saj, deklaroi dje presidenti rus, Vladimir Putin.

“Nëse ndonjë kërcënon disa prej territoreve tona, ne do të përqendrojmë forcat tona të armatosura dhe forcën tonë të goditjes drejt territoreve nga ku vjen kërcënimi”, theksoi Putin gjatë një takimi pranë Moskës me homologun finlandez, Sauli Niinisto.

“Edhe në rast të një kërcënimi në një shtet fqinj, Rusia do të reagojë në mënyrën e duhur dhe do të zbatojë mbrojtjen në mënyrë për të neutralizuar këtë kërcënim”, theksoi presidenti rus.

Vladimir Putin njoftoi dje riforcimin e forcës së goditjes bërthamore ruse në përgjigje të projektit amerikan për vendosjen e armëtë rënda në Evropën lindore duke rritur zemërimin e NATO-s që e cilëson si një vendim të rrezikshëm.

“Është NATO që ka mbërritur në kufijtë tanë dhe jo ne ata që po shkojmë diku”, shtoi ai.

“Nuk duhet ekzagjeruar agjë”, theksoi ai.

”Sigurisht, ne do të analizojmë gjithë këtë nga afër, por për momentin nuk shikoj agjë alarmuese”, shtoi Putin

Filed Under: Rajon Tagged With: NATO ne kufijte tane, Putin, Rusia gati

2 000 rusë luftojnë për Shtetin Islamik

June 17, 2015 by dgreca

Rreth 2 000 rusë luftojnë në radhët e organizatës të Shtetit Islamik në Siri dhe në Irak, konfirmoi sot drejtori i Qendrës antiterroriste të Komunitetit të Shteteve të Pavarura (CEI), Andrei Novikov.“Sipas, shërbimeve sekrete, rreth 2 000 qytetarë rusë luftojnë në radhët e Shtetit Islamik dhe sipas vlerësimeve të ekspertëve mendohet për 5 000 luftëtarë”, deklaroi, Novikov në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve ”Interfax”.

“Rikthimi i këtyre luftëtarëve do të rëndojë situatën në vendet e CEI-t, që mbledh pjesën më të madhe të ish-Republikave sovjetike”, shtoi ai ndërkohë që disa vende të Azisë Qendrore po përballen me një rritje të fondamentalizmit fetar.

Në fillim të muajit qershor, drejtori i Shërbimit Federal për Sigurinë (FSB), Alexandre Bortnikov, kishte vlerësuar me 1 700 numrin e qytetarëve rusë duke luftuar në Irak dhe u shpreh i shqetësuar nga influenca në rritje e Shtetit Islamik në Rusi duke kërkuar një bashkëpunim në rritje me Uashingtonin dhe Perëndimorët.

Rusia është goditur këto javët e fundit nga një valë e largimit të të rinjve rusë drejt Sirisë

Filed Under: Kronike Tagged With: 2000 ruse, luftojne per ISIS

Pullë postare me portretin e Ukshin Hotit

June 17, 2015 by dgreca

Posta e Kosovës ka promovuar dhe lëshuar në qarkullim pullën postare, që i kushtohet veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare Ukshin Hoti. Filatelia e Postës është pasuruar me pullën postare në ditën kur është edhe ditëlindja e 72-të e Ukshin Hotit.

Drejtori i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha tha se këtë pullë postare po e nxjerrim në qarkullim në ditëlindjen e 72-të të profesor Ukshin Hotit.

“Sot Filatelia e Postës së Kosovës, po pasurohet edhe me një pullë postare shumë të çmueshme, me portretin e Ukshin Hoti, intelektualit dhe veprimtarit i cili kurrë nuk u ndal së punuari për çështjen kombëtare, lirinë dhe të drejtat e njeriut. Këtë pullë postare po e lëshojmë në qarkullim sot, në ditëlindjen e 72-të të profesor Ukshin Hotit”, tha Hoxha.

I pari i Postës së Kosovës theksoi se sa herë që emetojnë një pullë të re postare, është procedurë e zakonshme që të tregohet dhe të jepet arsyetimi se përse i kushtohet një personaliteti të caktuar.

“Profesor Hoti u burgos disa herë. Së fundi në vitin 1994. Sot e kësaj dite nuk dimë gjë për fatin e Ukshin Hotit. Zhdukja e tij në maj të vitit 1999 vazhdon të jetë enigmë që rëndon mbi ndërgjegjen e klasës politike shqiptare në Ballkan, bashkësisë ndërkombëtare, si dhe organeve të drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare. Edhe nga ky promovim simbolik i pullës postare me portretin e tij shtrojmë pyetjen: Ku është Ukshin Hoti?”, tha Hoxha.

Ai shtoi se janë të nderuar dhe krenar që Posta e Kosovës nxjerr sot në qarkullim këtë pullë postare për intelektualin, filozofin, diplomatin dhe luftëtarin e paepur të çështjes kombëtare.
Kurse, djali i Ukshin Hotit, Andin Hoti falënderoi Postën e Kosovës për idenë dhe angazhimin e krijimit të pullës postare me fotografi të Ukshin Hotit.

“Unë nuk kam çfarë të shtoj më shumë për babin, mirëpo ju falënderoj shumë per idenë dhe angazhimin për krijimin e pullës postare me fotografi të Ukshin Hotit. Për mua ka rëndësi të veçantë kjo pullë postare duke ditur faktin se sot është ditëlindja e Ukshin Hotit. Njëkohësisht unë mendoj se zarfi shkon aty ku nuk shkon as media. Andaj, konsideroj se përmes kësaj pulle postare do të arrihet sado pak të kemi sensibilizim për fatin e babit”, tha Hoti.

Ai në emër të tij dhe të familjes Hoti ka falënderuar Postën e Kosovës për promovimin dhe lëshimin në qarkullim të pillës postare me portretin e Ukshin Hotit. /Kosovapress/

Filed Under: Kronike Tagged With: ne pulle postare, Ukshin Hoti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3801
  • 3802
  • 3803
  • 3804
  • 3805
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT