• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ndërthurje e artit dhe fakteve historike

June 16, 2015 by dgreca

Java kulturore shqiptaro-britanike në Londër/
Java kulturore shqiptaro-britanike në Londër solli një ndërthurje të pazakontë të shkëlqimit të artit dhe befasisë së fakteve historike të shqiptarëve për britanikët dhe të britanikëve për shqiptarët.  Një gërshetim që kapërceu dimensionin shqiptaro-britanik për të përqafuar atë europian dhe trans-antlantik për temat e prekura dhe vendndodhjet ku u zhvillua. Piktura shqiptare foli me gjuhën e Eduard Lear, letërsia britanike skaliti aftësitë drejtuese të shqiptarëve në elitën e Perandorisë Veneciane dhe Osmane, diplomacia shqiptare shpalosi modelin unik shqiptar të shpëtimit të  hebrenjve në Europë dhe diplomacia e NATO-s u përcoll nën këndvështrimin e Kosovës.
Momenti kulmor dhe më intrigues i javës kulturore, ishte prezantim i i librit të sapobotuar të historiani britanik Noel Malcolm, përmes të cilit ai i servir befas shqiptarëve një copëz të panjohur të historisë së tyre. Në librin “Agjentët e Perandorive”, bazuar në kërkimet e tij origjinale, Malcolm tregon për një famije shqiptare në Ulqinin e shekullit të XVI, kufiri midis Perandorisë Veneciane dhe asaj Osmane.
Famlilja e madhe shqiptare ndahet në dy pjesë. Dy burra të njërës prej tyre prej tyre i shërbyen Perandorisë Veneciane, ndërkohë që kushëriri i tyre i shërbeu Perandorisë Osmane, Ata nuk e dinin, që edhe pse pjesëtarë të të njëjtës familje të madhe,  një ditë do të ndesheshnin midis njëri tjëtrit në krye të ushtrive të dy Perandorive. Revista
“The economist” shkruan, se libri i Noel Malcolm  tregon në mënyrë gjeniale ekulibrin ndryshues të forcave midis Perandorive Veneciane dhe Osmane,  ku fuqitë detare ishin në konkurrencë  për të zotëruar Medheun Lindor dhe se si disa të krishterë jetonin mirë duke i shërbyer Perandorisë Osmane dhe disa myslimanë depërtonin si spiunë në Perandorisë Veneciane.“The Telepgraph” e quan librin një arritje të mrekullueshme të gërshetimit të historive të fituesve dhe humbësve të shekullit të 16, me ndërmjetësuesit, kalorësit, piratët, priftërinjtë dhe spiunët.

Noel Malcolm, gazetar: Në shekullin e 16 ka shumë mënyra të të qënit shqiptar. Shqiptarët luajnë  rol të rëndësishëm për fuqitë e mëdha në Perëndim dhe nga ana tjetër ata kanë pozicione kyce në Perandorinë Osmane. Në librin tim kemi një pjesëtar të familjes që është një krypeshkop shumë i rëndësishëm i Kishës Katolike, ndërkohë që një tjetër punon për Papën si oficer i lartë ushtarak. Por nga ana tjetër, ata kanë një kushuri që bëhet një nga Pashallarët më të rënëdësiëhm në Stamboll dhe përfundimisht ai bëhet Vezir i Madh. Është e vështirë që të përgjithësosh rolin e shqiptarëve në atë periudhë, por kur sheh pozicionet të rëndësishme që ata kanë mbajtur në politikë, shoqëri dhe ushtri, shqiptarët ishin kudo.
Ne, njohim që shqiptarët kanë qenë pjesë e elitës së Pertandorisë Osmane. A evidentohet kjo edhe në kërkimet tuaja origninale?
Noel Malcolm, gazetar: Shumë prej shqiptarëve janë kaq të talentuar, sa ata kapin majat. Nuk dihet ekzaktësisht numri i tyre, pasi përkatësia etnike e pashallarëve mbetet ende një çështje e paqartë, por në Perandorinë Osmane ka patur 40  vezirë të mëdhenj shqiptarë. Mendoj, se periudha për të cilën bëhet fjalë në librin tim është periudha më e mirë e shqiptarëve në postet më të larta të qeverisë osmane. Në librin tim, unë ndalem te Sinan Pasha Topojan që ishte Vezir i Madh pesë herë. Gjatë qeverisjes së tij. ka edhe dy tre shqiptarë të tjerë në Divan, që ishte Këshilli i ministrave asokohe. Unë i jam referuar një raporti të një diplomati austriak, që thoshte : Nëse dikush dëshironte të bënte tregti me Perandorinë Osmane ishte shumë e rëndësishme që të njihte një shqiptar, sepse të gjithë aty ishin shqiptarë.
Në javën kulturore shqiptaro-britanike, janë prezentë personalitete të njohura të jetës politike dhe akademike britanike. Një prej tyre gazetari Harry Eyres, që ka një lidhje të veçantë me Shqipërinë. Stërgjyshi i tij ka qenë ambasadori i parë britanik në Shqipërinë e viteve 1920 dhe ka qenë mbështetës i fortë i Mbretit Zog. Vetëm tre ditë më parë, Eyres shkroi në revistën prestigjioze “Newsweek”, se Shqipëria mbart shumë vlera prej lashtësisë, por vazhdon të mbetet një mister për Perëndimin.
Harry Eyres, gazetar: Stërgjyshi im ka qenë një mbështetës i fortë i mbretit Zog dhe ndikues në promovimin e mbretit. Shqipëria më tërheq vërtet shumë dhe shpresoj t’a vizitoj atë së shpejti. Stërgjyshi im i ka qëndruar shumë afër babait tim, ndaj unë mund të them, se kam një lidhje të ngushtë me Shqipërinë. Por kam edhe lidhje të tjera, si ajo e Eduard Lear, poetit dhe artistit që botoi ditarin e tij të një piktori peisazhesh mbi Shqipërinë. Është vërtet një libër i mrekullueshëm. Kjo është një tjetër arsye për të vizituar Shqipërinë dhe ndoshta për t’a zbuluar vendin në hapat e Eduard Lear.
Piktori shqiptar Bashkim Izano Ahmeti, impresionoi britanikët me ekspozitën “Homazh për Edward Lear”, poetit dhe artistit, që kaloi disa muaj në Shqipërinë dhe Maqedoninë e vitit 1848 dhe botoi një ditar udhëtimi të titulluar, “Ditari i një piktori peisazhesh në Ballkan” në 1851. Gazetari Eyres shkruan në revistën prestigjioze “Newsweek”, se piktura e shkëlqyer e Bashkim Izanos  duket më shumë e ndikuar nga vargjet dhe aventurat  e Edëard Lear, sesa peisazhet e holla të pikturuara nga ai.
“Nëse Izano ka liruar deri seksualitetin Lear-së, Lear mund të ketë çliruar imagjinatën Izano”, shprehet Eyres.
Një tjetër personalitet në javën kulturore shqiptaro-britanike , Paul Johnson, i cili ka shkruar 40 libra mbi historinë e botës. Ai shpreh këndvështrimin e tij për Shqipërinë, duke nxjerrë në pah impaktin e Lord Bajron dhe Eduard Lear në përceptimin e britanikëve për shqiptarët.
Paul Johnson, shkrimtar: Shqipëria është një vend shumë i bukur. Është përshkruar në një mënyrë të tilë edhe nga Lord Bajron. Eduard Lear e pikturoi mrekullisht dhe shkrujti një libër të bukur për Shqipërinë. Eksperienca e një piktori të peisazheve natyrore në Shqipëri. Shqipëria tërhoqi syrin e personazheve kryesorë britnikë. Ata e deshën Shqipërinë. shkruajtën për të dhe e pikturuan. Shqipëria mund të bëhet sërish shumë e rëndësishme.
Pse për shkak të pozicionit gjeografik apo asaj që përfaqësojnë shqiptarët?
Paul Johnson, shkrimtar: Po, pozicioni gjerografik është shumë i rëndsishëm.Është  kyçi i Adriatikut. Është një vend shumë i rëndësishëm. Por shqiptarët janën njerëz shumë të zgjuar. Janë shumë dinamikë, origjinalë. Kanë shumë cilësi që i favorizojnë ata. Unë mund të ve bast për Shqipërinë. Ata do të luajnë një rol të rëndëisshëm në botë.
Libri i Enver Bytyçit  “Politika shtrënguese e NATO-s në Kosovë” është pritur me interes nga britanikët. Ky libër paraqet një ekzaminim të detajuar dhe gjithëpërfshirës të  angazhimit të NATO-s në Kosovë, si dhe të politikave të vendeve perëndimore. Për të ndërtuar një analizë të thellë të zhvillimeve historike në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve, libri i Bytyçit ofron një diskutim konstruktiv të konfliktit në Kosovë, që përbënte një nga shqetësimet kryesore në axhendën ndërkombëtare nga fundi i shekullit të njëzetë. Bazuar në dëshmi të gjera, Enver Bytyçi analizon qëndrimet kontradiktore në Këshillin e Sigurimit lidhur me konfliktin në Kosovë, ndërhyrjen ushtarake të NATO-s dhe çështjen e të ardhmes së Kosovës. Ky është libri i parë i Enver Bytyçit që është botuar në anglisht dhe u prezantua në ambasadën e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar.
Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Mal Berisha ka dhënë një leksion mbi “Jetën e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Herman Bernstein dhe Marrëdhëniet Shqiptaro – Hebraike si një model i tolerancës fetare parë në kontekstin e ngjarjeve tragjike të ndodhura këtë vit në Francë dhe Danimarkë”.
Java kulutrore shqiptaro-britanike pati edhe dimensionin e saj muzikor me ceremonnë e dorëzimit të albumit muzikor “Këngët e Atdheut”.
Ky libër muzikor është një dhuratë e muzikantëve Adelina Hoxha dhe Robert Radoja të përkrahur nga botuesi Flamur Hudhri, dedikuar fëmijëve shqiptarë në Britaninë e Madhe.

Filed Under: Featured Tagged With: Java kulturore, Mal Berisha, shqiptaro-britanike

Mallkimet

June 15, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

I kemi ndër vete. Me shumicë i kemi. Nuk ju ka rastisur. Përditë mallkojmë njëri-tjetrin. Mallkon babai, mallkon nëna. Ose mallkon burri, mallkon gruaja. Vëllai, vëllain. Motra, motrën. Vëllai, motrën. Dhe motra, vëllain. Fqinja, fqinjën. Punëtori shefin. Ose shefen. Nxënësi mësuesen. Mësuesi nxënësin. Nëxënësen etj.  Dhe me që jemi tek shkolla. Më njoftonte një kolegu im, që asistonte në provimet e shtetit. Këto ditë qershori dhe fushate. Ishte përpjekur me dëshirën e mirë të ndihmonte një grup studentësh nate. I thoshte, rrënja katrore e dyshit…, ata të përpiktë. Rrënja  katrore e dyshit, por me fjalë. U thoshte iksi në katror. Ata shkruanin x por brenda një kutie.. Në fund …, sa të pafat që ishin. Mallkonin fatin e mbrapsht që nuk kapën notën maksimale.

Këtë bën njëriu ynë. Mallkon fatin. Mallkon vetveten.

Keni dëgjuar burra që mallkojnë ditën kur lindën? Plot gra, nëna, motra, bija etj…, kur mallkojnë fatin e tyre të zi. Mallkojnë ditë më ditë, veten.

Mallkojmë tokën, bagëtinë, kullotën. Mallkojmë lumin që na përmbyt. Mallkojmë detin që na mbyt. Mallkojmë qiellin që na jep shi. Mallkojmë minierat që na shëmben e na zënë brenda. Mallkojmë vendet fqinje që na përbuzin zjarrin tonë patriotik. Që nuk janë aq patriotë sa ne.

Kemi fjalorin më të pasur të mallkimit. Më fantastikun. Më magjikun. Por edhe më të shëmtuarin. Më përbuzëzin. Jo me tendenca, por i pastër si drita e diellit, diskriminues.

Kemi një begati leksikore që me keqardhje e them, si i ka shpëtuar vemëndjes dhe punës së ndonjë mbledhësi. Ndonjë punëtori të faunës së leksikologjisë sonë.

Kemi mallkim edhe frazeologjik. Si…, të hyptë vetja në qejf. Apo, bylmeze gjeje vet rrugën e çarkut. E të tjera.

Më kujtohet një komedi me një akt nga koha, kur personazhi kryesor mallkonte veten. E quante kaq të pa fat, kaq të mjerë. Sepse nuk dinte asnjë gjuhë të huaj. Kur filani apo fisteku, dinte tre a katër të tilla. Dhe ai mallkonte fatin e mbrapsht. Fatin e keq që kishte lindur ashtu. Njeri pa një gjuhë të huaj.

Nga ana tjetër ne e dimë se mallkimi, në kulturën fetare, është gjynah. Eshtë mëkat. Megjithatë ne nuk e kemi për gjë të mallkojmë. Qofshim myslimanë, qofshim orthodoksë, katolikë apo paganë.

Së fundi i dëgjuam edhe në fushatë. Thua i kishim mangut t’i dëgjonim nga burrat e shtetit?! Njëri nga Konispoli. E tjetri nga Korça. Në një fushatë ku kandidatët bëjnë mirë të sqarojnë derë më derë projektet. Por ata nuk e bëjnë. E bëjnë flamujt që valviten. Ekstaza e brohoritjeve. E bëjnë liderët me mallkimet e tyre.

Mallkuar qofshin të gjithë ata që i japin frymë kësaj politike primitive dhe barbare, që në Shqipëri nuk mund t’i mbijë dhe t’i rritet fara kurrën e kurrës. Edi Rama në Konispol, 14 qershor 2015. Në delir ne. Në delir edhe Shpëtimi i çamëve.

Kur është kështu, me kurrën e kurrës, aga. Pse mallkon? Do e pyeste një gjyshe, Edin. Ndërkohë nuk e kuptoj pse edhe tek-tuk në shtypin shqiptar, sidomos të majtin flasin akoma me nuannca triumfi të tipit propogandë diktature.  Për mbarimin e një kohe me parrulla greke në fushatë.  Fitore e madhe? Aspak, një disfatë. Enver Hoxha u bërtiste grekëve se, na u prish gjiza neve që ju kështu e ashtu. Rezultati, disa vite pas vdekjes së tij, shqiptarët gjizëprishur pushtuan Greqinë. Ndërruan fe, emër. Mbushën arkat e Bankës së zbrazur shqiptare. Ndërtuan shtëpi e pallate. Vila dhe hotele etj.

Atje jetojnë edhe sot. Atje po lindin. Atje po arsimohen etj. Edhe pse Enverit nuk i prishej gjiza.

Kemi një këmbëngulje kaq primitive ndaj minoriteteve, sa bëjmë vetëm zhurmë.

Nuk ia ndërron kufijtë Shqipërisë, ekzistenca e disa fshatrave, apo e disa njerëzve që janë grekë. Që ndihen grekë. Që duan të jetojnë e të flasin si grekët. Ne nuk mund t’i bëjmë shqiptarë me mallkime. As duke u përplasur derën e patriotizmit tonë. As duke u treguar besimin fetar. Jo, asesi!

Lideri tjetër. Lulëzim Basha. I plaçin sytë atyre që nuk e shohin varfërinë. Korçë 15 qershor 2015. E  trishtueshme. Mund të justifikohesh nesër se i adresohesh iksit apo ypsilonit etj. Por si njëri i fjalës, mua më duket se ia adreson popullit. Qoftë ky i majtë apo i djathtë, apo i lëkundur. Ai është batalioni që pret të udhëhiqet nga ty. Ndaj kjo nuk është etike. Eshtë me plot gojën vulgare. Dhe nuk e kuptoj se si po rriten këta liderë ku edhe për shkak të moshës, duhej të reflektonin një kulturë tjetër nga paraardhësit. Megjithatë, një ndalim, pak rikujtim etj…, nga koha si Berisha, si Nano, nuk mbaj mend të mallkonin. Etiketonin, por jo mallkonin. Kurse këta, edhe po etiketojnë, edhe po mallkojnë. I plaçin sytë atyre që nuk e shikojnë varfërinë. Kështu flet një lider bashkëkohor? Që aspiron të çojë vendin e tij në Europë? Asnjëherë.

E thënë thjesht zoti Basha. Që njerëzit nuk e shohin varfërinë për shkak të ambjemtimit me ‘të. Si ta shohin?. Lindën të varfër. Po jetojnë të varfër. Po vdesin të varfër. Pse? Sepse jeta e tyre nuk ka se si të përmisohet me britma, as me mallkime. Keqardhje!

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja, MALLKIMI

Rrëfimet e djalit nga Hoti

June 15, 2015 by dgreca

  -Refleksione për librin “Djali nga Hoti” të Kolec Traboinit /
Nga Sazan GOLIKU /
Një fletore hartimesh në frëngjisht e një nxënësi (më saktësisht të babait të vet) të vitit 1905, i kanë shërbyer Kolec Traboinit për të krijuar një libër me 29 rrëfime për fëmijë, çfarë shënon prurje të re, anipse rrëfimet janë të hershme të një kohe mbi një shekullore, por për shkak të veçorive të moshës nuk duket dhe aq larg. Bota e fëmijëve në të gjitha kohërat ka edhe të përbashkëta, si ëndërrimet, miqësinë, dashurinë, respektin, dëshirën për zbavitje dhe etjen për dije, siç shkruan autori Traboini në rrëfimin e parë në hyrje “Rrëfim i vogël për atin tim”. Letërsia për fëmijë e shekujve të kaluar lexohet aq mrekullisht edhe sot. Teknika dhe teknologjia e ka lehtësuar jetën, por nuk e ka ndryshuar shumë njeriun, i cili shpesh i lodhur nga jeta moderne, ku gjithçka vrapon pa të lënë kohë as të soditësh hënën e yjtë, zogjtë në fluturim, kaprojtë në pyll, lëndinat me lule, krahët e fluturave, xixëllonjat e buzëmbrëmjes, lulëkuqet e manushaqet. Pra, në këtë lodhje ai shpesh i kthehet natyrës plot dëshirë. Dhe natyra nuk ndryshon dhe aq në kufijtë e një shekulli. Ajo është shlodhëse dhe frymëzuese. Në natyrë njeriu gjen prehje e gëzim dhe në rrëfimet e një kohe të largët vihet re më shumë prania e natyrës se sa e teknikës dhe makinave që herë herë nëpër qytete të zënë frymën. Rrëfimet janë të gjitha të ilustruara dhe i takojnë asaj moshe kur fëmijët kanë mësuar të lexojnë dhe dëshirojnë edhe ata të kenë bibliotekën e tyre me libra të formatuar si ato të rriturve. Libri “Djali nga Hoti”, nga kjo malësi shqiptare e ndarë në mes të dy shteteve Shqipërisë e Malit të Zi, e dënuar të jetë dy gjysma, shpalos rrëfenjë pas rrëfenje ndodhi që e mbushin jetën e fëmijëve me mbresa të pashlyeshme nga koha kur kjo ndarje ende nuk kishte ndodhur. Ky libër plotëson një zbrazëti, atë të periudhës së jetës së fëmijëve shqiptarë para pavarësisë, me ngjarjet, mendimet, botën dhe ëndërrimet e tyre. Titulli i librit është mjaft domethënës, sepse personazhi që rrëfen ndodhitë është një djalë nga Hoti që ka zbritur në Shkodër për të mësuar në Shkollën Teknike Tregtare Italiane, ku mësohej gjuha shqipe krahas gjuhëve të tjera. Rrëfimet janë të shkurtra, subjektet janë të thjeshta duke përfshirë ato që ndërtohen si fabula, të cilat kanë për bazë cilësitë morale që duhet të fitojë një fëmijë, e mira dhe e keqja, jeta në Malësi me vështirësitë e saj, por edhe ngjarje nga qyteti i Shkodrës, gjithnjë të lidhura me botën e fëmijëve. Veç djalit nga Hoti, që është rrëfimtari, libri ka personazhe, të mirë por edhe ndonjë me vese, njerëz me shpirt të madh, por edhe kurnacë e gënjeshtarë. Bie në sy edhe ndjenja e miqësisë mes nxënëseve, të cilët e ndihmojnë njëri-tjetrin, si dhe dashuria dhe respekti për mësuesit e shkollës. Një rrëfim tregon për ditën e karnavaleve të qytetit, një tjetër se si pa pritur ra zjarr në shkollë. Ka dhe ndonjë aventurë të rrezikshme kur nxënësi Mateo me babanë e vet mbetën të bllokuar nga ariu në pyll ose në rrëfimin “Ujku në mal” që tregon çfarë ndodhi kur Pali u gjend i sulmuar nga ujku, fabulat për fluturën dhe mizën etj. Në mendje të mbesin Toma, vogëlushi bujar që dhuratën e ditëlindjes së vet ia fal një të varfëri, shëtitja e Luizës me babanë në pranverë, Gjergji dhe bërthama e pjeshkës, Gjoni, fëmija i pabindur, ndarja me mësuesin, festa në Malësi, marangozi i ndershëm që riparon dollapin e vjetër, një tregim për Gjergj Uashingtonin kur ishte fëmijë etj. Ky libër ka dhe magjinë e vet; me thjeshtësinë në të shkruar, me ato ngjarje të pabujë që e rrethojnë jetën e nxënësve, të mbushur me mbresa, do t’i nxisë lexuesit e vegjël të tregojnë e shkruajnë edhe vetë, sepse kësisoj ata do të mësojnë të rrëfejnë e kjo është shkolla e parë në krijimtari për ata, të cilët ëndërrojnë që kur të rriten të bëhen pse jo edhe shkrimtarë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: e djalit nga Hoti, Kolec Traboini, Rrëfimet, Sazan Gjoliku

Audiencë me shkrimtarin Dr. Gjekë Marinaj

June 15, 2015 by dgreca

Nga Dr. Yllka FILIPI/

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë organizoi ditën e diel, 7 Qershor 2015, në sallën e Bibliotekës Ferguson, Stamford CT, takimin me temë: “Audiencë me shkrimtarin, poetin, përkthyesin, studiuesin dhe themeluesin e Teorisë së Protonismit, Dr. Gjekë MARINAJ”. Morën pjese anëtarët e SHSHSHA-ë, poetë, shkrimtarë e artistë, historianë, gazetarë që punojnë e jetojnë në ekzil, dashamirës të artit dhe letërsisë, figura të shquara të letrave shqipe dhe artit amerikan. Operatorët dhe gazetarët e palodhur të dy televizioneve, Albanian American Vision nga Qazim Doda dhe Ray Art Show nga Ramiz Muja, të cilët regjistruan  aktivitetin, duke pasuruar kështu thesarin e arkivës kulturore dhe informuar publikun shqiptaro-amerikan.

Si një lloj preludi poetik, 10-minutat e para hyrëse, u shfaq në ekran një sintezë e gjithë jetës dhe veprës së Marinajt, me drita të fikura, emocion, heshtje, përqendrim e kureshtje përzier bashkë, falë magjisë së  efekteve të teknologjisë bashkëkohore dhe duartrokitjeve të publikut.

Aktiviteti u drejtua nga Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, poeti e publicisti Adnan Mehmeti dhe shkrimtarja e studiuesja Dr. Yllka Filipi. U moderua nga Poeti Mehill Velaj i cili me rastin e fjalës së hapjes tha: “Të nderuar të pranishëm, mirë se keni ardhur në selinë e shenjtë të krijuesve! Ju falenderoj që jeni mbledhur nga të gjithë shtetet e Amerikës për të qenë pranë poezisë, pranë magjisë së krijimit, këtu në këtë sallë të heshtur që kreshpërohet nga drithmat dhe vibrimet e artit të fjalës, për t’u ndjerë më pranë mëmëdheut duke qenë të gjithë bashkë, si një trup! Promovohet sot vepra e Dr. Gjekë Marinajt! Faleminderit Kryesisë së SHSHSH-ë, që na e krijoi këtë mundësi!”

Referatin me titull “Gjekë Marinaj, dimension i çmuar i diasporës dhe i letrave shqipe” e mbajti z.Adnan Mehmeti, i cili vuri në dukje vlerat e veprës së Marinajt,  evidentoi të vecantat e këtij zëri krijues, meritën e jashtëzakonshme në fushën e letërsisë, vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar poeti që theu tabutë e diktaturës me poezinë “Kuajt” si edhe unikalitetin e vargut të Marinajt, duke u ndalur në momentet më të spikatura poetike të autorit.

Megjithëse për arsye familjare Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, shkrimtarja dhe poetja Raimonda Moisiu ndodhej në atdhe, ajo ishte e pranishme në sallë me punimin kritik ”Marinaj, Maja e Poezisë Bashkëkohore dhe përkthyesi Brilant i Turner-it”. Moisiu evidentoi të gjitha arritjet  e poezisë së Marinajt, elementet që e veçojnë këtë poezi nga simotrat e saj, gjetjet artistike, veçoritë, si edhe u ndal veçanërisht në përkthimet e poetit i cili ka sjellë në shqip vargjet brilantë të Turner-it. Rëndësinë e përkthimit, si një thesar që pasuron arkivën e lexuesit shqiptar në Shqipëri dhe kudo nëpër botë.

Si një frymëmarrje shpirtërore vijoi më pas studimi “Gjekë Marinaj në sytë e kolegëve” nga Dalan Luzaj, duke sjellë përshtypjet, mbresat, opinionet, vlerësimet e njerëzve të shquar të artit dhe letërsisë mbi veprën e autorit, ku zuri një vend të veçantë vlerësimi që kandidati për çmimin Nobel, shkrimtari I madh Ismail KADARE, ka dhënë pa rezerva mbi veprën e Marinajt.

Dr. Yllka FILIPI u paraqit me kumtesën “Shenjëzimi modern e postmodern në sublimitetin e figurës së nënës në poezinë e Gjekë Marinajt” në të cilën evidentoi vëllimin “Lutje në ditën e tetë të javës” dhe ciklin “Duart e nënës”, prej të cilit paraqiti: thyerjet grafike, daljet jashtë tendencave, eksperimentimet, “lajthitjet strukturore”, asgjëkundësinë e këndvështrimeve, humorin e zi, situatat paradoksale, skenat makbethiane, të gjitha këto të ulura në fronin ku shenjtërohet Kryeperëndesha Nënë e cila metamorfozohet nga Mbretëreshë e Qiellit në skllave të vdekjes; ”Ajo është tepër e re që të vdesë/ dhe tepër e lodhur që të rrojë”-evidenton Dr. FILIPI, në vargjet e Dr. MARINAJ.

“Gjekë Marinaj, shërbestar i poezisë”, u prezantua në monitor, shkrim ky i përgatitur nga poetja Kozeta Zylo, e cila e paraqet autorin përpara lexuesit si një shenjtor të  përulur përpara autoritetit  të vargjeve,të cilave ai do t’iu shërbejë kokëulur sa të marrë frymë,sa të jetë gjallë.

“Tre dhunti tipike dhe krejt individuale të poetit Gjekë Marinaj” referuar nga Ramiz Gjini, vijoi më pas rrjedhën e tipareve specifike të poezisë së Marinajt në këndvështrim të përgjithshëm. Nga Dr. Mimi Susi ”Protonism, a useful theory against racism”, në gjuhën angleze, u evidentuan gjetjet filozofike të autorit mbi Protonizmin si teori plot dobi kundër racizmit, tematikë kjo e mprehte deri në ditët tona.

Më pas u prezantua  në mungesë, kumtesa  e Aida Dismondy, “Gjekë Marinaj, eksponent pozitiv në gjuhët e huaja”. Autorja kishte vënë në dukje rëndësinë e jashtëzakonshme në servirjen e emrave të letërsisë amerikane të përkthyer sukseshëm nga Marinaj.

Në vazhdim u paraqit po në mungesë edhe kumtesa e Arben Çokaj “Arti dhe dimensioni intelektual që depërton përmes kombeve”, në të cilën autori vuri theksin në hapësirat e pafundme që shtrihen poetikisht në të njëjtin qiell të përbashkët të kombeve të ndryshëm të botës dhe u fokusua në kontributin e çmuar të Marinajt në këtë drejtim. Më tej fjala përshëndetëse e shkrimtarit Skënder Këlliçi.u bë prezente në sallë.

Vijoi punimi me titull “A poem by Gjekë Marinaj eksplicated” nga Prof. Dr.Ramesh Chandra Mukhopadhyaya  në gjuhën angleze, ku u renditën një sërë komponentësh që e bëjnë vargun e Marinajt të veçantë dhe shumë tërheqës për horizontin e pritjes. Referatet u shoqëruan me intermexo poetike midis tyre, ku u paraqitën poezi të zgjedhura nga vepra e autorit: Interpretuan: Pierre-Pandeli Simsia “Poezi të zgjedhura”, Du-si-ta; Veneta Callpani: Mai Van Phan, “on Halong Bay”,Harriet Stovall Kelley, Poetit Gjekë Marinaj,”Under the Wire”, Marinaj si subjekt në poezinë e miqve të tij poetë, Moikom Zeqo “Drurët e imazheve”, dhe aktori i talentuar Shaban Lajçi i cili e mbushi sallën me emocione rrënqethëse me interpretimin e poezisë “Apologji” të  Dr.Marinaj.

Një surprizë për të gjithë të pranishmin u bë  nga skenografi i mirënjohur Z.Astrit Tota, i cili i dhuroi një portret me nënshkrim autorit, gjë që krijoi efekt befasues e tronditës emocionalisht për të gjithë të ftuarit në sallë e veçanërisht për Marinaj.

Fjalën përmbyllëse e mbajtën: Dr. Gjekë Marinaj i cili falenderoi të gjithë të pranishmit, të ftuarit, kolegët, kryesinë, gjithë audiencën për vlerësimin e veprës së tij dhe veçanërisht Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, të cilën ai e ideoi rreth 10-vjet më parë, si edhe poeti Mehill Velaj i cili e quajti “Kohë të çmuar që do lerë gjurmë në kujtesën e autorit dhe të gjithkujt pjesëmarrjen në këtë event ku shenjtërohet poezia”!

Salla u ndez nga duartrokitjet e publikut. Autori  vijoi me autografë…

Të ftuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë të gjithë të pranishmit  bashkarisht shijuan koktejlin e përgatitur enkas për ta nga Presidenti, z. Adnan Mehmeti.

Përgatiti:

Yllka FILIPI

New York, U.S.A

Filed Under: Kronike Tagged With: Audiencë me shkrimtarin, Dr.Gjekë Marinaj, Yllka Filipi

TAKIME LETRARE ME FËMIJËT JETIMË

June 15, 2015 by dgreca

Me rastin daljes nga shtypi të librit për fëmijë “Djali nga Hoti” të autorit Kolec Traboini, në u zhvilluan dy takime letrare me fëmijët jetimë në dy institucionet që merren me rritjen dhe edukimin e tyre, në Fshati SOS, një mjedis vërtetë mbresëlënës në kodrat e Saukut, si dhe Shtëpinë e Fëmijës”Zyber Hallulli” në Tiranë. Në veprimtari ishin Ilir Çumani, drejtor i përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptare, Fatime Kulli shkrimtare, autori i librit Kolec Traboini dhe Genci Tepelena. Në sallën e librarisë u zhvillua një bisedë me fëmijët dhe edukatorët e Fshatit SOS, e cila u përqëndrua rreth prirjeve të talenteve që shfaqin fëmijët dhe sa është e mundur që këto talente, sado të vegjël në moshë, të kenë mundësi të realizohen duke u ngjallur besimin se të gjithë ëndërrimet bëhen të mundshme me këmbëngulje e durim, dhe se shoqëria dhe shteti do t’i përkrahin ata në dëshirat e tyre për të zënë një vend në shoqëri si të gjithë të tjerët. Me mësuesit dhe edukatorët u bisedua për mundësine e ngritjes së një grupi talentesh letrare, të cilët të mund t’i botojnë edhe shkrimet e tyre në një almanak letrar për fëmijë. Atje u tha se janë disa fëmijë që kanë ëndërrime letrare dhe madje edhe shkruajnë vargje. Fëmijëve që kishin prirje të tilla autori i librit “Djali nga Hoti” u dhuroi nga një kopje të librit të tij me autograf. Ai dhuroi gjithashtu disa kopje të librit për bibliotekën e Fshatit SOS. Në takimin që u bë në Shtëpinë e Fëmijëve “Zyber Hallulli”, grupit të shkrimtarëve në vizitën e tyre ju shtuan edhe Silvana Braçe, e njohur për emisionet e saj televizive dhe Ina Nallhani që ka dhënë një ndihmesë të madhe për fëmijët jetimë pasi ka qënë edhe vetë e tillë. Duhet thënë se tre nga antarët e grupit kanë jetuar në fëmijëri në Shtëpinë e Fëmijës e kjo i bënte bisedat të ngrohta dhe shumë interesante për fëmijët jetimë. Takimi u zhvillua në një sallë të katit të parë të ndërtesës së rikonstrukturuar dhe e paisur shumë mirë me të gjitha mjetet e nevojshme për t’ua bërë fëmijëve jetimë jetën sa më të mirë e rehatshme. Fëmijëve u foli Ilir Çumani dhe shkrimtarja Fatme Kulli. Autori i librit Kolec Traboini u tha fëmijëve se ai u kish sjellë jo më kot këtë libër, sepse kishte për ata një mesazh, a thënë ndryshe një mendim që duhet ta kenë parasysh. Të gjitha ëndërrimet plotësohen në jetë. Mjafton të kemi guximin të ndjekim ëndërrimin tonë me këmbëngulje, vullnet e durim. Disa nga fëmijët u shprehen se ata shkruanin vjersha. Atëherë autori, fëmijëve me prirje letrare u dhuroi nga një kopje të librit “Djali nga Hoti” me autograf. Në takim e çiltër me femijët jetimë u fol për librat dhe endërimet fëmijënore që zenë fill nga kjo moshë, sa e bukur dhe aq delikatë dhe për të cilët shoqëria e shteti duhet të kenë një përkujdesje të veçantë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Kolec Traboini, takim me femijet jetime

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3805
  • 3806
  • 3807
  • 3808
  • 3809
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT