Nga Fritz RADOVANI/
75 VJETORI…(1940 – 1975)/
Ishte “streha e mëkatnorëve” ase Shkolla Pedagogjike e Shkodres, ku na jepej e vetmja mundësi me vazhdue shkollen e mesme, atëherë… rreth vitit 1952 – 53, që na njohu dhe prej asaj kohë fëminije mbetëm miq të përjetshëm. Mbrenda ndertesës së Gjimnazit të Shtetit “29 Nandori”, ishim edhe ne… të konsideruemit të “deklasuar”…
Edhe Ferdinand Paci, asht le në vitin 1940, me 30 Maji… Ishim moshatarë. Ferdinandi ishte djali i argjentarit Nush Paci, një familje fisnike shkodrane që trashigoi traditat ma të mira të qytetit lashtë, edhe pse lufta e klasave përditë vetem shkatrronte të miren dhe të bukren e ruejtun me mundim e djersë nga qytetarët e Shkodres. Nana e Tij Luçia edhe Ajo, vinte nga një oxhak tjeter i njohun Rasha, me Burra të nderuem…
Një Prind i gjetun në oborrin e asaj shkolle ase fidanishte mësuesish, me Emnin e Tij të Madh në artin e Popullit Shqiptar, Profesor Simon Rrota, na lidhi përjetsisht me shokun e paharrueshëm, të dashtun, të thjeshtë dhe mbi të gjitha besnik i paster dhe trim, me piktorin e ardhshëm Ferdinand Paci. Ishte salla e vizatimit ku Prof. Simoni, punonte me një perkushtim të madh per edukimin tonë, na limonte karakterin tue na pastrue nga të gjitha papastertitë e “shkollës së re komuniste”, dhe tue farkëtue në mes nesh virtytet e nalta të qytetarisë shkodrane, që ishin piksynim zhdukje nga antiveriorët marksistë.
Në kjoftë se atëherë ne kemi kuptue fjalët Atdhedashuni dhe Besë e Bujari, ishte një “lapsë dhe penel” i Prof. Rrotës që na zbukuroi Shpirtin përjetë të jetës!
Vazhduem me shkue në rrethin e pikturës së Shtëpisë së Kulturës, ku me kujdes punonte piktori Vladimir Jani, edhe Ky një ish nxanës i Prof. Simonit, që kishte vazhdue studimet në Itali dhe ishte nder figurat e njohuna të artit në Shkoder. E gjithë kjo punë e Këtyne Burrave, që bahej pa asnjë interes dhe me një qellim të vetem: “Formimi ynë si piktor, per të evitue rrugët e largëta malore e me rreziqe nder skajet e humbuna të Shqipnisë”, formoi në mbrendsinë tonë një karakter ku nuk kishte ma të voglen shkëndi egoizmi. Personifikimi i këtyne perpjekjeve të kultivueme në Shkodranin artist dhe mësues, ka mbetë edhe sot në kujtesë per të gjithë ata që e kanë njoh Piktorin Ferdinand Paci.
Mbasi perfundueme shkollen Pedagogjike, Ferdinandi punoi piktor pak vite në repartin e pikturës së ndermarrjes komunale, prej ku, ma në fund mërrijti me vazhdue Institutin e naltë në Tiranë per pikturë, sigurisht, i vlersuem me maksimalen e notave sëpse, edhe atje “nota maksimale” u fitue prej Tij me sjelljen dhe edukaten qytetare. Njëheri u ba edhe pjesmarrës i ekspozitave kombtare, vetem me aftësitë e veta artistike.
Ferdinandi erdhi në Shkoder në vitin 1966, pikrisht në pragun e “Revolucionit kultural” dhe pa fillue mirë punen si mësues vizatimi, u “këshillue” nga “shokët e Lidhjes” se, “nuk kishte veprue mirë kur me rasen e hapjes së ekspozitës sime personale, në Klubin ‘Vllaznia” në dhjetë vjetorin e maturës, Ferdinandi mbajti fjalen e hapjes… Kjo, nuk i përkiste Atij, se Ai nuk duhej të më vlersonte punen time si i deklasuar…”. Ferdinandi jo vetem, më vuni në dijeni, po edhe më këshilloi tue më tregue rrezikun që po përgatitej nga dashakëqijtë e Lidhjes së Artistëve të Shkodres, kryesisht nga Franc Ashiku me Foto Stamo, të Lidhjes së Artistave të Tiranës, në bashkpunim të ngushtë me sekretarin e ardhëshem të partisë së Rrethit të Shkodres Xhemal Dini.
U rrokullisen shumë ngjarje në atë “Revolucion” të mënershem…
Me 3 Shtator 1975, në Shkoder u hap lajmi i një aksidenti automobilistik që kishte ngja në malet e Thethit të Dukagjinit, dhe pikrisht atje, humbi jeten edhe Ferdinandi…
Një ngjarje e shemtueme si shumë të tjera pranë Rozafës, që vizituem dikur bashkë…
***
Veprat e piktorëve të mëdhej nganjëherë mbesin ato të viteve të rinisë së tyne.
Ndoshta, një rasë e tillë asht edhe krijimtaria e atyne pak viteve të jetës së shkurtë të Piktorit Ferdinand Paci, i cili na la nder disa të tjera vepra edhe dy portretet e Kolë e Nine Gurashit, ku spikatë arti, mjeshtria dhe vlera etnografike e veprave.
Kur veprat e artit ashtusi në rasen e Ferdinand Pacit, vishen edhe me cilësitë Atdhetare dhe morale të Autorit, Ato Piktorin e bajnë Artist të Përjetshëm të Kombit vet!
Ky ishte dhe mbetet përjetsisht edhe Ferdinand Paci…
Vertetë jam larg… Shumë larg… Po, kurrë larg Teje, Mik i shtrenjtë Ferdinad Paci!
Melbourne, Maji 2015
Ziadin Sela prish koalicionin me VMRO-në në Strugë shkaku i Kumanovës
Nga Struga Beqir Sina/
Ne Komunen e Struges sot u be e ditur se Këshilli i komunës së Strugës, e ka prishur koalicionin lokal në Këshillin e Strugës me VMRO-DPMNE-në. Kualicion ky qe u be ne zgjedhjet e fundit lokale ne Maqedoni ku kryetar u zgjodh zoti Zijadin Sela
Burime zyrtare nga Komuna e Struges e konfirmuan lajmin per gazeten tone duke shtuar se, arsyeja e prishjes së këtij koalicioni, ka qënë një pikë e rendit të ditës në seancën e djeshme të Këshillit, ku ky organ do të duhej të votonte ndarje të mjeteve nga Buxheti i Komunës per ndihmë të qytetarëve të Lagjes së Trimave në Kumanovë.
Mirepo mesohet se ka qene VMRO-ja e cila nuk ka pranuar këtë gjë pasi ka dashur që në paketë të futen edhe familjet e policëve të vrarë dhe të lënduar nga aksioni i Kumanovës. Kjo gjë nuk u pranua nga ana e këshilltarëve të Lëvizjes për Reforma në PDSH, pasi sipas tyre policët tashmë janë shpërblyer nga ana e qeverisë, madje me shumë të mëdha të hollash, përkuindër familjeve shqiptare që mbetën pa shtëpi, e për të cilat shteti ka ndarë vetëm nga 100 mijë denarë.
Kjo ka qënë shkaku që Lëvizja e Selës të prishë koalicionin lokal në Këshillin e Strugës.
Dhe te marr kete vendim ka sqaruar Abdulla Qazimoski, kryetar i Këshillit dhe Syrja Rashiti, kryetar i degës së Lëvizjes për Reforma në Strugë.
Ata po human per gazetaret se mosgateshmeria e grupit të këshilltarëve të VMRO-së për të votuar iniciativën për donimin e 10 mijë eurove kontribut për Lagjen e Trimave në Kumanovë, ka provokuar reagimin e fort të këshilltarëve të PDSH-së (Lëvizja për Reforma) që të ndërpres bashkëqeverisjen në nivelin lokal me VMRO-në.
Në emër të grupit të këshilltarëve të PDSH (Lëvizja për Reforma) këtë vendim para Këshillit komunal e shpalosi kryetari i Këshillit, Avdulla Qazimoski, i cili theksoi se në këtë qëndrim erdhën pasi jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera, edhe pse në partneritet, VMRO nuk ka mbështetur iniciativat dhe qëndrimet e pushtetit vendor të Strugës.
Edhe nji herë po e kujtoj Mark Gjomarkajn
Nga Tahir Kolgjini/*
Në fletoren L’ALBANIE LIBRE, qi dikuër ishte organi për faqe të bardhë i Blokut Kombtar Indipendent, ishte kujtue sa herë, i ndiemi Mark Gjomarkaj, tue iu vumë në dukje cillësinat e tija si nji shqiptar me plot merita. Po kështu, disi âsht bâmë fjalë për ‘tê, në data të ndryshme, edhe në Lajmtarin e të Mërguemit.
Të gjithë shqiptarët, qi kanë flijue jetën e tyne për nji Shqipni të Lirë Etnike, duhet t’i kujtojmë shpesh e me nderime. Duhet t’i kujtojmë me qellim qi të jemi mirënjoftësa ndaj tyne dhe, në kët mënyrë, t’inkurajojmë pjesën nacionaliste përgjithësisht. Veç kësaj, na duhet me i kujtue dhe për arsye qi historiani i ardhshëm, të ketë burime të vërteta në përshkrimin e ngjarjeve të botës shqiptare gjatë kacafytjes së dytë botënore. E kemi për detyrë . . .
Sidomos për Markun, sado qi të jetë shkrue, ato, nuk janë të mjaftueshme për personalitetin e tij të vlefshëm. Janë shum pak. Prandej, edhe unë, tue u mundue me tregue dishka për kët HERO dhe tue e kujtue me nji nderim të thellë, po due me dalun përpara lexuesave të mij të dashtun.
***
Ishte periudha e Shqipnís Mbretnore, atëhere, kur e njofta Markun për herë të parë në Tiranë. Vjeta, nuk më kujtohet. Do të shkonte për të vazhdue mësimet n’Itali. Rasësisht u përshndeta me ‘tê dhe me disa shokë, qi kishin ardhë me e percjellun. I hateshëm dhe i pastër në trup; krrik (shik) në veshje dhe i zvillatun e simpatik në ftyrë. Më tërhoq vrejtjen zgjimi dhe sjellja e tij fisnike. Me qellim qi të përbâj nji mendim, fillova me ‘tê disa bisedime të ndryshme. Përgjigjet e tija, ishin të qarta dhe me vênd e mâ tepër në dialektet t’ona. Qysh atëhere, mbeta shum i kënaqun, tue m’u forcue shpresa për kët student të ri se, si djalosh i njij derës së mirë, do të mbërrije në gjendje me i shërbyem Shqipnis në kohën e ardhshme.
Aj, qè nji student shqiptar vërtetë idealist.
***
Ma vonë, Markun e shoh si Nenminister i Punëve të Mbrendshme në Tiranë, kur erdhi në fuqi qeverija e kryesueme prej të ndiemit Mustafa Krujës në fillim të vjetit 1942. Ishem ngarkue me detyrë në Kukës. E vizitova. Pashë se ishte shum i kujdesshëm për të ndigjue e shum i preftë në shprehje.
Aspak nuk më kishte gënjyem parashikimi i em, qi pata për ‘tê, atëherë kur ishte student.
Mbas këtij takimi, qoftë për arsye detyre, qoftë për arsye miqsije, shifeshim mâ shpesh. Dhe, sa herë kur takoheshim, bisedonte përzemërsisht e me nji guxim të jashtëzakonshëm tue iu dhânun randësi në shkallë të parë problemeve dhe interesave kombtare. Synonte me mbajtun nalt autoritetin shqiptar, tue mos i përfillun asnji grimë rrethanat, qi mund t’i shkaktonte gjendja delikate e kohës.
Kur ishte fjala për shqiptarë e për Shqipni, ate nuk e lakonte kurrgjâ në kët botë. As vdekja, nuk i bânte përshtypje.
Mâ vonë, me dorëhjekjen e qeveris së Mustafa Krujës, aj, nji herë, kaloi në jetën private. Mbasandej, me kapitullimin e Italis në vjeshtën e vjetit 1943, mori pjesë në Kuvendin Kombtar në Tiranë. Në kët kohë, elementi komunist, tue përfitue nga mungesa e autoritetit, e kishte mârrun frênin në dhamb dhe bânte atentate djathtas e majtas, tue vramë nacionalista të shquem, me qellim qi të mbjellte terrorin në popull dhe në qeveri.
Pikërisht në kët kohë të rrezikshme, Mark Gjomarkaj, me treqind miq e dashamirë, qi i kishte sjellun prej Mirdite, i siguroi mbrojtjen parlamentit, tue e ruejtun nga çdo msymje, ose kërcnim. Në ket mënyrë aj, legjislaturën e asaj kohe e vuni në gjendje me punue me qetësi e me gjak të ftoftë.
***
Aty tue u damë vera e vjeshta në vjetin 1944, brigadat komuniste, patën depertue në disa lagje të Tiranës dhe pozicioni i qeveris pat fillue me u tronditun keqas. Unë, ishem i ngarkuem me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policís. Po na duhet me u zmbrapun për Shkodër me nji pjesë të personelit dhe të mjeteve, qi enè i kishim në dispozicion. Natën n’udhtim e sipër, të gjitha mjetet, na u shkatrruen nga bombardimet e fluturakeve anglo-amerikane dhe na mbetëm rrugës. Patëm dhe disa të vramë. Ata, qi tepruen, mbërritën në Shkodër. Unë shkova fillë në shtëpinë e Kapidanit. Në kët kohë dhe Marku, ishte në Shkodër.
Si dihet, në Shkodër, aso kohe, qe formue “Komiteti Kombtar i Shkodrës” nën kryesín e të ndiemve Sylqe Beg Bushatit dhe të Kapidan Gjon Marka Gjonit. Mark Gjomarkaj, ishte ngarkue me detyrën e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave t’Armatosuna Kombtare. Ky Komitet, kishte për qellim me ndalue hymjen e komunistave në kët pllambë të fundit të tokës shqiptare, për me mund me lehtësue nji shkarkim eventual të ndonjij force anglo-amerikane në Shqipni, ose në ndonji vend në zonën e Shkodrës.
Kapidan Gjoni, më njofton se, mue më kishin ruejtun detyrën e Prefektit të Shkodrës dhe, si i tillë, më ngarkojshin dhe me detyrë antarësije në Komitet. Iu falënderova, tue i thânun se, jam drejtue për në Gjermani dhe se mbrenda javës, bashkë me dy oficera gjermanë, me nji aeroplan ushtarak nisemi për Vjenë.
-“Or Tahir,” më thotë, Kapidani , “na o do të shpëtojmë bashkë, ose do të vdesim bashkë.”
Mbi këte, dhe unë, e pranova kët detyrë. Njeriu, vdekjen e pranueka mâ tepër prej turpit se sa prej trimnije. E si u pashë edhe me Sylqe Beg Bushatin, mora Prefekturën e Shkodrës në dorëzim.
***
Ndërsa, lufta, vazhdonte me vrull në Merditë dhe aty këtu derdhas në malsinat tjera të Shqipnís, Markut i bâj kët propozim:
-«Thika, ka hasun n’asht. Komunizmi, nuk mund t’asgjâsohet me mâsa gjysake. Prandej, me nji urdhënesë, duhet të requizojmë të hollat dhe pasunín e luejtshme të bankave dhe të tregtarëve të zonës s’onë, pa përjashtim. T’iau kërkojmë për kundrejt dëftesash, tue iu dhânun nji afat të shkurtë. Kush nuk e ep shumën e kërkueme mbrenda afatit të caktuam,… në litar!… Armë ka. Me nga njimijë frank në muej, të përbâjmë nji forcë prej 15.000 vetësh dhe t’a ndezim luftën në nji ballë të gjânë, tue i mobilizue edhe vendet e shlirueme. Si t’i fusim forcat komuniste në dana, të marshojmë deri në kufinin grek. Me krijimin e njij qeverije kombtare, ka gjasë qi të zbarkoje ndonji njisi anglo-amerikane. Dhe shteti, si të stabilizohet gjendja, t’interesuemve iu paguen pasunin e requizueme.»
«Fitimi, âsht i yni, mbassi komunizmi jugosllav dhe grek, nuk janë në gjendje me iu ndihmue komunistave shqiptarë. Me gjithë këte, të supozojmë se, nuk mundëm me ia mbërrijtun këtij caku, atëhere, me të tanë kët fuqí, po e çajmë me pushkë; po hyjmë në Greki dhe po i dorëzohemi gjeneral GOBI-t.»
I ndiemi Mark, pa nji pa dy, e pranoi kët pikëpamje. Ia hapëm Kapidan Gjonit. Dhe aj, e pranoi. Mirëpo, kur ia parashtruem Sylqe Begit, aj, nuk u tregue d’akord, mbassi natyra e tij, nuk ishte e krijueme për me zbatue masa kësodore, qi sjellin përgjegjësina të rânda.
Prandej, dhe kjo mâsë, qi ishte e vetmja shpresë, mbeti pa u sendërgjue.
***
Rrethi, për dit e mâ tepër vinte tue u ngushtue. Ishte data 23 Nanduer, 1944. Hangrëm darkë. Tjerët, shkuen secili në punë të vet. Mbetëm Kapidani medis nesh dhe unë e Marku, në skajet e ngushta të tavolinës, skundrejt njani tjetrit. Në kët rasë, Marku , më drejtohet :
-“Or Tahir, duhet të përgaditesh se, Ti, do të dalish nesër bashkë me babën.”
-“Për ku, or Mark?”
-“Për ku t’a ketë shkrue, Zoti. Nji herë, për Gjermani. Baba, mbassi nuk zotnon ndonji gjuhë të huej, do t’i ap me vehte njanin prej vëllazënve. Do të niseni me ushtrín gjemane, qi ritirohet.”
-“Na, mâ, o duhet të nisemi krejt kështu, sikurse jemi; e pra, edhe Ti; ose duhet të qendrojmë të gjithë bashkë, si ç’jemi.”
– Baba, âsht i vjetër; prandej, nuk âsht i malit. Ti Tahir, je shum i lodhun. Të kemi ngarkue mjaft, e shërbime në vende të ndryshme. Je edhe i vetëm. Prandej, duhet të largohesh. Sa për mue, unë, jam djali mâ i madhi i Kapidanit të Merditës. Randimi kryesuer, peshon mbi mue, sepse, kam qenë i ngarkuem me autoritet. Mandej, kam ngarkue shum miq, shum kumarë e shum dashamirë dhe farefis me përgjegjësina. Këta nuk mund t’i lâ vetëm. N’atë minutë qi unë, të largohem nga Shqipnija, ka vdekun dera e Kapidanit të Merditës. E, po te vdes unë, dera e Kapidanit të Merditës, rron. Prandej, unë, do të qendroj në malet e Shqipnis.”
Dhe si i mallëngjyem, Marku, vazhdoi:
-”E dij. Do të jetë e pamundun me qendrue n’aratí, kur të zbatohen sistemet e ashpra të komunizmit. Do të vritem; por, s’ka gjâ. Vdekjen e pranoj për idealin kombtar dhe për mos me i lanun vetëm shokët e këtij ideali. Shqipnija, dikuër, në nji menyrë, ose në nji tjetër, prap ka me e gjetun rrugën e vet të natyrshme. Dhe juve ju uroj udhë të mbarë.”
Marku, kur shprehte fjalinat e fundit, iu rrokulluen nja dy pika lot mbi mollëzat e faqeve teposhtë. Unë, nuk pata gjâ me shtue, mbasi aj, parapëlqei rrugën e burrënís shqiptare.
Me 24 Nanduer, 1944 në mëngjes, u hallatosëm me te dhe, bashkë me Kapidan Gjon Marka Gjonin, lam Shkodrën, tue mârrun rrugën e aratís.
Karakteristika, qi e dallon Mark Gjomarkajn prej shqiptarëve tjerë, âsht kjo: Aj, qendroi në malet e Shqipnís për t’u vramë e tjerët, qendruen për të shpëtue.
***
Sigurisht, disa burra nacionalista, do të kenë mbajtun shenime dhe do t’i përshkruejnë ndodhinat me imtësi. Unë, këtu, shkurtimisht po shenoj disa pika kryesore, për hirë të historis kombtare:
Marku, me 26 Nanduer, 1944, e le’ Shkodrën, tue pasun me vehte nji fuqi të përbâme prej afër trimijë vetësh. Me qenë se shokët i kishte lanun të lirë me u dorëzue, ose me ndjekun rrugën e aratís me ushtrín gjermane, nji pjesë e kësaj fuqije, i dahet. Me fuqín, qi i mbetet, aj, vazhdon udhën nepër vende të ndryshme malore, tue kapërcyem lumej, gryka, kodra e suka të vështira dhe tue luftue e tue çamë me pushkë shum prita, të cillat, ishin vumë nga nji pjesë e popullit, qi e kishte mashtrue komunizmi. Lemisht, në këto ndeshje, derdhet shum gjak prej dy palëve. Për kët shkak, Marku, vendosë qi forcat, aty për aty, të shpërdahen andej -këndej, ku t’a gjykojnë me arsye, tue mbajtun ndërlidhjet regullisht medis tyne. Dhe vetë, me disa shokë, kalon në Merditë.
Gjatë kohës, qi Marku, qendron n’aratí, krijon nji organizatë kombtare, ecilla, shtrihet, thuejse, gadi në krejt Shqipnín. Mirëpo, dhe kjo, mjerisht, dështon, për shkak se, nji pjesë e kësaj organizate, veprimin e fillon para datës së caktueme.
Kësaj here, Tirana, vendosë me e mnjanue kët rrezik dhe shton e shpeshton seriozisht ndjekjet. Dhe Mark Gjomarkaj, në nji ndeshje, qi zhvillohet në vendin e quejtun -Prosek të Merditës – me datën 13-6-1946, plagoset randë. Dhe me 14-6-1946 n’ora 7.00 vret vehten me revolverin e vet, për mos me iu dorëzue i gjallë komunistave.
***
Mbas vetëvrasjes, forcat komuniste, trupin e Markut e ekspozojnë në Shpal, në Lesh e në Shkodër, tue e zvaritun e tue shkelmue.
Kjo sjellje banale, në vetvehte, tregon se, komunizmi, âsht nji shfaqje kundërnjerzore
Nacionalizmi shqiptar, nuk do t’i harroje kurr dëshmorët e vet.
Hiri i Zotit, qoftë me Mark Gjomarkajn dhe me shokët e idealit të tij të shenjtë.
*Ne Foto:Mark GJomarkaj
*Marrë nga Lajmtari i të Mërguemit, nr.12, Vt.7, Korrik 1976, fq.11-15
FIFA E KORRUPTUAR!
…Drejtori i FBI-së James Comey thekosi nga ana e tij se të “akuzuarit nxitën një kulturë dhe atmosferë korrupsioni në sportin më popullor të botës.” Ryshfeti dhe pagesat ilegale ishin si diçka e zakonshme mbrenda organizatës FIFA./
Nga Frank Shkreli/
Ministria e Drejtësisë e Shteteve të Bashkuara njoftoi të Mërkurën në Gjykatën Federale në Brooklyn të New Yorkut, padinë me 47-akuza kundër nëntë zyrtarëve të lartë dhe pesë drejtorëve ekzekutivë të organizatës ndërkombëtare të futbollit, FIFA. Ndër të akuzuarit që gjithsejt janë 14, përfshihen dy zëvendës presidentë të tanishëm të FIFA-s. Padia me 47-kundërvajtje, ndër të tjera akuzon të pandehurit, për korrupsion dhe për konspiracion për pastrim parashë, thuhet në njoftimin e Ministrisë amerikane, në lidhje me pjesëmarrjen e të akuzuarve në një intrigë prej më shumë se dy dekadash, për të pasuruar veten dhe në këtë proces duke korruptuar futbollin ndërkombëtar. Disa prej tyre, thuhet në njoftim, pranuan se ishin fajtorë ndaj akuzave të ngritura kundër tyre.
Të akuzuarit, thotë Ministria amerikane Drejtësisë, janë zyrtarë ë lartë të “Fédération Internationale de Football Association” (FIFA), që është organizata përgjegjëse për manexhimin dhe promovimin e lojës së futbollit anë e mbanë botës. Përveç zyrtarëve të lartë të FIFA-s, ndër të akuzuarit thuhet se përfshihen edhe zyrtarë të lartë të organizatave që veprojnë nën ombrellën e organizatës FIFA, përfshirë këtu zyrtarë të FIFA-s edhe nga Amerika Veriore dhe nga Amerika Latine. Të akuzuarit, thuhet në njoftim, gjatë asaj periudhe kishin pranuar të jepnin dhe të merrnin ryshfet që arrinë shumën e mbi 150-milionë dollarëve, gjatë procesit për të vendosur mbi të drejtën të drejtën se ku, kur edhe kush dhe nën çfarë rrethanash merr pjesë në turne dhe ndeshje ndërkombëtare të futbollit. Këto akuza u njoftuan Në New York nga Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara Loretta E. Lynch përkrah së cilës gjëndej edhe Drejtori i FBI-së James B. Comey dhe zyrtarë të tjerë të lartë të drejtësisë federale dhe shtetërore.
Ndërkaqë në Zurich të Zvicrës, autoritetet e atij vendi, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe në bashkpunim me to, arrestuan më heret dje shtatë prej të akuzuarve: Jeffrey Webb, Eduardo Li, Julio Rocha, Costas Takkas, Eugenio Figueredo, Rafael Esquivel dhe José Maria Marin. Prokurorja e Përgjithshëme e Shteteve të Bashkuara, Loretta Lynch tha duke njoftuar arrestimet — përfshirë ndër të tjerë edhe ish-përfaqsuesin amerikan pranë organizatës FIFA, Charles Blazer — se akuzat kanë të bëjnë me “një korrupcion të përgjithshëm që ishte bërë pjesë e sistemit dhe i cili i kishte rrënjët e thella, si jashtë vendit ashtu edhe këtu në Shtetet e Bashkuara. Ajo tha se në këtë korrupcion janë përfshirë, “të pakën dy breza zyrtarësh të futbollit ndërkombëtar, të cilët sipas akt-akuzës kanë abuzuar me pozitat e tyre duke përvetësuar padrejtësisht miliona dollar nga ryshveti.” Krye- Prokurorja amerikane, Loretta Lynch, megjithëse sapo ka filluar nga detyra në këtë post, tha se kjo valë e korrpucionit për një kohë kaq të gjatë, ka “Dëmtuar rëndë një numër të madh viktimash, duke filluar nga skuadrat e futbollit për të rinjët në vendet në zhvillim e sipër, të cilat duhej që të përfitonin nga të ardhurat që mblidheshin duke shitur të drejtat comerciale të këtyre organizatave, e deri tek tifozët në këtë vend dhe në vende të tjera të botës, të cilët me pjesëmarrjen e tyre në këtë sport, bëjnë që këto të drejta komerciale të kenë vlerë dhe të përdoren për të gjithë për të promovuar lojën e futbollit në mbarë botën. Loretta Lynch pohoi se, “masa e njoftuar sot e bën të qartë se Ministria e Drejtësisë e Shteteve të Bashkuara angazhohet që këtyre praktikave të korruptuara tu jepet fund dhe që fajtorët njëkohësisht, të sillen para drejtësisë”. Ajo shtoi duke thënë se presim që në këtë përpjekje të vazhdojmë bashkpunimin tonë edhe me vendet e tjera, duke falënderuar autoritetet qeveritare të Zvicrës si edhe ortakë të tjerë ndërkombëtarë për ndihmën e tyre të shkqëlqyeshme që ato kanë dhënë gjatë këtyre hetimeve, që çuan në akt-akuzat kundër zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve më të lartë të orgnaizatës FIFA.
Ndërsa, Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Kelly Currie gjatë të njëjtës konferencë me shtypin e mbushur me gazetarë, në New York ku u njoftuan arrestimet, theksoi në lidhje me akuzat se, “Njoftimi i sotëm dërgon mesazhin e nevojshëm kudo: se mjaft është mjaft! Pas një korrupcioni të gjithanshëm që mbulon disa dekada, futbolli i organizuar ndërkombëtar ka nevojë për një fillim të ri – për një mundësi të re që institucionet e tija të jenë të afta të mbikqyrin nderëshmërisht një sport aq të dashur për të gjithë anë e mbanë botës.” Z. Curry u angazhua duke e bërë të qartë se kjo akt-akuzë nuk është kapitulli i fundit i hetimeve tona, ky është vetëm fillimi, tha ai.
Ndërsa Drejtori i FBI-së James Comey thekosi nga ana e tij se të “akuzuarit nxitën një kulturë dhe atmosferë korrupcioni në sportin më popullor të botës.” Ryshveti dhe pagesat ilegale ishin si diçka e zakonshme mbrenda organizatës FIFA. Ndërkaq, ai dhe falenderoi hetuesit dhe prokurorët anë e mbanë botës të cilët e ndoqën kët rast korrupcioni ndërkombëtar për shumë vjetë dhe me aqë përkushtim, shtoi ai.
Organizata ndërkombëtare FIFA përbëhet nga 290 shoqata, ndërkohë që secila përfaqëson futbollin e orgnaizuar në një shtet ose territorr. Përveç këtyre, FIFA njeh gjithashtu edhe gjashtë konfederacione kontinentale të cilat duhej të ndihmonin në zhvillimin dhe në promovimin e futbollit anë e mabnë botës.
Përveç këtyre akuzave zyrtare që o njoftuan të mërurn nga zyrtarët amerikanë të drejtësisë kundër zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të organizatës FIFA, gazeta New York Times shkruan sot se kritikët e organizatës ndërkombëtare të futbollit kanë venë në dukje shpesh mungesën e transparencës në lidhje me pagat dhe me burimet financiare të organizatës, ndërsa ka pranuar vet se të ardhurat prej vitit 2011 e deri më 2014 ishin pothuaj një shume marramendëse prej pothuaj 6 miliardë dollarësh.
Gazeta e New Yorkut citon kritikët e FIFA-s të kenë thënë se vendimet politike të kësaj organizate shpesh merren pa debat dhe pa ndonjë shpjegim nga një grup i vogël zyrtarësh që njihen si Komisioni Ekzekutiv. Gazeta thotë se FIFA, për vite me radhë, kjo organizatë është drejtuar pa asnjë kontroll të jashtëm dhe me pak ose aspak transparencë.New York Times citon eskperten Alexandra Wrage ta ketë etikuar FIFA-n si një organizatë, “bizantine dhe e padepërtueshme”.
Në këtë ndërkohë, FIFA reagoi ndaj këtyre akuzave të drejtësisë amerikane kundër zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të saj duke thënë se, “Jemi të kënaqur që shohim se hetimet po zhvillohen energjetikisht për të mirën e futbollit dhe besojmë se ato do të ndihmojnë në riforcimin e masave që FIFA ka ndërmarrë tanimë.”
Akt-akuzat e prokurorëve amerikanë kundër FIFA-s, janë gjithashtu një rast që tregon seriozitetin e përballjes me korrpucionin kur zyrtarët e një organizate si kjo, ose cilado qoftë dhe kudo qoftë ajo, vjedhin nga antarët ose nga shoqëria, të cilën ata duhet të përfaqësojnë. Si të tillë, zyrtarët dhe ish-zyrtarët e FIFA-s të arrestuar këto ditë, por edhe zyrtarë të organizatave të tjera që sillen në këtë mënyrë — qofshin ato kombëtare ose ndërkombëtare — duhet të përballen me drejtësinë dhe me ligjin, ashtu siç njoftuan zyrtarët më të lartë të drejtësisë amerikane në New York, në bashkpunim me autoritetet zvicerane dhe prokuruorë të tjerë anë e mbanë botës. Ligji është ligj, qoftë në fushën e topit, qoftë në kancelaritë më të larta të orgnaizatave kombëtare ose ndërkombëtare, siç është FIFA, parimi dhe detyra e së cilës është për të drejtuar dhe për të promovuar sportin e futbollit anë e mbanë botës.
PIKNIK MADHERSHTOR I DIASPORËS NË NEW YORK
Nga Ejllo Berishaj/
Nën organizimin e shoqatave shqiptare me veprimtari në SHBA me origjinë nga trojet tona etnike nën Mal të Zi me 25 Maj 2015 u mbajt pikniku i përbashkët i shoqatave tona atdhetare. Ishte kjo një dite e veçantë ku parku piktoresk i New Yorkut , FDR State Park sikur ishte i vogël për të zën numrin e madhe të pjesëmarrëseve.
Shoqata tona me aktivistet e tyre kishin bërë ma të mirën të mundshme që kjo dite e bukur pranverore te jetë sa ma e hareshme për pjesëmarrësit. Edhe pse larg nga vendlindjet tona ishte kënaqësi kur i shiqon me qindra te rinjë tonë të bashkuar duke u argëtuar së bashku dhe duke komunikuar në gjuhen tonë të bukur shqipe. U jemi mirënjohës kryesive të shoqatave tona për koordinimin e përbashkët që rezultojë në krijimin e një atmosfere të shkëlqyer si asnjëherë ma parë . Respekti dhe vlerësimi ma i lart është për ju të nderuar bashkëkombës që me pjesëmarrjen tuaj e bëtë këtë manifestim në natyrë të jetë një manifestim që vërtetë thënë ishte dhe do te mbetet i tillë në kujtesën tonë një tubim i pa harruar dhe Madhështor.
Është vlere e veçantë njerëzore që posedojmë ne shqiptaret ku në një tubim masiv siç ishte pikniku i përbashkët dhe me një pjesmarrje të mase 2000 bashkëkombësve çdo gjë te kaloj ne mënyrën ma te mire te mundësheme .
Se interesimi ishte jashtëzakonisht i madhe për pjesëmarrje në Piknikun e Shoqatave tona e dëshmon edhe ardhja nga vendlindja e klubit futbollistik (KF) Ana e Mali, klub i cili ma prezencën e tyre i dhan gjallëri edhe ma shume mirëvajtjes se piknikut. Gjat rrjedhës se piknikut u zhvilluan aktivitete të shumta sportive dhe garime të llojllojshme në disiplina të ndryshme si në futboll, volejboll, basketboll hedhje të peshës, tërheqjeje të litarit, shah domina etj etj.
Si zakonisht Asambleisiti jon Mark Gjonaj dha një kontribut të shkëlqyer për mirëvajtjen e piknikut, asamblesiti i jonë për argëtimin e vogëlushëve pjesëmarrës ne piknik kishte porositur enkas për ta lojëra te argëtimit balona me ajër dhe një Grup për ngjyrosje te fytyrave. Këtë tubim me prezencën e tyre e nderuan edhe ish kongresmeni i jone Josepf J. DioGuardi, ndërkaq nga vendlindja për të mbuluar rrjedhën e piknikut kishte ardhur ekipi i TV Boin me gazetaren e mirënjohur Esmeralda Raiceviq dhe kameramani Mark Ujkaj.
Të nderuar bashkëkombës, të nderuar bashkëvendas, të respektuar anëtar shfrytëzoj rastin që në emër të shoqatave tona të ju falënderojmë për pjesëmarrje dhe dhashë zoti që Uniteti i jone të jet shembull i unifikimit të Diasporës tonë të fuqishme shqiptare nëe SHBA.
Për Shoqatat
– Fondacioni Plavë Guci
– Shoqata Malësi e Madhe
– Shoqata Ana e Malit
– Fondacioni Dom Simon Filipaj
– Shoqata Atdhetare “Kraja”
– Rrënjët Shqiptare- Shoqata Malësi e Madhe
Ejllo Berishaj , korrdinator
New York 27 Maj 2015