Sic njofton Agjensia e Lajmebe Kosovapress neser do te organizohet perurimi i Shtatores se Atit te Pavaresise, Ismail bej Qemalit.Ne kete ceremoni eshte njoftuar se do te jete dhe Edi Rama. Agjensia komenton lajmin se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të vizitojë Kosovën te Shtunen me 23 Maj 2015, ku do të jetë i pranishëm në cermoninë e perurimit të shtatores së Ismail Qemalit në Prishtinë.
Sipas një njoftimi për shtyp të komunës së Prishtinës, në ceremoninë e vendosjes së shtatores së Ismail Qemalit, që do të zhvillohet në hapësirën para ish- Pallatit të Shtypit, në bashkëorganizim me Bashkinë e Vlorës, të pranishëm në këtë ngjarje do të jenë edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, si dhe personalitete të ndryshme nga fusha politike dhe kulturore e vendit.
Gjatë kësaj ceremonie, do të performojnë kori i filarmonisë së Kosovës dhe ansambli “Rexho Mulliqi”.
Në nëntor të vitit 2014, në një takim të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me delegacionin e intelektualeve nga qyteti i Vlorës, u percaktuan hollësitë e idesë dhe projektit të vendosjes së shtatoreve të Ismail Qemalit në Prishtinë dhe atë të Hasan Prishtinës në Vlorë.
Vendosja e shtatores simbolizon rolin e Ismail Qemalit në pavarësinë e shqiptarëve, si dhe në zhvillimin e kombit shqiptar.
Parlamenti-IKJA E DULES, ARDHJA E IDRIZIT, GREQIA NDERHYN
Një ditë pas zgjedhjes së kreut të PDIU, Shpëtim Idrizi si nënkryetar i Kuvendit, ka reaguar ashpër diplomacia greke. Ministria e Jashtme e Greqisë ka reaguar zyrtarisht pas zgjedhjes së Shpëtim Idrizit si nënkryetar i Kuvendit. Në dekoratën që duket si një ndërhyrje direkte në punët e brendshme të Shqipërisë, kreu i PDIU cilësohet nga Ministria e Jashtme Greke si përfaqësues i të kaluarës fashiste!
Duke iu përgjigjur interesit të mediave, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme greke tha se “zgjedhja e personave që ndjekin perceptime irredentiste, të lidhura direkt me të kaluarën e urryer fashiste dhe naziste, në pozicionet më të larta të shtetit, nuk nxit miqësinë, bashkëpunimin, stabilitetin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mes vendeve të Europës Lindore dhe nuk kontribuon në perspektivën europiane të Shqipërisë”,- thuhet në reagim.
Deklarata jo e zakonte lidhet me qëndrimin që Greqia ka ndaj komunitetit çam. Arsyeja se përse çamët u dëbuan me dhunë dhe ndaj tyre u bë gjenocid nga shteti helen lidhet me argumentin, sipas tyre, të bashkëpunimit të çamëve më pushtuesit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kreu i PDIU u zgjodh nënkryetar një ditë më parë, duke sjellë zemërimin e kreut të PBDNJ, Vangjel Dule, i cili dha dorëheqje nga detyra e nënkryetarit tjetër të Kuvendit.(KJ)
Unioni Global i Bizneseve të Diasporës Shqiptare mbajti takimin vjetor Prishtinë – Tiranë
Për të krijuar një ambient sa më të suksesshëm për Investime në trojet mbarëshqiptare/
Nga Beqir Sina-Prishtine/
Prishtinë – Unioni Global i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës së Republikës së Kosovës, në shënim të përvjetorit të parë të themelimit të saj – po mban këto ditë një nga veprimtarit më të mëdha, që prej themelimit të tij.
Veprimtaria, e biznesit dhe afarizmit shqiptarë në botë, nisi me mbajtjen, sot të forumit të quajtur “Ambienti për Investime në trojet mbarëshqiptare”, në Sëiss Diamond Hotel – Prishtinë, ku morën pjesë më shumë se 50 biznesmen të suksesshëm shqiptarë të mbledhur nga Europa, SHBA dhe Kanadaja.
Mori pjesë edhe zoti Naim Deduashaj, i cili në pozitën e Drejtorit të Investimeve të Diasporës, është ideator fillestar strategjik i konceptit të organizimit të këtij Rrjeti të Bizneseve Shqiptare në Diasporë.
Në këtë forum morën pjesë, kryetarët e rrjeteve të bizneseve të diasporës, dhe delegacione afaristësh shqiptarë nga 17 shtetet e botës, si Anglia, Australia, Austria, Finlanda, Francë, Gjermani, SHBA (Dallas, Illinois, Wisconsin,Michigan, New York, New Jersey, Connecticut, ) Kanada, Italy, Kroaci, Slloveni, Turqi, Luxenburgu, Hollanda, Çekia, Hungaria dhe Zvicra.
Takimi i Unionit Global të Biznesmenëve të Diasporës Shqiptare në botë, u hap një fjalim përshëndetës nga presidenti i këtij unioni mbarë shqiptarë, zoti Nazar Mehmeti, i cili foli edhe mbi mbarëvajtjen e punës së këtij forumi gjithë përfshirës.
Forumin e përshëndeti edhe Presidenti i Nderit i këtij Unioni, biznesmeni i madh shqiptarë nga Maqedonia Lazim Destani, ndërsa e moderuan atë Ylli Blakaj koordinator për Europë i Unionit, biznesmen nga Austria dhe Ismet Smajli biznesmen nga Dallasi – SHBA.
Më pas kryetarët e rrjeteve nga 17 shtetet e botës, paraqitën raportet e tyre, dhe diskutuan mbi modalitetet e të bërit biznes në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe sollën përvojën e tyre të suksesit në biznes simbas vendeve ku ata jetojnë e ushtrojnë bizneset e tyre.
Z. Elmi Berisha, nënkryetar i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës dhe kryetar për “zonën e Tri-Shtetshit” New York, New Jersey, dhe Connecticut, mbajti referatin “Përmirësimi i klimës investuese për investitorët e Diasporës”.
Më pas iu bë një përmbledhje e punës së vitit të kaluar dhe u kalua (pikë për pikë -nen për nen) në diskutim të hapur rreth asaj që thirrej Platforma Strategjike e Veprimit (secili shtet me të drejtë për të prezantuar 3 deri në pesë minuta), një platformë kjo e shkruar nga ekspertët e zgjedhur nga ky Union me 10 faqe dhe disa kapituj.
Gjatë punës së këtij takimi vjetor, mbas leximit të platformës u kalua në diskutimin e preambulës, historinë e këtij Unioni, dhe vizionin e saj, qëllimin, dhe vlerat bazike të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, ngritjen e selisë Qendrore dhe strukturave organizative e funksionale, shpërndarja dhe burimet e financimit, të RRBDSH-së, shpërndarja dhe alokimi i buxhetit, aktet e tjera normative dhe rregulluese të Unionit.
Në mënyrë unanime të 17 kryetarët, kanë miratuar mbasi u hodh në vota – votimin për Platformën Strategjike të Veprimit, e cila u lexua nëpërmjet një video-projeksioni nga Sekretari i Përgjithshëm i këtij Unioni – zoti Ismet Smajli.
Presidenti i Unionit Global të Biznesmenëve të Diasporës Shqiptare në botë, zoti Nazar Mehmeti, i njohur edhe si veprimtar i dalluar i komunitetit shqiptarë në SHBA, mbetet president edhe për një mandat tjetër ose deri në zgjedhjet e ardhshme. Ndërsa, u votua me këtë rast vendi dhe data e mbajtjes së takimit të dytë vjetor të Unionit Global të Biznesmenëve të Diasporës Shqiptare në botë, duke caktuar si mikpritëse, vitin tjetër qytetin botëror të biznesit, i njohur ndryshe edhe si metropoli botëror, qytetin e New Yorkut – SHBA.
Në fund me përfundimin me sukses të punimeve të takimit të parë vjetor të Unionit Global të Biznesmenëve të Diasporës Shqiptare në botë, u shtrua një darkë në lokalin “Apollonia”, darkë ku mori pjesë edhe ish Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork, z Bekim Sejdiu, dhe miq të tjerë të këtij Unioni nga Prishtina dhe vendet e tjera nga Europa.
Unioni Global i Biznesmenëve të Diasporës Shqiptare në botë, sot udhëton për në Istog për të promovuar suksesin e një anëtari të këtij Unioni, investitorit nga diaspora (Belgjika) z Ismajl Bytyqi, pronar i kompanisë për kultivimin e peshkut.
Takimi në Istog – do të nisi sot me vizitën dhe takimin me kryetarin e Komunës së Istogut dhe afaristëve nga Diaspora, që kanë investuar në Istog, në lokacionin e thirrur “Trofta”
Ky takim do të hapet nga Ylli Blakaj dhe do të moderohet nga Bekim Neziri. Kurse pritet të flasin në këtë takim edhe prodhuesi i Peshkut, z. Ismail Bytyqi, – Hotel “Trofta”, nga Hotel Onix, Banja Termale, z Xhevdet Shoshi, kompania Agro Produkt, prodhuesi i Çajrave, z.Halit Avdiu, kompania Sinalco – Fabrika e Lëngjeve, zoti Gani Dreshaj, dhe firma Makon – firmë ndërtimore zoti Ismet Rugova.
Ky forum që nisi në Kosovë, ditën e enjte, përfundon me takimet dhe forumin që do të mbahet ditën e shtunë në Tiranë – Shqipëri.
Kthehen Trupat e 9 luftëtarëve të Kosovës të vrarë në Kumanovë
Mbërrijnë në shtëpitë e tyre në Kosovë luftëtarët e vrarë në lagjen e Trimave në Kumanovë/
Në orët e para të ditës së sotme kanë hyrë në territorin e Kosovës trupat e 9 qytetarëve të Kosovës, të cilët u vranë në ngjarjen e 9 majit në qytetin e Kumanovës.
Trupat e pajetë të 9 qytetarëve kosovarë hynë në territorin e Kosovës pak minuta para orës 04:00 të mëngjesit, të dates 22 Maj, shoqëruar nga një kolonë e gjatë automjetesh me familjarë përfshirë edhe ato të funeraleve.
Kortezhi është përcjellë nga Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu. Trupat u dërguan në këtë institut për një autopsi të re, ndërsa më pas u shoqëruan nëpër shtëpi.
Në 9 maj në Kumanovë ndodhi sulmi i policisë maqedonase në lagjen e Trimave kundër një grupi të armatosur, që më pas shpërtheu në përleshje dhe dorëzim vullnetar të grupit pas një negociimi të organizuar.
***
Trupat e pajetë të 9 shtetasve të Kosovës, të vrarë në incidentin e armatosur në Kumanovë, me 9 dhe 10 maj, janë sjellë në Kosovë, në orët e para të mëngjesit të ditës së premte.
Familjarët e personave të vrarë i kanë marrë trupat e pajetë të të afërmve të tyre nga autoritetet e Maqedonisë rreth orës 3 e 15 , ndërkohë që kortezhi ka hyrë në territorin e Kosovës, në orën 4: 10, përmes pikës kufitare në Han të Elezit.
Shtetasit e Kosovës të identifikuar si të vrarë në incidentin e Kumanovës janë: Xhafer (Hysen) Zymeraj, Beg (Miftar) Rizaj, Mirsad (Osman) Ndrecaj, Valon (Selim) Kabashi, Turgaj (Mehmet) Gashi, Samid (Bajram) Kastrioti, Hysen (Latif) Rushiti, Fatlum (Kadri) Vishesella dhe Arben (Qerim) Rexhaj.
Familjarët që kanë marrë të afërmit e tyre të pajetë në Maqedoni, që nga dita e enjte, gjatë gjithë kohës janë shoqëruar nga drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu.
Gërxhaliu, menjëherë pas hyrjes së kortezhit në territorin e Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pas procedurave, që i quajiti të zgjatura burokratike nga autoritetet maqedonase, trupat e pa jetë janë identifikuar nga familjarët dhe ata ishin në rrugë drejt morgut të Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë
“Paksa i stërzgjatën procedurat, ndoshta edhe më tepër se që duhet. Por, marrë në përgjithësi që numri ishte prej nëntë personash, secili drejtim i punës priste ta përfundonte punën një sektor, për ta marrë pastaj sektori tjetër. Kjo ishte paksa e mundimshme, mirëpo meqenëse u arrit që familjarët të bëjnë identifikimin e 9 personave, arritëm që t’i marrim në këto orë të vona. Në orën 4 e 10 minuta kemi hyrë në kufi dhe tash jemi rrugës. Po i dërgojmë në morgun e Prishtinës”, tha Gërxhaliu.
Ai ka shtuar se gjatë pritjes për identifikimin dhe marrjen e trupave të pajetë, kanë pasur mbështetje dhe ndihmesë mjaft të madhe nga ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa.
Gërxhaliu, ka theksuar se vetë familjarët e shtetasve të Kosovës, të vrarë në incidentin e Kumanovës, kanë insistuar që të përsëritet ekspertiza mjeko-ligjore dhe sipas tij, një gjë e tillë edhe do të bëhet..
“Po, ata e kanë thënë këtë gjatë gjithë kohës dhe ne kemi qëndruar bashkë më shumë se 12 orë. Ata janë duke ardhur drejt morgut që të bëjnë kërkesat e tyre dhe dëshirojnë që gjithsesi të bëhen ri-autopsitë edhe në departamentin tonë”, ka theksuar Gërxhaliu.
Në anën tjetër, edhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut, ka bërë thirrje ndaj familjarëve të personave, shtetas të Kosovës, që kanë humbur jetën në incidentin e Kumanovës, si dhe ndaj institucioneve të Kosovës, që të përsëritet ekzaminimi i trupave të pajetë.
Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirisë së Njeriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky këshill insiston që trupat e pajetë që janë sjellë nga Maqedonia, të mos varrosen para se t’i nënshtrohen edhe një herë ekspertizës.
“Insistimi ynë është që ka mundësi edhe forenzika, por edhe mjekësia ligjore – në qoftë se është nevoja, shteti duhet të investojë edhe në ekspert të jashtëm- në mënyrë që të bëhet një super-ekspertizë, në mënyrë që të vërtetohen shkaqet e vdekjes. Vetëm atëherë kur të bëhet një super-ekspertizë dhe të dihen shkaqet e vdekjes, atëherë mund të bëhet varrimi. Në qoftë se e bëjnë varrimin tash, atëherë shumë gjëra do të mbeten mister dhe të pasqaruara”, tha Shala.
Ai ka shtuar se KMDLNJ, insiston që të zbardhen faktet nëse personat që kanë humbur jetën në incidentin në Kumanovë janë vrarë gjatë luftimeve apo pasi ata janë dorëzuar.
“Këtu ka shumë gjëra për të cilat mund të dyshohet, sepse dëshmitarët që kanë marrë pjesë në luftime, tregojnë se disa prej tyre kanë qenë të plagosur e pastaj ata figurojnë në listën e të vrarëve. Mjekësia ka shkuar aq larg sa që mund të konstatohet edhe koha, por edhe mënyra e vdekjes”, ka theksuar Shala.
Ndryshe, Gërxhaliu ka theksuar se ekipet për ekzaminimin e trupave të pajetë janë të gatshme në Departamentin e Mjekësisë Ligjore dhe se pritet qe ky proces te përfundojë brenda dy apo tre ditësh.(Kortezi-Bota Sot)
Drejtuesit e minoritetit grek kontakte me ushtarakë të lartë të ushtrisë greke
Ja kush janë gjeneralët grek që kanë lëvizur në Shqipëri/
Nga Arben LLALLA/
Prej disa vitesh trupat paraushtarake greke të grupuar në organizata të ndryshme kanë hyrë disa herë në Shqipëri si në Polenë, Korçë, Pogradec dhe në tërë jugun. Vetëm në 10 muajt e fundit ish-ministri i mbrojtjes dhe ish-Shef Shtabi i Ushtrisë greke për disa vite Frangos Frangulis ka hyrë me rroba civile dy herë në Shqipëri. Dy herë brenda 10 muajve ka hyrë edhe ushtaraku i lartë i pensionuar Andonios L. Vasileos.
Frangos Frangulis ka lindur në Komotini, në një vend të Greqisë ku banojnë myslimanë me origjinë turke, shqiptare dhe pomake. Për shumë vite ai ka qenë Atashe Ushtarak në Turqi. Frangos Frangulis nga viti 2009 deri më 2011, ishte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Greke. Në Dhjetor 2011, ai u paraqit në Gjykatë për të dhënë dëshminë si Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Greqisë për 39 ushtarët grek të cilët gjatë paradës ushtarake më 25 Mars 2010 kënduan këngë raciste ndaj shqiptarëve, turqve dhe emigrantëve të huaj që punojnë dhe jetojnë në Greqi. Ka qenë vetëm një muaj Ministër i Mbrojtjes së Greqisë, 12 Maj-12 Qershor 2012. Pasi u lirua nga rroba ushtarake gjenerali në pension, Frangos Frangulis filloj të marrë pjesë në aktivitetet që organizonin shoqatat ekstremiste greke dhe të minoritetit grek me temë aneksimin e jugut të Shqipërisë. Frangulis ka vizituar disa herë jugun e Shqipërisë këto muajt e fundit. Nuk dihet se në çfarë cilësie një ushtarak i lartë i Greqisë dhe që mban ende Ligjin e Luftës lëviz në zona ku jeton minoriteti grek me shqiptarët në paqe?
Frangos Frangulis gjatë vizitave në Shqipëri është takuar edhe me drejtuesit më të lartë të shoqatave dhe të minoritetit grek.
Më 17 Maj 2015, në përvjetorin e 101 të aneksimit të Jugut të Shqipërisë, kryetari i OMONIA Leonidha Papa në Delvinaq, afër kufirit greko-shqiptar bëri një takim me Andonios L. Vasileos, i cili ka patur detyra të larta në Ministrinë e Mbrojtjes së Greqisë si shef i zyrës së klasit parë në Shtabin e Përgjithshëm. Vasileos është ekspertë i lartë i programeve kompjuterike dhe i hartimit të kufirit detar. Për katër vite ai ka udhëhequr prezantimet për çështjet kufitare detare. Ka qenë dhe koordinator për siguri dhe menaxhim të krizave në Institutin për studime gjeopolitike. Jeton dhe vepron në Janinë. Ekzistojnë të dhëna se Andonios Vasileos ka vizituar jugun e Shqipërisë të paktën dy herë brenda vitit 2014-2015.
Të gjithë këto aktivitete të ushtarakëve të lartë grek nuk bëhet për të çliruar Vorio Epirin, por për të provokuar një luftë të kontrolluar në jug me qëllim që të hyjnë forcat ushtarake ndërkombëtare dhe më tej Greqia të ketë dorën e lirë për të grabitur rreth 300 miliard euro rezerva nafte dhe gazi natyror që gjenden në detin Jon, pjesë që i takojnë Shqipërisë.
LUFTË PËR DETIN JON
Revista greke e shtatorit 2011, “Bilanci ushtarak dhe gjeopolitika”, shkruan me shkronja të mëdha: “Luftë në Jon, operacioni ‘Skenderbeis’”. Autor i këtij shkrimi është Joani S. Theodhoratu, i cili shkruan për interesat strategjike në detin Jon dhe Adriatik, ku ka rezerva të mëdha gazi, nafte dhe kalimi i tubacioneve që do të furnizojë Europën për shumë vite. Revista i kushton 10 faqe marrëveshjes së kufirit ujor midis Shqipërisë dhe Greqisë. Autori thotë se interesat e Greqisë për këtë zonë po pengohen nga ana e turqve, që tashmë kanë një aleancë ushtarake afatgjatë me Shqipërinë.
Si pasojë e mosfunksionimit në detin Jon e marrëveshjes së Greqisë me EEZ për nxjerrjen e gazit dhe naftës mund të kalohet në një konflikt ushtarak midis Greqisë dhe Shqipërisë. Edhe pse Greqia ka potencial ushtarak të fuqishëm ndaj Shqipërisë, grekët janë të bindur se Turqia do ta sulmonte Greqinë për interesat e saj në këtë rast. Autori ndër të tjera shkruan për stërvitjet e përbashkëta ushtarake midis Shqipërisë dhe Turqisë, duke shfaqur shqetësimet e Athinës, e cila prej 20 vitesh strehon mijëra shqiptarë emigrantë ekonomikë dhe është një nga investitorët kryesorë në Shqipëri.
Rezervat e naftës dhe gazit
Në studimin e tij, gjeologu dhe ekonomisti i energjetikës greke dr. Kostandinos A. Nikolas, ka shkruar se në detin Jon, Qipro dhe Kretë gjenden rezerva nafte dhe gazi natyror. Gazeta “Avriani” shkruante se Greqia mund të përfitojë afro 700 miliardë euro me nënshkrimin e marrëveshjes me EEZ. Nikolas kërkon të bëhen hetime në këto zona detare për burimet e hidrokarbureve. Shkencëtari në fjalë bën një pasqyrë historike të problemeve të Greqisë me kufirin detar që ka ndër vite të pazgjidhur me Shqipërinë, Turqinë, Libinë, Egjiptin, ndërsa me Italinë e ka zgjidhur në vitin 1978. Sipas tij, më 1994-n Shqipëria dhe Greqia ishin shumë afër për ta zgjidhur çështjen e kufirit detar, por autoritetet shqiptare nuk lëshuan pe, ishin më të ashpra dhe Greqia nënshkroi që blloku i zonës 5 Hamilton në detin Jon t’i takojë Shqipërisë. “Pas 15 vitesh Greqia mundi të nënshkruante një marrëveshje të re me qeverinë shqiptare për zonën 5 afër ishullit të Korfuzit, por Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi këtë marrëveshje”, shkruan dr. Kostandinos sa i përket kufirit detar me Shqipërinë.