• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ERIKA DEMIRAJ, PËRSE NUK U PRANUA NË SHËRBIMIN INTELIGJENT VAJZA SHQIPTARO-AMERIKANE?

May 6, 2015 by dgreca

*RRËFIM ME SHKAS: NGJARJE TRAGJIKE SHQIPTARE TË RRËFYERA NË AMERIKË/
* HISTORIA E VAJZËS SË PARË SHQIPTARO-AMERIKANE QË SHËRBEU NË USHTRINË AMERIKANE, POR U SHUA NE MOSHEN 29 VJEÇARE./
* PIKËLLIMI DHE KRENARIA E PRINDËRVE, VATRANËVE TË KAHERSHËM RUSTEM & SOPHIE DEMIRAJ./
* ERIKA U LIND ME 7 MAJ…./
Nga Dalip GRECA/
Historia e vajzës së parë shqiptaro-amerikane që shërbeu në ushtrinë amerikane, nuk është e panjohur për lexuesin shqiptar, as për mua si gazetar. Emrin e saj e kam ndeshë për të parën herë tek redaktoja librin e Vehbi Bajramit “Shqiptarët e Amerikës”, botuar në SHBA më 2003. Një ngjarje rëqethëse: Historia e vdekjes, sa tragjike aq dhe të msitershme, më pat mbetë në mendje. E përjetova sërish ngjarjen këto ditë kur në Vatër arriti një letër nga prindërit e Erikës, nga Rustemi dhe Sophia Demiraj, ku ata kujtonin 7 majin ditën e lindjes së vajzës së tyre, shqiptaro-amerikanes, që shërbeu me devocion në radhët e ushtrisë amerikane dhe vdiq duke qenë ende në shërbim ushtarak. Në kohën e tragjedisë u shkrua për një vetëvrasje, por që mbeti e dyshuar.
Po cila është Erika Demiraj? Lindi më 7 maj 1963 në Naugatuch- Connecticut nga prindërit Rustem dhe Sophie Demiraj.
Erika Demiraj ishte vajza e tretë nga katër vajzat, e prindërve Rustem dhe Sophie Demiraj. Ishte ndër femrat e vetme me origjinë shqiptare që shërbeu në ushtrinë amerikane. Vajza u shkollua në Naugatuch, dhe që në fillim kishte dëshirë të shërbente në forcat ushtarake amerikane. Këtë ndjenjë ia kishte forcuar edhe babai i saj, Rustemi, i cili e inkurajoi. Ndoshta ishte vetë shembulli i babait të sajë që e nxiti drejt ëndrrës. Rrustemi shërbeu katër vite në “ US Marine Corp” në Europë.
Erika mbasi mbaroi shkollën e mesme u fut në Forcat Ajrore. Rekrutimin për katër javë e bëri në “ Locland Air Force” në St. Antonio, Texas, e më pas e dërguan në një bazë tjetër në Ilinois. Vajza tregoi vullnet, dëshirë për të shërbyer dhe karakter të fortë për të përballuar ngarkesën e madhe të stërvitjes. Erika së pari kishte shfqur dëshirë të shërbente për intelegjencë,- D.I.A- Intelegjenca e Ministrisë së Mbrojtjes. Vajza ishte prekë në shpirt që nuk ia plotësuan dëshirën. Erikën e kishin refuzuar të futej në intelegjencë, jo për shkak të aftësive, por për shkak të “pengjeve” në Shqipëri.

REFUZIMI PËR D, I, A

Tregon i ati, Rustemi: Që kur ishte 10 vjeçe Erika thoshte: Kur të arrijë në moshë ligjore do të futem në shërbim ushtarak pse e ndjejë për detyrë t’i shërbej Kombit ku u linda. Dhe ashtu veproi, mbasi mbaroi shkollën e lartë në moshën 18 vejçare u fut në degën ajrore. Stërvitjen e kreu në Locland Air Force Base, në St. Antonio Texas, dhe më vonë kreu një kurs 6 mujor në një prej bazave ushatarke në Illinois.
Duket se Rustemi, i ati, e ndjenë ende pengun e së bijës, që nuk e kualifikuan për t’u stërvitë për Inteligjencë D, I, A (Inteligjenca e Minsitrisë së Mbrojtjes”. Dëshira e saj për t’u stërvitë për Inteligjencë të ushtrisë e kishte zanafillën tek shembulli i babai të saj, Rustemit, i cili kishte bashkëpunuar me shërbimin sekret ushatark amerikan prej vitit 1950 deri në vitin 1956, kohë kur Rustemi ishte ende në Europë.
Po përse e refuzuan Erikën në shërbimin sekret, kur ajo kishte lindur këtu dhe ati i saj kishte bashkëpunuar me shërbimet sekrete amerikane dhe kishte dhënë prova besnikërie?
Përgjigaj e Rustemit e shpërndanë mjegullnajën: Erikën e refuzuan të futej në shërbimin sekret prej prejardhjes politike të paraardhësve të saj në Shqipëri, dhe presionin që mund të vinte prej andej. Gjyshi i saj, Rapo Demiraj ishte kundërshtar i sistemit diktatorial në Shqipëri. Ai ishte arrestuar dhe burgosur në vitin 1945 dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Në vitin 1946, xhaxhain e madh, Eshrefin e kishin marrë ushtar. Pas një muaji familja mori një letër prej tij nga Librazhdi, ku thuhej se kryente shërbimin ushtarak. Ishte e para dhe e fundit letër për familjen. Pasi letrat u ndërprenë, familja nisi të shqetësohej. Nëna plakë nuk mundi të duronte më dhe mori rrugën e panjohur drejt djalit. Po ku të shkonte? Si ta gjente? Eci sipas adresës nga ishte nisë letra. Kishte pritë gjatë para postbllokut të repartit ushtarak, por askush nuk i jepte të dhëna për djalin e saj. I tregoi letrën një oficeri, por ai mblodhi supet dhe i kishte thënë se reparti nga ishte nisë letra qenkish i përkohshëm dhe se ushtarët pasi grumbulloheshin aty, më pas trasferoheshin. Ai i kishte spjeguar se nuk e dinte se ku mund të kishte qëndruar djali i saj por e këshilloi që të merrte rrugën për në Tiranë tek Ministria e Mbrojtjes, atje me siguri e dinin se ku e kishin dërguar ushtarin që ajo kërkonte. E lodhur, e merakosur,nëna kishte marrë rrugën drejt Tiranës. Udhëtoi për ditë të tëra nëna e gjorë dhe arriti në Ministrinë e Mbrojtjes. Iu desh që të priste gjithë ditën para derës së Ministrisë pasi oficeri që e priti e këshilloi të kishte durim se sapo të lirohej oficeri që e mbulonte atë sektor do ta priste në zyrë. Zemra e nënës e di se çfarë hoqi gjatë asaj pritje të ankthshme me mendje tek i biri. Pas shumë orësh oficeri kishte dalë dhe i kishte dhënë lajmin e pakëndshëm: Duhej të shkonte të nesërmen sepse zyrtari ishte shumë i zënë dhe nuk mund ta priste. Drita e mëngjesit e gjeti sërish në Ministri. E pagjumë, e lodhur, me zemër copë nga ankthi për djalin. Por edhe atë ditë pas shumë orësh pritje i kishin thënë: Ejani nesër, ndoshta mbaroni punë! Ky refren u përsërit për pesë ditë radhazi. E shkreta nënë u mbyt në dëshprim të thellë! Sa nuk i plasi shpirti nga dhimbja. Imagjinojeni një nënë që endet e vetme në kryeqytet në kërkim të të birit dhe jo vetëm që nuk merr dot një përgjigje, por ndjen indiferentizmin dhe armiqësinë e zyratrëve. Në ditën e pestë, zhgënjimi ishte tronditës:- Rregullorja ushtarake nuk na lejon të tregojmë se ku janë ushtarët!- i thotë oficeri që e pret pas pesë ditësh. Nëna e gjorë, pase një jave rrugëtimesh merr rrugën e kthimit pa e qetësuar shpirtin për të birin. Zemrën e ka copë, shpirtin-helm e vrerë. Vajtonte për djalin me ankthin në gji. Ku të ishte i biri? Kaluan gjashtë muaj ankthi, por asnjë lajm nuk mbërrinë. Ç’u bë me fatin e djalit?

POSTA E SHPRESES

Kur kishte nisë muaji i shtatë mbërrin posta e shpresës. Një letër që erdhi në shtëpi njoftonte se Eshrefi ishte në spitalin e Korçës. Nëna e malluar vrapoi sa kishte fuqi; drejt e në spital. Por kur hyri në dhomën që i treguan, tronditja sa nuk i çau gjoksin. Zemra i rrihte shpejt. Sytë iu mjegulluan. Nëna e mjerë bën që t’i fshijë sytë, por mjegullnaja është prapë aty. Asgjë nuk sheh. Ku është djali? E lexon dhe një herë kartelën që ndodhet ballin e krevatit, ku i thanë se ishte i biri. E lexon ngadalë shkronjë për shkronjë kartelën: Eshref Demiraj. Para syve të mjegulluar i shfaqet një masë mishi fashuar në kokë, fytyrë. Edhe goja është e fashuar. Ka vetëm një sy të zbuluar. Drita e syrit të nënës që nuk e mbanë vajitimin. Ohhhh biiiiir! Ofshanë nëna zemërplasur. Ç’të kanë bërë, o bir? E gjora nënë, prek trupin e shformuar dhe sheh gjithandej fasho të gjakosura. Kur i pa shpinën të nxirë blozë, dy anët e kryqeve ngjyrë mavi, trupi ishte sterrosur nga palgët. I nxirë biri i sajë në të gjithë trupin. O Zot, çfarë ka ndodhë? Pyetja rokullisej honeve të shpirtit dhe s’merrte përgjigje.
Nëna pyeste, djali heshtëte dhe vetëm qante me dënesë. Syri i vetëm i zbuluar rridhte lot pa pushim. Nëna pyet, i biri hesht! Ç’të bënte? Pyeti se çfarë kishte ndodhë me të birin, por edhe këtu heshtje e plotë, mjekët ishin të okupuar, nuk kishin kohë t’i jepnin përgjigje, infermieret heshtnin. I ndodhi tamam si në Ministrinë e Mbrojtjes. Heshtje, vetëm heshtje e shurdhët. Pas disa ditësh një mjek iu afrua dhe foli me të: Nuk di ç’t’ju them. Pacienti erdhi në spital në këtë gjendje që e shihni. Ne jemi duke i bërë shërbimet e nevojshme. Nu ka kam ç’t’ju them tjetër. Kaluan edhe disa ditë të tjera. Asnjë spjegim. Eshrefi nuk po shfaqte shenja përmirësimi, përkundrazi, ligështohej. Çudia ndodhi kur e nxorën të pashëruar nga spitali. E mblodhën me një batanije të vjetër dhe e shkarkuan tek këmbët e nënës. Çfarë të bënte nëna e gjorë? Si ta shëronte? Ku t’i gjente mjekimet? Pas pak ditësh ai ndërroi jetë duke marrë me vete enigmën e madhe të torturave. Ishte vetëm 26 vjeç kur ndërroi jetë.

DRAMA VAZHDON

Xhaxhai i dytë, Rushani, punonte larg vendlindjes në Shkodër. Edhe ai ishte piketuar në regjstrin e armiqëve të komunizmit. Dosja i ishte hapur prej kohësh.Pritej rasti. Dhe rasti, kur nuk vinte vetë, sajohej.E arrestojnë me akuzën se ka ndihmuar diversantët. Me akuzën e punës armiqësore dhe ndihmës së diversantëve e kaloi dhe ai një dekadë në burg. Tortura çnjerëzore provoi mbi trup, por shpirtin nuk e shiti.
Edhe xhaxhai i tretë, Halimi, u piketua për t’u arrestuar, por e mësoi para kohe lajmin dhe u arratis në Jugosllavi më 1949.
Rrëfimi i babait të Erikës, Rustemit, vazhdon: Jeta jonë po bëhej e padurushme. Ishim në sytë e përndjekjes natë e ditë. Vendosëm së bashku më babanë të arratiseshim që të shpëtonim. Kaluam kufirin në Jugosllavi. Pas arratisjes, vuajtjet ranë mbi nënën, të cilën e internuan për vite të tëra. Fate të përndjekur kishin dhe njerëzit e tjerë të familjes. Motra ime, hallua e Erikës, tentoi t’u shpëtonte vuajtjeve dhe provoi të kalonte kufirin me Greqinë, por e kapën në çastet e fundit. Edhe ajo përfundoi në burgun e komunistëve. Kur doli ishte kockë e lëkurë. E vrarë shpirtërisht. Ndërroi jetë në moshën 28 Vjeçare.
Dhe sërish pyetja: Po përse nuk e pranuan Erikën në shërbimet inteligjente, ku familja ishte një shembull i gjallë i vuajtjeve në komunizëm? Arsyeja gjendet tek tërësia e këtyre ngjarjeve që lidhen me familjen nga vinte Erika dhe prindërit e saj. Kaq shumë njerëz të torturuar a të vdekur përbënin shtysa të mjaftueshme, që Agjensia Sekrete ta refuzonte kërkesën e vajzës shqiptaro-amerikane. Ata i thanë Erikës se egzistonte mundësia që autoritetet komuniste mund të ndërhynin pranë Gjyshes plakë dhe mund ta detyronin ose mund t’i bënin oferta, për t’ia liruar njerëzit që kishte burgjeve, po qe se Gjyshja ndërhynte pranë babait të Erikës, që ai të marrë informata sekrete ushtarake prej Amerikës dhe t’ia dërgojë Qeverisë Komuniste Shqiptare, aq më shumë që babai i saj kishte qenë pjesë e shërbimeve sekrete. Babai, Rustemi, thotë se:”Së paku kështu i kishin thënë Erikës. Kjo ishte arsyeja përse nuk u pranua në shërbimet sekrete të ushtrisë”.

KARRIERA E “ËNGJËLLIT TË FORCAVE AJRORE”

Erika Demiraj ishte specialiste e inspektimeve jo shkatërruese me skuadronin e mirëmbajtjes së pajisjeve në bazën Ajrore në Moddy Georgia, ku shërbeu si instruktore për të gjithë automjetet e terrenit të skuadronit dhe të krahut ushatarak. Ajo arriti një profesionalizëm të shkallës sipërore. E dëshmojnë këtë gjurmët që ajo la pas dhe vlerësimet maksimale nga eprorët. Puna e saj ka marrë vlerësimet e merituara.
Erika është nderuar me Medalje e Urdhëra trimërie e profesionalizmi. Ndër të tjera ajo është vlerësuar edhe me Çmimin e prestigjioz”Ëngjëllit të Forcave Ajrore “për aktivitetin që pat kryer në”Stuhinë e Shkretëtirës” Fondin e Ndihmës së Forcave Ajrore. Çmimet i janë dhënë për profesionalizëm dhe besnikëri Shërbimi.
Erika Demiraj shërbeu në disa shtete, ku Amerika kishte bazat e saj ushtarake si në Spanjë, Turqi, Angli, Gjermani dhe Korenë e Jugut. Pas dhjetë vitesh shërbimi me besniëkri e profesionalizëm Erika po mendonte që ta linte jetën ushtarake dhe të kalonte në shërbim civil. Disa kompani i kishin ofruar asaj punë. Madje një ofertë i kishte mbërritur nga Singapori, ndërsa një tjetër nga Arabia Saudite, por fati ishte shkruar ndryshe. Një mëngjes trupi i saj u gjet i pajetë dhe i përgjakur në shtëpi.
Tregon babai i Erikës, Rustemi: Fatkeqsisht ato plane nuk u realizuan sepse ajo u vra në moshën 29 vjeçare, duke lënë pas bashkëshortin dhe djalin 4 vjeçar. Na la në dhimbje të thellë ne prindërit, na la me zemra të coptuara, la në dhimbje e pikëllim tri motrat dhe vëllanë e vetëm. Të gjithëve do të na mungojë, Erika jonë e dashur!

VARIMI CEREMONIAL, DY SKUADRA USHTARËSH

Babai, Rustem Demiraj, ndjehet mirë që kërkesën e familjes për ta sjellë pranë trupin e vdekur të së bijës, ua realizuan. Erika pat ndërruar jetë në Georgia, por ata si familje këmbëngulën që trupi të sillej pranë familjes. Ashtu u bë. Shërbimet funerale ishin ceremoniale. Komuniteti shqiptar, mori pjesë masivisht në ngushëllime dhe në varrim. Ministria e Mbrojtjes , dega Ajrore, u përfaqësua nga dy skuadra me ushtarë, që sipas rregullores nderuan me shërbimin e tyre, ku arkivoli me trupin e Erikës u mbulua me Flamurin Amerikan, të cilit ajo i shërbeu me besnikëri, dhe e mbrojti me dashuri e respekt.
Rustemi tregon se Erika nuk ishte e vetmja fëmijë e tyre që shërbeu me devocion e besnikëri në ushtrinë amerikane. Edhe djali i Rustemit dhe Sophies, Rustemi Jr. shërbeu për 6 vite në UNITED STATES MARINE. Shërbimi i tij rrok shumë shtete si: Bosnjë, Somali, Nigeri, Siera Leone, etj. Edhe nipi i Rustemit, djali i vajzës tjetër, shërbeu po në degën e UNITED STATES MARINE me detyrë në Irak dhe dy herë në Afganistan. Prindërit ndjehen krenarë që fëmijët dhe nipi janë të përkushtuar ndaj Shtetit, që u dha lirinë e munguar në Shqipëri.

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, Erika Demiraj, lindi me 7 Maj

Gështenjat e qytetit tim

May 6, 2015 by dgreca

Shkruan: Ilir Levonja-Florida/
1) Ne asnjëherë nuk pyetëm se përse po e bëjmë një rrugë: Përse na duhet…, dhe si duhet bërë ajo.? E ngrita këtë shqetësim në një shkrim të para pak javëve me titullin, Pak pudër mbi rrudhat e mia. Këtë në kontekstin e pranverës së fushatës. Ku veç furishëm, hedhim atë ziftin e zakonshëm. Rrugëve, apo bulevardeve. Dhe pas gjashtë muajsh, nuk e kemi për gjë ta çajmë në mes e të ndreqim tubat e kalbur nën dhe’.
Por le të futemi drejt e në temë. 
Ka ditë që në internet, në webe të qytetit të Lushnjes. Madje edhe në youtube qarkullon një video, se si do të jetë pedonalja, apo shëtitorja kryesore në të ardhmen e afërt. 
E parë me planet kompjuterike, apo atë që aq për zemër e kemi ta themi, me high definitione. Duket një mrekulli. E zeza, vijat e bardha, kumbullat e çelura, palmat etj. Mirëpo realiteti natyror është krejt tjetër nga ai kompjuterik. Kjo edhe përballë atij realiteti me faunën apo atë pak histori të atij qyteti. Që ne vdesim t’i ngjisim edhe titujt e Turqisë otomane, si bej apo pasha. 
U vozita edhe unë disa herë. Si qytetar i atij vendi. Si një nga ata që ka orë të jetës nën ato gështenja, në ato qoshe, ku herë i dëshpëruar herë i gëzuar, ndërtova personin tim. Ndofta është kjo aryeja që mbajmë edhe frymën aty. Mbajmë vetveten .
Dhe vetiu më ngelën sytë tek ato palma. Që do zevendësojnë gështenjat kaba. 
Po çfarë është për tu shqetësuar? Përse duhet të na dhëmbi për disa pemë. Për disa qoshe. Apo për një kryqëzim rrugësh etj.? 
2)Kur punoja në Lushnje, në ato aktivitet e mia artistike. E kisha për zakon që të rrija pas kuintave të skenës. Në një nga këto pasdreke shfaqesh, u gjenda ballë për ballë me një burrë të moshuar, flokë thinjur, dhe vështrim artë. Ishim vetëm ne të dy. Tek shkallët mbrapa. Përjashta . Në atë ballkonin e vogël të teatrit. Ai shikonte mëhallën në të mugtë dhe nuk fliste. Por nuk qe vështirë të kuptoje se sa shumë trishtim mbante brenda vetes ai njeri. Unë i thashë se çfarë shikon nuk është më Lushnja jote. Dhe ai veçse psherëtiu, Më rrahu supet dhe iku i vetëm nëpër mbrëmje. Ky ishte i madhi i skenës shqiptare, Ilia Shyti. 
Dhe ata që kanë memorien e freskët, duhet ta kujtojnë më mire se unë, se rruga e kalldrëmtë, shitoret, Ndërtimet karakteristike, qofshin edhe prej Turqie, apo selvitë e larta etj…, janë një humbje e pariparueshme. Eshtë njësoj sikur t’i heqësh sot Shkodrës rrugën e kafes së madhe.
Akoma e kam të gjallë një pijeshitës, kur i vogël shkoja mbushja me raki një faqore qelqi për tim atë. Më vonë ajo botë e kalldrëmtë u përmbys e tëra. Modernia ndrinte, por historia u varros.
3)Si një botë virtuale, me komunikim edhe ndër këto webe ka plot zëra pro dhe plot kundër. Mirëpo vërej se tërësia e debateve qëndron nga kahjet politike. Dhe ne fakt jemi duke rritur breza me theks të dukshëm prirjesh politike. Nuk ka asgjë të keqe. E keqja fillon kur prirja bëhet luftë e ashpër. Deri me sharje e fyrje të rënda. Ndërkohë kur është më e dosdoshme, nga të rinjtë, që të shikojnë njëri-tjetrin si pjesë po e njëri-tjetrit. Jo si demokratë palaço dhe socialistë të kulluar. Apo edhe anasjelltas. Lërjani liderëve aktualë këtë metodollogji politikëbërje. Këtë frymë agresive. Dhe kthejuni botës reale të komunikimit njerëzor. Aq më tepër kur mundësitë janë më të mëdha. Aq më tepër që jemi në kohën e argumentave, jo të çjerrjeve dhe poshtërimit të shoqi-shoqit.
4)Nuk e di se sa do realizohet, se sa i vërtetë është si plan projekt etj. Pasi u mësuam tashmë më këto histori investimesh në kohë fushatash. Por thellë vetes time thashë, ju lutem mos na i hiqni ato gështenja. Janë stinët aty. Janë hapat tona. Shëtitjet. Pritje-përcjelljet. Çdo arkitekti, çdo projektuesi i duhet thënë se, pedonalet, bulevardet, ato qoshe etj. Ndërsa i projekton mendo edhe korifejt. Mendo Ilia Shytin kur ecte në ato rrugë. Mendo Vaçen kur këndonte. Mendo Margaritën, Pavlinën kur recitonin. Mendo poetin. E dini sa poezi ka shkruar Faslliu tek bredhi i Buçit. Vura re se aty ju do ndërtoni një shatërvan. Pemët e Lushnjes janë hinxat katana, koliptet, selvitë, gëhtenjat, blirët. Nuk janë palmat. Nuk ka ecur Ilia nën palma. Dhe nuk e di nga keni rënë në dashuri me këtë pemë tropikale. Që këtu e quajnë pema e dembelëve. Pasi nuk ka nevojë për ujë, nuk ka nevojë për krasitje. I thanë vetë degët, që nuk i duhen më dhe i rrëzon përtokë. Nuk e ndërton dot folenë guguftuja në degët e palmës. Do hinxat, do selvitë, kolipset etj. Kjo është Lushnja. Jo ajo me palmat e reja të Arabisë.
5) Ju që dashuroni sot, që prisni aty një vajzë. Që bëni një shëtitje. Që keni një foto. Ta dini, do ngordhni si qeni nga malli. Kur të shikoni palmat në vend të gështenjave. Dashuritë e juaja nuk do të jenë memoria e vjeshtës me gjethe që bien. Me shira të vonuar. Me gështenja të zhveshura në dimër. Me gjethe të reja në pranverë. Jo, nuk do të jetë. Kësisoj, as qyteti i juaj.

Filed Under: ESSE Tagged With: Gështenjat e qytetit tim, Ilir Levonja

KINA DHE RUSIA DO TE ZHVILLOJNE STERVITJE TE PERBASHKETA DETARE NE MESDHE

May 6, 2015 by dgreca

Nga GJON KADELI/
Reuters njofton se Kina do te zhvilloje stervitje te perbashketa detare me Rusine ne Detin Mesdhe me 24 Maj. Kjo eshte hera e pare, qe keto dy vende,do te bajne manovra te tilla, ne kete pjese te botes, tha nji zadhanes i Ministrise Kineze te Mbrojtjes. Forcat detare te Kines dhe te Rusise kane zhvillue stervitje te tilla, ne ujnat e Paqesorit qe nga 2012-ta.
Stervitjet ne fjale po bahen ne nji kohe, qe Shtetet e Bashkueme po shtojne bashkepunimin ushtarak me aleatet e tyne ne Azi, si rrjedhim i pretendimeve kineze per zona detare, qe ajo thote se jane pjese territoriale te saje.
Zadhanesi i Ministrise Kineze te Mbrojtjes, Zoti Geng Jausheng tha se numri i pergjithshem i anijeve ushtarake te te dy vendeve, qe do te marrin pjese ne ato manovra do te jete 9 ,tuej perfshi edhe ato qe Kina ka tashti, ne zonen detare afer Somalise qe perdoren kunder kusareve.
Zoti Geng shtoi “qellimi asht qe te thellohet edhe ma tej, bashkpunimi
miqesor i te dy vendeve ne fjale, qe bashkarisht te perballojne ndonji
rrezik, qe mund te paraqitet ndaj sigurise detare. Zoti Geng shtoi se
“asht e nevojshme te theksohet, se keto stervitje, nuk bahen kunder
askuj dhe se nuk kane te bajne aspak me gjendjen rajonale”. Geng nuk
percaktoi ndonji date te posacme, per stervitjet ne fjale, te cilat do
te perqendrohen ne sigurine e lundrimit ne dete, rifurnizimin,
misionin shoqnues, si edhe me gjuetje me arme.
Si Kina edhe Rusia jane anetare te perhereshme te Keshillit te
Sigurimit te Kombeve te Bashkueme dhe kane marredhanje te ngushta
diplomatike, ekonomike dhe ushtarake, dhe tradicionalisht, Kina mvaret
ndaj Rusise per armet ma moderne.
Kina, gjithnji e ma shume, ka vu ne dukje aftesine e saj ushtarake, qe
nga koha qe u ba president zoti Xi. Kjo gja ka shkaktue shqetsime ne
ate rajon, si edhe ne bote ne pergjithsi. Me gjithe kete, Bejxhingu
ngule kambe tuej thane se, asht nji vend qe deshiron paqe, dhe se nuk
kercenon asnji vend tjeter.
Presidenti Xie ka perqendrue vemendjen e tij te forcat detare, keshtu
qe ato te jene te afta t’a perdorin fuqine e tyne, ne menyre te
vecante, ne zonen e Detit Jugor te Kines.
Kina thote se 90 perqind e 3.5 milino kilometera katrore te Detit
Jugor te Kines, asht territor sovran i saj. Filipinet,
Taivani,Malejzia, Brunei e Vietnami, gjithatu thone se kane pjese, ne
Dtin Jugor te Kines.(REUTERS/

Filed Under: Rajon Tagged With: Kina e Rusia, manovra ne Mesdhe

BRITMA…

May 6, 2015 by dgreca

Replikë Spiro Janaqit alias Ilir Hoxholli/
Nga Arben LLALLA/
Në paraqitjen e fotografisë së deputetit të PS, Ben Blushi, unë kam shkruar:
Deputeti i PS, Ben Blushi në strehën e organizatës ekstremiste antishqiptare SFEVA( Bashkimi i Studentëve për Çlirimin e Vorio Epirit), në qendrën e Vatrës Epiriotase. Themelues i SFEVA është Mitropoliti i Konicës, Sebastianos, më 1982. Në këtë sallë ku është fotografuar deputeti Blushi zhvillohen aktivitetet e shumta me tema për aneksimin e jugut të Shqipërisë (Autonomia e Vorio Epirit). Në krahun e majtë të deputetit Ben Blushit është Spiro Janaqi, anëtar i kryesisë të organizatës OMONIA-dega Selanik.
Pra, nuk jam marrë se kush janë njerëzit e tjerë dhe cilës parti i përkasin, por kam thënë qartë dhe saktë se fotoja është bërë në strehën e SFEVA, atje ku organizohen aktivitetet antishqiptare. Në reagimin e tij të vrullshëm, Spiro Janaqi alias Ilir Hoxholli, djali i ish oficerit ushtarak Yqmet Hoxhollit, i njohur pas vitit 1992, Aleks Janaqi nuk na jep të dhëna vendin se ku kanë dal në fotografi, por vjell vrer, shpif duke tentuar të ulë autoritetin tim si njeri, historian dhe publicistë i pavarur. Është për të ardhur keq kur mëson se kryetar i PS, dega Selanik qenka një njeri me fjalor kaq të ulët dhe ofendues. Në deklaratën e tij Spiro Janaqi shkruan se jam me 7 klasë shkollë, ky lloj sistemi shkollor i përket viteve 1950, shkruan se më kanë përzënë nga Greqia. Por të gjithë jemi dëshmitar se Greqia shpall NON GRATA, çdo shqiptar që mbron dinjitetin e tij kombëtar. Spiro Janaqi, shkruan se në Maqedoni më kanë shpallur Person të Rrezikshëm, kjo është më se e vërtetë se jam shpallur disa herë nga MPB të Maqedonisë, por jo me akuzë se jam hajdut, vrasës, narkoman, por sepse familja ime ka qenë pjesëmarrëse direkt në UÇKosovës dhe UÇKombëtare. Për këtë ne jemi krenarë që na u dha mundësia të japim kontributin tonë si familje, ndoshta rast të tillë s’do na vij më në këtë jetë.
Z.Janaqi alias Hoxholli, më akuzon se qenkam njeri i SHIK në Greqi, por harron se në kohën që kam jetuar në Greqi ska patur SHIK, por SHISH. Familja Janaqi alias Hoxholli kanë probleme me sigurimin e Shqipërisë, këtë ata duhet t’ia kërkojnë këtij Institucionit dhe jo Arben Llalla. Nëse vërtet do të isha SHIK apo SHISH, unë do të isha krenar sepse do jepja kontributin tim në ruajtjen e integritetit territorial të vendit tim, Shqipërisë. Asnjëherë në jetën time nuk kam shkruar shkrime për inate personale, nuk kam probleme personale me askënd, as me Greqinë, as me Maqedoninë, as me dreqnin, por këtë herë Spiro Janaqi po më detyron të them disa gjëra të viteve të shkuara. Spiro Janaqi bënë mirë të na tregoj se ku shkuan ndihmat që ai dhe babai i tij mblodhën më 1999 për refugjatët e Kosovës? Përse SHISH më 1999(ishte PS në pushtet, partia e Janaqëve) e thirri në bisedë informative Aleks Janaqin, babanë e Spiros? Në cilën uzinë sekrete ushtarake në Greqi ka punuar Aleks Janaqi? Ju Spiro Janaqi jeni anëtar i organizatës OMONIA, këtë përse e mohoni? Më vjen për të vjell kur po ju bëj këto pyetje, por nëse keni diçka për shpifje mund ti drejtoheni Gjykatës së Republikës së Shqipërisë, shtetas i cili jam unë, ju keni nga dy shtetësi dhe dy identitete.
E pash të arsyeshme të shkruaj këtë herë për çështje personale e cila nuk ishte e tillë sepse kohëve të fundit shumë presione dhe telefonata kam patur në lidhje rreth fotove dhe shkrimeve që kam shkruar, duke thënë dhe mbrojtur të vërtetën.

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Ilir Hoxholli, Spiro Janaqi

INJORANCA ËSHTË NËNA E GJITHË TË KËQIJAVE!

May 6, 2015 by dgreca

Opinion nga Fadil LUSHI/
Një ditë një miku im më tha se fqinji i tij kishte “dalë fare nga mendtë”. Sabah e aksham i shqetësuaka fqinjët e apartamentit ku jeton dhe për këtë, padrejtësisht, e kishin konceptuar si “jashtëqitja e mëhallës së tyre”(!?). Ky sa herë që i bën “hesapet pa hanxhiun”, aq herë nuk i dalin ato dhe, kur nuk i dalin, aq herë kalamajve të tij ua shanë nënën…, por zonja e tij e nderuar, ia kthen përgjigjen e mprehtë, të goditur dhe të menjëhershme: “Të marrsha të keqen! Hajt, mos i gënje fëmijët dhe mos u ushqe me shpresa të kota e të vdekura!”. Ky fqinji, disa ditë më parë, pa “arsye ishte preokupuar” me atë pankartën e Ernesto (Che) Guevara-s që e kishte parë diku te sheshi “Shkupi 2014” gjatë protestave të organizuara nga punëtorët dhe anëtarët e sindikatave të Republikës së Maqedonisë, me rastin e 1 Majit. Kur ky “preokupim nuk i kishte mjaftuar”, ishte dalldisur me “punët” e kryeparit të partisë politike në opozitë gjegjësisht, të partisë së Lidhjes Socialdemokrate të shtetit biblik, në veçanti me “bombat a patatet verore, të ziera, të pjekura, të fërguara dhe të skuqura të tij”, mandej kishte vendosur të “fusë hundët” a të merret edhe me “emrat e mysafirëve të ftuar” në punimet e kongresit të VMRO-DPMN-së, si dhe me kandidaturën e kryeparit të saj, në detyrë…, ishte dalldisur me “panoramën fizike” të ca lëneshave si dhe të njerëzve të pasur, po edhe të atyre në nevojë…, ishte dalldisur edhe me faturën e qirasë së shtëpisë si dhe me atë të rrymës që “gabimisht hesapin ia kishin futur a rrasur deri në kurriz”(!?). Kur edhe gjithë këto “dalldisje nuk e ngopën“, filloi të merret me dertet dhe me fukarallëkun e miletit, ra në konflikt me vetveten si dhe me politikanin e zonës së tij, i cili vite me radhë, me premtime boshe, kinse ia paskësh përbuzur votën e tij të shitur, të blerë, po, në doni thuajeni, edhe si të shituar!? Për këtë arsye, dhe të tjera të tilla, kishte lënë pas dore të gjitha “detyrimet” e tij…, se me çfarë detyrash (shtëpiake) ishte i ngarkuar një dreq e di. Një gjë e dimë se kur duhet të shkojë në pazar, ai “ frekuenton mejhanen e Xhelo qufarit”(!?), që gjendet diku në Çarshinë e Epërme të “katundit poteremadh”(!?) të Tetovës.
Miku im nuk ndryshon nga mendja e fqinjit të tij. Edhe ky ka një dërrasë mangët, ndonëse vend e pa vend çan kopalla!? Sa herë që më takon, muhabetin e fillon me shamatë dhe me ca shprehje anadollake. Kur do të të përcjellë ndonjë haber që i dedikohet armikut të tij, e bën ashtu si në gjumë, të krijon përshtypjen se e ka gjumin si të pleshtit dhe kur ta thotë haberin, nuk e koncepton tamam. Më thotë se ishte “ngatërruar më kot” me Blendin gjegjësisht me Fevzon si dhe me emisionin e tij OPINION!? Kur i parashtrova pyetjen se ç‘pate me të, ma ktheu: “Ja, po ta shpjegoj vakinë. Fevzoja në emisionin e së mërkurës u bëri tarafllëk femrave të bukura shqiptare që nga vakti i mbretit shqiptar, Ahmet Zogolli e deri më sot. Në atë mbrëmje atij sikur i paskësh munguar burrëria shqiptare, kinse tek ai nuk ishte hetuar ai shovinizmi mashkullor, kinse i kishte munguar fytyra dhe ai zëri i malësorit, sikur i kishin munguar mendimet dhe zakonet patriarkale…, sikur i kishte munguar ajo fryma e kohës së vjetër e të tjera”(!?). Një ditë “ishte ngatërruar edhe me ekologjistët katundarë(!?) dhe ashtu troç u kishte thënë: Ç’u zë zori juve për ajrin e ndotur të kasabasë sime…, ç’u hyn në punë juve trafiku i ngarkuar i lagjes sime”(!?). Filloi të ngatërrohet edhe me mua, kinse, sipas fqinjit të tij, shkrimet i mia paskan qenë “nekrologjike, të sajuara, shkrime që përcjellin lajme të njohura dhe mbase edhe të absolvuara”(!!). I thashë t’i bënte të fala fqinjit të vet se unë, “filan fistaku”, do të shkruaj për aq kohë sa do të frymojë inati i tij prej shqiptari dhe për aq kohë sa ai do të jetojë aty pranë mëhallës sate…, do të shkruaj për aq kohë sa atij nuk do t’i hynë në punë dertet dhe sikletet e të tjerëve. Si duket, ky miku, sikur ra dakord me “konstatimet e mia” dhe më tha nëse do vazhdoja të shkarravisja, atëherë të shkruaja edhe për atë mbledhjen e Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë. Sikur desha t’i them se kjo është paksa e sikletshme, aq më tepër kur “Rijaseti në mbledhjen e vet të fundit kishte vendosur që të shkarkojë nga posti myftiun e qytetit të…, N.N., sekretarin e përgjithshëm në BFI, N.N. dhe N.N nga Myftinia e N.N. Mosmarrëveshjet në BFI lindën pasi ish-myftiu nga…, N.N., dyshohet se ka keqpërdorur një kredi prej “xxx” mijë eurove që është marrë në emër të BFI-së”(!?). Nëse miqtë e mi të lartpërmendur, tok me mua, “prodhuan ca lajme të papërfillshme”, ky lajm që do e lakojmë në vijim nuk mund të thuash se është i parëndësishëm, sidomos kur hetohet tash a në vigjilje të Muajit të bekuar të Ramazanit. Sot e gjithë ditën e Perëndisë asnjeri nuk mund ta anashkalojë këtë lajm që del nga një institucion, sa human po aq edhe emancipues, një institucion që nuk është dosido, një institucion që nuk është i “rezervuar” as për azilantë e as për klandestinë…, një institucion që është i vetmi që nuk njeh, po edhe nuk i nënshtrohet tranzicionit tonë politik të bezdisshëm dhe të pafund, është i vetmi institucion pa pronarë, është një institucion në hapësirat e të cilit, nuk ka dhe as që mund të ketë vend për njerëz me moral të dyfishtë, nuk është një institucion ku mund të futesh fukara e të dalësh me xhepa të thellë, është një institucion që nuk njeh parti politike, që nuk njeh as shtet e as qeveri…, që nuk është në vartësinë e…, është një institucion që njeh Zotin dhe që i nënshtrohet fjalës së tij, është një institucion ku përcillen mesazhe të solidaritetit, institucion që nuk njeh fjalën e rreme dhe as të shtrembëruar. Nëse dikush edhe në të ardhmen do të mëtojë ta nënshtrojë këtë institucion, atëherë e meriton atë thënien e psikologëve, ku, pos të tjerash, thuhet: “Injoranca është nëna e gjithë të këqijave!”. Ne i besojmë këtij konstatimi të psikologëve, sa për të tjerët nuk dimë!?
Ata që merren me të kaluarën do të thonë se historitë e shpëtimit të shqiptarëve, sipas një mendimtarit tonë të madh, kanë këto rrjedha: “…, ne shqiptarëve nga greqizimi na shpëtuan romakët, nga latinizimi na shpëtuan bizantinët, nga sllavizmi respektivisht nga “grykësia imperialiste sllave” na shpëtuan turqit dhe, së fundi, na shpëtuan amerikanët bijat dhe bijtë më të mirë kosovarë. Unë jam kureshtar ta di se kush do ta rrënojë atë kështjellën e “perandorisë së inateve tona patologjike e histerike”(!?). A mos vallë ky shtet me gjithë “insanatin” e vet është shndërruar në spital neuropsikiatrik a në Bardovcë…, (duke futur në këtë strajcë edhe artikullshkruesin, mikun tim dhe fqinjin e tij).

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, Injoranca

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3901
  • 3902
  • 3903
  • 3904
  • 3905
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT