• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BEN BLUSHI NE FOTO ME EKSTREMISTET, ANTISHQIPTARET E SFEVA

May 4, 2015 by dgreca

Deputeti i PS, Ben Blushi në strehën e organizatës ekstremiste antishqiptare SFEVA( Bashkimi i Studentëve për Çlirimin e Vorio Epirit), në qendrën e Vatrës Epiriotase. Themelues i SFEVA është Mitropoliti i Konicës, Sebastianos, më 1982. Në këtë sallë ku është fotografuar deputeti Blushi zhvillohen aktivitetet e shumta me tema për aneksimin e jugut të Shqipërisë (Autonomia e Vorio Epirit). Në krahun e majtë të deputetit Ben Blushit është Spiro Janaqi, anëtar i kryesisë të organizatës OMONIA-dega Selanik.(E dergoi historiani Arben Llalla)

Filed Under: Komente Tagged With: arben llalla, Ben Blushi, me SFEVA

LIRIA E MEDIAS: PËRPARËSI E POLITIKËS SË JASHTME TË SHBA

May 4, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Si çdo vit edhe sivjet, 3 Maji shënoi Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Kjo ditë u shpallë si e tillë nga Asamblea e Përgjithëshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) me qëllim që anë e mbanë botës të celebrohen dhe të mbështeten parimet themelore të lirisë së shtypit, të vlerësohet gjëndja e lirisë së shtypit në mbarë botën, që të mbrohet media nga sulmet ndaj pavarësisë së saj dhe që kjo ditë të jetë gjithashtu një rast për të kujtuar gazetarët të cilët kanë humbur jetën në krye të detyrës.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama kujtoi këtë ditë duke u takuar me tre gazetarë emigrantë, përfshirë edhe një gazetare të Zërit të Amerikës, Fatima Tlisova nga Rusia, gazetarë të cilët, tha presidenti amerikan, në vendet e tyre ishin objekt trajtimi të keq por që tani ushtrojnë lirisht profesionin e gazetarit në Shtetet e Bashkuara. Ai theksoi se Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, “është një ditë në të cilën ne ripohojmë rolin jetik që luan shtypi në një demokraci duke hedhur dritë mbi shumë sfida dhe barbarizma që ndodhin anë e mbanë botës, por edhe duke sjellur lajme të mira.” Udhëheqsi amerikan lavëdori profesionin e gazetarve duke thënë se, “Gazetarët na japin të gjithë ne si qytetarë, mundësinë për të mësuar të vërtetën mbi vende të të tjera, të vërtetën rreth vetes tonë dhe të vërtetën mbi veprimtaritë e qeverive tona. Kjo na bën ne më të mirë. Na bën më të fortë. Gazetarët u japin zë të pazëshëmve, ekspozojnë padrejtësitë dhe mbajnë përgjegjës, udhëheqsit si unë.”
Presidenti Obama nënvijoi se, “Fatkeqsisht, në shumë vende të botës, liria e shtypit po sulmohet nga qeveritë të cilat duan të fshehin të vërtetën, ose sepse nuk u besojnë qytetarëve të marrin vet vendimet në lidhje me jetën dhe veprimtaritë e tyre. Gazetarët kërcënohen, nganjëherë madje edhe vriten. Enteve të pavarura të medias u ndalohet veprimtaria, kundërshtarëve u mbyllet goja dhe lirisë se fjalës po i zihet fryma”, theksoi Presidenti Obama. Ai tha se liria e shtypit në botë është e rëndësishme për të gjithë ne, përfshirë shtoi ai, edhe qeverinë e Shteteve të Bashkuara, “Por ajo që është gjithashtu me rëndësi është fakti se duhet folur haptazi dhe shpesh në mbështetje të këtyre vlerave të cilat janë të garantuara nga Kushtetuta jonë dhe nga të drejtat themelore që ajo përmban, por që ne besojmë se këto vlera nuk janë thjeshtë vlera amerikane. Ne besojmë se disa vlera themelore, siç është liria e fjalës dhe e ndërgjegjes, është një liri dhe e drejtë njerzore por njëkohsisht është edhe një e drejtë universale, liri zbatimi i të cilës më në fund e bën këtë botë më të mirë dhe më të fortë”, për të gjithë. Presidenti Obama ofroi mbështetjen e tij ndaj lirisë së shtypit kudo në botë dhe në emër të vendit që ai përfaqëson, deklaroi gjatë takimit me tre gazetarët imigrantë në Shtëpinë e Bardhë të shtunën që kaloi duke pohuar se, “Dua që t’a kuptojnë të gjithë se mbështetja jonë për lirinë e shtypit do të vazhdojë të jetë një përparsi e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, jo vetëm për arsyen se është e drejtë e doemosdoshme, por për më tepër, unë besojë se mbështetja ndaj lirisë së shtypit anë e mbanë botës, është edhe në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara”, përfundoi Presidenti Obama mesazhin e tij kushtuar Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.
Edhe Kongresi amerikan lëshoi një deklaratë mbi Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Komisioni i Helsinkit i Kongresit amerikan u shpreh se “Në disa vende anëtare të OSBE-së, qeveritë po përdorin taktika gjithnjë e më të sofistikuara për të kërcënuar dhe për të diskurajuar gazetarinë profesioniste, duke burgosur gazetarët në përpjekje për tu mbyllur gojën kundërshtarve politikë.” Kryetari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, Kongresisti i Partisë Republikane Chris Smith tha se sjellje të tilla janë të papranueshme nga vendet të cilat janë angazhuar të mbështesin liritë dhe të drejtat themelore të njeriut në bazë të Marrveshjes Përfundimtare të Helsinkit dhe u bëri thirrje sidomos Turqisë, Azerbaixhanit dhe Uzbekistanit që të lirojnë gazetarët që mbeten ende në burg.
Në një mbështetje tjetër ndaj lirisë së shtypit në botë nga ana e Shteteve të Bashkuara, Kongresisti Smith njoftoi se ka në plan që me 5 maj të paraqesë në Dhomën e Përfaqsuesve të Kongresit, projektligjin “World Press Freedom Protection Act of 2015”, projektligj i cili sipas tij do të “autorizojë Presidentin që tu mohojë vizë hyrje në Amerikë individëve të cilët besohet se kanë kërcënuar lirinë e shtypit në vendet e tyre. Projektligji do të kufizojë disa aktivitete të Shteteve të Bashkuara me drejtorët e enteve të mediave shtetërore nga vendet ku kërcënohet ose pengohen gazetarët amerikanë në kryerjen e detyrës së tyre.” Dhe më në fund në projekligj i bëhet thirrje “Qeverisë së Shteteve të Bashkuara që si pjesë përbërse e negociatave për traktate ndërkombëtare dhe marrveshje tregtare të përfshihet edhe liria e shtypit dhe liria e internetit.”
Ndërkaq, udhëheqsit e lartë të OKB-së në deklaratat e tyre me këtë rast thanë se liria e fjalës dhe liria e shtypit janë kritike për një qeverisje të suksesshme si dhe për zbatimin e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Ata i kujtuan vendeve të botës se liria e fjalës dhe liria e shtypit janë gjithashtu jetike edhe për përpilimin e një agjende të re të një zhvillimi ekonomik global të qëndrueshëm. Në një mesazh të përbashkët nga udhëheqës të lartë të OKB-së — përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon — thuhet se ushtrimi i një gazetarie me cilësi të lartë, “U mundëson qytetarëve që të marrin vendime të mirë-informuara rreth zhvillimeve në shoqërinë ku ata jetojnë”, ndërkohë që gazetarët e mirë punojnë gjithashtu për të, “ekspozuar padrejtësitë, korrupcionin dhe abuzimin me pushtetin.” Zyrtarët e lartë të organizatës botërore theksuan gjithashtu shqetësimin e tyre të thellë në lidhje me mjediset e vështira të prekur nga dhuna e pasiguria në të cilat punojnë mijëra gazetarë çdo ditë anë e mabnë botës, duke nënvijuar se në zona konflikti dhe jo konflikti, çdo javë vritet të pakën një gazetar në krye të detyrës. Në deklaratën e tyre me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit ata theksuan se, “Gazetaria duhet të lejohet të lulëzojë në një ambient që ua bën të mundur gazetarëve të punojnë të pavarur nga influencat e ndryshme dhe pa ndërhyrje të tepëruar dhe në kushte sigurie”, duke nënvijuar edhe temën e Ditës së Lirisë së Shtypit për këtë vit me pohimin se, “Ky është mesazhi ynë sot, që gazetaria të lulëzojë!”
Në mesazhin e tyre, ata theksuan gjithashtu se “Duhet të intensifikojmë përpjekjet tona për zbatimin e së drejtës themelore të njeriut – e që është liria e fjalës dhe liria e shtypit.” Ndërkohë që kanë theksuar mbështetjen ndaj lirisë dhe të pavarësisë së gazetarisë tradicionale, OKB-ja theksoi edhe rëndësinë për të siguruar ushtrimin e një gazetarie të lirë, pluraliste dhe të pavarur, përball një bote digjitale që po ndryshon shumë shpejt. Në lidhje me digjitalizimin e gazetarisë, në deklaratën e OKBsë thuhet se fatkeqsisht, “Teknologjia digjitale është shfrytëzuar për të përhapur urrejtje dhe për të nxitur dhunën, por ajo mund të përdoret edhe për të mirë, për të afruar popujt në një bashkbisedim global për ndërtimin e një bote më të mirë.” Gazetaria e suksesshme, qoftë digjitale, qoftë tradicionale, tha udhëheqsi i OKB-së Ban Ki Moon, duhet të jetë e ankoruar në shkrime, raporte dhe informacione me cilësi të lartë gazetareske dhe si të tilla duhet të jenë në dispozicion të të gjithë shtresave të shoqërisë, përfshirë femërat. Ai shtoi se “Femërat luajnë një rol kritik në fushën e gazetarisë, por që deri më sot ky rol është lënë pas dore”. Në lidhje me këtë, ai u bëri thirrje qeverive, shoqërive dhe individëve që të zbatojnë parimet universale të fjalës së lirë dhe të lirisë dhe pavarësisë së medias e të cilat janë miratuar, tha ai, nga shtetet anëtare të OKB-së, me qëllim dhe si të nevojshme për shkëmbimin e lirë të ideve dhe të informacionit si mbrenda vet shteteve anëtare, ashtu edhe midis kombeve të ndryshme.
Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, UNESCO-ja, që është enti i OKB-së i ngarkuar me mandatin për të promovuar dhe për të mbrojtur lirinë e medias anë e mbanë botës, emëroi — njërën prej gazetareve më të njohura të botës dhe korrespondenten e cila mund të ketë kontribuar si asnjë tjetër në shkëmbimin e lirë të informacionit midis kombeve — gazetaren dhe korrespondenten e shquar të CNN-it, Christiane Amanpour, si “Ambasadore të Vullnetit të Mirë për Lirinë e Fjalës dhe të Sigurisë së Gazetarve”, në mbarë botën.
Duke njoftuar emërimin e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s Irina Bokova tha se gazetarja ndërkombëtare e CNN-it, Christianne Amanpour u emërua me motivacionin, “Në njohje të përpjekjeve të saja për të promovuar një media të lirë, të pavarur dhe pluraliste, me të drejtë veprimi të lirë nga dhuna, duke kontribuar, nepërmjet medias së lirë drejtë paqës, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, zhdukjes së varfërisë dhe ndaj respektit dhe zbatimit të të drejtave të njeriut.” Drejtoresha e UNESCO-s vlerësoi punën e korrespondentes Amanpour duke iu drejtuar asaj se, “Në të shumtën e rasteve, përball bashkbiseduesve më të vështirë, ti ke vepruar me integritet dhe guxim, me bindjen se liria e fjalës dhe liria e medias janë të doesmosdoshme për shoqëri më të forta, për demokraci më të shëndosha, për paqë dhe pajtim, si dhe për një zhvillim ekonomik më të qëndrueshëm. Janë këto parime të cilat sot, më shumë se kurrë, duhet t’i mbrojmë– ndërkohë që këto liri po kërcënohen sot anë e mbanë botës”, vlersoi ajo punën e gazetares Christiane Amanpour.
Ndërsa në fjalën e saj, pasi pranoi emërimin nga UNESCO si “Ambasadore e Vullnetit të Mirë për Lirinë e Fjalës dhe të Sigurisë së Gazetarve”, korrespondentja Christiane Amanpour theksoi rolin që luajnë gazetarët, të cilët ajo i cilësoi si, “shtylla të reformës, të lirisë dhe të demokracisë”, detyra e të cilëve tha ajo, është që të “përforcojnë shoqërinë civile.” Gazetarja Amanpour u shpreh se si gazetarë, “Jemi në këtë botë për ta bërë atë një vend më të mirë, për të gjithë”. Ajo bëri gjithashtu një thirrje plot pasion për lirimin e të gjithë gazetarëve të burgosur kudo qofshin ata dhe dënoi ashpër vrasjet dhe sulmet në rritje e sipër kundër përfaqsuesve të medias anë e mbanë botës.
Ndonëse tema e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit këtë vit ishte, “Le të lulëzojë gazetaria”, si mund të lulëzojë gazetaria në një botë ku gazetarët në shumë vende kërcënohen, sulmohen dhe burgosen dhe madje edhe vriten në raste kur ekspozojnë abuzimet dhe korrupcionin në nivelet më të larta qeveritare dhe shtetërore si edhe kur preken interesat e oligarkëve? Prandaj, thotë Komisioni Për Mbrojtjen e Gazetarve, le të shërbejë “Dita Botërore e Lirisë së Shtypit” si një rast i mirë për gazetarët, për entet e ndryshme të lajmeve si dhe për organizata të të drejtave të njeriut kudo, që të pakën për një ditë të përqendroinë vëmendjen e tyre mbi rëndësinë e lirisë së shtypit, e cila përbën bazën e shumë të drejtave dhe lirive të tjera bazë të njeriut. Me fjalën “shtyp”, nuk nënkuptohen vetëm lajmet e shtypura në gazeta, por i referohet vet funksionit që gazetaria luan në shoqëri — rol i cili duhet të mbajë pushtetarët dhe abuzuesit e pushtetit përgjegjës para popullit dhe njëkohsisht të informojë qytetarët mbi të drejtat e tyre dhe se si t’i ushtrojnë ato të drejta universale të garantuara nga ligjet e mbrendshëme si dhe nga konventat ndërkombëtare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Liria e medias

NJE JETE E NDARE ME DYSH

May 4, 2015 by dgreca

Nga Avdulla Kenaci/
Portret/
Një bashkatdhetar i përkushtuar pas Shoqatës, Tasim Ruko në Florida, punëtor i palodhur, bujar dhe zemërhapur që nuk bën hije vetëm për vete. Dëshira e tij më e madhe; t’i shikojë shqiptarët të bashkuar. Zjarri i “Vatrës” të qëndrojë përjetësisht i ndezur. – thotë ai.
Eshtë një burrë trupngjeshur, energjik dhe i qeshur, biond si një skandinav i thekur që kurrë nuk ta mbush mendjen për 55 vitet që ka mbi shpatulla. Quhet Tasim Ruko dhe është me origjinë nga Picari i Gjirokastrës. E kam njohur në rininë e tij të hershme dhe asnjëherë nuk do të ma priste mendja të takoheshim në New Port Richey të Floridës. Kisha marrë aeroplanin nga Toronto për të asistuar në 103-vjetorin e “Vatrës”. Dega e Tampa Bay është ndër më të rejat, as tre muaj jetë. Promotori dhe kryetari i kësaj dege është bashkëvendasi im, Tasim Ruko. Takohemi përzemërsisht e nisim të kujtojmë njerëzit dhe ngjarjet e së kaluarës, por unë nuk jam shumë i përqendruar në bisedë nga që për herë të parë vizitoj Floridën dhe mbetem i habitur nga gjiret me ujë të kthjellët, lartësinë e drurëve që me kurorat e tyre gjigande ndërpresin nxehtësinë e diellit tropikal dhe harlisjen e bimësisë, që nga lulet e deri tek bimët kacavjerrëse. Nuk kam parë bregdet aq të kthjellët e miqësor që kalon pranë pyjeve e shtëpive, tek këmbët e urave e themelet e restoranteve. Jemi përballë Gjirit të Meksikës, aty ku lindin rrymat e ngrohta detare dhe erërat e stuhishme kontinentale. Jemi në anën e kundërt të shtëpisë së Fan Nolit në Fort Lauderdale që Federata ”Vatra” ia bleu si dhuratë.Toka është e rrafshtë, e ndërprerë herë pas herë nga oazet me ujë të ëmbël. E kjo panoramë nuk më pëlqen vetëm mua, por edhe banorëve fillestarë që i kanë emëruar vendet me emra të tillë si Lumi Kristal, fshati Pranvera, Ujët e kthjellët, Kopshti, Liqeni Portokalle, Qyteti Diell, etj. Është një vendbanim i krijuar jo më shumë se një shekull më parë, i projektuar për shtëpitë e artistëve të mëdhenj, projekt që dështoi për shkak të depresionit të madh që nisi në vitin 1920, por nga viti 1960 e këtej, e tërë kjo zonë ka marrë një zhvillim të paparë.
E kishim fjalën tek Tasimi; ai emigroi këtu së bashku me të bijën dhe bashkëshorten, Xhinën. Amerika e tërhoqi duke kërkuar gjurmët e gjysh Imerit, i arratisur nga Shqipëria me 1945. Bashkëshortja iu bashkua në udhëtim nga që edhe ajo vinte nga një familje e persekutuar nga regjimi komunist. Ishin të dy plot ëndërra dhe dëshira për t’u bërë të pasur. Por duhej punë dhe ata nuk iu kursyen asaj. Tasimi dinte të shtronte pllaka e të suvatonte, por i duhej një ndihmës dhe zgjodhi pikërisht bashkëshorten e tij. Xhina është një labe me karakter të fortë, e heshtur, por rezistente. Mësoi gjuhën angleze, makinën dhe të shoqit shumë shpejt i vodhi profesionin. Tashmë, pas 23 vjetësh punë, ajo është bërë një mjeshtre e vërtetë. Qeshim të dy me Tason kur një kliente e merr në telefon dhe i thotë se nuk dua të më shtrojë pllakat një grua, më dërgo një burrë.
– Çudi, thotë Tasimi i menduar, është hera e parë që më ndodh kjo. Realisht këtu nuk ka paragjykime, ka gra treniste, shofere traku, police, çfarë nuk ka?! Do shkoj vetë ta shoh në vend si qëndron puna…
Ata të dy së bashku kanë krijuar një kompani të vogël ndërtimi. Njihem me punëtorët të cilët sillen shpenguar në sytë e tyre, shumica janë shqiptarë nga Kosova. Përparim Murati ka më shumë se tre vjet që punon në këtë kompani, ai dhe Bashkimi i zotërojnë gjithë zanatet që kërkon një shtëpi për t’u rinovuar apo ngritur nga themelet.
– Ndjehemi mirë duke punuar me Tason – thotë Përparimi i cili ka mbaruar në Kosovë shkollën për jurist – ai është njeri i drejtë dhe i arësyeshëm, mikut i thotë mik me plot kuptimin e fjalës. Ka rreth të madh shoqëror, e respektojnë të gjithë dhe pranë tij kurrë nuk mbetesh pa punë.
Një fakt interesant; Llukan e Marika Dashi, me profesion rrobaqepës, të dy me origjinë nga Fieri, në asnjë rast, në asnjë sebep familjar, nuk e lënë pa ftuar Tasimin dhe bashkëshorten e tij, Xhinën. Ata lanë shumë punë që kishin nëpër duar dhe morën pjesë në gëzimin e tyre, në ditëlindjen e Llukanit që u festua këto ditë. Por jo vetëm ata….
Shtëpia bujare e Tasimit është e madhe dhe e bollshme, me shumë tokë rrotull, me pishinë, pemë, lule e bar, por aty sipër në një kënd janë rrethuar me rrjetë teli pulat dhe lepujt. Më tej jeshilon kopështi nga ku merren zarzavate të freskëta. E çfarë nuk bën toka e Floridës e cila mund të mbillet dy herë në vit.
– Kjo shtëpi kurrë nuk mbetet pa miq. Mikpritja nuk është vetëm traditë, por edhe kënaqësi. – thotë nusja e djalit, Rrezarta e cila është banorja më e re e New Port Richey. Ajo ka mbaruar juridikun në Shqipëri, por ende nuk është integruar sa duhet sepse kujdeset për bebin e vogël i cili ka lindur në një kohë me krijimin e Shoqatës “Vatra” këtu në Tampa Bay.
Përpara shtëpisë së Tasimit, çdo mëngjes unë shikoja një veturë që ka të stampuar nga të dy anët me shkronja të mëdha fjalën Sherif.
– Është makina e tim biri, qëlloi që punon natën dhe kthehet afër mëngjesit. – më spjegon Tasimi – I thashë të merrej me drejtimin e kompanisë, por atij i pëlqen ky profesion. Ka bërë shkollë pas shkolle. Është profesion i nderuar, por me rreziqe. Para ca kohësh banditët e vranë një polic. Ai ishte i vjetër e me përvojë, por shkeli rregullat, shkoi vetëm në vendngjarje.
Unë ia them këtë ngjarje edhe të birit, por Elvini buzqesh e më thotë:
– Jo, nuk ka asnjë rrezik, gjithëçka bën vaki, por ka rëndësi të njohësh terrenin dhe me kë ke të bësh. Kriminelët nuk janë aq trima sa ngjajnë në filma. Bota e tyre është ndryshe nga ajo e njerëzve normalë, por ne pikërisht për këtë trainohemi. – flet ai me një shqipe të rrjedhëshme edhe pse ka ikur shumë i vogël nga Shqipëria, ndrysha nga e motra, Lorena, infermjere që e ka ka shumë të lehtë të shprehet në anglisht.
Rrotullohemi nga rrotullohemi e përsëri flasim për Shqipërinë. Gjysma e jetës së Tasimit ka kaluar pikërisht aty. Ka kujtime, por edhe shumë brenga. Familja e tij ishte e cilësuar armike e pushtetit popullor. Tasimi, djalë energjik, plot ëndërra, i kishte rrugët të mbyllura. Shkruheshin kundër pushtetit parrulla në mure, pemë apo fletushka dhe sigurimi dyshimin e parë e kishte ndaj tij. U largua nga fshati dhe për gjashtë vjet punoi në punët më të vështira, në Ndërmarrjen e Bonifikimit. Aty, edhe pse flinte keq, në çadra dhe ushqehej në menca kolektive, njohu shumë shokë e miq, të persekutuar edhe ata si ai. Por çdo e mirë, ka edhe një të keqe, u bë mjeshtër në ndërtim. Ishte e vetmja rrugë për mbijetesë. Kështu u bashkua edhe me Xhinën familja e së cilës shikohej me dyshim për “lidhje me armikun e klasës”.
Amerika është plotësimi i dëshirave, të kesh një shtëpi, një makinë dhe ato i bëri shumë shpejt, por kishte ndërmend një ëndërr të madhe, të parealizuar: Një shtëpi për prindërit dhe vëllezërit më të vegjël në vendlindje. Në se ju bie rruga për në Gjirokastër, sa dilni në fushë të hapur në luginën e Drinos, aty tek kthesa e Picar- Golëmit, do të shikoni një vilë të bukur tre katëshe, mbi një kodër. Ajo është ndërtuar me shpërblimin e djersës së derdhur në Amerikë. Rrotull saj, në ngritje e sipër janë hardhi dhe pemë frutore. Gjithë sa shkojnë, pyesin dhe vendasit u thonë: “Shtëpia e amerikanit”. Me të drejtë, 23 vjet nuk janë pak në emigracion.
– Njeri i zoti është jo vetëm ai që bën hije për vehte, por edhe për tjerët – thotë Tasimi – e kam ëndërr t’i shikoj bashkëatdhetarët e mi të bashkuar, komunitet të vërtetë, ashtu si shumë të tjerë këtu. E ndezëm zjarrin e “Vatrës” edhe këtu në Tampa Bay ku jetojnë e punojnë rreth 20 mijë shqiptarë. Jam apo s’jam unë, dëshëroj që zjarri i “Vatrës” të jetë përjetësisht i ndezur.
Jo vetëm për mua, por për këdo shqiptar është kënaqësi të takosh njerëz si Tasim Ruko dhe të njohësh familjen e tij, të prekësh vlerat që ata mbartin. Ai ka ditur më së miri të orientohet në Kontinentin e madh që quhet Amerikë, ka ditur se si të ruajë e të transmetojë tek të tjerët vlerat e shqiptarit të vërtetë. Dhe nuk bën hije vetëm për vehte….

Tampa Bay, 28 prill 2015

Filed Under: Vatra Tagged With: Avdulla Kenaci, me dysh, Nje jete e ndare, Tasim Ruko

KUVENDI I VATRËS NË JACKSONVILLE U DHA FUND ME SUKSES PUNIMEVE, KRYETAR U RIZGJODHI DR. GJON BUCAJ

May 4, 2015 by dgreca

Kuvendi i Federatës Pan-shqiptare të Amerikës i zhvilloi punimet të shtunën me 2 Maj në qytetin Jacksonville të Floridës. Në orën 9 të mëngjesit delegatët e zgjedhur nga kuvendet e degëve kishin zënë vend në sallën e konferencave të hotlelit Ramada.
Kryetari i degës pritëse Adriatik Spahiu ka hapur Kuvendin duke iu uruar mirëseardhjen delegatëve.
Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare VATRA, dr. Gjon Bucaj, përshëndeti delegatët dhe propozoi si kryetar te Kuvendit pedagogun Mithat Gashi, anëtar i kryesisë së Vatrës dhe President i Fondit të Studentëve. Emri i z. Gashi u miratua unanimisht.
Z. Mithat Gashi zgjodhi dy ndihmës, dy nënkryetarë,Kujtim Porja dhe Ali Lusnja dhe dy sekretaret e Kuvendit, sekretaren e Vatres Nazo Veliu dhe kryetaren e deges se Washington DC, Merita Bajraktari, për ta ndihmuar në mbarvajtjen e punimeve.
Këngëtari Frederik Ndoci ka kënduar Hymnet Kombëtare të Amerikës dhe Shqipërisë.
Me një minut heshtje është nderuar kujtimi i Dëshmorëve të Kombit.
Dr. Gjon Bucaj ka dhënë raportine veprimtarisë së Vatrës mes dy Kuvendeve të Vatrës. Kyretari bëri një prezantim të veprimtarive të Federatës Vatra, u ndal në bashkëpunimin me degët, veprimtaritë në qendër, fushatat e ndryshme, promovimet dhe parashtroi synimet e së ardhmes. Pas paraqitjes së raportit, sipas Kanunores së Vatrës, dr. Bucaj, deklaroi dorëheqjen nga posti i kryetarit.
Arkëtari i Federatës Vatra, njëkohësisht anëtar i Kryesisë, z. Marjan Cubi paraqiti raportin e arkës së Vatrës mes dy Kuvendeve, ku solli shifrat e të ardhurave dhe shpenzimeve, duke përfshirë dhe Gazetën Dielli.
Në mungesë të presidentit të VATRA FOUNDATION INC. Dr. Nexhat Kaliqi, ka folë Marjan Cubi.
Një raport të shkurtër për “Vatra Educational Foundation” ka paarqitur presidenti këtij Fondi, z. Mithati Gashi.
Editori i Diellit Dalip Greca ka paraqitë raportin e Gazetës Dielli mes dy Kuvendeve.
Më pas e kanë marrë fjalën kryetarët e degëve për të paraqitur veprimtaritë e degëve të tyre. Për degën e Washingtonit ka paraqitë raportin kryetarja Merita Bajraktari McCormack, për degën e Michiganit – kryetari Alfons Grishaj, për degën South Florida, kryetari Kolec Ndoja, për degën Hudson Valley dr, Pashko Camaj, për degën e Queensit editori Dalip Greca, për degën Newburgh Marjan Cubi, për degën e Torontos informoi kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, i cili ishte pjesmarrës në takimin e asaj dege, për degën e Hartfordit kryetari Nesim Mecollari, për degën e Orlandos –kryetarja Florisiana Ahmetaj-Metollari, për degën Tampa FL-kryetari Tasim Ruko.
Në seancën e tretë , me propozime nga salla dhe me votim , u zgjodh sekretaria për verifikimin e kredencialeve të delegatëve. U zgjodhën: Kujtim Qafa, Marjan Cubi dhe Dalip Greca.
Sekretaria verifikoi të vlefshëm 52 kredenciale, ku cdo delegat është zgjedhur në raportin një delegate për cdo 10-15 vatranë.
Me anë të votimit të hapur , sic e parashikon Kanunorja e Vatrës, iu dha e drejta e votimit edhe delegatëve që kanë më pak se dy vjet anëtarësim .
Më pas, u ftuan delegatët që të paraqesnin propozimet e tyre. Pas këaj u kalua në pyetje rreth raporteve të paraqitura në Kuvend. Më pas u kalua në një pushim, ku Organizatorët kishin shtruar një drekë. Për delegatët.
Në seancëne katër u hodh në votim Kanunorja me amendamentet përkatëse.
Kanë vazhduar diskutimet për efektin e veprimtarisë së Vatrës gjatë vitit të shkuar dhe propozimet për format e organizimit dhe synimet e Vatrës deri në Kuvendin e ardhshëm. Propozimet e ndryshme u votuan.
Një përshëndetje speciale ka ardhe nga Presidentja e Grave Shqiptaro-Amerikane, Dr. Anna Kohen qe kishte udhetuar 6 ore per te ardhë ne Konventën e Vatrës.
Në seancën e fundit, Kryetari i Kuvendit, z. Mithat Gashi, iu drejtua dr. Gjon Bucaj, nëse donte të rikandonte për një mandat tjetër? Ai iu përgjigj”PO”.
Sërish Drejtuesi i Kuvendit, iu drejtua sallës: ka ndonjë kandidat që do të kandidojë për kryetar? Nuk pati kandidatura të tjera.
U votua kandidatura e dr. Gjon Bucaj dhe u pranua në mënyrë unanime.
Sipas Kanunores Kryetari Bucaj paraqiti Listën e bashkëpunëtorëve, e cila, mes debateve u votua. Në listën e paraqitur nga kryetari binte në sy një emër i ri, dr. Pashko Camaj, ndërsa emrat e tjerë ishin të njëjtë. Me propozim nga salla u kërkua që kryesisë t’i shtohen dy emra të tjerë. Propozimi u pranua pasi u votua më parë për një ndryshim në Kanunore, ku numri i kryesisë ishte i përcaktuar me 9 anëtarë. Për dy emrat e tjerë u bënë propozime konkrete, por vendimi iu la kryetarit.
Në mbrëmjë është organizua një darkë me muzikë, këngë e valle. Kryetari ka vlerësuar me cmimine meritës, kryetarin e degës së Jacksonville, z. Adriatik Spahiu dhe veprimtarë të tjerë të dalluar.(Dielli)

PS:Kjo ishte kronika e Kuvendit. Më gjërsisht do të lexoni në Gazetën e printuar.

Filed Under: Vatra Tagged With: Gjon Bucaj, Jacksonville, Kuvendi i Vatres, rizgjidhet

JOSIF PANI-NJË NACIONALIST ME NDJENJA TË KTHJELLTA

May 4, 2015 by dgreca

Nga Fuat Memelli/
Kështu e ka përcaktuar Faik Konica patriotin dardhar, Josif Pani. Me veprimtarinë e tij , ai ka lënë gjurmë të pashlyera për çështjen kombëtare, sa në Amerikë, aq edhe në Shqipëri. Sivjet më 17 maj, mbushen 81 vjet nga ndarja e tij nga jeta. Le të jenë këto rradhë, një homazh për Josif Panin.
Pas fëminisë së shkuar në vendlindje dhe disa viteve emigrimi në Greqi, stacioni i tretë i jetës së tij , u bë Amerika, të cilën e shkeli në vitin 1903, kur ishte 35 vjet. Kontributet e para të Josifit, tok me dardharë të tjerë që kishin emigruar këtu, ishte për Dardhën. “Nuk duhet të harrojmë fshatin ku pamë për herë të parë dritën e diellit” theksonte ndër të tjera Josifi në gazetën “Kombi”, e para gazetë shqiptare në Amerikë , që nxirte patrioti tjetër dardhar, Sotir Peci. Josifi ndihmonte këtë gazetë, jo vetëm me shkrime, por edhe me shpërndarjen e saj , si dhe me leximin te shqiptarët që nuk dinin shkrim e këndim. Rrethi i tij shoqëror, sa vjen e zgjerohet. Në Boston ai njihet me Fan Nolin, Paskal Aleksin, Kristaq Kirkën, Petro Nini Luarasin, Bahri Omarin, Naum Ceren, Faik Konicën, Llambi Çitozin, Kolë Tromarën, etj. Ky grup , tok me shqiptarë të tjerë, luftonin për t’i dalë zot kombit, i cili ende nuk kishte fituar pavarësinë. Në vitin 1910, Josifi zgjidhet kryetar i Shoqërisë” Besa-Besën”, një nga shoqëritë kryesore të shqiptarëve të Amerikës, e cila ishte krijuar në vitin 1907. Në shtypin e kohës, , si gazeta “Dielli” “Kombi”,etj, Josifi boton mjaft shkrime, ku bie në sy theksi i tij kritik e ironik ndaj grekomanëve, sidomos atyre të fshatit të tij.”Zotërinj! Ne jemi shqiptarë e nuk bëhëmi grekë. Dhe vazhdonte:”Unë s’jam doç greku e gjakpirës. Kur i shkruaj ndonjë armiku të kombit shqiptar, ve nënëshkrimin se e kam faqen të bardhë si një shqiptar i kulluar”. Ai u dërgon letra bashkëfshatarëve të tij për të vendosur mësues shqiptar në shkollën greke të Dardhës. Me përpjekjet e Josifit e patriotëve të tjerë dardharë, anëtarë të Klubit “Përparimi”, në vitin 1917 , u çel shkolla e parë shqipe në Dardhë, me mësues patriotin, Leonidha Çika.
Duke luftuar për çështjen shqiptare, ai shkon tok me Faik Konicën në disa qytete të Amerikës, për të mbledhur të holla për gazetën “Dielli e flamuri” ( kështu quhej atëherë) si dhe për Shoqërinë”Besa-Besën”. Pas katër vjet mërgimi, ai kthehet në Shqipëri. Në këtë udhëtim qëndron në Korçë e takohet me miqtë e tij, patriotët Mihal Grameno e Themistokli Gërmenji. Sipas Skënder Luarasit,”Josif Pani tërhoqi pas Mihal Gramenon e Jorgji Sevon e mund të themi se ata plotësonin trion shqiptare në rrethin e social demokratëve të emigruar në Amerikë”. Pasi ndenji tre muaj në Dardhë, Josifi kthehet përsëri në Amerikë , ku mer me vete edhe djalin e tij, Vasilin, i cili atëhere ishte 12 vjet. Në takimet me shqiptarët e Amerikës si dhe në artikujt që botonte në shtyp, ai flet për gjendjen e Shqipërisë dhe rezikun e coptimit të saj nga fqinjët. Ai jo vetëm shkruante bukur, por edhe kishte një oratori të veçantë.”Shqiptari e ka prej natyre që t’i shkëlqejnë armët e t’i thyej kokën çdo armiku” theksonte ai. Kur Shqipëria rezikohej të cptohej, me nismën e Shoqërisë “Vatra”, u krijua një komision për dërgimin e vullnetërëve në Shqipëri.Në këtë komision, bënte pjesë edhe Josifi. Në vitin 1912, ai e nisi djalin e tij, Vasilin, atëhere 19 vjet, për të shkuar në mbrojtje të trojeve shqiptare.. Atëherë Naum Cerja, shkruante te gazeta “Drejtësia”: “Josifi nuk e kurseu djalin e tij ,për ta bërë theror në altarin e Atdheut”.(Te plote lexojeni ne Diellin e printuar)

Filed Under: Histori, Vatra Tagged With: Fuat Memeli, Josif Pani, nacionalist

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3906
  • 3907
  • 3908
  • 3909
  • 3910
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT