• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDERI I KOMBIT, RRUSTEM GECAJ, KULLË NË LËVIZJE…

May 4, 2015 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
Shpesh, për njerëz të vlerave e nderave si Rrustem Gecaj, kur vjen fjala për mirënjohje ndaj tyre, i ndie ka thonë: Ia din’ Zoti! Po, kësaj here, në kit’ fund prilli 2015, ia diti dhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, tue e nderue me meritë me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. E ka për kryefjalë motivacioni: “Në shenjë vlerësimi të lartë e respekti të thellë për veprimtarinë e tij…”. Epo dihet: nderi të nderon. Aq ma tepër kur flitet e veprohet për shembëllime si Rrustem Gecaj që rri “në hije”, në heshtje, e punët e mira i ka në dritë të diellit, të jehonshme. Ky, kaherë, ende pa mbrri në kapërcyell të dekadës së gjashtë të jetës së tij, ishte në lartësi të nderit të kombit, por kur i vlerësojmë njikështu njerëzit emblemë e ditës atëherit jemi tue e pa në sy e tue e prek ma mirë e ma shpejt në vizione e në hapa të ardhmen tonë kombëtare. Ne, si shoqëri shqiptare, veçmas pas diktaturave sllavo-komuniste Enver-Tito-Millosheviç, në kushtet e sotme të Rendit të Ri Botëror, në misionet tona kombëtare të bashkimit, integrimit e progresit, kemi nevojë kombëtare për njerëz të tillë si biznesmeni veprimtar Rrustem Gecaj, për dekorata të tilla elitare si “Nderi i Kombit”. Në udhët tona të sotme e të nesërme na duhen simbolet kombëtare me dekrete presidenciale të ditës e me fytyrë të kohës, në pasqyrë e në ballë, ashtu sikurse vet elementët kimik në Tabelën e Mendelejevit.

“Nderi i Kombit”, Rrustem Gecaj, është rrënjas nga Lluka e Ulët e Deçanit të Kosovës dardane, djalë i mirë e burrë i fortë i kullës-kala të Gecajve, një kullë etno-historike – sa e traditës dhe moderne, për nga arkitektura nga ma të veçantat ndër trojet etnike shqiptare në Ballkan, të cilën shpesh e dogjën shkijet e Serbisë për qëndresën e trimat e saj dhe gjithmonë mbeti në kambë, monumentale. Edhe ky, Rrustem Gecaj, më përngjet me kit’ kullë me gene e lartësi shqiptare. E thanun ndryshe: ai është vet kjo “kullë në lëvizje”… për Kombin. Qyshce në lindjen e tij. Në çdo qelizë të tij. Në hapat e tij. Si atëherit kur 25 vjeçar (viti ’72) e kapërceu Atlantikun i detyruar, si shumkush, nga përndjekjet e persekutimet kundërshqiptare deri në genocid të kryera në pafundësi me urrejtje e gjakderdhje nga sllavët. Edhe deri më sot, që ka hy’ në gjysmë shekull jetë në Amerikë, në vendin e lirive e mundësive të mëdha. Ai, thonë se shkon shpesh në vendlindje, tek kulla e tij në Deçanin e legjendave të vendbetejave të Eposit të Kreshnikëve, të kryetrimave historik Sylejman Vokshi (Lokaj), Isa Boletini (Maksutaj), Ramush Haradinaj… E, tashti, po e di sekretin e rrugëtimit të Rrustemit si “Kullë Gecaj (Deçani) në lëvizje”: ai marrka “karburant” (energji) e lartësi në rrënjët genetike të kullës së tij të madhe, në visin e tij të Deçanit historik në analet kombëtare shqiptare.

Biznesmeni Rrustem Gecaj, sëbashku me nipin e tij, Harry Bajraktari, qyshse në vitet ’80 ka ndihmue minatorët e grevës së urisë të Stari Tergut, ku iu gjendën pranë me fonde për disa vite 20 familjeve minatore me 186 veta. Edhe kur Serbia ia ndërpreu fondet Radio Televizionit të Kosovës, këta të dy, dajë e nip, ishin ndër donatorët aktiv për mbajtjen e tij, për të folur shqip e shqiptarisht.
Në vitin 1991, te dy, me prijtar nipin e tij, Harry (Hajdari) e themeluan e mbajtën deri vonë tue e financue me qindra mijë dollarë amerikanë të parën gazetë dygjuhëshe shqip-anglisht në Amerikë, gazetën “Illyria”, që ishte e mbetet një zë i fuqishëm i shqiptarëve në Amerikë (Uashington, Nju Jork, etj.), në selinë e OKB-së në Nju Jork, në Ballkan.
Rrustem Gecaj për shumë shqiptarë në Kosovë, Shqipëri, Amerikë, etj është treguar bajemirë me fonde, tue i sjellë për mjekim në Amerikë, tue i ndihmue në nismat e tyre, në vështirësitë e tyre, etj. Rrustem Gecaj ndihmoi dhe në Mitrovicë, kur në nëntor 2008 nisi aksionin i madh humanitar për donacione për ndërtimin e shtëpive të rrënuara nga lufta të shqiptarëve në përballje me terrorin serb tue lëshue vet i pari çekun me mijëra dollarë amerikanë për shtëpinë e Ali Kadriut e të tjerëve.
Rrustem Gecaj është nga investitorët më të fuqishëm në Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane. Njëherash një nga mikpritësit e ndër zëdhënsit e saj në Amerikë, si për Ibrahim Rugovën, Atifete Jahjagën, Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, etj. Sikurse dhe për ish presidentin e ish-kryeministrin e Shqipërisë, dr. Sali Berisha. Po, tashti, Rrustem Gecaj ka investime startore dhe në Shqipërinë Londineze, dhe në vite e dekada ka qënë lobues e kontribues për demokratizimin e progresin e saj.

Rrustem Gecajn, kurrnjiherë se kam takue, po unë e kam njoft ende pa lind e kam me e njoft edhe kur të mos jem, se ai e ka njoft vetëveten, atë e ka njoft Koha Shqiptare në dy anët e Atlantikut, atij i kanë dhanë vlerësime dy presidentët Nishani e Jahjaga të dy shteteve shqiptare në Ballkan. Ai u rrit me dashurinë për Kosovën e për Kombin dhe e rriti dashuria për Kosovën e për Kombin.

Ay, si e thotë Presidenti Nishani në motivacionin e dekoratës: me “veprimtarinë e tij të çmuar atdhetare dhe përkushtimin e paepur…” e ka vendin e rolin e vet në konstelacionin e yjeve shqiptarë në qiellin e historisë shqiptare, pa i hy’ në hise kurrkujt, pa iu xhelozue asnjanit, pasi qielli ka vend plotpërplot për yje në hapisrën e vet dhe për sytë tanë. E mue, edhe këta të dekoruemit me Urdhërin “Nderi i Kombit”, më ngjajnë si yje në qiellin shqiptar, për breznitë shqiptare.

Kjo Kulla e Gecajve në Deçan ka shumë yje. E njof nga larg dhe një tjetër, njanin prej tyre. Hysen Gecaj i thonë atij. Edhe ky – veprimtar kombëtar e biznesmen. Rrinë tek rranjët, tek trolli i vet, ma së shumti Anadrinit e në Luginën e Rahovecit – tek fabrika e venës “Stone Castle”. E kam pa në foto në Tuzin shqiptar në Mal të Zi tue vendos tufa me lule tek shtatorja e Nanë Terezës dhe në Prekaz tek varri i Adem Jasharit e në Prishtinë tek varri i Ibrahim Rugovës, në Tiranë tek shtatorja e Hasan Prishtinës. E sy-pashë nga larg në qytetin e Bajram Currit më 17 prill 2015 teksa kishte ardhë në ceremoni e veprimtaritë solemne e festive të dekorimit nga Tropoja të dr. Islam Lauka, ish-ambasador i Kosovës, me titullin e lartë “Qytetar Nderi”.
Syni i njeriut në këto kohë të vështira të globit kërkon me pa njerëz kaq të mirë të tokës e historisë së vet shqiptare.

Në kështjellën Rambuje në Paris, në Kuvendin vendimtar për lirinë e Kosovës, mbajtur më 6 shkurt-18 mars 1999, ndodhi ndryshe nga 1919-ta e Kështjellës së Versajës, pasi kësaj here, miqtë e mirë të Shqiptarëve në Ballkan iu gjenden pranë Kombit Shqiptar, fateve të Kosovës. Aty ishte dhe “zonja e hekurt”, Madelene Ollbrajt, Sekretare e Shtetit Amerikan. Ne, Shqiptarët jena pa vllazen në kit’ botë, po Amerikën e kena “probatime”(vëllame), pasi kena “pi gjak gishti” e shpirtnim ndërveti qyshce herët, nga Uillsoni tek Klintonët e Bushët. Aty, në Rambuje, erdhën dhe kongresmenët amerikanë Eliot Engël e Sue Kelly, në shoqëri të fisme të atdhetarëve shqiptaro-amerikanë Rrustem Gecaj e Harry (Hajdar) Bajraktari. Në kështjellë erdhën nga përtej Atlantikut dhe këta dy trima shqiptar nga Amerika. Në kuvend ishin ndihmatarë dhe këta dy burra të Kosovës. Këta janë ilake ndërveti, me gene gjaku e hapa pragu. Geci është daja e Bajraktari është nipi. Të të njëjtit profil. Në të njëten udhë, krahpërkrah e ballas. Asht e palcë nderveti, vlera të përhershme e ndera të shpeshta për të tjerët. Te dy në lartësi të kohës, me kontribute për Kombin. Te dy të dekorurar “Nderi i Kombit”. Ashtu si jena mësue ta shohim Shqipen me Dy Krena edhe ata që i njohin këta të dy atdhetarë nuk mund t’i shohin e konceptojnë ndryshe veçse kësisoj, sëbashku, unitar, shembëlltar. Asnjë çek me dollarë nuk i ka prishë ndërveti dajë e nip në biznese, udhë e lartësime.
Këta të dy, si rrallkush, shpesh në bashkari dhe me elitarë të tjerë shqiptaro-amerikanë, e kanë faktorizue Kosovën në institucionet e larta të Amerikës, kanë qenë avokat të Kombit të vet shqiptar, e kanë mbështetë dy herë rradhazi zgjedhjen e Presidentit Amerikan Bill Klinton, të senatorëve Hillary Klinton, Bob Dole, Joe Liberman, John McCain, Alfonse Marcello D’Amato, të kongresmenëve Eliot Engël, Sue Kelly, e të tjerë. Kanë pasë njohje e lidhje të mira me presidentë demokratë e republikanë të Amerikës, me personalitete të larta amerikane. Kjo ka pasë dhe interes e mirësi kombëtare shqiptare.
Këta të dy janë ndër përfaqësuesit elitarë të komunitetit shqiptaro-amerikanë, si në struktura drejtuese të organizatave e organizmave shqiptare në Amerikë si të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane të DioGuardit, të LDK-së të Ibrahim Rugovës, të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Federatës PanShqiptare “Vatra”. Vet Rrustem Gecaj, me nismen e tij, kohët e fundit investoi mijëra dollarë amerikanë për rikonstruksionin e godinës trekatëshe të Vatrës, etj.
Si përmbyllje po e cekim motivimin e dhënies të dekoratës “Nderi i Kombit” për veprimtarin kombëtar, biznesmenin shqiptaro-amerikan, Rrustem Gecaj, ku tekstualisht jepet vlerësimi e nderimi ndaj tij “… për shërbim, mbrojtje e mbështetje të çështjes kombëtare, si dhe për lartësimin e emrit dhe vlerave të rralla të bashkësisë shqiptaro-amerikane”. Pra, për të gjitha këto, Nderi i Kombit, Rrustem Gecaj, është një Kullë Deçani në lëvizje përditësore e lartësore për kombin e vet.

Filed Under: ESSE Tagged With: KULLË NË LËVIZJE..., Nderi i Kombit, Rrustem Gecaj

PËRSEKUCIONI DHE PËRSEKUTORËT…

May 4, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI*/
DOSJA Nr. 1./
1944 – 1991■HAPNI DOSJET ! KËTA ISHIN KANALET E ZEZA TË SHTETIT SHQIPTAR, QË BURONIN NGA BYROJA POLITIKE E K.Q. TË PKSH (PPSh)!
■Shqiptarët përgjithsisht kanë kalue disa nga këta përsekucione:
Përsekucioni i Familjes… Përsekucioni shtetnor i shoqnisë… Përsekucioni krahinor…
Përsekucioni fetar… Përsekucioni ideologjik… Përsekucioni kulturor personal…
Përsekucioni i trashiguem… Përsekucioni imoral… Persekucioni karrierist…
■Qellimi i këtij shkrimi nuk asht me shpjegue përsekucionin po, përsekutorët!
■ÇDO EMEN VRASËSI DUHET DIJTË NGA POPULLI SHQIPTAR !
■Përsekutorët janë terroristët vrasës, gjaksorë, masakrues, torturues, antishqiptarë, të pashpirtë, të pamoral, të pafe, të paatdhe, të pafamilje, të pafëtyrë, hipokritë, gënjeshtarë e shpifës, fanatikë, asgjesues, anonim, aventurierë, antinjerzorë, hajdutë, antiligjorë dhe kriminelë frikacakë, të lindun me etje per gjak, karrierizem dhe krime të shemtueme…
■Të gjitha këta cilësi Enver Hoxha i ka tregue me qendrimin e tij ndaj familjes Kokalari të Gjinokastres, pa kenë nevoja fare me ia hapë “Dosjen” e pafund të krimeve barbare e gjysëshekullore të tij dhe pasuesëve apo bashkpuntorëve të pandreqëshem antishqiptarë.
■Krahasimi që i bahet të masakruemëve nga Enver Hoxha, me Nelson Mandelen asht vetem një fyemje dhe asgja tjeter… Përsekucioni i Shqiptarëve asht i pakrahasueshëm! Asht i pakrahasueshëm se vetë përsekutorët tanë janë perbindsh të pashoq në Botë!
■HAPNI DOSJET: Kush janë përsekutorët tanë tiranë të Popullit Shqiptar?
■Sekretari i parë i Komitetit Qendror të PKSh (PPSh), Enver Hoxha dhe Ramiz Alia me
Anëtarët e Byrosë Politike të KQ të PKSh (PPSh), dhe kandidatët e saj janë ideatorët, projektuesit, organizatorët, urdhnuesit, zbatuesit dhe aprovuesit e të gjitha krimeve.
Anëtarët e kandidatët e KQ të PKSh (PPSh). Shefat e agjitacionit e propagandës KQ.
Sekretarët e PKSh (PPSh) të institucioneve që vareshin direkt nga KQ i PKSh (PPSh).
Sekretarët e Parë të Komiteteve të PPSh së qarqeve e rretheve të Republikës, sekretarët e organizatave bazë të PKSh (PPSh), të të gjitha institucioneve shtetnore të Shqipnisë.
Sekretarët e Komiteteve të PKSh (PPSh), që kishin në varësi Degat e Mbrendshme të Rretheve, ase seksionet e mbrendshme, repartet e ndjekjes së popullit dhe të kufinit.
■Kryeministrat e RPSSh, zv. kryeministrat, ministrat e mbrendshem dhe të mbrojtjes, shefat e Shtabit të Pergjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, të gjithë shefat e kuadrit të Kryeministrisë, ministrisë së mbrendshme, të mbrojtjes, të drejtësisë, industrisë së randë dhe reparteve ushtarake të kufinit, ku kuadrohen edhe komandantët e komisarët e tyne.
■Dosjet e hartuesëve dhe aprovuesëve të ligjit per interrnimin e fëmijëve nën 18 vjeç.
Shefat e Arkivave të të gjitha institucioneve shtetnore, ushtarake, civile, kulturore etj…
■Antarët e qeverisë shqiptare që nga Berati, Permeti dhe Tirana në Nandor 1944.
■Drejtuesit e brigadave të Ndjekjes dhe të mbrojtjes popullore nder qytete e fshatra.
■Komisarët politik dhe operativët e mbrojtjes së popullit. Ekzekutorët e vendimeve.
■Kryetarët e Frontit Demokratik, mbrenda të cilit mëshefej PKSh.
■Gjykatat ushtarake dhe civile të qarqeve, rretheve dhe të Tiranës, ku perfshihet edhe gjykata speciale, të formueme nga gjykata e naltë, e cila drejtohej dhe kontrollohej nga komandanti i pergjithshem Gjen. Kol. Enver Hoxha, si dhe nenshkruesit e zbatimit të vendimeve të ekzekutimit, dhe brigadat e pushkatimit. Mjekët ligjor ndër pushkatime.
■Hetues dhe prokurorë të Ministrisë së Mbrendshme, dhe degëve të rretheve.
Operativët e degave ushtarake që merreshin me rekrutimet në sigurimin e shtetit.
■Shefat e seksionit katolik të Degës së Mbrendshme të Shkodres.
■Hetuesit e çeshtjeve ordinere, ku vriteshin njerëzit per motive politike.
■Dosjet e asistentëve të huej ndër hetuesitë tona dhe porositë e tyne të dokumentueme.
Dosjet e drejtorëve të burgjeve dhe operativëve nder qytete dhe kampe shfarosje.
Mjekët asistentë nder hetuesi, tortura dhe proceset fallco të tyne.
■Dosjet e Sekretarëve të Parë të PKSh (PPSh) dhe shefave të kuadrit të komiteteve, të cilët jepnin urdhna per pushkatime sekrete, per njerëz të dënuem me burgosje… këta gjoja i transferonin nder burgje tjera dhe gjatë udhtimit i vrisnin, me urdhen nga naltë.
■Komandantët e Reparteve Ushtarake, komisarët, operativët që kanë vra ushtarë nder sherbime ushtarake dhe i kanë fallsifikue vrasjet politike me “vetvrasje” deri në 1991.
■Këtu duhen publikue vrasësit e Rinisë nder piramidat kufitare në vitet 1989 – 1991.
■Dosjet e institucioneve arsimore e kulturore, që vareshin nga Komiteti Qendror i PKSh, e deri tek Akademia e Shkencave, Lidhja e Artistave, Teatri Popullor, Arkivi i Shtetit, Kinostudio, Radio etj. që jepnin motivacione e kerkesa per pushkatime deri në vitin 1991.
■Dosjet e instruktorëve të Komiteteve të PPSh, zyreve sekrete, sekretarëve e zv. të tyne mbas 1967, kur Degat e Mbrendshme të Rretheve vareshin nga Komitetet e PPSh.
■Dosjet e kuadrove të nalta në të gjitha institucionet, ku para diplomimit studentët kanë nenshkrue bashkpunimin dhe sherbimin e tyne me Sigurimin e Shtetit.
■Dosjet e Presidentëve të Kuvendit Popullor, sekretarëve dhe komisjoneve që aprovonin ekzekutimet e propozueme nga gjykatat ase institucionet tjera të mëshefta.
■Dosjet e të gjithë personave që kanë nenshkrue kjoftë dhe një pushkatim në Kuvendin Popullor ose institucionin ku kanë sherbye, ose ligjët e arrestimeve dhe interrnimeve.
■Dosjet e të gjithë ambasadorëve e nëpunësve të zyrave sekrete të ambasadave e OKB…
Dosjet e kryetarëve dhe operativëve të lagjeve, që informonin në degat ushtarake.
Dosjet e kryetarëve apo drejtuesëve të organizatave shoqnore, front, rini, bashkime profesionale, grue, kooperativa bujqësore, zona kufitare etj… kryesisht mbas vitit 1967.
■Dosjet e shefave të kuadrit të Komiteteve PPSh e Ekzekutiv, si dhe institucioneve të rendsishme nder rrethe e Kryeqytet, si Arkiva, muzeume dhe Institute, ku përfshihet Politeknikumi 7 nandori edhe shkolla e PPSh në Tiranë.
Shefat e kuadrit në Ministri të ndryshme dhe të sektorëve kryesor të kryeministrisë…
■Dosjet e mjekëve të pranishem në zhdukje njerzish nder manikomjo etj.
■Dosjet e studjuesëve të “Dosjeve” të Min Mbrendshme, projektues të krimit.
Dosjet e agjentave të sigurimit në Gjimnaze, shkolla të mesme, teknikume e Universitet, shkolla arti, shkolla partie, juridik, të gjuhëve të hueja, histori, mjeksi, financa, etj.
■Dosjet e të persekutuemëve politik që janë angazhue me sigurimin pa u arrestue fare.
Të dënuemit që me akuza fallco kanë ndikue në ekzekutime të personave të pafajshem…
■Emnat e të arratisunve që i kanë sherbye sigurimit të shtetit deri në vrasje të disa prej Atdhetarëve, tue veprue nder male me pabesi si rasti i Gjergj Vatës, etj…Kush i sillte këta dhe me cilat qendra agjenturore kishin lidhje, per me asgjesue rezistencën nder male.
■Sigurisht, kjo listë nuk mund të mendohet se asht e plotë, po besoj, vlenë me percaktue disa nga labirintet e krimit të organizuem në 47 vitet e diktaturës komuniste të pashoqe të PKSh ase PPSh, në Republiken Popullore Socialiste të Shqipnisë.
Melbourne, Maji 2015.
* Ne vijim te ciklit: Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…Pjesa XIV

Filed Under: Analiza Tagged With: e përmbytjes, Fritz Radovanai, Në 70 vjetorin, pjesa XIV

FILMI “SKENDERBEU” SHFAQET ME 9 MAJ NE MONROE COLLEGE

May 4, 2015 by dgreca

Nga Astrit Tota/
Njoftojme komunitetin shqiptar ne Nju Jork dhe rrethina se me date 9 maj do te shfaqet filmi”Skenderbeu”, ku hyrja do te jete falas.
Shfaqja e Filmit te Ri Dokumetar Gjergj Kastriot ” S K E N D E R B E U “/
Regjisor – Skenarist : Vladimir Prifti ” Mjeshter i Madh ”
Kompozitor : Aleksander Peci
Punuan per Filmin : studiues, historiane dhe aktore nga te gjitha trevat shqiptare.
Premiera e filmit te Ri Dokumentar me dy seri, Gjergj Kastriot Skenderbeu, organizohet me rastin e pervjetorit te 610 te lindjes se Tije, nen kujdesin e Anssamblyman Mark Gjonaj, drejtuesve te Federata Pan Shqiptare “Vatra”, Prof. Haxhi Berisha, Zj. Mimoza Dajci, Z. Mark Shkreli, Regjisori Roko Markolevic, Z. Gjergj Dedvukaj, Piktori-skenograf Astrit Tota etj.

Vendi;
Monroe College
Bronx. NY. 10468
Nr. Tel: ( 718) 933-6700 Hyrja eshte Falas.
Data : 9 Maj 2015
Ora 1 pm – 4 pm

Filed Under: Komunitet Tagged With: 9 maj, Astrit Tota, Filmi "Skenderbeu", Monroe College

PËRPARIMET DHE SFIDAT NË BALLKANIN PERËNDIMOR

May 1, 2015 by dgreca

Shqetësime serioze për influencën e Rusisë në Ballkan/
Nga Frank Shkreli/
Ky ishte titulli i seancës që u mbajtë të mërkurën nga Nën-Komisioni i Punëve të Jashtëme të Kongresit Amerikan që merret me punët e Europës dhe të Euro-Azisë. Kryetari i këtij Nën-Komisioni, deputeti i shtetit Kalifornia, Dana Rohrabacher e hapi sesjonin duke thënë se është hera e dytë në dy vitet e kaluara që ky Nën-Komisio i Kongresit merret me këtë subjekt të rëndësishëm, dmth., me rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Për të dëgjuar mbi zhvillimet më të fundit në rajon, Nënkomisioni i Kongresit për Europën dhe Euro-Azinë kishte ftuar, ndër të tjerë Zëvendës-ndihmës Serektarin amerikan të Shtetit, Hoyt Yee. (Të ftuarit e tjerë ishin Susan Fritz, Ndihmës-Administratore e USAID për Europën dhe Euro-Azinë, Ivan Vejvoda, Zëvëndës president i Fondit Gjerman Marshall në SHBA dhe ish-Kongresmeni me origjinë arbëreshe, Joseph J. Dio Guardi, President i Ligës Civile Shqiptaro-Amerikane).
Diplomati amerikan, Hyot Yee, ç’prej fillimit të kumtesës së tij pohoi para anëtarëve të komisionit se vizioni për një Europë të tërë, të lirë dhe në paqë, kërcënohet sot më shumë se çdo herë tjetër, ç’prej mbarimit të Luftës së Ftohtë. Diplomati amerikan, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, tha se agresioni i Rusisë në Ukrainë dhe terrori i ushtruar nga grupi ISIL në Siri dhe në Irak u jep vendeve të Ballkanit një rëndësi më të madhe gjeopolitike, dhe si përfundim i këtij konteksti të ri gjeopolitik, theksoi ai, “Puna e jonë me partnerët tanë dhe me Aleatët tanë Ballkanikë për të krijuar një hapësirë më të mirë të tregëtisë së lirë dhe të popujve të lirë, është më e rëndësishme se kurrë — qoftë kjo në përpjekjet tona për të ndihmuar këto shtete që të marrin vet vendimin sovran për të ardhmen e tyre Euro-Atlantike…e deri tek përpjekjet për të çrrënjosur kancerin e korrupcionit që është duke brejtur përmbrenda këtyre shoqërive, duke ndikuar dëmshëm në jetën e përditshme të njerëzve, dhe njëkohsisht duke rrezikuar demokracinë dhe sigurinë e këtyre vendeve.” Megjith përparimet e bëra në këtë rajon dhe megjithë ndihmën morale dhe financiare (mbi 7 miliardë dollarë për rajonin, sipas tij) nga Shtetet e Bashkuara ç’prej vitit 1999, vendet e Ballkanit Perëndimor përballen gjithnjë me sfida të mëdha, theksoi Zëvendës-ndihmës Sekrektari amerikan i Shtetit, Hoyt Yee, para nën-Komisionit të Kongresit për Europën dhe Euro-Azinë.

Duke thënë se megjith përparimet që janë shënuar në atë rajon gjatë dy dekadave të kaluara, Hoyt Yee shtoi se Ballkani Perëndimor përballet gjithnjë me sfida të mëdha. Ai e përqëndroi kumtesën e tij mbi disa fusha kryesore, duke theksuar shkurtimisht gjëndjen aktuale në secilin prej shtatë vendeve të rajonit. Përveç kësaj, ai foli edhe shqetësimet mbi atë që ai cilësoi si “ndikimi kompleks i influencës së rrezikshme ruse” në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe bashkpunimin në lidhje me hetimin dhe dënimin e luftëtarve të huaj terroristë, si dhe mbi gjëndjen ekonomike të rajonit.

Duke folur për Shqipërinë, diplomati amerikan Hoyt Yee u tha anëtarve të Kongresit se ç’prej shembjes së sistemit shtypës komunist, Shqipëria ka shënuar përparim të dukshëm demokratik. Ai vuri në dukje nënshkrimin kohët e fundit të Partneritetit Strategjik midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, në të cilin, theksoi ai, nënvijohet bashkpunimi midis dy vendeve në fushën e sigurisë, të qeverisjes së mirë, të zbatimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, shoqërisë civile, zhvillimit ekonomik, sigurisë, si dhe në fushën energjetike, në arsim dhe në shkëmbimet dy-palëshe. “Ne vazhdojmë të gjëjmë mundësi të reja për të ndihmuar Shqipërinë të krijojë rritje të gjithanshme dhe të vazhdueshme ekonomike, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian”, tha Hoyt Yee. Por megjith përparimet e shënuara deri tani, Zëvendës-ndihmës Serektari amerikan i Shtetit i tha Kongresit se, “Në Shqipëri mbetet shumë për t’u bërë.” Ai shtoi se, “Ndonëse ka marrë statusin e vendit kandidat, Shqipëria do të përballet me sfida të mëdha në zbatimin e reformave që janë të nevojshme për të filluar bisedimet për antarësimnë BE. Shqipërisë i duhet të intensifikojë përpjekjet drejtë përforcimit të institucioneve demokratike, të bëjë reformat në drejtësi dhe të luftojë korrupcionin dhe krimin e organizuar. Influenca e krimit dhe e korrupcionit në politikë vazhdon të jetë një shqetsim i vazhdueshëm. Ne jemi duke i bërë thirrje qeverisë dhe opozitës të punojnë së bashku për të luftuar krimin dhe korrupcionin dhe që të heqin dorë nga politika e mbrendshme konfliktuale dhe e korruptuar”, përfundoi Hoyt Yee paraqitjen e tij mbi Shqipërinë, para Nën-Komisionit të Kongresit që merret me Europën dhe Euro-Azinë.

Në lidhje me Kosovën, diplomati amerikan Hoyt Yee tha se gjatë këtyre shtatë vite pavarësi dhe ç’prej përfundimit të mbikqyrjes ndërkombëtare, Republika e Kosovës “Ka hedhur hapa të rëndësishëm në zhvillimin e saj si shtet i cili gëzon sovranitet dhe pavarësi të plotë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin Kosovën në përpjekjet e saja për të ndërtuar një shtet modern, multietnik me institucione demokratike dhe gjithëpërfshirse.” Duke theksuar se Shtetet e Bashkuara përkrahin themelimin tani të shumë përfolur të Gjykatës Speciale për tu marrë me pretendimet e raportit të Këshillit të Europës nga senatori zviceran Marty, diplomati amerikan Hoyt Yee theksoi se, “Është me rëndësi që udhëheqsit e Kosovës të marrin masat e nevojshme dhe të miratojnë amandamentet kushtetuese dhe legjislacionin e nevojshëm për krijimin e Gjykatës Speciale, ashtuqë vendi të merret me këto akuza në mënyrë të besueshme.” Kjo, nënvijoi ai, “Është me rëndësi për viktimat, por është gjithashtu me rëndësi edhe për të ardhmen e Kosovës, me qellim që të largohet njëherë e mirë nga ky kapitull dhe të vazhdojë në udhën e sajë të konsolidimit demokratik dhe drejtë integrimit Euro-Atlantik të vendit.” Në lidhje me këtë, përfaqsuesi i Departamentit Amerikan të Shtetit, në dëshminë e tij para Kongresit të mërkurën theksoi se, “Ne mbështesim antarësimin e Kosovës në NATO, në Organizatën për Bashkpunim dhe Siguri në Europë (OSBE), si dhe në Bashkimin Europian — dhe njëkohsisht i bëjmë thirrje Kosovës të ndërmarrë reformat e nevojshme me qëllim për të qenë në përputhje me standardet e këtyre institucioneve.”

Duke folur për Malin e Zi, Hoyt Yee tha se megjithë përparimet e shënuara , ai citoi Progres Raportin e Bashkimit Europian në të cilin thuhet se Mali i Zi nuk ka një sistem të besueshëm hetimesh, gjykimesh dhe dënimesh, sidmos në raste korrupcioni, duke përfshirë edhe raste të korrupcionit në nivele të larta të shtetit. Në lidhje me Malin e Zi, ai theksoi ato që ai cilësoi si “Shqetësime serioze përsa i përket lirisë së fjalës dhe lirisë së medias, përfshirë edhe rastet e dhunës kundër gazetarve.”
Në lidhje me zhvillimet e fundit në Maqedoni, Hoyt Yee shprehu shqetësimet e Shteteve të Bashkuara dhe të partnerve të tyre europianë në lidhje me zhvillimet në atë vend si dhe mbi marrëdhënjet midis pozitës dhe opozitës atje, duke bërë thirrje që kriza të zgjidhet sa më pare dhe në një frymë që “demonstron angazhimin serioz ndaj parimeve Euro-Atlantike, përfshirë zbatimin e ligjit, zgjedhje të lira dhe të drejta si dhe pavarësinë e gjykatave dhe të medias.” Në lidhje me gjëndjen e acaruar kohët e fundit në Maqedoni, diplomati Hoyt Yee i tha Kongresit se Shtetet e Bashkuara, gjithashtu, “Janë të shqetësuara në lidhje me ndasitë në rritje e sipër në shoqëri, midis shumicës maqedone dhe komuniteteve të minoritetit shqiptar në Maqedoni.”
Ai përfundoi dëshminë e tij nga pikpamja e Shteteve të Bashkuara në lidhje me gjendjen aktuale në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar shqetësimet e Washingtonit mbi atë që ai cilësoi si “influencën e rrezikshme” të Rusisë në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ai i tha Kongresit se, “Kur të merret parasyshë agresioni i vazhdueshëm rus në Ukrainë ne po i ndjekim me kujdes përpjekjet ruse në rajon. Ne përkrahim vendosmërisht integrimin Euro-Atlantik të rajonit dhe mbështesim aspiratat e vendeve të Ballkanit Perërdimor për antarësim në këto organizata. Në kundërshtim me këtë”, shtoi zyrtari amerikan, “Shtatorin që kaloi Ministri i Jashtëm rus, Lavrov ka deklaruar se zgjërimi i NATO-s në Ballkanin Perëndimor do të ishte një akt provokues.”. Zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit tha se, “Vendet e rajonit janë dhe do mbeten të lira të vendosin vet se në cilat organizata duan të antarësohen ato dhe Rusia nuk ka të drejtë vetoje mbi këtë çështje”, theksoi diplomati amerikan në dëshminë e tij para antarëve të Nën-Komisionit të Kongresit për Europën dhe Euroazinë, Hoyt Yee.
Mbi një subjekt tjetër, diplomati amerikan i tha Kongresit se vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos Bosna-Hercegovina, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria janë burim nga ku rekrutohen terroristët për të luftuar në Irak dhe Siri. Ai shtoi se këto vende po i marrin seriozisht kërcënimet që vijnë nga ky fenomen dhe se të gjitha këto vende kanë miratuar ligje duke shpalur si krim pjesëmarrjen në luftimet përjashta si dhe mbështetjen ndaj tyre.
Zëvendës-ndihmës Serektari amerikan i Shtetit, Hoyt Yee përfundoi kumtesën e tij në Kongres, mbi gjëndjen aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke thënë se megjithë sfidat e mëdha me të cilat përballet rajoni, “Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre Europianë do të vazhdojnë t’i mbështesin këto vende me të gjitha mundësitë që kemi, ashtuqë ato të mund të ndërmarrin bërjen e reformave të nevojshme, për t’u përballur me këto sfida, sidomos në zbatimin e reformave që kanë të bëjnë me përparimin ose me mungesën e përparimit në rrugën e tyre euro-atlantike.” Por, ai përfundoi duke thënë se, “Ndërsa ne jemi serioz në angazhimin tonë për të krijuar një të ardhme më të mirë për atë rajon, duhet t’a kenë të gjith të qartë se përgjegjësia kryesore më në fund — për të shkuar drejtë udhës së reformave dhe integrimit Euro-Atlantik – është dhe mbetet në dorë të udhëheqsve të zgjedhur të rajonit. Qytetarët dhe shoqëria civile e këtyre vendeve duhet të tregojnë gatishmërinë e vet që të mbajnë përgjegjëse qeveritë e tyre kur ato devijojnë nga kjo rrugë, ose kur pengojnë zhvillimin e procesit të integrimit”, paralajmëroi shoqëritë dhe qytetarët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Yee në kumtesën e tij të mërkurën, para seancës së Nën-Komisionit të Punëve të Jashtëme të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, për Europën dhe Euroazinë.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Sfidat. ballkani Perendimor

FESTIVALI-NJË FILM NGA KOSOVA, SHFAQET NË FESTIVALIN NDËRKOMBËTAR NË BOSTON

May 1, 2015 by dgreca

Nga Fuat Memelli/
Në qytetin Belmont afër Bostonit,po zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Filmit Artistik Ndëkombëtar, me temë :” Sekrete dhe gënjeshtra”. Është një temë pak e veçantë kjo e sivjetmja , por organizatorët thonë se këto janë pikat e përbashkëta që i bashkojnë këta filma. Në këtë festival, i cili është i 14-ti vit që organizohet , marrin pjesë 18 shtete, si Gjermania, Franca, Kanadaja, Italia, Turqia,Japonia, etj. Për herë të parë në këtë festival ,mer pjesë edhe Kosova, me filmin” Tre dritare dhe një varje”.
Drejtorja ekzekutive e festivalit, Ellen Gitelman, thotë se ne bsashkëpunojmë me distributorë ndërkombëtarë për të zgjedhur filmat. Shumica e tyre kanë fituar çmime në festivale prestigjoze ndëkombëtare të filmit artistik ose janë filma përfaqësues nga shtetet përkatëse, në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj, pranë Academy Awards( Çmimet e Akademisë). Filmi i Kosovës, “Tre dritare dhe një varje” ishte filmi i vetëm prezantues në gjuhë të huaj , për Oscarin e këtij viti dhe ne ishim shumë kureshtarë për ta parë. Pasi u pa në mënyrë anonime, u vendos se është film shumë i mirë për t’u shfaqur në këtë festival. Ky është filmi i parë kosovar që shfaqet në këtë festival, thotë zonja Ellen.
Autorë të filmit kosovar janë: skenari Zymber Kelmendi, regjisor Isa Qosja ndërsa në rolet kryesore interpretojne: Irena Cahani, Luan Jaha, Donat Qosja ,etj. Filmi trajton një temë delikate, atë të dhunimit seksualisht të grave e vajzave gjateë luftës në Kosovë. Gjatë kësaj lufte, mendohet se janë dhunuar seksualisht 20 mijë gra e vajza. Në qendër të filmit është Lushja, një mësuese fshati. E shtyrë nga ndërgjegja dhe nevoja e kthimit të dinjitetit, deklaron para një gazetareje të huaj se ajo dhe tri gra të tjeta të fshatit, janë viktima të dhunimit nga forcat sërbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Nga ky deklarim , nis edhe një tragjedi e dytë për këtë mësuese: shikimi shtrembër dhe përçmimi nga fshatarët. Përçmimi arrin deri aty sa fshatarët ndërhyjnë te fëmijët e tyre që mos shkojnë në shkollën ku jep mësim kjo mësuese. Skenat ndërthuren edhe pas kthimit të të shoqit në shtëpi, ku Lushja gjen kurajon e ja tregon edhe të shoqit këtë ngjarje. Filmi mbaron pa ndonjë zgjidhje konkrete, pasi i tillë është problemi. Duhen kuptuar normat, traditat e zakonet që janë në Kosovë. Filmi është një apel për këtë dramë të grave e vajzave kosovare të dhunuara seksualisht gjatë luftës. Është një apel për drejtësi, një apel për ndërgjegjësimin e njerëzve që këto gra e vajza të mbahen pranë, që ato ta kalojnë këtë traumë, pasi nuk është faji i tyre për çka që u ka ndodhur. Disa nga pjesëmarrësit e quajtën atë një film rrënqethës.
Në mbarim të shfaqjes, foli drejtorja e festivalit, Ellen Gitelman, ndër të tjera theksoi se ky është një film që tregon dramën e grave dhe vajzave kosovare të dhunuara gjatë luftës, por tani gjërat në Kosovë, kanë ndryshuar. Kosova është shteti më i ri në Europë. Ajo ka një presidente femër dhe se nuk është çdo gjë bardh e zi në shoqërinë kosovare. Kosovarja Rita Saliu, e cila jeton në Amerikë por ka qënë vetë në Kosovë gjatë viteve të luftës dhe ka ndihmuar mjaft çështjen e Kosovës, tha se unë kam njohur nga afër gra e vajza të dhunuara. Me nismën e presidentes së Kosovë, Atifete Jahjaga, është krijuar një fondacion i veçantë për këto gra e vajza.
Ashtu si në veprimtari të tjera të shqiptarëve të Bostonit, edhe këtë herë shqiptaro- amerikania Shpresa Theodhosi, foli plot pasion për padrejtësitë që i janë bërë popullit të Kosovës nga makina ushtarake sërbe. Amerika dhe Bashkimi Europian e ndihmuan Kosovën për të fituar lirinë, por Kosova ka mjaft probleme. Për zgjidhjen e tyre, nuk duhet pritur çdo gjë nga të huajt. Vetë shqiptarët duhet ta ngrenë zërin e tyre dhe të bëhen ata promotorë të zgjidhjes së problemeve që kanë.
Një fjalë të veçantë në mbarim të filmit , mbajti e reja , Shengjyl Osmani, e lindur dhe rritur në Manastir. (Ajo ka mbaruar studimet në Universitetin Amerikan të Kosovës dhe ka jetuar gjashtë vjet në Kosovë. Nga këto tre vjet ka punuar si gazetare tek rjeti ballkanik për gazetari hulumtuese. Tani është në përfundim të Masterit në zgjidhjen e konflikteve, në një universitet të Bostonit.) Në fjalën e saj, Shegylja tha për pjesëmarrësit, ato që si të thuash nuk i tha filmi.- Ka 16 vjet që ka mbaruar lufta në Kosovë, por çështja e dhunimit të grave e vajzave ka filluar të përmendët në shoqëri, këto dy vitet e fundit. Kosova ka formuar institucion për mbrojtjen e këtyre viktimave, i quajtur Këshilli Kombëtar për për të Mbijetuarat e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, institucion i formuar nga presidentja Atifete Jahjaga. Edhe shoqëria civile ka themeluar Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës e po përpiqen t’ua lehtësojnë jetën këtyre grave e vajzave. Siç paraqitet në film, kjo dhunë e përjetuar gjatë luftës për gratë e Kosovës, ka vazhduar në një formë tjetër edhe pas luftës. Ngurimi dhe frika nga mos përkrahja e paragjykimi nga familja, i ka detyruar këto gra e vajza të mbyllen në vetvete e të mos flasin për këtë krim të ushtruar ndaj tyre nga trupat e armatës sërbe. Është e rëndësishme që përkrahja të fillojë së pari tek familjet e viktimave , te komuniteti ku jetojnë e më pas te shoqëria e gjerë. Shpresoj të mos duhen edhe 10 -15 vjet të tjerë për të treguar progres e përkrahje për këto viktima dhe familjet e tyre, ka përfunduar fjalën e saj, shqiptarja nga Maqedonia,Shengjyl Osmani, njohëse e mirë e situatës në Kosovë, si të ishte një bijë Kosove. Dhe pjesëmarrësit e “shpërblyen”, duke i dhuruar duartrokitjet e tyre.

Filed Under: Komunitet Tagged With: FESTIVALI-NJË FILM NGA KOSOVA, Fuat Memeli, ne Boston, SHFAQET NË FESTIVALIN NDËRKOMBËTAR

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3908
  • 3909
  • 3910
  • 3911
  • 3912
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT