• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROTESTAT ANTIKOMUNISTE TE SHQIPTAREVE NE SHBA

March 7, 2015 by dgreca

Veterani dhe patrioti Musli Mulosmani poston fotografite e protestave antikomuniste ne Amerike/
Kjo eshte nje proteste kundra Ramiz Alise ne OKB dhe shifni si shfaqet patriotizmi nepermjet parrullave te fotografive :”Shqipnia e Shqiptarve – Vdekje Tradhetarve ” Thuhet ne nje parrull – ndersa nje tjeter “Rrofte Shqiperia e Lire, Demokratike e Bashkuar e Demokratike – Poshte Stalinizimi “,
Keto jane foto qe flasin me shume se 1000 fjale, se kush ishin ata qe luftuan per demokracine dhe lirine e shqiptareve – ne Shqiperi, dhe kush ishin ata qe “moren” flamurin e demokracise dhe lirise , dalin e rrahin gjoksin se jane heronjet e lirise e demokracise se shqiptarve.
Mendoje se pa ia humbur kerkujt meritat dhe dhene hakun cdonjerit, qe ka bere ne menyren e tij per lirine dhe demokracine e shqiptarve, ne te gjithe duhet te perulemi me respekt edhe perpara ketyre burrave te nderuar te kombit.
Mbasi ne komunitet ka shume debile dhe profane, qe duke i thene vetes edhe “gazetare” i thencin te cilet shqyhen duke gerthitur – jane nga ata( ish oficera te sigurimit) e ato ( vet dhe familje spiunesh te sigurimit ) qe ne ate kohe po ti permendje SHBA dhe keta burra – jo vetem qe te fusnin thonjet ne fyt por te rrasnin ne burg qe te kalbeshe gjithe jeten atje.
Kan ardhur ne Amerike, tani dhe ste lene rradhe me fole, se gjoja jane ata te paret qe hapin shkolla femijesh per te treguar patriotizmin e tyre ( e nisen me me shkollat ketu ne Nju Jork, te cilat i gjeten gati se i kan hapur keta patriot me kohe) shiten gjithe diten si demokrat dhe flene gjithe naten si spiune te Sigurimit me endrren qe tu vije edhe nje here Baba.
Thone se jemi integruar por hajde besoju kur mblidhen si neper celula dhe “qajne’ ditet qe lane pas…. bejne be per koken e Edi Rames dhe Illir Metes.(Beqir Sina)

Filed Under: Komunitet Tagged With: Musli Mulosmani, PROTESTAT ANTIKOMUNISTE, TE SHQIPTAREVE NE SHBA

“Revolucioni Antikomunist Hungarez” – Një libër për një epokë

March 7, 2015 by dgreca

Nga Reshat Kripa*/
Ditët e fundit një libër ka qarkulluar në ambjentet letrare të vendit, një libër për një epokë të zjarrtë që hyri në histori si një ngjarje që ngjalli shpresën për një botë të lirë dhe demokratike. Ky libër është “Revolucioni Antikomunist Hungarez” i doktor Thoma Dardelit, një pjesmarrës i
këtij revolucioni, një pasqyrë e qartë e ngjarjeve tragjike të atyre ditëve që zgjuan ndjenjën e lirrisë në vendet ku sundonte diktatura e egër komuniste.
Shfletoj faqet e librit dhe para syve më dalin, si në një ekran kinemaje, ngjarjet e tmerrshme të atij viti të zymtë në Hungari. Më del heroizmi i një kombi që lufton për lirinë e tij, kundër diktaturës dhe shtypjes nga të huajt. Por më dalin edhe masakrat e tmershme me të cilat ata që nuk kishin as Zot dhe as besim e shtypën këtë revolucion.
Vdekja e diltatorit komunist, Josif Visarion Stalin, më 5 mars 1953, ngjalli shpresat në të gjitha vendet e Europës Lindore për një ndryshim të mënyrës së qeverisjes. Përfaqësues të vetë asaj shtrese që kishte propaganduar idetë komuniste filluan të kërkojnë një ndryshim rrënjësor të politikës së ndjekur deri atëherë. Në disa vende të këtij kampi filluan të ndiheshin shkëndijat e para të revoltave për ndryshim, por që u shtypën me egërsi nga forcat qeveritare dhe ato të padronëve sovjetikë.
E tillë ishte kryengritja e Berlinit Lindor më 16 qershor 1953, e nisur nga 70 punëtorë dhe e pasuar nga 100 të tjerë dhe që u shtyp nga forca e armëve të mbi 20.000 ushtarëve sovjetikë dhe 10.000 policëve gjermanë. Tanket vërshuan në rrugët e Berlinit dhe Potsdamit ku u vranë 55 vetë dhe u pushkatuan më vonë mbi 106 persona, veç dënimeve me burg, internimeve apo punës së detyruar.
Një revoltë tjetër ishte edhe ajo e Poznanit në Gdansk të Polonisë me në krye Gomulkën, po në vitin 1953. Të gjitha këto bënë që në shkurt të vitit 1956 të mblidhej në Moskë Kongresi i XX-të i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, i drejtuar nga Nikita Krushovi, i cili dënoi kultin e individit të Stalinit dhe politikën e ndjekur prej tij.
Në frymën e këtij kongresi në të gjitha vendet e lindjes filloi të ndihej një zbutje e politikës së deri atëhershme. Shenjat e kësaj politike filluan të ndihen edhe në Shqipëri. Më 14-20 shkurt 1956 u zhvillua Konferenca e Degës së Tiranës të Partisë së Punës të Shqipërisë. Atje, për herë të parë, filluan të ndihen disa zëra që kërkonin një reformim të kësaj partie. Por këto zëra u mbytën nga diktati i stalinit shqiptar, figurës më të urryer të këtij kombi, Enver Hoxhës. Nismëtarët e këtij reformimi u burgosën dhe syrgjynosën në skutat më të errëta që kishte ngritur diktatura komuniste.
Ndryshe nga vendet e tjera të lindjes, ku kërkesat ishin vetëm për një reformim të sistemit, në Hungari këto u shndërruan në një revolucion antikomunist që kërkonte rrëzimin e sistemit dhe rivendosjen e plura;lizmit politikë. Frymëzim për këtë ndryshim u bë i njohuri “Klubi Petëf”, që kishte mbledhur në gjirin e tij një numër intektualësh të shquar të vendit dhe kushdo mund të shfaqte mendimet e tij lirisht. Një gjë e tillë duket qartë qysh më 22 tetor kur Asamblea e Studentëve të Universitetit Politeknik dhe inxhinierve të ndërtimit të Budapestit paraqiti peticionin me pikat e mëposhtme:
1, Largimi i menjëhershëm i trupave sovjetike nga Hungaria.
2. Thirrja e Kongresit të Partisë së Punonjësve Hungarezë dhe bërja e zgjedhjetve nga poshtë-lart.
3. Formimi i qeverisë me në krye Imre Nagin dhe shkarkimi i udhëheqësve fajtorë të qeverisë së Rakoshit.
4. Sjellja nga Bashkimi Sovjetik, ku kishte shkuar, dhe nxjerrja para gjyqit e Matias Rakoshit dhe bashkëpuntorëve të tij.
5. Zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme me pjesëmarrjen e shumë partive
6. Rishikimi i lidhjeve politike, ekonomike dhe kulturore me Bashkimn Sovjetik dhe vendosja e tyre në baza të barabarta.
7. Riorganizimi i jetës ekonomike duke pasur parasysh nevojat jetike të popullit dhe kushtet e vendit.
8. Bërja publike e marrëveshjeve ekonomike me botën e jashtme dhe të dhënat konkrete të borxheve të papaguara.
9. Revizionimi i normave të aplikuara në industry, rregullimi i sistemit të pagesave dhe përcaktimi i minimumit jetik.
10. Rishqyrtimi i të gjitha proceseve politike nga gjykata të pavarura, lirimi i të gjithë të dënuarve politikë dhe kthimi në atdhe i civilëve dhe robërve të luftës të dënuar jashtë atdheut.
11. Liri e plotë e mendimit dhe shtypit dhe bërja publike e dosjeve sekrete te sigurimit.
12. Rrëzimi i monumentit të Stalinit dhe zëvendësimi i tij me një përmendore kushtuar martirëve të luftës për liri të viteve 1948-1949.
13. Heqja e stemës komuniste nga flamuri dhe vendosja e stemës së heroit kombëtar Lajosh Koshut në flamur.
Më datën 23 qershor në skenën politike hungareze hyri Imre Nagi, një figurë kontradiktore që u shndërrua në figurë qëndrore e këtij revolucini. Kush ishte në të vërtetë ky person? I lindur në vitin 1896 në Kaposhvar. Në Luftën e Parë Botërore bie rob i rusëve, ku më 1917 rekrutohet në Gardën e Kuqe dhe merr pjesë në luftën civile midis të kuqve dhe bjellogardistëve. Me urdhër personal të Leninit dhe Svjerdllovit merr pjesë, së bashku me gjashtë hungarezë dhe pesë rusë në masakrimin e familjes së Car Nikollës, në natën midis 16 dhe 17 korrikut 1918. Në vitin 1921 kthehet në atdhe por në vitin 1930 rikthehet përsëri në Moskë ku, në vitin 1933, vihet në shërbim të KGB-së ruse me pseudonimin “Vollodja”. Në vitin 1945 kthehet përsëri në Hungari së bashku me Matias Rakoshin dhe në qeverinë provizore emërohet Ministër i Bujqësisë. Më pas emërohet Ministër i Brendshëm. Në periudhën 1947-1949 është President i Parlamenit Hungarez. Në vitin 1953, me ndërhyrjen e rusëve emërohet Kryeministër i Hungarisë. Por rivaliteti me Rakoshin bëjnë që ky i fundit ta rrëzojë nga froni, madje ta përjashtojë edhe nga partia. Më 23 tetor 1956 e thërrasin forcat revolucionare dhe bëhet plotësisht me to pas datës 28 tetor.
Më 23 tetor u formua gjithashtu grupi kryesor i rezistencës, ai i kinema “Korvini” me 1000-1200 persona, me në krye Laslo Kovaçin, të cilin e varën pas dështimit të revolucionit. Më 29 tetor u formua Komiteti Ushtarak Revolucionar, i cili hyri në bisedime me korvinistët të cilët vunë kushtet e mëposhtme, të ngjashme me pikat e peticionit të studentëve:
1. Tërheqjen e trupave ruse nga Hungaria.
2. Shpallja e Pavarësisë së Hungarisë.
3. Dalja nga Traktati i Varshavës.
4. Lidhje të një rangu të barabartë midis Hungarisë dhe Bashkimit Sovjetik.
5. Shpërndarja e menjëherëshme e Sigurimit të Shtetit.
6. Garantimi i zgjedhjeve të lira me pjesëmarrjen e shumë partive.
7. Formimi i një qeverie provizore.
8. Vënia para përgjegjësisë e të gjithë ish-udhëheqësve stalinistë.
9. Shpallja e një amnistie të përgjithshme për të burgosurit politikë.
Fillimi i revolucionit ishte një manifestim paqësor i rinisë studentore dhe banorëve të Budapestit para monumentit të Petëfit në Pest, para monumentit të gjeneralit legjendar Bem Jozef në Buda dhe para parlamentit. Ishin mbi 200 mijë manifestues, para të cilëve mbajti një fjalim Imre Nagi që e filloi me fjalët: “Të dashur shokë të një ideali!” Kjo gjë shkaktoi irritimin e turmës që filloi ta fëshkëllejë. Imre Nagi e ndërroi pllakën dhe iu drejtua studentëve me fjalët: “Hungarezë miq!” Prej andej masa e demostruesve kaloi para ndërtesës së radios për të lexuar kërkesat e peticionit, gjë që nuk u lejua. Për më tepër Gerë Ernë, Sekretari i Parë i Partisë, mbajti një fjalim fyes që irritoi pa masë demostruesit. Forcat e sigurimit filluan të ndërhyjnë me dhunë duke qëlluar mbi turmën, gjë që shkaktoi të vrarë dhe të plagosur midis tyre. Kjo bëri që revolta të merrte përmasa të mëdhaja.
Të nesërmen, më 24 tetor, një grup demostruesish zaptuan godinën e radios dhe u drejtuan tek monumenti i Stalinit për ta përmbysur. Meqënëse monumentin nuk mundën ta rrëzonin as me litar të hedhur tëk qafa, i sharruan të dy këmbët nën gju me saldatriçe. Ndaj ky shesh më vonë u quajt “Sheshi i dy çizmeve”. Monumentin e hoqën zvarrë të lidhur pas një makine duke kënduar këngën: “Betohemi, betohemi se s’do jemi më skllevër” dhe himnin kombëtar. Në këmbët e prera vendosën një flamur kombëtar të cilit i kishin prerë stemën komunsite. Flamurë të tillë shikoje edhe në institucionet e tjera të kryeqytetit. Po atë ditë Imre Nagi u shpall Kryeministër i vendit dhe shpalli qeverinë e re më 27 tetor.
Më 25 tetor kryeqytetasit demostruan para parlamentit por u pritën me breshëri armësh nga sigurimsat, gjë që shkaktoi mbi 250 viktima. Kjo bëri që revolta të shpërthente në të gjithë Hungarinë. Gerë Ernë dha dorëheqjen si Sekretar i Parë dhe në vend të tij u emërua Janosh Kadari, i sapo dalë nga burgjet e Rakoshit. Njëkohësisht filloi ndërhyrja e forcave qeveritare në bashkëpunim me ato sovjetike që ndodheshin në Hungari. Përplasjet midis të dy palëve ishin mjaft të forta.
Së fundi, më 28 tetor u deklarua armëpushimi dhe u nxorr jashtë ligjit Sigurimi i Shtetit. Dukej sikur lufta kishte pushuar. Dukej sikur komunizmi kishte rënë brenda pak ditësh. Njerëzit në rrugë dukeshin të qeshur dhe të gëzuar. Kudo ndihej gazi dhe hareja. Filloi formimi i partive të reja politike. Më 1 nëntor u formua partia e re komuniste e quajtur Partia e Punës Socialiste Hungareze, me Janosh Kadarin kryetar, ku bënin pjesë shumë anëtarë të ish-opozitës që kishin kaluar disa vite burg nga Rakoshi. Po atë ditë qeveria shpalli daljen e Hungarisë nga Traktati i Varshavës dhe deklarimin si shtet neutral dhe i pavarur. U krijuan edhe parti të tjera, midis të cilave edhe Partia e Pronarëve të Vegjël.
Më 3 nëntor, me ftesë të sovjetikëve, një delegacion i qeverisë hungareze, me Pal Maleter-in në krye, shkoi në ishullin e Çepelit, në Tëkël, ku ishte komanda sovjetike, për të diskutuar mbi tërheqjen e tyre nga Hungaria. Por ambasadori sovjetik, Andropov, që kishte premtuar paprekshmërinë e tyre, u fut në sallën e bisedimeve dhe arrestoi delegacionin hungarez.
Të nesërmen, 4 nëntor, trupat sovjetike të përbëra nga mbi 200 mijë ushtarë, 3000 tankse e autoblinda, plus forca të shumta ajrorre që bombardonin pozicionet e kryengritësve, hynë në Hungari për të shtypur revolucionin i cili nuk kishte as numrin dhe as mjetet për t’i bërë ballë një sulmi të tillë. Humbja erdhi edhe sepse nga 100 mijë ushtarë që kishte ushtria hungareze, vetëm një pjesë e vogël e saj u aktivizua me revolucionin. Po atë ditë Janosh Kadari, nga qyteti i Solnok-ut, shpalli rrëzimin e qeverisë së Imre Nagit dhe formimin e një qeverie të re, aleate me Bashkimin Sovjetik.
Një terror i vërtetë filloi pas datës 5 nëntor. U vendos ligji i luftës, sipas të cilit arrestohej dhe dënohej pa gjyq çdo i dyshuar. Më shumë se 60 mijë persona u internuan në kampe të ndryshme. Në Austri u arratisën mbi 150 mijë persona, ndërsa në Jugosllavi mbi 50 mijë. Çdo njeri që kapej me armë rrezikohej të pushkatohej. Në proceset gjyqësore, avokatët mbrojtës i caktonte vetë gjykata. Gjyqet zhvilloheshin me dyer të mbyllura, me dëshmitarë të rremë.. Vendimet ishin të formës së prerë, pa të drejtë apelimi. Deri në vitin 1963 janë dënuar me burg mbi 22 mijë persona. Masa e dënimit ishte deri në 15 vjet burg. Janë ekzekutuar mbi 500 vetë, shumica e të cilëve me varje në litar. Janë internuar në gulaget sovjetike mbi 6 mijë revolucionarë, nga të cilët janë kthyer në atdhe , pas shumë vitesh, një pakicë e vogël.
Imre Nagi me disa nga shokët e tij kërkoi strehim politik, në Ambasadën jugosllave në Budapest . Më 21 nëntor qeveria e Janosh Kadarit ra dakord me palën jugosllave për dorëzimin e tyre me garancinë se nuk do të merreshin në ndjekje penale. Por kjo ishte një garanci e reme, e pabesë siç e kanë zakon komunistët. Imre Nagi arrestohet dhe ekzekutohet me varje në litar më 16 qershor 1958.
Revolucioni hungareze i vitit 1956 ishte frymëzim për të gjithë botën, në një kohë që e ashtuquajtura Luftë e Ftohtë e kërcënonte njerëzimin me një kasaphanë të re. A ka rrezik që kjo ngjarje e madhe të harrohet apo të mos kuptohet si duhet? Revolucioni heroik i vitit 1956 kundër klikës staliniste në pushtet dhe trupave pushtuese sovjetike, ishte një dëshmi e tyre për kombin hungarez. Rrallë, ndoshta një herë në njëqind vjet, një populli i jepet rasti t’i japë fund mashtrimit që i është imponuar nga jashtë dhe përkrahur nga brenda. Hungarezet përqafuan shansin e ofruar nga historia dhe u ndeshën me diktaturën më të egër dhe të stërmadhe të botës.
Pas Luftës së Dytë Botërore, ashtu si pothuaj në të gjitha vendet e Europës Qendrore e Lindore, stalinizmi u imponua me forcën e armëve dhe kurrë nuk pati bazë të qëndrueshme në Hungari. Komunizmi ishte ideja udhëheqëse për botën e re që propagandohej, por shumë shpejt u pa qartë se ai ishte vetëm një mashtrim, i cili vetëm ndihmoi në maskimin e politikës agresive dhe diktatoriale të Perandorisë Ruse.
Matias Rakoshi, udhëheqësi i Hungarisë në vitet 1948-1956, përdori të gjitha pasuritë e vendit për t’u përgatitur për atë që Stalini e quante “lufta e tretë e pashmangshme botërore”. Për shembull në vitin 1952, niveli i jetesës në vend ishte shumë më poshtë se mesatarja e vitit 1939, viti i fundit i Hungarisë në paqe. Terrorizmi shtetëror e ndalonte popullin të shprehte pakënaqësinë hapur dhe i mbante ata në një tension konstant me përgatitjet për një luftë të tretë botërore. Pra ky sistem terrori i diktaturave staliniste të Europës u shemb me 23 Tetor 1956 në Hungari.
Shkaku kryesor i shembjes duhet të kërkohet në çoroditjen e ekipit sundues të Rakoshit. Ata nuk ishin të përgatitur për një revolucion, që e pati origjinën në shtypjen e përpjekjeve reformiste të periudhës 1953 – 1956, menjëherë pas vdekjes së Stalinit. Megjithatë, udhëheqja sovjetike frikësohej nga “efekti domino”, kështu që përfundimisht vendosi ta shtypë me gjak dhe me hekur këtë revolucion popullor për të mos e lejuar Hungarinë të shkëputej nga Perandoria Ruse.
Ne fund të Tetorit 1956 shembulli hungarez ishte një provë e qartë e dilemës bashkëkohore ne planin ndërkombëtar. Populli hungarez doli hapur në anën e demokracisë së vërtetë shoqërore vlerat e së cilës bartte SHBA. dhe Europa Perëndimore. Fatkeqësisht, lëvizja demokratike shoqërore nuk gjeti një lider që ta ngrinte kauzën në një nivel më të lartë. Gjatë Revolucionit të vitit 1956 nuk pati një udhëheqës te shquar, siç ishte Lajosh Koshut në revolucionin e vitin 1848 në Hungari. Fitorja e revolucionit u arrit nga heronj anonimë dhe vala e tij formoi udhëheqësit, duke nxjerrë Imre Nagin si Kryeministër. Ai nuk mundi të diktonte ngjarjet dhe ishte gjithnjë në pozicionin e lojës në pritje. Roli i tij u bë sinjifikativ kur mori përsipër përgjegjësinë për të formuar qeverinë e koalicionit, e cila deklaroi pavarësinë e Hungarisë nga Perandoria brutale Sovjetike. Çfarëdo mangësish që mund të kishte Nagi si udhëheqës, më tepër se sa nga fakti që përmbajti revolucionin, ai respektohet si një njeri që e futi veten në një pozicion të pashmangshëm lideri, gjë të cilën e pagoi me jetën e tij.
Ajo që është më e rëndësishme dhe që ka vlera unikale është se revolucioni i vitit 1956 në Hungari përfundimisht zbuloi fytyrën e vërtetë satanike të komunizmit. Por, në të njëjtën kohë tregoi edhe atë që populli hungarez u braktis nga perëndimi në këtë betejë vendimtare. Ai u la i vetëm në këtë luftë të pabarabartë. Unë do të përmend përcaktimin e mjekut hungarez Zoltan Çillag tashmë pensionist, dëshmitar i atyre ngjarjeve, i cili kur u pyet se a ka akoma rëndësi për ju revolucioni i vitit 1956 tha këto fjalë: “Ai ka një domethënie të madhe. Ne gjetëm forca të ngrihemi kundër Bashkimit Sovjetik. Fatkeqësisht bota na tradhëtoi, kështu që ne u detyruam të luftojmë vetëm.”
Revolucioni i 1956-s nuk zë vendin e duhur në Hungarinë bashkëkohore dhe vendet e Europës Qendrore e Lindore që vuajtën nën thundrën komuniste. Kjo periudhe heroike e historisë hungareze nuk festohet dhe përkujtohet me të njëjtin pompozitet si revolucioni i 1848. Arsyeja është se neutraliteti politik i popullit është kërkesë e pashkruar e sistemit të ri, të cilën po e përjetojmë përditë gjatë tranzicionit të vështirë që kalojnë këto vende. Lufta për të siguruar mjetet bazë të jetesës, rendja pas parave si motiv i jetës në ekonominë e tregut, nostalgjia e një pjese të madhe të brezit të vjetër për regjimin e kaluar komunist dhe manipulimi i historisë sipas interesave konjukturore të partive të reja politike kanë ndihmuar në përhapjen e pluhurit të harresës.
Këto dhe arsye të tjera kanë krijuar një klime neutraliteti politik te brezi i ri i Hungarisë dhe vendeve të Europës Qëndrore e Lindore. Gjithashtu shumica e hungarezëve që kanë lindur pas këtij revolucioni nuk merren me efektet e tij, sepse ata janë pompuar me gënjeshtra dhe kanë qenë të censuruar ndaj bisedave mbi ngjarjet historike.
Do të doja të bëja një paralelizëm me vendin tonë, në lidhje me këtë trajtim të ngjarjeve. Revolucioni hungarez kishte si synim, veç atyre të përmendura më sipër, përmbysjen e sistemit socialist dhe ndërtimin e sistemit demokratik perëndimor. Edhe në vendin tonë janë zhvilluar disa ngjarje të shënuara si kryengritjet e Malësisë së Madhe, Postribës, Zhabokikës e të tjera. Janë zhvilluar revolta edhe brenda hekurave të rënda të burgjeve si ato të Spaçit dhe Qafës së Barit. Janë eliminuar grupe të tëra luftetarësh që linin rehatinë në vendet perëndimore dhe ktheheshin në Shqipëri për të luftuar për lirinë e mohuar. Janë ekzekutuar dhe burgosur me dhjetra grupe antikomuniste që luftonin me ato mjete që kishin mundësi, qoftë edhe vetëm me shpërndarje traktesh ku i bëhej thirrje shqiptarve të ngriheshin kundër regjimit gjakatar. Të gjitha këto bëheshin, si në revolucionin e 56-ës në Hungari, për përmbysjen e sitemit socialist dhe ndërtimin e sistemit demokratik perëndimor.
Por, për fat të keq, në vendin tonë tendenca është që këto ngjarje të lihen në hije, në mënyrë që në të ardhmen të harrohen fare, duke ia atribuar ndërrimin e sistemit vetëm ngjarjeve të ndodhura në vitet 90-të. Kjo ka bërë që të ngrihen dhe nderohen vetëm ato figura që e kanë prejardhjen nga klasa e përmbysur komuniste. Një gjë e tillë vihet re në Presidencë, Parlament dhe Qeveri. Kjo do të thotë të mohosh të kaluarën e lavdishme dhe një gjë e tillë nuk e nderon vendin tonë.
Këto janë idetë që të lindin kur lexon librin e Thoma Dardelit, një libër i shkruar nga një njeri që i ka mbijetuar vetë ngjarjet e përshkruara në të, madje në disa raste ka qenë edhe pjesëmarrës. Kjo ishte arsyeja pse regjimi komunist e burgosi dhe u mindua ta thyente, gje së cilës nuk ia arriti.
Faleminderit, i nderuar doktor, për këtë libër të çmuar! Faleminderit!
*Kumtesë mbajtur në ceremoninë e përurimit të librit “Revolucioni Antikomunist i Hungarisë” i doktor Thoma Dardelit, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar Tiranë më 7 mars 2015.

Filed Under: ESSE Tagged With: “Revolucioni Antikomunist Hungarez” - Një libër, për një epokë, reshat kripa

NJË LIBËR I RI MBI KOSOVËN

March 7, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Qëndra Ndërkombëtare Woodrow Wilson në Washington, në një ftesë elektronike njofton se javën e ardhëshme me 11 Mars do të sponsorizoi promovimin e një libri të ri mbi Kosovën me titull: “Krijimi i Kosovës: Mbikqyrja Ndërkombëtare dhe Themelimi i Institucioneve Etike”, me autor Profesor Elton Skendaj. Profesori Skendaj jep mësim në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit Miami, në Florida të Shteteve të Bashkuara. Në biografinë e tij thuhet se ai kryesisht përqendron kërkimet dhe studimet e tija akademike mbi faktin se si aktorët ndërkombëtarë — siç është rasti i Kosovës – mund të ruajnë dhe të ndërtojnë paqën dhe demokracinë në shoqëritë e pas luftës. Në librin e tij, i cili do të promovohet të mërkurën që vjen në Qëndrën Ndërkombëtare të Studimeve Woodrow Wilson në kryeqytetin amerikan, Profesori Skendaj thuhet se shqyrton rolin e aktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë në krijimin e burokracive shtetërore dhe të institucioneve demokratike në Kosovën e pas luftës.
Profesori Skendaj — përveç këtij libri që është botuar nga (Cornell University Press and Woodrow Wilson Center Press, 2014) ka kontribuar disa kapituj në libra të ndryshëm të botuar — ka botuar artikuj në revista siç janë Global Governance dhe Problems of Post-communism. Dr. Skendaj, si pjesë e punës së tij akademike, ai është duke bërë gjithashtu edhe hulumtime shkencore mbi korrupsionin dhe mbi reformat anti-korrupsion në vendet e Ballkanit Perëndimor, projekt ky që thuhet se po financohet nga Këshilli Norvegjez i Hulumtimeve. Dr. Skendaj ka marrë doktoraturën nga Universiteti i njohur amerikan Cornell dhe ka punuar me një numër organizatash ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile, në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas njoftimit nga Qëndra Woodrow Wilson, Dr. Elton Skendaj do të paraqesë për të interesuarit, librin e tij të ri mbi Kosovën bazuar në gjurmimet që ai ka bërë në atë vend gjatë një periudhe prej 10-muajsh. Për të arritur në përfundimin se cilat, sipas tij, janë ndërhyrjet nga aktorët ndërkombëtarë që çojnë në sukses ose në dështimin e krijimit të institucioneve të një shteti të ri siç është Kosova, Profesori Skendaj ka përdorur të dhënat zyrtare, analizat dhe informacionin shtetëror të Republikës së Kosovës, si dhe intervista individuale dhe forume grupesh të ndryshme anë e mbanë vendit. Sipas njoftimit, në librin e tijtë sa po botuar, Profesori Skendaj ka arritur në disa rezultate të papritura, të cilat ai do t’I paraqesë për diskutim javën që vjen në Washington, gjatë promovimit të librit të tij, “Krijimi i Kosovës: Mbikqyrja Ndërkombëtare dhe Themelimi i Institucioneve Etike”, një libër ky i cili thuhet se ve në dukje dhe diskuton përpjekjet e shtetit të ri të Kosovës për krijimin e një force policore, organizimit të qeverisë qëndrore, të gjykatave dhe të shërbimit doganor.
Sipas njoftimit, në studimin e tij, Dr. Skendaj pohon se administrata qendrore dhe gjykatat, të cilat janë themeluar nën autoritetin vendas, kanë rënë pre e korrupsionit, duke sfiduar në këtë mënyrë premisën se në përgjithësi në raste të tilla, vendorët janë më të aftë të drejtojnë punët dhe të qeverisin më mirë se organet ndërkombtare, dhe të sigurinte një qeverisje më efektive nga burokracitë e ndryshme shtetëtore dhe qeveritare të Kosovës. Ndërsa ndërkombëtarët fajësohen, sipas njoftimit mbi promovimin e librit të profesor Skendaj, “Krijimi i Kosovës: Mbikqyrja Ndërkombëtare dhe Themelimi i Institucioneve Etike”, se me disa vendime që kanë marrë gjatë viteve, aktorët e ndryshëm ndërkombëtarë gjatë këtij procesi, kanë minuar mundësinë e publikut të Kosovës për të mbajtur përgjegjës për punën e tyre, zyrtarët e zgjedhur të institucioneve ndryshme të shtetit të Kosovës.
Libri “Krijimi i Kosovës: Mbikqyrja Ndërkombëtare dhe Themelimi i Institucioneve Etike” i Dr. Elton Skendaj është vlerësuar nga akademikë amerikanë si profesori Alex Gridoriescu i Universitetit Lojola në Çikago, i cili e ka cilësuar atë, “si një libër që ofron një mirëkuptim të masave që duhen marrë për shtetbërjen dhe ofron gjithashtu mësime praktike por të rëndësishme për aktorët ndërkombëtarë që janë të angazhuar në përpjekje të tilla.” Ndërkohë që profesori Aidan Hehir i Universitetit Westminster ka vlerësuar veprën e Dr. Skendajt si një, “Libër të shkruar dhe të hulumtuar shumë mirë, e në të cilin i ofrohen lexuesit hipoteza bindëse mbi nevojën se si — gjatë procesit të shtetbërjes — duhet të mënjanohen disa aspekte të punës së burokracisë duke i izoluar ato nga veprimtaritë politike të ditës”.

Filed Under: Kulture Tagged With: MBI KOSOVËN, Nga Frank Shkreli, nje liber i ri

KRIME QE MBAHEN TE FSHEHURA

March 7, 2015 by dgreca

HAPNI DOSJET!-“TURP PËR JU, AS NË MESJETË NUK JANË PËSHTY TË BURGOSUNIT RRUGËVE SI TASHTI!”/
47 VJET: TUE U PËSHTY NJË POPULL…/
Nga Fritz RADOVANI/Australi/
■Ishte vajza e ré Drita Sokoli, nxanëse e Gjimnazit të Shkodres, që në 1946 pa frikë e me guxim të pashoq ua perplasi per surrat Çiril Pistolit me shokët e tij komunistë e agjentë të sigurimit, pështymjet e Klerikëve Katolik tue dalë nga gjyqi tek kinema “Rozafat”…
■Janë 47 vjetë diktaturë e pashoqe që kerkoi me shkatrrue me thëmel bazat e atij të papersëritëshmit Unitet ndërmjet Besimtarëve Katolikë e Muslimanë në Shkoder!
■Në Fushen e Çelës së qytetit të vjetër e historik shetitja në darkë tregonte edukaten e qytetarëve të saj që verbonte komunistët dhe vagabondët “sigurimca”, që me revole në brez kerkonin me dhunue Vajzat Burrnesha të Familjeve Shkodrane, nder zyret e porsa hapuna të rinisë komuniste në Gjimnazin e Shtetit dhe të institucioneve tjera të qytetit.
■Shkollat fetare ishin të hapuna per të gjitha besimet që në vitet 1925 ku, perfshihej edhe shkolla e Motrave Stigmatine të Shkodres, e cila u mbyll e para në vitin 1945… Vajzat me Kryqa në qafë e madaja, verbonin rininë komuniste e prindët e tyne në sherbim të Titos. Ishin vjerrshat e ndalueme edhe sot të At Gjergj Fishtës dhe Don Ndre Zadejës, që duheshin fshij nga truni dhe librat e shkollave të “reja” sllavokomuniste të Shqipnisë.
■Në Janarin e 1945 arrijtën dy “heronj” në Shkoder Sheuqet Peçi dhe Mehmet Shehu. Duhej shtrue edhe Shkodra. Mbas arrestimit të At Gegë Lumaj dhe At Dioniz Maka, u arrestuen po në Janar edhe gra e vajza shkodrane: Margerita Gjeloshi, Ida Melgushi, Ida Lezha, Pina Kola dhe Gjystina Sekuj. Aranit Çela fillon karriren e kriminelit me femna.
I kam njoh të gjitha dhe mund të them se ishin ajka e kultures së Shkodres para 1944.
■Plot 70 vjetë që në Janarin e vitit 1945 fillojnë edhe interrnimet e familjeve “reaksionare” me Familjen e Gjonit Markagjonit, Roza Jakova, Elena Gjelosh Lulit (Mirakaj), Familja e Lin Delisë, Nedin Zajmit, Familja Derguti, Familja e Gjon Shytit, Angje Vasia, Nine Destanisha, Familja e Sabri Dacës, Lutfije Omari, Maria e Nush Topallit, Familja e Cafo Beg Ulqinit, Hava Rrepishti, Hatixhe Pipa, Familja Anton Dukagjinit, Familja Serreqi, Motrat Lula e Leze Kol Hysaj nga Vermoshi, Familja e Mul Bajraktarit, Flora Pali dhe sa familje të tjera që i pasuen mbas 15 Majit 1945, si Familja Mirakaj, Mulleti etj… Bashkë me pleqë e fëmijë, shumica perfundoi në Tepelenë, Berat dhe ku kishte kampe Urije dhe vuejtjesh të paimagjinueshme, që as nuk mund të kuptohet se kush i projektoi përveç, kenjes vrastarë e kriminel të pashpirtë ashtusi ishte Enver e Nexhmije Hoxha, Mehmet e Fiqrete Shehu, Ramiz Alia, Omer Nishani, Haxhi Lleshi, Koçi Xoxe, Manush Myftiu, Tuk Jakova, Aranit Çela, Misto Bllaci, Zoi Thëmeli, e emnat e këtyne vrastarë fëmijshë do të vazhdojnë pambarim deri tek mumjet e terrorit Xheudet Miloti e Shyqyri Çoku…
■Po varrezat a dihen ku i kanë të Ndjerat që vdiqën në interrnim: Dava e Mrika e Gjonit Markagjonit, Marta Markagjoni, Hajrije Mulleti, Vasfije Dema, Cubë D. Mirakaj, Kune Mirakaj, Sulltane, Meleqe e Rukije Dine, Caje Merlika, Ana Pervizi, Roza Marashi…
■Po Emnat e Engjujve të vegjel që u ngjitën në Qiell nder kampet e shfarosjes ku janë? ■Në vitin 1946 fillojnë edhe vrasjet e pushkatimet pa gjyq. Shumica e Këtyne Heroinave as nuk zehen me gojë, jo vetem Emnat e Nderuem po, as Veprat e Tyne Heroike!
■Në 15 Nandor 1946 pushkatohet në Prizren Marije Shllaku, nga Shkodra.
Vritet në Sheldi me 5 Dhjetor 1946 Marije Deda (Zojzi), me burrin e saj Pjeter Deda.. Vriten me armë në dorë Burrneshat legjendare Liza Mali, Bardha Bushkola, Gjela Biba dhe vdes në tortura Marije Tuci… Marija, Motra e Zadrimës varet nga toger Baba…
■Vriten në Malësi: Mara Ali Bacaj, Marije Dedë Preka, Lula Mirash Dodaj, Katrina Nik Bibaj; në Lezhë, Dila Bala dhe në Pukë: File Mimani dhe Hamide Vukaj… (Disa nga këta Emna të Nderuem janë marrë nga libri “Dhimbje” e F. Mulletit)
■Arrestohen: Marta Doda, Agime Pipa, Adile Boletini, Terezina e Liza Pali, Ana Daja, Viktore Kuka, Drita Kosturi, Sadije Kazazi, Frida Sadedini, Lavdije Petrela, Bigje Pistulli… Torturohen, masakrohen dhe vuejnë vite e vite tmerri burg e uri…
■Arrestohet në Shllak, tek shpella e Mëri Kokës Palina e shoqja e Gjon Pukës, me nusen e nipit vet Lena Prendushi, e cila, ato ditë lindi edhe vajzen në hetuesinë Shkodres…
■Kush i projektonte dhe zbatonte këto vepra terroriste, a duhet ti dijnë Shqiptarët?
***
■Kur u arrestue mësuesja e Nderueme zj. Viktore Kuka, në shkollen e Dajçit të Bregut të Bunës, unë ishe nxanësi i Saj… dhe gati mbas 45 vjetësh jemi takue e kemi shkembye kujtime të asaj kohë sa të trishtueshme aq edhe të lavdishme… Kujtonte Nanën time me sofratasa tek dera e burgut Fretenëve, që e kishte pa nga dritaria me hekra…
■Mbas vitit 1991 njoha afer Heroinen Terezina Pali (Zorba), per të cilen edhe sot ruej një respekt të veçantë, Ajo ishte Burrneshë dhe kurdoherë prania e Saj, i nderonte dajat e masakruem Thani, po me kujtime të saja ngrinte naltë Martirë që koha po “errsonte”!
■Kujtoj si tashti kur më foli per kohën që ka kalue në birucë me At Mati Prennushin, kur ishte kthye nga filmi që kishin xhirue operatorët jugosllavë tek Elteri i Shna Ndout, ku sigurimi kishte futë armët me akuzue Klerin…Mezi po ecte At Matia, se e kishin shty dhe ishte rrëzue dhe i ishte ajtë kamba… Megjithate, më thonte eja të këndojmë per inat të këtyne qejvet, dhe fillonte Ai vetë: “Në Shkodren tonë ka ra nji dritë!…” (1992)
At Çiprian Nika ishte me të vërtetë si Shenjt, vazhdonte Terezina, vuante shumë prej kambëve se ia kishin djegë damarët me hekur të skuqun ndërsa, çorapët iu ngjiteshin për mish nga plagët e peshgvës, kësi plagësh kishte edhe në shpinë, këmisha ju shkapte prej plagëve vetëm… kur e thërriste hetuesi që ma shpesh e siellte pandjenja e rrëshqanë se me kambët e veta, njenen kambë ia thyen e megjithatë, edhe ashtu gjente forca me qëndrue … forca e tyne ishin vetëm urata e lutjet e vazhdueshme…
Në bisedat e Saj zj. Terezina, veçonte nder agjentat e sigurimit të asaj kohë (1946): Mili Misja, Satber Jubani, Sadush Kumbaro, Haxhi Pela, Agim Bejleri, Isa Miloti…
■Ja dhe disa kujtime nga ditët e zeza të jetës këtyne Heroinave të Pathyeshme:
■Një zonjë (K.V.) tregon: “… na rrahnin, na shanin me fjalët ku ishin ma të ndytat. Ishim të rëja 18 vjeçe, nuk i kishim ndigjue kurrë ato flligështina, na torturonin dhe mandej na çvishnin vetëm ndër këmisha në pikën e dimnit, na hidhnin ndër dhomat e priftënve… Por, ata menjëherë na mbulonin me pelerinat e tyne, e vetë mërdhitnin të shkretët gjithë natën. Kur na dilte gjumi mbas sa orësh lodhje në tortura, i ndigjonim tue thanë uratë. Na u thonim: “Merre tash pelerinën dhe flej pak edhe ti, se nuk ke mbyllë sy gjithë natën! – Jo, jo, vazhdo e flej ti, – na thonin ata, – flej edhe pak se je e re, na jemi mësue e po durojmë…” Porosia e tyne ishte: “Mundohuni me durue për hatër të Zotit!…”
■Më shpjegonte me dhimbje zj. Viktore Kuka, sesi njëditë i ndjeri Dulo Kali i kishte kërkue pak ujë me pi Dulaç Lekiqit, dhe ky i thotë Elez Mesit me i sjellë një safë me ujë Dulit. Elezi ia sjellë dhe Duli e piu atë ujë i thamë etjet që mbas pak minutash i shkreti Dulo Kali, rropatej në birucë nga tmeri, mbasi uji ishte kenë i krypun… Elezi tallej në korridor, “lypé ujë, ta sollëm, po bërtite po të japim edhe hû …”
■Tronditej tashti zj. Ana Daja, kur shpjegonte sësi ka pa Don Anton Muzaj, në hollin e Kuvendit të zhytun deri në bel në një ujë të qelbun të përzimë me pisllëkun e pusave të zezë, në të ftohtin e dimnit të Shkodrës dhe kur e merrte kolli Até, skuqej ai vend nga gjaku që nxirrte përgoje… E torturonte tregonte ajo, i pashpirti Pjerin Kçira.
■Aranit Çela merr në pyetje para gjyqit dhe porositë hetuesin per Liza Palin: “Kjo ka shumë frikë, torturojeni se ka për të pranuar akuzat… Detyrojeni që të deponojnë edhe per Klerikët e arrestuar…” Po, në fakt nuk ua plotsoi Liza me shoqe dëshirat katilëve…
HAPNI DOSJET ! Burrneshat e Pathyeshme nga sigurimi duhet ti njohin Shqipnia!
■Në vitin 1993 pata fatin me njoh zj. Drita Kosturi, e cila më tregonte sesi e kishin lidhë në një shtyllë druni At Frano Kirin, e kishin nxjerrë në pishën e diellit në piskun e vapës në verë të veshun trashë. Kur i kërkonte ujë ose me krye nevojat përsonale, e lironin shtyllën e mbajtun me litar dhe i shkreti At Frano, përplasej me fëtyrë përtokë, gjakosej, shpesh humbiste ndjenjat, e lagnin me ujë dhe e ngjitnin prap shtyllën nalt… Disa ditë e kishte pa ajo vetë me sytë e saj derisa ishte ba që nuk njifëj ma cili ishte… Zgerdhihej poshtë Zoji Thëmeli, Dul Rrjolli e Lilo Zeneli kur binte At Frano permbys e gjakosej!
Ajo ishte një Moter e Vërtetë e të Vuejtunëve, ashtusi e ka quejtë At Palë Dodaj…
■E Nderuemja zj. Adile Ashikja, shpjegonte sesi Fadil Kapisyzi e Dul Rrjolli kishin mbytë në korrent elektrik At Bernardin Palaj, tek konvikti “Malet Tona”…ku e varrosën.
Në vitin 1968 kur po demaskohej Kleri Katolik në “Revolucionin Kultural”, kerkojnë nga zj. Adile me akuzue Imz. Ernesto Çoben, tek i cili kishte shkue dy ditë përpara… Ajo u çue në kambë në mbledhje dhe u tha: “Nuk ju vjen turp, unë kam shkue tek Imz. Çoba dhe i kam kerkue pare me ble buken se nuk kishe, e ju më kerkoni me shpifë për Té!”
Po, sot a nuk duhet me mësue Shkodra se ku ishte Xhemal Dini e Angjelin Kumrija, kur zj. Adile, shkoi në Argjipeshkvinë e Shkodres…? Atëherë zj. Adile e interrnuen, ndersa agjentët e sigurimit që vezhgonin Imz. Ernesto Çoben, Don Mark Hasin dhe të tjerë klerikë apo laikë që ndiqeshin prej tyne sot, po “vizitojnë” Vatikanin e Romën…
■Ishte vajzë e re zj. Laura Keçi, kur arrestohet dhe masakrohet në hetuesinë e Shkodres nga krimineli Shyqyri Qoku, dhe pranë qelisë kishte Don Mikel Beltojen… Ato ditë kur Até do ta pushkatonin, zj. Laura kujton porositë e Tij: “Tregoni Hoxhës dhe Shehut… atyne që me krimet që kanë ba kanë shkretnue familjet Shqiptare dhe kanë vorfnue edhe kombin tonë… U thoni: Hiqni dorë nga vrasjet e djelmëve, vëllazënve tuej, mos veshni zi nanat, motrat e gratë Shqiptare që tash sa vjet nuk i kanë hjekë rrobat e zisë… I thoni “damave” të tyne mos u kënaqni me vrasjët e gjakun e bijve e bijave të Shqipnisë!
Keni harrue se jeni tue vra Shqiptarë! Shkatrruet Atdheun!” (Nga letra e zj. L. Keçi)
■Pa u largue nga viti 1974, kam shkrue para një viti se, kur i duhej gjak fëmijësh të porsa lindun me i “dhurue” tiranit Popullit Shqiptar Enver Hoxhës…atëherë flitej permbi 120 fëmijë u mbyten në maternitetin e Tiranës në tri ditë të fillimit muejt Prill, me urdhën të “heroinës” Nexhmije Hoxha, per me i shpetue jeten katilit Popullit Shqiptar..?! – Askush nuk flet! A thue vazhdon edhe sot frika? Ma shumë asht “sekreti” që “bluzat e bardha” ashtusi në të gjitha veprimet tjera të tyne në sherbim të sigurimit të shtetit, vazhdojnë mbajtjen e fshehtë të krimeve të kryeme me duertë e tyne… Po, mos harroni, se dhimbjet e zemres Atyne Nanave që ua keni shkëputë foshnjet nga gjiu, vazhdojnë me lotue!
■HAPNI DOSJET ! Tue dashtë me Ua marrë nderin dhe Fëtyrën Heroinave Shqiptare, me Ua plasë Zemrat dhe me Ua shporue në hanxharë, tue Ua vra e masakrue loçkat e veta,Ua keni ngritë Monumentin e Lavdisë së Përjetëshme!..Nuk asht largë dita që rreth Atij Monumenti të Nanave e Motrave tona, do të vallzojnë edhe Engjujt e Qiellit!
Vazhdon Pjesa V… “Para Pushkatimit…”…
Melbourne, Mars 2015.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fritz Radovani/ Australi/ hapni dosjet 4

Mora ne Bruksel dashurine tuaj nga Florida

March 7, 2015 by dgreca

NGA BAJAME HOXHA-ÇELIKU, BRUKSEL/
Po largohem nga Florida me dashurinë tuaj me vete/
Dikur kam qenë e internuar dhe s’i kaloja dot as e vogël e as me tim shoq, rreth katër km² territor që e rrethonin kampin e Savrës. Është një keqardhje e përzier dikur me lot dhimbje kur njeriu mendon se çfarë është liria,hapësira, detet, oqeanet, treni, autobusi,anija, avioni,vetura, aq më tepër kur e kapërcen atë prag dreqi të ndaluar e merr udhëtimin për shumë larg, deri atje ku kemi shkuar vetëm me imagjinatë, dhe le pas ato shpella skëterre, apo kampet të fëlliqura si nga ambienti dhe nga personazhet e titullarët diktatorë e të çmendur për të shtypur, e fyer, për të të marrë edhe frymën e fundit, dhe jo në pak raste në tortura të tmerrshme fizike dhe ato psikologjike, kur temperatura i kalonte 42°c. Nuk shkohet përpara pa menduar të djeshmen, pa lidhur kohët, pa bërë krahasimet, pa kujtuar fëmijërinë tejet të vrarë e të rreckosur,të pa ngrënë e të braktisur, syrgjynosur e katranosur, nëpër kampet e komunizmit të dalë boje, por ne krenarë për pastërtinë shpirtërore të nënave tona heroike mbijetuam duke u rritur jetimë por me dinjitet. Ishim shembull i pastërtisë në ato kushte e kohë të kufizuar sepse duhej të gdhiheshe e të ngryseshe nëpër fushat e apelet e pafund të myzeqesë të cilën e kthyem në hambarin e Shqipërisë, duke hapur me krahë kanale të thella kulluese,vaditëse, lloj-lloj punësh të tjera të rënda, me kazma e lopata, duke e niveluar, si i vogli në moshë punoi, ashtu dhe i madhi, kur në çdo vend të botës, këto punë teje dërmuese, i bënin makineritë përkatëse të kohës.
Liria! O zot! Sa fjalë e gjerë dhe e bukur sa vet jeta!Dhe erdhi koha që diktatorët të mos kenë më skllevër pune, vallë ç’bëjnë ata tani pa ne? Kë shtyjnë? Kë fyejnë e ofendojnë? kujt i çirren e hakërrehen? Ua kemi falur kampet t’i mbajnë me shëndet! Mjaftë punuam për ta! Me keqardhje e shkruaj: po ne u kemi falur të gjithë Shqipërinë, atdheun, që të kacafyten tani me njëri tjetrin. Këtu, nuk kemi bërë zgjidhje të drejtë. Gabimi qe se mungoi partia e duhur në 24 vjetët e fundit, ajo që duhej krijuar në “ditët e fundit të pompeut” Partia e të përndjekurve politik, në të cilën do të merrnin pjesë me qindra e mijëra shqiptarë që vuajtën ferrin komunist e të mbronin të drejtat e tyre të cilat edhe pas demokracisë u shkelën, u morën nëpër këmbë, e të gjithë mbetën pa strehë pasi dolën nga kampet e burgjet. Në këtë kategori njerëzish, bëj pjesë dhe unë,familja ime e përbërë nga pesë persona, dhe sot e kësaj dite nuk ka shtëpi në asnjë vend të botës, me e dhimbshmja s’kam në atdheun tim, ku punuam e derdhëm djersën lumë si kafshë tërë jetën që nga mosha 11vjeçare e deri në “demokraci”. Shpesh kam bërë kërkesë në qeverinë e Berishës për të kërkuar atë pjesë të vogël të pensionit të veçantë si gjithë kolegët e mi, si krijuese me shumë e shumë tituj e kontribute të tjera në dobi të demokracisë. Këtë ma jep ligji, po fatkeqësisht nuk e kam fituar, ligji ma jep, sundimi e ndal!Edhe verën e shkuar e kërkova përsëri po përgjigjja mbërriti negative. Vetëm kryeministrit të sotëm nuk i jam drejtuar ende, po le të shpresoj.

Pas shumë sakrificash për të qëndruar në Atdhe, kapërceva me vështirësi kufijtë dhe u stabilizova në Bruksel, duke u bërë Belgjika një atdhe i dytë për mua, më dha vendin e merituar, më kthehu dinjitetin të cilin ma kishte mohuar vendi im Shqipëria. Ky atdhe i dytë, më bëri vend si bijës së vet të vuajtur nën një diktaturë të urryer. Kështu prej shumë vitesh gëzoj pasaportën Belge, pasi nacionalitetin me gjithë familje na i dhanë brenda dy vjetësh.
Kur viziton Evropën sigurisht ka dhe më tutje është toka e premtuar, ose e bekuar, Amerika. Mua m’u dha rasti fillimisht të vizitoja shtetin e Floridës në Amerikë, për çështje pune, por dhe motra ime Shpresa Kulla, me familjen e saj të nderuar,të shoqin gëzimin, dhe tre fëmijët Sonilën Evën dhe Gencin banojnë atje. Ata kur shkuan kishin me vete dhe heroinën, nënën e mrekullueshme të Gëzimit,Myneverin, e cila sakrifikoi jetën duke provuar të gjitha kampet famëkeqe të Shqipërisë, që nga Tepelena dhe së fundi në kampin Savër,me të birin katër vjeç e s’u martua kurrë më. Ajo i qëndroi të shoqit të arratisur në Amerikë besnike për tërë jetën. Tani ajo s’është më. Po unë sa herë që shkoj përulem para varrit të saj me një tufë lule, dhe instinktivisht më pikojnë dy pika loti në kujtim të së kaluarës së hidhur dhe të qëndresës së saj heroike. Pas demokracisë motra u sistemua në këtë vend të begatë me shumë demokraci. Fëmijët tani janë të rritur Sonila punon në një zyrë shtetërore, Eva punon Stewardess që me rastin e 11 shtatorit, kurse Genci, Inxhinier elektronik.
Në shtetin e madh e të bukur të Floridës, të bien në sy rrugët të gjëra me nga katër korsi, e me shumë ura moderne ku qarkullimi i dendur nuk pengohet kurrë, dhe syri të sheh e të ngopet me fusha të pa fund, ku mungojnë vetëm malet sidomos në Orlando mungojnë edhe kodrat, dhe çdo shtëpi ka pishinë, ose liqen origjinal te ballkoni i katit të parë. Me që Florida është e njohur nga liqenet e shumtë, banesat janë ndërtuar rreth e rrotull tyre, që nga lartë duken aq bukur si lule-lule të vizatuara në forma të ndryshme.
Këtë shtet është e dyta herë që e vizitoj, dhe mbeta e mahnitur për vet faktin se aty është gjithmonë ngrohtë e nuk bën dimër. Vend për fukarenjtë por në fakt atje janë të gjithë të pasur se i thonë:Amerikë. Pa le të vizitosh Manhattan New York, me qendrën e tij madhështore, e me ura marramendëse pastaj Statujën e Lirisë, Brooklyn, Bronx, Pennsylvani, Çikago, Michigan, etj, mbetesh pa mend, pa e zënë në gojë Kanadanë që duhet kohë për të qëndisur një libër për mrekullitë e saj.
Gjëja e parë që më ka rënë në sy dhe herën e parë, është se, femrat shqiptare ishin shumë të avancuara, kishin ecur përpara me guxim, duke çarë jetën me forcën e dijes, të mendimit,të kurajës dhe me krenarinë e origjinës. Të gjitha të zonjat, të shkolluara apo mbrojtur diplomat me aftësi të paparë në vendet që banonin, e jo qyqare të sunduara nga burrat, që të prisnin gjithçka nga burrat apo fëmijët e tyre. Ato janë shembull i krenarisë, si Shpresa Kulla,Flutura Simaku, Alketa Gega Shingjergji, Nazmie dorona, Adela Reçi, sidomos Liri Themollari vetëm me zotësinë e saj mbante një restorant të madh i cili frekuentohej shumë nga amerikanët. Në Orlando lashë pas, miket e mia të mira ku shpesh pinim kafe së bashku në Starbucks, apo nëpër familjet e njëra tjetrës ku tema kryesore ishte: Shqipëria sot, letërsia,puna, dashuria. U largova nga ky shtet mikpritës, duke marrë me vete dashurinë e tyre të pakufishme. Ndër të tjerat, përshtypje të mëdha më la një zonjë e nderuar që quhej: Meli Alla, më e moshuara ndërmjet tyre. Kjo grua vitale me autoritet, e cila kapi Amerikën në moshë të konsiderueshme 59 vjeçare,me të shoqin Nexhmi Alla, mësoi mirë anglishten, mësoi dhe mori patentën për veturë në Orlando, pastaj, studioi për të fituar Nacionalitetin Amerikan dhe e fitoi. Kështu Meli Alla, i doli për zot vetes dhe familjes, sepse në Florida, pa makinë je pa këmbë. Kjo Zonjë e nderuar që sot është te të shtatëdhjetat, që në pamje të parë të le përshtypjen e një gruaje që vinte nga gene fisnike, aktive si në punë e në shoqëri, dhe së fundi anëtare e kryesisë së shoqatës “Vatra” në Orlando, e cila u krijua një vit më parë,dhe mbetet një nga themelueset e saja. Meli Allën do ta gjeje duke lexuar gazetën “ Dielli” apo në çdo kuvend apo bisedë shoqërore, ndonëse e moshuar ajo nxitonte me një veturë të vogël, sa te njëra te tjetra për t’i ardhur në ndihmë ndonjë patriotes që kishte probleme shëndetësore,me letrat, në familje, apo probleme shoqërore. Ajo i shtronte qetë-qetë punët dhe i sheshonte me mençuri e dashuri njerëzore, se zoti e dërgoi vetëm për të bërë mirë e t’u gjendet njerëzve në nevojë. Natyra e saj e butë e bujare, gjithnjë e qeshur të bënte për vete, të ngjallte admirim,dhe mendimi shkonte larg, aq larg sa të dukej se nuk kanë fund Nënë Terezat shqiptare, dhe kështu, të pajisur me kaq shumë virtyte të larta, e njoha unë këtë shqiptare të pa lodhur dhe krenare. Thjeshtësia e saj e karakterizonte në çdo hap që hidhte, edhe pse tërë jetën e saj e kaloi në kryeqytetin e Shqipërisë,Tiranë. Meli, ndjehej e barabartë me më të thjeshtat gra,edhe pse kishin nga një punë të mirë bashkë me të shoqin inxhinier në zyrën e projektimit. Ky çift i mrekullueshëm, rriti dhe edukoi mirë si askush tjetër dy vajza të bukura Matildën dhe Adelën, duke çuar Matildën e shkëlqyer të kryente universitetin në Ekonomi. Familja Alla, njihet për mirësitë e pakufishme edhe kur banonin në Tiranë. Kështu kanë gëzuar respektin dhe dashurinë e të gjithë atyre që e kanë njohur. Por ja, jeta ka të papritura, dhe zemrat lëndohen deri aty ku dhemb shpirti në pafundësi. Çifti Alla, së fundi, afrohet pranë vajzës së tyre të vetme Adelës, e martuar me Aldo Reçin, me banim në shtetin e Floridës, që prej 11 vjetësh. Çifti i ri Reçi, qe stabilizuar në Orlando, kur Çifti Alla, vendosi të largohej nga Tiranë e të banojnë pranë vajzës dhe nipave në Orlando. Ata të dy vendosën të marrin një shtëpi të vogël me qira, në të njëjtin qytet që vajzës t’ia lehtësonin sadopak dhimbjen e anasjelltas, por pa ndërhyrë në familjen e saj të re, e të mrekullueshme. Meli dhe Nexhmiu tashmë në moshë, kanë dhe dy nipa në Shqipëri nga Matilda, Kim dhe Ted. Kimi tashmë tetëmbëdhjetë vjeçar, këtë vit, i gëzoi gjyshërit e vet me vizitën që u bëri në Orlando mbasi ai është me studime në Kanada,(shkollën që kreu dhe e ëma) kurse Tedi vazhdon gjimnazin në Tiranë pranë të atit,Ilir Kurti. I shoqi i Adelës, Aldo ,një djalë flori nga pamja dhe nga puna, i zoti dhe largpamës, mikpritës në familje dhe në restorantin e tij si askush tjetër. Ai ka një restorant të bukur të madh ku shpesh ftohen prej tij njerëz të kulturës shqiptare dhe shtron dreka e darka për nder të tyre. Pra Zonja Meli, gjen forca e gjithmonë shikon përpara, për t’i ardhur në ndihmë me veturën e saj të vogël çdo shqiptari që është në nevojë, sidomos femrave, të cilat janë nga natyra më delikate kur ndodhen për herë të parë në dhe të huaj.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bajame Hoxha-Celiku, Bruksel, florida

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4039
  • 4040
  • 4041
  • 4042
  • 4043
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT