Zonja Xharra, kryeredaktore e gazetës Zëri të Prishtinës, është në mesin e fituesve të çmimit që ndahet nga sekretari amerikan i shtetit.
Kryeredaktorja e të përditshmes Zëri, Arbana Xharra, është fituese e Çmimit prestigjioz Ndërkombëtar për Gra të Guximshme, që ndahet nga sekretari amerikan i shtetit.
Çmimi i nderon gratë anekënd botës, të cilat kanë treguar guxim dhe udhëheqje të pashoqe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe përparimin shoqërorë. Përveç kësaj, ky çmim i nënvizon përparësitë strategjike të Byrosë Evropiane në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e korrupsionit.
Ky është çmimi i vetëm i departamentit të shtetit, i cili i nderon udhëheqëset nga e tërë bota.
Në një njoftim të ambasadës amerikane thuhet se “raportimi i Arbana Xharrës kontribuon në forcimin e demokracisë së Kosovës. Raportimet e saj të hershme mbi ekstremizmin fetar dhe ndikimin e tij në shoqëri kanë zbardhur një çështje serioze për Kosovën dhe tërë rajonin. Xharra është autore e një sërë raportesh hulumtuese mbi ekstremistët islamikë që veprojnë në Kosovë, si dhe ka zbuluar lidhjet financiare dhe operative me organizatat e huaja terroriste. Këto përpjekje jo vetëm që e ndihmuan shoqërinë ta kuptojë problemin, por edhe nxitën përpjekjet e qeverisë për ta adresuar këtë çështje. Reagimet ndaj raportimeve të saja rezultuan me sulme të hapura mbi reputacionin e saj dhe kërcënime për jetën e saj dhe kundër familjes së saj. E papërkulur, Xharra vazhdon të raportojë mbi keqpërdorimet në institucionet publike”.
Departamenti i Shtetit do të organizojë ceremoninë për ndarjen e Çmimit Ndërkombëtar për Gra të Guximshme të enjten me 5 mars.
Krahas zonjës Xharra, këtë cmim e kanë fituar edhe Niloofar Rahmani nga Afganistani, Nadia Sharmeen nga Bangladeshi, Rosa Julieta Montaño Salvatierra nga Bolivia, May Sabe Phyu nga Burma, Béatrice Epaye Republika e Afrikës Qendrore, Marie Claire Tchecola nga Guinea, Sayaka Osakabe nga Japonia, Tabassum Adnan nga Pakistani dhe Majd Chourbaji nga Siria.(Kortezi:VOA)
“MËMËDHE TË KAM NDJERË, S’TË KUPTOVA ASNJËHERË”
Nga Fadil LUSHI/
Temat e shkrimeve zakonisht i zgjedh vetë dhe jo me “sugjerime a me porosi”. Tema e vështrimit në vijim më “doli” nga një vizitë që kohë më parë ia bëra motrës, diku pranë Dardaneleve. Ishte një takim me “sebep” të caktuar. Detyrimisht duhej të merrja pjesë në një ceremoni të përmortshme diku në varrezat e një lagjeje të Stambollit (Erenkoy), aty ku prehen eshtrat e Shemsettin beut, gjegjësisht Samiut nga Frashri i Përmetit. Për këtë arsye në një agshol të “vonuar” vendosa, ashtu pa qejf, të marr udhë për në “vatanin e dytë” të fisit tim dhe shumë fiseve të tjera shqiptare. Ishte një agshol i zymtë dhe pa “dritë”. Unë dhe ca bashkudhëtarë të mi, sikur donim që ky “sabah” të ishte paksa më ndryshe…, më human, më i ngrohtë, më i…, por ja, natyra jo gjithmonë është në “harmoni a në përputhje” me vullnetin dhe dëshirat e njeriut!?
Në atë funeral disi zyrtar, më ra rasti të takoj shumë njerëz. Ishin shqiptarë, shumë më të mençur dhe shumë më të moshuar se unë. Njëri prej tyre më parashtroi pyetjen se a e njoh, kurse unë ia ktheva se jo. Nga ta njihja… Ai pastaj më tha: “Nuk më njeh se gjatë kohë isha në burgun e… A e keni shtëpinë që ia shita babait tuaj diku në vitet e gjashtëdhjeta…” Po, i thashë, po edhe sot e gjithë ditën e Perëndisë e “mbajmë me qira dhe pa tapi”(!?).
Njerëzit që i takova të gjithë ishin me gjak shqiptari, kush më i moshuar, kush më i ri, kush me flokë të bardha, ca me “bastunin” në dorë, kush me shikime të humbura, me vështrime të thella, ca prej tyre mbamendjet u ishin shndërruar në robinja të së kaluarës, të asaj të kaluare që nuk shpjegohet as me gojë, nuk lakohet as me laps dhe nuk ndihet as me…, në sytë e tyre nuk kishte lot…, kishte vetëm kujtime të shpërndara gjithandej…, sikur ishin të vendosura në “hapësirat e shpellave nënujore”, aty ku futesh e nuk del dot asnjëherë…, kush me kujtime të paharruara, me kujtime të fëmijërisë…, ca të tjerë tundnin tespihet dhe sikur donin t’i numëronin motet e tyre të “humbura”. Ishin njerëz të dashur, të “qeshur”, të ndershëm, të maturuar, të gojës…, njerëz me taban. Se të gjithë ishin shqiptarë, i njoha nga faqkat dhe nga rrudhat e ballit, rrudha që janë karakteristike për shqiptarët, rrudha që numërojnë mote, rrudha që shpjegojnë agsholet e “vonuara të orientit”, rrudha që lakojnë një të kaluar të rraskapitur, rrudha që shpjegojnë “derte”, rrudha balli që “hiqen” si dëshmitare pamore e dëgjimore të meselesë së shpërnguljeve të pavullnetshme, të psherëtimave…, rrudha që shpjegojnë të kaluarat e breznive. Të gjithë i takonin një race…
Pa hezitim takohen me mua, pas gjashtë dekadash…, të gjithë llafosin me atë të folmen fisnore, me atë dialektin e kulluar, por të “mallkuar deri në palcë”, një dialekt i arratisur nga brezni të tëra, një dialekt gegë i “arrestuar a që është kapur dhe që mbahet në rojë të Grykës së Bosforit”, një dialekt që jeton me të kaluarën në tokë të huaj…, një dialekt që i bën sfidë harresës së tyre kolektive. Kur i dëgjoja se si flisnin më krijohej përshtypja se më shumë dominonin emocionet, sesa logjika. Ata flisnin herë shqip e herë turqisht, herë me “isharete e herë me temsile”, herë me… Ishte një bisedë e mbarë…, pavarësisht se ngatërronte shikimet, një bisedë që ngatërronte mendimet, një bisedë që pështjellonte kujtesat e njëri-tjetrit, një bisedë që nuk kishte fund.
Kësaj bisede iu “bashkëngjit” edhe varrmihësi. Ky varrmihësi më dukej sikur qëllimisht më sillej vërdallë, sikur donte “të më merrte në nishan të lopatës së tij(!?)”(se ç’më kishte fiksuar nuk e kuptova dot), sikur qëllimet i kishte “vrastare”, sikur donte të më thoshte: “ti duhet të jesh arnavut“, si-kur donte të thoshte: “më jep ca lekë dhe unë të gjej një vend në xhehnetin tonë otoman”. Nuk i “besova”, sepse sipas etimologjisë a drejtshqiptimit të gjuhës së tij, fjala “xhehnet” nga fjala “xhehnem” dallon vetëm me një shkronjë. Nuk “desha ta paragjykoj”. Në vend se ta pyesja se ç’kishte me mua, e “sikterisa” me dialektin e tij anadollak…, duke i thënë: Shporru nga unë dhe nga hija ime prej shqiptari… Por ai ma ktheu: “Para se të shporrem, më duhet të të tregoj se përballë e ke varrin e Shemsettinit (Samiut) nga Frashri. Të takon t’ia thuash një dua…, sepse ka shumë kohë që nuk është dukur shqiptar të përulet pranë lapidarit të tij, atij lapidari shkronjat e të cilit tashmë kanë filluar të zbehen, ashtu siç kanë filluar të zbehen kujtimet ndaj tij dhe të tjerëve të tillë si ai!?” Duke bërë duanë kushtuar Samiut, më shkoi mendja te poezia Anës lumenjve të shkruar nga Fan Noli: “Arratisur, syrgjynosur, /Rraskapitur dhe katosur, /Po vajtonj pa funt, pa shpresë, /Anës Elbë-s, anës Spree-së. /Ku e lam’ e ku na mbeti, /Vaj-vatani e mjer mileti, /Anës detit i palarë, /Anës dritës i paparë, /Pranë sofrës i pangrënë, /Pranë dijes i panxënë, /Lakuriq dhe i dregosur, /Trup e shpirt i sakatosur.” Duke përfunduar lutjet, pash një njeri duke hedhur një grusht dhe mbi varrin e shqiptarit të sapovarrosur, edhe ai quhej Shemsettin…, edhe ai grusht dhe u “tret a u shkri” mbi dheun e Orientit…, ishte tokë vatani…, dhe përveç që pash njeriun, ia dëgjova edhe atë fjalinë me dënesë: “Mëmëdhe të kam ndjerë, s’të kuptova asnjëherë”!
Para se të ndahesha nga bashkatdhetarët e mi, më shkoi mendja te disa burokratë të shtetit ku jetoj, në veçanti tek ata që merren me demografi, respektivisht me studime statistikore (të përbërjes së popullsisë shqiptare). A mos vallë në ata numra nuk janë “bërë hesap” edhe shqiptarët që i përmendëm më lartë…, apo janë shtrembëruar dhe abuzuar kokë e krye nën ndikimin e politikës shoviniste.
P.S. Motra ime (Nermineja), ajo fatkeqja e gjeneratës së saj, kësaj radhe “nuk më përcolli”…, me shpresën se prapë do ta vizitoj…
KOMITETI ITALIAN PRO KOSOVES I SHKRUAN PRESIDENTES DHE KRYEMINISTRIT:NDERRONI KURSIN!
COMITATO ITALIANO/
PRO KOSOVA/
il Segretario/
Zonja Presidente e Republikës së Kosovës/
Zoti Kryetar i Këshillit të Ministrave dhe Shef i Qeverisë së Kosovës/
arsyjea: letër e hapur mbi gjendjen e Kosovës/
Zonjë dhe Zotëri të nderuar,/
Komiteti ynë, i përbërë më së shumti nga anëtarë arbëreshë, u formua asokohe për të mbrojtur Popullatën kosovare kundër persekutimeve të ndërmarra nga një sundues të egër dhe të vendosur edhe deri në genocid.
Komiteti, pra, ka ndjekur dhe ndjek me plotë interes mbarë zhvillimin e çështjes kosovare. Edhe pas shpalljes së pavarësisë ka ndërhyrë pranë Organeve të Vatikanit në përkrahje të njohjes zyrtare të Republikës së re.
Gjithë dokumentacjoni i Komitetit, me sugjerimin e Ambasadores në Romë Sh.S. Gjonbalaj, sa më herët do t’i dorëzohet fondit arkivor të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë.
Megjithatë, prej ditës që kur edhe ne patëm festuar me gëzim të madh fitimin e Pavarësisë, prisnim me plot të drejtë një kthesë vendimtare në Kosovë, për t’u bërë ballë sfidave civile dhe ekonomike drejt themelimit të një demokracie të ndershme dhe të aftë kah sigurimi i të drejtave për të gjithë.
Komiteti ynë, prandaj, po pritka me mendje të ngrirë realizimin e këtyre shpresave legjitime, por për shumë kohë, e deri më sot, mbetet i ndërdymë duke vështruar luhatje në mënyrën e qeverisjes dhe mbizotërimin e interesave personale kundrejt të mirës së përgjithshme.
Ndonëse nga ana e të huajve një sjellje të tillë eshtë shkelje e madhe të mandatit ndërkombëtar, nga ana jonë ajo tjetër s’është se një krim i madh kundër Popullit tonë.
Sa marrim vesh kohët e fundit rreth grevës së minatorëve të Trepçës, na kujton me pikëllim një grevë tjetër të ndërmarrë kundër zvogëlimit të autonomisë nga ana e Milosheviçit, kurse greva e sotme na duket e rënduar nga fakti se ajo bëhet kundër Qeverisë legjitime.
Më në fund, lajmet që po na arrijnë mbi braktisjen e tokës së vet nga Kosovarë të uritur, të cilët përmes Serbisë dhe Hungarisë shkojnë në Unionin Evropjan, trokasin fort në ndërgjegjen tonë dhe na kushtëzojnë t’u drejtohemi Shefit të Shtetit dhe Shefit
të Qeverisë së Republikës për t’u kërkuar një ndryshim kursi dhe një angazhim më të madh në shërbim të kolektivitetit të qeverisur.
Të vendosur të shohim kondita normale për të dashurin Popull Kosovar, në emërin e Anëtarëve të këtij Komiteti dhe timin personal, Ju paraqes, Zonja Presidente dhe Zoti Kryetar, ndjenjat e nderimit më të thell.
Palermo, 28 Shkurt 2015
Prof. Zef Giuseppe Chiaramonte
via Alfredo Casella, 60 90145 PALERMO tel.+390916820250
SIMPOZIUM SHKENCOR KUSHTUAR SHTJEFËN GJEÇOVIT
Në prag të festës së 7 Marsit/
Nga Prof. Murat Gecaj/
Siç është e njohur dhe na tregon tani prof. Musa Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave të Edukimit, në Tiranë, krahas studimeve e botimeve për çështje aktuale të arsimit e të shkollës dhe të mendimit tonë pedagogjik në mbarë trojet shqiptare, ky instuticion joqeveritar ka përgatitur e organizuar disa konferenca zonale, kombëtare, mbarëkombetare dhe ndërkombëtare. Me emrin e kësaj Akademie, janë botuar disa vepra në nivele universitare, si “Vetëvlerësimi shkollor”, “Historia e arsimit dhe e pedagogjisë shqiptare”, “Mësuesi e pedaogu, personaliteti dhe etika e tyre”, “Pedagogjia SHSHPP (Pedagogjia:shkolla shqipe, me program plotësues) etj.
x x x
Në vazhdim të veprimtarive të mëparshme dhe në kuadrin e 140-vjetorit të lindjes së atdhetarit , studiuesit e arsimtarit të shquar, “Mësuesit të Popullit” At Shtjefën Gjecovi (12 korrik 1873-14 tetor 1929) dhe në prag të festës së 7 Marsit, “Ditës së Mësuesit”, Akademia e Shkencave të Edukimit organizoi një simpozium, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, në kryeqytet. Ishin të pranishëm akademikë e profesorë, punonjës të arsimit, shkencës e kulturës, si nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e disapora etj.
Këtë veprimtari e çeli kryetari i Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Edukimit, prof. Kolec Topalli. Me këtë rast, i lexuan përshëndetjet e tyre studiues nga Tirana, Prishtina e Vlora.
Në vazhdimësi, vëmendjen e të pjesëmarrësve e tërhoqën kumtesat e paraqitura, për jetën dhe veprimtarinë shumëplanëshe të At Shtjefën Gjeçovit. Përmes tyre, hidhej dritë e re në ndihmesën e tij të njohur atdhetare, arsimore e kulturore, shkencore e shoqërore. I pari, e lexoi temën e vet prof. Musa Kraja, “At Shtjefën Gjeçovi, personalitet i shquar dhe edukator i madh popullor”. Përveç trajtimit të këtij personaliteti si iluminist rilindës dhe kundër pushtuesve, para dhe pas Pavarësisë së Shqipërisë, ai solli disa të dhena te reja nga veprimtaria e Gjeçovit në Gomsiqe të Vaudejës e në Lisën Vjerdhë dhe ne kontakte me Munellën, zonë në të cilën kishte shërbyer 6 vjet mësues, në rininë e tij, bile, duke banuar në dhomën e Gjeçovit dhe ku kishte takuar ish-nxënës të tij.
Prof. Laurant Bica, e trajtoi veprimtarinë e At Gjeçovit, duke e quajtur atë “Legjenda e Shqiptarizmës”. Ky autor është i njohur për lexuesit tanë, me tre vëllime për rilindësin e madh, Hasan Tahsini dhe me dy vëllime të tjerë, për Naim Frashërin. Në vazhdim kumtesën e studiuesit Anton Çefa, aktualisht në SHBA, e lexoi Ma. Frrok Vukaj, “Shtjefën Gjeçovi, dëshmues i fazës arkretipale të psikologjisë etnike të popullit tonë”. Juristi i njohur, prof. Rrustem Gjata trajtoi në punimin e tij, “Ide juridike në Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe ndikimi i tyre”, duke i parë ato dhe në këndvështrimin e ditëve të sotme.
Përveç botimeve, studimeve e shkrimeve të shumtë për Gjeçovin, për jetën dhe veprimtarinë e tij arsimore ruhen edhe mjaft dokumente arkivore. Për këtë gjë, “Mësuesi i Popullit” Kolec Çefa lexoi temën e tij, “Gjeçovi në epistonin e ruajtur në AQSH”. Ndërsa sudiuesi Frrok Kristaj, nga Prishtina, i cili ka kaluar më këmbë në vendet, ku ka sherbyer At Gjeçovi, u ndal në disa vepra të papublikuara të tij.
Prof. Vebi Bexheti, nga Universiteti UEJL i Tetovës dhe autor i mjaft botimeve në nivel universitar e më gjerë, u ndal në disa dëshmi interesante rreth vrasjes së Gjeçovit, bazuar në organin e shtypit të kohës, “Hylli i Dritës”.
Prof. Hamit Xhaferi, nga Kërcova, studiues i njohur, jovetem në Maqedoni, mësimdhënës universitar në UEJL, në punimin e ti, i bëri një analizë shkencore, veprimtarisë krijuese të Gjeçovit. Më tej, dr. Asqeri Llanaj, i cili i ka ndjekur mjaft nga “Takimet e Gjeçovit”, në Zym, e lexoi kumtesën për Gjeçovin e Vlorën, të përgatitur në bashkëpunim me prof. Bardhosh Gaçe. Për këto lidhje të tij, atje e kanë shpallur Gjaçovin “Qytetar Nderi”. Sonila Titili, pedagoge dhe studjuese e re në Universitetin “Alaksandër Xhuvani” të Elbasanit, foli për përkthimin e veprës madhore të Gjeçovit, në disa gjuhë të huaja, si dhe për interesimet e treguara për të.
Një kumtesë mjaft interesante kishte dërguar prof. Hajrullah Koliqi, zëvedëskryetar i kësaj Akademie, autor i shumë veprave, përfshirë dhe “Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar”. Përshendetje kishin dërguar, gjithashtu, Akademik Pajazit Nushi-Prishtinë, Anton Çefa-SHBA etj. Aty përshendetën dhe disa të ftuar të tjerë, që ishin në sallën, ku u organizua kjo veprimtari shkencore.
Me shumë duartrokitje u prit artistja e mirënjohur Justina Alija, e cila recitoi vargje kushtuar At Shtjefën Gjeçovit. Me kënaqësi u pritën edhe leximet e recitimet e pjesëve, nga krijimtaria e Gjeçovit, që i interpretuan dy maturante të Gjimnazit, në qytetin e Laçit-Kurbin.
Në mbështetje të këtij simpoziumi ishin deputeti i zonës, ku ka punuar Gjeçovi, Mark Frroku, si dhe disa veprimtarë të tjerë.
Nga kjo veprtimtari mbresëlënëse, u miratua propozimi për t’ia dërguar Presidentit të Republikës, që At Shtjefën Gjeçovit t’i jepet titulli më i lartë, “Nderi i Kombit”.
Sigurisht, botimi i kumtesave të paraqitura në këtë veprimtari shkencore, do të jetë një ndihmesë tjetër e rëndësishme për njohjen e mëtejshme, nga brezat e sotëm dhe ata pasardhës, të jetës dhe punës së palodhur të At Shtjefën Gjeçovit, për Atdheun e popullin tonë.
Tiranë, 4 mars 2015
Lideri im
Nga Ilir Levonja-Florida/
”Berisha iku, e bëri si burrat, burri. Me mijra njerëz zevëndësuan cover-up e tyre në fb me portretin e tij. Atëhere fitimtarë, jo për ‘të, por për këta mijra që e duan, shpresuan, panë dhe besuan tek ai liderin apo gjeniun, lëreni të ikurin në shenjtërinë e tij.” Këto radhë i kam shkruar disa ditë pas dorëheqjes tënde publike. Pasi e tillë ishte… Ose kështu mendoj unë, historike. Qoftë edhe për kalendat e brishta të historisë së vendit tonë të vuajtur. Njëzet e dy vite lider?! Kohë e madhe. Por që fatkeqësisht, pavarsisht shijeve të mia, mendjes time. Ka nga ata që të krahasojnë për pushtetin absolut edhe me Enverin. Në fakt është një lloj justifikimi i përvitshëm, që çohet e përçohet nga njëri lider tek tjetri duke ndëshkuar kaq brutalisht shoku-shokun. Veç me fjalë dhe tension situatash. Por asnjëherë ligjërisht. E kështu për të mos u zgjatur, është krijuar një kulturë sharjesh në këtë vend të ”mallkuar” sa ia ka kaluar edhe diktaturës së proletariatit.
Megjithatë t’i mbetesh lideri im. Kam rastisur të ndodhem fare pranë, që nga koha e pardesyve të bardha. Kam ndjerë se si tronditej asfalti nën këmbët tona. Sepse po vije ti. Më shungullojnë akoma fjalë të tilla, si bashkëvuajtës. Apo bizhuteritë e grave do të shesim që të bëjmë rrugën e kombit etj. E sa e sa të tjera. Por ndërkohë kam parë edhe mizëri, urrejtje, vrasje. Dhe konflikte që nuk janë aspak pjesë e reale apo normale e një demokracie. Qoftë kjo e brishtë edhe si kjo e vendit tonë. Edhe pse po ikën treçereku i parë, i kësaj kohe të re. I sistemit të hapur, të ëndërruar. Prapë ka urrejtje, ka mosmarrëveshje të natyrës shekullore, që nga rënia e Perandorisë Osmane. Madje më të forta. Pasi akom kudo, të gjithë ne, demokratë, ballistë, monarkistë, legalistë, socialistë, komunistë. Me dëshmorë të tillë. Me akademikë të tillë. Me shkenctarë, apo intelektualë të tillë. Mëshojnë dhe kërkojnë të na shkojë vetëm e jona. Asnjëherë çështja. Ajo për të cilën ne mendojmë se po i shërbejmë. Akoma kemi armiq dhe luftë klasash.
Një detaj. -Akoma nuk janë hapur dosjet.
Madje kemi politikë klanesh. Ose politikë të marrë peng. Brenda një grupi të përjetshëm njerëzish. Të cilët me dashje ose pa dashje, po i ngjajnë Enverit. Ndërkohë ne i premtuan shoqërisë tonë pastrimin.
Një detaj tjetër. -Kryetarë të përjetshëm. Qofshin këta në parti, në bashki të ndryshme. Emra që zgjidhen me dhunë, me imponim. Përjetësisht pushtetarë, siç është edhe rasti i ishaleatit tënd Ilir Metës. Ndërkohë ne i premtuam shoqërisë tonë promovimin e vlerave.
Unë mund të ndalesha gjërë e gjatë, gjithë këtë ditë të bekuar. Por nuk ia vlen. Për më të thjeshtën arsye. Përfundimin po të njëjtë. Në këtë pengmarrje që i është bërë atij vendi. Qoftë edhe në dëshirën më të vogël, për të thënë mendimin ndryshe. Askush nuk ka kurajo. Nga të gjitha krahët. Përse.? A mund të quhet kjo arritje? A është kjo demokracia? Nuk ia vlen edhe për një përfundim tjetër. Bojkotet. Dhe prapë lufta brenda të njëjtëve personazhe. Pra pengmarrësve. Ndërkohë ne i premtuam shoqërisë tonë filozofinë e rrjedhës së ujit.
Sot në një nga postimet e përditshme të tua. Që më dha edhe shkak të shkruaj këto radhë. Na flisje për kriminelin Ilir Meta. Kupolën e krimit. Kur mendoj se ne qeverisëm më ‘të për kaq vite. Habitem. Trishtohem. Sado nuanca brutale të ketë loja politike. Prapë paska nga këto që nuk u kapërdikan fare. Një kupolë e tillë nuk bëhet për një ditë. Ndërkohë kujtohem se si në një natë dimri, ti shkove befasisht në shtëpinë e Ilirit. Dole vonë dhe në entuziazmin e gjellëve dhe verës na fole se për një farsë të montuar. Për presion, a ku di unë se çfarë. Ndërkohë e gjitha kjo i ngjan atij inati me vajzën që nuk na eci. Ne e kishim në mesin tonë Lirkën. Flirtuam me ‘të. U dashuruam. E mbrojtëm me fanatizëm. Aq sa harruam pemët e kopshtit tonë të bukur.
Sa mirë sikur të na i kishe thënë atë natë, këto që po na thua sot.
Që të besonim në ekzistencën e një lideri.
Megjithatë Lideri im, më duhet ta mbyll me po të njëjtin paragraf që e hapa. Ndofta ato fjalë që ua thashë dikur lexuesve. Më duhet të t’i them edhe ty. ”Berisha iku, e bëri si burrat, burri. Me mijra njerëz zevëndësuan cover-up e tyre në fb me portretin e tij. Atëhere fitimtarë, jo për ‘të, por për këta mijra që e duan, shpresuan, panë dhe besuan tek ai liderin apo gjeniun, lëreni të ikurin në shenjtërinë e tij.”