• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËRMENDORE NË VARGJE PËR POETIN TË PANDREQSHËM BOHEM TAHIR DESKU

February 28, 2015 by dgreca

LIBËR NGA SIRTARI/
Mëhill Velaj: “100 rrënjë të gjethit bohem” (Antologji poetike për Tahir Deskun), Stamford CT, 2012./
Nga Mikel GOJANI/
Mëhill Velaj, krijues letrar, i cili jeton dhe vepron në Amerikë, përkatësisht në Stamford CT të këtij vendi. U lind në Gllogjan të Pejës, Lugu i Baranit, më 1957. Ka mbaruar studimet e larta, SHLP-në në Prizren, ndërsa Fakultetin Filologjik – degën e Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Për afër dy dekada ka punuar mësimdhënës në shkollën e vendlindjes. Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amrikan, që prej themelimit të saj. Një kohë ishte edhe nënkryetar i kësaj shoqate. Po ashtu Velaj është edhe anëtar i Shoqatës së Artistëve Internacional (International Artists and writers Association (IWA), me seli në Ohio, SHBA dhe anëtar i Shoqatës së Poetëve të Botës (World Poets Society), me qendër në Larisa, Greqi.
Në letërsinë shqipe njihet si i cili ka lëruar në shumë zhanre të letërsisë shqipe, në poezi (për të rritur dhe fëmijë), publicistikë, eseistikë etj. Deri më tash ka botuar afër njëzet libra në këto zhanre letrare. Librat e tij janë përkthyer dhe botuar në disa gjuhë të huaja, si në gjuhën angleze, frënge etj.
Kohë më parë ky krijues letrar ka botuar një libër, antologji poetike për Tahir Deskun, njërin nga poetët më të afirmuar dhe më kualitativë në Kosovë dhe letërsinë shqipe përgjithësisht.
Libri i Mëhill Velajt, “100 rrënjë të gjethit bohem”, është një përzgjedhje krijimesh nga autorë të ndryshëm nga gjithë bota letrare e hapësirave shqiptare, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Kosovë Lindore, Mal të Zi, si dhe nga diaspora në Europë dhe Amerikë, që i kushtohen poetit, publicistit, eseistit dhe reporterit të luftës së UÇK-së, Tahir Desku. Kjo përzgjedhje krijimesh nga autorë, si Mhill Velaj, Ali D. Jasiqi, Abdullah Zeneli, Agim Desku, Angjela Peza, Agim Gashi, Alma S. Zyberi, Adnan Mehmeti, Ardiana Desku, Andrea Danglli, Arbnore Z. Abazi, Agron Mirdita, Bardh Frangu, Doresa Rraci, Ardiana Desku, Dedë Elezaj, Dije Mengjiqi, Drilon Mulliqi, Ejup Ramadani, Fatmir Terziu, Faik Xhani, Fatime Kulli, Frrok Kristaj, Flamur Maloku, Gani Qarri, Gjon Neçaj, Hajdin Morina, Halil Haxhosaj, Haxhi Metaj, Ilir L. Spata, Izet Abdyli, Jehona gashi, Jessica Mulliqi, Jorgo S. Telo, Julia Gjika, Jusuf Lushaku, Kujtim Mateli, Keze K. Zylo, Kozeta Zavalani, Lulzim Logu, Mahir Morina, Lavdim Dushi, Musa Racaj, Marslinda Bajrami, Murat Gashi, Namik Selmani, Naim Kelmendi, Neki Lulaj, Përparim Hysi, Pal Ndrecaj, Raimonda Moisiu, Ruzhdi Berisha, Riza Lahi, Rita Salihu, Rrok Berisha, Sadri Kastrati, Sabit Rrustemi, Sefeme fetiqi, Shpresa salihu, Shaqir Krasniqi,Venka Capa, Xhemil Bytyqi, Vilson Culaj, Xheladin Mjeku, Xhemajl Rudi, Xhelal Tetaj, Zef Përgega etj.
Poezitë e mbërthyera brenda kopertinave të këtij libri janë të organizuara sipas një kriteri tematik. Nëse nënkuptojmë me temë konceptimin poetik ose motivin poetik, në strukturimin e të cilave ndihet dora e botuesit kompetent, i cili ka mënyrën dhe parimet e veta në evidentimin e vlerave të krijimtarisë që merr përsipër të prezantojë. Kështu ky vëllim poetik ndahet në 6 kapituj: Legjenda e re e Rozafës, Simfonia e qyqes për jetën, Pak gjurmë në dheun e Dardanisë, Në yjësinë e engjëjve të lirisë, Dallgët e Kronit të Mbretit dhe “Me zemër Shqipërie e lot Kosovë. Librit po ashtu i paraprin një prolog, përkatësisht një fjalë paraprake, edhe një parathënie informuese dhe mjaft të domosdoshme nga Hajrije Desku, e shoqja e T. Deskut dhe e krijuesit Mëhill Velajt, përzgjedhës i poezive për botim.
Libri i autorit Mëhill Velaj, “100 rrënjë të gjethit bohem”, hapet me poezinë e poetit Tahir Desku, të cilit edhe i kushtohet ky libër. Poezia titullohet: “Kam mundur të vdes”:
Sa e gjatë kjo pushkë,
Që po më bën hije mbi kokë
Te ky shkëmb, ku po e shkruaj
Këtë varg.
Kam mundur të vdes
Për shembull në Beverli Hills
Në Londër, Paris a në Barcelonë,
Bulevardeve të Evropës, të Amerikës,
Mes gjinjve të vashave,
Rimave dhe vrimave.
Kam mundur të vdes larg.
Bukur po vdes,
Tek ky shkëmb
Në këtë varg. (Fq. 5)
Në fjalën paraprake të këtij libri, Hajrije Deskut, pohon se kur Tahir Deskut i filloi prejardhja e dashurisë 20 vite më parë, duket që që atëherë paska filluar për mua prejardhja e kësaj dhembjeje, por nuk e paskam ditur. “Tani, pohon znj. Desku, pas kaq kohësh, e kuptoj mirë se kur miku im bohem hyri në botën e poezisë, qenka bërë sa e pashmangshme, po aq e patjetërsueshme kjo ndjenjë. Dhe, miku im nuk do lot, aq më pak kur ai i arrin kufijtë e përjetësisë, edhe si njeri, edhe si artist. Asnjë pritë nuk e vdes as njeriun, as artistin. Që me idenë e asaj prite, edhe njëri, edhe tjetri nisin një jetë tjetër, jetën e kujtimit. Prandaj, nuk thuhet kot se njeriu vdes dy herë, herën e dytë kur harrohet. Ajo do të ishte veçse një vdekje e bukur ose e domosdoshme për të qenë i pavdekshëm: Nuk është njësoj të vritesh në art si në pritë./ Mjer ai që nuk vritet të paktën një herë në ditë”.
Ndërkaq, autori Velaj, në fjalën e tij shprehet: “Ne shokët e Tahir Deskut, miq e poetë, u bëmë bashkë në këtë libër që bohemit tonë të pandreqshëm t’i ngremë përmendoren me simbolikën e Markquezit mbi simbolikën e vetë Deskut. Dhe, ne me 100 poezi po i vrasim vetminë edhe atij, edhe vetes sonë, duke ushqyer me aq rrënjë atë gjethin që vetë ai po e kërkonte të vdiste në të. Dhe, Tahir Desku u bë kështu i vetmi poet i botës që zgjodhi gjethin për shirat e vdekjes. Dhe, në këtë shtrat po përkundet një engjëll lirie. U përpoqëm të bëjmë të përkundet edhe në çdo shkronjë të vargjeve tona, duke u munduar ta portretizojmë sa jetën, po aq edhe pasjetën e tij. Sa poet, secili e kemi ndjerë edhe si luftëtar lirie dhe si reporter të luftës. Si në vargjet tona, po ashtu edhe në male po i qeshte lirisë. Po aq e kishte të fortë edhe frikën se nuk do ta jetonte atë. Fatkeqësisht, i doli ashtu. Dhe, i mbetën vargjet pa thënë: “Ja, e shihni se nuk vdiqa larg,/ Te Kroi i Mbretit gjeta gjethin,/ Pa e thënë edhe ndonjë varg…”
Siç vërehet nga prezantimi i këtyre poetëve (në mesin e tyre edhe emra të njohur në poezinë shqipe), duhet të besohet se libri,”100 rrënjë të gjethit bohem”, të përzgjedhësit Mëhill Velaj, duhet të besohet sa ka dalë një libër me vlera letrare, e cila mund t’i prezantohet lexuesit shqiptar. Krijuesi Velaj, ka bërë një përzgjedhje autoriale të mirë, mirëpo siç shprehet edhe përzgjedhësi Velaj, se është i vetëdijshëm se jashtë kopertinave i kanë ngelur edhe shumë poetë e krijues të merituar, të cilët për arsye të ndryshme nuk janë përfshirë në këtë libër tematik.
Poezitë e prezantuara të këtyre autorëve në këtë vëllim poetik së pari sjellin autenticitetin e fjalës së tyre, dëshmojnë rrugën e evolimit të vargut të tyre, problematikën që marrin për shqyrtim, në këtë rast prezantimin si vegim drite të figurës së poetit me vlera dimensionale, Tahir Desku.
Kjo poezi reflekton mjaft nga tradita e poezisë shqipe në figuracion, me të cilën ngjizet bota motivore dhe artistike, por kujtimet e vetëdijshme përmes trazimeve të imazheve që ngërthen motive prekin thellësinë e esencës së tematikës.
Mbrëmë foleja e maleve rënkoi,
Vdiq fshatari fytyrëlavër nga rropatjet,
Toka hapi kraharorin e mortajës,
E përpiu atë trup të zhgarrnuar,
Të vajtuar me lot të vajtoreve.
Rrugët u dridhen prej fëmijëve të zverdhur,
Mbeten bimë të tubuara në harresë djerse e gjaku,
Në flokët e blertë të vocërrakëve u derdh malli
Në vatër dashurinë e mori peng.
(Ali D.Jasiqi, Poezia: Rënkim, fq. 62.
Poezitë të këtij vëllimi poetik, ndjehet natyra e fjalës së ngjeshur, si një mënyrë të krijuari dhe të shijuari të bukurisë së saj. Megjithatë, lakonizmi nuk mëton ngushtimin e këndvështrimeve, por gjetjen e thelbit të çastit poetik, të situatës emocionale, të karakterit, që skicohet kryesisht me anë të gjetjes dhe pranëvënies së skajeve të së njëjtit motiv.
Përveç këtyre autorët e pëlqejnë të përdorin figurat stilistike, sidomos metaforën, që i japin fuqi vargut. Në disa poezi ndihet përpjekja e autorëve për të dhënë thelbin filozofik të motivit që kanë marrë për shqyrtim, ata merren me qenien, kuptimin e ekzistencës së saj në mënyrat e tyre, duke i shtruara tezat filozofike, mirëpo edhe duke i dhënë kuptimin motivit, përkatësisht duke përçuar mesazhet shumë kuptimplote dhe të një rëndësie shumëdimensionale.
Libri “100 rrënjë të gjethit bohem”, i Mëhill Velajt, është një kontribut i përgjithshëm i sistematizuesit të tematikës në shqyrtim, një ndihmesë serioze dhe i domosdoshëm për të ardhmen, për gjithë ata që dëshirojnë të merren me këtë figurë të rëndësishme të letërsisë, T. Deskun. Ky angazhim i Velajt është fryt i punës së palodhur mirëfilli krijuese dhe intelektuale në shërbim të letërsisë shqipe, për një shkrimtar tepër të rëndësishëm të letërsisë dhe kulturës shqiptare, të cilit studiuesit me siguri se në të ardhmen do t’i rikthehen pa dyshim dhe figura e vepra e tij do të jenë objekt shqyrtimi dhe studimi, ndoshta edhe më shumë së ç’mendohet tani për tani.
Libri i Mëhill Velajt, “100 rrënjë të gjethit bohem”, është një vlerë e padiskutueshme, që kontribuon në njohjen edhe më nga afër të vlerave letrare, publicistike, eseistike dhe zhurnalistike të Tahir Deskut, krejt këto vlera prezantohen përmes vargjeve që autorët e librit i kanë krijuar.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Mhill velaj, Mikel Gojani, përmendore, tahir desku, TË PANDREQSHËM BOHEM

Një libër i vyer për arsimin

February 28, 2015 by dgreca

Nga Kujtim Mateli/
Libri studimor “Arsimi në Përmet” 1912-1944, është një nga librat më të spikatur që trajton arsimin në rrethin e Përmetit, autor i të cilit është Dr. Nuri Dragoj, i shquar dhe i vlerësuar për kontributin e tij si historian për hapësirën kohore të dy shekujve të fundit, kohë kur Shqipëria hyri në rrjedhat europiane pas një errësire shekullore të pushtimit otoman.
Një nga elementët e rëndësishëm që shpuri në ndarjen përfundimtare të Shqipërisë nga perandoria otomane, ishte përpjekja e njerëzve të shquar të kombit tonë, që nëpërmjet shkollave shqipe zgjuan ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve. Sado të pakta të ishin ato shkolla, ato ishin si një dritë në errësirën e detit mesjetar, ishin piketat të cilat tregonin rrugën se nga duhej të kalonte Shqipëria për të mbrritur në kulturën dhe qytetërimin europian, pjesë e së cilës kishte qenë dhe do të ishte edhe vendi ynë, në shekujt që vinin. Pikërisht, këtë periudhë zgjimi dhe konsolidimi të ndërgjegjies sonë kombëtare, ka pasqyruar dhe autori i këtij studimi në kapitullin me të cilin çelet ky libër .
Po aq i rëndësishëm sa është periudha të cilën ai e ka pasqyruar në vitet 1912-1944, një rëndësi po aq të veçantë merr dhe kapitulli hyrës që na njeh me përpjekjet e banorëve të zonës së Përmetit deri në Shpalljen e Pavarësisë. Përpjekjet e përmetarëve për të mësuar janë të hershme, pavarësisht se ata nuk e kishin një alfabet për të shkruar gjuhën e tyre.
Interesi i z. Dragoj për të gjetur dëshmi dhe dokumenta sa më të hershme, përbën një nga vlerat e këtij studimi dhe tregon për seriozitetin e tij për të gjurmuar deri në detaje. Kështu na vjen dëshmia e Elvia Çelebiut se në vitin 1671, në Përmet numëroheshin dy shkolla islamike, të cilat zhvillonin mësim me përmbajtje fetare. Puna e kujdesshme për t`na dhënë dëshmi, që nuk ishin njohur më parë, e bën këtë libër me interes për lexuesit, mësuesit dhe nxënësit, për institucionet tona arsimore e ato shkencore.
Para vitit 1912, rrethi i Përmetit paraqitet me disa vatra që kishin në epiqendër arsimin dhe dijen. Të tilla ishin shkollat në Frashër e Postenan, në Hotovë e Përmet, në Fratar e Kajcë. Mësimi zhvillohej në gjuhën osmane dhe greke, shqipja përdorej fare pak në shkollë, nga ata mësues atdhetarë që u tregonin shqip atë çfarë ata dinin për Shqipërinë dhe shqiptarët. Banorët e rrethit të Përmetit, ashtu si të gjitha trevat shqiptare, kërkonin vazhdimisht që arsimi të bëhej në gjuhën shqipe, por perandoria otomane burgoste e internonte vazhdimisht të gjithë ata që e ndërrmernin një hap të tillë. Cilido popull, në këto kushte, do të ishte zhdukur, ashtu siç janë zhdukur shumë kombe të tjerë në historinë e njerëzimit, por vitaliteti i kombit tonë kishte rrënjë të thella në tokën e vet. Z. Dragoj na ka dhënë ecurinë e zhvillimit të arsimit në këto shkolla nga viti në vit dhe nga dhjetëvjeçari në dhjetëvjeçarë.
Frashëri u bë një vatër e rëndësishme e arsimimit të fëmijëve ku numëroheshin disa shkolla, për vajza e për djem, madje dhe komuniteti vllah kishte shkollën e tij. Po krahas këtyre shkollave, disa mendje të ndritura, siç qenë bektashinjtë e Teqesë së Frashërit: Nasibi Babai e Tahir Skënderasi, Jusuf Skënderasi dhe Baba Alush Kasollari, duke përfunduar me Baba Abedin Ibro rreth vitit 1913, e bënë institucionin e tyre, Teqenë e Frashërit, vatrën e shqiptarizmës. Janë këta Baballarë që u dhanë mësim bijve të Frashërit, ku më pas dolën figurat më të shquara të kombit që njihen me emrin përmbledhës, vëllezërit Frashëri: Abdyli, Naimi dhe Samiu.
Një tjetër vatër e rëndësishme e arsimit ka qenë qyteti i Përmetit. Aty kanë investuar pasurinë e tyre disa figura përmetare që fëmijët të shkolloheshin dhe mund të përmendet financuesi i parë Zoto Pano Duro qysh në vitet 1770. Në qytetin e Përmetit ka patur vazhdimisht disa shkolla, ku mësimi jepej në gjuhën zyrtare të perandorisë dhe në atë greke. Libri i z. Nuri Dragoj jep një tablo të plotë të arsimit në rrethin e Përmetit në vitet para dhe pas Shpalljes së Pavarësië. Trashëguam nga periusha para Shpalljes së Pavarësisë shkolla greke dhe turke, qëllimi i të cilave nuk ishte që të përparonte Shqipëria në arsim dhe kulturë, por që secila të realizonte synimet e veta. Turqia kërkonte që t`i mbante shqiptarët në errësirë që ta kishte sa më të gjatë sundimin e saj, Greqia nëpërmjet shkollave greke kërkonte të verbonte shqiptarët me teorinë e saj të helenizimit të Shqipërisë së jugut.
Konkluzioni se këto shkolla ndikuan negativisht tek shqiptarët mund të duket si i paarsyetuar mirë, madje dhe i pabaza, parë në vështrimin e kohës së sotme ku gjuha e huaj është vlerë për individin që e zotëron. Një hap drejt dijes ku të çon shkolla, e çfarëdoshme që të jetë ajo, është një hap drejt qytetërimit. Një njeri që dinte të shkruante, qoftë dhe në një gjuhë të huaj, ishte një hap para atij që nuk njihte asnjë lloj alfabeti.
Po këto shkolla, ne shqiptarëve na gjetën në një proces delikat. Ishim në procesin e Rilindjes Kombëtare. Drita që hodhën Rilindasit e mëdhenj, ende nuk ishte bërë pronë shpirtërore e të gjithë shqiptarëve. Duke qënë në procesin e formimit kombëtar, çdo lëndë e huaj që hidhnin në këtë proces shkollat turke e greke, kishte si qëllim ta ndalnin këtë proces ose ta shkatërronin atë. E gjithë përmbajtja e shkollave turke, duke lënë mënjanë anën shkencore, ishte që të të bindëte cilindo se ishte pjesë e perandorisë dhe identiteti i tij nuk është shqiptar, por ai turk.
E gjithë përmbajtja e shkollave greke ishte që të të bindëte se nuk je turk, por si i krishterë je grek. Pra identiteti i shqiptarit ishte, sipas mësimit në këto shkolla, midis grekut dhe turkut. Për shqiptarët, çështja kombëtare ishte shumë herë më e rëndësishme, nga ajo që përfitonin fëmijët e tyre në këto shkolla. Ndërgjegjia kombëtare fitohej me shkolla shqipe dhe me njohjen e historisë së kombit shqiptar. Ndaj perandoria otomane u trembej shkollave shqipe dhe e ndalonte me ligj hapjen e tyre. Greqia nëpërmjet Patriarkanës mallkonte gjuhën shqipe dhe vriste e helmonte cilindo që kërkonte të ndriçonte mendjen e shqiptarëve. Historia e arsimit shqip është e mbushur plot, me ngjarje të tilla makabre, si ajo e vrasjes së Papa Kristo Negovanit apo helmimi i Petro Nini Luarasit. Përballë presionit që ushtronin të dy pushtuesit nëpërmjet këtyre shkollave, Përmeti ka nxjerrë atdhetarë të shquar që u vunë në shërbim të kombit dhe iu kundërvunë si perandorisë otomane ashtu dhe propogandës greke. Përmeti iu kundërvu këtyre shovinistëve duke nxjerrë disa figura emblematike që sakrifikuan dhe jetën e tyre, siç është figura hyjnore e At Stath Melanit.
Për të dhënë një ide më të qartë se si shkollat greke e turke ndikonin negativisht në formimin e ndërgjegjies kombëtare të shqiptarëve, po e ilustroj me një letër që Naum Veqilharxhi ia kishte dërguar nipit të tij më 7 Prill të vitit 1846.
“Ti, siç thua, paske lëçitur shumë vepra historike dhe nuk gjete asnjë dëshmi mbi shqiptarët. Po ti të gjitha mësimet i bëre nëpër shkollat e grekëve, të cilat janë organizuar për të ndriçuar brezin e ri grek dhe jo për ndriçimin e kombit shqiptar. Po ti si burrë i mësuar, qysh s`u mendove, duke studiuar (barbaritur) gjithë kombet e tjerë, se një komb si kombi shqiptar, i krijuar së bashku me të tjerët, i vendosur në një vend të caktuar të tokës, me karakter të veçantë gjuhe e me zakone të veçanta, si është e mundur të mos ketë edhe ai kohët e mitologjisë së vet, shekujt e vet heroikë, politikë, fetarë, shekujt e imigracioneve dhe të rilindjevet?
Më e keqja këshillë është ajo që e shtyn njeriun të harrojë kombin e vet, d.m.th. prindërit, fisin, miqtë, bashkëkombasit e tij, vatrën prindërore, varret e stërgjyshërve të tij dhe të vejë t`i kërkojë të gjitha këto gjetiu, ku mjerisht s`mund t`i gjejë kurrë”. Gazeta “Drita” 29 dhjetor 1938.
Kjo letër e Naum Veqilharxhit është dëshmi e qartë se çfarë tip njeriu kishin formuar këto shkolla. Të gjitha ata indvidë që u shkolluan në ato shkolla që u shërbenin grekëve dhe turqve, nuk patën shumë ndryshim nga nipi i Naum Veqilharxhit. Dija e fituar në ato shkolla, u shërbeu më shumë gjithë atyre individëve që jetën e kaluan jashtë Atdheut, në emigrim, nga ku e nxorën jashtë qënies së tyre helmin që u kishin dhënë këto shkolla, të ndihmuar nga realiteti i ri perëndimor ku ata shkuan për të studiuar apo për të punuar. Ata i zgjeruan dijet e tyre dhe i shërbyen me devotshmëri çështjes shqiptare, duke krijuar një plejadë të shquar dijetarësh.
Dëshnica nuk mundi dot t`i arsimonte fëmijët e saj. Këtë rol nuk mundi dot ta luante as Këlcyra si qendra e krahinës së Dëshnicës, as Suka me qendrën e saj fetare. Kjo e keqe pati anën tjetër të mirë. Dëshnica nuk u verbua as nga propoganda turke, as nga ajo helene. Beteja e Këlcyrës kundër garnizonit turk ku morën pjesë çetat e Mehmet Pavarit, Riza Xhungës, Zaim Bubësit, Nexhip Bënjës e të tjera çeta dëshnicare, në datat 30 dhe 31 korrik të vitit 1911, tregon se Dëshnica e kishte të qartë vizionin e saj: Luftë me armë kundër pushtuesit. Ja se si shkruante njëra prej gazetave më të rëndësishme të asaj periudhe, “Liri e Shqipërisë”, 21 gusht 1911. “ Në mes të Përmetit dhe Këlcyrës u bë një luftë midis ushtarëve dhe kryengritësve. Nga ushtarët u vranë 16 veta dhe nga kryengritësit asnjë. Këto lajme vërtetohen dhe me telegramin zyrtar të qeverisë”. Nëqoftëse çdo krahinë e Shqipërisë, do të ishte ngritur me armë ashtu si Dëshnica, nuk do të kishim sot një Shqipëri të copëtuar, por do t`i kishim bashkë trojet e katër vilajeteve shqiptare.
Shtetit të ri shqiptar që doli pas Shpalljes së Pavarësisë, i dilte për detyrë që mësimi në shkolla të bëhej në gjuhën shqipe. Administrata e re kërkonte që shqipja të ishte gjuha zyrtare me të cilën ajo do të komunikonte me shtetet e tjera. Ndaj shkolla shqipe duhej të ndryshonte rrënjësisht nga shkollat e mëparshme që përgatitnin zyrtarë për në perandorinë otomane.
Nuri Dragoj, në librin e tij, jep një panoramë të plotë, jo vetëm të përhapjes së shkollave pas Shpalljes së Pavarësisë deri në vitin 1920, por edhe përpjekjet e disa prej figurave të njohura për të mos u gjunjëzuar as para presionit të kishës ortodokse, as para pushtuesit italianë, nën sundimin e të cilit ishte Përmeti gjatë viteve 1916-1920.
Pas pushtimit të Shqipërisë së Jugut nga grekët 1913 dhe deri në vitin 1916, Përmeti ka qenë nën presionin e vazhdueshëm për të hapur kudo shkolla greke, nëpërmjet të cilave predikohej Shqipëria e jugut dhe bashkë me të dhe Përmeti, si territore të Greqisë.
Me pushtimin italianë të Përmetit, në vjeshtën e vitit 1916, pushtuesit italianë i dhanë përparësi mësimit të gjuhës italiane nëpër shkolla. Struktura e re e shkollave në territorin e Shqipërisë së Jugut dhe në veçanti në prefekturën e Gjirokastrës sipas autorit të këtij libri: “ në zonat e banuara prej popullsisë shqiptare, do të ishte i detyrueshëm mësimi i gjuhës shqipe dhe italiane, ndërsa në fshatrat grekofone do të mësohej greqisht dhe italisht. Mësimi fetar do të zhvillohej në gjuhën arabe për myslymanët dhe në greqisht për ortodoksit”. Nuri Dragoj, Arsimi në Përmet 1912-1944, faqja 98.
Autori i këtij studimi evidenton përpjekjet e përmetarëve që ndihmuan me përvojën e tyre në hartimin e teksteve mësimore siç ishte tekti i gjuhës shqipe me titull “Fillime të gramatikës shqipe për shkollat përmetare” me autor Ilias Jahja me banim në Massachuset, në qytetin e Bostonit në ShBA. Në ato vite ishte e vështirë të gjeje mësues të gjuhës shqipe sepse “ mësuesit përmetarë, në përgjithësi, kishin kryer shkolla turke ose greke në Janinë e Selanik dhe vetëm pak prej tyre qenë arsimuar në liceun e Korçës apo në Normalen e Elbasanit”. Nuri Dragoj, Arsimi në Përmet 1912-1944, faqja 104.
Duke lexuar me vëmendje këtë libër të Dr. Dragojt, do të shikosh përkushtimin e tij për të dhënë një pasqyrë të plotë për zhvillimin e arsimit në trevat përmetare deri në vitin 1944. Aty do të gjeni zanafillën e çdo shkolle dhe ecurinë e saj, mësuesit e parë dhe ata në vijim, përkushtimin e tyre për të mos u tërhequr përballë vështirësive. Është historia e arsimit përmetar, e ndërthurur dhe e lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit në trojet shqiptare.

Filed Under: Kulture Tagged With: Kujtim Mateli, Një libër i vyer, për arsimin

Senatori Gary Peters takon veprimtarë dhe diplomatë Shqiptarë në New York

February 27, 2015 by dgreca

NGA HALIL MULA/
Veprimtarë dhe biznesmenë të komunitetit shqiptaro amerikan Martin Shkreli, Harry Bajraktari, Richard Lukaj, Avni Mustafaj takuan senatorin e SHBA Gary Peters të cilin e përgëzuan për fitoren e tij në senat, që është dhoma e lartë e Kongresit të SHBA.Senatori Peters kishte ardhur enkas nga Wahingtoni për të falenderuar komunitetin shqiptar për përkrahjen dhe për të koordinuar punën me kërkesat dhe nevojat e komunitetit si dhe në raport me Kosovën, Shqipërinë dhe trevat shqiptare në Ballkan, posacërisht trevat shqiptare në Mal të Zi, pasi që senatori Peters vjen nga shteti i Michigenit, ku ka një numër të madh shqiptarësh nga Mali i Zi. Në takim me senatorin Peters morën pjesë edhe diplomatët shqiptar, Ambasadori i Shqipërisë Ferit Hoxha, konsullja e përgjithshme e Kosovës Vlora Citaku, konsulli Korab Mushkolaj, këshilltarët Ylber Kryeziu dhe Lindita Haxhitasimi.
Takimi ishte mjaft i përzemërt dhe konstruktiv ku u diskutuan forma konkrete të avancimit të komunitetit shqiptar si dhe cështjes shqiptare në Ballkan, avancimn e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, liberalizimin e vizave dhe cështje të tjera të rëndësisshme.
Pata kënaqësinë të jem me miqtë e mi në Nju Jork dhe sic e dini unë përfaqësoj një komunitet mjaft dinamik shqiptar nga zona e Detroitit në Michigen që vjen nga të gjithë trevat shqiptare. Në prononcimin e tij senatori Peters vlerësoj takimin me liderët e komunitetit dhe diplomatët shqiptar.
Mes të tjerash, vazhdoi senatori Peters, ne diskutuam për vazhdimin e përforcimit të marrëdhënieve mes SHBA dhe shqiptarëve në rajonin e Ballkanit. Së bashku me mikun tonë Eliot Engel kemi qenë mjaft aktivë deri sa isha kongresist ndërsa tani do të bashkëpunojmë edhe më shumë me kampionin e cështjes shqiptare Eliot Engel dhe cështjet shqiptare mund ti bartim edhe në senat dhe së bashku të dyja dhomat e kongresit të punojnë së bashku në forcimin e raporteve dhe të fokusohemi në cështjet e rëndësishme për popullin shqiptar dhe të vazhdojmë të kultivojmë këtë miqësi që kemi me shqiptarët që janë ndër aleatët më të mirë që kemi dhe unë do të vazhdoj të punoj përkushtimisht në këtë drejtim, tha Senatori Peters.

Filed Under: Komunitet Tagged With: dhe diplomatë Shqiptarë, Halil Mula, ne New York, Senatori Gary Peters, takon veprimtarë

Mrika Krasniqi Best Human Artist 2015

February 27, 2015 by dgreca

Nga Rexhep Myftari dhe Drita Ramadani/
NEW YORK CITY : Mrika Krasniqi eshte vleresuar me cmimin Best Human Artist 2015 nga Komiteti Europian i Artistave Hebrenje ne Paris (EJCP). Ky event mbahet cdo kater vjet dhe kete vit ka ndare 12 shperblime per artistet europian te te gjitha gjinive te cilet kane kontribuar ne promovimin e te drejtave te njeriut. Me kete rast, komiteti ka vleresuar producenten dhe regjisoren Mrika Krasniqi me Best Human Artist 2015, per aktivitetin e saj kushtuar promovimit te te drejtave dhe lirive te njeriut duke iu referuar punes se saj si producente dhe regjisore ne shume projekte, si; “Toka e Kelmendit”2007 ne te cilin eshte promovuar toleranca fetare ne tokat shqiptare, me pastaj dokumentari “Fisniket e Botes” 2009 ku flet per shqiptaret te cilet kane shpetuar hebrenjte gjat holokaustit, dokumentari “Goli Otok” 2010 iu kushtohet te burgosurve politik ne ish Jugosllavi dhe lufta e tyre per liri, “4 oxhaqe” ruajtja e ambientit, “Ti nuk je vetem” promovon te drejtat e femijeve me sindromin Down dhe se fundi dokumentarin “Ushtari” 2014 qe iu kushtohet te gjithe atyre ushtareve qe ia dedikojne jeten e tyre kauzes me te drejte Lirise. “Soldier” (Ushtari) ishte dokumentari qe permushi besimin e komotetit per te vleresuar Mrika Krasniqi me kete cmim kaq prestigjioz per artistet europian.
Filmi dokumentar i titulluar ‘SOLDIER’ flet per nje ushtar te UÇK-se, shtetas Gjerman i cili pas luftes ne Kosove po vuan denimin me 20 vjet Burg. Filmi portretizon historine e ushtarit te UÇK-se i cili po te mos ishte politika e Prishtines e till siç eshte nje ushtar sikur Protagonisti ne Dokumentar nuk do te mbahej mbyllur por do te konsiderohej Hero i Shqiptarve te Kosoves.
Mrika Krasniqi edhe perkunder faktit se mori nje shperblim te çmuar kishte ndjenja te perziera gezimi dhe hidherimi, nuk e perjetonte shperblimin sepse siç thot ajo “Tere koha me kaloi duke biseduar me njerez per ate se cfare po ndodh ne Kosove. Disa here u mbusha me lot dhe u ngulfata nga shembujt e k’qinje qe iu referoheshin shqiptareve. Me vinte turp nga ato qe degjoja por nuk ipesha se nuk doja te shahej e fyhej asnje Shqiptar, prandaj mbroja me kembngulje njerezit e mi. E mora cmimin dhe i fola disa fjale, duke dashur qe me dinjitet te perfaqesoj vendin tim. Derisa flisja mu duk se ne syt e te gjitheve une isha thjesht nje nga shqiptaret e kampeve te Hungarise”
Ajo megjithate mbetet falenderuese per te gjithe ata qe i ndihmuan ne realizimin e filmit si dhe ata qe mundesuan rrugetimin ne Paris por edhe Komitetin Europian te Artistave Hebrej te cilet ia ndan kete shperblim te çmuar.
Mrika Krasniqi njeherit eshte Drjetoresha e Albanian Film Week ne New York.
Kortezi: www.dardamedia.com

Filed Under: Komunitet, Kulture Tagged With: Artist 2015, Mrika Krasniqi Best Human

BUJARI VATRANËSH

February 27, 2015 by dgreca

VATRANI MUSTAFË ELEZI DHUROI $1000 PËR GAZETËN DIELLI/
Në mbledhjen e Këshillit të Vatrës të 31 Janarit 2015, Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, njoftoi se vatrani veteran z. Mustafë Elezi, kishte dërguar një Chek me 1000 dollarë,sponsorizim për gazetën Dielli. Ky njoftim u prit me duartrokitje. Edhe vjet, edhe para një viti, 2, 3..5 edhe… Gati cdo vit ai nuk e harron bujarinë e vjetër vatrane. Pra, nuk është e para herë që ky atdhetar i përkushtuar dhuron për Diellin e Vatarës. Ka vite që ai dërgon chekun dhe jo me $100.00 sa ëshët anëtarësia, por me $1000.00.As këtë vit nuk harroi. Faleminderit atdhetar! Faleminderit vatran! Kështu vepronin vatranët e vjetër, ata që me fjalorin e Nolit, thirreshin”Vatranë të dimrit e beharit!.Kemi pak të atillë sot…
Për vatranët e rinj, që nuk e njohin, po shkruajmë pak radhë për historinë e Mustafë Elezit. U lind më 26 shkurt 1926 në Luginën e Valbonës, në fshatin e bukur dhe me plot histori të Dragobisë. Komunistët e vunë në shënjestër. Ishte 31 vjec kur mori rrezikun në sy. Nuk mund ta harrojë 19 shkurtin e vitit 1957 kur u arratis nga Qafa e Morinës. Në Kosovë njohu shoqen e jetës, Mehanen, të bijën e atdhetarit Ukë Qerim Neza(Shipshan) dhe u martua më 1962. Më 1967 nga Italai erdhi në Amerikë.U lidh me Vatrën.
Ramiz Lushaj ka shkruar për të: Mustafë Elezi, vatrani i sakrificave në botën e metastazës komuniste dhe i lumturimit në botën ringjallëse demokratike, kur i detyruar i mori udhët e mërgimit pati ligjërue: “Atdhe i dashtun besën po ta jap/ Kur të vijë Liria, do të kthehem prap…
Deshti Zoti që të ketë jetë e të mbajë besë me e sypa e me u shpritlumnue me kujtimet e vendet e veta. I vizitoi për herë të parë Shqipërinë Demokrative (në vitin 1991) dhe Kosovën e Pavarur (18 korrik 1999). Ka ardhë më shumë se 20 herë, po kushedi se si e përjeton zemra e mendja e tij zbritjen në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas?! Krenaria e lumturia e tij është e shumëfishtë se në këto njëqind vjet, në këto dy arritje kombëtare historike, në themeli e lartësi të tyre kanë kontributet e veta edhe “Vatra” (se është vatran veteran), edhe Amerika (se është shqiptaro-amerikan), edhe lisnaja e Jahelezëve (se është lis genetik fisnik i tyre).
U lidh që në fillim dhe për asnjë cast nuk iu nda Vatrës. As sot!
Faleminderit Mustafë Elezi!

Filed Under: Vatra Tagged With: Bujari Vatranesh, dalip greca, dielli, Mustafe Elezi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4060
  • 4061
  • 4062
  • 4063
  • 4064
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT