• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Histori-Perandoria Bizantine, shqiptarët dhe Perandorët që hynë në histori- Kostandinopoja quhej Roma e Re

February 27, 2015 by dgreca

– Në vitin 330, Kostandini i Madh –Perandori i Romës me kombësi ilire, e transferoi zyrtarisht rezidencën perandorake nga Roma në Bizant/
– Zhvendosja e qëndrës politike në lindje dhe ngadhnjimi i krishterimit ishin dy ngjarjet me të cilat fillon jetën kjo perandori/
– Për nder të perandorit, Bizanti u quajt Konstandinopol, kurse shteti Perandoria Romake e Lindjes/
– Perandoria Bizantine lindi si rezultat i ndarjes së Perandorisë Romake
– Gjatë sundimit të Justinianit u zhvillua industria e mëndafshit dhe tregëtia/
– Nga rënia e gadishmërisë së pronarëve për luftë, shteti u detyrua të mbështetej në ushtarë me rrogë ( mercenarë)
– Gjatë sundimit të Justinianit u zhvillua industria e mëndafshit dhe tregëtia/
– Në bregdetin e Adriatikut po forcohej Durrësi (Dyrrahu), pikënisja e rrugës Egnatia/
– Anarkia feudale, luftërat shkatërrimtare të çetave turke/

Shkruan:Harallamb Kota-studiues/

Krijimi i Perandoris Bizantine

Perandoria Bizantine e mori emërin nga një qytet i vjetër tregëtar Bizant në bregun e Bosforit. Në vitin 330, Kostandini i Madh –Perandori i Romës me kombësi ilire, e transferoi zyrtarisht rezidencën perandorake nga Roma në Bizant. Ai e kishte ndjerë dhe kuptuar, se vetëm krishterimi mund të siguronte unitetin e perandorisë. Zhvendosja e qëndrës politike në lindje dhe ngadhnjimi i krishterimit ishin dy ngjarjet me të cilat fillon jetën kjo perandori. Për nder të perandorit, Bizanti u quajt Konstandinopol, kurse shteti Perandoria Romake e Lindjes. Si datë e krijimit të Perandorisë Bizantine merret viti 395, kur perandori Teodosi i Madh, në shtratin e vdekjes, ua ndau Perandorinë e Romake dy djemve të vet: Arkadit që do të qeveriste në Lindje dhe Honorit që do të qeveriste në Perëndim. Pra, Perandoria Bizantine lindi si rezultat i ndarjes së Perandorisë Romake. Në këtë mënyrë, u hoq një vijë kufiri që, me kalimin e kohës, do të skaliste në mënyrë të prerë, si kufi midis botës kulturore Perëndimore romane dhe asaj Lindore bizantine. Shteti bizantin e nis jetën si një vazhdim i perandorisë së vjetër romake dhe me kalimin e kohës do të largohej gjithnjë e më shumë nga qytetërimi romak, deri sa në fund të jetës së vet nuk kishte asgjë të përbashkët me të. Termi bizantin është përdorur vonë. Banorët e kësaj perandorie quheshin Romej, kurse shteti njhej si Perandoria e Romejve (ortodoksë). Kostandinopoja quhej Roma e Re. Tre shekujt e parë janë vlerësuar si periudha e kalimit nga Perandoria Romake në Bizantin Mesjetar. Kjo perandori shtrihej në teritoret e ngushtuara pellazgjike dhe përfshinte:Gadishullin e Ballkanit përfshi gjysmën lindore të pellgut të Mesdheut, krahinat nga lumi Danub në Veri deri në ishujt e Detit Egje, krahinat në brigjet e Detit të Zi, krahinat në Azinë e Vogël, Sirinë, krahinat e kufizuara nga Deti i Kuq, Egjiptin deri në Sorten e Madhe.

Dy perandorët e parë
Dy perandorët e parë të Perandorisë së Lindjes, ishin Arkadi (395-408) dhe Teodos Kaligrafi (408-450, të cilët nuk shkëlqyen. Në kohën e tyre qeverisnin eunukët dhe gratë dhe si pasojë perandoria u përfshi nga një krizë e gjithanëshme politike e shoqërore.Në shek.V, kriza u kapërcye pjesërisht dhe një pjesë e rëndësishme e tokës filloi të punohej. Aty gjetën zbatim një varg mekanizmash në vaditjen, korrjen dhe shirjen e drithrave. Në fshatin bizantin gjithnjë e më shumë ndërtoheshin puse të rinj, çisterna, shtypës ullinjsh e rrushi. Zhvillim pati edhe blegtoria. Në shumë rajone, përpunimi i bukës, i rrushit dhe i frutave mori karakterin e ekonomisë së mallrave. Në marrëdhëniet agrare, pasqyroheshin kontradiktat karakteristike për epokën kalimtare nga skllavopronaria në feudalizëm, duke u mpleksuar edhe me elementë të trashëguar nga antikiteti.

Puna e skllavit
Tashmë, puna e skllavit nuk luante rol vendimtar në ekonominë fshatare, pasi bazën e popullsisë fshatare e përbënin kolonët. Skllavi mund ta blinte lirinë dhe të kthehej në Kolonë. Por pozita ekonomiko-shoqërore e Kolonëve ndryshonte nga një dhjetvjeçar në tjetrin. Kolonët duke humbur tokën private dhe lirinë, ktheheshin në mbajtës të tokës së Zotërisë, duke ju afruar gjithnjë e më shumë bujkrobërisë. Zotëritë po ktheheshin në pronarë të mëdhenj tokash dhe marrëdhëniet agrare në Bizant po pësonin ndryshime të mëdha, duke përcaktuar strukturën e re të ekonomisë. Në Strukturën e Re të Ekonomisë, vendin e parë e zinin “Pronat e Mëdha Tokësore” (Çifligjet), të fortifikuara në formën e ekonomive të mbyllura dhe të pavarura nga qytetet. Vendin e dytë e zinin “Ekonomitë e Vogla Private”, të cilat zotëroheshin nga fshatarësia e lirë, që jetonte në bashkësi dhe administrohej nga kryeplaku. Në disa rajone malore ruheshin bashkësitë e fshatarëve të lirë ose bashkësitë mbi bazën e lidhjes së gjakut. Në rajonet me sipërfaqe të mëdha tokash, fshatarësia e lirë po ndjehej ç’do ditë e më shumë e pambrojtur karshi zyrtarëve perandorak. Për tu çliruar nga pesha e taksave, ajo pranonte të vihej në mbrojtje të kësaj shtrese shoqërore duke dorëzuar tokën dhe duke u kthyer nga fshatar të lirë në bujkrob. Marrëdhëniet e reja agrare, lindën klasën e re politike “Patronatin”. Patronë u bënë edhe Kishat dhe Manastiret. Pronarët më të mëdhenj të tokave ishin Perandorët. Fshatarësia e lire filloi të pakësohej dhe të vihej nën pushtetin e Patronatit. Në rajonet perëndimore të Perandorisë (Thrakë, Danub etj.), patronazhi u zhvillua më me ngadalë.

Në Iliri
Në Iliri, mbizotëronin bashkësitë e fshatarëve të lirë, të cilat në zonat malore, organizoheshin mbi bazën e lidhjeve të gjakut. Ilirët nuk e pranuan “Patronazhin”. Në shek. VI –VII, gjatë mbretërimit të Dioklecianit dhe Justinianit, në kuadrin e krijimit të Themave, u fuqizua fshatarësia e lirë pronare e vogël toke (Stratiotët).Kryerja e shërbimit ushtarak trashëgohej si rregull nga djali i madh (stratioti) që trashëgonte edhe parcelën e tokës, mbi të cilën rëndonte edhe detyrimi ushtarak. Pjesëtarët e tjerë, fshatarë të lirë (bujk), formonin tepricën e forcës së lirë bujqësore, që punonin tokat e lira të bollshme. Në këtë mënyrë edhe bujku inkuadrohej në sistemin e Stratiotëve. Fshatarët e Lirë dhe Stratiotët, i përkisnin një klase të vetme, e cila formonte shtyllën themelore të Perandorisë Bizantine. Prona e madhe e tokës, që ishte sunduese në periudhën e hershme deri në shek V, u bë pre e popujve barbarë. Situatat e reja gjeopolitike, krijuan: fshatarë të lirë që morën në dorëzim tokën dhe Stratiotët e Ushtrisë së re të Themave. Nga fundi i shek.VII, po lindte ekonomia natyrale, ku çdo gjë prodhohej në vend dhe plotësoheshin nevojat. Fshatari një pjesë të prodhimeve e çonte në qytet, që të shlyente detyrimet shtetërore. Ligji agrar i aplikuar nga shek.VIII deri në shek X, kishte karakter të dyfishtë: Nga njëra anë kemi parcelën e fshatarit, si pronë private dhe nga ana tjetër kemi ende pronën e përbashkët që nuk ishte zhdukur përfundimisht. Teknika e punimit të tokës nuk ndryshoi shumë nga koha e Homerit. Parmenda tërhiqej nga qetë ose edhe nga buaj. Blegtoria vazhdonte të luante rol të rëndësishëm në jetën e fshatit dhe praktikohej gjërësisht çuarja e bagëtive në kullotat malore. Bashkësia fshatare, po hynte gradualisht në rrugën e diferencimit ekonomiko-shoqëror. Në përgjithësi, bashkësia përbëhej nga familje të mëdha patriarkale me 20-30 veta dhe u ruajt në zonat e brëndshme e malore. Shteti me politikat e tij, çoi në shthurjen e bashkësisë dhe në varësinë feudale të fshatarësisë. Arësyet e robërimit, lidhen edhe me mungesën e krahëve të punës, me kushtet e këqija natyrore, me agroteknikën primitive dhe me luftërat e shpeshta. Formimi i pronës së madhe feudale, ishte në kushtet e reja, vetëm një çështje kohe. Duke filluar nga mesi i shek.IX, fshati hyri në një etapë të re zhvillimi: Ekzistonte Bashkësia Fshatare, Fshatarësia e Lirë dhe Çifligjet Feudale. Në vitet 70 të shek.IX u krijua Thema e Dalmacisë, e cila rivendosi sovranitetin e Bizantit në brigjet e Adriatikut. U krijuan kushtet për përhapjen e krishtërimit tek Serbët, Kroatët, Rusët dhe Bullgarët.

Krijimi i një alfabet sllav
Pikërisht në këtë kohë Kostandini nga Selaniku krijoi një alfabet sllav, duke mundësuar përkthimin e shkrimeve të shënjta në sllavisht. Çifligjet Feudale imponuan vendosjen e “Sistemit Senjorial” të përvetësimit të prodhimit suplementar dhe të kthimit të fshatarësisë në “popullsi e varur personalisht”. Pamvarësisht pozitës së re shoqërore, Çifligjet Feudale për një kohë të gjatë mbetën nën kontrollin e Pushtetit Qëndror. Procesi i diferencimit social të fshatarësisë së lirë hyri në një etapë të re. Anëtarët e bashkësisë, për jetërsimin e ngastrës shrytëzuan gjërësisht të drejtat e trashëgimit të tokës, lënien me testament, lënien peng, dhurimin, shitblerjen dhe dhënien me qera për ta shfrytëzuar një tjetër. Në mjaft dokumente duket ky diferencim. Nga njëra anë dalin njerëz të pasur, pronarë të disa zotërimeve brënda bashkësisë dhe jashtë saj, me kulla ku banonin përveç familjes së tyre edhe punëmarës (bujk) të pajtuar të paguar. Këta njërëz të pasur që përdornin punën e tjetrit përbënin “Shtresën e Dinatëve”, të fuqishmëve, të mëdhenjve. Nga ana tjetër, ndodheshin të varfërit, të mjerët, pa pasuri. Zotëruesit e ngastrave të shumta (Dinatët), forcuan pozitat e tyre në bashkësi. Shpërbërja e “Bashkësisë së Fshatarëve të Lirë” erdhi për dy arësye: Diferencimi i pasurisë, çoi në shpërbërjen e bashkësisë, në prishjen e lidhjeve, në humbjen e forcës së saj të mëparshme e të kohezionit të brendshëm. Në shek.X, ruheshin vetëm disa tradita karakteristike të bashkësisë fshatare: toka të përbashkëta, kullota, ujërat. Për nënshtrimin e bashkësisë së lirë, në vitet 940, një rol luajti edhe “Sistemi i Përgjegjësisë Kolektive” ( alilengi) të të tatuarve. Sipas tij, të gjithë fqinjët që kishin mbetur gjallë ishin të detyruar të paguanin taksa për ata që kishin banuar afër, por që kishin vdekur prej murtaje ose varfërisë, ose që për shkak të varfërisë kishin braktisur vendbanimin. Alilengi çoi në shkatërimin dhe rritjen e detyrimeve të fshatarësisë. Edhe më të rëndë e bënin peshën tatimore dhuna dhe grabitja e nëpunësve. Ata në mënyrë të padrejtë, ngrinin normat, burgosnin ata që kundërshtonin të paguanin e nuk ndaleshin para përdorimit të ndëshkimeve trupore. Në preferencat për blerjen e ngastrës u vendos ky rregull: në fillim lidhja e gjakut, pastaj bashkëzotëruesi dhe pastaj fqinji. Me këto masa shteti synonte t’i hiqte mundësinë fshatarit që të dispononte në mënyrë të lirë tokën që i përkiste, ta varfëronte dhe ta kthente në “fshatar shtetëror” e më vonë “Parik i Shtetit”.

Shërbimi ushtarak dhe gjëndja ekonomike
Parikët u çliruan nga të gjitha detyrimet shtetërore, me përjashtim të asaj të caktuar, si kryerjen e postës, ruajtjen e rrugëve etj. Fondi kryesor i tokës së bashkësisë fshatare ishte ndarë prej shtetit në toka ushtarake –stratiotika. Ata që banonin aty ishin të detryruar të kryenin brez pas brezi shërbimin ushtarak (stratiotë). Por shërbimi varej nga gjëndja ekonomike. Kalorësi duhej të zotëronte një pasuri më të madhe se këmbësori. Ata që kishin më pak pasuri mbushnin radhët e ushtrisë, kurse të pasurit zunë vëndet komanduese. Masa e stratiotëve po kthehej vazhdimisht në marrëdhëniet e varësisë personale të karakterit feudal. Oligarkia e lartë ushtarake, ashtu si Dinatët, u sulën mbi tokat e Stratiotëve dhe i kthyen në njërëz të varur, fshatar të varfër, fshatar të shtetit ( parik). Dinatët bizantinë shtinë në dorë tokën fshatare me anë të nënshtrimeve, abuzimeve, të lënies në trashëgim e deri në marëveshjet juridike. Në fund të shek.X, ishin formuar disa prona të mëdha të trashëgueshme. Dinatët, shfrytëzonin ende punën e skllevërve, mistotëve (fshatarë të pavarur), bujkrobërve ( fshatarë të varur), duke krijuar Çifligje të mëdha, që zmadhoheshin duke përthithur tokat e fshatrave të shpërbëra dhe të bashkësive të prishura. Forcimin e pronës feudale, e ndihmoi edhe dhënia e privilegjeve feudalëve të mëdhenj. Tani e tutje, disa të drejta që i kishte patur shteti, kaluan në dobi të feudalëve të veçantë. Pariku ia shlyente detyrimet një pjesë arkës shtetërore, një pjesë të zotit. Kjo çoi në forcimin akoma më shumë të varësisë së tyre nga Feudalët Laik dhe Feudalët Kishtar. Me pushtimin e Azisë së Vogël nga selxhukët, provinca e Maqedonisë bëhet qëndra kryesore e zotërimeve feudale. Aty kishin zotërimet Dukajt, Komnenët, Engjëllorët etj. Krahas bullgarëve, armenëve, shqiptarëve etj., në klasën drejtuese të perandorisë hynë persona të ardhur nga Hungaria, Moravia e Italia. Forcimi i marëdhënieve feudale, u shoqërua me zhvillimin e institucioneve feudale, si: hirarkia feudale e pushteti privat. Me kalimin e tokës nga shteti në duart e feudalëve laikë e kishtarë, të ardhurat e arkës së shtetit filluan të pakësohen, prandaj perandorët u detyruan t’i vënë rëndësi “domenit perandorak”, që fillon të bëhet një mbështetje e fuqishme e pushtetit qendror. Në krye qëndronte Perandori, zot i gjithëpushtetshëm i të gjitha tokave dhe i të gjithë shtetasve të perandorisë. Pas tij vinin Vasalët. Marëdhëniet e vasalitetit midis perandorit dhe feudalëve të mëdhenj të huaj e bizantin në shek.XI-XII ishin bërë fenomene të zakonëshme. Sipas Anna Komnenës, me marëveshjen e 1108 që bëri me Aleks Komnenin, Boemundit i njihej e drejta e pushtetit mbi teritoret që iu dhanë nga perandori, por ishte i detyruar të njihte edhe vasalitetin ndaj perandorit. Marëdhëniet e vasalitetit lindën edhe midis feudalëve. Kështu Isak Komneni, një nga feudalët më të mëdhenj të mesit të shek.XII, merte tokë nga senjori i tij dhe për këtë duhej të shkonte në shërbim ushtarak. Feudalët e mëdhenj kishin ushtrinë e tyre. Ata zotëronin kështjella.Natyrisht midis feudalëve shpesh ndodhnin ndeshje. Në çerekun e dytë të shek X, Vasil Skliroi me forcat e veta hyri në luftë me fqinjin Gjergj Maniakun, i cili e mundi dhe e detyroi të largohet nga zotërimet e tij.

Gjatë këtyre shekujve, në perandorinë bizantine u perhap dhe Institucioni i Imunitetit.

Ai konsistonte në njohjen dhe dhënien e privilegjeve dhe të drejtave përherë e më të mëdha në favor të feudalëve të veçantë nga ana e shtetit. Një nga këto privilegje ishte Eksusia, e cila ishte dhurim i një shume të hollash, që ndihmoi në zhvillimin e mëtejshëm të feudalizmit. Pronarët e mëdhenj të tokave kishin të drejtën e gjyqit mbi popullsinë e varur prej tyre. Sipas Niketa Honiatit, pronarët e tokave gëzonin në pronat e tyre të drejta, si drejtuesit e provincave (guvernatorët dhe qefalitë). Shteti në Bizant nuk hoqi dorë asnjëherë nga e drejta sovrane mbi tokën dhe nga të drejtat që rridhnin prej saj. Kjo bënte që të gjitha kategoritë shoqërore të ishin të lidhura drejtpërdrejt me shtetin. Pushteti qëndror nuk lejoi që zotëruesit e veçantë të ktheheshin në zotër të gjithpushtetshëm në zotërimet e tyre. Në shek.XIII-XIV, ndikimet perëndimore në Bizant, u kristalizuan në mbizotërimin e dy tipeve të pronës mbi tokën. Tipi i parë ishte i lidhur me pronën e plotë private, ku përfshihej: prona e fshatarëve të lirë, si dhe pronat e mëdha feudale të palidhura me asnjë detyrim me shtetin. Tipi i dytë, ka të bëjë me pronën e kushtëzuar kryesisht Pronia. Baza ekonomike e saj, ishte puna e fshatarësisë së varur nëpërmjet rentës,si dhe në formën e mbledhjes së taksave shtetërore. Detyrimet kryesore ndaj shtetit ishin: Taksa e tokës, taksa e shtëpisë, e cila në dokumentat e tokave shqiptare njihet si taksa për tym ose për zjarr, e dhjeta e derrave, e bagëtive të imta, për kullotat, për pazarin, për panairet etj. Fshatari ishte i detyruar të mbante me ushqim nëpunësit apo ushtrinë perandorake kur kalonte në ato krahina, të jepte dhurata të ndryshme si bukë, mish verë. Këto tatime u shtuan aq shumë, sa sipas historianit Skilica “të vinte turp t’i numëroje”. Përhapja e pronies, ndihmoi kështu në zhvillimin e idesë së pronësisë supreme të shtetit mbi tokën e nënshtetasve dhe tregoi forcimin e elementëve të strukturës hierarkike të pronësisë. Nëpunësit shtetërorë në Bizant hynin në zotërimet e pronarëve private të tokës e hartonin rregjistra të zotërimeve dhe të të ardhurave, ndërsa në perëndim ato bëheshin nga feudalë të veçantë. Nga njëra anë, politika shtetërore ndihmoi feudalizmin, me anë të dhurimeve të mëdha të tokave dhe privilegjet e imunitetit, nga ana tjetër, përzierja e pushtetit shtetëror në marëdhëniet e feudalëve të veçantë, ruajtja në duart e shtetit të një radhe të drejtash ekonomike e juridike, i jepte mundësi shtetit të merrte tokat e dhuruara e të konfiskonte zotërimet e feudalëve të veçantë. Këto pengonin procesin e zhvillimit të feudalizmit.

Pronia ishte pronë e kushtëzuar

Ajo dallonte nga institucionet e lindjes si: nga Timari etj., ku dhurohej juridikisht e drejta e vjeljes së taksave dhe ku faktikisht zotëruesit e saj ktheheshin në pronarë. Megjithatë marëdhëniet agrare bizantine u zhvilluan në mënyrë të pandërprerë. Në shek.XV pësuan një hop të vërtetë. Prona e lirë fshatare ishte reduktuar në maksimum dhe ruhej vetëm në zonat malore. Ndërsa prona e madhe feudale ishte zgjeruar shumë në kurriz të së parës. Në këtë periudhë, prona tokësore nga kategori e kushtëzuar dhe në përdorim të përkohëshëm (institucioni Pronia) u kthye në (institucioni Timar), në prona tokësore të trashëgueshme dhe në zotërim vetëm me shërbimin ushtarak. Ky ishte një hap drejt kthimit të saj në një pronë private.
Zhvillimi i marëdhënieve feudale u vu re në disa drejtime. Sistemi administrativ filloi të humbas karakterin centralizues. Bojarë të veçantë filluan të krijojnë zotërime të pavarura, prandaj perandorët e kësaj periudhe filluan të caktojnë qeveritarë (guvernatorë e qefali) pjesëtarë të familjes perandorake, njerëz të besuar. Duke u dhënë privilegje feudalëve të veçantë, shteti boshatisi arkën shtetërore, sepse Pariku (fshatari shtetëror) detyrimin ia jepte Bojarëve “Zotërisë së Ri”. Shteti nuk ishte në gjëndje të përballonte shpenzimet ushtarake e administrative.

Krijimi i ushtrisë me rrogë ( mercenarë)
Në këtë periudhë shteti bizantin filloi ta humbas karakterin ushtarak. Nga rënia e gadishmërisë së pronarëve për luftë, shteti u detyrua të mbështetej në ushtarë me rrogë ( mercenarë). Për këtë qëllim shteti kishte filluar me kohë ti kërkonte taksat, nga në natyrë, në të holla, për tu bërë ballë shpenzimeve për ushtrinë mercenare. Ushtria përbëhej prej kalorësisë, këmbësorisë dhe nga flota luftarake detare.Teritori i perandorisë ishte ndarë në 13 rrethe ushtarake me në krye një Dukë. Komanda e ushtrisë ishte në duart e 5 magistrave. Dy qëndronin në Kostandinopol, kurse të tjerët komandonin ushtritë periferike të Lindjes, të Ilirikut e të Thrakës. Krahas marëdhënieve agrare, në perandorinë bizantine Qyteti dëshmoi për një qëndrushmëri të madhe. Numëroheshin 1000 qytete (polis-civitas), ku dalloheshin Aleksandria me 300.000 banorë, Antiokia me 250.000 banorë, Konstandinopoli me 150.000 banorë, Selaniku, Jerusalemi, Bejruti, Damasku etj., me deri 100.000 banorë.
Qytetet ishin bërë qendra zejtarie, tregëtare e administrative, duke u ndërtuar me rrugica të ngushta dhe të erëta të krijuara nga ndërtimi i pallateve të drejtuesve të kancelarive, të nëpunësve dhe pronarëve të mëdhenj. Vëndin e tempujve e teatrove e kishin zënë kishat. Qytetet e reja ndërtoheshin në hapësira të vogla e të përforcuara mirë, që ishin qytet kështjella mesjetare. Prona private tokësore qytetare ishte shkurtuar shumë. Si rezultat qytetarët mereshin me zejtari, ku dallohej prodhimi i poçerisë, përpunimi i gurit e mermerit. Zejtaria qytetare plotësonte nevojat e qytetarëve, por edhe të popullsisë fshatare. Ndër grupet më të mëdha të zejtarëve, mund të përmendim: përpunuesit e gurit, të metalit, të baltës, qeramikës, qelqit, si dhe tekstilistët, ngjyrosësit, lëkurpunuesit, rrobaqepësit, bizhuterët, etj. Në qytet karakteristikë për këtë kohë, ishte punishtja e vogël. Aty punonte zejtari, ndonjë ndihmës prej anëtarëve të familjes, ndonjë skllav ose punëtor me mëditje. Mësimi i zanatit fillonte në moshën 10 vjeç dhe pas 4-5 viteve nxënësi mund të punonte si punëtor me mëditje ose si zejtar i pavarur. Përveç zejtarëve të veçantë, punishte kishte kisha dhe shteti. Popullsia zejtaro-tregëtare, në pjesën më të madhe ishte bashkuar në korporata sipas profesionit.

Gjatë sundimit të Justinianit u zhvillua industria e mëndafshit dhe tregëtia

Sipas dokumentave kohore, në vëndet e Ilirikut tregëtoheshin prodhime bujqësore e blegtorale për tregun e brëndshëm qytetar dhe tregjet e huaja. Struktura shoqërore e qytetit, ishte e larmishme. Ajo përbëhej nga disa shtresa. Një shtresë të madhe e përbënin skllevërit, plebejtë, banorët e lirë, proletarët, zejtarët e tregëtarët e vegjël. Më lart vinin fajdexhijtë, tregëtarët e mëdhenj, zotëruesit e anijeve, të tokës, aristrokracia municipale, nëpunësit dhe ushtarakët. Rënia ekonomike në shek.VII-IX, nga sulmet e barbarëve dhe arabëve, ishte me pasoja shkatërimtare për shumë qytete, të cilat u shkatëruan dhe u rrafshuan dhe popullsia u vendos në vende të tjera më të mbrojtura. Sllavët shkatëruan rrënjët mitike të banorëve autokton pellazgo- iliro-arbnoro-shqiptar, por u dashuruan me kulturën dhe emërat hyjnor të tyre. Shumë despotë serb, bullgar, rus, etj., janë shënuar në dokumentat e kohës me emëra shqiptar Aleksandër dhe Gjergj. Emëri hyjnor shqiptar Aleksandër, u përdor edhe nga popujt të tjerë deri në provincat perëndimore Romake. Ndërsa emëri shqiptar Gjergj, që ridhte nga emëri ilir Gent, Genci, Gjenci, dhe që vinte nga fjala shqipe gen (gjen,me gjet trungun, grupin e gjakut,etj.),ishte zhvilluar në trajtat e emërave tipik shqiptar: Gjon,Gjin,Gjok, Gjet, Gjelosh,etj.,deri në variantin Jorgji. Përdorimi i emërave hyjnor shqiptar Aleksandër dhe Gjergj ( ky në variantin Zhorzh, Georgo etj.), nga popujt jo shqiptar dhe mbretërit e tyre, na mbush me krenari dhe njëkohësisht na jep të drejtën të besojmë në dy drejtime: I pari na çon të besojmë që, despotët e shpallur të Serbisë, Rusisë, Bullgarisë etj., duke u quajtur me këto emëra të kenë qënë shqiptar. E dyta, ka të bëjë në starategjinë e barbarëve për të dëshmuar që, vëndet e pushtuara prej tyre, sidomos hapësirat shqipfolëse të bizantit, kanë qenë që nga kohërat e hershme vëndet e tyre. Megjithatë Bizanti nuk u tha krejtësisht. Nevojat e ushtrisë dhe të pallatit stimulonin zhvillimin e zejtarisë. Nga qytetet më të mëdhenj provincial ishte Selaniku, qëndër e rëndësishme zejtaro-tregëtare,administrative,ushtarake,strategjike dhe kulturore. Athina dhe Korinthi ishin në rënie.

Në bregdetin e Adriatikut po forcohej Durrësi (Dyrrahu), pikënisja e rrugës Egnatia
Në bregdetin e Adriatikut po forcohej Durrësi (Dyrrahu), pikënisja e rrugës Egnatia që e lidhte me Selanikun, qëndër tregëtare me Italinë dhe pika mbrojtëse e sundimit Bizantin në Perëndim. Në vitin 992, me nënshkrimin e marëveshjeve tregëtare me Venedikun, Konstandinopoja kishte lidhje të gjalla me Durrësin. Popullsia e qyteteve bizantine, merej edhe me vreshtari, blegtori, me kultivimin e drithrave, në arat e livadhet përreth tyre. Qytetet ishin si kështjella. Ishin qëndra administrative, kishtare, zejtarie dhe tregëtie. Ndërtimet me gur zëvëndësuan ato me dru.Ritja e qyteteve provinciale,çoi në një tendencë të veçantë,në formimin e elementeve të pavarësisë qytetare.Në shek X, rrugët kryesore tregëtare kishin rënë nën kontrollin e bullgarëve, të cilët kishin hyrë deri në Thrakë e Maqedoni. Krizën e brëndëshme politike e shfrytëzuan popujt e shtypur. Më 1017 Bullgarët u mundën. Për qeverisjen e krahinës së Tiranës, Bizanti i dha pushtet familjes parthine nga Bërrari e quajtur: “Fisnikët e Sgurajve. Pranë selisë së tyre, në themelet e një tempulli të vjetër pellazg, ndodhej kalaja e Tujanit dhe kisha “Shën Maria”, ndërtuar buzë lumit Rigllata. I pari i kësaj familje Mihal Sguro,mbante titullin bizantin Sevast. Nga viti 1018, Mihali ishte Kryetar i “Bashkësisë Krahinore të Trevës Tiranë”, që gjëndej midis lumenjve Erzen e Tapizë. Në vitin 1035, Zeta (Diokle) ose Mali i Zi, i banuar me shumicë nga shqiptarët u bë vëndi i parë ballkanik që u shkëput nga Bizanti.Në vitin 1040, si rezultat i rritjes së taksave dhe veçanërisht nga kthimi i taksave në natyrë në taksa në të holla, shpërtheu një kryengritje në Maqedoni, ku morrën pjesë edhe shqiptarë. Nga historiografia sllave, kjo kryengritje është vlerësuar “kryengritje e sllavëve të jugut” edhe pse vet ata, kanë pranuar që zona Durrës-Shkup e përfshirë në kryengritje, banohet me shumicë nga shqiptarë. Fill pas saj shqiptarët morën pjesë në kryengritjen e Durrësit. Çlirimi i Duirrësit, ndikoi në zhvillimin e mëtejshëm të kryengritjes edhe në Themën e Nikopolit, ku gjëndeshin një pjesë e madhe e tokave shqiptare. Kryengritja u shtyp me vështirësi në vitin 1041, nga perandori Mihali IV, i cili formoi një armatë nga të gjitha provincat për të sulmuar Ilirikun. Në vitin 1043, shpërtheu konflikti armatosur midis aristokracisë ushtarake dhe asaj kryeqytetase, të cilën e udhëhoqi strategu bizantin i Italisë Gjergj Maniake. Në shkurt ai u nis nga Siçilia e zbarkoi me trupat e tij në Durrës. Përparimi shpejt i ushtrisë në krahinat shqiptare nëpërmjet rrugës Egnatia deri në Ohër e Manastir, janë një dëshmi tjetër e gadishmërisë së shqiptarëve për të luftuar kundër pushtetit bizantin. Kryengritja e Gjergj Maniakut hapi serinë e kryengritjeve të pandërprera të aristokracisë ushtarake.
Ndarja përfundimtare e kishave
Më 1055, në kohën e mbretërimit të Kostandinit IX, ndodhi ndarja përfundimtare e kishave, duke u formuar kisha katolike e Perëndimit dhe kisha ortodokse e Lindjes. Kisha Perëndimore mbështetej në trashëgiminë e të drejtës romake, kurse kisha Bizantine mbështetej në traditën neoplatoniane. Patriarku i Kostandinopojës urdhëroi mbylljen e kishave latine të kryeqytetit dhe bindi perandorin të bashkohej me të. Perandori u shpall përfaqësues i Zotit. Përdorimi i gjuhës romane-latine në liturgjitë fetare dhe në administratën bizantine, u zëvëndësua me gjuhën greke. Menjëherë kleri ortodoks, filloi luftën e hapur kundër gjuhës shqipe (pellazgo-ilire), e cila ishte gjuha mëmë e gjuhëve romano-latine. Teodori I, Laskari, mblodhi kopjues të greqishtes dhe krijoi biblotekën e vet. Filloi epoka e harimit të kulturës pellazgo-iliro-arbërore dhe e shkrimit të saj si histori dhe kulturë greko-sllave. Kopjuesit grek, i quajtën shqiptarët Romenj. Por shqiptarët edhe pse humbën shkrimin e gjuhës shqipe, ruajtën fort gjuhën e folur shqipe, gjuhën hyjnore të pellazgëve dhe veten e tyre e quajtën përherë Shqiptar. Turbullirat shtoheshin. Revoltat e strategëve ushtarak dhe shqiptarëve zbulonin ashpërsimin e kondradiktave midis tyre dhe pushtetit qendror. Në shkurt të vitit 1081 në Curila të Thrakës Aleks Komneni shpalli veten Perandor dhe u fut triumfalisht në pallatin mbretëror në Kostandinopojë. E bija e tij Ana Komnena shkruan: “Kur hipi në fron Aleks Komneni, Perandoria Bizantine ndodhej në një gjëndje kritike. Arka e shtetit ishte bosh. Të gjitha pjesët e perandorisë ishin mbërthyer nga përpëlitje vdekjeprurëse, turqit po shkatëronin Lindjen dhe shteti ishte katandisur në një gjëndje të mjerushme”. Në vitin 1081, Normanët nisën sulmin drejt brigjeve shqiptare, duke pushtuar Vlorën, Kaninën, Orikumin, Butrintin, Korfuzin dhe Durrësin. Nga lufta me Normanët dolën të fituar venedikasit, të cilët sipas një traktati të vitit 1082, morën përsipër të ndihmojnë Bizantin me forca ushtarake. Më 1084 venecianët shpartalluan forcat normane dhe qytetet e pushtuara prej tyre, midis tyre edhe Durrësi, i kaluan përsëri Bizantit. Shqiptari nga provinca e maqedonisë, Aleks Komneni u tregua burrë shteti. Si përfaqësues i forcave më të reja të aristokracisë ushtarake, u diferencua si nga burokracia e kryeqytetit ashtu edhe nga familjet e mëdha të aristokracisë së provincës, që kishin qënë promotorë të luftës së ashpër për pushtet në dhjetëvjeçarin e fundit. Ai zbatoi edhe një varg reformash administrative , duke hequr nga qarkullimi një sërë titujsh që ishin zhvleftësuar. U zbatua një sistem i ri titujsh si: sebastokrat, protosebast, sebast, që u jepeshin anëtarëve të familjes perandorake dhe parisë së lartë. Reformat prekën dhe administratën qëndrore. Perandoria vazhdonte të ndahej në Thema. Në krye të tyre u vendosën komandantë ushtarakë me gradën e dukës, që ishin njerëz të besuar të perandorit. Trashëgimtarin e zgjidhte perandori. Ushtria dhe obortarët ishin përjashtuar nga një gjë e tillë. Meqënëse roli i stratiotëve po kufizohej, Aleks Komneni organizoi ushtrinë me mercenarë, ku hynë rusë, normanë, alanë, peçenegë, etj. Për të kontrolluar më mire këtë ushtri, perandorët mbajtën me fanatizëm frenat e kësaj ushtrie, duke caktuar komandantë njerëzit më të besuar nga rrethi i tyre. Megjithatë krahas rritjes së shpenzimeve, kjo ushtri përfshihej shpesh nga rebelimet dhe braktisja e fushës së luftës. Në vitin 1272 Karl I Anzhu, bëri një marëveshje me krerët kryesorë shqiptar për krijimin e Mbretërisë së Arbërit, ku Karli njihej Sovran i saj. Shumë shpejt ai i haroi premtimet dhe shqiptarët i kthyen kurrizin, duke i drejtuar armët kundër aleatit. Në krye të qëndresës dolën familjet Skura, Muzaka, Blinishti etj., të cilët u lidhën me Bizantin, pasi pushteti perandorak u premtoi plotësimin e kërkesave të tyre. Nën presionin e papës, Karl I Anzhu dhe Venediku, vendosën paqe me Kostandinopojën duke lidhur aleancë politike kundër turqve dhe bashkimin e kishave. Pikërisht në zhvillimin e këtyre ngjarjeve, në vitin 1274, në Krahinën e Tiranës në Petrelë u forcua familja parthine “Fisnikët e Thopiajve”, e përfaqësuar nga një miles (kalorës) dhe që pretendonte origjinën nga familja mbretërore ilire e mbretit Glaukia me seli në Brysak (Bërzhit). Në vitin 1335 me dobësimin e pushtetit bizantin, Skurajt e kthejnë Trevën në një zotërim feudal. Kreu i saj Anton Skura, e simbolizoi pushtetin e vet, sipas zakonit tashmë të konsoliduar në Europë, me një stemë heraldike që paraqet një luan, i cili qëndron lart mbi dy këmbët e pasme. Gjatë sundimit të Skurajve, popullsia autoktone parthine e Tiranës, i forcoi mjaft pozitat e saj ekonomike e shoqërore dhe zotëronte prona bujqësore e objekte tregëtare. Besimi fetar ushtrohej në kishat e tyre dhe praktikat fetare kryheshin në dy rite. Pjesa e popullsisë që jetonte në zonat fushore,i kryente në ritin orthodoks bizantin, ndërsa pjesa tjetër që jetonte në lartësi i kryente në ritin katolik roman. Në vitin 1336,Tanush Thopia u njoh nga anzhuinët “Kont i Viseve Parthine” midis lumenjve Mat dhe Shkumbin. Shumë shpejt u bë sundimtar i fuqishëm.Konflikti me mbretin anzhuin Robert të Napolit,ishte arësye e vrasjes së tij.Në vitin 1347,me pushtimin e “Epirit Qëndror”,nga ushtritë serbe të Car Dushanit, zotërimi i Thopiajve u shpërbë. Në vitin 1355, pas vdekjes së Carit, “Principata e Thopiajve” u rimëkëmb nga Karl Thopia, i cili e shpërnguli selinë familjare nga Petrela në Krujë. Në vitin 1364, Karli zboi anzhuinët, hyri në Durrës dhe e shpalli atë Kryeqytet të Principatës. Gjatë sundimit të familjeve fisnike Skura e Thopia, treva e Tiranës pati një farë stabiliteti. Miqësia me familjen princërore Muzaka,ndikoi në ardhjen e banorëve nga ajo krahinë. Në fushën pjellore, që deri në atë kohë ishte pak e populluar, filluan të zbrisnin banorët parthin të malësisë. Mbas vitit 1388, me vdekjen e Karl Thopisë, krahina u zhyt në anarki të plotë, e cila lehtësoi pushtimin turk në vitin 1415. Familjet Skura dhe Thopia për ti shpëtuar ndëshkimit e shfarosjes, u larguan nga Kruja dhe u vendosën pjesërisht në kalanë e Beratit.
Në qytetet e kësaj periudhe lindën institucionet e tyre: Këshilli,Mbledhja Qytetare e Repartet e Armatosura. Anëtarë të këshillit ishin Dinatët vendas(të fuqishmit,të mëdhenjtë),që në burimet historike përmenden me emërin Arhondë. Të dhëna mbi repartet e armatosura të qyteteve, ka edhe për Durrësin, i cili konsiderohej qytet port i privilegjuar. Qyteti filloi të bëhet qëndra e lëvizjeve për copëtimin feudal të vëndit, pika mbështetëse e aristokracisë feudale. Në shek.XII trupat Stratiotë ranë, por sistemi i forcave të armatosura qytetare nuk i zëvëndësoi ato. Kjo çoi në dobësimin e ushtrisë bizantine. Një shpërbërje pati edhe sistemi i Themave, të cilat si njësi të mëdha teritoriale, u ndanë në rajone të vogla rreth një kështjelle. Në krye të tyre qëndronin komandantët ushtarakë, të cilët mbanin titullin e vjetër Strateg. Ata nuk gëzonin më funksionet e drejtimit civil dhe u nënshtroheshin komandantëve më të lartë ushtarak: katepanëve dhe dukëve. Rolin kryesor në drejtimin civil të Themave të Reja, e luanin Pronarët e Mëdhenj të Tokave. Shteti ruante kontrollin mbi administratën e Themës. Qytetet e Shqipërisë së Jugut hynin në Despotatin e Epirit dhe i shpëtuan kontrollit të rreptë. Kjo ndihmoi në ngritjen ekonomike të tyre dhe në fitimin e pavarësisë organizative. Në shek.XIV, për arësye politike, perandorët u njohën disa qyteteve shqiptare, Krujës, Janinës, Beratit etj., elementë të autonomisë qytetare si: “Organet e Vetqeverisjes Qytetare”. Organi kryesor i drejtimit në qytet ishte Senati, i cili përbëhej prej përfaqësuesve të aristokracisë ( paria) dhe të qytetarëve të pasur. Në krye qëndronin dy Arhondë. Njëri caktohej nga Perandori, kurse tjetri zgjidhej prej qytetarëve. Në raste shumë të veçanta thirrej mbledhja popullore. Në Bizant, në përgjithësi, feudalët banonin nëpër qytete. Kështu ata kishin në dorë pushtetin politik, kurse përfaqësuesit e zejtarëve dhe tregëtarëve zinin vëndin e dytë. Elementët e vetqeverisjes qytetare mbetën në embrion, ndryshe nga Evropa, ku ishte arritur vetqeverisja e plotë. Në shek.XV, Kostandinopoja ishte tkurur në një qytet me 40-50000 banorë dhe pas saj vinte Selaniku, i cili ruante pozicionin e një porti dhe tregu për Maqedoninë, Shqipërinë, Thesalinë, Serbinë e Bullgarinë. Në këtë periudhë, në Perëndim pushteti perandorak, në aleancë me qytetarët, hyri në luftë kundër feudalëve, kurse në Bizant pushteti në qytetet ndodhej në duart e aristokracisë bujqësore provinciale, që orientohej më shumë tek tregëtarët e huaj.
Anarkia feudale, luftërat shkatërrimtare të çetave turke

Anarkia feudale, luftërat shkatërrimtare të çetave turke, shkatërruan Atikën dhe Peleponezin. Në një gjëndje më të mire ishin qytetet e Thrakës, Maqedonisë, Thesalisë dhe Shqipërisë. Në vitet 1321-1327, bizanti u përfshi nga luftërat civile, midis Andronikut II Paleolog dhe Andronikut III paleolog. Udhëheqësit shqiptar, u përfshinë në krah të Andronikut të Ri. Në vitin 1340, shqiptarët nën drejtimin e Andrea II Muzaka, u thyen nga ushtria e car Dushanit, i cili në aleancë me venecianët, kishte pushtuar tërë Shqipërinë, me përjashtim të Durrësit, që ndodhej nën anzhuinët. Qeveria bizantine ishte e pafuqishme të mbronte zotërimet ballkanike. Më 1361, osmanët pushtuan Adrianopolin që u bë kryeqyteti i tyre me emërin Edrene. Bizanti nuk mori pjesë në betejën e Kosovës në vitin 1389, ku shqiptarët luftuan si një forcë e organizuar. Venediku e Gjenova në shek.XV ndoqën ndaj Bizantit një politikë koloniale. Ato e kthyen atë në një vend,ku siguroheshin prodhimet bujqësore. Në këtë kohë në Perëndim, gjatë rrugëve të mëdha tokësore e detare tregëtare, me nxjerjen në tregun e jashtëm të mallrave, lindën manifaturat, kurse në Bizant prodhimi i mallrave u shkurtua.
Në vitin 1425 pushteti i perandorit nuk i kalonte kufijtë e kryeqytetit. Në krahinat e shqiptarëve ishin krijuar principata të fuqishme. Më e dalluara ishte ajo e Kastriotëve, e cila kishte lidhur pakte mossulmimi me sulltanin turk. Vojsava shtatëzënë, e shoqja e princit Gjon Kastrioti, pa në andër që lindi një dragua. Gjoni e quajti Gjergj, ndërsa sulltani turk e quajti me emërin hyjnor Iskandër,që në turqisht do të thotë Aleksandër. Për fat, Bizantit në vitin 1446, indirekt i erdhi në ndihmë shqiptari hyjnor Skenderbe dhe hungarezi Huniad, të cilët kishin planifikuar një koalicion të përbashkët, duke pritur ushtritë osmane në Kosovë. Sundimtari serb që sundonte Kosovën, pengoi Skënderbeun të bashkohej me Huniadin dhe ky i fundit pësoi disfatë. Hyjnori Skënderbe vazhdoi t’u qëndroi për vite të tëra sulmeve osmane. Më 29 maj 1453 sulltani urdhëroi sulmin vendimtar kundër Konstandinapolit. Populli tregoi akte trimërie dhe burrërie. Kryeqyteti perandorak u pushtua duke iu nënshtruar një grabitje të madhe.Me rënien e Konstandinopolit pushoi së ekzistuari Bizanti ose perandoria Romane e Lindjes.

Filed Under: Histori Tagged With: Harallamb Kota, Perandoria Bizantine, Shqiptaret che Perandoret

Ismail Qemali: Çështja shqiptare nuk zgjidhet në Vlorë, por në Londër

February 27, 2015 by dgreca

(Këtë intervistë me Ismail Qemalin e ka realizuar Achille De Benedétti, dhe është botuar në gazetën Il Giornale d’Italia, më 2 prill 1913)/
Ilir Ikonomi – studies dhe gazetar në rrjetin e miqve në internet – face book, thotë se po postoj intervistën që Ismail bej Vlora i dha një gazetari italian në Romë më 1 prill 1913, katër muaj pas shpalljes së pavarësisë.
Më në fund, Ismail beu kishte arritur të dilte nga Vlora e bllokuar prej anijeve greke dhe të vizitonte kryeqytetet e Evropës. Siç e thotë edhe vetë, atij i ishte dukur sikur kishte dalë nga një burg i vërtetë, i tillë ishte ankthi që kishte shkaktuar bllokada. Kishte mundur të largohej me jahtin e një duke francez, i cili donte të bëhej princ i Shqipërisë.
Kjo fotografi tregon ndoshta çastin e largimit nga bregu i Vlorës për të hipur në jaht. Periudha për të cilën flasim ka qenë ndër më të vështirat në historinë e Shqipërisë: Kosova ishte pushtuar, serbët kishin ardhur deri në Durrës, Shkodra ishte e rrethuar nga Mali i Zi, ndërsa grekët, përveçse kishin bllokuar bregdetin jugor, kishin përparuar deri në Tepelenë. Në këtë situatë tragjike, ambasadorët e Fuqive të Mëdha debatonin në Londër për të përcaktuar kufijtë e Shqipërisë së re.
Intervista është realizuar nga Achille De Benedétti dhe botohet në gazetën Il Giornale d’Italia të datës 2 prill 1913.

Ismail Qemali arriti të largohej pardje nga Vlora me jahtin e Dukës Montpensier. E takova sot në mëngjes në stacionin e trenit tek arrinte nga Bari, ku kishte lënë Isa Boletinin, që ishte pak i sëmurë, bashkë me djaloshin Luigj Gurakuqi, ministër i arsimit. Qemal beu kishte ardhur me dy nga djemtë, që e kanë shoqëruar në të gjitha këto peripeci. Plaku i shquar dukej mjaft mirë. Ishte i gëzuar që kishte mbërritur në Romë pas ikjes nga Vlora.
E pyes se si kaloi udhëtimi.
-Shkëlqyeshëm nga çdo pikëpamje, – më përgjigjet. Pak ditë më parë arriti në Vlorë ‘Mekongu’, jahti i Dukës së Montpensierit, me një flamur tregtar anglez. Duka menjëherë më ftoi në anijen e tij të mrekullueshme dhe më pyeti nëse dëshiroja të vija në Itali. Ishte fat i vërtetë. Do të kisha qenë i marrë po të mos e kisha shfrytëzuar këtë rast të rrallë. Për mua kjo do të thoshte të çlirohesha nga një burgim i çuditshëm. Ishte edhe një mundësi për ta ndihmuar pak më nga afër çështjen e vendit tim.
-Po grekët, nuk ju kapën?
-Jo. Ata na panë shumë mirë. Pastaj, mos harroni se ‘Mekongu’ kishte ardhur nga Korfuzi. Po të kishin dashur të më kapnin do ta kishin patur të lehtë. Unë nuk e fsheha aspak faktin që po nisesha. Një torpedinier grek, i ngarkuar për bllokimin e bregdetit, na vuri re dhe na lejoi të kalonim pa ndonjë problem. Udhëtimi shkoi mjaft mirë. Jahti i Dukës është vërtet i mrekullueshëm dhe jam i gëzuar që arrita të dal nga ky burgim pa asnjë shpenzim dhe në kushte kaq të mira.
-Po miqtë tuaj të Vlorës, Shkëlqesi, nuk patën kundërshtim që ju të niseshit?
-Ishin ata vetë që më këshilluan të përfitoja nga ky rast i papritur. Ata janë të bindur se çështja shqiptare nuk është në Vlorë, në këtë qytet ku liria u shpall në një lloj burgu, por gjetkë, e sidomos në Londër, ku diskutohet për fatet tona të së ardhmes. U kam lënë udhëzime të qarta miqve të mi të qeverisë, duke i bërë të reflektojnë për pasojat e rënda që do të kishte vendi, në qoftëse do të ndërmerrnin ndonjë akt të nxituar apo nëse do të fillonin ndonjë revoltë. Ata mu betuan dhe jam fare i qetë se bashkatdhetarët e mi do të mbajnë një qëndrim paqësor, ashtu siç i kam këshilluar dhe siç është dëshira ime.
-A kanë përparuar më tej grekët?
-Jo. Nuk kanë përparuar përtej Tepelenës. Në Tepelenë ndodhi diçka me rëndësi, sepse turqit prenë urën për të penguar pushtimin. Pra, grekët nuk kanë shkuar më tutje se Tepelena. Ata e dinë se Vlora është e paprekshme, sidomos për shkak të vullnetit të Italisë, por edhe të Austrisë.
-Po Beratin nuk e kanë pushtuar?
-Jo. Në të gjithë sanxhakun e Beratit, nuk kanë shkuar përtej Tepelenës.
-Si ishte gjendja në Vlorë kur u larguat?
-Shumë e qetë. Nuk ka patur vështirësi të tjera të brendshme, përveç ankthit të bllokadës detare që na ka izoluar dhe na ka bërë të na mungojnë disa elementë bazë të jetesës. Ka ndodhur vetëm diçka që është vërtet për t’u shënuar: ardhja e një oficeri austriak me veshje civile, i shoqëruar nga një prift dhe një marinar.
-Si arriti të vijë?
-Ai zbarkoi në grykën e Semanit me një anije të kompanisë Lloyd dhe, prej andej, erdhi në Vlorë me një barkë me rrema. Ju e dini se në Vlorë ekziston një element që nuk e dëshiron pavarësinë e pastër të Shqipërisë. Ky element gjithnjë më ka luftuar dhe është përpjekur të më krijojë vështirësi. Oficeri që erdhi tha se ishte në gjendje të armatoste popullatën dhe të na dhuronte armë. Mirëpo unë nuk e pata të vështirë t’i shpjegoja popullit se ne nuk kishim nevojë për makinacione të tilla dhe se mund ta realizonim sigurinë e vendit tonë me besimin tek mbrojtja që na jep Evropa.
-Në Itali shtypi ka patur një lajm për këto qëllime të austriakëve në Vlorë…
-Atëherë ky lajm, – tha duke buzëqeshur Qemal beu, – nuk qenka i ri për ju. Megjithatë, unë e njoh politikën e Vjenës dhe gjithsesi i jam mirënjohës edhe Austrisë për interesimin ndaj Shqipërisë. Nga ana tjetër kuptoj edhe ndryshimin mes dy politikave, të Vjenës dhe të Romës…
Në këtë pikë, Qemal beu u zhyt në një heshtje diplomatike.
-Po vështirësitë që ju krijon bllokada për t’u ushqyer?
-Oh, më mirë të mos flasim për këtë. Është diçka që të shkakton ankth. Jam i gëzuar që ndodhem në Itali edhe sepse do t’i kërkoj si qeverisë suaj ashtu edhe ambasadorëve të Fuqive të Mëdha apo ministrit të Greqisë që t’i japin fund kësaj mase kaq të shëmtuar dhe të kotë. Pas 20 ditësh, Vlora do të jetë në uri të plotë. Kemi bërë mrekulli që kemi arritur ta mbajmë popullin gjallë deri tani. Por nuk është e mundur të vazhdojmë më tej në këtë gjendje. Ekzistojnë tashmë arsye humanitare, pët të cilat bllokadës duhet t’i jepet fund. Duke e vazhduar bllokimin e Vlorës, grekët po tregohen të padrejtë, në kundërshtim të plotë me qytetërimin e tyre. Përse duan të trullosin me katastrofën e urisë një popullsi që nuk i bën keq ndokujt me asnjanësinë e saj? Asnjë arsye nuk mund ta përligjë bllokimin e Vlorës.
-A nuk është e vërtetë që aty vërtiten trupa të Xhavit pashës?
-Janë thjesht ushtarë të çrregullt në gjendje të mjerë, që nuk përbëjnë asnjë shqetësim ushtarak. Xhavit pasha ndodhet në Lushnje afër Shkumbinit në kushte vërtet tragjike dhe nuk mund të ndërmarrë asnjë lloj veprimi kundër grekëve, as t’i dëbojë nga pozicionet që kanë kapur. Të paktën tani, grekët zotërojnë Sarandën dhe të gjitha pikat e bregdetit të bllokuar. Ata kanë deklaruar se nuk do ta prekin Vlorën, sepse ky është vullneti i dy fuqive të Adriatikut, prandaj nuk duhet t’i bien në qafë asaj me pretekstin e bllokadës. Shpresoj të bëj të ditur arsyet humanitare që kërkojnë heqjen e bllokadës.
Pastaj, Qemal beu më kërkoi t’i tregoja të rejat e fundit nga Konferenca e Londrës për Shqipërinë. Përsa u përket kufijve jugorë të Shqipërisë, i shpjegova se cila ishte teza e grekëve, të cilët kërkonin Korçën, Këlcyrën, Tepelenën si dhe Gjirokastrën e Sarandën.
-Po kjo është si t’i presësh krahët e këmbët Shqipërisë, – thirri Qemal beu. Të shpresojmë se vullneti i Evropës, i cili një ditë do të triumfojë, do të çojë në integritetin e popullatave që janë shqiptare të pastra. Është vërtet e çuditshme që grekët mendokan të marrin edhe Korçën!
-Cilat janë marrëdhëniet e tanishme mes Turqisë dhe Shqipërisë?
-Janë krejtësisht paqësore. Kemi marrë në Vlorë komunikatën zyrtare të Vezirit të Madh, me të cilën njihet pavarësia shqiptare dhe e drejta e flamurit tonë. Me këtë mori përgjigje fyerja e madhe, që trupat e Xhavit pashës i bënë flamurit tonë në Tepelenë. Qeveria turke nisi një hetim dhe i bëri me dije mytesarifit të Beratit se ajo e njihte tashmë autonominë tonë dhe u kërkoi autoriteteve të fundit turke të mbetura në territorin shqiptar të respektonin emblemën tonë.
-A u zgjidh çështja e princit të shtetit tuaj?
-Oh! Çështja e pretendentëve të fronit, apo e principatës së Shqipërisë ka rrezik të fryhet tej mase. Pata rastin të takohem me Dukën e Montpensierit, i cili me ndihmën e tij humanitare më nxori nga gjendja e çuditshme në të cilën ndodhesha. Natyrisht, i shpreha atij gjithë mirënjohjen time për këtë akt fisnik dhe i thashë se Shqipëria do ta kishte për nder nëse do të kishte në krye të saj pasardhësin e një familjeje të shquar dhe historike. Por i thashë gjithashtu, për hir të sinqeritetit, se ende nuk ishte koha për të menduar mbi çështjen e princit, e cila do të duhej të zgjidhej më vonë.
-Ç’mendoni, Shkëlqesi, mbi çështjen e Shkodrës?
-Mund ta merrni vetë me mend. Mendoj se çështja e Shkodrës është tani në rrugën e zgjidhjes. Qëndrimi i Malit të Zi nuk më duket se ka shanse për sukses. Janë mjaft të njohura arsyet se përse Shkodra duhet t’i mbetet Shqipërisë. Fuqitë e Mëdha, të cilat e kuptojnë plotësisht nevojën e një vendimi të tillë, kanë rënë tashmë dakord ta bëjnë Malin e Zi të tërhiqet.
-A e keni lexuar telegramin e mbretit Nikollë, i cili flet për kështjellën e krishterimit që duhet t’i kundërvihet islamizmit?
-Pikërisht këtu qëndron edhe dobësia e tezës malazeze. Si mund të mendojë mbreti Nikollë të imponojë me armë dhe me dhunë konvertimin fetar të myslimanëve shqiptarë? A e ka menduar ai se duhet të përgatitet për shumë e shumë luftra të përgjakshme? Megjithatë, unë besoj se më në fund Mali i Zi do të tërhiqet përpara vullnetit të Evropës. Jam i gëzuar, – përfundoi Qemal beu, – që munda të dal nga Vlora për të mbrojtur më tej të drejtat e Shqipërisë në kryeqytetet evropiane, në qytetin tuaj e sidomos në Londër. Me sa duket Peja, Prizreni dhe Gjakova janë të humbura, por ka disa territore që ende mund të shpëtohen. Dhe këtë do të përpiqem të bëj me besimin tek të drejtat e shenjta të popullit tim.
Pas disa ditësh, Ismail Qemal beu do të niset për në Londër. Atje ai do të përpiqet të mbrojë çështjen e paqes jo vetëm në interes të vendit të tij, por sadopak edhe të Evropës, e cila, në çështjen shqiptare, mund të shohë dështimin e përpjekjeve të saj për ruajtjen e paqes. Ai po fillon kështu një pelegrinazh politik nëpër kryeqytetet e Evropës, ku Roma është etapa e parë e rëndësishme.
Këtë intervistë e ka publikuar gazetari Ilir Ikonomi, i cili jep edhe disa sqarime.
(Një intervistë e rrallë e Ismail Qemalit. Po postoj intervistën që Ismail bej Vlora i dha një gazetari italian në Romë më 1 prill 1913, katër muaj pas shpalljes së pavarësisë. Më në fund, Ismail beu kishte arritur të dilte nga Vlora e bllokuar prej anijeve greke dhe të vizitonte kryeqytetet e Evropës. Siç e thotë edhe vetë, atij i ishte dukur sikur kishte dalë nga një burg i vërtetë, i tillë ishte ankthi që kishte shkaktuar bllokada. Kishte mundur të largohej me jahtin e një duke francez, i cili donte të bëhej princ i Shqipërisë.
Kjo fotografi tregon ndoshta çastin e largimit nga bregu i Vlorës për të hipur në jaht. Periudha për të cilën flasim ka qenë ndër më të vështirat në historinë e Shqipërisë: Kosova ishte pushtuar, serbët kishin ardhur deri në Durrës, Shkodra ishte e rrethuar nga Mali i Zi, ndërsa grekët, përveçse kishin bllokuar bregdetin jugor, kishin përparuar deri në Tepelenë. Në këtë situatë tragjike, ambasadorët e Fuqive të Mëdha debatonin në Londër për të përcaktuar kufijtë e Shqipërisë së re.(Botoi Express)

Filed Under: Interviste Tagged With: Ilir Ikonomi, Ismail Qemali: Çështja shqiptare nuk zgjidhet në Vlorë, por në Londër

SHBA: Kreu i legalistëve Gjana – takohet me kongresistin Eliot Engel

February 27, 2015 by dgreca

– Mulosmani dhe Bajraktari priten kryetarin e PLL zotin Gjana/
Gjana: “PLL dhe SHBA, kanë ndarë dhe mbrojtur në mënyrë të përbashkët vlerat universale të Lirisë dhe Demokracisë, si dhe kanë bashkërenduar veprimet e tyre në shërbim të këtyre vlerave. Gjatë takimit me Kongresmenin Engel dhe shumë miq të tjerë në Washington u shpreh bindja se në të ardhmen lidhjet tona do të përforcohen edhe më shumë”/
Nga Beqir SINA – New York/
WASHINGTON D.C: Kryetari i Partisë “Lëvizja e Legalitetit”, zoti Sulejman Gjana, i cili ndodhet këto ditë në Shtetet e Bashkuara, në një vizitë disa ditore, për të marrë pjesë në një konferencë për bashkëjetesën e besimeve të ndryshme fetare, në Kombet e Bashkuara, ka shfrytëzuar vizitën e tij, për të zhvilluar disa takime, me lider të komunitetit shqiptar, kongresistin Engel dhe një intervistë e dhënë me Zërin e Amerikës, dhe shtypin shqiptaro amerikan.
Kryetari, Gjana, gjatë kësaj vizite, mori pjesë në një sërë aktivitetesh të mbajtura me rastin e Pavarësisë së Kosovës, të organizuara nga bashkësia shqiptare. Vizita e kreut të legalistëve, në Shtetet e Bashkuara, koincidoi në të njëjtën kohë, kur shqiptarët e Amerikës, kremtuan në mënyrë madhështore,17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës, dhe ai ishte i ftuar nderi në dy kremtimit më të mëdha në Nju Jork, kremtimin e Vatrës dhe atë të organizuar nga asamblesiti i Njujorkut, zoti Mark Gjonaj.
Në axhendën e tij ditën e Martë, 24 Shkurt, kreu i legalistëve Gjana – pati një takim si është shprehur ai interesant dhe të përzemërt me mikun e popullit dhe kombit tonë shqiptar, Kongresmenin Eliot Engel, takim që u zhvillua në zyrën e Tij në Kongresin Amerikan – Capitol Hill Washington D.C..
“Jam i lumtur, deklaroi Gjana, mbas këtij takimi, që mu dha mundësia që në emër të gjithë legalistëve dhe kombëtaristëve shqiptarë ta falënderoj Kongresmenin Engel, për kontributin e Tij për demokratizimin e Shqipërisë dhe Pavarësinë e Kosovës si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ai i ka dhënë kauzave te PLL e mbretërorëve shqiptar. Mbasi, gjatë takimit shkëmbyem mendime dhe ndamë shqetësimet tona të përbashkëta lidhur me situatën në Shqipëri, Kosovë dhe rajon” thotë kryetari i PLL zoti Sulejman Gjana.
Simbas tij, historikisht PLL dhe SHBA, kanë ndarë dhe mbrojtur në mënyrë të përbashkët vlerat universale të Lirisë dhe Demokracisë, si dhe kanë bashkërenduar veprimet e tyre në shërbim të këtyre vlerave. Gjatë takimit me Kongresmenin Engel dhe shumë miq të tjerë në Washington – u shpreh bindja se në të ardhmen lidhjet tona do të përforcohen edhe më shumë, tha Gjana.
Ndërkohë, në kuadër të vizitës së tij, disa familje të njohura mbretërore, në Nju Jork, Nju Xhersi, Kenektikët, Uashington, shtruan darkë nderi për Kryetarin e PLL zotin Sulejman Gjana.
Mbrëmë, ai ishte i ftuar në pritjen e dhënë nga zoti Musli Mulosmanaj, dhe z. Harry Bajraktari, në lokalin “Sam’s Place Restaurant” në Nju Jork, me pronarë zotin Maxhun Biberaj.
Darkë, në të cilën morën pjesë, veprimtari dhe biznesmeni shqiptar, Harry Bajraktari, ish botuesi i gazetës shqiptaro amerikane Illyria, veterani legalist Nderc Gjergji, mbretërorët Hamit Zenuni, Musli dhe Sami Mulosmani, dhe kryetari i degës së PLL, për SHBA dhe Kanada, zoti Hakik Mena.
Në emër të mikëpritësve, zotit Bajraktari dhe Mulosmani, mirëseardhjen – ja ka uruar veterani legalistë, zoti Musli Mulosmani, i cili, ka folur me këtë rast me krenari për kontributin e madh që dhanë ndër vite partitotët dhe atdhetarët në mërgim.
Me këtë rast, veprimtari dhe Biznesmeni , Harry Bajraktari, ish botuesi i gazetës shqiptaro amerikane Illyria, mbasi përgëzojë, kryetarin e legalistëve zotin Gjana, për lidershipin e tij, në krye të kësaj partie, tha ndër të tjera, duke folur për çështjen shqiptare, – “se ne jemi gjenerata më fatlume, që po përjetojmë këto ditë – Shqipëria e lirë dhe demokratike, në Nato, dhe, aspirante për në Bashkimin Europian. Kosova, e lirë dhe e pavarur, mbas atij okupimi shekullor, të egër sllavo -komunist, të Serbisë. Kurse, çështja shqiptare në viset shqiptare, fatmirësisht, ka ecur përpara, tha Bajraktari, duke kujtuar se të parët tanë, kanë ëndërruar për qindra vjetë, dhe ja vjen një ditë, që sot ne u bëmë dëshmitar të këtyre ditëve të bukura – për të gjithë shqiptarët, megjithse, duhet pranuar, shtoi ai se nuk kemi arritur gjithëçka, sepse kemi edhe më shumë për të bërë”, tha Bajraktari.
Më pasë, zoti Bajraktari, ka vlerësuar në mënyrë të veçantë, kontributin e madh të familjes Mulosmani, dhe bashkëluftërave të saj, duke përmendur figura të shquara të patriotizmit në diasporë, në dobi të çështjes kombëtare, “të cilat, tha ai u bënë burim frymëzimi edhe për brezat tanë, qysh me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, luftën kundra komunizmit e sllavo komunizmit, deri në çlirimin, lirnë dhe pavarësinë e Kosovës”.
Kështu, pas shkëmbimit të dhuratave, kreu i legalistëve Gjana – nderojë me një mirënjohje anëtarin e Senatit të PLL, zotin Musli Mulosmani – me një çertifikat “Mirënjohje” me motivacionin :”Për angazhimin, kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Partisë “Lëvizja e Legalitetit”,Familjes Mbretërore, Çështjes Kombëtare, kauzave tona në kohëra të vështira”.
Veprimtari dhe Biznesmeni, i njohur zoti Harry Bajraktari, ish botuesi i gazetës shqiptaro amerikane Illyria, i dhurojë në shenjë respekti Kryetarit të Partisë “Lëvizja e Legalitetit”, zoti Sulejman Gjana, një paket me libra; foto albumin biografik -“Albanian American Success Stories”, ku H.Bajraktari është vetë pjesë e këtij libri, të parë voluminoz dhe luksoz(hard cover) – me pjestarë të tjerë të suksesshëm të komunitetit shqiptarë në Shtetet e Bashkuara.
Gjithashtu, Bajraktari, dhurojë edhe monografinë e librit të publicistit Muhamet Mjeku “A life between Kosova and America with Harry Bajraktar’s family”, -“Një jetë mes Kosovës dhe Amerikës me familjen Harry Bajraktarin”, dhe librin e shkruar nga vetë, ai – dhe dalur këto ditë në qarkullim “Një çerek Shekulli për Çështjen e Kosovës në Washington” autor Harry Bajraktari.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Beqir Sina, harry bajraktari, Kongresisti Engel, Sulejman Gjana, takim

FOTO ANTOLOGJIKE – PESË VAJZAT SHQIPTARE NË VITIN 1920

February 26, 2015 by dgreca

Është, një foto e rrallë për nga kompozimi dhe informacioni mbi jetën e thjeshtë shqiptare që përcjell/
Gazetari Ilir Ikonomi koleksionist i njohur i fotografive të rralla, shqiptare, ka publikuar në faqen e tij të face book, një fotografi të viteve të 20 të shekullit të kaluar. Aty ai ka sqaruar se fotoja është marrë prej koleksionit të amerikanëve Frank dhe Frances Carpenter.
Ikonomi, thotë se :”Kjo fotografi mahnitëse, e titulluar “Pesë vajza që thurin”, është marrë nga koleksioni i amerikanëve Frank dhe Frances Carpenter, që gjendet në Bibliotekën e Kongresit dhe mund të vizitohet online. Duhet të jetë bërë në vitin 1920.
Frank Carpenter, ishte gjeograf dhe fotograf që shëtiste nëpër botë dhe shkruante tekste gjeografie. Frances ishte e bija. Frank Carpenter është autor i rreth 20 librave të përmbledhur në serialin Carpenter’s World Travels, të cilët u bënë mjaft popullorë mes viteve 1915-1930.
Fotoja ka kapur në një moment sinqeriteti 5 vajza shqiptare që thurin me shtiza në Shqipërinë e pas Luftës së Parë Botërore. Carpenter i ka fiksuar të pesta të përqendruara në punën e tyre, por edhe të vetëdijshme për të huajin përballë që po i fotografon”.
Në fund Ikonomi sqaron se ka shumë mundësi që ajo të jetë bërë gjatë udhëtimit të fotografit në Tepelenë. Frank Carpenter, shkoi atje bashkë me një mision ndihme të Kryqit të Kuq amerikan, pas një tërmeti që shkatërroi qytetin më 20 nëntor 1920 dhe që la 36 të vrarë.

Filed Under: Kulture Tagged With: 1920, foto antologjike, Ilir Ikonomi, pese vajzat shqiptare

Ç’FARË KOMBËSIE JEMI NE,FUSHË MURSIOTËT RRËNJËS?

February 26, 2015 by dgreca

Shkruan: KOZMA TAHO -Clearwater,Florida/
Kombet nuk janë insekte që mund të heqim dorë e të braktisim aq kollaj kombësinë, gjuhen , zakonet dhe traditat e tyre si gjarperinjtë që ndryshojnë lëkurën , të mohojmë etërit,mëmedheun dhe fisnikërinë e tij, traditat e trimërisë së vet;është anakronizëm dhe e pa dëgjuar që në historinë e kombeve të gjejmë një popull aq haram dhe indifferent ndaj vetvetes./
ANASTAS KULLURIOTI (1822—1887 )/
Trojet e para tokës së Butrintit, të cilat sot njihen nën emrin Komuna e Xarrës , para pak vitesh njiheshin nën emrin Fusha e Vrinës dhe edhe pak më pare nën emrin Fusha e Mursisë. Këto troje banohen sot nga një popullsi e perzier si nga ana etnike ashtu dhe nga ana fetare. Para 60—70 vitesh etniciteti i kësaj zone ishte tejet i pastër e i pa përzier . Pikërishtë kjo përzierje si dhe problemet ekonomiko – politico- shoqërore , interest personale të çastit , lindur gjatë kësaj periudhe të gjatë e të vështirë tranzicioni , përfshir edhe prapagandën e pandërprerë të kishës ortodokse greke ; e duan këtë zone me nje kombësi të tjetërsuar. Por , amund te tjetërsohet kombesia ? A mundet që ajo të jetë ne dorë të individeve , qofte edhe grupeve, per ta vetdeklaruar atë ? Gjykoj se kjo nuk mund të jete as e sakt , as e vertet dhe as e pranushme.Por cila është kombësia e popullsisë rrënjëse te kesaj zone ? Studiuesit që janë marrë me problemet e kombeve e kombësive paraqesin disa elemend në të cilat bazohen percaktimi i tyre . Ndër këta element ata rëndisin a) Trashëgimin material e kulturore ku pefshihen , besimi fetar aktual e parak , tradita e zakone , kënget , vallet, , vajet, veshjet etj . b) gjuha e folur e trashëguar brez pas brezi. c)Pozicionimi në nje teritor te caktuar për shumë breza. Etj . Le të paraqesim shkurtimisht si paraqiten këta element në këtë zone . Mursia dhe anekset e saj Xarra e Çifliku përbëheshin nga popullsi të krishtera të rritit ortodoks , ndërsa Kllogjeri e Konispoli ishin popullsi të besimit mysliman . Pamvarsisht nga këto ato rridhnin nga një besim i përbashkët që i përkiste Panteonit të Perëndive Zeusiane Dodojane . Madje edhe sot këto popullsi ruaj lutjen në “ Baba Zotin e Madh e te ergjdt “ qe nenkupton gjithsesi Zeusin . Mjafton te kujtojm se kur bënte moti i keq , me bubullima ,vetëtima e shkrepetima , gjyshet dhe nënat tona na qetësonin duke na thënë se ; është Baba Zoti që kalon me karroc dhe shkon të luftoj të këqijtë , kuçedrat, përbindshat , stihit . Por më interesante dhe tepër domethëse ështe lutja në “Baba Tomorin e Madh e të Ergjdt” e cila vulos edhe prejardhjen e kësaj popullsie që i përket me pa mëdyshje trungut Iliro- thrako –pellazgë . (kujtojmë se faltorja e lashte Zeusiane e Dodonës ishte ndërtuar nga pellazget , për së pari në Tomor, Malin e shënjtë të gjithë shqiptareve ) Po ashtu ruajn në memorien e tyre element që të çojnë edhe më se lashti , në besimin druid Iliro- Kelt, duke shenjtëruar lisin, rrapin , vjeshtullën (hurdhen), ullirin etj. Kaq i fort ishte ky besim sa që ime gjyshe besonte se im at mbas dymbëdhjet trembëdhjet lindjeve jetoj vetëm se djepi i tij, sipas nje porosie, u bë me dru vjeshtulle; per të cilin na la porosi ta hidhnim në lum pas vdekjes së tij . Këto popullsi betohen ende në gur, tokë, zjarr, male, fusha, diell hënë etj që rrjedhin nga besimet Iliro – Epiroto –Pellazge para Zeusiane. Kulti i gjarpërit , random i konsideruar iliro – pellazge është ende present në këto popullsi . Gjarpëri i shtëpisë konsiderohet ogur i mirë e nuk duhet vrarë . Bullari , një gjarpër ngjyrë rozë e trup madh konsiderohet i shënjtë e po ashtu nuk duhet vrarë ( Kujtoj se sipas mitologjisë Kadmi e Harmonia u shndruan në bolla e u dërguan në Fushat Eliziane) Gratë e Fushë Mursisë besojnë edhe sot se larja e flokëve me ujin ku është vëluar lëkura e gjarpërit i bën ato më rezistente më të gjata e më të shndritëshme.
Këngët , vallet , Elementët e shumtë tradicional të përfshir në dasmat , vajet, shpalosin tërësisht trevën jugore të shqipërisë me element lidhës gjuhen e përbashkët shqipen toskërishte . Interesante e mjaft domethënës është një fustan paje i punuar tërësisht me fije leshi e që me përjashtim të ngjyrë është një kopje e përkryer e xhubletës; “ fustë” e quanin nënat tona .
Gjuha e folur në Fushë Mursi e trashëguar brez pas brezi është gjuha shqipe e dialektit toskë ku përfshihen mjafte element të përdorimit zonal. Në të hasen një grup fjalësh që parapëlqejn të përdorin “ Ύ “ të alfabetit grek në vend të “g “ së shqipes si dhe “ X “ e alfabetit grek. Interesante është se disa fjalë të këtyre grupimeve nuk i kam gjetur në fjalorët e greqishtes. Une kam bërë një studim të veçant lidhur me këtë të folur dhe ftoj gjuhëtarët të merren me studimin e saj . Besoj se mund të jetë çelsi pë të përkthyer në mënyrë shkencore mbishkrimet e Butrintit. Shkoni në fecebooks dhe do të shikoni se sa mirë bashkfshatarët e mi e shkruajn greqishten me alfabetin e shqipes. Askujt prej tyre nuk u shkon ndërmënd se para 2300- 2400 vitesh të paret e tyre e shkruanin shqipen me alfabetin e greqishtes, i vetmi në përdorim në ato mote. Kjo është e vlefëshme edhe për ata që duan e janë përpjekur të dekriptojnë , lexojnë e përkthejnë nëpërmjet gjuhës greke të vjetër mbishkrimet e Butrintit.
Popullsia rrënjëse e Fushë Mursisë është zotruse e këtyre trojeve për një periudhë kohe shumë të gjatë e që të çon deri në mijëvjeçarin e dytë para erës sonë. Emrat mitiko – gjeografik të tillë si Kamare për burimet rrëzë Çukës së Ajtoit, Mallathre për pjesën jugore të kësaj fushe, Bundo e Kandale për mesin e saj, Bular për kodrat verilindore, Kalivua , Diapor , Ajdonat etj., si dhe vet emri i Butrintit tregojnë jo vetem lashtësin por edhe vazhdimësinë e pandërprerë të saj.
Së fundi : A do të pranonin antropologët shkëputjen dhe tjetërsimin e kësaj grup popullsie, tërësisht brakicefale, madje hipërbrakicefale ku jo rrallë shfaqen edhe elementët bjond e sy shkruar ?? Shumë e rëndësishme eshte të mos ngatrrojme shtetesine me kombesine . Në trojet tona janë vendosur minoriteti grek, arumun, maqedon etj , të cilët janë shtetas shqiptar.– Por a janë këta bashkëkombas shqiptar? Poeti i madh , dhe dijetari i shquar i rilindjes kombëtare Naim Bej Frashëri ka shkruar : “ Mëmëdhe quhet toka , ku më ka rënur koka , ku kam dashur mëm’e atë , ku më njeh dhe gur’i thatë, ku kam pasur shtëpinë, ku kam njohur perëndinë. Stërgjishrit ku kanë qënë , dhe varret q’i kanë lënë, , ku jam rritur me thërrime, Ku kam folur gjuhën time, ku kam fis e ku kam farë, ku kam qeshur ku kam qarë , ku rroj me gas e me shpresë , ku kam dëshirë të vdesë.” Përfundimisht ; sa është përshkruar më lart përbëjnë ate barikad që nuk na lejon të deklarojm sipas dëshirave personale apo grupore përkatësinë etnike . Jashtë tyre gjith kush mund të deklarohet si të doj .
KOZMA TAHO
Clearwater , Florida — Shkurt 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Ç’FARË KOMBËSIE JEMI NE, FUSHË, Kozma Taho, MURSIOTËT RRËNJËS?

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4062
  • 4063
  • 4064
  • 4065
  • 4066
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT