Në Shqipëri, Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, thotë se komuniteti musliman po bashkëpunon me autoritetet shtetërore kundër terrorizmit, duke frenuar rekrutimet e besimtarëve të rinj nga ISIS. Gurra është një antarët e kryesisë së Komunitetit Musliman Shqiptar, i cili mori pjesë përkrah klerikëve të tjerë në tubimin e Parisit kundër terrorizmit. Ai thotë se krimet barbare të ISIS-it në Siri nuk kanë asgjë të përbashkët me fenë islame, e cila po keqpërdoret prej kriminelëve atje. Në një bisedë me VOA-n, Gurra vlerësoi lart harmoninë fetare që ekziston në Shqipëri, dhe me të cilën shqiptarët mund të krenohen.
Çfarë ndjeni kur shihni se si në emër të fesë islame përfaqësues të ISIS vrasin gazetarë dhe pengje, njerëz të pafajshëm?
Tragjeditë që po kryen ISIS janë dhimbja e shekullit. Kam dhimbje dhe ndjehem i tronditur nga barbaria e shekullit 21: vrasja që po bën ISIS e njerëzve të pafajshëm, e grave e fëmijëve e pjestarëve të religjioneve të tjera, djegiet makabre yë njerëve. Këto tragjedi janë barbaria e shekullit 21 dhe do të shënohen kaq të zeza në historinë njerëzore. Përtej dhimbjes, ndjehem i prekur shpirtërisht, ndjehem i tronditur përballë makabritetit, përballë krimeve monstruoze që në asnjë libër në asnjë ligjshmëri, në asnjë religjion, në asnjë kulturë, në asnjë normë njerëzore qytetare dhe fetare nuk lejohen dhe as shkruhen as citohen. Nëse çdo shekull ka patur dhimbjet, tragjeditë e veta, shekulli ynë, për fatin e keq, ISIS është domethënia e një barbarie.
Por ata thonë se i bëjnë ato krime në emër të një çështje fetare?
Pjesa më e ndjeshme ku preket çdo njeri është besimi fetar. Prandaj edhe këta monstra po e shfrytëzojnë kartën e besimit për fat të keq të njerëzimit. Qëllimisht ata e hedhin në tryezën e botës së qytetëruar kartën se Islami dhe besimtarët e tij janë vrasja, dhe lakojmë më së shumti Sheriati, ligjshmëria fetare, si burim i ekzekutimeve, vrasjeve, vdekjeve. Këto krijesa monstruoze e keqpërdorin këtë ide në mënyrën më të keqe.
Ka patur jo pak rekrutime nga ISIS edhe midis të rinjve shqiptarë. A po ndodhin më rekrutime dhe çfarë masash janë marrë për t’i ndërprerë ato?
Për fat të mirë, ne nuk kemi ikje nga Shqipëria drejt Sirisë. Ato udhëtime kanë ndodhur para një viti. Ishte një numër jo i madh, dhe Shqipëria është ndër vendet e rajonit me numrin më të pakët. Edhe forcat e rendit e të sigurisë kanë marrë në kohë masat e duhura. Edhe Komuniteti Musliman i Shqipërisë dhe drejtuesit e lartë deri te imamllarët kanë përcjellë mesazhin që asnjëherë nuk ka patur, nuk ka dhe nuk do të ketë një çlirim të tokave të trojeve të shteteve të kombeve, të popujve të tjerë në emër të asnjë besimi qoftë islamit apo krishterimit. Në histori kanë ndodhur herë pas here të tilla lajthitje. Sipas Kuranit, ne Islamin e kemi së pari te vetja jonë, te njerëzit tanë të afërt, e kemi te fqinjët tanë, te qytetarët tanë dhe më gjerë te atdheu ynë i dashur. Askush nuk mundet ta tejkalojë Zotin. Kur një popull është sirian, turk, amerikan, britanik dhe shqiptar, askush nga ne nuk ka përgjegjësitë e shpëtimit të tyre, të çlirimit të tyre në shekullin e 21, kur mirëfunkionojnë organizma ndërkombëtarë që rregullojnë ekonominë, politikat, fetë për të gjithë qytetarët e botës. Sipas Kuranit, askush nuk mund të marrë përgjegjësinë se “do të ngrihet e të çlirojë Sirinë apo Spanjën e Francën”. Këta njerëz zinxhirët e mëdhenj të robërisë së vetvetes i shohin tek njerëzit, kombt dhe popujt e tjerë. Si thotë populli; e shehqimen tek tjetri dhe nuk sheh traun para syrit dhe mendjes së vet.
Komuniteti Musliman është më i madhi në Shqipëri, pra, çfarë ndihmese jepni ju në luftën kundër terrorizmit?
Komuniteti Musliman nuk është më i madhi vetëm numerikisht. Më i madhi është ai që u shërben më shumë të tjerëve dhe këtij vendi. Ne e kryejmë këtë shërbim nga kryetari i komunitetit dhe deri te çdo besimtar. E kundërta e kësaj nuk ka lidhje, nuk justifikohet dhe nuk përputhet aspak me qëllimin e fesë islame. Shërbimet që japim ne besimtarëve tanë, jobesimtarëve apo të besimeve të tjera duhet të përputhen me nevojat e tyre. Ky është qëllimi i fesë. Nëse nuk u shërbejmë nvojave të qytetarëve ne kemi dalë nga kornizat e besimit.
Pas ngjarjeve tragjike të janarit 2015 në Paris kundër gazetarëve të revistës satirike “Charlie Hebdo” kryeministri Rama kërkoi me të drejtë se duhet të ketë një gërshetim, një bashkëpunim më të ngushtë midis qeverisë, institucioneve shtetërore, komunitetet fetare dhe medias. Midis tyre duhet një bashkëpunim i fortë, informim në kohën e duhur në vendin e duhur dhe në kohën e duhur. Pra, informacioni bazik mbi fenë duhet gërshëetuar me traditën shqiptare të bashkëjetesës, e cila është e shkëlqyer, shembull, model, piedestal i një nga virtyteve që ka kombi shqiptar. Ky gërshetim do të sjellë rezultatet e veta, që po fuken qysh tani.
Unë pata një takim shumë të frytshëm edhe me drejtorin e përgjithshëm të policisë, Artan Didi, për këtë problematikë. Pra, ka një interesim të vazhdueshëm të vetë institucioneve shtetërore. Edhte organizmat ndërkombëtare po përqëndrohen në krijimin e këtyre urave, e këtyre kanaleve të përhershme me njerëzit e besimit fetar, që të mund të parandalohen lindjet e ekstremizmave dhe rrëshqitjet në radikalizëm.
Zoti Gurra! Çfarë emocionesh përjetuat në Francë, ku përkrah me klerikë të besimeve të tjera marshuat mes milionave të tjerëve kundër terrorizmit, pas vrasjes së gazetarëve të “Charlie Hebdo”?
Isha i drithëruar në ato minuta kur mora pjesë në marshimin e botës së qytetërruar në Paris 11 janar 2015. Ishim me kryeministrin Rama dhe me përfaqëuses të besimeve të tjera, ortodoksë, katolikë, bektashinj për të treguar që një komb i vogël si ne mbart relike që bota i kanë zili, si bashkëjetesa fetare. Ne dhamë një dëshmi të këtij solidariteti në një ditë të madhe dhimbje për Francën dhe gjithë botën e qytetëruar. Ne treguam se shqiptarët kanë mundur dhe tregojnë për botën se janë të gatshëm të ndajnë dhimbjen me të gjithë ata njerëz që goditen në emër të fjalës së lirë apo të besimit fetar. Krahas ekstremizmave dhe radikalizmave është rritur edhe islamofobia. Edhe unë kur e vë veten në vendin e një qytetari britanik, francez, gjerman, danez etj., ndjehem i frikësuar. Por unë mund t’i siguroj me shkëlqimin e kësaj dite se Islami dhe ata që përfaqësojnë vërtetësisht Islamin nuk janë në këtë botë për të imponuar pushtet, dhunë, presion etj., aq më pak ato makabritete që po ndodhin në Siri dhe Irak. Ato akte nuk janë të Islamit. Detyra kryesore iu bie pjestarëve të komunitetit musliman që ta shpjegojmë këtë. Ashtu si ishim në Paris në bulevardin Volter përkrah me klerikët e gjithë feve në krah të miliona parisienëve dhe europianëve, ashtu duhet të jemi edhe në jetën tonë në Shqipëri. Realiteti shqiptar na e imponon këtë butësi. Ne së pari, duhet ta shpjegojmë Islamin, ta jetojmë atë, dhe për të tjerët të jemi shpresa dhe jo frika.(Sipas VOA)
Rama-Meta,fundi i një dashurie?
Nga ARTUR AJAZI/
A është “dashuria” Rama-Meta drejt fundit , apo po pergatitet ardhja e këtij të fundit kryeministër? Duke parë të gjitha lëvizjet e fundit, devijimet dhe deklaratat e dala nga selitë respektive, deputetët dhe tek-tuk edhe nga lidershipi dy partive, mendoj se pavarsisht lidhjeve organike, duket se gjithçka ka marrë rrugën drejt fundit të paralajmëruar. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, duket sikur janë “një familje” që për hir të objektivave dhe ideve, duken sot sikur kanë patur një alenacë të paprishur mes tyre. Por duket se edhe ardhja e Ramës në PS më 2005, nuk ka mundur të zbusë klimën e ftohtë mes dy partive dhe liderve. Kjo e ka shpjegimin tek kryeneçësia e Ramës por edhe tek ego e Metës, i cili ka dhënë prova se di të bëjë e të luajë në skenën politike. Kampi socialist ka vite që po kalon klimën e acartë, mes mllefesh e sherresh. Por bashkimi i tyre elektoral, u vendos atëhere kur, palët e kuptuan se do të mbeteshin pa pushtet edhe për shumë vite dhe se nuk mund të mbijetonin të ndarë përballë një Berishe të fortë. Mes PS-LSI pas një viti e gjysëm në heshtje, në dukje si një “luftë e ftohtë” ka nisur përplasja e nëndheshme e cila nuk do të vonojë. Duke parë ecurinë e këtij koalicioni nga qendra në bazë, konkluzioni megjithëse paraprak është se, “dashuria” Meta-Rama nuk do ketë sukses të gjatë, sepse ia kanë me të pabesë njëri-tjetrit. Ndoshta edhe gabojmë, pasi Meta nuk ka parë shumë të mira nga grindjet politike, duke nisur nga koha e përplasjeve në KPD, nga largimi prej Nanos në 2003, ndryshimet Kushtetuese 2008, krushqia e detyruar me Berishën në 2009, e deri tek ngjarjet e vitit 2011. Duket sikur të gjitha këto gjëra kanë ndodhur jashtë natyrës Metës si politikan. Kurse Edi Rama, veç periudhës 3 vjeçare nga 2006 deri 2009,nuk kishte marëdhënie të mira me LSI, pas ndryshimeve Kushtetuese dhe Kodi Elektoral. Kjo pasi Meta e akuzoi se donte t’i shkatërronte partinë e tij, kurse Rama deklaronte se “ sistemi e forconte më shumë atë”. Dhe gjithçka rrodhi mes një situate të kompleksuar politike mes tyre. Nga krahu tjetër, Rama mendonte se Metës “I kishte mbaruar koha”, por ai e harroi faktin se harronte se kishte ardhur në PS pas tij. Ai gjithashtu harronte faktin se, Meta i vetëm ngriti LSI, dhe në 2005 mori edhe 5 deputetë. E majta e përfaqësuar aktualisht mes Ramës dhe Metës, përballë këtyre zigzakeve dhe përplasjeve politike, ndodhej vërtetë në krizë të pashmangshme e cila mund të ishte fatale në qoftë se, Meta do të bënte sërish “krushqinë” e tij me Berishën në zgjedhjet e 23 qershori. Kreu i LSI, njihet si njohës i mirë i politikës, dhe e dinte se, nëse PD fitonte më 23 qershor, fundi i tij ishte i pashmangshmëm. Kjo pasi Berisha do ta bënte “kurban” në momentin e parë. Kurse PS e Ramës, do të shpërbëhej nga lufta e brendshme, dhe e majta merrte fund përgjithmonë . Pra mënyra e vetme për ta mbajtur gjallë të majtën ishte ishte bashkimi PS-LSI dhe riformatimi i tyre në skenën politike. Një teori e tillë u servir edhe nga e majta europiane, sipas të cilëve, duhej të ringrihej e majta dhe më pas të ndahej pushteti mes tyre.e thënë më shqip, të fitonin mbi Berishën në 23 qershor dhe më pas të tatonin në qeverisje njëri-tjetrin. Pas këshillave ishte Rama që vendosi bashkimin me Metën , duke e parë si fuqinë e vetme për të ardhur në pushtet. Nga ana e tij, edhe Meta e shikonte bashkimin me Ramën si arsyen e fortë, për të qëndruar sërish në pushtet, por kësaj here jo në postin e kryeministrit. Nuhatja e tij politike, përkthehet “lëre Ramën të provohet si kryeministër”, dhe gabimet e tij do të maten me imazhin publik të dorëheqjes. Pra kjo ishte dhe mbetet “dashuria” e tyre, dashuri që duket se fundin do ta ketë spektakolar.
Në Colonial Williamsburg, Virxhinia, në shekullin e 18-të
Nga Keze Kozeta Zylo/
Historia amerikane si të gjitha historitë e vërteta në botë është tejet impresionuese, befasuese dhe frymëzuese.Duke jetuar përreth dy dekada në New York plus duke i shtuar dhe vitet e gjyshërve që ishin në Amerikë në fillim të shekullit të kaluar bëhemi një gjysmë shekulli në këtë tokë të bekuar, për rrjedhojë ja vlen të vizitosh dhe të mësosh historinë e vendit ku po punojmë dhe jetojmë. Fundjava e Ditës së të dashuruarve e Shën Valentinit më 14 shkurt dhe e ditës së Presidentit na gjeti në krahët e Williamsburg në shtetin e Virginias, nje ndër vendet më historike të Amerikës, por dhe në Virginian në vendin e të dashuruarve siç dhe shkruhet kudo se Virxhinia është për të dashuruarit, është rreth dashurisë, e pastër e thjeshtë.
Kjo ndërthurrje e historive duket gati si diçka hyjnore, sikur krijojnë një fushë magnetike dhe nuk të lenë pa vajtur t’i vizitosh ndonëse ishte hera e dytë për ne që shkonim së bashku me miqtë tanë që e dashurojnë artin, kulturën, historinë me çiftet Likollari dhe Pira. Edhe pse një e dielë e acartë me temperatura nën zero vetë Williamsburgu të krijon imazhin se s’pyet nga ngricat, bora, akulli, por ruan ate ngrohtësi dhe dashuri si në shekullin e 18 -te, ndryshe nuk ka se si shpjegohet që vizitorët nuk ndaleshin së shkuari për të mësuar rreth historisë dhe revolucionit amerikan.
Në të gjitha shtëpitë historike që i vizituam njohëm dhe prekëm nga afër historinë dhe njerëzit e shquar që punuan me aq përkushtim në Williamsburg të themeluar në vitin 1632, e cila ishte qendër e ngjarjeve politike që udhëhoqi drejt revolucionit amerikan. Williamsburgu ishte kryeqendra e të gjitha kolonive që u krijuan në atë kohë. Shtëpitë e ndërtuara qysh nga viti 1699 -1780 të cilat ruhen me fanatizëm janë një pasuri jo vetëm e Amerikës, por edhe e botës. Ato janë shtëpi dhe histori… Shumë prej ndërtesave si Gjykata e lartë, taverna Wetherburn e të tjera janë qysh prej shekullit 18-të, të tjerat si pallati kryesor, pallati i qeverisë, janë ndërtuar mbi themelet e tyre origjinale. Disa shtëpi janë përdorur si banesa private dhe zyrat. Flamujt që janë vendosur përballë shtëpive tregojnë se janë të hapura dhe të mirëpritura për vizitorët e ndryshëm.
Kolegji i William dhe Mary, themeluar më 1693, është institucioni i dytë më i vjetër-i arsimit të lartë në Shtetet e Bashkuara. Në të kanë studjuar tre presidentë amerikanë si dhe shumë figura të tjera të rëndësishme në historinë e hershme të kombit.
Gjithë shërbimi dhe veshja ishte si në shekullin e 18-të çka është tejet impresionuese dhe frymëzuese… Rrobat ishin punuar në tekstile dhe në mëndafsh në tezgjah, argjendi. Veshjet e shtrenjta të grave për raste ceremoniale ishin në funde të gjata të plota në formë koni tek beli, Kurse për burrat ishin kostume të qëndisura me kilota gjer në gju pastaj u zëvendësuan me pantallona të gjata.
Shume takime të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare janë mbajtur në këtë vend si dhe personalitete të shquara vazhdojne ta vizitojnë Williamsburgun. Kështu në vitin 1983 ësthë mbajtur Samiti 9 i G7. Pjesëmarrësit e samitit diskutuan krizën e borxhit në rritje, kontrollin e armëve dhe bashkëpunim më të madh midis Bashkimit Sovjetik dhe G7 ( tani G8 ). Në fund të takimit, Sekretari i Shtetit George P. Shultz lexoi për shtypin një deklaratë që konfirmon dislokimin e raketave amerikane Pershing II – bërthamore në Gjermaninë Perëndimore.
Pallati qeveritar në Williamsburg
“Give me liberty, or give me the death” Patrick Henry
Pallati qeveritar në Williamsburg, Virginia ishte qëndrimi zyrtar i Guvernatorëve Mbretërore të Kolonive të Virxhinias, ndërtuar në vitin 1699.
Pallati ishte gjithashtu një shtëpi për dy postet e guvernatorëve te Virxhinias, Patrick Henry dhe Thomas Jefferson, derisa kryeqyteti u zhvendos në Richmond në 1780. Ciceronja e veshur me kostumin e shekullit të tetëmbëdhjetë filloi të fliste për historinë amerikane në Williamsburg se: “Në krye të revolucionit amerikan qëndronte gjenerali George Washington i cili vinte nga prindër latifondistë shumë të pasur, ai mjeshtërisht dhe me shpirtin patriotik udhëhoqi popullin amerikan drejt fitores dhe shpalljes së Pavarësisë nga Anglia”.
Të trembedhjetë kolonitë që u bënë aq të rëndësishme për Pavarësinë e Amerikës ishin: Delaware, Pennsylvania, New Jersey, Georgia, Connecticut, Massachusetts Bay, Maryland, South Carolina, New Hampshire, Virginia, New York, North Carolina, dhe Rhode Island. Ato u krijuan ndërmjet viteve 1607-1733 në Virxhinia dhe Georgia.
Nëpërmjet debateve të shumta dhe të ashpra midis ligjvënësve të kolonive amerikane ata
kërkonin një qeverisje të të gjithë Amerikës. Organizatorët kryresorë ishin George Washingtoni, Medison, Aleksander Hamilton etj…, ndersa Patrick Henry që u bë i famshëm me fjalimin e tij i cili kundërshtoi forcimin e qeverisë qendrore pasi siç thotë ai, ne e pamë dhe e hoqëm në kurriz shtypjen angleze që udhëhiqej nga mbreti i cili kishte shumë të drejta për të vepruar si tiran.
Kolonitë po luftonin të shkëputeshin njëherë e përgjithmonë nga Anglia. Mbreti i Anglisë George i Tretë, kishte një ndikim të jashtëzakonshëm dhe akoma ishte në fuqi duke i detyruar kolonistët të paguanin taksat. Kolonistë quheshin të gjithë anëtarët e 13 kolonive. Udhëheqësit e kolonive dhe politikanë të shquar si George Washingtoni, Thomas Jefferson, John Adams, Samuel Adams dhe Patrik Henry po i çonin kolonitë drejt një bashkimi dhe kundërshtim të hapur me qeverisjen dhe tiraninë angleze.
Por në dy grupet e ndara në të cilat njeri grup kërkonte që Kombi të udhëhiqej nga qendra dhe një grup tjetër të forconte qeverisjen e shteteve të ndryshme bëri që të ketë debate dhe mospërputhje në mendimet e tyre.
Kështu një nga kundërshtarët e fortë federale ishte Patrick Henry që do të ngelet përjetësisht në kujtesën historike amerikane i cili përpara përfaqsuesve në Virxhinia do të deklaronte: “Give me liberty, or give me the death” Më jepni lirinë ose më jepni vdekjen! Patrick Henry me profesion avokat ashtu si dhe shumë patriotë të tjerë që kryen revolucionin amerikan kishte lindur në Virxhinia si dhe presidenti i parë amerikan George Washington. Ai ka thënë se: “Kushtetuta nuk është një instrument i qeverisë për të limituar të drejtat e popullit, por është një instrument i popullit për të limituar veprimtarinë e qeverisë, përndryshe ajo do të sundojë jetën dhe të drejtat tona”.
Interesante ishte dhe jeta private e Henrit i cili nga martesa e parë kishte 6 fëmijë dhe nga martesa e dytë 11 fëmijë.
Ajo që do më bënte më shumë përshtypje ishte se pas shumë debatesh të ashpra ata kishin gjetur gjuhën e përbashkët kishin rënë në kompromis për t’u përfaqsuar në Kongres në mënyrë krejtësisht të barabartë. Ndërsa cicëronja fliste mua si shqiptare gjithmonë më shkonte mendja tek Kombi im që udhëhiqet nga politikanë që grinden dhe që njohin vetëm gjuhën e helmit, duke përfunduar në interesa të ngushta meskine dhe që mëria e tyre shkon për dekada të tëra për mos thënë gjithë jetën pa folur, pa i hapur rrugë njeri-tjetrit, ndaj dhe mjerimi dhe problemet politike janë të pandara për popullin shqiptar.
Kur dëgjon dhe lexon historinë amerikane dhe se si ka qëndruar kaq gjatë kushtetuta e saj si kushtetuta më e vjetër në botë medoemos që mendon se Amerika u udhëhoq nga një grup burrash të ndritur, shumë prej tyre nga Virxhinia, udhëheqës të kolonive që e çuan Amerikën drejt fitoreve të panumërta.
Politikanë si George Uashington, presidenti i Kongresit që firmosi Kushetutën, John Adams presidenti i dytë, Aleksander Hamilton, Franklin, John Jay, Thomas Jefferson hartuesi i Deklaratës së Pavarësisë dhe president i tretë, u bënë promotor të Lirisë dhe ëndrrës amerikane. Më 4 korrik, 1776 ato nënshkruan Deklaraten e Pavarësisë që shpalli përgjithmonë pavarësinë e tyre nga Britania e Madhe. Kjo datë festohet si Dita e Pavarësisë amerikane dhe sivjet populli amerikan feston 239 vjetorin e saj.
Në vitin 1789 u miratua kushtetuta e re me 10 amedamentet bazë që janë dhe të pandryshueshme gjer tani, si liria e fjalës, e fesë, e shtypit. Shtetet kryengritëse mposhtën Britaninë e Madhe në revolucionin amerikan nga lufta e kolonive për Pavarësi.
Ndonëse vizituam shumë ndërtesa si të parukeve, të qymyrit, të armëve, të librave, të këpucëve, etj është e pamundur ta përshkruash historinë e mahnitshme të Williamsburgut brenda pak ditësh, por sidoqoftë historia e saj është siç shkruan kryeministri anglez dhe nobelisti në letërsi Winston Churchill se: History will be kind to me for I intend to write it.” që do të thotë se: “Historia do të jetë e sjellshme me mua sepse kam ndërmend ta shkruaj atë”.
Burgu në Williamsburg
Midis të gjitha ndërtesave të shekullit 18 ishte dhe shtëpia burg, e ndërtuar me urdhër të Ansamblesë së përgjithshme publike në gusht 1701, kur Williamsburgu u bë kryeqyteti i kolonive. Gjatë revolucionit, spiunët, dezertorët ushtarakë, tradhtarët ishin të burgosurit politik. Ata qëndronin atje vetëm 90 ditë të cilët ose dilnin të gjallë dhe liroheshin ose dilnin të vdekur, kjo varej nga gjykimi i Gjykatës së përgjithshme dhe nga masa e dënimit që ata vendosnin si gjykatë supreme. Zinxhirët e rëndë me peshë të madhe, si dhe zinxhirët rreth qafës, ishin disa nga pajisjet që ju vihej të burgosurve politikë.
Burgu shërbeu si ndërtesë deri në vitin 1910 dhe në vitin 1936 përfundoi së rindërtuari. Dhoma e burgut që vizituam ishte me një dritare me dyfish hekurash pa xhama, përballë kishte një oxhak, ndërsa batanijet që hidhnin nga të ftohtit ishin përtokë.
Në cep tek dritarja ndodhej një sunduk druri që ngjiteshe me 3-4 shkallë të ulta për të shkuar mbi sunduk që kishte formën e nje tasi tualeti, për të kryer nevojat personale. Duke u hedhur përsëri në ndjenjat si shqiptare të gjithe ne thamë se nuk dukeshin keq dy dhomat e burgut që vizituam të cilat çuditerisht kishin oxhak që ngroheshin të burgosurit. Ato ishin të gjitha të veshura me dru dhe me dysheme me dërrasa, ndërkohë nga intervistat që kam marrë prej shumë të dënuarve politikë në Shqipëri ata tregojnë me tmerr dhomat e territ në burgjet si gogol, muret e akullta dhe të mykëta, mbipopullimin, minjtë përreth, lagështirën, ferrin e vërtetë, që mjerisht disa prej burgjeve politike, godinat e tyre si Ferr i shkatërruan dhe nuk iu gjendet nami e nishani.
Kur ne u larguam nga godina e burgut i thamë cicerones se burgjet shqiptare ishin më të tmerrshme se burgu që pamë këtu, ato ishin si gropa të zeza gëlltitëse që s’mund të krahasohen me këtë burg edhe pse ky është një burg i shekullit të 18-të ndërsa ata ishin burgje të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Ciceronja edhe pse nuk dinte ku binte Shqipëria ngeli e shtangur përballë kushteve cnjerëzore të burgjeve shqiptare.
Taverna King’s Arms e preferuara e George Washingtonit
Tavernat ishin tejet karakteristike dhe servirej me po atë ushqim, pjata dhe veshje si në shekullin e 18-të. Ne shkuam në njeren prej tyre që quhej “King’s Arms”.
Një ndjenjë e bukur shpirtërore të krijohej kur hyje brenda tavernës. Të gjithë kamarjerët me nje ngrohtësi mirësardhje të ftonin të uleshe në tryezë që ishin me punime druri. Kamarjeri ynë i veshur me rrobat e shekullit të 18-të ku më bënë përshtypje më shumë këpucët, çorapet dhe gravata filloi të na pyeste se a kishim ardhur më parë në Williamsburg? Ai kishte 30 vjet që shërbente në këtë tavernë me të njejtën veshje të cilën e dashuronte dhe e kishte pjesën e jetës së tij. Elekuenca dhe mirësjellja e tij në të folur ja shtonin dhe më shumë bukurinë lokalit. Llambushkat e vogla përreth me një dritë të zbehtë, pjatat e dekoruara, pecetat, lugët, ibriku, gotat e verës ishin një pjesë e përvojës së bukur për atë ditë në këtë tavernë rrethuar nga miq të fjalës së bukur dhe të sinqertë çka e bënte atmosfterën dhe më të bukur dhe më tërheqëse. Kamarjeri tha se ju keni ardhur në tavernën më të preferuar të presidentit të parë të Amerikës George Washington, i cili kishte shumë të preferuar gatimet e detit. Unë ju kam ulur në tavolinë vazhdoi ai ku para disa kohësh u ul komedianja e famshme botërore Joan Rivers, njëkohësisht aktore, shkrimtare, producente dhe prezantuese Televizioni. Unë do t’ju shërbej vazhdoi kamarjeri me të njejtën dashuri dhe zell si për Joan River, por jo vetëm për atë, por për të gjithë njerëzit që vijnë këtu dhe respektojnë historinë amerikane. Për vizitën e Joan Rivers në këtë tavernë shkruajtën shumë gazeta ku ajo falënderonte të gjithë stafin për krijimin e një mjedisi magjik i cili ta çonte imagjinatën në tre shekuj të kaluar. Fatkeqësisht ajo ndërroi jetë në shtator 2014 në Manhattan gjatë një analize mjekësore që e çoi drejt një cardiaku arrest. Pas fjalës së kamarjerit erdhi pronarja e tavernës Christiana nje grua fisnike me moshë 75 vjeçe. Ajo foli për historinë e tavernës, jetën e saj që e kishte lënë burri në moshë shumë të re me dy vajza një 3 vjeçe dhe një në bark të saj të palindur. Ajo me guxim pasi bleu këtë tavernë pronësoi dhe 4 taverna të tjera dhe vetëm puna dhe durimi ndryshuan jetën time dhe të fëmijëve të mi, vazhdoi pronarja e cila fliste me një zë delikat dhe konfident. King’s Arms tavern është hapur në 1772 dhe filloi të jetë më e populluara ku zakonisht vinin njerezit me influencë të lartë politike. Taverna është hapur nga Jane Vobe. Në këtë tavernë shërbehet në mënyrë mjaft të kulturuar dhe me ushqime super të shijshme. Fotografitë me pronaren e tavernës ishin shumë të këndshme dhe ajo na ftoi për të ardhur përsëri në fund të marsit pasi do të kishte hapjen e një taverne të re. Le të shpresojmë.
Vizitën në Colonial Williamsburg e mbyllëm duke parë paradën madhështore tradicionale ushtarake me ushtarët të veshur si me rrobat e George Washington dhe komandantët që urdhëronin ushtarët të qëllonin me topa në nderim të të gjithë presidentëve të 13 kolonive që ëuan Amerikën drejt Pavarësisë nga Anglia.
Virxhinia, vendi i të dashuruarve
Ndonëse lindim vetëm dhe vdesim vetëm dashuria e vërtetë krijon magjinë që nuk të lë vetëm por të shoqëron gjer në momentet e fundit të jetës edhe pse shpesh herë mund të mendosh se do t’i mbyllësh sytë në vetmi, atëhere mbi qepalla si frymë e shenjtë të ulet dashuria si një ëngjëll i zbritur nga qielli. Secila pikënisje e një dashurie ka historinë e saj, të bukur apo të dhimbshme, por që nuk harrohet lehtë, se të harrosh dashurinë e vërtetë është njëlloj sikur të kujtosh një njeri që s’e ke takuar kurrë. Pikërisht në ditën e të dashuruarve ne zgjodhëm Virxhinian.
Historia e Vixhinias është tejet e pasur ku midis shumë historish nuk mungon dhe ajo e dashurisë. Gjysma e Amerikës gjer në vitin 1967 kishte ligjin kundër martesave të përziera çka do të thotë se dënoheshin kush do të thyente ligjin martesor.
Dashuria e pastër e dy të rinjve me ngjyrë si e Richard Loving i cili ishte i bardhë dhe Mildred Jeter e cila ishte me ngjyrë të zezë, një afrikano amerikane bënë që të ndryshonin ligjin martesor në vitin 1967 nga Gjykata e Lartë. Ata u lindën dhe u rritën në Virxhinia. Ata u dashuruan kur Mildred ishte 18 vjeçe ndërsa Richard ishte 24. Ata hoqën shumë peripecira së bashku pasi shikoheshin dhe përbuzeshin nga njerëz të shumtë dhe për më tepër fshiheshin nga policia se mos i arrestonte. Një natë në orën 2 të mëngjesit polici më tmerroi kur e pashë pranë shtratit tonë baskëshortor dhe na arrestoi të dyve pasi kishim thyer ligjin në shtetin e Virxhinias. Policët iu bastisën shtepinë gjatë natës. Më 6 janar, 1959, Lovings u deklarua fajtor dhe u dënua me një vit burgim, me dënim me kusht për 25 vjet, që çifti të linte shtetin e Virxhinias. Ata e bënë këtë , duke lëvizur në District e Columbias.
Së bashku linden 3 fëmijë, Donald, Peggy, dhe Sidney. Richard Loving vdiq në moshën 41 në 1975, kur një shofer i dehur goditi makinën e tij në Caroline County, Virginia. Mildred Loving humbi syrin e saj të djathte në të njëjtin aksident. Ajo vdiq nga pneumonia më 2 maj 2008, në Milford, Virxhinia, në moshën 68.
Ndonëse ata ikën shumë të rinj dashuria e pastër e tyre ngeli e përjetshme, në nderim të tyre jane ndërtuar skulptura ku shkruhet me shkronja të mëdha LOVE dhe ku vizitorët e shumtë pozojnë brenda dashurisë së tyre. Vetëm dashuria e çliron botën nga urrejtja, çka të kujton thënien e Martin Luther King Jr. i cili thotë se: “Hatred paralyzes life, love releases it. Hatred confuses life, love harmonizes it. Hatred darkens life, love illuminates it, që përkthehet: Urrejtja paralizon jetën, dashuria e çliron atë, urrejtja confuzon jetën, dashuria e harmonizon atë, urrejtja e errëson jetën, dashuria e ndriëon atë”.
Për rrjedhojë dashuria e zjarrtë e Richard dhe Mildred e çliroi ligjin e urrejtjes raciste që pengonte martesat me raca të ndryshme.
Shkurt, 2015
Colonial Williamsburg, Virginia
Shtate vjet shperfillje te shtetit-mohim te vetvetes
Ne Foto:Pas largimit te pushtuesit serb/
Nga Halit Mehmetaj/ New York/
Kaluan shtatë vite pa prespektivë, Kosova është një realitet i pakthyeshëm, por i getoizuar, i lenë në harresë, e i mohuar nga vetvetja, i eksplatuar nga qeveritë që shkuan e që kanë ardhur.
Shtatë vite premtime prallore në fushata e zhgënjim deshpruese në realitet. Ti përkujtojmë zgjedhjet e fundit ku gjashtë muaj mbetëm pa qeveri, e cila gjatë fushatës na premtoi 50 mijë vende pune, e 500 milion investime në bujqësi, e të mos flasim shka thanë të tjerët “gojemjaltet”që mbetën në opozitë.
Shtatë vjet intriga, shpërfillje të shtetit, e mohim të vetvetes. Shtatë vjet kriminalitet, kapje e shtetit, bastardhim i Kushtetutës dhe ligjeve të saj, pa shtet juridik, sepse ligjin e bën mafia politike, klanet e krimit të organizuar, makromafia shtetrore, që ua vodhi ardhmërinë qytetarëve të Kosovës këto shtat vite.
Shtatë vite friksim dhe kërcnim të qytetarëve te cilët nuk janë ndalur duke e braktisur vendin e tyre të dashur deri në egzodin e fundit që ndodhi këto ditë për shkak të zhgënjimeve që ia bëri qeveria dhe klasa politike. Shpërnguljet masive të kohëve të fundit po ndodhin në shenjë revolte me pushtetarët të cilët nuk kanë bërë asgjë për mirqenjën e tyre qe shtatë vite. Ky realitet nuk ka ardhur prej askujt por na e sollët ju, qeveritarët e deritanishëm që e rjepët këtë popull, e mashtruat dhe e detyruat të shpërngulet dhimbshem si zogjet e qyqes sokaqeve te Evropes. Të gjitha shpërnguljet e deritanishme janë marrveshje me padronët e ndryshëm.
Mbi 3600 vetë punojnë në Kosovë me diploma të fallsifikuara që janë të vërtetuara nga gjykata si të tilla. Ata punojnë se e kanë ble vendin e punës më lek si dhe diplomën. Pak kush ka mundur të hy në punë pa dhën ryshfet. Ky është realiteti ynë qe e kemi krijuar ne. –
Është thënë se pavarësa e Kosovës i ka shërbyer jo vetëm Kosovës dhe qytetarëve të saj, por edhe paqes e sigurisë në rajonin e Ballkanit, si dhe të hapësirës evropiane. Por brenda territorit të Kosovës në mbi 35% të hapsirave të sajë nuk mundesh më lëviz lirshëm, minoritetet nuk e njohin pavarsinë e Kosovës dhe Kushtetuten e Republikës së Kosovës.
Në Kuvend është pranuar “Lista Serbska” që nuk e njeh Republikën e Kosovës, madje njëri nga ministat e kësaj liste, Jabllanoviq i quajti nënat tona “egërsira”, të cilat përpiqeshin bashk me protestuesit gjakovarë të pengonin vizitën e disa serbëve në Kishën ortodokse të Gjakovës në mesin e të cilëve kishte edhe kriminel lufte.
Për fyerjet kanibaliste që Jabllanoviqi ua bëri nënave tona, nën presionin e popullit që u ngrit në këmbë më të mdhë e të vogël, u largua nga posti i ministrit por me shkuarjen e tij mund të vije një Dodik i ri që mund të na qoi drejt bosnizimit të Kosovës.
Kosova nga viti 1999, pasi që forcat serbe u detyruan ta lëshonin Kosovën, ka qenë e administruar nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK, dhe institucionet demokratike të Kosovës, por mjerisht Kosova ka mbetur ende në piken zero, madje në disa raste ende është e aplikueshme rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit ku Kosova përmendet se është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë. Por që faktikisht, Serbia edhe më tutje i aplikon ligjet e saja në Kosovë.
Ky është një realitet i hidhur por që ka ndodhur, qeveritë që shkuan dhe erdhën e shitën pasurinë e Kosovës, e getoizuan atë, e shpërngulën pjesën vitale të kombit, dhe tani po knaqen me kolltuqet e tyre qe janë bërë pothuajse të përhershme.
Që nga viti 2000 e këndej qevritë tona njera pas tjetres e kanë zhgënjyer popullin skajshmërisht. Korrupcioni shtetror e ka varfëruar poullin bashkë me profiterët e luftës dhe të pasluftës. Afersisht 60% e popullit tonë është i futur në kredi qe i kanë kamata më të larëtat në Evropë.
Për pesëmbëdhjet vite nuk ka ndryshuar cilësia e shërbimeve shëndetsore, ajo është në shkallën primitive. Edhe sistemi arsimor është i cilësisë së dobët, kjo ka bërë që brezi i ri edhe pas 15 vitesh nuk ka arritur ta merr pushtetin.
Gjenerata e re, ish-luftetarët që sakrifikuan, të burgosurit politik që përgaditën brezat, e populli në përgjithësi që e pau të zitë e ullirit ndër shekuj, nuk arriti të jetë i lumtur ta gëzon lirinë që e priti me shekuj, sepse ajo iu rrëmby nga matrapazët e politikës të cilët e repen ket popull dhe ia morrën kafshatën e gojës e pastaj e zhveshen nga identiteti.
Ka ardhur koha ta ngrisim zërin e unisuar për të bërë kthesa pozitive. Populli ynë gjithmonë ka ditur dhe ka mundur të bën kthesa progresive.
Me shtatëmbëdhjetë shkurt 2008, u kurorëzua synimi shekullorë i bartur ndër gjenerata, me gjurmët e pashlyera të një varg personalitetesh të njohur, të cilët me punën dhe kontributin e tyre e mbajtën gjallë dhe i dhanë shtytje procesit, por edhe me veprat dhe sakrificat e shumë të tjerëve, “njerëz të rëndomtë” të punës, penës dhe pushkës, të cilët me djersën, dijen dhe gjakun e tyre shkruan vargjet më të dhembshme dhe më të lavdishme të epopesë së Kosovës. Kosovën pavarsisht pengesave ka plot enegji të reja që do ta qojnë përpara, deshtëm apo nuk deshtëm ne, Kosova do të ecë drejt përparimit, drejt shtetndërtimit dhe drejt clirimit perfundimtar nga oligarket politik.
Shtatëmbëdhjetë shkurti ishte me plot të drejtë ditë gëzimi dhe festimi për popullin e Kosovës, sikur që ishte i tillë për të gjithë shqiptarët anë e mbanë Globit. Mirpo ky gezim nuk zgjati shume,ai u vodh nga kontrabandistet politik,nga tregtaret e interesave kombetare dhe matrapazet e shumte per tu kthyre ne mjerim te skajshem politik, ekonomik e kulturor. Ketë përvjetorë të pavarsisë elita politike ne Prishtine bashke me ‘kumbaret’ e Dacicit dhe Vuqiqit e viqave te tjere, qe po u trashet qafta duke I exploituar pasurite kombetare te popullit te Kosoves, kremtuan pa 70 mij qytetarë të Kosovës te cilet vet i detyran të shpërngulen . Për këtë ditë pritëm mbi 100 vjet.Nje shekull beteja te pergjakshme me armiqet tane shekullor e nuk ikem ,tani kur erdhi liria po e lëmë vendin.
Gjithsesi, shtetet e mëdha të Evropës, me qasjen pozitive që patën ndaj çështjes së Kosovës në këtë fillim shekull, korrigjuan deri diku gabimin dhe mëkatin që ato bënë ndaj popullit shqiptar gjatë dy shekujve të kaluar. Por tani na mbetet neve ta qojmë Kosovën përpara, kjo do të ndodhë sepse Kosova është gjaku ynë që nuk falet.
SHABAN POLLUZHA, KOLOSI QË PËR PESËDHJETË VJET U ANATEMUA
*SHABAN PALLUZHA (1871 – 1945)-Fotografi që për 50 vjet mbeti e ngujuar nën dërrasa të hambarit, ndërkohë që bloza, pluhuri dhe lagështia e grisën dhe e shkatërruan pothuaj tërësisht./
•Me rastin e rënies së tij heroike më 21 shkurt 1945./
Shkruar nga Muhamet Mjeku/
I blinduar nga divizione të shumta ushtarake të Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës, më 21 shkurt të vitit 1945, pas një lufte të ashpër në kullat e Hasan Sylës në Trestenik, ra heroikisht si legjendar Shaban Polluzha, njëri ndër koloset e historisë sonë kombëtare bashkë me një pjesë të luftëtarëve të tij dhe me trimin e njohur, Mehmet Gradica. Të gjitha këto divizione jugosllave, përkundër zjarrit me mortaja dhe artileri të rënda, vetëm pas 9 orësh, arritën ta rrënojnë fortifikatën, ku ndodheshin 150 kryengritës të guerilës shqiptare. Këtu mbaron një dramë dhe vazhdon drama tjetër e përgjakshme ndaj Kosovës: ekzekutime masive, burgosje, zhdukje, Tivari, Sremi, Trogiri… Viti 1945 konsiderohet viti më tragjik, bashkë me dimrin e egër që s’ mbahej mend.
Shaban Polluzha, një burrë me shtat mesatar, kokëthinjur me një natyrë të ngrysur, kishte kundërshtuar padrejtësitë ndaj shqiptarëve të Kosovës në kohë të ndryshme: gjatë Luftës së Parë Botërore, gjatë Mbretërisë Sebo-kroato-Sllovene dhe më 1945 organizoi kryengritjen kundër okupimit serbo-jugosllav. Në fushë-betejë nxjorri afro 10.000 luftëtarë.
Lindi në Polluzhë të Drenicës më 1871. Mibemrin e mori sipas fshatit të lindjes, ndërsa i përket fist Kastrati. U rrit dhe u edukua në një familje me traditë kombëtare, e njohur edhe për zgjidhjen e konflikteve ndërfamiljare e ndërnjerëzore. Qe edhe kryetar i Këshillit Pajtues në Drenicë dhe kryetar i komunës në Polac. Një personalitet i rrallë, shumë i respektuar me veti të jashtëzakonshme njerëzore. Në një rast kur i burgoset, njëri nga tre djemtë e tij, gruaja i thotë: “Djalin po duan ta pushkatojnë, ndërkohë që ti po sillesh si të mos kishte ndodhur asgjë”, ai i përgjigjet: “Edhe të tjerët që ndodhen aty, kanë dikënd të vetin, sikurse djali ynë”.
Ishte tejet i matur, por në momente dinte të rrebelohej. Një ushtar i tij e hedh bukën nga dritarja se ishte pak e pa pjekur, ai me ngritje të zërit i thotë:” A di se jemi në luftë, e jo në shtëpi”, ndërkaq kur i plagoset djali i madh, ndonëse e kishte prekur thellë në shpirt, shokëve të luftës u thotë” edhe tjerët janë plagosur dhe vrarë”.
Në dimrin e egër të atij viti, kur e shihte popullin duke vuajtur për bukë dhe të masakruar nga çetnikët dhe partizanët komunistë, i shkonin lotët.
Babai i tij, Rexhepi, u pushkatua më 1912 në Serbi, pasi ishte marrë dhunshëm me shumë burra të tjerë nga Kosova. Vrasjen e tij, dhe të burrave tjerë, e përjetoi rëndë dhe kjo ngjarje e motivoi më shumë t’i përkushtohej luftës në mbrojtjen e të drejtave kombëtare e njerëzore të popullit të tij. Kishte përjetuar katër pushtime, njërin pas tjetrit: turk, serb, bullgar, austriak dhe jugosllav. I kishte dalë në ndihmë Azem Bejtës, si mik që e kishte, dhe Lëvizjes së tij Kaçake, kur ishte kryetar komune në Polac. Në vitin 1941 xhandarmëria e udhëhequr nga italianët, ia internoi familjen në Kullat e Sheremetit në Pejë, ndërsa në Polluzhë i djegu të tijen trikatëshe bashkë me shtëpinë dhe objektet tjera.
Kulla e tij bëhet rrafsh me tokë edhe në vitin 1945 nga Brigada e KNOJ-it. Shumçka e vlefshme ishte shkatërruar nga flakët. Më 1941 organizon forcat e tij vullnetare ndaj depërtimit të çetnikëve në rajonin e Koleshinit të Ibrit, ndërsa më 1943 i priu një mase të madhe prej 3000 vullnetarësh në mbrojtje të Novi Pazarit, ku çetnikët kryenin masakra tmerruese ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve, si në Bihor e vende të tjera të këtij rajoni.
Në janar dhe shkur(1945) me luftë kundërshton projektin shfarosëse të Serbisë në Kosovë. Në fushë-betejë nxorri afo 10.000 luftëtarë, kryesisht nga Drenica për të ndalë krimet çetnike mbi gra, fëmijë e pleq që kryheshin gjithandej Kosovës.
Rrethanat shoqërore-politike në këtë periudhë ishin shumë të disfavorshme për Kosovën. Në Beograd dhe Podgoricë ishte projektuar një skenar i errët për shqiptarët jashtë Shqipërisë shtetërore, në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të zi. Në këtë skenar parashihej mobilizimi i shqiptarëve të moshave të ndryshme dhe dërgimi i tyre në frontin e Sremit,Trogirit dhe në vija të tjera të luftës në Jugosllavi, ndërsa brenda në Kosovës dhe në territoreve tjera shqiptare, të silleshin çetnikët e Drazha Mihaloviqit dhe bandat tjera serbe për të kryer krime masive mbi civilët shqiptarë.
Në bazë të këtij skenari famkeq insistohet të bindej Shaban Polluzha që, me brigadën e tij, të nisej në luftë kundër nazistëve gjermanë në rajonin e Sremit në Vojvodinë, kurse çetnikët dhe partizanët të bënin çdo gjë të keqe në Kosovë, pa u penguar nga askush. I zënë ngusht, para përgjegjësië së madhe ndaj popullit, Shaban Polluzha që kishte një moshë 75 vjeçare, fillimisht kishte pranuar dhe, ende sa ndodhej në Podujevë në rrugë për në Srem, i arrijnë lajme të frikshme se çetnikët kishin hyrë në Drenicën veriore dhe në disa pjesë të Kosovës në kufij me Srebi e po ekzekutonin njerëz në familjet shqiptare, duke i therrur edhe me bojaneta. Pas këtyre informatave, edhe përkundër urdhërit të prerë të Shtabit të LNÇJ që të vazhdonte rrugën për në Srem, se më nuk do të ndodhte më asnjë vrasje e njerëzve të pafajshëm, ai kishte refuzuar kategorikisht pohimin e tyre dhe në bisedë u kithte thënë se ju më pretë në besë. Në këtë “besë” ai kishte dyshuar vazhdimisht!. Këtë dyshim e kishte nga përvoja e tij e gjatë. Derisa ky po kthehej, Shaban Haxhia me Brigadën e 7 të “Kosovë e Metohisë”, në të njëjtën ditë, po udhëtonte për në frontin e Sremit.
Gjatë kthimit nga Llapi për në Drenicë, brigada e tij sulmohet në pritë nga njësitë partizane, por pa pasoja dhe kapërcen Çiçavicën, duke u përqëndruar në Drenicë ngaqë aty, ditë më parë, ishte likuiduar paria dhe njerëzit më autoritativ dhe luftëtarët ishin nga kjo pjesë e Kosovës. Serbia këtë rajon e konsideronte të rrezikshëm, duke kujtuar rezistencën shumëvjeçare të Azem Bejtës.
Më 8 shkurt 1945 Shtabi Suprem i UNÇJ, Kosovën e futi nën administrimin e hekurt ushtarak dhe shpall gjendjen e luftës. Tani shqiptarët pushkatoheshin në shtëpi, në rrugë dhe aty ku ndodheshin e lëvizeshin.
Shaban Polluzha, me luftëtarët e tij vendoset në Drenicën Perëndimore dhe aty organizohen në formacione ushtarake: në çeta, batalione, togje dhe njësi më të vogla. Në fillim, për shkak të raporteve jo të mira mes tij me Mehmet Gradicën, luftën kundër brigadave partizano serbe e
zhvilluan ndaras, por ideali kombëtar i bashkoi në një front. Aksionet u organizuan sipas terrenit dhe strategjisë në vende të ndryshme, të përqëndruar në Rezallë, Likovc, Obri, Plluzhinë, Ticë, Açarevë, Tërstenik, Llaushë, Prekaz dhe më vonë në fshatrat tjera të Drenicës Lindore, rrëzë Çiçavicës. Në brigadën e Drenicës kishte luftëtarë edhe nga rajoni i Vushtrrisë, Mitrovicës, Artakollit, Llapushës dhe më pak nga viset tjera. Divizionet dhe brigadat ushtarake serbe, malazeze, maqedone dhe ato, ku kishte të inkuadruar edhe shqiptarë nga Kosova, si dhe Brigada e pestë e Shqipërisë që u kthye në Kosvovë pas Vishegradit, kryen krime të frikshme kundër popullatës civile, në pamundësi që të hakmerrshin drejtpërdrejt për humbjet e tyre nga kryengritësit shqiptarë të Polluzhës. Komandanti i Administratës ushtarake, Sava Derljeviq, kohë më pas, shkruante për kryengritjen e Drenicës. “…nga ana jonë ishin të angazhuar së paku 4 divizione, brigada e 46 serbe, e 52 e Kosmetit, grupi operativ i brigadave (e I-ra e Bokelit, e 6 malazeze, dy brigada të Kosmetit) dhe Brigada e KNOJ-it. Kohë pas kohe ishin të angazhuar edhe divizioni i 24-të serb dhe 41-të dhe ai 50 maqedon. Krejt këto forca kishin mbi 40. 000 ushtarë. Në këto përleshje edhe ne kemi pësuar humbje serioze”, thotë Derljeviq.
Janë tmerruese masakrat në Terstenik, në Skenderaj, në Polac, Rezallë, Drenas,… Druar dhe në fshatrat tjera të Drenicës dhe Kosovës.
Në këtë luftë brigadat serbe, malazeze, ato Maqedone dhe ajo e Kosmetit, kanë psuar humbje të konsiderueshme në njerëz, sidomos në pjesën e fundit të janarit dhe në fillim të shkurtit 1945. Konsiderohet se në luftimet e ashpra kundër Brigadës së Shaban Polluzhës, janë vrarë 1500 luftëtarë të armikut dhe një numër tjetër është zhdukur. Luftimet më të mëdha janë zhvilluar në Terstenik, Obri, Rezallë, Likofc, Tërrnafc, Makermal, Çiçavicë dhe tek ura e Pestovës.
Një popull i varfër siç ishte Drenica, e kishte të vështirë t’ i mbante me bukë aq luftëtarë sa kishte Shaban Polluzha, prandaj ai u detyrua të lëvizte me brigadën e tij, duke kaluar në fshatrat rrëzë Çiçavices, e pastaj në Shalë të Bajgorës e prapë në Drenicë.
Shaban Polluzha dhe Shtabi i tiji luftës, i vendosur tek Malajt në Rezallë, ishte ndihmuar edhe nga disa intelektualë nacionalistë, si Selman Riza, Ymer Berisha, Marije Shllaku, Ibrahim Lutfiu, dhe klerikët Mulla Ilaz Broja, Mulla Brahim Polaci-Hoti etj, ndërsa u masakruan Asim Luzha dhe Qamil Hoxha, i pari në Terstenik, i dyti në në Skenderaj nga brigadë e KNOJ-it.
Të tërbuar me sindromin e urrejtjes ndaj shqiptarëve dogjën dhe shkatërruan çdo gjë që ndodhej para tyre. Në këtë dimër, më të egrin që mbahej mend, gra dhe fëmijë morën plaçkat në dorë, duke mos ditur kah të shkonin.
Pas shurjes me gjak të Luftës së Drenicës, në Kosovë intensifikohet dhuna dhe terrori. Në pranverë të atij viti (1945) ndodhi masakra e Tivarit, u pushkatuan pa gjyq e me gjyq intelektualë, nacionalistë, idalistë dhe civilë.
Nën Administrimin ushtarak u mbajt edhe Sesioni i Dytë i Këshillit “Nacionaçlirimtar” i Kosovës, i njohur si Kuvendi i Prizrenit, korrik 1945 dhe këtu Kosova u aneksua nga Serbia. Në këtë kuvend u përmbysën vendimet e Bujanit. Pro aneksimit, në Prizren votuan shqiptarë e serbë, ata të cilët refuzuan u burgosën dhe u likuiduan.
Shtëpia e Shaban Polluzhës disa herë është bërë rrafsh me tokë. Shumçka e vlefshme është djegur dhe shkatërruar. Bashkë me shumë sende të tjera janë djegur edhe ato pak fotografi të Shaban Polluzhës. Siç thotë Ramadani, djali i tij, dikush babait ia kishte bërë dy tri fotografi dhe deri para Luftës së Dytë Botërore kanë qenë në shtëpi. Nga to ka shpëtuar vetëm një. Meqë shtëpia jonë bastisej nga OZN-a, ne atë fotografi e mbshtollëm në letër dhe e shtimë në mes dy dërrasave të hambarit për ta ruajtur kujtimin për babain. Mirëpo, kohëzgjatja në kushte jo klimatike eresioni e kishin dëmtuar. Fotografia e vetme e tij, nga dërrasat e hambarit, u nxorr në vitin 1990, atëherë kur unë kërkoja një foto për botim. Nga kjo fotografi e mbetur vështir se mund të fitohet imazhi për babain, thotë Ramadani, i cili ishte me të deri sa ra heroikisht në kullat e Dvoranëve në Terstenik, më 21 shkurt 1945 bashkë me një numër luftëtarësh.
Kufomën e Shaban Polluzhës, djali i tij Ramadani me një grup shokësh e kishte hedhur në lumin Drenica, duke thyer një pjesë të akullit, dhe vetëm pas 6 javësh do tw nxirrej dhe varrosej. Në gurin e varrit figuronte viti i lindjes, 15 vjet më i vjetër sesa që kishte pasur. Kjo ishte bërë me qëllim nga familja në mënyrë që të mendohej për ndonjë person tjetër. Shaban Polluzha për 50 vjet ishte temë tabu.