• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Puthje dashurie nga Albert Z. ZHOLI

February 13, 2015 by dgreca

….Ky libërth xhepi i dedikohet dashurisë, fjalës më të bukur të zemrës, virtytit më të lartë shpirtëror, ndjenjës më të spikatur, më sublime, më të pastër, më sinjifikative, asaj së cilës i kanë kënduar, poet, shkrimtarë, shkencëtarë, filozofë, këngëtarë, njerëz të thjeshtë me fjalët e qëndisura në buzë . E kush nga ata që ka provuar dashurinë, nuk ka marrë krahë dhe ka fluturuar në vende të pamenduara duke përcjellë gëzim, hare, optimizëm?! Dua që ky libërth xhepi të jetë pjesë e jetës së gjithkujt, pjesë e atij realiteti ku secili përpiqet të “vjedhë” diçka të bukur, magjepsëse nga fjalët dhe mendimet e tjetrit. Të gjithë i duam mendimet, vegimet, idetë, ku patjetër, duam të jemi pjesë e ëndrrës së dashurisë, e atij universi ku askush s’është i fuqishëm të depërtojë, por vetëm të ëndërrojë pafundësisht në kohën mes dy stinëve më të bukura jetësore…Dashuria të shtyn drejt madhështisë, sakrificës, guximit, marrëzisë. Në dashuri jemi si dy pika vese rënë nga petalet e një trëndafili rozë. Populli i ka thurur lavdet e tij kësaj ndjenje kaq të madhërishme duke e ngritur në tempujt e shpirtit dhe në zërin e zemrës. Dashuria është një zë nga brenda vetes që kërkon të flasë, kërkon të dalë nga errësira, të thotë: Jetoj, për ty jam gjallë! Aty ku Hëna puth perëndimin dhe deti flladit mëngjesin me VAL. Ç’do ëndërr dashurie ka një dëshirë, ç’do dëshirë ka një realitet, dhe ç’do realitet ka një realizim. Dashuria është liri dhe lumturi. Në dashuri pemët, anës rrugës s’ngelen veçse spektatorë të qeshur të një kohe të bukur… Kështu le të jetë ky libërth një shkëndijë fjale, për të ndezur vullkanin e madh njerëzor për ndjenjën më fisnike të të gjithë kohërave. ..

SHËN VALENTINI
Një ditë, peshkopi Valentino dëgjoi përtej gardhit të kopshtit të tij, dy të rinj të fejuar që po ziheshin. Mori atëherë një trëndafil, doli nga kopshti dhe shkoi të takonte ata të dy, duke u ofruar trëndafilin duke u thënë fjalë mbi pajtimin. Kaq mjaftoi për të mbyllur në çast grindjen mes dy të dashuruarve që ashtu siç u tha shenjti, shtrënguan trëndafilin duke u lutur derisa dashuria e tyre u bë e përjetshme. Pak kohë më vonë, të dy u kthyen tek Valentino për t’i kërkuar t’u celebronte martesën… Martiri kërkohej në raste fatkeqësie dhe epilepsie. Sa për titullin e “padronit të të dashuruarve” duket se i është atribuar në Mesjetë, sepse dyshohej se më 14 shkurt, në ditën e festës së tij, zogjtë fillonin të cicëronin duke ndjekur rizgjimin e natyrës dhe të dashurisë.
Etimologji
Valentin tingëllon si “valorem tenens”,”që mban vlera”, domethënë “që duron në shenjtëri”, ose do të thotë “valens tyro, “ushtar me vlera”, domethënë “ushtar i Krishtit”. Thuhet se një ushtar është me vlera kur nuk prapset kurrë, kur plagos me forcë, mbrohet me rreptësi dhe fiton me pushtet. Në të njëjtën kohë, Valentini nuk u zmbraps kundrejt martirizimit, e goditi duke e shkatërruar idhujtarinë, u mbrojt duke përforcuar besimin.
Lutja e të dashuruarve
Në zemrën time, Zot, është ndezur dashuria për një krijesë që ti e njeh dhe e do. Bëj që unë të mos e humb këtë pasuri që ti më ke futur në zemër. Mësomë se dashuria është një dhuratë dhe nuk mund të përzihet me asnjë egoizëm, që dashuria është e pastër dhe nuk mund të rrijë pranë asnjë poshtërsie; që dashuria është pjellore dhe që duhet, duke filluar nga sot, të prodhojë një mënyrë të re të jetuari tek unë dhe tek ai që më ka zgjedhur. Të lutem Zot, për atë që më pret dhe më mendon, për kë më ka dhënë gjithë besimin e të ardhmes së vet, për kë më ec përkrah në shëtitjet tona, duke i dhënë njëri-tjetrit ndihmë dhe model. Dhe me ndërhyrjen e Shën Valentinit na ndihmo dhe na përgatit për martesën, për madhështinë e saj, për përgjegjësinë që të jep ajo, kështu që duke filluar nga sot, shpirtrat tona të pushtojnë trupat tanë dhe të mbretërojnë në dashuri.

Mesazhe
Oh, sa herë më ndodh të dehem tek ty dhe çdo shkronjë që të nis është një kupë plot mall e puthje dhe një këngë e thellë! E dehur nata, ëndrra, i dehur çasti, dita, pritja prej trëndafili të kuq, aromë në buzët e tua. (Pjese nga libri “Nje dite per dashurine”)
****
Sytë e mi të ylberizuar, vështrimi im i mëndafshtë, që pambarimisht ngazëllehet në trazime malli të kulluara për ty.
***
Të të kisha afër do të bëja të dëgjonit këtë drithërimë bari të duarve të mia në ujërat e zymta të trishtimit ndanë brigjeve të fatit tim, me ndjesinë e një përqafimi të fortë plot mall të dëshiruar.
***
Kam mall në mes fjalësh në një varg. Nuk e di çfarë energjie të bukur, çfarë force të padukshme, mi çon mendimet tek ty…
****
Nëse të mungoj, vendose dorën në zemër dhe unë jam aty brenda zemrës tënde si një karafil dashurie.
****
Dantella ndrin në këtë mbrëmje të gjelbër prej shigjetave prej mjalti të pranverës se syve. Duket sikur fjalët e mia rrjedhin nën akull dhe tek kjo rrëke butësie kanë vlerë vetëm disa pika shiu të kthjellët si loti. Sa herë të ëndërroj qielli im psherëtin. Sa herë mbyll sytë shoh një fill rozë të padukshëm që më çon tek ty si me magji.
****
Unë ndjehem një botë me vete, një botë plot trëndafila të lulëzuar dhe çdo fjalë që të shkruaj çdo buzëqeshje e syve kur të mendoj më kthehet në një këngë dashurie që e këngëzoj midis buzëve të mia..
******
Çastet kur jam pa ty i kaloj me shijet e fjalëve që të qëndis në mesazhe zemre. Nëpër luginën e dëshirës shoh zjarrin e dritës së verbër që më prin në vetmi për të më lexuar ndjenjat e mbuluara me velin që lëshon shiu.
****
Kënga ime e dashurisë për ty gjallon thellë në ajër aromë malli e fjalë me lëng lulesh që kam mbi buzë çdo çast për ty.

Filed Under: LETERSI Tagged With: nga Albert Z. ZHOLI, Puthje dashurie

KOLEC TRABOINI E DI, PSE “FAJIN E KA HEKUBA”…

February 13, 2015 by dgreca

Nga Murat Gecaj/
1.Në fillimin e “Rrugës së Dibrës”, në Tiranë, ndodhet edhe një lokal me emrin domethënës “Muza”. Pamja e brendshme e tij është plot shijë artistike, pasi aty janë të vendosura edhe disa piktura të bukura. Ishte rasti i parë që shkoja aty, bashkë me mikun tim, publicistin e poetin Jaho Margjeka apo me poetet Lida Lazaj, Manushaqe Toromani etj. Ndoshta, kushte të drejtë një mik i yni, i cili e vlerësoi këtë lokal “stehez të ngrohtë” të krijuesve kryeqytetas.
Kështu, pra, ne u ndodhëm në miqësinë e mjaft krijuesve e botuesve të njohur, si në poezi e prozë dhe publicistikë. Për të gjithë ne, “sebebqari” ishte poeti i njohur Kolec Traboini, autor i afër 25 librave. Ai na kishte ftuar me dashamirësi, që të merrnim pjesë në përurimin e librit të ri poetik, me titullin paksa intrigues, “Fajin e ka Hekuba”. Poezitë zënë gjithësej 155 faqe dhe janë ndërë në katër pjesë. Në hyrje të vëllimit, ka shkruar disa faqe vlerësuese, Anton Gojçaj.
Organiuzatorët e kishin menduar këtë tubim jo siç veprohet zakonisht, pra pa “ceremonira” të mërzitshme, me leximin e temave të parapërgatitura nga njerëz të ndryshëm. Por ishte një bashkëbisedim I natyrshëm, aty rreth tavolinave, duke ngritur edhe nga një gotë e duke folur, si për këtë libër të ri dhe, në përgjitësi, për krijimtarinë e autorit K.Traboini.
2.
I pari e mori fjalën e mirëseardhjes shkrimtari Pandeli Koçi (Sazan Goliku). Për të pranishmit, ai lexoi poezinë e frymëzuar të K.Traboinit, që ia ka kushtuar kolegut e mikut të ndjerë, Frederik Rreshpja. Në vazhhdimësi, Ilia Dedi lexoi poezinë “Si mund të iket krejt kështu?(Mikut tim, Riza Lahi)”, duke theksuar se lexuesve tanë u nevojiten krijime të tilla bashkëkohore. Poezi nga autori K.Traboini lexuan edhe Dodona Qose e Agron Calleku, që është krijues dhe pronar i lokalit “Muza”. Ndër të tjera, ai i ftoi kolegët e miqtë e tij që, sa herë të dëshirojnë, do të jenë të mirëpritur në këtë mjedis të tyre të ngrohtë.
Duke çmuar disa nga vlerat kryesore të këtij vëllimi poetik, por dhe duke lexuar poezi të zgjedhura prej tij, njëri pas tjetrit, e morën fjalën: Dedë Malaj, Ilia Terpini, Riza Braholli, Jaho Margjeka, Minella Kureta, Fatime Kulli, Kujtim Dashi dhe kolegë e miq të tjerë të autorit. Përveç të tjerash, ata nënvizuan se në krijimet e K.Traboinit është ravijëzuar jo vetëm ndjeshmëria e tij e veçantë poetike, por dhe në vargjet e tij ka ditur të nderojë vendlindjen dhe të jetë pasqyrë e mirë e traditave atdhetare të paraardhësve të vet, që janë të njohur, si në Malësi dhe më gjerë.
Meqenëse ndonjë nga folësit në këtë përurim nuk e shpjegoi, se përse e ka “fajin” Hekuba, po shënoj këtu që këtë titull e ka njëra nga poezitë e bukura të këtij vëllimi. Ndër të tjera, autori shkruan:
Po të mos kishte lindur Paridi,
Po të mos kisha lindur dhe unë,
Gjërat do të ishin ndryshe,
S’do përjetoja këtë kalvar mundimesh,
Ku jeta më tërheq përdhuni.
Fajin e ka hekuba,
Hekuba dhe Nëna ime! (2013)
Në mbyllje të tërë veprimtarisë, autori Kolec Traboini i falënderoi, si folësit dhe gjithë pjesëmarrësit në përurim. Ai njoftoi se e ka në përfundim një poemë të gjatë, e cila ndoshta do të na mbledhë përsëri, në atë mjedis të këndshëm.
Tiranë, 12 shkurt 2015

Filed Under: LETERSI Tagged With: KOLEC TRABOINI E DI, Murat Gecaj, PSE “FAJIN E KA HEKUBA”…

NJI LULE VJESHTET

February 13, 2015 by dgreca

Poezia e At Gjergj Fishtës asht për Ata, që dishrojnë me dijtë çka asht Dashunia…
Janë plot 70 vjetë që “poetët, shkrimtarët, akademikët, profesorët, doktorët e mësuesit” i këndojnë e i thurin vargje e vepra “gjithkujtë”, përveç, Dashunisë për Njeriun! Ata mund të jenë “ma të mëdhenjtë e botës”, por jo, për Dashuninë! Ata i përkasin vetëm Urrejtjes! /
Dashunia asht VETEM Kjo:/
AT GJERGJ FISHTA O.F.M./
NJI LULE VJESHTET*/
Kjo ndoshta asht poezija ma lirike e mbarë këtij libri, n’ atë kuptimin e ngushtë qi merr fjala. Asht nji lirikë qi zbulon shumë ndiesi të botës së mbrendshme të Poetit. Subjekti i saj paraqitet mjaft i pacaktuem. Mbas mendimit tim Poeti në ketë karm – në ketë trajtë si paraqitet sot hartimi – nuk pat nji vehtje të caktueme. Ai ndoshta – shka ka të gjitha gjasët – së parit desht të shprehë ndiesit e dhimbjës për këtë apo atë vehtje të caktueme, por, në përshkrim të hartimit, erdh tue e çveshë prej çdo veçansije, e kështu e idealizoi aq sa, ai Shpirt i lum, për të cillin s’ ishte kenë toka por Qielli, i bahet qendër n’ atë ravë të thepisne, qi shekulli e nji dishir Lirijet ia kishin shtrue gjallimit të tij. N’atë vorr zemra do t’ i ndezej, si Lekës së Madh në vorr t’ Akilit, kah punët e mbara e kah burrnija, e prej, se kishte me shkepun hovin kah punët e mëdha.
Engjulli i Zotit, qi brij vorrit do t’ i sillte fuqitë mizore, do t’ ishte njiheri edhe Zana frymzuese e Poetit. E atëherë, pa u frigue do të prehte zhgjetat e zjarrta, për t’ ia lëshue njerzimit kundër vesit, e do të ndertojë kangët kreshnike për t’ i diftue botës se shka vlejnë armët në dorë të Shqiptarit. Kështu, shohim se me kangë të veta do të ndertojë mbi atë vorr nji përmendore vertetë të madhnueshme, së cilës nuk do të kishte se shka me i ba rryma e moteve.
Zanat do t’ ia rrethojshin vorrin me lule e do të rritshin për rreth selvija. Shtegtari i lodhun, ulë me pushue do t’ i uronte paqë e qetësi e do t’ u flitte për té të bijvet, qi kanë me nxjerrë kangë e me i gdhenun emnin mbi lisa, tue e ba kështu të pavdekëshme. At Viktor Volaj O.F.M. (1941)
***
N’ atë rrahe t’vdekunve mbrenda vorrit t’ errshem
Tash pluhun jé. Ata dy sy t’ janë errë,
Ku qiella prirej me sa hana e diella
Terthores s’ eper m’ sharte vrejnë t’ njerzimit!
T’ janë sosun fjalët e ambla e plot urti,
E ai zâ t’ asht kputë, i cili bite n’ zemer
Si kumbë liret t’ tingllueshme, qi prej s’ largu
Ndihet tue ra, kur dora e prekë e mësueme!
Ehu! Po; “vdekja, qi baras n’ derë t’ pallateve
Trokllon, si n’ trinë t’ kolibavet,” ku i vorfni
Me lot njomë buken, ty edhe ajo ké dera
T’ troklloi, e ti kalove, porsi vesa
E natës kalon, kur dielli bjen me shndritun
Mbi kobe t’ dheut. Sot permbi vorr t’ kanë bijtun
Hithat e madergona! Nji Kryq dëllijet,
Qi e pershpirtshme nji dorë ta vu té kryet,
Nder to ka humb, as tjeter send trishtimin
E vorrit nuk t’ a zbutë, posë vajit t’ trishtueshem
Të hutit t’ natës, qi nëpër curra t’ malit
Dhimbshem në rreze t’ hanës rrin tue gjëmue!…
Ai grumbull gurësh, qi n’ vorr t’ randon persipër,
Vetë gjaksorit t’ pashpirt, qi mbyti nieriun,
Lugat i duken, n’ hikje kah t’ bjen nget vorrit,
Edhe t’ përqethët atë botë, i shkon n’per zemer.
Po, a thue, krejt vdekja n’ asgjasend t’ përpini
E, posë se do kocijsh edhe ‘i grusht pluhun,
Nuk t’ la tjeter? Jo! N’ prehen t’ Amëshuemit
Pjesa ma e mirë e jotja ka fluturue
Me gzue n’ dritë t’ qiejvet, ku pushon dëshiri
I njeriut t’ drejtë, si drita m’ sy të kthjellët.
Po, po, se pertej vorrin shpirti i njeriut
Gjallon perjetë! Ky mendim i ambel
Vdekjen e zbutë e vorrin ban t’ pelqyeshëm.
Kur zemren faji s’e grisë. Prej këtij mendimi
As vetë per ty s’ lotova shumë, kur ndjeva
Se vdiqe: Se n’ ma t’ miren lule t’ motit
E le ti ketë shkreti, ku shuen e Drejta
E paudhnija, ku sundon mizore;
Ku i zhyemi m’ vese sod me dorë dhunuese
Vesin shinon me Theta t’ zi, e selija
N’ rrashta t’ pergjakshme t’ njerzvet n’ kambë, ku mbahet.
Ehu! Po, se Shpirti i yt, i kulluet si rrezja
E diellit, qi perfton lulet e erandshme,
Kur bora dehet, s’ mujt me e bajtë qelbsinen
E randë t’ ktij sheklli t’ zi; por fletët i rrahi
Kah jeta e dytë, ku Ai qi rruzullimin
N’ themel e dridhë veç me ‘i vetimë t’ qerpikut:
Amshon n’ lumni shka Atij t’ i ket perngja.
S’ kjé toka, jo, per ty kjé qielli!
E tash, qi vetë jam tue ravisë këto karta,
Ti, kushedi, nëpër vërrije t’ amëshueme
Shkon tue kerkue per lila e drandofille,
Qi s’ dinë me u fishkë e ndreq me ta kunora,
Per me u lulzue; mandej, nder t’ zjarrtat valle,
Qi nëpër vërrije rrinë tue këndue t’ Parrizit:
Ku, fletët e arta bashkë kryqzue me Engjëj,
Këndon Zotit lavde nëpër ylbera t’ qiellit;
A, marrë krejt n’ t’ pam t’ s’ hyjnueshmes faqe t’ Zotit,
Porsi m’ pasqyrë t’ kulluet shqyrton shestimin
E rruzullimit, vu prej s’ eprës Mendje,
E cila n’ t’ kenun sendet thirri t’ tana
Prej hijeve t’ thellueme t’ asgjasendit,
kur bani Ajo furinë me heshtë t’ thellimit,
E me ‘i fuqi t’ pamatun prapi terrin
E pakthellimit, qi atje n’ t’ skajshmet megje
T’ këtij shekulli ndihet tmershem tue gjëmue,
Kah per ledhe plandoset t’ rruzullimit.
E aty, n’ atë dritë plot ambelsim dashunije,
Qi porsi lum‘ i kjartë prej Atit t’ Dritave
Gjithkah dikohet nëpër verë t’ Parrizit,
Shpirtnat e lum krejt n’ rreze tue përshi,
T’ kthiellta ti i prirë t’ vertetat, t’ cilat Hyji
Deshi t’ muzgëta njeriut me ia lanun t’ shkrueme
Nder fletë t’ hyjnueshme t’ t’ amëshuem Ungjillit.
Oh! Sa e sa herë, kur n’ mbrame shuen natyra,
E tjeter s’ ndihet, veçse rryma e përronit,
Qi përmallshem gurgullon nëpër rrâjë e curra,
Unë, lodhë mbi letra t’ t’ dijshemve t’ kahmotit,
Mbas t’ cilve fjalen rrij tue lëmue shqiptare,
Dal në dritare me kundrue shatorren,
Qi i Lumi t’ kthielltë ia vuni rruzullimit,
E këqyri hyjt, qi thue, se aq sy Zotit
Flakojnë mbi dhé – kushdi, per me felgrue
Nierin, qi egrue ma fort prej tmerrit t’ territ,
Perbluen punë t’ mbrapshta: – e atë botë mendoj per ty.
E, ku t’ a shoh ma t’ flakshem tue xhixhëllue
Nji yll, aty selinë unë them me vete,
Ti do t’ a késh, e sytë m’ atë yll pa nda
I nguli, e m’ bahet si me t’ pa. Me emën
Unë t’ thrras atë botë nëper terr. Nji vaj bylbylit,
Qi permallshem nder gemba rrin tue kja
Fatin e vet, a ndoshta, zogjt e dashtun,
Jehonë m’i bahet t’ grishunit; e m’ duket
Se bisedoj me ty!.. Nuk vdiska i miri,
Jo kurr; e sidomos nja’, i cili nji zemer
E len mbrapa m’ e ankue. Prej vorrit t’ errët,
Gjumin e vdekjës ku ai ban, na i flet mendimit,
Ambël edhe na nzitë kah punët e mbara,
E n’ mendjen tonë gjallon. – Kur Aleksandri
Prej Bregut t’ Matës ngallnjyes u kap kè vorri,
Ku shuen idhnimi i Prijsit t’ Mirmidonëve,
Qi atje nën Shé vorfnoi me aq djalë Ekuben,
Iu ndez aty flakë zemra kah lumnija.
Mbi atë vorr, po, u betue me ngulë flamurin
N’ skaj t’ dheut, e prej selisë me i zdrypë mbretnit;
E atëherë perpara tij tanë bota shuejti.
Mue edhè, qi shekulli e nji dëshirë Lirie
T’ thepisun raven m’ ia kanë shtrue gjallimit,
Mue, po edhe zemra mbi vorr tand t’ pervujtun
M’ ndizet kah punët e mbara e kah burrnia.
Permbi vorr t’ and, po, nxâ të fortë me e mbajtun
Besen e dhanun – e miqesin e zanë;
Per Fé e per Atme n’ ballë me i dalë rrezikut:
Të ligështit doren me ia ngjitë e t’ fortin
Mos me e gledhue; kur t’ jet me u thanë e drejta.
Mos me i shmangë sytë prej cakut, n’ t’ cilin mendja
Dishron me u kapë, as kurrë mos me u ligshtue
Nder sa t’ vishtira, qi t’ na sjellin motet.
Po, po! Se pré’ atij vorri kam me shkepun
Hovin kah punët e mëdha. Ai Kryq dëllijet,
Mneren e vorrit qi ta zbutë, Ai qanderr
Ka me m’ kenë nder salvime; Engjëlli i Zotit,
Qi rojës besnik fuqit t’i pruen mizore,
Gjumin e vdekjës në vorr mos me t’ turbullue,
Dér qi të shkimen n’ qiellë e hana e dielli
E t’ ngele moti e shekulli mbarë t’ rroposet,
E t’ vijë dita e gjyqit t’ rruzullimit,
Ai ka per t’ m’ kenë Zana. E atëherë, pa u tutë
Zgjetat e mprehta e t’ zjarrta kam me i mprehë,
Qi kundra vesit do t’ ia lëshoj njerëzimit:
Atëherë unë kangët kam me i ndertue kreshnike,
Me t’ cilat botës unë do t’ ia la të shkrueme
Se shka vlejnë armët besnike n’ dorë t’ Shqiptarit.
E me kangë t’ mija ‘i permendar t’ madhnueshëm
N’ vorr tand kam per t’ ndertue, të cilin moti
Me fletë të ngrita kot ka per ta rrahë;
Pse, si curr, qi n’ mes t’ detit rreh tallazi,
Edhe ai ashtu do t’ mbesë nder gjire t’ motit
Qi bumbullojnë mbi faqe t’ rruzullimit.
E atëherë prej bjeshkve kanë me u djergun Zanat
E me të njoma vjollca e drandofille
Vorrin kanë me t’ vallue, e kanë me rritë
Me shumë kujdes per qark selvia t’ blerta;
E shtegtarit mundqar, qi n’ ato hije
Ka me zanë vend, me ndalë pak gja t’ dihamet.
Kanë me kallzue se sa pjesë qielli vrâni
Vdekja n’ atë vorr. E atë botë i largët shtegtari
Të lehtë dhéun ka me t’ urue, e t’ paqta e t’ buta
Shinat e boren: e, kur n’ male t’ veta
T’ dredhojë ké stani, fëmijës ka me i kallzue
Shka ndjeu per ty. E fëmija e tij asobote
Emnin tand kanë per t’ këndue, e vrrini e bjeshka
Gjithmonë i ri, tue njehë furit e mnershme,
Ambël prej emnit tand kanë me jehue.
Me maje t’ briskut kanë me shkrue mbi lisa
Me shkrola t’ njohtne veç e prej barijve:
Kanë me u rritë lisat, perse sopata as rêja
S’e prekin landen, ku asht ravisë ai emen:
E tue u rritë lisat kanë me u rritun shkrolat;
E kështu ma t’ kjarta mbas disa qindvjetëve
Nipat ma t’ vonët kanë me i këndue, e emni,
Sa t’ bjerë dielli tokës ka me t’u kndue.
1909.
***
Shënime nga Fritz Radovani (F.R.): Ma shumë se katerdhetë vjet kishin kalue kur më ra në dorë edhe njëherë ky libër për me e lexue.
Tash, edhe e kopjova.
Kujtojshe nga Prof. Gasper Ugashi një mendim:
“Lahuta e Malësisë’ asht vlerësue edhe nga të huejt për vlerën e madhe që ka si poemë epike, por koha do të vlerësojë Mrizin e Zanavat si kryeveper të Lirikave në letersi shqipe e njëkohësisht, poezinë – Nji lule vjeshtet – si kryevepër të krejtë krijimtarisë së At Gjergj Fishtës. Ajo poezi zenë vend në letersi botnore edhe për një arësye tjetër, pse mbrenda saj ka shpërthye shpirti i At Fishtës në drejtim të një “ylli”, që asht i padijtun por i kuptueshëm…”.
* Përgatitë për Shën Valentinin nga Fritz RADOVANI

Melbourne, 14 Shkurt 2015.

Filed Under: ESSE Tagged With: At Gjergj Fishta, NJI LULE VJESHTET

HAPNI DOSJET!-TASH 25 VJETË…KA MËRRIJTË TYMI NË QIELL..

February 12, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI*/
Pjesa I/
47 VJET TIRANI…/
■Që me datën 9 Nandor 1989, kur ra Muri i Berlinit jeni tue djegë “Dosje”… Janë ba plot 25 vjetë që tymi i djegëjes së “Dosjeve” në Tiranën e tiranëve ka mërrijtë në qiell !
■E endè ka nga ata budallejë që presin “pendimin” e trashigimtarëve të kriminelëve të djeshëm, ose ma keq të vetë atyne që sot vazhdojnë me vra n’ emen të “drejtësisë”!
■Në vitin 1944 Shqipnia kishte 1 miljon e 200 mijë banorë…
■Vrasjet dhe pushkatimet në Shqipni kanë fillue njëheri me Luften Civile Antishqiptare!
■Atdhetari Rexh Meta, “shetiste” i burgosun me brigadat terroriste partizane…
■Me 15 Maji 1945, fillojnë interrnimet në Shkoder me familjet e grumbullueme në një shtëpi të qytetarit Guljelm Luka… Përballë kullës Markagjonëve.
■Dhunohen dhe rrahen vajzat Shkodrane nder rruga, se mbajnë Kryqa në qafë!
■Fillojnë në Malësi vrasjet pa gjyq! Pse nuk botohen Emnat e 118 Malësorëve të vramë në Kelmend në Janar 1945, nga Mehmet Shehu, Koçi Xoxe e Sheuqet Peçi me shokë?
■Në vitin 1946 Shkodra (pa rrethe) kishte 26 hetuesi, burgje dhe shtëpi izolimi…
■70 vjetë që një Shqipni asht përmbytë në gjak si asnjë vend tjeter i Europës nga një grup terroristësh gjaksorë e kriminelë, e pasuesit e tyne sot tallen me Viktimat e veta!
■Fillohet tek modelet “gjermane” e perfundohet tek debatet e pafund, si e si me shtye kohë, tue pritë a po bje shi…për me u përmbytë ndonjë “arkiv” ndër tunelet e majeve të maleve ku, mendonte “Enveri ynë”, me kalue orët e fundit të “fundosjes” së Shqipnisë!
■Hapja e Dosjeve nuk ka perjashtime. Krimet ndaj Njerzimit nuk parashkruehen!
■Të gjitha zvarrisjet per Hapje Dosjesh kanë një emnues të përbashkët “Pjesmarrjen në krime dhe vazhdimsinë e tyne prap sot, nga trashigimtarët e djeshëm vrasës!”
■Të gjitha vrasjet e komunizmit në Shqipni, fillojnë me Luften Civile në Jug, vazhdojnë me vrasjet nder zonat ku shkeleshin nga brigadat partizane, dhe me daten 29 nandor 1944, vrasjet e terrori vazhdojnë në Veri, me një program të parashikuem në bashkpunim të tradhëtarëve tanë me forcat okupuese jugosllave të shovenistit bolshevik Tito.
■Kush i jepte urdhnat dhe direktivat per vrasje, shpronsime dhe plaçkitje, dhe mbasi të zbatohej urdhni, “komandanti” dëshronte me dijtë edhe “vullnetin e tyre të fundit!” ?
■HAPNI DOSJET !
■Hapja e Tyne duhet të fillojë nga Urdhnuesit nr. 1 të PKSh. Enver e Nexhmije Hoxha!
■Nga Antarët e Byrove Politike, Antarët e Komitetit Qendror të PKSh e PPSh, mbas tyne me kandidatët e K.Q dhe Kryeministra, qeveritarë dhe Kuvendin Popullor e Gjykatat, nga ma të naltat e deri tek policët e degave të mbrendshme, ku nuk duhet perjashtue asnjë person nga Komitetet e Partisë së Rretheve, Komitetet Ekzekutive, kryetarë dhe sekretarë partije të institucioneve dhe kooperativave bujqësore. Një kujdes i madh duhet tregue në hapjen e Dosjeve të Fermave ku ishin të interrnuemit, drejtorave e operativave të kampeve të shfarosjes dhe burgjeve, deri tek agjentat e sigurimit që kontrollonin këta qendra persekucioni e masakrash, ku perfshihen edhe informatorët e mbrendshëm.
■Një rol të randsishëm në rekrutimin e agjentave të sigurimit kanë luejtë komisarët e reparteve ushtarake dhe shefat e kuadrit nder të gjitha institucionet, prandej Dosjet e tyne nuk duhen lane mbas dore! Kujdes duhet edhe me oficerët e kufinit, e deri tek rojet e piramidave, ose vrasësit e Rinisë me urdhnin e R. Alisë mbas 1990. Kryetarët e lagjeve dhe operativët, që plotsonin fletët e fillimit punës ose dokumentat per ndjekje shkollash.
■Dhe, mbasi të hapen Dosjet e tyne të punës, shkollës, ushtrisë dhe të qendrimit atij personi, duhet shikue si u veprue per angazhimin e tyne me sigurimin.
■PKSh (PPSh) ma vonë, asht tregue shumë “bujare” me disa fshatarë që kanë sherbye me kohë në sigurimin e shtetit, kryesisht, në zbulimin e personave në “arratisje”, dhe për këte, i shpërblente me bursa ose shkolla partije dhe i sillte “kuadro drejtues” në qytet. Vinin nder qytete dhe vazhdonin agjenturen në sigurim, me kujdesin ma të madh.
■Nga komunistët e vjeter disa u dënuen per “gabime ose vjedhje”, po PKSh, i mbajti prap afer dhe ata vazhdonin lidhjen me sigurimin. Fëmijët e tyne vazhduen shkollat e nalta dhe kryesisht ata që ishin “privilegj”, ndersa lidhjen me sigurim nuk e nderprenë.
■Në vitin 1944 – 45 ka pasë disa komisjone hetuesish, që ma vonë një pjesë për nevoja të PKSh dhe të sigurimit të shtetit, kanë krye disa kurse specializimi edhe jashta shtetit, dhe kanë kalue në “detyra” tjera, prej të cilëve kam njohë dy persona korçarë: Drejtorin e Gjimnazit Shkodres, Skender Villa, dhe ingj. Robert Ballauri tek ekspozita “Shqipëria Sot”, të cilët e vazhdonin profesionin e parë të vitit 1945 me shumë përkushtim.
■Në vitet 1950 – 60 në dukje pat zbutje, mbas vdekjes së Stalinit. Mundësia me shkue jashta shteti per studime ju dha edhe disa elementave jo agjentë. Të gjthë kur u këthyen në Shqipni, mbas viteve 1967 ose u larguen nga Tirana, ose u quejtën “revizionistë” dhe u arrestuen dhe u dënuen me burg e interrnime, ose kaluen në punë të rendomta.
■Një pjesë e tyne që u martuen jashtë, i detyruen me u nda ose i burgosën shumë vite.
■Ata që nuk ishin antarë të PPSh, dhe nuk i sherbyen sigurimit të shtetit, edhe pse kishin mbarue universitetet ndër shtetet komuniste, u konsideruen “jo besnikë të PPSh”.
■Hapja e Dosjeve për ata që “nuk kanë pranue me u angazhue me PPSh, ose as me i sherbye sigurimit të shtetit” dhe, nuk kanë sjellë dame në shoqni, pavarsisht nga detyra ase profesioni që kanë pasë, duhen publikue dhe nderue per qendrimin e tyne.
■Po e njajta gja duhet ba me ish të burgosunit dhe të perndjekunit politik ase të afermit e tyne, që jo vetem nuk kanë pasë lidhje me sigurimin, po edhe janë persekutue per këte qendresë të nderueme nga ana e Tyne, përballë shtetit diktatorial e terrorist.
■Per njerëzit e arrestuem, duhet fillue hapja nga personi që vendosi arrestimin e tij, dhe mbasi të hapen Dosjet e arrestimit, pra konsultimi i ministrisë së mbrendshme me kryetarin e degës së mbrendshme të rrethit, hapet Dosja hetuesisë, dhe mandej, hapen ato të spijunëve të birucave… Vazhdohet me të burgosunit e torturuem per vdekje per me nënshkrue “bashkpunimin” e tij me sigurimin e shtetit, dhe pasojat e atij arrestimi, tek familja dhe far’e fisi. Dosjet e këtyne personave vazhdojnë nder burgje e kampe… Nuk duhet harrue kurrë vezhgimi i familjes së të arrestuemit nga agjentat e lagjeve, operativët e sigurimit dhe masat e marruna ndaj të afërmëve, kur i “dënuemi” ishte i pafaj.
■Për mënyren e hapjes së këtyne Dosjeve SOT, komisjoni i hapjes së Dosjeve, duhet të marrin si model disa Dosje të njerëzve të PAFAJSHËM, të cilët PAFAJSINË e Tyne, e kanë pague me JETEN E VET, tue u pushkatue ose tue vdekë në hetuesi, në tortura.
■Nga të PAFAJSHMIT e tillë, ju sugjeroj dy persona, të cilët, me proceset e tyne do të Ju flasin ma shumë se të gjitha modelet e hueja. Dosja e shkodranit Injac Baqli, nëpunës i bankës së shtetit, në Shkoder…Dhe, Dosja e Don Ejëll Kovaçit, Klerik i pushkatuem.
■Ndersa, Dosjet ndër grupe kanë tjeter procedurë, mbasi edhe arrestimi i tyne asht ba ndoshta mbi një “fakt” të njenit prej personave të grupit, mandej me tortura dhe mjete antinjerzore, janë detyrue të arrestuemit tjerë me pranue “bashkpunimin” në grup.
■Vite ma perpara u arrestuen dy vllazen në krahinen e Shllakut, në Shkoder, per vrasje të kryetarit të keshillit popullor të fshatit atje. Në fund u pushkatue vllau i “pafajshëm”, dhe shpetoi “Vrasësi”… A nuk ka vend këtu per një studim sesi u veprue nga hetuesi?
■Shembujt janë të shumllojshëm dhe vërtetë të pabesueshëm nga të Rijtë, dhe sidomos, nga ata që kanë studjue jashta Shqipnisë tashti mbas vitit 1991…
■Hapni Dosjet, se vetem atëherë, do të mësoni të Vërtetën e fjalës GJENOCID!
Vazhdon …
*Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…
Melbourne, Shkurt 2015.

Filed Under: Analiza Tagged With: Hapini dosjet, Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...Fritz Radovani

AKADEMIA E SHKENCAVE E REPUBLIKES SE SHQIPERISE PROPOZON DEKORIMIN E BANDES MUZIKORE TE VATRES

February 12, 2015 by dgreca

ESHTE PROPOZUAR EDHE DEKORIMI I PROF> THOMA NASSI(PAS VDEKJES)/
Në një mesazh që editori i Gazetës Dielli mori këto ditë nga kompozitori dhe etnomuzikologu i njohur Prof. Dr. Vasil L Tole, mësoi se Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë i ka propozuar Presidentit të Repubikës, dekorimin e Bandës Muzikore të Vatrës, e cila luajti një rol të jashtzakonshëm jo vetëm ndër shqiptarët e Amerikës, por edhe në Shqipëri, kur u kthye në shkurt të vitit 1920 me mission kombëtar.
… Është rasti që të ndjekim gjurmët e Bandës së Vatrës nga Worcester-i, Massachusetts në Shqipëri.
Banda”Vatra” kishte për themeluesThoma Nassi. Ajo lindi në Worcester, Massachusetts, më 1917. Kjo e dhënë vjen nga themeluesi i saj Thoma Nassi, por në një shkrim të botuar në Dielli në prill 2012, Frederik Stamati dhe Ariola Prifti, japin datën 17 dhjetor 1916, ndërkohë që po aty konfirmohet se në vulën mbi instrument është stampuar data 11 dhe jo 17. Në kujtimet që ka lënë Nassi e përshkruan bandën Vatra si një krijesë që e kërkoi koha. Ajo përbëhej nga emigrantë të zakonshëm që nuk kishin as përvojë dhe as dije muzikore. Natyrisht që kishte edhe njerëz të dijshëm në të, sic ishte dhe kompozitori i Hymnit të Vatrës, Ajdin Asllani, i diplomuar në Bukuresht. Por pjesa më e madhe ishin punëtorë që punonin tërë ditën në fabrika, por me vullnet dhe dëshirë arritën që brenda një viti të mësonin dhe të përballonin me sukses koncerte të shumta në Boston, Worcester, New Bedford, Massachusetts, në Camp Devens, në Portland, Biddeford, në Maine, dhe në qytete dhe qyteza të tjera, koncerte të cilët u dhanë për llogari të Kryqit të Kuq Amerikan dhe organizatave të tjera të bamirësisë. Ndërkohë ekzistonte në SHBA dhe një bandë tjetër muzikore e djemëve shqiptar të Amerikës, në Jamestown në New York, e cila drejtohej nga korçari tjetër, Thoma Vishnja.Kjo quhej banda “Sofia” për nder të Mbretëreshës Sofia, e shoqja e Princ Wiedit dhe ishte krijuar që më 1915.
Banda e Vatrës luajti një rol të vecantë edhe gjatë fushatës së madhe të Vatrës”Të shpëtojmë Shqipërinë” fushatë që nisi me 3 Qershor 1917. Banda me koncertetet e saj I dha hov fushatës duke nxitur bujarinë e shqiptarëve të Amerikës. Në ditën e parë të nisjes së fushatës edhe anëtarët e Bandës nuk e mënjanuan veten, por i shkundën xhepat dhe iu bashkuan thirrjes që vinte nga vargjet e Nolit” Nëno mos ki frikë/ Se ke djemtë në Amerikë, poezi qe u krijua pikerisht ne ato dite te nxehta kur Vatra ksihte hapur fushaten per Shpetimin e Shqiperise, duke mbledhur per te mbrjte Shqiperine ne Konferencen e Paqes plot 150 mije dollare.…/. Të gjithë anëtarët e Bandës ishin dhurues bujare dhe mesatarja e dhurimit te Bandes se Vatres I afrohej mesatares së degëve. Të mos harrojmë vlerën që kishte dollari në atë kohë, kur punëtori mund të siguronte me shumë mund 7-8 dollarë në jave. Rekoredt e Vatrës nga data 3 qershor 1917 përcillet ky informacion nga fushata për anetarët e Bandës: Profesor Thoma Natssi dhuroi 10 dollarë, Kosta Pano $15, Vangjel Sotir $15, Zissi Morcka $10, Sotir Terptasi 10, Zissi Stavre $10, Petraq Th Peci $10, Vasil Kristo $10, Petro Ndina $5, Petro Themistokli $ 5, Sami Isuf $10, Rauf Grapshi $ 15, Dhimitri Kristo $5, Kosta Shoqo $5, Lambi M. Qirko $10, Stavre Z. Boboshtica $10, Kristaq Vasil $10,Lazo Shagla $10,Bajram Konispoli $10.
Ky rekord na jep dhe një informacion te plote për emrat e pjestarëve të Bandës. Bëmat kombëtare të Bandës muzikore të Vatrës janë të njohura.
Në pranverën e vitit 1920 ishte hedhur idea e dërgimit të një grupimi të konsiderueshëm emigrantësh në Shqipëri për të ndihmuar çështjen kombëtare. Prej kohësh nën drejtim e Aqif Përmetit kishin nisur përgatitjet për stërvitjen e trupave vullnetare dhe rreth 120 ushtarë ishin të gatshëm për t’u nisur drejt Shqipërisë. Bashkë me ta ishte hedhur ideja që të nisej edhe banda muzikore e Vatrës, si dhe disa atdhetarë të dijshëm, që me kontributin e tyre do t’i ndihnin çështjes kombëtare.
Problemi qëndronte se kush do ta drejtonte bandën muzikore të Vatrës? Thoma Nassi ishte i vetmi që kishte përvojën e duhur dhe njohuri profesionale. Ai asokohe sapo qe liruar nga ushtria amerikane, ku kishte shërbyer si drejtues i një orkestre. Nassi e kishte një arsye njerëzore që të hezitonte për t’u nisur, pas lirimit nga shërbimi ushtarak ishte martuar. Në shënimet e lëna në formë kujtimesh ai e pohon se “nusja e re ishte një arsye hezitimi”, por për shkak se banda nuk mund të shkonte pa drejtuesin e saj dhe se ai ishte i vetmi që mund ta kryente atë detyrë, i dha fund mëdyshjes dhe u nis së bashku me grupin muzikor.
Udhëtimi u realizua me një anije italiane, por italianët u nxorën shumë pengesa gjatë kalimit në Itali, siç u nxorën edhe në Shqipëri, ku i shpallën ”persona non grata”. Pas një qëndrimi të shkurtër në Brindizi, anija u lejua që të nisej drejt portit të Durrësit. Populli i priti me brohoritje në port, edhe pse italianët që atë kohë mbanin të pushtuar Durrësin, e shtuan përshëprimën dyshuese për misionin e tyre. Duke qenë se përveç Durrësit, italianët mbanin të pushtuar edhe Vlorën, Tepelenën, Sarandën e Gjirokastrën, i shihnin dhe i trajtonin si persona të dyshmtë bijtë e shqiptarëve të Amerikës. Pas një qëndrimi disaditorë në Durrës u nisën me kamionë drejt Tiranës, ku populli, qeveria e përkohshme dhe klerikët i pritën me brohoritje, lule dhe bujari. Qeveria e kishte kuptuar vlerën e një turneu të bandës së Vatrës për të rritur moralin e popullatës dhe për ta bërë atë më koshiente për çështjen kombëtare, që ishte e kërcënuar….
Banda e Vatrës sipas kujtimeve të Prof. Thoma Nasit arriti deri në frontin e Luftës së Vlorës.
Me 1929, Faik Konica, qe ishte ne Shqiperi per nje vizite te gjate pune, para se te kthehej ne Amerike, shtroi nje darke per Banden e Vatres, e cila tashme ishte kthyer zyrtarisht ne Bande Kombetare e Shtetit Shqiptar. Konitza u tha djemve dhe professor Nasit, fjale shume levduse.
Më shumë mund të lexoni në Gazetën Diellin e printuar, shkruar nga editori.

Filed Under: Vatra Tagged With: Akademia e Shkencave, dalip greca, PROPOZON DEKORIMIN E BANDES, te Vatres

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4096
  • 4097
  • 4098
  • 4099
  • 4100
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT