Nga Elida Buçpapaj/
Sir Nicholas Winton George, lindur Nicholas Wertheim (Londër, 19 maj 1909), është një filantrop anglez, i njohur si “Schindleri Britanik”.
Midis viteve 1938 dhe 1939, Winton shpëtoi 669 fëmijë (kryesisht hebrej) nga Çekosllovakia e pushtuar,duke organizuar udhëtimin e tyre me tren në Britani të Madhe dhe duke u siguruar atyre strehim. Gjithçka që kishte bërë kishte mbetur e panjohur deri kur një ditë, në vitin 1988, gruaja e tij Greta zbulon rastësisht një album ku jepeshin detajet për jetët e shpëtuara. 80 prej këtyre fëmijëve jetonin në Angli.
Në një program të BBC titulluar “That’s Life” po në vitin 1988, ku ishte i pranishëm edhe Nicholas Winton me të shoqen, ai pa patur kurrë farë dijenie, e gjen veten përpara një të papriture të jashtëzakonshme, të rrethuara nga burra e gra, të cilët ishin fëmijët që ai dikur kishte shpëtuar.
Bota zbuloi tek ai burrë heroin e vërtetë i cili e kishte mbajtur në zemrën e tij veprën e tij heroike. Tashmë fëmijët që ai kishte shpëtuar nga ferri nazist ishin burra e gra të rritur, gjyshe e gjyshër, por nuk e harronin kurrë se jetën ia dedikonin atij burri, që quhet Nicholas Winton.
Nicholas Winton mbush në maj 106 vjeç. Jetët që ka shpëtuar i kanë shtuar atij jetën!
Më 1 shtator 2009 një Tren special me emrin Treni Winton u nis nga stacioni i Pragës. Ai drejtohej nga një lokomotivë dhe vagona të përdorur në vitet ‘30 kur Winton i kishte organizuar udhëtimin nga nga Praga në Londër. Në bordin e trenit ishte Winton, tashmë 100 vjeçar dhe disa nga fëmijët, tashmë edhe ata të moshuar, që ai kishte shpëtuar 70 vjet më parë, më 3 shtatorin e vitit 1939.
Në stacionin qendror të trenit në Pragë, me atë rast u inaguruar një memorial nga Flor Kent, që i dedikohet këtij burri. Është ky që jeni duke parë.
Winton është po ashtu tre herë kandidat për Nobelin e Paqes.
Sikur të gjithë ne do të bënim vepra të mira, mendoni se sa e bukur do të ishte bota.
Kosova në udhëkryq! Jabllanoviçët ia kanë vënë asaj zjarrin!!!
Shkruan: Dr. Enver Bytyçi/
Isa Mustafa e shkarkoi Jabllanoviçin. Po lopa e Serbisë do të pjellë viça të tjerë pafund. E atëherë çfarë fitoi Kosova me shkarkimin e një ministri serb, i cili do të zevendësohet po me një “viç” tjetër?!~ A do të ketë ajo më pak ose aspak korrupsion?! A do të funksionojë shteti i së drejtës mirë e më mirë?! A do të ketë më shumë demokraci, liri e të drejta për qytetarët e Kosovës?! A do të jetë qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj autoritet i plotë në veri të vendit?! Çfarë do të bëhet me Trepçën dhe cilat asete do ia lënë Serbisë, nëse i referohemi një deklarate të ambasadorit anglez në Prishtinë?!
Jabllanoviç I mori valixhet. Po cilat valixhe mbajnë në duar vetë politikanët shqiptarë në Kosovë?! A e ndihëmon Albin Kurti Kosovën me ekstremizmin e tij patetik?! A ishte më 1999 Thaçi më revolucionar se sot Albini?! A u duk dhe Thaçi atëherë shumë më nacionalist se Rugova?! Po cilat janë veprat e të tillë revolucionarëve, a kanë lënë ata ndonjë gjurmë se janë të përkushtuar për Kosovën?! E nga ana tjetër sa e sa gjurmë kanë lënë për grabitjen pasurisë së vendit në format nga më të ndryshmet?! A mos Albini është i shenjtë dhe nesër në pushtet nuk do të bëjë kësisoj e më keq sesa Thaç?! A nuk kemi të njëjtën histori të shkruar e të lexuar ne shqiptarët?! Cila qeveri e qeverisje në 100 vjet nuk luftoi më shumë për pushtet sesa për shtet?! Cila lëvizje nacionaliste për vetëvendosjen e jona nuk ka përfunduar në qëllimin e marrjes dhe përfitimit nga pushteti?! Cili nga udhëheqësit shqiptarë, përveçse Rugovës, nuk është dëshmuar nga pak Esat Pashë Toptan, të cilin e kemi etiketuar me të drejtë si simbolin e tradhëtisë kombëtare?! Po nëse është kështu a mund të ketë njerëz “pak tradhëtarë ose pak shkërdhatë”?!. Pra a nuk na shfaqet përditë Esat pasha në pashallëqet tona në Prishtinë e në Tiranë?!
Isa Mustafa nga ana tjetër, çfarë i ofron Kosovës veç shkarkimit të sforcuar të Jabllanoviçit?! Çfarë do të bëjë ai me Trepçen?! Si do ta ulë papunësinë dhe varfërinë e qytetarëve të Kosovës?! A do të krijojë kapital të bollshëm për rritjen e pagave e të pensioneve, që shqiptarët më së pari, por edhe të tjerët të mos ndjejnë nevojën e emigrimit?! Si do t’i vejë ai në lëvizje pasuritë e nëntokës dhe mbitokës së Kosovës, për t’i dhënë vendit mirëqenie e begati?! Si do ta luftojë korrupsionin e mitmarrjen te vetja e partneri kryesor i tij, PDK?!
Të gjitha këto pyetje mbeten pa përgjigje edhe pas shkarkimit të Jabllanoviçit, se Jabllanoviçët shqiptarë janë instaluar në qeveri, në parlament dhe shumë institucione të tjera të Kosovës. Jabllanoviçi ishte asiqare, por ata tjerët shqipfolës ose serbishtfolës që rrine fshehur e janë përhapur si metastaza deri në administratën e pushtetit lokal janë më të rrezikshmit. Po mos ishin ata që prej 16 viteve, Kosova sot do të ishte në OKB. Territori i saj dhe për pasojë Trepça nuk do të viheshin në diskutim. Autobuzët dhe linjat e avionëve nuk do të mbushnin barkun me shqiptarë që ikin, ikin dhe nuk duan të kthehen, madje as ta kthejnë kokën nga atdheu për të cilin njëqind vjet, tre ose katër breza derdhën aq shumë gjak. Plaga e kurbetit nuk do të ishte në rendin e ditës si zgjidhja e vetme për të mbijetuar. Dhe politika, qeveria, deputeti, ministri, kryeministri, të gjithë këta që janë majmur dhe kanë lëshuar rrënjë në vilat luksoze sheikase bëjnë sikur nuk ndodh asgjë. Thjesht merren me deklarata dhe moralizime, por jo edhe me projekte konkrete për ndërtimin e shtetit demokratik të së drejtës, për zhvillimin e pronës e të prodhimit, për rritjen e të ardhurave dhe të mirëqenies.
Qytetarët e Kosovës kanë dalë në rrugë, jo për Jabbanoviçin, por në protestë kundër të gjithë jabllanoviçëve në pushtet. Ata nuk presin vetëm shkarkimin e një minsitri serb në qeverinë e Kosovës, sado legjitime të duket kjo. Ata presin që dikush të inektojë së paku shpresën e humbur dhe dalngadalë të rikthejë nderin, dinjitetin dhe integritetin moral e ekonomik të vendit. Ata nuk presin më bisedime të pafund me Beogradin, por operacione reale dhe bindëse, ku të duket se Kosova është e do të mbetet shtet i pavarur, shtet demokratik funksional dhe shtet i së drejtës, bazuar në vlerat e Perendimit. Ku shqiptarët të mos i tremben shpërbërjes ose copëtimit të territorit të saj, ku Serbia të ikë, të ikë larg, shumë lërg, përtej Beogradit e të mos duket kurrë më në Kosovën, të cilën e shkatërroi me shtëpi e katandi, e vrau, e masakroi dhe e spastroi etnikisht.
Qytetarët e Kosovës protestojnë, sepse nuk shohin asnjë shenjë drite në fund të tunelit. Shkarkimi i Jabllonoviçit, ndonëse një hap i duhur, nuk jep ndonjë shenjë drite. Sa kohë që do të lejohet që lojën antishqiptare në Kosovë ta bëjë Beogradi me jabllanoviçët e Prishtinës, aq kohë Albini do të gjejë alibi të pafund për t’i thyer e copëtuar xhamat e godinës së qeverisë, e ndoshta nesër edhe të parlamentit, pavarësisht se ai vetë është anëtar i atij parlamenti. Absurdi nuk ka fund. Në vend të alternativës vepron rruga. Në vend të arësyes veprojnë jabllanoviçët që marrin në mbrojtje krimin. Këto ndodhin në një terren të mbarsur me mllef e me konflikte. Jabllanoviçi vetëm se ia vu zjarrin benzinës, por Kosovën e kanë lyer me benzinë vetë qeveritarët e derisotëm shqiptarë të Kosovës. Madje ata që u betuan për një Shqipëri të Bashkuar.
Dhe më në fund gjthçka ndodh që shqiptarët e Kosovës të detyrohen të kërkojnë e përshpejtojnë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Pikërisht kjo është loja e Serbisë, që Kosova të kërkojë bashkim me Shqipërinë ende pa definuar pavarësinë dhe integritetin territorial të saj. Kësaj strategjie i shërbëjnë ata që qeverisin, por edhe vetë Albini, që hiqet se i dhemb shumë për Kosovën e shfrytëzon pakënaqësinë e ligjshme të qytetarëve me qeverinë dhe qeverisjen. Më këtë kërkesë Serbia do të realizojë lehtësisht projektin e saj të ndarjes së Kosovës. Nuk ka asnjë arësyetim tjetër pse këto që po ndodhin në Kosovë janë kaq të trishta, të dëmshme e të rrezikshme.
Eshtë koha për të thënë mjaft më! Kështu nuk mund të ecet përpara! Gjithçka që po bëjmë i kundërvihet interest tonë kombëtar!
Pasojat e përmbytjes në Shqipëri
…Pasojat e përmbytjes janë edhe këto bagëti të ngordhura/
Përmbytjet e fundit në disa qarqe të vendit janë me pasoja të rënda në ekonomitë e vogla të fermerëve. Shumë bagëti nuk kanë mundur të shpëtohen as nga vetë banorët e as nga grupet e shpëtimit. Fotografia që shihni është marrë nga një fshat i Fierit…., ku dalja nga shtrati e Vjosës shkaktoi një përmbytje që siç thonë banorët kanë vite pa e parë. Ministria e Bujqësisë dhe kryeministri Rama kanë premtuar dëmshpërblim të të gjithë banorëve të prekur nga kjo katastrofë natyrore. Pritet që nesër të vijë një tjetër valë reshjesh të dendura, cka do ta përkeqësonte edhe më shumë situatën.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”Shpërblen” Partitë Politike
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar gjatë ditës së sotme fondet vjetore që do të marrin partitë politike për vitin 2015.
12 parti do të përfitojnë ndihmë financiare për këtë vit dhe është PS ajo që do të marrë shumën më të madhe plotë 73.676.617 lekë.
Partia Demokratike, si partia e dytë më e madhe në vend dhe më e madhja në opozitë do të përfitojë 57.179.867, ndërsa shuma më e vogël është për Aleancën Kuq e Zi me 3.166.667 lekë.
Vendimi i marrë sot nga KQZ është miratuar me shtatë vota pro.
Lista e partive politike të cilat përfitojnë nga shpërndarja e fondeve:
1- Partia Socialiste e Shqipërisë – 73.676.617 lekë
2- Partia Demokratike – 57.179.867
3- Lëvizja Socialiste për Integrim – 20.575.897 lekë
4- Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet – 7.518.047 lekë
5- Partia Republikane Shqiptare – 6.632.077 lekë
6- Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut – 4.130.537 lekë
7- Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë – 4.130.537 lekë
8- Fryma e Re Demokratike – 3.489.667 lekë
9- Partia Demokracia Sociale – 3.166.667 lekë
10- Partia Socialdemokrate – 3.166.667 lekë
11- Partia Demokristiane e Shqipërisë – 3.166.667 lekë
12- Aleanca Kuq e Zi – 3.166.667 lekë
“Në zemër të botës”, një libër për Nënë Terezën
Botohen shkrimet e nobelistes shqiptare, Nënë Tereza/
TIRANE,3 Shkurt/- “Në zemër të botës” është një portret i fuqishëm i njërës prej femrave më të dashura të të gjitha kohëve, i rrëfyer me fjalët e saj nëpërmjet një përzierjeje magjepsëse të përvojave ditore të jetës, lutjeve dhe mençurisë shpirtërore.
Para pak ditësh, doli nga shtypi libri “Në zemër të botës” , me autore Nënë Terezën.
Libri është i përbërë me shkrime të nobelistes shqiptare, të cilat janë shkruar dhe botuar nëpër gazeta dhe revista të ndryshme, ndërsa pas vdekjes së saj, këto shkrime janë mbledhur dhe janë botuar në libra të ndryshëm, njëri prej të cilëve është ky që sapo është botuar edhe në gjuhën shqipe.
“Në zemër të botës” është një portret i fuqishëm i njërës prej femrave më të dashura të të gjitha kohëve, i rrëfyer me fjalët e saj nëpërmjet një përzierjeje magjepsëse të përvojave ditore të jetës, lutjeve dhe mençurisë shpirtërore. Ndiqeni Nënë Terezën nëpër rrugët e Kalkutës, Romës dhe Nju Jorkut dhe dëgjojeni atë duke ofruar margaritarë të së vërtetës shpirtërore, aq të përshtatshme sot po aq sa në ditët kur filloi punën e saj para shtatëdhjetë vjetësh.
Me humor, dhembshuri dhe qartësi lirike, Nënë Tereza ndriçon të shenjtën në punët e brendshme të përditshme të jetës. “Në zemër të botës” bart dëshmi të padiskutueshme ndaj influencës së një shpirti tërësisht të përkushtuar – me një zemër të dashurisë – ndaj një jete të të shërbyerit.
Nëpërmjet këtij libri, Nënë Tereza do të ju frymëzojë t’i pushtoni të tjerët me dashuri dhe dhembshuri dhe të punoni së bashku për paqen botërore.
Botimi i librit është mbështetur financiarisht nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës. Librin e botoi “Deon-AB”, kurse është përkthyer prej anglishtes nga Alfred Beka.
Nënë Tereza u bë e njohur në botë për punën e saj vetëmohuese me “më të varfrit e të varfërve” në Kalkutë të Indisë. E lindur në vitin 1910 në Shkup, tani kryeqytet i Maqedonisë, Nënë Tereza e filloi periudhën e rishtares në Indi në vitin 1928. Që nga krijimi në vitin 1950, urdhri i saj, Misionaret e Bamirësisë, ka hapur më shumë se 500 qendra nëpër botë për t’iu ndihmuar atyre që janë duke vdekur dhe varfanjakëve. Nënë Tereza ka qenë pranuese e shumë shpërblimeve humanitare më prestigjioze në botë, përfshirë Medaljen e Lirisë të Shteteve të Bashkuara, çmimin Albert Schweitzer të Kombeve të Bashkuara dhe çmimin Nobel për Paqe. Ajo vdiq në vitin 1997.(Kortezi a.gegvataj