TIRANË, 30 Janar /Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka dekretuar emërimin e znj. Floreta Faber, ambasadore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezidente dhe në Shtetet e Bashkuara të Meksikës, Republikën e Panamasë dhe në Republikën Domenikane, jorezidente.
Më poshtë dekreti i Presidentit të Republikës:
D E K R E T
PËR EMËRIM AMBASADORI NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 92, shkronja “dh” dhe nenit 93 të Kushtetutës, me propozim të Kryeministrit,
D e k r e t o j:
Neni 1
Znj. Floreta Faber emërohet në detyrën e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezident, dhe të ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Meksikës, Republikën e Panamasë dhe në Republikën Domenikane, jorezident.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. Dekretit 8916
Tiranë, më 29.01.2015
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
BUJAR NISHANI
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë akuzohet për krime lufte në Kosovë
BEOGRAD, 30 janar /– Një organizatë joqeveritare serbe ka akuzuar shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, gjeneralin Ljubisha Dikoviç, për krime lufte në Kosovë gjatë konfliktit të armatosur të fundviteve ’90 të shekullit të kaluar, akuza të ngritura edhe më parë dhe të refuzuara nga Ministria serbe e Mbrojtjes.
Sandra Orloviç, shefe e Qendrës Ligjore Humanitare (FHP) u tha gazetarëve se posedon dokumente që provojnë përgjegjësinë e Dikoviçit në vrasjen e kosovarëve në vitin 1999.
Në atë kohë, gjenerali ishte në krye të Brigadës së 37-të të Motorizuar të ushtrisë jugosllave, e konsideruar përgjegjëse për vrasjen e kosovarëve, eshtrat e të cilëve u zhvarrosën nga një varr i përbashkët në Rudnicë, vitin e kaluar.
Ministri serb i Mbrojtjes, Bratislav Gashiç, në një sqarim publik foli për një sulm të llogaritur kundër Dikoviçit duke thënë se bëhej fjalë për të njëjtat akuza të ngritura në vitin 2011, kur Dikoviç mori postin e shefit të ushtrisë.
Dikoviç nuk është shprehur ende për këto akuza, ndërkohë që në mbrojtje të tij kanë dalë kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç.
Vuçiç e ka konsideruar këtë ngjarje si ”fushatë kundër forcave të armatosura nga ana e disa politikanëve që duan të shkatërrojnë atë çka Serbia ka pozitive”.
”Por, nuk do t’ia arrijnë”, ka theksuar ai.
Pse një qeveri teknike për Kosovën
Nga Kim MEHMETI/
Ia lidhën duart kryetarit të Komunës së Prishtinës, por harruan se regjimi që mbështetës të vetëm ka policinë, se pushtetarët që prangosin të zgjedhurin e popullit, kurrë nuk do mund t’i shpëtojnë mallkimit të popullit. Si diktatorë të vegjël e të mjerë, dalin e paturpshëm thonë se mediat janë duke ua rrënuar shtetin, e nuk shohin se për çdo natë, Kosovën e braktisin me qindra të rinj. Dhe me të drejtë e dënojnë dhunën dhe thonë se vota, e jo protesta në rrugë, të sjellin në pushtet, por harrojnë se deri dje këtë e thoshin edhe robëruesit e Kosovës, harrojnë se drejtuesit e shtetit nuk përfaqësojnë vetëm votuesit e tyre, por e kanë në duar fatin e tërë popullit. Dhe si të tillë-njësoj si çdo zaptues, i cili fatin e shtetit e të popullin e barazon me fatin e vet politik-ata e konsiderojnë armik çdonjërin që i kundërshton, si të tillë ata shohin vetëm gurët e protestuesve, por jo edhe pamjet trishtuese kur të riut të shtrirë, i vërsulen policët!
Dhe drejtues të tillë janë të rrezikshëm për popullin dhe shtetin, drejtuesit e tillë janë trishtues për tërë shqiptarinë, ngaqë ata janë të gatshëm t’ia thyejnë popullit edhe boshtin e patriotizmit! Andaj duhet thënë: Regjimi i sotëm që drejton Kosovën, me shumëçka është fytyra e së djeshmes, që vret dhe varros të sotmen dhe të ardhmen e rinisë kosovare! Nëse do ishte ndryshe, nëse drejtuesit e sotëm të Kosovës me të vërtet do kishin për qëllim të mirën e vendit dhe të popullit, atyre do u mjaftonte edhe një pik gjaku polici apo protestuesi, që të dilnin e të thoshin: Ne jemi pushtetarë, por jo pushtues të popullit e të vendit tonë, andaj ejani që gjithë së bashku ta ndajmë të mirën e të keqen e këtij vendi! Pra ata do propozonin të mundshmen që sot mund ta qetësojë Kosovën: një Qeveri teknike, që do e nxirrte vendin nga ky tunel ku është futur! Por, këtë nuk mund ta presësh nga ata me mendësi nga djeshmja e pushtuesit, nga ata që marrjen e votës, e barazojnë me marrjen e ‘tapisë’ që të shpallë pronarë të Kosovës!”
Një serb dhe një yll Hollivudi luftojnë në Shqipëri
Lamtumira e fundit për një agjent të OSS/
Nga Peter Lucas, Lowell Sun/
Nick Kukich vdiq të hënën e shkuar.
Mund të mos thotë shumë në mes të gjithë gjërave, por duhet.
Duhet sepse Nick ishte pjesë e numrit në pakësim të veteranëve të Luftës së Dytë Botërore, që shkuan në luftë për të mposhtur nazizmin dhe fashizmin, në mënyrë që Amerika të mbetej e fortë, e lirë dhe demokratike. Ai ishte pjesë e Gjeneratës së Madhe. Nick, që vdiq në një azil në Delaware, ishte 99 vjeç dhe e kishte jetuar jetën plotësisht.
Bir i emigrantëve serbë, Nick punonte në minierat e qymyrit në Ohio kur ishte adoleshent. Më pas u bashkua me ushtrinë amerikane në nisje të luftës. Ai u bë rreshter në artileri. Për shkak se fliste rrjedhshëm serbisht, ai u rekomandua që të ishte pjesë e Zyrës së Shërbimeve Strategjike (OSS), e cila ishte paraardhësja e luftës e CIA-s.
OSS kishte një program të luftës, që stërviste amerikanët etnikë për t’i dërguar prapa linjave të armikut në vendet e origjinës së tyre. Në vitin 1943, Nick ishte në një anije me trupa, që ishte drejtuar për nga Afrika e Veriut.
Por disa gjëra qesharake ndodhën gjatë rrugës. Kështu ai përfundoi pas radhëve të armikut në Shqipëri, jo në Serbi, ku ndihmoi partizanët komunistë të luftojnë kundër gjermanëve.
Bashkë me të ishte edhe marinsi Sterling Hayden, në atë kohë një yll i famshëm filmash, që kërkoi të mbetej anonim duke u bashkuar me OSS. Hayden, një burrë shumë i pashëm, kishte punuar si marinar dhe peshkatar, përpara se të zbulohej nga Hollivudi dhe të kthehej në një yll filmash. Edhe ai përfundoi në Shqipëri.
Nick Kukich, Sterling Hayden dhe pjesa tjetër e burrave që luftuan në Luftën e Dytë Botërore ishin shumë të ngjashëm me ushtarët amerikanë në filmin e shkëlqyer “Snajperi amerikan”. Ose e thënë më saktë, të rinjtë në këtë film janë si ata.
Në të dy rastet, të dy grupet luftuan për shkak se Amerika ishte sulmuar. Ata besonin në vendin e tyre dhe në mënyrën amerikane të jetesës. Ata besonin se vendi ia vlente të mbrohej, nuk ka rëndësi nëse është nazizëm apo terrorizëm islamik. Ata i dolën përpara rrezikut për të mbrojtur vendin. Kjo i bën ata patriotë.
E kam njohur Nick Kukich kur nisa të hulumtoj për librin tim “OSS gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri”. Në atë kohë ai ishte një nga vetëm katër të mbijetuar nga kontigjenti me 35 deri në 40 ushtarë që luftuan në Shqipëri. Puna e tyre ishte të ndihmonin partizanët që të sulmonin gjermanët, të mblidhin të dhëna dhe të shpëtonin pilotët amerikanë të rrëzuar, të cilët ktheheshin nga bombardimi i fushave të naftës në Ploiesti, Rumani.
I graduar toger, Nick ishte gjithashtu në betejën e Tiranës, kur partizanët komunistë, me ndihmën e Aleatëve, mposhtën gjermanët në kryeqytetin shqiptar dhe morën vendin. Atëherë, si tani, armiku i armikut tonë është miku ynë.
“Kishte shumë gjermanë të vdekur në rrugë,” më tha Nick. “Partizanit u vidhnin çizmet, edhe nëse ishin gjallë. Shumë partizanë nuk kishin këpucë. Dreqi e mori, është luftë”.
Misioni i Nick në Shqipëri nisi në dhjetor të vitit 1943, kur ai dhe të tjerë agjentë të OSS u transportuan përmes detit Adriatik nga Bari drejt Gadishullit të Karaburunit në disa shpella. Pikërisht nga këto shpella të ftohta, të errëta dhe të lagështa, të njohura edhe si “Seaview”- OSS ngriti një rrjet inteligjence për të monitoruar aktivitetin e divizioneve gjermane.
Aleatët druheshin se këto divizione, nëse nuk ngacmoheshin nga grupet e rezistencës shqiptare, do dërgoheshin si përforcime në Itali, ku aleatët po hapnn rrugën për t’u përballur me gjermanët. Shërbimi i Nick ishte i paçmuar. Gjermanët nuk arritën të dërgojnë trupa nga Shqipëria në Itali.
Janë gjëra marramendëse. Megjithatë ai nuk e humbi kurrë sensin e humorit.
Kur vizitoa “Seaview” si pjesë e kërkimeve të mia në vitin 2005, shkova tek një nga shpellat e Gadishullit të Karaburunit me një skaf peshkatarësh. Edhe pse ishte një ditë shumë e nxehtë, aty brenda ishte lagështi, errësirë dhe ftohtë, ashtu siç e kishte përshkruar Nick. Më bëri të mendoj se si kanë jetuar ata njerëz aty.
Ndërsa po dilnim jashtë, kapa celularin dhe e telefonova Nick.
Ai u habit kur i thashë se po e merrja nga shpella.
“A gjete gjë,” më pyeti.
“Vetëm një pale mbathje të vjetra, që kishe lënë pas,” bëra shaka.
“Epo mos i sill në shtëpi. Kam mjaftueshëm suvenirë”.
Të qoftë dheu i lehtë.
Husamedin Feraj në shërbim të dikujt !
Nga Fahri XHARRA/
Vështirë e kam të pranoj dikend në shoqëri i cili e mbanë për këshilltar Prof.Dr.Husamedin Ferajn. Nuk jam për lëçitje por së paku për përrallosje të atyre
“intelektualëve “ të cilët të shtyer nga largqoftit u munduan t`i njollosin figurat e kombit , figura të cilat edhe popujt më të civilizuar i kan për lakmi .Të njollosin historinë tonë!
Më vjen mirë që “ teoritë “ e Huses u pranuan më në fund vetëm në foltoret e xhamive , atyre xhamive të porositura , të prapametura dhe anti shqiptare. Më vjen keq që besimtari shqipëtar i fesë muslimane në Shqipëri, Kosovë Maqedoni , Mal të Zi dhe në diasporë duhet të ndëgjojë ligjërimet e hoxhëve të porositur dhe të frymëzuar ndër të tjerash edhe nga shkrimet e profit tonë nga Tirana . Fajet i ka Shqipëria !
“Mëndja e robëruar është pasojë e shpirtit dhe e trupit të robëruar. Robëria i njeh një mijë mënyra me të cilat e skllavëron mendjen e të robëruarit dhe mendja si e tillë përkundër lirimit të saj fizik mbetet prapë në kthetrat e lartmadhërisë së saj ish-robërisë.- a po jo Zoti Prof. ? por ti si u mashtrove ?
“KADAREJA, GABI I MENDIMIT SHQIPTAR” shkruan Husamedini dhe vazhdon:
“Kjo është vetëm një parafjalë, një fillim i butë për mbrapshtitë e shumta të Ismail Kadaresë në fushën e mendimit shqiptar, posaçërisht e mendimit politik. Kadare ka një ngjashmëri me atë që quhet tregu “gabi” në Shqipëri nga që ushtrohet më së shumti nga gabelët, ose së paku kështu perceptohet. Fjala është për tregun që merr në Perëndim mallra të përdorura, të vjetruara ose që thjesht nuk përdoren më nga të zotët e tyre, ndodhë edhe “firmato”, dhe i shet me çmime mjaft të lira, nganjëherë me kile”, thotë Feraj.
“Racionaliteti i këtij tregu është se këto lloj mallrash blihen më lirë. Edhe Kadare ka shkuar në Perëndim ku merr ide e mendime të përdorura dikur, të vjetruara tani dhe jua shet shqiptarëve. Problemi është vetëm se i mungon racionaliteti i tregut të gabit (gabelit fxh): tregtarët e gabit i tregtojnë ato mallra, sepse janë më të lira, ndërsa idetë, si të vjetra si të reja kushtojnë njëlloj, në kuptimin se si një libër i shekujve të kaluar, si i sotëm kushton gati njëlloj,” na shkruan filozofi Dr. Hysamedin Feraj, i cili me shkrimet filozofike ka filluar qysh në kohën e monizmit duke shkruar për karakterin reaksionar te rokut..
Na pate lënduar Profesor , por fajet ishin nga Shqipëria që as ajo nuk dinte në atë kohë se çka donte. E kishin trullusur , Shqipërinë e gjorë.
Po Skënderbeu , çka të zuri udhën ? iu frigove asaj statuje të madhe të tij dhe u mundove që së paku ta minimizosh në shkrimet tuaja. Fjala e keqe vret e shkrimi me qëllime të këqija vret edhe më shumë : “Debati për mendimin politik të Skënderbeut është i hershëm. Orientimi i tij politik është vënë në dyshim dhe madje është kundërshtar nga një pjesë e shqiptarëve që për të gjallë dhe gjatë kohës së veprimtarisë së tij si nga Hamza Kastrioti, Dukagjinasit, Moisi Golemi etj., dhe ka vazhduar deri në ditët e sotme. Në dy vitet e fundit ky debat është rikthyer.”( H.F. Debati mbi Skënderbeun).
Ja me pak fjalë, “profesorllyki” i Husamedin Ferajt.
Fahri Xharra ,30.01.15 Gjakovë