• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Jusuf Hoti, gjurmet e nje rrugetimi 40 vjecar

January 8, 2015 by dgreca

Nga Kadri TARELLI/
E pabesueshme që një njeri të mbetet drejtor gjithë jetën, madje pa u shkëputur nga drejtimi asnjë ditë. Bëhet fjalë për Jusuf Hotin, i cili pak muaj më parë, në shtator 2014, doli në pension pas dyzet vjetëësh drejtues i shkollës së Mesme të katundit të Ri. Thashë e pabesueshme, sepse të mbetesh drejtor edhe në vorbullën e këtyre viteve të trazuar, është më shumë se çudi, kur dihet se ç`kanë bërë furtunat politike me drejtuesit e shkollave, hiq e ver dhe ver e hiq, bile disa edhe pa u tharë boja e shkresave të emërimit. Për fat të mirë Jusuf Hoti mbeti drejtor. Nuk di cila është formula magjike; që ai i qëndroi larg politikës, apo politika nuk u muar me të? E vërteta ndoshta gjendet duke i bashkuar të dyja, por unë mendoj se e para ka rrënjë më të forta. Ai, duke i qendruar fanatik parimit dhe ligjit, se “Shkolla është e depolitizuar”, nuk i begenisi partitë, por shikoi drejtimin e shkollës në kushte të vështira të kohës, që askush nuk do që të përsëriten. Sidoqoftë hamëndësimet, edhe kur kanë arsyen brenda, nuk të çojnë drejt të vërtetës, pasi ka ca gjëra të tjera që janë më thelbësore, e që lidhen me profesionin dhe më së shumti me personalitetin e tij, si njeri e më tej si nëpunës shteti.
Kush e njeh dhe ka punuar me te, me plot të drejtë do të thotë, se Jusufi në radhë të parë është njeri, e mëpastaj zyrtar, megjithëse si zor t`i dallosh e të vesh kufirin mes tyre, sepse nuk mund të jesh drejtues e shtetar i mirë, po nuk je i ndershëm, i drejtë e serioz ndaj vetes dhe të tjerëve. Nuk mund ta mbash gjatë detyrën, po nuk zbatove rregullat dhe ligjet, po nuk e deshe punën dhe po s`qe i aftë, organizator i mirë, studjues dhe vizionar.
Mes të tjerave, Jusufi i dipllomuar për matematikë, ishte mësues i përgatitur e kërkues, njëkohësisht edhe metodist i mirë. Kështu shprehen nxënësit e tij, megjithse çuditërisht për drejtuesin, asnjëherë nuk vihet re e as thuhet kjo anë e punës së tij, madje as nga inspektorët, jo se jo, por as edhe nga kolegët mësues e për të vazhduar te të tjerët. Duke u shtjelluar më tej mendimi, të gjithë e vlerësojnë për rolin e tij në drejtimin dhe zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat ndeshej çdo ditë, jo thjesht për kërkesën rigoroze të zbatimit të rregullores dhe disiplinën formale të shkollës. Fjala është për sheshimin, zbutjen e më pastaj zgjidhjen e problemeve me prindërit, nxënësit dhe mësuesit, sidomos kur bëhet fjalë për shkollën e mesme, ku nxënësit adoleshent, me energjinë e çapkënllëqet e moshës janë të paparashikueshëm.
“Të ishin vetëm këto, – kujton Jusifi, – është gjysma e të keqes, që e vlen të merresh, pasi bëhet fjalë për detyrën si mësues e drejtues, që vetiu lidhet me fatin dhe jetën e nxënësve. Janë plot dyzet vjet punë në drejtim të shkollës dhe disa ngjarje të para viteve 90, nuk dua t`i kujtoj, madje dua t`i harroj me neveri. Po ç`t`i bësh, kur pa pritur e kujtuar, pëlcisnin si gështenja në zjarr, probleme delikate (për kohën politike), që me apo pa dashje hapeshin për mësuesit e shkollës që unë drejtoja. Vetëm një moskujdesje, apo trajtim i pa menduar mirë, ishte me pasoja e me zarar, jo për zanatin si mësues, që s`bëhet fjalë, po për jetën dhe qënien e tyre. Një fjalë e papeshuar mirë nga ana ime, i shkatëronte jetën e familjen. Unë nuk shkela kurrë në atë hulli të fëlliqur”.
Mësuesit dhe nxënësit e shumtë, me nderim mund të numërojnë e të radhisin shumë cilësi e vlera të drejtorit të tyre, por më e rëndësishme mbetet të qënurit fisnik në pamje, sjellje dhe qendrim, sidomos ndaj kolegëve, të cilët kurdoherë i ka trajtuar si shokë e bashkëpunëtorë, për të nisur e bitisur së bashku të gjitha punët. Drejtor Jusufi, me fjalën dhe qetësinë e tij, krijonte harmoni në kolektiv. Ai frymëzonte e ngjallte besim te kolegët, duke i bërë pjesëmarrës e bashëpunëtorë aktiv në nxitjen e çdo nisme dhe realizimin e tyre. Besoj se, në artin e drejtimit të shkollës, kjo është veçoria dhe stolia më e bukur e tij.
Unë që po shkruaj këto rradhë, punova me Jusufin për 20 vjet rradhazi, madje që nga fillimi i punës së tij si drejtor në shkollë 8-vjeçare më 1973, e më pas në të mesmen, Gjimnaz e Bujqësore në Katund të Ri. Edhe pas kaq e kaq vitesh e vlerësoj për një kujdes njerëzor ndaj mësuesve, kur shumë perj nesh, me biçikleta vinim nga Durrësi, për kilometra të tëra në shi e diellë, në vapë behari e acar dimri, duke qendruar edhe në orët e vona të shkollës së natës. Në natyrën e tij nuk fliste shumë, por i dallonte e vlerësonte aftësitë e secilit mësues dhe nuk nguronte t`i thoshte hapur. E admiroja sepse qëmtonte anët e mira. Edhe sot kur ulesh e bisedon me të, thotë:
“Kam patur fat që kam punuar me mësues cilësisht të përgatitur. Me fat që drejtova atë kolektiv të përkushtuar, aq seroiz e aq punëtor. E them këtë se, jo rastësisht, shumica e mësuesve kur u transferuan në Durrës, u bënë inspektorë pranë DAR-së, disa pedagogë në universitetin “A. Moisiu”, të tjerët drejtorë e n/drejtorë shkollash, ka nga ata që hartojnë e botojnë libra, disa merren edhe me gazetari, veç tyre pati që edhe u ngritën në detyra në pushtetin lokal në Qarkun e Durrësit”. Nuk po përmend mësuesit, që ashtu si unë, u vlerësuan dhe u dekoruan para shumë viteve, (sipas normave të kohës), ndaj po ndalem vetëm në kohët e fundit, ku Nikoll Priska para dy vitesh dhe Dajlan Shuaipi marsin që shkoi, ishin ndër “10 Mësuesit e vitit”, që u shpallën nga DAR-ja e Durrësit. Mbase po përsëris atë që e kanë thënë dijetarët para meje: “Shkolla, kasolle me kashtë, veç brenda mësuesi i mirë”, sepse nuk janë pak dyzet vjet përvojë në drejtim, që më ngulitën mendimin, se të jesh drejtor i suksesshëm dhe të kesh shkollë të mirë, duhen mësues të mirë.”
Çuditërisht, kur kolegët mësues diskutojnë për drejtor Jusufin, për asnjë rast nuk kam dëgjuar të thonë se, “na urdhëronet, bëjeni!”, por pasi e diskutonte gjërë e gjatë, thoshte: “Meqë është e dobishme dhe i shërben shkollës, le t`i përvishemi punës e ta mbarojmë së bashku”. Kjo solli që, shkollës së Katundit të Ri t`i dalë emri e të dëgjohet në dhjetra shkolla në rrethin e Durrësit, për një radhë nismash në dobi të mësimit dhe që pasohej me rezultate të mira e njohuri të qendrueshme te nxënësit.
Këto fjalët e fundit, duken si të përgjithëshme e më shumë si llafe zbukurimi, nëqoftëse nuk përmendim, ç`produkt ka nxjerrë kjo shkollë. Mburrja nuk është në natyrën e mësuesit e aq më pak të një drejtori modest si Jusufi, por duhet thënë se, gjatë viteve shumë nxënës nisën studimet e larta, mbaruan me rezultate të mira dhe u bënë kuadro me vlerë, duke i shërbyer bashkësisë, qytetit, vendit dhe kombit. Gjithsesi unë po veçoj disa, pa u mbetur qejfi shumë të tjerëve, sepse bëhen aq sa nuk numërohen dot. Mes tyre: Dom Gjergj Meta, shërbyesi i zotit në katedralen “Shën Luçia” këtu në Durrës, që po shkëlqen edhe në publicistikë e filozofi, Agron Myftari ushtaraku i specializuar në Turqi, sot dëshmor i atdheut, Arben Çeku diplomat kariere, ish ambasador, Prof. dr. Mitat Mema, rektor i Universitetit “A. Moisiu” në Durrës, me doktoraturë të mbrojtur në Spanjë dhe që mban firmën e mbretit Huan Karlos. Shpend Shahini Prof. doktor i shkencave bujqësore, drejtor i “Institutit të mbrojtjes së bimëve”, njëkohësisht pedagog në Universitetin Bujqësor Tiranë, Alban Allkoçi doktor shkencash, pedagog në fakultetin e inxhinerisë elektrike në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Pëllumb Berisha ish deputet. Shtojmë këtu disa pedagogë të universitetit “A. Moisiu” Durrës, Hazbi Lika, pedagog i shkencave politike dhe me shumë artikuj të publikuar në shtyp, Shqipe Kusi, pedagoge për shkencat ekonomike, Shkëlqim Sula, drejtor i auditit në këtë universitet. Veç tyre ka edhe të tjerë. Përmend Julian Priska, i dipllomuar për fizikë-bërthamore dhe plot të tjerë ekonomistë, drejtorë shkollash, arsimtarë, mjekë, agronomë, veterinarë, stomatollogë, ushtarakë. Radha e emrave të tyre është shumë e gjatë, për t`i lënë vend poetes Mimoza Berisha, me librin e saj të kohëve të fundit, “Fli të bëhet Natë”.
Kur hedh sytë prapa e rikthehesh në vite, si pa dashje vështirësitë “Harrohen”, ose mbeten nëpër biseda kafeneje, ndërsa ngrenë krye vlerat dhe arritjet. Çdo mësues, aq më shumë çdo drejtues, ka të drejtë të ndjehet i përkëdhelur në sedër, pse jo edhe të mburret. Në këtë rast, askujt nuk i hyn në punë modestia, pasi kam bindjen, se cilido prej nesh, kur kalon një kohë të gjatë në punë e në jetë, siç është drejtori ynë, rri e bën llogarinë e viteve. Artitekti numëron veprat e ndërtuara, mjeku pacientët e shëruar, piktori e skulptori pikturat e skulpturat që e kanë bërë të njohur, shkrimtari e poeti librat e shkruar, gazetari problemet që ka ngritur, ndërsa drejtori dhe mësuesi numërojnë “yjet”, nxënësit që u bënë dikushi në jetë. Ata janë vepra e tij, me ta mburret, me ta e mat edhe hijen e shtatit të tij.
I urojmë drejtor Jusufit, shëndet dhe jetë të gjatë, gjithmonë mes miqëve dhe shokëve të tij vjetër e të rinj.

Përgatiti
Kadri Tarelli
Durrës më: 07. 01. 2015/
Ne Foto: Jusuf Hoti me trupen mesimore et vitit shkollor 1987-88

Filed Under: ESSE Tagged With: gjurmet e nje rrugetimi 40 vjecar, Jusuf Hoti, Kadri Raelli

Ndikimi i Kishës greke në Shqipëri përbën rrezik Kombtar

January 8, 2015 by dgreca

Nga Aurel Dasareti, USA/
Akoma nuk kam hequr dorë nga mendimi se kam diçka të rëndësishme dhe origjinale për të shprehur. Nëse rrugët tona janë të ndryshme nuk mund të përpilojmë plane të përbashkëta. Një hartë udhëzuese nuk është e mjaftueshme si prijë për veprimin; shqiptari ka nevojë edhe për një pikësynim që i thotë se ku të shkoj.
***
Përfaqësuesit e vërtetë ortodoks shqiptarë argumentojnë se:
Janullatos është agjent i Shërbimit Informativ kombëtar grek
Ndikimi i Kishës greke në Shqipëri është më i rrezikshëm se ai islamik
Ndikimi i Kishës greke në Shqipëri përbën rrezik shumë më të madh se ai islamik sepse ajo mbështetet dhe udhëhiqet nga një shtet që ka jo vetëm pretendime territoriale në Shqipërinë e Jugut, por që po punon për të ndryshuar rrjedhën e historisë së ortodoksisë shqiptare. Ajo është 100 vjet luftë për të veçuar Vorio-Epirin dhe për t’ia bashkangjitur shtetit grek. Kësaj i shërben edhe Kryepeshkopi Anastas Janullatosi. Shteti grek dhe kisha greke janë një, dhe këto 100 vjet kanë thurur lloj-lloj planesh për të aneksuar Jugun e Shqipërisë. Qëllimi i tyre është që të gjithë ortodoksët shqiptarë, të quhen ortodoksë grekë. Autonomia e Kishës Ortodokse Shqiptare humbi me ardhjen e Janullatosit në Shqipëri 1992, duke ngritur një principatë greke brenda shtetit shqiptar. Së pari, njerëzit që ai ka afruar janë mbeturina prej maskarenjsh. Ai ka mbështetur dhe mban rreth vetes njerëz pa principe, pa identitet, të shitur, antishqiptarë. Përse Janullatos dëshiron të vdes në Shqipëri? Po punon që ai të bëhet shenjtor në Shqipëri, që eshtrat e tij përfundimisht të prehen në tokën shqiptare dhe ai të shpallet martir i shenjtë i Kishës Ortodokse, që është filial i Kishës greke. Kjo do të thotë të falsifikosh historinë. Është investuar në botimin e veprave të tij, duke e zëvendësuar bibliotekën e Fan Nolit me atë të Janullatosit.
Indiferentizmi i politikës shqiptare dhe i akademikëve shqiptarë i ka hapur rrugë këtij përçudnimi. Politika shqiptare është e kapur jo vetëm nga kisha greke, por dhe shteti grek.
Janullatos domosdoshmërish të abdikoj dhe kreun e kësaj kishe ta marrë ndonjë prift legjitim me gjak shqiptari.
***
Misioni sekret i këshilltarit të Janullatosit dhe anëtari i këshillit të ortodoksëve të Shqipërisë, komunistit dhe ateistit Pirro Prifti është:
të ndihmoj mumien ateist Janullatos në tjetërsimin e Kombit tonë nëpërmjet përçarjes, prishjes së harmonisë dhe bashkëjetesës fetare midis vëllezërve të një gjaku, të një gjuhe, të një kulture: myslimanë, bektashinj, katolikë, ortodoks dhe protestantë që dallojnë vetëm nga formaliteti se Zotit i falen ndryshe.
konvertimi me dhunë të shqiptarëve myslimanë në ortodoksi, ose dëbimi i tyre për në Turqi.
unifikimin e katolikëve me ortodoksinë
ortodoksizimin e Shqipërisë, historisë dhe heronjve të saj – në ritin ortodoks grek etj.
***
Pirro Prifti është një nga personalitetet më komplekse, më të çmendur dhe të çuditshëm që ndonjëherë kanë ushtruar propagandë dhe spiunim politik në Shqipëri – në favor të Shërbimeve Sekrete të boshtit pan-ortodoks Athinë-Moskë-Beograd. (Spiunazh është mbledhje informacionesh nga burimet e hapura dhe të mbyllura të kryera në fshehtësi. Vëzhgimi bëhet në mënyra të ndryshme dhe nga shumë subjekte. Spiunazhi bëhet nga shtetet, nëpërmes kompanive dhe organizatave të të gjitha llojeve dhe nga individët).
***
Pushtetari i botës së civilizuar, punët dhe përgjegjësitë që i ngarkohen i merr me seriozitet të jashtëzakonshëm. Në botën shqiptare ndodhë e kundërta, është krijuar një zbrazëti rreth e rrotull nesh. Nga natyra nuk e duroj gënjeshtrën prandaj edhe angazhimi im modest në kërkim të së vërtetës, të kontribuoj për të vënë çështjen shqiptare brenda kornizave kontrolluese.
Verifikimi i pikëpamjeve është me rëndësi edhe për letrat që i botojmë në internet, e jo t`ia futim kot. Nëse kalemxhinjtë mendojnë se janë në ballë të lojës, duhet të informojnë popullatën ku na çalon puna, të mësojmë ku të kërkojmë pengesën.
Përfaqësuesve fals ortodoks: Pirro Prifti, Vangjel Dule, Panajot Barka, Elsa Ballauri, Thoma Miço…nuk duhet t`u jepet terren propagandimi në mediume. Domosdoshmërish t`i largojmë nga loja sa më shpejt duke i hedhur në koshin e plehrave. Kjo sepse përveç tjerash i gënjejnë vëllezërit tanë ortodoks me doktrina të bazuara në superioritetin e rremë racor grek.
A është jo-tolerancë për të mbrojtur qenien, atdheun, kulturën tënde? Dhe a duhet ne të toleromë ata që nuk na tolerojnë?
***
Nevojtarët shqiptarë nuk duhet të pranojnë të mbeten skllevër i biznesit të maskarenjve. Raca shqiptare është zot dhe jo skllav. Shqiptari duhet të filloj ta njoh veten si njeri të suksesit; të mposhti frikën e fatkeqësisë që mund të sjellë zgjimi nga gjumi i tepruar.
***
Situatat që lypsen njohur prej nesh para se të marrim vendimet tona në të vërtetë ndikohen nga këto vendime. Ekziston një dallim midis shpresave të njerëzve në ngjarje dhe rezultatit real të atyre ngjarjeve. Nganjëherë ky dallim është kaq i vogël saqë mund të mos përfillet, por në raste të tjera ai është aq i madh saqë bëhet faktor me rëndësi në përcaktimin e rrjedhës së ngjarjeve.
Është e lehtë të besosh se çfarëdo që ti mbron përfaqëson të vërtetën përfundimtare. Më vështirë është të mbrohet një formë organizimi shoqëror që bazohet në njohjen e mundësisë se mund të jesh i gabuar. Duhet ta pranojmë se e vërteta përfundimtare është e paarritshme. Kjo kërkon shumë kohë sepse për të arritur deri tek ajo njeriu domosdoshmërish të kalojë nëpër argumente të pakontestueshme. Por koha rrjedh e ikën shpejtë, sidomos kur diskutojmë me kryelakrat që nuk argumentojnë por menjëherë me budallallëqe qëllojnë. Nëse edhe ne shqiptarët duam një shoqëri të lirë dhe demokratike, duhet të jemi në gjendje që më përpara ta fitojmë atë duke eliminuar nga karrigia mafiozët. Dhe, pastaj duhet të jemi të përgatitur për ta mbrojtur, sepse ajo do të ishte si një e mirë e përgjithshme, së cilës domosdoshmërish t`i nënshtrohen interesat e individit.
***
Kafshët e egra mishngrënëse, në mungesë të mjeteve më të avancuara, përcaktojnë territorin e tyre duke pshurrur në drunjtë përqark. Dhe, mjerë për kafshët tjera që guxojnë të shkelin në pronën e tyre. Ndërkaq ne, as që kemi përcaktuar kufijtë, as që dimë se ku gjenden dhe as që mbrojmë oborrin tonë nga ardhacakët e paftuar që na kolonizojnë gjithnjë e më tepër, por si kozmopolitë budallenj, edhe pse vetë gjendemi nën robëri, për hatër të “vëllezërve të fesë” luftojmë për Siri, Serbi, Turqi, Rusi e Greqi.
***
Shqipërisë natyrale i nevojitet një ide e shëndosh me prijës të shëndosh për të nxitur dhe përforcuar ndjenjat patriotike, atdhedashurinë, për ta frymëzuar Kombin në krijimin e një forme organizimi shoqëror që garanton obligimet dhe të drejtat e barabarta të çdo qytetari.
A mos po luftojë për një ëndërr të parealizueshme?
Ne tani jemi në një situatë të paqëndrueshme ku fuqitë e mëdha të tilla si Rusia dhe Kina sfidon SHBA-n dhe Evropën dhe vlerat e saj. Prandaj, domosdoshmërish të konsolidojmë radhët tona.
Nëse duhet t’i përmbahemi terminologjisë ushtarake, kundërshtari që beson se ka pushtuar një pozicion të rëndësishëm në luftën kundër palës rivale, nuk është i interesuar të bëjë kompromis por e përdor këtë pozicion si pikënisje për të pushtuar një pozicion të ri. (, *Ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurel Dasareti, Ndikimi i Kishës greke në Shqipëri, përbën rrezik Kombtar

Balerina & modelja Anxhela Lalaj flet per “Zogun e Tiranës”

January 8, 2015 by dgreca

Personazh/ Flet Balerina & Modelja e njohur, Anxhelina Lalaj

:Lidhja ime me Hermesin është reale, përputhemi edhe në shtrat

/
Nga Albert Z. Zholi
/
Fejesa “live” në ekran e Hermes Nikaj i njohur me epitetin simpatik si “Zogu i Tiranës” ka qënë një ndër ngjarjet me të komentuara të vitit që lamë pas. Anxhelina Lalaj, modelja 21-vjeçare, është vajza që ka rrëmbyer zemrën e prezantuesit te programit të mëngjesit në TV Klan. Natyrisht që, kanë marrë shumë urime nga miqtë, por për të gjithë mosbesuesit vetë Anxhelina tregon për vërtetësinë e kësaj historie, pas njohjes në eventet e modës. Për më tepër, ju ftojmë të lexoni intervistën e mëposhtëme !

-Si ndodhi që, morët vendimin për tu fejuar publikisht ? 
Gjitçka erdhi krejt natyrshëm. Nuk mund të themi që ishte fejesë, por më saktë kurorëzimi i lidhjes tonë, pra duke e bërë publike lidhjen . Kjo ishte një zgjedhja jona duke qëne se Hermes është pjesë e medias Klan & prezantues në “Aldo Morning” programi I mëngjesit në TV Klan . Hermesi kishte folur për mua në programin ku ai bën pjesë dhe mbetej vetëm që, publiku të njihej me pamjen time .

-Ku jeni njohur me Hermesin dhe çfarë të tërheq tek ai ?
Me Hermes njihemi prej vitesh nga shoqëri e përbashkët dhe prej 1 viti jemi në një lidhje. Tek ai më tërheq gjithcka, në rradhë të parë emri firmato (markë e njohur) dhe shumë cilësi të tjera që ai ka , si zgjuarsia, çiltërsia dhe i përkushtuar në gjithcka .

-Me pak fjalë , është një mashkull I kompletuar, po në shtrat sa përputheni ?(qesh) Mirë edhe në shtrat, sigurisht që përputhemi

-E sheh Hermesin si bashkëshortin tënd? 
Për momentin është ende herët të flasim për martesë, pasi
preferojmë t`ia lemë gjithcka kohës . Si fillim kemi plan të bashkëjetojmë,
pastaj duke parë e duke bërë.

-Po familja jote si e priti kete vendim? 
Shumë mirë, pasi ishin në dijeni të kësaj lidhjeje. Hermes
rrjedh nga një familje e lartë artistësh dhe është një djalë me zemër të madhe.

-Cila është pika më e fortë e marëdhënies tuaj ?
Dashuria, kjo është pika më e fortë .

-Një përkufizim për dashurinë ?
Dashuria ?! Një ndjenjë e fuqishme dhe e jashtëzakonshme. Është
një emër që të bën ta duash më shumë se vetveten. Dhe lumturia vjen bashkë me
dashurinë. 

-Tre kënaqësi ?
Moda, shopping e udhëtimet 

-Cfarë ju bezdis më tepër ?
Trafiku, boritë e makinave, higjiena dhe parregullsia në
komunitet në hedhjen e mbeturinave dhe në kulturën vetjake që ka individi.

-Së fundi, keni publikuar edhe shërbimin tuaj më të fundit fotografik … 
Po, i cili mban vulën e fotografit të mirënjohur Fani Aliko.
Ky servis fotografik u realizua në ambientet e qendrës tregtare TEG. Për veshjet dhe grimin u kujdes Senida Divintari, Sali Alushi & motrat e mrekullueshme Gjermeni . 


-Cilat janë planet e mëtëjshme në lidhje me botën e spektaklit ?
Modelingu është një ndër to, pasi setet e fotove i adhuroj ndërsa planet e tjera nuk mund ti vecoj ende pa i realizuar.

-Tashmë jeni në qendër të vëmendjes së mediave rozë , për shkak të lidhjes tuaj me Hermesin. Sa ju prekin thashethemet ?
Thashethemet në momentin e parë prekin këdo dhe janë të pranueshme, mendoj unë .


-A ekziston xhelozia në lidhjen tuaj ?
Xhelozia është e pranishme dhe reciproke, sepse në rastin konkret të dy i përkasin skenës, publikut dhe ata janë pjesë e jetës tonë .


-Cfarë duhet për një jetë me dashuri ?
Kjo është shumë e thjeshtë, të japësh dashuri pa fund.

-Një koment për të gjithë fansat tuaj …

Do të më pëlqente ti quaja dashamirës. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen e vazhdueshme që na jepni. Jeni forca më e madhe e çdo artisti. Përqafime të sinqerta nga Anxhelina & Hermes !

Filed Under: Interviste Tagged With: “Zogun e Tiranës”, Albert Zholi, Anxhela Lalaj, Balerina & modelja, flet per

Dushku pellazg dhe Nata e Buzmit

January 8, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARA/
– Po vjen buzmi bujar me dushk e me bar, me gjâ e me mall e me gjith të mirat e Zotit!/
– Mirë se u bjen Zoti ! Pastu prù ora me nafakë ! –pergjegjë i zoti i shtepís mbrendë/
“ Hë në fund vdiç Zoti dhe u varros në Dodonë nën dushkun më të madh dhe varri i tij u bë vend pelegrinazhi i tërë botë. Rreth dushkut dhe varrit të Zotit u ndërtua Orakulli, të cilin e ruanin Donetinët (fis mollos) (Dhimitri Pilika -Pellazgët- origjina e jonë e mohuar )/
Gjatë gërmimeve në Dodonë më 1875-1877 dolën në dritë : një fletë dushku e shkëputur, një degëz e tërë lisi ( me 17 fletë) dhe një lendë dushku , të gjitha riprodhime artistike prej metali , si dhurata Zotit pellazg ./
Pra nata e Buzmit si tek katolikët ashtu edhe tek ortodokset është një festë e vjetër pellazge,ku sipas Frrok Kristajt : Te festat e ciklit dimëror përfshihen Kolendrat dhe Buzmi, të cilat bahen me rituale, që janë të një prejardhjeje të lashtë; kryesisht lidhen me fuqinë e diellit, përkatësisht shënojnë solisticin dimëror të diellit, që mposht errësirën dhe bën të ngadhënjejë drita “ . Në këtë kuadër, historiani Eduard Gibon sqaron se “të krishterët, të cilët nuk e dinin datën e lindjes së Krishtit, përcaktuan si festë solemne 25 dhjetorin, Brumalinë, apo solsticin e dimërit, të cilin paganët e festonin çdo vit në përkujtim të lindjes së Diellit”..
Duhet ta dijmë! Solstiku apo solstici (lat solstitium) njohur ndryshe si Diellndalimi, është çasti kohor i vitit në të cilin boshti tokësor arrin pjerrësinë më të madhe dhe më të vogël ndaj diellit. Solstiku/ Diellndalimi, ndodh dy herë në vit, 21 qershor, që quhet diellndalimi veror (solstici i verës), dhe më 21 dhjetor, i cili quhet diellndalimi dimëror (solstici i dimrit).
Diellndalimi veror ndodh më 21 qershor, në gjysmëlëmshin verior dhe gjysmëlëmshin jugor të tokës. Diellndalimi i verës është dita më e gjatë e vitit, dhe për pasojë nata më e shkurtër. Në çastin e diellndalimit, Dielli arrin pjerrësinë më të madhe të lëvizjes së tij në krahasim me eklipsin (errësimin), dhe është në zenit të tropikut të Gaforres. Diellndalimi veror përfaqson fillimin e verës dhe ka qenë në histori shkak festimesh.
Diellndalimi dimëror ndodh në gjysmëlëmshin jugor, më 21 dhjetor, apo 22 (21 apo 22 qershor) në gjysmëlëmshin verior të Tokës. Data e diellndalimit dimëror shënon edhe ditën më të shkurtër dhe natën më të gjatë të vitit. Dielli mbërrin pjerrësinë më të vogël dhe ndodhet në zenit në tropikun e Bricjapit. Edhe diellndalimi i dimrit ka qenë me qindra vjet me radhë shenjë festimesh të ndryshme dimërore, p.sh. Saturnalia në Romën e lashtë, Kvanza për disa popuj afrikanë, si edhe Krishtlindja ndër të krishterët. Diellndalimi sëbashku me baraznatën lidhen me përcaktimin e stinëve të vitit. ( via Brunilda Ternova )
Buzmi është një festë e vjetër pagane, që me kalimin e shekujve ka ardhur duke u zbehur, madje në disa popuj të tjerë indoevropianë është harruar. Mbeturina të riteve që përbënin ceremonialin e kësaj feste, në trevën e Pukës psh . kanë arritur deri në shekullin tonë.
Si shumica e festave, edhe ajo e buzmit lidhej ngushtë me dëshirën për prodhim të mbarë e të bollshëm. Të gjitha ritet e kësaj feste pagane kanë pasur karakter të theksuar bujqësor e blegtoral, çka tregon edhe për drejtimet kryesore ekonomike të popullit tonë në të kaluarën. Ato janë karakteristike për atë shkallë të zhvillimit të shoqërisë, kur natyra dhe dukuritë e saj kishin pushtet të fortë mbi të gjitha veprimtaritë e njeriut. Si të tilla, ato kanë rëndësi për studimin e psikologjisë dhe botëkuptimit të kësaj shoqërie. Mbeturinat e kësaj feste tani nuk praktikohen më tek ne, por ruhen në treva të tjera, të banuara nga shqiptarë. (M. Tirta. «Kulte të bujqësisë e të blegtorisë», «Etnografia shqiptare»)
Etnografi Mark Tirta në lidhje me buzmin thekson: «Fjala “buzm”, në kuptimin e këtij druri ritual ose edhe jashtë këtij kuptimi, E. Çabej e shpjegon si një fjalë autoktone të shqipes të trashëguar nga rrënja e një fjale të lashtë indoevropiane» Nata e buzmit pritej me gëzim të madh dhe me një parapërgatitje të veçantë. Kjo festë popullore ishte më e rëndësishmja dhe kishte një ceremonial të caktuar, të ngurtësuar në shekuj. Festave qe iu është dhën karakter fetar e që u përmendën më lartë janë pra me prejardhje pellazge , dhe çdo përvehtësim tjetër është vetëm se një maipulim jo i drejtë i të vërtetës sonë , shqiptare.
Dhimitri Pilika ne librin e tij për pellazget shkruan se etruskët sipas një studjusi francez e quanin dushkun pikërisht si sot në shqip.,si dhe që anë e kënd Etrurisë pellazge hasen gjurmë të shpeshta të këtij simbili ballësor pellazg.
Se Dushku dhe Buzmi lindën nga ne janë dëshmitare edhe vendet tona që me toponomastikën pellazge lidhen me dushkun. Dendësia e këtij emblemi të qenësishëm pellazg e cila përdorët kudo në trevat shqiptare edhe sot e kësaj dite dëshmon shkoqur për një lidhje organike të pashoqe midis Dodonës dhe të sotmes shqiptare.
Ja provat : DUSHK ( fshtrat në Gramsh, Lushnje , Shijak. Lezhë, Peqin) . Bregu i dushkut ,( zonë malore Lushnje):; Liqeni i Dushakut ( Gramsh) ;Kodra e Dushkut në Krujë e Lushnje ; Qafa e dushkut në Vlorë Dushkajë fshat në Lezhe, Gjakovë; Dushkan (Elbasan); Dushkarak (Vlorë) , Dushkia ( fshat arbëresh , Atikë)
Deshtëm apo jo provat historike jane ne duar tona.

Filed Under: Kulture Tagged With: dhe Nata e Buzmit, Dushku pellazg, Fahri Xharra

O B J E K S I O N E MBI “PROJEKTET E MEDHA NE FUSHEN E GJEOLOGJISE SHQIPTARE

January 8, 2015 by dgreca

(Intervista e gjeologut të nderuar, dr. prof.Irakli Premti publikuar nga gazetari Albert Zholi me 26 dhjetor 2014 te gazeta Dielli – NewYork dhe datë 24 dhjetor te gazeta Telegraf ( Tuneli i Orikumit duhet ndërtuar…)/
SHKRUAN:Ing.gjeolog Zef Toska, Modena-Itali/
E lexova me kënaqësi dhe vemendje intervistën e mësipërme dhe se si, më rilindi shpresa që mendimet e pasqyruara nga dr.prof. Premti dhe të vazhduara në këtë shkrim, ndoshta mund të bëhen shkak për nje nismë të re në zhvillimet e gjeologjisë shqiptare në përputhje me ato përmasa qe siguron nëntoka e jonë e pasur me rezerva të mëdha industriale të mineraleve të dobishem
a. metalifere : bakrit, kromit, hekurit, polimetalëve, boksitëve, argjilave boksite e refraktare…etj.
b. .jometaloreve : mermereve të larmishëm, silicorëve për metalurgji, gurëve gjysëm të çmueshem (kuarcitëve radialorezore me zbukurime fantastike shumëngjyrëshe)…etj.
c. rezervat e naftës dhe gazit; me mundësi reale përespektive projektuese dhe realizuese drejtë ndërhyrjeve të reja në fushën e kerkimit dhe të zbulimit si në tokë ashtu edhe në detë.
Duhet pranuar pa mëdyshje se historia e suksesshëme e zhvillimeve të bazuara në kritere shkencore e gjeologjisë shqiptare pat qenë realizuar (me vuejtje e sakrifica, djersën dhe e gjakun e punëtorve e specialistëve) gjate 40 viteve të periudhës se eger diktatoriale komuniste duke patur mbështetjën dhe ndihmën e Bashkimit Sovjetik dhe më vonë të Kinës.
Fillimisht punimet në stil të gjërë qenë mbeshtetur në studimet më të vjetra të kryera kryesisht nga austro-hungarezët në zë; Nopça, Nowak, Zuber etj. Realizohej kështu parimi Leninist i zhvillimit të ekonomisë që përcaktonte si prioritet ndërtimin e industrisë së rëndë e cila do ti paraprinte të gjitha veprimtarive të tjera të ekonomisë duke u bazuar në Sektorin e Gjeologjisë dhe Minierave.
Metodat e zgjedhura për të realizuar këtë zhvillim qenë me të vertetë të ashpra, por në të njëjtën kohë heroike për ato që i zbatuan. Punëtorët e gjeologjisë dhe të minierave; minatorët, sondistët e të tjerët, u paguan sa për një copë bukë dhe patën një trajtim mizerabel gjatë realizimit të punimeve. Nuk dëshiroj që të zgjatem në këtë pikë, sepse brezat e rinjë e kanë të vështirë që të kuptojnë, kurse të vjetrit mund të ndihen edhe të lodhur duke i përsëritur dhe, tashmë heshtin në pleqërinë e tyre….Unë që po shkruaj këto rreshta, jam dëshmitar i gjallë për sa më sipër, pasi jetova dhe punova me pasion për 30 vite në ekspeditat e rilevim kërkim – zbulimit në zonat gjeotektonike të Alpeve, Cukalit, Mirditës, dhe Krujës (Budva). Por në të njëjtën kohë dëshiroj të theksoj se askush, sado i ndjekur politikisht apo desident i regjimit komunist që të jetë, nuk mund të mohojë realizimet dhe sukseset e mëdha të gjeologjisë të asaj periudhe diktatoriale, qe populli e përmbysi në mënyrë unanime në vitin 1991.
Në ‘Arshivën Qendrore të Gjeologjise Tiranë’ ruhen veprat (Raportet Gjeologjike) të gjeologëve më të aftë. Ato vepra para depozitimit të tyre në Arshivë, janë mbrojtur, shqyrtuar dhe aprovuar nga ‘Këshilli i Lartë Shkencor’ i Ministrisë së asaj kohe. Nga shumë e shumë vepra shkencore me vlerë mund të seleksionohen e të grupohen, si të radhës së parë, për të ia prezentuar shoqërive të huaja të interesuara për të investuar në shfrytëzimin e mineraleve (të mirënjohur në hollësi ne sasi dhe cilesi), dhe që “flejne” në qetësi. Ato rezerva te kalkuluara shkencërisht, mund ti ofrohen e ti prezentohen enteve të njohura financiare për të siguruar mbeshtetje financiare për të kryer zbulimet në vendburimet egzistuese si dhe nxjerrjen e mineralit përkatës ( bakër, krom, hekuri etj). Për kujtesë, në Arshivë ndodhen edhe Raportet e mia të punimeve të kërkim-rilevimeve gjeologjike në shkallën 1: 10.000 për gjetjen e bakrit dhe të mineraleve të tjerë shoqërues të realizuara gjate viteve 1963 – 1967, ku jepen rekomandimet si dhe punimet paraprake të kërkimit në tërësine e ‘Zonës Mirdita’, për zbulimin dhe përgjithësimin e ligjesisë së përhapjes së bakrit në strukturën e vullkanogjeneve të zonës ku qenë konkretizuar vendburimet e njohura të ‘Tuçi verior’, Palaj – Karmë, Fushë Bardhë-Palucë, Qafës së Malit etj. Po kështu ndodhen në Arshivë edhe rezultatet e punimeve shumë vjeçare ne zonat e Alpeve, Cukalit, Krujës që i përkasin viteve 1968-1991. Në Raportet voluminoze dhe e hartat e shumta në shkallën 1:50.000, 1:25.000, 1:10.000 dhe anekset e tjerë ilustrues, ku pasqyrohen plotësisht rezultatet e arritura të gjetjës për të parën herë në Alpet shqiptare të boksiteve, argjilave fraktare (të përdorura me sukses në prodhimet e porcelanit në Fabrikën e Tiranës), polimetaleve, mermereve, etj. Më pas, (në vitet 1977-80; 81-85) i komanduar pranë Institutit të Kërkimeve e Projektimeve të Gjeologjisë dhe në Ndërmarrjen Gjeologjike të Tiranës, dorëzova edhe dy vepra shkencore në Arshivë me tituj; “Mbi kerkimet e boksiteve e mineraleve të tjerë në zonën e Alpeve Shqiptare’ dhe ‘Boksitet e Shqiperise’ ; me autor S.Guranjaku, Z.Toska. Mendoj modestisht,se Raportet më sipër permendur, mund të vlejne që të shfrytezohen per trajtimin e disa minerale në të ardhmen…
Që nga viti 1991 e sot, jetoj jashtë atëdheut dhe nuk njihem aspak me gjëndjen e sotme të sektorit të gjeologjisë. Në qëndrime disa ditore në Tirane dhe Shkodër, në biseda me pak miq gjeologë të moshës time, pata kuptuar se sektori i gjeologjisë nuk kishte bërë asnjë progres ; përkundrazi, me keqardhje hetova se gjeologjia e mirëfilltë, me të cilën kishim punuar dikur, në keto 20 vite demokracije ishte reduktuar krejtësisht. Dy tre gjeologë-zyrtar sherbenin në çdo Qark të Shqiperise duke ndihmuar të interesuarit me ndonjë copë harte për territoret mbi të cilët ndertohesh… ! Nga ky degradim total i mungesës së financimeve, si nga shteti ashtu edhe nga privatët, as që mund të mendohej për ndonjë projekt kerkimi, zbulimi apo shfrytezimi te mineraleve apo të sektorëve të tjere ‘naftë-gaz’ si dhe ujrave të pijshëm të cilët natyrisht kërkojnë investime kolosale.
1-Duke ju referuar materialit të dr.prof.I.Premti, pyetjes : “në strukturën organizative çfarë i sugjeroni Qeverisë? aprovoj mendimin që për organizimin të marrim shëmbullin e vendeve të tjera të KSH-së : në formën e “Shoqatës”, por kjo në vendin tonë mbetet në kuadrin e ‘Gjeoalba’ duke qenë organ shtetëror ; në njëkohë që çdo shoqatë në vendet europiane lindë nga nje organizim privat. Kjo kontradiktë tepër e rëndësishme qëndron në faktin që ‘Gjeoalbës’ i ndrrojmë formalisht veç emërin dhe jo përmbajtjen, që të quhet ‘Shoqatë’.
2-Po kështu edhe për shoqatën e fizikanëve dhe të gjeofizikanëve të cilët nuk janë specialistë privatë e të pavarur, por realizojnë vetëm punime sipas një programi shtetëror, pra nuk mund të grupohen formalisht në një shoqatë!?
3-Kur shoqatat nuk veprojnë nën ndikimin e shtetit, por janë vetëadministruese, punëtorët dhe specialistët, pa ndikim, zgjedhin ‘Këshillin Drejtues Shkencor’ i cili përcakton e përpunon tematikat shkencore e më pas rezultatet e arritura i publikon në Buletinin e Shoqatës.
Për sa më sipër (1,2,3) duhet të arrihet që shoqatat të kenë organizim privat, duke e lënë shtetin që të nderhyjë vetëm në dhënien e drejtimeve themelore të zhvillimit të ekonomise. Për këtë shteti mund të përfaqësohet me një hallkë madhore, psh. me anën e një zv.ministri që mund të mbulojë të gjithë sektoret që i përkasin fushës ku vepron shoqata. Për mendimin tim, hallkat e tjera burokratike që propozohen në këtë material, krijojne vetëm pengesa serioze në zhvillimet bashkëkohore të sektorëve të gjeologjisë, dhe hidrokarbureve. Lidhur me organizimin privat të tenderimeve për shoqëritë e huaja e vendore, mendoj që gjithçka do të arrihej nëpërmjet një komunikimi transparent në bazë të një juridiksioni ad-hoc të përpiluar. Ndryshe hallkat e panevojshme shtetërore shndërrohen në elementë korruptivë. Shkurt, jam për një privatizim të thellë të sektoreve, siç i kanë gjithë vendet e përparuara në botë.
Për komisionet qe propozohen mendoj :
-Fillimisht Ministria e Drejtësisë duhet të formulojë “legjislacionin” e domosdoshem që rregullon, kontrollon, siguron dhe miraton marrëveshjet e duhura për të garantuar investimet e shoqërive private. Për më tepër del e domosdoshme që të krijohet nji “situatë” e qarte për palët që kontratojnë ; keto masa serioze pa tjetër sigurojnë hyrjen e investimet e huaja në Shqipëri.
-Ministria e Punës duhet të kontraktojë për sigurimin e garantimin e fuqisë punëtore të specializuar e jo per shoqëritë e huaja dhe vëndore.
– Konsideroj urgjente krijimin e një organi qendror për Komisionin e Planifikimit në të cilin të marrin pjesë specialistet më të shquar e më me pervojë të fushave të gjeologjisë, sizmikës, mineraleve, naftës, gazit, ujit të cilët do të angazhohen për funksionimin e kritereve për zbatimin e funksionimin e ligjeve minerare e ato gjeologjike, të kërkimeve e zbulimeve gjeologjike…
-E gjykoj të drejtë ngrijtjen e një Instituti të Naftës dhe Gazit në Fier si një institucion i rëndësishëm dhe i veçantë i ndarë nga sektoret e gjeologjisë dhe minierave.
-Problemi i ujit te pijshem është më i kapshëm e më i qartë. Ato që parashtrohen në materialin e publikuar i gjej të pranueshme e të mbështetura plotësisht. Edhe për këtë ndërmarrje gjigande të sigurimit të ujit pijshëm për popullsinë si dhe për eksport, mendoj që zgjidhjet të futen në rrugën e privatizimeve të çdo sektori.
-Interesimi i Shoqërisë Hidrogjeologjike Kanadezo-Amerikane Alsca Water(A.W.W.) për marrjen e ujit të pijshëm nëndetar (qe shkon dëm në detë) me shtrirje nga Vlora deri në Butrint kërkon një rinderhyrje për ta bërë realitet at projekt me shumë fitime per vendin tone. ( Nuk e kuptoj tërheqien e A.W.W nga interesimi fillestar, përse ?)
-Kërkimet e naftës dhe të gazit në të ardhmen duhen fuqizuar, duke i paraprire me punime gjeofizike detare të cilat lidhen me problemet e ‘Shelfit’ detar dhe atyre në kontinent. Nuk jam i sigurtë në se A.G.I.P-It. ka realizuar ndonjë shpim strukturale ne zonen “italoide” në detë të hapur përballë gjirit të Vlorës? Në se po, bëhet urgjente dialogimi për shkembimin e të dhenave për t’u njohur me rezultatet. Në të ardhmen duhet të provokohet zyrtarisht një takim me specialistët e A.G.I.P – it si dhe me ato greke për të shkëmbyer idetë dhe për të propozuar një bashkëpunim tre palësh me synim aplikimin e një projekti të përbashkët.
Për të mirën e vendit tonë dhe të shqiptarëve aq të varfër dhe aq të vuajtur, shpresoj se këto mendime modeste për të ardhmen do të mund të shohin rrugën e realizimit duke ndjekur një koncept, si të thuash, ‘ revolucionar’ : “sa më shumë privatizime, sa më shumë konkurrencë, sa me pak shtet, aq më tepër fitim!”
Së fundi mendoj, që në përespektivën bashkëkohore, në kuadrin e një krize të thellë ekonomike dhe egzistenciale del detyrë që të veprohet me guxim per nje organizim te ri të sektoreve duke gjetur rrugë të reja të cilat do të mundësojnë ndërthurjën e iniciativave pozitive të së kaluarës me eksperiencën e vakët që rezulton në këto ’20 vite të gjeologjisë në demokraci’ (e cila nuk i dha asnjë drejtim cilësor e zhvillim progresiv sektorëve të gjeologjisë).
Bëj thirrje që në plan të parë të konsiderohet ‘Politika Mjedisore’, çdo projekt i sektorëve të trajtuar më lart të studjohet e të përpilohet duke konsideruar “barbarizmat”që mund të shkaktojnë punimet në sektorët e naftë-gazit, gjeologji e miniera, vershimet e ujrave nentokesore të cilat ndotin e helmojnë mjedisin ku jetojnë dhe punojnë forcat njerëzore.
Mos të harrojmë se çdo ide apo projekt, se çdo e mirë materiale e krijuar nga ato, arrihet vetëm nëpërmjet punës, pasionit, optimizmit dhe atdhedashurisë të masës së madhe të njerëzve që dëshirojnë të jetojnë më mirë sot dhe më të sigurtë neser…

Ing.gjeolog Zef Toska
Modena –It. Datë 06.01.2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjeologji, Ing.gjeolog Zef Toska, Objeksione mbi projektet e medha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4183
  • 4184
  • 4185
  • 4186
  • 4187
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT