Nga Kadri TARELLI/
E pabesueshme që një njeri të mbetet drejtor gjithë jetën, madje pa u shkëputur nga drejtimi asnjë ditë. Bëhet fjalë për Jusuf Hotin, i cili pak muaj më parë, në shtator 2014, doli në pension pas dyzet vjetëësh drejtues i shkollës së Mesme të katundit të Ri. Thashë e pabesueshme, sepse të mbetesh drejtor edhe në vorbullën e këtyre viteve të trazuar, është më shumë se çudi, kur dihet se ç`kanë bërë furtunat politike me drejtuesit e shkollave, hiq e ver dhe ver e hiq, bile disa edhe pa u tharë boja e shkresave të emërimit. Për fat të mirë Jusuf Hoti mbeti drejtor. Nuk di cila është formula magjike; që ai i qëndroi larg politikës, apo politika nuk u muar me të? E vërteta ndoshta gjendet duke i bashkuar të dyja, por unë mendoj se e para ka rrënjë më të forta. Ai, duke i qendruar fanatik parimit dhe ligjit, se “Shkolla është e depolitizuar”, nuk i begenisi partitë, por shikoi drejtimin e shkollës në kushte të vështira të kohës, që askush nuk do që të përsëriten. Sidoqoftë hamëndësimet, edhe kur kanë arsyen brenda, nuk të çojnë drejt të vërtetës, pasi ka ca gjëra të tjera që janë më thelbësore, e që lidhen me profesionin dhe më së shumti me personalitetin e tij, si njeri e më tej si nëpunës shteti.
Kush e njeh dhe ka punuar me te, me plot të drejtë do të thotë, se Jusufi në radhë të parë është njeri, e mëpastaj zyrtar, megjithëse si zor t`i dallosh e të vesh kufirin mes tyre, sepse nuk mund të jesh drejtues e shtetar i mirë, po nuk je i ndershëm, i drejtë e serioz ndaj vetes dhe të tjerëve. Nuk mund ta mbash gjatë detyrën, po nuk zbatove rregullat dhe ligjet, po nuk e deshe punën dhe po s`qe i aftë, organizator i mirë, studjues dhe vizionar.
Mes të tjerave, Jusufi i dipllomuar për matematikë, ishte mësues i përgatitur e kërkues, njëkohësisht edhe metodist i mirë. Kështu shprehen nxënësit e tij, megjithse çuditërisht për drejtuesin, asnjëherë nuk vihet re e as thuhet kjo anë e punës së tij, madje as nga inspektorët, jo se jo, por as edhe nga kolegët mësues e për të vazhduar te të tjerët. Duke u shtjelluar më tej mendimi, të gjithë e vlerësojnë për rolin e tij në drejtimin dhe zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat ndeshej çdo ditë, jo thjesht për kërkesën rigoroze të zbatimit të rregullores dhe disiplinën formale të shkollës. Fjala është për sheshimin, zbutjen e më pastaj zgjidhjen e problemeve me prindërit, nxënësit dhe mësuesit, sidomos kur bëhet fjalë për shkollën e mesme, ku nxënësit adoleshent, me energjinë e çapkënllëqet e moshës janë të paparashikueshëm.
“Të ishin vetëm këto, – kujton Jusifi, – është gjysma e të keqes, që e vlen të merresh, pasi bëhet fjalë për detyrën si mësues e drejtues, që vetiu lidhet me fatin dhe jetën e nxënësve. Janë plot dyzet vjet punë në drejtim të shkollës dhe disa ngjarje të para viteve 90, nuk dua t`i kujtoj, madje dua t`i harroj me neveri. Po ç`t`i bësh, kur pa pritur e kujtuar, pëlcisnin si gështenja në zjarr, probleme delikate (për kohën politike), që me apo pa dashje hapeshin për mësuesit e shkollës që unë drejtoja. Vetëm një moskujdesje, apo trajtim i pa menduar mirë, ishte me pasoja e me zarar, jo për zanatin si mësues, që s`bëhet fjalë, po për jetën dhe qënien e tyre. Një fjalë e papeshuar mirë nga ana ime, i shkatëronte jetën e familjen. Unë nuk shkela kurrë në atë hulli të fëlliqur”.
Mësuesit dhe nxënësit e shumtë, me nderim mund të numërojnë e të radhisin shumë cilësi e vlera të drejtorit të tyre, por më e rëndësishme mbetet të qënurit fisnik në pamje, sjellje dhe qendrim, sidomos ndaj kolegëve, të cilët kurdoherë i ka trajtuar si shokë e bashkëpunëtorë, për të nisur e bitisur së bashku të gjitha punët. Drejtor Jusufi, me fjalën dhe qetësinë e tij, krijonte harmoni në kolektiv. Ai frymëzonte e ngjallte besim te kolegët, duke i bërë pjesëmarrës e bashëpunëtorë aktiv në nxitjen e çdo nisme dhe realizimin e tyre. Besoj se, në artin e drejtimit të shkollës, kjo është veçoria dhe stolia më e bukur e tij.
Unë që po shkruaj këto rradhë, punova me Jusufin për 20 vjet rradhazi, madje që nga fillimi i punës së tij si drejtor në shkollë 8-vjeçare më 1973, e më pas në të mesmen, Gjimnaz e Bujqësore në Katund të Ri. Edhe pas kaq e kaq vitesh e vlerësoj për një kujdes njerëzor ndaj mësuesve, kur shumë perj nesh, me biçikleta vinim nga Durrësi, për kilometra të tëra në shi e diellë, në vapë behari e acar dimri, duke qendruar edhe në orët e vona të shkollës së natës. Në natyrën e tij nuk fliste shumë, por i dallonte e vlerësonte aftësitë e secilit mësues dhe nuk nguronte t`i thoshte hapur. E admiroja sepse qëmtonte anët e mira. Edhe sot kur ulesh e bisedon me të, thotë:
“Kam patur fat që kam punuar me mësues cilësisht të përgatitur. Me fat që drejtova atë kolektiv të përkushtuar, aq seroiz e aq punëtor. E them këtë se, jo rastësisht, shumica e mësuesve kur u transferuan në Durrës, u bënë inspektorë pranë DAR-së, disa pedagogë në universitetin “A. Moisiu”, të tjerët drejtorë e n/drejtorë shkollash, ka nga ata që hartojnë e botojnë libra, disa merren edhe me gazetari, veç tyre pati që edhe u ngritën në detyra në pushtetin lokal në Qarkun e Durrësit”. Nuk po përmend mësuesit, që ashtu si unë, u vlerësuan dhe u dekoruan para shumë viteve, (sipas normave të kohës), ndaj po ndalem vetëm në kohët e fundit, ku Nikoll Priska para dy vitesh dhe Dajlan Shuaipi marsin që shkoi, ishin ndër “10 Mësuesit e vitit”, që u shpallën nga DAR-ja e Durrësit. Mbase po përsëris atë që e kanë thënë dijetarët para meje: “Shkolla, kasolle me kashtë, veç brenda mësuesi i mirë”, sepse nuk janë pak dyzet vjet përvojë në drejtim, që më ngulitën mendimin, se të jesh drejtor i suksesshëm dhe të kesh shkollë të mirë, duhen mësues të mirë.”
Çuditërisht, kur kolegët mësues diskutojnë për drejtor Jusufin, për asnjë rast nuk kam dëgjuar të thonë se, “na urdhëronet, bëjeni!”, por pasi e diskutonte gjërë e gjatë, thoshte: “Meqë është e dobishme dhe i shërben shkollës, le t`i përvishemi punës e ta mbarojmë së bashku”. Kjo solli që, shkollës së Katundit të Ri t`i dalë emri e të dëgjohet në dhjetra shkolla në rrethin e Durrësit, për një radhë nismash në dobi të mësimit dhe që pasohej me rezultate të mira e njohuri të qendrueshme te nxënësit.
Këto fjalët e fundit, duken si të përgjithëshme e më shumë si llafe zbukurimi, nëqoftëse nuk përmendim, ç`produkt ka nxjerrë kjo shkollë. Mburrja nuk është në natyrën e mësuesit e aq më pak të një drejtori modest si Jusufi, por duhet thënë se, gjatë viteve shumë nxënës nisën studimet e larta, mbaruan me rezultate të mira dhe u bënë kuadro me vlerë, duke i shërbyer bashkësisë, qytetit, vendit dhe kombit. Gjithsesi unë po veçoj disa, pa u mbetur qejfi shumë të tjerëve, sepse bëhen aq sa nuk numërohen dot. Mes tyre: Dom Gjergj Meta, shërbyesi i zotit në katedralen “Shën Luçia” këtu në Durrës, që po shkëlqen edhe në publicistikë e filozofi, Agron Myftari ushtaraku i specializuar në Turqi, sot dëshmor i atdheut, Arben Çeku diplomat kariere, ish ambasador, Prof. dr. Mitat Mema, rektor i Universitetit “A. Moisiu” në Durrës, me doktoraturë të mbrojtur në Spanjë dhe që mban firmën e mbretit Huan Karlos. Shpend Shahini Prof. doktor i shkencave bujqësore, drejtor i “Institutit të mbrojtjes së bimëve”, njëkohësisht pedagog në Universitetin Bujqësor Tiranë, Alban Allkoçi doktor shkencash, pedagog në fakultetin e inxhinerisë elektrike në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Pëllumb Berisha ish deputet. Shtojmë këtu disa pedagogë të universitetit “A. Moisiu” Durrës, Hazbi Lika, pedagog i shkencave politike dhe me shumë artikuj të publikuar në shtyp, Shqipe Kusi, pedagoge për shkencat ekonomike, Shkëlqim Sula, drejtor i auditit në këtë universitet. Veç tyre ka edhe të tjerë. Përmend Julian Priska, i dipllomuar për fizikë-bërthamore dhe plot të tjerë ekonomistë, drejtorë shkollash, arsimtarë, mjekë, agronomë, veterinarë, stomatollogë, ushtarakë. Radha e emrave të tyre është shumë e gjatë, për t`i lënë vend poetes Mimoza Berisha, me librin e saj të kohëve të fundit, “Fli të bëhet Natë”.
Kur hedh sytë prapa e rikthehesh në vite, si pa dashje vështirësitë “Harrohen”, ose mbeten nëpër biseda kafeneje, ndërsa ngrenë krye vlerat dhe arritjet. Çdo mësues, aq më shumë çdo drejtues, ka të drejtë të ndjehet i përkëdhelur në sedër, pse jo edhe të mburret. Në këtë rast, askujt nuk i hyn në punë modestia, pasi kam bindjen, se cilido prej nesh, kur kalon një kohë të gjatë në punë e në jetë, siç është drejtori ynë, rri e bën llogarinë e viteve. Artitekti numëron veprat e ndërtuara, mjeku pacientët e shëruar, piktori e skulptori pikturat e skulpturat që e kanë bërë të njohur, shkrimtari e poeti librat e shkruar, gazetari problemet që ka ngritur, ndërsa drejtori dhe mësuesi numërojnë “yjet”, nxënësit që u bënë dikushi në jetë. Ata janë vepra e tij, me ta mburret, me ta e mat edhe hijen e shtatit të tij.
I urojmë drejtor Jusufit, shëndet dhe jetë të gjatë, gjithmonë mes miqëve dhe shokëve të tij vjetër e të rinj.
Përgatiti
Kadri Tarelli
Durrës më: 07. 01. 2015/
Ne Foto: Jusuf Hoti me trupen mesimore et vitit shkollor 1987-88