(Intervista e gjeologut të nderuar, dr. prof.Irakli Premti publikuar nga gazetari Albert Zholi me 26 dhjetor 2014 te gazeta Dielli – NewYork dhe datë 24 dhjetor te gazeta Telegraf ( Tuneli i Orikumit duhet ndërtuar…)/
SHKRUAN:Ing.gjeolog Zef Toska, Modena-Itali/
E lexova me kënaqësi dhe vemendje intervistën e mësipërme dhe se si, më rilindi shpresa që mendimet e pasqyruara nga dr.prof. Premti dhe të vazhduara në këtë shkrim, ndoshta mund të bëhen shkak për nje nismë të re në zhvillimet e gjeologjisë shqiptare në përputhje me ato përmasa qe siguron nëntoka e jonë e pasur me rezerva të mëdha industriale të mineraleve të dobishem
a. metalifere : bakrit, kromit, hekurit, polimetalëve, boksitëve, argjilave boksite e refraktare…etj.
b. .jometaloreve : mermereve të larmishëm, silicorëve për metalurgji, gurëve gjysëm të çmueshem (kuarcitëve radialorezore me zbukurime fantastike shumëngjyrëshe)…etj.
c. rezervat e naftës dhe gazit; me mundësi reale përespektive projektuese dhe realizuese drejtë ndërhyrjeve të reja në fushën e kerkimit dhe të zbulimit si në tokë ashtu edhe në detë.
Duhet pranuar pa mëdyshje se historia e suksesshëme e zhvillimeve të bazuara në kritere shkencore e gjeologjisë shqiptare pat qenë realizuar (me vuejtje e sakrifica, djersën dhe e gjakun e punëtorve e specialistëve) gjate 40 viteve të periudhës se eger diktatoriale komuniste duke patur mbështetjën dhe ndihmën e Bashkimit Sovjetik dhe më vonë të Kinës.
Fillimisht punimet në stil të gjërë qenë mbeshtetur në studimet më të vjetra të kryera kryesisht nga austro-hungarezët në zë; Nopça, Nowak, Zuber etj. Realizohej kështu parimi Leninist i zhvillimit të ekonomisë që përcaktonte si prioritet ndërtimin e industrisë së rëndë e cila do ti paraprinte të gjitha veprimtarive të tjera të ekonomisë duke u bazuar në Sektorin e Gjeologjisë dhe Minierave.
Metodat e zgjedhura për të realizuar këtë zhvillim qenë me të vertetë të ashpra, por në të njëjtën kohë heroike për ato që i zbatuan. Punëtorët e gjeologjisë dhe të minierave; minatorët, sondistët e të tjerët, u paguan sa për një copë bukë dhe patën një trajtim mizerabel gjatë realizimit të punimeve. Nuk dëshiroj që të zgjatem në këtë pikë, sepse brezat e rinjë e kanë të vështirë që të kuptojnë, kurse të vjetrit mund të ndihen edhe të lodhur duke i përsëritur dhe, tashmë heshtin në pleqërinë e tyre….Unë që po shkruaj këto rreshta, jam dëshmitar i gjallë për sa më sipër, pasi jetova dhe punova me pasion për 30 vite në ekspeditat e rilevim kërkim – zbulimit në zonat gjeotektonike të Alpeve, Cukalit, Mirditës, dhe Krujës (Budva). Por në të njëjtën kohë dëshiroj të theksoj se askush, sado i ndjekur politikisht apo desident i regjimit komunist që të jetë, nuk mund të mohojë realizimet dhe sukseset e mëdha të gjeologjisë të asaj periudhe diktatoriale, qe populli e përmbysi në mënyrë unanime në vitin 1991.
Në ‘Arshivën Qendrore të Gjeologjise Tiranë’ ruhen veprat (Raportet Gjeologjike) të gjeologëve më të aftë. Ato vepra para depozitimit të tyre në Arshivë, janë mbrojtur, shqyrtuar dhe aprovuar nga ‘Këshilli i Lartë Shkencor’ i Ministrisë së asaj kohe. Nga shumë e shumë vepra shkencore me vlerë mund të seleksionohen e të grupohen, si të radhës së parë, për të ia prezentuar shoqërive të huaja të interesuara për të investuar në shfrytëzimin e mineraleve (të mirënjohur në hollësi ne sasi dhe cilesi), dhe që “flejne” në qetësi. Ato rezerva te kalkuluara shkencërisht, mund ti ofrohen e ti prezentohen enteve të njohura financiare për të siguruar mbeshtetje financiare për të kryer zbulimet në vendburimet egzistuese si dhe nxjerrjen e mineralit përkatës ( bakër, krom, hekuri etj). Për kujtesë, në Arshivë ndodhen edhe Raportet e mia të punimeve të kërkim-rilevimeve gjeologjike në shkallën 1: 10.000 për gjetjen e bakrit dhe të mineraleve të tjerë shoqërues të realizuara gjate viteve 1963 – 1967, ku jepen rekomandimet si dhe punimet paraprake të kërkimit në tërësine e ‘Zonës Mirdita’, për zbulimin dhe përgjithësimin e ligjesisë së përhapjes së bakrit në strukturën e vullkanogjeneve të zonës ku qenë konkretizuar vendburimet e njohura të ‘Tuçi verior’, Palaj – Karmë, Fushë Bardhë-Palucë, Qafës së Malit etj. Po kështu ndodhen në Arshivë edhe rezultatet e punimeve shumë vjeçare ne zonat e Alpeve, Cukalit, Krujës që i përkasin viteve 1968-1991. Në Raportet voluminoze dhe e hartat e shumta në shkallën 1:50.000, 1:25.000, 1:10.000 dhe anekset e tjerë ilustrues, ku pasqyrohen plotësisht rezultatet e arritura të gjetjës për të parën herë në Alpet shqiptare të boksiteve, argjilave fraktare (të përdorura me sukses në prodhimet e porcelanit në Fabrikën e Tiranës), polimetaleve, mermereve, etj. Më pas, (në vitet 1977-80; 81-85) i komanduar pranë Institutit të Kërkimeve e Projektimeve të Gjeologjisë dhe në Ndërmarrjen Gjeologjike të Tiranës, dorëzova edhe dy vepra shkencore në Arshivë me tituj; “Mbi kerkimet e boksiteve e mineraleve të tjerë në zonën e Alpeve Shqiptare’ dhe ‘Boksitet e Shqiperise’ ; me autor S.Guranjaku, Z.Toska. Mendoj modestisht,se Raportet më sipër permendur, mund të vlejne që të shfrytezohen per trajtimin e disa minerale në të ardhmen…
Që nga viti 1991 e sot, jetoj jashtë atëdheut dhe nuk njihem aspak me gjëndjen e sotme të sektorit të gjeologjisë. Në qëndrime disa ditore në Tirane dhe Shkodër, në biseda me pak miq gjeologë të moshës time, pata kuptuar se sektori i gjeologjisë nuk kishte bërë asnjë progres ; përkundrazi, me keqardhje hetova se gjeologjia e mirëfilltë, me të cilën kishim punuar dikur, në keto 20 vite demokracije ishte reduktuar krejtësisht. Dy tre gjeologë-zyrtar sherbenin në çdo Qark të Shqiperise duke ndihmuar të interesuarit me ndonjë copë harte për territoret mbi të cilët ndertohesh… ! Nga ky degradim total i mungesës së financimeve, si nga shteti ashtu edhe nga privatët, as që mund të mendohej për ndonjë projekt kerkimi, zbulimi apo shfrytezimi te mineraleve apo të sektorëve të tjere ‘naftë-gaz’ si dhe ujrave të pijshëm të cilët natyrisht kërkojnë investime kolosale.
1-Duke ju referuar materialit të dr.prof.I.Premti, pyetjes : “në strukturën organizative çfarë i sugjeroni Qeverisë? aprovoj mendimin që për organizimin të marrim shëmbullin e vendeve të tjera të KSH-së : në formën e “Shoqatës”, por kjo në vendin tonë mbetet në kuadrin e ‘Gjeoalba’ duke qenë organ shtetëror ; në njëkohë që çdo shoqatë në vendet europiane lindë nga nje organizim privat. Kjo kontradiktë tepër e rëndësishme qëndron në faktin që ‘Gjeoalbës’ i ndrrojmë formalisht veç emërin dhe jo përmbajtjen, që të quhet ‘Shoqatë’.
2-Po kështu edhe për shoqatën e fizikanëve dhe të gjeofizikanëve të cilët nuk janë specialistë privatë e të pavarur, por realizojnë vetëm punime sipas një programi shtetëror, pra nuk mund të grupohen formalisht në një shoqatë!?
3-Kur shoqatat nuk veprojnë nën ndikimin e shtetit, por janë vetëadministruese, punëtorët dhe specialistët, pa ndikim, zgjedhin ‘Këshillin Drejtues Shkencor’ i cili përcakton e përpunon tematikat shkencore e më pas rezultatet e arritura i publikon në Buletinin e Shoqatës.
Për sa më sipër (1,2,3) duhet të arrihet që shoqatat të kenë organizim privat, duke e lënë shtetin që të nderhyjë vetëm në dhënien e drejtimeve themelore të zhvillimit të ekonomise. Për këtë shteti mund të përfaqësohet me një hallkë madhore, psh. me anën e një zv.ministri që mund të mbulojë të gjithë sektoret që i përkasin fushës ku vepron shoqata. Për mendimin tim, hallkat e tjera burokratike që propozohen në këtë material, krijojne vetëm pengesa serioze në zhvillimet bashkëkohore të sektorëve të gjeologjisë, dhe hidrokarbureve. Lidhur me organizimin privat të tenderimeve për shoqëritë e huaja e vendore, mendoj që gjithçka do të arrihej nëpërmjet një komunikimi transparent në bazë të një juridiksioni ad-hoc të përpiluar. Ndryshe hallkat e panevojshme shtetërore shndërrohen në elementë korruptivë. Shkurt, jam për një privatizim të thellë të sektoreve, siç i kanë gjithë vendet e përparuara në botë.
Për komisionet qe propozohen mendoj :
-Fillimisht Ministria e Drejtësisë duhet të formulojë “legjislacionin” e domosdoshem që rregullon, kontrollon, siguron dhe miraton marrëveshjet e duhura për të garantuar investimet e shoqërive private. Për më tepër del e domosdoshme që të krijohet nji “situatë” e qarte për palët që kontratojnë ; keto masa serioze pa tjetër sigurojnë hyrjen e investimet e huaja në Shqipëri.
-Ministria e Punës duhet të kontraktojë për sigurimin e garantimin e fuqisë punëtore të specializuar e jo per shoqëritë e huaja dhe vëndore.
– Konsideroj urgjente krijimin e një organi qendror për Komisionin e Planifikimit në të cilin të marrin pjesë specialistet më të shquar e më me pervojë të fushave të gjeologjisë, sizmikës, mineraleve, naftës, gazit, ujit të cilët do të angazhohen për funksionimin e kritereve për zbatimin e funksionimin e ligjeve minerare e ato gjeologjike, të kërkimeve e zbulimeve gjeologjike…
-E gjykoj të drejtë ngrijtjen e një Instituti të Naftës dhe Gazit në Fier si një institucion i rëndësishëm dhe i veçantë i ndarë nga sektoret e gjeologjisë dhe minierave.
-Problemi i ujit te pijshem është më i kapshëm e më i qartë. Ato që parashtrohen në materialin e publikuar i gjej të pranueshme e të mbështetura plotësisht. Edhe për këtë ndërmarrje gjigande të sigurimit të ujit pijshëm për popullsinë si dhe për eksport, mendoj që zgjidhjet të futen në rrugën e privatizimeve të çdo sektori.
-Interesimi i Shoqërisë Hidrogjeologjike Kanadezo-Amerikane Alsca Water(A.W.W.) për marrjen e ujit të pijshëm nëndetar (qe shkon dëm në detë) me shtrirje nga Vlora deri në Butrint kërkon një rinderhyrje për ta bërë realitet at projekt me shumë fitime per vendin tone. ( Nuk e kuptoj tërheqien e A.W.W nga interesimi fillestar, përse ?)
-Kërkimet e naftës dhe të gazit në të ardhmen duhen fuqizuar, duke i paraprire me punime gjeofizike detare të cilat lidhen me problemet e ‘Shelfit’ detar dhe atyre në kontinent. Nuk jam i sigurtë në se A.G.I.P-It. ka realizuar ndonjë shpim strukturale ne zonen “italoide” në detë të hapur përballë gjirit të Vlorës? Në se po, bëhet urgjente dialogimi për shkembimin e të dhenave për t’u njohur me rezultatet. Në të ardhmen duhet të provokohet zyrtarisht një takim me specialistët e A.G.I.P – it si dhe me ato greke për të shkëmbyer idetë dhe për të propozuar një bashkëpunim tre palësh me synim aplikimin e një projekti të përbashkët.
Për të mirën e vendit tonë dhe të shqiptarëve aq të varfër dhe aq të vuajtur, shpresoj se këto mendime modeste për të ardhmen do të mund të shohin rrugën e realizimit duke ndjekur një koncept, si të thuash, ‘ revolucionar’ : “sa më shumë privatizime, sa më shumë konkurrencë, sa me pak shtet, aq më tepër fitim!”
Së fundi mendoj, që në përespektivën bashkëkohore, në kuadrin e një krize të thellë ekonomike dhe egzistenciale del detyrë që të veprohet me guxim per nje organizim te ri të sektoreve duke gjetur rrugë të reja të cilat do të mundësojnë ndërthurjën e iniciativave pozitive të së kaluarës me eksperiencën e vakët që rezulton në këto ’20 vite të gjeologjisë në demokraci’ (e cila nuk i dha asnjë drejtim cilësor e zhvillim progresiv sektorëve të gjeologjisë).
Bëj thirrje që në plan të parë të konsiderohet ‘Politika Mjedisore’, çdo projekt i sektorëve të trajtuar më lart të studjohet e të përpilohet duke konsideruar “barbarizmat”që mund të shkaktojnë punimet në sektorët e naftë-gazit, gjeologji e miniera, vershimet e ujrave nentokesore të cilat ndotin e helmojnë mjedisin ku jetojnë dhe punojnë forcat njerëzore.
Mos të harrojmë se çdo ide apo projekt, se çdo e mirë materiale e krijuar nga ato, arrihet vetëm nëpërmjet punës, pasionit, optimizmit dhe atdhedashurisë të masës së madhe të njerëzve që dëshirojnë të jetojnë më mirë sot dhe më të sigurtë neser…
Ing.gjeolog Zef Toska
Modena –It. Datë 06.01.2015