• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përvjetori i 70-të i lindjes së presidentit legjendar të Kosovës, Ibrahim Rugova

December 2, 2014 by dgreca

Sot ishte përvjetori i 70-të i lindjes së presidentit legjendar të Kosovës, Ibrahim Rugova/
* Thaçi: Me Rugovën kam pasur bashkëpunim në momentet kyçe të historisë sonë të re
Haradinaj: Rugova, udhëheqës i papërsëritshëm/
Pacolli: Ibrahim Rugova e bëri botën të njohë Kosovën/
Sot është 70-vjetori i presidentit legjendar të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, i cili ndërroi jetë në vitin 2006. Në kuadër të këtij përvjetori janë planifikuar ceremoni të ndryshme përkujtimore, duke filluar me homazhet pranë varrit të tij.
Njeriu i rrugëtimit të shtetit të Kosovës dhe i paqes
Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut, në Kosovë.
Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë babain e tij Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës.
Ibrahim Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971.
Zoti Rugova qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqëndrim në teorinë letrare.
Ibrahim Rugova mori doktoratën në letërsisë në Universitetin e Prishtinës më 1984.
Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës.
Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.
Autor i dhjetë librave (shih më poshtë), Dr. Ibrahim Rugova ishte në nismë redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada, Dr. Rugova punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike”, që e nxirrte ky Institut.
Dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë edhe edhe parti e grupe të tjera.
Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.
Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.
LDK-ja fitoi shumicën dërrmuese të deputetëve në Kuvend, në të cilin përfaqësoheshin edhe tri parti të tjera, ndërsa Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicë dërrmuese të votës.
Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Partia e tij, LDK, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës në atë vit.
Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi 58% të votave të elektoratit në zgjedhjet lokale, të sponsorizuara ndërkombëtarisht, në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000.

Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë:

– Më 1995, Dr. Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.
– Më 1996, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë.
– Më 1998, Rugova iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.
– Në vitin 1999, Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster (Münster), Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedikut, Milanos dhe Breshias (Brecscia).
– Në vitin 2000, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguera”, në Barcelonë, Spanjë.
– Në vitin 2004, Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Çmimin e Evropës për vitin 2004. Bartës të mëhershëm të Çmimit të Evropës janë:
– Mbreti i Spanjës Huan Karlos, – Helmut Kol, – Ronald Regan-i, – Oto fon Habsburg dhe – Emil Konstantinesku.
– Në vitin 2004, Gjenerali Xheri Bek, komandant i Brigadës Multinacionale të KFOR-it Lindja, i cili ishte për një vizitë lamtumirëse te Presidenti i Kosovës ditën e hënë më 16 shkurt 2004, ia dorëzoi Dr. Rugovës fletëlavdërimin e nënshkruar nga zëvendësguvernatorja e Pensilvanisë, znj. Kethrinë Bejkër Noll (Catherine Baker Knoll).
“…Në emër të 12 milionë qytetarëve të Pensilvanisë, dua t’ju shpreh lavdatë për arritjet tuaja të jashtëzakonshme dhe t’ju falënderoj për miqësinë tuaj ndaj Shteteve të Bashkuara.” (znj. Kethrinë Bejkër Noll)
– Në vitin 2004, Presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, në një ceremoni solemne të zhvilluar të hënën më 2 shkurt 2004, pasdite në qytetin e Belgjikës Atverpen (Anvers), është shpallur Senator Nderi i Evropës nga Senati i Evropës. Ky është grupacion i figurave më eminente të skenës politike evropiane nga i cili nderohen personalitete më në zë të botës së politikës, gazetarisë, të shkencave ekzakte apo humane të cilët ka dhënë kontributin e tyre për demokracinë paqen, zhvillimin apo stabilitetin në Evropë.
“Edhe me kundërshtimet e këtyre viteve që i kanë bërë në skenën politike Ibrahim Rugovës, Presidenti i Kosovës ka patur kurajon që të vazhdojë të përpiqet për idealin e tij në një nga zonat më të vështira të Ballkanit”.
“Është shumë e vështirë që të luftosh për vetëvendosjen dhe vullnetin e lirë të një populli të vogël, kur kjo nuk korrespondon me dëshirën e popujve të mëdhenj. Rugova vazhdoi që të luftojë vetëm, ndonjëherë pa hasur në mirëkuptim për një ideal që do të mund t’i japë Evropës atë paqe për të cilën ne kemi nevojë. Është pikërisht kjo gjë që do ta nderojë sot me titullin Senator Evropian që të mos dekurajohet”. (Z. Oto fon Habsburg)
– Më 9 shtator 2004, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.
Pas një sëmundje të rëndë, presidenti Rugova ndërroi jetë më 21 janar 2006 në Prishtinë, në moshën 61-vjeçare.
Haradinaj: Rugova, udhëheqës i papërsëritshëm/
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e vlerëson Presidentin historik të Kosovës udhëheqës të papërsëritshëm.
Haradinaj shprehet sot se “populli i Kosovës dhe të gjithë shqiptarët përjetë do ta kujtojnë Presidentin Rugova dhe veprën e tij”.
“Sot, në 70-vjetorin e lindjes, e përkujtoj si udhëheqës të papërsëritshëm të popullit tim dhe si mik”, thekson Haradinaj.
Pacolli: Ibrahim Rugova e bëri botën të njohë Kosovën/
Ibrahim Rugova kishte meritën historike se e bëri botën të njohë Kosovën, shprehet sot Presidenti i Aleancës Kosova e Re, zv/kryeministër i qeverisë në përfundim të mandatit, Behgjet Pacolli, në 70-vjetorin e lindjes së Presidentit histotik kosovar.
“Ka shumë popuj të vegjël apo dhe më të mëdhenj sesa Kosova, kauza e të cilëve sot në botë dhe luftërat për këtë kauzë janë të panjohur ose nuk merren në konsideratë. Në kohërat tona nëse kjo kauzë nuk njihet, gjasa që ajo të zgjidhet, të adresohet janë të vogla. Ibrahim Rugova, ditëlindjen e të cilit kujtojmë sot, kishte meritën historike se ishte i pari që e bëri botën të njohë Kosovën, të kuptojë genocidin mbi popullin e Kosovës, të vlerësojë luftën e Kosovës, t’i krijohet respekt për popullin dhe kombin tonë, shprehet Pacolli.
Ai vijon se, “pa këtë njohje, a ndërkombëtarizim siç e quajmë, s’do të kishte ardhur faza e ndërgjegjësimit të qendrave të mëdha të vendosjes për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës” dhe se, “ishte më pastaj lufta çlirimtare që i përshpejtoi cilësisht proceset, mbështetur dhe mbi këtë trashëgimi të vyer të Ibrahim Rugovës”.
Pacolli vlerëson se, “vepra politike e Ibrahim Rugovës përfaqëson një trashëgimi të madhe jo thjesht për LDK-në, e cila falë drejtimit të tij ishte parti udhëheqëse e skenës politike të Kosovës. LDK-ja e drejtuar prej Rugovës mishëronte një kuadër të gjerë interesash të qytetarit duke i harmonizuar ato më së miri, çka i garantonte dhe rezultate të larta zgjedhore”. Lideri i AKR-së, më tej shkruan se, “LDK-ja e Rugovës sillej me dinjitet me partitë e tjera kundërshtare dhe mu prej kësaj, sot kur ai s’është më, rivalët e tij më të fortë i referohen trashëgimisë së tij politike si një monumenti të përbashkët kombëtar. Vepra e tij bashkoi shumë para vdekjes, por akoma dhe më shumë pas vdekjes”.
“Popujt e vegjël kanë nevojë për mite, mbi të cilat themelojnë konceptin e tyre shtetëror të mëpastajmë. Rugova ishte dhe mbetet një mit i dobishëm për shtetformimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, me idetë e veta për aleancat ndërkombëtare të Kosovës, me sjelljen e vet të moderuar politike, me paqen që përcillte me sjelljet dhe fjalët e tij. Ja pse unë e kam quajtur atë themelues të pavarësisë së Kosovës, dhe një nga figurat më të mëdha shqiptare të fundshekullit të 20-të. Nderim të përjetshëm figurës së tij!”, shkruan Pacolli në Facebook, ku poston edhe një foto me Rugovën.
Thaçi: Me Rugovën kam pasur bashkëpunim në momentet kyçe të historisë sonë të re/
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kujton se “sot shënojmë ditëlindjen e Presidentit të ndjerë Dr Ibrahim Rugova”. “Kosova Republikë, e pavarur dhe demokratike, e orientuar thellësisht nga komuniteti euro-atlantik, ka qenë synim i Presidentit të parë me të cilin kam pasur bashkëpunim në momentet kyçe të historisë sonë të re”, thekson Thaçi.
“Familja e tij dhe populli i Kosovës sot janë krenarë për punën e tij të palodhshme për liri dhe pavarësi”, shprehet kryeministri i Kosovës, Thaçi
_Fotografia, kortezi Gazeta “ZERI”

Filed Under: Histori Tagged With: i lindjes së presidentit legjendar të Kosovës, Ibrahim Rugova, përvjetori i 70-të

Drejtësia e munguar Shqipëri-Serbi-UEFA nuk ia vuri veshin argumentave të FSHF-së

December 2, 2014 by dgreca

Shqipëria do të vazhdojë ta kërkojë drejtësinë…/
Federata Shqiptare e Futbollit u njoh të martën në mbrëmje me vendimin e Komisionit të Apelit, tek i cili shpresonte që të gjente më tepër drejtësi, në lidhje me vendimin e Komisionit të Etikës dhe Disiplinës për ndeshjen e Serbi – Shqipëri, zhvilluar në Beograd më datë 14 tetor 2014 dhe të ndërprerë në minutën e ’41 të takimit. Ky vendim i këtij Komisioni, la në fuqi të gjitha vendimet e Komisionit të Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s në lidhje me këtë takim të papërfunduar.
Ne nje deklarate te FSHF-se theksohet se pavarësisht argumenteve juridike dhe fakteve të dokumentuara me foto dhe video, si edhe mbrojtjes profesionale të avokat Antonio Rigozzi dhe studiove ligjore, të prenotuara nga FSHF, përsëri asgjë nuk ndryshoi. Pavarësisht nga qëndrimi i njëjtë politik i Komisionit të Apelit, FSHF është e indinjuar për mosmarrjen parasysh e fakteve të vërtetuara të dhunimit të lojtarëve shqiptarë, te pushtimit të fushës nga tifozë dhe persona të inkriminuar, të thirrjeve raciste “vritini shqiptarët”, të hedhjes në fushë të sendeve të forta dhe fishekzjarreve dhe të shumë elementëve të pasigurisë.
Megjithatë, gjatë seancës së pyetjeve, kanë dalë shumë fakte të reja dhe deklarata kontradiktore, të zyrtarëve të ndeshjes, që deklaruan për këtë takim, të cilat akoma më shumë na bindin se në shkallët e mëtejshme, Shqipëria do të gjejë drejtësinë.
Federata Shqiptare e Futbollit, e pakënaqur me këtë vendim njofton opinionin dhe median, se do të vazhdojë ta kërkojë drejtësinë, pranë Gjykatës të Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë, edhe më shumë e binduar se i takojnë tre pikët e fitores, së kësaj ndeshjeje. FSHF do të vazhdojë betejën e saj ligjore, e qartë në qëndrimin e saj, se vetëm kështu do të fitojë vetëm futbolli. Një lojë e pastër, pa dhunë dhe pa racizëm, perfundon deklarata e FSHF-se.

Filed Under: Sport Tagged With: nuk jep drejtesi, Shqiperi-Serbi, Uefa

Kujt i interesonte vrasja e Gazetarit Investigativ?

December 2, 2014 by dgreca

Atentat I deshtuar ndaj gazetarit investigative Artur Çani/
Gazetarit Artur Çanit kanë tentuar t’i bëjnë një atentat. Lajmi bëhet me dije nga televizioni News 24, ku Çani drejton amisionin investigativ “Kaktus”. Çanit i kanë zënë pritë para pallatit ku jeton.
Mësohet se atij i ka zënë pritë një person i maskuar, që kishte një pistoletë me silenciator. Sipas News 24, atentati ka dështuar, pasi personit të maskuar i është bllokuar pistoleta në momentin që do qëllonte.
Për momentin nuk dihen motivet dhe autorët e tij. News 24 raporton se për ngjarjen, përveç drejtorit të Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, që ka shkuar në vendin e ngjarjes, është interesuar edhe kryeministri Edi Rama.
Pyetja qe kerkon pergjigje:Kujt i interesonte vrsja e gazetarit investigativ?

Gazetari Artur Çani rrëfen detajet e atentatit ndaj tij

Gazetari i emisionit investigativ “Kaktus”, Gazetari Artur Çani ka rrëfyer atentatin që është tentuar t’i bëhet mbrëmjen e djeshme. Në një intervistë në News 24, ai ka thënë se fillimisht nuk e ka kuptuar atë që po ndodhte. Çani tha se atentatorit iu bllokua pistoleta.
“Ngjarjen e kam parë nga kamerat, vetë nuk kuptova gjë fillimisht. Një djalë i pallatit e kishte parë personin me armë në dorë. Unë isha në ashensor dhe po ngjitesha në banesë, kur dëgjova një zhurmë, por nuk u shqetësova. Kur e pashë më vonë në kamera, ai kishte shkrepur armën, por ajo u bllokua. Kur tentoi për herë të dytë, unë isha futur në ashensor. Për fat shpëtova”,- tha Çani.
Gazetari i njohur ka bërë të ditur dhe komunikimin që ka pasur me ministrin e Brendshëm Saimir Tahir dhe kryeministrin Edi Rama. “Më pas mora në telefon ministrin Samir Tahiri, i cili më siguroi mbështetje. Më pas më mori në telefon edhe kryeministri Rama, i cili më tha se jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër. Nuk kam pasur presione dhe nuk besoj se ngjarja ka lidhje me emisionin që unë bëj. Unë do ta vazhdoj emisionin tim. Shteti duhet të më sigurojë mbrojtje”, ka thënë gazetari Çani.

Filed Under: Kronike Tagged With: Artur Çani, Atentat I deshtuar ndaj, gazetarit investigative

BRENGA DHE ËNDRRA E ARVANITASIT SHEKULLOR

December 2, 2014 by dgreca

Nga Abdurahim Ashiku/Athine
Kur u takuam për herë të parë në prill 2006 më tha “Jam njëqind pa tre”…
Vitin e kaluar kur shkova ta takoj ishte i lodhur nga sëmundja, por mbi të gjitha nga vdekja e djalit, më tha “Jam njëqind edhe tre”…
Sot, më dy dhjetor 2014, mësova se iku në përjetësinë e tij, në moshën 104 vjeç…
Lam Qefalaj ishte një rrënjë nga lisi i madh i arvanitasve, një rrënjë që e ruajti gjuhën e të parëve, ia përcolli djemve dhe nipërve.
Ëndërr kishte të shkonte në Shqipëri…
Ëndrrën dhe brengën e tij po i përcjell si i ngriva në shiritin magnetik në prill 2006…
Athinë, 2 dhjetor 2014

Ishim ulur dhe po prisnim kafenë. Shpëtim Hyka, komshiu im i cili ishte bërë sebep i këtij udhëtimi, ma mori dhe ma hodhi vështrimin dhe vëmendjen bregut të detit, në atë gji të bukur të fshatit të largët Saranti të Thivas. Anas tij, i menduar ecte një burrë që mbi kokë mbante barrën e bardhë të dimrave të shumtë. Se sa dimra dhe sa borë kishte mbi kokën e tij do ta mësoja më vonë.
“Është Lami, më thotë Shpëtimi. E ka vrarë shumë vdekja e gruas ndaj nuk e di në se do të ulet e do të kuvendojmë me të si atëherë kur pa e parë e pa më parë kurrë mu drejtua: “Ç’ë bën o djalë ?” Ajo e pyetur shqip, kur unë nuk dija asnjë fjalë greqisht, më befasoi. Atë pyetje, që është një lloj përshëndetje siç përshëndesin malësorët tanë rrugës këdo që takojnë, njohur e panjohur me “tungjatjeta”, do ta takoja dhe përjetoja gjatë gjithë viteve që jetova e punova në Thiva dhe këtu në fshat…”
…Kur u afrua pranë tendës e ndali hapin. Na pa dhe buzëqeshi. Shpëtimin e kapi përqafe si ta kishte bir të tij. U ul përballë meje. Mori frymë thellë dhe e treti vështrimin thellë në hapësirën detare që ndalej diku në Ksilokastrën e Peloponezit.
Nisëm muhabetin. E pyesja unë shqip. E pyeste Shpëtimi arvanitikisht. Përgjigjet, me ndonjë ndërhyrje të fjalëve të greqishtes, ishin të tilla si të më përgjigjesh një burrë që tërë jetën e tij e kishte kaluar në malet e Shqipërisë pa zbritur asnjëherë në qytet. Unë kisha njohur ndonjë të tillë në udhëtimet e mija maleve të Dibrës e Matit…Por, më mirë le t’ia lemë lexuesit të tundë mendueshëm kokën e të shkundë kohët…
A. Ashiku: Le të bisedojmë, me fjalët tuaja, ashtu si t’i mësoi nëna dhe si ke folur tërë jetën.
Lami: Po.
Sa vjeç je ?
Lami: Jamë nëntëdhjetë edhe katër.
Ku ke lindur ?
Lami: Këtu, në katundin prapa. E quajnë Kukurajana.
Sa fëmijë ke ?
Lami: Katër djelm. Kam nji vajzë dhe tre meshkuj. Martuar tërë. Kam engonia.
Sa nipër ?
Lami: Njëmbëdhjetë.
Ku punojnë?
Lami: Di mbetenë me dhi. Nji këtu. Nji në katund, vajza.
Vetë me se merresh ?
Lami: Mu? Me këtë këtu, me tavernën.
Ç ’punë ke bërë në jetë ?
Lami: Punë ? Çoban.
Çoban? Me dele ? Me dhi ?
Lami: Me dele. Me dhi. Bëra edhe lopë. Bëra ekato qefalja lopë, njiqind krerë. Nuk më shkuan mirë dhe i shita.
Ky fshati këtu a ka shumë arvanitas ?
Lami: Ku ? Katundi ? Si s’ka ? Shumë. Arvanitas. Skiptarë. Diafora.
Nga kanë ardhur arvanitasit e këtushëm ?
Lami: Nga Koritsa stin Alvania. Malon mandej ishin. Këtej nuku janë.
Nga Korça erdhën këtu apo…?
Lami: Ja, këtu. Këtu erdhën.
Këtu ke shtëpinë tënde ?
Lami: Stëpinë e kemi lart neve, në katund. Ala këtu sipër, saqë duket prapa qeraqi, kemi vendin, kemi shtëpi për dimër. Nani, këto dita do ikëm dhe do vijmë që të zërë bora.
Kur bie borë zbrisni këtu ?
Lami: Po.
Verës shkoni atje?
Lami: Verës shkojmë atje.
Atje me se merreni ? Keni bagëti ? Sa dele ke ?
Lami: Kemi treqind.
Sa qengja shite për pashkë ?
Lami: Nuku i shesim se i ther këtu djali për tavernën. Nja dhjetë-pesëmbëdhjetë këtu me shokë.
Po qumështin çfarë e bëni ?
Lami: Qumështin nji evro.
E shisni qumësht, nuk e bëni djathë?
Lami: Nuk e bëjmë djathë se skemi duer, skemi gjë.
Sa qumësht në ditë shisni?
Lami: Ndonjë ekato qila, akoma. Njiqind kile.
Shpëtimi. Tote, otan nuk kishte skoli kutu fare, cilën gluhë flisnit, arvanitika?
Lami: Ne. Arvanitika. Neve arvanite e njohëm. Elenika nuku dijimë mirë.
Me gruan shqip flisnit?
Lami: Ne. Po.
Ajo prej këtu ishte apo…?
Lami: Jo. Atje, prej katundi. Ajo më vdiq.
Më thanë. Më vjen shumë keq. Të ka lënë vetëm.
Lami: Saranda meres. Dyzet ditë nani.
Të kesh fëmijët, nipërit, mbesat !
Lami: Për të mira, por shoku nuk është. E shofi në ëndërr se më foli “Plak, Plak!”. Ishte poshtë në ipogjio dhe unë jesh sipër diç psaksis atje në sunduqet dhe ajo më thirri “ Plak, Plak! Ç’ë bën atje ?
Sa vjet jetove me gruan ?
Lami: Me gruen bëmë shtatëdhjet e di.
Shtatëdhjetë e dy vjet martuar ?
Lami: Po.
Sa vjeç je martuar ?
Lami: Gruaja ishte e vogël…
Sa vjeç ?
Lami: Ishin katërmbëdhjet vitra. Ishin s’ishin.
Po ti ?
Lami: Unë jesh ikositesera. Njizet edhe katër
Dy herë më i madh ?
Lami: Dheka hronia. Dhjetë vitra.
Shpëtimi: Nani ç’ë thonë djelmtë.
Lami: Nani vene skolia. Elenika flasin.
Shpëtimi: Maqi ( djali A.A ) di arvanitika?
Lami: Ne. Tërë djelmt edhe nipërit dijnë.
A. Ashiku: Kemi marrë edhe gratë me vete. Kjo është gruaja ime.
Lami: Gruaja jote ?
A. Ashiku: (gruas) Ky është Lami. Shtatëdhjetë e dy vjet ka jetuar me gruan.
Lami: Po, po. Evdhominda dhio hronia bëmë bashkë me gruan.
Shpëtimi : Të jeshë mirë pa, do të të çojmë një ditë dhe do të bëjmë taksidhi.
Lami: Atje doj të vejë që… kala të shohim. Kesh vajtur ala nuku njihja po trëmbej plaka. Trëmbej mos vdes andej.
Ku ke qejf të shkosh ?
Lami: Atje në Spathar do iki. Do vejë në Selenicë.
Kur ke qenë ushtar në Shqipëri ?
Lami: Në saranda, me italonjt.
Ku ke qenë ?
Lami: Që këturen ramë në Ersekë. Në Ersekë, poshtë në Selenicë. Në një katund atje, mbetëm qero atje. Vamë në nji shtëpi atje nuku na hapi derën. Kërceva nga mandra. Hyra brenda. Jeshin dy gra. U thash jemi të mirë, jemi të mirë mos u trembuni. Telespandon, mbetëm atje. Neve stratiotë keshem. Nga gratë njeran e thoshin Sotiro. Më thotë do të bëjmë gabro. I them “Sotiro jam i martuar, kam dy djelm” Ishje vërtet i martuar. Telespandon, shkuam mirë atje. Neve jeshim stratiotë, keshim mishëra, hajmë mirë, pijmë. Ikëm, atje pastaj Mononat dhe Spathar (Skrapar A.A) na poqën, në Tomorr. Atje u bë nji luftë e madhe. U derdhëm në katund natën. Atje që gjuenim. Ishim anamesa sta dhio pira. Do bënim maqi e do vriteshin njerëzit. Thotë pse na gjuani? Se do bënet maqi, do bënet luftë e madhe dhe do tu vrasin. U thamë “nuku trembemi neve”, “si nuk trembeni ?” U bë luftë. Ikëm që me natë…
Këtu ai e tret vështrimin në kohë, humbet në kujtime. Ka mall të madh të shkojë edhe një herë në Selenicë të Ersekës, atje ku siç thotë shpëtoi djalin e shtëpisë që “ishte me italojt” dhe nuk ua dha grekëve. Ka pas dëshirë të shkojë gjatë gjithë këtyre viteve që u hapën kufijtë por nuk e lente gruaja, kishte merak se mos mbetej atje. Tani, thotë nuk e ka këtë merak se gruaja i iku dhe ai edhe po të vdesë në vendin e të parëve do të japë shpirt.
…E fiksova në fotografi tek tregonte me shqipen e konservuar breza pas brezi me një lloj qëndrese të mahnitshme. E fiksova mes djalit të tij të madh Maqit dhe nipit të tij Lamit të ri. Më pas u ulëm në tavernën buzë detit dhe ndërsa pinim verë fshati e hanim nga qengji i kopesë së tij, biseda vijoi në shqip, në atë gjuhë që, ndonëse nuk u shkrua kurrë, mbijetoi në këtë trevë dhe u transmetua brez pas brezi nëpërmjet këngës, folklorit, të folurit të përditshëm në familje.
Kur u ndamë për të marrë të përpjetën drejt Thivas e Athinës e pashë t’i mbushen sytë me lot. E pashë t’i lutet Maqit për udhëtimin e ëndërruar prej vitesh, për të parë Ersekën, Selenicën, Shqipërinë…(Saranti,Thiva, prill 2006)
Ne Foto: Lami dhe Jorgo

Filed Under: ESSE Tagged With: Abdurrahim Ashiku, BRENGA, DHE ËNDRRA, E ARVANITASIT SHEKULLOR

Vlonjatët e Mat’hauzenit pa lapidar dhe pa memorial

December 2, 2014 by dgreca

* Një bisedë interesante me fëmijët e të vrarëve në kampin famëkeq të Mat’hauzenit. Flasin Jorgo Papingji dhe Lefter Gjyli/
*Jorgo Papingji: S’kam ku ti vë një lule babait, asnjë lapidar për të vrarët vlonjat të Mat’hauzenit/
Ne Foto:Jorgo Papingji/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Një histori e rrallë, një histori e pabesueshme, një histori që përcjell dhimbje të patregueshme. Jorgo Papingji dhe Lefter Gjyli janë dy vlonjatë, baballarët e të cilëve u vranë nga bisha naziste në Mat’hauzen së bashku me 308 burra të tjerë vlonjatë. Arrestimi I tyre u bë në mesnatën e 15 Mars 1943, u mbajtën një natë në burgun e Vlorës dhe të nesërmen u nisën për në Prishtinë dhe prej andej në Austri. Jorgo atëherë ishte vetëm 6 muajsh ndërsa Lefteri vetëm 4 vjeç. Lajmi për vdekjen e baballarëve e morën vesh në qershor 1945 me anë të një liste të Kryqit të Kuq Shqiptar. Ata u rritën pa baba, por nga ana tjetër dhe pse prindërit janë shpallur dëshmor, për të 308 të vrarët vlonjat në Mat’hauzen, nuk ka një lapidar ku fëmijët të vendonin një lule (pasi ata janë pa varr).
Lefter Gjyli
Kush nga familja Gjyli është vrarë në Mat’hauzen dhe si është ngjarja?
Nga familja jonë janë vrarë dy vëllezër, Kristaq Dhimitër Gjyli, me të vëllain Kristofor Dhimitër Gjyli. Pra që të dy janë vrarë në Mat’hauzen.
Ne kemi banuar në Vlorë prej kohësh dhe babai im, ishte tregtar i mesëm. Ne jemi një familje patriotësh. Në kohën e luftës, babai nuk shkoi direkt në luftë, në front, por ai ndihmonte luftën me të holla, me veshmbathje dhe me ushqime. Madje në dyqanin e tij bëheshin mbledhjet e ilegalëve dhe vinin të gjithë udhëheqësit kryesorë të luftës në Vlorë. Ai kishte rënë ën sy. Gjithmonë e ndiqnin spiunët megjithëse ai ruhej. Kryetar i Ballit në Vlorë ishte Vizhdan Risilia i cili e ka spiunuar. Në sajë të këtyre spiunimeve që ishte përkrahës i luftës, gjermanët kishin kohë që e kishin vënë babanë në rreth të kuq për ta arrestuar. Një natë në orën 12 babanë vijnë dhe e arrestojnë papritur. Së bashku me babanë e Vaso Godos, Lito Godon, babanë e Aranit Berberit babanë e Jorgo Papingjit dhe shumë të tjerë në lagje.

Të kanë treguar ditën apo javën që ka ndodhur?
Me atë që më ka treguar nëna dhe të afërmit më vonë, ka qenë rreth 15 mars I vitit 1943. Pra fillim pranvere. Askush nuk e priste të vinin në atë orë, askush nuk e mori me mend se do ti arrestonin ashtu befasisht.

Ku i çuan në fillim?
Në fillim i çuan në burgun e Bashkisë në Vlorë që ishte përballë Bashkisë, I ndante vetëm rruga. Pas një apo dy ditësh i hipën në makina dhe I çuan në Prishtinë. Mësuam vetëm kaq se nga Prishtina do ti nisnin në stacionet më të afërta të trenit për në Austri. Kaq mësuam, asgjë më shumë. Atëherë nuk kishte këtë ndërlidhje që ka sot. Kristofor Gjyli, ishte xhaxhai im, pas 9 muajsh e arrestuan dhe atë dhe e çuan në Prishtinë. Edhe xhaxhai ndihmonte shumë luftën dhe spiunët kishin bërë punën e tyre. Xhaxhain e arrestuan në janar 1944. Edhe xhaxhain e çuan në Prishtinë dhe më vonë në Mat’hauzen. Pra të dy vëllezërit nga një derë ën Mat’hauzen. Aty u vranë të dy, aty gjetën vdekjen të dy duke lënë familjet dhe fëmijët vetëm.
Ju që nga ajo ditë nuk kishit asnjë lajm prej tyre?
Jo. Asnjë, fare. Nuk dinim çfarë bëhej, por prisnim. Unë isha I vogël se kisha idenë shumë. Por shija nënën që qante ditë e natë.
Kur e morët vesh për vdekjen e tyre?
Në vitin 1945, nga muaji shkurt, ne na erdhi në shtëpi një njoftim i qeverisë, apo më mirë të themi mandatet e vdekjes që I kishte marrë kryqi I kuq në Mat’hauzen. Ne hapëm derën e shtëpisë 40 ditë për vakinë. Gratë filluan të qanin për të dy vëllezërit. Pra një vdekje në mungesë. Unë atëherë isha vetëm katër vjeç dhe nuk I shoshitja mirë gjërat, por e dija çfarë ndodhi. Shtëpia u shtrua me qilima dhe mindere për pritjen e njerëzve. Të dy familjet u mblodhën tek ne madje edhe dy vëllezërit e tjerë që ishin gjallë. U bë gjithë rituali sipas zakoneve tona, sipas traditave tona.
Po nga qeveria shqiptare a u nderuan dy vëllezërit babai dhe xhaxhai juaj?
Po, u nderuan, ju dha titulli “Dëshmor i atdheut”. Ato ditë erdhën në shtëpinë tonë të gjithë drejtuesit e Komitetit Ekzekutiv dhe Komitetit të Partisë së Vlorës.
Me statusin e dëshmorit morët ndonjë shpërblim?
Morëm disa vite, më pas qeveria Berisha na e hoqi këtë shpërblim, dhe nuk e kemi kuptuar kurrë se përse.
Nga Mat’hauzen çfarë dokumentesh keni që vërtetojnë vdekjen e babait tuaj?
Ne me anë të kryqit të kuq dhe të njerëzve kemi marrë të fotokopjuara të gjitha dokumentet origjinale, ku përcaktohej vendi, rrethinat, numri I të burgosurit dhe të dhënat e tjera që përputhen katërcipërisht me identitetin e babait. Ishte dhe një matrikull metalik me numër për identifikim sa më të saktë. Të gjitha këto, ja i kam këtu në një dosje të veçantë.
Jorgo Papingji
Babai im ishte simpatizant i lëvizjes, ishte njeri që e ka ndihmuar me të gjitha mundësitë lëvizjen, pasi ne historikisht kemi qenë një familje patriotike. Babai im punonte në doganën e Vlorës, si spedicioner. Kishte vite që punonte aty dhe e njihnin dhe kishte miqësi të madhe në Vlorë. Madje babai dinte dy gjuhë të huaja. Me ato pak kursime që kishte (siç më thoshte nëna) ai ndihmonte me tërë mundësitë e tij lëvizjen nacional çlirimtare. Ndihma e tij kishte rënë në sy ndaj ai ishte etiketuar nga gjermanët nëpërmjet spiunëve që kontrollonin çdo lëvizje.
Në të njëjtën kohë me babanë e Lefterit?
Ajo ishte dita e gjëmës. Besoj se atë ditë 15 Mars 1943 pasi ajo ishte nata që u bënë më shumë arrestime në Vlorë. Nëna nuk e mbante mend mirë nga stresi I madh që kaloi, por sipas shumë kujtimeve të miqve, besoj se ajo ditë ka qenë. Edhe im atë natën është arrestuar, sit ë gjitha arrestimet e tjera.
Çfarë moshe kishe në atë kohë?
Unë atëherë isha vetëm 6 muaj, isha në pelena (qesh) dhe as dija çfarë bëhej. As kur u bëra një vjeç se kisha idenë. Kur u rrita dhe doja babanë shihja se ndryshe nga shokët e mi babai më mungonte. Më vonë e mora vesh se si ishte e vërteta. Mbaj mend pastaj ku u rrita dhe pyesja nënën vazhdimisht si është historia e babait. Ajo më thoshte ishte natë, ora 12. Ishim në gjumë. Kur dera bie me forcë. Nuk hapëm sytë mirë kur na e shqyen derën dhe u futën brenda. Ishin sulur nga gardhi i shtëpisë dhe jo nga dera e oborrit. Babai nuk kishte arritur të vishej me rrobat e tjera por ishte me rroba nate. Unë vura kujën më tha nëna, por s’kisha çfarë të bëja. Ata e lidhën dhe e morën me vete sikur të ishte kafshë.
Pra babanë e ke njohur vetëm nëpërmjet tregimeve të nënës?
Po. Unë nuk i kurseja pyetjet dhe nëna me durim më sqaronte çdo gjë që unë kërkoja. Nëpërmjet tregimeve të saj kisha krijuar dhe kam një ide të qartë se kush ka qenë babai im.
Çfarë të veçante ju ka thënë nëna për babanë?
Para se të lindja unë, nëna kishte lindur dy motra. Babai e kishte merak të lindte një djalë për të vazhduar jetën e trashëgimisë familjare. Kur linda unë babai u gëzua shumë, shumë më thoshte nëna. Pas lindjes time ai u bë më i gëzuar. Tani i tha nënës jam i qetë. E kam trashëgimtarin. Tani dhe ju jeni të sigurt. Sikur e parandiente. Sikur diçka dinte.
Si e përjetoi nëna jote këtë gjëmë?
Shumë keq, Jashtëzakonisht keq. Më thoshte se të nesërmen e arrestimit, ne u mblodhëm shumë gra (pasi u bënë shumë arrestime) dhe bëmë demonstratë përpara burgut (tek Bashkia), por më kot. Ata i nisën për në Kosovë dhe më vonë i çuan në Austri. Pastaj nuk morën vesh asgjë. Kjo deri sa erdhi lajmi në vitin 1945.
Kush ishte iniciatori i zbulimit të së vërtetës?
Ishte Kryqi i kuq Ndërkombëtar në përkrahje të të cilit ishte dhe Kryqi i Kuq Shqiptar. Ata shkuan në Austri dhe aty morën dokumentacionin e plotë. Madje ata morën listat e plota, listat e sakta ku dhe si kanë qenë. Me ato lista ato erdhën ën Shqipëri.
Si i sollën dhe ku i vendosën mandatet?
I solli kryqi i kuq me listë të vërtetuara katërcipërisht dhe me vulën e institucionit ku i kishin marrë. Gjithë lista u vendos në merkato në qendër të Vlorës. Ishte një dokument origjinal i marrë në vendin e ngjarjes. Ishte një ditë që për Vlorën ka ngelë në kujtesë. Njerëzit shtyheshin për të parë të vërtetën. Duhet të dimë se në ato ditë arrestimesh u çuan në Mat’hauzen dhe kampet e shfarosjes mbi 308 burra nga Vlora. Ky lajmërim mban datën 28 qershor 1945. Në merkaton e Vlorës atë ditë u kthye në ditë zie. Kam një kopje të origjinalit të atij lajmërimi n ku babai im Perikli Papingji mban numrin rendor 10.
Në sistemin monist a janë vlerësuar dhe përkujtuar këto figura?
Po. Babai u shpall “Dëshmor I Atdheut” dhe në 5 maj tek ne vinin veteran dhe drejtues të pushtetit në Vlorë. Më pas u lanë në harresë. Kur u shpall dëshmor u bë një ceremoni shumë e madhe nga pushteti vendor dhe Komiteti I Partisë. Na dhanë dhe një shpërblim 5 mijë lekë të reja më vonë por na e hoqën prapë. Ai shpërblim ishte ndihma që na jepte babai për patriotizmin e vetë, pasi nuk na la gjë tjetër dhe ne u rritëm jetimë.
Në gjithë këtë ngjarje kush është pjesa më e dhimbshme?
Është ajo, që ne nuk dimë ku të qajmë prindërit tanë. Nuk dimë ku të vëmë një tufë lule, Nuk dimë se ku të gjejmë një çast prehje në kujtim të prindërve. Është thënë se do të bëhet një lapidar, se do të bëhet një Memorial, apo një përmendore. Është thënë shumë, janë marrë shumë nisma, por asgjë nuk është bërë. Duhet një lapidar i veçantë. Nuk janë përkujtuar asnjëherë, nuk është bërë diçka e veçantë. Ja tani përkujtojmë 70-vjetorin e çlirimit, ku të shkoj ti vë një tufë lule babait, ku? Unë të gjitha dokumentacionin e babait e kam marrë në Austri, ka shkuar vetë mbesa ime dhe e ka marrë me saktësi të plotë.
Ku duhet të bëhet ky memorial?
Aty nga i nisën, përballë Bashkisë ku ka qenë burgu i vetëm. Aty ku kanë qarë me qindra gra për burrat e tyre. Unë 70 vjeç dhe skam ditur ku ti vë një tufë lule babait.

Filed Under: Interviste Tagged With: Albert Z. Zholi, dhe pa memorial, e Mat’hauzenit pa lapidar, vlonjatet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4254
  • 4255
  • 4256
  • 4257
  • 4258
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT