Presidenti Nishani në Ditën e Falënderimeve: Kjo Festë përjetëson miqësinë mes popujve tanë dhe shpreh mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës./
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, organizoi në Pallatin e Brigadave, një veprimtari me rastin e Ditës së Falënderimeve ku ishin të pranishëm Ambasadori Alexander Arvizu, qytetarë amerikanë që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë, ushtarakë shqiptarë të misioneve paqeruajtëse dhe familjarë të tyre si dhe fëmijë të ngujuar.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Nishani u shpreh:
“I nderuar Ambasador Arvizu,
E nderuar zonja Cunningham,
Zoti Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë,
Të nderuar ushtarakë,
Zonja dhe zotërinj të ftuar!
Dëshiroj që edhe unë sot t’i uroj në radhë të parë popullit mik amerikan, të gjithë qytetarëve kudo ku ndodhen, por veçanërisht atyre që janë sot në Shqipëri, t’u uroj nga zemra gëzuar Ditën e Falënderimeve!
Vitet e fundit, mes shqiptarëve dhe amerikanëve, po ndodh diçka mahnitëse, besoj gjëja më e bukur dhe më entuziazmuese që mund të ndodhi mes dy popujve. Ju amerikanët po na dhuroni ne shqiptarëve festa ! Dhe ne, dhuratën tuaj po e pranojmë. Festat tuaja po i bëjmë edhe festat tona. Festat tuaja ndër ne po gjejnë përhapje, kanë nisur të bëhen popullore. Dita e Falënderimeve, të cilën sot po e festojmë, është njëra nga këto festa. Për shkak se zig-zaget e fateve historike nuk na kanë mundësuar përvoja të tilla.
Gjatë rrugës së vështirë për mbijetesë, vendi ynë i vogël dhe i varfër ka eksperimentuar aleanca nga më të ndryshmet dhe më të çuditshmet me një numër të pafundmë vendesh, të afërt e të largët, të vegjël e të mëdhenj, të pasur e të varfër. Nuk ishin lidhje të qëndrueshme, dhe as të dyanshme, madje nuk mund të thuhet se ishin aleanca, e aq më pak marrëdhënie, sepse ishin të njëanshme.
Kur Shqipëria ishte e rrezikuar të zhdukej nga të gjitha hartat, gjatë Mbretërisë, fill pas luftës, dhe fill pas rënies së diktaturës, pra gjatë kohëve më të vështira kur na është rrezikuar mbijetesa, Amerika gjithmonë na ka dhënë, dhe kurrë nuk na ka marrë. Ka qenë pikërisht kjo natyrë krejt e veçantë marrëdhënieje që ka siguruar konstantshmërinë e pacenueshme të simpatisë reciproke, që Amerika ka ndaj nesh, dhe ne kemi ndaj Amerikës.
Brenda këtij konteksti mrekullues, brenda kësaj kornize madhështore, po ndodh dukuria mahnitëse që përmenda në krye, dhurimi i festave, së fundmi e Ditës së Falënderimeve. Ju falënderoj të gjithë ju të pranishmit që patët mirësinë dhe më dhatë kënaqësinë të jemi së bashku në këtë ditë të shënuar, e cila megjithëse historikisht është e juaja, e amerikanëve, tash e tutje do të jetë edhe e jona.
Për ne që vijmë nga dhurimi i ideologjive shkatërrimtare dhe armatimeve të frikshme, nuk ka gjë më të bukur se dhurimi i një feste. Sot jemi mbledhur për të festuar, një nga më të bukurat festa, atë të Ditës së Falënderimeve, ditës kur ai që ka i jep atij që s’ka, ai që mundet ndihmon atë që s’mundet, fatlumi ndihmon fatkeqin.
Sot në kontekstin e solidaritetit dhe ndarjes së të mirës e ndihmës me tjetrin, mes nesh kam ftuar edhe një grup fëmijësh që vijnë nga familje të mbyllura për shkak të dhunës, që vuajnë nga një plagë serioze dhe ende e pashëruar e shoqërisë shqiptare. Plagë, e cila kërkon solidaritet nga të gjithë ne. Plagë që kërkon angazhim nga të gjithë ne dhe një plagë që kërkon kontribut nga të gjithë për t’u shëruar, për t’i bërë pjesë normale këta fëmijë së bashku me familjet e tyre të shoqërisë shqiptare.
Sot mes nesh njëkohësisht, përveç ushtarakëve amerikanë, kam pasur nderin të ftoj së bashku me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, edhe një grup ushtarakësh, të cilët kanë kontribuar me kolegët dhe miqtë e tyre amerikanë në frontin e luftës për liri, paqe dhe drejtësi. Edhe ata ishin të gatshëm për të sakrifikuar jetën e tyre, të ndihmonin dhe t’i jepnin mundësinë për liri një populli të tërë, njerëzve të atij vendi ku vajtën për të shërbyer.
E mira do ishte çdo ditë të ishte një ditë falënderimesh dhe, në një mënyrë ose në një tjetër, në këtë ditë të jemi të gjithë edhe falënderues edhe të falënderuar. Është e vështirë, por nuk ka asgjë të keqe nëse nisim të shpresojmë e ëndërrojmë që me kalimin e kohës kësaj do ia arrijmë.
Të nderuar qytetarë amerikanë që jeni sonte të pranishëm,
Të nderuar ushtarakë shqiptarë dhe familjarët e tyre,
Të dashur fëmijë që jeni të pranishëm në këtë darkë!
Shkrimtari i madh amerikan, O’Henri ka thënë se: ‘Ka një ditë që është vetëm e jona. Dita e Falënderimeve është një ditë tërësisht amerikane’. Por ne, bashkë me miqtë tanë amerikanë e kemi shndërruar tashmë në një traditë edhe në Shqipëri, sepse kjo Festë, nëpërmjet së cilës i falemi nderit për gjithçka Krijuesit, shpreh më së miri edhe mirënjohjen tonë të thellë për demokracinë më të madhe në botë – Amerikën, si dhe për popullin mik amerikan, pa të cilët rrjedha e historisë së kombit shqiptar do të kishte qenë krejt ndryshe.
Presidenti Obama duke na uruar Festën e Pavarësisë këto ditë theksoi në mesazhin e tij se: ‘Shtetet e Bashkuara janë krenare që e kanë Shqipërinë si aleate, mike dhe partnere të ngushtë’.
Prandaj le të na shërbejë edhe kjo darkë, jo vetëm për të dhënë falënderime, për të shprehur mirënjohjen e thellë, për të shpërndarë begatinë dhe mirëqenien tek të tjerët, por edhe duke ndarë pse jo së bashku urimin e përjetshëm për një të ardhme më të begatë e të ndritur të dy popujve tanë. Ju faleminderit dhe mirë se keni ardhur!”
Mbrëmjen e përshëndeti edhe Ambasadori amerikan Arvizu, cili mes të tjerash falënderoi Presidentin e Republikës dhe Zonjën Nishani, që për vitin e dytë radhazi organizojnë dhe mikpresin këtë Festë tradicionale dhe klasike amerikane në prag të 102-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke i bërë edhe qytetarët amerikanë që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë të ndihen si në shtëpinë e tyre.
Përshëndetje e Sekretarit Kerry për pavarësinë e Shqipërisë
Në emër të Presidentit Obama dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, përgëzoj popullin e Shqipërisë për 102 vjetorin e pavarësisë më 28 nëntor, shprehet Sekretari amerikan i Shtetit.
Shqipëria është një aleate e fortë dhe e besueshme e NATO-s dhe një forcë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Falënderoj popullin shqiptar, thotë më tej zoti Kerry në mesazhin e tij, për mbështetjen për misionet në Afganistan, si dhe për kontributin e menjëhershëm dhe të çmuar për koalicionin global kundër grupit ISIL.
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin në mënyrë aktive përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur këkesat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ju përgëzoj për përparimin tuaj në rrugën drejt integrimit të plotë euroatlantik, thotë Sekretari i Shtetit, duke theksur se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah Shqipërisë si partneri dhe aleati juaj i palëkundur.
Ismail Kadare: Jam për hapjen totalisht të dosjeve
Shkrimtari i shquar Ismail Kadare përsëriti dje bindjen e tij të pandryshueshme për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.
Në një prononcim të shkurtër për gazetën ‘DITA’, Ismail Kadare tha se “kam qenë jam dhe do të jem gjithmonë për hapjen totalisht të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Ky ka qenë dhe është qëndrimi im. Nuk ka nevojë të shtohen komente për këtë qëndrim timin”.
Në prill të këtij viti Kadare ka shpjeguar pse duhet të hapen dosjet.
Zërave që nëse hapen dosjet, Shqipëria ka për të kaluar një tragjedi kombëtare, Kadare u thotë se: “Nuk ka një tragjedi kombëtare nga një pastrim i ndërgjegjes. Tërë vendet e botës e kanë kryer këtë proces të detyrueshëm, i cili është i dhimbshëm. Por mund të them se ata nuk kanë pësuar një tragjedi, asnjëri prej tyre. E filloi Gjermania, Çekia, Polonia me shumë vështirësi Rusia.
Askund nuk mund të thuhet se ka ndodhur ndonjë tragjedi. Përkundrazi, tragjedia ndodh kur nuk hapen. Jemi ne që jemi ndërkaq në tragjedi. Në mbyllje të kësaj të fshehte”.
Edhe me këtë prononcim konciz, shkrimtari Kadare është tepër i qartë në qëndrimin e tij për një nga çështjet më të mprehta dhe më të diskutueshme ditët e fundit.(GD)
102 VITE PAS NGRITJES SE FLAMURIT NE TIRANE
Tirana përkujton sot 102 vjetorin e ngritjes së flamurit, Bashkia rikthen bustin e Jeronim De Radës në kryeqytet/
Bashkia e Tiranës siç e ka kthyer tashmë në traditë prej 3 vitesh ka përkujtuar ngritjen e flamurit në Tiranë përmes një ceremonie të veçantë, organizuar pikërisht në vendin ku u ngrit ky flamur 102 vjet më parë.
Ngritja simbolike e flamurit ka hapur këtë ceremoni në të cilën morën pjesë personalitete të shquara të qytetit të Tiranës, përfaqësues të familjeve firmëtare të ngritjes së flamurit dhe shpalljes së pavarësisë, drejtues të pushtetit vendor, Prefekturës, të Qarkut të Tiranës, deputetë etj.
Kryebashkiaku Lulzim Basha duke u përulur me nderim dhe mirënjohje para firmëtarëve të pavarësisë dhe atyre që ngritën flamurin në Tiranë shprehu bindjen se duke bashkuar energjinë pozitive të shpirtit të Tiranës dhe Shqipërisë do të mundësohet tejkalimi i çdo pengese, çdo bllokimi, çdo vullneti të mbrapshtë dhe do të ecë përpara projekti i Shqipërisë moderne, Shqipërisë europiane.
“Duke bashkuar energjinë pozitive të shpirtit të Tiranës, shpirtit të tiranasve do të dimë të tejkalojmë çdo pengesë, çdo bllokadë, çdo bllokim, çdo vullnet të mbrapshtë, për të çuar përpara ëndrrën e shpallësve të pavarësisë në Tiranë, Vlorë e gjithë Shqipërinë, një Shqipëri moderne, një Shqipëri europiane, një Shqipëri të zhvilluar, ku shqiptarët të kenë mundësi dhe shanse të barabarta për të ndërtuar një jetë më të mirë. Sot, këto fjalë përballen me një realitet të cilin shqiptarët e përshkruajnë si të zymtë dhe me shpresë të vakët apo të paktë e shpeshherë pa shpresë. Frymëzimi që marrim nga kjo ngjarje duhet të na shërbejë për të mbledhur forcat tona, për të besuar tek e mira, për t’i thënë ndal së keqes kudo që e gjejmë, brenda vetes sonë, tek njëri-tjetri, tek kundërshtari politik. Ky frymëzim do të na shërbejë për tu bashkuar të gjithë rreth idealit të Shqipërisë europiane, për ta nxjerrë nga mjerimi ekonomik, nga varfëria, nga papunësia, nga padrejtësia, edhe nga dogma e demagogjia. Ky është dhe do të do jetë përjetë ideali flakadan i Tiranës dhe i patriotëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë” – deklaroi kryebashkiaku Basha.
Kreu i Bashkisë bëri gjithashtu të ditur sot se në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak do të propozojnë shpalljen e Ditës së Falënderimit për komunitetin autokton tiranas dhe ngritjen e një komisioni i cili do të përcaktojë vendosjen e emrave të personaliteteve dhe familjeve të njohura tiranase, disa rrugëve dhe shesheve në kryeqytet. “Kam nderin t’ju njoftoj se do i propozoj Këshillit Bashkiak në mbledhjen e ardhshme miratimin e Ditës së Falënderimeve për komunitetin autokton tiranas, për këta njerëz të dyerve më të mëdha edhe se vetë Porta e Lartë, jo për nga dimensioni por për nga bujaria dhe fisnikëria që bënë të mundur pritjen dhe kthimin e këtij qyteti në kryeqytet edhe para dizenjimit si të tillë nga Kongresi i Lushnjës, përmes fisnikërisë, dhembshurisë, largpamësisë që treguan tek pritën bashkëatdhetarët e tyre të përndjekur, nga çdo cep, nga të katër anët e vendit nga shovinistët, nga fqinjët me synime grabitqare ndaj trojeve shqiptare. Po kështu, nismën për krijimin e komisionit për emërtimin e rrugëve të Tiranës, me qëllim që këta patriotë dhe dhjetëra e qindra patriotë të tjerë të Tiranës të kenë vendin, kumtesën, nderimin që meritojnë në rrugët e Tiranës, në sheshet e Tiranës, në jetë të jetëve, në kujtimin tonë dhe brezave që do të vijnë” – deklaroi zoti Basha.
Po sot, Bashkia e Tiranës në një ceremoni të veçantë ka rikthyer ne kryeqytet bustin e Jeronim De Radës. Busti, vepra e shkëlqyer e Artistit të Popullit Odise Paskali është lënë për vite në harresë. Sot, Bashkia e Tiranës e ka rivendosur në një shesh dinjitoz, ashtu siç e meriton qoftë personaliteti i De Radës, qoftë edhe vepra e shkëlqyer e Odise Paskalit.
Studiuesi i njohur Ndriçim Kulla theksoi se Jeronim de Rada konsiderohet si rilindësi i parë ose si themelues i Rilindjes tonë evropiane. Ndriçim Kulla i ka bërë një apel shtetit për një vëmendje më të madhe ndaj kulturës dhe personaliteteve të shquara të letrave shqipe. “Si një publicist dhe studiues, gjithmonë i kam mëshuar idesë tek rikthimi tek rrënjët, sepse rikthimi tek rrënjët nuk duhet të jetë një formalitet, por është diçka emancipuese dhe diçka e shëndetshme për shpirtin e gjithsecilit. Ne sot po kujtojmë, ose po i bëjmë më mirë homazhe një personaliteti shumë të njohur të kulturës sonë kombëtare, Jeronim De Radës. Ju përgëzoj për këtë aktivitet shumë të rëndësishëm dhe dua të them dhe të përsëris edhe njëherë se Jeronim de Rada konsiderohet si rilindësi i parë ose si themelues i Rilindjes tonë evropiane. Ai, larg atdheut të tij, në Kalabri ishte i pari që frymëzoi ose bëri, nisi përgatitjen kulturore për pavarësinë e Shqipërisë. Unë mendoj se ky njeri mistik e ndjeu se brenda shpirtit të tij, ndjeu një mision për ringjalljen e atdheut të tij, ashtu siç ndjeu edhe Dantja për Italinë, ndonëse ai s’e bëri të qartë kurrë këtë, nuk e sqaroi kurrë. Më vonë, ndoshta edhe për shkak të modestisë, ose nuk qe i sigurt për këtë mision, më vonë ai u shpreh se vlerësimi nuk më takon mua por ky vlerësim i takon gjuhës sonë kombëtare dhe ruajtjes së atdheut tonë të përbashkët, të Shqipërisë. Shkrimtari Ismail Kadare, në vitin 1964 ka thënë: “De Rada u kthye në pallatin e poezisë si një vajzë e freskët, por e belbët, sepse atdheu i tij në atë kohë ishte i humbur” dhe De Rada ishte protagonisti kryesor i cili i bëri të qartë Europës se Shqipëria ishte një vend fisnik, me sentimente të larta njerëzore të pakrahasueshme edhe me kombe të tjerë dhe ishte një vend që kishte heronj si Skënderbeu dhe heronj të tjerë që luftuan për vlerat e Europës që ne sot po aspirojmë të shkojmë si askush tjetër në rajonin e Ballkanit.
Këtë e quajmë vërtetë një kontribut, sepse gjithsecili duhet të krijojë një ndjeshmëri të lartë, kur De Rada në ato kushte kur atdheu nuk ekzistonte krijoi një atdhe që më mbrapa të krijonte një shtet. Gjithsecili nga ne sot duhet ta kthejë këtë moment në një moment reflektimi, që në kushtet e globalizmit, ne duhet të shikojmë të gjithë nga kemi ardhur, të shikojmë frymëzuesit, të shikojmë mendimtarët, t’i kujtojmë në ç’ kushte kanë luftuar për të krijuar Shqipërinë ashtu siç e kemi, por gjithsesi kemi një Shqipëri dhe një shtet të përbashkët. Unë duke përfituar nga rasti, pa e tepruar, dua t’ju bëj thirrje politikanëve, qeveritarëve edhe bashkiakëve, duke marrë shkas nga ky shembull shumë i mirë që duhet t’i kthehemi jo vetëm të kaluarës, por t’i kthehemi kulturës sepse vetëm me njerëz, vetëm duke mësuar, duke u edukuar, duke njohur njerëz si personaliteti i De Radës, ne do ta përballojmë më mirë globalizmin, të cilin neve nuk e ndalojmë dot, por e kemi pranuar dhe jemi përshtatur dhe vetëm në këtë mënyrë ne do të ruajmë identitetin tonë kulturor dhe ndërkombëtar” – theksoi studiuesi Ndriçim Kulla.
‘Dita e Flamurit’ Apelon!
Thirrje e ish të përndjekurve politikë shkodranë me rastin e 28 Nëntorit./
Nga Filip Guraziu/Për‘Shoqatën e ish të përsekutuarve politikë’Shkodër*/
‘Shoqata e ish të përndjekurve politikë Shkodër’ organizon sot këtë takim përkujtimor me rastin e 102 vjetorit të pavarësisë nga pushtuesi shekullor turk që u konkretizua me themelimin e shtetit të ri Shqiptar me 28 Nëntor 1912 nën drejtimin e Ismail Qemalit si dhe në përkujtim të Ditës që forcat gjermane naziste u Larguan nga Shqipëria.
Është bërë zakon që në çdo ceremoni përkujtimore që lidhet me ditën e pavarësisë ose me ditën e largimit të nazistëve gjermanë nga territori shqiptar, të përshkruhet historiku i atyre ngjarjeve duke dhënë detaje dhe duke kujtuar emërat e protagonistëve të paharruar , gjë, që ne, nuk po e bëjmë, thjeshtë për çështje kohe, por edhe për arsye se ‘Shoqata e ish të përndjekurve politikë Shkodër’ në respekt të traditave të nacionalistëve shqiptare, duke konsideruar primar interesin kombëtar, sot dëshiron që të kontribuojë për ndërtimin e së ardhmes duke bërë thirrje që të vlerësohet me drejtësi dhe ndershmëri e kaluara përçarëse.
Gjejmë rastin, pra, që të ftojmë sot, të gjithë shqiptarët e ndershëm pa dallim partiak, drejtuesit e religjoneve, politikanët e majtë dhe të djathtë por sidomos historianët profesionistë dhe intelektualët e shquar që të kontribuojnë për arritjen e një qëndrimi unik mbi ngjarjet historike që përçajnë shqiptarët . Mungesa e një konsensusi, mbi interpretimet e ngjarjeve historike dhe sidomos të atyre që lidhen me luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj në vitet e luftës së dytë botërore si dhe mbi luftën e klasave gjatë diktaturës komuniste, çedukon dhe çorjenton brezin e ri duke ja zbehur ndjenjën patriotike kombëtare ! Personalitetet dhe ngjarjet historike nuk duhet të trajtohen sipas konceptit komunist ‘bardh dhe zi’, duhet të largohemi nga fanatizmi partiak dhe klasor, dhe të vendosim interesin kombëtar mbi pasionin meskin personal.
Sot në këtë ditë përkujtimore, përulemi me respekt të thellë në nderim të të gjithë atyre shqiptarëve patriotë që me sakrifica sublime, në kushtet jashtëzakonisht të vështira të një lufte çfarosëse antishqiptare të koalicionit serb-grek-malazez , arritën të shpallin Shqipërinë e pavarur dhe të lirë me 28 Nëntor 1912.
Gjithashtu sot, ‘Shoqata e ish të përndjekurve politikë Shkodër’ respekton dhe përulet me nderim edhe ndaj të gjithë atyre që dhanë jetën për idealet e lirisë në luftë kundër pushtuesve të huaj, në vitet e luftës së dytë botërore, pavarësisht nga bindjet e tyre politike. Por këtu duhet të dallojmë ato fatkeqë që vdiqën në luftë vëllavrasëse civile, (shqiptari kundër shqiptarit) dhe dhanë jetën jo për lirinë e atdheut kundër pushtuesit, por për idealin komunist, ideal të cilin populli shqiptar, i majtë dhe i djathtë e flaku me përbuzje në vitin 1991. Këto ‘fatkeqë’ nuk mund të konsiderohen ‘heronj’ kombëtar, pasi ato qenë dhe mbetën vetëm ‘heronj’ të një ideologjije të dështuar komuniste që i solli aq fatkeqësi popullit shqiptar dhe sot ka urrejtjen unanime të shqiptarëve.
Shoqata vlerëson Luftën Nacional Clirimtare si dhe përpjekjet e Formacioneve Nacionaliste për luftën që bënë kundër okupatorit gjatë luftës së dytë botërore, por në të njëjtën kohë dënon qëndrimin sektar të udhëheqies komuniste shqiptare, të drejtuar nga Enver Hoxha, që për të kapur dhe mbajtur pushtetin, shkeli marrëveshjet dhe bëri kompromise në dëm të interesave kombëtare (Ju kujtojmë Mukjen, Bujanin, Masakrën e Tivarit, Marrëveshjen për kthimin me force të të arratisurve në Jugosllavi, etj. ) si dhe praktikoi luftën civile për pushtet, të cilën e vazhdoi deri në shëmbjen e komunizmit nën emërin e luftës së klasave, duke çfarosur dhe asgjësuar elitat fetare, intelektuale dhe nacionaliste shqiptare.
Gjejmë rastin sot, të përkujtojme me nderim të thellë dhe mirënjohje edhe të gjithë ato patriotë të ndershëm që u flijuan dhe u persekutuan nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës . Nuk po japim shifra se ato janë rënqethëse ! Nga ato të burgosur politikë që i mbijetuan kalvarit të vuajtjeve, fatkeqësisht sot, fare pak janë gjallë dhe pothuaj të gjithë të sëmurë. Ato që jetojnë, dhe familjarët e tyre, edhe këto bashkëvuajtës, formojnë sot shtresën më të varfër të shoqërise shqiptare.
E mbyllim këtë bisedë edhe me një tjeter apel të fuqishëm drejtuar politikës dhe ligjvënësve shqiptarë; ‘ Shoqata e ish të përndjekurve politikë Shkodër’ kërkon me këmbëngulje të drejtat e mohuara kësaj shtrese, si:
1. Dhënia e Statusit Juridik për çdo ish të përndjekur politik.
2. Dënimin zyrtar të krimit të diktaturës komuniste Hoxhiste.
3. Shlyerja përfundimtare e shperblimit për ish të përndjekurit politikë sipas ligjit në fuqi.
4. Rivlerësimi i shpërblimit për të pushkatuarit politikë.
5. Dhënia e shpërblimit për të internuarit politikë.
Shpersojmë dhe urojmë që kjo thirrje mos të bijë në vesh të shurdhër!
Rroftë Shkodra, rroftë Shqipëria , rrofshin Shqiptarët kudo që ndodhen !
Rroftë Dita e Flamurit !
* Redaksia e Diellit falenderon z. Filip Guraziu per bashkepunim me Diellin.
Shkodër, 26.11.2014