Nga Shefqet KERCELLI/Durres/
Paraditen e datës 26 nëntor 2014, qindra qytetarë durrsakë të moshave të ndryshme, ishin mbledhur në një shesh të përgatitur enkas midis murit juglindor të Amfiteatrit dhe Xhamisë së qytetit, për të festuar 102 vjetorin e ngritjes së flamurit kombëtar në qytetit bregdetar të Durrësit. Këtë ceremoni simbolike, që është kthyer në ritual të përvitshëm, e nderuan me pjesmarrjen e tyre patriotë durrsakë dhe familjarë të tyre, veteranë, ishushtarakë dhe ushtarakë aktivë, detarë të qytetit, përfaqësues të pushtetit qëndror e vendor, nxënës shkollash, media durrsake, etj. Fillimisht nën tingujt e hymnit tonë kombëtar të ekzekutuar me mjeshtëri nga banda e qytetit të Durrësit u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit nga kryetari i bashkisë zoti Vangjush Dako dhe n/oficerja e Forcës Detare, Jonida Murataj, e cila u shoqërua me duartrokitje nga të pranishmit. Më pas përshëndeti kryebashkiaku Dako, i cili theksoi se:-102 vjet më pare, patriotët durrsakë vendosën të ngrenë flamurin kombëtar dhe të shpallin ndarjen nga perandoria osmane. Kjo është ngjarja më e rëndësishme historike e këtij qyteti, në gjithë shekullin e XX-të, e në vijim. Jam i nderuar dhe i prekur, të përsëris sot, 102 vjet më pas, me solemnitet dhe përgjegjësi, aktin historik që kreu Kryetari i parë i Bashkisë së Durrësit, Hafiz Ali Podgorica, duke ngritur flamurin shqiptar më 26 nëntor 1912!….Nderim dhe respekt për jetën dhe veprën e këtyre patriotëve! Në fakt sipas dokumentave të kohës, në Durrës, patriotët e shquar, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, bënë përpjekjen e parë për ngritjen e Flamurit të Shqipërisë, por rrethanat ishin të disfavorëshme. Në këtë kohë pushtuesit sërbë ishin pranë portave të qytetit, me synimin për të pasur skelën e tyre në Adriatik, ndërsa populli kishte rrokur armët dhe po bënte qëndresë të fortë. Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë mbrritën në Durrës nga Triestja, me anijen “Taurus” më 21 nëntor 1912, dhe sipas porosisë të tij, në më pak se pesë ditë qytetaria durrsake ngriti flamurin kuq e zi të pavarësisë. Kjo ndodhi më 26 nëntor 1912, kur patriotët dhe qytetaria durrsake shpalli pavarësinë dhe zgjodhi delegatët e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, para se një pushtues të zvëndësohej nga një tjetër. Sot përkujtohet me respekt vepra e Hafiz Ali Podgoricës, Kryetarit të I-rë të Bashkisë në Durrës dhe patriotëve durrsakë, Akostin Serreqi, Sotir Vevecka, Sulejman Kadiu, Marie Kaculini, etj. Gazeta e asja kohe, “Lirija e Shqipërisë “ lajmëronte se në telegramin e ardhur nga Durrësi, u deklarua autonomia e Shqipërisë dhe flamuri shqiptar u ngrit mbi “Konak të Durrësit”….Ndërkohë në këtë ditë të shënuar u vlerësua dhe vepra e delegatëve durrsakë në Kuvendin e Vlorës, Dom Nikollë Kacorri, Abaz Celkupa, Mustafa Hanxhiu dhe Jahja Ballhysa, të cilët ishin pjesmarrës të nënshkrimit të dokumentit historik të Shpalljes së Pavarësisë. Nuk ngeli jashtë vëmendjes në këtë ditë historike, kontributi i detarëve, kapidanëve dhe tregtarëve durrsakë që rrihnin detrat. Ata ishin bazë e fuqishme për mbështetjen e lëvizjes patriotike në qytetin e Durrësit, sepse nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta që siguronin me patriotët rilindas në Selanik, Stamboll, Kajro, Batum, Bari, Brindizi, Trieste, etj. mundësonin sjelljen e literaturës patriotike dhe shpesh herë dhe armë kundër pushtuesve. Mbas urimit për 26 nëntorin, festën më të madhe të qytetarisë durrsake, pjesmarrësit vizituan një ekspozitë me vepra arti kushtuar shpalljes së pavarësisë dhe luftës kundër pushtuesve nazifashistë.
Shefqet Kërcelli
Literatura:-Antologji e Detarisë Shqiptare, Vëllimi i I-rë, faqe 108,109,110.
Love u Bleona
Nga Ilir Levonja/
Po e shtrëmbëroj, shkurtojë edhe unë you-në me u. Si këta, vendasit tanë. këtu. Por më shumë edhe për vendasit tanë atje. Që shkëmbejnë tekste pa fund me modën e rinisë amerikane, si xoxo, love u, kiss kiss, edhe pse janë dyzetëvjeçarë…, me nga pesë celurë me oferta. Me sytë nga qielli etj. Por që kanë të drejtën e këtyre kënaqësive të jetës.
Nga dje deri sot je bërë tabela e qitjes. Kafenetë e internet world-it ziejnë për ty. Kafenetë e Tiranës. Këtë e vura re edhe mbrëmë pas mesnate, këtu, dhe pragmëngjesi aty, kur erdha nga puna I lodhur. Madje atëbotë e nisa këtë shkrim. Por më kish rrëzuar mënjanë gjumi I lodhjes. Ti e di se çfarë është një lodhje Amerike, edhe pse je duke shkelur tapetin e kuq. Madje ai është më I rëndë.
Në fakt bota aty zien. Por këtë e kemi zakon. Mua kjo s’më shqetëson . Përpara kurajës tënde, qëllimit tend, harbutëria apo ”kurvëria”, sikterizmi, janë garniture e sillës sonë. E kemi zakon që këtë lloj zhurme ta bëjmë ose kur të kemi zili, ose pas vdekjes. Dhe unë kam bindjen se është e para, për sa i përket personit tend.. Thjesht për faktin se ti guxove. E shikon të shajnë femrat e studiove me anglishte të sforcuar. Të cilën e vendosin në shërbim të elektorateve aty, duke u ndërkëmbyer me lehtësi përkthimi. Të bindura se dine anglisht, ashtu si e do shefi. Të shajnë ato që pudrosen studiove dhe flasin për të drejtat e njeriut, kur nuk kanë vetë asnjë lloj siguracioni apo statusi të nëpunësit civil. Që zihen me burrat më keq se vet burrat. Që mallkojnë rrobat rrjetë se nuk kanë ku të fshehin revolverin. Të shajnë ato që ëndërrojnë hiret e tua, për faktin se e kanë ndërtuar jetën me ritin e kafenesë, zyrës, dhe këshillimit të sojit të mikut.
Nga ana tjetër të shajnë ata meshkuj që ëndërrojnë të të kenë dashnore.Ndërkohë, teksa të shajnë ëndërrojnë të pine një kafe me ty. Të dalin me ty qoftë një foto. Ata që gjënden të karbonizuar në dashuri sekrete. Eshte vendi më ideal për kësi punë, për shalime zyrash, për gara ryfsheti, për nudizëm qeveritar. Për bigamy reale sot, megjithatë liria jote I tërbon.
Por ky është vendi ynë Bleona. Realiteti magjik ballkanas, Muhaxhirë të botës,
U shqyem të sillnim Lady Gagën, por nuk pranojmë dot Bleonën tone. Ashtu sikur me Konchitt-ën, apo ndonjë tjetër emër të sojit real nga larmia e botës së madhe. Atë për të cilën shesim edhe shtëpinë, si e si të gjejmë një pasaportë, një vizë klandestine etj.
Love u Bleona. E ndjek show-n tend. Dhe do votojë për ty. Për të qeshurën tënde .
Anamalasit u mblodhën si Shiponjë rreth Flamurit Kombëtar
Nga Keze Kozeta Zylo/
Në mjediset lluksoze të Hotelit “Hilton” në Staten Island, New York shoqata e mirënjohur shqiptaro-amerikane “Ana e Malit” organizoi 102 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Ditës së shenjtë të Flamurit.
Qindra shqiptarë me vajzat si Zana dhe djemte si azgan së bashku me prindërit e tyre vinin grupe-grupe kuq e zi për të festuar 102 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Në një atmosferë krejtësisht festive dëgjohej Gjuha e bukur Shqipe në fjalët e mirëseardhjes nga organizatorët e shkëlqyer me kryetar Ismet Kurtin, n/kryetar Xheladin Zenelin dhe Fatmir Kallaba si dhe bordin drejtues. Programin e ka hapur znj.Leonarda Gjoni në fjalën e të cilës plot kulturë ndihej shpirti i zjarrtë i patriotizmit, dashuria për gjuhën Shqipe dhe vendin e të pareve të saj.
Moderatori i programit ishte Flamur Anamali, emri dhe mbiemri i të cilit është binom i simbolit të shenjtë të shqiptarëve, që në syte e mi dukej dhe Flamur dhe Anamalas si krah shqiponje në Flamur. Me zë burrëror dhe me një shqipe të bukur ai ftoi të gjithë të pranishmit për të kënduar dy Hymnet kombëtare, shqiptare dhe amerikane. Hymnet janë interpretuar nga nxënësja e shkëlqyer e shkollës Shqipe “Alba Life”, nga artistja e vogël që premton shumë në të ardhmen Kristina Melo. Pas hymneve kombëtare u mbajt një minutë heshtje në shenjë nderimi dhe respekti për të gjithë ata që kanë dhënë jetën për Lirinë e Atdheut.
Znj.Leonarda Gjoni ka prezantuar para publikut filantropistin dhe bankierin nga më të suksesshmit amerikan shqiptarin Richard Lukaj “Nderi i Kombit” duke thënë se ai është një superstar. Ai pasi i ka uruar pjesëmarrësit për Festën e Flamurit tha se kam kënaqësi që ndodhem midis bashkatdhetarëve të mi Anamalas dhe i falënderoj për një punë të palodhur që po kryejnë në shërbim të Kombit. Ne duhet ta mbështesim shoqatën Ana e Malit për misionin e saj fisnik, të bashkuar përballë integrimit. Shoqata “Ana e Malit” me seriozitetin e duhur ka ditur të përballojë sfidat përpara dhe të jetë pjesë e përfaqësimit të denjë shqiptar dhe patriotik në rrugë demokratike. Ajo mbron interesat kombëtare dhe ky do të jete dhe në të ardhmen shërbimi më i madh që i bëhet Kombit.
Fjalimi i Z.Lukaj ishte mbresëlënës, plot dashuri për Kombin, Flamurin dhe vizion të qartë për Diasporën dhe të ardhmen e Mëmëdheut tonë.
Në skenë ka dalë përsëri Kristina Melo e cila ka përshëndetur të pranishmit në emër të gjithë mësueseve, prindërve dhe nxënësve të Shkollës Shqipe Alba Life me këngën “Gjuha Shqipe” që është dhe himn i shkollës. Interpretimi i saj dhe bukuria melodioze e këngës nën drejtimin e prof.Petrika Melos ka bërë që të mirëpritet me duartrokitje në këtë ditë të shenjtë.
Në këtë mbrëmje përshëndeti Konsullja e Përgjithshme e Kosovës në New York, Vlora Çitaku e cila ishte dhe folësja kryesore. Znj. Çitaku iu ka uruar gjithë pjesëmarrësve: Gëzuar festën e Flamurit, Gëzuar 102 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Ambasada e Kosovës është dhe shtëpia juaj ngase ne jemi vëllezër dhe motra që flasim një gjuhë, kemi të njëjtat doke dhe zakone, prandaj jeni më se të mirëpritur. Gjithë Kosova është shumë mirënjohëse për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në Pavarësinë e Kosovës. Znj. Çitaku solli dhe një detaj të bukur për emrin e saj shumë domethënës, Vlora, emër të pagëzuar nga gjyshi i saj i cili ishte pjesëmarrës në ditën e Pavarësisë në Vlorë.
Ambasadori Ferit Hoxha, përfaqësues i përhershëm i Republikës së Shqipërisë ka përshëndetur të gjithë të pranishmit në emër të shtetit shqiptar dhe iu ka uruar atyre: Gëzuar Festën e Flamurit! Ambasadori Hoxha foli me krenari për arritjet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Me duartrokitje është mirëpritur Ansambleisti i shtetit të Nju Jorkut, shqiptari i parë që është ulur në karrigen e Senatit të Nju Jorkut, z.Mark Gjonaj, i cili pasi uroi pjesëmarrësit për 102 Vjetorin e Pavarësisë tha se bekuar qofshin prindërit që marrin me vehte në këto ditë festash kombëtare dhe fëmijet e tyre. Me këtë veprim ata transmetojnë tek brezat traditat dhe vlerat e mrekullueshme të Kombit shqiptar. Z.Mark Gjonaj me prindër me origjinë nga Ulqini i cili ndihej si në shtëpinë e tij në këtë festë, por në fakt ai kudo që vete e ka vendin në krye të qoshesë, ngase ai është i të gjithë shqiptarëve dhe i ka lënë vend vehtes për punën e palodhur, i kudogjendur dhe përkushtimin qe ka karshi bashkatdhetarëve dhe Kombit.
Në emër të komunës së Ulqinit ka përshëndetur z.Fatmir Gjeka njëherazi dhe kryetar i Komunës së Ulqinit. Z.Gjeka sillte nga larg bukën e Ulqinit, bukën e Mëmëdheut për ta ndarë së bashku në këtë pervjetor të Pavarësisë. Z.Gjeka tha se Diaspora është një urë lidhëse midis Amerikës dhe Atdheut dhe për këtë ju jemi shumë mirënjohës për gjithcka që ju keni bërë dhe vazhdoni me këmbëngulje dhe dashuri të ecni në gjurmët e të parëve tuaj. Ne ju jemi mirënjohes për kontributin tuaj dhe ju falënderojmë në emër të gjithë Komunës së Ulqinit duke premtuar se do të vazhdojmë lidhjet tona të ngushta për çështjen kombëtare foli plot krenari vazhdoi z.Gjeka.
Të njëjtën gjë do bëja dhe unë si amerikan për të mbrojtur Flamurin tim
Me mjaft interes është pritur fjalimi i Kongresistit republikan amerikan z.Michael Grimm i zgjedhur për të tretën herë në Kongresin Amerikan. Me një fjalim të shkurtër dhe thënë gjithçka pasi i uroi gjithë pjesëmarrësit ai falënderoi gjithë shqiptarët kudo që janë për mbështetjen maksimale që i kanë dhënë në rizgjedhjen e tij në Kongresin Amerikan dhe për dashurinë që keni për Amerikën. Përballë meje vazhdoi Kongresisti Grimm ndodhet Droni me Flamurin Kuq e Zi, Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin që u lëshua nga ajri në stadiumin e sportit në Serbi. Sportistët shqiptarë e mbrojtën me gjoks dhe zemër Flamurin Shqiptar, Flamurin e tyre, të njejten gjë do të bëja dhe unë dhe çdo amerikan për Flamurin e tyre. Fjalimi i tij u ndërpre me duartrokitje ku në sytë e pjesëmarrësve shprehej respekti për z.Grimm i cili merr pjesë vazhdimisht në aktivitetet e shqiptarëve dhe i mbështet ata kudo.
Në këtë mbrëmje nderonin përfaqsues të organizatës “Rrënjët” me president z.Marko Kepi, nga shoqata Dibra me kryetar z.Musa Pacuku. Gjithashtu kishte dhe përfaqsues nga Fondacioni Plavë e Guci me kryetar Esad Gjonbalaj, njëherazi dhe koordinator i shoqatave në SHBA, i cili në broshurën që ishte shpërndarë rreth aktivitetit të shoqatës “Ana e Malit” si dhe dhurimet që ishin bërë nga afaristë, kompani dhe biznesmenë të ndryshëm, në tekstin e përshëndetjes thuhej se: Shoqatat tona me veprimtari në SHBA me origjinë nga trojet tona etnike nen Malin e Zi, kanë më shumë se një vit që bashkëpunojnë me pikësynim unifikimin e veprimtarive në një zë të vetëm në aspektin Kombëtar.
Sot në trupin koordinues të shoqatave bashkëpunuese kemi 9 shoqata. Ne shpresojmë dhe besojmë në unifikimin e tërësishëm të Diasporës Shqiptare në SHBA në një zë të vetëm, zë që do të jetë ma i fortë më i fuqishem në sherbim të interesave nacionale shqiptare në tërësi.
Në fund të përshëndetjeve të ndryshme e ka marrë fjalën i zoti i shtëpisë kryetari i shoqatës “Ana e Malit” z.Ismet Kurti i cili me një shqipe të bukur dhe fjalë mirësjelljeje ndër të tjera tha se: Kam nderin që në emër të të gjithë komunitetit Anamlas , kryesisë dhe bordit të shoqatës të falënderoj për pjesëmarrje të gjithë mysafirët e mbrëmjes të cilët me prezencën e tyre e rritën madhështinë e mbrëmjes sonë.
Prandaj në këtë ditë të shenjtë, unë bashkë me ju dhe të gjithë shqiptarët anë e mbanë botes, duhet së pari të shprehim nderimet dhe mirënjohjen më të lartë përpara veprës së dëshmorëve, të cilët dhanë jetën për të na mundësuar të gëzojmë Lirinë që kemi sot. Historikisht, Kombi ynë dhimbjen gjithmonë e ktheu në forcë. Duke marrë parasysh antagonizmat dhe përçarjet e tanishme politike, si në Shqipëri, në Kosovë, por edhe në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan, dëshmorët janë ata që duhet të na bashkojnë të gjithëve pasi ata luftuan për një ideal të shenjtë, megjithëse ato vinin nga të gjitha krahinat dhe u përkisnin rrymave të ndryshme politike. Qëllimi i vetëm dhe i përbashkët i tyre ishte: të krijojnë një Atdhe të denjë dhe të pavarur për shqiptarët. Pavarësia është fituar me luftë kur ishte nevoja, ndërsa sot dashuria për Atdhenë dhe për Pavarësi, do të duhej të tregohej me punë e vepra. Sot, kombi shqiptar ka nevojë për vizionarë, politikanë dhe aktivistë që me punë përpiqen të çojnë në vend amanetet e të parëve dhe të shpërblejnë gjakun e derdhur të dëshmorëve për Lirinë dhe Pavarësinë e kombit shqiptar. Mysafirë të nderuar, më lejoni ta mbyll duke ju thënë se shumë sfida të mëdha ende ngelen para nesh dhe ne të gjithë së bashku duhet të jemi të përgatitur për të bërë përpjekjet dhe sakrificat e duhura për t’i kaluar ato. Gëzuar Ditën e Pavarësisë dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Kombin shqiptar!
Pas përshëndetjeve znj. Naile Tahir Taipi me veshje të bukur të krahinave ka prezantuar grupin artistik “Tradita”. Në sallë kanë hyrë vajzat me kostumet e bukura tradicionale me ngjyra marramendëse dhe burrat me kostumet burrërore të grupit artistik “Tradita” me president Selaudin Gjeloshi të cilët kishin ardhur nga Ulqini me ftesë të Anamalsve të Amerikës për të festuar së bashku Ditën e Flamurit. Pamja e tyre magjike, vallëzimet profesioniste ndezën sallën me duartrokitje të cilët shkrepnin aparatet, filmonin dhe valëvisnin flamujt kuq e zi. Vajza e talentuar nga Shkodra Egzona Salaj me zërin e saj melodioz shoqëronte grupin “Tradita” duke interpretuar aq bukur dhe me pasion këngën:
Ty Flamur të duam shum’/ Ti për ne je nën’ e bab’/ Për ty gjakun derdhim lum’/ O Flamur i kuq me shkab.
Me duartrokitje kanë dalë në skenë artistët e mirënjohur të komunitetit Shaban Lajci si Ismail Qemali, Tom Gjergji si Isa Boletini dhe aktori Agim Rugova të cilët me një tekst mjaft të përzgjedhur interpretuan mjeshtërisht përballë pamjes së Dronit që kishte Flamurin, Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin. Mbrëmjes nuk i mungoi dhe humori i hollë shkodran interpretuar nga Bujar dhe Besnik Cinari.
Mbrëmja madhështore u mbyll nën tigujt e Valles së Shqipeve e cila ishte një shfaqje e mrekullueshme dhe arriti kulmin me valëvitjen e Flamurit nga një valltar i cili e çoi në majë, që dukej sikur shpoi tavanin dhe doli në kupë të qiellit për Bashkimin e Kombit. Ndërsa valltari valëviste Flamurin, publiku thoshte me brohorima: Prapë, prapë, me një fjalë të përsëritej Vallja e Shqipeve dhe ashtu u bë. Gjithë salla u çua në këmbë duke mbajtur Flamurin ndër duar, Flamur që pothuajse mbulonte pistën e sallës komplet.
Pjesëmarrësit kaluan një natë të mrekullueshme, të paharruar, të cilët u argëtuan nën tingujt e muzikës DJ Sam, nën orkestracionin e Tom Lleshaj me këngëtarë Shkëlzen Jetishi, Suad Shaptafi nga grupi “Tradita” dhe Valdet Luka.
Anamalasit u mblodhën atë natë si shqiponjë rreth Flamurit Kombëtar.
25 Nëntor, 2014
Staten Island, New York
HESHTJA NXIT DHUNEN
Me heshtjen e shoqërisë nxitet dhuna. Thyeni Heshtjen, t’i themi: NDAL DHUNËS ndaj GRAVE & VAJZAVE!/
Opinion nga Raimionda MOISIU/
Ndërsa koha kalon, dita – ditës shikojmë një realitet të ri të krimit, një botë ku po lulëzon agresiviteti, urrejtja, hakmarrja, dhuna fizike, dhunimi verbal, sharje,frike tmerr makabritet, drame mjerim,dhuna sociale, morale, dhuna mashkullore e shpeshtë dhe e pandalshme ndaj grave e vajzave, si përgjigje ndaj frustrimeve dhe anktheve, që mbushin jetën mes të përditshmes njerëzore. Në vend që ne duhet të kërkojmë arsyet e këtij realiteti të dhimbshme e të mjerë, në vend që të shqyrtojmë degradimin e dhunshëm të personave që janë pjesë e shoqërisë, përballemi me heshtjen e kësaj shoqërie, heshtje që nxit akoma më shumë dhunën,përballemi me obskurantimin e mentalitetit shqiptar. Heshtja ndaj këtij realiteti të trishtë e “të ftohtë” po ndrydh standardet e mirësjelljes, po kontribuon në mungesën e respektit për shenjtërinë e jetës njerëzore në të gjitha kushtet dhe fazat e saj. Si rezultat i heshtjes të shoqërisë, jeta e grave dhe vajzave të reja është bërë tejet dramatike.Dhuna ndaj grave është forma më diskriminuese dhe shkelje e të drejtave të saj njerëzore. Dhuna ndaj tyre shkakton mjerim të pallogaritur, shkurton jetën dhe gra të panumërta që i gërryen dhimbja, ankthi, nën kërcënim e frikë për jetën e tyre, fëmijëve e të familjes. Dominanca e dhunës mashkullore dëmton familjet në të gjitha brezat, mjeron e varfëron komunitetin dhe përforcon forma të tjera të dhunës në shoqëri, kufizon rritjen ekonomike dhe minon zhvillimin. Shtrirja dhe shkalla e dhunës ndaj grave janë pasqyrimi i diskriminimit që gratë e vajzat shqiptare vazhdojnë të përballen. Heshtje që ka dramën e saj por që nuk do t’ia dijë askush! Më pas krime të tilla kthehen në diskutime të shpjegimeve psikologjike të krimit, duke përfshirë një rishikim të marrëdhënieve ndërmjet personalitetit, intelektit, sëmundjes mendore dhe sjelljes së dhunshme. Zgjedhje racionale e teori rutinë këto, për shkakun e integrimit të krimit, që bëhen jo vetëm material për gazetat, analistët, shoqatat jo qeveritare, drejtësinë e politikën, etj., etj.,-por dalin në konkluzionin se të gjitha veprimet e njeriut-duke përfshirë edhe dhunën, vrasjen, masakrimin, injorancën, pedofilinë, perversitetin-janë produkte racionale të vendimmarrjes në nivel individual. Pra, merren disa ditë me të, si ajo çudia më e madhe që zgjat tre ditë dhe përsëri;- HESHTJE!!!Shoqëria para se të intensifikojë shkakun e dhunës dhe shkaqet e kriminalitetit, duhet të thyejë heshtjen, që të jetë më mirë e në gjendje për të parandaluar dhunën që në fillesën e saj, ose të paktën të jetë në pozicionin për ta ndëshkuar atë, me identifikimin e autorëve të dhunshëm, trajtimin e rehabilitimin e tyre nëpërmjet disiplinave akademike, duke përfshirë antropologji, biologji, kriminologji, psikiatri, punë sociale, dhe sociologji –teori të veçanta këto, që shpjegojnë më së miri fillimin dhe insistimin e sjelljeve të dhunshme. Në anën tjetër të spektrit të dhunës e krimit qëndrojnë “krenare” variablat si varfëria, pabarazia sociale, dhuna fizike, sociale e morale, diskriminimi dhe inferioriteti maskilist, injoranca dhe mosarsimimi, papunësia, imoraliteti, etj. Sot në përqindjen më të madhe kemi një rini të papunë,- kemi një rini pa të ardhme. Edhe ajo rini që është arsimuar nuk ka ku të punojë, ndërsa vajzat e reja adoleshente dhunohen çdo ditë e orë, për mishin e tyre të njomë e të bardhë nga epshi hamshor i elitës së të kamurve, të zengjinëve pedofilë e perversë në moshë madhore, që për një unazë, për një fustan në mbrëmjen e maturës apo një nënë e re e divorcuar për një pjatë gjellë e bukë në tavolinë për engjëjt e saj, mbyllin sytë shkojnë në shtrat për një orë apo natë me ta, e më pas i vrasin i copëtojnë,-masakrojnë! A nuk mund të konsiderohen këto si shpjegimi i zanafillës të sjelljeve të dhunshme? Shoqëria hesht para këtij realiteti të dhimbshëm, mjeran e të trishtë!Por mos harroni se fytyra e dhunshme e shoqërisë, çorganizimi i komunitetit, privimi ekonomik, pabarazia sociale, imoraliteti dhe ndikimi i tendosjes së krimit, janë fokusi i parimeve të fytyrës së shtetit, kontrollit social në nivel individual e shoqëror, që vërtet sot për sot, është shumë vështirë për të negociuar me rishikimin e rrënjëve të dhunës e shkakut të krimit. Sepse idetë dhe gjuha e urrejtjes që del nga implikimet e mëdha të klasës politike e shtetërore ndikojnë pafundësisht në rritjen e fushëveprimit të dhunës fizike, sociale e ekonomike, nxitin heshtjen në përkufizimin e krimit e perspektivave kritike të rolit në marrëdhëniet e shtetit me shoqërinë si vazhdimin e kësaj dhune në jetën e përditshme. Rrethana të tilla si varfëria, mungesa e përkrahjes familjare dhe e shoqërisë që i rrethon, shkaktojnë një dhunë të drejtpërdrejtë. Faktorët e rrezikut të dhunës sikundër; mungesa e shpresës dhe ndjeshmërisë, vetëvlerësim i ulët, mungesa e dukshme e mjeteve për të jetuar, varfëria, impulsiviteti, pabarazitë e padrejtësitë sociale, që përfshijnë të rinjtë dhe e çojnë drejt dhunës e krimit. Për të ndryshuar këtë situatë dhe për të krijuar shpresë të qëndrueshme dhe mundësi për gratë e vajzat, të rinjtë e të rejat, shoqëria duhet të besojë në një qasje gjithëpërfshirëse dhe të harmonizuar. Pra, të gjithë së bashku si shoqëri të thyejmë heshtjen, të sigurojmë një kontekst social me strategjinë e fuqizimit në kuadër për të gjitha aktivitetet në komunitet, në shkollat e qendra të ndryshme sociale për edukimin e brezit të ardhshëm, rinisë, mbi modelet e reja të arritjeve, sigurimin e fuqisë punëtore dhe arsimore, të gjitha këto kolektivisht të vlerësohen në mënyrë për të ofruar mbrojtjen me të prekshme e të mundshme në parandalimin e dhunës. Prevelenca e vazhdueshme e dhunës kundër gruas është dëshmi e faktit se shoqëria jo vetëm duhet të thyejë heshtjen, por është domosdoshmëri e angazhimit të klasës politike, shoqërisë civile, kastës qytetare e intelektuale.Dhuna kundër grave nuk është as e pandryshueshme as e pashmangshme, mund të reduktohet me vullnet politik, social qytetar, intelektual, dhe burimet e nevojshme. Shoqëria të mos heshtë, por të identifikojë mënyrat për të mbyllur hendekun e kësaj heshtje e plage, mes detyrimeve morale, sociale, shtetërore, të drejtës për të qenë të lirë në një botë të lirë, ta sjellë në vëmendjen e publikut, të shoqatave të grave (jo qeveritare). Shteti të marrë përgjegjësitë e veta sipas normave dhe standardeve, me instrumentet politike të zbatimit, sensibilizimit dhe përpjekjet për të çrrënjosur dhunën kundër grave dhe krimin, duke e bërë prioritet kryesor e të rëndësishëm në nivel kombëtar. Me heshtjen e shoqërisë nxitet dhuna. Thyeni Heshtjen, t’i themi: NDAL DHUNËS!
Sot eshte Dita Nderkombetare e dhunes ndaj Gruas
Qyteti i Nju Jorkut stoliset me flamuj kuq e zi me rastin e Ditës së Flamurit
Më shumë se 800 flamujt që mbajn shqiponjën e zezë me dy koka në një sfond të kuq janë janë vendosur qysh dje në disa nga rrugët kryesore në zemër të qytetit të Staten Island dhe Bronxit- Nju Jork. /
Nga Beqir SINA – New York/
BRONX – STATEN ISLAND NYC – Lagjia më e madhe e shqiptarëve të Nju Jorkut, Bronxi, për të pestën herë dhe për herë të parë edhe ishulli i Staen Island ku mendohet se jetojnë afro 30 mijë shqiptarë, është përfshirë këto ditë nga atmosfera e festave të nëntorit, teksa i gjithë qyteti është zbukuruar e hijeshuar, i mbushur përplotë nga ngjyrat kuq e zi të flamurit tonë kombëtar.
Zbukurimet e “kryeqytetit” të ri të Shqiptarëve të Amerikës, Nju Jorkut, janë bërë në të gjithë shtëpitë klubet, e lokalet e shqiptarëve, në disa prej rrugeve më të frekuentuara nga shqiptarët si në Bronx, Bruklin, Staten Island, Kuins, e Longa Island.
Mirëpo ajo që të bie në sy menjëherë sa hynë në zemër të qytetit natyrisht që për të 5-tin vit me rradhë janë dy anët e rrugët e hijeshuar këto ditë me flamurin kuqë e zi, në segmenti e rrugës që mbanë emrin Nëna Tereses ” Lydig Avenue dhe Hollanda Avenue,” Avenyja e famshme “Arthur Avenue”, si edhe anët e rrugëve që kanë shumë biznese e dyqane shqiptare, si në “Morris Park”, “Huge Avenue”, “187 Street”, “William Bridge”, “Pelham Park”,etj.
Këto rrugë dhe disa të tjera në ishullin Staten Island gjithë këtë javë, janë lajmëtarët e festës së pavarësisë, teksa janë të stolisure me flamurin kuq e zi. Ndërkohë, që edhe kompani argëtimi, shoqatat e arganizatat e komunitetit kanë ditë që kanë nisur përgatitjet për mbrëmjet festive, dhe kan paraljmëruar koncerte me këngëtar edhe nga Kosova, Shqipëria dhe trevat e tjera shqiptare
Dy qytet më të mëdha me popullsi shqiptare në Nju Jork ishulli i Staten Island dhe Bronxi janë mbuluar këto ditë në vigjilje të 28 Nëntorit Ditës së Flamurit – Shpalljesë Pavarësisë së Shqipërisë me flamuj kuq e zi, dhe përkrah tyre në shenjë falënderimi ndaj SHBA-së për terë kontributin e saj që ka dhanë dhe që vazhdon të jap për Kosovën e çështjen shqiptare me flamuj amerikan.
Vendosja e flamujve është bërë i mundëshëme nga inisiativa Mark Gjonaj – i cili është dhe sponsorizuesi kryesorë me kontributin financiar edhe atë të veprimtarëve të tjerë të komunitetit si : Harry Bajraktari , Ben Çelaj, Beqir Kuka, dhe të rinjëve dhe të rejave nga Rrënjët Shqiptare (Marko Kepi president) dhe nga bordet e komuniteteve dhe disa anëtarëve të Këshillit të Qytetit.
Mark Gjonaj-Zëri Shqiptar në Asamblenë e Shtetit te New Yorkut, gjithmonë veprues për komunitetin tonë për dy vjet skuq sheshet dhe rrugët e Bronxit me Flamujt kuq e zi me rastin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë
Me këtë rast krenaria shqiptare – flamuri kuq e zi mund të shihet, këto ditë vigjilje duke u valivitur krah atij amerikan – lart mbi shtyllat e ndriçmit në rrugët e qyteti të Bronxit dhe ishulllit të Staten Island në nder të 102 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë, Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit 1912.
Këtë vit më shumë se 800 flamujt që mbajn shqiponjën e zezë me dy koka në një sfond të kuq janë janë vendosur qysh dje në disa nga rrugët kryesore në zemër të qytetit të Staten Island dhe Bronxit- Nju Jork.
“Kjo i jep bashkësisë shqiptare, këto ditë feste edhe një ndjenjë tjetër të krenarisë sonë kombëtare, kur këto ditë në prag të festës së madhe Ditës së Flamurit, kemi për të parë këto flamuj kuq e zi – duke u valëvitur, përkrah flamurit amerikan si një faleminderim për atë çkan bërë për ne Shtetet e Bashkuara”, thotë Mark Gjonaj – i cili shtonë “Se kjo është diçka që së bashku po e bëjmë për herë të pestë çdo nëntorë në Nju Jork.”
Mark Gjonaj, ose siç njihet ndryshe edhe si asamblesiti i parë shqiptarë në historinë e emigracionit shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, – i cili në fund të javës do të organizojë me shpenzimet e tij një festim darkë, e hapur për publikun e gjerë, në Nju Jork, darkë, e cila do të mbahet në Caterers Maestro-së në Bronx – Nju Jork, thotë se :”Ne jemi të inkurajuar të gjithë për të marrë pjesë këto ditë në shumë aktivitete të komunitetit shqiptarë në nderim të ditës së flamurit kuq e zi” dhe shtonë se “shqiptaro amerikanët dhe jo-shqiptarët pra komunitetet e tjera, gjithashtu, janë ftuar të marrin pjesë në ditën e kremtimit të pavarësisë tonë, për të festuar së bashku idealet tona të përbashkëta – të lirisë dhe të demokracisë.”
Sipas Gjonaj, jo zyrtarisht në zonën e Tri-Shtetshit, mendohet se janë mbi 250.000 shqiptarë dhe afërsisht 100,000 jetojnë në lagjet Bronx, Kuins, Bruklin dhe Staten Island në Nju Jork. Është e rëndësishme për shqiptarët që të vazhdojnë për të festuar kulturën e tyre dhe trashëgiminë,” ka deklaruar Gjonaj .