• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria është “pa kokë, pa shpatulla dhe pa këmbë”

August 16, 2020 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/Viti 2020 është viti i përkujtimit të dy përvjetorëve për familjen time. Më 18 shkurt 1970, në moshën 80-vjeçare, ndërroi jetë Babai im i dashur Hasan Ymeri. Kurse më 16 gusht 1980, po në moshën 80-vjeçare, ndërroi jetë nëna ime e shtrenjtë Hanko Ymeri.
Çdokush prindërit i kujton me nderimin dhe respektin më të madh, sepse ata janë njerëzit më të shtrenjtë të jetës së tij. Ata janë busulla orientuese, janë ylli i karvanit për fëmijët e vet, të cilët i rritin dhe i edukojnë me një kujdes të jashtëzakonshëm.
Kur kthej kokën prapa dhe kujtoj rrugën e jetës që kam ndjekur sipas këshillave që më patën dhënë prindërit që në moshë të vogël në fshatin Mesaplik, njëri nga katër fshatrat e Smokthinës së Vlorës, ku jetonte familja jonë, them me plot gojën se ata, ashtu si edhe të gjithë prindërit për fëmijët e tyre, kanë qenë shenjtorë për mua dhe menjëherë më vijnë në kujtesë ca fjalë të arta të disa prej personaliteteve të shquara të lashtësisë, si Menandri (342-291 p.e.r.), komediografi i lashtësisë greke, i cili ka lënë një këshillë fort të vyer për pasardhësit:
“Prindërit nderoji gjithmonë, ashtu si edhe Hyjninë”.
Vlera mjaft të çmuara edukative përcjellin fjalët e Ciceronit (Marcus Tullius Cicero – 106-43 p.e.r.), filozofit, oratorit dhe personalitetit politik të lashtësisë romake, i cili theksonte:
“Dashuria ndaj prindërve është themeli i të gjitha virtyteve”.
Më kujtohet Horaci (Quintus Horatius Flaccus – 65-8 p.e.r.), poeti i “shekullit të artë” të letërsisë romake, i cili thoshte:
“Virtytet e prindërve janë paja më e madhe për fëmijët”.
I ati i Babait, i sëmurë nga pleviti, pati ndërruar jetë në moshë 45-vjeçare, duke i lënë në ngarkim tre vëllezër dhe dy motra më të vegjël. Motrat i martoi, vëllezërit gjithashtu, duke u ndërtuar secilit shtëpi më vete. Vëllai i tij më i vogël, Baxhuli, nuk arriti ta gëzonte jetën pas martesës. Ai qe plagosur në Luftën e Gjormit, në përpjekje me trupat e milicisë fashiste në dhjetor të vitit 1942, kurse në shkurt të vitit 1944, si partizan i Brigadës së Pestë, ra dëshmor në një përpjekje me trupat gjermane në afërsi të fshatit Pilur.
Vëllai im më i madh, Selfoja, në vitin 1948, kur ishte 21 vjeç, si shumë të rinj, pati shkuar vullnetar për gjashtë muaj në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Tiranë dhe Peqin-Elbasan. Kur u kthye, Babai dhe Nëna u gëzuan shumë. Në darkë, kur ishim shtruar për të ngrënë, vëllai i tha Babait se në hekurudhë ishte pranuar si kandidat partie. Babai buzëqeshi paksa me ironi dhe i tha: “Po ç’pate, more bir, që i hodhe vetes një zinxhir për gryke?”. Babai nuk kishte pasur simpati për komunistët që gjatë luftës, sepse ata i kishin vrarë padrejtësisht baxhanakun e tij, Murat Hasimin, krejtësisht i pafajshëm. Njëri nga komunistët e fshatit banonte në një kodër, përballë Muratit, matanë një përroi, në shtëpinë e të cilit, që asokohe, ushtonte muzika nga pllakat e gramafonit. Kur dëgjonte tingujt e muzikës, ai komunisti, siç më ka rrëfyer Babai, thoshte me smirë dhe inat: filloi kuja në shtëpinë e Muratit. Që asokohe Murati vishej “allafrënga”, në Vlorë kishte një dyqan të vogël.
Njësiti i Smokthinës, në fshehtësi, kishte hartuar listën se kë duhej të pushkatonte. Në atë listë figuronte edhe emri i Muratit. Një ditë të bukur, kur Murati sapo ishte kthyer nga Vlora, njësiti e arreston dhe vendos ta pushkatojë, paçka se ai s’kishte bërë asnjë krim. Që asokohe Babai pati ruajtur brenda vetes një mëri të heshtur kundër komunistëve.
Nga Babai i ruaj të pashlyera në kujtesë disa këshilla dhe porosi që më pati dhënë, sidomos derisa mbarova shkollën e mesme, dhe një mendim shumë të çmuar, të cilin e kam pasë vlerësuar lart deri tani, kur po i afrohem moshës 82-vjeçare, mendim që më shërbeu edhe si titull i këtij shkrimi.
Më 30 gusht të vitit 1955, në oborrin e shtëpisë sonë, kur po më përcillte për të vazhduar Gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë, për ku do të më shoqëronte i ndjeri vëllai i madh, Babai më dha tri porosi:
E para: “Dëgjo, bir i Babait, ki parasysh se këtu e tutje do të jesh larg nënës e Babait. Prandaj ki mendjen, të jesh i kujdesshëm në jetë se Shqipëria është baltë e mallkuar, e ka mallkuar Zoti se shqiptarët nuk e duan njëri-tjetrin. Kur shqiptarët ta duan njëri-tjetrin, atëherë Zoti do ta bekojë baltën shqiptare”.
Disa dhjetëvjeçarë më vonë, Nënë Tereza, 42 vjet pas porosisë së Babait tim, dhe pikërisht pas katrahurës së vitit 1997, erdhi për vizitë në Shqipëri. Para se të hipte në aeroplan për t’u larguar nga aeroporti i Rinasit, ajo iu drejtua Zotit:
“O Zot, hiqja mallkimin Tand Popullit Shqiptar!”.
E dyta: “Atje në gjimnaz përpiqu të jesh i pari në mësime, siç ke qenë këtu në shtatëvjeçare. Por po nuk pate mundësi të jesh i pari, mundohu të jesh mes të parëve dhe atë që është i pari, ta duash dhe ta respektosh si veten tënde, se po pate smirë për të, do t’i bësh shumë dëm kokës”.
Falë kësaj këshille aq të çmuar, nuk e kam njohur kurrë smirën në jetën time dhe ata që kanë qenë më të aftë se unë, i kam nderuar dhe respektuar si veten time.
E treta: “Mos vër kurrë dorë në mallin e botës se, siç të kam thënë dikur, do ta kesh dëmin njëqindfish. E kam porosi nga i ndjeri im atë”.
Këtë porosi Babai ma kishte dhënë që kur isha nxënës në klasën e gjashtë të shtatëvjeçares. Përveç porosisë së të atit, ai kishte pasur edhe një përvojë të hidhur nga jeta e vet. Njëherë, diku aty nga fillimi i viteve ’50, ai kishte shkuar për pazar në Vlorë, e cila ndodhet 54 km larg Smokthinës. Kështu që, për të qenë në Vlorë ditën e pazarit, pra, të dielën në mëngjes, ai nisej me kalë nga Smokthina të shtunën, në të perënduar të diellit, dhe udhëtonte gjatë natës. Atë ditë, pasi kishte blerë gjërat që i duheshin, qe nisur për në Smokthinë pa perënduar dielli. Kishte kaluar mesi i shtatorit. Kur kishte edhe dy orë natë, ai pati arritur në anën e djathtë të lumit të Smokthinës, përballë shtëpive tona, që ndodheshin në një gjysmë lartësie të anës së majtë të lumit. Aty, çuditërisht, kishte sjellë ndër mend atë porosinë e të atit për të mos vënë dorë në mallin e botës. Dhe, aty për aty, kishte thënë me vete: do ta provoj një herë për të mos e vënë në zbatim atë porosinë e tim eti dhe do të shikoj nëse do ta kem dëmin njëqindfish ose jo”. Pati zbritur nga kali dhe i qe afruar një are me misër që ndodhej në anë të lumit, pronë e një fshatari nga fshati Ramicë. Kallinjtë e misrit ishin të shëndetshëm. Këputi njërin prej tyre, i hipi kalit dhe u nis për në shtëpi. Kur arriti, lidhi kalin dhe i hodhi haje, kurse vetë shkoi pranë furrës që kishim në oborr. Nëna, zakonisht, që në darkë, thëngjijtë i mbulonte me hi që të mos fikeshin, në mënyrë që të nesërmen ta ndizte zjarrin me lehtësi. Aty ai i zbuloi, u hodhi ca lëmishte përsipër dhe ndezi zjarrin, zhveshi kallirin e misrit, e poqi, e hëngri dhe shkoi të flinte. Njerëzit e shtëpisë të gjithë ishin në gjumë. Natën e nesërme, gjë që nuk kishte bërë vaki kurrë, një tufë derrash të egër, zbresin nga pyjet në lindje të shtëpive tona, hyjnë në arat me misër dhe batërdisën një dynym e gjysmë. Kur njëherë pati qëlluar që t’i kthehej kësaj ndodhie, unë i thashë me shaka: po ndoshta rastisi që derrat e egër atë natë dëmtuan arat tona, jo se shkaktar qe ai kalliri i misrit që ti more nga ara e huaj. Jo, bir i Babait, – ma ktheu ai. – Ishte ndëshkim nga Ai atje lart në qiell, sepse syrit të Tij nuk i shpëton asgjë nga prapësitë që bëjnë njerëzit këtu në Tokë. Po ja, filani, – ndërhyra unë, – dhe i përmenda emrin e dikujt nga fshtarët, i cili njihej si njeri që vinte dorë në mallin e botës dhe s’kishte pësuar gjë. Prit, bir i Babait, – ma ktheu ai, – se të ligën e ka pas veshit, se kështu është taksur nga Ai lart, që shtëpia jonë ta pësojë menjëherë kur vë dorë mbi mallin e tjetrit, kurse ai që më përmend ti, do ta pësojë më vonë të ligën, mbama mend llafin. Dhe me të vërtetë: ai fshatari pati hipur dikur në hardhinë e tjetrit për të marrë rrush, rrëzohet prej andej dhe mbeti i paralizuar gjatë 18 vjetëve, derisa ndërroi jetë.
Në maj të vitit 1956, mbarova klasën e parë të gjimnazit në Vlorë dhe u ktheva pranë familjes. Komunistët kishin filluar fushatën e ethshme për kolektivizimin e bujqësisë. Ishte muaji qershor. Po korrnim grurin. Bënte vapë dhe vendosëm të çlodheshim pak në hijen e një peme. Ndërhyn Babai: “Këta komunistët qenkan bijtë e djallit, kërkojnë të na marrin tokat dhe bagëtitë dhe të na kthejnë në argatë të shtetit”. Ç’t’i thoshja? Po ndoshta e kanë për mirë, o Baba, – ia ktheva unë. Në fund të majit të vitit 1959, mbarova mësimet e klasës së katërt të gjimnazit dhe gjatë qershorit do të kishim provimet e maturës. Shkova pranë familjes dhe çdo javë kthehesha në Vlorë për dhënien e tyre. E mbaj mend si sot. Ishte data 10 qershor. Po hanim drekë nën hijen e shtratit të hardhisë në oborr. Më 25 maj pati ardhur për vizitë Nikita Hrushovi. Qëndroi tetë ditë në vendin tonë dhe u largua më 03 qershor. Babai pyeti: “Po ky Enveri pse nuk bisedoi me Hrushovin që të ndërhynte te Titua për ta kthyer atë Kosovën këtej nga ne, se ajo është truall shqiptar, është toka jonë?”. U zura ngushtë dhe s’dija ç’përgjigje t’ jepja. I thashë se ndoshta i ka ardhur zor, meqenëse e kishte mysafir. Atëherë ai ma kthen: “Dëgjo, more djalë i Babait! Shqipëria, në këtë gjendje që është, duket si një kopaç përdhe, se kështu na e katandisi Evropa për fajin tonë që s’qemë të zotë t’i mbrojmë tokat tona. Në këtë gjendje, kjo e shkretë Shqipëri është pa kokë, pa shpatulla dhe pa këmbë. Po nuk u bashkuan koka, shpatullat dhe këmbët, ky vend jo vetëm që nuk do ta marrë veten kurrë, por edhe bota do të tallet me të. Dëgjomi këto fjalë që po të them se ti je i ri, e ke jetën përpara, kurse unë sot për nesër jam”. Me “kokë” ai kishte parasysh trojet tona në Mal të Zi dhe Kosovën, me “shpatulla” – trojet e sotme në Maqedoninë Veriore dhe me “këmbë” – Çamërinë. Fakti që Shqipëria s’ka qenë në gjendje të ndërtojë shtet ligjor edhe gjatë këtyre tridhjetë vjetëve, vërteton se ajo s’ka për ta ndërtuar kurrë pa ribashkimin e trojeve tona etnike, që nga Arta e Preveza e deri në Tivar, hapësirë kjo, në të cilën jetojnë gati 10 milionë shqiptarë.
Presidiumi i Kuvendit Popullor, me vendim nr. 4040, datë 14 korrik 1965, Babain, si veteran i Luftës së Vlorës, e dekoroi me medaljen “Për veprimtari patriotike’, me motivacionin “Për trimërinë, guximin dhe vetëmohimin që tregoi në luftë kundër pushtuesve imperialistë italianë më 1920 për çlirimin e Vlorës”.
Ky ishte një gëzim i madh për familjen tonë. Babai ishte vazhdues i traditave atdhetare të pararendësve të vet. Gjyshja e tij nga Babai, Kale Hodja, ka qenë e bija e Hodo Ali Nivicës, e njërit nga udhëheqësit e shquar të kryengritjes antiosmane në mesin e shek. XIX kundër Reformave të Tanzimatit, përkrah Tafil Buzit dhe Zenel Gjolekës, stërgjyshërit e tij, Lulo dhe Muk Bajrami, bashkëluftëtarë të Bilbilenjve të famshëm të Progonatit të Kurveleshit, me urdhër të pashait, janë varur në Rrapin e Janinës dhe në një këngë të vjetër të rapsodit smokthinjot Xhevit Zeneli janë dy vargje: Lulua me Muk Bajramë / gji në gji ç’e dhanë xhanë.
Me respekt dhe nderim të madh kujtoj Nënën e shtrenjtë, e cila njihej për zemrën e saj bujare, për ngrohtësinë e jashtëzakonshme të shpirtit human, për natyrën e saj aq mikpritëse, saqë banorët e lagjes sonë Parika thoshnin: “Hankua i pret mysafirët me bukë që në oborr”, sepse ishte mjeshtre e vërtetë në përgatitjen e gatesave nga më të ndryshme. Veç kësaj, ajo ishte e famshme për punë artistike në vegjë, nga e cila nxirrte qylyma shumë të bukur shumëngjyrësh. Ngrohtësia e shpirtit të saj ishte e përmasave mitike në edukatën që na jepte neve, si fëmijë. Fjalët e saj “kujdes në jetë, të keqen Nëna, që as mizën të mos e shkelni me këmbë”, qenë skalitur për jetë në kujtesën time dhe të të dyja motrave dhe vëllait të madh, Selfos, që prehen në atë jetë. Ajo ishte bijë e një familjeje të madhe nga fshati ynë: ishin shtatë motra dhe katër vëllezër. Njëri prej vëllezërve, Selim Tahiri, kishte dalë partizan dhe pati rënë dëshmor në Jugosllavi. Babai i saj, Abedin Tahiri, kishte marrë pjesë në Luftën e Janinës. Ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare. Duke marrë parasysh fëmijët e tezeve, të dajave, të xhaxhallarëve dhe të hallave, ne bëheshim 72 kushërinj të parë.
Unë me time shoqe, Havanë, jemi përpjekur që, të dy fëmijët tanë, djalin dhe vajzën, t’i rritim dhe t’i edukojmë sipas këshillave dhe porosive të prindërve tanë. Dhe ne e ndiejmë veten krenarë me sjelljen e tyre. Të dy erdhën për studime universitare këtu në Shtetet e Bashkuara (djali në vitin 1996, kurse vajza në vitin 1998), ku mbaruan dy fakultete secili dhe tani janë të nderuar në vendet e punës ku japin kontributin e vet.
Me rastin e përkujtimit të datës 18 shkurt dhe 16 gusht, kur Babai dhe Nëna ime patën ndërruar jetë, respektivisht në vitin 1970 dhe 1980, dëshiroj me gjithë zemër që gjithë prindërve dhe fëmijëve të tyre, t’u drejtohem me urimin në vijim:
Qofshin të bekuar prindërit që i edukojnë fëmijët me virtyte të larta! Qofshin të bekuar fëmijët që prindërit i nderojnë po ashtu si edhe Hyjninë!
Kolumbus, Ohajo
16 gusht 2020

Filed Under: Politike Tagged With: Eshref Ymeri, pa koke, shqiperia

SHUMË URIME PËR KUJTIM QAFËN NË DITËN E LINDJES!

August 15, 2020 by dgreca

Sot, sipas kujtesës së Facebook-ut, është Ditelindja e Veteranit vatran,(Vatran i Dimrit e i Beharit, quheshin në kohën e Nolit ata që nuk i ndaheshin Vatrës në të mirë e në të keq).GËZUAR DITËN E LINDJES- Kujtim QAFA!
Shumë urime prej miqëve, Vatrës, vatranëve dhe Diellit!..
.Një urim special përcillet në emër të Kryesisë së Vatrës, Këshillit dhe të gjithë vatranëve nga Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha: GËZUAR DITËLINDJEN I DASHUR KUJTIM!

HAPPY BIRTHDAY!

Filed Under: Featured Tagged With: dita e Lindjes, Gezuar, Kujtim Qafa

FLUKS VERE NGA KOSOVA DREJT BREGDETIT SHQIPTAR

August 15, 2020 by dgreca

-Fluksi veror nga Kosova drejt Shqipërisë ka rritje edhe në këtë situatë pandemie/

-Qeveria e Republikës së Kosovës vendim të ri për hapjen e kufijve shtetërorë me Republikën e Shqipërisë, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe me Republikën e Serbisë/

PRISHTINË, 15 Gusht 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Mëngjesin e sotëm dhe në këto momente këtë paraditë të mesit të muajit gusht, në fluksin e verës drejt bregdetit shqiptar,  në dalje nga Kosova në Shqipëri   në vendkalimin kryesor kufitar nëpër autostradën e kombit në Vërmicë-Morin kalohet për 20 deri 30 minuta në kolonë 150 metra.  Në dy vendkalimet tjera, Qafë e Prushit dhe Qafë e Morinës, kalohet për 3 deri 5 minuta pa kolona.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar nga ora në orë jep njoftimet për fluksin në të gjitha vendkalimet kufitare të Kosovës. Fluksi veror nga Kosova drejt Shqipërisë ka rritje edhe në këtë situatë pandemie.

Kosova me vendimin e Qeverisë të 31 Majit 2020  ka hapur kalimin në pikën kufitare me Shqipërinë në Vërmicë-Morin e me vendimin e 15 Qershorit edhe në dy pika tjera kufitare – në Qafë Prush dhe Qafë Morinë, të mbyllura për një kohë në ballafaqimin me pandeminë.

 Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e djeshme ka miratuar vendimin për hapjen e kufijve shtetërorë me Republikën e Shqipërisë, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe me Republikën e Serbisë.

“Për të shmangur paqartësitë eventuale, sqarojmë se ky vendim ka të bëjë vetëm me hapjen e disa pikave të caktuara kufitare me këto vende, me qëllim të lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve, mirëpo kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë se janë hequr masat dhe protokollet e deritanishme kundër pandemisë COVID 19”, theksohej në një njoftim të dërguar mbrëmë.

Shtohej se, vazhdojnë të mbeten në fuqi të gjitha masat që Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar më parë sa u përket hyrje-daljeve në territorin e vendit.Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar për kalim sot nga Kosova në Maqedoni të Veriut në pikën kufitare të Hanit të Elezit dhe në Mal të Zi në pikën kufitare të Kullës kërkohet testi COVID 19.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kosove-Shqiperi

BARCELONËS Ç’I PANË SYTË…!

August 15, 2020 by dgreca

Dielli Sport- BARCELONËS Ç’I PANË SYTË…!-

Liga e Kampioneve: Gjermanët turpërojnë spanjollët 8-2-

Përgatiti: Albano Kolonjari-

Bayern Munich turpëroi plotësisht Barcelonën me një fitore 8-2 në Ligën e Kampioneve të premten në mbrëmje duke rezervuar një vend në gjysmëfinalen e turneut që po zhvillohet në Lisbonë. Kjo ishte humbja më e thellë e Barcelonës në Ligën e Kampioneve, ndërsa Bayern u bë skuadra e parë që shënoi tetë gola në një ndeshje të raundit çerekfinal të kësaj lige.  Barcelona raportohet se ka zgjedhur të shkarkojë tranjeri  Quique Setien pas humbjes 8-2. Setien, zëvendësoi Ernesto Valverde në janar 2020, dhe arriti që të realizojë 16 fitore-4 barazime dhe 5 humbje në krye të Barcelonës.   Ndeshja pati një fillim të çuditshëm me Thomas Muller  i cili kalon Bayern në avantazh. Por është mbrojtësi i Bayern David Alaba që pas disa minutave shënon aoutogol vendosur rezultatin në barazpeshë 1-1 . Gjermanët u kthyen në avantazh në të 20-të minutë, kur Ivan Perisiç kapi një pasim nga Serge Gnabry dhe gjuajti me këmbë, në drejtim të portës së mbrojtur nga  Marc-Andre ter Stegen, topi mori një devijim të lehtë dhe përfundoi në rrjetë.  Barcelona kërkoi të reagonte, por kampionët e Gjermanisë, me një sulm të shpejtë shënojnë edhe dy herë të tjera me Gnabry dhe Muller që realizon golin e tij të dytë në këtë takim.  Kur kanë kaluar vetëm 31 minuta lojë, gjermanët udhëheqin 4-1. Pas ndeshjes, mbrojtësi i Barça, Gerard Pique tha: “Unë jam në dhimbje. Ne të gjithë jemi. Ne nuk mund të konkurrojmë kështu. Klubi ka nevojë për ndryshime. Jo vetëm lojtarët. Nuk dua të fasoj askënd. Por futbolli është një sport ku ndryshimi kërkohet vazhdimisht. Ne duhet të ndryshojmë dinamikën në të cilën jemi, sepse besoj se kemi arritur në fund. Duhet të shohim rrotull, duhet të kemi besim se njerëzit do të bëjnë gjërat e duhura për klubin. ” Pjesa e dytë ishte kopje e asaj të parës. Luis Suarez shënon për Barcelonën, duke i dhënë pak “frymarje” në 4-2. Por vetëm kaq. Kimmich në të 63 minutë i jep goditjen përfundimtare në 5-2. Barcelona dorëzohet. Brenda harkut kohor të shtatë minutave, gjermanët shënojnë edhe tre herë të tjera. Robert Lewandowski dhe Philipe Coutinho dy herë, e çojnë rezultatin në 8-2. 

“Është e vështirë të shpjegohet,” tha Muller i cili pas ndeshjes u shpall lojtari më i mirë i këtij takimi. “Unë mendoj se në këtë moment skuadra jonë është në formë të jashtëzakonshme. “Faleminderit për trofeun e takimit- ndoshta kemi 12 deri në 15 lojtarë që e meritojnë atë. Ne kemi punuar kaq shumë dhe kemi këtë intensitet të lartë.  Është e vështirë të na rrahësh. Sot ishte një ndeshje shumë argëtuese. Për stilin tonë të lojtarëve nuk ka rëndësi për emrat e kundërshtarëve me të cilët përballemi pasi kemi shumë talenet në vijën sulmuese.”

Filed Under: Sport Tagged With: 8 2 me 8, albano kolonjari, Barcelona-Bayern

PËR TY QË DESHE TË ISHE LULE!

August 15, 2020 by dgreca

  AGIM XH.DËSHNICA-BOSTON-

Shhkrimtares disidente  Musine Kokalari-

Motër e muzave, Musine, /

të pret qyteti ndër legjenda, /

 Mali i Gjerë, shtëpitë përpjetë, 

me lule, gjethe sipër muresh, 

teqe, selvi në qiell lartuar

 tek sillen retë mbi kala, 

mbi Argjironë ndër mendime,

 në gji fëmijën me dridhërimë!

Ja, Palortoja po hap dritaret!

 Ka mall, të pret mëhallë e bukur! 

Me çantën plot  visare, 

lehtë e lehtë, e qeshur 

ngjitesh nëpër sokak! 

O motër moj, o Musine!

Të pret krahëhapur portë e lartë, 

shtëpi e gurtë, zemër e mirë,

oda e qetë, vatër e ngrohtë 

O motër moj, o Musine!

Por çfarë të thoshte  nënua plakë

 atje, rreth vatrës, urtë e butë?

 Mos vallë kërkoje nëpër shkëndi 

për miturinë yjet e bukur,

 shpresat si ëndrra për rininë,

 o motër moj, o Musine?

Në qiell  shpirti të harrohej, 

me fjalë të arta për Naimin, 

për ditë me dritë nga perëndon, 

kur qark fantazma mbi botë endej, 

me gjak e tmerr sa tundej jeta!

 Më kot  grusht i rreptë i dhunës, 

padrejtësisë nëpër zymti,

 ngrihej mbi ty me kërcënim, 

kur ne me mall kërkonim vjollca, 

për ty, që deshe të ishe lule, 

o motër vuajtjesh, moj Musine!

Filed Under: Opinion Tagged With: Agim Xh.Deshnica, lule, Musine Kokalari, Per Ty

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 426
  • 427
  • 428
  • 429
  • 430
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT