*Enveri, do ishte mënjanuar menjëherë nga skena. Por kjo nuk ndodhi dhe me sa duket as që ka për të ndodhur, për faktin e mësipërm të një faji masiv… /
*…Ndërsa nga ana tjetër, cilido politikan nuk e ka për gjë të ngrejë lart librin, rrëfimin dantenks të At Zef Pllumit, Rrno për më tregue, që nuk është asgjë tjetër por pasqyra për të treguar se sa i kot, ishte vokali gjoksor i polifonisë së mrekullueshme të një populli. Sa në mënyrë të pa vërtetë, të rremë digjej afshi i jugut…./
Nga Ilir Levonja/ Florida/
Mirë se erdhe Enver djali… Ka qënë një aradhë këngësh, të cilat u bënë si të thuash maja e buzëqeshjes dhe e lumturisë popullore. Po mbi të gjitha ajo me vargjet, ”mire se erdhe Enver djali”, viti 1978 nga grupi i Gjirokastrës. Polifonia e jugut, një lloj forme të kënduari unike në mesdhe, nuk kishte se si t’i shmangej objektit frymëzues, udhëheqësit të shtetit, aq më tepër që preajrdhja e tij ishte nga ato anë. Janë një sërë syresh ”dilni se erdhi Enveri” apo ”çu bëre Enver djali”, ”rrofsh sa mosha e kësaj toke” etj.., nga grupe të ndryshme, aq sa e përlotën vetë ”shenjtërinë” e tij. Por edhe ne të gjithë si shqiptarë. Pavarsisht objektit arritja artistike, interpretimi, vokalet e marrësit pritësit dhe të hedhësve…, isoja, kanë kapur atë që quhet magjia muzikore e gjoksit të njeriut. Ndaj edhe sot e kësaj dite, ato këngë kanë klikime të konsiderueshme në Youtube. Madje këtu fillon edhe konflikti social. Në një fare mënyre shqiptarët tashmë hiqen sikur nuk e kanë dashur, por janë shtrënguar ta bëjnë një gjë të tillë. Nëse do ishte kështu, Enveri nuk do i ngjante bioritit të kërpudhës që rri e rri dhe shfaqet, gjithsaherë pas shiut.
Përkundrazi, do ishte mënjanuar menjëherë nga skena. Por kjo nuk ndodhi dhe me sa duket as që ka për të ndodhur, për faktin e mësipërm të një faji masiv. Pra, pjesës me përqindjen më të madhe të shoqërisë. Nga kjo vazhdon edhe sot e kësaj dite, me ritin bëj sikur dhe mos bëj asgjë. Ndërsa nga ana tjetër, cilido politikan nuk e ka për gjë të ngrejë lart librin, rrëfimin dantenks të At Zef Pllumit, Rrno për më tregue, që nuk është asgjë tjetër por pasqyra për të treguar se sa i kot, ishte vokali gjoksor i polifonisë së mrekullueshme të një populli. Sa në mënyrë të pa vërtetë, të rremë digjej afshi i jugut.
Konkretisht sot apo dje, një gjeneral (Përllaku në Panorama, dt 17/11/2014) del e bën një pyetje publike, se ku i kanë varret heronjtë e luftës së Tiranës? Ai përmend disa emra. Por më shumë se përgjigja për moral të pastër, është dehja nga festimet. Kjo na shpie deri atje, sa ne nuk e kemi për gjë të shkelim edhe mbi të vdekurit. Të paktën shoku duhet të pyes për shokun. Luftëtari, për luftëtarin, patrioti për patriotin. Në fund të fundit ishin pjesë e një kauze. Nuk e bëjnë. Nuk duan ta bëjnë pis Enverin. Nuk ka problem gjaku i shokut, i luftëtarit apo i patriotit. Përse t’i bëjnë qejfin ”armikut” nga krahu tjetër.
Megjithatë, për të shmangur këtë faj masiv, ne mbahemi në retorikën e krimeve të tia. Mbi armiqtë e popullit. Duke i futur të gjithë në një kazan. Madje duke ndryshuar raportin në numër mes armiqëve dhe popullit. ! është populli 1000 armiqtë.
Në fakt ata ishin armiqtë e klikës shtetërore. Të një njeriu, të një perandori në kohë moderne. Mirëpo duke qënë se flitej gjithmonë në emër të popullit, ata ishin edhe armiku ynë. Kur, tanimë, janë pjesë strukturash në të katër krahët, në të gjitha legjislaturat e këtij e 24 vjeçari demokraci. Hahen me njëri-tjetrin. Këtë kanë si objektiv.
Shkurt Enverin nuk na e sollën, por e bëm vetë.
Dhe do ta mbajmë, sa kohë të ekzistojnë bojkotet.
KADRI EFENDI SALIU,NACIONALISTI PA VARR NGA GOSTIVARI
Shkruan:Eugen SHEHU/
Në historinë e popujve të Ballkanit,ç’prej shekujsh,është endur një mjergull e dendur, e palarguar, e ftohtë dhe pothuajse e papërballueshme ndaj kërkimeve të së vërtetës.U duk se diçka do të mund të rregullohej në fillim të shekullit të njëzetë por nga Londra,me mjergull nuk mund të vinte kurrë diell për shqiptarët.Si për inat,kufijtë e vendosur në Londër,i lanë po ashtu edhe internacionalistët proletarë jugosllav (përndryshe vëllezërit serb të komunistëve shqiptarë).E tash në mijëvjeçarin e ri, kur mjergulla ballkanike ka filluar të largohet,pak nga pak po zbulohet kujtimi i atyre burrave shqiptarë që e deshën diellin e këtyre trojeve duke dhënë edhe jetën e tyre.Si rrallëkund në botë, në maqedoninë shqiptare,ku era e lirisë nuk vonon të bredhë,po ringrihen nga toka e shenjtë ata burra trima,që dikur u varrosën në errësirë,u lanë pa varre,apo u zhdukën pa një gur tek varri.
Emri i Kadri Efendi Saliut,tashmë ka nisur të përmendet me respekt jo vetëm në Gostivar,por në krejt trevat arbërore të maqedonisë shqiptare.Larg epiteteve të dikurshme,larg asaj balte të hedhur padrejtësisht nga diktatura serbo-sllavomaqedonase,figura e këtij atdhetari tashmë ndriçon ndershmëri dhe shpresë.Lindi në qytetin e Gostivarit,në vitin e largët 1886.Familja e tij kish bërë emër për burrëri dhe shqiptarizëm Brez pas Brezi,ndonëse patën lidhje të shumta me Turqinë,ata ishin dhe mbetën bij të denjë të shqiptarizmës.Fëmijëria e Kadri Saliut,natyrisht që nuk do të kalonte e qetë.Dihet se pas shpërndarjes me dhunë të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit,Porta e Lartë u përpoq me çdo mjet,të shuante qoftë më të voglën ndjenjë nacionale të shqiptarëve.Vetë Dervish Pasha,në informacionin që i dërgonte Stambollit,parashihte dhjetra e dhjetra masa shtërnguese në Sanxhakun e Shkupit,i cili në pjesën më të madhe të tij banohej nga shqiptarët.Burimet osmane na bëjnë me dije gjithashtu se një varg reformash shtërnguese janë marrë edhe për qytetet e tjera të këtij sanxhaku siç ishin Tetova,Gostivari,Manastiri dhe Struga.Kësisoj që në fëmijërinë e vet,Kadri Saliu do të ndjente në shpirt peshën e urryer të sundimit.Ai ndërsa shkonte në shkollën fillore të qytetit (ku mësime zhvillohej turqisht) mbushej me dëshprim ngase nuk kish mundësi të fliste dhe të shkruante gjuhën e bukur që ia pat folur nëna e babai i vet.Që në klasat e shkollës fillore e ndjeu pabarazinë e madhe më të cilën përpiqej të ushtronte pushtetin e vet nata e gjatë osmane.
Pas mabrimit të shkollës fillore në Gostivar,shkon në Shkup ku ulet sërish në bangat e shkollës.Është tepër kurajoz të hyje në të fshehtat e dijes ndërsa pak interesohet për mësimet e fesë.Por dallohet edhe për një shpirt tejet të ndjeshëm.Në shkollë kish bullgar,turq,serb e sllavomaqedonas,Kadri Saliun e donin dhe respektonin të gjithë ngase i urrente inatet e kota racore e për më tej,përpiqej të mbillte kurdoherë farën e nderit dhe respektit.Familja e Kadriut në fillim të shekullit të njëzetë,pos shqiptarizmës së tarshëguar,përmendej edhe për pasuritë e saj.Prindërit e Kadriut dinin të mbanin një ekonomi të rregullt,me ç’rast edhe birin do ta dërgonin për të studiuar në Stamboll.Sigurisht,në fillim të vitit 1900 atëherë kur Kadriu i ri,shkoi në Stamboll,ai do të përballej me një qytet përrallor,po të kemi parasysh Gostivarin,pa drita,pa rrugë,me shumë brenga dhe uri.Por përballja me metropolin nuk do ta çudiste aspak Kadriun 15 vjeçar i cili me një turqishte të bukur vazhdon mësimet në një prej gjimnazeve të Stambollit.Më pas,falë natyrës së qetë të tij, si edhe mosdurimit ndaj padrejtësive që mund t’i bëheshin gjithkujt,Kadri Saliu hyn të studiojë në Universitet në degën e drejtësisë.Ndër të parët shqiptar që gjen aty,është pikërisht Hoxh Kadria i cili po fitonte emër si avokat tejet i zoti në Stamboll.Me Hoxh Kadrinë (më pas udhëheqës i Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës) do të mblidhej netëve duke diskutuar më së shumti rreth ngjarjeve që lidheshin me trojet shqiptare.Madje ata të takoheshin edhe me Ibrahim Temon,Dervish Himën ,Shahin Kolonjën e dhjetra shqiptarë të tjerë,duke ndikuar sadopak në zgjimin e vetëdijes sonë kombëtare.Në vitet 1907 – 1908,pas mbarimit të universitetit për drejtësi,Kadri Saliu emërohet në një prej zyrave të avokatisë së Stambollit.Ai do të jetë tepër kërkues ndaj zbatimit të ligjeve të asaj kohe,por duke respektuar në maksimum të drejtat elementare të njeriut.Për këtë,shpesh herë,kishte bërë debate të zgjatura edhe në mjaft gjyqe ku përballej me mediokritetin dhe prirjet për rryshfet të administratës osmane.Dalëngadalë,shumë njerëz në Stamboll,nisen të binden se nëse duan të kërkojnë drejtësi,papaguar rryshfete,duhet t’i drejtohen avokatit shqiptar Kadri Saliut.
Shkallët e hierarkisë në jurispondencë osmane,nuk e penguan askurrë Kadri Saliun,që të mbante lidhje me bashkëkombasit e vet.Nëpërmjet atdhetarëve të Maqedonisë shqiptare,ai njihet me veprimtarinë e Nijazi Resnjës,të Qamil Shkupit etj,dhe bën me dije qarqet shqiptare në Stamboll se çdo veprim i kryer nga çetat e tyre,ka në themel idetë e një lëvizjeje kombëtare për autonominë shqiptare.Del në mënyrë të hapur në mbrojtje të ideve të atdhetarëve shqiptarë për autonominë e vilajeteve shqiptare.
Në fillim të vitit 1912,Kadri Efendi Saliu vjen në Gostivar.Ai pritet me respekt nga paria e qytetit dhe nga patriotë të tjerë të Shkupit,Tetovës e Gostivarit.Ndonëse ende nuk ishte shkëputur nga administrata e Stambollit,Kadri Saliu ndërmerr në vendlindje një varg veprimtarish atdhetare që kishin të bënin me zgjimin e vetëdijes kombëtare nacionale.Mbase nuk duhet të harrojmë se shtypi evropian i kohës,duke iu referuar një gazete ruse,pat denoncuar se ; “Është vrejtur një artikull… i cili lajmëron se Serbija dhe Bullgaria kanë nënshkruar një traktat para dy muajve për ndarjen e Maqedonisë sipas një vije që kalon kah pika e kufirit serbo-bullgar dhe shpie në liqenin e Ohrit”.(Gazeta “Le Temps “ 6 qershor 1912 ).
Sipas pazareve diplomatike që u bënë të njohur më vonë,Serbia i njihte Bullgarisë të drejtën mbi të gjitha territoret që përfshiheshin prej Rodopove,deri në rrjedhën e fundme të lumit Struma.Ndërsa nga ana e tyre,Bullgaria i njihte Serbisë,të gjitha territoret që shtriheshin deri në veri dhe perëndim të malit të Sharrit.Në të dyja momentet,nuk merrej parasysh asnjë e drejtë e shqiptarëve të këtyre trevave,duke formuar kështu coptimin e mëtejshëm të Shqipërisë,pas traktatit të Shën Stefanit. Kundër kësaj ngjarjeje që donte të tjetërsonte kufijtë natyror të shqiptarëve,u ngritën atdhetarët e Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare të cilët me anë të protestave të shumta,si edhe peticioneve dërguar Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha,i bënin me dije këto se nuk do të rreshtnin së luftuari edhe me armë në dorë.Ndër këto protesta,në Shkup,Tetovë e Gostivar,ka qenë në mjaft raste i pranishëm edhe Kadri Efendi Saliu.Për më tej,me elokuencën e tij të folur dhe të shkruar me turqishten e rrjedhshme,vetë biri i Gostivarit do t’i drejtohej edhe administratës së lartë të gjyqësorit osman,duke i kërkuar barazi të shqiptarëve me fqinjët,sidomos në pikëpamje të territoreve. Ministri rus i jashtëm Sazanov,sipas historianit .R.Poinkare,në librin “Les Ballkans enFeu” – Paris 1926, taman në këtë vorbull të trazuar ngjarjesh u ka telegrafuar ambasadorëve rus në Londër dhe Paris,në mënyrë tekstuale ; “Një aleancë serbo-bullgare është nënshkruar,me qëllim të mbrojtjes reciproke dhe të përkrahjes së interesave të dyanshme,në rastin e ndonjë modifikimi të statucuos në Ballkan”.
Dhe pikërisht ishin atdhetarët shqiptarë që e denoncuan këtë marrëveshje e për më tej nisën organizimin e plotë,mbarëkombëtar të lëvizjes për pavarsinë e plotë të Shqipërisë.Prej Shkupi e deri në Strugë e Manastir,u vendosën lidhje të fuqishme me lëvizjen në Kosovë,pa lënë menjanë kontaktet me diplomatë e politikanë të huaj.
Pas vitit 1912 e deri në fillim të viteve 20-të,Kadri Efendi Saliu kryen funksionin e avokatit si edhe merret me administrimin e pasurisë së tij.Natyrisht në vitet 1913-1915,ai do të përballej me dhunën e egër serbo-sllavomaqedonase e cila përfshiu krejt Maqedoninë shqiptare e cila me vendim arbitrar të konferencës së Londrës,u la jashtë kufijve të shtetit amë.Disa kohë ai shkon në Stamboll duke realizuar njëherësh edhe detyrimet ndaj bashkëkombasve të vet (marrjen shpesh herë në mbrojtje të shqiptarëve me banim në Turqi) por edhe detyrimet personale për përparimin e njohurive.Në këtë rrafsh,mendoi se vlen të ndriçohen sidomos përpjekjet e mëdha të Kadri Saliut lidhur me të drejtat e banorëve të Maqedonisë shqiptare të cilët në mënyrë arbitrare dërgoheshin të popullonin viset e shkreta të Azisë,duke lënë në duar të serbëve dhe sllavomaqedonasve tokat më të mira të tyre. Sidoqoftë unë mendoj se figura e gostivarasit Kadri Efendi Saliu,vlen të shihet kurdoherë në fokusin e ngjarjeve madhore të viteve 1941-1945,atëherë kur shqiptarët si komb,jetuan shpresat e mëdha dhe zhgënjimet po kaq të mëdha.Me sulmin e Gjermanisë ndaj Jugosllavisë Versajase,natyrisht do të lindnin orekse të reja,me ç’rast edhe konflikte të reja.E vërteta është se Gjermania qoftë në bisedimet e Vjenës (ku merrte pjesë Italia) qoftë në mënyrë praktike,mbronte tërësisht politikën bullgare ngase vet Bullgaria ishte vendosur vullnetarisht në krah të Bllokut fashist. Kështu që bisedimet e Vjenës më 21-22 prill 1941,në bazë të marrëveshjes të firmosur nga Gjermania,Italia dhe Bullgaria,kësaj të fundit iu njoh e drejta që të kishte nën juridiksionin e vet,Kaçanikun,Preshevën,Kumanovën,Shkupin,Tetovën,Gostivarin deri në Ohër,me ç’rast këto territore,në masën më të shumtë banoheshin prej shqiptarëve.Vetë pushtuesi i egër bullgar,territoret të cilat aneksoi pa të drejtë,i ndau në dy zona administrative,ate të Shkupit dhe Manastirit.
Pushteti i hekurt me të cilin sundonte Bullgaria,bënë që të rritej revolta e shqiptarëve e cila e drejtuar prej nacionalistëve të shquar Xhem Gostivari,Mefail Zajazi,Faik Debovjani,Murat Labunishta etj,ka shënuar në këto vite edhe disa aksione të sukseshme ushtarake.Kulmi i revoltave shqiptare,arriti në gushtin e vitit 1942 kur pushtuesit ushtarak bullgar nxuarrën urdhërin paradoksal që shqiptarët e rretheve të Shkupit e Manastirit,”të rishikojnë origjinën e tyre,përndryshe do të cilësoheshin të huaj,do të largohen prej tokave të tyre” .( Arkivi Qendror i shtetit , Tiranë. Fondi 279,dosja 479 , fleta 53 ).
“Rishikimi i origjinës” në thelb ishte, thirrje që banorët autoktone të maqedonisë shqiptare,të mohonin kombësinë e tyre,duke u shkruar si bullgarë për t’i shpëtuar shpërnguljeve të mëdha me dhunë,kjo sidomos ndaj shqiptarëve të besimit ortodoks.Kundër kësaj vepre për gjymtimin tonë etnik,u ngrit i pari Kadri efendi Saliu,i ndjekur nga nacionalistë të tjerë trima.Të dhëna burimore flasin për ate,që Kadri Efendiu,pushtuesit bullgar e thirrën në Shkup duke i propozuar edhe shuma të mëdha parash,por përgjigjja e birit të Gostivarit pat qenë tejet e prerë.Për më tej,pasi u kthye nga Shkupi,së bashku me disa gostivaras të tjerë,Kadri Efendiu bëri propagandë të madhe në popull për mos t’u frikësuar prej kërcënimeve bullgare.Në marsin e vitit 1942,me idenë e krijimit të Komisarjatit Civil për viset e Lirueme shqiptare,u ndie nevoja e ngritjes së Këshillit të Epërt me përfaqsues të atdhetarëve nga krejt viset etnike shqiptare.Duke përfituar nga koniukturat politike dhe ushtarake të krijuara,atdhetarët tanë ngarendën të realizojnë ëndrrën shumë shekullore të shqiptarëve,bashkimin e kufijve natyrorë të trojeve arbërore.Shtypi i kohës,lidhur me organizimin e Këshillit të Epërt do të shkruante se qëllimi i tij kryesor ishte pikërisht realizimi i ëndrrës së Shqipërisë Etnike.Pasi u bë e qartë se cilët do të ishin kufijtë : “Këshilli i Epërt me brohorima të flakta,pranon dekretin e caktimit të kufijve.Pas bisedës së këshilltarit Asllan Boletini,relator i komisionit shqyrtues,i cili naltesoi rendësinë e dokumentit historik,qe i ka dhënë drejtësi kombit,Dekreti u pranue me broheritje.Nëni 1 : Tokat,kufijtë e të cilëve jantë të caktueme në kartën bashkangjitur,të vizatueme në Urdhnin tonë prej Ministrit proponues,bajnë pjesë integrante në Mbretërinë shqiptare “.( Gazeta “ Kosova “ 29 mars 1942 ).
Më pas,në ditët që erdhën,me votime të rregullta e një frymë të thellë miqësie,Këshilli i Epërt,zgjodhi edhe antarët e tij, ; “Të mbledhunit sot janë denjësisht përfaqsues të viseve të tyne.Ata kanë kontribue e kontribojnë për realizimin e andrrës shekullore të Shqypnis Etnike.Me dekret mëkëmbësuer,datë 18 prill 1942,në bazë të ligjit numër 358,datë 12 korrik 1940,të poshtëshënuarit emërohen Antarë të këshillit Qendrues t’ekonomisë Korporative… Shaqir Preza,Hamdi Kerçiku, Shefik Kondi,Xhemal Belegu,Jakov Deliana,Beqir Rusi,Ibrahim Biçaku,Hilmi Dakli,Kadri Myftiu… Kadri Saliu,Halil Alia,Haki Mulleti,Mentor Çoku,Fuad Dibra…”. ( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë. Fondi Mëkëmbësia e Përgjithshme, fleta 209 ).
Ndihmesa e madhe që Kadri efendi Saliu,i dha këshillit të Epërt,mendoj se duhet parë në dy plane.Së pari në planin teorik,në rastin kur ai ka mbajtur ligjërisht kufijtë natyrorë të Shqipërisë,të coptuar padrejtësisht në Londër.Duke analizuar së thelli shkaqet e këtij coptimi,Kadri Saliu,në fjalët e pjekura të tij,u bëri thirrje krejt antarëve të Këshillit të Epërt,të luftonin me mish e më shpirt,për të realizuar aspiratën e popullit çka donte të ishte i bashkuar.Për më tej,ai dijti me argumenta të shumta të jurispondencës,të reflektojë edhe ndaj qarqeve bullgaromëdha.
Së dyti,ngase gëzonte reputacion si jurist,ai u caktua edhe në komisionin e ligjeve me ç’rast dha kontributin e vet të vyer.”Komisioni Legjislativ i Drejtësisë asht i perbanum ;Dhimitër Kacimbra,Milto Goxhomani,Hilmi Dokli,Emin Toro,Sokol Dobroshi,Kristaq Strati,Sabri Qyteza, Mexhit Asllani,Qazim Bllaca,Kadri Saliu”( Fletorja Zyrtare shqiptare, viti 1942 ).
Në këtë komision,pos të tjerave,Kadri Efendi Saliu,do të jepte kontributin e çmuar për përpilimin e ligjeve me të drejtat qytetare të bashkëkombasve të vet.
Në fund të vitit 1943,atëherë kur Italia kapitulloi,rezistenca e shqiptarëve kundër okupatorit,ishte mjaft e shtrirë në pothuaj krejt trevat tona.Veçanërisht në prefekturën e Dibrës,ky rajon shtrihej prej Gostivarit në Kërçovë,Mavrovë e deri në gushticë të Botumit,çetat luftarake të nacionalistëve të këtyre trevave,patën organizuar operacione të sukseshme luftarake.Pikërisht në këto momente,vlen të organizohej një orë e më parë pushteti i shqiptarëve të cilët ishin pothuaj të sfilitur e dhunuar prej bullgaromdhenjëve.Emërimi i Kadri Saliut,në detyrën e kryetarit të Bashkisë së Gostivarit,u prit me mjaft entuziazëm jo vetëm në masën e madhe të shqiptarëve,por edhe prej pakicave të tjera sllavomaqedonase,turke,vllehe e rome.Me përkushtimin që e karakterizonte,ndonëse i shkuar në moshë,Kadri Efendi Saliu do të organizonte më së miri pushtetin vendor,duke evendosur ate në parametra plotësisht ligjore.Në bashkinë e Gostivarit,për aq kohë,funksionoi më së miri shqiptarizma pa cenuar aspak fqinjësinë e mirë të shqiptarëve.Kadri Efendiu askurrë nuk mendonte për revansh ndaj maqedonasvesllav,megjithëse shumë prej tyre patën diskriminuar gostivarasit.Ai kurdoherë gjykonte qetësisht situatat dhe parapëlqente t’u jepte të drejta,diçka më shumë,atyre që nuk ishin shqiptarë.Në shoqërinë e prefektit të Gostivarit Xhevat Kallajxhiu,si edhe të komandantit të forcave të Ballit, Xhem Gostivarit,Kadri Efendi Saliu do të luftonte gjithashtu në mënyrë të hapur kundër komunizmit.Pikërisht atëherë,kur mori vesh për krijimin e aradhave komuniste,në Maqedoninë shqiptare,me nismën e vet ai organizoi një tubim të krejt popullit të Gostivarit me rrethina.”Në mbledhjen e Gostivarit,ishin të pranishëm edhe persona me arësim të lartë dhe superiore si edhe njerëz të dalluar në jetën politike.Ndër ta ishte edhe juristi Kadri Saliu,kryetar i Bashkisë,për të cilin pohonte se ka thënë ; “Dëgjoni burra ! Të mendojmë dhe kuvendojmë për vatan,por edhe din e imam.Sistemi komunist jo vetëm që nuk na e siguron këtë,por na shkakton edhe dëm.Po të mendojmë për të kaluarën duhet të mbajmë llogari që të mos të na përsëritet historia”.
( B.Begzati “ Xhemë Hasa – ushtarak demokrat “ faqe 41 ).
Në kuvendin e Gostivarit u vendos që të forcohej pushteti vendor i shqiptarëve,nëpërmjet një disipline të çeliktë në formacionet nacionaliste,u ngrit gjyqi ushtarak i cili do të vepronte mbi këto që shkelte parimet e bashkëjetesës,si edhe mbrohej popullsia sllavomaqedonase duke mos i keqtrajtuar për t’i shpërngulur.Nga kuvendi në fjalë,u lexua edhe një rezolutë,ku bëhej me dije komanda e lartë gjermane në Prishtinë që në këto troje,pushteti i shqiptarëve ishte i gjithfuqishëm dhe ata do të kontrollonin vetë çdo lloj organizimi të mbrendshëm.Më pas kuvendi historik i Gostivarit,caktoi udhëheqësit e njësive operative ushtarake me ç’rast mund të citojmë ; Zaim Simnica,Mefail Zajazi,Shefket Presheva,Mere Sermnova,Izet Gjonovica,Ibrahim Tërnova etj. E vërteta është se gjatë vitit 1944,Kadri Efendi Saliu,u detyrua të përballet me ngjarje të shumta dhe tejet të koklavitura.Por duke vënë në plan të parë,ligjin dhe pjekurinë,ai bëri ç’ishte e mundur për normalizimin e jetës së gostivarasve.Ka ende njerëz që kujtojnë se në motin 1944,u çel shkolla shqipe jo vetëm në qytet por edhe në fshatra.Librat shqip të ardhur nga Tirana mbushnin dyqanet dhe shtëpitë e Gostivarasve ndërsa kënga shqipe këndohej pa frikë në odat e mëdha të fshatrave dhe qytetit.Gostivarasit ndërkaq nuk kanë harruar se pas kaq shekujsh robërie,për të parën herë qëndroi aq gjatë,flamuri ynë kombëtar,në ballë të Bashkisë,Prefekturës,shkollave si edhe garnizoneve të ushtrisë.Mendoj se ende sot,në Gostivar,nuk kanë arritur të kuptojnë bashkëkombasit e mij,të qenurit i lirë,në vendin tënd,të qenurit krenar,në krenarinë e përgjithshme njerzore.
E ndërsa lavdia e RAIHUT të TRETË po perendonte,aradhat nacionaliste dhe ato partizane të serbo-sllavomaqedonasve,patën ndërtuar strategjinë e tyre të dhunës ndaj popullit shqiptar.Shtabi i lartë ushtarak sllavomaqedonas,në tetorin e viti 1944,nuk nguroi të dilte hapur,në planet shovene të tij.Kështu,në një material të shtabit të Divizionit të Kumanovës,duke bërë fjalë për masakrimet që u bëheshin banorëve në Maqedoninë shqiptare,pos të tejrave thuhet ;”Kemi urdhëruar me i vra 50 përqind të shqiptarëve”.( Arkivi i Maqedonisë, Shkup. Dosja 3313 .Urdhër i Shtabit të Divizionit të Kumanovës 3-X-1944 ).
Edhe përballë gjakderdhjes që po bënin serbo-sllavomaqedonasit,Kadri Efendi Saliu nuk u tremb.Ai dijti të orientohej drejt çdo situate duke u mbështetur fuqimisht tek Xhem Gostivari e trimat e tjerë,të këtyre viseve.Kështu,deri në nëndorin e vitit 1944,atëhrë kur aradhat e nacionaçlirimtarëve shqiptarë e sllavomaqedonas,marrshuan nëpër maqedoninë shqiptare duke vendosur pushtetin e tyre bollshevik,ç’prej kësaj dite Kadri Saliu u shkëput nga jeta politike për të vazhduar veprimtarinë në drejtësi,duke menduar se kish bërë gjithshka për popullin e Gostivarit e më gjërë.
Por pa kaluar ende tri javë,në fundjanarin e vitit 1945, e arrestojnë në mesnatë,përmes sharjeve e fyerjeve,duke marrë zvarrë në sy të vajzave e djalit të tij.OZNA jugosllave me qendër në Beograd e Shkup,nuk mund t’ia falte Kadri Saliut,ate pushtet shqiptar për të zhdukur çdo gjurmë të nacionalizmit shqiptar,shpalosej hapur.Paradoksi qëndron në faktin që këtë strategji e mbështeste edhe klika komuniste e Tiarnës.Kështu shtypi shqiptar i atyre ditëve,duke bërë jehonë vizitës së Nexhat Agollit(nënkryeministër i Maqedonisë Federative) është shprehur tekstualisht : “Që të forcohet vëllazërimi ynë,thotë shoku nexhat Agolli,populli i Maqedonisë dhe pakicat shqiptare kanë vendosur të shfarosin rrënjësisht ngatërresat shoveniste dhe kriminelët e luftës”.(Gazeta “Bashkimi” më datë 14 shkurt 1945 ).
Me siguri burri trim i Gostivarit,udhëheqësi dhe juristi i sprovuar në rrafsh të ideve të Shqipërisë etnike,hynte në radhët e “ngatërresarëve shovenistë”.Fshehur familjes,fshehur shokëve,natën më 21 shkurt të vitit 1945,Kadri Saliu diku pushkatohet nga OZNA kriminale pa gjyq.Ata i njihnin aftësitë e tij juridike dhe intelektuale ndaj i trembeshin gjyqeve,sidoqë mund t’i montonin.Gjaku i pafajshëm i Kadri Efendi Saliut,është bashkuar me gurgullimën e mijëra heronjëve nacionalist të Shqipërisë Etnike,që nuk u dihet ende varri,por shpirti i tyre përcjell mesazhe lirie nga e sotmja në të nesërmen.Amanetet gjithmonë rinë të freskëta.
Bern-Zvicër
Margareth M. Hasluck, një skoceze më shumë se një shqiptare
Nga Fahri Xharra/
Ishin burra dhe gra të botës që vinin në anët tona ,të na shohin , të na përshkruajnë , të na studjojnë . Qëllimet ishin të ndryshme. Por mjeshtria e artit të mbijetesës së shqiptarit i bënta ata që të dashurohen në vendin ,tokën, malet dhe frymën tonë sa që ngelnin përherë tek ne , dhe nga ne , si të ishin më shumë se me gjak shqiptari lëshonin zërat e tyre nëpër botë duke shkruar e duke i treguar botës se kishin hasur në një popull me qëllim të keq të lënë anash, të injoruar , të përçmuar e të nënçmuar .!
Detyrat që ata dhe ato ishin të ngarkuar ishin nga më të ndryshmet ; por magnetizmi i një toke të etshme për liri ,për dashuri njerëzore dhe për dheun e tyre të parë i bënta ata të ngjiteshin si “miza në mjaltë “dhe të mos largoheshin kurrë nga ëmbëlsia e kësaj toke.
Margaret Masson Hardie Hasluck (18 .06. 1885 – 18 .10 .1948) ishte ndër ato që neve na e rriti “namin” në botën e kohës së saj , atëherë kur me të vërtetë nevojitej të fliste dikush mirë për ne..Zonja Hasluck e nisur me një detyrë dhe punë antropollogjike e vizitoi Shqipërinë dhe Maqedoninë ; dhe mbati për 13 vjet në shtëpinë e saj në Elbasan , duke u bërë legjendë në mesin e shqiptarëve dhe duke publikuar artikuj të shumtë të shkruar për ne , në mesin e të cilëve ishte botimi i parë i English-Albanian grammar and reader. (Këndime Englisht-Shqip dhe garmatika)
Miqësinë shqiptare e njofti edhe me lidhjen romantike me shkollarin dhe politikanin shqiptar Lef Nosin , të cilit ia la në trashëgim një bibliotekë të pasur .
Kur Zonja Hasluck e fitoi grantin nga Universiteti i Aberdinit qe ne Shqiperi te mirret me hulumtime etnografike , ajo nuk e dinte qe do ta meson edhe gjuhen shqipe dje do ta dashuron aq shumë një popull të huaj per te.
Ishte në shenjestër të shërbimeve të mëshefta dhe kur Italia e pushtoi Shqipërinë më
1939 , u detyrua të largohet në Athinë.Kur pas pak kohësh edhe Athina bëhej e pa sigurtë për jetën e saj , me urdhër të Shërbimi Sekret Britanik u shpërngul në Stamboll dhe pastaj në Kairo.Me 1945 u gjet që ajo vuante nga Leukimia ,kështuqë shkoi në Dablin (Dublin)ku edhe vdiç
Ajo ishte gjeografe, gjuhëtare , epigrafe, arkeologe dhe shkollare skoceze e dashuruar në Shqipëri, Ishte pioniere e ekspertëve për Shqipërinë, e lindur me 1885 dhe u bë një nga ekspertet kryesore Perëndimore për popullin dhe kulturën shqiptare. Librat e saja të shkruara nga përvoja e saj e gjallë në mesin e shqiptarëve janë ende të të pathyeshme pë temen që e traatojnë. “Anglezka” e quanin shqiptarët nga dashuria për te.E lindur si skoceze , por në “ vendlindjen “ e saj të dytë u bë heroinë e kohës.
Vitet e saja të kaluara në Elbasan ishin plot fryte dhe kënaqësi.
Bota i dërgonte misionarët e ndershëm të saj që të thonë fjalën e vërtetë pë një popull të harruar por grabitur e plaçkitur pa mëshirë. Edhe Bernard Newman ishte nga ata udhëtarë të Europës që u takua edhe me Zonjën Hasluck(1936)
Shteti i kohës ia kishte dhënë një truproje , të cilin u desht kohë që ajo ta pranojë, e Newmani në kujtimet e tij e përmend atë që i kishte shërbyer verë qershijash
“Margaret Masson Hardie Hasluck (1885-1948)” nga Sharon R. Stockerështë libri ku në mënyrë të qartë e pa lakime e pasqyron jetën e saj prej shkencëtari në Shqipëri.
Është një bibliografi e gjerë e cila duhet të përkthehet dhe të lexohet që të kemi më të qartë se çka mendonte bota për ne së cilës nuk i jemi falmnderues . Europa është me ne , por ne duhet të ndërrojmë pak në mentalitetin tonë. ja se çka ka për t`u lexuar: “
The Shrine of Men Askaenos at Pisidian Antioch, 1912 ;Dionysos at Smyrna, 1912–1913
The Significance of Greek Personal Names, 1923 ;Christian Survivals among Certain Moslem Subjects of Greece, 1924 ;The Nonconformist Moslems of Albania, 1925
A Lucky Spell from a Greek Island, 1926;The Basil-Cake of the Greek New Year, 1927
An Unknown Turkish Shrine in Western Macedonia, 1929 ;Measurements of Macedonian Men, 1929;Këndime Englisht-Shqip or Albanian-English Reader: Sixteen Albanian Folk-Stories Collected and Translated, with Two Grammars and Vocabularies, Cambridge, 1932;Physiological Paternity and Belated Birth in Albania, 1932
Bride-Price in Albania: A Homeric Parallel, 1933;A Historical Sketch of the Fluctuations of Lake Ostrovo in West Macedonia, 1936;The Archaeological History of Lake Ostrovo in West Macedonia, 1936;Causes of the Fluctuations in the Level of Lake Ostrovo, West Macedonia, 1937 ;The Gypsies of Albania, 1938;Couvade in Albania, 1939 ;Oedipus Rex in Albania, 1949 ;The unwritten law in Albania, publ. 1954, ISBN 0-88355-910-2
Festivali i 24-të, Shqiptar në New York, një “Shqipëri e Vogël” në Amerikë
Komuniteti Shqiptaro-amerikan në SHBA u mblodhën në Festivalin vjetor shqiptar të muzikës dhe folklorit kushtuar 15 vjetorit të çlirimit të Kosovës, Ky festival i organizuar nga Qendra Kulturore Nena tereze e Kishes Katolike Shqiptare” Zoja e Shkodrës”, përbën ngjarjen më të madhe kultuorre artistiek shqiptare në Shtetet e Bashkuara.
Nga Beqir Sina/
BRONX NY: Rreth 3500 pjesmarrës nga i gjithë komunitetit shqiptaro-amerikan, në zonën e Tri-Shteteve – New York – New Jersey dhe Connecticut, natën e së Dielës ishin mbledhur së bashku për ndjekur mes kënaqësis dhe emocioneve të bukura muzikore – festivalin e 24 vjetor – Shqiptar, një festë e përvitshme kjo e ngjyrave të bukura të kostuemeve folklorike, muzikës dhe valles shqiptare, e cila vjen këtu përtej oqeanit origjinale nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës, shqiptarëve në Mal të Zi, Maqedoni, Çamëri, diasporë e gjetkë.
Dhe, padyshim që kjo është dhe ngjarja më e madhe kulturore e komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara, e cila mbahet për çdo vit në prag të festës së madhe të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë – 28 Nëntorit 1912 ditës së ngritjes së Flamurit – Kuq e Zi.
Mbrëmë komuniteti shqiptaro-amerikan festoi festivalin e 24 vjetor shqiptar të muzikës dhe folklorit duke ia kushtuar atë 15 vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Komuniteti shqiptar i zonës së Tri-Shtetshit ishte i nderuar që ka qenë pjesë e kësaj feste që ka ekspozuar me muzikë, këngë, kostume, valle, humor dhe poezi , artin dhe kulturën tonë, të cilat janë pjesa më e bukur e këtij aktiviteti – ku komuniteti shqiptaro-amerikan të vijë nga të gjitha kryeqendrat shqiptare në Amerikë.
Festivali Shqiptarë u mbajtë ditën e diel, më 16 nëntor 2014, nga ora 6 e mbrëmjes deri në orën 10 të mbrëmjes në Qendrën e Arteve në Lehman College, në Bedford Park Boulevard, në qytetin e Bronxit – New York.
Për realizmin e këtij festivali një punë të madhe kanë bërë Famullitar Dom Pjetër Popaj, i cili edhe e udhëheq këtë festival – Drejtori i Qendrës Nëna Tereze: Mark K. Shkreli – Drejtor i Festivalit: Simon Vukel, dhe Drejtor Artistik dhe Regjia të cilat janë të Ludvig Çotaj
Drejtor Organizativ i këtij festivali është Fran Çotaj – ndërsa Konferencierë ishin Etrita Ibroci dhe Ariot Myrtaj. Bashkpuntor artistik: Gjovalin Lumaj kurse Reklamat janë të përgatitura nga Lule Gjokaj, Age Ivezaj, Margarita Kocovic, Daniel Tushaj. Shoqërojë festivalin Orkestra: “Alba” drejtuar nga Edmond Xhani
Kurse Këshilli Drejtues i Festivalit ishte: Simon Vukel – Drejtor Ismer Mjeku Fran Çotaj Ludvig Çotaj Mark Shkreli anëtarë.
Famullitari Peter Popaj, i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, ka përshëndetur dhe i ka uruar me këtë rast mbarësi aktivitetit – duke folur në Festivalin e 24 të Shqiptarë – Kurse assemblyman i parë shqiptarë i shtetit të New Yorkut, Mark Gjonaj ka përshëndetur festivalin dhe ka faleminderuar mbështetsit e tij për rizgjedhjen. Në këtë festë të këngës, valles dhe muzikës shqiptare, janë prezantuar me interpretimet e tyre të shkëlqyera, duke marrë duartrokitjet e gjata nga publiku disa nga emrat më të njohur të skenës shqiptare si, Gezim Nika, Merita Halili, Hajro Ceka, Agron Maqellara, Kino Gara, Nik Carku, Fitore Mamaqi – këngëtaria e re e talentuara Dea Elezaj, dhe Adem Kaliqi me korin Veherada Bekteshi.
Si dhe : Grupi “Kelemendi” nga Nju Jorku , “Bashkimi” nga Bostoni, me Koreograf Bashkim Braho, Grupi “Bashkimi Kombëtar” nga Nju Jorku, Gjergj Dedvukaj, Grupi “ROZAFATI” – Koreografia: Angjelina Nika, Grupi POLIFONIK nga Bostoni, Grupi “SHQIPONJAT E VOGLA” nga Toronto – Ansambli Artistik “KENGA DHE VALLJA SHQIPTARE” – Koreografia: Pranvera Cobo, – Grupi folklorik nga Fondi i Perbashket Shqiptar, i Patersonit – koreografia Xhema.
Të gjithë kan qenë të shoqëruara mjeshtërisht nga orkestëra proffessionale “Alba”.Drejtori me Festivali e shoqëruar nga Grupi muzikor ALBA me udhëheqës artistik i grupit kitaristi mirënjohur Edmond Xhani.
Festivali vjetor shqiptar, i cili është një festë e kulturës shqiptare, duke përfshirë edhe veshje tradicionale shqiptare, si xhubleta dhe chakshir, instrumente muzikore unike të tilla si çiftelia e lahute, gjethii, tepsia, fyelli, tupani, është parë si një mundësi të rrallë për të dëgjuar dhe parë një shumëllojshmëri të kostumeve shumëngjyrshe nga të gjitha trevat, muzikës dhe valles shqiptare në Amerikë.
Supriza e këtij, festivali ndoshta ishte dhe “dhurata” më e bukur e cila erdhi nga Ansambli me 60 anëtarët muzikanët amerikanë të cilët morën pjesë në këtë festival të kulturës dhe muzikës shqiptare, duke kënduar shqip së bashku me publikun dhe me muzikantët e njohur Merita Halili dhe Raif Hyseni
Kjo ndoshta ka qenë edhe kësaj radhe një nga gjërat më të bukura të këtij festivali – paraqitja e ansamblit me 60 muzikan amerikan të udhëhequr mjeshtrisht nga mjeshtri i fizarmonikës Raif Hyseni dhe “Mbretëreshës” së Këngës popullore të Shqipërisë së Mesme Merita Halili – të cilët kan formuar këtë grup të jashtëzakonshëm të amerikanëve të apasionuar pas muzikës, që këndojnë këngë të bukura popullore, dhe që të habisin me mënyrën se si kanë përvetësuar virtytet e folklorit tonë kombëtar.
Grupi u pritë me duartrokitje të zjarrta kur u shfaq për të kënduar mbrëmë në festivalin e përvitshëm folklorik që organizon Kisha Katolike Zoja e Shkodrës në New York, ku të gjithë thanë se ata :”Nuk janë shqiptarë, por këndojnë shqip më mirë se ne!”
3,500 vendet e mbushura përplot të qendrës kluturore në kolegjin e Bronxit, janë bukuria tjetër e këtij festivali, e cila tashm?7 ka bërë traditë – Ajo rregullisht është mbushur përplot me të rinjtë e të reja, deri edhe fëmijë, të rritur dhe të moshuar shqiptaro-amerikan që kan përjetuar natën më të bukur kulturore. Megjithse, shumë prej këtyre fëmijëve, janë të lindur më së shumti në këtë vend, por ata dëshirojnë të flasin shqip dhe janë krenarë për kulturën që ata kanë trashëguar nga paraardhësit e tyre. Kështu ndodhi edhe me këngën “Oh sa mirë me qen Shqiptarë ” dhe “Folë Shqip”, ku duratroktijet dhe motivi patriotik i këtij festivali i ka ndezuar ndjenjat tona kuq e zi për më shumë e 4 orë.
Të vendosur për të mbështetur traditat dhe zakonet e tyre, shqiptarët e Amerikës, edhe pse kaq shumë larg vendorigjinës së tyre, këtu përtej oqeanit janë shumë krenar dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbasi shqiptarët, askund, si në Amerikë- nuk kanë gjetur një shtëpi të dytë, një mikë të madh të kombit shqiptarë – ku ata janë inkurajuar dhe të mbështetur të promovojnë traditat e tyre të lashtë dhe zakonet.
Festivali Shqiptarë, është duke u zhvilluar për 24 vjet me radhhë, dhe kjo falë atyre që e themeluan për herë të parë këtë festival – nën përkujdesjen shëmbullore nga Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës në Hartsdale, New York, i mbashtetur edhe nga artistë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Pesheva Valley, Çamërisë dhe të gjithë shqiptarët në Shtetet e Bashkuara, të cilët prezantojnë muzikën tradicionale shqiptare këngën e vallen popullore .
Shumica e të pranishëmeve, dhe atyre që e themeluan këtë festival janë emigrantë të vjetër në Shtetet e Bashkuara, të cilët i kujtojnë këto festivale si një një festë të së kaluarës së tyre, por gjithashtu aty përfshihen edhe homazhe në vendin e tyre të dytë, Shtetet e Bashkuara. Qëllimi i festivalit është të ruajë këtë kulturë dhe të bëjë krenar për brezat që vijnë.
Natyrisht, që kjo është ngjarja më e madhe shqiptare kulturore për të ruajtur dhe festuar trashëgiminë shqiptare dhe kulturës për gjeneratat që vijnë në Shtetet e Bashkuara.
Mbasi, Festivali Shqiptar (Festivali Shqiptar), me preformacën e tij ka arritur të bëjë së bashku komunitetin shqiptar pavarësisht përcaktimeve të tyre fetare dhe trevave prej nga ata vijnë. Festivali ruan dhe mbështet muzikë dhe valle me tradita indigjene në komunitetin shqiptar, dhe siguron që ato do të vazhdojnë të ekzistojnë dhe të kenë kuptim për brezat e ardhshëm. Në të njëjtën kohë Festivali i ofron publikut të gjerë një mundësi për të festuar dhe të ndajnë thesarin e madh të kulturës shqiptare. Së fundi, Festivali Shqiptar feston shprehjet kulturore të komunitetit shqiptar, si pjesë e identitetit tonë kombëtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Le ta ndihmojmë vetveten duke ndihmuar Universitetin e Prishtinës
Nga Uk Lushi dhe Qëndrim R. Gashi*/
Nuk është e rastësishme që diskutimet dhe vendimet rreth Universitetit të Prishtinës zënë shpesh vend të rëndësishëm në diskursin tonë publik. UP-ja, si universiteti më i madh dhe më i vjetër në vend, vazhdon të jetë institucioni qendror i arsimit të lartë dhe i shkencës në Kosovë që ka vlerë historike për popullin tonë dhe ndez emocione për shumë bashkëqytetarë, të cilëve për një kohë të gjatë iu mohuan të drejta themelore, përfshirë të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare.
UP-ja u themelua falë angazhimit dhe betejave të vështira të gjeneratave të tëra të popullit tonë nën pushtim. Duke mbrujtur breza të shumtë me dije dhe ideale të lirisë, në fakt, kjo çerdhe e edukimit, shkencës dhe artit, është njëri nga prindërit e lindjes së UÇK-së. Ndërsa flasim për ish-ushtarët dhe familjarët e tyre— pjesën më fisnike të popullit dhe së cilës i detyrohemi jashtëzakonisht shumë për lirinë që e gëzojmë— duam të bëjmë të qartë si kristali mirënjohjen tonë më të thellë për kontributin e tyre gjigant.
Mirëpo askush nuk ka të drejtë të përdorë ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare apo familjarët e tyre për të shkelur idealin dhe amanetin e UÇK-së për drejtësi dhe paanësi. Universitetet nuk janë fabrika të prodhimit serik të diplomave që nuk konfirmohen nga nxënia e diturisë siç nuk janë as ndërmarrje bamirësie apo filantropike.
Ne jemi të merakosur me trysnitë dhe ndërhyrjet flagrante të politikës dhe grupeve të caktuara të interesit në punën dhe procedurat autonome të UP-së. Shqetësimi ynë është shtuar veçanërisht ditëve të fundit ndërkaq vijon furtuna në gotë e regjistrimit dhe pranimit pa kaluar nëpër sitën e selektimit të mbi 1000 kandidatëve për studentë që rrjedhin nga familjet e ish-veteranëve të UÇK-së. (UP-ja tanimë e ka adresuar çështjen e fëmijëve të dëshmorëve duke u dhënë atyre pesë pikë bonus në start). UP-ja, si çdo institucion serioz i arsimit të lartë, si kritere vlerësuese primare duhet t’i ketë aftësitë studiuese dhe rezultatet.
Afirmimi dhe diskriminimi janë dy koncepte të ndryshme dhe ky i dyti më së pakut duhet të nxitet dhe përkrahet nga Shoqatat e ish-ushtarëve të UÇK-së. Familjarët e luftëtarëve të lirisë duhet të gëzojnë të gjithë përkrahjen, privilegjet dhe të drejtat speciale që i meritojnë, veçse nuk duhet që nën pretekstin e gjoja ndihmës së tyre të bëhen kompromise me diturinë sepse kështu dëmtohen si përfituesit ashtu edhe shoqëria.
Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së sigurisht që kanë bërë shumë për anëtarësinë dhe familjarët e heronjve të luftës, porse, nëse duan që të ndihmojnë konkretisht dhe si duhet kolegët dhe familjet sakrifikuese të UÇK-së, ato duhet të përqendrohen dhe kërkojnë përmbushje të obligimeve nga institucionet shtetërore, që janë përgjegjëse direkte për gjendjen jo të mirë të shumë familjeve të dëshmorëve, të invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së— edhe pesëmbëdhjetë vite pas çlirimit. Memorandumet, si zgjidhje të përkohshme dhe të paplota, duhet të zëvendësohen me ligje adekuate për status, të drejta dhe benefite, si zgjidhje e përhershme dhe precize, siç është rasti i ushtarëve pjesëmarrës në luftëra në çdo shtet të botës.
Nga disa është keqpërdorur argumenti i gabuar krahasues mes kandidatëve të lidhur me UÇK-në dhe minoriteteve duke u shtruar pyetja se pse duhet të pranohen me njërin sy mbyllur shtetasit nga pakicat kombëtare dhe jo njerëzit e UÇK-së? Është një lajthitje naive të vihen paralele midis shumicës absolute dhe pakicës që nuk e ka fuqinë të ndikojë në mbingarkesë të një institucioni si UP-ja. Pyetja e duhur do të ishte: pse kanë sukses shumica e studentëve dhe akademikëve shqiptarë kur pranohen dhe studiojnë nëpër universitetet më të forta botërore? Dhe përgjigjja është: sepse institucionet arsimore-akademike të mirëfillta përdorin kritere të ashpra dhe studiuesit punojnë shumë të fitojnë kualifikimin dhe suksesin. Ndërsa institucionet e arsimit dhe shkencës në Kosovë, pothuajse si rregull, nuk i kanë standardet mjaftueshëm të larta dhe lejojnë të prodhojnë kuadër jo të mirëkualifikuar.Regjistrimi dhe pranimi i kandidatëve me automatizëm në institucione të arsimit, artit dhe hulumtimit shkencor i ngarkon ato me mbikapacitete që nevojisin rritje të hapësirës dhe kuadrit mësimdhënës dhe administrativ dhe tautologjikisht si rrjedhojë ndodh ulja e cilësisë dhe potencialisht dështimi i misionit arsimor dhe akademik. Gjendja në UP është e rëndë qe shumë kohë dhe fajtorë për të jemi të gjithë nga pak. Që të shpëtojmë dhe përmirësojmë universitetin publik më të njohur të shtetit të Kosovës duhet të kontribuojmë dhe veprojmë të gjithë dhe pa hezituar derisa të ndalet degradimi.
Shoqëria jonë nuk duhet të rrijë pasive. Ne i ftojmë studentët, profesorët, përfaqësuesit e popullit, intelektualët, punëtorët dhe çdo qytetar të ngrehin zërin dhe bëjnë çdo gjë që UP-ja të bëhet vatër e zjarrit dhe ndriçimit të diturisë. Ne jemi të bindur që shumica absolute e ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe familjarëve të tyre do të jenë në ballë të këtij aktiviteti dhe kontributi.
Vlerat e luftës për liri dhe të UÇK-së mbrohen më së miri nëse nderohen dhe zbatohen principet e meritokracisë, kreativitetit dhe arritjes. Veteranët e UÇK-së dhe familjarët e tyre ndihmohen më së shumti duke mos lejuar persona të caktuar që për agjenda personale dhe grupore të manipulojnë listat e fëmijëve të ish-ushtarëve të UÇK-së duke futur në to p.sh. të afërm dhe/ose kandidatë që paguajnë. Një njeriu të mirë dhe i cili do të jetë i dobishëm për shoqërinë dhe kombin nuk i nevojitet diploma pa njohuri dhe meritë sepse kjo është sikur njeriut t’i dhurohet trupi pa tru dhe vullnet të lirë. UP-ja duhet të rikthehet në universitet ku përgatitja, dedikimi dhe puna e palodhur prodhojnë inovacion dhe krijimtari.
Nëse nuk i bëjmë universitetet tona si duhet dhe nëse nuk e bëjmë sektorin e arsimit prioritet numër një, nuk do të kemi as shtet dhe as jetesë si duhet. Le t’i ndihmojmë si UP-në ashtu edhe heronjtë e UÇK-së duke e bërë Universitetin e Prishtinës më cilësor dhe më konkurrues dhe duke e trasuar përgjegjësinë dhe meritokracinë individuale sepse kështu i ndihmojmë vetvetes.
*Uk Lushi dhe Qëndrim R. Gashi janë ish-studentë të UP-së. Lushi është i diplomuar për matematikë dhe ekonomi në Columbia University të Nju Jorkut dhe ka qenë ushtar i UÇK-së, ndërkaq Gashi është i doktoruar për matematikë në University of Chicago dhe tash punon si profesor në UP.
*Uk Lushi dhe Qëndrim R. Gashi janë ish-studentë të UP-së. Lushi është i diplomuar për matematikë dhe ekonomi në Columbia University të Nju Jorkut dhe ka qenë ushtar i UÇK-së, ndërkaq Gashi është i doktoruar për matematikë në University of Chicago dhe tash punon si profesor në UP.