• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

UDHËHEQSI I RI I SENATIT AMERIKAN DHE SHQIPTARËT

November 12, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Në zgjedhjet e fundit që u mbajtën javën e kaluar në Shtetet e Bashkuara për anëtarët e ri të Senatit dhe të Dhomës së Përfaqsuesve, Partia Republikane fitoi shumicën në të dyja Dhomat e Kongresit, duke thelluar kështu shumicën që gëzonin më parë në Dhomën e Përfaqsuesve dhe si përfundim i zgjedhjeve të fundit, republikanët tani kontrollojnë edhe Senatin. Nga kjo fitore, Partia Republikane do të ketë në janar nën kontroll të dyja Dhomat e Kongresit. Pritet që kryetar i Senatit të ri që fillon punën në janar të vitit 2015, të zgjidhet Senatori Mitch McConnell i shtetit Kentaki.
Si emër, Senatori McConnell ndoshta nuk njihet mirë në trojet shqiptare, siç njihen për shëmbëll ish-Senatori Robert Dole, Hillary Clinton, Kongresmeni Eliot Engel e shumë të të tjerë republikanë e demokratë, gjatë tri dekadave të fundit, si mbështetës të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre në Ballkan. Por e vërteta është se edhe Senatori Mitch McConnell ka merita pasi ishte dhe është një mbështetës i të drejtave të shqiptarëve, gjë që e tregoi sidomos gjatë luftës në Kosovë. Nja dy javë para zgjedhjeve të 4 nëntorit, Senatori Mitch McConnell ishte ftuar të takohej në Nju Jork me disa përfaqsues të komunitetit shqiptaro-amerikan, nga aktivisti i shquar dhe biznismeni më i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe miku i tij i ngushtë prej shumë vitesh i Senatorit McConnell, Xhim Xhema. Nuk mund të flitet për Senatorin Mitch McConnell dhe mbështetjen e tij për të drejtat dhe lirinë e shqiqptarëve, pa folur për Xhim Xhemën. Xhim Xhema, është i lindur në Preshevë, por thotë se familja e tij është me origjinë prej Shkrelit të mbi Shkodrës. Ai ka ardhur në Amerikë dekada më parë dhe njihet si një shqiptaro-amerikan, i cili me devocionin e tij ndaj çështjes kombëtare dhe mbështetjes së tij ndaj interesave dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve kudo. Ai së bashku me disa bashkatdhetarë të tjerë nga komuniteti — ka luajtur një rol të rëndësishëm, për të mos thënë jetik në përpjekjet për të bindur asokohe qeverinë dhe Kongresin amerikan për të miratuar ndërhyrjen ushtarake të NATO-s më 1999, gjë që i dha fund shtypjes brutale të forcave terroriste të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës si dhe spastrimit etnik të shqiptarëve nga trojet e veta. Xhim Xhema vetë është tepër modest dhe nuk i pëlqen aspak publiciteti, sepse ai me të vërtetë beson në ato që bën dhe nuk pret asnjë shpërblim as njohje nga askush. E kisha takuar Xhimin për herë të parë në Washington diku nga fillimi i 1980-ave dhe gjatë viteve e dekadave që pasuan, shpeshë më ka ndodhur të jem dëshmitar i influencës dhe rolit që Xhim Xhema ka luajtur dhe luan gjithnjë në favor të kauzës shqiptare, të drejtave të tyre të njeriut për ta dhe në përmirësimin e jetës së të gjithë shqiptarëve në trojet e veta, anë e mbanë Ballkanit Perëndimor. Nuk besoj të ketë ndonjë shqiptar tjetër në Amerikë apo kudo gjetkë që të ketë kontribuar mund, djersë dhe fonde sa Xhim Xhema – me objektivin për të bërë të njohur çështjen shqiptare në Amerikë e në botë, dhe si rrjedhim të veprimtarisë së tij të palodhur, të ketë kontribuar për një jetë më të mirë të shqiptarëve kudo, por sidomos për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Për disa dekada tani, Xhimi është dalluar në komunitetin shqiptaro-amerikan si një veprimtar që kishte lidhje të ngushta me një numër të madh personalitetesh të politikës amerikane. Ai i përdori këto lidhje me shumë mjeshtëri për t’i bindur ata se shqiptarët meritonin të drejtat, lirinë, paqën dhe stabilitetin si çdo popull tjetër në Ballkan dhe në Europë. Ndër politikanët më të dalluar që Xhim Xhema kishte zhvilluar një miqësi të gjatë dhe të frutshme, ishin ndër të tjerë, ish-Senatori republikan i shtetit Kansas, Robert Dole dhe Senatori i tanishëm Mitch McConnell nga shteti Kentaki, i cili janarin që vjen — në rolin e tij si kryetar i shumicës republikane — pritet të zgjidhet Kryetar i Senatit të Shteteve të Bashkuara.
Ishte viti 1998 kur Serbia ndërmori një fushatë terrrori kundër popullësisë civile të pafajshme dhe të pa armatosur të shqiptarëve të Kosovës duke i masakruar ata, duke u djegur shtëpitë, duke dhunuar dhe duke kryer një numër barbarizmash e mizorishë, me qëllim për të spastruar etnikisht Kosovën nga popullësia autoktone shqiptare. Ishte kjo një dhunë barbare e pa parë në Europë ç’prej hollokaustit të Luftës së Dytë Botërore. Dhe ishte Presidenti i Shteteve të Bashkuara Bill Klinton ai që më në fund bindi botën dhe Aleancën e Atlantikut Verior, NATO, Kongresin dhe opinionin amerikan dhe botëror, se ndërhyrja ushtarake kundër Serbisë ishte e vetmja zgjidhje për të ndaluar masakrën e popullit shqiptar në Kosovë nga forcat brutale policore dhe ushtarake të Millosheviçit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndruan në krye të përpjekjeve ndërkombëtare duke luajtur rolin kryesor para dhe pas luftës, si udhëheqse për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga shfarosja. Ishte ky një mesazh nga Washingtoni zyrtar se gjenocidi dhe spastrimi etnik nuk do të toleroheshin në shekullin 21.
Por ndërhyrjes ushtarake perëndimore kundër Serbisë i kishte paraprirë një fushatë e gjatë dhe shpeshherë e lodhëshme nga aktivistë të komunitetit shqiptaro-amerikan si Xhim Xhema për të bindur Shtetet e Bashkuara dhe përfaqsuesit e saj politikë në Washington, si Senatorin Mitch McConnell dhe shumë të tjerë si ai, se gjenocidi kundër popullit shqiptar në Ballkan nuk duhej të tolerohej.
Sipas një video të vendosur në “youtube” nga gazetari Halil Mula, në takimin e fundit parazgjedhor me Xhim Xhemën dhe me përfaqsues të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork, Senatori McConnell pohoi se është njohës i çështjeve shqiptare duke shtuar se “Të gjitha njohuritë e mia për Shqipërinë dhe për Shqiptarët i kam nga Xhim Xhema”. Ndërsa Z. Xhema përshëndeti Senatorin McConnell dhe të pranishmit, duke thënë se, “Jemi këtu sepse dua që miku i ynë i mirë Mitch McConnell të bëhet udhëheqsi i shumicës në Senat. Duam të kemi një agjendë të re në vitin 2015. Shpresojmë që të çojmë këtë vend përpara dhe të ndryshojmë për më mirë të gjithë atmosferën në Washington”, shtoi ai. “Të ndërtojmë vendin tonë, ta bëjmë atë përsëri, ndonëse jemi gjithnjë në vend të parë – po pësojmë zmbrapsje. Ne jemi më të mirët, ne prodhojmë më së shumti, ne jemi më të mençur, gati për të luajtur rolin që ky vend (Amerika) ka luajtur shekullin e kaluar.” Këtë, theksoi Xhim Xhema, “mund ta bëjë vetëm Washingtoni dhe udhëheqës si miku im këtu sonte, Mitch McConnell.”
Gjatë krizës në Kosovë, Senatori Mitch McConnell së bashku me disa ligjvenës të tjerë të Kongresit amerikan të dy partive kryesore amerikane, ishte në krye të përpjekjeve për të bindur opinion amerikan dhe Kongresin se diçka duhej bërë për të ndaluar gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë, duke mos përjashtuar edhe ndihmën ushtarake për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai së bashku me një mbështetës tjetër të shqiptarëve në Kongres, ish-Senatorin Joe Lieberman kishin propozuar një fond prej 25-milion dollarësh për të armatosur UÇK-ën për ta aftësuar atë të vet-mbrohej nga sulmet serbe. Ndërhyrja eventuale e NATO-s kundër Serbisë, bëri që ky propozim të mos miratohej nga Kongresi. Argumenti i Senatorit McConnell dhe të tjerëve ishte se Shtetet e Bashkuara e kishin për detyrë morale që të mundësonin popullin e Kosovës të mbronte veten nga sulmet e ushtrisë dhe të policisë serbe.
Por, Senatori McConnell vazhdonte të mbështeste kauzën e shqiptarëve për liri e pavarsi edhe me mënyra të tjera. Në një kryeartikull për gazetën e kryeqytetit, Washington Post të datës 22 shkurt 1999, pasi jep një pasqyrë të situatës në Kosovë, përfshirë edhe masakrën në Raçak, Senatori McConnell shkruante se “Ka ardhur koha që Shtetet e Bashkuara të pranojnë realitetin: të njohin pavarësinë e Kosovës dhe të furnizojnë udhëheqjen (shqiptare) në Prishtinë me ndihmat e nevojshme politike dhe ushtarake për të ndaluar luftën e Serbisë të përmasave prej gjenocidi.” Senatori McConnell i bënte thirrje opinionit publik amerikan 15 vjetë më parë në Washington Post se, “Politika jonë duhet të njohë një objektiv thelbësor: Pavarësinë e Kosovës.”
Gjatë kohës që kam punuar si drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan në vitin 2005 — në përpjekjet tona për të përshpejtuar njohjen sa më parë të Pavarësisë së Kosovës nga ana e Shteteve të Bashkuara — më kujtohet se ishte Senatori Mc Connell dhe stafi i tij ndër më aktivët në Kongres që i kërkonin administratës së Presidentit George W. Bush që të njifte sa më shpejtë pavarësinë e Kosovës, pasi me të drejtë mendohej se nëqoftse Kosova njihej më së pari nga Shtetet e Bashkuara, njohjet e tjera do të pasonin, ashtu siç edhe ndodhi.
Ngërçi politik në Kosovë tash më shumë se pesë muaj pas zgjedhjeve të lira dhe të drejta të qershorit është një pasqyrë e tmershme e mosaftësive të klasës politike të shtetit të ri për të krijuar institucionet e reja të Republikës së Kosovës. Kjo krizë politike e stërgjatur është këthyer një çështje shqetësimi me pasoja të pa parashikueshme për vendin, kryesisht për vet popullin e Kosovës por edhe për miqët ndërkombëtarë të cilët janë të interesuar dhe ia duan të mirën Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Shtetet e Bashkuara, si vendi më i angazhuar në mbështetje të Kosovës gjatë gjithë kësaj kohe, si dhe përfaqsuesit e saj në Kongres, por mbi të gjithë komuniteti shqiptaro-amerikan – siç përfaqësohet me dinjitet nga Xhim Xhema dhe të tjerë — do të dëshironin që sa më shpejt klasa politike e Republikës së Kosovës të krijojë qeverinë dhe institucionet e reja, ashtuqë vet Kosova të mos pësoj dëme të tjera mbrenda vendit, por as në fushën ndërkombëtare, nëqoftse vendi kërkon njohje të tjera. Kosova ka nveojë për stabilitet politik. Moska e Beogradi kënaqen me situatën e tanishme politike në Kosovë!
Populli amerikan, nepërmjet qeverisë dhe përfaqsuesve të saj në Kongres e kanë ndihmuar Kosovën dhe shqiptarët në momentet më të vështira të tyre, por siç tha gjatë një interviste kohët e fundit edhe ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobsen, “Kosova nuk është koloni e Shteteve të Bashkuara”. Kosova, shtoi diplomatja amerikane në Prishtinë, “është vend i pavarur dhe nëse do të ketë sukses, atëherë prijësit politikë të Kosovës, njerëzit të cilët ju i keni votuar dhe i keni zgjedhur, duhet të mësojnë artin e ndërtimit të konsensusit politik.” Kjo është shpresa dhe dëshira e miqëve të shumtë të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – siç është udhëheqsi i ri i Senatit amerikan, Senatori Mitch McConnell dhe i veprimtarit të palodhshëm shqiptaro-amerikan Xhim Xhema — si një përfaqsues i denjë i këtij komuniteti — që gjatë periudhave më të vështira të saj janë gjëndur gjithmonë afër Kosovës dhe shqiptarëve.
Populli shqiptar i vuajtur i Kosovës meriton më shumë se kaq nga politikanët që i ka zgjedhur me vota të lira dhe të drejta, por ama as miqët që i kanë ndejtë afër Kosovës gjatë tre dekadave të fundit nuk duhet ta ndjejnë veten të zhgënjyer nga mos aftësia e politikanëve shqiptarë për të arritur një konsensus politik për qeverisjen e vendit, pasi ata mund të kenë nevojë në të ardhmen, ashtu si në të kaluarën, për mbështetjen e tyre ndaj Republikës së Kosovës, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Sa të mos bëhet tepër vonë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Amerikan, dhe shqiptaret, UDHËHEQSI I RI I SENATIT

Peshëngritësi Daniel Godelli, kampion bote në dygarësh

November 12, 2014 by dgreca

Rama dhe Basha uruan kampionin e Botes,Daniel Godelli/
– Peshëngritësi shqiptar Daniel Godelli ka fituar medalje ari në Kampionatin Botëror në Almati të Kazakistanit.
Godelli është shpallur kampion bote në stilin e shkëputjes dhe me pas ne ate te shtytjes.
Godelli ngriti 171 kg ne stilin e shkeputjes, duke marrë medaljen e arit, ndersa ne ate te shtytjes ngriti 198 kg.
Godelli eshte shpalur kampion bote edhe ne dygaresh, duke ngritur ne total 369 kg.

Rama uron kampionin e botës në peshëngritje, Daniel Godelli
Kryeministri Edi Rama ka uruar kampionin e botes në peshëngritje, Daniel Godelli. Nëpërmjet një statusi të publikuar në rrjetin social Twitter, Rama u shpreh “Uh çfare gezimi! Daniel Godelli kampion bote ne peshengritje! Do te tentoje pas pak rekordin boteror! Sapo e urova, fantastike”.
Daniel Godellit eshte shpallur kampion bote ne stilin e shkeputjes me 171 kg ne Kampionatin Boteror qe zhvillohet ne Almati te Kazakistanit.

Basha përgëzon peshëngritësin Godelli për suksesin në Botërorin e Kazakistanit
Kryetari i Partisë Demokratike dhe Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka uruar Daniel Godellin për dy medaljet e arta të fituara në Kazakistan gjatë botërorit të peshëngritjes që po zhvillohet në Almati te Kazakistanit.
Në një postim në Facebook, Basha thekson se janë sërish sportistët e sport klub Tiranës ata që nderojnë Shqipërinë. “Faleminderit Daniel Godelli, kampioni më i ri i botës në peshëngritje. Mbështetja për ju, thekson Basha, është detyrimi ynë. Urime dhe Erkand Qerimajt për rezultatin e arritur. Urime dhe suksese sportistëve tanë që na bëjnë krenarë. Përpara Shqipe!”, mbyll statusin në FB, Kreu i Partisë Demokratike dhe njëherazi Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.
Daniel Godelli fitojë sot dy vende të parë në botërorin e peshëngritjes që po zhvillohet në Almati të Kazakistanit. 22-vjeçari nga Peqini u shpall kampion i botës në stilin e shkëputjes në peshëngritje, nënkampion i botës në shtytje dhe kampion i botës në dygarësh. Fillimisht, ai arriti të ngrejë 171 kg në shtytje dhe ka marrë medalje ari. Peshëngritësi shqiptarë ka arritur të mundë kështu kampionin aktual të botës, kinezin Lju Xiaojung, i cili doli i dyti në kampionatin e këtij viti, falë peshës trupore më të madhe.
Ndërsa sportisti tjetër shqiptar, Erkand Qerimaj, e mbylli garën në shkëputje në vendin e pestë me 158 kg.

Filed Under: Sport Tagged With: bote në dygarësh, kampion, Peshëngritësi Daniel Godelli

Gruevski takime të ‘fshehta’ me biznesmenë shqiptarë në SHBA

November 12, 2014 by dgreca

Delegacioni i qeverisë së Maqedonisë i udhëhequr nga kryeministri Nikola Gruevski ku nuk ka qenë i pranishëm asnjë ministër shqiptarë në SHBA ka zhvilluar takime edhe me disa biznesmenë shqiptaro- amerikan nga Maqedonia, por këto takime kanë qenë larg vëmendjes së mediave të diasporës shqiptare dhe korrespodentëve të mediave shqiptare.
Korrespodenti i agjencisë INA nga Nju Jorku raporton se nuk dihen arsyet se përse Gruevski ka zhvilluar këto takime me biznesmenë shqiptarë nga Nju Jorku dhe Çikago dhe cilat kanë qenë pikat e diskutimit. Ndërsa edhe nga ana e biznesmenëve nuk bëhet e ditur se çfarë është diskutuar në këto takime të ndara pa praninë e mediave dhe jashtë protokollit zyrtar.
Kryeministri Nikola Gruevski e ka vlerësuar të suksesshme vizitën e tij në SHBA, duke theksuar se janë shpalosur të gjitha kapacitetet dhe mundësitë për investimeve e kompanive të njohura amerikane në Maqedoni.
“Vizituam katër qytete të mëdha të rëndësishme, Nju-Jorkun, Çikagon, Los Anxhelosin dhe Las Vegasin dhe takime me mjaft kompani: Në prezantimet kishte shumë të pranishëm, i madh ishte interesi, u parashtruan shumë pyetje dhe u realizuan shumë kontakte personale. Disa kompani tashmë paralajmëruan ardhjen në Maqedoni disa njoftuan se do të investojnë në Maqedoni”, deklaroi Gruevski.
Në kuadër të kësaj vizite në kuadër të delegacionit qeveritar ishin vetëm ministrat e kabinetit qeveritar nga radhët e VMRO-DPMNE dhe nuk ishte ministri pa portofolio apo investime, Visar Fida apo ndonjë zyrtar i lartë i Agjencisë për Investime të Huaja, e cila i takon BDI-së. (Beqir SINA/INA)

Filed Under: Komunitet Tagged With: Gruevski, shqiptare ne SHBA, takime, të 'fshehta' me biznesmenë

NJOFTIM- Kërkohet Gjelosh Vuktilaj

November 12, 2014 by dgreca

Komisariatet e Poliicise 52( NYPD) në Bronx Nju Jork, njoftojnë se janë duke u përpjekur për të gjetur një burrë 62 vjeçarë i deklaruar i humbur. Emri i të “zhdukurit” është Gjelosh Vuktilaj. Ai u pa për herën e fundit duke ecur në këmbë, disa blloqe larg nga vendbanimi i tij të hënën 2014/11/10 në adresën 246 East Street në Bronx zona Bedford Park Blvd.
Ai ishte i veshur me një xhaketë të zezë me një kapuç, pantallona të zeza dhe këpucë të zeza. Ai është në shëndet të mirë mendor dhe shëndet të mirë fizik.
Komisariatet e Poliicise 52( NYPD) në Bronx Nju Jork, thonë se çdokush që ka ndonjë informacion në lidhje me subjektin e mësipërm, ju lutemi njoftoni
Det. James McGee në 718-220-5836 ose Detective Borough Bronx në 718-378-8053
Për gjetjen e tij dhe sensabilizimin e komunitetit shqiptarë është i interesuar edhe Assemblyman Mark Gjonaj i cili është dhe përfaqësuesi i kësaj zone Distriktit 80-të që përfshinë 246 East Street në Bronx zonaBedford Park Blvd.
Për çdo informacion mund të thirrni edhe në numërin e telefonit të zyrës së Mark Gjonaj
District Office
1126 Pelham Parkway South
Bronx, NY 10461
718-409-0109
District Office Directions
Albany Office
LOB 633
Albany, NY 12248
518-455-5844
Albany Office Directions

GjonajM@assembly.state.ny.us

Filed Under: Komunitet Tagged With: Gjelosh Vuktilaj, NJOFTIM- Kërkohet

NE SOFREN E DIELLIT, NEKI LULAJ

November 12, 2014 by dgreca

Neki Lulaj/ Gjermani/
TITËRRIMË VARGJESH/
(Poetit Ali Podrimja)/
Si trill poetik na erdhe në kujtesën e mbrame/
Në amëshimin e dhimbjes ku stërkalat rrokullisen/
Vetëtimë e mbushur plot elipse si gjëmimet në Alpe/
Titërron rrokje në ditën që vjen me sinorë befasie/

Lajmi këput më dysh për ty frymëmarrjen në gjoks/
Jetën e fillove si uragan e arratinë more si meteor/
Si t’i lidh sonte litarët e ngërçet plot nyje që nyjojnë/
teksa pisha thërmohet e thyhet në Çabratin shekullor/

Zemra u plagos mbi Ulpanë, në Prishtinë e Dardani
Eshkë e ndezur Lumi në shtratin e Lumit si vërshim deti
Dremit në qetësi hyjnore ky erudit e perlë në poezi
Aliu ynë modern që zanoret e heshtja dhimbshëm i treti

E ai në Rilindje gjen qetësi ku qielli në Torzo fluturonte
Ashti dardan mishëruar në credo zemrat nuk gjetën qetësi
Në mes të fletëve të bardha ku zemra vullkan përlotej
Të ndrydhura në një gjoks atdhetar në sirtarin e ri

Lumi tri dekada rrodhi në vetmi e në pikëpjekjen e papritur
Me poetin e vargut modern bashkë u shua etja për jetë
U takuan me mallin e djegur në përjetësinë yjembushur
Dhe bënë një kullë të re kujtese , një monumet

ATJE

Kohë e ndrydhur nga pagjumësia
Mbi vekun e legjendave
Ninullë e vjetër në qoshe të odës
Rrotull sillen bandillat në kopshtia
E fjala thur qilimin e kohës

Degët gjysëm lakuriq
Luhatin zogjtë gushëkuq
Jo, nuk dinë t’i ndalin cicërrimat
Puthin buzët e tokës ku korret grurë
E eshtrave iu japin gjallëri
Teksa gërhet thellë në lëndinat

Në gjumin e parë të ditës
Era pehat në lugun e ngrohtë
Endërrat në shtratin e drurit
E mashtrojnë paq fund në kohën

Buzët e hënës puthin vetullën e lumit
Në shtratin e valës përkunden zanat
Mbi urën që i ndan dy brigje
Hingëllimat e kuajve dëgjohen nëpër shpat
Duke i varur stërkëmbthin kohës ditë dhe natë

GOZHDËT SHKULI

Mbi gozhdat e shekullit varen 100 vjet mëvehtësi
Tremijë vjet shtet heshtjes ia kreh kaçurrelat
Kombit merr shtëllunga mjegulle në qiell pa kaltërsi
Në male këputen dhe rilindin gjethet te dega

Nëpër shkretëtirat e kohës ecim mbi kalldremin e jetës
E plandosën Krishtin e gjakuan vunë në një kryq gjaku
Mbi trup kamzhik i skuqur gozhdat kurrë nuk u prekën
Vrushkujt rridhnin drurin që nuk e breu teja tek pragu

Lisat e zgjimit nuk digjen e të gjatë e pat durimin
Sa të thellë e kishte shikimin tek muret pjestonin heshtjen
Nga vringëllimat në mes të çarave të kohës vinte lëngimi
Shtetrrethim tremijëvjeçar armiqtë vinin në prag të një dere

GJUM I MËRGUAR

Tërë natën bëra sehir se dikush gjumin ma vodhi
Ajo që po gërhin në dhomën time tejmatanë murit jetim
Recepcionieri dremiste gjumëtrembur në një qoshe
Nata ishte zhytur në një oqean që nuk ia dije thellësinë

E shlodhja ditore rrinte si në një kënetë e përgjumur
Mbi shavarin e jetës më shihte mua mbi tavolinën e vjetër
Dy bërryla si qiri të ndezur në katër këndet e Atdheut
Shëtit shungullima e natës si shtrëngatë në moçalin e nxirë

Stuhi e papërgjumur prek livadhe dhe kroje kristalore
Sonte kujtoi pikëpjekjen e shfletoj kalendarin e vjetër
Ndrydh heshtjen e s’di ta pikturoj fytyrën engjëllore
Ta shkruaj emrin në një shkëmb e në kapakun e zemrës

Kanjusha ime e bardhë mos je lejlek zemre
Në cilën rrasë guri të gdhenda fytyra e bukur
Lotin mbi faqe prush dhe ëmbëlsi e njelmët
Plot margaritarë me vlerë si dielli rrezepurpur

Loti i kripur m’i shëroi plagët e shekullit barbar
Melhem për varr është e vellon do ta blejmë bashkë
Në Vlorë shtizon flamuri për dasmën e madhe
Do e stolisim nëntorin e kuq dhe të bardhë

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: ne sofren e Diellit, neki Lulaj, Titerrime vargjesh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4296
  • 4297
  • 4298
  • 4299
  • 4300
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT