• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Më “hëngrën” a analogjitë *

November 12, 2014 by dgreca

Takimi Rama-Vuçiç në optikën time/
Nga Përparim Hysi/
Sado që nuk kam prerje për politikë, nuk rri dot pa dhënë vështrimin tim për këtë takim historik.Politika është një “lojë” e vështirë për mizurën time dhe nuk do mend: kam kohë, që kur m’u dha rasti për ta “luajtur” atë, u dorëzova. Kjo ndodhi në vitin 1991 kur kandidova si deputet për PD dhe nuk fitova. U dorëzova jo se nuk fitova, por me aq pak kohë dhe si përfaqësues i PD në pushtetin lokal, e pashë që nuk ia thosha fare. Në një poezi timen për politikanët, kam thënë:- Politikanët e kanë lëkurën të trashë si bualli! Duke thënë kështu: si bualli, nuk jam larg të vërtetës. Koha ka provuar se nuk dëgjojnë as nga thumbat dhe as nga “plumbat”. Unë, siç duket, jam lëkurëbrishtë dhe nuk duroj as thumba dhe ca më shumë: plumba. E kam fjalën për atë artileri të rëndë fjalësh që politikanët tanë i zbrazin pa kursim. Por, megjithatë, larg politikës dhe gjykimeve për të nuk jam. Kur po i cicëroja një politikani të vjetër ca rreshta antipolitikës, ai, si lëkurëshuall që qe, më tha: – Edhe duke recituar për politikën, po bën politikë. Për të bindur lexuesin se nga është e drejta, po e sjell atë 4-vargshin që i kumtova atij:”Politika loz si era/ Mos ma pruftë Zoti tek dera/ Kush loz me politikën/ Brisk e ka dhe fare e fikën/ . Sado që “lëkurëshualli” u mundua të më bindë, po nuk ia arriti dot.

* * *
Pa ndonjë retorikë të lodhshme, në optikën time, Rama tregoi vlera të një pushtetari të qytetëruar e të guximshëm. Tek shihja Vuçicin që kërcente sikur po e hanin pleshtat, pa dashje më shkon mendja tek ajo përralla historike e Andersenti që,sado që “mbreti qe lakuriq” ( i hiqte apo nuk i hiqte kufjet,Vuçiçi), nuk donte që të shihte një të vërtetë që bënte mu. Qe para një fakti të kryer historik. Në i kthehem dhe futem historive me shënjtorë, njëri prej tyre, SHën Thomai thotë: ” Që të të besoj, plagën dua ta zë me dorë”. Dhe Rama ia tregoi këtë “plagë”, tjetër punë që Vuçiçi kish vënë “lente të zeza” mbi sytë dhe veshët i kish zënë me dyllë. Qe në një pozitë aq qesharake që përsëri dua ta vë përbri një shëmbulli analog. E kam përjetuar dhe po e sjell për lexuesit.
* * *
Në vitet kur pushtetit tonë “popullor”, punët po i shkonin aq “mbroth”,sa në dyqane nuk gjeje asnjë ushqim pa”tollonë”, veç tjerash mungonte dhe sapuni. Një sapun Rrogozhine që sikur kishe gjetur një shishe parfumi nga Franca. Kish nxënës e nxënëse me parazitë në kokë. Erdhi urdhër nga lart që nxënësve t’ua qethnim kokat si ushtarëve me urdhër. Kështu dhe bënim. Po kish nxënës që këtë edhe e kundërshtonin. Një i tillë qe dhe Gjoleka, një nxënës imi në klasën e tetë. U desh ndërhyrja ime si mësues kujdestar që Gjoleka ta qethte kokën zero. E qethi nga e keqja dhe aq i pabindur qe, sa, dhe kur kokën e kish zero, thoshte: – Ja, të shihni, do qethem?! Natyrisht, Gjoleka që u qeth “forcërisht”, u bë butaforik. Tek e takoj tani që është bërë dhe gjysh, i bërtas:- Ja, të shohësh, do qethem?!!! Duke sjellë raste analoge, them se lexuesi mund ta dallojë mirë evropianin Edvin Rama dhe provincialin Aleksandër Vuçiç.
Edhe një anologji tjetër. Kisha shkuar me një shok tiranas të shihja një praktikë stërvitore të 17 nëntorit kur ish trajner , i madhi Myslim Alla. Në një nga ato senkuencat që ndiqnim, i thotë një mbrojtësi të tij: – Vrej tuna, çuno, ruhu prej Jarecit se aj dhe,kur nuk asht tuj bo ndonji gjo, ta bon golin e ta merr erzin! Dhe them që “Jareci” e shënoi atë gol fitoreje!

* * *
Por në fund të fundit, Rama vetëm pohoi një fakt historik. Në Vuçiçin e Co…, i zunë djajtë e së keqes, kjo nuk është punë për një botë të qytetëruar dhe evropiane. Të huajtë, historikisht, kanë lozur “arushë” me fatet tona. Pse ka qenë kështu, historikisht, s’kam si mos sjellë në mend një nga profesorët e mi, në ish-Normalen e Elbasanit, të ndjerin e të respektuarin, profesor Enver Palluqi ( mes nesh e quanim Arbreshi se aq bukur e shqipëronte gjithë Letërsinë Arbreshe) , që, tek na fliste për invazionin e huaj në Shqipëri, na thoshte:- Arbreshët kanë një thënie postulatë që ua lënë pasardhësve, brez pas brezi. Kjo thënie është pak proverbiale: ” Rihi birli nga ltini, si driri nga topra”. E merrte me mend që kështu nuk e merrnim vesh dhe shqipëronte:- Ruhuni bij nga të huajtë, siç ruhet druri nga sopata! Më tej, nuk kam se çfarë shtoj. E, sa për ata që e shohin qëndrimin aq evropian e kontemporan të Ramës me lente të zeza, dua që t’u përgjigjem me fjalët e një personazhi tim, që thotë për raste të tilla: ” Ai që nuk të do, edhe, po ta mbash në krah, do kollitet!”

Tiranë, 11 nëntor 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Më "hëngrën" a analogjitë, perparim Hysi

FOTO BIXHILI NGA DHËRMIU, ATDHETARI SI NJË ESHTËR RILINDASI

November 12, 2014 by dgreca

nga MSc. Albert HABAZAJ*/
Ndër personalitetet e kulturës, me origjinë nga krahina e Himarës, që kanë kontribute të spikatura ndërshqiptare, krahas Spiro Çomorës, Andrea Varfit, Aleks Çaçit, Neço Mukës, Nase Benit, Petro Markos, Odhise Grillos, Anastas Kondos e Lefter Çipës rri bukur dhe emri i njeriut, mësuesit, krijuesit, poetit dhe studiuesit Foto Bixhili. Shoqëria po i feston Fotos 75 vjetorin e lindjes. Nga kopshti i viteve, Ai zgjodhi tre libra historiko – etnokulturorë, dy për Himarën e një për Dhërmiun, si dhe dy memorialistikë, për të drejtën zakonore (dokesore), kodin moral, martesën tradicionale në zoën e Bregut dhe kodin etik. Nëqoftëse do të flasim për kohët modern, në brigjet e Himarës, pas Petro Markos, vjen Lefter Çipa e Foto Bixhili, që shquajnë për dinjitetin kombëtar, për punët e tyre, që janë vlerë e shtuar, sidomos përsa i përket etnogjenezës. Foto Bixhili është një copë shkëmb në brigjet e Jonit, ku dallon eshtra kombëtare. Foto Bixhili është vijues i Petro Markos, kalorësit rrebel të Lirisë, është shembëlltyra e tij në bashkëkohësi. Kontributet e tij janë në edukim, publicistikë, në poezi dhe sidomos në etnokulturën shqiptare. Me modesti, ai e quan veten “i zakonshëm i kohës”. Foto Bixhili është vërtet një eshtër shkëmbore vitale e Rilindjes së Re Kombëtare, [(parë në rrafshin kombëtar, të asaj Rilindjes së vërtetë Kombëtare të Pashko Vasës, De Radës, Gavril Darës (i Riu), Zef Serembes, Zef Skiroit, Dhimitër Kamardës, Anton Santorit, Vinçens Stratikoit, Filip Shirokës, Tre Vëllezërve Frashëri, (Abdyl, Naim e Sami), Kostandin Kristoforidhit, Naum Veqilharxhit (Bredhi), Hasan Tahsinit, Haxhi Zekës, Sulejman Vokshit,Ymer Prizrenit, Pandeli Sotirit, Petro Nini Luarasit, Papa Kristo Negovanit, Dora D’Istrias (Helena Gjika), Zef Jubanit, Thimi Mitkos e Spiro Dines, Mihal Gramenos, Vëllezërve Bajo e Çerçiz Topulli, Risto Siliqit e Hilë Mosit, Vëllezërve Gjergj e Gjerasim Qiriazi, Motrave Qiriazi, Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Isë Boletinit, Ded Gjon Lulit, Idriz Seferit, Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Rasih Bej Dinos e Marigo Posios, Miro Tërbaçes, Shote Galicës dhe Azemit, Çajupit, Mjedës, Serembes, Konicës, Fishtës e Asdrenit, të Halim Xhelos e Sulejman Delvinës, të Osman Haxhiut e Aqif Pashë Elbasanit, Elez Isufit e Babë Dudë Karbunarës e tërë atyre Pishtarëve të vërtetë të Dritës; sepse dhe vetë zotëria Foto shprehet: “Partia ime është Dhërmiu, politika ime është Shqipëria”)]. Nuk është vetëm portreti fizik i F. Bixhilit, që shpreh në mënyrë lëndore këtë cilësi të vyer njerëzore, as trupi i drejtë, i lartë e i fortë si bredhat e vargmaleve të Akrokerauneve, as sytë që i xixëllojnë si hark vetëtime e as balli i rrahur nga rrebeshet e i larë nga dielli mbi Çikë. Është pikërisht shpirti i tij fisnikërisht i bukur, që mbjell lule atdhetarie për të lulëzuar me aromë Shqipërie. Është pikërisht shpirti i tij i mbuluar me zjarr pranë detit me oshëtimat e malit me njëmijë rrufe, që e radhit Foto Bixhilin ndër emrat e respektuar jo vetëm në Himarë, Labëri e Vlorë, por e bën djalin e Dhërmiut të njohur në mbarë trevat shqiptare, edhe jashtë kufijve shtetërorë. Me kontribute të vlefshme në arsim një jetë të tërë, me botime veprash serioze historike, etimologjike, etnografike e etnofolklorike, si dhe me një vjershërim lirik të hijshëm, të ëmbël e të zjarrtë mëmëdhetar, si një degë e blertë e ullirit të Bregut, Foto Bixhili të detyron vetvetiu një respekt të merituar.
Ndër botimet kryesore të autorit është libri: “Jipet e Iperit – Himariotët”, botuar nga “Toena”, e cila nën kujdesin e drejtëpërdrejtë të deputetit Fatmir Toçi, po boton veprën e plotë studimore e krijuese të Foto Bixhilit. Pena e palodhur e Fotos nuk ngjyhet me bojë, ajo ngjyhet në shpirt e në Atdhe. Botimet e F. Bixhili janë “Jipet e Iperit”, ku përmblidhen studime sociale, 2004; “Himara në Optikën e kohës”, shkrime dhe opinione: 1991-2005, ku trajton gjendjen sociale, tranzicionin demokratik, studime sociale, shkrime, korespodenca me shtypin, 2005; “Dhërmiu: Dhrimadhet e Akrokerauneve”, ku përfshihen studime sociale, shkrime për historinë e trevës, gjuhën shqipe e biografi, 2007; “Jetërrëfime”, me kujtime, rrëfime vetiake e bulëza studimesh të kristalta për letërsinë shqipe, 2011; “Triptiku i shenjtë i martesës, kodi etik i familjes” ku flet për etikën familjare, martesën, moralin e saj dhe vlerat që përçon për shoqërinë e sotme, 2014, si dhe bulëzën e pastër të vjershërimit jonian “Kopshti i viteve”, me poezi e poema, 2005, të cilat do të pasohen nga një kolanë e pasur studimore me contribute për etnogjenezën, në kërkimtë gjenezës dhe etnogjenezës, për rrënjët e vjetra dhe të reja të himariotëve që në lashtësi e deri në sotshmëri, sidomos të trevës së himarës, sipas kuptimit vërtetësor që Himarë domethënë Labëri dhe Labëri do të thotë Himarë. Mbledhësi i shquar i traditës popullore të trevës emërmadhe të Himarës, intelektuali i Dhërmiut, përbën një arkiv të gjallë, që pasuron visaret brilante të kulturës sonë Kombëtare. Vepra e botuar dhe ajo që, në vijim, lexuesi pret me dëshirë nga autori, është një dritë e pishtarit të pafikur të Bregdetit, i cili sidomos në kohët e sotme rrokopujë vërtet merr përmasa të ndritshme pafundësisht.
Kur shikoj e studjoj veprën e Foto Bixhilit, më duket sikur Petro Nini Luarasi është gjallë, sikur Petro Marko jep një përgjigje, sikur Aristidh Kola rizgjohet të flaës ilirisht për origjinën tonë pellazgo – ilire. Duke respektuar e vlerësuar punën kërkimore – shkencore e letrare të Foto Bixhilit, ne dhe brezat që vijojnë vendosim lule mirënjohjeje në panteonin e korifejve të Kombit, ku dritërojnë rilindasit tanë të vërtetë, ata të që përmenda në fillim të shkrimit, me yjet që pltësojnë Konstelacionin e Dritës së Përparimit Shqiptar në Yjësinë Njerëzore. Në këtë veprimtari të përkushtuar, me vezullimin e Qiririt të NAIMIT, Foto Bixhili nuk është vetëm dhe assesi “i fundmi i mohikamëve”. Veprimtarinë e shoqërisë letraro – kulturore të Vlorës për promovimin e birit të denjë dhe mikut të zjarrtë të shkrimit për shqiptarinë Foto Bixhilit, duke vlerësuar kontributin e tij në etnokulturën shqiptare, gazetari i mirënjohur i ATSH, Harilla Koçi e pasqyroi edhe në faqen elektronike të shtypit shqiptar me këtë substancë të saktë dhe të dashur informacioni: “VLORË, PROMOVOHET KRIJIMTARIA E STUDIUESIT FOTO BIXHILI – Me rastin e 75 vjetorit të lindjes së studiuesit, poetit, publicistit vlonjat Foto Bixhili, biblioteka publike “Shevqet Musaraj” Vlorë, Shoqata Atdhetare Kulturore “Ismail Qemali” dhe shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve të Vlorës, organizuan një takim në mjediset e kësaj biblioteke për të promovuar krijimtarinë e tij në vite. Studiuesi Foto Bixhili është autor i disa librave studimorë për krahinën e Himarës, mes të cilave “Himara në optikën e kohës”, “Dhërmiu, Dhrimadhet e Akrokerauneve”, “Jipet e iperit, Himariotët”, “Jetërrëfime”, “Triptiku i shenjtë i martesës, kodi etik i familjes”, “Kopshti i viteve” etj. Bixhili, i lindur në fshatin Dhërmi, ku ka marrë edhe mësimet e para dhe ku nisi edhe rrugën e jetës, ka punuar si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në disa zona të vendit. Ky fakt, sipas studiuesve vlonjatë, ka shërbyer si një faktor nxitës për të krijuar tek ai dimensionin e një hulumtuesi tek traditat e zonës ku ai ka origjinën, por edhe më gjerë. Në takimin promovues të krijimtarisë së tij ishin të pranishëm mjaft intelektualë, poetë dhe shkrimtarë, miq dhe bashkëfshatarë të autorit. Mbi jetën dhe veprën e autorit Foto Bixhili folën shkrimtari Eqerem Canaj, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe “Mjeshtër i Madh”, shkrimtari Çlirim Hoxha, poetja dhe përkthyesja Laureta Petoshati, Telo Kolagji, Ahmet Demaj, kryetar i Shoqatës Atdhetare “Labëria” Vlorë, poeti, studiuesi dhe publicisti Albert Habazaj, Faslli Koçiu, Seri Xhaferi, shkrimtari Astrit Hajdini, Remzi Gjika, këngëtari i grupit të bregdetit të Himarës, poeti dhe shkrimtari Kristo Çipa etj. Në përfundim, autori Foto Bixhili falënderoi të pranishmit dhe diskutantët për fjalët e ngrohta që thanë për krijimtarinë e tij.Më pas Grupi i Bregdetit të Himarës krijoi një atmosferë festive në sallë me këngë nga repertori i krahinës”.
*) drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA
Vlorë, e mërkurë, 12. 11. 2014

Filed Under: Kulture Tagged With: ESHTËR RILINDASI, FOTO BIXHILI NGA DHËRMIU - NJË INTELEKTUAL ATDHETAR SI NJË

Kush janë shkijet? Cili është shqau? (1)

November 12, 2014 by dgreca

Një pyetje së cilës duhet dhënë përgjigje (1)
Nga Fahri XHARRA/
(Qëllimi i këtij shkrimi është të hedhë poshtë tezat e reja që mundohen t`i barazojnë shkijet me serbë, por në bazë të të dhënave historiografike të dokumentohet se na ishim para të gjithëve këndej pari dhe që çdo mënyrë tjetër e paraqitjes së tyre në mënyrë kohore apo kulturore para nesh është e kotë, është një mashtrim , është një tentim i përvetësimit të historisë së krijuesit të tyre, si dhe edhe barazimi i shkijeve me serbë është shumë i rrezikshëm për ne, fxh)
-Kush janë shkijet ? A janë të njëjtë si serbët?-A kanë ndryshim?-Ku është ndryshimi shka –serb?
-Si u krijuan shkijet ?
– A janë popull i ardhur , apo u krijuan më vonë?
– Ç`farë gjuhe flasin shkijet sot? Si flitnin më herët?
– Pse shkijet u bënë armiq të shqiptarëve?
-Pse u favorizua dhe nga kush u favorizua armiqësia në mes shkijeve dhe shqiptarëve?
Se shqiptarët janë “ushqyesit “ më të mëdhenj të fqinjëve tanë, kjo është e dokumentuar. Se shqiptarët janë edhe formues të shtetit të fqinjëve, kjo është më së e vërtetë. Në rrethin tonë fqinjësor që nga Mali i Zi, Serbia dhe Greqia shqiptari ishte faktori kryesor shtetformues. Në kohën e largët disa shekuj apo disa dekadash ne jemi ata që në mënyrë direkte apo indirekte i formuam këto shtete. Kush ndikoi që shqiptari të mohon vetveten dhe të vihet në krye të formimit të shteteve fqinj? Si dhe pse u zhvilluan rrethanat që shqiptari të bëhet edhe vrasës i vëllezërve të vet edhe pushtues i tokave të veta nën flamurin e tjetër kujt? Një pyetje mjaft e vështirë për t`u përgjigjur, por që duhet pa tjetër t`i përgjigjemi.
Ndërrime shumë të mëdha ndodhën në kombin tonë
Shqiptarët ortodoksë të viseve shqiptare të Kosovës, Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë, na mbetën si të ndarë dhe ne i quajtëm shkije, falë shkizmës. Mirëpo, a e merituan ata këtë veçim?Kush ishte shkaku që ata mbetën të shkarë nga trungu shqiptar? Dhe me kalimin e kohës ata (por jo të gjithë) e gjetën veten diku tjetër, me të njëjtën fe, por me një gjuhë tjetër. Ndërrime shumë të mëdha ndodhën në kombin tonë. Pse ata (shkijet- shqiptarët ortodoksë, të viseve të përmendura më lart) me lehtë e kishin për të jetuar nëse e flasin një gjuhë tjetër se sa të ishin ortodoks dhe të flisnin shqip?Kush e favorizoj këtë gjendje ? Dhe, kush përfitoi nga kjo? Nëse e përcjellim me vëmendje historinë e përtëhuajsimit tonë, në këtë rast të shqiptarëve ortodoks, do të shohim se një rol të madh e luante fakti pse të tanët nuk e krijuan më herët dhe shumë më herët Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare .Një pyetje së cilës duhet dhënë përgjigje herët a vonë.
Shokut Skender Rizaj ! Nuk di a jeni të njohur me prejardhjen e dinastisë së Nemanjiqëve, e cila ka sunduar me shtetin mesjetar të Nemanjiqve, nga shekulli XII-XIV
Sipas një teorie greke dhe të shënimeve në Hillendar, ajo është me origjine shqiptare dhe i ka takuar fisit Nimani. Nimanët njëherë ishin katolikë, pastaj ortodoksë, pas ndarjes së kishave dhe të skizmës më 1054. Më vonë, me ardhjen e turqve (osmanëve ) janë islamizuar.
E fillova me letrën e një prifti “serb” për të treguar të kaluarën tonë të përvetësuar nga serbët.
….“Fisi Nimani është shkruar si “Nemane“ ( greq.), kurse Stefan Nemanea si “Stefan Nemane“ ( greq.) gjithashtu edhe në Hilendar është shkruar me emrin Stefan Nemane. Prandaj në shqiptimin e mëvonshëm të shqipes e ka marr leximin itacistik Nimani, e më herët është lexuar Nemane.
Me sllovenizimin e të lexuarit të fjalës Nemane, në mesjetën e vonshme është përvetësuar fjala Nemanja (nga metateza e shqipes: Nemanaj.
Nga fisi Nimani kanë mbetur trashëgimtarët e Nimanasve të tanishëm, nga të cilët ka në rrethinën e Prizrenit dhe në vet Prizren …..Kjo është për sa i përket etimologjisë Nemanjiqi, ç – iqi“.
“Nimanajt kanë sunduar sipas të drejtës kanunore deri më 1354.
Nemanjiqët ishin me prejardhje shqiptare
Dushani e ka nxjerrë Kanunin e vet, i cili është përplot me të drejta të vjetra kanunore shqiptare. Kanuni ka pretenduar të zhdukë të drejtën e vjetër kanunore të shqiptarëve dhe legjislacionin dhe jetën juridike ta rregullojë sipas shembullit bizantin, por më 1389 u përmbys shteti i Nemanajvek, kurse populli iu ka kthyer zakoneve, të cilat janë ruajtur sot e kësaj dite te serbët (skizmatikët shqiptare ) dhe shqiptarët në Kosovë, më saktë në Metohi (Dukagjin).
Kjo është dëshmia e dytë e cila vërteton se Nemanjiqët ishin me prejardhje shqiptare. ”Nemanja në fillim nuk ka qenë zhupan i madh, por është quajtur dorëzon – dëshmitar, i madh.
Kurse më vone në ndikimin e grekëve dhe sllavëve e ka marrë emërtimin – thirrjen e zhupanit të madh.
Si dorëzon i madh shprehje shqipe = sundimtar, sinonim i shprehjes sundia, e cila përdorej në mesjete, ka pasur kalorësi dhe njerëz të vet, të cilët ishin kalorësit e bujarët e tij, e nëpërmjet të cilëve ka sunduar. Kjo është dëshmia e 4 për metodën shqiptare të sundimit të dinastisë Nimani në Serbinë mesjetare.
Unë të gjitha këto i di, sepse e zotëroj mirë gjuhen e vjetër greke dhe e di edhe gjuhen shqipe duhet të jetë shqiptar skizmatik – shka dhe zakonet shqiptare. Për këtë arsye ju njoftoj që këtë element dhe fakt ta keni parasysh në punën tuaj të ardhme. Nëse këto gjer më tani nuk i keni të njohura. Ndërsa dëshmitë origjinale, për pikën 1 mund t’i gjeni në Hilendar, kurse të tjerat mund t’i gjeni në Metohi (Dukagjin ) sidomos në punimet e Dr. Milutin Gjuriqiqit.
“Kjo është letra anonime e një popi ortodoks, i cili thotë: Na falni që nuk mund të nënshkruhen nën këtë informatë, sepse si serb (shqiptar – skizmatik ) frikësohem“. (20.IX.1985)

Pra shqiptar-skizmatik. Pra shka-shkije. Ne i quajtëm shkije se ata ishin vetëm të fesë ortodokse dhe flisnin shqip. Pra, ata ishin shqiptarë.
(vijon neser )

Kush janë shkijet? Cili është shqau? (2)

Pyetje që kërkojnë përgjigje (2)
Ka shkije e shqiptarë me trung familjar të përbashkët
Shkruan: Fahri XHARRA
Ne i quajtëm shkije, se ata ishin vetëm të fesë ortodokse dhe flisnin shqip. Pra, ata ishin shqiptarë.
Duke bërë fjalë për banorët e pronave të Manastirit të Deçanit, Manastirit të Graçanicës, Patrikanën e Pejës, etj., prona këto që shtriheshin në një territor shumë të gjerë, siç tregon “bulla e artë” e mbretit Stefan Deçani (1330), dr. Rizaj do të konstatojë se ata ishin shqiptarë dhe në asnjë dokument nuk ka shënime për ekzistimin e serbëve në këto treva. Kështu kuptojmë, shton Dr. Skënder Rizaj, se popullata e Kosovës së sotme dhe qeveritarët e saj: Nemanasit,-Nimanasit (nga shekulli XIX- Nemaniqët), Stefan Nimani, Shën Sava, Stefan Deçani, Millutini, Dushani dhe Llazarasit, despoti Stefan etj., që të gjithë ishin ilirë, ishin tribullë ( fis pellazgë-iliri –ballë= tri ballët e maleve që ndodhen në luginën e Moravës së Madhe, pra ishin shqiptarët, njëherë katolikë e pastaj nga Millutini e këndej skizmatikë (shqiptarë të sllavizuar, e më vonë edhe të islamizuar), sqaron autori, për të shtuar se është plotësisht e natyrshme që edhe kishat edhe manastiret e këtij ambienti gjeografik, si institucione të shenjta fetare të kësaj popullate dhe të sundimtarëve të saj, të jenë ndërtuar nga shqiptarët dhe ato atyre t’u takojnë.
Proceset e asimilimit të popullatës shqiptare
Shkiejtë quheshin të gjithë ata të krishterë që ngelën nën ndikimin e Patriarkanës së Lindjes Kostandinopojës kur u bë shkizma ndarja e kishës Perëndimore (Romake katolike) me Kishën Lindore (Ortodokse) në vitin 1054. Nga fjala shkizma ka dalë fjala shkij, shkja. Pra, është emërtim shqiptar që emërtoi të gjithë ata që u shkëputen nga kisha katolike Perëndimore.
Edhe pse ishin shqiptarë, deri tash u është “holluar” aq shumë gjaku i pasardhësve, sa nuk do të diskutojmë mbi çfarëdo gjëje të rilidhjes me ta dhe se këtu askush nuk po kërkon vëllazërim apo bashkim me shkije, por po bisedojmë me të dhëna dhe burime historike si u formuan serbët si komb, andaj është mirë t’i dimë proceset e asimilimit të popullatës shqiptare që, për fat të keq ka qenë plagë e rëndë, të cilin ende nuk kemi arritur ta zbërthejmë.
Pra, ka të bëjë edhe me atë, arsyeja e ndarjes së kishës,sepse në një moment historik, gjatë kohës së ‘çlirimtarëve’ otomanë, popullata jonë ortodokse i ka pasur vetëm dy mundësi: të mbetet ortodokse dhe të sllavizohet, ose të islamizohet, ‘turqizohet’ , që kinse të shpëtojë nga sllavizimi.
Andaj, shkak i ndarjes edhe më të madhe të shqiptarëve otodoks- shkijeve të tokave tona në Mal të Zi, Maqedoni, Serbi dhe Kosovë nga trungu shqiptar ka qenë edhe politika favorizuese e turkut që i ka bërë sllavëve nën presionin rus, për zhdukjen e elementit katolik shqiptar.
Pra, si e thashë edhe më lart, nuk mbetej gjë tjetër për ne, ose sllav ose muhamedanë.
Jovan Tomiq në librin e tij mbi shqiptarët shkruan se disa shqiptarë u bënë shumë të njohur në kryengritjen serbe të vitit 1804. Madje, shumë studiues pajtohen se udhëheqësi i kësaj kryengritjeje, i pari i Dinastisë së Karagjorgjeviqëve, Karagjorgje Petroviq ishte me origjinë shqiptare. Kësaj periudhe i takon edhe krijimi i letërsisë serbe, ku në vitin 1816 Vuk Karaxhiqi (shkja) e ofroi për ta shtypur fjalorin në gjuhën serbe.
Shkijet ishin shqiptarë
Viti 1637për Gjakovën,sipas misionarit fra Bonaventura da Palacula, nga 500 shtëpitë e kësaj kasabaje vetëm 20 ishin katolike, të tjerat “ il resto tutti Turche et Scismatici”( të tjerët shqiptarë muslimanë dhe shqiptarë shkije ). Dhe mandej vazhdon: “Duke u ngjitur nga Gjakova në Deçan, në veriun e Gjakovës nëpër fshatra të gjithë fshatarët “shkizmatik”. Në marsin e vitit 1683 dëshmitë e fra Kerubinit e japin pamjen demografike-statistike të rrethit të Gjakovës si “që nga Gjakova e deri në Deçan ishin të gjithë shkizmatik dhe Manastiri i Deçanit . Pra, frati Kerubini që nga Gjakova në Deçan i hasi “fshatrat shkizmatik” (‘molte ville di Scismatici’).
Shembull i pranisë të shqiptarëve ortodoksë është edhe ky, ku për Hasin (ndër bjeshkët e Pashtrikut, në lugine e Lumit Drin, në jug të Gjakovës), shkruhet (1837): i tërë rajoni është i banuar me serbë të albanizuar dhe me shqiptarë.
Ka me mija dokumente për ekzistimin e shkijeve në anët tona dhe më gjerë, por të cilët kanë kaluar ose në myslimanë ose në serbë.
Për kazatë e Pejës dhe të Gjakovës, deri në luftën e Krimesë, sipas Myllerit dhe Bues, konstatohej se në rrethinat e këtyre qyteteve ka mbizotërua element i krishterë ortodoks (shkijet f.xh.) e më pak shqiptarë katolikë.
“Kemi shembuj të gjallë ku shkijet dhe shqiptarët janë me trung familjar të përbashkët. Janë sot familjet shqiptare Korça nga fshati Gmicë në komunën e Dardanës që jetojnë sot në disa qytete të Kosovës. Familjet serbe Korçiç nga fshati Zebincë komuna e Artanës, që sot jetojnë në Zebincë dhe shumë qytete në Serbi, si dhe familja Llapashtica që sot jetojnë në fshatin Marec, Hajvali dhe qytete të Kosovës. Lagjja Korça në fshatin Gmicë të Dardanës sot ka mbi njëzet shtëpi myslimane shqiptare që e dëshmojnë prejardhjen e përbashkët të krishterë me familjet sot serbe në fshatin Zebincë. Fshati Zebincë në mesjetë është quajtur Arbanashi i Artanës. Këto familje janë trashëgimtarë të dy vëllezërve Ilit dhe Simonit. Duke e parë origjinën e përbashkët të këtyre familjeve, akademiku serb i shtyrë nga politika pansllaviste pa të drejtë shkruan se korçajtë e Gmicës janë serbë që së pari u myslimanizuan dhe kinse më vonë u shqiptarizuan. Pas hulumtimit dhe studimit të kësaj çështje vërtetohet se pikërisht korçiçët e Zebincës u asimiluan dhe u bënë serbë në fillim të shekullit XX. Këto dy familje gjatë gjithë shekullit XX kanë komunikuar mes vete dhe të gjithë të moshuarit e korçiçve të Zebincës e kanë folur gjuhën shqipe. Si dëshmi tjetër është edhe përkatësia e përbashkët fisnore e fisit Krasniqe. Ili pas myslimanizmit e ndërroi emrin në Ali, ndërsa Simoni mbeti i krishterë në fshatin Zebincë”. (Fakte historike mbi serbizimin e popullatës shqiptare në Kosovë, Qazim Namani).
Është interesant të theksohet se si në Serbi ashtu në Malin e Zi të sodit shkizmatikët nëse janë shndërruar në myslimanë dhe flasin serbisht i quajmë boshnjakë, kurse ata shkizmatikë që mbetën ortodoksë dhe po ashtu flasin serbisht quhen serbë ose malazezë.
Pra, shkijet ishin shqiptarë, e që rrethanat historike aspak favorizuese për ne i shtynë që të bëhen armiq të vetvetes dhe tokave të tyre. Andaj, serbët e kanë të kotë të mburren me trashëgiminë e të tjerëve-shqiptarëve, dhe atë trashëgimi ta bëjnë si të veten.
Fund

Filed Under: Featured Tagged With: Fahri Xharra, Kush janë shkijet? Cili është shqau?

UK LUSHI: KRIZA NË KOSOVË ËSHTË SERIOZE, VIZITA E RAMËS NË BEOGRAD E SHKËLQYER

November 12, 2014 by dgreca

*”zgjedhjet e reja do të ishin fatale për politikanët aktual byrytës, por ato do të ishin fitore e Pirros edhe për qytetarët e Kosovës sepse do të kushtonin në çdo aspekt më shumë se një kompromis sado joperfekt”/
* Duhet të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt: Rama pat një paraqitje të shkëlqyer në Beograd. Zoti Rama pa mëdyshje meriton lëvdata personalisht, por duhet të rikujtohet se si arritëm në këtë ditë kur Serbia detyrohet të shoh krejt shtatin e peshës dhe kapacitetin e kombit shqiptar në Ballkan midis Beogradit./
Intervistë e gazetarit Beqir Sina me biznesmenin dhe publicistin shqiptaro-amerikan Uk Lushi
NEW YORK : Ish-ushtari i UÇK-së i Batalionit të luftërave shqiptarë nga SHBA – “Atlantikut”, Uk Lushi, i cili është një nga intelektualët e respektuar në qarqet amerikane, i shkolluar në perëndim me diplomën e Columbia University në Nju Jork, ekspertë i ekonomisë dhe financave, por aktiv edhe në jetën politike, ekonomike dhe sociale në SHBA, fletë në një intervistë të posaçme mw gazetarin e komunitetit Beqir Sina, lidhur me ngërçin politik, që ka nisur prej nga zgjedhjet e qershorit në Kosovë.
– Uk Lushi – publicit dhe biznesmen shqiptaro – amerikan në këtë intervistë me gazetarin tonë në Nju Jork, Beqir Sina, fletë për atë se si do të mund tejkalohje kriza politike në Kosovë, e cila ka pesë muaj që ka nisur. Ai mendon se edhe Tirana – presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mundet të kontribuojnë në zgjidhjen e krizës politike në Kosovë. Si dhe vlerëson “sinjalet” e dërguar nga Washingtoni për zgjedhjen e kësaj krize.
-Ai thotë se beson se nuk do të ketë zgjdhje të reja. Mbasi sipas tij zgjedhjet e reja do të ishin fatale për politikanët aktual byrytës, por ato do të ishin fitore e Pirros edhe për qytetarët e Kosovës sepse do të kushtonin në çdo aspekt më shumë se një kompromis sado joperfekt. “Zgjedhjet e qershorit 2014 janë zgjedhjet e fundit për disa politikanë të shpenzuar dhe kompremetuar” tha ai.
-Kanë kaluar mbi pesë muaj që nga përfundimi i Zgjedhjeve të Përgjithshme në Kosovë dhe institucionet e reja nuk janë krijuar ende. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë ngërç politik në të cilin e gjejnë veten sot politikanët e Kosovës?
-Ky ngërç sistemor në Kosovë gati qe një gjysmë viti, pasi që sovrani kreu detyrën votuese me 8 qershor 2014, është dështimi më i madh i politikanëve prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008. Shantazhet meskine që partitë politike i bëjnë njëra-tjetrës në vend se të komunikojnë dhe punojnë si të gjejnë zgjidhje për krijimin e institucioneve dhe kështu t’u shërbejnë qytetarëve për çfarë marrin rroga shumë të larta janë paturpësi e cila megjithatë nuk do të kalojë pa u dënuar nga elektorati. Kjo sjellje e pacipë dhe arrogante e kastave politike të Prishtinës dëshmon se ka ardhur koha që përfaqësuesit egoistik dhe të vetë-fiksuar duhet të ndiqen nga skena politike. Nuk ka asnjë dyshim që qytetarët dhe politikanët e rinj brenda disa viteve do të hedhin nga politika pjesën më të madhe të gardës së tashme që nuk po e lë të marrë frymë shlirshëm Kosovën. Të gjithë që janë futur me bërryla në politikë apo janë atrofizuar nga korrupsioni dhe keqpërdorimet skandaloze shumë shpejt do të përjetojnë ditën e gjykimit të tyre. Politikanët respektivisht poltikanet që kanë bërë krime dhe vepra të dënueshme do të përfundojnë në burg.
-Javën që shkoi ambasadorja e SHBA-së në Prishtinë ka përçuar një mesazh të fortë publik dhe të pambuluar me dekorim diplomatik për liderët e Kosovës. Ajo në mënyrë qortuese i paralajmëroi ata duke u thënë: “Mos e dhieni punën!” Si e shihni dhe çfarë mund të thoni ju për deklaratën e Ambasadores amerikane Tracy Jackobson?
-Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar ushtarakisht, politikisht dhe diplomatikisht shumë në Kosovë. Pa Amerikën, Kosova dhe shqiptarët, ndoshta akoma do të ishim duke u marrë me mbijetesë dhe përpjekje për liri fizike, ndërsa tash mund të merremi me mëkëmbje dhe ringritje. Amerika vazhdon t’i përkrahë si Kosovën si shqiptarët për arsye të harmonisë së interesave të përbashkëta amerikano-shqiptare, dhe për shkak të angazhimit dhe lobimit të mbi gjysmë milioni shqiptaro-amerikanëve në Washington D. C. Kështu që kur ka zhvillime negative në Kosovë ngecjet shihen edhe si dështime të investimeve të Amerikës. Përveç kësaj, amerikanët e dinë që shqiptarët janë popull aleat dhe mik në Ballkan dhe partnerit— nëse nuk ndalon me dëngla dhe budallallëqe— duhet folur pa dorëza.
-Zonja Ambasadore ka transmetuar këshillat e saj dashamirëse për udhëheqësit e partive për disa muaj përmes kanaleve që përdorin ambasadat në një vend të pavarur, por liderët në Prishtinë vetëm sa janë futur më thellë në bunkerët e marrëzisë së moskomunikimit me njëri-tjetrin duke treguar se gjuha e vetme që kuptojnë është gjuha e papërpunuar.
-Është krejt në rregull që të tentosh të mundish kundërshtarin, por politika nuk është luftë ku nuk duhet të ulesh me oponentët dhe rrahish e debatosh probleme deri sa të arrihet një zgjidhje optimale. Në fund të fundit asnjë nga politikanët shqiptarë nuk po refuzojnë të takohen më me përfaqësues të Serbisë, e cila edhe pas çlirimit vazhdon me ndërskambëcat dhe agresionin e fshehur ndaj Kosovës. Si e arsyetojnë moskomunikimin me njëri-tjetrin këta njerëz atëherë?! Si duhet t’u drejtohet një përfaqësues diplomatik i një vendi që ka bërë dhe bën më shumë se çdo vend tjetër për Kosovën njerëzve që nuk duan ta shohin se po e çojnë vendin drejt hatasë?! Politikanët e Prishtinës duhet të kenë kujdes sepse populli i Kosovës duron, por kur reagon e keqja më e madhe do t’u ndodh pikërisht shkapërdarëve që mund të kujtojnë se do t’u ecë kungulli mbi ujë përgjithmonë.
-A mendoni se ngërçi politik në Kosovë duhet të zgjidhet nga vetë forcat politike dhe jo me ndihmën e shteteve të tjera? A munden politikanët e Kosovës të zgjidhin çështje të vështira pa ndërhyrjen e Uashingtonit e Brukselit?
-Natyrisht që ngërçi do të duhej të zgjidhej nga të zgjedhurit. Me kandidim një njeri kërkon besimin e votuesve se do të angazhohet për interesin e përgjithshëm nëse e nevojshme edhe duke dhënë jetën në mbrojtje të interesave të shoqërisë. Politikanët e Kosovës e patën rastin e parë kur plotësisht do të përdornin demokracinë për të krijuar institucionet dhe zgjedhur ekzekutivin që duhet të mirret me probleme të shumta si papunësia e madhe, sistemi i edukimit për turp, shëndetësia që është e sëmurë për vete, sektori i energjisë i vetmi në Europë ku nuk ka drita 24 orë pa ndërprerje, sistemi financiar primitiv dhe oligopolist që rrjep depozitorin dhe dënon investitorin dhe diplomacia, e cila na merr fytyrën në pjesën më të madhe të përfaqësive të saj në të katër qoshet e botës. Nuk ka mbetur edhe shumë kohë— mbase dy-tri javë që t’i vihet kapak këtij turpi.
-Sidoqoftë, unë megjithatë jam optimist sepse çdo alternativë tjetër përpos një marrëveshjeje— sado e keqe qoftë ajo— mund të rezultojë në prekjen e abisit. Bazuar në zhvillimet e dy javëve të fundit duket që ka një reflektim te klanet politike vendore dhe lojtarët kyç ndërkombëtarë dhe më në fund mbase do të ketë një zgjidhje të arnuar. Më duhet të them që kjo zgjidhje duhet të jetë vetëm e përkohëshme dhe të jetë në fuqi për dy vitet e ardhshme deri në zgjedhjet e reja kur në shprehje dhe pushtet duhet të vije një gjeneratë e re e politikanëve të përgjegjshëm dhe profesionistëve të aftë, të cilët mund të jenë ata dhe ato që do e fusin Kosovën në demokraci meritokratike dhe bëjnë atë si krejt Europa.
-A mendoni se Tirana sado pak mund të luante dhe ndoshta ende mund të luaj rol në zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë— dhe a ka pasur deri tani— nga këndëshikimi juaj— njëanëshmëri të trajtimin e kësaj çështje nga Tirana zyrtare?
-E kam thënë në një prononcim publik para disa muajsh që do të ishte mirë që Presidenti Nishani dhe Kryeministri Rama të ndihmonin. I pari është më i afërt me LDK-në dhe AAK-në, kurse i dyti me PDK-në dhe VV-në. Të dy përfaqësuesit e shtetit shqiptar janë miq me liderët e partive të Kosovës dhe duke u përfshirë do të mund të ndikonin në uljen e vëllezërve të tyre rreth një tavoline të përbashkët. Ka plot shqiptarë që ftojnë Gjermaninë, Britaninë e Madhe apo SHBA-në të ndihmojnë, pse jo Republika e Shqipërisë, kur deri më tash Tirana ka qëndruar dinjitoze përkundrejt evoluimit të keq të krizës ndërsa vazhdon të punoj në përkrahjen sidomos diplomatike të Kosovës në forume dhe zyre ku Kosova nuk ka qasje? Ende mendoj që Presidenca dhe Kryeminstria shqiptare duhet të nisin një të dërguar të përbashkët te Presidentja e Kosovës dhe të pyesin atë se si mund të kontribuojë Tirana— qoftë me ndikim indirekt, qoftë direkt. Mos të harrojmë që gjatë krizave në Tiranë ka pasur së pakut tentime për ndihmë nga Kosova PD-së dhe PS-së kur njëra apo tjetra kanë bojkotuar Kuvendin e Shqipërisë. Sigurisht që Shqipëria dhe Kosova janë shtete më vete, por interesi reciprok i të dyjave është që tjetra të jetë stabile dhe të përparojë.
-Heqja dorë nga Kryeparlamentari a e zbeh fuqinë e veprimit të Bllokut? A mendoni se këtu me këtë rast “veproi” ose pati ndikim deklarata e Ambasadores amerikane ne Prishtinë?
-Nuk e di sa ka pasur ndikim deklarata e Ambasadores amerikane, por sigurisht që kur flet shteti amerikan me zë ky është sinjal se duhen veprime ose përndryshe do të veproj Amerika vetë. Pranimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Kryekuvendarin nga Blloku tregon reflektim pjekurie dhe vakje të shpresave që arsyeja do të ngadhnjejë. Në fakt, Blloku ka mundur të vepronte kështu më herët dhe të përqendrohej në koordinimin dhe përmirësimin e ofertës qeverisëse. Sido që të bëhet, pozita e Kryeparlamentarit nuk ka qenë dhe nuk do të jetë nyja gordiane e ngërçit. Nyja që nevojit zgjidhje është komunikimi i emancipuar i subjekteve dhe lojtarëve politik. Kushdo që do të qeverisë apo mbesë në opozitë në Prishtinë do të duhet të bashkëpunojë me të gjithë. Çështjet si bisedimet me Serbinë nën patronazhin e Brukselit, integrimet europiane dhe ligje si ato për veteranët e UÇK-së apo rivitalizimin e aseteve si Trepça ose Kosova e Re nevojisin koncensus shtetëror dhe gjithëpartiak. Nuk e kuptoj se si shumë politikanë shqiptarë kudo në Ballkan nuk e kuptojnë që vendit mund t’i shërbehet si në pozitë ashtu edhe në opozitë.
-Ban Ki Moon tha të mërkurën e kaluar: “Liderët e Kosovës duhet ta zgjidhin krizën politike.” A është kriza aq serioze sa që edhe kreu i OKB-së detyrohet të flasë për të?
-Po, kriza është serioze. Shteti i Kosovës tashmë ka realizuar humbje konkrete financiare, diplomatike dhe politike si pasojë e ngërçit dhe bile pasoja do të ketë edhe në vitet në vijim. Në vend se drejtuesi i OKB-së të flasë për pranimin e Kosovës në mekanizma global apo edhe në OKB, ai u tërheq vëmendjen liderëve të Kosovës për gjëra rutinore si krijimi i organeve të shtetit. Shqetësimi i të parit të shteteve të botës është i sinqertë dhe ai duhet të mobilizojë politikanët në Prishtinë që të veprojnë sa më shpejt. Ka ngecje në njohjet ndërkombëtare dhe ka anëtarë të KS të OKB-së që u kënaqet zemra ndërsa shohin problemet e Kosovës sepse kjo u jep municion në betejat e tyre gjeostrategjike. Kosova dhe shqiptarët nuk duhet të lejojnë këtë. OKB duhet të jetë në anën tonë. Mos të harrojmë se ne nuk do ta kemi fituar luftën e Kosovës derisa ta fitojmë betejën e anëtarësimit në OKB. Ajo ditë largohet për çdo ditë që liliputët e politikës sonë nuk e kuptojnë që bota dhe Kosova nuk sillet rreth boshtit të ekzistencës së tyre, por liliputët rreth boshtit të Kosovës dhe botës.

-A mendoni se nëse në këtë mënyrë po shkohet drejt zgjedhjeve të reja dhe a mund të shërbejnë këto zgjedhje si zgjidhje e këtij ngërçi?
-Nuk e besoj që do të ketë zgjdhje të reja. Zgjedhjet e reja do të ishin fatale për politikanët aktual byrytës, por ato do të ishin fitore e Pirros edhe për qytetarët e Kosovës sepse do të kushtonin në çdo aspekt më shumë se një kompromis sado joperfekt. Zgjedhjet e qershorit 2014 janë zgjedhjet e fundit për disa politikanë të shpenzuar dhe kompremetuar. Këto personalitete politike mund të mos mërziten për intetresin e Kosovës, por kur vjen puna te interesi i tyre nuk kanë problem të jenë të gatshëm për “lëshime”. Më e rëndësishmja, rreziku i zgjedhjeve të reja do të riaktivizonte nivelet më të larta të shteteve aleate dhe protektore të Kosovës, gjë që miqtë tonë nuk duan ta bëjnë sepse kanë çështje më emergjente dhe më të rëndësishme globale.
-Kryeministri Rama sapo përfundoi vizitën e tij në Beograd dhe Preshevë. Si e komentoni vizitën e tij dhe sa lidhet ajo me situatën në Kosovë?
Duhet të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt: Rama pat një paraqitje të shkëlqyer në Beograd.
-Zoti Rama pa mëdyshje meriton lëvdata personalisht, por duhet të rikujtohet se si arritëm në këtë ditë kur Serbia detyrohet të shoh krejt shtatin e peshës dhe kapacitetin e kombit shqiptar në Ballkan midis Beogradit. Janë me qindra mijëra dëshmorë, të dëbuar e të dëmtuar, fëmijë dhe pleq që kanë vuajtur, studentë dhe studente që kanë dorëzuar ëndërrat personale për idenë e madhe të barazisë, gra dhe burra që kanë humbur shumë dhe kanë punuar shumë, vajza dhe djem që kanë jetuar jetë të idhta që të triumfojë e vërteta dhe liria. Jemi këtu ku jemi sepse kemi kontribuar të gjithë, dikush më shumë e dikush më pak, por të gjithë kemi qenë bashkë. Kjo është me rëndësi të rikujtohet. E çmoj sidomos vizitën e Ramës në Kosovën Lindore dhe guximin e tij ta thotë të vërtetën e thjeshtë që shqiptarët në Serbi duhet të kenë të njëjtat të drejta si serbët në Kosovë. Trajtimi i barabartë i njëri-tjetrit në Ballkan është themeli i një Ballkani më të mirë dhe paqësor. Republika e Shqipërisë dhe Kosovës janë të një rrënje dhe nuk ka se si aktet dhe veprimet e njërës të mos kenë lidhje me tjetrën.
Zoti Rama ka sjellur një energji të re në Tiranë. Mirëpo, për shkak të punës së madhe që kemi përpara kudo jetojnë shqiptarët në Ballkan, tash nuk është koha për medalione dhe shprehje kënaqësie. Pres më shumë nga kryeministri Rama në gjërat konkrete. P.sh. asnjë shtet shqiptar nuk ka bursë për listim dhe tregtim të aksioneve dhe bonove; nuk ka projekte të mëdha ekonomike të përbashkäta si fjala vjen Porti i Shëngjinit, i cili pritet t’u jepet kinezëve, por Tirana mund ta përfshijë me 33% aksione edhe Kosovën në këtë investim me rëndësi kombëtare dhe regjionale; nuk ka bashkëinvestime në sektorin e energjisë ku Tirana dhe Prishtina mund të bashkëfinancojnë me mbështetejen e mekanizmave financiarë global dhe privat Termocentralin në Kastriot në shumën deri në 600 milionë euro pa kurrfarë problemi; dhe nuk kemi universitete elitare që po ashtu mund të jenë të mbajtura bashkërisht me vija buxhetore nga të dy qeveritë. Vizita dhe nokautimi politik i kryeministrit serb në selinë e tij ishte një surprizë e bukur, por jeta vazhdon dhe ne duhet t’i kthehemi realitetit, i cili nuk është edhe aq pitoresk sa mund dhe duhet të jetë. Lëvizjet gjeopolitike janë në favor të faktorizimit tonë, mirëpo se sa do të arrijmë pikësëpari varet nga rregullimi i çështjeve të brendshme në oborret tona.
Së fundi një pyetje personale. Bazuar në agazhimin tuaj të vazhdueshëm a keni menduar ndonjëherë të përfshiheni direkt në politikën shqiptare në Ballkan?
Kjo është një pyetje që mund t’i shtrohet çdo shqiptari. Unë, ndoshta, pa dëshirë, në politikë jam që prej se di për vete. Jam rritur nën okupim, kam ikur nga okupimi për shkak të veprimtarisë politike dhe jam kthyer në atdhe për të ndihmuar gjatë çlirimit. Nuk ka ditë që nuk përpiqem të kontribuoj për popullin tim në SHBA. Janë edhe shumë të tjerë që bëjnë të njëjtën këtu në Amerikë, Europë dhe deri në Azi e Australi. Shqiptarët e sotëm nuk janë më ata të djeshmit. Nuk kam plane për hyrje në politikën aktive, por duke qenë në kontakt direkt me më shumë se një duzinë intelektualësh, veprimtarësh dhe pjesëmarrësish politik në Ballkan, Europë dhe Amerikë, disa prej tyre pjesë e institucioneve dhe shoqërisë civile, jam në rrjedha direkte të zhvillimeve shoqërore-politike. Shumë gjëra do të varen nga proceset e fundit dhe qasja e elitave tona. Nëse vendi futet në rrugë që e çojnë në qorrsokak dhe unë mund të kontribuoj direkt, atëherë, në bashkëkëshillim me Washingtonin, mund të inkuadrohemi në politikën aktive duke ofruar alternativa konkrete për zhvillim dhe mirëqenie të qytetarëve.

Filed Under: Interviste Tagged With: Kriza ne Kosove, RAMA NË BEOGRAD, Uk Lushi

PAVARESINE E KOSOVES NUK E SHPALLI KRYEMINISTRI RAMA!

November 11, 2014 by dgreca

SI E SHIKOJ VIZITËN E KRYEMINISTRIT,EDI RAMA, NË SERBI?
Opinin nga ZYBA HYSEN HYSA/
Ishte historike, por askush nuk e di tani, nëse kjo vizitë fshihet nga politika/
Djallëzore, ashtu siç di të shfrytëzojë Serbia me shqiptarët./
Deklarimi mbi Kosovën, nuk ka pse i jepet aq rëndësi, saqë po duket sikur aty u shpall/
Pavarësia, ajo qe në normalitetin e funksionit që ka një kryeministër shqiptar, ndryshe do të lindte dyshime, për shumë gjëra që në fakt janë dyshime. Do ishte sukses, sikur gjatë bisedimeve kokë më kokë të kishin rënë dakort që Serbia të kishte pranuar Kosovën si shtet i pavarur. Duke përmendur Kosovën, e keqja më e vogël për Serbët, siguruan skllavërinë e Luginës së Preshevës.
Më tremb krahasimi i vizitës së Edi Ramës me atë të Enver Hoxhës, se mendoj që
përligji skllavërinë e Luginës së Prashevës, ashtu si Enver Hoxha skllavërimin e Kosovës, duke e krahasuar, të pakrahasueshmen midis minoriteteve në Shqipëri, apo me serbët e Kosovës, me banorët autoktonë të kësaj krahine shqiptare, e cila shfrytëzohet pa mëshirë nga serbët pa bërë asnjë ivestim në këto treva.
Në gjithë këtë vizitë shikoj që po ngopemi me lugë bosh, se ne përherë
punët qeveritare i quajmë të realizueshme me fjalët e bukura, duke mos shikuar se çfarë u nënshkrua në fakt.
Serbia për çdo ndërmarrje agresive ndaj shqiptarëve, ka një shkak plus për
të “justifikuar” luftën, se po të shikojmë luftën e Kosovës, 1998, duke mos pasur një shkak, krijuan një shkak duke vrarë disa djem serbë duke deklaruar se i kishin vrarë shqiptarë.
Serbia mbetet rreziku me i egër për ne, shqiptarët, sidomos në këto rrethana
kaq të acarua të botës Perëndimore dhe BE me Rusinë, sepse Rusia mund ta përdorë lehtas Serbinë duke i garantuar “mirëqënie” duke i shitur armë e ata duke marrë nga një copë tokë shqiptare. Serbia, nëse nuk kupton këtë lojë të Rusisë, kurrë nuk do të ketë zhvillim në zhvillim, ajo do ketë zhvillim aq sa ka një hajdut që jeton duke vjedhur dhe duke qenë përherë me ethet e presë së tij.
Kjo sjell varfërimin deri në palcë të shqipëtarëve të robëruar, me taksat e tyre
përfitojnë vetëm serbët. Serbia, per fat të keq, edhe Shqiperia, po i përdor taksat e popullit të vet, pa i kthyer për qëllimin e popullit. Marrin dhe nuk i japin, por do vije nje dite që do maarrin, po s’kanë se cfërë të marrin. Po nuk e ushqeve kalin, nuk te mban dot mbi shpinë, se sic thotë Viktor Hygo: “Shteti është një kalorësi që në një dorë mban kuletën në tjetrën kamxhikun…”, por kalit që nuk i hodhe nga pak tagji, nuk të mbanë dot…
Konferenca e shtypit ishte nje spektakël për të “mbushur” mendjen elektoratit
të tyre, ata lozën bukur, saqë na mahnitën edhe ne, edhe serbet, të dy popuj që nuk jemi marrë me ndriçimin e mendes për të kuptuar se çfarë fshihet pës fjalëve të mirërenditura.
Vlorë, 12 nentor 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Edi Rama, ne Serbi, SI E SHIKOJ VIZITËN E KRYEMINISTRIT, Zyba Hysa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4298
  • 4299
  • 4300
  • 4301
  • 4302
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT