• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri u nderua edhe në mërgatën shqiptare!

September 24, 2014 by dgreca

Nga Asllan DIBRANI/ Shtutgard/
Në Shqipëri ka bërë jehonë vizita e Papa Françeskut në mediat ndërkombëtare. Thuajse secila gazetë prestigjiozeve botërore e kanë raportuar dhe komentuar në mënyra të ndryshme.
Reportazhe, artikuj dhe komente mediale e përshkruan itinerarin e ceremonisë të kreut të Vatikanit dhe shton se kjo vizitë shihet si një mbështetje për përpjekjet e Shqipërisë për t’u rreshtuar dhe afruar me Perëndimin, dhe integrimin e saj si pjesë e Bashkimit Evropian.
Me një vëmendje të veçantë për këtë vizitë historike të Papa Françeskut në Tiranë, u prononcuar edhe disa media televiziv drejtpërsëdrejti siç ishin Televizioni “Rai 1” italian “SNN” amerikan etj, duke pasqyruar ardhjen e Atit të Shenjtë në Shqipëri . Këtë takim historik dhe me vlera prestigjioze kombëtare e përcollën të gjitha mediat shqiptare kudo që janë . Takimet presidenciale dhe qeveritare ja shtuan vlerën këtij takimi ,nga e cila botërisht u pa mikpritja dhe traditat shqiptare për miqtë e vet.
Takime të ngjashme u bënë edhe në mërgatën shqiptare në shumë shtete , po veçojmë takimin në kishën shqiptare të Shtutgardit , pasi që ishte edhe ditë e diele . Këtu u koordinuar mesha javore , po edhe takim kushtuar Papa Françeskut në Tiranë. Këtu çdo të diele takohen m e qindra besimtar , po edhe kësaj here ishte e ngjashme , me një numër të madh njerëzish. Pati edhe disa qe u vonuan për ceremoninë e meshës nga se ishin përqendruar pran ekraneve televizive në përcjelljen e vizitës së Papës në Shqipëri qe u transmetonte drejtpërsëdrejti ky takim.
Pamje e publikut për nder të vizitës së Papa Françeskut në Tiranë që u shënuar edhe si ditë historike në mbare popullin shqiptar !
Kisha katolike shqiptare në Stutgart ishte përgatitur për ketë festë. Ajo e kishte zbukuruar në mënyrë të veçantë këtë të kremte me një portret te madh të Papa Françeskut. Zoti Marijan Lorenci, famullitari i misionit katolik në Stutgar përshkrua shumë bukur këtë takim në Shqipëri të Papës ,ndër te tjera theksoj se është një nder i madh për ne shqiptaret , për Shqipërinë tonë , për Kosovën tonë dhe për kombin tonë , një vizitë e shenjtë në vendin e shenjte të Nënë Terezës Shqipërinë e dashur .
i vazhdoi dhe tha se edhe ne si komunitet shqiptar në Gjermani e ndiejmë një privilegj për këtë takim aq madhështor, qe i behet një vizitë popullit tonë të vogël nga një njeri i madh . Populli ynë dha, nga vetja vlera si Nënë Terezën , Skënderbeun, Ibrahim Rugovën dhe Ismail Kadarenë, me çka do krenohemi ne shqiptarët për gjithmonë . Meshën e kësaj dite e shoqëruan edhe dy pagëzime për dy fëmije të lindur në Shtutgard. Ata u pagëzuan nga At Lorenci i mbështetur në librin e parë në gjuhen shqipe të “Mesharit” me thënien “Unë po të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit të Shenjt”.
Kultura jonë ka filluar nga Shën Jeronimi e këndej, shqipja e shkruar dëshmohet vetëm në shekullin XV, në kohën e Gjergj Kastriotit, ku edhe shprehet fuqishëm një identitet shqiptar përpara vetvetes dhe përpara botës.

Filed Under: Mergata Tagged With: Asllani Dibrani, shqiperi, Shtutgard, VIZITA E PAPËS

Cërrriku i Kin Dushit

September 24, 2014 by dgreca

ALEKO LIKAJ/Francë/
Njeriu që ishte përtej në trotuarin përballë kinemas së qytetit, qëndroi për një çast dhe ktheu vështrimin këndej nga ne. Pashë rrezëllimin e xhamave të syzeve të tij e refleksionin e dritës që hodhën ato atë mëngjez të së dielës
– Eshtë ai, shkrimtari, që e kanë sjellë në Cërrik – tha Meti i gjatë që po na tregonte historinë e romanit “Lenko” që posa kishte lexuar ato ditë.
-Kush, kush? – pyeti Din Daiu, që i mbante flokët gjithmonë të rrëzuara, mbi ballë.
Altopolanti po transmetonte “Radio-Postën” e muzika në shesh kishte sjellë një “rumbo” të Agim Prodanit. Njeriu që më tregoi Meti, kishte veshur një xhaketë të zezë dopiopetë e një palë pantallona gri. Dukej se sodiste gjithëçkah. Madje në lëvizjet e tij ishte më shumë se sa kurioz kur kontrollonte me vështrim gjithë sheshin, dhe pastaj rrugën përtej, në fund të lulishtes e cila të çonte për në Elbasan. Mbante një pale syza miopësh, e me sa duket, kishte shumë probleme me sytë. Këtë do të ma thonte vetë disa kohë më vonë, kur bisedonim si dy miq të vjetër,në një cep kalldrëmi të pazarit të Elbasanit, kur sapo kishte dalë nga burgu.
Kisha lexuar librin e tij “Një emër në mes të yjeve”, dhe natyrisht për atë moshë që isha atëhere, nuk mund që ta mendoja e ta shijoja, të paktën edhe si lexues. Ndonëse, letërsia më dukej se më kishte marrë për dore e për të më çuar në portat e zemrës së saj. Fshehurazi, hidhja ndonjë varg që i kushtohej në heshtje ndonjë vajze çapkëne të klasës sime, por edhe të një tjetre, dy vite më poshtë, që kishte sytë jeshile, si të bajames se pa bërë. Muzika ishte tjetër gjë. Me kishte rrëmbyer të tërrin, si një dashnor i përvëluar, kur luaja në bateri me orkestrën e shtëpisë së kulturës së qytetit.
E ndoqa për një çast, ndërsa ecte qetësisht si i humbur në atë mjedis. Ishte si i hutuar. Ne një moment, u hapi udhën në trotuar dy fëmijve, që vraponin me zhurmë pas njeri tjetrit.I ndoqi me sy, e pastaj, vuri buzën në gaz si i zënë në faj. Isha ndarë me Metin dhe Dinin duke u thënë se kisha provat lart në sallën e klubit, dhe ata, e kishin besuar. I pështetur pas një prej kollonave të saj, dukesha sikur prisja dikë aty, ndiqia shkrimtarin. Pas Dhimitër Shuteriqit, Tonin Milotit e një tjetër shkrimtar ushtarak që na i kishte sjellë në shkollë, mësues Hyjniu, nuk kisha parë e njohur shkrimtarë të tjerë, ndonëse nuk lija libër pa lexuar, nga ato për fëmijë, por edhe për të rrinj që botoheshin atëhere.
Kin Dushi mori kthesën, dhe u nis drejt e nga posta e qytetit. “Me siguri që do të flasë në telefon ” mendova. Dhe vërtetë, që ai pas pak, ngjiti shkallët qetësisht dhe u fut në postë. Por atje u vonua, dhe unë, nuk mund që të prisja për ta parë nga afër, ndonëse më tundonte dëshira .Ne fakt, më erdhi turp që të shkoja deri atje, dhe preferova që të kërkoja ndonjë shok tjetër, në atë shesh që ishte si i boshatisur. Mbase u pendova për gënjeshtrën që i thashë Dinit dhe Metit, me të cilët ishim në një lagje. Një pjesë e mirë e qytetit, kryesisht nga puntorët që punonin në rafinerinë e naftës, ishin në një punë vullnetare, për të mirëmbajtur ambjentin e jashtëm të uzinës. Sidoqoftë, ky çast, më mbeti në kujtesë si diçka e veçantë, në jetën e atij qyteti të vogël, që dukej si një kamp i mundimshëm punë. Por edhe njohja e parë, me njeriun që do ti ndiqia më pas, trajektoren e tij të trishtua, drejt rënies. Do të njihja mirë mekanizmin, që e çoi atë në humnerë, njerëzit që e gjurmonin, por edhe ata…kolegët, që i a kishin shitur shpirtin djallit, të cilët ndihmuan hetuesit e shkruan pastaj, pretencën e një prokurori, që në çdo tre fjalë, përdorte “Partia dhe shoku Enver”.
* * *

Herën e dytë, e takova në një prej sallave të Shtëpisë së Kulturës, në katin e dytë. Ishte mes disa amatorëve të grupeve artistike. I kishin vënë karriket përballë njeri tjetrit, e vazhdonin të flisnin, e diskutonin gjatë. Zura vend pas derës. Kuptova që Kini po fliste për një njeri, që me sa dukej, e njihte shumë mirë, dhe që u a kishte propozuar më parë, për regjinë e një numri të ri estrade, me të cilën cërrikasit, do të konkuronin së shpejti në një aktivitet kombëtar
– Të jeni të sigurtë, që fjalën time Fehmiu, nuk do ta bëj dysh. Jemi miq prej shumë vitesh, atje në Tiranë. Ka ide, dhe kjo, është e rëndësishme. Ta sjellim njëherë. Por, edhe ju duhet që të punoni në linjë partie. Jeni qytet puntorësh.
Kini fliste shkurt. Ishte mbështetur në karrike e duart herë pas here i vendoste mbi gjunj. Kishte veshur sërrish xhaketën e zezë dhe pantallonat gri. Këtë herë i a dallova mirë edhe fytyrën. Pak e zgjatur, e me një mjekër, që nuk rrumbullakohej aty në fund.
Pas tetë a nëntë ditëve, mbriti edhe Fehmi Hashafi, që më vonë realizoi filmin « Kapedani ». Ishin bashkë me Kinin kur na mblodhën në sallën e sipërme të shtëpisë së kulturës se qytetit…Materialin letrar e kishte marrë përsipër vetë shkrimtari. Kur zu e erdhi nata të dy të sapoardhurit nga Tirana shkuan në të vetmin restorant të qytetit që kishte sipër një hotel. Aty punonte një invalid me kollonën të përthyer si një kosore. Ky i priti dhe i shoqëroi pastaj pas darke, përpara se Fehimi të pushonte në një prej dhomave të këtij hoteli, në katin e dytë. Dukej që Kini kishte zënë shoqëri me hotelxhiun, pasi fliste me të dhe bënte shaka si me një të afërm. I pashë nën një dritë të zbehtë llambe që ishte vendosur mbi një shtylle të drunjtë dhe që mezi ndiçonte dhjetë metro katrore. U përkula mbi parvazin e ballkonit tim që nuk ishte më shume se njëqind hapa larg nga hoteli që mbante emrin « Shkumbini ». Tre burrat ishin të vetëm në atë lakuriqsi rrugë e cila nga ne konsiderohej si « bulevardi i qytetit ». Qeshnin e bënin shaka e gazi i tyre vinte deri tek unë.
Cërriku asaj kohe mbyllej shpejt në shtëpi. Qytet puntorësh ku shumica punonin me tre turne në rafinerinë e naftës. I krijuar në mezin e viteve 50 të, at’here kur hodhi shtat edhe uzina e vetme në këtë pellg të fushës së Shkumbinit, nuk numëronte më shumë se katërmijë banorë, së bashku me fermën dhe SMT në, një lagje e vogël që zinte fill në të dalë të rrugës që të çon në Gramsh. Kini kishte ardhur si i dërguari special i revistës « Ylli ». Shkaku ka qenë krejt tjetër. Mund që ta lexonte vetëm ndonjë i vemendshëm. Edhe pse nuk u bë i ditur asnjëherë aty mes nesh ai, nuk munguan edhe thashethemet që qarkullonin nën zë.. « E kanë kapur nudo, krejt lakuriq, së bashku me disa artistë të tjerë në një orgji shtëpie miku ». Kështu me tha një xhuxh thatim që punonte si përgjegjes turni në uzinë. Komunist. E kisha komshi, dy pallate më tej. Mbante gjithmonë nga një libër në sqetull. Lexonte shumë. Kjo ishte edhe ajo që na bashkonte të dy. Shkëmbenim libra. « E kush të tha ty – më pyeti Hamza Nuredini, fizarmoniçisti i estradës që ishte edhe banori i të njëjtit pallat me mua, kur i thashë me naivitetin e një djali të pa rritur mirë, në një dite provash për premierën e re. -Ik e fshij prapanicën me atë burrë. Spiuni i m…
Me donte dhe më rrespektonte Hamzai që ishte shëngjinas nga Lezha. I duhesha si baterist në orkestër, por Kinin e çmonte shumë. E donte si vëlla. Deri në fund rinin që të dy në sallën e shfaqieve. Kini si zakonisht në karrike i ulur diku nga rradha 5 a 6. Ndiqte provat. Priste sa të mbaronim deri vonë, afër mesnatës. Fehimi kalonte sa në njerën anë të skenës në tjetrën. Kontrollonte batutat. Kur ndërhynte Kini, që ndjente se i a kishin « hëngër » fjalët e skeçit, rregjizori lëshonte zërin si të basit, « stop ». Kur mbaronte gjithëçkah, vinte i heshtur e drejt e në skenë Kini.
-Hamza, na merr ndonje gjë.
Tjetri vendoste qetësisht rrypat e fizarmonikës dhe pastaj ngrinte supin e djathtë. Një mbrëmje fizarmoniçisti qëndroi për një çast i heshtur me dorën sipër tastierave në mëdyshje për të vendosur.Pastaj lëshoi zërin e tij të pjekur si të një tenori profesionist. Ca fjalë të huaj që u rrokullisën pas një hapje të beftë të kacekur, dhe më pas melodia. Munda që të kuptoj vetëm dy fjalë, « …kapidan Nikolla… ». Hamzai vazhdoi që ta këndojë dhe ta ndjeje këngën sllave deri në momentin që mbylli përgjithmonë kacekun e veglës. Kini e kishte ndjekur i heshtur. Fehimi kishte bërë tre hapa pas dhe pastaj kishte zbritur nga skena. Si pa kuptuar. Në një çast të vetëm ra një heshtje. Asnjë nuk tha një fjalë.
-Kam qenë në kampin e Prishtinës, kur e kam dëgjuar për të parën herë këtë këngë. Duhej që të ishte ndonjë i burgosur maqedonas si dhe ne, që priste pushkatimin. Këndonte jashtë kapanonit tonë, në muzg. Unë u ngjita në dritare por nuk e dallova dot. Këngë trimërie dhe malli, por edhe dashurie në atë gjuhë. Një çast më pas mbritën rojet. Gjermanët ja mbyllën gojën. E rahën barbarisht. Ne këndej dëgjonim fshikullin e kërbaçit që zinte në mish. Kaput, kaput thërriste dikush në atë gjuhë. Pastaj ra heshtja. U dëgjua një klithmë « Ah, majko… » i thërriste nënës djaloshi këngëtar. Tre ditë më vonë filloi ekzekutimi, ai që mbeti në histori si pushkatimi i 104 – ve. E tmershme…
Kini heshti për një çast dhe pastaj vendosi pëllëmbën e dorës së majtë mbi ballin e dalë, sipër syzeve që ishin të trasha, për një miop si ai. Përtej, sytë e vegjël gri të poetit, u mbyllen. Mbase për të ruajtur brenda tyre ato skena të tmershme lufte. I a kishin vrarë shokët një e nga një. I a merrnin në një kazermë ku i kishin mbyllur pas një numërimi kokë më kokë. Thuhej se ishte për hakmarje, por asnjëherë nuk u mësua e vërteta. Kështu tha Kin Dushi të nesërmen kur na e ritregoi atë ngjarje. Ishim një grup prej 6- a 7 personash në sallën e bibliotekës. Ne të orkestrës, pasi aktorët vazhdonin provat e lodhshme përsëri me Fehmiun, poshtë në skenë. Hamzai, si gjithnjë ishte njeriu kyç që ç’bironte shkrimtarin, që kishte qenë gati pionier në luftën për çlirim
Mua më mbeti në mëndje. Sidomos skena kur një partizanes i kishin grisur këmishën dhe pastaj kishin thirur një prej të burgosurve që të vazhdonte më tej. Argëtoheshin disa ushtarë të rrinj. Madje edhe qeshnin.
Kohë lufte…

* * *
Një muaj më vonë ne pamë qytetin në revistë. « Ylli « kishte në kopertinë portretin e Petrit. Besimit, një prej naftëtarëve më të dalluar të uzinës. Reportazhi ishte në disa faqe. Ishte edhe Cërriku aty, me të vetmen rrugë që e përshkonte mes për mes. Njerëz e pemë pranë lulishtes në qendër. Disa ditë më parë kishte mbritur edhe një fotoreporter i « Yllit » që kishte bërë shumë shkrepje të aparatit nëpër qytet. Nga pas e kishin ndjekur të vegjëlit. Më kujtoheshin që të gjitha këto skena ndërsa dilja nga shkolla me shokët e shoqet e mij të klasës. Kohë drekë. Në trotuar nga larg qëndronte hotelxhiu. Dukej i shkujdesur, pa e patur mëndjen aty. Kini mungonte. Me pas thanë se « do të qëndronte disa ditë në Tiranë » dhe ashtu ndodhi.
Hamza Nuredini, tha ; Po ka nevojë njeriu xhanëm. Ka shtëpi e katandi atje. Hoteli nuk mund që ti a zëvëndsojë.
Botimi ishte ngjarje për një qytet si Cërriku ynë. Të gjithë flisnin për personazhet e reportazhit. Myfit Shehu, një tjetër i fotografuar dhe personazh i revistës ishte thirrur një ditë më parë në një takim me nxënës të klasës së pestë të shkollës tetëvjeçare « 8 Nentori »
– Po mban vlagë – tha Din Daiu, shoku im i klasës, që ishte një elbasanlli puro. – Na nderoi shkrimtari. Eshtë penë e fortë. I bëri personazhet si njerëzit më të rrëndësishëm të kësaj bote – pastaj u kthye nga unë sikur të ishte kujtuar për diçka të haruar. – E di ti që unë në shtëpi kam disa libra të vjetër të Kini Dushit?
Mbasdite u gjenda tek Dini. Një pallat më poshtë. Jetonte vertëm me nënë, Ferijen, mamija e qytetit, së bëshku me Përparimin të vëllanë dy vjet më të madh, pa baba. Thonë se kur Dini ishte vetëm një vjeç, babai ishte arratisur. Kishte qenë oficer. Nuk dihej asgjë më për të, por familja trajtohej me kleçkë e me ftohmë. Mbante mbiemrin e vajzërisë së nënës.
Në dy arka kartoni gjetëm plot tre libra. Ishin botime te viteve 50 të. « Udha e Velanit », pastaj një libër me tregime humoristike që kishte një kapak të verdhë e një karrikaturë te një njëriu mëndjemadh. I treti nuk kishte kapak. I grisur e me një fletë ku dallohej emri Kin Dushi. Nuk e mësuam asnjëherë titullin e tij. I pastruam nga pluhuri. Dini më tha se i kishin blerë në Gramsh kur ishin me banim para disa vjetësh si të internuar. Lexonte Ferija që kishte studiuar në Itali përgjatë kohës së luftës. Ishte nga një familje me tradita në Elbasan
Mendova që t’i a them e ti tregoja Kinit, sapo të vinte përsëri në Cërrik. Doja të dukesha se e kisha lexuar gjithë krijimtarinë e tij. I këtij mendimi ishte edhe Hajredin Daiu. Por ai kërkoi këtë herë që të fliste edhe me shkrimtarin. Ashtu vendosëm. Menjëherë i u futëm leximeve. Velanin e mora unë. Të tjerat kur të dorëzoja atë. Dini filloi me ato që i mbetën. Për dhjetë ditë i mbaruam. Por Kini nuk po dukej në qytet. Ishte mungesë e gjatë për ne.
Kur menduam se ai nuk do të vinte më në Cerrik, Meti i hollë dhe i gjatë që banonte tek pallati 24, na tha se e kishte parë Kinin përsëri në bibliotekë. Të nesërmen ne ishim përballë, në trotuarin përpara hotelit. Kërkonte hotelxhiun. Me atë kalonte kohën. Unë i u afrova. Doja që ti flisja për librat e tij që kisha lexuar me Dinin, por në çast u pendova. Nuk mund që ta tradhëtoja shokun tim. Kishim dhënë një fjalë. Zbrita nga trotuari e bëra që të ndroj rrugë. Sikur doja që të shkoja nga Mapua. E vura re që më pa. Madje vuri buzn në gaz dhe më përshëndeti me kokë. Ai më njihte tani…

* * *

Biblitekaria na tha; Kini do të bëj një film për Cërrikun. Do të shkruante skenarin. Ishte pëlqyer shumë reportazhi tek « Ylli ». Edhe ata të udhëheqies e kishin uruar. Ne që ishim në sallë nuk na mbante më gëzimi. Mora « Tom Sojerin që e kisha lexuar më parë dhe fluturova drej e para pallatit të Dinit, që ishte disa metro larg atij që banoja unë. I fola nga dritaria e banjos, se shtëpinë në katin e parë e kish, por ai nuk më dëgjoi. Mbase nuk ishte brenda. Nënë Feria gjithë ditën në maternitet rrinte, njëqind metër më poshtë. Kishte shumë lindje atë kohë. Vinin edhe nga fshatrat përreth
Dola përsëri. Në xhep mbaja edhe një vjershë që kisha shkruajtur ato ditë. I a kushtoja nënave. Meti e kishte pëlqyer, por unë nuk i thashtë të fshehtën time. Doja që t’i a tregoja shkrimtarit, Kinit dhe jo mësuesit tim të letërsisë, Hyjniut. Në shkollë atë kohë na kishte ardhur edhe një poet tjetë, Musai, por ai jepte mësim në shtatëvjeçare. Vinte dhe zhdukej si era në qytet, pa komunikuar me njeri. As edhe me Kinin. Kështu mendoja une, pasi sa zbriste nga autobuzi i linjës që e sillte nga Elbasani, vrapin e mbante në shkollë, tek godina e gjimnazit. Dhe anasjelltas kështu bënte. Ishte shumë i ri dhe aso kohe sapo kishte nxjerre edhe një libër me vjersha, « Ne njezet vjeçaret ». Do ta lexoja më vonë librin e tij dhe do të më rrëmbente.
Kini ishte ulur në lulishte me hotelxhiun. Me ta ishte edhe kuzhinjeri. Rallë e shihnim këtë njeri në qytet. Mbahej se lexonte, po unë nuk e kisha parë asnjëherë në bibliotekën e qytetit, që më ishte bërë si shtëpi e dytë. Ishte tridhjetvjeçar nga Elbasani, por në pamjen e parë nuk tregonte për aq.. Dukej se të tre ishin lidhur në miqësi. Gjithë pasditen u solla aty rrotull në pritje që të lëviznin nga vëndi të tre. Mendoja se do ta prishnin muhabetin shumë shpejt e secili do të shkonte në punën e vet. Po vinte darka dhe unë i kisha lënë pas dore mësimet për të nesërmen. Guzhinjeri duhej që të ishte në kuzhinë ato çaste, për të përgatitur darkën në restorant, por ata si për inatin tim ende nuk po lëviznin nga stoli.
Kur mendova se nuk do te behej më gjë, i pari e prishi vërtet kuzhinjeri. Ai i ra përmes lulishtes e u fut pas mapos për të dalë tek hoteli. Edhe hotelxhiu u ngrit pas disa çastesh. I dhanë dorën njëri tjetrit dhe u ndanë. Ky shkruante ndonjë gjë atë kohë tek revista, « Hosteni », por unë nuk besoja tek talenti i tij. Duhej që t’i a rregullonin ata të redaksisë. Vazhdonte të mesmen në shkollën e natës. Ishte në klasë me Hekuranin, shef reparti në uzine, e që më vonë u bë edhe antar i byrosë politike. Kini ecte qetësish. Mori rrugën për nga PTT- ja e qytetit. Me siguri që do te fliste me shtëpinë. Kështu bënte disa herë në jave. E ndoqa nga pas.. Në heshtje dhe paralel nga rruga e dyqaneve. Vendosa që ta pres kur të dilte nga posta. Ashtu bëra. Zura një cep për të mos rënë në sy nga kalimtarët e paktë që nxitonin për në shtëpi dhe në gjysmen e hijes së një llambe rruge që nuk ndriçonte mirë, m’u duk vehtja si guerilas i vërtetë
– Shoku Kin – i thashë me një gjysëm zëri dhe ndjeva që fraza më mbeti brenda në grykë.
Nuk më dëgjoi. As edhe më pa. Zbriti qetësisht shkallët e jashtme të godinës e u gjet menjëherë në shesh, para se të futej në asfalt.
I fola prap
– Shoku Kin, a ka mundësi ?-
Qëndroi në çast. Kthehu kokën e u afrua për të me dalluar më mirë. Pashë syzet e tij të trasha optike dhe heshta. Harova se ç’duhej që ti thosha.
– Ouu, poeti – tha ai gazmor dhe qeshi si i pafajshëm
E humba fare. U hutova. Nuk dija tani nga ta filloja. Ku e kishte marrë vesh ai të fshehtën time ? Që unë shkruaja vjersha pak veta e dinin, dhe njerezit e familjes sime.
– Më ka thënë, Poli, bibliotekarja për ty – tha sërrish shkrimtari buzagaz. Ajo ishte shoqe me ime ëmë dhe vinte në fundjavë tek ne për të pirë kafe. Ishim në një lagje. Katër numra pallatesh diferencë.
Nuk dija se si të bëja. Ta nxirrja apo mos t’a nxirrja fletën, ku ishte shkruar poezia e fundit, dhe që unë e konsideroja si kryeveprën time në ato çaste.
– Po nuk jemi ulur anjëherë bashkë. Jetojmë në një qytet dhe të mos flasim për krijimtarinë tonë ? Hë si thua ti, shkon kjo ?
Qeshi me gjithë zemër.
Në çast u ndjeva i ç’armatosur krejtësisht. Vendimin e mora menjëherë. Të mos e nxjerr poezinë. U ndjeva i turpëruar dhe i pafjalë
– Takohemi neser ? – pyeti Kini, – pasi sot vajti vonë. E lemë kështu ?
Pohova me kokë dhe kuptova se fjala më mbeti në grykë sërrish. E ç’mund që ti thosha tjetër shkrimtarit Kin Dushi ?

* * *
Gjithë atë natë nuk më zuri gjumi. Ashtu i pafjetur u nisa në shkollë. Pa mësuar lëndët e ditës. Sytë më ishin futur e fshehur në zgavra e mezi i hapja. Mësuesi i bioligjisë e vuri re, që në orën e tretë. Kisha dremitur në bangën-tavolinë dhe klasa kishte qeshur. Store.
– Shko në shtëpi – tha mësuesi qetësisht dhe ëmbëlsisht. – Qetësohu.
Me erdhi turp. Shoqia e bangës më shikonte me qesëndi.
Dini m’u bë krah
– Pse bëni kështu – i u drejtua klasës. – Njeriu ndodhet në një moment të tillë. Na ka ndodhur që të gjithëve. Mua po më duket sikur po e fyejmë, Lekon
Kaq desha. U duka sikur u shkunda vërtetë nga literagjia ku kisha rënë. Nuk pranova që të shkoj në shtëpi. Isha vrarë në sedër. Po mësuesi nguli këmbë përsëri me dashuri. Ç’të bëja ?
U ngrita e dola në heshtje.
Nëna u bë merak, por unë e sigurova se përveç një dhimbje koke të lehtë, nuk kisha asgjë me rëndësi.
– Do të kap gripi. Ka kohën tani. Shtrihu dhe qetësohu një herë, pastaj, po të kesh gjë e bisedojmë edhe me doktor Xhevdetin.
U mbylla në dhomën ku flinim ne fëmija dhe gjumi më mori menjëherë në pushtetin e tij.
Kur u zgjova, kishte rënë mbrëmja mbi Cërrik, e qyteti si gjithë qytezat e asaj kohe, ishte zbrazur. Nuk mund që të lëvizja më. Më erdhi keq që nuk e kisha takuar atë mbasdite Kin Dushin. Ai më kishte lënë edhe takim. Do të mendonte se unë jam i pakorrekt. Po ku ta dinte ai ? Duhej që të me kishte kërkuar nëpër qytet. Njerëzve të shtëpisë nuk u thashë asgjë. E si mund që ta bëja këtë. Për ata mjaftonte që unë nuk kisha temperatyrë dhe se ndjehesha mirë, si njeri normal pa asnjë virus në trup.
– Dale, do të bëj ca petulla – tha e gëzuar ime ëmë.
Unë kisha zënë vënd në një kënd të kuzhinës, mbi minder, ku rinim zakonisht ne fëmija, sepse ai ambjent na shërbente edhe për të pritur të tjerët. Zakonisht, kur vinin si mysafirë a për kafe. Shoqet e nënës, por edhe shokët e babait, komshijtë.
Mendoja të nesërmen. Do ti kërkoja falje Kinit.
Këtë herë nuk do të isha memec më me të.

* * *

Të nesërmen Kini iku nga Cërriku. Krejt pa pritur. Kishte patur për të një telefon në komitetin e partisë. E kërkonte udhëheqia në Tiranë. Nuk dihej asgjë më tepër
Ma tha Hamza Nuredini sapo u mblodhëm për provat e numrit të ri të estradës. Me të parin kishim konkuruar në pallatin e kulturës së Maliqit në Korçë, në një festival estradash të klasës puntore, dhe kishim zënë vend të mirë, të dytë. Drejtuesi i institucionit, Gaqo Veshi, ai që njihej nëpërmjet pseudonimit Hyskë Borobojka, na kishte lavdëruar, por çmimin e kishte marrë për vete.
Regjizori ynë Fehim Hoshafi na kishte inkurajuar përsëri.
– Kanë favor dialektin ata – tha Miti Nito, një aktor që punonte si turbinist në TEC in e Cerrikut, i cili luante edhe fantazmën e kapitalizmit, si një skelet i vertete. Ky njeri më vone u bë edhe antar i komitetit qëndror dhe zbuloi grupin puçist në ushtri.
Jehona ishte shuar. Edhe qejfmbetjet tona ishin haruar.
Hamzai na kërkoi ne të orkestrës, që të mobilizoheshim përsëri. Filluam provat me Adile Agushin, një këngëtare me një zë magjik për ne. Punonte ne uzine si laborante. Vëllain e saj Gramozin e kisha shok klase. Ishin jetime dhe rinin tek motra më e madhe, Limja, e martuar me një furxhi. Fehimi i kishte premtuar për ta marrë në Tiranë, por ajo nuk kishte pranuar. Nuk mund që ta linte të vëllain vetëm. Por rregjizori kishte ngulur këmbë sërrish për asamblin e këngëve dhe të valleve, dhe përgjigja nuk ishte dhënë ende nga këngëtaria.
Erdhi dhe këndoi atë pasdite. Në repertorin e saj ishin këngët e Agim Prodanit, por edhe ato të Shqipërisë së mesme, që u jepte jetë Fitnete Rexha.
Kishte kaluar një javë dhe Kini nuk ishte dukur më në Cërrik. Unë që e kisha mëndjen aty, u bëra merak, ndjeva mallë. Kishim lënë një takim që nuk u realizua, dhe mezi prisja që ta shihja, një orë e më parë. Por ai erdhi, pikërisht atë ditë që unë kisha hedhur në një fletore të re disa vjersha për t’i a treguar në rastin më të parë. Dinit i kishte ikur dëshira e takimit. Ai më kishte thënë, se « atë njeri që e thërrasin në udhëheqie duhet që të kishte diçka ». Unë i kisha treguar për urgjencën e Kinit në Kryeqytet. Atë gjykim nuk duhej që ta kishte nga vehtja. Mbase e kishte diskutuar me Ferijen, nënën e tij, e cila kishte goxha eksperiencë në këto punë, kur të thërrasin në komitet….
Por unë nuk e kisha atë hall.
E pashë në buzë mbrëmje në bulevardin e qytetit. Ishte serrish me hotelxhiun që e ndiqte « cuq e cuq », si me hap breshke, i krrusur dhe me një gungë të dalë në krahun e djathtë të kurrizit, poshtë shpatullës, si kuazimondua i Hygoit. Ecte shtrember dhe këmbët mezi i hidhte. Isha me babain në ballkon. Më tregonte një histori fshati, andej nga Vlora, kur ishte i vogël. Zakonisht të mëdhejtë kanë qejf që ta kujtojnë fëmijërinë. Madje me nostalgji. Mbase për tu shkeputur një çast nga koha që përjetojnë, nga hallet dhe problemet që ndeshin në shoqëri, e ato të përditshmet.
Të nesërmen dola shpejt në shesh. E djela ishte zakonisht e qetë në Cerrik. Në mëngjez pak njerëz lëviznin në rrugë. Altopolanti shpërndante muzikë e dëgjohej kudo. Ishte ora e radiopostës. Mua më pëlqente ta dëgjoja aty në shesh. Takoja edhe ndonje shok që banonte larg lagjes sime, por atë ditë nuk gjeta asnjë nga moshatarët e mij. Kinin e dallova larg. Kaloi në trotuarin përbri lulishtes. Më pa. Qëndroi në një çast dhe ma bëri me dorë që të afrohesha. I a dallova që larg buzëqeshjen. Ashtu ishte ai. Gazmor dhe hokatar në jetë. Shkrurante dhe fliste me shume humor, si shkodran i vërtetë. Ndjeva se u emocionova së tepërmi. U ulëm në një nga stolat e lulishtes së qytetit. Por kjo kalo shpejt. Iku si me magji. Pas kësaj u ndjeva mirë. I lirshëm dhe i qetë…

* * *
Pasdite tek ime ëmë erdhi Polikseni, bibliotekaria e qytetit. Për kafen e zakonshme të së djelës që e pinin së bashku. Ishin vetëm. Kishte sjellë edhe të rejat e qytetit. Edhe për Kinin në Tiranë. Në fund i kishte qarë hallin sime mëje. Priste të hënën inventarin nga Bashkimet Profesionale, se andej varej kinoklubi i kulturës me bibliotekën. Ishte defiçit me libra. Ja kishin marrë një e nga një. Vetë pranonte se ishte e « pa kujdesshme ne punë ». Nënës sime i ra gjaku në fund të këmbëve për shoqen e filxhanit që i sillte të rejat e qytetit, pasi ajo vetë nuk dilte, po i pëlqente që ti dëgjonte. Sidomos nga një sjellëse e dorës së parë. Eshtë si një agjensi lajmesh, thoshte shpesh e qeshte si e zënë në faj, sa herë im ate e qesendiste duke e pyetur për shëndetin e saj
– Zgjidh në bibliotekën e tim biri. Merr ç’të duash – i th ime ëmë – sa ta kalosh kontrollin e pastaj ktheji, se djali është i marrosur pas tyre. I ka kapital. Veçse libra blen ai. Nuk më ardhur e përgatitur nxorri dy thasë dhe i mbushi dëng. Ç’zuri dora. Ngarkoi tre dhjetëvjeçar që luanin jashtë dhe i çoi drejt e në shtëpinë e saj që nuk ishte larg.
Të nesërmen pas drekës shkova në bibliotekën e qytetit. Si zakonisht, pa e ditur se gjysma e bibliotekës sime kishte përfunduar tek Poli. Nuk më kishte rënë në sy. Por edhe ajo heshti e nuk më foli për këtë. U tregua e përzëmërt.
– Kishe takuar, Kinin, atë shkrimtarin, dje ? Më thanë. Të kishin parë në lulishten e qytetit. Ti e ke lexuar romanin e tij të fundit « Një emër në mes të yjeve »
Pohova me kokë.
– Të tregoi se e kishte pritur kryeministri, vetë shoku Mehmet ? – më pa drejt e në sy, si një lozonjare e vërtetë.
Nuk dija se ç’ti thoja. Ne biseduam për letërsinë, për librat, për vjershat e mija që ai i lexoi me kujdes përpara meje, dhe pastaj « i analizoi » një për një. Natyrisht, që duke më dhënë vrejtje më shumë, e duke më përgëzuar me kujdes. Si me pikatore….
– Pse mor Kin, i kishte thënë shoku Mehmet i nxehur. Komunistët tanë gjatë luftës kanë qenë imoralë ? Na i ke futur edhe në dyshekun e njerëzve që i fshehnin me vajzat dhe nuset e shtepisë. A e kupton, që ke goditur moralin e luftës sonë ?. Dhe këtë e bën ti që ke qenë pjesë e asaj armate që çliroi Shqipërinë.- Jo shoku, Mehmet. Përkundrazi. Unë kam dashur që të jap pikërisht besan e komunistëve gjatë asaj lufte epope. Dhe këtë e kam bërë duke treguar një moral të fortë e të paepur të njerëzve tanë, edhe në ato rrethana. Kryeministri kishte tundur kokën e pastaj kishte qeshur. Eja të përqafojë. Ke bërë një libër të mrekullueshëm.
Bibliotekaria e tregonte sikur të kishte qenë vetë atje në atë takim
Dola jashtë e zbrita në shesh. Ndjeja se më dhimbte koka. Më dukej se qyteti zjente.. Vërtetë që në roman kishte një skenë ku një guerilas dhe komunist, ndiqej nga një patrullë në orët e para të mëngjezit. Ai hyri nga murri i një avllije në një shtëpi të thjeshtë tiranase, pa trokitur në në porte, për t’i shpëtuar ndjekjes. I zoti i shtëpisë që ishte një burrë mbi 60 vjeç, me xhaketë të hedhur krahve, kërkoi që ta fsheh guerilasin. Karabinierët që kuptuan se djaloshi hyri në atë shtëpi trokitën fort me qytat e armeve dhe duke bërtitur « Hapeni. Hapeni se do ta shqyejmë. ». Plaku ishte në mëdyshas.. Pastaj pa pritur i tha djaloshit që mbante nje revolver në dorë.
– A keni besë ju komunistat.
Tjetri pohoi
– At’here futu në krevat të nuses së djalit tim, pasi ai sot nuk është këtu. Në se do të pysin, do tu thauash se je im bir.
Kur mbitën karabinierët, kontrolluan gjithëçkah nëpër shtëpi. Erdhën edhe tek dera e dhomës, dhe pyetën.
– Kush është brenda ?
– Im bir me nusen. Janë në gjumë – tha plaku.
Hapën derën e në dhomë hynë disa prej tyre. Çifti ishte në shtrat… Pastaj ikën. Dolën në koridor dhe i thanë njëri tjetrit. « Na shpëtoi. Duhet që të ketë kaluar në murrin e fqinjit. Të nxitojmë. Ta kapim. Këtë herë nuk duhet që të na shpëtojë më… » Kini e kishte lartësuar figurën e komunistit me këtë skenë, duke i shpëtuar edhe mërisë së kryeministrit i cili mund që ta fuste dhjetë pashë nën dhe. Ta syrgjinoste. E pse jo, edhe ta dënonte me burg, edhe pse ai kishte shkelur dhe ardhur nga rruga e luftës për liri.

* * *
Në darkë të njëjtën histori ma tregoi edhe ime ëmë. I a kishte thënë bibliotekaria e qytetit kur piu kafen në shtëpinë time. Nuk tregova interes. Jo se e dija, por se si më erdhi. Kur u shtriva në shtrat, pyeta vehten. Pse i tregon Kini këto ? Pse ai merret me njerëz që përhapin lajme gjithandej. Nuk u bëra xheloz që nuk ma kishte treguar në lulishte edhe mua, por më vinte keq, që ai ishte kthyer në objekt të thashethemeve të qytetit. Nuk zgjidhte njerëzit e duhur për të biseduar.
Që atë ditë, bibliotekaria nuk shkeli më në shtëpinë tonë. Babai u xhindos. « Rrojmë në një kohë dhe vend të keq » na tha. Ime ëmë nuk e bëri më shoqe.
Po Cërriku nuk bënte dot pa thashetheme. Nuk jetonte. Shkrimtari i ardhur nga Tirana ishte një gjah i majmë.
Edhe pse isha gjimnazist në ato vite e i pa formuar mirë, në etapën e fundit të adoleshencës, m’u krijua përshtypja se Kini ishte një njeri i sinqerte dhe i çiltër, më shumë se ç’duhej. Ata që donin ta rrëzonin e dinin mire skemën kur e prunë në Cerrik.
Pas pak muajsh ai përfundoi në pranga. Kjo ndodhi shpejt. Në gjyq i dolën dëshmitarë, hotelxhiu dhe…guzhinjeri. E akuzuan për armik të partisë, për agjitacion e propogandë. Gjyqin i a bënë në Elbasan. I dhanë 6 apo 8 vjet burg. Nuk më kujtohet. Filmin që realizuan sipas skenarit të tij në Cërrik, nuk e shfaqën. E ndaluan dhe e bllokuan pa dalë në premierë. Në të ishte gjithë qyteti. Jeta dhe njerëzit e tij. Dhe ata që e akuzuan. E përgojosën. E shkatërruan dhe e dënuan.
Kishte shkruajtur me dashuri për ta.
Përfaqsues së klasës së re puntore. Naftëtarë…

* * *
Nuk e di se sa pas vitesh, por ka qenë Mars at’here. Elbasani festonte Ditën e Verës. Ishim të ftuar tek xhaxhai, sepse gruaja e tij ishte elbasanase. Do ta festonim së bashku. Ishte planifikuar « Rrapi i Manxit » për të ngrënë drekën e festës. Atje mblidhej gjithë qyteti. Organizoheshin aktivitete artistike. Grupet amatore dhe estrada e qytetit jepte shfaqie.
Nga orët e para të mbasdites zbrita në qytet. Erdha më herët me disa djem që i njihja. Ishin shokë të djemëve të xhaxhait tim. Përcolla edhe një tek autobuzi i Daj Ganit, një cërrikas që ishte me ne, dhe u ktheva në rrugën me kalldrëm, bri axhensisë. Mora të përpjetën e pazarit. Tek cepi i mapos, bri një dyqani me « Bogaçe », u shfaq Kin Dushi. Këtë herë i krrusur dhe i plakur shumë. Gati sa nuk e njoha. Kishte një paltesy doku të vjetër bojë qielli, e të dalë boje. Ecte si i trembur. Ndali një çast para meje. Pastaj u duk se u pendua. Mbase mendoi në çast se nuk donte që të më bënte pis. Zuri udhën. I fola. Kin
U kthye dhe më dha dorën.
– Poet. E dua Cërrikun dhe njerëzit e tij, por jo ata që më dënuan. Mos u a pafsha sytë, hotelxhiut dhe guzhinjerit. Ishin spiuna të sigurimit. Por edhe këtu në Elbasan tre poete më dënuan. Ata i a bënë aktakuzan hetuesit tim që më torturonte ç’njerëzisht. Analizuan edhe romanin. Atë skenën që di ti, për të cilën më pyeti kryeministri. E nxorrën reaksionare…
Me tha që kishte dalë nga burgu ca kohë më parë, dhe se jetonte në Tiranë, pranë familjes.. Me sytë kishte probleme serioze dhe se i trembej errësirës së përjetshme.
– Bëji të fala Hyjni Cekës, dhe Dhimitër Xhuvanit. Këtij nuk i kam folur kur punonte në Pazhok dhe shoqërohej me ty. Ishte me ftohmë, ashtu si unë…
Porosinë i a bëra. Dhimitri qeshi duke vënë buzën në gaz. Ishte rringritur përsëri në këmbë atë kohë. Punonte në kinostudio si skenarist. Hyjniu, profesori im i letërsisë, djali i Salim Cekës, që u dënua me vdekje se përktheu « Shopenhaurin » në Shqipëri, më pa në fytyrë si i friksuar.
– Faleminderit – tha nën zë
Për Kinin, nuk dëgjova më. U duk se u harrua.
Nga mezi i viteve 80 të, ndërsa zbrisja në Cërrik për tek prindërit e mij, me djalin tim të vogël përdore, në një shtyllë neoni pashë një lajmërim vdekje. Pyeta dikë që posa i hodhi një sy
-Eshte ai që futi në burg atë shkrimtarin. Hotelxhiu – më foli një zë nga pas, që kishte dëgjuar interesimin tim.
Ktheva kokën. Ishte Pashakua..
Pashako Çela, një tjetër personazh i atij qyteti, të cilin tashmë e kisha braktisur prej disa vitesh. Jetoja me famijen time të re në Elbasan.
Gruaja – burrë që bënte jetë të dyfishtë, midis mashkullit e femrës, si një virgjëreshë e vërtetë, njihej mirë në atë komunitet puntorësh. Kishte punuar në rininë e saj si traktoriste. Shumica e konsideronin si të ç’mëndur, por ajo jetonte tjetër kohë. Jo të atyre që të fusnin për hiçgjë në burg…pa pagesë, por me militantizëm. Shkatërronin jetë njerëzish…
Pashakua këta tipa i vinte në majë të hunit…
Foto: Pamje nga qyteti i Cerrikut/

Filed Under: ESSE Tagged With: Aleko Likaj, Cërrriku i Kin Dushit

Edhe përfaqësuesit e “ Vendlindja thërret” keqpërdorën mjetet

September 24, 2014 by dgreca

Përse mërgata shqiptare nuk organizon aksione të mëdha humanitare?/
NGA XHAVIT ÇITAKU/
Duke u munduar të gjejë përgjigje në këtë pyetje në mesin e mërgimtarëve tanë, kuptova se shkas kryesor për këtë është keqpërdorimi i Fondit të Trepërqindshit dhe atij “ Vendlindja Thërret”,nga persona përgjegjës të cilët në vend që të gjenden në burg tash sorollaten rrugëve, bizneseve por edhe në institucione shtetërore, duke bërë jetë luksoze me djersën mërgimtare
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Mërgata shqiptare e shpërndarë në shtete e kontinente të ndryshme ishte njëra ndër mbështetësit kryesor i të gjitha proceseve të rëndësishme që u zhvilluan në Kosovën e okupuar nga regjimi fashist serb, por edhe jashtë saj. Aktivitet më të qartë dhe konkret ata treguan sidomos gjatë viteve të nëntëdhjeta atëherë kur populli kishte nevojë më së shumti, atëherë kur situata ekonomike ishte aq e rëndë sa që pa ndihmën e bashkatdhetarëve tanë vështirë se do të mund të përballohej. Nuk kursyen mund e djersë që t’iu dilet në ballë gjithë atyre kërkesave të shumta që vinin nga Kosova. Forma më e përshtatshme, më e dobishme, por edhe më e besueshme që do të prodhonte rezultate e efekte të mira në gjithë hapësirën kosovare ishte mënyra organizative në vijën shtetërore, kërkesë kjo që doli nga shumë aktivistë dhe veprimtarë të devotshëm të çështjes shqiptare. Së këndejmi,, ndonëse ishte duke vepruar qeveria në ekzil doli propozimi që të formohet një fond i cili do të udhëhiqej dhe do të kontrollohej nga ministria përkatëse e kësaj qeverie, përkatësisht nga Ministria për Ekonomi dhe Financa. Pas shumë bisedave dhe kontakteve të organizuara u mor vendim që të formohet Fondi i Trepërqindshit, i cili u përkrah dhe u mbështet nga shumica e mërgimtarëve tanë. Ishte i njohur edhe krijimi i Fondit të Ahenit në Gjermani , por ai më vonë u shkri në këtë formë tjetër më organizative që filloi punën mbarë.

Grumbullimi i mjeteve në Fondin e Trepërqindshit ishte impozant

Para se të formohet ky fond vlen të përkujtohet se në shumë shtete u organizua edhe aksioni i ashtuquajtur i Tridhjetpërqindshit, që ishte trilluar kinse për një luftë eventuale që do të mund të fillonte në Kosovë, nga i cili i grumbulluan miliona marka gjermane. Ndërkaq, në fondin e Trepërqindshit, që u zgjerua në të gjitha mjediset ku kishte komunitet shqiptar vazhdoi derdhja e mjeteve për çdo muaj. Thënë konkretisht, bashkatdhetarët tanë ndaninë nga tre përqind të të ardhurave të realizuara në familje, ndërsa nëse nuk ishin të punësuar nga tre përqind të të ardhurave të ndihmave sociale. Rezultatet e arritura në grumbullimin e mjeteve ishin inkurajuese fal angazhimit të madh të anëtarëve të komisioneve, të cilët këtë punë e bënin vullnetarisht. Vullnetarët e këtij Fondi aq mirë e kryenin punën sa që nuk përtonin që të sakrifikojnë edhe shumëçka vetëm e vetëm që populli në Kosovë të mos ndihet i pasigurt për shkak të mungesës së parave. Ashtu siç ishte paraparë me rregullore, anëtarët e komisioneve bënin grumbullimin e mjeteve në ato mjedise ku punonin e jetonin dhe më pastaj ato i derdhnin në llogarinë e Fondit Qendror të shtetit përkatës dhe i vetmi që ishte i autorizuar për t’i tërhequr ato mjete ishte Kryetari i Komisionit Qendror, i cili ato i dërgonte në xhirollogarinë e qeverisë në ekzil. Për çdo pagesë jepej dëshmia për secilin dhurues të këtyre mjeteve. Vite të tëra këtë obligim atdhetar e kryen mbi 70 për qind e mërgatës shqiptare dhe me të drejt mund të konstatohet se nëse dikush mund të pyet se si duhet atdheu atëherë lë të shijoj kurbetin, i cili hap rrugën e mbarë për të punuar e kontribuar për vendlindjen. Nuk është vetëm pagesa e Trepërqindshit që e karakterizoi zemërgjerësinë e bashkatdhetarëve tanë, por janë edhe shumë e shumë shembuj të tjerë që ata sakrifikuan dhe ndihmuan atdheun. Me një fjalë, ata pos pagesës mujore, organizuan edhe shumë aksione të tjera humanitare ku u grumbulluan shuma milionëshe, pastaj ndihmuan familjet e tyre, të sëmuret, ndërtimin e shkollave, të xhamive dhe shumë e shumë raste të tjera që u kërkuan nga mërgata jonë.

Kontribut i madh edhe në Fondin “ Vendlindja thërret”

Me fillimin e luftës në Kosovë u shtrua domosdoja që çlirimtarët të ndihmohen materialisht në mënyrë që liria e synuar të fitohet më shpejt dhe sa më me pak pasoja. Dhe ishin prapë mërgimtarët ata që iu përgjigjën pozitivisht thirrjes për të ndihmuar luftën çlirimtare dhe kësisoj pa ngurrim derdhen mjete të mëdha në Fondin “ Vendlindja thërret” që ishte formuar “ enkas” për këtë qëllim nga LPK-ja. Për dallim nga Fondi i Trepërqindshit ku mjetet derdheshin në xhirollogari, në Fondin “ Vendlindja thërret” parat në të shumtën e rasteve iu dorëzoheshin veprimtarëve të autorizuar dhe më pastaj ato i “ dërgonin” në Fondin qendror. Kjo formë e dhënies kesh të parave ishte aplikuar për shkak se qeveritë e shumë shteteve në fillim nuk lejonin që të “ zyrtalizohet” ndihma për UÇK-në nëse kështu shkurt mund të thuhet. Me shuma të mëdha të grumbulluara, ku nuk kursehej edhe paraja e fundit e bashkatdhetarëve tanë, u bë e mundshme që të sigurohen armë aq të nevojshme për UÇK-në. Pavarësisht se kjo temë e shtjelluar në mënyrë bukur shumë të përgjithësuar nuk ka për qëllim që të flitet për luftën e zhvilluar në Kosovë, doemos do përmendur se shumë mërgimtarë tanë pos ndihmës materiale, lanë jetën “ luksoze” në perëndim dhe ia mësynë vendlindjes dhe së bashku me pjesëtarët e UÇK-së luftuan deri në çlirimin e vendit. Shumë prej tyre dhanë edhe jetën në altarin e lirisë e besa shumë të tjerë u plagosën dhe mbetën edhe pa gjymtyrë të trupit.

Mosmarrëveshjet e pakuptimta e të dy fondeve

Pa asnjë hezitim mund të konstatojmë se mërgata shqiptare ishte aq mirë e organizuar, në rend të parë, se në mesin e saj mbretëronte një entuziazëm, vullnet e krenari për të ndihmuar atdheun, për të fituar lirinë, për t’i dhënë mbështetje kombit që ishte në rrezik të zhbëhet. Ishte e çuditshme, e pakuptueshme dhe e pafalshme sjellja e përfaqësuesve të të dy fondeve që ia kishin vënë “ lakun në fyt” mërgatës shqiptare duke e shtrënguar për herë e më shumë që të ndaj mjete për këto fonde që kishin të njëjtin qëllim: çlirimin e vendit. Fatbardhësisht, edhe pse komuniteti shqiptar në diasporë kishte obligim të madh për të mbajtur edhe familjet dhe të afërmit në vendlindje, këto “ lojra” të përfaqësuesve të Fondit të trepërqindshit dhe “ Vendlindja thërret” nuk i zmbrapsen, përkundrazi ata me të njëjtin ritëm kryenin edhe obligimin atdhetar e patriotik. Megjithatë, mërgimtarët ishin të zhgënjyer me dallimet që ekzistonin ndërmjet faktorit ushtarak dhe politik të vendit, ndërsa në anën tjetër ishin po këta mërgimtar që ua kishin bërë të mundshëm të funksionojnë të dyja palët. Dhe ç’është edhe më keq për këtë as që pyeteshin ata që i mbanin gjallë këto dy subjekte.

Qindra miliona marka gjermane u “ avulluan” pa dhënë askush përgjegjësi

Fondi i trepërqindshit kishte funksionuar mbi një dekadë dhe shi për këtë në të u grumbulluan qindra milionë marka gjermane, të cilat u menagjuan kryesisht nga Kryeministri i qeverisë në ekzil Bujar Bukoshi dhe Ministri për Ekonomi dhe Financa Isa Mustafa . U grumbulluan aq shumë para sa që patën “ luksin” këta menagjerë të parasë mërgimtare që të hapin edhe Bankën e emërtuar “ Dardania” në Tiranë, për të cilën as sot e kësaj dite nuk dihet se çka u bë me të, apo më mirë më thënë humbi pa gjurmë si e tërë. Po t’i kthehemi edhe njëherë mjeteve qindra milionëshe të derdhura nga djersa dhe mundi i bashkatdhetarëve tanë, të cilët edhe tash shtrojnë pyetjen se çfarë u bë me ato para që me mund e djersë i kishin fituar duke punuar edhe punë jashtëzakonisht të vështira vetëm e vetëm që të ndihmohet populli në Kosovë dhe lufta çlirimtare. Çuditërisht nga askush ama nga askush nuk ka përgjigje se ku u tretën ato mjete, në xhepin e kujt përfunduan dhe cili ishte ai që fitoi më së shumti në dëm dhe në kurriz të mërgimtarëve tanë. Pas përfundimit të luftës u mbajt edhe mbledhja e parë e Kuvendit të LDK-së ku ishte i pranishëm edhe Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, ku edhe unë mora pjesë nga mediat, dhe ndër të tjera një kuvendar pati pyetur se çfarë u bë dhe çfarë do të bëhet me mjetet e trepërqindshit, pyetje kjo që iu shtrua direkt Bukoshit. Mirëpo, Bujar Bukoshi as që u “ kuq” të kthej përgjigje dhe kështu kjo temë nga atëherë kaloi në margjina të interesimit, sidomos të organeve më të larta partiake të LDK-së, si bartëse e të gjitha aktiviteteve në këtë drejtim por edhe të organeve shtetërore të Republikës së Kosovës. Me një fjalë, këtu ka vend për përgjegjësi jo vetëm morale por shumë më shumë penale, ngaqë ato para do të duhej të derdheshin në arkën e shtetit e jo të përfundojnë në duart e atyre që ishin përgjegjës që me nikoqirllëk t’i përdorin e t’i shpenzojnë. Do të jetë e pafalshme për këto gjenerata mërgimtare që të mos thirret askush në përgjegjësi dhe që aq keq të përbuzet ajo e mirë e tyre që u dha me vite të tëra.

Edhe përfaqësuesit e “ Vendlindja thërret” keqpërdorën mjetet

Edhe pse nuk kishte jetë të gjatë, Fondi “Vendlindja thërret” arriti që të “ vjel” po ashtu miliona marka gjermane, franga zvicerane e dollar amerikan. Ndonëse nuk mund të krahasohet ky fond me atë të trepërqindshit përkah shuma e mjeteve, megjithatë keqpërdorimi i djersës së punëtorëve tanë ishte shumë më i pranishëm, në rend të parë, se në fillim parat dorëzoheshin në duar të katër pesë individëve të Komisionit Qendror të shteteve përkatëse, që nuk “ përtonin” natë e ditë të shkojnë nga një qytet në tjetrin për të marrë parat e grumbulluara nga mërgata shqiptare. Kjo formë e grumbullimit të mjeteve ishte aplikuar për shkak se shtetet perëndimore në fillim nuk e njihnin UÇK-në dhe nuk lejonin që parat të derdhën në bankat e tyre. Se sa marka e deviza tjera kanë derdhur këta aktivistë në Fondin qendror, që thuhej se ishte në Zvicër, kjo lë të mbetët në nderin dhe moralin e tyre. Pa fije dyshimi mund të thuhet e konstatohet se nderi e morali i shumë prej tyre ishte i kufizuar për shkak të lakmisë që kishin. Edhe këtu ka vend për Prokurorin që të hap rrugë të hetimit ndaj të gjithë atyre që tash nga ato mjete janë bërë multimilioner, që kurrë nuk do t’ia shohin hajrin. Këtë e pret tash e 14 vjet më parë mërgata shqiptare. Ndaj edhe njëherë me anë të këtij shkrimi po i drejtohemi organeve të drejtësisë, policisë e të prokurorisë që të aktivizohen dhe të veprojnë konkretisht aq më shumë për t’iu dalë hakesh mërgimtarëve tanë. A ishte përgjegjësi kryesor Xhavit Haliti me të tjerët nuk mund të definojmë konkretisht sepse parat grumbulloheshin në emër të UÇKsë. Por ky emër përflitet si personi që ishte përgjegjës për këtë Fond. Dihen përgjegjësit e të dyja fondeve vetëm duhet guxim dhe ndjekje penale për të gjithë ata që keqpërdorën mjetet aq të mëdha të mërgatës shqiptare duke aplikuar ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës dhe pikë.

Njëherë u mashtruan

Duke u nisur nga këto mashtrime që iu bënë bashkatdhetarëve tanë, është për të ardhur keq se më nuk po organizohen aksione të mëdha e aq të nevojshme humanitare që aktualisht i duhen sidomos familjeve të varfëra që nuk janë të pakta e posaçërisht të atyre që nuk kanë kulm mbi kokë. Kam kontaktuar shumë mërgimtarë në Gjermani, Zvicër e Suedi më të cilët kam biseduar pikërisht për këtë temë të rëndësishme dhe jam munduar që me ta dhe të tjerët të gjejmë një “ zgjidhje” të pranueshme për mënyrën e grumbullimit të mjeteve që do t’iu dedikoheshin familjeve në nevojë. Përkundër gatishmërisë së tyre për të kontribuar materialisht në këtë drejtim ku do të përshiheshin shumica e mërgimtarëve tanë, përgjigja e tyre ishte negative. Ata thanë: Një herë na mashtruan bile shumë keq, kurrë më. Ja, pra se çfarë bënë këta kriminel që i morën ato qindra milionë para në deviza të ndryshme dhe pa fije turpi tash sorollaten rrugëve, bizneseve e brenda institucioneve të vendit, duke shitur mend se sa patriot ishin . Dorën në zemër, humaniteti i bashkatdhetarëve tanë nuk ka pushuar as sot e kësaj dite ngaqë ata individualisht e në grupe po ndihmojnë vazhdimisht qytetarët e vendit tonë, mirëpo organizimi i ndonjë Fondi të madh hëpërhë është i parealizueshëm. Mallkuar qofshin ata lakmitarë e kriminel që tash me djersën e mundin e mërgimtarëve bëjnë jetë luksoze.

Filed Under: Opinion Tagged With: Edhe përfaqësuesit e “ Vendlindja thërret”, keqpërdorën mjetet, Xhavit Citaku

GAZETARI SPIUN DOREHIQET, PO SPIUNET TANE?

September 24, 2014 by dgreca

Spiunët që pritën Papën/
Nga Nebil ÇIKA/
“Kam zgjedhur të mos e mashtroj Zotin dhe të bëj këtë rrëfim publik. Refuzoj që të bëhem Juda përpara Krishtit, edhe pse ata që po dëgjojnë këtë sot nuk do e kuptojnë saktësisht se çfarë po ndodh,”tha ai të dielën.“U kërkoj falje të gjithëve”. Ai është një nga gazetarët më të njohur në televizion, por edhe në radio. Por Robert Turcescu tronditi opinionin publik në Rumani kur pranoi se për vite të tëra ka punuar si oficer i lartë në shërbimin e inteligjencës ushtarake. Pasi bëri rrëfimin, Turcescu tha se heq dorë nga emisioni i tij në televizionit B1TV. “Po, kam qenë nënkolonel i maskuar. Kam zgjedhur të mos e mashtroj Zotin dhe të bëj këtë rrëfim publik. Sipas BIRN, deklarata erdhi pasi Turcescu publikoi në blogun e tij një regjistër ushtarak dhe dy dokumente për pagesat që ka marrë nga shërbimi inteligjent. Turcescu drejtonte një emision televiziv të quajtur “Nën pyetje”, ku intervistonte politikanët dhe figurat kryesore në Rumani.”
Ky ishte me pak fjalë lajmi që portali i njohur shqiptar “Opozita.com” emetoi për publikun shqiptar që nuk tronditet dot si ai rumun nga një fenomen i tillë. Shqipëria vazhdon të jetë i vetmi vend evropian që nuk ka bërë asgjë gjë për hapjen e dosjeve të sigurimit, ndërkohë që njerëz të njohur si pjesëtar apo spiun të tij, vazhdojnë karrierat politike e profesionale sikur kjo CV e tyre të ishte një bonus e jo e kaluar kriminale. Të bën përshtypje motivimi i autodekonspirimit të gazetarit rumun i cili ndjehet keq para Zotit për këtë pjesë të veprimtarisë së tij ndërkohë që në Shqipëri edhe pse i kanë dekonspiruar të tjerët vazhdojnë të jenë në “majat” e gazetarisë në një rreth vicioz njerëzish, që duket se kanë marrë peng opinionin publik e me sa duket për të qenë këtu, lidhja me Sigurimin e Shtetit është një kusht.
Çështja e punëtoreve dhe bashkëpunëtorëve të shërbimit sekret të diktaturës komuniste dhe aksesi i tyre në politikë, media, diplomaci, drejtësi e shoqëri civile, është vlerësuar dhe vlerësohet si arsyeja kryesore e ngërçit dhe deformimit të demokracisë së tranzicionit, drejt të cilës po vazhdon shumë gjatë. Hapja e dosjeve dhe ligji i lustracionit janë ende një domosdoshmëri dhe duhet të vijë si detyrim ndërkombëtar në kushtet kur politika, administrata, media dhe shoqëria civile janë të kapura e në konflikt interesi me këtë çështje.
Ajo që po ndodh në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më tronditëse kur shikon reagime si ky i gazetarit rumun. Këtu spiunllëku është kthyer në një vlerë dhe pa të karrierat në të gjitha fushat e jetës janë të vështira, pothuajse të pamundura. Kaq dominues është ish-sigurimi i shtetit në jetën tonë sa edhe vizita e Papa Franceskut u kontrollua, u drejtua e u shoqërua nga njerëz të njohur si agjentë apo drejtues të Sigurimit të Shtetit. Meqë jemi tek gazetaria, ish-agjentë publik por edhe të përfolur si spiunë të sigurimit të shtetit që dominojnë opinionin publik, ishin zgjedhur si protagonist kryesor të vizitës së Papës apo shoqërues mediatikë të tij. Nuk kishte cinizëm më të madh kur një shkrimtar e analist i njohur publikisht si spiun i sigurimit, u ftua nga ambasada shqiptare në Vatikan si përfaqësues e protagonist i shtypit e kulturës shqiptare, ndërkohë që të përfolur të tjerë u përzgjodhën si shoqërues dhe përfaqësues të gazetarisë në udhëtimin e Tij, ardhje e kthim. Fakti që Papa Fançesku i dedikoi vizitën e tij martirëve të fesë, viktima të drejtpërdrejta të sigurimit të shtetit, ishte detyrim që të paktën në këtë rast, pala zyrtare shqiptare në politikë e media të mos përfaqësohej nga sigurimi i shtetit, gjë që fatkeqësisht nuk ndodhi. Nuk e di nëse ka cinizëm e paturpësi me të mëdha se kaq.
Por nuk ka si të ndodhë ndryshe. Ata janë prezent në krye të punëve, ku edhe të huajt janë të detyruar t’i pranojnë e të punojnë me ta. Fakti që nuk janë hapur dosjet, nuk përjashton as institucionet fetare, përfshirë këtu edhe Kishën Katolike, ku gjatë vizitës së Atit të Shenjtë, prania kaq hapur e provokuese të Sigurimit mund të justifikohej vetëm me mos reagimin nga ana e saj. Në fund të fundit ky është një hall i madh por edhe përgjegjësi e shqiptarëve që kanë lejuar e janë pajtuar me një situatë të tillë, të tjerët mund të mos e pëlqejnë por nuk u prish edhe aq punë.
Nuk ka se si të pretendosh pastrimin e media-s nga sigurimi i shtetit, kur shumica e pushteteve janë të mbushur e të dominuar nga ta. Në grupin e madh të mikpritësve të Papës ishte vetë shefi i fundit i Sigurimit të Shtetit Garamoz Ruçi, madje përkrah tij nën një çadër shiu me kreun e grupit parlamentar të PD Edi Ploka. Një tjetër hetues i njohur i sigurimit të shtetit Spartak Braho, është kreu i sigurisë kombëtare në parlament. Edhe opozita e “djathtë” nuk duket se është jashtë kësaj valleje. Përgjegjëse politike e morale për mos dekomunistizimin e vendit dhe nxjerrjen e shtetit e shoqërisë apo edhe vetes nga kontrolli e aksesi i Sigurimit, arsye që besohet se i shkaktoi humbjen e madhe në zgjedhje 2013, ajo vazhdon të tregojë të njëjtin qëndrim edhe sot. Mjafton fakti që analistët apo më mirë të themi mbrojtësit mediatikë të opozitës në debatet kryesore gazetareske në vend, janë dy ish spiunë të deklaruar botërisht të Sigurimit për të kuptuar influencën që ish-policia politike komuniste ka edhe në krahun “antikomunist” në politikë e media.
Ka shumë fije të vjetra, lidhje familjare, etj, që i garantojnë ish-sigurimit të shtetit një rol dominues në zhvillimet shqiptare të të gjitha aspekteve. Ky është shkaku kryesor që Shqipëria ka këtë demokraci hibride të pashoqe si në asnjë prej vendeve ish-komuniste të Evropës, ndërkohë që për standarde perëndimore as që mund të bëhet fjalë. Dominimi i spiunëve edhe në një vizitë ku pastërtia morale ka një rëndësi të veçantë, siç ishte vizita e Papës, përveç trishtimit për gjendjen aktuale të politikës, shtypit dhe shoqërisë sonë civile, paraqet edhe një zymtësi për të ardhmen. Për mea culpa, dorëheqje, ngjarje e histori si kjo e gazetarit rumun, as që mund të behët fjalë.

Filed Under: Komente Tagged With: Gazetari spiun, Nebil Cika, Robert Turcescu

UNAZA E RE, E MADHE, E PLAVË-GUCISË

September 24, 2014 by dgreca

Shkruan: Ramiz LUSHAJ/
1.Kjo rrugë e sodit, 25 shtator 2014, që po niston prej Deçanit e shkon në Plavë e prej këndejna merr për në Guci e drejt e në Vermosh e mbasandejna bie në Shkodër, po më përnget si një unazë e trefishtë dhe një e vetme: Gjeo-strategjike. Etno-historike. Turistike.
Kjo Unazë, brenda trinisë të lumenjve Lim-Cem-Drin, si dikur në ato kohna para e mbrapa Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, po e rilidhë Plavë-Gucinë me dy kryeqëndrat e saj sanxhakore e shpirtërore, ekonomike e kulturore: me Pejën (Rrafshin e Dukagjinit) edhe me Shkodrën (Ultinën Bregdetare nga Lezha në Podgoricë).
Tashti ka me u ringjallë krahina e Plavë-Gucisë me qytetet e saj, me luginat e bjeshkët e saj. Si në verë, pothuaj edhe në dimër. Dikur, si në Guci edhe në Plavë, krahinë me mbi 20 mijë banorë, kanë pasë prona tokësore e dyqanet (shitoret) e veta edhe Haxhi Zekë Byberi i Lidhjes Shqiptare të Pejës, edhe Veziri i Shkodrës, edhe Begollët e Pejës, edhe Ali Pashë Gucia e Rexhepagajt, edhe… Kësokohe, thuhej se ishin edhe pesë dyqane florini (edhe me unaza)…, edhe nji sahatxhi…Pa dy fjalë: kishte zhvillim të madh, pasi ishin rrugët e karvajeve prej Peje në Shkodër.
Zoti po e bekon prapë krahinën e Plavë-Gucisë me rrugët e saj, rilindjen e saj, ardhmërinë e saj.
2.Plavë-Gucia, si rrallkush, e mirë/din’ se mungesa e rrugëve në trollin tand të çon rrugëve të botës. Kahmos. Gjithkund. Tashti kjo “Unaza e Madhe” ka me i ba shqiptarët etnik ma trojenik si farë e ngultarë. Shqiptarët kanë me u ba ma të pasur, ma të lumtur, ma të ditun.
Kjo krahinë e bekuar ka pa fillue me u pakë në shqiptarë, me u mplak shqiptarët e këtuhit, me iu mpak’ fuqitë, me e pa bijë e bija, nipa e mbesa ma së shumti në stinën e verës.
Po tashti, Plavë-Gucia, me kit’ Unazë Deçan-Plavë-Guci-Shkodër ka me u “Nusërue”. Për at’ Zot ka me i pasë hije: Vendi është i bukur. Njerëzit janë të mirë.
Kanë me u shtue djepat me djemë. Kanë me ardhë nuset edhe nga larg, pasi miqtë kur kanë angazhime a përnguti kanë me mujtë me ardh’ nga Shkodra e Podgorica, nga Mirdita e Kukësi e Mitrovica, nga Prizreni e Prishtina dhe me e pi hangër drekën në Plavë-Guci e darken tek shtëpia e vet.
E ka pa thanë Fishta i madh se bash këtu rri Ora e Shqypnisë… Tashti e kanë në dorë vet bijtë e bijat e saj me ia mbrri prapë kësaj dite, epoke. Si në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, edhe në kit’ Lidhje të madhe Euro-Atlantike: BE e NATO.
3.
Kjo “Unaza e re” e Plavë-Gucisë është qytetërim modern, bashkëkohor.
Si qytetet e mëdha të botës që kanë edhe unaza të vjetra i ka edhe kjo: Rruga rretherrotull e gategat prej Plave në Rrozhajë e Pejë e Bregut të Drinit (apo Rrugës së Kombit) e në Shkodër e prej atyhit në Podgoricë e Kolashin-Plavë. Ka’i’herë do duhet edhe kjo Unaza e vjetër.
Po tashti e kemi edhe kit’ Unazen e re.
Veç kësaj, e thashë – si në vende me qytetërim modern, janë edhe unazat e brendshme. Unazat e vogla. Po ecë drejt përfundimit Rruga Plavë-Çerem (Valbonë)-Bregut të Drinit-Porti i Shëngjinit (edhe Tiranë, edhe Shkodër). E ka i pasë dy unazat e vogla, ma së forti turistike: Atë, Plavë-Valbonë-Liqeni i Komanit-Shkodër-Vermosh-Guci. Atë, Guci-Plavë-Deçan (Pejë-Rugovë-Junik)-Gjakovë (Prizren)–Tropojë-B.Curri-Valbonë-Plavë.
4.
Kjo Unaza e Madhe e Plavë-Gucisë është me të vërtet e madhe. Të tillë po e ban dhe zhvillimi euro-atlantik, qytetërimi ynë shqiptar bashkëkohor, klima politike euro-ballkanike, etj.
Kjo Unazë e Madhe nuk është vetëm përskej e ndërmjet trinisë së lumenjve Lim-Drin-Cemi, po edhe Plavë-Deçan-Rruga e Kombit-Shkodër-Vermosh-Guci. Pra, një rreth hapësinor tejet i madh.
Kjo Unazë e Madhe është sa kombëtare edhe ndërkombëtare, pasi kalon nëpër tri shtetet e sotme ballkanike: Shqipëria Londineze, Kosova Euro-Atlantike e Mali i Zi (që kurrihere s’po do “e s’po di” me u ba i Bardhë). Gjithkahit kalon nëpër territore etnike shqiptare.
Si kurrnjiherë tjetër, po vjen e madhja Ditë Historike, që kjo Unazë e Madhe njëherash edhe Euro-Atlantike, ka me na i lidh ndërveti Kohnat, Tokat, Zemrat Shqiptare, me rrugët e saj të paqes, zhvllimit, qytetërimit modern.
5.
Sot, më 25 shtator 2014, kur t’ia nisni punimeve të Rrugës Deçan-Plavë dijeni se “Jam në Deçan edhe pa kanë aty në Deçan” e mos më vnoni mungesë se unë kurrë nuk jam i munguar për kilometrat trasetor, shpirtëror, zhvillimor të kësaj rruge të re.
Kjo rrugë është edhe e imja, jo vetëm se jam brenda Unazës së saj të Madhe, se më çon ma shpejt tek trolli im / ynë, tek gjaku im / jonë, drejt progresit bashkëkohor, qytetërimit modern.
Po edhe për disa arsye e realitete të kohës sotme e të nesërme.
Kjo rrugë është kombëtare, ndërshqiptare – rrugë e Kombit tim Shqiptar.
Kjo rrugë është edhe ndërkombëtare, ndërballkanike- rrugë e Ballkanit tim.
Kjo rrugë është edhe Euro-Atlantike – rrugë e të ardhmes tonë të përbashkët në brigjet të Limit e Drinit, të Adriatikut mesdhetar e të Atllantikut ndërplanetar.
Zakonisht, shqiptarçe, kur bajmë ndonjë punë të tillë të madhe, vepër të madhe si kjo Rruga Deçan-Plavë, pasi i përfundojmë ato në kohë të tejzagjatur, fillojmë e thurim edhe legjenda të ndërtimit të saj. Në fakt, kësaj here, më duket se ka ndodh disi ma ndryshe: Vet ndërtimi i kësaj Rruge nga Ëndrra, Projekti e Përurimi i fillimit të saj ishte një Legjendë. Një Legjendë me Rrena e me të Vërteta. Një legjendë aspak legjendare.
Tashti Rruga Deçan-Plavë që e kishim Ëndërr të vjetë e të re, po bahet Realitet prej sodit, 25 shtatorit 2014, në kit’ Rend të Ri Botëror, në kit’ botën e tashtit, Euro-Atlantike. Do të deshiroja që kjo Rrugë të jetë fakt e faktor Kombëtar e Ndërkombëtar, e investuar me ideale të larta e fonde të mëdha, që ky Realitet me dritën e përurimit të mos kthehet në Ëndërr…Zoti e Bekoftë këtë Rrugë e Njerëzit e saj, 25 Shtatorin e Saj / Tonin çdo ditë të saj krejt zhvillim dhe plot qytetërim, jo vetëm për Plavë-Gucinë, po për tri shtetet e Ballkanit.
Në Deçan pa kanë n’Deçan,
më 25 shtator 2014

Filed Under: Reportazh Tagged With: e madhe, E PLAVË-GUCISË, Ramiz Lushaj, UNAZA E RE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4385
  • 4386
  • 4387
  • 4388
  • 4389
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT