• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Udhëtim të mbarë në vendin tonë të shqiponjave!

September 19, 2014 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
Në shtypin e përditshëm lexoj fjalën e Papa Françeskut në lidhje me vizitën në Shqipëri. Në këtë fjalë ai theksoi:
“Të dielën e ardhshme, me ndihmën e zotit, do të vizitoj Shqipërinë. Vendosa të vizitoj këtë vend sepse ka vuajtur shumë për shkak të një regjimi ateist të tmerrshëm, ndërsa tani po realizon një bashkëjetesë paqësore midis komponentëve fetarë të ndryshëm. Deri atëherë përshëndes me dashuri popullin shqiptar dhe e falënderoj për përgatitjet e kësaj vizite. U bëj thirrje të gjithëve të më shoqërojnë në lutje, për ndërmjetësimin e Zojës së Këshillit të Mirë. Faleminderit”,

Cilën Shqipëri po vizitoni, i nderuar Papë? Po, i lartmadhërishmi Papë, ju po vizitoni Shqipërinë që ka vuajtur tmerrësisht nga një regjim totalitar i papërshkrueshëm, nga një regjim që masakroi në mënyrën më të egër bashkëqytetarët e tij, një regjim që shembi çdo lloj besimi në Zotin dhe profetët e tij, një regjim që, më së fundi, në sajë të rezistencës gati gjysmë shekullore dhe lëvizjes popullore të fundit të viteve 90-të, u shemb dhe i hapi rrugën vendosjes së rendit demokratik në vend.
Ju do të vini në vendin tonë, i nderuar Papë! Do të vini, por unë, një nga ata që e kanë pësuar, si shumë të tjerë, nga ai regjim, nuk do të jem në pritjen tuaj. Nuk do të jem jo se nuk ju dua apo se nuk ju respektoj. Ju jeni figura më e ndritur e botës demokratike. Do të ishte nderi im të isha i pranishëm në ardhjen tuaj. Por nuk dua të rreshtohem përkrah hipokrizisë së shtetit shqiptar që kërkon të përdorë figurën tuaj në favor të klikës së tij.
Përgatitjet për ardhjen tuaj janë të jashtëzakonshme. Bulevardi kryesor i kryeqytetit është mbushur me fotografitë e martirëve të katolicizmit shqiptar. Po kush ishin vrasësit e tyre? Pikërisht bijtë e atyre që këtë ditë do ju presin juve. Etërit e tyre u vërsulën me egërsi mbi çdo gjë demokratike që vendi kishte krijuar. Po eshtrat e tyre të martirizuara ku ndodhen? Për shumicën prej tyre nuk ka një varr ku njerëzit të përulen para kujtimit të tyre të paharruar. E pra, demagogjia e pushtetarëve është e padurueshme. Hipokrizia e tyre ka arritur majat më të larta.
Nuk jam i parimit që bijtë duhet të paguajnë gjynahet e etërve të tyre. Por, për fat të keq, asnjë prej këtyre bijve nuk ka patur guximin të pranojë gjynahet që kanë kryer prindërit e tyre. Asnjë prej tyre nuk ka patur guximin të pranojë krimet e kryera nga regjimi komunist mbi popullin shqiptar. Ende sot vazhdojnë të shfaqen nën hundët e tyre, nëpër qytetet tona, portretet e diktatorit më të egër të popullit tonë, kriminelit Enver Hoxha, dhe personalitetet e larta të vendit, të pranishme në këto ceremoni, heshtin. Ju kujtojmë këtu kremtimet me rastin e përvjetorit të Konferencës së Pezës dhe të ashtuquajturit përvjetor të “çlirimit” të Gjirokastrës. Si këto ka patur edhe shumë raste të tjera në të kaluarën.
Këtro rrjeshta po jua shkruan një individ që e ka hequr mbi shpinën e tij shtypjen e sistemit totalitar komunist. U ngrita që në moshë fare të njomë kundër këtij sistemi dhe diktatura më burgosi dhe më mohoi të gjithë të drejtat që i takojnë një individi. Por po shoh se sot atdheun tim e sundojnë bijtë e atyre që më syrgjynosën dhe më mohuan edhe të drejtën e të jetuarit. Ndaj, i nderuar Papë, nuk do të jem në ceremoninë e pritjes tuaj, pasi nuk dua të bëhem bashkëpuntor me hipokrizinë e organizatorëve të kësaj pritje.
Ndoshta kjo mund të komentohet si një mendim i një ekstremisti. Por unë do të doja
t’ju thoja se ky nuk është vetëm mendimi im, por i shumicës së popullit shqiptar, të asaj shumice që i ka hequr mbi shpinën e saj tmerret e sistemit totalitar. Nuk e di nëse ky mesazh do t’ju mbërrijë, pasi edhe po t’jua dërgoj me anën e shërbimit postar nuk besoj se do t’ju arrijë ndër duar, por dua të theksoj se do të vijë dita që sharlatanët e politikës shqiptare do të përmbysen dhe vendin e tyre do ta zenë shqiptarët e vërtetë, ata që mendojnë me të vërtetë për një Shqipëri demokratike.
Qofsh i nderuar, i madhi Papë! Ju uroj udhëtim të mbarë në vendin tonë të shqiponjave. Mirserdhët dhe thirrja juaj për këtë vend të përvuajtur të bjerë në veshin e shqiptarëve të vërtetë.

Filed Under: ESSE Tagged With: në vendin tonë, ReshatKripa, të shqiponjave, UDHËTIM TË MBARË

Fotografitë e 40 martirëve të kishës katolike në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

September 18, 2014 by dgreca

Flamuj të Shqipërisë dhe Vatikanit, si dhe 40 fotografi të cilat paraqesin historinë e trishtë të klerikëvë që u dënuan dhe u persekutuan padrejtësisht nga sistemi dikatorial, për shkak të besimit të tyre fetar, janë vendosur sot përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet.
Fotografitë e klerikëve të kohës, një numër i madh priftërinjsh apo edhe besimtarësh të thjeshtë, shoqëruar edhe nga citatet apo fjalët e tyre të fundit përpara se ata të ndërshkoheshin padrejtësisht nga regjimi komunist, dëshmojnë qartë lidhjen e tyre me besimin e kishën, për të cilën ata dhanë jetën.
“Dom Anton Muzaj”, “Dom Jak Bushati, “Mark Çuni”, “At Luigj Paliq(Palaj), Imzot Frano Gjini, janë disa prej emrave të martirëve të Kishës, që u vendosën në Bulevard nga Ministria e Kulturës.
Meshtarët katolikë, edhe pse të torturuar në format më ç’njerzore , si të varrosur për së gjalli, të zhytur në fuçi me ujë duke ju ngulur thonjtë në fyt, duke ju shqyer gurmazin, apo mjaft formash të tjera makabre, japin qartë mesazhin e qëndresës se si ata nuk u përkulën e as nuk u thyen në asnjë moment nga besimi i tyre në Zot.(Sipas ATSH)

Filed Under: Histori Tagged With: “Dëshmorët e Kombit”, e 40 martirëve të kishës, Fotografitë, katolike, në Bulevardin

Shqiptarët, 39 kryeministra në Stamboll dhe shtatë Papë në Vatikan

September 18, 2014 by dgreca

DOSIER/ Kryeministrat shqiptarë të Perandorisë Osmane kurrë nuk i shërbyen atdheut të vet/
* Asnjë Kryeministër shqiptar i Perandorisë Osmane, nuk u kujtua dhe një ditë të vetme për atdheun e tij/
-Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Ali Pashë Tepelena dy figurat historike që punuan për Shqipërinë/
-Huniadi i kërkon Skënderbeut, që shqiptarët të mos luftojnë me hungarezët./- Gjergj Kastrioti Skënderbe, la privilegjet që i ofronte oborri sulltanor dhe Krijoi Shtetin e Arbërit/
-39 fermane dolën nga kancelaritë sulltanore, për ti dhënë pushtetin kryeministror 39 shqiptarëve/
-Më 1515, Sulltan Selimi i preu kokën Ahmet Pashë Dukagjinit, pasi ai synoi pavarësinë e Egjiptit/
– Një fund tragjik pësoi Kara Ahmet Pasha më 1555, Sulltani i kishte dhënë motrën për grua/
– Në vitin 1822 sulltan Mahmuti II, ekzekutoi Ali Pashë Tepelenën duke i prerë kokën, sepse: “Pashai Shqiptar” ndiqte politikën e një tolerance të gjerë fetare/
– 7 papët që drejtuan Vatikanin, i patën kushtuar vëmendje të madhe popullit të vuajtur shqiptar/
Nga Harallamb Kota – studiues/
Historia tregon…/
Në 31 gusht të vitit 2014, në shtypin shqiptar u botuan dy artikuj tepër interesant, për 39 kryeministra shqiptarë që administruan perandorinë otomane të sunduar nga Porta e Lartë në vitet 1475-1920 dhe 7 Papë që drejtuan Selinë e Shejtë në Vatikan nga viti 174 deri në vitin 1721. Për çudinë e të gjithëve, vjeshta e vitit 2014 hyri me shira të rrëmbyer, duke ndërprerë si me thikë ditët verore të plazhistëve. Një lajm makabër për vjedhjen e “Bankës Shqiptare” kishte pushtuar të gjithë vendin. Ndërsa përgatitjet për vizitën e papës në Shqipëri, po bëheshin në heshtje të plotë dhe sipas programit qeveritar. Pas këtyre ngjarjeve, kërkesat për ndryshime rrënjësore e “Ribërjen e Shqipërisë”, vinin nga kancelaritë perëndimore, duke na kujtuar vjeshtën e Stambollit më 1830, kur në lagjen Perra, në klubin e Mirban Arnautit u paraqitën “Pendat e Arta”: Hasan Tahsini, Naum Veqilharxhi, Jani Vreto, Kostandin Kristoforidhi,Vaso Pasha, Ismail Qemali, vellezërit Frashëri-Abdyli, Samiu e Naimi dhe më pas shumë të tjerë, që kërkonin të ngjallnin Arbërinë, të krijonin shkrimin shqip dhe të bënin Shqipërinë shtet, sipas modeleve të shteteve perëndimore. Pas viteve 1990, klubi i “Mirban Arnautit” në qytetin e madh të Stambollit, gjallonte përsëri nga emigrantët e shumtë shqiptar të ardhur në Turqi, pas përmbysjes së madhe politike në Shqipëri.
Në 8 shtator 2014, në klubin e “Mirban Arnautit” në Stamboll, në ambientin e tij të shërbimit, të pajisur me komoditetet e kohës, hynë tre “Burra Historik”, të cilët zunë vend në një tavolinë dhe i bën shenjë kamerierit për të marrë porosinë. Kamerieri qëndroi i palëvizur. Në krye të banakut u duk një burrë i hollë dhe i gjatë, që mbante një palë mustak si flatra shqiponje. Ai u afrua, i përshëndeti dhe u tha: -Unë jam Mirban Arnauti. Të gjithë shqiptarët që vijnë në Stamboll, fillimisht ndalojnë në klubin tim. Pa u ndalur në ligjërimin e tij, Mirbani ju drejtua të porsaardhurve: –Ti duhet të jesh Pellazgu, ju drejtua të moshuarit me leshra të gjatë, të cilat ja mbulonin kryet’ e bashkoheshin me mustakët si kreshpa, duke lënë jashtë vetëm hundën e hollë, që nuhaste vazhdimisht ambientin, ku ishte futur.-Ndërsa ti tjetri je Iliri. Edhe ty të njoha nga xhoka që ke veshur. Më i riu midis udhëtarëve, nxitoi e u prezantua: –Unë jam Arbëri. Të gjithë qeshën me shkathtësinë e tij djaloshare dhe u shtruan në një bisedë tepër të këndshme.
Shqiptarët që vinë në Stamboll, -tha Mirban Arnauti, fillimisht ndalojnë në klubin tim. Kjo histori ka filluar mijëra vite përpara, në kohën kur këto vise quheshin Ilion. I pari udhëtar i largët që shkeli këtu ishte një lajmës, i cili me të mbërritur, u takua kokë më kokë me “Mirban Pellazgjikun” e i tha: -Mirmidonët nuk duan të luftojnë me Dardanët. Kjo është dëshira e Akilit, biri i Zeus pellazgut, për Hektorin, birin e Priam dardanit. Por zotat nuk e pranuan marrëveshjen. Ato dëshironin luftën dhe heronjtë pellazgjik u vranë në sheshin e betejës, në Trojë. Më pas, klubi ndryshoi emër. U quajt “Mirban Iliriku” nga Aleksandri i Madh e “Mirban Epiroti”nga Qezari i Romës,emër që e mbajti deri më 1415, kur sulltan Mehmeti I, mori peng djemtë e Gjon Kastriotit dhe i pruri në oborrin e tij në Stamboll.

Skënderbeu dhe hungarezët

Në fillim të nëntorit të motit 1443, në klubin tonë, i cili siç thashë më parë quhej ende “Mirban Epiroti”, erdhi një “Lajmëtar” dhe tha: -Huniadi i kërkon Skënderbeut, që shqiptarët të mos luftojnë me hungarezët. Perënditë që morën jetën e Akilit dhe Hektorit nuk ekzistojnë më. Tashmë ka vetëm një zot, që është i prirur për paqe dhe jo për luftë. Marëveshja e lidhur midis dy gjeneralëve më të mëdhenj te kohës, u zbatua menjëherë. Në betejën e Nishit, sipas një plani të përgatitur mirë, Skënderbeu braktisi ushtrinë gjaksore të osmanëve, që kërkonte shkatërrimin e civilizimit perëndimor.

Skënderbeu në Krujë

Në 28 nëndor 1443, çliroi Krujën dhe ngriti përsëri flamurin e Kastriotëve në bedenat e kalasë. Në 2 mars 1444, thirri Kuvendin e Lezhës dhe në krye të ushtrive të bashkuara të principatave çliroi trojet arbënore’ dhe për 25 vjet rresht, theu të gjitha ushtritë e sulltanëve. Mirbani heshti për një çast dhe pasi mori një copë herë frymë vazhdoi: -Gjergj Kastrioti Skënderbe, është heroi ynë kombëtar, me të cilin duhet të krenohemi dhe të mburremi, sepse la privilegjet që i ofronte oborri sulltanor dhe Krijoi Shtetin e Arbërit. Ndërsa për 39 kryeministrat që i shërbyen Portës së Lartë, duhet të ulim kryet, pasi zgjeruan kufijtë e perandorisë osmane dhe zhdukën shtetin e Arbërit.
Pas vdekjes së Skënderbeut, Porta e Lartë hartoi një strategji të rafinuar me shqiptarët, dhe vuri në zbatim sistemin e dervishermesë, që ishte marrja e fëmijëve të krishterë në moshë të vogël dhe edukimi për shërbimin në ushtri, ku më të mirët mbaheshin për shërbimin në pallatin e sulltanit. Kushti i parë që të bëje karrierë në perandorinë osmane, ishte që të bëheshe mysliman, gjë e cila nuk sillte probleme për shqiptarët, të cilët nuk ishin fanatik e fetarë, por përkundrazi tepër tolerantë për fenë e tjetrit dhe nuk përbënte asnjë pengesë për ndërrimin e fesë. Sistemi funksionoi. Me qindra fëmijë shqiptar u rrëmbyen nga vatrat atërore, që ushtria osmane i dogji e i shkrumboi. Fëmijët u sollën në Stamboll, ku shërbyen në radhët e jeniçerëve dhe u përdorën si mish për top. Disa prej tyre mbetën gjallë, u dalluan dhe ngjitën shkallët e karrierës për pushtet, duke u graduar me ofiqe të shumta në ushtri. Më i devotshmi,më i egri dhe më gjakatari, zgjidhej dhe emërohej në detyrën e kryeministrit.

Fermanët e Stambollit

Dhjetëra fermane sollën në pushtet shumë shqiptarë, të cilët më pas poshtëroheshin, burgoseshin dhe vriteshin. 39 fermane dolën nga kancelaritë sulltanore, për t’i dhënë pushtetin kryeministror 39 shqiptarëve dhe po aq dolën me nxitim për largimin e tyre. Për disa kryeministra shqiptar u zbatuan skemat e fshehta të eliminimit fizik’ e për disa të tjerë urdhri për ekzekutim me prerjen e kokës. Për ti patur në vëzhgim dhe nën kontroll, sulltani u jepte për grua motrën, vajzën ose princeshat e oborrit. Më 1475, i pari kryeministër shqiptar i caktuar nga sulltani, ishte Gjedik Ahmet Pasha dhe më 1920 i fundit ishte Demat Ferit Pasha.
Mirban Arnauti tregonte me shumë dëshirë dhe tepër hijerëndë, i rrethuar nga një numër i madh arnautësh, siç i thonë turqit shqiptarëve. Mes tyre dëgjonin të heshtur tre të ardhurit’ Pellazgu, Iliri dhe Arbëri. Atë mbrëmje, ambienti i klubit ishte mbushur plot me shqiptar, të cilët vinin çdo mbrëmje, takoheshin dhe bisedonin me njeri tjetrin. Mirbani në bisedë e sipër me tre“Burrat Historik”, ndaloi një çast e plot pasion vazhdoi:-I lexova me një frymë të dy artikujt, mbeta i shokuar e thashë: -Si mund të ngazëllehen shqiptarët për 39 kryeministra të sulltanëve,të cilët i shërbyen vetëm Padishahut dhe asnjëherë Shqipërisë? Mirban Arnauti, ndali pak çaste, mori frymë thellë, piu një gotë ujë të mbushur plot dhe vazhdoi: -Historia e 39 kryeministrave shqiptarë, është lufta e përgjakshme e tyre, në krye të pushtetit perandorak dhe ushtrisë osmane, për pushtimin e plaçkitjen e vendeve Arabike dhe shkatërrimin e civilizimit Europian. Kryeministri perandorak, për nga rëndësia e pushtetit vinte pas Padishahut, i cili i mbulonte me lavdi, kur në krye të ushtrive osmane arrinin fitore dhe zgjeronin territorin e perandorisë dhe u priste kokën kur forconin pushtetin duke rrezikuar fronin sulltanor dhe kur pësonin humbjen e luftërave.

Haim Ahmet Pasha dhe Hercegovina
Kur Haim Ahmet Pasha më 1514, nënshtroi Hercegovinën e ndërmori disa ekspedita plaçkitëse në Hungari, Austri e Poloni,duke u ndeshur me flotën e Venedikut, me të cilën ishte bashkuar Hungaria, Franca e Spanja’ të bekuara nga Papati, u mbulua me lavdi nga Sulltan Bajaziti. Ndërsa më 1515, Sulltan Selimi i preu kokën Ahmet Pashë Dukagjinit, pasi ai synoi pavarësinë e Egjiptit nga pushteti Sulltanor. Një fund tragjik pati dhe Ibrahim Pasha me origjinë nga Parga e Çamërisë. Ibrahimi komandoi ushtritë osmane të sulltan Sulejmanit të “ndritur”. Ai shtypi me armë të gjitha kryengritjet brenda vendit’ e në vitin 1526, në krye të ushtrisë osmane, ku merrte pjesë vetë sulltani, sulmoi Hungarinë,pushtoi Budën e rrethoi Vjenën,të cilën nuk e shtiu në dorë. Edhe pse i shërbeu Portës së Lartë në vitin 1536, u vra nga njerëz të vënë nga sulltani. Pas tij,u caktua Ajaz Mehmet Pasha, i cili ne vitet 1536 – 1539, shtypi kryengritjen e shqiptarit Ahmet Pasha, një funksionar i lartë i rebeluar ndaj qeverisë qendrore, si dhe kryengritjen që shpërtheu në vendlindja e tij Himarë.

Kara Ahmet Pasha
Një fund tragjik pësoi Kara Ahmet Pasha më 1555. Sulltani i kishte dhënë motrën për grua, por dyshoi dhe i preu kokën. Me vrasje përfundoi karriera e Ferad Pashës, që drejtoi luftën kundër Vllahisë, duke vrarë shumë shqiptarë kryengritës, të cilët drejtoheshin nga Naum Veqilharxhi. Po me vrasje përfundoi edhe karriera e Taban Mehmet Pashës, i cili u ekzekutua në vitin 1637 nga sulltani. Interesante është vrasja më 1644 e Mustafa Pashë Kamekazi, nga sulltan Murati IV, pasi ai, nuk i dëshironte reformat administrative të propozuara prej tij. Edhe Matjani Tarhanxhu Mustafa Pasha,u ekzekutua nga sulltani më 1653, pasi ishte i pakorruptueshëm dhe bënte detyrën si duhej. Mbas vitit 1656, në krye të qeverisë osmane erdhën Qypyrlitë, të cilët ishin me origjinë nga Berati dhe në të gjithë karrierën e tyre, i shërbyen me devotshmëri Portës së Lartë. Qypyrlitë nuk i shërbyen asnjëherë Shqipërisë dhe vendlindjes. Pinjolli i tyre, Mehmet Pasha, u dallua për pushtime të shumta, zgjeroi territorin e perandorisë dhe vuri qetësinë duke vrarë me mijëra vetë që nuk i bindeshin. Pas tij, deri më 1676 qeverisi i biri, Fazlli Ahmet Pasha, që me zell të madh pushtoi kështjellat rreth Vjenës dhe synoi të pushtonte kryeqytetin Austriak. Deri më 1690 qeverisi Fazlli Mustafa Pasha, që rinisi fushatën kundër Austrisë e rimori territoret në Danub. Në bashkëpunim me Patrikanën e Stambollit, Mustafa Pasha trajtoi shumë mirë të krishterët e popullsinë jomuslimane të perandorisë, me përjashtim të shqiptarëve dhe popullsisë së krishterë shqiptare. Në vitin 1692, sulltani ekzekutoi Ali Pashë Arabxhiun nga Ohri, për kryerje pa dëshirën e tij të veprimtarive politike në drejtimin e shtetit. Në vitin 1822 sulltan Mahmuti II, ekzekutoi Ali Pashë Tepelenën duke i prerë kokën, sepse: “Pashai Shqiptar” ndiqte politikën e një tolerance të gjerë fetare, e ktheu Janinën në vatër të rëndësishme arsimore e kulturore, lejoi të përdorej gjuha e shkruar shqipe dhe po orvatej të shkëputej nga “Porta e Lartë” .

Ditën e ngritjes së flamurit në Vlorë…
Mirbani ndaloi përsëri një çast dhe më tej vazhdoi: -Këtu në këtë klub, në vitet kur qeveriste kryeministri shqiptar Gjirtili Mustafa Nail Pasha nga Kosturi, Pendat e Arta shqiptare punonin në fshehtësi për alfabetin shqip dhe bërjen e Shqipërisë. Pushteti perandorak, i goditi, i burgosi dhe i internoi. Edhe në vitin 1908, ku Pendat e tjera të Arta u mblodhën për njësimin e shkronjave shqip, në Kongresin e Manastirit, kryeministër ishte shqiptari Mehmet Ferit Pashë Vlora, i cili jo vetëm nuk e përkrahu njësimin e shkronjave shqip, por dërgoi ushtri për ta penguar dhe burgosur veprimtarët shqiptar. Ditën e ngritjes së flamurit në Vlorë dhe shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë, nga burrat e kombit të mbledhur rreth plakut të urtë, Ismail Qemal Vlora, në krye të qeverisë osmane qëndronte Mirsili Said Halim Pasha,i cili përkrahte fshehtas shtetet ballkanike për copëtimin e Shqipërisë. Edhe dy kryeministrat e fundit të perandorisë osmane, Ahmet Izet Pasha më 1918 dhe Demat Ferit Pasha më 1919-1920, nuk e përkrahën shtetin kombëtar shqiptar, por lejuan copëtimin e territorit të tij, në favor të fqinjëve ballkanik.
Kishte kaluar mesnata dhe të gjithë bujtësit u shpërndanë. Atë natë tre udhëtarët pushuan në shtëpinë e Mirbanit e të nesërmen i zoti i shtëpisë,i përcolli në aeroportin “Ataturk” të Stambollit. Unë, tha “gjysh pellazgu”, do të qëndroj këtu, pasi Stambolli është Troja, është mesi i Pellazgjisë, ndërsa në Shqipëri do të shkoj Iliri dhe djali i tij Arbëri. U ndanë dhe avioni u ngjit lart. Duke fluturuar mbi Stamboll, atë e bir vështronin dy objektet ogurzeza të shqiptarëve, Fanarin dhe Portën e Lartë. Lot të hidhur u rrodhën nga sytë.
Qielli ishte zymtësuar përsëri me re të dendura dhe të zeza. Shiu filloi më me furi. Të dy pasagjerët kishin marrë linjën Stamboll-Romë-Tiranë. Avioni bëri një rrethrrotullim mbi qytetin e Romës dhe nën qiellin pa re të saj, dalluan dy objektet mitike, Koloseun dhe Vatikanin.

Në Vatikan kanë drejtuar 7 Papë shqiptar
Në pushimin e uljes në aeroport, Arbëri pyeti plot kërshëri Ilirin. Baba, më trego lidhur me Papët Shqiptarë, që kanë drejtuar Vatikanin. Iliri kishte lexuar, shtypin dhe i tha: -Sipas gazetës, në Vatikan kanë drejtuar 7 Papë shqiptar. I pari Shën Eleuteri, është zgjedhur Papë më 174. Duhet të dish, që në ato vite, Iliria ishte nën perandorinë Romake. Sipas historisë, krishtërimin në Iliri e solli Shën Pali në vitin 40 pas krishtit. Thonë, që Krishti fliste edhe shqip. Fjala Jezu Krisht, shpjegohet në gjuhën shqipe dhe do të thotë: “Je Zeusi Krijes” ose “Zoti Njeri”. Jezus e thërriti “mësuesin” një shqiptar, kur ai po predikonte. Iliri u kollit dhe vazhdoi : -Vetëm një popull i krishterë, mund të nxirrte një Papë dhe ta vendoste në krye të Vatikanit. Papa “Shën Eleuteri”, punoi shumë për kishën dhe njëkohësisht i kushtoi vëmendje trojeve dhe popullit Ilir. Në periudhën që ai drejtoi Vatikanin nga viti 174 deri më 189, në Iliri mori zhvillim të madh arti i të shkruarit shqip me germa latine. U krijuan shumë skulptura, mozaikë dhe dëshmi kushtuar perëndive dhe njerëzve të shquar, midis të cilave edhe ajo e mjeshtrit ilir me banim në qytetin mitik Partha, e gjetur në qytetin antik të Bylisit, kushtuar Asklepit, perëndisë së mjekësisë, të cilën mjeshtri e ka nënshkruar me emrin lycotas ( gurskalitësi). Pas tij, në vitet 283-296, është “Shën Kaji”, e në vitet 640-642 “Shën Gjoni”. Papa që la gjurmë në historinë shekullore të Selisë së Shenjtë dhe në historinë e kombit shqiptar, është Klementi XI, Gjon Francesk Albani-Laci, me origjinë nga familja Albani. Djemtë e kësaj familje kanë qenë luftëtarë nën urdhrat e Gjergj Kastriotit Skënderbe dhe emigruan në Itali, pas vdekjes së kryezotit tonë.

Giovani Francesko Albani
Giovani Francesko Albani, më 1699 kishte inkurajuar dy mësues arbëreshë të çelnin në Himarë një shkollë shqipe, ku mësohej me gërma latine. Ai u zgjodh papë në 8 dhjetor të vitit 1700’ dhe u quajt papa Klementi XI, i cili e drejtoi vatikanin për 21 vite me radhë.
Qysh në vitin 1701, themeloi për shqiptarët e Italisë një kolegj në San Dimitria Korone dhe më 1708 siguroi një vënd të përhershëm për një student shqiptar. Më pas dërgoi në Shqipëri, në të gjitha diogjezat priftërinj shqiptar, hapi një shkollë shqip në Kurbin në prill 1711, me përgatitje mjeshtrash që të mësojnë letrat, shkrim e lexim shqip. Deri në fund të shekullit XIX, Papa Klementi XI, pasi u njoh me gjendjen e mjeruar të shqiptarëve nën sundimin perandorak turk,influencoi për frenimin e kovertimit me dhunë të shqiptarëve nga të krishterë në mysliman. Megjithatë për ruajtjen e unitetit të popullit shqiptar është kuptimplote thënia e tij : “ …Mos braktisni vëllezërit tuaj, që u kthyen në myslimanë. Zoti është një….” Gjatë gjithë periudhës kur sundoi në Selinë e Shenjtë, u interesua për zhvillimin e kulturës shqiptare, për gjuhën shqip duke mbështetur botimin e veprës së albanologut Luibnici, ku shfaqeshin pikëpamje mbi origjinën ilire të shqiptarëve.

7 papët që drejtuan Vatikanin, i patën kushtuar vëmendje të madhe popullit të vuajtur shqiptar

Është e rëndësishme të dimë,- i tha Iliri Arbërit, të vërtetat dhe rëndësinë e tyre për çështjen shqiptare. Nga shtypi mësuam që: 39 kryeministrat shqiptarë të perandorisë osmane, kishin drejtuar luftëra gjakatare dhe nuk kishin bërë asgjë për Shqipërinë. Ndërsa 7 papët që drejtuan Vatikanin, i patën kushtuar vëmendje të madhe popullit të vuajtur shqiptar. Është me interes të përmendim edhe papët jo shqiptar, që ndihmuan Skënderbeun në luftën e tij kundër ushtrive osmane, të cilët ishin në krye të Selisë së Shenjtë. Ato janë: papa Eugjen IV (1431-1447), papa Nikolla V (1447-1455), papa Kalisti III (1455-1458 ) dhe së fundmi papa Piu II ( 1458-1464 ), që e konsideronte Gjergj Kastriotin –Skenderbe si komandant të ushtrisë së krishterë Europiane, kundër pushtuesve turq. Në bashkëpunim me selinë e shenjtë, Skënderbeu po tregonte qysh në fillim të fushatës së tij antiosmane, një orientim perëndimor. Disa historianë, me dëshirën keqinformuese nuk thonë që shqiptarët në kohën Skenderbejane ishin të krishterë dhe u konvertuan në myslimanë shumë shekuj pas vdekjes së tij. Duke patur qëllime të mbrapshta, ata abuzojnë duke thënë që: “Skënderbeu ishte kryqtar”. Kjo nuk është e vërtetë ka thënë Fan.S.Noli. Sipas Nolit “….Papët e ndihmuan Skënderbenë me të holla tingëlluese, që arrinin në mijëra dukate ari të thesarit papal…” , si duket për luftën që po bënte kundër pushtuesit osman, duke u bërë mburojë ndaj depërtimit të osmanëve në brendësi të Europës. Iliri nuk foli më, ndërsa i biri Arbëri tha: -Kuptohet baba, çfarë kontributi dhanë për Shqipërinë 39 kryeministrat shqiptarë që i shërbyen sulltanëve dhe orientit dhe çfarë kontributi dhanë për Shqipërinë, për kulturën dhe gjuhën shqipe, 7 papët shqiptar, që i shërbyen oksidentit.
Avioni i linjës Stamboll – Romë- Tiranë, u ngrit në fluturim. Në bordin e tij ishin edhe dy shqiptarët e kthyer nga “Historia”, Iliri me të birin Arbërin. Me të mbërritur në aeroportin e Rinasit në Tiranë, at e bir, u nisën për në vendlindje. Kishin vendosur të punonin për dheun e tyre.(Ne Foto:Papa Klementi XI (Gjon Françesk Albani l. 23 korrik 1649, Urbino – v. 19 mars 1721, Roma)

Filed Under: Histori Tagged With: 39 kryeministra në Stamboll dhe, Harallamb Kota, në Vatikan, shqiptaret, shtatë Papë

“Waiting for the Pope”…

September 18, 2014 by dgreca

…Emocione në Katedralen Shën Pali në Tiranë/
“Waiting for the Pope”, është koncerti organizuar nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe Ministria e Kulturës, i cili pas shfaqjes së parë në qytetin e Durrësit, në 16 shtator, në Katedralen “Shën Luçia” është transferuar mbrëmjen e 17 shtatorit në një tjetër Katedrale, në atë “Shën Pali” të Tiranës.
U interpretuan nga orkestra, kori dhe solistët e TKOB, pjesët si Ave Maria nga Ch.Gounod,nga orkestra dhe solistja Mariana Leka, Agnus Dei dhe Lux Eterna nga Tonin Harapi , “La Forza del Destino” dhe La vergine degli Angeli nga “Giuseppe Verdi”, Ave Verum nga Wolfgang Amadeus Mozart dhe Gloria nga A. Vivaldi, soliste Mariana Leka dhe Vikena Kamenica. Por me emocion ishte leximi i materialeve
poetike, nga autorë më profil religjoz nga aktorët Marjeta Larja, Dritan Borici, Sokol Angjeli.
Homazh për Nënë Terezëns, shkëputur nga libri “Nënë Tereza me Shqipetarët,”, homazh për Gjergj Fishtën, shkëputur nga libri ”Vallja e Parrizit, dhe homazh për Vinçens Prennush, shkëputur nga libri “Gjeth e lule” ishin pjesët e interpretuara nga aktorët përgjate koncertit i cili ka rrëmbyer dhe emocionuar majft të pranishmit, ku ndodhej edhe Ministrja Kumbaro.
Dirigjenti Edmond Doko, i pyetur nga ATSH, tha se, ndihem i emocionuar, sepse në ambjente të tilla muzika është e privilegjuar, për më tepër muzika religjoze e cila krijon edhe mundësinë e një tingëllimi shumë të mirë në këto lloj ambjentesh, duke krijuar një lloj frymëzimi të brëndshëm”.
“Eshtë një eveniment që përcillet me entuziazëm nga artistët por dhe nga besimtarët dhe jo besimtarët të cilët mirëpresin ardhjen e Papës. Në këtë kuptim ata po festojnë së bashku me ne këtë atmosfere e cila të parapregatit shpirtërisht ardhjen e Papës”.
Ndërkohë sot, koncerti “Waiting for the Pope” do të transferohet në qytetin e Shkodrës, ku do të zhvillohet në Katedralen e “Shën Shtjefnit” në orën 18:00.(Kortezi: K. Musabelliu ATSH)

Filed Under: Kulture Tagged With: “Waiting for the Pope”, katedralja Shen Pali

Vizita e Papës- Kryeministri: Bashkëpunim absolut me sigurinë e Vatikanit, nuk ka asgjë për tu shqetësuar

September 18, 2014 by dgreca

Nga Almarina Gegvataj/
-Kryeministri Edi Rama deklaroi me 18 shtator në mbrëmje në emisionin “Opinion”,se nuk ka asgjë për tu shqetësuar lidhur me sigurinë e Papa Françeskut gjatë vizitës që do të zhvillojë të djelën e 21 shtatorit në Shqipëri.
”Bashkëpunimi ka qënë absolut me sigurinë e Vatikanit, ata kanë një përvojë shumë të fortë në këtë drejtim dhe absolutisht që nuk ka asgjë për t’u shqetësuar ndërkohë që besoj që shqiptarët do të vijnë nga kudo për ta mirëpritur”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se ”ditën e djelë, si asnjëherë më parë, Shqipëria do jetë në sytë e të gjthë botës, rreth 120 gazetarë të huaj do të jenë dhe përfytyroni Shqipërinë që në mëndjen e shumë njerëzve është një vend pa lidhje, që do të ekspozojë pjesën e trupit të vet të përgjakur në emër të kishës, besimit dhe lirisë së fesë”.
Lidhur me zbukurimin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit “, me portretet e 40 martirëve të klerit katolik dhe ortodoks shqiptarë të cilët janë bërë dëshmorë në emër të fesë, Rama tha se janë ide e imja “, ndërsa Vatikani ka nisur procesin e lumturimit të tyre.
Përsa i përket kopjes së “Mesharit” të Gjon Buzukut, shefi i qeverisë shqiptare sqaroi se “Vatikani sjell diçka unikale si dhuratë, një kopje të dixhitalizuar të këtij Meshari. Kopja që sjell Papa Françesku është kloni i Mesharit të Gjon Buzukut”.

Filed Under: Komente Tagged With: Edi Rama, i siguruar, ne Tirane, Papa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4396
  • 4397
  • 4398
  • 4399
  • 4400
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT