Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” dhe të gjithë vatranët, si dhe Gazeta “ Dielli” urojnë vatranin e vjetër, anëtarin e Këshillit të Vatrës, biznesmenin dhe veprimtarin e dalluar të cështjes Kombëtare me rastin e daljes nga spitali.
Z. Balaj kreu një operacion, i cili doli me sukses. Pas disa ditësh qëndrim në spital vatrani Zef Balaj ka dalë dhe po pushon në shtëpi. Gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe e qëndrushme. Shumë nga vatranët e kanë uruar z. Balaj me këtë rast.
I urojmë z. Balaj shërim të shpejtë !
KUVENDI I ARDHSHEM I VATRES DO TE MBAHET NE JACKSONVILLE-FLORIDA
Këshilli i Vatrës që u mblodh të Shtunën me 13 Shtator 2014 në Shtëpinë e Vatrës, diskutoi rreth problematikës aktuale. Një ndër pikat e rendit të ditës ishte edhe caktimi i vendit për mbajtjen e Kuvendit të ardhshëm të Vatrës. Anëtarët e Këshillit votuan propozimin e kryetarit dr. Gjon Bucaj që ky Kuvend të organizohet në Jacksonville në Florida. Në fakt ka qenë vetë dega e Vatrës së atjeshme dhe e kryetarit Adriatik Spahiu që Kuvendi të mblidhet në qytetin Jacksonville.
Dega e Jacksonville edhe pse është nga degët e reja që u organizua në Nëntor 2012 ka arritë që të bëhet organizatorja e bashkimit të shqiptarëve në veprimtari kulturore. Ndërkohë që kjo degë e nisi veprimtarinë me 30 anëtarë sot numëron rreth 100 anëtarë dhe vazhdon t’i shtojë radhët. Jo vetëm kaq, por kjo degë është promotore e ngritjes së degëve të reja në këtë shtet.
Dega e Jacksonville ka celur dhe shkollën shqipe dhe po jep një kontribut të vecantë në mosasimilimin e shqiptarëve.
Vendimi i qendrës për ta organizuar Kuvendin e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA në Jacksonville ëshët dhe nëj vlerësim për degën e atjeshme të Vatrës.
Posta Shqiptare emeton pullën postare me tematikë “Papa Françesku në Shqipëri – 21 shtator 2014”
Nga Arlinda Gjonaj/
TIRANE, 16 Shtator/- Me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, Posta Shqiptare në kuadrin e festimeve në nder të kësaj ngjarje të rëndësishme emeton një pullë postare të posaçme, me sasi të limituar, e cila do të do të dalë në qarkullim më datë 21 shtator 2014.
Boceti i kësaj pulle mbas përzgjedhjes nga Komisioni Shtetëror i pullës postare shqiptare, është miratuar dhe nga Selia e Shenjtë e Vatikanit në Romë.
Emisoni i kësaj pullë përbëhet nga 1 seri me 1 pamje, një tabak të përbërë prej nëntë pullash si dhe nga Zarfi i Ditës së Parë (FDC).
Dizajni i bocetit është realizuar nga autori Petraq Papa dhe ka një vlerë prej 100 lekë. Tirazhi për filatelinë është 3800 seri, ndërsa për shërbimin postar është 5.000 copë si dhe 200 FDC. Posta Shqiptare ka eskluzivitetin e emetimit dhe prodhimit të pullës postare shqiptare. Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi, deklaroi se Posta Shqiptare shpreh kënaqësinë e emetimit të kësaj pulle kaq të rëndësishme dhe shprehu gatishmërinë që në të ardhmen “nëpërmjet pullës postare shqiptare të pasqyrohen ngjarje të tjera të rëndësishme historike, kulturore, sportive, etj, të vendit tonë dhe ato ndërkombëtare”.
Papa Françesku është Papa i dytë që do të shkelë në trojet shqiptare, pas një Shenjti, Papa Gjon Palit II, më 25 prill 1993 dhe ky është shtegtimi i parë që Papa Françesku bën në një vend europian dhe ballkanik. Ndërmjet sa e sa vendeve që e kanë ftuar e vijojnë ta ftojnë, Papa Françesku zgjodhi pikërisht Shqipërinë, sepse, siç e ka theksuar, është ndër më të vuajturat, larë me gjak martirësh, që dhanë jetën për fe, për liri, për demokraci dhe për bashkëjetesë shembullore në paqe.
Rrëfimtari
-Në kujtim të përvjetorit të lindjes së Mitrush Kutelit/
Nga Flora NIKOLLA/
Një herë në një vend x, një ministër të brendshëm e pyetën se kush kishte qenë ministër i brendshëm në kohën e Shekspirit.
-Nuk e di , i ishte përgjigjur ministri.
-Por kur nuk e di ti që je ministër , kush mund ta dijë tjetër, i ishte përgjigjur njeriu që etapat e historisë njerëzore i kishte të lidhura me emra të mëdhenj të letërsisë.
Se në fakt, kujtimi për njerëzit e mëdhenj, që shkruajnë letërsi, vetëm duket se pushon mbi kohën, e cila edhe pse ikën apo duket sikur kinse fle, zgjohet e madhërishme dhe e pandjeshme nën emrat e mëdhenj.
Emrat e tjerë janë vetëm emra , që flenë me emrin e ujit të vdekur.
Flas këtu për vlerën që mbjell farë në tokat djerrë në të verdhë të mardhur, por që nxisin jetën për të mos e jetuar me vetminë vetmitare.
Sepse sado mundohen të fshehin prodhimin e tyre, ajo rritet ‘e harbuar’ mes kohës, duke vrarë vitin kur është shkruar dhe pastaj vetiu i detyron njerëzit të pyesin si ai njeriu, cili ka qenë ministër i brendshëm në kohën e Shekspirit…!!!
Dhe unë them se jehonat e njerëzve që ditën të shkruajnë letërsi në Shqipëri nuk do të mund të dëgjohen ndonjëherë me erë vjetërsie.
Dhe nuk janë pak. Flas këtu për Mitrush Kutelin .
Një stilist i rrallë, sa edhe psikolog i thellë , tek i cili rrëfimi rrëshqet nga gjuha e blatuar me ngjyrimet popullore. Edhe ai shkroi në fillimet e një shekulli të kaluar.
Mitrush-Kuteli“Duhet thënë se ne na duhen shqipërime, jo përkthime fjalë për fjalë. Në përkthime kemi penda varfanjake e sidomos kalemë anonimë, që nuk njohin ligjet e shqipes dhe ca më shumë gjuhën nga e cila buron vepra. Shumë përkthime ku shqipja ka dalë e therrur në gisht…”
Vallë sa kohë kanë kaluar që kur Mitrush Kuteli, mjeshtri i rrëfimit të shqipes ka renditur këto fjalë ?
Me një frymë, pyetjes mund t’i përgjigjesh se i ka thënë dje, ose në një simpozium shkencor organizuar pak kohë më parë.
Koha vetëm mbas këtij fragmenti duket e fshirë, se në mes tyre të jepet e vërteta absolute: e tashmja e ngërthyer njështaz me të tashmen…
Mitrush Kuteli, ka shumë vjet që ka ikur fizikisht.
Atëhere ishte viti 1967.
Në fakt ai iku se të tjerë, ia afruan me dhunë e forcë psikologjike ikjen.
Shqipëria atëherë kuadratonte në çdo cep të jetës ideologjinë komuniste që tentuan t’ia jepnin edhe Mitrush Kutelit nën titullin anemik Armik i Popullit.
“Profesionalizmi në letërsi, në vendin tonë është hë për hë një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur them për atë që s’di marifete e hipokrizira. Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë . Të vrasin shokët se ju bën hije. Dhe kur u bën hije do të thotë që nuk je i zoti për letërsi…”, kështu shkruante Mitrushi në Testamentin e tij.
Por mbas fjalëve të tij do të guxoja të thoja se titulli anemik ishte një tentativë e dështuar, vrimë në natën e zezë e pushtuar e tëra nga një ëngjëll.
Pastaj menduan se duke e çuar në kampin e Vioçishtit në Maliq, do t’i merrnin arsyen e dashurisë dhe të jetës, apo do t’i humbisnin emrin.
Kërkonin ta vrisnin emrin e tij, brenda pasqyrës që bënte dritë.
Dhe ai donte të fliste dhe t’i këndonte jetës , kur në një ditë të ftohtë prilli për orë të tëra e mbuluan me baltë të ftohtë kënete.
Një mik i tij i burgut, guxoi t’i flasë purgatorëve “Shpëtojeni atë njeri. Po vdes…”
Është si t’i mbyllësh sytë dhe të betohesh se nuk do t’i hapësh më kurrë nga e gjitha kjo. Dhe me sytë mbyllur brenda dhimbjes t’u biesh këmbanave të alarmit deri sa fjalët e shkruara nga ky njeri vetiu të tingëllojnë magjishëm.
Dhe kur ai vdiq , sërish dikush kërkoi të vendosë në hije emrin e tij, mbi vdekjen , fjalë e rëndë e pabesueshme , fjalë që godet.
Por hija e imponuar mbi emrin e tij nuk mund të ishte kurrsesi hije.
Dhe këtu bëj pyetje…
A mundet të ekzistojë në letërsi koncepti i vdekjes artistike ?
Poeti kombëtar i Rumanisë , Mihail Eminescu, flet shqip nga viti 1939 nga shqipërimi i Mitrush Kutelit , poeti i madh i Ukrainës , Taras Shevcenko flet shqipen e kulluar të Mitrush Kutelit , Gogol , shkrimtari i madh rus në librin e tij “Frymë të vdekura”, mban nënshkrimin Mitrush Kuteli…
Po sa libra të tjerë të përkthyer nga rusishtja, rumanishtja, italishtja, frëngjishtja të llogaritura në rreth shtatë mijë faqe librash shtypur më germa të vogla , mbajnë përsëri një emër…, Mitrush Kuteli.
Për të vazhduar…, “Netë shqiptare “, libri me rrëfime, “Ago Jakupi e të tjera rrëfime “, libri me poema “Sulm e lotë”, tregimet e “Kapllan Aga i Shaban Shpatës”, “Shënime letrare” dhe pamfletet satiriko-politike “Havadan në havadan”, rrëfimet e papërsëritshme “Pylli i gështenjave “, “Xinxifilua”, “Tregime të moçme shqiptare”, “Baltë nga kjo tokë”, “Në një cep të Ilirisë së poshtme”, apo jeta e tij paskësaj në dy testet autobiografike: “Kujtesa” dhe “Testamenti”…
Më mirë të mos flasësh , për të mos thënë fjalë,… sa shumë fjalë që thonë njerëzit.
Pastaj ato bien vetëm si uji që ikën .
Dhe pastaj fjalët përpara veprave bëhen të shurdhëta e memece.
Por kësaj here, fjalët duket sikur duan të bëhen zjarr nga privilegji që ju jep emri i Mitrush Kutelit, pogradecari që lindi 100 vjet të shkuara, ekonomisti i shquar, prozatori që diti ta tingëllojë vetëm me tingull kutelian prozën e tij.
Sepse proza e Kutelit nuk gëlthet, shqipja në të vetëm rrjedh.
E paskësaj , lulja delikate që i jep formë mendimit dhe konceptit të veprës së tij është përgjithnjë gjuha e rrallë e rrëfimit e dhënë shkrythët dhe pa spazma cerebrale.
Ia imponuan vdekjen , apo iku për të mbetur një gur i çmuar brenda rrëfimit artistik ?
Pyetja mbetet përgjithnjë shurdhe –memece përpara veprës së tij.
Gjakova nderon bijën e saj, aktoren e shquar Besa Imami “Nderi i skenës shqiptare”
Aktorja e shquar e skenës shqiptare, Besa Imami, e cila gdhëndi me dinjitet personalitetin e femrës shqiptare, është nderuar nga Gjakova, vendlindja e saj, me titullin “Nderi i skenës shqiptare”.
Artistja e Merituar, Margarita Xhepa do ta quante një propozim të vonuar duke shtuar se Besa Imami i ka dhënë shumë artit në Shqipëri. Ceremonia për dhënien këtij çmimi u zhvillua në ambientet e Teatrit të Gjakovës, në një sallë te tejmbushur nga miq, artëdashës si dhe familjarë të aktores së njohur Besa Imami.
Propozimi i Zenepe Lukës, Drejtoreshës së Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, për vlerësimin e figurës së aktores Imami, me mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Fondacionit, si dhe Drejtorisë Komunale të Kulturës në Gjakovë, ka marrë edhe miratimin e kryetares së Komunës së Gjakovës, zonjës Mimoza Kusari Lila.
Migena Arllati, poetja, shkrimtarja dhe njëkohësisht albanologia e njohur e qëndrës së Albanologjisë së qytetit të Gjakovës, në ceremoninë e hapjes u shpreh se “këto dy ditë në Gjakovë, kryesia e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi” krijoi edhe degën e saj në këtë qytet dhe duke u munduar të gjejmë sa më shumë fije të përbashkëta si shqiptar që jemi, midis dy anëve të kufirit, nuk kishte se si të harronim emrin e Besa Imamit, gjakovares sonë, e cila është larguar që në fëmijëri me familjen”.
Ajo u shpreh se “Drejtoria Komunale e Kulturës si dhe kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, e nderojnë sot emrin e aktores së madhe Besa Imamit, me një mirënjohje të veçantë dhe në pamundësi të pranisë së saj në këtë event, i pranishëm këtu sot është i biri i saj, gazetari i mirënjohur, zoti Artur Zheji, i cili nuk është këtu vetëm për të tërhequr çmimin, por edhe për të na sjellë në skenë, pak nga ajo Besa jonë gjakovare”.
Në skenën e teatrit gjakovar është ngjitur i shoqëruar mes duartrokitjesh të shumta, djali i Besa Imamit, Artur Zheji, i cili pasi u shpreh se po përjetonte një ndjesi të veçantë në qytetin e lindjes së nënës së tij, rrëfeu për të pranishmit se “jam rritur në një familje, e cila kishte marrë me vete Kosovën në emigracion, dhe ku flitej rreptësisht dialekti i Gjakovës” .
“Kur flitej për Gjakovën nënkuptohej e gjithë Kosova, dhe jam edukuar që në fëmijëri me një dashuri, mall e nostalgji për Kosovën, dhe kjo e fundit falë meritës së gjyshes (nënës së Besa Imamit) dhe nënës sime Besa Imamit. Edhe unë sot ndihem i rikthyer në qytetim tim të lindjes, edhe pse nuk kam lindur këtu, por jam 50 % gjakovar shprehet Zheji.
Jo vetëm marrja e këtij çmimi në mungesë fizike të nënës së tij, por edhe një tjetër arsye thotë z.Zheji ishte vizita e tij së bashku me familjen në vendlindjen e Besa Imamit. “Erdha në vendlindjen e nënës sime, për të vendosur edhe ato ura të pashlyeshme midis një vendi të ndarë artificialisht përgjysmë siç është Kosova me Shqipërinë”, është shprehur z.Zheji ndërsa falënderoi Fondacionin si dhe Kryetaren e Komunës së Gjakovës për dhëninë e këtij titulli, artiste e meritur për Besa Imamin.
Gjithashtu, edhe një ndër mikeshat e saj më të mira, Artistja e Merituar, Margarita Xhepa, anëtare e fondacionit Nermin Vlora Falaschi, e lartësoi figurën e akores së shquar Besa Imami, duke theksuar se “..dhe që kur është ngjitur në Teatër për herë të parë, midis aktorëve të mëdhenj, ajo tregoi që ishte po aq e madhe midis tyre, nëpërmjet interpretimit si dhe rrezatimit që ajo kishte si në skenën teatrit ashtu edhe në kinematografi”.
“Ajo është një aktore e shquar”, vijoi Xhepa duke shtuar se “i dha shumë artit në Shqipëri. Edhe pse ky ishte një propozim i vonuar, unë dua të falenderoj Fondacionin i cili gëzon e nderon sot këtë grua, nënë e aktore të shkëlqyer, që gjithmonë të mbetet e pa harruar si të gjithë artistët shqiptarë”. Ndërkohë që pas zonjës Xhepa, në mungesë të kryetares së Komunës Gjakovë, zonjës Mimoza Kusari Lila, Drejtori i Kulturës së komunës, z.Meriton Ferizi, pasi shprehu keqardhjen e zonjës Lila, që nuk mund të ishte e pranishme në dhënien çmimit që ajo vetë e nënshkroi, i dorëzoi Artur Zhejit edhe çmimin për Artisten e Merituar, me motivacionin “Besa Imami, aktore e madhe e skenës shqiptare, figurë të cilën e lartëson mbi 100 role në teatër dhe kinematografi, ku gdhëndi me dinjitet personalitetin e femrës shqiptare”.
Besa Imami ka lindur në 8 Gusht të vitit 1928 në qytetin e Gjakovës. Në vitin 1937 familja e saj do të shpërngulet në Tiranë.
Që prej shtatorit të vitit 1946 e deri në 1 Shtator të vitit 1988, Artistja e Merituar, Besa Imami i ka dhënë publikut mbi 90-të role. Këtu mund të përmendim : rolin e Mbretëreshës Teuta tek “Artani” e Selman Vaqarrit , rolin e Nënë Zyrasë tek “Bashkë me agimin” e Bashkim Kozelit, rolin e Prendës tek “Cuca e Maleve” e Kolë Jakovës, rolin e Klara Gaberit tek “Procesi i Lajpcigut-Gjergj Dimitrovi”, rolin e Rushës tek “Halili dhe Hajria” e Kolë Jakovës, rolin e Lajes tek “Lulet e Shegës”, rolin e Nënës tek “Monserati”, rolin e Gjinervës tek “Rrënjët e thella” etj. Rikthehet përsëri në skenë në vitin 2004 për të interpretuar në dramën “Streha e të harruarve” të Ruzhdi Pulahës në roline malësores. Në kinematografi ajo do të bëhet e njohur për publikun e gjerë me rolin e Donika Kastriotit në filmin “Skëndërbeu” të realizuar në vitin 1953.
Më pas do të vijonin role të tjera si roli i Martës në filmin “Brazdat” në vitin 1973, roli i Nënë Tanës në filmin “Në fillim të verës” në vitin 1975, roli i Nënës së Gurgenit në filmin “Balada e Kurbinit” në vitin 1989 etj.
Roli i saj më i fundit është ai i gruas myslimane në filmin “Eduart” në vitin 2006. Roli i saj më i fundit është ai i Gruas myslimane në filmin “Eduart”. Ajo gjithashtu ka interpretuar edhe në operën “Kavaleria Rustikane” të Pietro Maskanjit të vënë në skenë nga Teatri i Operës dhe i Baletit.
Në vitin 1961, kur ishte vetëm 33 vjeç, Besa Imami për meritat e saj artistike do të vlerësohej me titullin “Artiste e Merituar”.//k.musabelliu.